BEHRAMI dhe BEHRAMI kundër FRANCËS dhe
SARAMATI kundër FRANCËS, GJERMANISË dhe NORVEGJISË
(kërkesat nr. 71412/01, 78166/01)
31 maj 2007
Dhomë e Madhe
Vendimi mbi pranueshmërinë
kompetenca e Gjykatës për të shqyrtuar në bazë të Konventës shkelje të të drejtave të njeriut kryer nga prania ndërkombëtare në Kosovë
I.Faktet kryesore
i. Behrami dhe Behrami
1.Kërkuesit në këtë çështje janë Agim Behrami, i lindur në vitin 1962 dhe i biri, Bekir Behrami, i lindur në 1990. Të dy jetonin në komunën e Mitrovicës, Kosovë. Agim Behrami ankohej edhe në emër edhe të një prej djemve të tjerë të tij, Gadaf Behrami, i lindur në vitin 1988 dhe që tashmë ka vdekur. Më 11 mars 2000 Gadaf dhe Bekim Behrami ishin duke luajtur me disa djem të tjerë në zonën e Mitrovicës. Ata gjetën një numër të bomba thërrmuese të pashpërthyera, të cilat ishin hedhur gjatë bombardimeve të Jugosllavisë nga ana e NATO-s në vitin 1999, dhe filluan të luajnë me to. Një bombë shpërtheu dhe vrau Gadaf Behramin, ndërsa Bekim Behrami u plagos rëndë dhe iu nënshtrua operacioneve të shumta në sy.
2.Në kohën e ngjarjeve, Mitrovica ishte nën përgjegjësinë e një brigade shumëkombëshe të udhëhequr nga Franca. Kjo ishte një nga katër brigadat që përbënin forcën ndërkombëtare të sigurisë (KFOR) të pranishme në Kosovë, e mandatuar nga Rezoluta 1244 e qershorit të vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KSOKB). Administrata e Përkohshme e OKB-së për Kosovën (UNMIK) hetoi rastin dhe raportoi se ai përbënte "një vrasje të paqëllimshme të kryera nga pakujdesia". Më 22 maj 2000 Agim Behrami u informua se nuk do bëhej asnjë ndjekje penale, sepse bomba nuk shpërtheu gjatë bombardimeve të NATO-s dhe se ai kishte të drejtë të bënte një kallëzim penal brenda një afati prej tetë ditësh.
Më 25 tetor 2001 Agim Behrami u ankua në Zyrën e Ankesave të Kosovës me pretendimin se Franca nuk kishte respektuar dispozitat e Rezolutës 1244, të cilat kishin të bënin me çminimin.
Kërkesa e tij u refuzua me arsyetimin se pastrimi i minave kishte qenë përgjegjësi e OKB-së që më 5 korrik 1999.
ii.Saramati
3.Kërkuesi në këtë çështje është Ruzhdi Saramati i cili ka lindur në vitin 1950 dhe jetonte në Kosovë. Në prill 2001, ai u arrestua nga policia e UNMIK-ut dhe më pas u dërgua në paraburgim. Më 23 maj 2001 prokurori e akuzoi kërkuesin për tentativë vrasjeje dhe me akuza të tjera . Kërkuesi e apeloi me sukses shtyrjen e masës së paraburgimit dhe u lirua. Më 13 korrik 2001, ai u arrestua nga dy oficerë të policisë së UNMIK-ut. Fillimisht, kërkuesi parashtroi se ishte një oficer gjerman i KFOR-it i cili dha gojarisht urdhrin e arrestit dhe e informoi atë se po e arrestonin me urdhër të Komandantit të KFOR-it, në atë kohë një oficer norvegjez. Më 14 korrik 2001, Komandanti i KFOR-it autorizoi paraburgimin e mëtejshëm të kërkuesit edhe për 30 ditë të tjera. Më 26 korrik 2001, dhe në përgjigje të një letre nga avokatët e kërkuesit që kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit të tij, Këshilltari Ligjor i KFOR-it u shpreh se KFOR-i, në bazë të Rezolutës 1244, kishte autoritetin për ndalime dhe arrestime kur ishte e nevojshme "për të mbajtur një situatë të qetë dhe të sigurt" dhe për të mbrojtur trupat e KFOR-it. Më 11 gusht 2001 ndalimi i kërkuesit u zgjat përsëri.
4.Më 6 shtator 2001, rasti i kërkuesit kaloi në gjykatën e rrethit për gjykim. Gjatë çdo seance, që nga 17 shtatori 2001 deri më 23 janar 2002 avokatët e kërkuesit kërkuan lirimin e tij dhe gjykata u përgjigj se ndalimit të tij ishte përgjegjësi e KFOR-it. Më 3 tetor 2001 një gjeneral francez u bë Komandanti i KFOR-it. Më 23 janar 2002, kërkuesi u shpall fajtor për tentativë vrasje në bazë të dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe të Kodit Penal të RFJ-së. Më 9 tetor 2002, Gjykata Supreme e Kosovës e prishi këtë vendim dhe e ridërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ai u lirua nga paraburgimi dhe pritej të rigjykohej.
II.Vendimi i Gjykatës
5.Në çështjen Behrami, kërkuesit pretenduan se vdekja e Gadaf Behramit dhe plagët e Bekir Behramit ishin shkaktuar nga dështimi i trupave franceze të KFOR-it për të identifikuar dhe/ose neutralizuar bomba thërrmuese të pashpërthyera të cilat KFOR-i e dinte se ishin të pranishme në vendin përkatës. Ata u mbështetën në nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
6.Në çështjen Saramati, kërkuesi u ankua në bazë të nenit 5 dhe nenit 13 të Konventës, në lidhje me tij paraburgimin e tij nga KFOR-i. Ai më tej u ankua sipas nenit 6 § 1 se nuk ka pasur akses në gjykatë dhe, sipas nenit 1, se Franca, Gjermania dhe Norvegjia kishin dështuar të garantonin të drejtat e Konventës për personat që jetojnë në Kosovë.
7.Kërkesa në rastin e Behrami dhe Behrami kundër Francës u dorëzua në Gjykatë më 28 shtator 2000 dhe kërkesa në rastin Saramati kundër Francës, Gjermanisë dhe Norvegjisë, më 28 shtator 2001. Më 13 Qershor 2006 Dhoma e Gjykatës që i mori ato në shqyrtim hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, në bazë të nenit 30 të Konventës.
i.Tërheqja e kërkesës në çështjen Saramatit kundër Gjermanisë
8.Z. Saramati kërkoi ta tërheqë ankimin e tij kundër Gjermanisë, pasi ai nuk ishte në gjendje të ofronte asnjë dëshmi objektive që ta mbështeste kërkesën e tij në pretendimin se një oficer gjerman i KFOR-it kishte qenë i përfshirë në arrestimin e tij. Gjykata vendosi ta çregjistrojë këtë kërkesë kundër Gjermanisë.
ii.Në lidhje me pranueshmërinë
9.Gjykata vërejti se kërkuesit në çështjen Behrami dhe Behrami u ankuan për mosveprimin e trupave të KFOR-it, ndërsa z. Saramati u ankua në lidhje me ndalimin e tij me urdhër dhe nga KFOR-i. Gjykata vlerësoi se pyetja e ngritur nga këto çështje ishte jo aq se sa Shtetet e interesuara ushtronin juridiksionin ekstraterritorial në Kosovë, por fakti nëse Gjykata Evropiane ishte apo jo kompetente për të shqyrtuar sipas Konventës kontributin e këtyre shteteve në qetësinë civile dhe sigurinë që ofronte duke ushtruar kontroll në Kosovë. Gjykata konsideroi se marrja e urdhërave të paraburgimit përfshihej në mandatin e sigurisë së KFOR-it dhe se mbikëqyrja e çminimit përfshihej në mandatin e UNMIK-ut. Në vijim, ajo vlerësoi nëse aktet e KFOR-it dhe mosveprimi i UNMIK-ut në rastet konkrete mund t’i atribuoheshin OKB-së. Gjykata vlerësoi se meqë KFOR-i po ushtronte kompetenca që i ishin njohur ligjërisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe meqë UNMIK-u ishte një organ nën varësinë e OKB-së, i krijuar në bazë të Kreut VII të Kartës së saj, veprimet dhe mosveprimet e ankimuara, në parim, i "atribuohen" OKB-së, e cila kishte një personalitet juridik më vete nga ai i shteteve anëtare të saj dhe për më tepër nuk është palë kontraktore në Konventë.
10. Më tej, Gjykatatrajtoi çështjennëse ajo ishte kompetente për të shqyrtuar aktet e Shteteve në fjalë të kryera në emër të OKB-së dhe, më në përgjithësi, marrëdhënien mes Konventës dhe OKB-së, kur kjo e fundit vepron në përputhje me Kreun VII të Kartës së saj. Objektivi kryesor i OKB-së është ruajtja e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare. Përderisa operacionet bazuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit bazuar në Kreun VII të Kartës së OKB-së janë thelbësore për përmbushjen e misionit të OKB-së dhe meqë efektiviteti i tyre kushtëzohet nga mbështetja e shteteve anëtare, Konventa nuk mund të interpretohet në një mënyrë të tillë që t’ia nënshtrojë shqyrtimit të Gjykatës veprimet dhe mosveprimet e palëve Kontraktore të cilat bazohen në rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe kanë ndodhur në kuadrin e këtyre misioneve. Kjo do të ishte një ndërhyrje në përmbushjen e misionit kryesor të OKB-së në këtë fushë, duke përfshirë zbatimin efektiv operacioneve të saj. I njëjti arsyetim gjen zbatim për aktet e vullnetshme të Shteteve në fjalë si për shembull vota e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB në favor të Rezolutës përkatëse në bazë të Kreut VII të Kartës së OKB-së dhe kontributin me trupa në misionet e sigurisë.
11. Në dritën e këtij përfundimi, Gjykata vendosi se nuk ishte e nevojshme për të shqyrtuar pretendimet e tjera të palëve në lidhje me pranueshmërinë e kërkesave, përfshirë edhe kompetencën e Gjykatës për të shqyrtuar ankesat kundër shteteve në lidhje me veprimet ose mosveprimet ekstraterritoriale dhe nëse kërkuesit kishin shteruar apo jo çdo mjete efektiv në dispozicion të tyre në kuptimin e nenit 35 § 1 të Konventës.
Full & Egal Universal Law Academy