AL-SKEINI dhe të Tjerë kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
7 korrik 2011
(kërkesa nr. 55721/07)
Dhomë e Madhe
Gjykata saktëson nocionin e juridiksionit përtej territorit duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar duhet të kishte hetuar vdekjen e gjashtë civilëve të vrarë në Irak në vitin 2003 në incidente ku ishin përfshirë ushtarë britanikë
I.Faktet kryesore
1.Pas rënies së regjimit Ba’ath në Irak më 1 maj të vitit 2003, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e tyre të koalicionit ishin fuqitë pushtuese dhe krijuan një organizëm qeverisës të përkohshëm, Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit (APK). Një nga kompetencat e ushtruara nga APK-ja, i cili u njoh edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Rezolutën 1483 ishte garantimi i sigurisë në Irak. Pushtimi mori fund më 28 qershor të vitit 2004, kur autoriteti i plotë për të qeverisur Irakun, i kaloi Qeverisë së Përkohshme irakiane dhe APK-ja pushoi së ekzistuari. Gjatë periudhës së pushtimit, Britania e Madhe kishte komandën e provincës Al-Basrah, ku edhe të afërmit e kërkuesve vdiqën. Nga 1 maji 2003 e në vijim forcat britanike në Al-Basrah morën përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e administratës civile. Në detyrat e Britanisë së Madhe mbi ruajtjen e sigurisë përfshiheshin: patrullimi, arrestimi, operacionet antiterroriste, mbikëqyrja e demonstratave civile, mbrojtja e shërbimeve thelbësore dhe stacionet policore të infrastrukturës dhe të sigurisë.
2.Kërkuesit ishin të afërmit e gjashtë shtetasve irakianë të cilët kishin vdekur në Basra më 2003. 1) Mazin Jum’Aa Gatteh Al-Skeini ishte 23 vjeç kur ai u qëllua për vdekje në Basra, pak para mesnatës më 4 gusht 2003 nga një ushtar nën komandën e një patrulle britanike. Sipas deklaratës së të vëllait, më 4 gusht 2003, z. Al-Skeini kishte qenë në një ceremoni mortore në fshat. Në Irak është zakon që të qëllohet me armë në një ceremoni mortore. Ai pa ushtarët që qëlluan dhe vrarë vëllain e tij dhe një burrë tjetër, pa ndonjë arsye të dukshme, pasi të dy ishin të paarmatosur dhe rreth dhjetë metra nga ushtarët. Sipas variantit të ushtarëve britanikë, patrulla, duke u afruar në këmbë dhe në një natë shumë të errët, dëgjoi të shtëna armësh të rënda në Al-Majidiyah. Ata panë dy burra irakenë në një rrugë të fshatit, njëri prej të cilëve ishte rreth pesë metra nga rreshteri A, i cili drejtonte patrullën. Rreshteri A pa se ai ishte i armatosur dhe po i drejtonte armën. Duke besuar se jeta e tij dhe e ushtarëve të tjerë të patrullës ishin në rrezik të menjëhershëm, rreshteri A hapi zjarr ndaj dy burrave pa paralajmërim. Komanda britanike vendosi se incidenti përfshihej në rregullat e përdorimit të forcës dhe se asnjë hetim i mëtejshëm nuk ishte i nevojshëm.
2) Muhammad Salim u qëllua dhe u plagos për vdekje më 6 nëntor 2003. Duke u bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve okularë, gruaja e tij, zj. Fattema Zabun Dahesh, deklaroi se më 5 nëntor 2003, z. Salim po vizitonte të kunatin në shtëpinë e tij në Basra, kur shtëpia u kontrollua nga ushtarët britanikë. Një nga ushtarët britanikë doli përballë me z. Salim në hollin e shtëpisë dhe me një të shtënë e qëlloi atë në stomak. Sipas variantit britanik të ngjarjes, patrulla kishte marrë informata se një grup njerëzish të armatosur rëndë ishte parë të hynte në shtëpi, prandaj ishte dhënë një urdhër për një operacion të shpejtë kontrolli dhe arrestimi. Meqë pasi trokitën patrullës nuk iu hap dera, ajo e shkallmoi derën. Rreshteri C dëgjoi të shtëna armësh automatike brenda shtëpisë. Dy burra të armatosur me armë të gjata vrapuan poshtë shkallëve në drejtim të tij dhe ai nuk pati kohë të jepte një paralajmërim me gojë. Rreshteri C besoi se jeta e tij ishte në rrezik të menjëhershëm. Ai qëlloi një herë drejt personit të parë, z. Salim dhe e goditi atë në stomak. U vendos që incidenti përfshihej në Rregullat e Përdorimit të Forcës dhe asnjë hetim i mëtejshëm nuk ishte i nevojshëm.
3) Hannan Mahaibas Sadde Shmailawi u qëllua dhe u plagos për vdekje më 10 nëntor 2003 në Institutin e Edukimit. Bashkëshorti i saj deklaroi se në atë datë, rreth orës 20.00, ai dhe familja e tij ishin ulur për të ngrënë darkë kur papritur shpërthyen të shtëna armësh automatike nga jashtë ndërtesës. Plumbat e goditën gruan e tij në kokë dhe këmbë dhe një nga fëmijët e tij në krah. Ata u dërguan në spital, ku fëmija i tij u shërua, ndërsa e shoqja vdiq. Sipas variantit britanik të incidentit, zj. Shmailawi u qëllua gjatë një shkëmbimi zjarri ndërmjet një patrullë britanike dhe disa personave të panjohur të armatosur. Kur zona u ndriçua nga fishekzjarrë parashutë, të paktën tre burra me armë të gjata u panë në terren të hapur, dy prej të cilëve po qëllonin drejt ushtarëve britanikë. U vendos që incidenti përfshihej në Rregullat e Përdorimit të Forcës dhe asnjë hetim i mëtejshëm nuk ishte i nevojshëm.
4) Waleed Sayay Muzban, 43 vjeç, u qëllua dhe u plagos për vdekje nga një ushtar britanik, natën e 24 gushtit 2003. Duke e bazuar dëshminë në rrëfimet e dëshmitarëve okularë, vëllai i tij tha se ai po drejtonte një mikrobus në rreth orës 20.30 të asaj date, i cili “u përfshi nën një breshëri plumbash", duke e lënë vëllanë e tij të plagosur për vdekje me goditje në gjoks dhe stomak. Ushtari S deklaroi se i kishte kërkuar z. Muzban, i cili ishte shoferi i mikrobusit të dyshimtë që t’i afrohej patrullës së tij ngadalë e të ndalonte. Z. Murzan e goditi në gjoks me grusht dhe u përpoq t’ia rrëmbente armën përpara se të largohej me shpejtësi, duke dredhuar ne drejtim të ushtarëve të patrullës. Mikrobusi ndaloi rreth 100 metra nga patrulla pasi ushtari S gjuajti në rrotat e tij. Kur u duk se shoferi po zgjatej për të marrë një armë, ushtari S besoi se shokët e tij do të qëlloheshin në atë çast dhe kështu që qëlloi disa herë. Shoferi doli jashtë dhe u urdhërua të shtrihej në tokë. Patrulla e kontrolloi mikrobusin nëse kishte njerëz të tjerë të armatosur, por ai ishte bosh. Shoferi kishte tre plagë plumbash në shpinë dhe në ijë. Atij iu dha ndihma e parë dhe pastaj u dërgua në spital ushtarak çek, ku edhe vdiq. Pas një hetimi, oficeri komandues vendosi që incidenti përfshihej në Rregullat e Përdorimit të Forcës dhe kërkoi që hetimi të mbyllej. Pas kërkesës nga z. Muzban për shqyrtim gjyqësor, hetimi u rihap rreth nëntë muaj më vonë, si dhe u realizuan teste mjeko-ligjore. Prokurorët dëgjuan dëshmitë e ushtarëve, duke përfshirë edhe atë të ushtarit S. Pas një hetimi, një jurist i pavarur me përvojë këshilloi se nuk kishte asnjë perspektivë realiste që të provohej se ushtari S nuk kishte qëlluar për vetëmbrojtje. Dosja iu dërgua Prokurorit të Përgjithshëm, i cili vendosi të mos e ushtrojë juridiksionin e tij për të urdhëruar ndjekjen penale.
5) Ahmed Jabbar Kareem Ali vdiq më 8 maj 2003, në moshën 15 vjeç. Babai e kishte kërkuar, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi natën vonë, siç pritej. Babait i thanë se i biri dhe tre të rinj të tjerë irakenë ishin arrestuar nga ushtarët britanikë që në mëngjes. Dyshohej se ata ishin rrahur dhe detyruAR të hynin në lumin Shatt Al-Arab. Djali i tij nuk mund të notonte dhe trupi i tij u gjet në ujë më 10 maj 2003. Pas një hetimi, katër ushtarë u gjykuan për vrasje nga një gjyq ushtarak. Tre ushtarë të tjerë të dyshuar për bashkëpunim ishin larguar pa njoftim. Prokuroria argumentoi se ushtarët kishin dyshuar se katër të rinjtë kishin kryer një grabitje dhe i kishin detyruan ata të futeshin në lumë për t’u "dhënë një mësim". Ushtarët u liruan kur dëshmitari kryesor i prokurorisë nuk ishte në gjendje që t’i identifikonte ushtarët. Në vijim të ankimit civil, të atit të djalit iu dha si dëmshpërblim një shumë prej 115 000 sterlinash nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe iu paraqit një falje zyrtare nga ushtria britanike.
6) Baha Mousa ishte 26 vjeç kur vdiq në paraburgim, tre ditë pasi u arrestua nga ushtarët e Ushtrisë britanike më 14 shtator 2003. Babai i tij, koloneli Daoud Mousa shkoi për marrë atë nga puna në një hotel në Basra. Ai pa që djali i tij dhe gjashtë punonjës ishin arrestuar. Atij iu tha se ishte një hetim rutinë që do të përfundonte për nja dy orë. Në ditën e tretë pas arrestimit pjesëtarët e Policisë Ushtarake Mbretërore informuan kolonelin Mousa se djali i tij ishte vrarë në paraburgim. Atij iu kërkua të identifikonte trupin. Trupi Baha Mousa dhe fytyra ishin mbuluar me gjak dhe dëmtime; hunda i ishte thyer dhe një pjesë e lëkurës së fytyrës ishte shqyer. Një punonjës i hotelit, i cili ishte arrestuar gjithashtu në të njëjtën kohë, dëshmoi se të burgosurve irakenë u kishin mbuluar kokat me kapuça, ishin detyruar të qëndronin në pozicione stresi, nuk iu jepej as ushqim as ujë dhe rriheshin. Gjithashtu, ai tregoi se Baha Mousa ishte çuar në një dhomë tjetër, nga ku dëgjohej se ulërinte dhe rënkonte. Një hetim që u hap në lidhje me vdekjen e Baha Mousa, gjeti se ai kishte 93 dëmtime të identifikueshme mbi trupin e tij dhe se kishte vdekur nga asfiksia. Kolonel Mousa nisi procedurat civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat përfunduan në korrik 2008 me një pranim formal dhe publik të përgjegjësisë dhe pagimin e 575,000 sterlinave si kompensim. Më 14 maj 2008, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen njoftoi fillimin e një hetimi publik mbi vdekjen e Baha Mousa. Raporti u dorëzua në shtator të vitit 2011 dhe theksonte një injorancë të madhe në radhët e ushtrisë mbi trajtimin e të burgosurve të luftës, si dhe një mungesë doktrine të përshtatshme mbi teknikat e marrjes në pyetje.
3.Në mars të vitit 2004, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen vendosi që të mos kryheshin hetime të pavarura në lidhje me vdekjet, që të mos pranohej përgjegjësia në lidhje me vdekjet dhe të mos paguhej dëmshpërblim. Kërkuesit aplikuan për një shqyrtim gjyqësor. Në dhjetor 2004, Gjykata e Shkallës së Parë pranoi vetëm pretendimin e Kolonel Mousa dhe hodhi poshtë pretendimet e katër kërkuesve të tjerë, kurse pretendimi i kërkuesit të pestë u pezullua. Gjykata u shpreh se Shtetit i kërkohet normalisht ta zbatojë Konventën brenda territorit të saj. Ka pasur disa përjashtime ndaj këtij rregulli dhe fakti që Baha Mousa ishte vrarë në një bazë ushtarake britanike përbënte një përjashtim të tillë. Megjithatë, Mbretërisë së Bashkuar nuk i kërkohej ta zbatonte Konventën në lidhje me të afërmit të kërkuesve të tjerë. Gjykata konstatoi se kishte shkelje të detyrimit për të hetuar sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës në lidhje Baha Mousa për shkak se deri në korrik të vitit 2004, rreth 10 muaj pas vrasjes, rezultatet e hetimit ishin të panjohura dhe pa asnjë përfundim. Të gjitha apelimet në Gjykatën e Apelit u hodhën me pretendimin se vdekjet, përveç saj të Baha Mousa, nuk ishin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Në qershor të vitit 2007, Dhoma e Lordëve[1] konstatoi se, me përjashtim të rastit të Baha Mousa, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte juridiksion mbi vdekjet e viktimave. Sekretari i Shtetit e kishte pranuar tashmë se vdekja Baha Mousa ishte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas Konventës. Më 25 janar 2008 Ministria e Mbrojtjes botoi Raportin Aitken në lidhje me gjashtë raste të abuzimit të dyshuar të qëllimshëm dhe vrasjen e civilëve irakenë, duke përfshirë vdekjen e bijve të kërkuesve pestë dhe gjashtë.
II.Vendimi i Gjykatës
4.Kërkuesit pretenduan se të afërmit e tyre ishin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 (detyrimi për të respektuar të drejtat e njeriut) të Konventës, kur ata u vranë si pasojë e akteve të forcave të armatosura britanike. Ata u ankuan sipas nenit 2 (e drejta për jetën) dhe, në rastin e kërkuesit të gjashtë nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues), në lidhje me dështimin për të kryer një hetim të plotë dhe të pavarur mbi rrethanat e çdo vdekjeje. Kërkesat u paraqitën në Gjykatë më 11 dhjetor 2007. Dhoma hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, dhe më 9 qershor 2010 u mbajt një seancë publike.
A. Në lidhje me nenin 1
5.Çështja kryesore ishte nëse Konventa gjente zbatim në lidhje me vrasjen e civilëve irakenë në Irak nga ushtarët britanikë gjatë periudhës maj dhe nëntor 2003 dhe nëse viktimat ishin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Duke iu referuar jurisprudencës së saj të mëparshme, Gjykata vuri në dukje se aktet jashtë territorit hyjnë brenda juridiksionit të shtetit vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Një përjashtim i tillë sipas jurisprudencës së Gjykatës është ai kur një shtet palë i Konventës ushtron kompetenca publike në territorin e një shteti tjetër. Në rastin konkret, pas largimit nga pushteti të regjimit Ba’ath dhe deri në pranimin e Qeverisë së Përkohshme të Irakut, Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Shtetet e Bashkuara morën disa pushtete publike që normalisht ushtrohen nga një qeveri sovrane. Në veçanti, Mbretëria e Bashkuar mori autoritetin dhe përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë në Irakun Juglindor. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, ekzistonte një lidhje juridiksionale midis Mbretërisë së Bashkuar dhe individëve të vrarë gjatë operacioneve të sigurisë të kryera nga ushtarët britanikë, gjatë periudhës nga maji 2003 deri në qershor 2004. Përderisa të afërmit e kërkuesve u vranë gjatë operacioneve për ruajtjen e sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar gjatë kësaj periudhe, kjo e fundit duhet të kryente një hetim mbi vdekjen e tyre.
B.Në lidhje me nenin 2 (hetimi efektiv)
6.Kërkuesit u ankuan se qeveria britanike nuk e kishte përmbushur detyrën e saj për të kryer një hetim efektiv mbi vdekjet e të afërmve të tyre. Duke vënë në dukje se detyrimi për të mbrojtur jetën kërkon një hetim zyrtar efektiv kur individët janë vrarë si rezultat i përdorimit të forcës nga ana e agjentëve të shtetit, Gjykata pranoi problemet praktike që krijonte për autoritetet hetimore fakti që Mbretëria e Bashkuar ishte fuqi pushtuese në një rajon të huaj dhe armiqësor. Në këto rrethana, detyrimit procedural sipas nenit 2 duhet zbatuar në mënyrë realiste. Megjithatë, fakti që Mbretëria e Bashkuar ishte pushtuese nënkuptonte se, që një hetim në lidhje me aktet e kryera nga ushtarët britanikë të konsiderohej efektiv, ishte veçanërisht e rëndësishme që autoriteti hetimor të ishte, dhe të shihej se ishte, funksionalisht i pavarur nga zinxhiri i komandës ushtarake.
7.Nuk vihej në dyshim se në rastin e kërkuesve të parë, të dytë dhe të katërt, të afërmit e tyre u vranë nga ushtarë britanikë, identiteti i të cilëve ishte i njohur. Pyetja ishte nëse në çdo rast ushtarët kishin qëlluar në përputhje me rregullat për përdorimin e forcës. Në lidhje me kërkuesin e tretë, neni 2 kërkon një hetim për të përcaktuar rrethanat e vrasjes, duke përfshirë edhe nëse janë ndërmarrë hapat e duhura për të mbrojtur civilët në afërsi të vendit të ngjarjes. Në lidhje me djalin e kërkuesit të pestë, ishte e nevojshme të përcaktohej nëse ushtarët britanikë, siç pretendohet, e kishin rrahur djalin dhe nëse e kishin detyruar të futej në lumë. Në çdo rast, dëshmia e dëshmitarit okular ka qenë vendimtare. Prandaj ishte e domosdoshme që sa më shpejt që të jetë e mundur pas ngjarjes, dëshmitarët ushtarakë, dhe në veçanti autorët e dyshuar, të merreshin në pyetje nga një hetues ekspert dhe plotësisht i pavarur. Gjithashtu, duhej të ishte bërë çdo përpjekje për të identifikuar dëshmitarë okularë irakenë dhe për t’i bindur ata se nuk do ta vinin veten në rrezik për shkak të dëshmive dhe se këto do të trajtoheshin me seriozitet dhe do të veprohej pa vonesë. Ishte e qartë se hetimet në vrasjen e të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë dhe të tretë kishin dështuar të përmbushnin kërkesat e nenit 2, pasi procesi i hetimi mbeti tërësisht brenda zinxhirit të komandës ushtarake dhe ishte i kufizuar në marrjen e deklaratave nga ushtarët e përfshirë. Në lidhje me kërkuesit e tjerë, edhe pse ka pasur një hetim nga Dega e Hetimeve Speciale mbi vdekjen e vëllait të kërkuesit të katërt dhe të birit të kërkuesit të pestë, Gjykata nuk ka marrë parasysh se kjo ishte e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e nenit 2, për shkak se ajo nuk ishte e pavarur në funksionim nga zinxhiri komandues ushtarak. Nga ana tjetër, një hetim i plotë dhe publik thuajse po përfundonte në kohën e gjykimit të kësaj çështje në Strasburg, në lidhje me rrethanat e vdekjes së Baha Mousa. Nën dritën e këtij hetimi, kërkuesi i gjashtë nuk ishte më një viktimë e ndonjë shkelje të detyrimit procedural sipas nenit 2. Si përfundim, Gjykata gjeti shkelje të nenit 2 në lidhje me mungesën e një hetimi efektiv në vdekjen e të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë, të tretë, katërt dhe të pestë.
C.Në lidhje me nenin 41
8.Gjykata u shpreh se Britania e Madhe detyrohej t’u paguante secilit prej pesë kërkuesve nga 17,000 euro, në lidhje me dëmin jopasuror dhe 50.000 euro, të gjithëve së bashku, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
[1]. Që nga 1 tetori 2009, në përputhje me Pjesën 3 të Ligjit të vitit 2005 mbi Reformën Kushtetuese, është krijuar Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar.
Full & Egal Universal Law Academy