© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA AKSU k. TURQISË
(Kërkesëpadi nr. 4149/04 dhe 41029/04)
VENDIM
STRASBURG
15 mars 2012
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Aksu k. Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Nicolas Bratza, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Karel Jungwiert,
Anatoly Kovler,
Elisabet Fura,
Alvina Gyulumyan,
Mark Villiger,
Päivi Hirvelä,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nebojša Vučinić,
Işıl Karakaş,
Vincent A. de Gaetano,
Angelika Nußberger, gjyqtarë,
dhe nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 13 prill 2011 dhe 1 shkurt 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhen dy kërkesëpadi (nr. 4149/04 e 41029/04) të drejtuara kundër Republikës së Turqisë dhe të cilat një qytetar i këtij shteti, Z. Mustafa Aksu (“paditësi”), ia ka paraqitur Gjykatës më 23 janar dhe 4 gusht 2004 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi, i cili është miratuar të përfitojë ndihmë gjyqësore, është përfaqësuar nga Z. Esmer, avokat në Ankara. Qeveria turke (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj.
3. Paditësi ankohej se tre botime – një libër dhe dy fjalorë – të financuara nga shteti përmbanin vërejtje dhe shprehje armiqësore ndaj romëve. Ai i referohej nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës.
4. Kërkesa i është caktuar Seksionit të Dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores). Më 27 korrik 2010, një dhomë e këtij seksioni, e përbërë nga Françoise Tulkens, Ireneu Cabral Barreto, Danutė Jočienė, Dragoljub Popović, Nona Tsotsoria, Işıl Karakaş dhe Kristina Pardalos, gjyqtarë, si edhe nga Stanley Naismith, sekretar seksioni, ka dhënë një vendim me anë të të cilit, pasi i ka bashkuar kërkesat (neni 52 § 1 i Rregullores), ka vendosur me katër vota në favor dhe tri kundër se nuk kishte pasur shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës.
5. Më 22 nëntor 2010, në vijim të një kërkese të paditësit që mban datën 25 tetor 2010, një kolegj i Dhomës së Madhe ka vendosur t’ia kalojë çështjen kësaj të fundit sipas nenit 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
7. Si paditësi, ashtu edhe Qeveria, kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim rreth thelbit të kërkesës (neni 59 § 1 i Rregullores). Përveç kësaj, janë marrë vërejtje edhe nga Greek Helsinki Monitor, që kryetari e kishte ftuar të ndërhyjë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
8. Një seancë është zhvilluar publikisht në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 13 prill 2011 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
M.M. Özmen,bashkëpërfaqësues,
MmeA. Emüler,
M.M.Z. Uzun,
MmeN. Aksoy,
M.O. Saydam,
M.U. Aksungur, avokatë;
– për paditësin
M.S. Esmer,avokat.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Esmer dhe të Z. Özmen.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Paditësi, me prejardhje rome, ka lindur më 1931 dhe banon në Ankara.
A. Kërkesëpadia nr. 4149/04
1. Libri “Ciganët e Turqisë” (Türkiye Çingeneleri)
10. Në vitin 2000, Ministria e Kulturës ka botuar në 3 000 kopje një libër me titull “Ciganët e Turqisë”, i cili ishte shkruar nga profesori i asociuar Ali Rafet Özkan. Para botimit të tij, një komitet konsultativ për botimet e ka miratuar përmbajtjen e veprës, në parathënien e së cilës thuhej:
“(...)
Sot në territorin turk, ashtu si në çdo periudhë të historisë, ciganët jetojnë të qetë, por tani ata janë krejtësisht të braktisur, jashtë çdolloj normative, mbikëqyrjeje apo kujdesi. Mosrregullimi me ligj i mënyrës së tyre të jetesës, ku ata janë lënë tërësisht në dorë të fatit, mund të shihet si një dështim i Turqisë. Edhe mënyra e çorganizuar e jetesës së ciganëve në kohën e sotme si dhe fakti që, me gjithë historinë e gjatë që ndajmë së bashku me ta, çdolloj përpjekjeje për t’u kuturisur në njëfarë mënyre brenda botës së tyre të mbyllur shihet si diçka e panevojshme, janë shenja të tjera të këtij dështimi. Madje, ndonëse ciganët jetojnë prej kaq kohësh midis nesh, ata mbahen larg prej popullsisë vendase dhe janë objekt talljesh që mbajnë më së shumti vulën e injorancës dhe të paragjykimeve. Pritja negative dhe fajësimet brengosëse që u bëhen atyre ngado ku të shkojnë i kanë shtyrë ciganët, struktura e jetës në shoqëri e të cilëve ishte tashmë e mbyllur ndaj botës së jashtme, që të struken edhe më shumë në vetvete.
Ne menduam se ishte e nevojshme të depërtonim në botën e panjohur të kësaj bashkësie që jeton prej shekujsh midis nesh dhe bën pjesë tashmë në kulturën bashkëkohore turke. Duke anuar më fort drejt një qasjeje empirike, unë jam përpjekur pra t’i njoh nga afër ciganët e Turqisë dhe t’i paraqes ata ashtu siç janë, në të gjitha aspektet e tyre, mbi bazën e parimeve të objektivitetit shkencor.
Ky studim përfshin një hyrje dhe dy pjesë.
Në hyrje jepen saktësime rreth vetë nocionit se cilët janë ciganët, rreth prejardhjes dhe lëvizjeve migruese të këtij komuniteti, duke e vështruar historinë e tij në Turqi në dritën e dokumenteve arkivore e burimeve të ndryshme studimore. Pjesa e parë merret me trajtimin e tipareve social-kulturore të ciganëve në mënyrë të përgjithshme. Aty preken në veçanti jeta e përditshme dhe shtegtimet e ciganëve, muzika, vallet, gjuha, traditat dhe zakonet e tyre. Pjesa e dytë u kushtohet besimeve dhe riteve të tyre.
Ky studim – të cilin po e paraqes pa pretendime, por thjesht me shqetësimin për të plotësuar një boshllëk të rëndësishëm (meqenëse bëhet fjalë për studimin e parë të këtij lloji) dhe për t’u çelur udhën punimeve të tjera rreth ciganëve në të ardhmen – mbështetet në metodat përshkruese, krahasuese dhe fenomenologjike, si edhe në vëzhgimin e pjesëmarrësve dhe në disa teknika bashkëbisedimi.
(...)”
11. Te hyrja, autori vijonte kështu:
“(...)
Ciganët janë të shpërndarë në mbarë botën, por ata janë treguar të paaftë për t’i shpëtuar statusit të tyre si grup i dorës së dytë i përjashtuar dhe kudo i përbuzur. Përveç mënyrës së tyre të ndryshme të jetesës, tipari që i dallon më qartë është ngjyra e tyre e lëkurës, e cila është më e errët, më zeshkane. Nga një pikëpamje tipologjike, shumica e ciganëve janë me trup mesatar, të zhdërvjelltë, me sy të mëdhenj e të zinj (nganjëherë ngjyrëlajthi ose të kaltër) e me qerpikë të gjatë e të dendur; burrat mbajnë mustaqe të gjata. Gojën e kanë me buzë të holla e elegante, dhëmbët e bardhë dhe të rregullt, nofullën të rrumbullakuar. Janë me ballë e tëmtha të ngushtë dhe me një kafkë të vogël. Flokët i kanë të dredhur, ngjyrëkafe, të gjatë e të dendur. Gratë bëhen me këllqe të gjera e me trup të bëshëm në moshën e pjekurisë. Të rinjtë janë të hajthëm, me muskuj të ngjeshur e të fuqishëm (shih Karmen, shkruar nga Prosper Mérimée, Histori cigane të këtushme e prej vendeve të tjera, nga Tahir Alangu, dhe Prodhimi i sitave nga ciganët e Polasarit, nga Esat Uras).
(...)
Ky studim ka si qëllim që të përshkruajë identitetin e ciganëve, të kësaj popullsie e cila jeton në vendin tonë prej shekujsh e që është kthyer në një pjesë përbërëse të kulturës bashkëkohore turke, por për të cilën nuk është kryer asnjë studim shkencor me qëllime shteruese; në fakt, deri tani, identiteti kulturor i ciganëve ka mbetur në një masë të madhe i panjohur dhe kjo për arsye të vështirësisë që ekziston për t’i identifikuar e përcaktuar ata. Studimi i përshkruan karakteristikat e tyre social-kulturore, besimet, mitologjinë, festivalet dhe ceremonitë e tyre, në të gjitha aspektet.
Për qëllimet e këtij hulumtimi, janë grumbulluar fillimisht një tërësi informacionesh, dokumentesh dhe elementesh lidhur me ciganët e Turqisë e të vendeve të tjera. Këto të dhëna janë klasifikuar pastaj sipas besueshmërisë së tyre shkencore, mbi bazë kriteresh saktësie. Kjo etapë është pasuar nga një studim empirik që përfshinte vëzhgimin e pjesëmarrësve, përmes takimesh me ciganë dhe qëndrimesh brenda komunitetit të tyre. Janë vizituar të gjitha krahinat e Turqisë që kanë popullsi cigane, endacake ose të ngulitur, për të qëmtuar fakte lidhur me mënyrën e tyre të jetesës, me traditat, besimet, kultet dhe praktikat cigane, jo vetëm nëpërmjet mbledhjes së të dhënave dhe të elementeve dokumentare e kështu me radhë, por edhe me anë të metodës empirike të të jetuarit mes tyre.”
12. Një kapitull i librit i kushtohej temës “Ciganët në Turqinë e sotme”. Ai përmbante fragmentet e mëposhtme:
“Ciganët sot janë të shpërndarë kudo nëpër Turqi. Gjenden kryesisht në afërsi të detit të Marmarasë, të detit Egje e të Mesdheut, kurse me përqendrime më të rralla, pranë Detit të Zi si edhe në pjesët qendrore e juglindore të Anadollit. Shpërndarja e ciganëve në Turqi do të trajtohet në këtë kapitull.
(...)
Deri më sot, asnjë regjistrim i përgjithshëm popullsie nuk ka përmbajtur informacione të veçanta për ciganët, çka shpjegon se përse nuk dihen me siguri përmasat e popullsisë cigane në Turqi. Në vend që të përdorim vlerësime, ne kemi mbledhur informacione nga vetë ciganët, nga popullsitë vendase që jetojnë përbri tyre dhe nga administratat vendore. Këto informacione jemi përpjekur që t’i saktësojmë duke bërë krahasim me shifrat e përgjithshme të popullsive në çdo distrikt, të cilat na janë bërë të ditura nga krerët e distrikteve (muhtarët).
(...)
Stamboll
(...)
Ciganët që banojnë në provincën e Stambollit jetojnë përgjithësisht duke punuar si muzikantë, shitës lulesh, tregtarë hekurishtesh, grumbullues plehrash e letre, farkëtarë e hekurpunues, rojtarë, fallxhorë, pastruese shtëpie, karrocierë, bakërpunues, mbledhës kërmijsh e shitës ambulantë. Disa, të paktë në numër, i sigurojnë të ardhurat e tyre me vjedhje xhepash, me vjedhje nëpër banesa e me trafik lëndësh narkotike.
Tekirda
(...)
Romët (ciganët) që banojnë në Tekirda jetojnë duke punuar si muzikantë, rojtarë ose lustraxhinj. Gratë bëjnë pastrime shtëpish ose janë të punësuara si punëtore krahu në fabrikën e tullave. Ciganët e Çorlusë e të Lyleburgazit punojnë si muzikantë, portierë, shitës kuajsh (shitje bagëtie), punëtorë ndërtimi dhe organizatorë lotarish, kurse gratë pastrojnë shtëpi.
Kërklareli
(...)
Romët e Kërklarelisë e fitojnë në përgjithësi bukën e gojës si muzikantë, karrocierë, shitës në rrugë, rojtarë, pastruese shtëpish ose mbledhës hekurishtesh.
Edrene
(...)
Ata që jetojnë në qendër të qytetit të Edrenesë janë zakonisht karrocierë, mbledhës hekurishtesh ose shitës nëpër rrugë, kurse gratë japin ndihmesë në ekonominë familjare duke pastruar shtëpi. Praktikisht, të gjithë ciganët që banojnë në distriktin e Jukarë Zaferijes së Keshanit jetojnë me muzikë. Kurse të tjerët punojnë në sektorë të ndryshëm : orizore, betonime nëpër kantiere, roje, organizim shëtitjesh me kaloshin, gjueti bretkosash e mbledhje kërmijsh, grumbullim hekurishtesh, riciklim letre, bojatisje dhe shitje simitesh. Ata që banojnë në Uzunkëpry e nxjerrin bukën e gojës si mbledhës hekurishtesh, hekurpunues ose thurës kanistrash.
(...)
Ankara
(...)
Ciganët e distriktit të qendrës së Ankarasë jetojnë me atë që nxjerrin nga vjedhjet, lypësia, shitja nëpër dyer, hedhja fall, zercilik-u (vjedhje dyqanesh argjendarie) dhe bërja magji. Një numër i vogël syresh jetojnë si mbledhës hekurishtesh, saraçë, prodhues sitash apo thurës kanistrash. Shumë prej tyre punojnë edhe si muzikantë në lokale nate. Thuhet se shumica e shitësve të veglave të punës në rrethinat e Altëndasë dhe të Hamamënysë janë ciganë nga Xhankërëja.
(...)
Ne jemi përpjekur të shkojmë në çdo provincë e distrikt ku janë vendosur ciganë. Kemi arritur te shifrat e dhëna për çdo krahinë duke krahasuar informacionet e ndryshme, duke mbajtur shënim shifrat e fryra të dhëna nga ciganët, pastaj duke folur me krerët e distrikteve (muhtarët) dhe, në rast nevoje, me policinë lokale. (...)”
Vërejtje të tjera të ngjashme me vëzhgimet e mësipërme ishin formuluar edhe ndaj popullsisë rome që jeton në pjesë të tjera të Turqisë: Izmir, Manisa, Konia, Adana et Antalja.
13. Paragrafët e fundit të përmbylljes së librit “Ciganët e Turqisë” shprehen kështu:
“Lidhjet më të rëndësishme që i bashkojnë ciganët mes njëri-tjetrit janë strukturat e tyre familjare e shoqërore, si edhe traditat e tyre. Endacakë që prej më shumë se një mijë vjetësh, ata ia kanë dalë ta ruajnë mënyrën e tyre tradicionale të jetesës falë martesave brenda gjinisë. Dashuria e tyre për traditat e veta fillon me lindjen dhe zgjat tërë jetën. Pa dyshim, tradita përbën elementin më karakteristik të mënyrës së tyre të jetesës. Përgjegjësia më e madhe për ruajtjen dhe mbajtjen e traditës u bie pjesëtarëve më të moshuar të bashkësisë cigane. Megjithatë, për arsye të ndryshimit të vazhdueshëm të rrethanave e të nevojave, për ciganët po bëhet e vështirë ruajtja e strukturës së tyre shoqërore. Në veçanti, “Natia”, njëra nga këto struktura shoqërore, nuk mbahet dot më në Turqinë e sotme.
Tipari më mbresëlënës i ciganëve është mënyra e tyre e jetesës. Kështu, të gjitha aspektet e veprimtarisë së tyre social-kulturore – shtegtimet e fushimet, vallja, muzika, gjuha, ushqimi dhe pijet, hedhja e fallit, bërja magji e ushtrimi i zanateve të vogla – përbëjnë natyrën e vërtetë të jetës së tyre. Sidoqoftë, këto elemente janë pjesa e dukshme e ajsbergut. Zakonisht, njerëzit e jashtëm i identifikojnë ciganët pikërisht nëpërmjet këtyre praktikave. Por mënyra më e mirë për t’i njohur ata vërtet është të përzihesh me komunitetin e tyre dhe t’i përvishesh një analize të thellë të traditave dhe besimeve të tyre. Bota e fshehtë e ciganëve zbulohet përmes besimeve të tyre, sidomos përmes besëtytnive dhe tabuve që ata kanë.
Ashtu si të gjithë, ciganët e ndiejnë nevojën për të pasur një besim dhe për ta praktikuar atë. Paralelisht me përqafimin e fesë së vendit ku ata jetojnë, ata i ruajnë të gjalla brez pas brezi besimet tradicionale specifike të kulturës së tyre. Kështu, vihet re se ciganët kanë festa e ceremoni të vërteta që rrjedhin prej besimeve të tyre dhe gjurmët e të cilave mund të ndiqen pjesërisht deri te hinduizmi.
Për mendimin tonë, këta persona që kudo nuk pranohen e poshtërohen mund të shndërrohen në qytetarë të vlefshëm për shtetin e për kombin tonë, sapo të ndreqen problemet e tyre arsimore, shoqërore, kulturore e mjekësore. E vetmja gjë që duhet bërë është t’i përvishemi punës me durim e vendosmëri.”
2. Procedurat e brendshme të nisura nga paditësi
14. Më 15 qershor 2001, paditësi, duke vepruar në emër të shoqatave turke të ciganëve/romëve, i ka drejtuar Ministrisë së Kulturës një kërkesë ku shpjegonte se autori i librit që është objekt konflikti i akuzonte ciganët se kryejnë veprimtari të paligjshme, i cilësonte ata “si vjedhës, hajdutë xhepash, mashtrues, vjedhës banesash e dyqanesh, fajdexhinj, lypës, trafikantë lëndësh narkotike, prostituta e pronarë shtëpish publike”, dhe i paraqiste si poligamë e agresivë. Paditësi pohonte gjithashtu se libri përmbante shumë shprehje të tjera poshtëruese e përçmuese për ciganët. Duke thënë se këto shprehje ishin të dënueshme penalisht, ai kërkonte pezullimin e shitjeve të librit dhe sekuestrimin e të gjitha kopjeve.
15. Të njëjtën ditë, kreu i njësisë së botimeve të Ministrisë së Kulturës ka urdhëruar që t’i kthehen njësisë së tij 299 kopjet e mbetura të librit.
16. Me anë të një letre të datës 11 tetor 2001, paditësi e ka pyetur Ministrinë e Kulturës nëse ishin sekuestruar kopjet e librit.
17. Më 17 tetor 2001, kreu i njësisë së botimeve të Ministrisë së Kulturës i ka shpjeguar paditësit se Komiteti Konsultativ për Botimet i Ministrisë, i përbërë nga shtatë profesorë, kishte vlerësuar se libri ishte një vepër kërkimore shkencore dhe se ai nuk përmbante asnjë fyerje apo shprehje që mund të merrej si fyerje. Paditësi është informuar gjithashtu se autori i librit nuk pranonte asnjë ndryshim teksti dhe se, me kërkesën e tij, Ministria ia kishte rishitur atij të drejtat e autorit mbi atë libër.
18. Më 4 shkurt 2002, paditësi i ka shkruar sërish Ministrisë së Kulturës dhe profesorit të asociuar Ali Rafet Özcan, duke përsëritur kërkesën e tij të fillimit. Ai nuk ka marrë asnjë përgjigje.
19. Pas kësaj, më 30 prill 2002, paditësi ka nisur në emrin e tij personal pranë Gjykatës së shkallës së parë të Ankarasë një procedurë të drejtuar kundër Ministrisë së Kulturës dhe autorit të librit në fjalë, ku ai kërkonte zhdëmtim për dëmin moral që thoshte se kishte pësuar për shkak të shprehjeve që figuronin në atë libër, duke konsideruar se ato i cenonin identitetin e tij cigan/rom dhe ishin fyese. Ai kërkonte gjithashtu edhe konfiskimin e kopjeve të librit si dhe ndalimin e botimit dhe të shpërndarjes së tij.
20. Autori i është përgjigjur se, për hartimin e atij libri, kishte përdorur të dhëna të marra nga komisariati i Adanasë dhe nga libra të shkruar nga autorë të tjerë rreth ciganëve, dhe se ai nuk kishte pasur asnjë qëllim që ta fyente apo ta poshtëronte këtë komunitet. Ai ka deklaruar përveç kësaj se pjesët të cilave u referohej paditësi nuk duhej të shiheshin në mënyrë të shkëputur, por në dritën e tërësisë së atij libri.
21. Më 24 shtator 2002, Gjykata e shkallës së parë të Ankarasë i ka rrëzuar kërkesat e paditësit për sa i takonin autorit të librit. Ajo ka vlerësuar se vepra ishte fryt hulumtimesh universitare, mbështetej mbi të dhëna shkencore dhe bënte fjalë për strukturat shoqërore të romëve/ciganëve në Turqi. Gjykata ka dalë kështu në përfundimin se shprehjet në fjalë nuk e fyenin paditësin. Sa për ankesat e të interesuarit ndaj Ministrisë, Gjykata e ka deklaruar veten jo kompetente për t’i shqyrtuar ato dhe ka vlerësuar se ato u përkisnin juridiksioneve administrative.
22. Më 25 tetor 2002, paditësi ka bërë apelim kundër këtij vendimi, duke mbrojtur idenë se libri nuk mund të konsiderohej si një vepër hulumtimi shkencor dhe se, për rrjedhojë, Ministria e Kulturës nuk duhej ta kishte botuar.
23. Më 21 prill 2003, Gjykata e Kasacionit e ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Në vendimin e saj, ajo ka vënë në dukje se shprehjet që janë objekt konflikti ishin të një natyre të përgjithshme dhe se, për këtë arsye, asgjë nuk mund ta shpinte atë në përfundimin që ato u drejtoheshin të gjithë romëve/ciganëve apo që cenonin identitetin e paditësit.
24. Më 8 dhjetor 2003, një kërkesë e paraqitur nga paditësi për korrigjim vendimi është hedhur poshtë.
25. Pas kësaj, në një datë jo të përcaktuar, paditësi i është drejtuar Gjykatës Administrative të Ankarasë me një veprim kundër Ministrisë së Kulturës, ku ai kërkonte një zhdëmtim për dëm moral, duke thënë se përmbajtja e librit të botuar nga Ministria e Kulturës ishte ofenduese dhe fyese për komunitetin rom/cigan. Më 7 prill 2004, kërkesa e tij është rrëzuar. Gjykata Administrative ka konstatuar se, para se të botohej, libri në fjalë ishte shqyrtuar e miratuar nga një raportues i emëruar prej Komitetit Konsultativ për Botimet, i cili e kishte dhënë pastaj pëlqimin e vet për botimin. Ajo vinte re se, pas pretendimeve të shprehura prej paditësit, Komiteti Konsultativ, i përbërë nga shtatë profesorë, e kishte shqyrtuar përsëri librin më 25 shtator 2001 dhe kishte vendosur se bëhej fjalë për një studim universitar të bazuar mbi hulumtime shkencore dhe se vazhdimi i shpërndarjes dhe i shitjeve të tij nuk do të krijonte asnjë shqetësim. Gjykata Administrative ka dalë pra në përfundimin se pretendimet e paditësit ishin të pabazuara. Paditësi nuk e ka apeluar këtë vendim.
B. Kërkesëpadia nr. 41029/04
26. Më 1991 dhe më 1998, Shoqata Gjuhësore, një organizatë joqeveritare, ka botuar dy fjalorë të titulluar përkatësisht “Fjalori i gjuhës turke për nxënësit” (Öğrenciler için Türkçe Sözlük) dhe “Fjalori i gjuhës turke” (Türkçe Sözlük). Botimi i këtyre veprave është financuar pjesërisht nga Ministria e Kulturës.
27. Më 30 prill 2002, paditësi, duke vepruar në emër të Konfederatës së Shoqatave Kulturore Rome/Cigane, i ka dërguar Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës Gjuhësore një letër ku ai mbronte mendimin se disa zëra në ata fjalorë ishin fyes dhe diskriminues ndaj romëve/ciganëve.
28. Në faqen 279 të të dy fjalorëve paraqiteshin zërat e mëposhtëm lidhur me fjalën “cigan” (çingene):
“Cigan(ë)” (Çingene): 1. Grup etnik me prejardhje nga India, pjesëtarët e të cilit bëjnë një jetë endacake dhe janë të përhapur gjerësisht në mbarë botën, ose person që i përket këtij grupi etnik. 2. (në kuptim të figurshëm) cingun.
“Borxh cigani” (Çingene borcu): borxh i parëndësishëm i përbërë nga disa borxhe të vogla.
“Valle kurde nga ciganët” (Çingene çalar Kürt oynar): vend plot rrëmujë e potere.
“Çadër cigani” (Çingene çergesi): (në kuptim të figurshëm) vend i pistë e i varfër.
“Dasmë cigane” (Çingene düğünü): tubim ku janë mbledhur njerëz të shumtë e të zhurmshëm.
“Përleshje ciganësh” (Çingene kavgası): shkëmbim fjalësh gjatë të cilit përdoret një fjalor vulgar.
“Monedhë cigani” (Çingene parası): monedhë e vogël.
“Trëndafil cigan” (Çingene pembesi): trëndafil.
“Gjuhë cigani” (Çingenece): gjuhë e përdorur nga ciganët.
“Ciganeri” (Çingenelik): 1. Të qenët cigan. 2. (në kuptim të figurshëm) koprraci, makutëri.
“Sillem si cigan” (Çingeneleşmek): tregohem cingun.
29. Sipas mendimit të paditësit, zërat që kishin të bënin me komunitetin cigan ishin negativë, diskriminues dhe shprehnin paragjykime. I interesuari pohonte ndër të tjera se Ministria e Arsimit dhe Akademia Turke i kishin ndryshuar fjalorët e tyre me kërkesën e tij dhe e ftonte Shoqatën Gjuhësore që t’i korrigjonte në të njëjtën mënyrë përkufizimet e lartpërmendura e t’i hiqte të gjitha shprehjet diskriminuese nga fjalorët. Ai nuk ka marrë asnjë përgjigje.
30. Pas kësaj, më 15 korrik 2002, paditësi i ka dërguar Shoqatës Gjuhësore një letër, ku ai përsëriste kërkesën e tij dhe saktësonte se do të niste një procedurë kundër Shoqatës, në rast se ajo nuk i plotësohej para datës 20 gusht 2002.
31. Më 16 prill 2003, paditësi ka nisur pranë Gjykatës se shkallës së parë të Ankarasë një veprim të drejtuar kundër Shoqatës Gjuhësore, përmes të cilit ai kërkonte që të hiqeshin prej fjalorëve përkufizimet dhe shprehjet e lartpërmendura. Ai kërkonte gjithashtu zhdëmtim për dëmin moral që thoshte se kishte pësuar për shkak të shprehjeve në fjalë, meqenëse sipas tij ato përbënin një sulm ndaj identitetit të tij cigan e si një fyerje ndaj atij vetë si person.
32. Shoqata Gjuhësore ka dorëzuar si përgjigje disa vërejtje ku ajo mbronte veçanërisht idenë se përkufizimet dhe shprehjet që paraqiteshin te fjalorët mbështeteshin në një realitet historik e sociologjik dhe nuk tregonin asnjë qëllim për të poshtëruar apo përçmuar një grup etnik. Ajo shtonte se shprehjet e përkufizimet në fjalë përdoreshin rëndom në shoqëri dhe se në gjuhën turke kishte edhe shprehje të tjera të ngjashme që kishin të bënin me shqiptarët, me çifutët e me vetë turqit.
33. Më 16 korrik 2003, Gjykata e shkallës së parë e Ankarasë e rrëzoi kërkesën e paditësit. Ajo doli në përfundimin se përkufizimet dhe shprehjet e paraqitura te fjalorët mbështeteshin në realitetin historik e sociologjik dhe nuk tregonin asnjë qëllim për të poshtëruar apo përçmuar një grup etnik. Ajo vuri në dukje përveç kësaj se në gjuhën turke kishte shprehje të ngjashme që kishin të bënin me grupe të tjera etnike, të cilat paraqiteshin nëpër fjalorë e enciklopedi.
34. Paditësi e apeloi vendimin në Gjykatën e Kasacionit, e cila e la atë në fuqi më 15 mars 2004.
II. E DREJTA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Kodi Civil
35. Neni 24 i Kodit Civil shprehet kështu:
“Kushdo të cilit i cenohen në mënyrë të paligjshme të drejtat personale, mund t’i kërkojë gjyqtarit që ta mbrojë nga shkaktarët e këtij cenimi.
Çdo cenim që nuk bëhet me pëlqimin e të interesuarit, për një interes më të lartë privat ose publik apo me një fuqi të dhënë nga ligji, është i paligjshëm.”
Për më tepër, sipas nenit 25 të Kodit Civil:
“Kushdo mund t’i kërkojë gjyqtarit që të parandalojë një rrezik cenimi të së drejtave të tij, të urdhërojë ndaljen e një cenimi të tillë ose ta shpallë atë të paligjshëm edhe pasi është ndalur.
Ai mund të kërkojë gjithashtu që ndreqja ose vendimi të shpallen ose t’u njoftohen të tretëve.
(...)”
B. Kodi Penal
36. Neni 312 § 2 i Kodit të vjetër Penal shprehej kështu:
“Kushdo që nxit urrejtjen dhe armiqësinë e popullit mbi bazën e një dallimi sipas përkatësisë ndaj një klase shoqërore, një race, një feje, një sekti apo një krahine, dënohet me një deri në tre vjet burgim si edhe me gjobë nga nëntë mijë deri në tridhjetë e gjashtë mijë lira. Kur një nxitje e tillë dëmton sigurinë publike, dënimit i shtohet një pjesë që mund të shkojë nga një e treta deri te gjysma e dënimit bazë.”
37. Më 1 qershor 2005 ka hyrë në fuqi ligji nr. 5237 për Kodin e ri Penal. Në nenin e tij 216, ky ligj thotë:
“Kushdo që nxit urrejtjen dhe armiqësinë e një pjese të popullsisë kundër një pjese tjetër të popullsisë mbi bazën e një dallimi sipas përkatësisë ndaj një klase shoqërore, një race, një feje, një sekti apo një krahine, kur një nxitje e tillë ngjall një rrezik të dukshëm e kërcënues për sigurinë publike, dënohet me një deri në tre vjet burgim.
2. Kushdo që denigron publikisht një pjesë të popullsisë mbi bazën e një dallimi sipas përkatësisë ndaj një klase shoqërore, një race, një feje, një sekti apo një krahine, dënohet me gjashtë muaj deri në një vit burgim.
(...)”.
III. DOKUMENTE TË KOMISIONIT EVROPIAN KUNDËR RACIZMIT DHE INTOLERANCËS (ECRI)
38. Në raportin e tij të katërt për Turqinë (CRI(2011)5), të bërë publik më 8 shkurt, ECRI përshëndet faktin se, për të shmangur shabllonet negative, ato ngjyrime që mund të perceptoheshin si negative janë hequr nga ai përkufizim i fjalës “cigan” që paraqitej nëpër fjalorë. Ai i inkurajon fuqimisht autoritetet turke që t’i vazhdojnë e t’i forcojnë përpjekjet e tyre për luftimin e shablloneve negative ndaj romëve, si edhe që të nisin një dialog konstruktiv me këtë komunitet.
39. Në rekomandimin e tij për politikë të përgjithshme nr. 10, lidhur me luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racor në edukimin shkollor e përmes tij, të miratuar më 15 dhjetor 2006, ECRI i porosit shtetet anëtare që të sigurohen se edukimi shkollor luan një rol kyç në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racor në shoqëri duke ngjallur frymën kritike të nxënësve dhe duke u dhënë atyre mjetet e nevojshme për t’i identifikuar shabllonet dhe elementet intolerante brenda materialeve që ata përdorin si edhe për të reaguar ndaj tyre.
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
40. Paditësi ankohet se libri me titull “Ciganët e Turqisë” dhe fjalorët e përmendur në paragrafët 26 deri në 28 të mëposhtëm përmbajnë shprehje dhe përkufizime fyese për identitetin e tij rom/cigan.
41. Qeveria e kundërshton këtë tezë.
A. Rreth çështjes nëse kërkesat duhet të shqyrtohen në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës apo në këndvështrimin e nenit 14 të bashkuar me nenin 8
42. Dhoma e Madhe vëren se dhoma i ka shqyrtuar ankesat e paditësit në vështrim të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës. Këto dispozita shprehen si më poshtë vijon:
Neni 8
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
Neni 14
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
43. Dhoma e Madhe rikujton se Gjykata është plotësisht e lirë të bëjë cilësimin juridik të fakteve të çështjes dhe nuk është e lidhur nga ai që u caktojnë atyre paditësit ose qeveritë (Scoppola k. Italisë (nr. 2) [DhM], nr. 10249/03, § 54, 17 shtator 2009). Sipas nenit 14, diskriminim do të thotë që persona të vendosur në situata të krahasueshme të trajtohen në mënyrë të ndryshme pa ndonjë përligjje objektive e të arsyeshme. Një diferencë trajtimi nuk mbështetet në një përligjje objektive dhe të arsyeshme po qe se ajo nuk ndjek një qëllim të ligjshëm ose në qoftë se nuk ka një raport të arsyeshëm përpjesëtueshmërie midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar (shih, mes shumë të tjerësh, D.H. me të tjerë k. Republikës Çeke [DhM], nr. 57325/00, § 175, GjEDNj 2007‑IV; dhe Burden k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 13378/05, § 60, 29 prill 2008, GjEDNj 2008-...).
44. Gjykata vëren se diskriminimi i mbështetur sidomos në prejardhjen e një personi përbën një trajtë diskriminimi racor. Diskriminimi racor është një trajtë diskriminimi veçanërisht e urryer e cila, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e pasojave të saj, kërkon një vigjilencë të posaçme dhe një reagim të fuqishëm nga ana e autoriteteve. Këto të fundit duhet të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta luftuar racizmin, duke e përforcuar kështu botëkuptimin demokratik të shoqërisë, ku larmia perceptohet jo si një kërcënim, por si një pasuri (Natchova me të tjerë k. Bullgarisë [DhM], nr. 43577/98 e 43579/98, § 145, GjEDNj 2005‑VII ; dhe Timichev k. Rusisë, nr. 55762/00 e 55974/00, § 56, GjEDNj 2005‑XII). Gjykata shënon përveç kësaj se, për shkak të historisë së tyre të trazuar dhe të çrrënjosjes së tyre të përhershme, romët përbëjnë një pakicë të disfavorizuar e të cenueshme, e cila ka për këtë arsye nevojë për mbrojtje të posaçme, ashtu siç e ka deklaruar ajo në jurisprudencën e saj (D.H. me të tjerë, i cituar më lart, § 182).
45. Gjykata vë re se në këtë çështje paditësi, rom nga prejardhja, ankohet se një libër e dy fjalorë të financuar nga shteti përmbajnë vërejtje dhe shprehje armiqësore ndaj romëve. I interesuari vlerëson se ato fjalë përbëjnë një sulm ndaj identitetit të tij rom. Por Gjykata vëzhgon që në këtë çështje nuk bëhet fjalë për asnjë diferencë trajtimi e sidomos për asnjë diskriminim etnik të veçantë, meqenëse paditësi nuk ka paraqitur elemente që të mund të kishin vlerën e një fillese prove se botimet objekt konflikti kanë një qëllim diskriminues apo se ato kanë shkaktuar një efekt diskriminues. Kjo çështje nuk mund të krahasohet pra me të tjera të paraqitura më parë nga pjesëtarë të komunitetit rom (shih, në fushën e arsimit, D.H. me të tjerë, cituar më lart, §§ 175-210; në fushën e strehimit, Chapman k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 27238/95, § 73, GjEDNj 2001‑I; dhe, në fushën zgjedhore, Sejdić e Finci k. Bosnjë-Hercegovinës [DhM], nr. 27996/06 e 34836/06, § 45, GjEDNj-2009). Në këto kushte, në rastin e çështjes në fjalë, puna është të përcaktohet nëse botimet e bëra objekt konflikti, që sipas paditësit përmbajnë vërejtje fyese me karakter racor, e kanë cenuar apo jo të drejtën e të interesuarit për respektimin e jetës së tij private dhe, në rast se po, nëse ky cenim ka të bëjë me nenin 8 të Konventës. Gjykata mendon pra ta shqyrtojë këtë çështje vetëm në këndvështrimin e kësaj dispozite.
B. Rreth prapësimit paraprak të Qeverisë
1. Tezat e palëve të paraqitura
a) Qeveria
46. Qeveria e mohon cilësinë e paditësit si viktimë në të dyja kërkesat, duke mbrojtur idenë se bëhet fjalë për një actio popularis. Sipas Qeverisë, i interesuari nuk e ka provuar se është prekur drejtpërdrejt nga vërejtjet dhe shprehjet që janë objekt konflikti.
b) Paditësi
47. Paditësi ankohet se, për shkak të prejardhjes së tij rome/cigane, ai ka pësuar një dëm material e moral si pasojë e vërejtjeve dhe shprehjeve sipas mendimit të tij përçmuese, të cilat paraqiten në librin dhe në fjalorët në fjalë. Për këtë arsye, ai është i mendimit se ka cilësinë e viktimës sipas nenit 34 të Konventës.
c) Pala e tretë ndërhyrëse
48. Sipas Greek Helsinki Monitor, cilësinë e viktimës e ka çdo pjesëtar i një grupi etnik të cilit i drejtohen fjalë që shprehin një diskriminim të përgjithshëm mbi bazë race, meqenëse shprehje të tilla ngjallin paragjykime kundër secilit nga pjesëtarët e këtij grupi. Përveç kësaj, Greek Helsinki Monitor është i mendimit se mbrojtja e ofruar nga Gjykata nuk mund të jetë më e vogël sesa ajo që administrohet nga e drejta e brendshme: pranimi i cilësisë si viktimë në nivelin e brendshëm u dashka të sjellë një njohje të kësaj cilësie nga Gjykata.
2. Vendimi i dhomës
49. Dhoma ka vëzhguar se paditësi, ndonëse nuk ishte i synuar drejtpërdrejt e personalisht as në libër, as në dy fjalorët në fjalë, ka mundur të nisë një procedurë për zhdëmtim dhe ta mbrojë çështjen e tij përpara juridiksioneve kombëtare mbi bazën e dispozitave të së drejtës së brendshme, konkretisht të neneve 24 e 25 të Kodit Civil (paragrafi 35 i mësipërm). Për rrjedhojë, dhoma ka vlerësuar se paditësi e kishte cilësinë e viktimës sipas nenit 34 të Konventës.
1. Vlerësimi i Gjykatës
50. Gjykata rikujton se, për të pasur mundësinë që të paraqesë një kërkesë sipas nenit 34 të Konventës, një person fizik, një organizatë jo qeveritare ose një grup individësh duhet të mundë të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të së drejtave të njohura në Konventë. Për të pasur mundësinë që të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të tillë, një individ duhet t’i ketë pësuar drejtpërdrejt efektet e masës që është objekt konflikti. Kështu, Konventa nuk parashikon mundësinë e nisjes së një actio popularis për qëllim të interpretimit të së drejtave të njohura në Konventë; ajo nuk ua lejon as individëve që të ankohen për një dispozitë ligjore të brendshme vetëm thjesht sepse atyre u duket, pa i pasur pësuar drejtpërdrejt vetë ata efektet e saj, se ajo e shkel Konventën (Burden, i cituar më lart, § 33, dhe Tănase k. Moldavisë [DhM], nr. 7/08, § 104, GjEDNj 2010-...).
51. Për rrjedhojë, ekzistenca e një viktime të prekur personalisht nga shkelja e pretenduar e një të drejte të garantuar nga Konventa është një kusht i domosdoshëm për vënien në veprim të mekanizmit mbrojtës të Konventës, ndonëse ky kriter nuk duhet të zbatohet në mënyrë të ngurtë e të rreptë (Bitenc k. Sllovenisë (vendim pranueshmërie), nr. 32963/02, 18 mars 2008). Çështja që të shihet nëse një paditësi i takon ose jo të thotë se është viktimë e shkeljes së pretenduar shtrohet në të gjitha stadet e procedurës sipas Konventës (Bourdov k. Rusisë, nr. 59498/00, § 30, GjEDNj 2002‑III).
52. Gjykata rikujton se ajo e interpreton konceptin e qenies viktimë në mënyrë autonome, pavarësisht nga nocionet e brendshme si ato të interesit apo të cilësisë për të vepruar (Sanles Sanles k. Spanjës (vendim pranueshmërie), nr. 48335/99, GjEDNj 2000-XI), ndonëse asaj i duhet të marrë parasysh faktin se paditësi ka qenë palë në procedurën e brendshme (Micallef k. Maltës [DhM], nr. 17056/06, § 48, 15 tetor 2009).
53. Gjykata vëren se, në këtë çështje, paditësi, i cili është me prejardhje rome, denoncon vërejtje dhe shprehje që, sipas tij, janë përçmuese për komunitetin rom. Sigurisht, i interesuari nuk është synuar personalisht, por vërejtjet që kanë të bëjnë me grupin etnik të cilit ai i përket mund ta lëndojnë ndjeshmërinë e tij. Përveç kësaj, cilësia për të vepruar e paditësit nuk është mohuar gjatë procedurës së brendshme, përderisa thelbi i çështjes është shqyrtuar kështu nga gjykatat kombëtare në dy shkallë juridiksioni.
54. Duke marrë parasysh çka u tha më lart, si edhe nevojën për t’i zbatuar në mënyrë të zhdërvjellët kriteret që e përcaktojnë cilësinë e viktimës, Gjykata e pranon se paditësi, ndonëse duke mos qenë drejtpërdrejt i synuar nga pjesët që janë objekt konflikti, mundet që, sipas nenit 34 të Konventës, të paraqitet si viktimë e fakteve që ai denoncon. Për këtë arsye, ajo e rrëzon kërkesën e Qeverisë për prapësim lidhur me cilësinë si viktimë.
C. Rreth thelbit të çështjes
1. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 4149/04
a) Tezat e palëve
i. Paditësi
55. Paditësi deklaron se disa pjesë të librit me titull “Ciganët e Turqisë” përmbajnë vërejtje dhe shprehje përçmuese ndaj komunitetit rom. Ai i referohet në veçanti kapitullit të librit ku autori përshkruan mënyrën e jetesës së romëve që banojnë në disa qytete turke, sidomos përzierjen e tyre të përfolur në veprimtari të paligjshme (paragrafi 12 i mësipërm). Ai është i mendimit se pak rëndësi ka qëllimi i autorit, përderisa pjesët në fjalë përbëjnë në vetvete sipas tij një fyerje të hapur ndaj komunitetit rom. Prandaj ai i kritikon vendimet me anë të së cilave juridiksionet e brendshme e kanë rrëzuar kërkesën e tij për zhdëmtim.
ii. Qeveria
56. Qeveria vë në dukje se libri është botuar nga Ministria e Kulturës me rekomandim të Komitetit të saj Konsultativ për Botimet. Ajo shton se, sipas raportit të këtij komiteti, kjo vepër përbën një studim universitar krahasues, të hartuar me qëllim që të japë ndihmesë në hulumtimet me karakter etnik në Turqi. Studimi dhënka informacione mbi prejardhjet, gjuhën, traditat, besimet, festivalet, kuzhinën, veshjet, muzikën dhe kushtet e jetesës së bashkësisë rome. Qeveria pohon se, si pasojë e protestave të paditësit, libri është bërë objekt rishqyrtimi nga disa profesorë universiteti, të cilët paskan vlerësuar se ai nuk përmbante asnjë vërejtje fyese. Së fundi, Qeveria mbron mendimin se Ministria e Kulturës i kushton përpjekje të mëdha promovimit të kulturës e të traditave rome.
b) Vendimi i dhomës
57. Dhoma ka vlerësuar se, megjithëse, të lexuara veçmas, fragmentet dhe vërejtjet e cituara nga paditësi dukeshin si diskriminuese dhe fyese, në përfundim të shqyrtimit të librit në tërësi ishte e pamundur të nxirrej si konkluzion se autori kishte vepruar me keqdashje apo me qëllimin për të fyer komunitetin rom. Dhoma ka marrë parasysh veçanërisht konkluzionin e librit, ku autori e shpjegon qartë që “Ciganët e Turqisë” përbën një studim universitar të mbështetur mbi një analizë krahasuese dhe të përqendruar te historia dhe te kushtet e jetesës social-ekonomike të popullsisë rome në Turqi. Ajo ka vlerësuar se, në qoftë se autori kishte përshkruar një paraqitje të romëve të mbarsur me paragjykime, kjo ishte bërë për të treguar se cili ishte perceptimi i kësaj bashkësie nga publiku. Ajo ka dalë pra në përfundimin se nuk kishte shkelje të së drejtave që i garantohen paditësit nga Konventa.
c) Vlerësimi i Gjykatës
i. Zbatueshmëria e nenit 8 të Konventës
58. Gjykata rikujton se nocioni “jetë private” në kuptimin e nenit 8 të Konventës është një nocion i gjerë, i cili nuk përmblidhet dot me një përkufizim shterues. Nocioni i autonomisë personale pasqyron një parim të rëndësishëm që nënkupton interpretimin e garancive të kësaj dispozite. Ai mund të përfshijë pra aspekte të ndryshme të identitetit fizik e shoqëror të një individi. Gjykata rikujton për më tepër që, në të kaluarën, ajo ka pranuar se identiteti etnik i një individi duhet të konsiderohet si një element i rëndësishëm i jetës së tij private (S. dhe Marper k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 30562/04 e 30566/04, § 66, GjEDNj 2008-... ; dhe Ciubotaru k. Moldavisë, nr. 27138/04, § 49, 27 prill 2010). Në veçanti, duke filluar nga njëfarë shkalle rrënjosjeje, çdo shabllon negativ lidhur me një grup mund të veprojë mbi kuptimin e identitetit të atij grupi, si edhe mbi ndjenjat e pjesëtarëve të tij lidhur me vlerësimin për veten dhe besimin te vetvetja. Në këtë kuptim, ai mund të konsiderohet se e prek jetën private të pjesëtarëve të grupit.
59. Madje, megjithëse neni 8 synon në thelb që ta sigurojë individin nga ndërhyrjet arbitrare të pushtetit publik, ai nuk mjaftohet duke i kërkuar shtetit që të përmbahet e të mos bëjë ndërhyrje të tilla: këtij angazhimi mohues mund t’i shtohen disa detyrime pohuese që lidhen me respektimin efektiv të jetës private, të cilat mund të nënkuptojnë marrjen e masave që e kanë si synim respektimin e jetës private deri në marrëdhëniet e individëve mes tyre (Tavlı k. Turqisë, nr. 11449/02, § 28, 9 nëntor 2006, dhe Ciubotaru, i cituar më lart, § 50).
60. Duke iu kthyer rrethanave të çështjes në fjalë, Gjykata vë në dukje se paditësi, i cili është rom nga prejardhja, thotë se është ndier i lënduar nga disa pjesë të librit “Ciganët e Turqisë”, kushtuar komunitetit rom. I interesuari ka nisur për rrjedhojë një procedurë civile kundër autorit të librit dhe Ministrisë së Kulturës (paragrafët 19-25 të mësipërm). Kjo çështje ka pra si objekt një botim, të cilin paditësi e paraqet sikur ka cenuar identitetin e një grupi ku ai bën pjesë, pra jetën e tij private. Gjykata shton se, ndonëse “Ciganët e Turqisë” është botuar nga Ministria e Kulturës (paragrafi 10 i mësipërm), kjo ia ka rishitur më pas autorit të librit të drejtat e autorit (paragrafi 17 i mësipërm). Për më tepër, paditësi nuk e ka apeluar vendimin me anë të të cilit Gjykata Administrative e Ankarasë e ka rrëzuar kërkesën e tij administrative kundër Ministrisë së Kulturës (paragrafi 25 i mësipërm). Pra, ai nuk ka ngulur këmbë në veprimin me të cilin ai e kundërshtonte përzierjen e autoriteteve të shtetit në botimin në fjalë.
61. Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se në këtë çështje fjala është kryesisht që të përcaktohet jo nëse autoritetet e brendshme e kanë cenuar drejtpërdrejt jetën private të paditësit, por më shumë nëse qeveria e paditur e ka respektuar detyrimin që i takon asaj sipas nenit 8 për ta mbrojtur jetën private të paditësit prej një ndërhyrjeje të pretenduar nga ana e një të treti, konkretisht nga autori i librit në gjykim. Me fjalë të tjera, Gjykata mendon të shqyrtojë nëse, në dritën e nenit 8 të Konventës, juridiksionet turke do të ishte dashur t’i jepnin të drejtë kërkesës civile të paditësit dhe t’i caktonin pra atij një zhdëmtim për dëm moral dhe ta ndalonin shpërndarjen e librit që është objekt konflikti.
ii. Përputhja me nenin 8 të Konventës
α) Parime të përgjithshme
62. Kufirit midis detyrimeve pozitive e negative të shtetit sipas nenit 8 nuk i jepet dot një përkufizim i saktë; megjithatë parimet e zbatueshme janë të krahasueshme. Në të dyja rastet, duhet pasur parasysh baraspesha e drejtë që duhet ruajtur midis interesave konkurruese të individit dhe të komunitetit; po ashtu, në të dyja hipotezat, shtetit i lihet njëfarë hapësire për të bërë vlerësimin e tij (shih, mes shumë të tjerësh, Keegan k. Irlandës, 26 maj 1994, § 49, seria A nr. 290; Botta k. Italisë, 24 shkurt 1998, § 33, Recueil des arrêts et décisions 1998‑I; dhe Gurgenidze k. Gjeorgjisë, nr. 71678/01, § 38, 17 tetor 2006).
63. Në çështje si kjo e shqyrtuar këtu, ku ankesa është se disa të drejta të mbrojtura nga neni 8 janë shkelur për shkak të ushtrimit nga tjetërkush të së drejtës për lirinë e shprehjes, neni 8 duhet të zbatohet duke marrë parasysh në mënyrën e duhur kërkesat e nenit 10 të Konventës (shih, për shembull dhe mutatis mutandis, Von Hannover k. Gjermanisë, nr. 59320/00, § 58, GjEDNj 2004‑VI). Në një rast të tillë, Gjykatës i bie pra të vërë në balancë të drejtën e paditësit për “respektimin e jetës së tij private” dhe interesin e përgjithshëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pa harruar që ndërmjet të drejtave të garantuara nga të dyja dispozitat nuk ka asnjë marrëdhënie vartësie (Timciuc k. Rumanisë (vendim pranueshmërie), nr. 28999/03, § 144, 12 tetor 2010).
64. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se liria e shprehjes përbën një nga themelet thelbësore të një shoqërie demokratike. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 10, ajo vlen jo vetëm për “informacionet” ose “idetë” që janë të mirëpritura apo që shihen si të parrezikshme a të parëndësishme, por edhe për ato që godasin, tronditin apo ngjallin shqetësim. Kështu e kërkojnë pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes, pa të cilët nuk ka shoqëri demokratike (shih, mes shumë të tjerësh, Handyside k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, seria A nr. 24, dhe Reinboth me të tjerë k. Finlandës, nr. 30865/08, § 74, 25 janar 2011). Kjo liri i nënshtrohet disa përjashtimeve, që është e udhës gjithsesi të interpretohen me rreptësi, dhe nevoja e çdo kufizimi duhet vërtetuar në mënyrë bindëse (shih, për shembull, Lingens k. Austrisë, 8 korrik 1986, § 41, seria A nr. 103, dhe Nilsen e Johnsen k. Norvegjisë [DhM], nr. 23118/93, § 43, GjEDNj 1999‑VIII).
65. Në kontekstin e nenit 10, shtetet kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për të gjykuar nëse një ndërhyrje në ushtrimin e së drejtës për lirinë e shprehjes është “e nevojshme, në një shoqëri demokratike”. Kjo hapësirë vlerësimi shkon sidoqoftë krahas një kontrolli evropian që ushtrohet njëherazi mbi ligjin dhe mbi vendimet që e vënë atë në zbatim, edhe kur ato janë marrë nga një juridiksion i pavarur (Tammer k. Estonisë, nr. 41205/98, § 60, GjEDNj 2001‑I; Peck k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44647/98, § 77, GjEDNj 2003‑I; dhe Karhuvaara e Iltalehti k. Finlandës, nr. 53678/00, § 38, GjEDNj 2004‑X). Kur e ushtron këtë kontroll, Gjykata nuk ka aspak për detyrë t’u zërë vendin juridiksioneve kombëtare, por asaj i bie si detyrë që t’i verifikojë, në dritën e tërësisë së çështjes, vendimet që ato kanë dhënë sipas fuqisë së tyre vlerësuese (Petrenco k. Moldavisë, nr. 20928/05, § 54, 30 mars 2010; Polenco Torres e Movilla Polanco k. Spanjës, nr. 34147/06, § 41, 21 shtator 2010; dhe Petrov k. Bullgarisë (vendim pranueshmërie), nr. 27103/04, 2 nëntor 2010).
66. Kështu, në çështje të ngjashme, Gjykata i ka kushtuar rëndësi të madhe faktit që autoritetet e brendshme e kishin identifikuar ekzistencën e të drejtave kontradiktore dhe nevojën për të gjetur një baraspeshë të drejtë midis tyre (shih, për shembull dhe mutatis mutandis, Tammer, i cituar më lart, § 69; White k. Suedisë, nr. 42435/02, § 27, 19 shtator 2006; Standard Verlags GmbH k. Austrisë (nr. 2), nr. 21277/05 § 52, 4 qershor 2009; Lappalainen k. Finlandës (vendim pranueshmërie), nr. 22175/06, 20 janar 2009; Papaianopol k. Rumanisë, nr. 17590/02, § 30, 16 mars 2010).
67. Kur vendosja në balancë e kryer në planin e brendshëm nuk është e kënaqshme, sidomos kur rëndësia dhe pesha e njërës prej të drejtave në garë nuk është marrë në konsideratë siç duhet, hapësira për vlerësim që i lihet gjyqtarit kombëtar është e ngushtë. Por, në qoftë se balancimi i lartpërmendur është bërë duke i respektuar kriteret e vendosura nga jurisprudenca e qëndrueshme e Gjykatës, atëherë do të duhen arsye serioze që kjo e fundit ta zëvendësojë me mendimin e vet mendimin e juridiksioneve të brendshme, të cilave do t’u lihet kështu një hapësirë e gjerë vlerësimi (MGN Limited k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39401/04, §§ 150 e 155, 18 janar 2011, dhe Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 2) [DhM], nr. 40660/08 e 60641/08, § 107, 7 shkurt 2012).
68. E gjitha kjo parakupton që të jetë vendosur një mekanizëm juridik efikas për mbrojtjen e të drejtave të cilat i përkasin nocionit “jetë private” dhe që ankuesit t’i jetë dhënë mundësia për të përfituar prej tij (Karakó k. Hungarisë, nr. 39311/05, § 19, 28 prill 2009). Gjykatës i duhet pra ta shqyrtojë këtë çështje.
β) Zbatimi i këtyre parimeve te çështja në fjalë
69. Në rastin e çështjes në fjalë, juridiksioneve të brendshme iu kërkohej të gjenin një baraspeshë të drejtë midis të drejtave që neni 8 i Konventës i njihte paditësit në cilësinë e tij si pjesëtar i komunitetit rom, në njërën anë, dhe lirisë së autorit të librit që është objekt konflikti për të kryer punime hulumtuese universitare/shkencore rreth një grupi etnik të veçantë dhe për t’i botuar përfundimet e tij, në anën tjetër. Sipas paditësit, ky libër, e sidomos kapitulli që trajton kushtet e jetesës së romëve në qytetet e ndryshme të Turqisë, përbënte një fyerje ndaj komunitetit rom. Gjykatat turke e kanë hedhur poshtë këtë ankesë në dy shkallë të njëpasnjëshme, duke u mbështetur veçanërisht te një raport i hartuar nga shtatë profesorë universiteti, i cili dilte në përfundimin se vepra objekt konflikti ishte një studim universitar i bazuar në kërkime shkencore (paragrafi 25 i mësipërm). Ato kanë qenë të mendimit se vërejtjet dhe shprehjet objekt konflikti nuk ishin fyese, se ato kishin karakter të përgjithshëm, nuk u drejtoheshin të gjithë romëve dhe nuk përbënin ndonjë sulm kundër identitetit të paditësit (paragrafët 21 dhe 23 të mësipërm). Përveç kësaj, Gjykata e shkallës së parë e Ankarasë ka vlerësuar se libri trajtonte strukturat shoqërore të romëve/ciganëve në Turqi dhe se ai mbështetej në të dhëna shkencore (paragrafi 21 i mësipërm).
70. Sipas mendimit të Gjykatës, këto konkluzione nuk mund të shihen si të paarsyeshme ose si të bazuara mbi një shtrembërim të fakteve të çështjes. Për këtë, është me rëndësi të vihet në dukje se, ndonëse autori përmend edhe veprimtari të paligjshme të disa pjesëtarëve të komunitetit rom që jeton në krahina të veçanta, ai nuk formulon për asnjë çast në këtë libër vëzhgime negative për popullsinë rome në përgjithësi ose nuk pretendon që të gjithë romët merren me veprimtari të dënueshme. Përveç kësaj, në pjesë të ndryshme të librit (te parathënia, te hyrja dhe te përfundimet), autori e shpjegon qartë se qëllimi i tij është që të mundësojë një kuptim më të mirë të botës së panjohur të komunitetit rom në Turqi, i cili mbahet i mënjanuar dhe është objekt vërejtjesh përçmuese të mbështetura kryesisht mbi paragjykime (paragrafët 10, 11 e 13 të mësipërm). Duke pasur parasysh këto që sapo u thanë më lart si dhe në mungesë të çdolloj elementi për të dyshuar se deklaratat e autorit nuk ishin të sinqerta, Gjykata vlerëson se juridiksionet e brendshme e kanë pasur të bazuar përfundimin e tyre se autori kishte bërë përpjekje në punën e tij dhe se ai nuk kishte pasur qëllime raciste (shih, mutatis mutandis, Jersild k. Danimarkës, 23 shtator 1994, § 36, seria A nr. 298).
71. Për më tepër, edhe pse nganjëherë të formuluara në mënyrë disi lakonike, arsyet e numëruara nga gjykatat e brendshme në mbështetje të përfundimeve të tyre i respektojnë parimet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës. Në veçanti, ato i kanë kushtuar rëndësi faktit se libri ishte hartuar nga një profesor universiteti dhe duhej konsideruar pra si një punim universitar. Edhe Gjykata e ka theksuar rëndësinë e punimeve të tilla në disa vendime të kohëve të fundit (Sorguç k. Turqisë, nr. 17089/03, §§ 21-35, GjEDNj 2009-..., dhe Sapan k. Turqisë, nr. 44102/04, § 34, 8 qershor 2010). Fakti që çdolloj kufizimi i lirisë së studiuesve për të bërë hulumtime dhe për të botuar përfundimet e tyre i nënshtrohet një shqyrtimi të kujdesshëm përputhet pra plotësisht me jurisprudencën e saj.
72. Madje, edhe shqyrtimi i fragmenteve objekt konflikti jo jashtë çdolloj konteksti, por në dritën e tërësisë së veprës, si edhe marrja parasysh e metodës kërkimore të përdorur nga autori i botimit, janë në përputhje me qasjen që ndjek tradicionalisht ajo. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se autori shpjegonte se kishte mbledhur informacione pranë pjesëtarëve të komunitetit rom, autoriteteve vendore dhe policisë, dhe se kishte jetuar midis romëve për ta studiuar mënyrën e tyre të jetesës sipas parimeve të vëzhgimit shkencor (paragrafi 11 i mësipërm).
73. Për më tepër, është me vend të vihet në dukje se ka ekzistuar një mekanizëm juridik efikas për mbrojtjen e të drejtave që kanë të bëjnë me nocionin “jetë private” dhe se paditësi i çështjes në fjalë ka mundur të përfitojë prej tij (paragrafi 68 i mësipërm). I interesuari ka mundur t’ia parashtrojë ankesat e tij gjykatave kombëtare në dy shkallë të njëpasnjëshme dhe atij i janë dhënë vendime të arsyetuara lidhur me kërkesën e tij. Përveç kësaj, kur ai ka nisur një veprim ndaj Ministrisë së Kulturës, Ministria ka urdhëruar si masë paraprake tërheqjen e 299 kopjeve ende në qarkullim të librit në fjalë dhe të drejtat e autorit i janë rishitur autorit me kërkesën e këtij të fundit (paragrafët 15 e 17 të mësipërm).
74. Në dritën e asaj çka sapo u tha më lart, Gjykata vlerëson se juridiksionet turke, kur i kanë vënë në balancë të drejtat themelore konkurruese të garantuara nga nenet 8 e 10 të Konventës, kanë bërë një vlerësim të bazuar mbi parimet që rrjedhin prej jurisprudencës së saj më se të qëndrueshme në këtë fushë.
75. Gjykata dëshiron megjithatë të rikujtojë se cenueshmëria e romëve/ciganëve kërkon që nevojave dhe mënyrës së tyre të jetesës t’u kushtohet një vëmendje e posaçme, si në drejtim të kuadrit rregullator për ta ashtu edhe në vendimmarrje në raste të veçanta (Chapman, i cituar më lart, § 96, dhe D.H. me të tjerë, i cituar më lart, § 181). Sipas shembullit të ECRI-t (paragrafi 38 i mësipërm), ajo është e mendimit se Qeveria duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për të luftuar kundër shablloneve negative ndaj romëve.
76. Nga kjo që sapo u tha më lart del që, në rastin e çështjes në fjalë, autoritetet turke nuk e kanë tejkaluar hapësirën e tyre për vlerësim dhe nuk e kanë shpërfillur detyrimin e tyre pozitiv për t’i garantuar paditësit një respektim efektiv të jetës së tij private.
77. Për këtë arsye, nuk ka pasur shkelje të nenit 8 për sa i përket kërkesëpadisë nr. 4149/04.
2. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 41029/04
a) Tezat e palëve
i. Paditësi
78. Paditësi mbron mendimin se shprehjet që paraqiten në dy fjalorët objekt konflikti të botuar nga Shoqata Gjuhësore turke janë fyese ndaj komunitetit rom/cigan. Ai i referohet veçanërisht termit “sillem si cigan”, përkufizimi i të cilit te fjalorët në fjalë paraqitet si: “tregohem cingun”. Ai vlerëson se përkufizime të tilla, fyese për mendimin e tij, do të duhej të hiqeshin nga fjalorët.
ii. Qeveria
79. Qeveria mbron mendimin se termat dhe shprehjet që paraqiten te këta fjalorë mbështeten në fakte historike e sociologjike dhe nuk shprehin kurrfarë qëllimi për ta përçmuar komunitetin rom. Ajo shton se Ministria e Kulturës ka dhënë ndihmesë financiare në botimin e fjalorëve më 1991 dhe 1998, në shumën e përgjithshme 2 700 euro. Ajo thekson se fjalori për nxënësit nuk është libër shkollor dhe as nuk është shpërndarë nëpër shkolla, as është rekomanduar nga Ministria e Arsimit si vepër reference për programet shkollore. Së fundi, ajo vëren se fjalorët objekt konflikti nuk janë ribotuar dhe janë mbaruar tanimë.
b) Vendimi i dhomës
80. Dhoma ka marrë veçanërisht parasysh faktin se përkufizimet që janë objekt konflikti parapriheshin nga vërejtja sipas së cilës përdorimi i termave në fjalë ishte “në kuptim të figurshëm”. Për rrjedhojë, ajo ka vlerësuar se këto shprehje nuk e kishin cenuar identitetin etnik të paditësit dhe ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
c) Vlerësimi i Gjykatës
81. Gjykata vë në dukje që në fillim se paditësi e quan veten viktimë shabllonesh negative për shkak të disa prej zërave të përfshirë në fjalorët për të cilat bëhet fjalë. Neni 8 i Konventës gjen pra zbatim për arsyet e paraqitura në paragrafin 60 të mësipërm. Gjykata vëren përveç kësaj se, ndonëse botimi i fjalorëve është financuar pjesërisht nga Ministria e Kulturës, paditësi ka nisur një procedurë civile vetëm kundër Shoqatës Gjuhësore, një organizatë joqeveritare, dhe nuk ka kërkuar ta padisë Ministrinë pranë juridiksioneve administrative të brendshme (paragrafët 31 deri 34 të mësipërm). Prandaj, ashtu si për kërkesëpadinë nr. 4149/04 (paragrafët 60-61 të mësipërm), Gjykata mendon të shqyrtojë, në dritën e parimeve të përgjithshme të parashtruara në paragrafët 62 deri 68 të mësipërm, nëse Qeveria i është përmbajtur detyrimit pozitiv që i bie asaj sipas nenit 8 për ta mbrojtur jetën private të paditësit kundër një ndërhyrjeje të pretenduar të një të treti, në rastin konkret të Shoqatës Gjuhësore.
82. Për të rrëzuar kërkesën e paditësit, Gjykata e shkallës së parë e Ankarasë ka vërejtur se përkufizimet dhe shprehjet që paraqiten te fjalorët mbështeteshin në realitetin historik e sociologjik dhe nuk dëshmonin për asnjë qëllim për të poshtëruar apo përçmuar komunitetin rom. Ajo ka vënë në dukje gjithashtu se gjuha turke përmbante shprehje të ngjashme edhe lidhur me grupe të tjera etnike, të cilat shfaqeshin nëpër fjalorë e enciklopedi (paragrafi 33 i mësipërm).
83. Ajo i ka shqyrtuar pra zërat që janë bërë objekt konflikti, për të përcaktuar nëse ato i cenonin në mënyrë të paligjshme të drejtat që u garantonte ankuesve neni 8 i Konventës. Duke vepruar kështu, ajo ka zbatuar parimet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës (paragrafi 66 i mësipërm).
84. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se një fjalor përbën një burim informacionesh ku regjistrohen fjalët që e përbëjnë një gjuhë dhe saktësohen kuptimet e tyre të ndryshme, ndër të cilat ato bazë janë thjesht përshkruese ose të mirëfillta, kurse disa të tjera mund të jenë të figurshme, alegorike ose metaforike. Ai pasqyron kështu gjuhën që është në përdorim në shoqëri. Te të dy fjalorët, përkufizimi i mirëfilltë i termit “çingene” (“cigan”) del në faqen 279. Këta fjalorë ishin pra dukshëm të vëllimshëm dhe synonin ta paraqisnin në tërësi gjuhën turke. Gjykata shënon gjithashtu përkufizimin e termit “cigan” që shfaqet si kuptim i parë te fjalorët në fjalë e ku lexohen këto fjalë: “Grup etnik me prejardhje nga India, pjesëtarët e të cilit bëjnë një jetë endacake dhe janë të përhapur gjerësisht në mbarë botën, ose person që i përket këtij grupi etnik”. Së dyti, tregohet se, në kuptim të figurshëm, termi “cigan” do të thotë gjithashtu edhe “cingun” (paragrafi 28 i mësipërm). Në të njëjtën faqe të fjalorëve paraqiten edhe përkufizime të tjera të disa shprehjeve që lidhen me ciganët, si “monedhë cigani” e “trëndafil cigan”. Gjykata vë në dukje lidhur me këtë se, ashtu siç e shpjegon Gjykata e shkallës së parë e Ankarasë, këto shprehje bëjnë pjesë në gjuhën e përditshme.
85. Është e vërtetë që, edhe pse kanë të njëjtën përmbajtje, fjalorët synojnë objektiva të ndryshëm, përderisa i dyti titullohet “Fjalori i gjuhës turke për nxënësit”. Është e qartë se, në një fjalor që u drejtohet nxënësve të shkollave, kërkohet një kujdes më i madh kur është fjala për të përkufizuar disa shprehje të gjuhës së përditshme por që mund të perceptohen si poshtëruese ose fyese. Sipas mendimit të Gjykatës, do të kishte qenë më mirë të vihej në dukje se shprehje të tilla janë “përkeqësuese” ose “fyese”, sesa të quhej e mjaftueshme duke i cilësuar ato si të figurshme. Një kujdes i tillë do të kishte qenë në përputhje me rekomandimin për politikë të përgjithshme nr. 10 të ECRI-t, i cili thotë se shtetet duhet të ngjallin frymën kritike të nxënësve dhe t’u japin atyre mjetet e nevojshme për t’i identifikuar shabllonet dhe elementet intolerante brenda materialeve që ata përdorin si edhe për të reaguar ndaj tyre (paragrafi 39 i mësipërm).
86. Gjithsesi, Gjykata mendon se ky element i vetëm nuk mjafton që ajo të ndihet e detyruar për ta hedhur poshtë mendimin e juridiksioneve të brendshme dhe për ta zëvendësuar atë me mendimin e vet, për më tepër që fjalori në fjalë nuk ishte shpërndarë nëpër shkolla e as ishte rekomanduar nga Ministria e Arsimit si vepër reference për programet shkollore (paragrafi 79 i mësipërm).
87. Së fundi, Gjykata vëren se çështja e paditësit kundër Shoqatës Gjuhësore është shqyrtuar nga gjykatat e brendshme në dy shkallë më vete (paragrafët 31 deri 34 të mësipërm). Ajo është e mendimit se, edhe pse në fund i është rrëzuar kërkesa, i interesuari ka pasur në dispozicion, në përputhje me nenin 8 të Konventës, mjete efektive për t’i vënë në vend të drejtat e tij.
88. Duke pasur parasysh çka u tha më lart, Gjykata është e mendimit se autoritetet e brendshme nuk e kanë tejkaluar hapësirën e tyre për vlerësim e as e kanë shpërfillur detyrimin e tyre pozitiv për t’i garantuar paditësit respektimin efektiv të jetës së tij private.
89. Për rrjedhojë, nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës për sa i përket kërkesëpadisë nr. 41029/04.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Rrëzon, njëzëri, kërkesën e Qeverisë për prapësim paraprak dhe thotë se paditësi mund të pretendojë se është “viktimë” duke synuar nenin 34 të Konventës;
2. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor e një kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës për sa i përket kërkesëpadisë nr. 4149/04;
3. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor e një kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës për sa i përket kërkesëpadisë nr. 41029/04 ;
I hartuar në frëngjisht e në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 15 mars 2012.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtares Gyulumyan.
N.B.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy