© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA AL-SKEINI DHE TË TJERË
kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesa nr. 55721/07)
VENDIM
STRASBURG
7 korrik 2011
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
PASQYRA E LËNDËS
Faqe
PROCEDURA
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A.Pushtimi i Irakut 1 maj 2003 deri më 28 qershor 2004
B.Forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar në Irak në maj 2003 deri në qershor 2004
C.Rregullat e angazhimit
D.Hetimet mbi vdekjet e civilëve irakianë ku janë të përfshirë ushtarët britanikë
E. Vdekjet e të afërmve të kërkuesve
F. Procedurat vendase në përputhje me Aktin e të Drejtave të Njeriut
II. MATERIALET MBI TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
LIGJI
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 2 TË KONVENTËS
A. Pranueshmëria
B.Themelet
1.Jurisdiksioni
2.Shkelja e pretenduar e detyrës hetimore sipas nenit 2
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
Në çështjen Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Jean-Paul Costa, Kryetar,
Christos Rozakis,
Nicolas Bratza,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Dean Spielmann,
Giovanni Bonello,
Elisabeth Steiner,
Lech Garlicki,
Ljiljana Mijović,
David Thór Björgvinsson,
Isabelle Berro-Lefèvre,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Ledi Bianku,
Ann Power,
Mihai Poalelungi, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 9 dhe 16 qershor 2010 dhe 15 qershor 2011,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të cekur:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me anë të një kërkese (nr. 55721/07) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga gjashtë shtetas irakianë, Z. Mazin Jum’Aa Gatteh Al-Skeini, Znj. Fattema Zabun Dahesh, Z. Hameed Abdul Rida Awaid Kareem, Z. Fadil Fayay Muzban, Z. Jabbar Kareem Ali dhe Kolonel Daoud Mousa (“kërkuesit”), më 11 dhjetor 2007.
2. Kërkuesit, të cilëve u është ofruar ndihmë ligjore, përfaqësoheshin nga Public Interest Lawyers, juristë me seli në Birmingham. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti i saj, Z. D. Walton, nga Zyra për Çështje të Jashtme dhe të Commonwealth-it.
3. Kërkuesit pretenduan që të afërmit e tyre ishin nën juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar kur u vranë dhe që nuk ishin zhvilluar hetime efektive rreth vdekjeve, në shkelje të nenit 2 të Konventës.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 16 dhjetor 2008 Gjykata vendosi t’i dërgonte Qeverisë një notë informative në lidhje me kërkesën. Po ashtu, ajo vendosi të shqyrtonte themelet e kërkesës në të njëjtën kohë që do të shqyrtonte pranueshmërinë e saj (neni 29 § 1). Palët paraqitën me radhë vërejtje me shkrim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjes. Më 19 janar 2010 Dhoma vendosi t’ia kalonte juridiksionin Dhomës së Madhe.
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës. Gjyqtari Peer Lorenzen, Kryetar i Seksionit të Pestë, u tërhoq dhe Gjyqtari Luis López Guerra, gjyqtari zëvendësues, zuri vendin e tij.
6. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën secili nga një parashtresë të mëtejshme në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjes dhe u morën komente të palëve të treta Bar Human Rights Committee (shq. Komisioni i Avokatisë për të Drejtat e Njeriut), European Human Rights Advocacy Centre (shq. Qendra Europiane e Avokimit për të Drejtat e Njeriut), Human Rights Watch, Interights, International Federation for Human Rights (shq. Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut), Law Society (shq. Shoqëria e Ligjit), dhe Liberty (“ndërhyrësit”).
7. Një seancë dëgjimore u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 9 qershor 2010 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z. D. Walton, Përfaqësues,
Z. J. Eadie QC,
Z. C. Ivimy,
Z. S. Wordsworth, Avokatë,
Znj. L. Dann,
Znj. H. Akiwumi, Këshilltarë;
(b) për kërkuesit
Z. Rabinder Singh QC,
Z. R. Husain QC,
Znj. S. Fatima,
Znj. N. Patel,
Z. T. Tridimas,
Znj. H. Law, Avokatë,
Z. P. Shiner,
Z. D. Carey,
Z. T. Gregory,
Z. J. Duffy,Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi deklaratat e Z. Eadie dhe Z. Singh.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Faktet e çështjes mund të përmblidhen si vijon.
A. Pushtimi i Irakut më 1 maj 2003 deri më 28 qershor 2004
1. Sfondi: Rezoluta 1441 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
9. Më 8 nëntor 2002 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, duke vepruar në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1441. Rezoluta vendoste, inter alia, që Iraku kishte qenë dhe mbetej në shkelje materiale të detyrimeve të tij në pajtim me Rezolutat e mëparshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’u çarmatosur dhe bashkëpunuar me inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (angl. International Atomic Energy Agency). Rezoluta 1441 vendosi t’i jepte Irakut një mundësi të fundit të vepronte në përputhje me detyrimet e tij për çarmatim dhe vendosi një regjim të shtuar inspeksioni. Aty kërkohej që Sekretari i Përgjithshëm të informonte menjëherë Irakun në lidhje me rezolutën dhe të kërkonte që Iraku të bashkëpunonte me inspektorët menjëherë, pa kushte, dhe në mënyrë aktive. Rezoluta 1441 përfundonte duke kujtuar që Këshilli i Sigurimit “kishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur që Iraku do të përballej me pasoja serioze si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme të detyrimeve të tij”. Këshilli i Sigurimit vendosi të rezervonte të drejtën për rishqyrtimin e çështjes.
2. Operacionet kryesore të luftimeve: 20 mars – 1 maj 2003
10. Më 20 mars 2003 një koalicion forcash të armatosura nën një komandë të unifikuar, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me forca të mëdha nga Mbretëria e Bashkuar dhe kontigjente të vogla nga Australia, Danimarka dhe Polonia, filluan pushtimin e Irakut. Deri në datën 5 prill 2003 britanikët kishin zënë Basran dhe deri në datën 9 prill 2003 trupat e Shteteve të Bashkuara kishin marrë nën kontroll Bagdadin. Luftimet madhore në Irak u deklaruan të përfunduara më 1 maj 2003. Prej atij momenti, Shtetet e tjera dërguan personel për të ndihmuar përpjekjet për rindërtim.
3. Zhvillimet ligjore dhe politike në maj 2003
11. Më 8 maj 2003 Përfaqësuesit e Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara i dërguan një letër të përbashkët Kryetarit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila thoshte si vijon:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe partnerët e koalicionit vazhdojnë të veprojnë së bashku për të siguruar çarmatimin e plotë të Irakut nga armët e shkatërrimit në masë dhe mjetet e aktivizimit të tyre të tyre në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shtetet pjesëmarrëse në Koalicion do t’i përmbahen në mënyrë strikte detyrimeve të tyre sipas të drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato që kanë të bëjnë me nevojat thelbësore të popullit të Irakut. Ne do të veprojmë për të siguruar që nafta e Irakut të mbrohet dhe të përdoret në të mirë të popullit të Irakut.
Në mënyrë që të përmbushen këto objektiva dhe detyrime në periudhën pas konfliktit në Irak, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit, duke vepruar nën komandën ekzistuese dhe organizimin e kontrollit përmes Komandantit të Forcave të Koalicionit, kanë krijuar Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit, i cili përfshin Zyrën për Rindërtim dhe Ndihmë Humanitare, për të ushtruar përkohësisht pushtetin e qeverisë, dhe, sipas nevojës, në mënyrë të veçantë për të ofruar siguri, për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare, dhe për të eliminuar armët e shkatërrimit në masë.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit, duke punuar përmes Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, inter alia, do të ofrojnë siguri në dhe për administratën e përkohshme në Irak, përfshirë me anë të: pengimit të armiqësive, ruajtjes së integritetit territorial të Irakut dhe sigurimit të kufijve të Irakut; sigurimit, dhe heqjes, çaktivizimit, bërjes të padëmshme, eliminimit ose shkatërrimit të (a) të gjitha armëve të shkatërrimit në masë, raketat balistike, mjetet ajrore pa pilot dhe të gjitha mjetet e aktivizimit të sistemeve kimike, biologjike dhe bërthamore të Irakut dhe (b) të gjitha elementeve në programin e Irakut për të bërë kërkime, zhvilluar, projektuar, prodhuar, mbështetur, montuar dhe përdorur armë të tilla dhe sistemet dhe nënsistemet e aktivizimit si dhe pjesët përbërëse të tyre, përfshirë por jo vetëm stoqet e përbërësve kimikë dhe biologjikë, materialit që mund të përdoret për armë bërthamore, dhe materiale të tjera të ndërlidhura, teknologjisë, pajisjeve, objekteve dhe pronës intelektuale që janë përdorur ose mund të kontribojnë materialisht në këto programe; në konsultim me organizatat ndërkombëtare përkatëse, duke lehtësuar kthimin me rregull dhe në mënyrë vullnetare të refugjatëve dhe personave të zhvendosur; duke ruajtur ligjin civil dhe rendin publik, përfshirë me anë të inkurajimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të rindërtuar kapacitetin e forcës policore civile të Irakut; duke eliminuar tërë infrastrukturën dhe burimet terroriste brenda Irakut dhe duke punuar për të siguruar që terroristëve dhe grupeve terroriste t’u mohohet strehimi i sigurt; duke mbështetur dhe koordinuar çminimin dhe aktivitetet e ndërlidhura; duke promovuar llogaridhënien për krimet dhe mizoritë e kryera nga regjimi i mëparshëm irakian; dhe duke marrë përsipër kontroll të menjëhershëm të institucioneve irakiane përgjegjëse për çështje ushtarake dhe të sigurisë dhe duke krijuar kushtet, sipas nevojës, për demilitarizimin, demobilizimin, kontrollin, komandën, reformimin, shpërndarjen, ose riorganizimin e atyre institucioneve në mënyrë që ato të mos mund të paraqesin më kërcënim për popullin e Irakut apo për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare por të jenë në gjendje të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit njohin nevojën urgjente për krijimin e një ambienti në të cilin populli i Irakut mund të ndihet i lirë për të vendosur të ardhmen e vet politike. Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit po lehtësojnë përpjekjet e popullit të Irakut për të ndërmarrë hapat e parë drejt formimit të një qeverie përfaqësuese, të bazuar mbi sundimin e ligjit, që ofron liritë themelore dhe mbrojtje dhe drejtësi të barabartë sipas ligjit për popullin e Irakut pavarësisht nga përkatësia etnike, feja apo gjinia. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit po lehtësojnë ngritjen e institucioneve përfaqësuese të qeverisë, dhe po ndihmojë krijimin e administratës së përgjegjshme të sektorit financiar të Irakut, për ndihmën humanitare, për rindërtimin ekonomik, për operimin dhe riparimin transparent të infrastrukturës dhe burimeve natyrore të Irakut, dhe për transferimin progresiv të përgjegjësive administrative këtyre institucioneve përfaqësuese të qeverisë në mënyrën e duhur. Synimi ynë është që përgjegjësitë për administrim t’u transferohen autoriteteve irakiane sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kombet e Bashkuara luajnë një rol jetik në ofrimin e ndihmave humanitare, në mbështetjen e rindërtimit të Irakut, dhe në dhënien e ndihmës për formimin e një autoriteti të përkohshëm në Irak. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit janë të gatshëm të punojnë nga afër me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e specializuara të OKB-së dhe të shohin drejt emërimit të një koordinatori të posaçëm nga Sekretari i Përgjithshëm. Gjithashtu, ne mirëpresim mbështetjen dhe kontributet e Shteteve Anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, dhe entiteteve të tjera, sipas marrëveshjeve të duhura koordinuese me Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit.
Do të ishim mirënjohës nëse do të sigurohej qarkullimi i kësaj letre si dokument i Këshillit të Sigurimit.
(Nënshkrimi) Jeremy Greenstock Përfaqësues i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar
(Nënshkrimi) John D. Negroponte Përfaqësues i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara”
12. Siç përmendet në letrën e mësipërme, Shtetet pushtuese, duke vepruar përmes Komandantit të Forcave të Koalicionit, krijuan Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit për të vepruar si “administratë kujdestare” deri sa të vendosej një qeveri e Irakut. Ai kishte pushtet, inter alia, të vendoste ligje. Më 13 maj 2003 Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Donald Rumsfeld, lëshoi një memorandum ku emëronte zyrtarisht Ambasadorin Paul Bremer si Administrator të Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (APK) me përgjegjësi për qeverisjen e përkohshme të Irakut. Në Rregullën Nr. 1 të APK-së, datë 16 maj 2003, Ambasadori Bremer parashikonte si vijon:
“Në përputhje me autoritetin tim si Administrator i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (APK), sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rezolutën 1483 (2003) dhe ligjet dhe zakonet e luftës, këtu shpall:
Seksioni 1
Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit
1) APK do të ushtrojë pushtetin e qeverisë përkohësisht në mënyrë që të ofrojë administrimin efektiv të Irakut gjatë periudhës së administratës tranzitore, për të rikthyer situatën e sigurisë dhe stabilitetit, për të krijuar kushte në të cilat populli irakian të mund të ndihet i lirë të vendosë të ardhmen e vet politike, përfshirë me anë të avancimit të përpjekjeve për rikthimin dhe rivendosjen e institucioneve kombëtare dhe lokale të qeverisjes përfaqësuese dhe lehtësimit të rimëkëmbjes ekonomike dhe rindërtimit e zhvillimit të qëndrueshëm.
2) APK ka të gjithë autoritetin e nevojshëm ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor për të arritur objektivat e tij, që do të ushtrohet në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rezolutën 1483 (2003), dhe ligjet dhe zakonet e luftës. Ky autoritet do të ushtrohet nga Administratori i APK-së.
3) Si Komandant i Forcave të Koalicionit, Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-ve do të mbështesë drejtpërdrejt APK-në duke parandaluar armiqësitë; duke ruajtur integritetin territorial dhe sigurinë e Irakut; duke kërkuar, siguruar dhe shkatërruar armët e shkatërrimit në masë; dhe duke ndihmuar në zbatimin e politikave të Koalicionit në përgjithësi.
Seksioni 2
Ligji i zbatueshëm
Nëse nuk pezullohen ose ndryshohen nga APK-ja ose zëvendësohen nga legjislacioni i miratuar nga institucionet demokratike të Irakut, ligjet në fuqi në Irak duke filluar nga 16 prilli 2003 do të vazhdojnë të zbatohen në Irak për sa kohë që ligjet nuk e ndalojnë APK-në që të ushtrojë të drejtat dhe të përmbushë detyrimet e tij, ose kundërshtojnë Rregulloren apo Urdhrin e tanishëm ose çdo Rregullore ose Urdhër tjetër të lëshuar nga APK-ja. ...”
13. Administrata e Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit ishte e ndarë në zona rajonale. APK Jug ishte nën përgjegjësinë dhe kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar, dhe kishte një Koordinator Rajonal të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo mbulonte katër prej provincave më jugore të tetëmbëdhjetë provincave të Irakut, ku secila kishte një koordinator guvernorati. Trupat e Mbretërisë së Bashkuar ishin vendosur në të njëjtën zonë. Mbretëria e Bashkuar përfaqësohej në selinë qendrore të Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit përmes zyrës së Përfaqësuesit Special të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas Qeverisë, megjithëse Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar dhe zyra e tij kërkonin të ndikonin në politikat dhe vendimet e Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, personeli i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte pushtet formal të vendimmarrjes brenda Autoritetit. Të gjitha vendimet administrative dhe legjislative të Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit merreshin nga Ambasadori Bremer.
14. Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përmendur nga Ambasadori Bremer në Rregulloren Nr. 1 të Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit faktikisht u miratua pas gjashtë ditësh, më 22 maj 2003. Aty thuhej:
“Këshilli i Sigurimit,
Duke kujtuar të gjitha rezolutat e tij të mëparshme relevante,
Duke riafirmuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut,
Duke riafirmuar gjithashtu rëndësinë e çarmatimit të armëve të shkatërrimit në masë në Irak dhe konfirmimin eventual të çarmatimit në Irak,
Duke theksuar të drejtën e popullit të Irakut për të vendosur lirisht të ardhmen e tij politike dhe për të kontrolluar burimet e veta natyrore, duke mirëpritur zotimin e të gjitha palëve të përfshira për të mbështetur krijimin e një ambienti në të cilin ata mund t’i arrijnë këto sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe duke shprehur vendosmërinë që dita kur irakianët qeverisin veten duhet të vijë shpejt,
Duke inkurajuar përpjekjet e popullit të Irakut për të formuar një qeveri përfaqësuese bazuar në sundimin e ligjit që ofron të drejta të barabarta dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Irakut pavarësisht nga përkatësia etnike, feja apo gjinia, dhe, në lidhje me këtë, kujton rezolutën 1325 (2000) të datës 31 tetor 2000,
...
Duke mirëpritur hapat e parë të popullit të Irakut në këtë aspekt, dhe duke shënuar në lidhje me këtë deklaratën e Nasiriyah të datës 15 prill 2003 dhe deklaratën e Bagdadit të datës 28 prill 2003,
I vendosur që Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol jetik në ndihmën humanitare, rindërtimin e Irakut, dhe rikthimin dhe rivendosjen e institucioneve kombëtare dhe lokale për qeverisje përfaqësuese,
...
Duke shënuar letrën e datës 8 maj 2003 nga Përfaqësuesit e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore drejtuar Kryetarit të Këshillit të Sigurimit (S/2003/538) dhe duke njohur autoritetet, përgjegjësitë, dhe detyrimet specifike sipas të drejtës ndërkombëtare të zbatueshme të këtyre shteteve si fuqi pushtuese nën një komandë të unifikuar (“Autoriteti”),
Duke shënuar më tej që Shtete të tjera të cilat nuk janë fuqi pushtuese janë duke punuar tani ose do të punojnë në të ardhmen nën Autoritetin,
Duke mirëpritur më tej vullnetin e Shteteve Anëtare për të kontribuar drejt stabilitetit dhe sigurisë në Irak duke dërguar personel, pajisje dhe burime të tjera në kuadër të Autoritetit,
I shqetësuar që shumë shtetas të Kuvajtit dhe shtetas të Shteteve të Treta janë ende të pagjetur që nga 2 gushti 1990,
Duke konstatuar që situata në Irak, me gjithë përmirësimet, vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,
Duke vepruar sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
1. U bën apel Shteteve Anëtare dhe organizatave të interesuara të ndihmojnë popullin e Irakut në përpjekjet e tij për të reformuar institucionet dhe për të rindërtuar vendin e tij, dhe për të kontribuar drejt kushteve të stabilitetit dhe sigurisë në Irak në përputhje me këtë rezolutë;
2. Fton të gjitha Shtetet Anëtare që janë në gjendje të veprojnë që ta bëjnë këtë menjëherë pas apeleve humanitare të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për Irakun dhe të ndihmojnë në plotësimin e nevojave humanitare dhe nevojave të tjera të popullit irakian duke siguruar ushqim, pajisje mjekësore, dhe burime të nevojshme për rindërtimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës ekonomike të Irakut;
3. U bën apel Shteteve Anëtare që të refuzojnë strehim të sigurt për ata anëtare të regjimit të mëparshëm irakian të cilët pretendohet se janë përgjegjës për krime dhe mizori dhe të mbështesin veprimet për t’i sjellë ata para drejtësisë;
4. I bën thirrje Autoritetit, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare përkatëse, që të promovojë mirëqenien e popullit të Irakut përmes administrimit efektiv të territorit, duke përfshirë sidomos punën drejt rikthimit të kushteve të sigurisë dhe stabilitetit dhe krijimit të kushteve në të cilat populli i Irakut mund të vendosë lirisht të ardhmen e vet politike;
5. U bën thirrje të gjithë të interesuarve të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjeve ndërkombëtare përfshirë në mënyrë të veçantë Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Rregulloret e Hagës të vitit 1907;
...
8. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të emërojë një Përfaqësues Special për Irakun përgjegjësitë e pavarura të të cilit do të përfshijnë raportimin e rregullt në Këshill në lidhje me aktivitetet e tij sipas kësaj rezolute, koordinimin e aktiviteteve të Kombeve të Bashkuara në proceset e pas-konfliktit në Irak, koordinimin mes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive ndërkombëtare të angazhuara në ndihmën humanitare dhe aktivitetet e rindërtimit në Irak, dhe, në koordinim me Autoritetin, të ndihmojë popullin e Irakut përmes:
(a) koordinimit të ndihmës humanitare dhe rindërtuese nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe mes agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave jo-qeveritare;
(b) promovimit të kthimit të sigurt, të organizuar dhe vullnetar të refugjatëve dhe personave të zhvendosur;
(c) punës intensive me Autoritetin, popullin e Irakut, dhe të interesuarit e tjerë për të avancuar përpjekjet për rikthimin dhe ngritjen e institucioneve lokale për qeverisje të përfaqësuar, përfshirë punën e përbashkët për të lehtësuar një proces që shpie drejt një qeverie të përfaqësuar të Irakut të njohur ndërkombëtarisht;
(d) lehtësimit të rindërtimit të infrastrukturës kyçe, në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare;
(e) promovimit të rindërtimit ekonomik dhe kushteve për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirë me anë të koordinimit me organizatat kombëtare dhe rajonale, në formën e duhur, shoqërinë civile, donatorët, dhe institucionet e tjera financiare;
(f) inkurajimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të kontribuar në funksionet e administratës civile bazë;
(g) promovimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut;
(h) inkurajimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të rindërtuar kapacitetin e forcës policore civile irakiane; dhe
(i) inkurajimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të promovuar reformat ligjore dhe gjyqësore;
9. Mbështet formimin, nga populli i Irakut me ndihmën e Autoritetit dhe duke punuar së bashku me Përfaqësuesin Special, të një administrate të përkohshme të Irakut si administratë tranzitore e menaxhuar nga irakianët, deri në momentin kur një qeveri përfaqësuese e njohur ndërkombëtarisht nga populli i Irakut do të vendoset dhe do të marrë përsipër përgjegjësitë e Autoritetit;
...
24. Kërkon që Sekretari i Përgjithshëm të raportojë në Këshill në mënyrë të rregullt periodike mbi punën e Përfaqësuesit Special për sa i përket implementimit të rezolutës dhe punës së Bordit Këshillues dhe Monitorues Ndërkombëtar dhe inkurajon Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të informojnë Këshillin në mënyrë të rregullt periodike mbi përpjekjet e tyre sipas kësaj rezolute;
25. Vendos të rishikojë zbatimin e kësaj rezolute brenda dymbëdhjetë muajve pas miratimit dhe të shqyrtojë hapat e mëtejshëm që mund të jenë të nevojshëm.
26. U bën thirrje Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërkombëtare dhe rajonale që të kontribojnë në implementimin e kësaj rezolute;
27. Vendos të rezervojë të drejtën për ta rishqyrtuar çështjen.”
5. Zhvillimet mes korrikut 2003 dhe qershorit 2004
15. Në korrik të vitit 2003 u ngrit Këshilli Qeverisës i Irakut. Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit iu kërkua që të konsultohej me të mbi të gjitha çështjet që kishin të bënin me qeverisjen e përkohshme të Irakut.
16. Më 16 tetor 2003, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë tjetër, 1511, e cila, inter alia, parashikonte:
“Këshilli i Sigurimit
...
Duke theksuar që sovraniteti i Irakut ekziston brenda Shtetit të Irakut, duke riafirmuar të drejtën e popullit të Irakut për të vendosur lirisht për të ardhmen e vet politike dhe për të kontrolluar vetë burimet e veta natyrore, duke përsëritur vendosmërinë e tij që ditën që populli i Irakut të qeverisë veten duhet të vijë shpejt, dhe duke njohur rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, posaçërisht atë të vendeve të rajonit, fqinjëve të Irakut, dhe organizatave rajonale, në çuarjen përpara të këtij procesi me ritëm të shpejtë.
Duke njohur faktin që mbështetja ndërkombëtare për rikthimin e kushteve të stabilitetit dhe sigurisë është thelbësore për mirëqenien e popullit të Irakut si dhe për aftësinë e të gjitha palëve të përfshira për të zhvilluar punën e tyre në emër të popullit të Irakut, dhe duke mirëpritur kontributet e Shteteve Anëtare në këtë aspekt sipas rezolutës 1483 (2003),
Duke mirëpritur vendimin e Këshillit Qeverisës të Irakut për të ngritur një komision përgatitor kushtetues për përgatitjen e një konference kushtetuese që do të hartonte një kushtetutë e cila do të mishëronte aspiratat e popullit të Irakut, dhe duke e nxitur që ta përfundojë shpejt këtë proces,
...
Duke konstatuar që situata në Irak, sado e përmirësuar, vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,
Duke vepruar sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
1. Riafirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut, dhe thekson, në atë kontekst, natyrën e përkohshme të ushtrimit nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit (Autoriteti) të përgjegjësive, autoriteteve dhe detyrimeve të veçanta sipas të drejtës ndërkombëtare të njohur dhe të përcaktuar në rezolutën 1483 (2003), e cila do të pushojë kur një qeveri përfaqësuese e njohur ndërkombëtarisht të vendoset nga vetë populli i Irakut dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e Autoritetit, inter alia përmes hapave të parashikuar në paragrafët 4 deri në 7 dhe 10 poshtë;
...
4. Përcakton që Këshilli Qeverisës dhe ministrat e tij janë organet kryesore të administratës së përkohshme të Irakut e cila, pa paragjykuar zhvillimin e saj të mëtejshëm, mishëron sovranitetin e Shtetit të Irakut gjatë periudhës së tranzicionit deri në vendosjen e një qeverie përfaqësuese të njohur ndërkombëtarisht e cila do të marrë përsipër përgjegjësitë e Autoritetit;
5. Afirmon që administrimi i Irakut do të merret përsipër gradualisht nga strukturat në zhvillim e sipër të administratës së përkohshme të Irakut;
6. I bën thirrje Autoritetit, në këtë kontekst, që t’ia kthejë përgjegjësitë dhe autoritetet qeverisëse popullit të Irakut sa më shpejt që të jetë praktikisht e mundur dhe i kërkon Autoritetit, përmes bashkëpunimit të duhur me Këshillin Qeverisës dhe Sekretarin e Përgjithshëm, t’i raportojë Këshillit në lidhje me përparimin e shënuar;
7. Fton Këshillin Qeverisës që të paraqesë para Këshillit të Sigurimit, për shqyrtim nga ky i fundit, jo më vonë se 15 dhjetor 2003, në bashkëpunim me Autoritetin dhe, sipas rrethanave, me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, një program dhe afat kohor për hartimin e një kushtetute të re për Irakun dhe për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me atë kushtetutë;
8. Vendos që Kombet e Bashkuara, duke vepruar përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Përfaqësuesit të tij Special, dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Irak, duhet të fuqizojnë rolin e tyre jetik në Irak, përfshirë edhe përmes sigurimit të ndihmës humanitare, promovimit të rindërtimit ekonomik të dhe kushteve për zhvillim të qëndrueshëm në Irak, dhe avancimit të përpjekjeve për rikthimin dhe rivendosjen e institucioneve kombëtare dhe lokale për një qeveri të përfaqësuar;
...
13. Vendos që ofrimi i sigurisë dhe stabilitetit është thelbësor për përfundimin e suksesshëm të procesit politik siç përshkruhet në paragrafin 7 lart dhe për kapacitetin e Kombeve të Bashkuara për të kontribuar efektivisht në atë proces dhe në zbatimin e rezolutës 1483 (2003), dhe autorizon një forcë shumëkombëshe nën një komandë të unifikuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak, gjithashtu edhe me qëllim të sigurimit të kushteve të nevojshme për zbatimin e programit dhe afateve kohore si dhe për të kontribuar në sigurinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Irak, Këshilli Qeverisës i Irakut dhe institucione të tjera të administratës së përkohshme të Irakut, si dhe infrastrukturën kyçe humanitare dhe ekonomike;
14. Nxit Shtetet Anëtare të kontribojnë sipas këtij mandati të Kombeve të Bashkuara, përfshirë me forca ushtarake, në forcën shumëkombëshe të përmendur në paragrafin 13 lart;
15. Vendos që Këshilli të shqyrtojë nevojat dhe misionin e forcës shumëkombëshe të përmendur në paragrafin 13 lart jo më vonë se brenda një viti pas datës së kësaj rezolute, dhe sidoqoftë që mandati i forcës do të përfundojë me përmbylljen e procesit politik të përshkruar në paragrafët 4 deri në 7 dhe 10 lart, dhe shpreh gatishmërinë për të marrë në konsideratë me atë rast çdo nevojë të ardhshme për vazhdimin e forcës shumëkombëshe, duke marrë parasysh pikëpamjet e një qeverie irakiane që është përfaqësuese dhe e njohur ndërkombëtarisht;
...
25. Kërkon që Shtetet e Bashkuara, në emër të forcës shumëkombëshe siç theksohet në paragrafin 13 lart, të raportojnë në Këshillin e Sigurimit lidhur me përpjekjet dhe përparimin e shënuar nga kjo forcë ashtu si duhet dhe jo më rrallë se çdo gjashtë muaj;
26. Vendos të rezervojë të drejtën për ta rishqyrtuar çështjen.”
17. Më 8 mars 2004 Këshilli Qeverisës i Irakut shpalli Ligjin e Administratës për Shtetin e Irakut për Periudhën e Tranzicionit (i njohur si “Ligji Administrativ Tranzitor”). Ai ofronte një kornizë ligjore të përkohshme për administrimin e Irakut për periudhën tranzitore e cila do të fillonte më 30 qershor 2004 me vendosjen e një qeverie të përkohshme të Irakut (“Qeveria e Përkohshme”) dhe shpërbërjen e Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit.
18. Regjimi i ri u përcaktua në Rezolutën 1546 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 8 qershor 2004, e cila parashikonte, inter alia, që Këshilli i Sigurimit, duke vepruar sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara:
“1. Mbështet krijimin e një Qeverie sovrane të Përkohshme të Irakut, siç u prezantua më 1 qershor 2004, e cila do të marrë përsipër përgjegjësi dhe autoritet të plotë deri më 30 qershor 2004 për qeverisjen e Irakut ndërkohë që nuk do të ndërmarrë veprime që kanë të bëjnë me fatin e Irakut përtej periudhës së kufizuar të tranzicionit deri sa një Qeveri Tranzitore e Irakut të merrte përsipër pozicionin e saj si e tillë, siç parashtrohet në paragrafin katër poshtë;
2. Mirëpret që, po ashtu deri më 30 qershor 2004, pushtimi do të përfundojë dhe Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit do të pushojë së ekzistuari, dhe që Iraku do të rishpallë sovranitetin e tij të plotë;
...
8. Mirëpret përpjekjet në vazhdim nga Qeveria e Përkohshme e Irakut për të zhvilluar forcat e sigurisë së Irakut përfshirë edhe forcat e armatosura të Irakut (prej këtu “‘forcat e sigurisë të Irakut’), duke vepruar nën autoritetin e Qeverisë së Përkohshme të Irakut dhe pasardhësve të saj, të cilët do të luajnë një rol më të madh dhe përfundimisht do të marrin përsipër përgjegjësi të plotë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak.
9. Vëren që prania e forcës shumëkombëshe në Irak është aty me kërkesë të Qeverisë së Përkohshme të Irakut dhe prandaj riafirmon autorizimin për forcën shumëkombëshe nën komandën e unifikuar të vendosur nën rezolutën 1511 (2003), duke marrë parasysh letrat në shtojcat e kësaj rezolute;
10. Vendos që forca shumëkombëshe do të ketë autoritet për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak në përputhje me letrat e bashkangjitura në këtë rezolutë duke shprehur, inter alia, kërkesën e irakianëve për prani të vazhduar të forcës shumëkombëshe dhe caktimin e detyrave të saj, duke përfshirë parandalimin dhe pengimin e terrorizmit, në mënyrë që, inter alia, Kombet e Bashkuara të mund të përmbushin rolin e tyre për të ndihmuar popullin e Irakut ashtu siç parashtrohet në paragrafin shtatë lart dhe populli i Irakut të mund të zbatojë lirisht dhe pa frikë programin dhe afatet e procesit politik dhe të përfitojë nga aktivitetet e rindërtimit dhe rehabilitimit; ...”
6. Transferimi i autoritetit tek Qeveria e Përkohshme
19. Më 28 qershor 2004 autoriteti i plotë u transferua nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit tek Qeveria e Përkohshme dhe Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit pushoi së ekzistuari. Rrjedhimisht Forca Shumëkombëshe, përfshirë forcat britanike që përbënin një pjesë të saj, vazhduan të qëndronin në Irak me kërkesë të Qeverisë së Irakut dhe me autorizime të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
B. Forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar në maj 2003 deri në qershor 2004
20. Gjatë kësaj periudhe Forcat e Koalicionit përbëheshin nga gjashtë divizione të cilat ishin nën komandën e përgjithshme të gjeneralëve të Shteteve të Bashkuara. Katër ishin divizione të Shteteve të Bashkuara dhe dy ishin shumëkombëshe. Secili divizion kishte nën përgjegjësinë e tij një zonë të caktuar gjeografike të Irakut. Mbretërisë së Bashkuar iu dha komanda e Divizionit Shumëkombësh (juglindje), i cili përfshinte provincat e Al-Basrah, Maysan, Thi Qar dhe Al-Muthanna, një zonë prej 96,000 kilometrash katrorë me një popullsi prej 4.6 milionë. 14,500 trupa të Koalicionit, përfshirë 8,150 trupa të Mbretërisë së Bashkuar, ishin të stacionuar në Divizionin Shumëkombësh (juglindje). Zonat kryesore të operacioneve të forcave të Mbretërisë së Bashkuar në Divizionin Shumëkombësh (juglindje) ishin provincat Al-Basrah dhe Maysan, me popullsi totale 2.75 milionë banorë. Mbi 8,000 trupa britanike kishin zbarkuar atje, prej të cilave mbi 5,000 sish kishin përgjegjësi operacionale.
21. Nga 1 maji 2003 e më tej forcat britanike në Irak zhvilluan dy funksione kryesore. I pari ishte ruajtja e sigurisë në zonën e Divizionit Shumëkombësh (juglindje), posaçërisht provincat Al-Basrah dhe Maysan. Detyra kryesore ishte përpjekje për të rivendosur forcat e sigurisë të Irakut, përfshirë edhe policinë e Irakut. Detyra të tjera përfshinin patrullimin, arrestimet, operacionet anti-terroriste, policimi i demonstratave civile, mbrojtja e objekteve të nevojshme dhe infrastrukturës dhe mbrojtja e stacioneve të policisë. Funksioni i dytë kryesor i trupave britanike ishte mbështetja e administratës civile në Irak në forma të ndryshme, nga ndërlidhja me Autoritetin e Përkohshëm të të Koalicionit dhe Këshillin Qeverisës të Irakut dhe qeverinë lokale, deri tek ndihmesa në rindërtimin e infrastrukturës.
22. Në Raportin Aitken (shih paragrafin 69 poshtë), i përgatitur për Shefin e Ushtrisë së Shtabit të Përgjithshëm, situata e pas-konfliktit në Irak përshkruhej si vijon:
“Konteksti në të cilin janë zhvilluar operacionet në Irak ka qenë jashtëzakonisht kompleks. Në këtë raport nuk do të komentohet mbi aspektet jus ad bellum të operacionit, dhe as mbi opinionin publik në lidhje me pushtimin. Megjithatë, është me rëndësi të thuhet që planet e pas-pushtimit të Aleancës përqendroheshin më shumë në ofrimin e ndihmës humanitare (e cila nuk ndodhi fare në shkallën në të cilën ishte pritur), dhe më pak në aktivitetet kriminale dhe në kryengritjet pasuese që ndodhën faktikisht. Një pasojë e kësaj ishte që ne kishim trupa të pamjaftueshme për t’u marrë efektivisht me situatën në të cilën u gjendëm. Operacionet paqeruajtëse kërkojnë më shumë trupa për të vendosur rendin dhe ligjin sesa kërkon angazhimi në luftë: trupat tona ishin të shpërndara shumë me pakicë në terren. Në hetimin e tij (në prill 2005) të incidentit të Shportës së Bukës (angl. Breadbasket) [abuzimi i pretenduar i irakianëve të ndaluar për dyshimin që kanë vjedhur ndihmat humanitare], Brigadieri Carter e përshkroi situatën në Irak si vijon:
‘... maj 2003, rreth 4 javë pasi forcat britanike kishin filluar tranzicionin nga operacionet ofensive drejt stabilizimit. Situata ishte e paqëndrueshme. Grupeve luftarake u ishin caktuar zonat gjeografike të përgjegjësisë duke u bazuar përgjithësisht rreth objektivave të tyre taktike fillestare. Operacionet e luftimit kishin përfunduar zyrtarisht, dhe rregullat e angazhimit kishin ndryshuar për të pasqyruar këtë, por kishte tendencë në rritje për incidente me të shtëna armësh. Megjithëse këto ndodhnin kryesisht ndërmjet irakianëve, të cilët kërkonin të lanin hesape të vjetra apo ishin të përfshirë në aktivitet kriminal, kishte tregues të hershëm që po vinin kërcënime për ushtarët britanikë... Struktura e Forcave Britanike po ndryshonte. Shumë nga kapacitetet e rënda që ishin kërkuar për pushtim tani po ktheheshin në shtëpi. Disa elemente të Forcës nevojiteshin për operacione gjetkë, dhe kishte presion nga Mbretëria e Bashkuar për të zvogëluar numrin e trupave me shpejtësi drejt shifrave më të qëndrueshme ... Sjellja e banorëve lokalë po ashtu po ndryshonte. Në fillim tepër entuziastë nga lumturia, dikur e shtypur, popullata Shia në dhe rreth Basras kishte filluar të dyshonte, dhe nga mesi i majit njerëzit ishin të shqetësuar. Aspiratat dhe pritjet nuk po përmbusheshin. Nuk kishte administratë e as qeveri irakiane. Nafta dhe uji i pijshëm mungonin, rryma elektrike shkëputej shpesh, dhe spitalet ishin mbushur me të plagosur nga faza e operacioneve luftarake. Urat dhe rrugët kryesore ishin shkatërruar nga bombardimet e Koalicionit. Rendi dhe ligji ishin përmbysur krejtësisht. Shërbimi Policor Irakian ishte shkrirë fare; ato pak roje sigurimi që kishin mbetur ishin të vjetër dhe të paaftë; dhe Forcat e Armatosura Irakiane ishin zënë rob, ishin shpërbërë ose kishin dezertuar. Kriminelët kishin dalë nëpër rrugë dhe burgjet ishin rrënuar. Gjyqtarët kishin marrë arratinë. Çdo objekt i qeverisë ishte grabitur dhe të gjitha sendet e lëvizshme ishin marrë. Ndërtesat e pasigurta ishin zaptuar nga uzurpuesit. Krimi gëlonte dhe në disa pjesë të Basras mbizotëronte një gjendje anarkie totale. Grabitje, rrëmbime fëmijësh, vrasje për hakmarrje, dhe vjedhjet ishin kudo. Brenda një kohe shumë të shkurtër pasuria po rishpërndahej në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Në këto rrethana, Ushtria Britanike ishte i vetmi element ligji dhe rendi brenda zonës së vet të operacioneve. Kur kreu i Shoqatës së Kryeoficerëve të Policisë për çështje ndërkombëtare, Z. Paul Kernaghan, vizitoi Irakun në maj 2003, ai tha që nuk do të rekomandonte zbarkimin e policëve civilë në zonën e operacioneve për shkak të gjendjes së ulët të sigurisë. Herën e fundit që Ushtria kishte ushtruar pushtetin e një Ushtrie Pushtuese kishte qenë në vitin 1945 – dhe ajo kishte kaluar muaj të tërë duke u përgatitur për atë rol; në maj 2003, të njëjtit ushtarë që kishin luftuar në një luftë tradicionale me intensitet të lartë pritej që të konvertoheshin, pothuaj brenda ditës, në të vetmit persona të aftë për të ofruar ndihmë për agjencitë e qeverisë dhe ndihmë humanitare për popullin e Irakut Jugor. Grupeve luftarake (përfshirë një Kolonel Toger dhe rreth 500 ushtarë) u ishin caktuar zona të përgjegjësisë të cilat shtriheshin me qindra milje katrorë; togave (një Major me rreth 100 ushtarë nën komandën e tij) u ishin caktuar qytete të tëra për t’i mbajtur nën kontroll. Planet britanike të pushtimit me mençuri kishin arritur të shmangnin sa më shumë dëmtimin e infrastrukturës; por vetëm me personel ushtarak në dispozicion për të menaxhuar këtë strukturë, dhe me shumë pak përkrahje nga stafi vendor, këto detyra përbënin një presion të jashtëzakonshëm mbi Ushtrinë.
Një nga efektet e kësaj mungese të infrastrukturës civile ishte dilema me të cilën përballeshin ushtarët britanikë kur hasnin raste të krimeve rutinore. Përvoja jonë në Irlandën Veriore, dhe në operacionet paqeruajtëse në botë, ka rrënjosur parimin e qartë të supremitetit të policisë në rastet e kriminelëve në ambientet e operacioneve. Ushtarët janë të vetdijshëm që mund të hasin krime, dhe që nganjëherë u duhet të arrestojnë kriminelë; por (pavarësisht nga disa përjetime të kësaj sindrome në Kosovë në vitin 1999) doktrina dhe praktika jonë nuk na kishte përgatitur për t’u marrë me këto kriminelë në kushtet kur nuk kishte fare forcë policie civile, as sistem gjyqësor për të gjykuar shkelësit e ligjit, dhe as burgje për t’i mbajtur ata. Edhe kur u vendos një forcë policore irakiane e sapoformuar në vitin 2003, trupat në terren kishin pak besim në aftësinë e saj për të trajtuar me drejtësi apo në mënyrë të arsyeshme kriminelët që i dorëzoheshin asaj force. Duke hedhur shikimin pas, tani e dimë që disa ushtarë kanë vepruar kundër ligjit në mënyrën se si i kanë trajtuar kriminelët vendas. Sado të zellshëm që mund të kenë qenë, komandantët e kishin të pamundur të ndodheshin kudo, dhe kështu e kishin fizikisht të pamundur të mbikëqyrnin trupat e tyre aq sa duhej; për pasojë, kur ndodhnin faktikisht raste të tilla, ato kishin më pak gjasa për t’u diktuar dhe parandaluar.”
23. Të dhënat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar tregojnë që, deri më 30 qershor 2004, kishte pasur afro 178 demonstrata dhe 1,050 sulme të dhunshme kundër forcave të Koalicionit në Divizionin Shumëkombësh (juglindje) nga 1 maji 2003. Sulmet e dhunshme përfshinin pesë sulme kundër avionëve, 12 sulme me granatë, 101 sulme me pajisje shpërthyese të improvizuara, 52 tentativa për sulm me pajisje shpërthyese të improvizuara, 145 sulme me mortajë, 147 sulme me granatahedhës, 535 sulme me të shtëna dhe 53 sulme të tjera. Të njëjtat të dhëna tregojnë që, mes majit 2003 dhe marsit 2004, dyzet e nëntë irakianë dihej të ishin vrarë gjatë incidenteve ku trupat britanike kishin përdorur forcën.
C. Rregullat e Angazhimit
24. Përdorimi i forcës nga trupat britanike gjatë operacioneve mbulohet nga Rregullat përkatëse të Angazhimit ushtarak. Rregullat e Angazhimit që qeverisin përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga trupat britanike në Irak gjatë periudhës përkatëse ishin të shënuara në një kartë që i ishte dhënë çdo ushtari britanik, e njohur si Karta Alfa (angl. Card Alpha). Karta Alfa përcaktonte Rregullat e Angazhimit në kushtet e mëposhtme:
“KARTA A – ORIENTIM PËR HAPJEN E ZJARRIT PËR PERSONELIN E SHËRBIMIT.
I AUTORIZUAR PËR TË MBAJTUR ARMË ZJARRI DHE MUNICIONE NË DETYRË.
ORIENTIM I PËRGJITHSHËM
1. Ky orientim nuk ndikon në të drejtën tuaj të brendshme për vetëmbrojtje. Megjithatë, në të gjitha situatat ju nuk do të përdorni më shumë forcë sesa është absolutisht e nevojshme.
ARMËT E ZJARRIT DUHEN PËRDORUR VETËM SI MUNDËSI E FUNDIT
2. Gjatë kohës që ruani një pronë, nuk duhet të përdorni forcë vdekjeprurëse përveç se me qëllim të mbrojtjes së jetëve njerëzore.
MBROJTJA E JETËS NJERËZORE
3. Mund të hapni zjarr kundër një personi nëse ai/ajo është duke kryer ose është duke u përgatitur të kryejë një akt që ka gjasa të rrezikojë jetë dhe nuk ka mënyrë tjetër për të parandaluar rrezikun.
PARALAJMËRIMI
4. Para se të hapet zjarr DUHET dhënë paralajmërim, por jo nëse:
a. Kjo do të shtonte rrezikun e vdekjes ose lëndimit të rëndë ndaj jush ose të tjerëve përveç sulmuesit/sve,
OSE
b. Ju dhe të tjerët krejt afër ndodheni nën sulm të armatosur.
5. Ju duhet të paralajmëroni duke thirrur:
‘MARINA, USHTRIA, FORCA AJRORE, NDAL OSE DO TË SHTIE’
Ose fjalë të tjera me të njëjtin qëllim.
TË HAPURIT ZJARR
6. Nëse duhet të hapni zjarr, ju duhet të:
a. Gjuani vetëm të shtëna drejt shënjestrës,
DHE
b. Të mos shtini më shumë plumba sesa është e nevojshme,
DHE
c. Të merrni të gjitha masat e arsyeshme për të mos lënduar askënd tjetër përveç shënjestrës suaj.”
D. Hetimet për vdekjet e irakianëve ku ishin të përfshirë ushtarët britanikë
1. Vendimi për të referuar një incident për hetime nga Policia Ushtarake Mbretërore
25. Më 21 qershor 2003 Brigadieri Moore (Komandant i Brigadës 19 të Mekanizuar në Irak nga qershori deri në nëntor 2003) shpalli një politikë formale në lidhje me hetimin e incidenteve me të shtëna. Kjo politikë parashikonte që të gjitha incidentet me të shtëna duhet të raportoheshin dhe Kryemarshalli i Divizionit duhet të informohej. Oficerët e thjeshtë nga Policia Ushtarake Mbretërore më pas do të vlerësonin incidentin dhe do të vendosnin nëse hynte brenda Rregullave të Angazhimit. Nëse vendosej që një incident hynte në kuadër të Rregullave të Angazhimit, deklaratat duhet të regjistroheshin dhe duhet të dorëzohej një buletin i plotësuar përmes zinxhirit të komandës. Nëse incidenti dukej se ishte jashtë Rregullave të Angazhimit dhe përfshinte vdekjen apo lëndime të rënda, hetimet do të zhvilloheshin nga Policia Ushtarake Mbretërore, Dega e Hetimeve Speciale (shih paragrafin 28 poshtë) nga Kryemarshalli i Divizionit në mundësinë e parë.
26. Megjithatë, Brigadieri Moore vendosi që nga 28 qershori 2003 kjo politikë duhet të rishikohej. Politika e re kërkonte që të gjitha këto incidente të raportoheshin menjëherë nga ushtari i përfshirë tek Divizioni Shumëkombësh (juglindje) përmes një Raporti të Incidentit të Rëndë. Pastaj do të zhvilloheshin hetime nga Komandanti i Togës ose nga Oficeri Komandues i ushtarit. Në dëshminë e tij para gjykatave vendase Brigadieri Moore shpjegoi që:
“Forma e hetimeve mbi një incident dallonte sipas gjendjes së sigurisë në terren dhe rrethanave të çështjes individuale. Përgjithësisht, ajo përfshinte Komandantin e Togës ose Oficerin Komandues i cili merrte deklarata nga anëtarët e patrullës së përfshirë, dhe analizonte shfrytëzimin e komunikimeve me radio. Po ashtu, mund të përfshinte edhe fotografimin e vendit të ngjarjes. Nganjëherë mund të kishte hetime të mëtejshme përmes një takimi me familjen ose fisin e personit të vrarë. Megjithatë, hetimet në nivel njësiti nuk do të përfshinin një ekzaminim të plotë mjeko-ligjor. Brenda Brigadës, nuk kishim kapacitet mjeko-ligjor.”
Nëse Oficeri Komandues ishte i bindur, mbi bazën e informacionit që kishte në dispozicion, që ushtari kishte vepruar sipas ligjit dhe brenda Rregullave të Angazhimit, nuk bëhej kërkesë për të filluar hetimet nga Dega e Hetimeve Speciale. Oficeri Komandues do të shënonte vendimin e tij me shkrim drejtuar Brigadierit Moore. Nëse Oficeri Komandues nuk ishte i bindur, ose nëse kishte informacion të pamjaftueshëm për të marrë një vendim, ai duhet të fillonte hetimet e Degës së Hetimeve Speciale.
27. Mes janarit dhe prillit 2004 pati një rishqyrtim të mëtejshëm të kësaj politike, i nxitur nga fakti që ambienti ishte bërë më pak armiqësor dhe gjithashtu nga interesi i konsiderueshëm i mediave dhe Parlamentit në incidentet ku përfshiheshin forcat e Mbretërisë së Bashkuar ku kishin vdekur irakianë. Më 24 prill 2004 u miratua një politikë e re nga Komandanti i Divizionit Shumëkombësh (juglindje), e cila kërkonte që të gjitha incidentet me të shtëna ku ishin përfshirë ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar që kishin rezultuar në vrasjen apo lëndimin e një civili të hetoheshin nga Dega e Hetimeve Speciale. Në raste të jashtëzakonshme Komandanti i Brigadës mund të vendoste që hetimet nuk ishin të nevojshme. Çdo vendim i tillë duhet t’i lajmërohej me shkrim Komandantit të Divizionit Shumëkombësh (juglindje).
2. Hetimet nga Policia Ushtarake Mbretërore (Dega e Hetimeve Speciale)
28. Policia Ushtarake Mbretërore është pjesë e Ushtrisë dhe zbarkon bashkë me Ushtrinë në operacionet jashtë vendit, por ka një zinxhir tjetër komande. Oficerët e policisë ushtarake i raportojnë Kryemarshallit, i cili i raporton Adjutantit të Përgjithshëm. Brenda Policisë Ushtarake Mbretërore, Dega e Hetimeve Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve të rënda të kryera nga anëtarët e forcave britanike gjatë kohës që janë në detyrë, incidentet që përfshinin kontaktet mes ushtrisë dhe civilëve dhe çdo hetimi special që i caktohej asaj, përfshirë incidentet që përfshinin vdekjet e civilëve të shkaktuara nga ushtarët britanikë. Për të siguruar pavarësinë e saj praktike mbi operacionet, Dega e Hetimeve Speciale zbarkon njësi krejtësisht diskrete dhe ka zinxhirin e vet të komandës, të kryesuar nga Kryeoficerët, të cilët emërohen në operacione për këtë qëllim.
29. Hetimet mbi vdekjen e civilëve irakianë që përfshinin ushtarët britanikë nxiteshin ose nga Dega e Hetimeve Speciale të cilës i kërkohej nga Oficeri Komandues i njësive në fjalë që të zhvilloheshin hetime ose nga Dega e Hetimeve Speciale me inciativën e vet, kur mësonte që kishte ndodhur një incident përmes mënyrave të tjera. Megjithatë, ky lloji i fundit i hetimeve mund të përcaktohej nëse Dega e Hetimeve Speciale udhëzohej të ndalonte Kryemarshallin ose Oficerin Komandues të njësitit të përfshirë.
30. Hetimet nga Dega e Hetimeve Speciale në Irak pengoheshin nga disa vështirësi siç ishin problemet e sigurisë, mungesa e përkthyesve, konsideratat kulturore (për shembull, praktika islame që kërkon që trupi të varroset brenda 24 orësh dhe të mos preket për 40 ditë), mungesa e patologëve dhe ambienteve për kryerjen e autopsisë, mungesa e të dhënave, probleme me logjistikën, atmosferën dhe kushtet e përgjithshme të punës. Raporti Aitken (shih paragrafin 69 poshtë) e përmblidhte pozicionin si vijon:
“Nuk ishin vetëm trupat luftarake ato që ishin të tejpërdorura në këto rrethana. Sistemi ekzistues i drejtësisë penale ushtarake është relevant, i pavarur dhe i përshtatshëm për qëllimin që ka; por edhe sistemi më efektiv i drejtësisë penale do ta kishte të vështirë të hetonte, këshillonte dhe ndiqte penalisht çështjet ku infrastruktura civile efektivisht mungon. Dhe kështu, mes pasojave të freskëta të luftës në terren, Policia e Shërbimit përballej me sfida të veçanta në mbledhjen e provave të një cilësie që do të përmbushte standardet shumë të larta që kërkoheshin nga ligji anglez. Të dhënat kombëtare – zakonisht pikë integrale referimi për hetimet penale – mungonin në masë të madhe; një konceptim i ndryshëm i ligjit mes irakianëve dhe policisë britanike i shtohej një atmosfere armiqësore dhe dyshuese; dhe Ushtria përballej me një ambient operacional gjithmonë e më të rrezikshëm – në fakt, më 24 qershor 2003, gjashtë pjesëtarë të Policisë Ushtarake Mbretërore mbetën të vrarë në Al Amarah. Po kështu, doganat e vendit pengonin ekzekutimin e standardeve britanike të drejtësisë: në çështjen e Nadhem Abdullah, për shembull, familja e të ndjerit refuzoi të dorëzonte trupin për ekzaminim mjekësor – duke zvogëluar në mënyrë të ndjeshme cilësinë e provave rreth vdekjes së tij.”
Raporti Aitken gjithashtu iu referua problemeve të shkaktuara në Degën e Hetimeve Speciale, gjatë përpjekjeve për të hetuar akuzat serioze për abuzime, nga ndjenja e besnikërisë e bashkë-ushtarëve të cilat mund të çonin drejt mungesës së bashkëpunimit nga ana e personelit të Ushtrisë dhe drejt asaj që gjyqtari në gjyqin ushtarak mbi vrasjen e djalit të kërkuesit të gjashtë e kishte përshkruar si “muri i heshtjes” nga disa prej dëshmitarëve ushtarakë të ftuar për të dhënë dëshmi.
31. Pas përfundimit të hetimeve të Degës së Hetimeve Speciale, Dega e Hetimeve Speciale do t’i raportonte me shkrim Oficerit Komandues të njësitit të përfshirë. Një raport i tillë përfshinte një letër prezantuese dhe një përmbledhje të provave, së bashku me kopje të provave dokumentuese relevante për hetimet në formën e deklaratave nga dëshmitarët dhe hetuesit. Raporti nuk përmbante vendim mbi faktet apo përfundimet rreth asaj që kishte ndodhur. Oficeri Komandues kishte detyrën të vendoste nëse do t’ia referonte çështjen autoritetit të prokurorisë për gjykim të mundshëm nga gjyqi ushtarak.
32. Raporti Aitken (datë 25 janar 2008: shih paragrafin 69 poshtë) komentoi mbi ndjekjen penale të personelit të forcave të armatosura në lidhje me vdekjet e civilëve irakianë, si vijon:
“Janë hetuar katër raste që përfshinin vdekje të irakianëve si pasojë e abuzimit të qëllimshëm, dhe më pas i janë referuar Autoritetit Prokurorial Ushtarak (angl. APA) mbi bazën e faktit që kishte argumente prima facie që viktimat ishin vrarë në mënyrë të paligjshme nga trupat britanike. APA konfirmoi akuza kundër tre prej këtyre rasteve për të cilat ajo konsideronte që ekzistonte se kishte gjasa realiste për dënim, dhe që gjykimi ishte në interes të publikut dhe shërbimit; e megjithatë nuk është shënuar as edhe një dënim për vrasje apo vrasje pa paramendim.
Pozicioni i Ushtrisë është i drejtpërdrejtë në lidhje me çështjen e ndjekjes penale. Këshillim ligjor është në dispozicion për oficerët komandues dhe autoritetet e larta për të ndihmuar në vendimet për referimin e çështjeve të duhura tek APA. Drejtori i Shërbimeve Ligjore të Ushtrisë (angl. DALS), i cili përgjigjet para Adjutantit të Përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve ligjore për Ushtrinë, përveç të qenit i emëruar nga Mbretëresha si APA. Në atë cilësi, ai është përgjegjës për vendimet nëse do të dërgohen në gjyq të gjitha çështjet e referuara nga zinxhiri komandues ushtarak, dhe për ndjekjen penale të të gjitha çështjeve të gjykuara nga gjykata ushtarake, Gjykata Civile për krime jashtë vendit (Standing Civilian Court) dhe Gjykata Përmbledhëse e Apelit (angl. Summary Appeal Court) për ankesat para Gjykatës së Apelit të Gjyqit Ushtarak dhe Dhomës së Lordëve. DALS ua delegon këto funksione oficerëve të ALS të emëruar si prokurorë në APA, dhe Prokuroria e Brigadierëve mban përgjegjësi ditore për APA. APA ndodhet nën mbikqyrjen e përgjithshme të Prokurorit të Përgjithshëm dhe, me të drejtë, është e pavarur nga zinxhiri komandues i Ushtrisë: vetëm APA vendos nëse të drejtojë gjyqin ushtarak dhe akuzat e duhura, dhe as zinxhiri komandues i Ushtrisë, as Ministrat, zyrtarët dhe askush tjetër nuk mund t’i marrë ato vendime. Sado komplekse të jetë situata në të cilën gjendet Ushtria, ajo duhet të operojë brenda ligjit gjatë gjithë kohës; kur APA merr vendimin e saj (mbi bazën e provave dhe ligjit), Ushtria duhet të pranojë pasojat e ndjekjes penale të individëve të caktuar ose të akuzave të caktuara që mund të kenë ndikim negativ në reputacionin e saj.
Mungesa e dënimeve për vrasje ose vrasje të thjeshtë si rezultat i abuzimit të qëllimshëm në Irak mund të duket shqetësuese, por është e shpjegueshme. Duhet të mblidhen prova (dhe, siç është përmendur, ky nuk ishte proces i lehtë); ato prova duhet të paraqiten në gjykatë; dhe të pandehurit presupozohen të pafajshëm deri sa prokuroria të vërtetojë argumentet e tyre përtej dyshimit të arsyeshëm. Ky është test i zakonshëm – jo ndryshe prej atij që zbatohet në gjykatat civile. Në kontekst më të gjerë, rezultati i ndjekjes penale i sjellë në gjykatën ushtarake nga APA është pothuaj krejtësisht i krahasueshëm me ekuivalentin e gjykatave civile: për shembull, që nga fundi i vitit 2006, dënimet pas gjykimit nga gjyqi ushtarak ishin 12% në krahasim me 13% në Gjykatat e Kurorës Mbretërore (Crown Courts). Është e pashmangshme që disa ndjekje penale dështojnë; por kjo nuk do të thotë që ata nuk duhet të ishin nisur fare. Në fund të fundit, janë gjykatat ato që përcaktojnë fajin, dhe jo prokurorët. Në të vërtetë, fakti që vetëm një numër i vogël afro 200 çështjeve të hetuara nga Policia e Shërbimit në Irak rezultuan me ndjekje penale mund të interpretohet edhe si tregues pozitiv edhe si negativ: pozitiv në kuptimin që provat dhe historiku i çështjes nuk e mbështesnin preferimin e akuzave penale; negativ në kuptimin që e dimë se Policia e Shërbimit ka pasur pengesa të mëdha, në disa raste, në aftësinë për të mbledhur prova të standardit aq të lartë sa të rekomandohej akuza apo për të arritur ndjekjen penale me sukses të çështjeve.
Është me rëndësi të shënohet që asnjë prej këtyre nuk nënkupton që ka defekte në efikasitetin e elementeve kyçe të Sistemit të Drejtësisë Penale Ushtarake. Edhe Dega e Hetimeve Speciale e Policisë Ushtarake Mbretërore (angl. RMP(SIB)) edhe APA u inspektuan në mënyrë të pavarur gjatë vitit 2007. Inspeksioni i Policisë raportoi që ‘... Xhandarmëria e Inspektoratit të Madhërisë së Saj vlerëson që ‘... APA merr përsipër përgjegjësitë e saj në mënyrë të plotë dhe profesionale, shpesh në rrethana të vështira’, duke shtuar që 95.7% të vendimeve të dërguara në gjyq ishin të sakta për sa u përkiste provave, dhe 100% të vendimeve të dërguara në gjyq ishin si duhet të bazuara në interes të publikut dhe të shërbimit.”
E. Vdekjet e të afërmve të kërkuesve
33. Rrëfimet në vijim janë bazuar mbi deklaratën e dëshmitarëve të marra nga kërkuesit dhe ushtarët britanikë të përfshirë në secilin incident. Këto deklarata iu paraqitën gjykatave vendase dhe, për sa i përket të gjithë kërkuesve përveç kërkuesit të pestë, u përmblodhën në vendimet e tyre (veçanërisht në vendimin e Gjykatës së Divizionit).
1. Kërkuesi i parë
34. Kërkuesi i parë është vëllai i Hazim Jum’aa Gatteh Al-Skeini (“Hazim Al-Skeini”), i cili ishte 23 vjeç në kohën e vdekjes së tij. Hazim Al-Skeini ishte njëri prej dy irakianëve nga fisi Beini Skein të cilët u qëlluan për vdekje në zonën Al-Majidiyah të Basras pak para mesnatës më 4 gusht 2003 nga Rreshteri A, komandant i një patrulle britanike.
35. Në deklaratën e tij të dëshmitarit, kërkuesi i parë shpjegoi që, gjatë mbrëmjes në fjalë, pjesëtarë të ndryshëm të familjes së tij ishin mbledhur në shtëpinë e Al-Majidiyah për një ceremoni varrimi. Në Irak është zakon të qëllohet me armë gjatë funeralit. Kërkuesi i parë deklaroi që ai po merrej me pritjen e mysafirëve në shtëpi, teksa vinin për ceremoninë e varrimit, kur pa vëllain e tij të qëllohej për vdekje nga ushtarët britanikë ndërsa po ecte në rrugë drejt shtëpisë. Sipas kërkuesit të parë, vëllai i tij ishte i paarmatosur dhe ai ndodhej rreth dhjetë metra larg ushtarëve kur u qëllua dhe u vra. Një burrë tjetër që ishte bashkë me të po ashtu u vra. Ai nuk e kishte idenë pse ushtarët hapën zjarr.
36. Sipas rrëfimit britanik të incidentit, patrulla, që po afrohej në këmbë në një natë shumë të errët, dëgjoi të shtëna të shumta që vinin nga pjesë të ndryshme të Al-Majidiyah. Ndërsa patrulla u fut më thellë në fshat, ata panë dy burra irakianë në rrugë. Njëri ndodhej pesë metra larg Rreshterit A, i cili udhëhiqte patrullën. Rreshteri A pa që burri ishte i armatosur dhe po drejtonte armën drejt tij. Në errësirë, ishte e pamundur të shihej vendndodhja e burrit të dytë. Duke besuar që jeta e tij dhe e ushtarëve të tjerë të patrullës ishte në rrezik të menjëhershëm, Rreshteri A hapi zjarr mbi dy burrat pa paralajmërim verbal.
37. Të nesërmen, Rreshteri A hartoi një deklaratë me shkrim ku përshkruante incidentin. Kjo iu kalua Oficerit Komandues të batalionit të tij, Kolonelit G, i cili vlerësoi se incidenti hynte tek Rregullat e Angazhimit dhe shkroi një raport për atë qëllim. Koloneli G ia dërgoi raportin Brigadës, ku ai u mor në shqyrtim nga Brigadieri Moore. Brigadieri Moore pyeti nëse burri tjetër kishte drejtuar armën drejt patrullës. Koloneli G shkroi në një raport të mëtejshëm në lidhje me këtë çështje siç kërkoi Brigadieri Moore. Raporti origjinal nuk përmbahej në regjistrat e Brigadës. Pasi mori në konsideratë raportin e mëtejshëm të Kolonelit G, të cilin e shqyrtuan edhe shefi i tij i shtabit dhe këshilltari i tij ligjor, Brigadieri Moore u bind që veprimet e Rreshterit A hynin tek Rregullat e Angazhimit kështu që ai nuk urdhëroi hetime të mëtejshme.
38. Më 11, 13 dhe 16 gusht 2003 Koloneli G u takua me pjesëtarët e fisit të burrit të vdekur. Ai shpjegoi përse Rreshteri A kishte hapur zjarr dhe bëri një donacion humanitar për fisin prej 2,500 dollarë amerikanë nga Komisioni i Pagesës së Vullnetit të Mirë në kuadër të Ushtrisë Britanike, së bashku me një letër ku shpjegoheshin rrethanat e vdekjeve, dhe pranoi që të vdekurit nuk kishin pasur qëllim të sulmonin askënd.
2. Kërkuesja e dytë
39. Kërkuesja e dytë është e veja e Muhammad Salim, i cili u qëllua për vdekje nga Rreshteri C pak pas mesnatës më 6 nëntor 2003.
40. Kërkuesja e dytë nuk ishte aty kur u qëllua bashkëshorti i saj dhe dëshmia e saj bazohej mbi tregimet e të pranishmëve aty. Ajo deklaroi që më 5 nëntor 2003, gjatë Ramazanit, Muhammad Salim shkoi të vizitonte kunatin e tij në Basra. Rreth orës 11:30 të natës, ushtarët britanikë i mësynë shtëpisë për ta bastisur. Ata thyen derën ballore të hyrjes. Një prej ushtarëve britanikë erdhi ballë për ballë me bashkëshortin e kërkueses së dytë në korridorin e shtëpisë dhe e qëlloi një herë duke e goditur në bark. Ushtarët britanikë e dërguan në spitalin ushtarak çek, ku ai vdiq më 7 nëntor 2003.
41. Sipas tregimit të britanikëve në lidhje me ngjarjen, patrulla kishte marrë informacione nga një i njohur i njërit prej përkthyesve të tyre që një grup burrash të armatosur me armë me tyta të gjata, granata dhe granatahedhës ishin parë të hynin në shtëpi. U lëshua urdhri për një operacion të shpejtë bastisjeje dhe arrestimi. Kur patrulla nuk arriti të hynte brenda pasi trokiti, atëherë thyen derën. Rreshteri C hyri në shtëpi përmes derës kryesore bashkë me dy ushtarë të tjerë dhe siguruan dhomën e parë. Kur hyri në dhomën e dytë ai dëgjoi të shtëna automatike që vinin nga brenda shtëpisë. Kur Rreshteri C lëvizi përpara drejt dhomës tjetër në fund të shkallëve, dy burra të armatosur me armë me tyta të gjata u sulën poshtë shkallëve drejt tij. Nuk pati kohë për të dhënë paralajmërim verbal. Rreshteri C besoi që jeta e tij ishte në rrezik të menjëhershëm. Ai qëlloi një herë burrin që ishte përpara, bashkëshorti i kërkueses së dytë, dhe e goditi në bark. Më pas ai ia drejtoi armën e tij burrit të dytë i cili e hodhi armën. Familja e kërkueses më pas informoi patrullën që ishin juristë dhe kishin mosmarrëveshje me një familje tjetër juristësh në lidhje me pronësinë e disa zyrave, për këtë shkak ata ishin sulmuar dy herë me armë dhe e kishin lajmëruar incidentin në polici, njëri tre ditë më herët dhe tjetri vetëm 30 minuta më para hyrjes së patrullës me forcë.
42. Më 6 nëntor 2003 Komandanti i Kompanisë bëri një raport në lidhje me incidentin. Ai konkludoi që patrullës i ishin dhënë informacione fals me qëllim nga pala e kundërt e mosmarrëveshjes. Pasi shqyrtoi raportin dhe diskutoi me Komandantin e Kompanisë, Koloneli G erdhi në përfundimin që incidenti hynte nën Rregullat e Angazhimit dhe nuk kërkonte hetime të mëtejshme nga Dega e Hetimeve Speciale. Prandaj, ai hartoi një raport për atë qëllim po të njëjtën ditë dhe ia dërgoi Brigadës, u raporti u shqyrtua nga Gjeneral Brigadieri Jones. Brigadieri Jones e diskutoi çështjen me këshilltarin e tij ligjor. Si pasojë, Brigadieri jones gjithashtu konkludoi që kjo ishte çështje e drejtpërdrejtë që hynte tek Rregullat e Angazhimit dhe lëshoi menjëherë një raport për këtë qëllim. Kërkuesja, e cila kishte tre fëmijë të vegjël dhe një vjehërr plakë që duhet t’i mbante, mori 2000 dollarë nga Komisioni i Pagesës së Vullnetit të Mirë të Ushtrisë Britanike, bashkë me një letër ku shpjegoheshin rrethanat e vrasjes.
3. Kërkuesi i tretë
43. Kërkuesi i tretë është i veu i Hannan Mahaibas Sadde Shmailawi, e cila u qëllua dhe u plagos për vdekje më 10 nëntor 2003 në Institutin e Edukimit në zonën Al-Maaqal të Basras, ku kërkuesi i tretë punonte si portier i natës dhe jetonte me gruan dhe familjen e tij.
44. Sipas deklaratës së dëshmitarit të kërkuesit të tretë, rreth orës 8:00 të mbrëmjes në fjalë, ai dhe familja e tij ishin ulur në tavolinën e bukës kur papritmas u dëgjua një batare të shtënash mitralozi prej jashtë ndërtesës. Plumbat goditën bashkëshorten e tij në kokë dhe në nyjet e këmbëve dhe njërin prej fëmijëve të tij në krah. Gruaja e kërkuesit dhe fëmija u dërguan në spital, ku fëmija u shërua por gruaja vdiq.
45. Sipas versionit britanik të incidentit, bashkëshortja e kërkuesit të tretë u qëllua gjatë një përleshjeje me armë zjarri mes një patrulle britanike dhe një grupi personash të panjohur të armatosur. Kur zona u ndriçua me pishtarë fluturues, të paktën tre persona me armë me tyta të gjata u panë në tokë të hapur, dy prej të cilëve ishin duke qëlluar pikërisht drejt ushtarëve britanikë. Një prej personave të armatosur u qëllua për vdekje gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me patrullën. Pas rreth shtatë deri në dhjetë minutash të shtënat pushuan dhe personat e armatosur u panë duke ikur me vrap. Një grua (bashkëshortja e kërkuesit të tretë) me lëndime në kokë dhe një fëmijë me lëndime në krah u gjetën pas kontrollit të ndërtesave. Të dy u dërguan në spital.
46. Të nesërmen në mëngjes, Komandanti i Kompanisë shkroi një raport lidhur me incidentin, së bashku me deklaratat nga ushtarët e përfshirë. Pasi shqyrtoi raportin dhe deklaratat, Koloneli G arriti në përfundimin që incidenti hynte tek Rregullat e Angazhimit dhe nuk kërkoi hetime të mëtejshme nga Dega e Hetimeve Speciale. Ai përgatiti raportin përkatës të cilin ia dorëzoi Brigadës. Raporti u shqyrtua nga Brigadieri Jones, i cili po ashtu e diskutoi çështjen me zëvendës shefin e shtabit të tij, me këshilltarin e tij ligjor dhe me Kolonelin G. Si rezultat, Brigadieri Jones arriti në përfundimin që incidenti hynte tek Rregullat e Angazhimit dhe nuk kërkoi hetime të mëtejshme.
4. Kërkuesi i katërt
47. Kërkuesi i katërt është vëllai i Waleed Sayay Muzban, 43 vjeçar, i cili u qëllua dhe u plagos për vdekje natën e 24 gushtit 2003 nga Tetari Rreshter C në zonën Al-Maqaal të Basras.
48. Kërkuesi i katërt nuk ishte aty kur u vra vëllai i tij, por ai pretendon që fqinjët e tij qenë dëshmitarë të incidentit. Në deklaratën e tij të dëshmitarit ai tha që me sa kishte mësuar ai vëllai i tij kishte qenë duke u kthyer në shtëpi nga puna rreth orës 8:30 të darkës në fjalë. Ai ishte duke drejtuar një minibus në një rrugë të quajtur Souq Hitteen, afër vendit ku ai dhe kërkuesi jetonin. Pa ndonjë arsye të dukshme, sipas deklaratës së kërkuesit, minibusi “u mbulua nga një perde plumbash”, ku si pasojë Waleed u plagos për vdekje në kraharor dhe bark.
49. Tetari Rreshter S ishte pjesëtar i patrullës që po zhvillonte kontrolle rreth perimetrit të një baze ushtarake të Koalicionit (Fort Apache), ku tre oficerë të Policisë Ushtarake Mbretërore ishin vrarë me armë zjarri nga një automjet një ditë më parë. Sipas rrëfimit të ushtarëve britanikë në lidhje me incidentin, Tetari Rreshter S u bë shumë dyshues për një minibus me perde në dritaret e tij, që po vinte drejt patrullës me shpejtësi të vogël dhe me dritat e përparme të ulura. Kur automjetit iu bë shenjë të ndalonte, u duk që ai u përpoq t’i shmangej ushtarëve kështu që Tetari Rreshter S drejtoi armën nga drejtuesi i mjetit dhe e urdhëroi të ndalonte. Më pas automjeti ndaloi dhe Tetari Rreshter S u afrua tek dera e shoferit dhe përshëndeti shoferin (vëllain e kërkuesit të katërt). Shoferi i mjetit reagoi në mënyrë agresive dhe u duk se po u bërtiste njerëzve prapa tij në pjesën e mbuluar me perde të pjesës së pasme të automjetit. Kur Tetari Rreshter S u përpoq të shihte në pjesën e pasme të automjetit, shoferi e shtyu duke e grushtuar në gjoks. Më pas shoferi u bërtiti njerëzve në pjesën e pasme të automjetit dhe ia kapi armën Tetarit Rreshter S. Ky i fundit u desh të përdorte forcë për t’u çliruar. Më pas shoferi i dha gaz automjetit dhe u largua duke dredhuar në drejtim të pjesëtarëve të tjerë të patrullës ndërkohë që shkonte tutje. Tetari Rreshter S qëlloi gomat e automjetit dhe ai ndaloi rreth 100 metra larg patrullës. Shoferi u kthye dhe përsëri i bërtiti pjesës së pasme të automjetit. Ai u duk që po kërkonte të merrte një armë. Tetari Rreshter S besoi që skuadra e tij ishte në rrezik zjarri nga shoferi dhe personat në automjet. Prandaj ai qëlloi afro pesë të shtëna në shënjestër. Ndërkohë që automjeti shpejtoi sërish, Tetari Rreshter S qëlloi edhe dy të shtëna drejt pjesës së pasme të automjetit. Pas një intervali të shkurtër, automjeti frenoi dhe u ndal. Shoferi doli jashtë dhe u bërtiti ushtarëve britanikë. Ai u urdhërua të shtrihej në tokë. Më pas patrulla u afrua për të kontrolluar për persona të tjerë të armatosur. Automjeti doli që ishte i zbrazët. Shoferi u pa se kishte marrë tre plumba në shpinë dhe në ije. Atij iu dha ndihma e shpejtë dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak çek ku vdiq më vonë gjatë asaj dite apo ditën e nesërme.
50. Dega e Hetimeve Speciale filloi hetimet më 29 gusht 2003. Hetuesit mblodhën copëzat e plumbave, gëzhojat e zbrazura dhe bënë fotografi dixhitale të vendit të ngjarjes. Automjeti u mor dhe u transportua në Mbretërinë e Bashkuar. Trupi i të vdekurit iu kthye familjes për varrim dhe nuk u zhvillua autopsia, kështu që Dega e Hetimeve Speciale mori deklarata nga dy prej kirurgëve irakianë që e operuan atë. U organizua një takim me familjen për të kërkuar pëlqimin e tyre për zhvarrosjen dhe autopsinë, por kjo u vonua. Nëntë dëshmitarë ushtarakë të përfshirë në ngjarje u intervistuan dhe prej tyre u morën deklarata, dhe katër individë të tjerë u intervistuan por doli që nuk kishin prova për të ofruar. Megjithatë, Tetari Rreshter S nuk u mor në pyetje. Meqenëse ai dyshohej nga Dega e Hetimeve Speciale të kishte vepruar në kundërshtim me Rregullat e Angazhimit, ishte praktikë e Degës së Hetimeve Speciale që të mos intervistohej ai deri sa të kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar. Ekzaminimi mjeko-ligjor i vendit të ngjarjes u zhvillua më 6 shtator 2003.
51. Më 29 gusht 2003, Koloneli G i dërgoi raportin fillestar lidhur me incidentin Brigadierit Moore. Në raport ai thoshte që ishte i bindur se Tetari Rreshter S besonte se kishte vepruar në mënyrë të ligjshme brenda Rregullave të Angazhimit. Megjithatë, Koloneli G shprehu mendimin që ishte një çështje komplekse e cila kërkonte hetime nga Dega e Hetimeve Speciale. Pasi Brigadieri Moore shqyrtoi raportin e Kolonelit G, e diskutoi çështjen me Zëvendës Shefin e Shtabit të tij dhe mori këshillim ligjor, u vendos që çështja mund të zgjidhej me anë të hetimeve në nivel njësiti, pasi t’u jepej përgjigje bindëse disa çështjeve të caktuara. Si rezultat, Koloneli G shkroi një raport tjetër të datuar 12 shtator 2003, ku ai diskutonte çështjet e ndryshme të ngritura dhe arrinte në përfundimin se hetimet e Degës së Hetimeve Speciale nuk ishin më të nevojshme. Pasi e diskutoi çështjen përsëri me Zëvendës Shefin e Shtabit të tij dhe më këshilltarin ligjor, Brigadieri Moore arriti në përfundimin që çështja hynte nën Rregullat e Angazhimit.
52. Deri në këtë fazë, Brigadieri Moore ishte informuar që Dega e Hetimeve Speciale kishte filluar hetimet lidhur me incidentin. Më 17 shtator 2003, Koloneli G i shkroi Degës së Hetimeve Speciale duke i kërkuar që t’i ndërpriste hetimet. E njëjta kërkesë u bë nga Brigradieri Moore përmes Shefit të tij të Shtabit gjatë një takimi me Oficerin e Lartë Hetimor nga Dega e Hetimeve Speciale. Hetimet e Degës së Hetimeve Speciale u ndërprenë më 23 shtator 2003. Familja e të vdekurit mori 1400 dollarë nga Komisioni i Pagesës së Vullnetit të Mirë të Ushtrisë Britanike dhe 3000 dollarë të tjerë kompensim për minibusin.
53. Pas kërkesës së kërkuesit të katërt për shqyrtim gjyqësor (shih paragrafin 73 poshtë), çështja u shqyrtua nga oficerët e lartë hetimorë të Degës së Hetimeve Speciale dhe u mor vendim që të rihapeshin hetimet. Hetimet rifilluan më 7 qershor 2004 dhe përfunduan më 3 dhjetor 2004, pavarësisht nga vështirësitë e shkaktuara nga kushtet shumë të rrezikshme në Irak në atë kohë.
54. Pas përfundimit të hetimeve, Dega e Hetimeve Speciale i raportoi Oficerit Komandues të ushtarëve, i cili ia referoi çështjen Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë në shkurt 2005. Autoriteti Prokurorial i Ushtrisë vendosi që duhet të mbahej një ekzaminim formal paraprak i dëshmitarëve, në mënyrë që të qartësoheshin pasiguritë dhe gjërat e paqarta në prova. Autoriteti Prokurorial i Ushtrisë mori deklarata nga ushtarët që kishin qenë dëshmitarë të të shtënave, dhe të cilët ishin dëshmitarët e vetëm. U mor këshillim nga një këshilltar i lartë i pavarur, i cili tha se nuk kishte gjasa reale për dënim meqenëse nuk kishte gjasa reale që të konstatohej se Tetari Rreshter S nuk kishte shtënë në vetëmbrojtje. Dosja iu dërgua Prokurorit të Përgjithshëm, i cili vendosi të mos ushtronte juridiksionin e tij për të urdhëruar ndjekjen penale.
5. Kërkuesi i pestë
55. Kërkuesi i pestë është babai i Ahmed Jabbar Kareem Ali, i cili vdiq më 8 maj 2003, në moshën 15 vjeçare.
56. Sipas deklaratave të kërkuesit të pestë në procedurat gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar, më 8 maj 2003 djali i tij nuk u kthye në shtëpi në ora 1:30 të drekës siç pritej. Kërkuesi i pestë doli ta kërkonte në Sheshin Al-Saad, ku iu tha që ushtarët britanikë kishin arrestuar disa të rinj irakianë më herët gjatë asaj dite. Kërkuesi vazhdoi të kërkonte djalin e tij dhe u kontaktua të nesërmen në mëngjes nga A, një i ri tjetër irakian, i cili i tregoi që ai, djali i kërkuesit dhe dy të tjerë ishin arrestuar nga ushtarët britanikë një ditë më parë, ishin rrahur dhe ishin detyruar të hynin në ujërat e Shatt Al-Arab. Më vonë, më 9 maj 2003, vëllai i kërkuesit informoi “policinë britanike” lidhur me incidentin dhe iu kërkua të dorëzonte kartën e identitetit të Ahmedit. Pasi priti dhe kërkoi me ditë të tëra, kërkuesi e gjeti trupin e djalit të tij në ujë më 10 maj 2003.
57. Kërkuesi menjëherë e mori trupin e djalit të tij dhe e dërgoi në “stacionin e policisë britanike”, ku iu tha që duhet ta dërgonte trupin në spitalin lokal. Mjeku irakian që ishte në detyrë i tha kërkuesit që nuk ishte i kualifikuar të kryente autopsi dhe që nuk kishte patologë në dispozicion. Kërkuesi vendosi ta varroste djalin e tij, meqenëse sipas praktikës islame trupi duhet të varroset brenda 24 orëve pas vdekjes.
58. Rreth 10 – 15 ditë pas varrimit të djalit të tij, kërkuesi u kthye në “stacionin e policisë britanike” për të kërkuar zhvillimin e hetimeve, por u informua që nuk ishte puna e “policisë britanike” të merrej me çështje të tilla. Ai u kthye në “stacionin e policisë” pas disa ditësh, dhe u informua që Policia Ushtarake Mbretërore donte të takohej me të dhe që ai duhet të shkonte në Pallatin Presidencial. Të nesërmen kërkuesi u takua me oficerët e Degës së Hetimeve Speciale në Pallatin Presidencial dhe u informua që do të fillonin hetimet.
59. Dega e Hetimeve Speciale intervistoi A dhe mori deklaratë prej tij. Dega mori deklarata nga kërkuesi dhe anëtarë të tjerë të familjes. Të paktën një muaj pas incidentit, hetuesit shkuan në Sheshin Al-Saad dhe gjetën rrobat që i përkisnin djalit të kërkuesit dhe të rinjve të tjerë që ishin arrestuar në të njëjtën kohë. Pas përfundimit të 40 ditëve të zisë, kërkuesi ra dakord që trupi i djalit të tij të zhvarrosej për t’u bërë autopsia, por në atë pikë nuk ishte e mundur të konstatohej nëse Ahmedi ishte rrahur para vdekjes apo cili kishte qenë shkaku i vdekjes. Kërkuesi thotë që atij nuk iu shpjeguan kurrë gjetjet e autopsisë dhe që ai nuk është mbajtur i informuar rreth hetimeve në përgjithësi, meqenëse shumë prej dokumenteve që i janë dhënë ishin në gjuhën angleze ose të përkthyera keq në arabisht.
60. Kërkuesi pretendon që 18 muaj pas zhvarrosjes së trupit të djalit të tij ai nuk ka pasur fare kontakt me hetuesit. Në gusht 2005 ai u informua që katër ushtarë ishin akuzuar për vrasje dhe që gjyqi do të mbahej në Angli. Gjyqi ushtarak u mbajt mes shtatorit 2005 dhe majit 2006. Deri në atë kohë, tre prej shtatë ushtarëve që ishin akuzuar për këto vrasje u larguan nga ushtria, dhe dy të tjerë mungonin pa leje. Pala e akuzës argumentoi që ushtarët kishin ndihmuar policinë irakiane të arrestonte katër të rinjtë që dyshoheshin për plaçkitje dhe që ata i kishin çuar me makinë pranë lumit ku nën tytën e armëve i kishin detyruar që “t’u jepnin një mësim të mirë”. Kërkuesi dhe A dëshmuan në gjyqin ushtarak në prill 2006. Kërkuesi e gjeti procesin gjyqësor të ngatërruar dhe frikësues dhe iu krijua përshtypja që gjykata ishte e njëanshme në favor të të akuzuarve. A dha dëshmi që djali i kërkuesit ishte dukur i dëshpëruar në ujë, por që ushtarët ishin larguar me makinë pa e ndihmuar. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të identifikonte të pandehurit si ushtarët e përfshirë. Të pandehurit e mohuan përgjegjësinë për vdekjen e tij dhe u liruan nga akuzat sepse dëshmia e A u gjet si e papërputhshme dhe e pabesueshme.
61. Çështja e djalit të kërkuesit ishte një prej gjashtë çështjeve të hetuara në Raportin Aitken (shih paragrafin 69 poshtë). Nën kokën “Nxjerrja e Mësimeve nga Çështjet e Disiplinës” Raporti deklaron:
“... e dimë që dy Raportet Policore Fillestare u hartuan në maj 2003 në lidhje me akuzat që, në dy raste të veçanta por brenda një harku kohor prej dy javësh, irakianë ishin mbytur në Shat’ al-Arab në duart e ushtarëve britanikë. Fakti që njëri prej këtyre rasteve nuk shkoi në gjyq nuk është relevant: në atë kohë, u pretendua se kishte ndodhur një ngjarje kinëse e pazakontë dy herë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Me gjithë detyrat e tjera, komandantët në terren logjikisht nuk mund të fajësohen për dështimin e identifikimit të asaj që kishte qenë duke ndodhur; por një sistem më i shpejtë dhe efektiv për referimin e këtij lloj informacioni tek të tjerët me kapacitet për ta analizuar mund ta kishte identifikuar këtë tendencë. Në fakt, provat sugjerojnë që këto ishin dy incidente të izoluara; por mund të kishin qenë simptoma të një dështimi më të thellë, mund të ishin anashkaluar. Nëse e krahasojmë me një situatë sikur të kishte pasur dy raporte në lidhje me një armë të re të përdorur nga kryengritësit për të sulmuar automjetet e blinduara britanike brenda dy javëve, është e sigurt që procesi i Mësimeve të Nxjerra do të kishte identifikuar domethënien e tij, do të kishte përcaktuar kundër-masat e nevojshme për ta luftuar atë, dhe do të kishte shpërndarë me shpejtësi procedurat e reja për të zvogëluar rrezikun. Fakti që ky proces nuk zbatohet në rastet disiplinore shpjegohet vetëm pjesërisht nga nevoja për konfidencialitet dhe ruajtje të provave; por është dështim në proces që mund të rregullohej lehtë pa komprometuar parimin themelor të pafajësisë deri në vërtetimin e fajësisë.”
Raporti vazhdonte, nën titullin “Vonesa”:
“Sasia e kohës që merr zgjidhja e disa prej çështjeve me të cilat merret raporti ka qenë e papranueshme. ... Gjyqi ushtarak në lidhje me vdekjen e Ahmet Jabeer Kareem nuk u mblodh deri në shtator 2005, 28 muaj pas vdekjes së tij; deri në atë kohë, tre prej shtatë ushtarëve të cilët ishin akuzuar për vrasjen e tij ishin larguar nga Ushtria, dhe dy të tjerë mungonin pa leje.
Në shumicën e rasteve, është e papërshtatshme që Ushtria të ndërmarrë veprime administrative kundër ndonjë oficeri apo ushtari pa përfunduar procesi disiplinor, për shkak të rrezikut të paragjykimit të gjyqit. Kur ai proces disiplinor merr kaq gjatë sa ka marrë në shumicën e këtyre rasteve, atëherë impakti i sanksioneve administrative vijuese do të reduktohet në mënyrë të konsiderueshme – në fakt, sanksione të tilla me gjasë do të jenë kundërproduktive. Për më tepër, sa më gjatë të marrë procesi disiplinor, aq më pak gjasa ka që zinxhiri i komandës të marrë veprime proaktive për të korrigjuar çështjet që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve.”
62. Kërkuesi i pestë filloi procedura civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes për dëmshpërblim në lidhje me vdekjen e djalit të tij. Kërkesa u vendos pa seancë, duke i paguar 115,000 Paund më 15 dhjetor 2008. Më tej, më 20 shkurt 2009 Gjeneral Major Cubbit i shkroi kërkuesit të pestë dhe i kërkoi zyrtarisht falje në emër të Ushtrisë Britanike për rolin e saj në vdekjen e djalit të tij.
6. Kërkuesi i gjashtë
63. Kërkuesi i gjashtë është Kolonel i forcës policore në Basrah. Djali i tij, Baha Mousa, ishte 26 vjeçar kur vdiq gjatë kohës që ishte i ndaluar nga Ushtria Britanike, tre ditë pasi ishte arrestuar nga ushtarët më 14 shtator 2003.
64. Sipas kërkuesit të gjashtë, natën e 13/14 shtatorit 2003 djali i tij kishte qenë duke punuar si recepsionist në Hotel Ibn Al-Haitham në Basrah. Herët në mëngjesin e datës 14 shtator, kërkuesi shkoi në hotel për të marrë djalin nga puna. Pasi arriti aty ai pa që një njësit britanik kishte rrethuar hotelin. Djali i kërkuesit dhe gjashtë punëtorë të tjerë të hotelit ishin të shtrirë në hollin e hotelit me duart pas kokës. Kërkuesi i shprehu shqetësimin e tij togerit që ishte përgjegjës për operacionin, i cili e siguroi që ishte një hetim rutinor dhe do të përfundonte brenda pak orësh. Ditën e tretë pasi djali i tij ishte marrë në burg, kërkuesi i gjashtë u vizitua nga njësiti i Policisë Ushtarake Mbretërore. Atij iu tha që djali i tij ishte vrarë gjatë kohës që mbahej i ndaluar në bazën ushtarake britanike në Basrah. Atij iu kërkua të identifikonte trupin. Trupi dhe fytyra e djalit të kërkuesit ishin të mbuluar me gjak dhe mavijosje; hunda e tij ishte e thyer dhe një pjesë e lëkurës së fytyrës ishte shqyer.
65. Një nga punëtorët e tjerë të hotelit që u arrestua më 14 shtator 2003 tha në deklaratën e tij të dëshmitarit të përgatitur për procedurat në gjykatën vendase në Mbretërinë e Bashkuar që, pasi të burgosurit kishin arritur në bazë, të ndaluarve irakianë ua kishin mbuluar fytyrën dhe kokën, ishin detyruar të qëndronin në pozicion të ngrirë, ishin lënë pa ushqim dhe ujë, dhe ishin shkelmuar dhe rrahur. Gjatë ndalimit, Baha Mousa ishte marrë në një dhomë tjetër, prej ku ishte dëgjuar të klithte dhe të rënkonte.
66. Vonë më 15 shtator 2003, Brigadieri Moore, i cili kishte marrë pjesë në operacionin në të cilin ishin arrestuar punëtorët e hotelit, u informua që Baha Mousa kishte vdekur dhe që të ndaluarit e tjerë ishin keqtrajtuar. Dega e Hetimeve Speciale u thirr menjëherë të hetonte vdekjen. Meqenëse spitalet lokale ishin në grevë, u soll një patolog me avion nga Mbretëria e Bashkuar. Baha Mousa u gjet se kishte 93 lëndime të identifikueshme në trupin e tij dhe u konstatua se kishte vdekur nga asfiksia. Tetë irakianë të tjerë po ashtu ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ku dy prej tyre kishin kërkuar kujdes mjekësor në spital. Hetimet përfunduan në prill 2004 dhe raporti iu shpërnda zinxhirit të komandës së njësitit.
67. Më 14 dhjetor 2004 Gjykata e Divizionit deklaroi që hetimet rreth vdekjes së djalit të kërkuesit nuk kishin qenë efektive (shih paragrafin 77 poshtë). Më 21 dhjetor 2005 Gjykata e Apelit vendosi t’ia kthente çështjen Gjykatës së Divizionit meqenëse kishte pasur zhvillime të reja (shih paragrafin 81 poshtë).
68. Më 19 korrik 2005 shtatë ushtarë britanikë u akuzuan për vepra penale në lidhje me vdekjen e Baha Mousa. Më 19 shtator 2006, në fillim të gjyqit ushtarak, njëri prej ushtarëve u vetdeklarua fajtor për krimin e luftës të trajtimit çnjerëzor por jo fajtor për vrasje. Më 14 shkurt 2007 u rrëzuan akuzat kundër katër prej shtatë ushtarëve dhe më 13 mars 2007 dy ushtarët e tjerë u liruan nga akuzat. Më 30 prill 2007 ushtari i dënuar për trajtim çnjerëzor u dënua me një vit burgim dhe përjashtim nga Ushtria.
69. Më 25 janar 2008 Ministria e Mbrojtjes publikoi një raport të shkruar nga Brigadieri Robert Aitken në lidhje me gjashtë rastet e pretendimeve për abuzim të qëllimshëm dhe vrasje të civilëve irakianë, përfshirë vdekjet e djemve të kërkuesve të pestë dhe të gjashtë (“Raporti Aitken”).
70. Kërkuesi filloi procedurat civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat përfunduan në korrik 2008 me njohjen formale dhe publike të përgjegjësisë dhe pagesën e dëmshpërblimit në shumën 575,000 Paund.
71. Në një deklaratë në Parlament më 14 maj 2008 Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen shpalli që do të zhvilloheshin hetime publike në lidhje me vdekjen e Baha Mousa. Hetimet kryesohen nga një gjyqtar i pensionuar i Gjykatës së Apelit, me kushtet e mëposhtme:
“Për të hetuar dhe raportuar mbi rrethanat e vdekjes së Baha Mousa dhe trajtimin e atyre që u ndaluan bashkë me të, duke marrë parasysh hetimet që tashmë janë zhvilluar, në mënyrë të veçantë ku qëndronte përgjegjësia për miratimin e praktikave të kushtëzimit të të burgosurve nga anëtarët e Batalionit të Parë, Regjimentit Queen’s Lancashire në Irak në vitin 2003, dhe për të dhënë rekomandime.”
Në kohën e miratimit të vendimit në fjalë, Hetimet kishin përfunduar me seancat dëgjimore verbale, por ende nuk ishte dorëzuar raporti.
F. Procedurat në vend sipas Ligjit për të Drejtat e Njeriut
1. Gjykata e Divizionit (angl. Divisional Court)
72. Më 26 mars 2004, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen vendosi, në lidhje me vdekjet e 13 civilëve irakianë përfshirë të afërmit e gjashtë kërkuesve, që (1) të mos zhvillonte hetime të pavarura rreth vdekjeve; (2) të mos pranonte përgjegjësinë për vdekjet; (3) të mos paguante shpërblim të drejtë.
73. Trembëdhjetë kërkuesit bënë kërkesë për rishikim gjyqësor të këtyre vendimeve, duke kërkuar deklarata që edhe detyrimet procedurale edhe ato substanciale të nenit 2 (dhe, në rastin e kërkuesit të gjashtë, nenit 3) të Konventës ishin shkelur si pasojë e vdekjeve dhe e refuzimit nga Sekretari i Shtetit të urdhërimit të hetimeve. Më 11 maj 2004 një gjyqtar i Gjykatës së Divizionit urdhëroi që gjashtë test-çështjet të vazhdonin më tej në seancë dëgjimore (përfshirë çështjet e kërkuesve të parë, dytë, tretë, katërt dhe të gjashtë) dhe që shtatë çështjet e tjera (përfshirë atë të kërkuesit të pestë) të pezulloheshin në pritje të zgjidhjes së çështjeve paraprake.
74. Më 14 dhjetor Gjykata e Divizionit refuzoi kërkesat e katër kërkuesve të parë por pranoi kërkesën e kërkuesit të gjashtë ([2004] EWHC 2911 (Admin)). Pas shqyrtimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës, sidomos të çështjes Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve [GC] (vend.), nr. 52207/99, KEDNJ 2001-XII, ajo u shpreh se, në thelb, juridiksioni sipas nenit 1 të Konventës ishte territorial, megjithëse kishte përjashtime. Një përjashtim vlente kur një Shtet Palë kishte kontroll efektiv mbi një zonë të caktuar jashtë territorit të tij. Baza e juridiksioni zbatohej vetëm kur territori i një Shteti Kontraktues kontrollohej nga një Shtet tjetër Kontraktues, meqenëse Konventa operonte në thelb me sferën e vet rajonale dhe nuk lejonte zbrazëti brenda asaj hapësire. Prandaj, kjo bazë juridiksioni nuk mund të zbatohej në Irak.
75. Kishte edhe një përjashtim tjetër, i cili dilte nga ushtrimi i autoritetit nga agjentët e një Shteti Kontraktues kudo në botë, por kjo ishte e kufizuar në raste specifike të njohura nga e drejta ndërkombëtare dhe të identifikuara si pjesë-pjesë në praktikën gjyqësore të Gjykatës. Asnjë arsyetim i përgjithshëm në lidhje me këtë grup përjashtimesh nuk dallonte nga praktika gjyqësore e Gjykatës. Megjithatë, çështjet e njohura deri tani dilnin nga ushtrimi i autoritetit të Shtetit në ose nga një vendndodhje që kishte cilësi diskrete pothuaj-territoriale, ose aty ku prania e agjentëve të Shtetit në Shtetin e huaj ishte me pëlqimin e këtij të fundit dhe mbrohej nga e drejta ndërkombëtare, siç janë ambasadat, konsullatat, mjetet detare dhe të aviacionit të regjistruara në Shtetin përgjegjës. Një burg ushtarak britanik, që operon në Irak me pëlqimin e autoriteteve sovrane të Irakut dhe ku mbahen të dyshuar që arrestohen, mund të hynte te ky përjashtim i ngushtë. Ishte e diskutueshme që çështja Öcalan kundër Turqisë, nr. 46221/99, 12 mars 2003, po ashtu hynte në këtë kategori, meqenëse kërkuesi ishte arrestuar në një avion turk dhe ishte dërguar menjëherë në Turqi. Megjithatë, Gjykata e Divizionit nuk mori në konsideratë faktin që vendimi i Dhomës në çështjen Öcalan duhet trajtuar si “ndriçues” (sqarues), meqenëse Turqia nuk kishte ngritur kundërshtime për mungesë juridiksioni në fazën e pranueshmërisë.
76. Rrodhi që vdekjet si rezultat i operacioneve ushtarake në terren, si ato për të cilat janë ankuar katër kërkuesit e parë, nuk hynin nën juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 të Konventës, por që vdekja e djalit të kërkuesit të gjashtë, në një burg ushtarak britanik, hynte aty. Gjykata e Divizionit më tej u shpreh se fushëveprimi i Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998 ishte identik me atë të Konventës për këto qëllime.
77. Gjykata gjeti që kishte pasur shkelje të detyrës hetimore nga nenet 2 dhe 3 të Konventës në lidhje me djalin e kërkuesit të gjashtë sepse, deri në korrik 2004, rreth 10 muaj pas vrasjes, rezultatet e hetimeve ishin të panjohura dhe pa asnjë përfundim. Vendimi komentoi që:
“329. ... Megjithëse ka pasur prova të një natyre pak a shumë të përgjithshme lidhur me vështirësitë e zhvillimit të hetimeve në Irak në atë kohë – rreth problemeve themelore të sigurisë që kishte që të shkohej në shtëpitë e njerëzve për të intervistuar persona të ndryshëm, për mungesën e përkthyesve, dallimet kulturore, probleme logjistike, mungesa e të dhënave, e kështu me radhë – pa u kuptuar mirë rezultati i raportit [të Degës së Hetimeve Speciale’], është e pamundur të kuptohet se çfarë relevance, nëse po, ka e tërë kjo me një vdekje e cila ka ndodhur jo në autostradat apo rrugët e Irakut, por në një burg ushtarak nën kontrollin e forcave britanike. ...
330. Megjithëse Kapitenia Logan thotë që paradat e identifikimit ishin logjistikisht shumë të vështira, të burgosurit ishin lëvizur në vende të ndryshme, dhe disa dëshmitarë ushtarakë ishin kthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ajo thotë gjithashtu se këto probleme vetëm e kanë vonuar procesin por nuk e kanë ndaluar që ai të vazhdonte në mënyrë “të kënaqshme”... Nuk ka asgjë para nesh që shpjegon ngathtësinë e procesit hetimor: i cili mbase mund të krahasohet me përparimin, dhe analizën e thellë publike, të cilën siç e kemi vërejtur duket të jetë arritur me hetime të tjera që dalin nga veprat e mundshme në burgjet e kontrolluara nga forcat amerikane. Për sa i përket vetë raportit të [Degës së Hetimeve Speciale], në lidhje me provat që kemi përpara ... ai nuk do të përmbante ndonjë vendim lidhur me faktet apo ndonjë përfundim lidhur me atë që ka ndodhur apo mund të ketë ndodhur.
331. Në këto kushte ne nuk mund ta pranojnë parashtrimin e [përfaqësuesit të Qeverisë] që hetimet kanë qenë të mjaftueshme për sa u përket detyrimeve procedurale që dalin nga neni 2 i Konventës. Edhe sikur një hetim vetëm në duart e [Degës së Hetimeve Speciale] mund të thuhej se është i pavarur, mbi bazën e faktit që [Dega e Hetimeve Speciale] është nga aspekti i hierarkisë dhe ai praktik e pavarur nga njësitet ushtarake nën hetime, për të cilat kemi pjesërisht dyshime sepse raporti i [Degës së Hetimeve Speciale] është dhënë vetë zinxhirit komandues, është e vështirë të thuhet që hetimet që janë zhvilluar kanë qenë të kohshme, të hapura apo efektive.”
Në lidhje me pesë vdekjet e tjera, gjyqtari konsideroi që, po të gabohej në lidhje me çështjen e juridiksionit dhe pretendimet faktikisht do të hynin brenda fëshëveprimit të Konventës, detyra hetimore nga neni 2 nuk do të ishte përmbushur, për arsyet e mëposhtme:
“337. ... në të gjitha këto çështje, ashtu si edhe në çështjen e Z. Mousa, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë proceduar mbi bazën e faktit që Konventa nuk ishte e zbatueshme. Kështu, hetimet e menjëhershme në secilin rast u zhvilluan për shkak të politikave, nga njësiti i përfshirë: vetëm në çështjen 4, që kishte të bënte me Z. Waleed Muzban, pati përfshirje nga [Dega e Hetimeve Speciale], dhe ajo u pezullua, të paktën para se të rihapej (në një kohë të pasigurt) pas një rishikimi të lëndës në Mbretërinë e Bashkuar. Pra hetimet nuk ishin të pavarura. As nuk ishin efektive, sepse ato në thelb kishin të bënin vetëm me një ushtrim relativisht sipërfaqësor, bazuar mbi provat e dhëna nga vetë ushtarët e përfshirë, në fakt në një numër të paktë intervistash apo deklaratash të dëshmitarëve, një ushtrim që ishte i njëanshëm dhe linte jashtë mjekësinë ligjore që do të ishte vënë në përdorim për ekspertiza balistike apo mjekësore.
...
339. Në lidhje me këto çështje, parashtrimi i [përfaqësuesit të Qeverisë] ishte që, në situata tepër të vështira, si nga aspekti operacional të terren dhe nga hetimet e pas ngjarjes, ushtria dhe autoritetet kishin bërë maksimumin e tyre. Ai theksoi në mënyrë të veçantë aspektet vijuese të provave. Në Irak nuk kishte sundim të ligjit; në fillim të pushtimit nuk kishte fare polici, dhe ajo forcë policie që ekzistonte ishte krejtësisht e pamjaftueshme, dhe po ashtu sulmohej gjithë kohën; megjithëse gjykatat e Irakut funksiononin, ata mund të frikësoheshin lehtë; nuk kishte sistem as kapacitet vendor hetimor; sistemet e komunikimit loak nuk funksiononin; situata e sigurisë ishte më e keqja që ishte përjetuar ndonjëherë nga ushtarët më me përvojë; kishte luftime çdo ditë mes bandave fisnore apo kriminale; numri i trupave në dispozicion ishte i vogël; dhe dallimet kulturore i vështirësonin edhe më tej këto pengesa.
340. Ne nuk do t’i neglizhonim këto vështirësi, të cilat të bashkuara duhet të kenë sjellë pengesa serioze për çdo person të interesuar për të zhvilluar hetime që t’i kryenin ato si duan. Megjithatë, pavarësisht nga parashtrimi i [avokatit të kërkuesve], duke u mbështetur tek çështjet turke, që problemet e sigurisë nuk janë justifikim për dështimin në detyrën hetimore nga neni 2, ne do të arrinim në përfundimin që, në lidhje me hipotezën e deklaruar, hetimet prapë se prapë nuk do të përmblidheshin. Ato nuk ishin të pavarura; ato ishin të njëanshme; dhe komandantët e përfshirë nuk po përpiqeshin të bënin maksimumin e tyre sipas thënieve të nenit 2.
341. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që, në rrethana të tjera, ne do të injoronim vështirësitë strategjike të situatës. Çështjet turke të gjitha kanë të bëjnë me vdekje të ndodhura brenda territorit të vetë shtetit palë. Në atë kontekst, Gjykata kishte të drejtë të ishte shumë skeptike për deklarimin e vështirësive nga ana e shtetit në një shteg hetimor të cilin ai vështirë se do ta kishte ndërmarrë. Neve na duket që ky skepticizëm nuk mund të transplantohet kaq lehtë në një ambient jashtë-territorial. ...”
2. Gjykata e Apelit
78. Katër kërkuesit e parë apeluan kundër gjetjes së Gjykatës së Divizionit që të afërmit e tyre nuk hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Sekretari i Shtetit po ashtu kundër-apeloi kundër gjetjes në lidhje me djalin e kërkuesit të gjashtë; megjithëse pranoi para Gjykatës së Apelit që një irakian aktualisht i burgosur nga ushtarët britanikë në një qendër ushtarake burgimi në Irak hynte nën juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 të Konventës, ai argumentoi që Ligji për të Drejtat e Njeriut nuk kishte efekt jashtë-territorial dhe për këtë arsye kërkesa e kërkuesit të gjashtë nuk ishte e zbatueshme në gjykatat kombëtare.
79. Më 21 dhjetor 2005 Gjykata e Apelit i rrëzoi apelet dhe kundër-apelin ([2005] EWCA Civ 1609). Pas shqyrtimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës nga neni 1 i Konventës, Brooke LJ, i cili mori vendimin kryesor, deklaroi që një Shtet mund të ushtronte juridiksion jashtë-territorial kur ai zbatonte kontroll dhe autoritet mbi një kërkues (çka ai e quajti “autoriteti i Shtetit veprues”, të shkurtuar në anglisht në “SAA”) dhe kur kishte kontroll efektiv mbi një zonë jashtë kufijve të tij (“kontroll efektiv mbi një zonë”, shkurt në anglisht “ECA”), duke u shprehur në § 80:
“80. Prandaj unë do të bëja më shumë kujdes se Gjykata e Divizionit në qasjen time ndaj vendimit Banković. Mua më duket se ai ka lënë të hapur edhe qasjen ECA edhe qasjen SAA ndaj juridiksionit jashtë-territorial, duke theksuar në të njëjtën kohë (në paragrafin 60) që për shkak se qasja SAA mund të përbënte shkelje të sovranitetit të një shteti tjetër (për shembull, kur dikush rrëmbehet nga agjentët e një shteti në territorin e një shteti tjetër pa ftesën apo pëlqimin e atij shteti), kjo mënyrë e njohjes së çdo juridiksioni jashtë-territorial është ushtruar brenda kuptimit të një traktati ndërkombëtar duhet trajtuar me kujdes.”
Ai konsideroi, inter alia, çështjet Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, KEDNJ 2005-IV; Freda kundër Italisë, (vend.), nr. 8916/80, vendimi i Komisionit datë 7 tetor 1980, Vendime dhe Raporte (DR) 21, fq. 250; dhe Sánchez Ramirez kundër Francës, (vend.), nr. 28780/95, vendimi i Komisionit datë 24 qershor 1996, DR 86-A, fq. 155; dhe vërejti që këto çështje nuk kishin të bënin fare me parimin e së drejtës ndërkombëtare publike në lidhje me aktivitetet brenda avionit të regjistruar në një Shtet që fluturonte mbi territorin e një Shteti tjetër. Në vend të kësaj, gjetjet e juridiksionit në këto raste ishin shembuj të doktrinës së “autoritetit veprues të Shtetit” që zbatohet kur dikush ndodhet nën kontrollin dhe autoritetin e agjentëve të një Shteti Kontraktues, edhe jashtë espace juridique të Këshillit të Europës, dhe pavarësisht nëse Shteti mikpritës jepte pëlqimin për ushtrimin e kontrollit dhe autoritetit mbi territorin e tij. Duke zbatuar parimet përkatëse tek faktet e çështjes ai konkludoi që djali i kërkuesit të gjashtë kishte hyrë nën kontrollin dhe autoritetin e Mbretërisë së Bashkuar, e rrjedhimisht nën juridiksionin e saj, që në momentin e arrestimit të tij në hotel. Të afërmit e kërkuesve të tjerë nuk kishin qenë nën kontrollin dhe autoritetin e trupave britanike në kohën kur janë vrarë, dhe prandaj nuk hynin nën juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar. Në lidhje me këtë, ai arriti në përfundimin që:
“110. ... Është thelbësore, sipas mendimit tim, që të vendosen rregulla të cilat janë lehtë të kuptueshme. Nëse trupat qëllimisht dhe efektivisht kufizojnë lirinë e një personi ai është nën kontrollin e tyre. Kjo nuk ka ndodhur në këto pesë raste.”
80. Më tej ai shqyrtoi nëse, duke pasur parasysh faktet, mund të thuhet që trupat britanike kanë qenë në kontroll efektiv të Qytetit Basrah gjatë periudhës në fjalë, në mënyrë që të rregullonte çështjen e juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas doktrinës së “kontrollit efektiv të një zone”. Lidhur me këtë, Brooke LJ u shpreh:
“119. Qyteti Basrah ndodhej në [Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit] (angl. CPA) zonën rajonale të quajtur ‘CPA Jug’. Gjatë periudhës së pushtimit ushtarak kishte një masë të konsiderueshme përgjegjësie dhe autoriteti britanik në CPA Jug, megjithëse shtabi i saj përfshinte pesë vende të ndryshme dhe deri në fund të korrikut 2003 koordinatori rajonal ishte danez. Në fakt, vetëm një prej katër ekipeve qeverisëse në CPA Jug drejtohej nga një koordinator britanik. Megjithatë, megjithëse zinxhiri komandues për prezencën e ushtrisë britanike në Irak kishte në krye një gjeneral amerikan, provincat Al Basrah dhe Maysan ishin zonë e përgjegjësisë direkte ushtarake britanike. Siç e kam thënë përpara ... , Sekretari i Shtetit pranon që Mbretëria e Bashkuar ishte fuqi pushtuese në kuptim të nenit 42 të Rregulloreve të Hagës ..., të paktën në ato zona të Irakut jugor, e sidomos Qyteti Basrah, ku trupat britanike ushtronin autoritet të mjaftueshëm për këtë qëllim.
120. Por cilido që mund të ketë qenë pozicioni i tyre në kuadër të Rregulloreve të Hagës, çështja që kjo gjykatë duhet të zgjidhë është nëse trupat britanike kishin kontroll efektiv mbi Qytetin Basrah për qëllime të ECA. Situata në gusht-nëntor 2003 është në kontrast të theksuar me situatat në Qipron veriore dhe në pjesën e Moldavisë të pushtuar nga Rusia që vërehen në praktikën gjyqësore të Strasburgut. Në secilën prej atyre çështjeve një pjesë e territorit të një shteti kontraktues ishte e pushtuar nga një shtet tjetër kontraktues i cili kishte për qëllim të ushtronte kontrollin e tij për një kohë të gjatë. Administrata civile e këtyre territoreve ishte nën kontrollin e shtetit pushtues, dhe ai kishte zbarkuar trupa të mjaftueshme për t’u siguruar që kontrolli i tij mbi atë zonë të ishte efektiv.
121. [Deklarata e Brigadierit Moore, komanda e të cilit përfshinte forcat britanike në zonën e Basras mes majit dhe nëntorit 2003] ka një përmbajtje krejt tjetër. Atij nuk iu caktuan fare trupa dhe burime të tjera të mjaftueshme për të mundësuar që brigada e tij të ushtronte kontroll efektiv mbi Qytetin Basrah. ... [Ai] përshkroi se si policia vendase nuk e mbante ligjin. Nëse trupat britanike arrestonin një person dhe ia dorëzonin atë policisë irakiane, policia ia dorëzonte personin gjyqësorit, i cili vetë frikësohej nga fiset vendase, dhe kriminelët e dyshuar ktheheshin në rrugë brenda një apo dy ditësh. Kjo gjendje nuk u jepte britanikëve fare besim në sistemin e drejtësisë në vend. Gjithashtu, ajo zvogëlonte kredibilitetin e tyre me vendasit. Megjithëse trupat britanike ofronin mbrojtje për gjyqtarët, kjo nuk ndryshonte asgjë. Për sa u përkiste atyre, burgjet pothuaj nuk funksiononin fare.
122. Pasi përshkroi aspekte të tjera të situatës tepër të paqëndrueshme në të cilën një numër relativisht i vogël personeli ushtarak britanik përpiqeshin të ruanin rendin me aq sa mundeshin, Brigadieri [Moore] tha ...:
‘Kombinimi i aktivitetit terrorist, situata e paqëndrueshme dhe mungesa e efikasitetit të forcave irakiane të sigurisë nënkuptonin që gjendja e sigurisë vazhdonte të ishte në fije të perit për pjesën më të madhe të qëndrimit tonë. Pavarësisht nga puna jonë e madhe dhe përpjekjet më të mira, unë ndjeva që nga fundi i gushtit 2003 ne ishim në buzë të greminës. Vetëm kur arritën përforcime ... dhe filluam të merrnim të dhëna të inteligjencës nga disa prej palëve islamike fillova të rimerrja iniciativë.”
123. Ndryshe nga ushtria turke në Qipron veriore, forcat ushtarake britanike nuk kishin kontroll mbi administratën civile të Irakut. ...
124. Sipas gjykimit tim është e pamundur të thuhet se Mbretëria e Bashkuar, megjithëse fuqi pushtuese sipas qëllimeve të Rregulloreve të Hagës dhe Gjenevës IV, kishte kontroll efektiv mbi Qytetin Basrah për qëllime të jurisprudencës së KEDNJ-së në kohën në fjalë. Nëse do të ishte në kontroll, ajo do të kishte qenë e detyruar t’u siguronte të gjithëve në Qytetin Basrah të drejtat dhe liritë e garantuara nga KEDNJ. Kjo duhet thënë me fjalë për t’u kuptuar se sa e paqenë është. Mbretëria e Bashkuar nuk kishte autoritet ekzekutiv, legjislativ apo gjyqësor në Qytetin Basrah, përveç autoritetit të kufizuar dhënë forcave të saj ushtarake, dhe si fuqi pushtuese ishte e detyruar të respektonte ligjet në fuqi në Irak përderisa nuk pengohej në mënyrë absolute (shih nenin 43 të Rregulloreve të Hagës ...). Ajo nuk mund të barazohej me një fuqi civile: ajo ishte aty thjesht për të ruajtur sigurinë, dhe për të mbështetur administratën civile në Irak në mënyra të ndryshme ...”
Sedley LJ vërejti, në lidhje me këtë çështje, si vijon:
“194. Nga njëra anë, duket pak si pa vend që një shtet i cili ka ndihmuar zhvendosjen dhe shpërbërjen me forcë të autoritetit civil të një kombi tjetër të deklarojë që, si fuqi pushtuese, ka aq pak kontroll saqë nuk mund të jetë përgjegjës për sigurimin e të drejtave themelore të popullsisë. ... [Megjithatë] fakti është që nuk mundet: pushtimi solli me vete zbrazëtira në autoritetin civil të cilin forcat britanike nuk mundën dhe ende nuk mund t’i plotësojnë. Sipas provave në Gjykatë, të paktën prej mesit të vitit 2003 deri nga mesi i vitit 2004, ata ishin duke ruajtur një kufi shumë delikat me anarkinë.”
81. Gjykata e Apelit njëzëri arriti në përfundimin që, përveç vdekjes së djalit të kërkuesit të gjashtë, e cila hynte tek përjashtimi i “autoritetit të agjentit të Shtetit”, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte juridiksion nga neni 1 i Konventës. Gjykata vendosi që kërkesa e kërkuesit të gjashtë po ashtu hynte brenda fushëveprimit të Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998. Që nga shqyrtimi i çështjes nga Gjykata e Divizionit kanë dalë në dritë shumë informacione lidhur me vdekjen e djalit të kërkuesit të gjashtë, përfshirë edhe procedura të gjyqit ushtarak në pritje kundër disa ushtarëve. Prandaj, Gjykata e Apelit e ridërgoi çështjen nëse kishte pasur hetime të mjaftueshme në Gjykatën e Divizionit për shqyrtim të mëtejshëm pas përfundimit të procedurave të gjyqit ushtarak.
82. Pavarësisht nga përfundimi i tij në lidhje me juridiksionin, Brooke LJ, me ftesë të veçantë të Qeverisë, komentoi mbi mjaftueshmërinë e hetimeve të zhvilluara rreth vdekjeve, si vijon:
“139. Në fund të fundit, dy nenet e para të [Konventës] thjesht artikulojnë shqetësimin bashkohor të tërë komunitetit europian lidhur me rëndësinë që i duhet dhënë gjithmonë çdo jete njerëzore. ... Nuk ka nevojë të përmendet që detyrimin për t’iu përmbajtur këtyre standardeve të vendosura ndërkombëtare për të drejtat e njeriut do të kërkonte, mes të tjerash, një investim shumë më të madh të burimeve në dispozicion të Policisë Ushtarake Mbretërore sesa e kishin në Irak, dhe një shkëputje të plotë të hetimeve të tyre nga zinxhiri komandues i ushtrisë.
140. Me fjalë të tjera, nëse duhen mbajtur parasysh standardet ndërkombëtare, detyra e hetimit të incidenteve në të cilat forcat britanike kanë marrë jetë njerëzish duhet të nxirren krejtësisht nga zinxhiri komandues ushtarak dhe t’i caktohen [Policisë Ushtarake Mbretërore]. Ajo ka pavarësinë e nevojshme për sa kohë që është e lirë të vendosë vetë se kur të fillojnë e kur të mbyllen hetimet, dhe për sa kohë që ajo i raporton në shkallën e parë [Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë] dhe jo zinxhirit komandues ushtarak. Më pas, ajo duhet të zhvillojë hetime efektive, dhe në këtë aspekt do të ndihmohet nga pjesët e shkëputura nga praktika gjyqësore e KEDNJ-së që kam cituar. Shumë nga mangësitë e theksuara nga provat e kësaj çështjeje do të korrigjohen nëse [Policia Ushtarake Mbretërore] do të kryejë këtë rol, dhe ënse ata janë të trajnuar si duhet dhe të pajisur aq sa duhet për të zhvilluar hetimet e tyre në masën e kërkuar të tërësisë së tyre.”
3. Dhoma e Lordëve
83. Katër kërkuesit e parë apeluan dhe Sekretari i Shtetit kundërapeloi pranë Dhomës së Lordëve, e cila mori vendimin më 13 qershor 2007 ([2007] UKHL 26). Shumica e Dhomës së Lordëve (Lordi Rodger i Earlsferry, Baronesha Hale e Richmond, Lordi Carswell dhe Lordi Brown nga Eaton-under-Heywood) u shprehën që qëllimi i përgjithshëm i Aktit të të Drejtave të Njeriut të vitit 1998 ishte që të ofronte një strukturë riparuese në ligjin vendas për të drejtat e garantuara nga Konventa, dhe që Akti i vitit 1998, pra duhej interpretuar si i tillë që zbatohej kudo që Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion sipas nenit 1 të Konventës. Lordi Bingham i Cornhill, pakicë, u shpreh që Akti i të Drejtave të Njeriut nuk kishte zbatim jashtë-territorial.
84. Në lidhje me ankesat e katër kërkuesve të parë, shumica e Dhomës së Lordëve gjeti që Mbretëria e Bashkuar nuk kishte juridiksion mbi vdekjet. Për shkak të opinionit të tij që Akti i të Drejtave të Njeriut nuk kishte zbatim jashtë-territorial, Lordi Bingham nuk e gjykoi të dobishme të shprehte mendim lidhur me faktin nëse Mbretëria e Bashkuar ushtronte juridiksion brenda kuptimit të nenit 1 të Konventës.
85. Lordi Brown, me të cilin ishin dakord shumica, filloi duke vërejtur që në fund të fundit vendimi lidhur me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të nenit 1 të Konventës i takonte Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, meqenëse detyra e gjykatës kombëtare ishte vetëm të procedonte me të njëjtin ritëm të praktikës gjyqësore të Gjykatës; kishte rreziqe në shtjellimin nga një gjykatë kombëtare të Konventës me zemërgjerësi të tepruar ndaj një kërkuesi, sepse Shteti përgjegjës nuk kishte mjete për t’ia referuar një çështje të tillë Gjykatës. Lordi Brown mori pikënisjen nga vendimi i Dhomës së Madhe në çështjen Banković (cituar lart), të cilën ai e përshkroi si “një autoritet vendimtar nën prizmin e të cilit jurisprudenca e Strasburgut si e tërë duhet rivlerësuar”. Ai konsideroi që propozimet e mëposhtme mund të nxirreshin nga vendimi në çështjen Banković (§ 109 i vendimit të Dhomës së Lordëve):
“(1) Neni 1 pasqyron një ‘nocion në thelb territorial të juridiksionit’ (një shprehje e përsëritur shumë herë në vendimin e Gjykatës), ku ‘bazat e tjera të juridiksionit janë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë arsyetim të posaçëm mbi rrethanat e veçanta të secilës çështje’ (paragrafi 61). Konventa vepron, sipas nenit 56, ‘në kontekst para së gjithash rajonal dhe posaçërisht brenda hapësirës ligjore (espace juridique) të shteteve kontraktuese’ (paragrafi 80) (d.m.th. brenda zonës së vendeve të Këshillit të Europës).
(2) Gjykata e njeh juridiksionin e nenit 1 si të tillë që shmang ‘zbrazëtinë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut’ kur territori ‘normalisht do mbulohej nga Konventa’ (paragrafi 80) (d.m.th. në një vend të Këshillit të Europës) ku përndryshe (si në Qipron Veriore) banorët “do ta kishin gjetur veten të përjashtuar nga përfitimet dhe sistemin e Konventës të cilat i gëzonin përpara” (paragrafi 80).
(3) Të drejtat dhe lirinë e përcaktuara në Konventë nuk mund të ‘të prera dhe të qepura me masë’ (paragrafi 75).
(4) Rrethanat në të cilat Gjykata e ka njohur në mënyrë të jashtëzakonshme ushtrimin jashtë-territorial të juridiksionin nga një shtet përfshijnë:
(i) Aty ku shteti ‘përmes kontrollit efektiv të territorit relevant dhe banorëve të tij jashtë vendit si pasojë e pushtimit ushtarak ose me pëlqim, ftesë apo leje të qeverisë së atij territori, ushtron të gjitha ose disa nga fuqitë publike që normalisht ushtrohen nga [qeveria e atij territori]’ (paragrafi 71) (d.m.th. kur përndryshe do të kishte zbrazëti brenda vendit të Këshillit të Europës, ku qeveria e vetë atij vendi nuk e ka të mundur ‘të përmbushë detyrimet që ka ndërmarrë në kuadër të Konventës’ (paragrafi 80) (si në Qipron veriore).
(ii) ‘Çështjet që përfshijnë aktivitete të agjentëve diplomatikë ose konsullorë jashtë vendit dhe në një avion dhe mjet lundrues të regjistruar në, ose bartës të flamurit të, atij shteti [ku] dispozitat e së drejtës dhe traktateve ndërkombëtare kanë njohur ushtrimin jashtë-territorial të juridiksionit (paragrafi 73).
(iii) Disa çështje të tjera ku përgjegjësia e një shteti ‘në parim, mund të angazhohej për shkak të akteve ... të cilat kanë prodhuar pasoja ose janë kryer jashtë territorit të vetë atyre’ (paragrafi 69). Drozd kundër Francës (1992) 14 EHRR 745 (në paragrafin 91) është i vetmi autoritet që përmendet posaçërisht në çështjen Banković si shembull i kësaj kategorie përjashtimesh nga rregulla e përgjithshme. Megjithatë, çështja Drozd nuk shkoi më larg se aq, nëse një gjyqtar francez ushtronte juridiksion jashtë-territorial në Andorra në cilësinë e tij si gjyqtar francez, atëherë kushdo që ankohet për shkelje të të drejtave të tij/saj sipas Konventës nga ai gjyqtar do të konsiderohej të ishte brenda juridiksionit të Francës.
(iv) Rendi i çështjeve Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar (1989) 11 EHRR 439, theksoi Gjykata, ka të bëjë me veprime nga shteti gjatë kohës kur personi në fjalë është ‘në territorin e atij shteti, qartë brenda juridiksionit të tij [shtetit]’ (paragrafi 68) dhe rrjedhimisht jo ushtrimi i juridiksionit të shtetit jashtë vendit.”
Lordi Brown iu referua rendit të çështjeve Öcalan, Freda dhe Sánchez Ramirez (cituar lart), ku në secilën prej tyre kërkuesi ishte zhvendosur me forcë nga një vend jashtë Këshillit të Europës, me bashkëpunimin e plotë të autoriteteve të huaja, për t’u gjykuar në Shtetin përgjegjës. Ai vërejti që kjo linjë çështjesh në lidhje me “ekstradimet e parregullta” përbënin një kategori të çështjeve “të jashtëzakonshme” të diskutuara me hollësi në çështjen Banković si çështje me “arsyetim të veçantë” për juridiksion jashtë-territorial sipas nenit 1. Ai nuk konsideroi që çështjet e katër kërkuesve të parë hynin tek ndonjëri prej përjashtimeve nga parimi territorial i njohur deri tani nga Gjykata.
86. Më tej, Lordi Brown konsideroi vendimin e Gjykatës në çështjen Issa dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 31821/96, § 71, 16 nëntor 2004, në të cilën kërkuesit u mbështetën në dhe u shprehën si vijon:
“127. Nëse dhe përderisa Issa thuhet se mbështet nocionet përgjithësisht më të gjera të juridiksionit nga neni 1 të diskutuara nga apeluesit në këtë apel, unë nuk mund ta pranoj. Së pari, deklaratat mbi të cilat janë mbështetur duhen parë si obiter dicta. Së dyti, siç u shpjegua, konstatime të tilla më të gjera të juridiksionit nuk mbështeten nga autoritetet e cituara (sido që të jetë, ato autoritete të pranuara si relevante nga Dhoma e Madhe në çështjen Banković). Së treti, një këndvështrim kaq më i gjerë i juridiksionit sigurisht që do të ishte në shpërputhje si me arsyetimin në çështjen Banković, ashtu edhe me rezultatin e saj. Ose do të shtrinte parimin e kontrollit efektiv përtej zonës së Këshillit të Europës (fusha e vetme ku ai ishte zbatuar përpara, siç është parë, në Qipron veriore, në Republikën Autonome Ajariane të Gjeorgjisë dhe në Transdniestria) edhe në Irak, një zonë (ashtu siç u konsiderua IRJ në çështjen Banković) jashtë Këshillit të Europës – dhe, në fakt, këtë do ta bënte në kundërshtim me logjikën e pashmangshme të praktikës së Gjykatës mbi bazën e nenit 56. Përndryshe, do të zgjeronte deri në pikën e thyerjes konceptin e juridiksionit që shtrihet në mënyrë jashtë-territoriale drejt atyre që hyjnë nën ‘autoritetin dhe kontrollin’ e një shteti. Njohja si përjashtim e kategorive të ngushta të çështjeve që jam përpjekur të përmbledh lart është një gjë; pranimi që për çdo veprim (ushtarak apo tjetër) i një shteti kontraktues përmes agjentëve të tij jashtë vendit, ata që ndikohen nga këto aktivitete hyjnë brenda juridiksionit të tij nga neni 1 është krejt diçka tjetër. Një diskutim i tillë do të vërtetohej të ishte i tepërt. Do ta bënte nonsens një pjesë të madhe të asaj që është thënë në çështjen Banković, jo më pak për sa i përket Konventës si ‘instrument kushtetues i rendit publik në Europë’, që vepron ‘në kontekst para së gjithash rajonal’, ‘jo e hartuar për t’u zbatuar në të gjithë botën, edhe në aspekt të sjelljes së shteteve kontraktuese’ (paragrafi 80). Vërtet që do ta bënte të panevojshëm parimin e kontrollit efektiv të një zone: ç’nevojë do të kishte për këtë parim nëse juridiksioni del sidoqoftë sipas një parimi të përgjithshëm të ‘autoritetit dhe kontrollit’ pavarësisht nëse zona është (a) e kontrolluar efektivisht ose (b) brenda Këshillit të Europës?
128. Ekziston një kundërshtim tjetër qenësor ndaj krijimit të bazës së gjerë të juridiksionit të diskutuar këtu nga kërkuesit nën rubrikën ‘kontrolli dhe autoriteti’, që shkon përtej diskutimit që lind në cilëndo prej kategorive të njohura ngushtas të lartpërmendura e megjithatë jo aq nga diskutimi që rrjedh nga kontrolli efektiv i territorit brenda zonës së Këshillit të Europës. Banković (dhe më vonë Assanidze) tregon natyrën e pandashme të juridiksionit të nenit 1: ai nuk mund të ‘pritet e të qepet sipas masës’. Siç ishte theksuar më parë në çështjen Banković (në paragrafin 40) ‘interpretimi i juridiksionit nga kërkuesit do të përmbyste dhe përçante detyrimet pozitive të shteteve kontraktuese për të siguruar të drejtat substanciale në një mënyrë që ka të bëjë fare me nenin 1 të Konventës’. Për më tepër, kur zbatohet Konventa, ajo operon si ‘instrument i gjallë’. Öcalan jep një shembull të kësaj situate, një njohje që interpretimi i nenit 2 është modifikuar për rrjedhojë të ‘territoreve të përfshira nga shtetet anëtare të Këshillit të Europës [të cilat janë] bërë zona të lira nga dënimi me vdekje’ (paragrafi 163). (Paragrafët 64 dhe 65 të Banković, do të thoja, janë në kontrast, nga njëra anë, me ‘dispozitat substanciale të Konventës’ dhe ‘kompetencën e organeve të Konventës’, ku tek të dyja zbatohet qasja e ‘instrumentit të gjallë’, dhe, nga ana tjetër, me fushëveprimin e nenit 1 – ‘fushëveprimi dhe shtrirja e tërë Konventës’ – tek i cili nuk zbatohet). Gjithashtu, kini parasysh rreptësinë me të cilën Gjykata zbaton Konventën, me shembuj të shumtë të shumë çështjeve nga zona konfliktuale e Turqisë juglindore në të cilën, pavarësisht nga vështirësitë e shtetit, nuk është lejuar rrallimi i detyrimeve hetimore nga nenet 2 dhe 3.
129. Ideja është kjo: përveç rastit kur një shtet vërtet ka kontroll efektiv të territorit, ai nuk mund të shpresojë të sigurojë të drejtat e Konventës brenda atij territori dhe, përveç rasteve kur ndodhet brenda zonës së Këshillit të Europës, nuk ka gjasë sidoqoftë që t’i gjejë disa prej të drejtave të Konventës të cilat është zotuar të sigurojë të pajtueshme me doket e popullatës në vend. Në fakt, shkon edhe më larg se kaq. Gjatë periudhës në fjalë këtu dihet që Mbretëria e Bashkuar ka qenë fuqi pushtuese në Irakun Jugor e rrjedhimisht me zotime nën Rregulloret e Gjenevës IV dhe të Hagës. Neni 43 i Rregulloreve të Hagës parashikon që pushtuesi ‘do t’i marrë të gjitha masat që ka në pushtet t’i marrë për të rikthyer dhe siguruar, sa më shumë që mundet, sigurinë dhe rendin publik, duke respektuar ndërkohë, nëse nuk pengohet në mënyrë absolute, ligjet në fuqi në vend’. Kërkuesit argumentojnë që pushtimi brenda kuptimit të Rregulloreve të Hagës domosdoshmërisht përfshin pasjen e kontrollit efektiv të zonës nga pushtuesi e rrjedhimisht të qenit përgjegjës për sigurimin atje të të gjitha të drejtave dhe lirive të Konventës. Megjithatë, për sa i përket këtij fakti, detyrimi i pushtuesve është të respektojnë ‘ligjet në fuqi’, jo të sjellin ligje dhe mjete për zbatimin e tyre (për shembull, gjykatat dhe një sistem drejtësie) siç është përmbushja e kërkesave të Konventës. Shpesh (për shembull kur ligji i Sheriatit është në fuqi) të drejtat e Konventës qartazi do të ishin në shpërputhje me ligjet e territorit të pushtuar.”
87. Lordi Roger (në § 83), me të cilin Baronesha Hale ishte dakord, dhe Lordi Carswell (§ 97) shprehimisht deklaruan se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte në kontroll efektiv të Qytetit Basrah dhe zonës përreth për qëllime të juridiksionit nga neni 1 i Konventës në kohën përkatëse.
88. Sekretari i Shtetit pranoi që faktet e çështjes së kërkuesit të gjashtë hynin brenda juridiksionit të nenit 1 të Konventës. Prandaj palët u pajtuan që nëse (siç pretendonte shumica) fushëveprimi juridiksional i Aktit të të Drejtave të Njeriut ishte i njëjti me atë të Konventës, çështja e kërkuesit të gjashtë i duhej deleguar Gjykatës së Divizionit, siç kishte urdhëruar Gjykata e Apelit. Për rrjedhojë, ishte e panevojshme që Dhoma e Lordëve të shqyrtonte çështjen juridiksionale në lidhje me vdekjen e djalit të kërkuesit të gjashtë. Megjithatë, Lordi Brown, me të cilin u pajtua shumica, arriti në përfundimin që:
“132. ... Për sa i përket çështjes së gjashtë, unë nga ana ime do ta njihja juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar mbi Z. Mousa vetëm mbi bazën e ngushtë të konstatuar nga Gjykata e Divizionit, në thelb përmes analogjisë me përjashtimin jashtë-territorial të bërë për ambasadat (një analogji po ashtu e njohur në çështjen Hess kundër Mbretërisë së Bashkuar (1975) 2 DR 72, një vendim i Komisionit në kontekstin e një burgu të huaj i cili vetë i ishte referuar çështjes së ambasadës në X kundër Republikës Federale të Gjermanisë). ...”
II. MATERIALET PËRKATËSE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
A. E drejta ndërkombëtare humanitare mbi pushtimin ndërluftues
89. Detyrat e një Fuqie Pushtuese mund të gjenden kryesisht në nenet 42 deri në 56 të Rregulloreve lidhur me Ligjet dhe Zakonet e Luftës në Tokë (Hagë, 18 tetor 1907: prej këtu “Rregulloret e Hagës”) dhe nenet 27 deri në 34 dhe 47 deri në 78 të Konventës (IV) në lidhje me Mbrojtjen e Civilëve në Kohë Lufte (Gjenevë, 12 gusht 1949: prej këtu “Konventa e Katërt e Gjenevës”), si dhe në disa dispozita të Protokollit Shtesë të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, dhe lidhur me Mbrojtjen e Viktimave të Konflikteve të Armatosura Ndërkombëtare (Protokolli I), 8 qershor 1977 (prej këtu “Protokolli Shtesë I”).
Nenet 42 dhe 43 të Rregulloreve të Hagës parashikojnë si vijon:
“42. Një territor konsiderohet i pushtuar kur ai vendoset konkretisht nën autoritetin e një ushtrie armike. Pushtimi shtrihet vetëm në territorin ku një autoritet i tillë është vendosur dhe mund të ushtrohet.
43. Me kalimin e autoritetit të fuqisë legjitime në duart e pushtuesit, ky i fundit do të marrë të gjitha masat që ka në dorë për të rikthyer, dhe siguruar, sa më shumë që është e mundur, sigurinë dhe rendin publik, duke respektuar ndërkohë, nëse nuk pengohet në mënyrë absolute, ligjet në fuqi në vend.”
Neni 64 i Konventës së Katërt të Gjenevës parashikon që ligjet penale mund të anulojnë ose të pezullohen nga një Fuqi Pushtuese vetëm kur ato përbëjnë kërcënim për sigurinë ose pengesë për zbatimin e Konventës së Katërt të Gjenevës. Gjithashtu, ai përcakton me hollësi situatat në të cilat një Fuqi Pushtuese ka të drejtë të sjellë masa legjislative. Më hollësisht këto janë:
“dispozita të cilat janë thelbësore për t’i mundësuar Fuqisë Pushtuese të përmbushë detyrimet e saj sipas Konventës në fjalë, të ruajë qeverisjen me rregull të territorit, dhe të ofrojë siguri për Fuqinë Pushtuese, për pjesëtarët dhe pasurinë e fuqive ose administratës pushtuese, dhe po ashtu për vendqëndrimet dhe linjat e komunikimit që përdorin ata.”
Marrëveshjet e arritura mes Fuqisë Pushtuese dhe autoriteteve lokale nuk mund të privojnë popullatën e territorit të pushtuar nga mbrojtja që u ofrohet atyre nga e drejta ndërkombëtare humanitare dhe personat e mbrojtur nuk heqin dorë vetë, në asnjë rrethanë, nga të drejtat e veta (Konventa e Katërt e Gjenevës, nenet 8 dhe 47). Pushtimi nuk krijon ndonjë ndryshim në statusin e territorit (shih nenin 4 të Protokollit Shtesë I), i cili mund të jetësohet përmes një traktati paqeje ose përmes aneksimit të ndjekur nga njohja. Sovrani i mëparshëm mbetet sovran dhe nuk ka ndryshim në kombësinë e banorëve.
B. Praktika gjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ndërlidhjen mes së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe detyrimeve jashtë-territoriale të Shteteve sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
90. Në procedurat lidhur me Opinionin Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez (9 korrik 2004), Izraeli mohoi që instrumentet e të drejtave të njeriut tek të cilat ai bënte pjesë, përfshirë edhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, ishin të zbatueshme në rastin e Territorit të Pushtuar Palestinez dhe u shpreh (§ 102) që:
“e drejta ndërkombëtare është mbrojtja që ofrohet në një situatë konflikti si ajo në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, ndërkohë që traktatet e të drejtave të njeriut janë hartuar me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve të Qeverive të veta në kohë paqeje.”
Në mënyrë që të përcaktonte nëse instrumentet ishin të zbatueshme në Territorin e Pushtuar Palestinez, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë së pari adresoi çështjen e marrëdhënies mes së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke u shprehur si vijon:
“106. ... Gjykata konsideron që mbrojtja e ofruar nga konventat e të drejtave të njeriut nuk pushon në rastet e konfliktit të armatosur, përveç se përmes efektit të dispozitave për derogimin e llojit të gjendur në nenin 4 të [Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike]. Për sa i përket raportit mes së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës mbi të drejtat e njeriut, pra, ekzistojnë tri situata të mundshme: disa të drejta mund të jenë çështje ekskluzive të së drejtës humanitare ndërkombëtare; të tjera mund të jenë çështje ekskluzive të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut; e megjithatë disa të tjera mund të jenë çështje të të dyja këtyre degëve të së drejtës ndërkombëtare. Për t’iu përgjigjur pyetjeve që i janë bërë, Gjykata do të duhet të marrë në konsideratë të dyja këto degë të së drejtës ndërkombëtare, më saktë të drejtën për të drejtat e njeriut dhe, si lex specialis, të drejtën humanitare ndërkombëtare.”
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më tej konsideroi çështjen nëse Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike kishte kapacitet të zbatohej jashtë territorit kombëtar të Shtetit dhe nëse zbatohej në Territorin e Pushtuar Palestinez. Ajo u shpreh si vijon (referencat dhe citatet janë hequr):
“108. Fushëveprimi i zbatimit të [Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike] përkufizohet nga neni 2, paragrafi 1, i saj, i cili parashikon:
‘Secili Shtet Palë në Konventën në fjalë zotohet të respektojë dhe të sigurojë për të gjithë individë brenda territorit të tij dhe nën juridiksionin e tij të drejtat e njohura në këtë Konventë, pa asnjë dallim në aspektin e racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, pikëpamjeve politike ose të tjera, origjinës kombëtare ose sociale, pasurisë, statusit në lindje apo tjetër.’
Kjo dispozitë mund të interpretohet si e tillë që mbulon vetëm individët që edhe ndodhen në territorin e Shtetit, edhe i nënshtrohen juridiksionit të atij Shteti. Po ashtu mund të kuptohet edhe si e tillë që mbulon edhe individët që ndodhen brenda territorit të Shtetit, edhe ata jashtë atij territori por që i nënshtrohen juridiksionit të atij Shteti. Kështu, Gjykata do të përpiqet të përcaktojë kuptimin që i duhet dhënë këtij teksti.
109. Gjykata u shpreh se, ndërkohë që juridiksioni i Shteteve është kryesisht territorial, nganjëherë ai mund të ushtrohet jashtë territorit kombëtar. Duke pasur parasysh objektin dhe qëllimin e [Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike], do të dukej e natyrshme që, edhe në raste të tilla, Shtetet palë të Konventës do të duhej t’i përmbaheshin dispozitave të saj.
Praktika e vazhdueshme e Komisionit për të Drejtat e Njeriut është në përputhje me këtë. Kështu, Komisioni ka gjetur që Konventa është e zbatueshme aty ku Shteti ushtron juridiksionin e tij në territor të huaj. Ai ka vendosur në lidhje me ligjshmërinë e akteve nga Uruguai në rastet e arrestimeve të kryera nga agjentët uruguaianë në Brazil ose Argjentinë ... . Ai vendosi në të njëjtën mënyrë të çështjen e konfiskimit të një pasaporte nga një konsullatë uruguaiane në Gjermani ...
...
110. Gjykata e ka parasysh pozicionin e mbajtur nga Izraeli, për sa i përket zbatueshmërisë së Konventës, në komunikimet e tij me Komisionin e të Drejtave të Njeriut, dhe lidhur me pikëpamjet e Komisionit. Në vitin 1998, Izraeli deklaroi që, gjatë përgatitjes së raportit të tij për Komisionin, i është dashur të përballej me pyetjen ‘nëse individët që banonin në territoret e pushtuara hynin në fakt nën juridiksionin e Izraelit’ për qëllime të zbatimit të Konventës ... Qëndrimi i Izraelit ishte që ‘Konventa dhe instrumentet e ngjashme nuk zbatoheshin drejtpërdrejt në situatën aktuale në territoret e pushtuara’ ... Komisioni, në vërejtjet e tij përmbyllëse pas shqyrtimit të raportit, shprehu shqetësim lidhur me sjelljen e Izraelit dhe theksoi ‘praninë afatgjatë të Izraelit në territoret [e pushtuara], qëndrimin e dykuptimtë të Izraelit rreth statusit të tyre të ardhshëm, si dhe ushtrimit të një juridiksioni efektiv nga forcat e sigurisë të Izraelit aty’ ... Në vitin 2003, përballë qëndrimit të pandryshueshëm të Izraelit, duke pasur parasysh që ‘Konventa nuk zbatohet përtej territorit të saj, kryesisht në Bregun Perëndimor dhe në Gaza ...’, Komisioni arriti në përfundimin e mëposhtëm:
‘në rrethanat aktuale, dispozitat e Konventës janë të zbatueshme për popullatën në Territoret e Pushtuara, për të gjitha qëndrimet e autoriteteve të Shtetit palë apo agjentëve të tij në ato territore të cilat ndikojnë tek gëzimi i të drejtave të ngërthyera në Konventë dhe hyjnë brenda hapësirës së përgjegjësisë së Shtetit të Izraelit sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare publike’ ... .
111. Si përfundim, Gjykata konsideron që [Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike] është e zbatueshme për sa u përket akteve të kryera nga një Shtet gjatë ushtrimit të juridiksionit të tij jashtë territorit të vet.”
Përveç kësaj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u duk se presupozoi që, edhe për sa u përket akteve jashtë-territoriale, në parim do të ishte e mundur për një Shtet që të derogonte nga detyrimet e tij sipas Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, neni 4 § 1 i së cilës parashikon:
“Në kohë emergjence publike e cila kërcënon jetën e kombit dhe ekzistenca e së cilës shpallet publikisht, Shtetet Palë të kësaj Konvente mund të marrin masa për të deroguar nga detyrimet e tyre sipas Konventës në fjalë deri në atë masë që kërkohet rreptësisht nga emergjenca e situatës, nëse masa të tilla nuk janë në shpërputhje me detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare dhe nuk përfshijnë diskriminim vetëm mbi bazën e racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë ose origjinës shoqërore.”
Kështu, në § 136 të opinionit, pas shqyrtimit të faktit nëse aktet në fjalë ishin të justifikuara sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare mbi bazën e emergjencës ushtarake, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi:
“136. Gjykata do të vërente më tej që disa konventa të të drejtave të njeriut, dhe në mënyrë të veçantë Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, përmbajnë dispozita të cilat Shtetet mund t’i shfrytëzojnë në mënyrë që të derogojnë, në kushte të caktuara, nga disa prej detyrimeve të tyre sipas konventës. Sidoqoftë, në këtë aspekt, Gjykata do të kujtonte që komunikata e shpallur nga Izraeli në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara sipas nenit 4 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut ka të bëjë vetëm me nenin 9 të Konventës, meqë lidhet me të drejtën për liri dhe siguri të personit (shih paragrafin 127 lart); rrjedhimisht Izraeli është i detyruar të respektojë të gjitha dispozitat e tjera të atij instrumenti.”
91. Në vendimin e saj në çështjen Aktivitetet e Armatosura në Territorin e Kongos (Republikës Demokratike të Kongos (angl. DRC) kundër Ugandës), (19 dhjetor 2005) Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konsideroi nëse, gjatë periudhës përkatëse, Uganda ishte një “Fuqi Pushtuese” e cilësdo pjesë të territorit të Republikës Demokratike të Kongos, brenda kuptimit të së drejtës ndërkombëtare zakonore, siç pasqyrohet në nenin 42 të Rregulloreve të Hagës (§§ 172-173). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjeti që forcat e Ugandës ishin stacionuar në provincën e Iturit dhe ushtronin autoritet atje, në kuptimin që ato kishin vënë autoritetin e tyre në vend të atij kongolez (§§ 174-176). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vazhdoi:
“178. Kështu, Gjykata konkludon që Uganda ishte Fuqia Pushtuese në Ituri në kohën përkatëse. Si e tillë, ajo ishte nën një detyrim, sipas nenit 43 të Rregulloreve të Hagës të vitit 1907, që të merrte të gjitha masat në pushtetin e saj për të rikthyer, dhe siguruar, aq sa ishte e mundur, sigurinë dhe rendin publik në zonën e pushtuar, duke respektuar ndërkohë, nëse nuk kishte pengesa absolute, ligjet në fuqi në Republikën Demokratike të Kongos. Ky detyrim përfshinte detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, për të mbrojtur banorët e territorit të pushtuar kundër akteve të dhunës, dhe për të mos toleruar dhunë të tillë nga një palë e tretë.
179. Gjykata, pasi arriti në përfundimin që Uganda ishte Fuqi pushtuese në Ituri në kohën përkatëse, gjen që përgjegjësia e Ugandës është e angazhuar si për të gjitha aktet e ushtrisë së saj e cila kishte shkelur detyrimet ndërkombëtare, ashtu edhe për mungesën e vigjilencës në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare nga aktorë të tjerë të pranishëm në territorin e pushtuar, përfshirë edhe grupet rebele që vepronin më vete.
180. Gjykata vëren që Uganda gjatë tërë kohës ka përgjegjësi për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e forcave të saj ushtarake në territorin e Republikës Demokratike të Kongos në shkelje të detyrimeve të saj sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat janë relevante dhe të zbatueshme në situata të veçanta.”
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi faktet lidhur me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që supozohej t’i atribuoheshin Ugandës, në rajonin e pushtuar të Iturit dhe gjetkë (§§ 205-212). Për të përcaktuar nëse sjellja në fjalë përbënte shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Ugandës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kujtoi gjetjen e saj në Opinionin Këshillues të mësipërm Ndërtimi i një Muri që si e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ashtu edhe e drejta ndërkombëtare humanitare do të duhej të merreshin në konsideratë dhe që instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ishin në gjendje të kishin zbatueshmëri jashtë-territoriale, “posaçërisht në territoret e pushtuara” (§ 216). Më tej, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se cilat ishin “rregullat e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”, duke renditur traktatet e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare në të cilat si Uganda ashtu edhe Republika Demokratike e Kongos ishin palë, bashkë me parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare zakonore (§§ 217-219).
C. Detyra për të hetuar shkeljet e pretenduara të së drejtës për jetë në situata konflikti të armatosur dhe pushtimi sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
92. Neni 121 i Konventës së Tretë të Gjenevës parashikon që një hetim zyrtar duhet mbajtur nga fuqia mbajtëse pas vrasjes së dyshuar të një të burgosuri të luftës. Neni 131 i Konventës së Katërt të Gjenevës parashikon:
“Çdo vdekje ose lëndim i rëndë i një të internuari, e shkaktuar ose e dyshuar të jetë shkaktuar nga një roje, një i internuar tjetër apo një person tjetër, si dhe çdo vdekje shkaku i së cilës është i panjohur, do të ndiqen menjëherë nga hetime zyrtare nga Fuqia Mbajtëse (Burgosëse). Një komunikatë lidhur me këtë çështje do t’i dërgohet menjëherë Fuqisë Mbrojtëse. Dëshmitë do të merren nga të gjithë dëshmitarët, dhe një raport me këto prova do të përgatitet dhe do t’i dërgohet Fuqisë së përmendur Mbrojtëse. Nëse hetimet tregojnë fajin e një ose disa personave, Fuqia Mbajtëse do të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar ndjekjen penale të personit apo personave përgjegjës.”
Konventat e Gjenevës gjithashtu përcaktojnë detyrimin mbi secilën Palë të Lartë Kontraktuese për të hetuar dhe ndjekur penalisht akuzat për shkelje të rënda të Konventave, përfshirë vrasjen e qëllimshme të personave të mbrojtur (nenet 49 dhe 50 të Konventës së Parë të Gjenevës; nenet 50-51 të Konventës së Dytë të Gjenevës; nenet 129 dhe 130 të Konventës së Tretë të Gjenevës; nenet 146 dhe 147 të Konventës së Katërt të Gjenevës).
93. Në Raportin nr. E/CN.4/2006/53 mbi Ekzekutimet Jashtëgjyqësore, Përmbledhëse apo Arbitrare (8 mars 2006), Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara, Philip Alston, vërejti në lidhje me të drejtën për jetë sipas nenit 6 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike në situata të konfliktit të armatosur dhe pushtimit (shënimet në fund të faqes janë hequr):
“36. Konflikti i armatosur dhe pushtimi nuk e shkarkojnë Shtetin nga detyrimi për të hetuar dhe ndjekur penalisht abuzimet me të drejtat e njeriut. E drejta për jetë është e paderogueshme, pavarësisht nga rrethanat. Kjo ndalon çdo praktikë të mos-hetimit të shkeljeve të pretenduara gjatë konfliktit të armatosur apo pushtimit. Siç është shprehur, ‘Është e ngërthyer në mbrojtjen e të drejtave e njohur shprehimisht si e paderogueshme ... që ato duhet të sigurohen nga garanci procedurale ... Dispozitat e [Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike] lidhur me mjetet procedurale mund të mos bëhen asnjëherë subjekt i masave të cilat do të anashkalonin mbrojtjen e të drejtave të paderogueshme.’ Është e pamohueshme që gjatë situatave të konfliktit të armatosur rrethanat nganjëherë i pengojnë hetimet. Këto rrethana nuk do ta shkarkojnë kurrë detyrimin për të hetuar – kjo do t’ia hiqte kuptimin natyrës së paderogueshme të së drejtës për jetë – por ato mund të ndikojnë tek modalitetet apo veçantitë e hetimit. Përveç të qenit plotësisht i përgjegjshëm për sjelljen e agjentëve të tyre, në lidhje me veprimet e aktorëve privatë, Shtetet gjithashtu mbahen përgjegjëse për një standard të caktuar të zellit të duhur në periudha konfliktesh të armatosura si dhe në periudha paqeje. Sipas rastit, një shtet mund të shfrytëzojë masa më pak efektive në hetimin e përgjigjeve ndaj kufizimeve konkrete. Për shembull, kur forcat armike kontrollojnë vendngjarjen e një incidenti me të shtëna armësh, kryerja e një autopsie mund të jetë e pamundur. Sidoqoftë, pavarësisht nga rrethanat, hetimet duhet të zhvillohen gjithmonë sa më efektivisht që është e mundur dhe nuk duhet të reduktohen kurrë në një formalitet të thjeshtë. ...”
94. Në vendimin e saj në çështjen Çështja e Masakrës së Mapiripán kundër Kolumbisë, 15 shtator 2005, Gjykata Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut mbajti, inter alia, si pasojë e dështimit të Shtetit Përgjegjës për të hetuar plotësisht masakrën e civilëve të kryer nga një grup paramilitar me ndihmën e supozuar të autoriteteve të Shtetit:
“238. Në lidhje me këtë, Gjykata i njeh rrethanat e vështira në të cilat Kolumbia, popullata dhe institucionet e së cilës përpiqen të arrijnë paqen; Megjithatë, kushtet e vendit, sado të vështira, nuk ia lëshojnë një Shtet Palë Konventës Amerikane nga detyrimi i tij i përcaktuar me këtë traktat, i cili posaçërisht vazhdon në raste të tilla siç është rasti konkret. Gjykata ka argumentuar që kur një Shtet kryen ose toleron veprime të cilat shkojnë drejt ekzekutimeve jashtë-ligjore, duke mos i hetuar ato si duhet dhe duke mos dënuar personat përgjegjës, siç duhet, ai shkel detyrat për respektimin e të drejtave të përcaktuara në Konventë dhe për sigurimi e ushtrimit të tyre të lirë dhe të plotë, si nga viktima e pretenduar ashtu edhe nga të afërmit e tij/saj, ai nuk lejon që shoqëria të kuptojë se çfarë ka ndodhur, dhe riprodhon kushtet e pandëshkueshmërisë që këto lloj faktesh të ndodhin përsëri.”
LIGJI
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 2 TË KONVENTËS
95. Kërkuesit diskutuan që të afërmit e tyre ndodheshin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 të Konventës në momentin e vdekjes dhe që, përveç rastit të kërkuesit të gjashtë, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte vepruar në përputhje me detyrën e saj hetimore sipas nenit 2.
96. Qeveria pranoi që djali i kërkuesit të gjashtë kishte qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, por mohoi që Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion mbi të vdekurit e tjerë. Ajo diskutoi që, meqenëse të afërmit e kërkuesve të dytë dhe të tretë ishin vrarë pas miratimit të Rezolutës 1511 të Këshillit të Sigurimit (shih paragrafin 16 lart), veprimet që kishin çuar në vdekjen e tyre i atribuoheshin Kombeve të Bashkuara dhe jo Mbretërisë së Bashkuar. Përveç kësaj, Qeveria u shpreh se rasti i kërkuesit të pestë duhet të deklarohej i papranueshëm për mos-shterim të mjeteve vendase dhe që kërkuesit e pestë dhe të gjashtë nuk kishin më statusin e viktimës.
A. Pranueshmëria
1. Atribuimi
97. Qeveria theksoi që operacionet që kishin çuar në vdekjen e të afërmve të kërkuesit të dytë dhe të tretë kishin ndodhur pas 16 tetorit 2003, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1511. Paragrafi 13 i asaj rezolute autorizonte një Forcë Shumëkombëshe që të merrte “të gjitha masat e nevojshme për të kontribuar në mbajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak” (shih paragrafin 16 lart). Më pas, gjatë zhvillimit të operacioneve në të cilat u vranë të afërmit e kërkuesve të dytë dhe të tretë, trupat e Mbretërisë së Bashkuar nuk po ushtronin autoritetin e Mbretërisë së Bashkuar por autoritetin ndërkombëtar të Forcës Shumëkombëshe që vepronte në kuadër të vendimit detyrues të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
98. Kërkuesit theksuan se Qeveria nuk e kishte ngritur këtë argument në asnjë fazë gjatë procedurave vendase. Për më tepër, një argument identik ishte paraqitur nga Qeveria dhe ishte refuzuar nga Dhoma e Lordëve në çështjen R (lidhur me kërkesën e Al-Jedda) (FC) (Kërkues) kundër Sekretarit të Shtetit për Çështje të Mbrojtjes (I Pandehur) [2007] UKHL 58.
99. Gjykata kujton që ajo shërbe si ndihmesë shtesë ndaj sistemeve që mbrojnë të drejtat e njeriut. Prandaj, është me vend që gjykatat vendase të kenë fillimisht mundësinë të përcaktojnë çështje të përputhshmërisë së të drejtës vendase me Konventën dhe që, nëse sidoqoftë para Gjykatës vjen një kërkesë, ajo duhet të marrë mendimet e gjykatave vendase, si të tilla që janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me forcat e vendeve të tyre. Prandaj, është me rëndësi që argumentet e paraqitura nga Qeveria para gjykatave kombëtare duhet të jenë në të njëjtën linjë me ato që dalin para kësaj Gjykate. Në mënyrë të veçantë, nuk i takon një Qeverie të sjellë para Gjykatës argumente të cilat janë në shpërputhje me qëndrimin e saj para gjykatave vendase (A. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, § 154, KEDNJ 2009-...).
100. Qeveria nuk diskutoi para gjykatave vendase që ndonjë prej vrasjeve të të afërmve të kërkuesve nuk i atribuohej forcave të Mbretërisë së Bashkuar. Prandaj, Gjykata konsideron që Qeveria ka stopuar nga ngritja e kundërshtimit në këto procedura.
2. Juridiksioni
101. Më tej Qeveria diskutoi që aktet në fjalë kanë ndodhur në Irakun jugor dhe jashtë juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 të Konventës. I vetmi përjashtim ishte vrasja e djalit të kërkuesit të gjashtë, e cila ndodhi në një burg ushtarak britanik mbi të cilin Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion.
102. Gjykata konsideron që çështja nëse rastet e kërkuesve hyjnë brenda juridiksionit të Shtetit përgjegjës është e lidhur ngusht me themelet e ankesave të tyre. Prandaj ajo ia bashkëngjit këtë çështje paraprake themeleve.
3. Shterimi i mjeteve në vend
103. Qeveria diskutoi që çështja e kërkuesit të pestë duhet të deklarohej e papranueshme për mos-shterim të mjeteve vendase. Ajo theksoi që megjithëse ai kishte hapur procedura për rishikim gjyqësor ku pretendoheshin shkelje të të drejtave të tij substanciale dhe procedurale nga nenet 2 dhe 3, pretendimi i tij ishte pezulluar në pritje të përfundimit të gjashtë test-çështjeve (shih paragrafin 73 lart). Pas zgjidhjes së atyre pretendimeve, do t’i kishte takuar kërkuesit të bënte kërkesë në Gjykatën e Divizionit për heqjen e pezullimit, por ai nuk e bëri këtë. Çështja e tij nuk ishte incident me të shtëna, dhe gjykatat vendase nuk kishin pasur mundësi të shqyrtonin faktet përkatëse të pretendimit të tij që djali i tij kishte qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar dhe që kishte pasur një shkelje të detyrimit procedural.
104. Kërkuesit e ftuan Gjykatën që ta refuzonte këtë parashtresë. Një kërkesë për ishikim gjyqësor ishte depozituar nga kërkuesi i pestë më 5 maj 2004. Me marrëveshje, ajo kërkesë u pezullua në pritje të rezultateve të gjashtë test-çështjeve (shih paragrafin 73 lart). Kërkuesi i pestë nuk do të kishte pasur gjasa të arsyeshme për sukses nëse, pas marrjes së vendimit nga Dhoma e Lordëve në çështjen Al-Skeini, ai kishte tentuar të rizgjonte dhe të vazhdonte me kërkesën e tij për rishikim gjyqësor. Gjykatat më të ulëta do të kishin qenë të detyruara nga interpretimi nga Dhoma e Lordëve i nenit 1 dhe do ta kishte zbatuar atë në mënyrë që të gjente që djali i ndjerë i kërkuesit nuk kishte qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar.
105. Gjykata vërejti që, sipas kërkuesit të pestë, djali i tij vdiq kur, pasi ishte arrestuar nga ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të dyshimeve për grabitje, ai ishte dërguar me një automjet të ushtrisë pranë lumit dhe ishte detyruar të hidhej në lumë. Për këto arsye, rasti i tij është i dallueshëm, për sa u përket fakteve që pretendohen në të, nga rastet e kërkuesve të parë, të dytë dhe të katërt, të afërmit e të cilëve u qëlluan nga ushtarët britanikë; kërkuesit të tretë, bashkëshortja e të cilit u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit mes trupave britanike dhe gjuajtësve të panjohur; dhe kërkuesit të gjashtë, djali i të cilit u vra gjatë kohës që mbahej në një burg ushtarak britanik. Është e vërtetë që Dhoma e Lordëve në procedurat e çështjes Al-Skeini nuk kishte përpara një rast të ngjashëm me atë të kërkuesit të pestë, ku një civil irakian kishte gjetur vdekjen pasi ishte ndaluar nga ushtria britanike, por pa u mbajtur në një burg ushtarak. Pavarësisht nga kjo, Gjykata konsideron që kërkuesit kishin të drejtë në vlerësimin e tyre që kërkuesi i pestë nuk do të kishte pasur gjasa suksesi sikur të kishte tentuar të bënte kërkesë për rishikim gjyqësor pranë gjykatave vendase. Lordi Brown, me të cilin shumica e Dhomës së Lordëve ishte dakord, e bëri të qartë që ai preferonte qasjen e Gjykatës së Divizionit ndaj juridiksionit në çështjen e kërkuesit të gjashtë, më saktë faktin që juridiksioni në lidhje me Baha Mousa doli vetëm sepse ai vdiq gjatë kohës që mbahej në një burg ushtarak britanik (shih paragrafin 88 lart). Në këto kushte, Gjykata nuk konsideronte që kërkuesi i pestë mund të kritikohet për mos-arritjen e ringjalljes së pretendimit të tij para Gjykatës së Divizionit. Rrjedh që kundërshtimi paraprak i Qeverisë bazuar mbi mos-shterimin e mjeteve vendase duhet të refuzohet.
4. Statusi i viktimës
106. Qeveria parashtroi që kërkuesit e pestë dhe të gjashtë nuk mund të pretendonin më që ishin viktima të shkeljeve të të drejtave të tyre sipas nenit 2, meqenëse vdekjet e secilit prej djemve të tyre ishin hetuar plotësisht nga autoritetet vendase dhe kërkuesve i ishte paguar kompensim.
107. Gjykata konsideron që kjo çështje po ashtu është e lidhur dhe duhet të bashkangjitet me themelet e ankesës nga neni 2.
5. Përfundimi në lidhje me pranueshmërinë
108. Gjykata konsideron që kërkesa ngre çështje serioze të fakteve dhe ligjit të cilat janë të një kompleksiteti të atillë saqë përcaktimi i tyre duhet të varej nga një shqyrtim i themeleve. Prandaj, nuk mund të konsiderohet dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës, dhe nuk është konstatuar asnjë bazë tjetër për deklarimin e saj si të pabazuar. Prandaj, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Themelet
1. Juridiksioni
(a) Argumentet e palëve
(i) Qeveria
109. Qeveria parashtroi që autoriteti udhëheqës në konceptin e “juridiksionit” në nenin 1 të Konventës ishte vendimi i Gjykatës në çështjen Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve ([GC] (vend.), nr. 52207/99, KEDNJ 2001-XII). Çështja Banković vendosi që fakti që një individ kishte pasur pasoja nga një akt i kryer nga një Shtet Kontraktues ose agjentët e tij nuk ishte i mjaftueshëm për të konstatuar nëse ai hynte në juridiksionin e atij Shteti. Juridiksioni sipas nenit 1 ishte “kryesisht” ose “thelbësisht” territorial dhe çdo shtrirje e juridiksionit jashtë territorit të Shtetit Kontraktues ishte “e jashtëzakonshme” dhe kërkonte “arsyetim të posaçëm në rrethanat e veçanta të secilit rast”. Gjykata ishte shprehur në çështjen Banković që të drejtat e Konventës nuk mund të “priteshin e qepeshin sipas masës”. Brenda juridiksionit të vet, një Shtet Kontraktues ishte nën detyrimin për të siguruar të gjitha të drejtat dhe liritë e Konventës. Gjithashtu, Gjykata tha në çështjen Banković që Konventa ishte “një instrument i rendit publik europian” dhe “një traktat shumëplanësh (multilateral) që vepronte, sipas nenit 56 të Konventës, në një kontekst kryesisht rajonal dhe posaçërisht në hapësirën juridike (espace juridique) të Shteteve Kontraktuese”. Baza kryesisht territoriale e juridiksionit pasqyronte parime të së drejtës ndërkombëtare dhe mori parasysh vështirësitë praktike dhe ligjore me të cilat përballet një Shtet që vepron në territorin e një Shteti tjetër, veçanërisht në rajone të cilat nuk kanë të njëjtat vlera të Shteteve Anëtare të Këshillit të Europës.
110. Në parashtresën e Qeverisë, Dhoma e Madhe në çështjen Banković, pasi kishte zhvilluar një rishikim të gjerë të praktikës gjyqësore, identifikoi një numër të kufizuar përjashtimesh nga parimi territorial. Përjashtimi kryesor rridhte nga praktika gjyqësore në Qipron veriore dhe zbatohej kur një Shtet, si pasojë e veprimeve ushtarake, ushtronte kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit të tij kombëtar. Aty ku Gjykata kishte gjetur që kjo bazë juridiksioni zbatohej përjashtimisht, ajo kishte theksuar që Shteti që ushtronte juridiksionin ishte përgjegjës për sigurimin e gamës së plotë të të drejtave substanciale të Konventës në territorin në fjalë (shih Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, § 62, Seria A nr. 310; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, §§ 75-80, KEDNJ 2001‑IV; Banković, cituar lart, §§ 70-71; Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, §§ 314-316, KEDNJ 2004‑VII). Për më tepër, pavarësisht nga thëniet që tregonin të kundërtën në vendimin pasues të Gjykatës në çështjen Issa dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 31821/96, 16 nëntor 2004, Dhoma e Madhe në çështjen Banković e bëri të qartë që baza juridike e “kontrollit efektiv të një zone” mund të zbatohej vetëm brenda hapësirës ligjore të Konventës. Përveç kontrollit të ushtruar nga Turqia në Qipron veriore, Gjykata e kishte zbatuar këtë përjashtim vetëm në lidhje me një zonë tjetër, Transdniestria, e cila po ashtu hynte brenda territorit të një Shteti tjetër Kontraktues. Çdo qasje tjetër do të rrezikonte që t’i kërkohej Shtetit të impononte standarde të huaja në aspektin kulturor, në shkelje të parimit të vetëvendosjes sovrane.
111. Sipas Qeverisë, praktika gjyqësore e Gjykatës mbi nenin 56 të Konventës më tej tregonte që një Shtet nuk do të konsiderohej që ushtronte juridiksion nga neni 1 mbi një territor jashtë kufijve thjesht për shkak të ushtrimit të kontrollit efektiv atje: shih Quark Fishing Shpk. kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), nr. 15305/06, KEDNJ 2006-XIV. Nëse përjashtimi për kontrollin efektiv të territorit konsiderohej që zbatohej jashtë territoreve të Shteteve Kontraktuese, kjo do të shpinte në përfundimin që një Shtet ishte i lirë të zgjidhte nëse do të shtrinte Konventën dhe Protokollet e saj për të përfshirë një territor jo-metropolitan jashtë “espace juridique” të Konventës mbi të cilën ai faktikisht mund të kishte ushtruar kontroll për dekada të tëra, por nuk ishte i lirë të zgjidhte nëse do ta shtrinte Konventën në territoret jashtë asaj hapësire mbi të cilën ai ushtronte kontroll efektiv si rezultat i veprimeve ushtarake vetëm përkohësisht, për shembull vetëm deri kur të rikthehej paqja dhe siguria.
112. Qeveria parashtroi që, meqenëse Iraku ishte jashtë hapësirës ligjore të Konventës, baza e jashtëzakonshme e “kontrollit efektiv të një zone” nuk mund të zbatohej. Sido që të ishte, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte “kontroll efektiv” mbi ndonjë pjesë të Irakut gjatë kohës në fjalë. Ky ishte përfundimi i gjykatave vendase, të cilat kishin të gjitha provat në dispozicion para tyre. Numri i Forcave të Koalicionit, përfshirë forcat e Mbretërisë së Bashkuar, ishte i vogël: në Irakun Juglindor, një zonë prej 96.000 km katrorë dhe me një popullsi prej 4.6 milionë banorësh, kishte 14.500 trupa Koalicioni, përfshirë 8.150 trupa britanike. Trupat e Mbretërisë së Bashkuar vepronin në provincat Al-Basrah dhe Maysan, të cilat kishin një popullatë prej 2.76 milionësh për 8.119 trupa. Forcat e Mbretërisë së Bashkuar në Irak përballeshin me vështirësi reale praktike në rivendosjen e kushteve të sigurisë dhe stabilitetit për t’i mundësuar popullit të Irakut që të vendoste i lirë të ardhmen e vet politike. Arsyeja kryesore për këtë ishte që në fillim të pushtimit atje nuk kishte sistem kompetent për zbatimin e ligjit, ndërkohë që kishte krime të dhunshme të përhapura kudo, terrorizëm dhe luftime mes fiseve ku përdoreshin armë të lehta dhe të rënda.
113. Autoriteti qeverisës në Irak gjatë pushtimit ushtrohej nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit, i cili qeverisej nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Paul Bremer dhe i cili nuk ishte një autoritet vartës i Mbretërisë së Bashkuar. Përveç kësaj, nga korriku 2003 ekzistonte një Këshill Qeverisës i Irakut dhe disa këshilla lokale irakiane. Statusi i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit dhe administrata e Irakut ishin krejtësisht ndryshe nga ato të “TNRC” në Qipro ose “MRT” në Transdniestria, ku të dyja u karakterizuan nga Gjykata si “autoritete të vetëshpallura të cilat nuk njihen nga bashkësia ndërkombëtare”. Autoriteti i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit dhe administrata irakiane njiheshin nga bashkësia ndërkombëtare, përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më tej, qëllimi i pushtimit të përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar në Irak ishte që autoriteti t’i transferohej sa më shpejt një administrate përfaqësuese të Irakut. Me këtë qëllim në mendje, pushtimi zgjati pak më shumë se një vit.
114. Në parashtresën e Qeverisë, fakti që mes majit 2003 dhe qershorit 2004 Mbretëria e Bashkuar ishte një Fuqi Pushtuese brenda kuptimit të Rregulloreve të Hagës (shih paragrafin 89 lart) në vetvete nuk sillte detyrimin për të siguruar të drejtat dhe liritë e Konventës për banorët e Irakut Juglindor. Si Fuqi Pushtuese Mbretëria e Bashkuar nuk kishte sovranitet mbi Irakun dhe nuk i takonte ta trajtonte zonën nën pushtimin e saj si territorin e vet apo si koloni që i nënshtrohej pushtetit dhe autoritetit të saj të plotë. Rregulloret e Hagës nuk i jepnin Mbretërisë së Bashkuar pushtetin për të ndryshuar ligjet dhe kushtetutën e Irakut në mënyrë që ato të ishin konform së drejtës vendore të vetë Mbretërisë së Bashkuar apo detyrimeve ndërkombëtare shumëplanëshe rajonale siç është Konventa. Përkundrazi, Rregulloret e Hagës vendosnin kufijtë e pushteteve të Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht detyrimin për të respektuar ligjet në fuqi në Irak nëse nuk haste “pengesa absolute”. Më tej, rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara njohu faktin që autoriteti qeverisës në Irak gjatë pushtimit do të ushtrohej nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit dhe që qëllimi i pushtimit ishte transferimi i autoritetit sa më shpejt që të ishte e mundur tek administrata përfaqësuese e Irakut. Rrjedhimisht, korniza ligjore ndërkombëtare, jo vetëm që nuk përcaktoi që Mbretëria e Bashkuar ishte e detyruar të siguronte të drejtat e Konventës në Irak, por vendosi që Mbretëria e Bashkuar do të kishte vepruar kundër detyrimeve të saj ndërkombëtare sikur të kishte tentuar të modifikonte kushtetutën e Irakut për ta bërë atë të përputhshme me Konventën. Sido që të ishte, praktika gjyqësore e Gjykatës tregoi që ajo e trajtonte çështjen nëse një Shtet ushtronte juridiksion jashtë-territorial si çështje fakti, e informuar nga natyra e veçantë dhe historia e Konventës. Detyrimet e imponuara nga Konventa e Katërt e Gjenevës dhe Rregulloret e Hagës iu përshtatën me kujdes rrethanave të pushtimit dhe ato në vetvete nuk mund të kishin pasoja për çështjen shumë të ndryshme të juridiksionit në kuadër të Konventës.
115. Qeveria pranoi që ishte e mundur të identifikoheshin nga praktika gjyqësore disa kategori të tjera përjashtuese ku juridiksioni mund të ushtrohej nga një Shtet jashtë territorit të tij dhe jashtë rajonit të Konventës. Në çështjen Banković (cituar lart) Dhoma e Madhe iu referua çështjeve të tjera që kishin të bënin me aktivitetet e agjentëve diplomatikë apo konsullorë jashtë vendit dhe atyre të gjendur në avionë dhe anije të regjistruara në ose që mbanin flamurin e Shtetit. Në çështjen Banković Gjykata gjithashtu citoi si shembull çështjen Drozd dhe Janousek kundër Francës dhe Spanjës, 26 qershor 1992, Seria A nr. 240, ku tregohej që juridiksioni mund të ushtrohej nga një Shtet nëse ai e sillte një individ para gjykatës së vetë Shtetit, ku kjo gjykatë ishte e vendosur jashtë territorit të tij, për të zbatuar të drejtën e vet penale. në çështjen Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, KEDNJ 2005-IV, Dhoma e Madhe u shpreh që Turqia kishte ushtruar juridiksion mbi kërkuesin kur ai ishte “arrestuar nga pjesëtarët e forcave turke të sigurisë jashtë një avioni të regjistruar në Turqi në zonën ndërkombëtare të aeroportit të Nairobit” dhe ishte “detyruar fizikisht të kthehej në Turqi nga zyrtarët turq dhe ishte nën autoritetin dhe kontrollin e tyre pas arrestimit dhe kthimit të tij në Turqi”. Në parashtrimin e Qeverisë, asnjëri prej këtyre përjashtimeve nuk zbatohej në rastet e kërkuesve të parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.
116. Qeveria diskutoi që parashtresa e kërkuesve që, duke qëlluar të afërmit e tyre, ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar kishin ushtruar “autoritet dhe kontroll” mbi të ndjerët, në mënyrë që t’i sillnin ata brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vendimin në çështjen Banković (cituar lart). Në çështjen Banković Dhoma e Madhe shqyrtoi zbatueshmërinë e Konventës në operacionet ushtarake jashtë-territoriale në përgjithësi, duke pasur parasysh inter alia praktikën e Shtetit dhe nenin 15 të Konventës, dhe arriti në përfundimin që Konventa nuk gjente zbatim në veprimet ushtarake të Shteteve përgjegjëse të cilat rezultuan me vdekjet e të afërmve të kërkuesve. Po kështu, në rastin konkret, veprimet ushtarake të ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar të cilët qëlluan të afërmit e kërkuesve gjatë kryerjes së operacioneve ushtarake të sigurisë në Irak nuk përbënte ushtrim juridiksioni mbi ta. Në këtë aspekt nuk mund të vërehej asnjë dallim mes një vdekjeje të shkaktuar nga bombardimi dhe një vdekjeje të shkaktuar nga të shtënat me armë gjatë një operacioni në terren.
117. Qeveria e mohoi argumentin e kërkuesve që ekzistonte një lidhje juridiksionale për shkak se ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar po ushtronin “autoritet ligjor” mbi të ndjerët, për rrjedhojë të detyrimit sipas Rregulloreve të Hagës për sigurimin e “sigurisë dhe rendit publik” në territorin e pushtuar. Kuptimi i nenit 1 të Konventës ishte autonom dhe nuk mund të përcaktohej duke iu referuar dispozitave krejtësisht të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Më tej, detyrimi i referohej çdo qytetari të Irakut brenda territorit të pushtuar dhe, nëse kërkuesit kishin të drejtë, Mbretërisë së Bashkuar do t’i ishte kërkuar të siguronte të drejtat e Konventës për të gjithë ata. As nuk mund të thuhej që trupat e Mbretërisë së Bashkuar në kohën në fjalë po ushtronin “funksione publike” në përputhje me marrëveshjet në traktat (shih Banković, cituar lart, § 73). Në fakt, trupat e Mbretërisë së Bashkuar po ushtronin pushtet ushtarak në përpjekje për të krijuar një situatë ku funksionet qeveritare do të ushtroheshin dhe ku sundimi i ligjit do të vepronte si duhet. Nuk mund të gjendej asnjë dallim i dukshëm mes llojeve të ndryshme të operacioneve ushtarake që ndërmerreshin prej tyre. Nuk kishte bazë mbi të cilën të nxirrej përfundimi që zbatueshmëria e Konventës duhet të kthehej mbi aktivitetin e veçantë ku kishte qenë i angazhuar një ushtar në kohën e shkeljes së pretenduar, pavarësisht nëse ka qenë në patrulla rrugore, gjatë sulmeve në terren apo bombardimit nga ajri.
118. Në përfudim, Qeveria parashtroi që gjykatat vendase kishin të drejtë në faktin që Mbretëria e Bashkuar nuk kishte ushtruar ndonjë juridiksion të nenit 1 mbi të afërmit e kërkuesit të parë deri tek i katërti në kohën e vdekjes së tyre. Çështjet nuk mund të dalloheshin nga ajo e të ndjerit në çështjen Banković (cituar lart). Po kështu, as faktet e çështjes së kërkuesit të pestë nuk ishin të mjaftueshme për ta dalluar atë në këtë aspekt nga ato të kërkuesit të parë deri tek i katërti. Djali i kërkuesit të pestë nuk u arrestua në rrethana të ngjashme me ato të cilat përbënin bazën e juridiksionit në çështjen Öcalani (cituar lart). Si grabitës i dyshuar, në situata të trazirave publike ekstreme pas përfundimit të aktiviteteve luftarake në shkallë të gjerë, ai u lëviz fizikisht prej ushtarëve britanikë nga vendi i grabitjes drejt një vendi tjetër. Veprimet e ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar përfshinin një konstatim të pushtetit ushtarak mbi djalin e kërkuesit të pestë, por jo më shumë se kaq. Qeveria pranoi që djali i kërkuesit të gjashtë kishte hyrë në juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar prej momentit që kishte ndërruar jetë, por vetëm mbi bazën e gjetur nga Gjykata e Divizionit dhe më pas nga Lordi Brown, me të cilin ishin dakord Lordët Roger dhe Carswell si dhe Baronesha Hale, pra që juridiksioni ishte vendosur në momentin kur i ndjeri ishte burgosur në një godinë burgu ushtarak në një bazë britanike, kryesisht përmes analogjisë me përjashtimin jashtë-territorial të bërë për ambasadat. Në seancën para Gjykatës, avokati i Qeverisë konfirmoi që qëndrimi i Qeverisë ishte që, për shembull, një individ që merrej në burg ushtarak britanik në tokë të huaj me një automjet ushtarak britanik nuk hynte në juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar deri në momentin kur individi hynte brenda perimetrit të objektit.
119. Kjo nuk do të thoshte që trupat e Mbretërisë së Bashkuar ishin të lira të vepronin në mënyrë të pandëshkueshme në Irak. Siç vërejti Lordi Bongham në opinionin e tij në Dhomën e Lordëve, veprimet e forcave të Mbretërisë së Bashkuar i nënshtroheshin dhe rregulloheshin nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në Irak po ashtu i nënshtroheshin së drejtës penale vendore të Mbretërisë së Bashkuar dhe mund të ndiqeshin penalisht në gjykatat vendase. Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte juridiksion për të ndjekur krimet e luftës aty ku Shteti nuk kishte vullnetin ose mundësinë e ndjekjes penale. Kërkesat për çështjet civile në gabim po ashtu mund të drejtoheshin në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar kundër agjentëve dhe autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar që pretendohej se u kishin shkaktuar lëndime individëve në Irak.
(ii) Kërkuesit
120. Kërkuesit pranuan që juridiksioni sipas nenit 1 ishte kryesisht territorial. Megjithatë, ata theksuan që nuk ishte ekskluzivisht kështu dhe që ishte e mundur që një Shtet Kontraktues të ushtronte juridiksion jashtë-territorial. Procedura sipas nenit 56 lejonte Shtetet që të shtrinin Konventën në territore të tjera, duke marrë parasysh si duhej kërkesat e vendit, përmes një deklarate të njoftuar. Megjithatë, ishte e qartë nga praktika gjyqësore që neni 56 nuk ishte mekanizëm ekskluziv për zbatueshmërinë jashtë-territoriale.
121. Kërkuesit parashtruan që praktika gjyqësore e Gjykatës dhe Komisionit e njihnin ushtrimin nga Shtetet të juridiksionit jashtë-territorial përmes parimeve të “autoritetit të agjentit të Shtetit” dhe “kontrollit efektiv të një zone”. Referenca e parë ndaj juridiksionit të “autoritetit të agjentit të Shtetit” ndodhej në vendimin e Komisionit mbi zbatueshmërinë në çështjen Qipro kundër Turqisë, nr. 6780/74 dhe 6950/75, vendimi i Komisionit mbi pranueshmërinë i datës 26 maj 1975, vëll. 2 Vendimet dhe Raportet (DR), fq. 125, në fq. 136, ku komisioni vërejti që: “... agjentët e autorizuar të Shtetit ... jo vetëm që mbeten nën juridiksionin e tij kur janë jashtë shtetit, por sjellin çdo person apo pasuri tjetër ‘brenda juridiksionit’ të atij Shteti, deri në atë masë sa ata ushtrojnë autoritet mbi këto persona ose pasuri”. Më pas ky parim u zbatua në çështjen Qipro kundër Turqisë, nr. 6780/74 dhe nr. 6950/75, Raporti i Komisionit i datës 10 korrik 1976, kur Komisioni gjeti që veprimet e ushtarëve turq në Qipro përfshinin ushtrimin e juridiksionit të Turqisë. Këto veprime përfshinin vrasjen e civilëve, përfshirë individë nën urdhrat e një oficeri dhe të tjerë të vrarë në përpjekje për të rimarrë pasuri nga pronat nën kontrollin e Turqisë; përdhunimin e femrave në shtëpi të zbrazëta dhe në rrugë; burgosjen arbitrare të civilëve; mizori ndaj të burgosurve; zhvendosje të civilëve; dhe konfiskimin ushtarak të pasurisë. Meqenëse Turqia nuk e pranoi juridiksionin e Gjykatës deri në vitin 1990, çështja nuk u shqyrtua kurrë nga Gjykata. Megjithatë, raporti i Komisionit nuk e mbështeti sugjerimin që vetëm autoriteti ushtarak i burgut përbënte një raport autoriteti dhe kontrolli të mjaftueshëm.
122. Kërkuesit theksuan që në rastet e fundit kundër Turqisë në lidhje me Qipron veriore të cilat ishin shqyrtuar nga Komisioni dhe Gjykata gjatë viteve 1990, Turqia kishte pranuar që juridiksioni i saj sipas Nenit 1 do të angazhohej në lidhje me veprimet e drejtpërdrejta të personelit ushtarak turk. Megjithatë, Qeveria Turke ndërroi bazat dhe argumentoi që ajo nuk kishte juridiksion sepse veprimet në fjalë nuk ishin kryer nga agjentët turq por përkundrazi i atribuoheshin një administrate lokale autonome të instaluar në vitin 1983, e quajtur “TRNC”. Gjykata në çështjen Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake) dhe në çështjen Qipro kundër Turqisë, të dyja të cituara lart, iu kundërvu këtij argumenti duke elaboruar parimin e “kontrollit efektiv të një zone”, i cili ishte i zbatueshëm (shih Loizidou (kundërshtimet paraprake) § 62):
“kur, si pasojë e veprimeve ushtarake – qofshin të ligjshme apo të paligjshme – [një Shtet Kontraktues] ushtron kontroll efektiv të një zone jashtë territorit të tij kombëtar. Detyrimi për të siguruar, në një zonë të tillë, të drejtat dhe liritë e garantuara nga Konventa rrjedh nga fakti i një një kontrolli të tillë pavarësisht nëse ai ushtrohet drejtpërdrejt, përmes forcave të tij të armatosura, apo përmes një administrate lokale mvartëse.”
Në këto raste Gjykata nuk dha ndonjë tregues që parimi i “autoritetit të agjentit të Shtetit” ishte zëvendësuar. Në fakt, në çështjen Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), para përcaktimit të parimit të juridiksionit të “kontrollit efektiv të një zone”, Gjykata vërejti (§ 62), që:
“Përveç kësaj, mund të përfshihet përgjegjësia e Palëve Kontraktuese për shkak të veprimeve të autoriteteve të tyre, pavarësisht nëse janë kryer brenda apo jashtë kufinjve kombëtarë, të cilat sjellin efekte jashtë territorit të tyre (shih vendimin në çështjen Drozd dhe Janousek kundër Francës dhe Spanjës datë 26 qershor 1992, Seria a nr. 240, fq. 29, paragrafi 91)”.
Më tej, përfundimi i saj në lidhje me faktin nëse shkelja e pretenduar mund të hynte brenda juridiksionit turk mbështetej në të dyja bazat njësoj (§ 63):
“Në lidhje me këtë, Qeveria përgjegjëse ka njohur faktin që humbja nga kërkuesja e kontrollit mbi pronën e saj rrjedh nga pushtimi i një pjese të Qipros nga trupat turke dhe vendosja aty e ‘TRNC’. Më tej, nuk është diskutuar që kërkuesja është ndaluar nga trupat turke që të kishte qasje në pronën e saj.”
Në praktikën e mëtejshme gjyqësore të Gjykatës, dy parimet kanë vazhduar të qëndrojnë krahas njëri-tjetrit (shih Banković §§ 69-73; Issa §§ 69-71 (të dyja cituar lart); Andreou kundër Turqisë (vend.), nr. 45653/99, 2 qershor 2008; Solomou dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 36832/97, §§ 44-45, 24 qershor 2008). Nuk kishte ndonjë precedent të Gjykatës që të sugjeronte që juridiksioni i “autoritetit të agjentit të Shtetit” ishte i paaftë si mjet për analizimin e veprimeve të drejtpërdrejta nga agjentët ushtarakë të Shtetit që ushtronin autoritetin.
123. Kërkuesit argumentuan që familjarët e tyre të ndjerë hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar nën parimin e “autoritetit të agjentit të Shtetit”. Qeveria kishte pranuar që, për sa i përket djalit të kërkuesit të gjashtë, ushtrimi i autoritetit dhe kontrollit nga personeli ushtarak në Irak ishte në gjendje të angazhonte juridiksionin jashtë-territorial të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, juridiksioni në rastet e burgimit jashtë-territorial nuk mbështetej në idenë e një burgu ushtarak në një enklavë pothuaj-territoriale. Juridiksioni në lidhje me djalin e kërkuesit të gjashtë do të ishte ngritur si çështje gjithsesi, edhe sikur ai të kishte vdekur pas torturimit dhe vrasjes gjatë kohës së arrestimit të tij në hotelin ku punonte apo në një automjet ushtarak të parkuar diku jashtë. Për më tepër, autoriteti dhe kontrolli i ushtruar nga personeli ushtarak nuk ishte i kufizuar në parim brenda veprimeve të tyre si gardianë, edhe nëse arrestimi dhe burgosja e personave jashtë territorit të Shtetit mund të shihej si shembull klasik i autoritetit të agjentit të Shtetit (siç u argumentua nga Qeveritë përgjegjëse në çështjen Banković, cituar lart, § 37).
124. Kërkuesit parashtruan që të afërmit e ndjerë të të gjashtë kërkuesve hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar për shkak të autoritetit dhe kontrollit të ushtruar mbi ta nga agjentët e Mbretërisë së Bashkuar. Ata theksuan që forcat e armatosura britanike kishin përgjegjësi për rendin publik në Irak, për ruajtjen e parrezikshmërisë dhe sigurisë së civilëve vendas dhe mbështetjen e administratës civile. Në kryerjen e këtyre funksioneve, forcat e armatosura britanike vepronin brenda kontekstit më të gjerë të pushtimit nga Mbretëria e Bashkuar të Irakut Juglindor. Kontrolli dhe autoriteti gjithashtu ushtrohej përmes Zyrës Rajonale të CPA-së në Jug, e cila përmbante kryesisht staff britanik. Individët e vrarë ishin civilë ndaj të cilëve forcat e armatosura britanike duhet të ofronin siguri dhe mbrojtje nga rreziku. Kështu, ekzistonte një raport i veçantë autoriteti dhe kontrolli mes ushtarëve dhe civilëve të vrarë. Gjetja që këto individë hynin brenda autoritetit të forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nuk do të kërkonte pranimin e qasjes ndaj juridiksionit sipas ndikimit, çka u refuzua në çështjen Banković (cituar lart), por do të mbështetej mbi një raport të veçantë autoriteti dhe kontrolli. Përndryshe, kërkuesit argumentuan që, të paktën në lidhje me të afërmit e kërkuesve të dytë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë, ushtarët britanikë kishin ushtruar autoritet dhe kontroll të mjaftueshëm për t’i sjellë viktimat brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar.
125. Më tej, kërkuesit diskutuan që të afërmit e tyre të ndjerë hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sepse, në kohën relevante, Mbretëria e Bashkuar kishte nën kontroll efektiv Irakun juglindor. Sipas tyre, aty ku, sipas të drejtës ndërkombëtare, territori ishte i pushtuar nga një Shtet si Fuqi Pushtuese, për shkak se ai territor ishte vendosur faktikisht nën autoritetin e ushtrisë armike të një Shteti si Fuqi Pushtuese (shih nenin 42 të Rregulloreve të Hagës: paragrafi 89 lart), kjo ishte e mjaftueshme për të përbërë juridiksion jashtë-territorial sipas nenit 1 të Konventës. Kjo pasojë e pushtimit ndërluftues pasqyronte qasjen në të drejtën ndërkombëtare, si në aspektin e juridikisionit jashtë-territorial ashtu edhe në zbatimin jashtë-territorial të të drejtave të njeriut mbi bazën e “juridiksionit”.
126. Ata e refuzuan idenë që baza e juridiksionit nga “kontrolli efektiv i një zone” mund të zbatohej vetëm brenda hapësirës ligjore të Konventës. Më tej, ata arsyetuan që kërkesa që një Shtet të ushtrojë kontroll të plotë, të ngjashëm me atë të ushtruar në territorin e vet, do të shpinte drejt një pozicioni të mbrapshtë ku faktet që zbulonin një shkelje të Konventës, në vend që t’i ofronin viktimës mundësinë për zgjidhje, do të formonin bazën e provave për gjetjen që Shteti nuk ka ushtruar juridiksion. Në mënyrë të ngjashme, përkufizimi i ekzistencës së kontrollit mbi një zonë duke iu referuar vetëm numrit të trupave do të ishte e pasigurt, do të lejonte shmangien e përgjegjësisë dhe do të nxiste arbitraritetin. Zbatimi i Konventës do të duhej të ndikonte mbi veprimet e Shteteve Kontraktuese, duke promovuar konsideratën e kujdesshme të ndërhyrjes ushtarake dhe duke siguruar numra të mjaftueshëm të trupave për të përmbushur detyrimet e tij ndërkombëtare. Kërkuesit e mbështetën qasjen e sugjeruar nga Sedley LJ në Gjykatën e Apelit (shih paragrafin 80 lart), që një Shtet Kontraktues gjatë pushtimit ushtarak ishte i detyruar të bënte gjithçka që ishte e mundur për të ruajtur rendin dhe për të mbrojtur të drejtat thelbësore civile. Ndërkohë që praktika gjyqësore e Gjykatës (çështjet lidhur me Qipron veriore dhe çështja Ilaşcu, cituar lart) përfshinin hollësi në lidhje me numrin e personelit ushtarak të zbarkuar, kjo ishte relevante për të përcaktuar nëse një territor faktikisht ishte vendosur nën autoritetin e një ushtrie armike, në rastet kur Shtetet përgjegjëse (Turqia dhe Rusia) e mohonin që kishin pushtuar. Aty ku, si në rastin konkret, Shteti përgjegjës e ka pranuar që ishte në pushtim të territorit, një vlerësim i tillë ishte i panevojshëm.
127. Kërkuesit argumentuan që detyra e një Shteti pushtues sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare për zbatimin e ligjit vendas në Shtetin territorial dhe për të mos imponuar ligjin e vet nuk mund të përdorej për t’iu shmangur juridiksionit të zbatuar edhe në rastet e pushtimit të paligjshëm. Ata iu referuan vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Aktivitetet e Armatosura mbi Territorin e Kongos dhe Opinionit Këshillues në Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez (shih paragrafët 90-91 lart), ku Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjeti që Shteti pushtues kishte detyrimin që të zbatonte të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Parimi i qartë i dalë nga këto çështje ishte që pushtimi ndërluftues në të drejtën ndërkombëtare shërbente si bazë për njohjen e juridiksionit jashtë-territorial për të drejtat e njeriut.
iii.Palët e treta
128. Ndërhyrësit (shih paragrafin 6 lart) theksuan që Konventa ishte miratuar në vijim të pasojave të ngjarjeve në Europë në vitet 1930 dhe 1940, kur forcat ushtarake në territoret e pushtuara kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut. Ishte e pakonceptueshme që hartuesit e Konventës të kishin konsideruar që përgjegjësitë prospektive të Shteteve duhet të kufizoheshin me shkeljet e kryera në territoret e tyre përkatëse. Për më tepër, e drejta ndërkombëtare publike kërkonte që koncepti i “juridiksionit” të interpretohej nën prizmin e objektit dhe qëllimit të traktatit të dhënë. Gjykata në mënyrë të përsëritur ka pasur parasysh karakterin e posaçëm të Konventës si instrument për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ishte relevant fakti që një prej parimeve prirëse sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, i cili ishte zbatuar nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në shqyrtimin e sjelljes së Shteteve jashtë territorit të tyre, ishte nevoja për të shmangur standardet e paqëllimshme të dyfishta, duke i lejuar një Shteti të kryente shkelje në territor të huaj të cilat nuk do të lejoheshin në territorin e vetë Shtetit.
129. Ndërhyrësit më tej theksuan se ekzistonte një parim i përbashkët mes gjykatave ndërkombëtare dhe vendase dhe organeve të të drejtave të njeriut që, në përcaktimin nëse veprimet apo mosveprimet e agjentëve të një Shteti jashtë vendit hynin brenda “juridiksionit” të tij, duhet të merrej parasysh ekzistenca e kontrollit, autoritetit apo pushtetit të atij Shteti mbi individin në fjalë. Kur agjentët e Shtetit ushtronin kontroll autoritet apo pushtet të tillë mbi një individ jashtë territorit të këtij Shteti, detyrimi i Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut vazhdonte. Ky ishte një test faktik, që duhej përcaktuar duke marrë parasysh rrethanat e veprimit apo mosveprimit të agjentëve të Shtetit. Disa situata të caktuara, siç janë pushtimet ushtarake, krijonin presupozimin e fortë që individët ishin nën kontrollin, autoritetin apo pushtetin e Shtetit pushtues. Në fakt, një parim që doli nga praktika gjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë inter alia (shih paragrafët 90-91 lart), ishte që kur një situatë cilësohet si pushtim brenda kuptimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare, ekzistonte një presupozim i fuqishëm i “juridiksionit” për qëllime të zbatimit të së drejtës për të drejtat e njeriut.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
(i) Parimet e përgjithshme relevante për juridiksionin sipas nenit 1 të Konventës
130. Neni 1 i Konventës thotë si vijon:
“Palët e Larta Kontraktuese do t’i sigurojnë secilit brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Seksionin I të Konventës.”
Siç parashikohet në këtë nen, angazhimi i marrë përsipër nga një Shtet Kontraktues kufizohet me “sigurimin” (“reconnaître” në tekstin frëngjisht) e të drejtave dhe lirive të personave brenda “juridiksionit” të vet (shih Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 86, Seria A nr. 161; Banković dhe të Tjerë kunëdr Belgjikës dhe të Tjerëve [GC] (vend.), nr. 52207/99, § 66, KEDNJ 2001‑ XII). “Juridiksioni” sipas nenit 1 është kriter pragu. Ushtrimi i juridiksionit është kusht i domosdoshëm për një Shtet Kontraktues që të jetë në gjendje të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet që i mvishen të cilat i japin shkas akuzave për shkelje të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë (shih Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 311, KEDNJ 2004‑VII).
(α) Parimi territorial
131. Kompetenca juridiksionale e një Shteti sipas nenit 1 është kryesisht territoriale (shih Soering, cituar lart, § 86; Banković, cituar lart, §§ 61 dhe 67; Ilaşcu, cituar lart, § 312). Juridiksioni presupozohet se ushtrohet normalisht në tërë territorin e Shtetit (Ilaşcu, cituar lart, § 312; Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, § 139, KEDNJ 2004‑II). Anasjelltas, veprimet e Shteteve Kontraktuese që janë kryer, ose që kanë efektë, jashtë territoreve të tyre mund të përbëjnë ushtrim juridiksioni brenda kuptimit të nenit 1 vetëm në raste të jashtëzakonshme (Banković, cituar lart, § 67).
132. Deri më sot, Gjykata në praktikën e saj gjyqësore ka njohur disa rrethana të jashtëzakonshme që kanë mundësi t’i japin shkas ushtrimit të juridiksionit nga një Shtet Kontraktues jashtë kufijve të territorit të tij. Në secilin rast, çështja nëse ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat kërkojnë dhe arsyetojnë një gjetje nga Gjykata që Shteti ka ushtruar juridiksion jashtë-territorial duhet përcaktuar duke iu referuar fakteve të veçanta.
(β) Autoriteti dhe kontrolli i agjentëve të Shtetit
133. Gjykata ka njohur në praktikën e saj gjyqësore që, si përjashtim nga parimi i territorialitetit, juridiksioni i një Shteti Kontraktues sipas nenit 1 mund të shtrihet tek veprimet e autoriteteve të tij të cilat prodhojnë efekte jashtë territorit të vet (shih Drozd dhe Janousek kundër Francës dhe Spanjës, vendimi i datës 26 qershor 1992, Seria A nr. 240, § 91; Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, § 62, Seria A nr. 310; Loizidou kundër Turqisë (themelet), 18 dhjetor 1996, § 52, Përmbledhje e Vendimeve 1996-VI; dhe Banković, cituar lart, 69). Deklarata e parimit, siç paraqitet në Drozd dhe Janousek dhe në çështjet e tjera të sapo cituara, është shumë i gjerë: Gjykata deklaron thjesht që përgjegjësia e Palës Kontraktuese “mund të përfshihet” në këto rrethana. Është e nevojshme të shqyrtohet praktika gjyqësore e Gjykatës për të identifikuar parimet përkufizuese.
134. Së pari, është e qartë se veprimet e agjentëve diplomatikë dhe konsullorë, të cilët janë të pranishëm në territor të huaj në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare, mund të shkojnë deri tek ushtrimi i juridiksionit kur këto agjentë ushtrojnë autoritet dhe kontroll mbi të tjerët (Banković, cituar lart, § 73; shih po ashtu X kundër Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 1611/62, vendimi i Komisionit i datës 25 shtator 1965, Libri Vjetor i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, vëll. 8, fq. 158 dhe 169; X. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7547/76, vendim i Komisionit datë 15 dhjetor 1977; WM kundër Danimarkës, nr. 17392/90, vendim i Komisionit datë 14 tetor 1993).
135. Së dyti, Gjykata ka njohur ushtrimin e juridiksionit jashtë-territorial nga një Shtet Kontraktues kur, me pëlqimin, ftesën apo pranimin e heshtur të Qeverisë për atë territor, ai ushtron të gjitha ose disa prej pushteteve publike që normalisht ushtrohen nga ajo Qeveri (Banković, cituar lart, § 71). Kështu, aty ku, në përputhje me zakonet, traktatet apo marrëveshje të tjera, autoritetet e Shtetit Kontraktues zhvillojnë funksione ekzekutive apo gjyqësore në territorin e një Shteti tjetër, Shteti Kontraktues mund të jetë përgjegjës për shkeljet e Konventës që ndodhin aty, për sa kohë që veprimet në fjalë i atribuohen atij e jo Shtetit territorial (shih Drozd dhe Janousek, cituar lart; Gentilhomme dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 48205/99, nr. 48207/99 dhe nr. 48209/99, vendimi i datës 14 maj 2002; dhe po ashtu X dhe Y kundër Zvicrës, nr. 7289/75 dhe nr. 7349/76, vendimi i Komisionit mbi pranueshmërinë i datës 14 korrik 1977, DR 9, fq. 57).
136. Përveç kësaj, praktika gjyqësore e Gjykatës tregon që, në rrethana të caktuara, përdorimi i forcës nga agjentët e një Shteti që veprojnë jashtë territorit të tij mund ta sjellë një individ që është vendosur nën kontrollin e autoriteteve të atij Shteti nën juridiksionin e Shtetit nga neni 1. Ky parim është zbatuar aty ku individi është burgosur nga agjentët e Shtetit jashtë vendit. Për shembull, në çështjen Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 91, KEDNJ 2005‑IV, Gjykata është shprehur që “menjëherë pas dorëzimit tek zyrtarët turq nga zyrtarët kenianë, kërkuesi u ndodh efektivisht nën autoritetin turk e rrjedhimisht nën ‘juridiksionin’ e atij Shteti për qëllime të nenit 1 të Konventës, megjithëse në këtë rast Turqia ushtronte autoritetin e saj jashtë territorit të saj”. Në çështjen Issa dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 31821/96, 16 nëntor 2004, Gjykata vërejti që, nëse do të ishte konstatuar që ushtarët turq i kanë mbajtur të afërmit e kërkuesve të burgosur në Irakun Verior, më pas i kanë dërguar në një shpellë aty afër dhe i kanë ekzekutuar ata, të vrarët do të kishin hyrë brenda juridiksionit turk për shkak të autoritetit të ushtarëve dhe kontrollit mbi ta. Në çështjen Al-Saadoon and Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), nr. 61498/08, §§ 86-89, 30 qershor 2009, Gjykata u shpreh se dy shtetasit irakianë të mbajtur në burgjet ushtarake të kontrolluara nga britanikët në Irak hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, meqenëse Mbretëria e Bashkuar ushtronte kontroll total dhe ekskluziv mbi burgjet dhe individët e mbajtur aty. Në fund, në çështjen Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, § 67, KEDNJ 2010-..., Gjykata vërejti që kërkuesit hynin brenda juridiksionit francez për shkak të ushtrimit nga agjentët francezë të kontrollit të plotë dhe ekskluziv mbi një anije dhe ekuipazhin e saj që nga momenti i pikasjes së saj në ujëra ndërkombëtare. Gjykata nuk konsideron që juridiksioni në çështjet e lartpërmendura ka dalë vetëm nga kontrolli i ushtruar nga Shteti Kontraktues mbi ndërtesa, avionë apo anije ku janë mbajtur individët. Faktori vendimtar në raste të tilla është ushtrimi i pushtetit dhe kontrollit fizik mbi personin në fjalë.
137. Është e qartë se, kurdo që Shteti përmes agjentëve të vet ushtron kontroll dhe autoritet mbi një individ, e rrjedhimisht juridiksion, Shteti është nën detyrimin sipas nenit 1 që t’i sigurojë atij individi të drejtat dhe liritë nga Seksioni 1 i Konventës të cilat janë relevante për situatën e atij personi. Prandaj, në këtë kuptim, të drejtat e Konventës mund të “priten dhe qepen sipas masës” (krahaso Banković, cituar lart, § 75).
(γ) Kontrolli efektiv i një zone
138. Një tjetër përjashtim nga parimi që juridiksioni sipas nenit 1 kufizohet brenda territorit të një Shteti ndodh kur, si pasojë e veprimeve ushtarake të ligjshme ose të paligjshme, një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit kombëtar. Detyrimi për të siguruar, në një zonë të tillë, të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë, rrjedh nga fakti i një kontrolli të tillë, qoftë i ushtruar drejtpërdrejt, përmes forcave të armatosura të Shtetit, apo përmes një administrate lokale të mvarur, (Loizidou (kundërshtimet paraprake), cituar lart, § 62; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 76, KEDNJ 2001‑IV, Banković, cituar lart, § 70; Ilaşcu, cituar lart, §§ 314-316; Loizidou (themelet), cituar lart, § 52). Aty ku konstatohet fakti i një dominimi të tillë, nuk është e nevojshme të përcaktohet nëse Shteti Kontraktues ushtron kontroll të hollësishëm mbi politikat dhe veprimet e administratës lokale të varur. Fakti që administrata lokale mbijeton si rezultat i mbështetjes ushtarake dhe të llojeve të tjera nga Shteti Kontraktues përmban në vetvete përgjegjësinë e atij Shteti për politikat dhe veprimet e saj. Shteti kontrollues ka përgjegjësi nga neni 1 që të sigurojë, brenda zonës nën kontrollin e tij, tërë gamën e të drejtave substanciale të përcaktuara në Konventë dhe ato Protokolle shtesë të cilat i ka ratifikuar. Ai do të mbajë përgjegjësi për çdo shkelje të atyre të drejtave (Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §§ 76-77).
139. Është çështje fakti nëse një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit të vet. Për të përcaktuar nëse ekziston kontrolli efektiv, Gjykata kryesisht do t’i referohet fuqisë së pranisë ushtarake të Shtetit në atë zonë (shih Loizidou (themelet), cituar lart, §§ 16 dhe 56; Ilaşcu, cituar lart, § 387). Ka edhe tregues të tjerë që mund të jenë relevantë, si për shembull deri ku mbështetja ushtarake, ekonomike dhe politike për administratën lokale të varur i jep Shtetit ndikim dhe kontroll mbi rajonin (shih Ilaşcu, cituar lart, §§ 388-394).
140. Parimi i “kontrollit efektiv” të juridiksionit i përcaktuar më lart nuk zëvendëson sistemin e deklarimeve sipas nenit 56 të Konventës (ish-neni 63) të cilat, Shtetet vendosën, gjatë hartimit të Konventës, t’i zbatojnë në territoret jashtë vendit për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilëve ata ishin përgjegjës. Neni 56 § 1 ofron një mekanizëm sipas të cilit një Shtet mund të vendosë të shtrijë zbatimin e Konventës, “duke marrë parasysh siç duhet ... kërkesat lokale”, në të gjitha ato territore për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilave është përgjegjës. Ekzistenca e këtij mekanizmi, i cili është përfshirë në Konventë për arsye historike, nuk mund të interpretohet në kushtet aktuale si e atillë që e kufizon fushëveprimin e termit “juridiksion” në nenin 1. Situatat që mbulohen nga parimi i “kontrollit efektiv” janë të ndara qartë dhe të dalluara nga rrethanat në të cilat një Shtet Kontraktues nuk e ka shtrirë, me anë të një deklarate sipas nenit 56, Konventën apo ndonjë prej Protokolleve të saj në një territor jashtë vendit për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilit ai është përgjegjës (shih Loizidou (kundërshtimet paraprake), cituar lart, §§ 86-89 dhe Quark Fishing Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 15305/06, KEDNJ 2006-...).
(δ) Hapësira ligjore e Konventës (“espace juridique”)
141. Konventa është një instrument kushtetues i rendit publik europian (shih Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), cituar lart, § 75). Ajo nuk qeveris veprimet e Shteteve jo-Palë në të, as nuk pretendon të jetë një mjet për t’i kërkuar Shteteve Kontraktuese që të imponojnë standardet e Konventës mbi Shtete të tjera (shih Soering, cituar lart, § 86).
142. Gjykata ka theksuar që, aty ku territori i një Shteti të Konventës është i pushtuar nga forcat e armatosura të një tjetri, Shteti pushtues duhet në parim të mbajë përgjegjësi sipas Konventës për shkelje të të drejtave të njeriut brenda territorit të pushtuar, sepse po të ishte ndryshe do të nënkuptonte privimin e popullatës së atij territori nga të drejtat dhe liritë që përmbahen në Konventë dhe do të rezultonte në një “zbrazëtirë” mbrojtjeje brenda “hapësirës ligjore të Konventës” (shih Loizidou (themelet), cituar lart, § 78; Banković, cituar lart, § 80). Megjithatë, rëndësia e vendosjes së juridiksionit të Shtetit pushtues në raste të tilla nuk nënkupton, a contrario, që juridiksioni sipas nenit 1 të Konventës nuk mund të ekzistojë kurrë jashtë një territori të mbuluar nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Europës. Gjykata nuk ka zbatuar në praktikën e saj gjyqësore ndonjë kufizim të tillë (shih mes shembujve të tjerë Öcalan, Issa, Al-Saadoon dhe Mufdhi, Medvedyev, të gjitha të cituara lart).
(ii) Zbatimi i këtyre parimeve ndaj fakteve të çështjes
143. Gjatë përcaktimit nëse Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion mbi ndonjërin prej të afërmve të kërkuesve kur ata vdiqën, Gjykata merr si pikë fillestare faktin që, më 20 mars 2003, Mbretëria e Bashkuar së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tyre të koalicionit, me anë të forcave të tyre të armatosura, hynë në Irak me qëllim të zhvendosjes së regjimit Ba’ath që ishte në fuqi në atë kohë. Ky qëllim u arrit më 1 maj 2003, kur operacionet luftarake u deklaruan të përfunduara dhe Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar u bënë Fuqi Pushtuese brenda kuptimit të nenit 42 të Rregulloreve të Hagës (shih paragrafin 89 lart).
144. Siç u shpjegua në letrën e datës 8 maj 2003 dërguar bashkërisht nga Përfaqësuesit e Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara Kryetarit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (shih paragrafin 11 lart), Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, pas zhvendosjes së regjimit të mëparshëm, krijuan Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit “për të ushtruar pushtetet e qeverisë përkohësisht”. Një nga pushtetet e qeverisë që përmendej në mënyrë të veçantë në letrën e datës 8 maj 2003 që do të ushtrohej nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar përmes Autoritetit të Përkohshëm ishte ofrimi i sigurisë në Irak, përfshirë edhe ruajtjen e ligjit dhe rendit civil. Më tej letra thoshte që “Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e Koalicionit, duke punuar përmes Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, inter alia, do të ofrojnë siguri në dhe për administratës lokale në Irak, përfshirë përmes ... marrjes nën kontroll të menjëhershëm institucionet irakiane përgjegjëse për çështje ushtarake dhe të sigurisë”.
145. Në aktin e tij të parë legjislativ, Rregullorja e CPA Nr. 1 e datës 16 maj 2003, Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit deklaroi që ai do të “ushtronte pushtete të qeverisë përkohësisht në mënyrë që të kryente punën e administratës efektive në Irak gjatë periudhës së administratës tranzitore, për të rikthyer kushtet e sigurisë dhe stabilitetit ...” (shih paragrafin 12 lart).
146. Përmbajtja e letrës së datës 8 maj 2003 u shënua nga Këshilli i Sigurimit në Rezolutën 1483, miratuar më 22 maj 2003. Kjo Rezolutë njohu më tej rolin e sigurisë që ishte marrë përsipër nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kur, në paragrafin 4, u kërkoi Fuqive Pushtuese që “të promovonin mirëqenien e popullit të Irakut përmes administrimit efektiv të territorit, në mënyrë të veçantë të punonin drejt rikthimit të kushteve të sigurisë dhe stabilitetit ...” (shih paragrafin 14 lart).
147. Gjatë kësaj periudhe Mbretëria e Bashkuar kishte nën komandën e saj Divizionin Shumëkombësh (Jug Lindje), i cili përfshinte provincën Al-Basrah, ku gjetën vdekjen të afërmit e kërkuesve. Nga 1 maji 2003 e më tej forcat britanike në Al-Basrah morën përsipër përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e administratës civile. Mes shumë detyrave të sigurisë të Mbretërisë së Bashkuar ishin patrullimet, arrestimet, operacionet kundër terrorizmit, ushtrimi i detyrave policore gjatë demonstratave civile, mbrojtja e objekteve dhe ndërtesave kryesore dhe infrastrukturës dhe mbrojtja e stacioneve të policisë (shih paragrafin 21 lart).
148. Në korrik 2003 u themelua Këshilli Qeverisës i Irakut. Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit mbeti në pushtet, megjithëse iu kërkua të konsultohej me Këshillin Qeverisës (shih paragrafin 15 lart). Në Rezolutën 1511, miratuar më 16 tetor 2003, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara theksoi natyrën e përkohshme të ushtrimit nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit të autoriteteve dhe përgjegjësive të përcaktuara në Rezolutën 1483. Po ashtu, ajo autorizoi “një forcë shumëkombëshe nën një komandë të unifikuar që të merrte të gjitha masat e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak” (shih paragrafin 16 poshtë). Rezoluta 1546 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 8 qershor 2004, autorizoi “formimin e një Qeverie sovrane të Përkohshme të Irakut ... e cila do të marrë përsipër përgjegjësi dhe autoritet të plotë nga data 30 qershor 2004 për qeverisjen e Irakut” (shih paragrafin 18 lart). Kështu, pushtimi përfundoi më 28 qershor 2004, kur i tërë autoriteti për qeverisjen e Irakut kaloi tek Qeveria e Përkohshme e Irakut nga Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit, i cili prej atij momenti pushoi së ekzistuari (shih paragrafin 19 lart).
(iii) Përfundimet për sa i përket juridiksionit
149. Kështu, mund të shihet se pas zhvendosjes nga pushteti të regjimit Ba’ath dhe deri në vendosjen e Qeverisë së Përkohshme, Mbretëria e Bashkuar (së bashku me Shtetet e Bashkuara) kanë marrë përsipër në Irak ushtrimin e disa prej pushteteve publike të cilat normalisht ushtrohen nga një qeveri sovrane. Në mënyrë të veçantë, Mbretëria e Bashkuar ka marrë përsipër autoritet dhe përgjegjësi për ruajtjen e sigurisë në Irakun Juglindor. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, Gjykata konsideron që Mbretëria e Bashkuar, përmes ushtarëve të vet të angazhuar në operacionet e sigurisë në Basrah gjatë periudhës në fjalë, ka ushtruar autoritet dhe kontroll mbi individët e vrarë gjatë këtyre operacioneve të sigurisë, për të vendosur një lidhje juridiksionale mes të ndjerëve dhe Mbretërisë së Bashkuar për qëllimet e nenit 1 të Konventës.
150. Në këto rrethana, Gjykata kujton që vdekjet në fjalë në rastin konkret kanë ndodhur gjatë periudhës relevante: djali i kërkuesit të pestë ka vdekur më 8 maj 2003; vëllezërit e kërkuesve të parë dhe të katërt kanë vdekur në gusht 2003; djali i kërkuesit të gjashtë ka vdekur në shtator 2003; dhe bashkëshortët e kërkuesve të dytë dhe të tretë kanë vdekur në nëntor 2003. Nuk diskutohet që vdekjet e të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë janë shkaktuar nga veprimet e ushtarëve britanikë në pjesë të ndryshme të Qytetit Basrah. Rrjedh që në të gjitha këto raste ka pasur një lidhje juridiksionale për qëllime të nenit 1 të Konventës mese Mbretërisë së Bashkuar dhe të ndjerëve. Bashkëshortja e kërkuesit të tretë u vra gjatë një shkëmbimi zjarri mes një patrulle ushtarësh britanikë dhe gjuajtësve të panjohur dhe nuk dihet se cila palë e ka shtënë plumbin fatal. Gjykata konsideron që, meqenëse vdekja ka ndodhur gjatë një operacioni sigurie të Mbretërisë së Bashkuar, kur ushtarët britanikë zhvillonin patrullime në afërsi të shtëpisë së kërkuesit dhe iu bashkuan shkëmbimit fatal të zjarrit, atëherë ekzistonte një lidhje juridiksionale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe kësaj të vdekure gjithashtu.
2. Shkelja e pretenduar e detyrës hetimore sipas nenit 2
151. Kërkuesit nuk u ankuan para Gjykatës për ndonjë shkelje substanciale të së drejtës për jetë sipas nenit 2. Përkundrazi, ata u ankuan që Qeveria nuk e kishte kryer detyrën e saj procedurale për zhvillimin e hetimeve efektive rreth vrasjeve.
Neni 2 i Konventës parashikon si vijon:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
2. Marrja e jetës nuk konsiderohet të shkaktohet në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo vjen si pasojë e përdorimit të forcës, që është jo më shumë se absolutisht e nevojshme:
(a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
(b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të cilit i është hequr liria ligjërisht;
(c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.”
(a) Argumentet e palëve
(i) Qeveria
152. Qeveria arsyetoi që detyra procedurale sipas nenit 2 duhet të interpretohej në harmoni me parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare. Më tej, çdo detyrë e nënkuptuar nuk duhet të interpretohej në mënyrë të atillë që të vendoste një peshë të pamundur ose disproporcionale mbi një Shtet Kontraktues. Mbretëria e Bashkuar nuk kishte kontroll të plotë mbi territorin e Irakut dhe, posaçërisht, nuk kishte kompetenca legjislative, administrative apo gjyqësore. Nëse detyra hetimore duhet të zbatohej jashtë territorit, atëherë duhet të merreshin parasysh këto rrethana, e gjithashtu edhe kushtet shumë të vështira të sigurisë në të cilat vepronte personeli britanik.
153. Qeveria pranoi që hetimet rreth vdekjeve të të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë dhe të tretë nuk ishin mjaftueshëm të pavarura për qëllimet e nenit 2, sepse në secilin rast hetimet ishin zhvilluar vetëm nga Oficerët Komandues që pretendoheshin të ishin përgjegjës. Megjithatë, ajo parashtroi që hetimet e zhvilluara në lidhje me kërkuesit e katërt dhe të pestë ishin në pajtim me nenin 2. As nuk kishte pasur ndonjë shkelje të detyrës hetimore në lidhje me kërkuesin e gjashtë; në fakt, ai nuk pretendoi që hetimet në rastin e tij nuk kishin qenë në përputhje me nenin 2.
154. Qeveria theksoi, në përgjithësi, që hetuesit e Policisë Ushtarake Mbretërore ishin institucionalisht të pavarur nga forcat e armatosura. Ajo parashtroi që Gjykata e Apelit kishte pasur të drejtë në përfundimin që Dega e Hetimeve Speciale e Policisë Ushtarake Mbretërore ishte në gjendje të zhvillonte hetime të pavarura (shih paragrafin 82 lart), megjithëse Brooke LJ po ashtu kishte komentuar që detyra e hetimit të humbjes së jetëve “duhet t’i hiqet krejtësisht zinxhirit komandues ushtarak dhe t’i jepet [Policisë Ushtarake Mbretërore]”. Roli i zinxhirit komandues ushtarak në informimin e Degës së Hetimeve Speciale mbi një incident i cili kërkonte hetime, dhe roli i saj më pas në referimin e çështjeve të hetuara nga Dega e Hetimeve Speciale për tek Autoriteti i Prokurorisë së Ushtrisë sidoqoftë nuk donte të thoshte që atyre hetimeve u mungonte pavarësia, siç kërkohet nga nenet 2 ose 3 (shih Cooper kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], §§ 108-115, nr. 48843/99, KEDNJ 2003‑XII; McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28883/95, KEDNJ 2001‑III; Paul dhe Audrey Edëards kudnër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, KEDNJ 2002‑II). Në Autoritetin e Prokurorisë së Ushtrisë ishin të punësuar oficerë të kualifikuar ligjorë. Ai ishte krejtësisht i pavarur nga zinxhiri komandues i ushtrisë për sa i përkiste funksioneve të tij prokuroriale. Pavarësia e tij ishte njohur nga Gjykata në çështjen Cooper (cituar lart).
155. Qeveria theksoi që hetimet rreth vdekjes së vëllait të kërkuesit të katërt filluan më 29 gusht 2003 nga Dega e Hetimeve Speciale, pesë ditë pas të shtënave më 14 gusht. Dega e Hetimeve Speciale mblodhi copëza plumbash, gëzhoja të zbrazëta, automjetin dhe fotografi dixhitale të vendit të ngjarjes. Ajo intervistoi mjekët që trajtuan të ndjerin dhe mori deklarata. U intervistuan nëntë dëshmitarë ushtarakë të përfshirë në incident dhe prej tyre u morën deklarata, dhe katër dëshmitarë të tjerë u intervistuan por nuk kishin asnjë provë për të ofruar. Hetimet u ndërprenë më 17 shtator 2003 pasi Komandanti i Brigadës shprehu mendimin që të shtënat ndodhën brenda Rregullave të Angazhimit dhe ishin të ligjshme. Sidoqoftë, vendimi për të pushuar çështjen u mor nga një oficer i lartë hetues i Degës së Hetimeve Speciale, që ishte ie pavarur nga zinxhiri ushtarak komandues. Hetimet u rihapën më 7 qershor 2004 dhe përfunduan më 3 dhjetor 2004, pavarësisht nga kushtet e vështira të sigurisë në Irak në atë kohë. Më pas çështja iu referua Autoritetit të Prokurorisë së Ushtrisë, i cili vendose të mos ngrinte akuza penale meqenëse nuk kishte gjasa realiste që të vërtetohej se ushtari që kishte shtënë mbi vëllain e kërkuesit të katërt nuk kishte vepruar në vetëmbrojtje. Prokurori i Përgjithshëm u informua dhe ai vendosi të mos ushtronte juridiksionin e tij për të urdhëruar ndjekjen penale. Në parashtresën e Gjykatës, hetimet ishin efektive, për shkak se ato kishin identifikuar personin përgjegjës për vdekjen dhe kishin konstatuar që ishte vepruar në përputhje me ligjet që qeverisnin përdorimin e forcës. Hetimet ishin të shpejta me ritëm të arsyeshëm, sidomos kur duhet të merrej parasysh vështirësia e jashtëzakonshme në të hetuarit në një kontekst jashtë-territorial. Nëse ndalimi i hetimeve fillestare i kishte dhënë shkas ndonjë mungese të pavarësisë, kjo ishte korrigjuar nga hetimet vijuese dhe nga përfshirja e Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm (shih Gül kundër Turqisë, §§ 92-95, nr. 22676/93, 14 dhjetor 2000; shih po ashtu McCann dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, §§ 157 dhe 162-164, Seria A nr. 324).
156. Qeveria parashtroi që nuk kishte prova, në rastin e kërkuesit të pestë, që zinxhiri komandues i ushtrisë kishte ndërhyrë në hetimet e Degës së Hetimeve Speciale në mënyrë që të komprometonte pavarësinë e saj. Përkundrazi, pas marrjes së raportit hetimor zinxhiri komandues ushtarak ia referoi çështjen Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë i cili, nga ana e vet, e referoi çështjen për gjykim penal të pavarur. Nuk pati vonesa të panevojshme gjatë hetimeve, sidomos duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat përballeshin hetuesit e Mbretërisë së Bashkuar që hetonin një incident të ndodhur në Irak tetë ditë pas pushimit të operacioneve të mëdha luftarake. Kërkuesi i pestë ishte i përfshirë plotësisht dhe mjaftueshëm në hetime. Pjesëmarrja e tij kulminoi me mundësimin nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar të fluturimit të tij për në Angli në mënyrë që ai të mund të merrte pjesë në gjyqin ushtarak dhe të jepte dëshmi. Përveç hetimeve të Degës së Hetimeve Speciale dhe të procedurave penale kundër katër ushtarëve, kërkuesi i pestë hapi procedura në gjykatat vendore të Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar dëme për rrahje dhe sulm, neglizhencë dhe keqbërje gjatë detyrës zyrtare. Gjatë atyre procedurave ai tregoi për vdekjen e djalit të tij dhe hetimet që vijuan. Procedurat u përmbyllën kur Ministria e Mbrojtjes e pranoi përgjegjësinë dhe ra dakord të paguante 115.000 paund kompensim. Më tej, më 20 shkurt 2009 Gjeneral Majori Cubbit i shkroi kërkuesit të pestë dhe kërkoi zyrtarisht falje në emër të Ushtrisë Britanike për rolin e saj në vdekjen e djalit të tij. Në këto kushte, kërkuesi i pestë nuk mund të pretendonte më të ishte viktimë e një shkeljeje të Konventës brenda kuptimit të nenit 34. Për më tepër, ose përndryshe, ai nuk ishte më i justifikuar që të vazhdonte me shqyrtimin e kërkesës (neni 37 § 1(c) i Konventës).
157. Më tej Qeveria theksoi që kërkuesi i gjashtë kishte konfirmuar shprehimisht se ai nuk ka pretenduar para Gjykatës që Qeveria kishte shkelur të drejtat e tij të Konventës. Kjo pasqyronte faktin që, në lidhje me vdekjen e djalit të tij, ishin zhvilluar: (1) hetime të plota nga Dega e Hetimeve Speciale, të cilat sollën ngritjen e akuzave penale kundër gjashtë ushtarëve, njëri prej të cilëve u dënua; (2) procedura penale të hapura nga kërkuesi, në përfundim të të cilave Qeveria pranoi përgjegjësinë për keqtrajtimin dhe vdekjen e djalit të kërkuesit dhe pagoi dëmshpërblim në shumën 575.000 paund; (3) njohja e plotë publike nga Qeveria e shkeljes së të drejtave të djalit të kërkuesit sipas neneve 2 dhe 3; (4) procedurat e rishikimit gjyqësor, ku kërkuesi u ankua për shkelje të të drejtave të tij procedurale sipas neneve 2 dhe 3 dhe gjatë të cilave palët ranë dakord dhe Dhoma e Lordëve urdhëroi që çështja nëse kishte pasur shkelje të detyrimeve procedurale duhet t’i referohej Gjykatës së Divizionit; (5) hetime publike në vazhdim. Në këto rrethana, kërkuesi nuk mund të pretendonte më se ishte viktimë për qëllime të nenit 34 të Konventës.
(ii) Kërkuesit
158. Kërkuesit theksuan që praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me Turqinë juglindore tregonte se detyra procedurale sipas nenit 2 nuk modifikohej duke iu referuar problemeve të sigurisë në një zonë konflikti. I njëjti parim duhet të zbatohej në lidhje me çdo përpjekje të Qeverisë për t’u mbështetur qoftë tek situata e sigurisë apo tek mungesa e infrastrukturës dhe objekteve në Irak. Mbretëria e Bashkuar ishte e vetdijshme, ose duhet të kishte qenë e vetdijshme, para pushtimit dhe gjatë okupimit në vazhdim, për vështirësitë që do të haste. Mangësitë e saj për t’i zgjidhur ato vështirësi nuk mund ta shfajësonin atë nga dështimi për të vepruar në përputhje me detyrën hetimore.
159. Ata parashtruan që Mbretëria e Bashkuar kishte dështuar në detyrën e saj procedurale për sa i përket kërkuesve të parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë. Policia Ushtarake Mbretërore ishte element i Ushtrisë Britanike dhe nuk ishte, si nga aspekti institucional apo ai praktik, e pavarur nga zinxhiri ushtarak i komandës. Njësitë e Ushtrisë ushtronin kontroll mbi të për sa u përket çështjeve lidhur me sigurinë dhe mbështetjen logjistike në terren. Përfshirja e saj në incidente varej krejtësisht nga një kërkesë të njësisë ushtarake në fjalë, siç u ilustrua nga rasti i kërkuesit të katërt, ku përgjigjja e Degës së Hetimeve Speciale u shua me udhëzim të Oficerit Komandues. Policia Ushtarake Mbretërore dukej se varej krejtësisht nga zinxhiri ushtarak i komandës për informacione lidhur me incidentet. Nëse ajo hartonte një raport, ai i dorëzohej zinxhirit komandues të ushtrisë, i cili vendoste nëse i përcillej Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë. Mospërputhjet brenda Policisë Ushtarake Mbretërore, në lidhje me mungesën e burimeve dhe pavarësinë, janë shënuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Raporti Aitken.
160. Kërkuesit theksuan që hetimet e Degës së Hetimeve Speciale mbi rastin e kërkuesit të katërt ishin ndërprerë me kërkesë të zinxhirit komandues të ushtrisë. Faza e mëtejshme hetimore, e rihapur për shkak të çështjes në gjykatat vendase, ishte po aq e mangët, si pasojë e mungesës së pavarësisë së Degës së Hetimeve Speciale dhe vonesës së tepërt në intervistimin e personit që kishte shtënë dhe sigurimit të provave të tjera kyçe. Në çështjen e kërkuesit të pestë, hetimet filluan me nxitjen e përsëritur të familjes, pas pengesave dhe vonesave të konsiderueshme nga ana e autoriteteve britanike. Hetuesit nuk ishin të pavarur nga zinxhiri komandues i ushtrisë dhe familja e viktimës nuk u përfshinë sa duhej. Kërkuesit thanë se kundërshtimi i Qeverisë që kërkuesi i pestë nuk kishte status të viktimës duhet të kundërshtohej. Procedurat në gjyqin ushtarak dhe kompensimi që ai kishte marrë në procedura civile ishin të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat procedurale sipas nenit 2. Nga ana tjetër, kërkuesi i gjashtë nuk pretendoi të ishte ende viktimë e shkeljes së të drejtave të tij procedurale sipas neneve 2 dhe 3.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
(i) Parime të përgjithshme
161. Gjykata është e ndërgjegjshme që vdekjet në rastin konkret kanë ndodhur në Qytetin Basrah në Irakun juglindor pas pushtimit, gjatë një periudhe kur krimi dhe dhuna ishin përhapur kudo. Megjithëse operacionet luftarake kishin përfunduar më 1 maj 2003, forcat e Koalicionit në Irakun juglindor, përfshirë edhe ushtarët britanikë dhe policinë ushtarake, ishin shënjestër e mbi njëmijë sulmeve të dhunshme gjatë 13 muajve vijues. Krahas problemeve të sigurisë, kishte çarje të thella në infrastrukturën civile, përfshirë sistemin e zbatimit të ligjit dhe atij të drejtësisë penale (shih paragrafët 22-23 lart; shih po ashtu gjetjet e Gjykatës së Apelit në paragrafin 80 lart).
162. Ndërkohë që është plotësisht e ndërgjegjshme për këtë kontekst, qasja e Gjykatës si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore individuale kërkon që dispozitat e saj të interpretohen dhe të zbatohen në mënyrë që mjetet e saj të jenë praktike dhe efektive. Neni 2, i cili mbron të drejtën e jetës dhe cakton rrethanat kur privimi i jetës mund të jetë i justifikuar, renditet si një nga dispozitat më themelore të Konventës. Derogimi prej tij nuk lejohet sipas nenit 15, “përveç rasteve të vdekjeve të shkaktuara nga veprimet e ligjshme të luftës”. Neni 2 mbulon si vrasjen e qëllimshme ashtu edhe situatat në të cilat lejohet përdorimi i forcës e cila mund të rezultojë, si pasojë e paqëllimshme, me privimin e jetës. Çdo përdorim i forcës duhet të jetë jo më shumë se “absolutisht i nevojshëm” për arritjen e një ose më shumë qëllimeve të përcaktuara në nën-paragrafët (a) deri në (c) (shih McCann dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, §§ 146-148, Seria A nr. 324).
163. Ndalimi i përgjithshëm ligjor i vrasjes arbitrare nga agjentët e Shtetit do të ishte jo efikas në praktikë sikur të mos ekzistonin procedura për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga autoritetet e Shtetit. Detyrimi për të mbrojtur të drejtën e jetës sipas kësaj dispozite, lexuar në lidhje me detyrën e përgjithshme të Shtetit nga neni 1 i Konventës për “t’i siguruar secilit brenda juridiksionit të vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë”, kërkon përmes nënkuptimit që duhet të ekzistojë një formë hetimesh zyrtare efektive kur individët vriten si pasojë e përdorimit të forcës nga, inter alia, agjentët e Shtetit (shih McCann, cituar lart, § 161). Qëllimi thelbësor i hetimeve të këtilla është sigurimi i zbatimit efektiv të ligjeve vendore që mbrojnë të drejtën e jetës dhe, në rastet kur përfshihen agjentët e Shtetit, për të siguruar llogaridhënien e tyre për vdekjet e ndodhura nën përgjegjësinë e tyre (shih Nachova dhe të Tjerë kundër Bullgarisë [GC], nr. 43577/98 dhe nr. 43579/98, § 110, KEDNJ 2005-VII). Megjithatë, hetimet duhet të jenë mjaft të gjera sa t’u lejojnë autoriteteve hetimore të marrin në konsideratë jo vetëm veprimet e agjentëve të Shtetit që kanë përdorur forcë vdekjeprurëse por edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo, përfshirë çështje si planifikimi dhe kontrolli i operacioneve në fjalë, aty ku duhet në mënyrë që të përcaktohet nëse Shteti ka vepruar në përputhje me detyrimin e tij nga neni 2 për të mbrojtur jetën (shih, nënkuptuar, McCann dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 150 dhe 162; Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 24746/94, § 128, KEDNJ 2001‑III (pjesë të shkëputura); McKerr, cituar lart, §§ 143 dhe 151; Shanaghan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 37715/97, §§ 100-125, 4 maj 2001; Finucane kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29178/95, §§ 77-78, KEDNJ 2003‑VIII; Nachova, cituar lart, §§ 114-115; dhe gjithashtu, mutatis mutandis, Tzekov kundër Bullgarisë, nr. 45500/99, § 71, 23 shkurt 2006).
164. Gjykata është shprehur që detyrimi procedural sipas nenit 2 vazhdon të zbatohet në kushte të vështira të sigurisë, përfshirë edhe kontekstin e konfliktit të armatosur (shih, mes shumë shembujve të tjerë, Güleç kundër Turqisë, 27 korrik 1998, § 81, Përmbledhje e Vendimeve 1998‑IV; Ergi kudnër Turqisë, 28 korrik 1998, §§ 79 dhe 82, Raporte 1998‑IV; Ahmet Özkan dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 21689/93, §§ 85-90 dhe 309-320 dhe 326-330, 6 prill 2004; Isayeva kundër Rusisë, nr. 57950/00, §§ 180 dhe 210, 24 shkurt 2005; Kanlibaş kundër Turqisë, nr. 32444/96, §§ 39-51, 8 dhjetor 2005). Është e qartë që aty ku vdekja që duhet hetuar sipas nenit 2 ndodh në kushtet e dhunës së përgjithësuar, konfliktit të armatosur apo kryengritjes, hetuesve mund t’u dalin pengesa dhe, siç ka vërejtur edhe Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara (shih paragrafin 93 lart), kufizime konkrete mund të kërkojnë përdorimin e masave më pak efikase hetimore ose mund të shkaktojnë vonesa në hetime (shih, për shembull, Bazorkina kundër Rusisë, nr. 69481/01, § 121, 27 korrik 2006). Pavarësisht nga këto, detyrimi nga neni 2 për mbrojtjen e jetës nënkupton që, edhe në kushte të vështira sigurie, duhet të merren të gjitha hapat e arsyeshme për të siguruar që të zhvillohen në mënyrë efektive dhe të pavarur hetimet rreth shkeljeve të pretenduara të së drejtës për jetë (shih, mes shumë shembujve të tjerë, Kaya kundër Turqisë, 19 shkurt 1998, §§ 86‑92, Përmbledhje e Vendimeve 1998‑I; Ergi, cituar lart, §§ 82-85; Tanrıkulu kundër Turqisë [GC], nr. 23763/94, §§ 101-110, KEDNJ 1999‑IV; Khashiyev dhe Akayeva kundër Rusisë, nr. 57942/00 dhe nr. 57945/00, §§ 156-166, 24 shkurt 2005; Isayeva, cituar lart, §§ 215‑224; Musayev dhe të Tjerë kunër Rusisë, nr. 57941/00, nr. 58699/00 dhe nr. 60403/00, §§ 158-165, 26 korrik 2007).
165. Se cila formë e hetimeve do t’i përmbushë qëllimet e Nenit 2 varet nga rrethanat. Megjithatë, cilado qoftë forma e përdorur, autoritetet duhet të veprojnë vetë sapo të informohen për çështjen në fjalë. Ata nuk mund t’ua lënë çështjen iniciativave nga të afërmit për të paraqitur ankesa zyrtare apo për të marrë përsipër përgjegjësinë për zhvillimin e procedurave hetimore (shih Ahmet Özkan dhe të Tjerë, cituar lart, § 310; Isayeva, cituar lart, § 210). Procedurat civile, të cilat ndërmerren me iniciativë të të afërmve, jo autoriteteve, dhe të cilat nuk përfshijnë identifikimin apo dënimin e kryesit të pretenduar, nuk mund të merren parasysh në vlerësimin e përputhshmërisë së veprimeve të Shtetit me detyrimet procedurale sipas nenit 2 të Konventës (shih, për shembull, Hugh Jordan, cituar lart, § 141). Për më tepër, detyrimi procedural i Shtetit nga neni 2 nuk mund të përmbushet thjesht duke dhënë dëmshpërblime (shih McKerr, cituar lart, § 121; Bazorkina, cituar lart, § 117).
166. Siç u tha më lart, hetimet duhet të jenë efektive në kuptimin që duhet të jenë në gjendje të shpijnë drejt një vendosjeje të faktit nëse forca e përdorur ka qenë apo jo e justifikueshme në ato rrethana dhe në identifikimin dhe dënimin e përgjegjësve. Ky nuk është detyrim për rezultat, por për mjete. Autoritetet duhet të marrin hapat e nevojshëm që kanë në dorë për të siguruar prova në lidhje me incidentin, përfshirë inter alia deklarata nga dëshmitarët, prova mjeko-ligjore dhe, ku duhet, një autopsi e cila jep të dhëna të plota dhe të sakta mbi lëndimet dhe një analizë objektive të gjetjeve klinike, përfshirë edhe shkakun e vdekjes. Çdo mangësi në hetime e cila pakëson aftësinë e tyre për të përcaktuar shkakun e vdekjes ose personin apo personat përgjegjës rrezikon rënien nga ky standard (shih Ahmet Özkan dhe të Tjerë, cituar lart, § 312; Isayeva, cituar lart, § 212 dhe çështjet e cituara aty).
167. Në mënyrë që hetimet rreth vrasjes së pretenduar të paligjshme nga agjentët e Shtetit të jenë efektive, është e nevojshme që personat përgjegjës për dhe ato që kryejnë hetimet të jenë të pavarur nga personat e përfshirë në ngjarje. Kjo nënkupton jo vetëm mungesë të lidhjes hierarkike apo institucionale, por edhe pavarësi praktike (shih, për shembull, Shanaghan, cituar lart, § 104). Në këtë kontekst kuptohet që duhet të ketë nxitje dhe shpejtësi të arsyeshme. Ndërkohë që mund të ketë pengesa apo vështirësi të cilat e pengojnë përparimin e hetimeve në një situatë të caktuar, një përgjigje e menjëhershme nga autoritetet në hetimin e përdorimit të forcës vdekjeprurëse përgjithësisht mund të shihet si thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në parandalimin e marrëveshjeve të fshehta për ose tolerancën ndaj akteve të paligjshme. Për të njëjtat arsye, duhet të ketë elemente të mjaftueshme të shqyrtimit publik mbi hetimet apo rezultatet e tyre për të siguruar llogaridhënien në praktikë ashtu si në teori. Shkalla e kërkuar e shqyrtimit publik mund të ndryshojë sipas rastit. Sidoqoftë, në të gjitha rastet, të afërmit më të ngushtë të viktimës duhet të përfshihen në procedurë deri në atë masë sa është e nevojshme për të mbrojtur interesat legjitime të tij/saj (shih Ahmet Özkan dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 311‑314; Isayeva, cituar lart, §§ 211-214 dhe çështjet e cituara aty).
(ii) Zbatimi i këtyre parimeve tek faktet e çështjes
168. Gjykata merr si pikë fillestare problemet praktike të shkaktuara tek autoritetet hetimore nga fakti që Mbretëria e Bashkuar ka qenë Fuqi Pushtuese në një rajon të huaj dhe armiqësor menjëherë pas pushtimit dhe luftës. Këto probleme praktike përfshinin çarjet në infrastrukturën civile, që sollën inter alia mungesën e patologëve vendorë dhe ambienteve për zhvillimin e autopsive; hapësira për keqkuptime gjuhësore dhe kulturore mes pushtuesve dhe popullatës lokale; dhe rrezikun e pandashëm brenda çdo aktiviteti në Irak në atë kohë. Siç u tha më lart, Gjykata konsideron që në kushte të tilla detyra procedurale nga Neni 2 duhet të zbatohet në mënyrë realiste, për të mbajtur parasysh problemet specifike me të cilat përballen hetuesit.
169. Sidoqoftë, fakti që Mbretëria e Bashkuar ishte në pushtim gjithashtu nënkuptonte që, në mënyrë që të gjitha hetimet rreth veprimeve që pretendohej të ishin kryer nga ushtarët britanikë të ishin efektive, kishte rëndësi të veçantë që autoriteti hetimor të ishte, dhe të bëhej e dukshme që ishte, i pavarur nga zinxhiri komandues ushtarak në aspektin operacional.
170. Nuk u diskutua në rastin e kërkuesve të parë, të dytë dhe të katërt që të afërmit e tyre ishin qëlluar nga ushtarët britanikë, identitetet e të cilëve ishin të njohura. Çështja për t’u hetuar ishte nëse në secilin rast ushtari kishte qëlluar në përputhje me Rregullat e Angazhimit. Për sa i përkiste kërkuesit të tretë, Neni 2 kërkonte që hetimet të konstatonin rrethanat e të shtënave, përfshirë edhe faktin nëse ishin marrë hapat e duhur për të mbrojtur civilët në afërsi. Për sa i përket djalit të kërkuesit të pestë, megjithëse Gjykatës nuk i janë dhënë dokumente në lidhje me gjyqin ushtarak, duket të jetë pranuar që ai ka vdekur si pasojë e mbytjes në ujë. Duhet të përcaktohej nëse ushtarët britanikë, siç pretendohej, e kishin rrahur djalin dhe e kishin detyruar me forcë të hynte në ujë. Në secilin rast deklaratat e dëshmitarëve okularë ishin thelbësore. Pra ishte shumë e rëndësishme që, brenda një kohe sa më të shkurtër pas incidentit, dëshmitarët ushtarakë, e posaçërisht kryesit e supozuar, të merreshin në pyetje nga një hetues ekspert dhe plotësisht i pavarur. Po kështu, duhet të ishte bërë çdo përpjekje e mundur për të identifikuar dëshmitarët okularë irakianë dhe për t’i bindur ata që nuk rrezikonin veten nëse vinin për të dhënë dëshmi dhe që provat e tyre do të trajtoheshin me seriozitet dhe do të ndërmerreshin veprimet përkatëse sipas atyre provave.
171. Është e qartë se hetimet rreth të shtënave ndaj të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë dhe të tretë nuk i kanë përmbushur kërkesat e nenit 2, meqenëse procesi i hetimeve mbetej krejtësisht brenda zinxhirit komandues ushtarak dhe kufizohej me marrjen e deklaratave nga ushtarët e përfshirë. Për më tepër, Qeveria e pranon këtë konkluzion.
172. Për sa u përket kërkuesve të tjerë, megjithëse ka pasur hetime nga Dega e Hetimeve Speciale rreth vdekjes së vëllait të kërkuesit të katërt dhe djalit të kërkuesit të pestë, Gjykata nuk konsideron që kjo është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e nenit 2. Është e vërtetë që Policia Ushtarake Mbretërore, përfshirë Degën e saj të Hetimeve Speciale, kishte një zinxhir komandues të ndarë nga ushtarët në luftë të cilët asaj iu kërkua të hetonte. Megjithatë, siç vërejtën edhe gjykatat vendase (shih paragrafët 77 dhe 82 lart), Dega e Hetimeve Speciale, gjatë periudhës përkatëse, në aspektin operacional nuk ishte e pavarur nga zinxhiri komandues i ushtrisë. Përgjithësisht ishte në dorë të Oficerit Komandues të njësisë së përfshirë në incident që të vendoste nëse do të ftohej Dega e Hetimeve Speciale. Nëse Dega e Hetimeve Speciale vendoste me iniciativën e vet që të fillonte hetimet, këto hetime do të mbylleshin me kërkesë të zinxhirit komandues ushtarak, siç ndodhi në rastin e kërkuesit të katërt. Në përfundim të hetimeve të Degës së Hetimeve Speciale, raporti i dërgohej Oficerit Komandues, i cili ishte përgjegjës për të vendosur nëse çështja duhet t’i referohej autoriteteve prokuroriale. Gjykata konsideron, në pajtim me Brooke LJ (shih paragrafin 82 lart), se fakti që Dega e Hetimeve Speciale nuk ishte “e lirë të vendoste vetë se kur të fillonte dhe kur të mbyllte hetimet” dhe nuk i raportonte “në shkallën e parë [Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë]” në vend të zinxhirit komandues ushtarak, nënkuptonte që ajo nuk mund të shihej aq mjaftueshëm e pavarur nga ushtarët e implikuar në ngjarje sa të përmbushte kërkesat e nenit 2.
173. Rrjedh që hetimet fillestare mbi të shtënat ndaj vëllait të kërkuesit të katërt ishin difektoze për shkak të mungesës së pavarësisë mes oficerëve të Degës së Hetimeve Speciale. Gjatë fazës fillestare të hetimeve, u mblodhën materiale nga vendi i ngjarjes dhe u morën deklarata nga ushtarët e pranishëm. Megjithatë, Rreshteri Lance S, ushtari që shtiu drejt vëllait të kërkuesit, nuk u mor në pyetje nga hetuesit e Degës së Hetimeve Speciale gjatë kësaj faze fillestare. Duket se Dega e Hetimeve Speciale intervistoi katër dëshmitarë irakianë, mes të cilëve mbase kishte fqinjë të kërkuesit që besohej se i kishin parë të shtënat, por prej tyre nuk mori deklarata. Sidoqoftë, si pasojë e mungesës së pavarësisë, hetimet u mbyllën ende pa u plotësuar. Më pas hetimet u rihapën, rreth nëntë muaj më vonë, dhe me sa duket në atë fazë u zhvilluan ekzaminimet mjeko-ligjore të materialeve të mbledhura në vendin e ngjarjes, përfshirë copëzat e plumbave dhe automjetin. Raporti i Degës së Hetimeve Speciale iu dërgua Oficerit Komandues, i cili ia referoi çështjen Autoritetit Prokurorial të Ushtrisë. Prokurorët morën deklarata nga ushtarët që panë incidentin dhe vendosën, pas këshillimit të pavarur ligjor të mëtejshëm, që nuk kishte prova që Rreshteri Lance S nuk kishte vepruar në vetëmbrojtje të ligjshme. Siç u tha më parë, dëshmia okulare ishte qenësore në këtë çështje, meqenëse shkaku i vdekjes nuk diskutohej. Gjykata konsideron që periudha e gjatë kohore që u lejua të kalonte para se Rreshteri Lance S të merrej në pyetje lidhur me incidentin, e kombinuar me vonesën në caktimin e një hetuesi krejtësisht të pavarur për të intervistuar dëshmitarët e tjerë ushtarakë, paraqiste shumë rrezik që provat të ishin tashmë të kontaminuara dhe të pamundura për t’u besuar deri në kohën kur Autoriteti Prokurorial Ushtarak e mori çështjen në konsideratë. Më tej, nuk duket që ndonjë hetues krejtësisht i pavarur të ketë marrë prova nga fqinjët irakianë të cilët kërkuesi pretendon se i kanë parë të shtënat.
174. Ndërkohë që nuk ka prova që zinxhiri komandues ushtarak është përpjekur të ndërhynte në hetimet rreth vdekjes së djalit të kërkuesit të pestë, Gjykata konsideron që hetuesve të Degës së Hetimeve Speciale u mungonte pavarësia për arsyet e cekura më lart. Përveç kësaj, nuk u dha asnjë shpjegim nga Qeveria lidhur me vonesën e gjatë mes vdekjes dhe gjyqit ushtarak. Duket se vonesa e ka dëmtuar seriozisht efektivitetin e hetimeve, jo më pak për faktin se disa prej ushtarëve të akuzuar për përfshirje në incident nuk ishte e mundur të gjendeshin në atë kohë (shih, në lidhje me këtë, komentet në Raportin Aitken, paragrafi 61 lart). Për më tepër, Gjykata konsideron që fokusi i ngushtë i procedurave penale kundër ushtarëve të akuzuar ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e nenit 2 në rrethanat e veçanta të kësaj çështjeje. Duket se ka të paktën prova prima facie që djali i kërkuesit, i mitur, është kapur nga ushtarët britanikë të cilët po ndihmonin policinë irakiane që të merrte masa kundër grabitjeve dhe që, si pasojë e keqtrajtimit të tij nga ushtarët, ai është mbytur në ujë. Në këto kushte, Gjykata konsideron që neni 2 kërkonte një shqyrtim të pavarur, të hapur për familjen dhe publikun, në lidhje me çështjet më të gjera të përgjegjësisë së Shtetit për vdekjen, përfshirë udhëzimet, trajnimin dhe mbikqyrjen e ushtarëve që kishin detyra si këto menjëherë pas pushtimit.
175. Duke pasur parasysh ato që u thanë më sipër, Gjykata nuk konsideron që detyra procedurale sipas nenit 2 është përmbushur në lidhje me kërkuesin e pestë. Megjithëse ai ka pranuar një shumë substanciale në përfundim të padisë së tij civile, bashkë me një pranim të përgjegjësisë në emër të Ushtrisë, kurrë nuk janë zhvilluar hetime të plota dhe të pavarura mbi rrethanat e vdekjes së djalit të tij (shih paragrafin 165 lart). Rrjedh që kërkuesi i pestë ende mund të pretendojë të jetë viktimë brenda kuptimit të nenit 34 dhe që kundërshtimi paraprak i Qeverisë lidhur me mungesën e statusit të tij të viktimës duhet të refuzohet.
176. Nga ana tjetër, Gjykata vëren se janë në përfundim e sipër hetimet e plota publike mbi rrethanat e vdekjes së djalit të kërkuesit të gjashtë. Duke u nisur nga ky fakt, Gjykata vëren që kërkuesi i gjashtë e pranon që ai nuk është më viktimë e ndonjë shkeljeje të detyrimit procedural nga neni 2. Prandaj Gjykata e pranon kundërshtimin e Qeverisë lidhur me kërkuesin e gjashtë.
177. Si përfundim, Gjykata gjen shkelje të detyrës procedurale sipas nenit 2 të Konventës në lidhje me kërkuesit e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
178. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një kompensim i pjesshëm, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmshpërblimi
179. Kërkuesi i parë, kërkuesi i dytë, kërkuesi i tretë, kërkuesi i katërt dhe kërkuesi i pestë i kërkuan Gjykatës të zhvillonte hetime në përputhje me nenin 2 rreth vdekjeve të të afërmve të tyre. Po ashtu, ata kërkuan 15.000 paund secili kompensim për stresin që kishin përjetuar për shkak të dështimit të Mbretërisë së Bashkuar për të zhvilluar hetime në pajtim me Konventën mbi vdekjet e tyre.
180. Qeveria theksoi që Gjykata në mënyrë të përsëritur dhe shprehimisht kishte refuzuar të orientonte Shtetin drejt zhvillimit të hetimeve të reja mbi çështjet ku ajo kishte gjetur shkelje të detyrës procedurale nga neni 2 (shih për shembull Varnava dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC], nr. 16064/90, nr. 16065/90, nr. 16066/90, nr. 16068/90, nr. 16069/90, nr. 16070/90, nr. 16071/90, nr. 16072/90 dhe nr. 16073/90, § 222, KEDNJ 2009‑...; Ülkü Ekinci kundër Turqisë, nr. 27602/95, § 179, 16 korrik 2002; Finucane, cituar lart, § 89). Më tej ajo parashtroi që gjetja e një shkeljeje do të ishte shpërblim i drejtë i mjaftueshëm në ato kushte. Përndryshe, nëse Gjykata do të vendoste për dëmshpërblim, Qeveria vërejti që shuma e kërkuar nga kërkuesit ishte më e lartë se ajo që caktohet zakonisht. Megjithatë, ajo nuk bëri propozim për shumë, duke ia lënë Gjykatës të vendoste mbi baza të barabarta.
181. Për sa i përket kërkesës së kërkuesve lidhur me kryerjen e hetimeve efektive, Gjykata përsërit parimin e përgjithshëm që Shteti përgjegjës mbetet i lirë të zgjedhë mënyrat përmes të cilave zbaton detyrimet e tij ligjore sipas nenit 46 të Konventës, në atë formë që këto mënyra të jenë në përputhje me përfundimet e nxjerra në vendimin e Gjykatës. Rrjedhimisht, ajo konsideron që në lidhje me këto kërkesa i takon Komisionit të Ministrave duke vepruar sipas nenit 46 të Konventës që të adresojë çështjet lidhur me atë që kërkohet praktikisht nga përmbushja (shih Varnava, cituar lart, § 222 dhe çështjet e cituara aty).
182. Për sa i përket pretendimit për kompensim monetar, Gjykata kujton që nuk është roli i saj nga neni 41 që të funksionojë krahas një gjykate që shërben si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të vendosura në mënyrë të gabuar për ndarjen e fajit dhe kompensimit të dëmeve mes palëve civile. Parimi që udhëheq Gjykatën është paanësia, e cila mbi të gjitha përfshin fleksibilitet dhe konsideratë objektive mbi atë që është e drejtë, e rregullt dhe e arsyeshme në të gjitha rrethanat e çështjes, duke përfshirë jo vetëm qëndrimin e kërkuesit por edhe kontekstin e përgjithshëm në të cilin ka ndodhur shkelja. Shpërblimet e saj jo-materiale shërbejnë për njohjen e faktit që dëmi moral ka ndodhur si pasojë e një shkeljeje të një të drejte njerëzore themelore dhe për të pasqyruar sa më gjerë që është e mundur rreptësinë e dëmit të shkaktuar (shih Varnava, cituar lart, § 224 dhe çështjet e cituara aty). Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes konkrete Gjykata konsideron që, për të kompensuar secilin prej pesë kërkuesve të parë për shqetësimin e shkaktuar nga mungesa e hetimeve krejtësisht të pavarura mbi vdekjet e të afërmve të tyre, do të ishte e drejtë dhe e barabartë që t’u caktohej shuma e plotë e kërkuar, e cila, e konvertuar në euro, arrin afërsisht në shumën 17.000 euro për secilin.
B. Kostot dhe shpenzimet
183. Kërkuesit, duke theksuar kompleksitetin dhe rëndësinë e çështjes, pretenduan mbi 590 orë punë ligjore nga juristët e tyre dhe katër avokatë për procedurat para Gjykatës, me një kosto totale prej 119.928 paund.
184. Qeveria njohu faktin që çështjet ishin komplekse, por pavarësisht nga kjo parashtroi që pretendimi ishte i tepërt, duke pasur parasysh që këshilltarët ligjorë të kërkuesve i njihnin të gjitha aspektet e kërkesës meqenëse ata kishin vepruar në emër të kërkuesve edhe në procedurat ligjore vendore, të cilat ishin mbuluar me fonde publike. Më tej, honorarët e pretenduara nga avokatët e kërkuesve, mes 500 paund dhe 235 paund, dhe honorarët e pretenduara nga juristët e kërkuesve (180 paund dhe 130 paund) ishin të larta në masë të paarsyeshme. As nuk kishte qenë e nevojshme të angazhoheshin dy nga Këshilltarët e Mbretëreshës dhe dy juristë të rinj.
185. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkues ka të drejtë të marrë rimbursim për kostot dhe shpenzimet vetëm për aq sa arrin të tregohet që ato kanë qenë pasojë e domosdoshmërisë dhe kanë qenë të arsyeshme në total. Në rastin konkret, duke pasur parasysh dokumentet në posedim të saj dhe kriteret e lartpërmendura, Gjykata e konsideron të arsyeshme të caktojë shumën 50.000 euro për procedurat para Gjykatës.
C. Interesi i munguar
186. Gjykata e konsideron të arsyeshme që interesi i munguar të paguhet bazuar mbi përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Refuzon kundërshtimet paraprake të Qeverisë lidhur me atribuimin dhe mos-shterimin e mjeteve vendore;
2. Ua bashkon themeleve çështjet nëse kërkuesit hynin nën juridiksionin e Shtetit përgjegjës dhe nëse kërkuesi i pestë dhe kërkuesi i gjashtë e ruajtën statusin e viktimës;
3. E deklaron kërkesën të pranueshme;
4. Vendos që të afërmit e ndjerë të kërkuesve hynin brenda juridiksionit të Shtetit përgjegjës dhe rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë për sa i përket juridiksionit;
5. Vendos që kërkuesi i gjashtë nuk mund të pretendojë më të jetë viktimë e një shkeljeje të detyrimit procedural sipas nenit 2 të Konventës;
6. Vendos që ka pasur shkelje të detyrimit procedural nga neni 2 i Konventës për zhvillimin e hetimeve të duhura dhe efektive mbi vdekjet e të afërmve të kërkuesve të parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë dhe rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë për sa i përket statusit të viktimës për kërkuesin e pestë;
7. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë secilit prej pesë kërkuesve të parë, brenda tre muajve, 17.000 Euro (shtatëmbëdhjetë mijë euro), plus taksat e zbatueshme për këtë shumë, për dëme jo-materiale, të konvertuara në paund dhe stërlina me kursin e zbatueshëm në datën e vendimit;
(b) që Shteti përgjegjës duhet të paguajë bashkërisht pesë kërkuesve të parë, brenda tre muajve, 50.000 euro (pesëdhjetë mijë euro), plus taksat e zbatueshme ndaj kërkuesve për këtë shumë, për kosto dhe shpenzime, të konvertuara në paund dhe stërlina me kursin e zbatueshëm në datën e vendimit;
(c) që nga skadimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesën e plotë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumat e mësipërme në përqindje të barabartë me shkallën margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës përkatëse së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje;
8. Rrëzon pjesën tjetër të kërkesës së kërkuesve për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike më 7 korrik 2011, në pajtim me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleJean-Paul Costa
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet paralele të Gjyqtarit Rozakis dhe Gjyqtarit Bonello i janë bashkangjitur këtij vendimi.
J.-P.C.
M.O.B.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar/e në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy