ALEKSANYAN kundër RUSISË
(kërkesa nr. 46468/06)
22 Dhjetor 2008
dështim në sigurimin e trajtimeve mjekësore për një të burgosur të sëmurë me sida
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Vasiliy Georgiyevich Aleksanyan, është një shtetas rus, lindur më 1971. Deri në vitin 2003, ai punonte si shef i drejtorisë juridike të kompanisë Yukos Oil.
2. Në vitet 2003-2004 procedurat penale ishin hapur ndaj disa krerëve ekzekutivë të kompanisë me akuzat e mashtrimit dhe shpërdorimit. Në të njëjtën kohë autoritetet tatimore kishin hapur proçes ndaj kompanisë, duke kërkuar taksat e papaguara të korporatës. Në mars 2006 administrimi i kompanisë Yukos Oil caktoi kërkuesin si zëvendës-president ekzekutiv të kompanisë. Ndërkohë filluan procedurat e falimentimit ndaj kompanisë. Me vendim të Gjykatës tregtare të Moskës të 4 gushtit 2006 kompania Yukos Oil u shpall e falimentuar. Vendimi u mbështet nga apeli dhe u bë përfundimtar. Më 12 nëntor 2007 procedurat e falimentimit mbaruan dhe kompania mbaroi së ekzistuari.
3. Nga Marsi 2006 u morën hapa për të filluar ndjekjen penale ndaj kërkuesit. Më 4 dhe 5 prill 2006 vendbanimi i tij u kontrollua nga hetuesit dhe disa dokumente iu sekuestruan. Më 6 prill 2006 ai u arrestua dhe u mbajt në paraburgim. Paraburgosja e kërkuesit u zgjat disa herë, më së fundmi në janar 2009.Gjatë kësaj periudhe shëndeti i tij u përkeqësua. Shikimi i tij i cili ishte i pakët gjatë arrestimit u përkeqësua aq sa ai ishte efektivisht i verbër. Për më tepër në shtator 2006 ai u diagnostikua me SIDA. Në tetor 2007 SIDA iu zhvillua dhe ai vuante nga një sërë infeksionesh. Në tetor 2007 kërkuesi u transferua nga një qendër paraburgimi ku mbahej në një spital në një qendër tjetër. Hetuesi i ngarkuar me rastin e kërkuesit kërkoi para gjykatave lirimin me kusht për shkaqe shëndetësore por gjykata refuzoi të shqyrtonte këtë kërkesë.
4. Më 26 nëntor 2007, dhe përsëri më 21 Dhjetor 2007, Gjykata Europiane ftoi qeverinë ruse, bazuar në rregullin 39 të rregullores së Gjykatës, për të siguruar menjëherë me mjetet e duhura, trajtimin e pacientit në një spital të specializuar dhe krijimin e një komisioni mjekësor, i përbërë mbi një bazë bipartizane, për të diagnostikuar problemet shëndetësore dhe sugjeruar trajtimet. Më 27 dhjetor 2007 qeveria u përgjigj se kërkuesi mund të merrte një trajtim mjekësor të përshtatshëm në shërbimin shëndetësor të qendrës së paraburgimit, dhe se ekzaminimi i tij nga një komision mjekësor ishte kundër legjislacionit rus. Më 31 janar 2008 mjekët diagnostikuan kërkuesin me një limfomë të lidhur me SIDA-n. Më 8 shkurt 2008 kërkuesi u vendos në një spital të jashtëm hematologjik. Në spital kërkuesi ruhej nga policë; dritaret e dhomës së tij ishin të mbuluara me një grilë hekuri.
5. Kërkuesi pretendonte, në veçanti se duke pasur parasysh gjendjen e tij shëndetësore, paraburgosja e tij ishte çnjerëzore dhe degraduese. Ai pretendonte gjithashtu se paraburgosja e tij ishte e paligjshme dhe e pajustifikuar dhe se ishte motivuar nga ndjekja politike dhe ekonomike e kompanisë së tij. Ai u ankua dhe për kontrollet në shtëpinë e tij dhe për pasojat e ndalimit të tij në jetën familjare. Ai u mbështet në nenet 3, 5, 8, 13 dhe 18.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3
6. Ishte e qartë se kërkuesi kishte qenë dhe ishte seriozisht i sëmurë, vuante nga SIDA e avancuar dhe se në 2006–2008 ai kishte zhvilluar një numër të madh infeksionesh dhe kancer limfatik. Duke pasur parasysh faktin se kërkuesi mund të ketë marrë ilaçe nga familja e tij edhe pse këto ilaçe nuk ishin në gjendje në farmacinë e burgut, Gjykata ishte e përgatitur të pranonte se mungesa e ilaçeve të tilla në farmacinë e burgut nuk binte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Lidhur me dështimin për ti dhënë ndihmën mjekësore të specializuar, gjykata arriti në përfundimin se që nga fundi i tetorit 2007, gjendja e tij shëndetësore kërkonte transferimin e tij në një spital që trajtonte SIDA-n.
Gjykata konstatoi se autoritetet vendase kishin dështuar në marrjen e një kujdesi të mjaftueshëm për shëndetin e kërkuesit të paktën deri në transferimin e tij në një spital të jashtëm. Kjo kishte dëmtuar dinjitetin e tij dhe shkaktuar vuajtje të mëdha që tejkalonin vuajtjen e lidhur me dënimin me burgosje dhe sëmundjen nga e cila vuante, dhe çonte në një trajtim çnjerëzor dhe degradues. Pra kishte pasur shkelje të nenit 3 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 5
6. Kërkuesi ishte mbajtur në paraburgosje për një periudhë rreth 2 vjet e 8 muaj. Një periudhë e tillë e gjatë paraburgosje ishte në vetvete një çështje problematike dhe shumë arsye të rëndësishme duheshin për ta justifikuar atë. Lidhur me justifikimet e dhëna nga autoritet ruse, Gjykata konstatoi se rreziku i përsëritjes së një vepre penale nuk ishte provuar në mënyrë të bindshme nga gjykatat vendase. Përsa i përket mundësisë së ndërhyrjes së kërkuesit në gjetjen e së vërtetës, me kalimin e kohës ky justifikim u bë pak relevant. Përsa i përket rrezikut të arratisjes nga burgu, Gjykata observoi se me kalimin e kohës ky rrezik u bë i neglizhueshëm, duke pasur parasysh dobësinë e gjendjes shëndetësore të kërkuesit. Për më tepër në asnjë stad gjatë procedurave, gjykatat vendase nuk morën në shqyrtim mundësinë e lirimit të kërkuesit me kusht edhe kur hetuesi i ngarkuar me çështjen e kërkuesit ishte në favor të një mase të tillë.
7. Së fundmi, më 6 shkurt 2008, procedurat u pezulluan për shkak të shëndetit të keq të kërkuesit. Në parim, ndërprerje të shkurtra të procesit gjyqësor bazuar në shkaqe mjekësore ishin të lejueshme. Sidoqoftë, kërkuesi kishte kaluar më shumë se 34 muaj në burg. Disa nga sëmundjet e tij ishin të pashërueshme. Si rrjedhim paraburgosja e tij mund të zgjasë pa fund dhe procesi të mos mbyllet kurrë. Në këto rrethana paraburgosja e tij kishte humbur çdo qëllim kuptimplotë, dhe vazhdimi i saj binte në kundërshtim me nenin 5 të Konventës. Pra Gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës.
C. Në lidhje me nenin 8
8. Gjykata vërejti se mandatet e kontrollit të prillit 2006 ishin formuluar në terma shumë të gjera që efektivisht i dha hetuesve një diskrecion pa limit në përcaktimin se cilat dokumente ishin “me interes” për ndjekjen penale. Kjo mangësi ishte në vetvete e mjaftueshme për të konkluduar se kontrollet e vendbanimit të kërkuesit ishin bërë në kundërshtim me nenin 8 të Konventës.
D. Në lidhje me nenin 34
9. Gjykata i tregoi qeverisë dy masa të ndërmjetme. Lidhur me të parën, vetëm në 8 shkurt kërkuesi u transferua në një spital të jashtëm. Dhe duke supozuar se ky spital mund të konsiderojë “një institucion i specializuar”, ishte e qartë se për më shumë se dy muaj qeveria kishte refuzuar vazhdimisht zbatimin e masës së ndërmjetme treguar nga gjykata, duke vënë kështu shëndetin dhe jetën e kërkuesit në rrezik. Në lidhje me masën e dytë, autoritet ruse nuk lejuan ekzaminimin e kërkuesit nga një komision mjekësor miks përfshirë dhe mjekët e zgjedhur prej tij. Duke pasur parasysh se kërkuesi ishte seriozisht i sëmurë, ishte në paraburgosje, dhe i paaftë të mblidhte gjithë informacionin e nevojshëm pozicioni i autoriteteve në këto rrethana përbënte një përpjekje për të ndaluar kërkuesin në ndjekjen e kërkesës së tij bazuar në nenin 34 të Konventës. Pra, duke dështuar në respektin e masave të ndërmjetme të parashikuar në Rregullin 39 të rregullores së Gjykatës, qeveria ruse dështoi në respektimin e detyrimeve të saj sipas nenit 34 të Konventës.
E. Në lidhje me nenet 41 dhe 46
10. Pasur parasysh shkeljet e Konventës, dhe veçanërisht gjendjen e rëndë shëndetësore të kërkuesit, Gjykata konsideroi se paraburgosja e vazhdueshme e kërkuesit ishte e papranueshme. Si pasojë, Gjykata konkludoi se, me qëllim respektimin e detyrimeve të nenit 46, qeveria ruse kishte si detyrë të zëvendësonte paraburgimin me një masë tjetër më pak të rreptë, ose një kombinim masash, parashikuar nga legjislacioni rus.
Full & Egal Universal Law Academy