© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA AHMET YILDIRIM KUNDËR TURQISË
(Kërkesa nr. 3111/10)
VENDIM
STRASBURG
18 dhjetor 2012
PËRFUNDIMTAR
18/03/2013
Ky vendim është i formës së prerë. Ai mund të pësojë modifikime nga ana e formës.
Në çështjen Ahmet Yıldırım kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të drejtave të Njeriut (seksioni i dytë), e përfaqsuar nga një dhomë e përbërë nga :
Guido Raimondi, kryetar,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
András Sajó,
Işıl Karakaş,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller, gjyqtarë,
dhe nga Stanley Naismith, sekretar i seksionit,
Pas shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillit më 20 nëntor 2012, ky është vendimi i marrë në këtë datë :
PROCEDURA
1. Ngjarja e ka fillesën tek kërkesa (nr. 3111/10) e drejtuar kundër Republikës së Turqisë nga një nënshtetas turk Z. Ahmet Yıldırım (« kërkuesi »), i cili i është drejtuar Gjykatës më 12 janar 2010 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi është përfaqsuar në Gjykatë nga Av. A. Kaymak, avokate në Izmir. Qeveria turke (« Qeveria ») u përfaqsua nga agjenti i saj.
3. Në kërkesën e tij, kërkuesi ankohej veçanërisht për faktin se bllokimi i aksesit në internet, masë e marrë nga autoritetet kombëtare përbën një cënim ta pajustifikuar të të drejtave të tij të garantuara nga nenet 6, 7, 10, 13 të Konventës dhe nga neni 2 i Protokollit nr.1.
4. Më 31 janar 2011, kërkesa iu transmetua Qeverisë. Duke u bazuar në nenin 29 § 1 të Konventës, u vendos gjithashtu që Gjykata të shprehet në të njëjtën kohë për pranueshmërinë dhe themelin e çështjes.
5. Kërkuesi ka depozituar vëzhgime shtesë me shkrim (neni 59 § 1 i rregullores). Janë marrë gjithashtu vërejtje nga shoqata the Open Society Justice Initiative. Kryetarja e Gjykatës i ka dhënë kësaj shoqate të drejtën për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 të Konventës dhe 44 § 2 të rregullores).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur në vitin 1983 dhe banon në Stamboll.
7. Ai është pronar dhe përdorues i faqes së internetit « », ku boton punimet e tij akadamike dhe pikëpamjet e tij në fusha të ndryshme. Kjo faqe u krijua duke përdorur shërbimin « Google Sites » (), një krijim i Google, shoqëruar me modulin Web pages hosting.
8. Më 23 qershor 2009, gjykata e shkallës së parë e Denizlit dha një vendim që urdhëron bllokimin e aksesit në faqen (« faqja kundërshtuese »), në bazë të nenit 8 § 1 b) të ligjit nr. 5651 në lidhje me rregullimin e publikimeve në internet dhe luftën kundër shkeljeve të kryera në internet. Bëhet fjalë për një masë parandaluese e miratuar në kuadrin e një procedure penale drejtuar kundër pronarit të saj, i cili akuzohet për fyerje të kujtimit të Ataturkut.
9. Po në të njëjtën ditë, sipas nenit 8 § 3 të ligjit nr. 5651, një kopje e vendimit për bllokim iu dërgua për zbatim Kryesisë së telekomunikacionit dhe informatikës (« KTI »).
10. Më 24 qershor 2009, me kërkesën e KTI, gjykata e shkallës së parë e Denizlit ndryshoi vendimin e saj të 23 qershorit dhe vendosi të bllokonte tërësisht aksesin në Google Sites në bazë të nenit 8 të ligjit nr. 5651. Në fakt, KTI kishte treguar se bllokimi i faqes kundërshtuese ishte e vetmja mënyrë, meqënëse pronari i saj nuk ishte titullar i një certifikate për web pages hosting dhe ndodhej jashtë shtetit.
11. KTI, duke zbatuar vendimin e datës 24 qershor 2009, bllokoi krejtësisht aksesin në Google Sites. Në këtë mënyrë, kërkuesi e kishte të pamundur të hynte në faqen e tij web, dhe përpjekjet për këtë qëllim ndesheshin gjithmonë me vendimin e bllokimit të dhënë nga gjykata.
12. Më 1 korrik 2009, kërkuesi kundërshtoi vendimin e bllokimit të datës 24 qershor 2009 dhe kërkoi heqjen e kësaj mase që lidhej me faqen e tij, duke theksuar se ai e përdorte rregullisht atë për të botuar punimet e tij akademike dhe pikëpamjet e tij në fusha të ndryshme, dhe masa e dhënë sillte si pasojë bllokimin e aksesit në këtë faqe, ndërkohë që nuk kishte asnjë lidhje me faqen e bllokuar për përmbajtje të paligjshme. Ai thekson gjithashtu se për të mos lejuar që faqet e tjera web të cënohen nga kjo masë, duhej zgjedhur një metodë që bën të padisponueshme vetëm faqen kundërshtuese. Ai citon si shembull një masë bllokimi të URL.
Në mbështetje të kërkesës së tij, ai i paraqiti gjykatës një kopje të faqes web që shfaqej sa herë që ai dëshironte të hynte në faqen e tij (). Kjo faqe shfaqte lajmërimin e mëposhtëm :
« Kryesia e telekomunikacionit dhe informatikës zbaton vendimin e datës 24 qershor 2009 të miratuar nga gjykata e shkallës së parë e Denizlit për këtë faqe interneti (), në kuadrin e një mase parandaluese. »
13. Më 13 korrik 2009, gjykata e shkallës së parë e Denizlit rrëzoi kërkesën e kërkuesit. Duke iu referuar një lajmërimi të KTI për këtë çështje, ajo konsideronte se i vetmi mjet për të bllokuar aksesin në faqen kundërshtuese, sipas vendimit të bllokimit, ishte bllokimi i aksesit në faqen « », që shpërndante publikimin e inkriminuar.
14. Në një letër të datës 25 prill 2012, kërkuesi i shprehej gjykatës se ai vazhdonte të mos kishte akses në faqen e tij të internetit, ndërkohë që sipas njohurive të tij, procedura penale e drejtuar kundër pronarit të faqes kundërshtuese kishte përfunduar në 25 mars 2011 me pushimin e çështjes për shkak të pamundësisë për të përcaktuar identitetin dhe adresën e të akuzuarit që ndodhej jashtë shtetit.
II. LIGJET E BRENDSHME
A. Ligji nr. 5651 i datës 4 maj 2007 në lidhje me rregullimin e publikimeve në internet dhe luftës kundër shkeljeve të kryera në internet
15. Disa fragmente të rëndësishme të ligjit nr. 5651 :
« Neni 2
Përkufizime
1) Për qëllime të këtij neni,
(...)
e) furnizues i shërbimit të internetit (ISP) (erişim sağlayıcı) konsiderohet çdo person fizik apo juridik që u furnizon përdoruesve shërbimin e internetit ;
f) furnizues i të dhënave (içerik sağlayıcı) konsiderohet çdo person fizik apo juridik që prodhon, modifikon apo furnizon çdo lloj informacioni apo përmbajtjesh për përdoruesit e internetit ;
(...)
ğ) publikim (yayın) i shpërndarë në internet konsiderohen të gjitha të dhënat e konsultueshme në internet nga një numër i papërcaktuar personash ;
(...)
l) publikim (yayın) konsiderohet çdo lloj publikimi në internet ;
(...)
Neni 4
Përgjegjësia e furnizuesve të të dhënave
1) Furnizuesit e të dhënave konsiderohen përgjegjës për çdo përmbajtje që hedhin në internet.
2) Furnizuesit e të dhënave nuk konsiderohen përgjegjës për përmbajtjen që i përket dikujt tjetër dhe që mund të konsultohet nëpërmjet lidhjes së furnizuar prej tyre (...)
(...)
Neni 5
Përgjegjësia e furnizuesve të Web pages hosting
1) Furnizuesi i web hosting nuk ka asnjë detyrim që të monitorojë përmbajtjet e faqeve dhe as të verifikojë nëse ato përbëjnë një aktivitet të paligjshëm.
2) Me rezervën e përgjegjësisë penale, në bazë të neneve 8 dhe 9 të këtij ligji, kur ai është i informuar për karakterin e paligjshëm të një të dhëne që ndodhet në faqet e tij web, furnizuesi i web pages hosting ka detyrimin, në varësi të mundësisë teknike, të ndalojë publikimin e saj.
Neni 6
Përgjegjësia e furnizuesve të shërbimit të internetit
1) a) Në bazë të dispozitave të këtij ligji, kur ai është i informuar për karakterin e paligjshëm të një të dhëne të publikuar nga një përdorues, furnizuesi i shërbimit të internetit ka si detyrim, në varësi të mundësisë teknike, të bllokojë aksesin në këtë të dhënë me përmbajtje të paligjshme.
(...)
2) Furnizuesi i shërbimit të internetit nuk ka asnjë detyrim të kontrollojë nëse përmbajtja e të dhënave dhe informacioneve të cilave u siguron akses janë në përputhje me ligjin.
(...)
Neni 8
Vendimi për bllokimin e aksesit dhe zbatimi i tij
1) Vendoset bllokim aksesi (erişimin engellenmesi) për publikimet e shpërndara në internet nëse ka arsye të mjaftueshme për të dyshuar se përmbajtja e tyre shkakton shkeljet e mëposhtme :
a) Shkeljet e parashikuara nga Kodi penal (...)
1) nxitje për vetëvrasje (neni 84),
2) abuzime seksuale me të miturit (neni 103 § 1),
3) lehtësim i përdorimit të lëndëve narkotike (neni 190),
4) furnizimi i një produkti të dëmshëm për shëndetin (neni 194),
5) vepra të turpshme (neni 226),
6) prostitucion (neni 227),
7) lojra fati (neni 228),
b) shkeljet kundër Ataturkut të parashikuara nga ligji nr. 5816 i datës 25 korrik 1951.
(...)
2) Bllokimi i aksesit vendoset nga gjyqtari, nëse çështja ndodhet në stadin e hetimit, ose nga gjykata në rastet e ndjekjeve penale. Gjatë hetimit, bllokimi i aksesit mund të urdhërohet nga prokurori në rastet ku një vonesë do të ishte e dëmshme. Atëherë, brenda njëzet e katër orëve, ai duhet t’i nënshtrohet miratimit të gjyqtarit. Ky i fundit, duhet të japë vendimin e tij brenda një afati nëjzet e katër orësh. Nëse ai nuk e miraton bllokimin, masa anullohet menjëherë nga prokurori. Është e mundur të kundërshtohen vendimet për bllokimin e aksesit të marra si masë parandaluese, në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale nr. no 5271.
3) Një kopje e vendimit për bllokim e miratuar nga gjyqtari, gjykata apo prokurori i Republikës i dërgohet Kryesisë së telekomunikacionit dhe informatikës për zbatim.
4) Kur furnizuesi i të dhënave ose furnizuesi i Web pages hosting ndodhen jashtë shtetit (...), vendimi për bllokimin e aksesit merret automatikisht nga Kryesia. Më pas, ky vendim i bëhet me dije furnizuesit të shërbimit të internetit, të cilit i kërkohet ta zbatojë atë.
5) Vendimet për bllokimin e aksesit zbatohen menjëherë dhe jo më vonë se njëzet e katër orë nga momenti i miratimit.
(...)
7) Në rastet e pushimit të hetimit penal, vendimi për bllokimin e aksesit bëhet automatikisht i pavlefshëm (...)
8) Në rastet e pushimit të një procesi penal, vendimi për bllokimin e aksesit bëhet automatikisht i pavlefshëm (...)
9) Në rastet kur përmbajtja e paligjshme e një të dhëne fshihet, bllokimi i aksesit ndërpritet (...) »
16. Kryesia e telekomunikacionit dhe e informatikës është krijuar në bazë të nenit të përkohshëm 7 të ligjit nr. 2559 mbi kompetencat dhe detyrimet e policisë, i modifikuar më 3 korrik 2005 me ligjin nr. 5397. Si një organ admnistrativ, ajo ka si qëllim të rregjistrojë dhe të kontrollojë informacionet e shpërndara nga mjetet e telekomunikacionit.
17. Në praktikë, kur një gjykatë urdhëron bllokimin e aksesit në një faqe të caktuar, i takon KTI të zbatojë këtë masë. Nëse furnizuesi i të dhënave ose furnizuesi i web pages hosting ndodhen jashtë vendit, KTI mund të bllokojë tërësisht aksesin në faqet e furnizuesit ndërmjetës, në bazë të nenit 8 §§ 3 dhe 4 të ligjit nr. 5651. Kur miratohet një vendim për bllokimin e aksesit, objekt i procedurës nuk është vetëm aksesi në atë faqe, por gjithashtu rrezikon të bllokohet dhe aksesi në çdo lloj përmbajtje të fushës së internetit. Në këtë mënyrë, website si « », « », « Google groups », « » apo « » kanë qenë mjet i masave të bllokimit të aksesit për periudha të gjata për shkak të faqeve që përmbanin.
18. Nocioni i « publikimit » i parashikuar në nenin 8 § 1 të ligjit nr. 5651 ka qenë gjithashtu objekt i një debati në jurisprudencë. Sipas disa komentatorëve, paragrafi ğ), në bazë të të cilit nocioni i « publikimit të shpërndarë në internet » synon « të dhënat e konsultueshme në internet nga një numër i papërcaktuar personash », është në kontradiktë me nocionin që figuron në paragrafin l) të të njëjtit nen, sipas të cilit « publikim (yayın) konsiderohet çdo lloj publikimi në internet ». Në fakt, vështirësia rrjedh nga referenca me « të dhënat e konsultueshme në internet », që mund të zbatohet për të gjitha llojet e të dhënave të shpërndara në internet.
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE
A. Këshilli i Europës
1. Konventa për krimin në fushën e kibernetikës
19. Konventa për krimin në fushën e kibernetikës (ETS nr. 185) ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2004 dhe është hartuar nga shtetet anëtare të Këshillit të Europës, Kanadaja, Japonia, Afrika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo synon llojet e ndryshme të shkeljeve që lidhen me krimin në fushën e kibernetikës : shkeljet kundër konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së të dhënave dhe sistemeve kompjuterike, fallsifikimin dhe mashtrimet kompjuterike, shkeljet që lidhen me të dhënat kompjuterike dhe veçanërisht me pornografinë e fëmijëve, si dhe shkeljet e lidhura me cënimet e pronësisë intelektuale dhe të drejtat që i bashkëngjiten (kapitulli II, seksioni 1, titujt 1- 4).
2. Komiteti i Ministrave
a. Deklarata CM (2005)56 final
20. Në preambulën e deklaratës së Komitetit të Ministrave mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në shoqërinë e informacionit (CM (2005)56 final, 13 maj 2005), pranohet se « aksesi i kufizuar apo mungesa e aksesit në [teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit (TIK)] mund t’i privojë individët nga aftësia për të ushtruar tërësisht të drejtat e tyre themelore ». Në kapitullin e parë të kësaj deklarate, të titulluar « Të drejtat e njeriut në Shoqërinë e informacionit », mund të lexojmë si më poshtë :
« 1. E drejta e lirisë së shprehjes, e informimit dhe e komunikimit
Teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit u ofrojnë të gjithëve mundësi të panjohura më parë për të gëzuar lirinë e shprehjes. Megjithatë, ato e rrezikojnë po aq seriozisht këtë liri, siç ndodh në rastet e censurës së vendosur nga shteti apo sektori privat.
Liria e shprehjes, e informimit dhe e komunikimit duhet të respektohet në një mjedis dixhital, ashtu si dhe në një mjedis jo dixhital. Ajo nuk duhet t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara në nenin 10 të CEDH, vetëm për arsyen se ushtrohet në një formë dixhitale.
Duke garantuar lirinë e shprehjes, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që legjislacioni kombëtar që synon të luftojë të dhënat e paligjshme, siç janë ato me përmbajtje të karakterit racist apo të diskriminimit racial, si dhe pornografia e fëmijëve, të zbatohet gjithashtu për shkeljet e kryera me anë të TIK.
Shtetet anëtare duhet të ruajnë dhe të forcojnë masat ligjore dhe praktike për të shmangur censurën e shtetit dhe të sektorit privat. (...) »
b. Deklarata e datës 28 maj 2003
21. Në preambulën e deklaratës së titulluar « Liria e komunikimit në internet », e miratuar nga Komiteti i Ministrave më 28 maj 2003, gjatë mbledhjes së 840 me të Deleguarit e Ministarve, thuhet se kontrolli a priori i komunikimeve në internet, pa marrë parasysh kufijtë, duhet të mbetet një përjashtim dhe duhen hequr të gjitha pengesat në lidhje me aksesin individual në internet. Deklarata shpreh pikërisht parimet e mëposhtme :
« (...)
Parimi 1 : Rregulla në lidhje me përmbajtjen e të dhënave në internet
Shtetet anëtare nuk duhet të vendosin të tjera kufizime për përmbajtjet e të dhënave në internet, përveç atyre që zbatohen për përmbajtjet e tjera të transmetuara në multimedia.
(...)
Parimi 3 : Mungesa e kontrollit paraprak nga ana e shtetit
Autoritetet shtetërore nuk duhet t’i refuzojnë publikut aksesin në informacione dhe komunikime të tjera në internet, pa marrë parasysh kufijtë, me anë të masave të përgjithshme të bllokimit apo të filtrimit. Kjo nuk pengon instalimin e filtrave për mbrojtjen e të miturve, sidomos në ambjentet e frekuentuara nga fëmijët, si shkollat dhe bibliotekat.
Me kusht që të respektohen garancitë e nenit 10, paragrafi 2 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, mund të merren masa për të fshirë çdo të dhënë në internet me përmbajtje qartësisht të identifikueshme ose të bllokojë aksesin e saj nëse autoritetet kombëtare kompetente kanë marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar në lidhje me karakterin e saj të paligjshëm.
(...) »
22. Në shënimin shpjegues të deklaratës, parimi nr. 3 komentohet si më poshtë :
« Mungesa e kontrollit paraprak nga shteti
Ky parim thekson rëndësinë e mungesës së një kontrolli paraprak nga ana e shtetit kundrejt asaj që publiku mund të kërkojë në internet. Në fakt, disa vende kanë tendencë t’u bllokojnë njerëzve aksesin në përmbajtjen e disa faqeve web kombëtare apo të huaja për arsye politike. Kjo praktikë, si dhe çdo praktikë e ngjashme e kontrollit paraprak nga ana e shtetit, duhen dënuar seriozisht.
Ndonëse shtetet nuk duhet të përdorin në asnjë mënyrë masat që synojnë bllokimin e aksesit në faqet me përmbajtje të padëshirueshme, duhet të lejohen disa përjashtime për të siguruar mbrojtjen e të miturve. Kur fëmijët kanë akses në internet, për shembull në shkollë apo në biblioteka, autoritetet publike mund të kërkojnë instalimin e filtrave në kompjuter për të bllokuar aksesin në faqet me përmbajtje të dëmshme.
Sigurisht që mungesa e kontrollit paraprak nga ana e shtetit nuk përjashton marrjen e disa masave që kanë si qëllim të fshijnë përmbajtjen e një të dhëne në Internet apo të bllokojnë aksesin e saj duke u bazuar në një vendim të përkohshën apo përfundimtar të marrë nga autoritetet kompetente kombëtare, për shkak të kararkterit të saj të paligjshëm në lidhje jo vetëm me të drejtën penale, por gjithashtu me degët e tjera të së drejtës, si e drejta civile apo administrative. Do të ishte pikërisht rasti i urdhërave që ndalojnë publikimin në internet të një të dhëne me përmbajtjeje të paligjshme. Masa të tilla, që mund të shkaktojnë një lloj kontrolli paraprak, duhet të jenë në përputhje me dispozitat e nenit 10, paragrafit 2, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe duhet të synojnë një të dhënë në internet e cila është qartësisht e identifikueshme. »
c. Rekomandimi CM/Rec(2007)16
23. Në vitin 2007, Komiteti i Ministrave ka miratuar rekomandimin CM/Rec(2007)16 në lidhje me masat që synojnë promovimin e vlerave të shërbimit publik të internetit. Çështjet që lidhen me aksesin në Internet dhe kufizimet e lejueshme trajtohen në mënyrë implicite në kapitujt e dytë dhe të tretë të titulluar respektivisht « Aksesi » dhe « Hapja ».
d. Rekomandimi CM/Rec(2007)11
24. Po në vitin 2007, Komiteti i Ministrave ka miratuar gjithashtu rekomandimin CM/Rec(2007)11 në lidhje me promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në mjedisin e ri të informacionit dhe komunikimit.
e. Rekomandimi CM/Rec(2008)6
25. Në vitin 2008, Komiteti i Ministrave ka miratuar rekomandimin CM/Rec(2008)6. Në Aneksin e këtij rekomandimi paraqiten udhëzimet mbi përdorimin dhe kontrollin e filtrave për të ushtruar dhe gëzuar plotësisht lirinë e shprehjes dhe të informimit.
f. Rekomandimi CM/Rec(2012)3
26. Më 4 prill 2012, Komiteti i Ministrave ka miratuar rekomandimin CM/Rec(2012)3 në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontekstin e motorëve të kërkimit. Në paragrafin 1 të kësaj deklarate theksohet se « motorët e kërkimit i mundësojnë publikut të mbarë botës të kërkojë, të marrë dhe të japë informacione, mendime dhe të dhëna të tjera, veçanërisht, të ketë akses në njohuri, të marrë pjesë në debate dhe në proceset demokratike. »
B. Bashkimi Europian
a. Rekomandimi 2008/2160(INI),
27. Në Rekomandimin 2008/2160(INI), të miratuar nga Parlamenti Europian më 26 mars 2009, parashikohet qartë se shtetet duhet të marrin pjesë në përpjekjet që synojnë vendosjen e një demokracie elektronike nëpërmjet një aksesi në internet pa rezerva dhe të sigurt. Për këtë qëllim, Parlamenti rekomandon dënimin e censurës së vendosur nga qeveria në lidhje me përmbajtjen e një të dhëne që mund të kërkohet në faqet e internetit dhe fton shtetet anëtare të « garantojnë që liria e shprehjes të mos i nënshtrohet kufizimeve arbitrare që vijnë nga sfera publike dhe/ose private dhe të shmangin çdo masë ligjore apo administrative që mund të shkaktojë një efekt jobindës për të gjitha aspektet e lirisë së shprehjes » (w).
b. Çështja e Scarlet Extended SHA kundër Shoqërisë belge të autorëve, kompozitorëve dhe botuesve (Gjykata Evropiane e Drejtësisë)
28. Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka shqyrtuar çështjen C-70/10, që lidhet me urdhrin e një gjykate belge, e cila i kërkoi një furnizuesi të shërbimit të internetit belg të instalojë një program me qëllim kryerjen e një kontrolli të përhershëm dhe bllokimin e çdo aktiviteti on line, i cili mund të cënonte të drejtat e pronësisë intelektuale.
29. Me vendimin e datës 24 nëntor 2011, GJED rikujtoi se titullarët e të drejtave të pronësisë intelektuale mund të kërkonin zbatimin e një urdhërese kundrejt ndërmjetësve, shërbimet e të cilëve përdoreshin nga të tretët për të cënuar të drejtat e tyre, dhe se modalitetet e zbatimit të urdhrave varen nga e drejta e vendit. Mirëpo, rregullat kombëtare duhet të respektonin kufizimet që rrjedhin nga e drejta e BE, pikërisht nga ndalimi i parashikuar nga direktiva 2000/31/CE në lidhje me tregtinë elektronike, sipas të cilës autoritetet kombëtare nuk duhet të miratojnë masa që detyrojnë një furnizues të shërbimit të internetit të kryejë një mbikqyrje të përgjithshme të informacioneve që transmetohen në rrjetin e tij. Në këtë mënyrë, një urdhër i tillë që detyron furnizuesin e shërbimit të internetit të vendosë një sistem të tillë filtrimi, nuk respekton kërkesën për një ekuilibër të drejtë mes të drejtës së pronësisë intelektuale nga njëra anë dhe lirisë së sipërmarrjes, të drejtës së mbrojtjes së të dhënave me karakter personal dhe lirisë për të marrë apo për të dhënë informacione nga ana tjetër. Si rrjedhojë, GJED u përgjigj se urdhëri i dhënë furnizuesit të shërbimit të internetit për të vendosur një sistem filtrimi për të gjitha komunikimet elektronike që transmetohen nga shërbimet e tij, sistem i cili zbatohet si masë parandaluese për të gjithë klientelën pas asnjë dallim, i paguar me shpenzimet e tij dhe pa kufizime kohore, bie në kundërshtim me të drejtën e BE, dhe veçanërisht me direktivën 2000/31/CE dhe me të drejtat themelore të zbatueshme.
C. Komiteti i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara
30. Në vëzhgimin e përgjithshëm nr. 34 mbi nenin 19 të Paktit ndërkombëtar në lidhje me të drejtat civile dhe politike, miratuar gjatë sesionit të 102 të tij (11-29 korrik 2011), Komiteti i të drejtave të njeriut të Kombeve të bashkuara ka deklaruar si më poshtë vijon :
« 43. Çdo kufizim i vendosur për funksionimin e faqeve Web, blogjeve dhe çdo sistemi tjetër shpërndarës të informacionit me anë të internetit, mjeteve elektronike apo të tjera, përfshirë dhe sistemet mbështetëse që i bashkëngjiten këtyre mjteve të komunikimit, si furnizuesit e shërbimit të internetit apo motorëve të kërkimit, është i ligjshëm vetëm nëse përputhet me paragrafin 3. Kufizimet e ligjshme duhen të synojnë në përgjithësi një të dhënë të caktuar ; ndalimet e përgjithshme të funksionimit që prekin disa faqe Web ose sisteme nuk janë në përputhje me paragrafin 3. Të ndalosh që një faqe Web ose një sistem i shpërndarjes së informacionit të botojë një të dhënë vetëm për shkakun se mund të jetë kritike ndaj qeverisë ose sistemit politik dhe social të miratuar nga qeveria, është gjithashtu i papajtueshëm me paragrafin 3. »
IV. E DREJTA E KRAHASUAR
31. Meqënënse ligji mbi internetin, i cili ndodhet në një kontekst zhvillimi të shpejtë të teknologjive të reja, është në mënyrë të veçantë dinamik dhe i fragmentarizuar, duket e vështirë të nxjerrësh standardet e përbashkëta të elementeve të së drejtës së krahasuar në vendet anëtare të Këshillit të Europës. Kërkimet e bëra nga Gjykata në lidhje me legjislacionet e njëzet shteteve anëtare të Këshillit të Europës (Gjermani, Austri, Azerbajxhan, Belgjikë, Spanjë, Estoni, Finlandë, Francë, Irlandë, Itali, Lituani, Vendet e Ulëta, Poloni, Portugali, Republika Çeke, Rumani, Mbretëri e Bashkuar, Rusi, Slloveni dhe Zvicër) tregojnë që e drejta e aksesit në internet mbrohet në teori nga garancitë kushtetuese që ekzistojnë në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë për të marrë mendime dhe informacione. Kjo e drejtë konsiderohet si e pandarë nga e drejta e aksesit në informacion dhe komunikim, e mbrojtur nga Kushtetutat kombëtare. Ajo përfshin të drejtën e secilit për të marrë pjesë në shoqërinë e informacionit, dhe detyrimin për shtetet që të garantojnë aksesin e qytetarëve në internet. Në këtë mënyrë, tërësia e garancive të përgjithshme që i kushtohen lirisë së shprehjes përbën një bazë të përshtatshme për të njohur gjithashtu të drejtën e aksesit, pa kufizime, në internet.
32. Veçanërisht, në vendimin e datës 10 qershor 2009 (Vendimi nr. 2009‑580 DC), Këshilli kushtetues në Francë ka pohuar qartësisht se e drejta e shprehjes sot duhet të përfshijë të drejtën e aksesit në internet. Ai ka vendosur gjithashtu parimet themelore në fushën e kufizimit të aksesit në internet : kufizimi i publikut për të pasur akses të lirë në shërbimet e komunikimit on line mund të urdhërohet vetëm nga gjyqtari, pas një procesi të drejtë, dhe duke vendosur një sanksion të ekuilibruar. Sipas Këshillit kushtetues, « në lidhje me natyrën e lirisë së garantuar nga neni 11 i Deklaratës së vitit 1789, ligjvënësi nuk mund [...] t’i besojë pushtetin (për të kufizuar apo penguar aksesin në internet) një autoriteti administrativ me qëllim mbrojtjen e të drejtave të titullarëve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të ngjashme ». Për këtë arsye, Këshilli kushtetues ka deklaruar se nenet e ligjit që autorizon ndërprerjen e aksesit në internet në rastet e shkeljes së të drejtave të autorit pa pasur një vendim gjyqësor janë në kundërshtim me Kushtetuten. Një pezullim i aksesit është i mundur pas përfundimit të një procedure kundërshtuese, si dënim shtesë. Masa të përkohshme/urdhëra mund të jepen nga kryetari i gjykatës, por me kusht, sipas Këshillit kushtetues, që të jenë « të domosdoshme për ruajtjen e të drejtave në fjalë ».
33. Në lidhje me masat e mundshme të kufizimit në rastet e të dhënave të paligjshme në internet, ekziston një larmi qasjesh dhe ligjesh në vendet europiane, që variojnë nga pezullimi i individualizuar i aksesit në internet deri në ndalimin e aksesit në faqen e caktuar, pa lënë mënjanë fshirjen e të dhënës me përmbajtje të paligjshme. Në parim, mbrojtja e të drejtave të të miturve dhe lufta kundër shfrytëzimin seksual përmbëjnë bazën në të cilën mbështeten pjesa më e madhe e vendeve europiane për marrjen e masave të duhura për kufizimin e aksesit në faqe të veçanta të internetit (Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Francë). Në lidhje me kriminalitetin e përbashkët në përgjithësi, masat për kufizimin e aksesit janë të ndryshme dhe më pak të ashpra në gjashtë vende (Austri, Estoni, Finlandë, Itali, Lituani, Vendet e Ulëta).
34. Përsa i përket shtrirjes së masave për kufizimin e aksesit, në përgjithësi bëhet një dallim në bazë të natyrës së shkeljes së kryer : mund të jenë shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale ose shkelje të kriminalitetit të zakonshëm. Sipas raportit të OSBE, me titull « Freedom of Expression on the Internet: Study of legal provisions and practices related to freedom of expression, the free flow of information and media pluralism on the Internet in OSCE participating States », nuk ka dispozita ligjore të përgjithshme për bllokimin e aksesit në internet në Austri, Gjermani, Poloni dhe në Republikën e Çekisë. Në mungesë të dispozitave të përgjithshme të bllokimit, pesë shtete kanë dispozita ligjore të veçanta që parashikojnë bllokimin për disa lloje shkeljesh (Estoni, Federata e Rusisë, Finlandë, Vendet e Ulëta, Mbretëria e Bashkuar). Këto shkelje përfshijnë pornografinë e fëmijëve, racizmin dhe fjalimet e urrejtjes, si dhe nxitjen e terrorizmit apo shpifjet.
35. Në Rusi, edhe pse aksesi në internet nuk mund të ndalohet në shkallë të gjerë, ligjet federale mund të autorizojnë një kufizim të aksesit për arsye të veçanta, si në rastet e mbrojtjes së bazave të sistemit kushtetues, moralit, shëndetit, të drejtave dhe interesva të ligjshme të të tretëve ose për mbrojtjen e sigurisë kombëtare (ligji federal nr. 149-FZ).
36. Ndërsa për shtetet që nuk disponojnë një kuadër ligjor të përgjithshëm apo të veçantë, që parashikon mbylljen e faqeve dhe/ose bllokimin e aksesit, kjo mungesë nuk përjashton faktin se masat e bllokimit mund të miratohen nga një gjyqtar apo të zbatohen në mënyrë vullnetare.
37. Në lidhje me mundësinë për të kundërshtuar masën e ndalimit të aksesit në internet, kjo lidhet ngushtë me garancitë e përgjithshme të mbrojtjes të së drejtës për të marrë informacione dhe të drejtës së shprehjes. Në Azerbajxhan, Belgjikë, Spanjë, Lituani, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Republikën e Çekisë nuk ka dispozita të veçanta mbi mundësitë për të kundërshtuar masën e kufizimit të aksesit në një faqe interneti. Këto vende u referohen dispozitave të përgjithshme kushtetuese mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit, apo, në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, mundësisë së « judicial review », nëse përdoruesi provon se interesi i tij lidhet me objektin e masës së kundërshtuar. Në Estoni, ligji parashikon veçanërisht mundësinë për të kundërshtuar kufizimin e aksesit të informacionit në internet para një autoriteti të lartë administrativ, një agjensie të veçantë apo direkt në gjykatën administrative, kur bëhet fjalë për një informacion publik që autoritetet janë të detyruara të mos i bllokojnë aksesin (« Public Information Act »).
E DREJTA
I. MBI SHKELJEN E ANKIMUAR TË NENIT 10 TË KONVENTËS
38. Kërkuesi ankohet se e ka të pamundur të ketë akses në faqen e tij të internetit për shkak të një mase të dhënë në kuadrin e një çështjeje penale që nuk kishte asnjë lidhje me faqen e tij. Ai e shikon këtë masë si cënim të së drejtës së lirisë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe mendime, e cila garantohet nga neni 10 i Konventës që është hartuar si më poshtë :
« 1. Çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e opinionit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione ose mendime pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të vendosin një regjim autorizimesh për institucionet e radiodifuzionit, të kinemasë, ose të televizionit.
2. Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masat e nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e informatave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. »
39. Qeveria nuk ka paraqitur vërejtje.
A. Pranueshmëria
40. Gjykata konstaton se kjo ankesë nuk është haptazi e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës. Nga ana tjetër, ajo nuk bie ndesh me asnjë arsye tjetër papranueshmërie. Prandaj, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Themeli
1. Argumentet e palëve
41. Kërkuesi mbështet idenë se bllokimi i Google Sites përbën një censurë indirekte. Ai mendon se pasoja që sjell për të ky bllokim, pra pamundësinë për të pasur akses në faqen e tij të internetit, ndërkohë që kjo e fundit nuk kishte asnjë lidhje me të dhënën e paligjshme që përbënte shkakun fillestar të masës së bllokimit të Google Sites, ishte e padrejtë në raport me objektivat e ndjekura. Përveç kësaj, ai mendon se procedura që çoi në bllokimin e Google Sites nuk mund të konsiderohet si e drejtë dhe e paanshme.
42. Qeveria nuk ka paraqitur vërejtje.
2. Palët e treta ndërhyrëse
43. Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës, shoqata The Open Society Justice Initiative mendon se, meqënëse Google Sites përmban një sasi të madhe të dhënash dhe informacionesh dhe se për këtë qëllim, ai krahasohet me arkivat on line të gazetave të rëndësishme ose të bibliotekave tradicionale, masa kundërshtuese analizohet si një kufizim paraprak i publikimit. Ndërkohë që qëllimi i masës së marrë në këtë çështje ishte bllokimi i vetëm një faqeje Web që shpërndante një të dhënë e cila cënonte reputacionin e Ataturkut, u bllokua aksesi në tërësinë e Google Sites, i cili përmbante faqen kundërshtuese. Një masë e tillë që bllokon aksesin në një sasi kaq të rëndësishme informacionesh për një periudhë të papërcaktuar, mund të krahasohet me një kufizim paraprak, për aq kohë sa pengon pëdoruesit e internetit të kenë akses në të dhënën e bllokuar për një kohëzgjatje të papërcaktuar. Mirëpo, kufizime të tilla paraqesin rreziqe aq të mëdha sa kërkojnë një shqyrtim shumë të kujdesshëm nga ana e Gjykatës.
44. The Open Society Justice Initiative shton se masat e bllokimit që pengojnë aksesin në një grup faqesh web përbëjnë një rrezik « çensure kolaterale » dhe për këtë arsye duhet shmangur përdorimi i masave të tilla, të padrejta sipas saj, kur është e mundur që masa të synojë vetëm faqen kundërshtuese. Duke cituar shembuj të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, shoqata vëren se në Francë, Gjermani apo në Mbretërinë e Bashkuar nuk është zbatuar asnjë masë bllokimi i një të dhëne në internet në një shkallë kaq të gjerë, sa të krahasohet me masën e këtij rasti.
45. Nga ana tjetër, sistemi turk nuk paraqet garanci të përshtatshme kundër arbitraritetit. Në këtë mënyrë, nuk ekziston asnjë detyrim informimi, në lidhje me masën e dhënë, për furnizuesit e të dhënave apo pronarët e faqeve të tjera që preken nga bllokimi. Për më tepër, mund të urdhërohet bllokimi i shumë faqeve web, të cilat numërojnë mijëra përdorues, pa zbatimin e asnjë garancie. Për shembull, « YouT », « GeoCities », « Dailymotion » dhe shumë shërbime të tjera të « Google » mund të bllokohen për muaj të tërë ose vite, çka do të përbënte një « çensurë kolaterale » të rëndësishme.
3. Vlerësimi i Gjykatës
a. Mbi ekzistencën e një ndërhyrjeje
46. Gjykata vëren se kërkuesi është pronar dhe përdorues i një faqeje web me anë të së cilës ai deklaron se publikon punimet e tij akademike dhe pikëpamjet e tij në fusha të ndryshme. Ai ankohet se e ka të pamundur të ketë akses në faqen e tij të internetit për shkak të një mase të dhënë në kuadrin e një çështjeje penale që nuk kishte asnjë lidhje me faqen e tij. Për kërkuesin, bëhet fjalë për një kufizim paraprak që ndërhyn para përfundimit të gjykimit.
47. Gjykata rikujton se neni 10 nuk e ndalon kufizimin paraprak të publikimit. Për këtë dëshmojnë termat « kushte », « kufizime », « pengoj » dhe « parandalim » që figurojnë në të, por gjithashtu të gjitha vendimet si Sunday Times kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1) (26 prill 1979, seria A nr. 30), dhe markt intern Verlag GmbH dhe Klaus Beermann kundër Gjermanisë (20 nëntor 1989, seria A nr. 165). Kufizime të tilla paraqesin rreziqe aq të mëdha sa kërkojnë një shqyrtim shumë të kujdesshëm nga ana e Gjykatës. Është e njëjta qasje në rastin e shtypit : informacioni është një mall që prishet shpejt dhe vonesa e publikimit të tij, ndonëse për një periudhë të shkurtër, rrezikon shumë që ta privojë atë nga çdo vlerë dhe interes. Ky rrezik ekziston gjithashtu për publikimet e tjera, përveç shtypit periodik, që lidhen me një temë aktualiteti.
48. Në lidhje me rëndësinë e faqeve të internetit në ushtrimin e lirisë së shprehjes, Gjykata rikujton se në çështjen Times Newspapers Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1 dhe 2), (nr. 3002/03 dhe 23676/03, § 27, CEDH 2009), ajo është shprehur si më poshtë :
« në sajë të lehtësisë së aksesit të tyre, si dhe aftësisë për të ruajtur dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme të dhënash, faqet e internetit kontribuojnë gjerësisht për të përmirësuar aksesin e publikut në lajme dhe, në përgjithësi, për të lehtësuar komunikimin e informacionit. »
49. Këto mendime vlejnë gjithashtu për rastin në fjalë. Në fakt, Gjykata vëren se Google Sites është një modul i Google që shërben për të lehtësuar krijimin dhe shpërndarjen e një faqeje web brenda një grupi dhe përbën në këtë mënyrë një mjet për ushtrimin e lirisë së shprehjes.
50. Në këtë drejtim, ajo thekson se neni 10 i garanton lirinë e shprehjes « çdo personi » ; ai nuk bën asnjë dallim të bazuar në natyrën e qëllimit të kërkuar dhe as në rolin që personat, fizikë apo juridikë, kanë luajtur në ushtrimin e kësaj lirie (Çetin dhe të tjerë kundër. Turqisë, nr. 40153/98 dhe 40160/98, § 57, CEDH 2003‑III (fragmente)). Ai lidhet jo vetëm me përmbajtjen e informacioneve, por gjithashtu me mjetet e shpërndarjes së tyre, sepse çdo kufizim që u bëhet këtyre të fundit prek të drejtën për të marrë dhe për të dhënë informacione (shih, mutatis mutandis, Autronic AG kundër Zvicrës, 22 maj 1990, § 47, seria A nr. 178). Po ashtu, Gjykata ka përmendur vazhdimisht se neni 10 garanton jo vetëm të drejtën për të dhënë informacione, por gjithashtu të drejtën e publikut për të marrë (Observer dhe Guardian kundër Mbretërisë së Bashkuar, 26 nëntor 1991, § 59 b), seria A nr. 216, dhe Guerra dhe të tjerë kundër Italisë, 19 shkurt 1998, § 53, Përmbledhje e vendimeve dhe aktgjykimeve 1998-I).
51. Në këtë rast, masa e bllokimit të aksesit në faqen e internetit ishte rezultat i një vendimi të miratuar nga gjykata e shkallës së parë e Denizlit. Në fillim, bëhej fjalë për një masë parandaluese të urdhëruar nga gjykata në kuadrin e një procedure penale të ngritur kundër një faqeje të tretë, në bazë të ligjit nr. 5816 që ndalon fyerjen e kujtimit të Ataturkut. Megjithatë, organi administrativ i ngarkuar për të zbatuar masën e bllokimit në fjalë, KTI, ka kërkuar që të urdhërohet bllokimi total i aksesit në Google Sites. Me vendimin e datës 24 qershor 2009, gjykata e shkallës së parë e Denizlit i dha të drejtë kësaj kërkese. Pas kundërshtimit të paraqitur nga kërkuesi, gjykata e shkallës së parë e Denizlit e konfirmoi atë, duke menduar se i vetmi mjet për të bllokuar faqen e përfshirë në procedurën penale ishte bllokimi i aksesit në Google Sites. Kështu, KTI ka bllokuar aksesin në të gjithë « Google Sites », duke penguar rastësisht kërkuesin për të pasur akses në faqen e tij. Sipas elementeve të dosjes, kërkuesi, për një periudhë kohe të papërcaktuar, e ka pasur të pamundur të hyjë në faqen e tij web, dhe përpjekjet e tij për këtë qëllim janë ndeshur me vendimin e bllokimit të shpallur nga gjykata. Në këtë mënyrë, ai me të drejtë mund të pretendojë se masa në fjalë ka cënuar të drejtën e tij për të marrë dhe për të dhënë informacione apo mendime.
52. Në thelb të çështjes gjendet kryesisht efekti kolateral i një mase parandaluese të miratuar në kuadrin e një procedure gjyqësore : ndërkohë që as vetë Google Sites dhe as faqja web e kërkuesit nuk kanë qenë objekt i një procedure të tillë, KTI ka bllokuar aksesin e tyre për të zbatuar masën e dhënë nga gjyakata e shkallës së parë e Denizlit. Ky bllokim duhej të zgjaste deri sa të jepej vendimi përfundimtar ose derisa të hiqej përmbajtja e paligjshme nga Google Sites (neni 9 i ligjit nr. 5651). Pra, bëhej fjalë për një kufizim paraprak, i cili ndërhynte para përfundimit të gjykimit.
53. Ndonëse mbështetet në një bazë ligjore, Gjykata mendon se një masë e tillë kishte si qëllim të ndikonte në aksesin në internet dhe, që nga ky moment, përgjegjësia e shtetit të paditur, në bazë të nenit 10, është e pashmangshme (shih, mutatis mutandis, Vereinigung demokratischer Soldaten Österreichs dhe Gubi kundër Austrisë, 19 dhjetor 1994, § 27, seria A nr. 302).
54. Ajo vëren gjithashtu se bllokimi kundërshtues vjen si rezultat i një ndalimi që fillimisht prekte një tjetër faqe interneti. Për shkak të bllokimit total të Google Sites, ajo prek gjithashtu kërkuesin, pronar i një tjetër faqeje web që përmban Google Sites. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një ndalim të përgjithshëm, por për një kufizim aksesi në internet, që ka si pasojë bllokimin e aksesit në faqen web të kërkuesit. Megjithë efektin e kufizuar të këtij kufizimi kundërshtues, kjo masë mbetet e rëndësishme sepse interneti është bërë sot për individët një nga mjetet kryesore për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe të informimit : në internet gjenden mjetet kryesore që sigurojnë pjesëmarrjen në aktivitete dhe debate mbi çështje politike apo të interesit publik.
55. Me pak fjalë, Gjykata konsideron që masa kundërshtuese analizohet si një kufizim që rrjedh nga një masë parandaluese e bllokimit të një faqeje interneti : duke pasur si qëllim zbatimin e kësaj mase, gjykata ka urdhëruar gjithashtu, me kërkesën e KTI, bllokimin e aksesit në Google Sites, që përmban faqen web të kërkuesit. Në këtë mënyrë, ky i fundit e ka pasur të pamundur të hynte në faqen e tij ëeb. Ky element i mjafton Gjykatës që të arrijë në përfundimin se masa në fjalë përbën një « ndërhyrje të autoriteteve publike » në të drejtën e të interesuarit që lidhet me lirinë e shprehjes, ku bën pjesë dhe liria për të marrë dhe për të dhënë informacione apo mendime (shih, mutatis mutandis, Ayşe Öztürk kundër Turqisë, nr. 24914/94, § 42, 15 tetor 2002).
56. Një ndërhyrje e tillë shkel nenin 10 nëse ajo nuk « parashikohet nga ligji », nuk nxitet nga qëllimi/et e ligjshme të parashikuara në nenin 10 § 2 dhe nëse nuk është « e nevojshme në një shoqëri demokratike » për të arritur këtë/o qëllim/e.
b. E parashikuar nga ligji
57. Fillimisht, Gjykata rikujton se fjalët « e parashikuar nga ligji » që figurojnë në nenin 10 § 2 kërkojnë së pari që masa e inkriminuar duhet të bazohet në të drejtën e brendshme, por duhet t’i referohet gjithashtu cilësisë së ligjit të dyhur : ato kërkojnë që ligji të kuptohet nga personi në fjalë, i cili për më tepër, duhet të parashikojë dhe pasojat që sjell për atë vetë, si dhe pajtueshmërinë e tij me epërsinë e së drejtës (shih ndër të tjera, Dink kundër Turqisë, nr. 2668/07, 6102/08, 30079/08, 7072/09 dhe 7124/09, § 114, 14 shtator 2010). Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, një normë është « e parashikueshme » kur ajo hartohet me shumë saktësi, në mënyrë që t’i mundësojë çdo personi që ka nevojë për këshilla të qarta të rregullojë qëndrimin e tij (shih ndër të tjera, RTBF kundër Belgjikës, nr. 50084/06, § 103, 29 mars 2011, Akçam kundër Turqisë, nr. 32964/96, § 87, 30 tetor 2001).
58. Në këtë rast, Gjykata vëren se bllokimi i aksesit në faqen e prekur nga procedura gjyqësore ka një bazë ligjore, pikërisht nenin 8 § 1 të ligjit nr. 5651. Për pyetjen nëse neni 8 § 1 i ligjit nr. 5651 i përgjigjet gjithashtu kërkesave për të qenë i kuptueshëm dhe i parashikueshëm, kërkuesi mendon se duhet përgjigjur negativisht sepse kjo dispozitë, sipas tij, eshtë tejet e paparashikueshme.
59. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, e drejta e brendshme duhet të ofrojë një lloj mbrojtje kundër cënimeve arbitrare të autoriteteve publike ndaj të drejtave që garantohen nga Konventa. Kur bëhet fjalë për çështje që prekin të drejtat themelore të njeriut, nëse pushteti i vlerësimit që i jepet ekzekutivit nuk ka kufij, atëherë ligji do të shkelte epërësinë e të drejtës, një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike e garantuar nga Konventa. Si pasojë, ajo duhet të përcaktojë shtrirjen dhe modalitetet e ushtrimit të një pushteti të tillë në një mënyrë mjaft të qartë (shih ndër të tjera, vendimet Sunday Times lartpërmendur, § 49, dhe Maestri kundër Italisë [GC], nr. 39748/98, § 30, CEDH 2004‑I).
60. Pyetja që shtrohet në këtë rast është të dihet nëse në momentin kur është marrë vendimi i bllokimit, ekzistonte një normë e qartë dhe e saktë, natyra e të cilës do t’i mundësonte kërkuesit të rregullonte qëndrimin e tij në këtë çështje.
61. Gjykata vëren se në bazë të nenit 8 § 1 të ligjit nr. 5651, gjyqtari mund të urdhërojë bllokimin e aksesit « për publikimet e shpërndara në internet nëse ka arsye të mjaftueshme për të dyshuar se përmbajtja e tyre shkakton shkelje ». Neni 2 i të njëjtit ligj jep dy përkufizime të nocionit « publikim » : sipas paragrafit ğ) si « publikim i shpërndarë në internet konsiderohen të gjitha të dhënat e konsultueshme në internet nga një numër i papërcaktuar personash », ndërsa sipas paragrafit l), si « publikim konsiderohet çdo lloj publikimi në internet ». Edhe pse duket që nocioni i « publikimit » është shumë i gjerë dhe mund të mbulojë çdo lloj të dhëne që publikohet në internet, është e qartë se as faqja web e kërkuesit dhe as Google Sites nuk hyjnë në fushën e zbatimit të nenit 8 § 1 të ligjit nr. 5651, meqënëse përmbajtja e tyre, sipas kësaj dispozite, nuk përfshihet në këtë rast.
62. Në fakt, as Google Sites dhe as faqja web e kërkuesit nuk ishin objekt i një procedure gjyqësore sipas dispozitës së lartpërmendur. Nga formulimi i nenit 8 § 1 të ligjit nr. 5651 të cituar në vendimin e datës 24 qershor 2009 (paragrafi 10 më sipër) del se Google Sites është konsideruar përgjegjës për përmbajtjen e një të dhëne që ndodhej në një nga faqet e tij, ndërkohë që nenet 4, 5 dhe 6 të ligjit nr. 5651, i cili saktëson përgjegjësitë e furnizuesve të të dhënave, të web page hosting dhe të shërbimit të internetit, nuk thuhet asgjë për bllokimin e aksesit në përgjithësi, ashtu siç është urdhëruar në këtë rast. Nga ana tjetër, nuk është parashtruar që ligji autorizon bllokimin e tërësisë së një fushe interneti, si Google Sites, e cila mundëson shkëmbimin e mendimeve dhe informacioneve. Për me tepër, asnjë element i dosjes nuk mundëson të arrihet në përfundimin se Google Sites ishte informuar në bazë të nenit 5 § 2 të ligjit nr. 5651 mbi të dhënën e paligjshme që përmbante një faqe e tij dhe se ai ka refuzuar të ishte në përputhje me masën e përkohshme që ishtë dhënë për një faqe web kundrejt së cilës kishte filluar një procedurë penale.
63. Gjykata vëren gjithashtu se neni 8 §§ 3 dhe 4 i ligjit nr. 5651 i ka mundësuar një organi admnistrativ (KTI) të gëzojë një pushtet të gjerë në kuadrin e zbatimit të një vendimi bllokimi, i cili fillimisht ishte miratuar vetëm për një faqe web të caktuar. Faktet tregojnë në këtë rast që KTI mund të kërkojë zgjerimin e masës së bllokimit të aksesit, pa pasur asnjë procedurë të ngritur kundër faqes web apo Google Sites, dhe pa u vërtetuar që ekziston një nevojë reale për bllokimin total të tyre.
64. Përveç kësaj, siç tregohet më sipër (paragrafi 47), Gjykata mendon se kufizime të tilla paraprake nuk janë, a priori, të papajtueshme me Konventën. Megjithatë, ato duhen të inkuadrohen në një kuadër ligjor mjaft të rreptë në lidhje me moskufizimin e ndalimit dhe efikas në lidhje me kontrollin gjyqësor kundër abuzimeve të ndryshme (Shoqata Ekin kundër Francës, nr. 39288/98, § 58, CEDH 2001‑VIII, shih gjithashtu, mutatis mutandis, Komiteti i redaktimit i Pravoye Delo dhe Shtekel kundër Ukrainës, nr. 33014/05, § 55, CEDH 2011 (fragmente)). Për këtë qëllim, një kontroll gjyqësor i masave të tilla i kryer nga një gjyqtar, i bazuar në balancimin e interesave në konflikt dhe që synon të vendosë një ekuilibër midis këtyre interesave, nuk do të mund të konceptohej pa një kuadër që përcakton rregulla të sakta dhe të veçanta në lidhje me zbatimin e kufizimeve parandaluese për lirinë e shprehjes (RTBF, lartpërmendur, § 114). Mirëpo, duhet theksuar se kur gjykata e shkallës së parë e Denizlit vendosi të bllokojë tërësisht aksesin në Google Sites në bazë të nenit nr. 5651, ajo u mjaftua t’i përmbahej një mendimi që vinte nga KTI, pa u përpjekur aspak të verifikonte nëse mund të miratohej një masë jo aq e rëndë për të bllokuar vetëm faqen kundërshtuese (paragrafi 10 më sipër).
65. Nga ana tjetër, Gjykata mendon se në kundërshtimin e paraqitur më 1 korrik 2009, kërkuesi mbështeti idenë që për të mos lejuar cënimin e faqeve të tjera web nga kjo masë, duhet zgjedhur një metodë që bllokon aksesin vetëm në faqen kundërshtuese.
66. Megjithatë, Gjykata vëren se asgjë nuk provon që gjyqtarët e këtij rasti kundërshtimi, të jenë përpjekur të vlerësojnë interesat e ndryshme të pranishme, duke shqyrtuar pikërisht nëse ishte e nevojshme një bllokim total i aksesit në Google Sites. Për Gjykatën, kjo mungesë s’është gjë tjetër veçse një pasojë e shkaktuar nga neni 8 i ligjit nr. 5651, i cili nuk përmban asnjë detyrim për gjyqtarët e brendshëm që të shqyrtojnë nevojën për një bllokim total të aksesit në Google Sites, duke pasur parasysh kriteret e shpallura dhe të zbatuara nga Gjykata në kuadrin e nenit 10 të Konventës. Në fakt, detyrimi i lartpërmendur rrjedh direkt nga Konventa dhe nga jurisprudenca e Gjykatës. Në vendimin e tyre, gjyqtarët kanë marrë parasysh faktin se i vetmi mjet për të bllokuar aksesin në faqen kudërshtuese, në përputhje me vendimin e dhënë për këtë gjë, ishte bllokimi total i aksesit në Google Sites (paragrafet 8, 10 dhe 13 më sipër). Mirëpo, sipas mendimit të Gjykatës, ata duhet të merrnin në konsideratë faktin që masa të tilla pengojnë aksesin në një sasi të konsiderueshme informacioni duke prekur në këtë mënyrë të drejtat e përdoruesve të internetit, dhe duke shkaktuar një efekt kolateral të rëndësishëm.
67. Në dritën e këtyre mendimeve dhe nga shqyrtimi i ligjeve në fjalë, ashtu siç janë zbatuar në këtë rast, Gjykata arrin në përfundimin se ndërhyrja që merr shkas nga neni 8 i ligjit nr. 5651 nuk i përgjigjet kushtit të parashikueshmërisë që kërkohet nga Konventa dhe nuk i ka mundësuar kërkuesit të gëzojë në një shkallë të mjaftueshme mbrojtjen që kërkon epërsia e së drejtës në një shoqëri demokratike. Nga ana tjetër, duket se një ligj i tillë bie ndesh në të njëjtën kohë edhe me përmbajtjen e paragrafit 1 të nenit 10 të Konventës, sipas të cilit, të drejtat që njihen aty janë të vlefshme « pa marrë parasysh kufijtë » (shih për këtë, Shoqata Ekin, lartpërmendur, § 62).
68. Për më tepër, Gjykata vëren se masa në fjalë ka pasur efekte arbitrare dhe nuk do të mund të konsiderohej sikur synonte vetëm bllokimin e aksesit në faqen kundërshtuese sepse në fakt, ajo konsistonte në një bllokim total të gjithë faqeve web që përmban Google Sites. Përveç kësaj, kontrolli gjyqësor për bllokimin e aksesit në faqet e internetit nuk i plotëson kushtet e mjaftueshme për të shmangur abuzimet : e drejta e brendshme nuk parashikon asnjë garanci për të shmangur që një masë bllokimi që synon një faqe të caktuar, të përdoret si mjet bllokimi i përgjithshëm.
69. Në këtë mënyrë, ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
70. Në lidhje me përfundimin e mësipërm, Gjykata nuk e konsideron si të nevojshëm në këtë rast të kontrollojë respektimin e kërkesave të tjera të paragrafit 2 të nenit 10.
III. MBI SHKELJEN E ANKIMUAR TË NENEVE 6, 7, 13 TË KONVENTËS DHE NENIT 2 TË PROTOKOLLIT Nr. 1
71. Duke përmendur nenet 6 dhe 13 të Konventës, kërkuesi ankohet se nuk i është mundësuar një ankim gjyqësor efektiv me qëllim kontrollin e masës kundërshtuese nga Gjykata dhe sanksionin në rastin e një abuzimi të mundshëm nga autoritetet.
Nën këndvështrimin e nenit 7, ai denoncon gjithashtu cënimin ndaj parimit të ligjshmërisë së veprave penale dhe dënimeve, i parashikuar në nenin 7 të Konventës.
Së fundi, në kontekstin e nenit 2 të Protokollit nr. 1, ai ankohet se i është cënuar e drejta e tij për arsim, duke argumentuar se ndalimi në fjalë e ka penguar atë të ndjekë e studimet e doktoraturës.
72. Në lidhje me shkeljen e konstatuar të nenit 10 të Konventës (paragrafi 70 më sipër), Gjykata mendon se i ka shqyrtuar çështjet kryesore ligjore të përfshira në këtë çështje. Në dritën e të gjitha fakteve të çështjes, ajo mendon se nuk është e nevojshme të vendosë veçmas për pranueshmërinë dhe bazueshmërinë e ankesave të bazuara në nenet 6, 7 dhe 13 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit nr.1 (Recep Kurt kundër Turqisë, nr. 23164/09, § 70, 22 nëntor 2011, dhe Kamil Uzun kundër Turqisë, nr. 37410/97, § 64, 10 maj 2007).
MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
73. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata deklaron shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendëshme e Palës së Lartë kontraktuese mundëson vetëm një mënjanim të pjesshëm të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar, një shpërblim të drejtë. »
A. Dëmi
74. Kërkuesi kërkon 10 000 euro (EURO) për dëmin moral që ai mendon se i është shkaktuar.
75. Qeveria i kundërshton këto pretendime.
76. Gjykata mendon se është e drejtë t’i akordohen kërkuesit 7 500 EURO për dëmin moral.
B. Shpenzime dhe pagesa
77. Kërkuesi kërkon gjithashtu 3 300 EURO për shpenzimet dhe pagesat që ka kryer për procedurat gjyqësore në juridiksionet e brendshme dhe në Gjykatë. Ai pohon se paraqitja e çështjes së tij para juridiksioneve kombëtare dhe institucioneve të Strasburgut ka kërkuar 28 orë pune, që paguhen me 250 lira turke (TRY) ora, sipas tarifave minimale të shpallura nga dhoma e avokatëve në Stamboll dhe Izmir.
78. Qeveria i kundërshton këto pretendime.
79. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues mund të arrijë të marrë rimbursimin e shpenzimeve dhe pagesave të kryera vetëm nëse ato shprehin vërtetësinë e tyre, domosdoshmërinë dhe karakterin e arsyeshëm të shumës së paraqitur. Në këtë rast, duke marrë në konsideratë dokumentet që disponon dhe jurisprudencën e saj, Gjykata e mendon si të arsyeshme që t’i akordojë kërkuesit shumën 1 000 EURO për të gjitha shpenzimet e kryera.
C. Interesa të vonuara
80. Gjykata e gjykon si të arsyeshme të llogarisë përqindjen e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës qëndrore evropiane, përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Deklaron njëzëri se ankesa bazohet në një cënim të pajustifikuar të së drejtës së kërkuesit për të marrë dhe për të dhënë informacione të pranueshme ;
2. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës ;
3. Vendos se nuk është e nevojshme të shqyrtojë veçmas për pranueshmërinë dhe bazueshmërinë e ankesave të bazuara në nenet 6, 7 dhe 13 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit nr.1 ;
4. Vendos
a) që shteti i paditur duhet t’i derdhë kërkuesit brenda tri muajve duke filluar nga dita kur vendimi është i formës së prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme që duhet të konvertohen në lira turke sipas kursit që zbatohet ditën e pagesës :
i) 7 500 EURO (shtatë mijë e pesë qind euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm moral ;
ii) 1 000 EURO (një mijë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për shpenzime dhe pagesa ;
b) se duke filluar nga data e skadimit të afatit dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës Qëndrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë ;
5. Rrëzon kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën e mbetur.
Hartuar në frengjisht, më pas transmetuar me shkrim më 18 dhjetor 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Stanley NaismithGuido Raimondi
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores së Gjykatës, mendimi në pakicë i gjyqtarit Paulo Pinto de Albuquerque.
G.RA
S.H.N.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy