AL-SAADOON DHE MUFDHI kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesa nr. 61498/08)
2 mars 2010
Me këtë vendim Gjykata jo vetëm konfirmon jurisprudencën e vet të hershme që transferimi i individëve drejt vendeve ku rrezikojnë t’i nënshtrohen trajtimeve në kundërshtim me nenin 3, do të përbënte shkelje të këtij neni, por, çka është më e rëndësishme, ajo thekson se dënimi me vdekje, tashmë, mund të konsiderohet i papajtueshëm me sistemin e Konventës
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesit, Z. Al-Saadoon dhe Z. Mufdhi, ishin shtetas irakianë të lindur në vitin 1952 dhe 1950. Ata ishin myslimanë sunitë nga Iraku jugor dhe ish-zyrtarë të lartë të partisë Ba’ath. Në kohën e dhënies së vendimit nga Gjykata, ata mbaheshin të ndaluar në burg, në afërsi të Bagdadit.
2.Pas pushtimit të Irakut nga ana forcave të armatosura të koalicionit ndërkombëtar, më 20 mars 2003, kërkuesit u arrestuan nga forcat britanike dhe u mbajtën të burgosur në qendrat e kontrolluara prej tyre, si të dyshuar, ndër të tjera, për organizim të veprimtarive të dhunshme kundër forcave të koalicionit. Në tetor të vitit 2004, Policia Ushtarake Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar, konkludoi se kërkuesit kishin qenë të përfshirë në vdekjen e dy ushtarëve britanikë, duke u bërë pritë e më pas duke i vrarë në jug të Irakut më 23 mars 2003.
3.Në dhjetor të vitit 2005, autoritetet britanike vendosën t’ia përcjellin çështjen gjykatave penale të Irakut. Në maj të vitit 2006, kërkuesit u paraqitën para Gjykatës Penale të Basrës nën akuzat për vrasje dhe krime lufte. Gjykata Penale në Basra lëshoi urdhër arresti dhe autorizoi vazhdimin e mbajtjes së tyre në burg nga forcat ushtarake britanike në Basra. Më pas, Gjykata Penale në Basra vendosi se akuzat kundër kërkuesve, përbënin krime lufte dhe gjykimi i tyre ishte kompetencë e Tribunalit të Lartë të Irakut ("TLI"). Rasti iu transferua TLI-së i cili, më 27 dhjetor 2007, u kërkoi zyrtarisht forcave britanike transferimin e kërkuesve, kërkesë të cilën e përsëriti disa herë deri në maj të vitit 2008.
4.Më 12 qershor 2008, kërkuesit kërkuan rishqyrtim të çështjes në Angli , duke kundërshtuar, ndër të tjera, ligjshmërinë e transferimit të tyre. Rasti u gjykua nga Gjykata Angleze e Divizionit[1] e cila, më 19 dhjetor 2008, e deklaroi të ligjshëm transferimin e kundërshtuar. Gjykata vërejti se, duke qenë se kërkuesit ishin mbajtur të burgosur në një strukturë ushtarake britanike, ata ishin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, siç parashikohej nga neni 1 i KEDNJ. Megjithatë, gjykata vendosi se sipas së drejtës ndërkombëtare publike, Mbretëria e Bashkuar ishte e detyruar të dorëzonte kërkuesit, përveç nëse kishte prova të qarta se Shteti pritës kishte për qëllim t’i keqtrajtonte në masën që përbënte krim kundër njerëzimit. Ajo nuk gjeti asnjë arsye thelbësore për të besuar se, nëse kërkuesit transferoheshin, ndaj tyre do zhvillohej një gjykim haptazi i padrejtë dhe se do të bëheshin objekt i torturave ose trajtimit çnjerëzor ose poshtërues. Edhe pse ekzistonte rreziku që kërkuesit të dënoheshin me vdekje pasi të dorëzoheshin tek autoritetet irakiane, dënimi me vdekje në vetvete nuk ishte i ndaluar nga e drejta ndërkombëtare.
5.Kërkuesit apeluan në Gjykatën e Apelit por ajo u hodh poshtë më 30 dhjetor 2008. Gjykata e Apelit konstatoi se ekzistonte rreziku real që kërkuesit të ekzekutoheshin nëse transferoheshin. Megjithatë, ajo arriti në përfundimin se Britania e Madhe nuk po ushtronte juridiksionin e saj duke qenë se kërkuesit mbaheshin të ndaluar në territorin e Irakut dhe sipas urdhrave të gjykatave irakiane. Pra Konventa nuk zbatohej dhe Mbretëria e Bashkuar duhej të respektonte sovranitetin e Irakut dhe transferimin e kërkuesve. Menjëherë pas këtij vendimi, kërkuesit iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për urdhërimin e një mase të përkohshme, sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës, për të ndaluar autoritetet britanike të kryenin transferimin. Gjykata urdhëroi një masë të përkohshme më 30 dhjetor 2008. Një ditë më pas Qeveria Britanike informoi Gjykatën se, kryesisht për shkak se mandati i OKB-së, i cili autorizonte forcat britanike të kryenin arrestime, ndalime dhe burgime në Irak, përfundonte më 31 dhjetor 2008, në mesnatë, ata nuk mund të zbatonin masën e përkohshme dhe i kishin transferuar kërkuesit në kujdestarinë e Irakut po atë ditë, më herët. Më 16 shkurt 2009, kërkuesit nuk u lejuan të apelonin në Dhomën e Lordëve.
6.Gjykimi i kërkuesve përpara TLI-së filloi në maj të vitit 2009 dhe përfundoi në shtator 2009. Ky tribunal vendosi rrëzimin e akuzave kundër tyre dhe lirimin e tyre të menjëhershëm. Pas apelimit të prokurorit, Gjykata e Kasacionit e Irakut e ktheu çështjen për hetim të mëtejshëm nga autoritetet irakiane dhe për rigjykim. Kërkuesit vazhdonin të ishin të ndaluar në kohën e dhënies së vendimit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
7.Kërkuesit u ankuan për transferimin e tyre tek autoritet irakiane. Ata u mbështetën në nenin 2, nenin 3, nenin 6 të Konventës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 13. Ata gjithashtu u ankuan për faktin se ishin transferuar tek autoritetet irakiane, pavarësisht urdhrit të Gjykatës sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës, duke shkelur kështu nenet 13 dhe 34.
II. Vendimi i Gjykatës
A.Në lidhje me juridiksionin
8.Më 30 korrik 2009, Gjykata mori vendim në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës në të cilën pretendohej se autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kishin pasur kontroll të plotë dhe ekskluziv, së pari me anë të ushtrimit të forcës ushtarake dhe pastaj ligjërisht, mbi objektet e paraburgimit në të cilat ishin mbajtur kërkuesit. Gjykata vërejti se kërkuesit kishin qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar deri në transferimin e tyre fizik tek autoritetet irakiane më 31 dhjetor 2008.
B.Në lidhje me nenin 3
9.Gjykata theksoi se 60 vjet më parë, kur u hartua Konventa, dënimi me vdekje nuk konsiderohej se shkelte standardet ndërkombëtare. Megjithatë, kishte pasur një evolucion të mëvonshëm drejt heqjes së plotë të këtij dënimi, ligjërisht dhe në praktikë, në të gjitha Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës. Kështu u miratuan dy Protokolle të Konventës, Protokolli nr. 6, i cili hoqi dënimin me vdekje në kohë lufte dhe Protokolli nr. 13 i cili e hoqi atë në të gjitha rrethanat. Mbretëria e Bashkuar i kishte ratifikuar të dy. Kështu, neni 2 i Konventës kishte ndryshuar duke ndaluar dënimin me vdekje në të gjitha rrethanat. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se dënimi me vdekje, që përfshinte shkatërrimin e qëllimshëm dhe me paramendim të një qenie njerëzore nga ana e autoriteteve shtetërore, duke i shkaktuar dhimbje fizike dhe vuajtje intensive psikologjike si rezultat i dijenisë se do ekzekutohej, mund të konsiderohej çnjerëzor dhe poshtërues dhe, si i tillë, binte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës.
10. Gjykata pranoi gjetjet e gjykatave kombëtare, të cilat kishin vendosur pak para se të ndodhte transferimi, se kishte arsye serioze për të besuar se ekzistonte rreziku real që kërkuesit të dënoheshin me vdekje dhe të ekzekutoheshin. Më tej, ajo vërejti se autoritetet irakiane ende nuk kishin dhënë asnjë garanci që nuk do t’i ekzekutonin kërkuesit. Për më tepër, edhe pse ishte i pamundur parashikimi i rezultatit të hetimit dhe gjykimit të ri të urdhëruar nga gjykata irakiane, kishte ende arsye serioze për të besuar se kërkuesit rrezikonin realisht të dënoheshin me vdekje, nëse gjykoheshin nga një gjykatë irakiane.
11. Dënimi me vdekje kishte hyrë përsëri në fuqi në Irak në gusht të vitit 2004. Megjithatë, pa marrë ndonjë garanci nga autoritetet irakiane, autoritetet britanike, në dhjetor 2005, kishin vendosur referimin e çështjes së kërkuesve drejt gjykatave irakiane dhe në maj 2006 kishte filluar procesi në Gjykatën Penale në Basra. Gjykata konsideroi se të paktën që nga kjo datë, kërkuesit i ishin nënshtruar frikës për shkak të ekzekutimit, duke u shkaktuar vuajtjeve të konsiderueshme mendore, të cilat kishin vazhduar dhe duhet të ishin intensifikuar që nga data kur ata u transferuan fizikisht tek autoritetet irakiane.
12. Qeveria argumentoi se ata nuk kishin mundësi tjetër përveç se të respektonin sovranitetin e Irakut dhe të transferonin kërkuesit tek gjykatat e Irakut, kur iu kërkua, pasi ata ishin shtetas irakianë që mbaheshin të ndaluar në territorin e Irakut. Megjithatë, Gjykata nuk ishte e bindur se për të siguruar të drejtat e kërkuesve sipas Konventës duhej, në mënyrë të pashmangshme, të shkelej sovraniteti i Irakut. Nuk dukej se ishin bërë përpjekje reale për të negociuar me autoritetet e Irakut në mënyrë që të parandalohej rreziku i dënimit me vdekje.
Në këto kushte, duke pasur parasysh mundësinë reale të dënimit me vdekje dhe të ekzekutimit të kërkuesve, Gjykata arriti në përfundimin se kërkuesin ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe poshtëruese, në shkelje të nenit 3. Në këto kushte Gjykata vendosi se nuk kishte nevojë të vazhdonte edhe me shqyrtimin e ankesës sipas nenit 2 ose Protokollit 13 të Konventës.
C.Në lidhje me nenin 6
13. Gjykata pranoi gjetjet e gjykatave kombëtare se, në datën e transferimit, nuk dihej nëse kërkuesit rrezikonin të gjykoheshin haptazi në mënyrë të padrejtë nga TLI. Tani që gjyqi kishte përfunduar, ishte e qartë se nuk kishte prova para Gjykatës që hidhnin dyshime mbi këtë vlerësim. Si përfundim Gjykata vendosi se nuk ka pasur shkelje të nenit 6.
D.Në lidhje me nenet 13 dhe 34
14. Gjykata nuk u bind se Qeveria kishte ndërmarrë ndonjë hap ose i kishte ndërmarrë të gjithë hapat e arsyeshëm, për të vepruar në pajtim me urdhrin e Gjykatës sipas nenit 39 për të mos transferuar kërkuesit tek autoritetet irakiane. Mos respektimi i urdhrit të Gjykatës dhe transferimi i kërkuesve jashtë juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar i kishte ekspozuar ata ndaj rrezikut të rëndë dhe një dëmi të pariparueshëm dhe kishte zhveshur nga efektiviteti në mënyrë të pajustifikueshme ankimin në Dhomën e Lordëve. Prandaj, Gjykata konstatoi shkelje të neneve 13 dhe 34 të Konventës.
E. Në lidhje me nenin 46
15. Në kuadrin e masave të përgjithshme, Gjykata vendosi se, duke pasur parasysh se vuajtja e dy kërkuesve në burgjet irakiane vazhdon, autoritetet duhet të bëjnë çdo përpjekje për të marrë garanci nga autoritetet irakiane se dy kërkuesit nuk do t’i nënshtrohen dënimit me vdekje.
F. Në lidhje me nenin 41
16. Gjykata u shpreh se konstatimi i shkeljes ishte shpërblim i drejtë i mjaftueshëm për dëmin jo material që kishin pësuar kërkuesit dhe u akordoi atyre në total 40 000 euro për kostot dhe shpenzimet.
[1]. Gjykata e Divizionit në Angli është një formacion gjyqësor me 2 ose 3 gjyqtarë që krijohet brenda Gjykatës së Lartë (the High Court) për të shqyrtuar çështje penale, ekstradime, çështje administrative ose familjare.
Full & Egal Universal Law Academy