© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA ALLEN k. MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesëpadi nr. 25424/09)
VENDIM
STRASBURG
12 korrik 2013
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Allen k. Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Khanlar Hajiyev,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
George Nicolaou,
András Sajó,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Vincent A. de Gaetano,
Paul Lemmens,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 14 nëntor 2012 dhe më 22 maj 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 25424/09) e drejtuar kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës së Veriut, me anë të së cilës një qytetare e këtij shteti, Znja Lorraine Allen (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 29 prill 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësja, e cila është pranuar të përfitojë nga ndihma gjyqësore, është përfaqësuar nga studioja e solicitors Stephensons, me seli në Wigan. Qeveria britanike (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znja Y. Ahmed, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Komonuelthit.
3. Duke iu referuar nenit 6 § 2 të Konventës, paditësja pretendonte se vendimi, i dhënë pas pushimit të çështjes së saj, për të mos i caktuar asaj një dëmshpërblim për gabim gjyqësor i kishte shkelur të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
4. Më 14 dhjetor 2010, Gjykata ka vendosur t’ia njoftojë kërkesëpadinë Qeverisë. Ajo ka vendosur përveç kësaj të shprehet njëkohësisht për pranueshmërinë e për themelin (neni 29 § 1 i Konventës).
5. Më 26 qershor 2012, një dhomë e Seksionit të Katërt e përbërë nga Lech Garlicki, David Thór Björgvinsson, Nicolas Bratza, George Nicolaou, Ledi Bianku, Zdravka Kalaydjieva dhe Vincent de Gaetano, gjyqtarë, si edhe nga Lawrence Early, sekretar seksioni, është tërhequr nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët nuk ka pasur kundërshtim për këtë (nenet 30 i Konventës dhe 72 i Rregullores së Gjykatës (“Rregullorja”)).
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
7. Si paditësja ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur nga një përkujtesë rreth pranueshmërisë dhe themelit të çështjes.
8. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 14 nëntor 2012 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZnjaY. Ahmed, agjente,
ZtëJ. Strachan, avokat,
C. Goulbourn,
G. Baird, këshilltarë;
– për paditësen
Z.H. Southey QC,avokat.
Gjykata ka dëgjuar deklaratat e Zve Strachan e Southey si edhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra prej saj.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Paditësja ka lindur më 1969 është me vendbanim në Skarbëro (Scarborough).
A. Dënimi penal
10. Më 7 shtator 2000, paditësja u shpall fajtore prej një jurie në Crown Court të Notingemit (Nottingham) për vrasje nga pakujdesia të kryer ndaj personit të të birit Patrick, i cili ishte në moshë katër muajsh. Ajo u dënua me tre vjet burgim.
11. Në procesin e saj dëshmuan ekspertë mjekësorë. Ata dhanë shpjegime se në cilat pika dëmtimet e pësuara nga fëmija pajtoheshin me një shkundje a përplasje. Dënimi mbështetej në pranimin e hipotezës së “sindromës së bebes së shkundur” (të quajtur gjithashtu “traumë jo aksidentale e kokës” (TJAK)), sipas së cilës konstatimi i një tresheje dëmtimesh brenda kafkës ku ishin kombinuar encefalopati, gjakrrjedhje nën cipën e fortë të trurit dhe gjakrrjedhje e retinës ishte tregues, ose të paktën bënte të mendoje për një përdorim të paligjshëm force. Në çastin e vdekjes, i biri i paditëses i paraqiste të treja këto dëmtime.
12. Paditësja nuk e apeloi këtë vendim menjëherë pas dënimit të saj.
B. Shfuqizimi i dënimit
13. Pas rishqyrtimit prej autoriteteve të disa çështjeve ku drejtësia ishte mbështetur në elemente të nxjerra nga ekspertë mjekësorë, paditësja kërkoi dhe fitoi lejen për të bërë apelim jashtë afati. Ankimi i saj bazohej te rivënia në pikëpyetje e hipotezës së pranuar më parë lidhur me TJAK-në, meqenëse disa elemente të reja mjekësore tregonin me sa dukej që treshja e dëmtimeve mund të ishte pasojë edhe e një shkaku tjetër, të ndryshëm nga TJAK-ja.
14. Në një datë të pasaktësuar, paditësja, e cila kishte vuajtur gjashtëmbëdhjetë muaj nga dënimi i saj, u lirua.
15. Në suazën e procedurës së apelit, Gjykata e Apelit (Dhoma Penale – “GjA-DhP”) dëgjoi një numër të caktuar ekspertësh mjekësorë. Më 21 korrik 2005, ajo e shfuqizoi dënimin e paditëses me arsyetimin se ai nuk mbështetej në baza të qëndrueshme.
16. Lidhur me rolin e saj në rishqyrtimin e elementeve të provës në apel, Gjykata e Apelit u shpreh si vijon:
“70. (...) [Për] mendimin tonë, Dhoma Penale e Gjykatës së Apelit nuk përbën zakonisht kuadrin e përshtatshëm për zgjidhjen e pikëpyetjeve të përgjithshme të këtij lloji, ku ka një divergjencë të mirëfilltë ndërmjet dy mendimesh të besueshme mjekësore. Objektivi i kësaj Gjykate (i cili ka qenë gjithashtu edhe i yni) është që të përcaktojë nëse dënimi mbështetet mbi baza të qëndrueshme, duke mos harruar kriterin që do të parashtrojmë këtu më poshtë e që zbatohet për apelimet e bëra mbi bazë elementesh të reja. Kjo nuk do të thotë që divergjenca të tilla nuk mund të ndreqen gjatë procesit. Kur pika të tilla shtrohen gjatë procesit, i takon jurisë (në fushën penale) ose gjyqtarit (në fushën civile) që t’i zgjidhë ato si pika faktike, mbi bazën e tërësisë së elementeve të dosjes (...)”
17. Për sa u përket rrethanave të çështjes së paditëses, GjA-DhP-ja theksoi qysh në fillim se i binte asaj si detyrë që të përcaktonte nëse dënimi mbështetej apo jo në baza të qëndrueshme (“whether the conviction was safe”). Ajo vërejti gjithashtu se, përderisa çështja paraqiste njëfarë vështirësie, kishte rëndësi që të mos harrohej kriteri i parashtruar nga Lordi Bingham of Cornhill në çështjen Pendleton (paragrafi 47 i mëposhtëm), i cili ishte që të shtrohej pyetja nëse kishte arsye për të besuar se elementet, sikur këto të ishin paraqitur gjatë procesit, do të mund të kishin ndikuar në vendimin e jurisë për të dhënë një dënim. Ajo vazhdoi kështu:
“143. (...) Elemente[t] e parashtruara në proces dhe ato të paraqitura nga Kurora në suazën e këtij apelimi rëndojnë shumë mbi [paditësen]. Ne e gjykojmë bindëse tezën [e avokatit të Kurorës] që thotë se treshja e dëmtimeve është e vërtetuar dhe se çdo orvatje për ta vënë përsëri në pikëpyetje këtë pikë mbështetet në spekulime. Megjithatë, sado të vlefshme që të mund të jenë elementet kundër [paditëses], ne na shqetëson se sa i mbështetur ka qenë dënimi.”
18. GjA-DhP-ja mori në shqyrtim elementet mjekësore të dhëna prej ekspertëve të caktuar nga paditësja dhe nga Kurora. Duke vërejtur divergjencat midis pikëpamjeve, ajo deklaroi:
“144. Së pari, për të shmangur apelimin, do të na duhej të pranonim pikëpamjen e [avokatit të Kurorës] që na fton ta hedhim poshtë në tërësinë e vet dëshminë e doktorit Squier [ekspert i caktuar nga paditësja] (...)
145. (...) Ne nuk po themi aspak se e privilegjojmë dëshminë e doktorit Squier në krahasim me atë të doktorit Rorke-Adams [ekspert i caktuar nga Kurora]. Faktikisht, duke pasur parasysh peshën e elementeve që bien në kundërshtim me mendimin e doktorit Squier, ne kemi rezerva për sa i përket saktësisë së këtij të fundit. Por, duke pasur parasysh tërësinë e rrethanave të çështjes, duhet thënë gjithashtu se divergjencat e vërejtura janë të tilla që jurisë do t’i ishte dashur t’i vlerësonte në dritën e tërësisë së elementeve të përfshira në dosje.
146. Së dyti, sado që konstatimi i një gjakrrjedhjeje të retinës është një element që e vërteton fuqimisht tezën e shkundjes, prapëseprapë ai nuk tregon në vetvete që fëmija të jetë shkundur. Po të vihet sërish në pikëpyetje gjakrrjedhja nën cipën e fortë të trurit, konstatimet lidhur me gjakrrjedhjen e retinës nuk mjaftojnë për ta plotësuar zbrazëtinë, edhe sikur të pranojmë se të dyja dëmtimet mund të konsiderohen së bashku. Mbetet gjithashtu pika nëse doktori Adams [për paditësen] ka arsye që të çmojë se bebet e syve të palëvizshme e të zgjeruara, të vërejtura nga ekipi mjekësor i ambulancës, ishin shenja që fëmija vuante atëherë nga një edemë cerebrale.
147. Së treti, edhe pse, siç e kemi thënë, intensiteti i forcës së kërkuar për të shkaktuar treshen e dëmtimeve në fjalë nënkupton më të shumtën e kohës diçka më tepër sesa thjesht një manipulim të vrazhdë, me sa duket në disa raste të rralla dëmtimet nuk përkojnë me intensitetin e forcës së përdorur. Ekziston së paku mundësia që, në këto raste të rralla (madje shumë të rralla), një përdorim shumë i kufizuar i forcës të shkaktojë dëmtime shkatërrimtare.”
19. Duke nënvizuar rëndësinë e elementeve klinike të përfshira në dosje, GjA-DhP-ja vazhdon kështu:
“150. (...) Shkurtimisht, [paditësja] është përshkruar se ishte një nënë e vëmendshme dhe e kujdesur për mirëqenien e fëmijës së saj. Vonë në mbrëmje, ajo ka thirrur doktorin Barber sepse ishte e shqetësuar për Patrick-un. Sipas doktorit Barber, ajo ishte në atë moment e qetë dhe i kontrollonte emocionet e veta. Gjatë procesit, prokurori ka mbrojtur tezën se, në periudhën kohore ndërmjet momentit kur doktori Barber ishte larguar nga shtëpia dhe orës 2.30 të mëngjesit – ora kur [paditësja] kishte bërë thirrje për ndihmë –, [paditësja] duhej ta kishte shkundur Patrick-un në mënyrë të dhunshme e të paligjshme. Për mendimin tonë, ky version, i kombinuar me mungesën e të nxirave në kokën, fytyrën ose trupin e fëmijës, si edhe me atë të frakturave apo të çfarëdo shenje tjetër përveç tre dëmtimeve në fjalë, nuk përputhet aspak me tezën e Kurorës lidhur me ndonjë dhunë të paligjshme, tezë e cila mbështetet te treshja e dëmtimeve, çka është edhe vetë kjo një hipotezë.”
20. GjA-DhP-ja nxjerr këtë përfundim:
“152. Siç e kemi thënë, elementet dhe argumentet mbi të cilat mbështetet Kurora janë bindëse. Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmitarët e dëgjuar për [paditësen] nuk kanë arritur në mënyrë të kënaqshme të identifikojnë një shkak tjetër specifik të cilit t’ia vënë fajin për dëmtimet e Patrick-ut. Por, gjatë kësaj procedure në apel, treshja e dëmtimeve është e vetmja pikë në diskutim, dhe për mendimin tonë të dhënat klinike e përjashtojnë hipotezën e një TJAK-je. Sot, edhe vetë prania e një tresheje dëmtimesh te fëmija është ndoshta e pasigurt, për arsyet e parashtruara tashmë. Sidoqoftë, sipas vlerësimit tonë për elementet në dispozicion në suazën e këtij apelimi, thjesht prania e treshes së dëmtimeve nuk tregon dot në vetvete automatikisht e medoemos se ka pasur një TJAK.
153. Pyetja kryesore që është shtruar gjatë procesit ishte që të merrej vesh nëse [paditësja] e kishte shkaktuar vdekjen e të birit Patrick me anë të një përdorimi të paligjshëm të forcës. Ne i bëjmë vetes pyetjen nëse dëshmitë e reja të dëgjuara prej nesh, lidhur me shkakun e vdekjes dhe me intensitetin e forcës të nevojitur për të shkaktuar treshen e dëmtimeve, do të kishin mundur me të drejtë të ndikonin mbi vendimin e jurisë për të dhënë një dënim. Për të gjitha arsyet e përmendura, ne kemi dalë në përfundimin se mund të kishte ndodhur ashtu. Për rrjedhojë, dënimi nuk mbështetet mbi baza të qëndrueshme dhe është me vend që apelimi të pranohet. Dënimi do të shfuqizohet.”
21. GjA-DhP-ja nuk e urdhëroi rishqyrtimin e çështjes.
C. Kërkesa për zhdëmtim
1. Vendimi i ministrit
22. Pas shfuqizimi të dënimit të saj, paditësja iu drejtua ministrit me një kërkesë zhdëmtimi për gabim gjyqësor mbi bazën e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988 për drejtësinë penale (“Ligji i vitit 1988” – paragrafët 49-53 të mëposhtëm).
23. Me anë të një letre që mbante datën 31 maj 2006, solicitors-ët e së interesuarës u informuan që ministri ishte i mendimit se në këtë çështje nuk kishte ndonjë të drejtë për zhdëmtim. Letra shprehej kështu:
“Ministri i Brendshëm çmon se klientja juaj nuk i plotëson kushtet e parashikuara në nenin 133 § 1 të ligjit, meqenëse elementet mjekësore të shqyrtuara nga Gjykata e Apelit nuk zbulojnë ndonjë fakt të ri (...) Ai është i mendimit se këto elemente të reja mjekësore, lidhur me intensitetin e forcës të nevojitur për të shkaktuar një treshe dëmtimesh, nuk përbëjnë ndonjë fakt të ri ose të zbuluar rishtas; më shumë bëhet fjalë për elemente që tregojnë një evoluim në mendimet mjekësore për sa i përket intensitetit të forcës të nevojitur për të shkaktuar një treshe dëmtimesh, dhe është e udhës që ato të cilësohen jo si fakte të reja por si elemente të reja lidhur me fakte që diheshin që në fillim.”
2. Vendimi i High Court
24. Më pas, paditësja, duke çmuar se i plotësonte kriteret për përfitim zhdëmtimi që kërkonte neni 133 i Ligjit të vitit 1988, nisi një procedurë kontrolli gjyqësor me qëllim që të kundërshtonte refuzimin për ta zhdëmtuar atë.
25. Kërkesa e saj nuk u pranua nga High Court më 10 dhjetor 2007. Gjyqtari ia nisi me shqyrtimin e qasjes që e kishte çuar GjA-DhP-në në shfuqizimin e dënimit të paditëses. Ai nxori andej përfundimet e mëposhtme:
“21. (...) 1) Gjykata e Apelit ka zbatuar kriterin Pendleton dhe nuk u ka dhënë vetë përgjigje përfundimtare pyetjeve të koklavitura mjekësore që shtrohen nga elementet e shqyrtuara prej saj; 2) ajo është mjaftuar të thotë se këto të fundit, nëse do të ishin pranuar nga juria, do të kishin mundur të shpinin në një dhënie pafajësie për të interesuarën; 3) pavarësisht nga ky përfundim, Gjykata e Apelit ka gjykuar se teza e Kurorës ishte e qëndrueshme. Për mendimin tim, ky përfundim nuk është i pajtueshëm me pohimin se pas një procesi të ri, mbi bazën e këtyre elementeve, gjyqtari i themelit do të ishte detyruar që ta ftonte jurinë për t’i dhënë pafajësi së interesuarës; 4) elementet që ka shqyrtuar Gjykata e Apelit dhe që e kanë çuar atë në këtë përfundim përbëheshin nga një përzierje e ndërlikuar faktesh e opinionesh.”
26. Gjyqtari vërejti se GjA-DhP-ja nuk e kishte urdhëruar rishqyrtimin e çështjes, por çmoi se kjo kishte pak rëndësi, përderisa paditësja e kishte vuajtur ndërkohë dënimin e saj dhe se një rishqyrtim i çështjes do të kishte qenë i panevojshëm dhe nuk do t’i ishte përgjigjur interesit publik.
27. Duke shqyrtuar pastaj kërkesën për zhdëmtim të paraqitur nga paditësja, gjyqtari vuri në dukje që të dyja palët e pranonin se e interesuara kishte vuajtur një dënim si pasojë e një vendimi fajësie të shfuqizuar më pas, por që aspektet e tjera të kërkesës së saj mbi bazën e nenit 133 ishin në diskutim. Ai vijoi kështu:
“29. Dhoma e Lordëve e ka marrë në shqyrtim interpretimin e nenit 133 në çështjen R (on the application of Mullen) v. Secretary of State for the Home Department [§§ 54-62 të mësipërm]. Kjo çështje zbuloi një mospajtim të mirënjohur pikëpamjesh midis Lordit Bingham dhe Lordit Steyn. Faktet në zanafillë të saj ishin sidoqoftë shumë larg atyre të çështjes në fjalë dhe ratio decidendi e atij vendimi të Dhomës së Lordëve nuk na ndihmon aspak për të marrë vendim lidhur me këtë ankim. Është kështu thjesht sepse arsyeja për të cilën ishte shfuqizuar dënimi i Z. Mullen nuk kishte të bënte me hetimin, me drejtimin e procesit apo me elementet e provës që ishin paraqitur gjatë tij, kështu që i interesuari nuk e kishte pasur të drejtën për një zhdëmtim sipas nenit 133. Ajo çka të bën përshtypje në atë çështje është se Z. Mullen nuk kishte pohuar në asnjë çast që ishte i pafajshëm për veprën penale për të cilën ishte dënuar.”
28. Gjyqtari pranoi se arsyeja për të cilën ministri e kishte refuzuar zhdëmtimin tregonte një mënyrë vështrimi jashtëzakonisht të ngushtë lidhur me atë çka ishte një fakt i ri apo i zbuluar rishtas. Ai vërejti se ishte tejet e vështirë që të bëhej dallim midis një fakti dhe një opinioni mjekësor dhe se do të ishte tepër e padrejtë ndaj një kërkuesi që të hidhej poshtë një padi për zhdëmtim thjesht për arsyen se kjo nuk u mbështetka në ndonjë zhvillim që të ketë ndodhur në mendimet mjekësore dhe në konstatimet klinike. Ai shtoi megjithatë se ky përfundim nuk ishte përcaktues për kërkesën e paditëses për zhdëmtim, duke çmuar se ishte e panevojshme që ajo t’i kalohej ministrit për rishqyrtim, në rast se ishte e pashmangshme që ky i fundit të merrte vendim në mënyrë identike, qoftë edhe për ndonjë arsye të ndryshme.
29. Gjyqtari konstatoi që avokati i paditëses mbronte mendimin se klientja e tij nuk ishte e detyruar të provonte se ishte e pafajshme për aktin për të cilin ishte dënuar dhe që ai e pranonte madje se nuk ishte e mundur që përpara High Court të mbrohej mendimi se, në mënyrë që të pranohej kërkesa e saj për zhdëmtim, mjaftonte që paditësja të vërtetonte ekzistencën e një dyshimi lidhur me fajësinë e saj i cili do të kishte mundur ose do të ishte dashur ta bënte një juri që t’ia jepte asaj pafajësinë. Gjyqtari e çmoi këtë përfundim si të pashmangshëm e të drejtë në parim në dritën e vërejtjeve të formuluar nga Lord Chief Justice në R (on the application of Clibery) v. Secretary of State for the Home Department [2007] EWHC 1855 Admin, të cilin ai e citoi:
“41. (...) [Në R (Mullen)] (...), Lordi Bingham ka marrë parasysh dy situata të dallueshme, ku secila i përgjigjet për mendimin e tij përshkrimit të “gabimit gjyqësor” në kuptimin e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988. E para është ajo ku ka disa fakte të reja që tregojnë se kërkuesi nuk është fajtor për veprën penale për të cilën ai është dënuar. Në një rast të tillë, mund të pohohet se, në qoftë se faktet në fjalë do të ishin ditur nga juria, i interesuari nuk do të ishte dënuar. Situata e dytë është ajo ku në proces ka pasur veprime apo mosveprime që nuk do të duhej të kishin ndodhur dhe që e kanë cenuar të drejtën e të interesuarit për një proces të drejtë në atë masë saqë mund të thuhet se ai është “dënuar gabimisht”. Në rrethana të tilla, është me vend që të deklarohet se kërkuesi nuk do të duhej të ishte dënuar.”
30. Gjyqtari vazhdoi kështu:
“42. Z. Southey [avokat i paditëses] nuk më ka folur për doktrinën e Strasburgut rreth prezumimit të pafajësisë. Unë nuk do të marr vendim për këtë aspekt. Z. Southey e ruan për më vonë shprehjen e qëndrimin të tij në këtë fushë. Në pritje të kësaj pike, të thuash për një çështje ku një juri mund të kishte dalë në një përfundim të ndryshëm që ajo tregon “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor”, mua më duket se kjo do të thotë të largohesh nga tekstet juridike. Vërejtjet e Lordit Bingham lidhur me gabimin procedural mua më duket se nuk kanë të bëjnë me çështjet ku ka ndodhur një gabim për sa i përket provës. Në këto çështje, duhet që fakti i ri ose i zbuluar rishtas të tregojë përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor. Mirëpo ky demonstrim nuk quhet i bërë nëse vërtetohet vetëm që, sikur të ishin parashtruar disa elemente të reja, një juri e udhëzuar siç duhet do të kishte dalë mbase në një përfundim të ndryshëm.”
31. Gjyqtari vërejti gjithashtu:
“44. Le të imagjinojmë një çështje ku i akuzuari nuk jep shpjegime as gjatë marrjes në pyetje, as gjatë procesit të tij. Të vetmet prova rënduese janë ato që jepen nga vetëm një dëshmitar dhe i akuzuari dënohet mbi bazën e këtyre elementeve, të përforcuara prej vetë heshtjes së tij. Po qe se më vonë provohet se kjo dëshmi e vetme ka qenë krejtësisht e rreme, qoftë për arsye të një qëllimi të dënueshëm ose thjesht të një gabimi të dëshmitarit, së paku mund të mbrohet mendimi se në rastin e të interesuarit qenka bërë një gabim gjyqësor ndërkohë që asnjëherë askush nuk e paska vendosur, masje as e paska ditur, nëse i akuzuari ishte në fakt fajtor apo jo. Megjithatë, ky postulat nuk i sjell asgjë kërkueses në rastin e çështjes në fjalë. Ç’është e vërteta – siç e tregon paraqitja e dëshmive të mjekëve të dëgjuar nga Gjykata e Apelit dhe nga juria, (...) në këtë rast ekzistonin disa elemente rënduese bindëse. Pas paraqitjes së tezës së prokurorisë e madje të të gjitha elementeve, siç e ka deklaruar shprehimisht Gjykata e Apelit, marrja e vendimit për këtë pikë i ka takuar jurisë (...)”
32. Ai nxori këtë përfundim:
“45. Siç e tregojnë pjesët e vendimit të Gjykatës së Apelit [në çështjen Clibery] të cilat i kam cituar, juridiksioni i apelit është mjaftuar të thotë se elementet e reja kanë nxjerrë mundësinë që, nëse ato do të kombinoheshin me elementet e parashtruara gjatë procesit, një juri mbase do të kishte pasur njëfarë baze për të dhënë pafajësi. Këtu jemi shumë larg nga vërtetimi përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm që në këtë çështje paska ndodhur një gabim gjyqësor. Prandaj, dhe për këtë arsye të thjeshtë, unë e rrëzoj këtë kërkesë.”
3. Vendimi i Gjykatës së Apelit
33. Paditësja bëri apelim, por kërkesa nuk iu pranua nga Gjykata e Apelit (Dhoma Civile) më 15 korrik 2008. Duke dhënë vendimin e këtij juridiksioni, Lord Justice Hughes filloi me një përmbledhje të qasjes së ndjekur nga GjA-DhP-ja për të shfuqizuar dënimin e paditëses. Ai iu referua përfundimeve të formuluara në vendimin e GjA-DhP-së, konkretisht se mbi paditësen vazhdonin të rëndonin disa elemente serioze, por se Gjykata e Apelit nuk ishte e sigurt për qëndrueshmërinë e bazave mbi të cilat mbështetej dënimi. Ai shtoi:
“17. (...) Vendimi rreth qëndrueshmërisë së një dënimi në një çështje ku ka elemente të reja i përket vetë Gjykatës së Apelit; nuk është fjala për të përcaktuar se cili do të ishte efekti i këtyre elementeve të reja te pjesëtarët e jurisë, por në një çështje të vështirë Gjykata mund ta gjykojë të nevojshme që ta verifikojë vlefshmërinë e mendimit të saj të përkohshëm duke i shtruar vetes pyetjen nëse elementet tashmë në dispozicion do të kishin mundur në mënyrë të arsyeshme të ndikonin në vendimin e jurisë për të dhënë një dënim. Në çështjen në fjalë është e qartë se GjA-DhP-ja e ka ndjekur këtë qasje të fundit dhe është mbështetur gjerësisht, për të marrë vendim, në ndikimin që do të mund të kishin pasur dëshmitë e mjekëve të dëgjuar prej saj në rast se ato do të ishin ditur nga juria (...) [P]a dyshim që Gjykata ka qenë e mendimit se nuk i takonte asaj që ta zgjidhte çështjen nëse konstatimet klinike ishin interpretuar apo jo me korrektësi por se bëhej fjalë për një pikë që mund dhe duhej të zgjidhej nga një juri pas shqyrtimit të ekspertizave konkurruese. Sipas kësaj qasjeje, ajo ka vendosur se elementet tashmë në dispozicion, po të ishin shqyrtuar nga një juri, do të kishin çuar ndoshta në një përfundim të ndryshëm.”
34. Për sa i përket faktit që GjA-DhP-ja nuk e kishte urdhëruar rishqyrtimin e çështjes, gjyqtari u shpreh si vijon:
“18. (...) [K]ur ka bërë apelim, e interesuara e kishte vuajtur tashmë dënimin e saj dhe kishte kaluar një periudhë e gjatë kohe. Në këto rrethana, është e kuptueshme që Kurora të mos e ketë kërkuar rishqyrtimin e çështjes, çka ajo do ta kishte bërë pa dyshim në qoftë se dënimi do të ishte shfuqizuar për të njëjtat arsye pak pas procesit.”
35. Gjyqtari mori në shqyrtim kuptimin e shprehjes “gabim gjyqësor” dhe e përmblodhi si vijon mospajtimin midis qasjeve të mbrojtura përkatësisht nga Lordi Bingham dhe Lordi Steyn në R (Mullen):
“21. (...) Lordi Steyn ka thënë (...) se, në këtë kontekst, shprehja “gabim gjyqësor” do të thoshte se pranohej pafajësia e së interesuarës. Lordi Bingham (...) nuk ka krijuar ndonjë mendim rreth kësaj pike, por e ka saktësuar mirë se “ngurronte që ta pranonte” këtë interpretim. Ai ishte i prirë nga ana e tij që të pranonte se “gabimi gjyqësor” përfshinte në këtë suazë mangësitë e rënda të procesit, sado që të vërtetohej ose jo pafajësia.”
36. Ai shpjegoi sidoqoftë se, duke pasur parasysh mendimin e shprehur njëzëri nga Dhoma e Lordëve sipas të cilit padia e Z. Mullen ishte e kotë, interpretimet divergjente të Lordëve Steyn e Bingham nuk ishin rreptësisht të nevojshme për vendimin.
37. Gjyqtari vuri në dukje se avokati i paditëses e pranonte që pafajësia e së interesuarës nuk ishte vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm, ose në mënyrë bindëse, nga vendimi i GjA-DhP-së për të shfuqizuar dënimin. Ai çmoi pra që, në qoftë se interpretimi i dhënë për nenin 133 nga Lordi Steyn ishte korrekt, atëherë padia e paditëses ishte e kotë. E interesuara mbronte sidoqoftë mendimin se ishte e udhës që të përqafohej qasja e Lordit Bingham dhe se sipas interpretimit të këtij të fundit ajo duhej të fitonte me arsyetimin që në procesin e saj kishte pasur një mangësi të rëndë. Duke analizuar komentet e Lordit Bingham në R (Mullen), gjyqtari vërejti:
“26. (...) [Ë]shtë e qartë se elementi kyç i interpretimit të gjerë të “gabimit gjyqësor” që [Lordi Bingham] ishte i prirë të merrte parasysh është “konstatimi i një mangësie të rëndë në (...) mënyrën se si është zhvilluar procesi” (...)”
38. Ai vazhdoi kështu:
“27. Në këtë çështje nuk ka pasur asnjë mangësi, të rëndë ose jo, në mënyrën se si është zhvilluar procesi. Duke folur për “dëshmi të diskutueshme eksperti”, është e qartë se Lordi Bingham nuk mund të kishte parasysh elementet e bazuara në ekspertizë serioze e të paraqitura me vetëdije të plotë gjatë procesit. Shumë-shumë, lidhur me dëshminë e ekspertit e cila është paraqitur gjatë procesit, mund të thuhet se ajo mund të ketë ndoshta nevojë të rishikohet në dritën e hulumtimeve ose konsideratave të reja mjekësore. Sidoqoftë, nuk është vërtetuar që elementet mjekësore të paraqitura gjatë procesit të kenë qenë të diskutueshme, qoftë edhe në këtë kuptim të ngushtë. Siç e tregojnë pjesët e vendimit të GjA-DhP-së që unë kam cituar, ky juridiksion është mjaftuar duke pohuar në vendimin e tij se për mospajtimet midis mendimeve mjekësore duhej të vendoste një juri. Në këtë rast nuk bëhet fjalë as për një çështje ku jurisë i qenka paraqitur një konsensus mjekësor sipas të cilit treshja e dëmtimeve ishte treguese për një vrasje të paligjshme me qëllim. Ekspertët mjekësorë të thirrur nga apeluesja kanë pranuar se treshja e dëmtimeve ishte e pajtueshme me një vrasje të paligjshme me qëllim, por nuk çonte detyrimisht në këtë përfundim. Nëse është pranuar apelimi, kjo ka ndodhur sepse gjatë rrjedhës së viteve i është dhënë më shumë besueshmëri potenciale mendimit të hedhur në favor të apelueses e të mbështetur sot nga dëshmia e doktorit Squier, mendim të cilin juria nuk e kishte shqyrtuar dhe të cilin GjA-DhP-ja, pavarësisht nga disa dyshime të sigurta rreth kësaj pike, nuk mund ta hidhte poshtë në tërësi.
28. Për të njëjtat arsye, për mendimin tim nuk ka asnjë dyshim se vendimi i GjA-DhP-së nuk do të thotë aspak që kundër apelueses nuk qëndronte më asnjë akuzë pas nxjerrjes në dritë të elementeve të reja (...)”
39. Gjyqtari vazhdoi me shqyrtimin e situatave ku një mospajtim midis ekspertësh të shquar mund të shpinte në përfundimin se mbajtja e një procesi mund të ishte pamaturi ose me rrezik. Ai vërejti se nuk kishte asnjë precedent që të tregonte se, përballë një konflikti mes ekspertësh lidhur me përfundimet që duhej të nxirreshin nga ekzistenca e dëmtimeve, duhej të hiqej dorë nga paraqitja e çështjes përpara një jurie. Ai çmoi përkundrazi se zgjidhja e mosmarrëveshjeve të tilla, duke pasur parasysh kriterin e provës në fushën penale, përbënte një aspekt të rëndësishëm të funksioneve të jurisë. Gjyqtari nxori pra këtë përfundim:
“29. Në çështjen në fjalë, asgjë nuk lejonte të thuhej se, duke pasur parasysh elementet e reja, nuk ishte me vend që çështja t’i paraqitej një jurie. Për më tepër, në qoftë se Gjykata kishte dashur të thoshte se nuk kishte fare (ose më) akuza, ajo do ta kishte thënë qartë këtë gjë. Përkundrazi, fakti që ajo e ka përsëritur disa herë se vlerësimi i ekspertizave mjekësore konkurruese i takonte një jurie është krejtësisht i papajtueshëm me përfundimin se në gjendjen e tanishme të provave mjekësore nuk paskësh më akuza. Po ashtu, paraqitja e pikës Pendleton në cilësinë e kontrollit është e papajtueshme me përfundimin se çështja nuk do të ishte dashur kurrë t’i paraqitej një jurie po të ishin ditur elementet e reja.
30. Në këto kushte, unë dal qartazi në përfundimin se, edhe sipas atij interpretimi të nenit 133 që është privilegjuar nga Lordi Bingham, kjo padi nuk ka sesi të ketë rezultat (...)”
40. Ndonëse, duke pasur parasysh rrethanat, nuk kishte përse të shprehej rreth mospajtimit midis interpretimeve të nenit 133 të parashtruara nga Lordi Bingham dhe Lordi Steyn, gjyqtari e shprehu megjithatë parapëlqimin e tij për qasjen e mbrojtur nga Lordi Steyn. Ai u shpreh konkretisht si vijon:
“40. iii. Jam sigurisht dakord që GjA-DhP-ja nuk merret zakonisht me pikën e fajësisë ose të pafajësisë, por verifikon vetëm nëse një dënim mbështetet në baza të qëndrueshme; megjithatë, ky juridiksion di t’i dallojë çështjet ku pafajësia e personit të dënuar provohet realisht përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm nga një fakt i ri ose i zbuluar rishtas, dhe vendimi i dhënë e tregon këtë në praktikisht të gjitha rastet (...) Më duket se zbatimi i [nenit133] paraqet vështirësi mjaft reale po qe se përqafohet përkufizimi më i gjerë [i gabimit gjyqësor], sepse pastaj, sa herë që një dënim shfuqizohet për arsye elementesh të reja, duhet t’i bëhet vetes pyetja nëse plotësohet kriteri, i vendosur në nenin 133, i gabimit gjyqësor të vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm apo nëse bëhet fjalë thjesht për një rast ku ekziston një dyshim se mos dënimi nuk mbështetet në baza të qëndrueshme. Por në qoftë se gabimi gjyqësor kërkon vërtetimin e pafajësisë përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm, në përgjithësi nuk ka kurrfarë vështirësie për t’i dalluar qartë këto raste në vendimet e GjA-DhP-së.”
41. Për sa u përket argumenteve të paditëses të cilat mbështeten në prezumimin e pafajësisë, gjyqtari përmendi vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane në çështjet Sekanina k. Austrisë (25 gusht 1993, seria A nr. 266‑A), Rushiti k. Austrisë (nr. 28389/95, 21 mars 2000), Weixelbraun k. Austrisë (nr. 33730/96, 20 dhjetor 2001), O. k. Norvegjisë (nr. 29327/95, GjEDNj 2003‑II), dhe Hammern k. Norvegjisë (nr. 30287/96, 11 shkurt 2003). Ai deklaroi se këto vendime nuk lejonin të dilje në përfundimin që paditësja të kishte ndonjë të drejtë për zhdëmtim sipas nenit 133, dhe kjo për arsyet e mëposhtme:
“35. i. Në asnjërën nga këto çështje nuk janë shqyrtuar dispozitat që përcaktojnë pikën, në diskutim këtu, të zhdëmtimit për gabim të provuar gjyqësor, të cilat figurojnë në PNDCP [Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, 1966 – paragrafi 65 i mëposhtëm].
ii. Neni 14 i PNDCP-së vendos pranë e pranë në gjirin e tij dispozitën lidhur me zhdëmtimin (nenin 14 § 6, të shqyrtuar këtu) dhe një dispozitë (nenin 14 § 2) termat e së cilës janë identike me ato të nenit 6 § 2 të KEDNj-së. Me shumë qartësi, neni 14 § 6 kërkon më shumë sesa shfuqizimin e një dënimi në mënyrë që të lindë një e drejtë për zhdëmtim: duhet që një fakt i ri ose i zbuluar rishtas të provojë se ka ndodhur një gabim gjyqësor. Më duket se këto dispozita nuk do të mund të bashkekzistonin në këto terma në qoftë se nga neni 14 § 2 do të rridhte se, në mënyrë që të ketë zhdëmtim, mjafton që dënimi të shfuqizohet për arsye të një fakti të ri (...)
iii. PNDCP-ja është një traktat i pavarur nga Konventa Evropiane, por neni 14 § 6 i tij e gjen gjegjësin e vet te neni 3 i Protokollit nr. 7 të KEDNj-së. Për të njëjtat arsye, është e qartë se neni 3 nuk mund të ishte i formuluar ashtu siç është në qoftë se neni 6 § 2 i KEDNj-së do të thoshte se duhet të jepet automatikisht një zhdëmtim pas shfuqizimit të një dënimi për arsye elementesh të reja.
iv. Siç e ka nënvizuar Lordi Steyn te Mullen (...), Gjykata e Strasburgut është kujdesur, në çështjen Sekanina (...) (paragrafi 25 i vendimit), që ta tërheqë vëmendjen te dallimi midis sistemit kombëtar austriak të vënë atëherë në pikëpyetje dhe sistemit ndërkombëtar të bazuar në nenin 3 të Protokollit nr. 7 (...)
v. Nga çështjet austriake dhe norvegjeze del qartë se vija ndarëse ndërmjet zbatimit dhe moszbatimit të nenit 6 § 2 është shpeshherë mjaft e hollë. Në çështjen Sekanina, Komisioni (...) kishte deklaruar shprehimisht se neni 6 § 2 nuk pengonte, “sigurisht”, që të mbështeteshe mbi të njëjtat fakte, pas një dhënieje pafajësie në themel, për të nisur një padi civile kundër të paditurit. Kjo duhet të ndodhë madje shpesh, sidomos në fushën e mbajtjes së fëmijëve. Por në Orr k. Norvegjisë (...), e cila kishte të bënte me një çështje marrëdhëniesh seksuale me dhunë, Gjykata ka thënë se neni 6 § 2 e pengonte ankuesen të fitonte një dëmshpërblim pas dhënies së pafajësisë për të akuzuarin, sado që kriteri i provës që ishte zbatuar në padinë civile ishte i ndryshëm; vendimi mbështetej në mënyrën se si ishte shprehur gjykata duke trajtuar këtë pikë të fundit.
vi. Mbështetja e vendimeve në çështjet austriake dhe norvegjeze kishte të bënte me ngushtësinë e lidhjes midis vendimit për dhënie pafajësie të marrë në themel dhe vendimit për zhdëmtimin. Në çështjet austriake, vendimi lidhur me zhdëmtimin i takonte kompetencës së juridiksionit penal, ndonëse ai ishte dhënë më së shpeshti disa kohë pas dhënies së pafajësisë nga një juridiksion penal me përbërje të ndryshme, siç mund të jetë rasti në Angli për një urdhër konfiskimi. Për më tepër, gjykatat proceduan pjesërisht duke analizuar vendimin e jurisë. Në çështjet norvegjeze, pafajësia u dha nga një juridiksion i përbërë nga gjyqtarë e nga anëtarë jurie, dhe qenë të njëjtët gjyqtarë ata që, pak a shumë menjëherë më pas, e morën në shqyrtim pikën e zhdëmtimit (...)
vii. Ndërsa një zhdëmtim i mbështetur mbi elemente të reja, në bazë të nenit 14 § 6 të PNDCP-së dhe të nenit 133 të Ligjit për drejtësinë penale, nuk kushtëzohet nga një dhënie pafajësie e shpallur në themel. Një zhdëmtim duhet të paguhet atëherë kur ka pasur shfuqizim të dënimit dhe kur ekziston faktori shtesë i gabimit gjyqësor të vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm ose në mënyrë bindëse.
viii. Mund të pohohet pa dyshim (...) se sistemi i zhdëmtimit për gabim gjyqësor i bazuar te neni 14 § 6 ka ngjashmëri me sistemin norvegjez të zhdëmtimit pas dhënies së pafajësisë, të përshkruar nga Gjykata Evropiane si një procedurë që synon “të përcaktojë se mbi shtetin rëndon një detyrim për ta zhdëmtuar financiarisht dëmin e shkaktuar prej tij, për shkak të ndjekjes penale, ndaj personit (...)” (shih O. k. Norvegjisë (...)). Por kjo është njëlloj sikur të shtrohet pyetja se në çfarë momenti e krijon një detyrim të tillë sistemi në fjalë. Në qoftë se neni 6 § 2 duhej të zbatohej për paditë e nisura në suazën e sistemit të shqyrtuar këtu, nuk do të kishte asnjë arsye, në vështrimin e logjikës ose të paanësisë, që të bëhej dallimi midis personave dënimi i të cilëve është shfuqizuar për shkak elementesh të reja dhe atyre dënimi i të cilëve është shfuqizuar për arsye të tjera; të gjithë këta persona do të kishin një bazë për t’iu referuar prezumimit të pafajësisë. Në fakt, nuk do të kishte asnjë arsye të dukshme që të bëhej ndonjë dallim ndërmjet individëve që janë shpallur fajtorë, por që u është shfuqizuar dënimi, dhe atyre që janë shpallur të pafajshëm në përfundim të procesit. Por është e qartë se neni 14 § 6 i PNDCP nuk parashikon zhdëmtim jashtë rrethanave të kufizuara që ka parasysh kjo dispozitë.
ix. Te Mullen, Lordi Steyn ka deklaruar (...) se neni 6 § 2 i KEDNj-së nuk zbatohej për rregullat e veçanta të krijuara nga neni 14 § 6 i PNDCP-së. Lordi Bingham ka çmuar se (...) çështjet austriake dhe norvegjeze (...) nuk sillnin ndonjë ndihmë të madhe për Z. Mullen, “dhënia e pafajësisë” ndaj të cilit nuk kishte lidhje me themelin e akuzës së ngritur kundër tij.”
42. Më 11 dhjetor 2008, paditëses iu refuzua leja për t’iu drejtuar Dhomës së Lordëve.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Shfuqizimi i një dënimi
1. Ligji i vitit 1968 për apelimet në fushën penale
43. Neni 2 § 1 i Ligjit të vitit 1968 për apelimet në fushën penale (ashtu siç është ndryshuar) thotë se Gjykata e Apelit
“a) e pranon një apelim kundër një dënimi në qoftë se çmon që ky i fundit nuk mbështetet në baza të qëndrueshme; dhe
b) e rrëzon apelimin në çdo rast tjetër.”
44. Në bazë të nenit 2 § 2, Gjykata e Apelit duhet ta shfuqizojë dënimin në qoftë se ajo e ka pranuar apelimin.
45. Neni 2 § 3 shprehet:
“Përveçse kur Gjykata e Apelit urdhëron në zbatim të nenit 7 të mësipërm që të rigjykohet autori i apelimit, vendimi i saj për shfuqizimin e një dënimi ka, për gjykatën që e ka marrë vendimin, vlerën e një urdhri për ta zëvendësuar dënimin me një vendim për dhënie pafajësie.”
46. Sipas nenit 7 § 1 të Ligjit të vitit 1968, kur Gjykata e Apelit pranon një apelim të bërë kundër një dënimi dhe kur asaj i duket se këtë e kërkon interesi i drejtësisë, ajo mund të urdhërojë që autori i apelimit të rigjykohet. Sidoqoftë, një proces i ri mund të jetë i papërshtatshëm kur, për shembull, i interesuari e ka vuajtur tashmë dënimin e tij dhe një procedurë e re nuk do të sillte asgjë.
2. Qasja gjyqësore në fushën e shfuqizimit të një dënimi mbi bazë elementesh të reja
47. Në çështjen R v. Pendleton [2001] UKHL 66, Dhoma e Lordëve i bëri vetes pyetjen rreth qasjes që duhet të zgjedhin juridiksionet e apelit në ato çështje ku dalin në dritë elemente të reja. Lordi Bingham of Cornhill shpjegoi:
“19. (...) [N]ë çështjen Stafford, Dhoma e Lordëve, me të drejtë, e ka hedhur poshtë argumentin e avokatit se Gjykata e Apelit kishte bërë pyetjen e gabuar duke marrë për kriter efektin e elementeve të reja mbi mendimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe jo efektin që këto elemente do të kishin mbi atë të anëtarëve të jurisë (...). Unë nuk jam i bindur që Dhoma e Lordëve të ketë parashtruar te Stafford një parim të pasaktë, kështu që për Gjykatën e Apelit mbetet mjaft e qartë se pika së cilës ajo duhet t’i japë zgjidhje është ajo nëse dënimi mbështetet në baza të qëndrueshme dhe jo ajo nëse i akuzuari është fajtor. Kriteri i këshilluar nga avokati në çështjen Stafford (...) paraqet megjithatë një të mirë të dyfishtë (...). Ai i rikujton në radhë të parë Gjykatës së Apelit se kjo nuk është dhe nuk duhet të bëhet asnjëherë vendimmarrësi kryesor. Ai i rikujton pastaj asaj se kjo ka vetëm një ide gjysmake e të paplotë të të gjithë procesit që e ka shpënë jurinë në shpalljen e një dënimi. Sigurisht, Gjykata e Apelit mund t’i vlerësojë elementet e reja që i paraqiten asaj por, me përjashtim të rasteve kur çështjet janë të kulluara, ajo gjendet në pozitë të pavolitshme kur bëhet fjalë për t’i lidhur këto elemente me pjesën tjetër të elementeve të provës të shqyrtuara nga juria. Për këto arsye, urtësia kërkon si rregull i përgjithshëm që, në qoftë se çështja paraqet ndonjë vështirësi të çfarëdoshme, Gjykata e Apelit ta vërë në provë mendimin e vet të përkohshëm duke e pyetur veten nëse elementet e provës – sikur ato të ishin paraqitur në proces – do të kishin pasur mundësi në mënyrë të arsyeshme që të ndikonin mbi vendimin e jurisë për të shpallur një dënim. Në rast se përgjigja është pozitive, duhet të konsiderohet që dënimi nuk mbështetet mbi baza të qëndrueshme.”
48. Më pas, Lordi Brown of Eaton-Under-Heywood, në suazën e çështjes Dial and another v. State of Trinidad and Tobago [2005] UKPC 4, të shqyrtuar nga Këshilli Privat (Privy Council), bëri komentet e mëposhtme:
“31. (...) Me fjalë të thjeshta, ligji, i cili tani është i përcaktuar qartë, mund të parashtrohet si vijon. Kur gjatë një apelimi në fushën penale paraqiten elemente të reja, i takon Gjykatës së Apelit, sigurisht nëse ajo i pranon këto elemente, që ta vlerësojë rëndësinë e tyre në kontekstin e elementeve të tjera të përfshira në dosje. Në qoftë se Gjykata e Apelit del në përfundimin që elementet e reja nuk ngjallin asnjë dyshim të arsyeshëm për sa i përket fajësisë së të akuzuarit, ajo e rrëzon apelimin. Pyetja kryesore i drejtohet vetë Gjykatës së Apelit; ajo nuk qëndron në pikëpyetjen se çfarë efekti do të kishin pasur elementet e reja mbi opinionin e anëtarëve të jurisë. Megjithatë, në qoftë se Gjykata e Apelit është e mendimit se çështja është e vështirë, ajo mund ta gjykojë si të dobishme që ta vërë në provë mendimin e saj “duke e pyetur veten nëse është e arsyeshme të besohet se elementet e provës – sikur ato të ishin paraqitur në proces – do të kishin mundur të ndikonin mbi vendimin e jurisë për të dhënë një dënim” (R v. Pendleton (...)). Parimi udhëheqës mbetet gjithsesi ai që është vendosur (...) në çështjen Stafford (...) e që është parashtruar nga Dhoma e Lordëve në çështjen Pendleton:
“(...) [Gj]ykata e Apelit dhe Dhoma e Lordëve mund ta gjykojnë sigurisht të volitshme qasjen ku shtrohet pyetja se çfarë do të kishte bërë një juri po të kishte qenë në dijeni të elementeve të reja, mirëpo përgjegjësia e fundit për t’i dhënë zgjidhje pikës [nëse vendimi mbështetet në baza të qëndrueshme ose jo] u takon atyre dhe vetëm atyre .”
B. Zhdëmtimi për gabim gjyqësor
1. Ligji i vitit 1988 për drejtësinë penale
49. Neni 133 § 1 i Ligjit të vitit 1988 për drejtësinë penale përcakton:
“1. Përveç rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të mëposhtëm, kur një dënim penal shfuqizohet më pas ose kur jepet falja sepse një fakt i ri ose i zbuluar rishtas tregon përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor, ministri i paguan një zhdëmtim për gabim gjyqësor personit që ka pësuar një ndëshkim për arsye të këtij dënimi (...), me kusht që moszbulimi i faktit të panjohur të mos ketë qenë krejtësisht apo pjesërisht për faj të personit të lartpërmendur.”
50. Pika nëse neni 133 çel ndonjë të drejtë për zhdëmtim vendoset nga ministri, pas paraqitjes së një kërkese për këtë qëllim nga personi në fjalë.
51. Sipas nenit 133 § 5, fjala “shfuqizohet” duhet të kuptohet se i referohet një dënimi që është shuar, konkretisht pas një apelimi të mëvonshëm, ose një kalimi në Gjykatën e Apelit nga Komisioni për Kontrollin e Procedurave Penale.
52. Neni 133 § 6 thotë se një person quhet që ka pësuar një ndëshkim për arsye të një dënimi atëherë kur kundër tij është shpallur një sanksion për veprën penale për të cilën ai është quajtur fajtor.
53. Pas miratimit të Ligjit të vitit 2008 për drejtësinë penale dhe imigrimin, neni 133 është plotësuar me dispozita të tjera që vendosin një afat prej dy vjetësh për paraqitjen e një kërkese për zhdëmtim e që sqarojnë lidhjen midis “shfuqizimit” të një dënimi dhe mbajtjes eventuale të një procesi të ri. Këto dispozita kanë hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2008, domethënë pas shpalljes nga ana e Gjykatës së Apelit të vendimit rreth kërkesës për zhdëmtim të paraqitur lidhur me çështjen në fjalë (paragrafi 33 i mësipërm).
2. Interpretimi i termit “gabim gjyqësor” nga gjykatat
a) Përpara procedurës lidhur me kërkesën për zhdëmtim të paraqitur nga paditësja
54. Në çështjen R (Mullen) v. Secretary of State for the Home Department [2004] UKHL 18, Dhoma e Lordëve mori në shqyrtim zbatimin e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988. Procesi i Z. Mullen në Angli ishte bërë i mundur vetëm sepse autoritetet britanike e kishin organizuar dëbimin e tij nga Zimbabveja, në shkelje flagrante të së drejtës së këtij vendi dhe të së drejtës ndërkombëtare. Kjo pikë u shfaq vetëm pas dënimit, dhe ankimi i Z. Mullen në Gjykatën e Apelit, shtatë vjet më vonë, çoi në shfuqizimin e vendimit me arsyetimin se dëbimi kishte sjellë një shpërdorim procedure, më saktësisht një shpërdorim të rëndë të pushtetit ekzekutiv. Kërkesa për zhdëmtim e të interesuarit, e mbështetur në nenin 133 ose në sistemin e zhdëmtimit ex gratia që ekzistonte paralelisht në atë kohë, u hodh poshtë nga ministri. Gjatë një procedure të mëvonshme kontrolli gjyqësor, Dhoma e Lordëve çmoi njëzëri se neni 133 nuk kërkonte që Z. Mullen t’i paguhej një zhdëmtim për gabim gjyqësor. Mirëpo, për sa i përkiste interpretimit që duhej t’i bëhej nenit 133, pati disa mospajtime pikëpamjesh midis Lordit Bingham dhe Lordit Steyn.
55. Për shprehjen “dënime të papërligjura”, Lordi Bingham deklaroi:
“4. (...) Shprehja “dënime të papërligjura” nuk është nocion juridik dhe nuk ka një kuptim të përcaktuar mirë. Është e qartë se ajo përfshin dënimet e personave të pafajshëm për veprat penale për të cilat ata janë dënuar. Mirëpo, në gjuhën e përditshme kjo shprehje duhet të përfshijë, për mendimin tim, ata persona që, fajtorë ose jo, me sa duket nuk duhej të ishin dënuar në përfundim të procesit të tyre. Është e pamundur dhe e panevojshme të radhiten arsyet e shumta për të cilat një person mund të jetë dënuar ndërkohë që nuk duhej të ishte ashtu. Mundet që elementet e akuzës të kenë qenë krejt të sajuara ose me parregullsi betimi të rremë, që drejtësia ta ketë bazuar dënimin në një dëshmi eksperti e cila ishte e diskutueshme, që të jenë fshehur ose të mos jenë bërë të ditura ato elemente prove të cilat do të kishin qenë me dobi për mbrojtjen, që puna e jurisë të jetë bërë objekt i një ndërhyrjeje keqdashëse, apo edhe që të ketë pasur ndonjë mungesë paanësie a formulim të gabuar udhëzimesh nga ana e gjyqtarëve. Në këtë lloj çështjesh, nganjëherë është e mundur, por më shpesh e pamundur, që të thuhet se i interesuari është i pafajshëm; ajo çka është gjithsesi e mundur është që të thuhet se ai është dënuar gabimisht. Pika e përbashkët e këtyre çështjeve është ekzistenca e një mangësie të rëndë në hetimin lidhur me veprën penale ose në zhvillimin e procesit, e cila ka çuar në situatën ku një person është dënuar ndërkohë që nuk do të ishte dashur të ishte ashtu.”
56. Edhe pse, në çështjen e paditëses, si High Court ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë qenë të mendimit, me sa duket, se kjo deklaratë i referohej interpretimit të dhënë nga Lordi Bingham për termin “gabim gjyqësor” që figuron në nenin 133, është e udhës të shënohet – siç e ka shpjeguar Lordi Hope në vendimin Adams (paragrafi 63 i mëposhtëm) të dhënë më pas nga Gjykata e Lartë – se komentet e Lordit Bingham nuk kishin parasysh këtë term por shprehjen “dënime të papërligjura”, në suazën e sistemit të zhdëmtimit ex gratia atëherë në fuqi.
57. Lordi Bingham vërejti se miratimi i nenit 133 kishte për qëllim që ta bënte efektiv detyrimin që rrjedh nga neni 14 § 6 i PNDCP-së, se kjo dispozitë e fundit synonte t’u garantonte një proces të drejtë personave të ndjekur penalisht dhe nuk kishte lidhje me ato shpërdorime të pushtetit ekzekutiv që nuk kishin çuar në një proces të padrejtë. Ai vazhdoi kështu:
“8. (...) Duke shfuqizuar dënimin e Z. Mullen, Gjykata e Apelit (Dhoma Penale) e ka sanksionuar në të vetmen mënyrë të mundshme shpërdorimin e pushtetit ekzekutiv që ka çuar në arrestimin e në rrëmbimin e të interesuarit. Mirëpo Gjykata e Apelit nuk ka zbuluar asnjë mangësi te procesi. Dhe ministri është i detyruar, në bazë të nenit 133 [të Ligjit] dhe të nenit 14 § 6 [të PDCP-së], të paguajë zhdëmtim pikërisht në rast mangësie në proces. Në këto kushte, unë çmoj se ai nuk është i detyruar të japë ndonjë zhdëmtim mbi bazën e nenit 133.”
58. Lordi Bingham saktësoi se ai ngurronte ta pranonte argumentin e ministrit se neni 133, i frymëzuar nga neni 14 § 6 i PNDCP-së, nënkuptonte detyrim zhdëmtimi vetëm ndaj një personi të cilit i ishte dhënë përfundimisht pafajësia në rrethana që i plotësonin kushtet ligjore dhe për të cilin ishte vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ishte i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohej. Në dritën e përfundimit të tij se nuk ishte me vend që të paguhej ndonjë zhdëmtim, ai çmoi megjithatë se nuk ishte e detyrueshme të merrej vendim rreth kësaj pike.
59. Lordi Steyn vuri në dukje se neni 133, sipas shembullit të nenit 3 të Protokollit nr. 7 të Konventës, ishte kopje e nenit 14 § 6 të PNDCP-së. Ai kaloi në revistë disa vendime të Gjykatës Evropiane që kishin konstatuar një shkelje të nenit 6 § 2 lidhur me kërkesa për zhdëmtim të paraqitura nga persona të cilëve u ishte dhënë pafajësi, dhe nxori këtë përfundim:
“41. (...) Vendimet në fjalë nuk paraqesin interes për pikën e marrë në shqyrtim këtu. Ndërveprimi midis nenit 6 § 2 dhe nenit 3 të Protokollit nr. 7 nuk ishte në studim. Në të drejtën austriake, në të vërtetë, ekzistonte një e drejtë më e gjerë për zhdëmtim sesa ajo e parashikuar nga neni 3 i Protokollit nr. 7.”
60. Pasi nxori përfundimin se jurisprudenca e Gjykatës Evropiane nuk sillte ndonjë ndihmë të madhe për interpretimin e nenit 133, Lordi Steyn mori pastaj në shqyrtim interpretimin e nenit 14 § 6 si të tillë. Ai qe i mendimit se një çështje ku një person qenkësh dënuar gabimisht dhe pastaj i qenkësh shfuqizuar dënimi pas një apelimi të bërë brenda një afati normal nuk i plotësonte kushtet për një zhdëmtim. Ai deklaroi nga ana tjetër që, në qoftë se nuk kishte fakt të ri ose të zbuluar rishtas por pranohej thjesht se një apelim i mëparshëm ishte rrëzuar gabimisht, atëherë çështja nuk i përkiste nenit 14 § 6. Nga kjo ai nxori si përfundim se objektivi parësor nuk ishte që të zhdëmtohen të gjithë personat e dënuar gabimisht dhe se nuk kundërshtohej dot që e drejta themelore e cila rridhte nga neni 14 § 6 ishte rreptësisht e përcaktuar. Ai vazhdoi kështu:
“46. Kërkesa sipas së cilës fakti i ri ose i zbuluar rishtas duhet të tregojë në mënyrë bindëse (ose përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm, nëse përsëriten termat e nenit 133) “se ka ndodhur një gabim gjyqësor” është e rëndësishme. Ajo jep mundësi që të përjashtohen ato çështje ku vetëm vërtetohet se ndoshta ka pasur një dënim të papërligjur. Gjithashtu përjashtohen rastet ku ka vetëm gjasa që të ketë pasur një dënim të papërligjur. Këto dy kategori mendohet se përbëjnë shumicën dërrmuese të çështjeve ku pranohet një apelim pavarësisht nga vonesa e tij (...) Këto konsiderata flasin për mendimin tim kundër interpretimit të gjerë të “gabimit gjyqësor” të propozuar në favor të Z. Mullen. Ato vërtetojnë madje karakterin e diskutueshëm të interpretimit të gjerë (...), i cili e minon tërësisht efektin e elementeve që treguakan “në mënyrë bindëse se ka ndodhur një gabim gjyqësor”. Edhe sikur të pranohet se në kontekste të tjera “gabimi gjyqësor” mund të marrë një kuptim ose më të ngushtë, ose më të gjerë, i vetmi kontekst rëndësor, konkretisht rasti kur vërtetohet pafajësia, shkon në drejtimin e një interpretimi të ngushtë.”
61. Lordi Steyn nxori pra këtë përfundim:
“56. (...) [K]uptimi i pavarur i termit “gabim gjyqësor” përfshin vetëm “raste të qarta gabimi gjyqësor, domethënë ato në të cilat pranohet se i interesuari ishte qartazi i pafajshëm”, siç e tregon Raporti Shpjegues [i Protokollit nr. 7]. Pikërisht ky i përgjigjet kuptimit ndërkombëtar që ka zgjedhur Parlamenti duke miratuar nenin 133 të Ligjit të vitit 1988.”
62. Duke mos qenë shpallur i pafajshëm, Z. Mullen nuk mund të pretendonte për një zhdëmtim mbi bazën e nenit 133.
b) Pas procedurës lidhur me kërkesën për zhdëmtim të paraqitur nga paditësja
63. Te R (Adams) v. Secretary of State for Justice [2011] UKSC 18, Gjykata e Lartë, e mbledhur në një formacion prej nëntë gjyqtarësh, është ftuar për ta rishqyrtuar kuptimin e termit “gabim gjyqësor” që figuron në nenin 133 të Ligjit të vitit 1988. Gjyqtarët kanë formuluar mendime të ndryshme për sa i përket interpretimit të mirë të tij.
III. PRAKTIKA DHE TEKSTET JURIDIKE NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966)
64. Neni 14 § 2 i PNDCP thotë:
“Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.”
65. Neni 14 § 6 përcakton:
“Kur një dënim penal i formës së prerë shfuqizohet më pas ose kur jepet falja sepse një fakt i ri ose i zbuluar rishtas provon që ka ndodhur një gabim gjyqësor, personi që ka pësuar një ndëshkim për arsye të këtij dënimi do të zhdëmtohet, në përputhje me ligjin, përveçse kur provohet se moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur ka ardhur tërësisht ose pjesërisht për fajin e tij.”
66. Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka marrë në shqyrtim zbatimin e neneve përkatëse të PNDCP-së. Në çështjen W.J.H. k. Vendeve të Ulëta (Komunikata nr. 408/1990 [1992] UNHRC 25), ku pretendohej shkelja e nenit 14 §§ 2 e 6 për shkak të refuzimit për të caktuar një zhdëmtim pas dhënies së pafajësisë, Komiteti ka vënë në dukje se neni 14 § 2 zbatohej vetëm për procedurat penale, dhe jo për procedurat për zhdëmtim. Ai ka çmuar gjithashtu se kushtet e vëna në nenin 14 § 6 nuk përmbusheshin.
67. Në Vërejtjen e Përgjithshme nr. 32 të tij për nenin 14, të botuar më 23 gusht 2007, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar si më poshtë vijon lidhur me prezumimin e pafajësisë:
“30. Në bazë të paragrafit 2 të nenit 14, çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht. Për shkak të prezumimit të pafajësisë, i cili është i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barra e provës i takon akuzës, askush nuk mund të prezumohet fajtor për sa kohë që akuza nuk është vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm, nga dyshimi përfiton i akuzuari, kurse personat e akuzuar se kanë kryer një vepër penale kanë të drejtën për t’u trajtuar sipas këtij parimi. Të gjitha autoritetet publike kanë detyrën që të mos e paragjykojnë përfundimin e një procesi, për shembull që të mos bëjnë deklarata publike të cilat pohojnë fajësinë e të akuzuarit. Normalisht, të paditurit nuk duhet të pengohen ose të mbyllen në kafaze gjatë seancave, as t’i paraqiten gjykatës në një mënyrë që lë të mendohet se ata mund të jenë kriminelë të rrezikshëm. Mediet duhet ta shmangin që të raportojnë për proceset në një mënyrë që e cenon prezumimin e pafajësisë. Përveç kësaj, gjatësia e paraburgimit nuk duhet të interpretohet kurrë si një tregues i fajësisë apo i shkallës së saj. Rrëzimi i një kërkese për lirim kundrejt garancisë pasurore ose ngarkimi me përgjegjësi civile nuk e cenojnë prezumimin e pafajësisë.” (Pa shënimet në fund të faqes)
68. Për sa i përket së drejtës për një zhdëmtim për gabim gjyqësor, Komiteti ka thënë konkretisht:
“53. Kjo garanci nuk zbatohet atëherë kur provohet se moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur ka ardhur tërësisht ose pjesërisht për fajin e të akuzuarit. Në një rast të tillë, barra e provës i takon shtetit. Përveç kësaj, asnjë zhdëmtim nuk është detyrim kur dënimi shfuqizohet në apel, domethënë përpara sesa vendimi të marrë formë të prerë, ose pas një faljeje të dhënë për arsye humanitare apo në suazën e ushtrimit të kompetencave vetëgjykimore a për arsye drejtësie, të cilat nuk lënë të nënkuptohet që ka ndodhur ndonjë gabim gjyqësor.”
B. Neni 3 i Protokollit nr. 7 të Konventës
69. Neni 3 i Protokollit nr. 7 shprehet kështu:
“Kur një dënim penal i formës së prerë shfuqizohet më pas, ose kur jepet falja sepse një fakt i ri ose i zbuluar rishtas provon që ka ndodhur një gabim gjyqësor, personi që e ka pësuar ndëshkimin për arsye të këtij dënimi zhdëmtohet, në përputhje me ligjin ose me zakonin në fuqi në shtetin për të cilin bëhet fjalë, përveçse kur provohet se moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur ka ardhur tërësisht ose pjesërisht për fajin e tij.”
70. Mbretëria e Bashkuar nuk e ka nënshkruar Protokollin nr. 7 dhe nuk ka aderuar në të.
71. Raporti Shpjegues i Protokollit nr. 7 është hartuar nga Komiteti Drejtues për të Drejtat e Njeriut dhe i është paraqitur Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Aty shpjegohet që në fillim se vetë ky raport
“(...) nuk përbën një instrument interpretimi të mirëfilltë të tekstit të Protokollit, ndonëse mund ta lehtësojë kuptimin e dispozitave që përmbahen aty.”
72. Për sa i përket nenit 3 të Protokollit nr. 7, raporti vë në dukje konkretisht:
“23. Në radhë të dytë, neni zbatohet vetëm për rastin kur shfuqizohet dënimi i një personi, ose jepet falja, sepse, në të dyja hipotezat, një fakt i ri ose i zbuluar rishtas provon që ka ndodhur një gabim gjyqësor – domethënë një mangësi e rëndë në një proces, e cila ka shkaktuar një dëm të madh për personin që është dënuar. Për pasojë, nuk është e nevojshme, në bazë të këtij neni, që të paguhet një zhdëmtim në qoftë se dënimi është shfuqizuar ose falja është dhënë për arsye të tjera (...)
25. Në rastet kur plotësohen këto kushte paraprake, zhdëmtimi paguhet “në përputhje me ligjin ose me zakonin në fuqi në shtetin për të cilin bëhet fjalë”. Këto fjalë nuk mund të interpretohen sikur nënkuptojnë se nuk duhet të paguhet asnjë zhdëmtim kur ligji ose zakoni në fuqi nuk e parashikon këtë. Ligji ose ky zakon duhet ta parashikojë pagesën e një zhdëmtimi në të gjitha rastet për të cilat zbatohet ky nen. Në mendjen e autorëve të kësaj dispozite, shtetet janë të detyruara për të zhdëmtuar persona vetëm në rastet e dukshme të gabimit gjyqësor, domethënë kur të jetë pranuar se personi në fjalë ishte qartësisht i pafajshëm. Ky nen nuk ka për qëllim që të japë një të drejtë për kompensim kur nuk përmbushen të gjitha kushtet paraprake; për shembull, kur një gjykatë apeli e ka shfuqizuar një dënim sepse ka zbuluar një fakt që ka hedhur një dyshim të arsyeshëm mbi fajësinë e të akuzuarit dhe të cilin gjyqtari i shkallës së parë nuk e paska marrë parasysh.”
C. E drejta dhe praktika e shteteve anëtare lidhur me procedurën e zhdëmtimit pas pushimit të çështjes ose dhënies së pafajësisë
73. Gjykata ka marrë në shqyrtim te drejtën dhe praktikën e tridhjetë e gjashtë shteteve anëtare lidhur me procedurat e zhdëmtimit pas pushimit të çështjes ose pas dhënies së një pafajësie. Studimi i kryer ka treguar se shtetet nuk kanë ndonjë qasje të njëtrajtshme në këtë fushë. Disa shtete kanë më shumë se një sistem, pra lloje të ndryshme zhdëmtimi.
74. Procedurat e kërkesës për zhdëmtim ndryshojnë ndjeshëm nga njëri shtet te një tjetër. Në dhjetë shtete, procedura ekzistuese e zhdëmtimit duket e lidhur drejtpërdrejt me procedurën penale, meqenëse gjykata që ka marrë vendim për padinë penale është kompetente edhe për të vlerësuar kërkesën për zhdëmtim kur ka pasur dhënie pafajësie në përfundim të procesit fillestar (Gjermani, Rusi e Ukrainë) ose shfuqizim të një dënimi pas rihapjes së procedurës (Belgjikë, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, Luksemburg, Monako dhe Zvicër).
75. Në tridhjetë shtete (Austri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Hungari, Irlandë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kroaci, Lituani, Luksemburg, Mali i Zi, Maltë, Moldavi, Monako, Norvegji, Poloni, Republika Çeke, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Shqipëri, Turqi dhe Ukrainë), procedura e zhdëmtimit është e pavarur nga procedura penale. Në këto shtete, kërkesa për zhdëmtim mund të paraqitet në nivel administrativ pranë një ministri ose një autoriteti tjetër (Austri, Bosnjë‑Hercegovinë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Irlandë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kroaci, Luksemburg, Mali i Zi, Monako, Republika Çeke, Serbi, Sllovaki, Slloveni dhe Spanjë), pranë juridiksioneve civile ose administrative (Bullgari, Francë, Hungari, Lituani, Moldavi, Norvegji, Rumani, Rusi, Suedi, Shqipëri dhe Ukrainë) ose pranë juridiksioneve penale, përpara gjyqtarësh të ndryshëm nga ata që kanë shqyrtuar çështjen penale fillestare (Poloni dhe Turqi). Në praktikisht të gjitha shtetet e marra në studim, me përjashtim të Irlandës e të Maltës, kërkesa për zhdëmtim duhet të paraqitet brenda njëfarë afati i cili llogaritet duke nisur nga data e mbylljes së procedurës penale.
76. Shumica dërrmuese e shteteve të marra në studim kanë sisteme zhdëmtimi shumë më bujare sesa ai i Mbretërisë së Bashkuar. Në një numër të madh shtetesh të shqyrtuara, zhdëmtimi është në thelb i vetvetishëm pas një vendimi për jo-fajësi, shfuqizimit të një dënimi ose pushimit të çështjes (konkretisht, Bullgari, Danimarkë, Finlandë, Gjermani, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kroaci, Mali i Zi, Republika Çeke, Rumani, Turqi dhe Ukrainë).
77. Praktika e shteteve kontraktuese në fushën e zhdëmtimit jep shumë pak informacione të dobishme për interpretimin e termit “gabim gjyqësor”.
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 6 § 2 TË KONVENTËS
78. Paditësja mbron mendimin se arsyet mbi të cilat ishte mbështetur mospranimi për t’i caktuar asaj një zhdëmtim pas dhënies së pafajësisë për të kanë përbërë shkelje të prezumimit të pafajësisë. Ajo i referohet për këtë nenit 6 § 2 të Konventës, të formuluar kështu:
“Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.”
79. Qeveria e kundërshton këtë argument.
A. Shtrirja e ankimit
80. Paditësja e pranon që mospranimi për t’i caktuar asaj një zhdëmtim nuk përbën në vetvete një problem në vështrimin e nenit 6 § 2, meqenëse ky veprim nuk do të thotë asgjë për sa i përket mendimit të shtetit rreth fajësinë ose pafajësisë së saj. Ajo ankohet në realitet se, në rastin e saj, refuzimi nga High Court dhe nga Gjykata e Apelit mbështetej te disa arsye të tilla që mund të ngjallnin dyshime lidhur me pafajësinë e saj.
81. Për Qeverinë, thjesht fakti që menjëherë pasi i jepet pafajësia një person prezumohet i pafajshëm për veprimet për të cilat akuzohej nuk çel për të interesuarin ndonjë lloj të drejte të përgjithshme për zhdëmtim në bazë të nenit 6 § 2. Termat e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988, sipas saj, nuk duhet të interpretohen në një kuptim të gjerë me arsyetimin se do të ishte mirë të zhdëmtohen një numër sa më i madh personash të cilëve u jepet pafajësi.
82. Gjykata rikujton se neni 6 § 2 nuk i garanton të akuzuarit ndonjë të drejtë dëmshpërblimi për paraburgim të rregullt apo ndonjë të drejtë kompensimi të shpenzimeve të tij kur ndjekja penale pushohet më pas ose përfundon me dhënie pafajësie (shih, mes precedentësh të shumtë, Englert k. Gjermanisë, 25 gusht 1987, § 36, seria A nr. 123; Sekanina, të cituar më lart, § 25; Capeau k. Belgjikës, nr. 42914/98, § 23, GjEDNj 2005‑I; Yassar Hussain k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8866/04, § 20, GjEDNj 2006‑III, dhe Tendam k. Spanjës, nr. 25720/05, § 36, 13 korrik 2010). Po ashtu, kjo dispozitë nuk i garanton një personi të cilit i është dhënë pafajësia për një vepër penale ndonjë të drejtë zhdëmtimi për gabim gjyqësor, cilido qoftë ky.
83. Pyetja që i shtrohet Gjykatës nuk është nëse refuzimi i zhdëmtimit ka përbërë në vetvete shkelje të së drejtës së paditëses për t’u prezumuar e pafajshme. Në shqyrtimin e saj për këtë ankim, Gjykata do të përpiqet të përcaktojë nëse vendimi mohues objekt mosmarrëveshjeje, veçanërisht me arsyetimin e tij dhe me fjalët e përdorura, ishte i pajtueshëm me prezumimin e pafajësisë të sanksionuar nga neni 6 § 2.
B. Rreth pranueshmërisë
1. Tezat e palëve
a) Qeveria
84. Sipas Qeverisë, neni 6 § 2 zbatohet vetëm për personat e akuzuar për një vepër penale. Edhe në suazën e interpretimit të gjerë që i është dhënë nocionit “procedurë penale” nga Gjykata, padia për zhdëmtim që diskutohet këtu dilka jashtë fushës së këtij interpretimi.
85. Së pari, asgjë në jurisprudencën e Gjykatës nuk treguaka se neni 6 § 2 zbatohet për vlerësimin e një të drejte për të fituar një dëmshpërblim sipas kritereve të parashtruara nga neni 3 i Protokollit nr. 7. Në vendimin Sekanina (të cituar më lart, § 25), Gjykata paska qenë madje e mendimit se neni 6 § 2 nuk zbatohej për një procedurë të tillë, pozitë kjo e cila qenka në përputhje me atë të përqafuar nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara në çështjen W.J.H. k. Vendeve të Ulëta (paragrafi 66 i mësipërm). Mospranimi për ta zhdëmtuar një person me arsyetimin se ai nuk i plotëson kushtet e kërkuara nuk mundka të jetë i papajtueshëm me nenin 6 § 2; nëse gjykohet ndryshe, u bëkan pa kuptim kriteret dhe kufizimet e vendosura nga neni 14 § 6 i PNDCP-së dhe neni 3 i Protokollit nr. 7.
86. Së dyti, duke e pranuar që neni 6 § 2 është gjykuar si i zbatueshëm për disa lloje padish për zhdëmtim, Qeveria vë në dukje se rasti ka qenë i tillë vetëm në disa situata ku ekzistonte një lidhje e ngushtë me procedurën penale të mëparshme që kishte lënë vend për padinë në fjalë. Në rastin e çështjes në fjalë, vendimi lidhur me zhdëmtimin paska qenë përkundrazi më vete dhe i ndarë nga vendimi për shfuqizim të dënimit penal, për arsyet e mëposhtme: vendimi për zhdëmtimin i takuaka në përgjithësi pushtetit ekzekutiv dhe jo pushtetit gjyqësor; ai u marrka në suazën e një procedure administrative dhe jo penale; ai mund t’u mbështetka në elemente të ndryshme prove, të panjohura gjatë procesit penal; ai qenka i distancuar në kohë, meqenëse qenka e mundur që një kërkesë për zhdëmtim të paraqitet deri dy vjet pas shfuqizimit të dënimit dhe ai u miratuaka e iu njoftuaka kërkuesit në mënyrë të fshehtë. Për Qeverinë, ndonëse për të përcaktuar nëse vërtetohej në mënyrë bindëse ekzistenca e një gabimi gjyqësor në kuptimin e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988 është dashur të çmohen ato elemente prove që kanë çuar fillimisht te dënimi, ky proces nuk e ka cenuar prezumimin e pafajësisë, as vënë sërish në pikëpyetje dhënien e pafajësisë për paditësen.
87. Për rrjedhojë, Qeveria e fton Gjykatën që të dalë në përfundimin se prezumimi i pafajësisë nuk vihet aspak në diskutim në suazën e vendimeve të marra mbi bazën e nenit 133 të Ligjit të vitit 1988 dhe, për këtë arsye, që ta shpallë të papranueshme kërkesëpadinë.
b) Paditësja
88. Paditësja mbron mendimin se, në një numër të madh vendimesh, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka gjykuar nenin 6 § 2 si të zbatueshëm në suazën e shqyrtimit të së drejtës së një personi për t’u zhdëmtuar pas një dhënieje pafajësie (e interesuara përmend veçanërisht vendimet Rushiti dhe Hammern, të dyja të cituara më lart, dhe Puig Panella k. Spanjës, nr. 1483/02, 25 prill 2006). Sipas saj, në qoftë se Gjykata ka nxjerrë nga ana tjetër përfundimin për pazbatueshmërinë e nenit 6 § 2 në disa çështje lidhur me padi civile për zhdëmtim, puna për gjykatat në ato çështje ishte që të shpreheshin rreth përgjegjësisë civile të personave të akuzuar, kurse neni 133 kërkuaka një vlerësim të themelësisë së dhënies së pafajësisë për personin në fjalë dhe të asaj çka thotë kjo dhënie pafajësie për përgjegjësinë penale të së interesuarës. Për më tepër, ndërsa në një procedurë civile u dashka të ruhet njëfarë baraspeshe me të drejtat e të tretëve, një baraspeshë e tillë nuk paska lidhje me rastin e çështjes në fjalë, meqenëse përgjegjës për zhdëmtimin është shteti. Gjykata e paska gjykuar gjithsesi nenin 6 § 2 si të zbatueshëm në disa çështje lidhur me një procedurë civile, pasi ka çmuar se procedura kishte çuar në një vënie sërish në pikëpyetje të pafajësisë së paditësit (e interesuara përmend Orr k. Norvegjisë, nr. 31283/04, 15 maj 2008).
89. Paditësja e kundërshton madje argumentin ku thuhet se neni 6 § 2 zbatohet vetëm kur ekziston një lidhje e ngushtë me procedurën penale. Ajo kujton çështjet Šikić k. Kroacisë (nr. 9143/08, § 47, 15 korrik 2010) dhe Vanjak k. Kroacisë (nr. 29889/04, § 41, 14 janar 2010), në të cilat Gjykata paska dalë në përfundimin se, kur pushohet ndjekja penale, prezumimi i pafajësisë duhet të jetë i garantuar “në çdo procedurë tjetër, e çfarëdo natyre qoftë ajo”. Ajo është e mendimit se kjo vlen a fortiori në rast dhënieje pafajësie, ku mbrojtja e ofruar nga neni 6 § 2 qenka edhe më e fuqishme.
90. Paditësja çmon se, gjithsesi, dhënia e një zhdëmtimi mbi bazën e nenit 133 lidhet qartazi e ngushtë me procedurën penale që ka çuar në shfuqizimin e dënimit. Nga neni 133 dhe nga vendimi i dhënë prej Gjykatës së Lartë te R (Adams) (paragrafi 63 i mësipërm) dalka e qartë se pika kyç në një padi për zhdëmtim është arsyeja e saktë për të cilën është shfuqizuar dënimi, dhe se një vendim rreth pikës së zhdëmtimit kërkon që organi vendimmarrës ta shqyrtojë atë vendim të Gjykatës së Apelit që e ka shfuqizuar dënimin. Një refuzim zhdëmtimi i mbështetur mbi arsyet e vëna në dukje te R (Adams) ngjallka dyshime rreth pikës nëse shteti e pranon që kërkuesi ishte realisht i pafajshëm. Kaq mjaftuaka në vetvete për ta vendosur zbatueshmërinë e nenit 6 § 2.
91. Së fundi, paditësja çmon se do të ishte mungesë koherence që neni 6 § 2 të mos zbatohet për sistemet e zhdëmtimit të parashikuara nga neni 14 § 6 i PNDCP-së dhe nga neni 3 i Protokollit nr. 7, por të zbatohet për çdo trajtë tjetër zhdëmtimi pas një dhënieje pafajësie. Në një dallim të tillë nuk paska kurrfarë arsyeje të logjikshme.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parime të përgjithshme
i. Hyrje
92. Objekti dhe qëllimi i Konventës, instrument për mbrojtje të qenieve njerëzore, lypin që dispozitat e saj të kuptohen e të zbatohen në një mënyrë që t’i bëjë konkrete dhe efektive kërkesat e tyre (shih, veçanërisht, Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 87, seria A nr. 161, dhe Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 55721/07, § 162, GjEDNj 2011). Gjykata ka deklaruar shprehimisht se kjo vlente edhe për të drejtën e sanksionuar nga neni 6 § 2 (shih, për shembull, Allenet de Ribemont k. Francës, 10 shkurt 1995, § 35, seria A nr. 308, dhe Capeau, të cituar më lart, § 21).
93. Neni 6 § 2 mbron të drejtën e çdo personi për t’u “prezumuar i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht”. I konsideruar si një garanci procedurale në suazën e vetë procesit penal, prezumimi i pafajësisë dikton disa kushte sidomos lidhur me barrën e provës (Barberà, Messegué e Jabardo k. Spanjës, 6 dhjetor 1988, § 77, seria A nr. 146, dhe Telfner k. Austrisë, nr. 33501/96, § 15, 20 mars 2001); prezumimet faktike dhe juridike (Salabiaku k. Francës, 7 tetor 1988, § 28, seria A nr. 141‑A, dhe Radio France me të tjerë k. Francës, nr. 53984/00, § 24, GjEDNj 2004‑II); të drejtën për të mos dhënë ndihmesë në fajësimin e vetes (Saunders k. Mbretërisë së Bashkuar, 17 dhjetor 1996, § 68, Recueil des arrêts et décisions 1996‑VI, dhe Heaney e McGuinness k. Irlandës, nr. 34720/97, § 40, GjEDNj 2000‑XII); publicitetin që mund t’i jepet çështjes përpara mbajtjes së procesit (Akay k. Turqisë (vend. pran.), nr. 34501/97, 19 shkurt 2002, dhe G.C.P. k. Rumanisë, nr. 20899/03, § 46, 20 dhjetor 2011); formulimin nga gjyqtari i themelit ose çdo autoritet tjetër publik i deklaratave të parakohshme për sa i përket fajësisë së një të akuzuari (Allenet de Ribemont, i cituar më lart, §§ 35-36, dhe Nešťák k. Sllovakisë, nr. 65559/01, § 88, 27 shkurt 2007).
94. Duke pasur parasysh megjithatë nevojën për të treguar kujdes që kjo e drejtë e garantuar nga neni 6 § 2 të jetë konkrete dhe efektive, prezumimi i pafajësisë merr edhe një aspekt tjetër. Qëllimi i tij i përgjithshëm, në suazën e kësaj ane të dytë, është të mos lejohet që individë të cilët kanë fituar dhënie pafajësie ose pushim të ndjekjes penale të trajtohen nga nëpunës ose autoritete publike sikur të ishin në fakt fajtorë për veprën penale për të cilën akuzoheshin. Në situata të tilla, prezumimi i pafajësisë ka bërë të mundur tashmë – përmes zbatimit gjatë procesit të kërkesave të ndryshme që përfshin garancia procedurale e ofruar prej tij – që të mos lejohet të jepet një dënim i padrejtë penal. Pa mbrojtje që synon të respektohet në çdo procedurë të mëvonshme një dhënie pafajësie ose një vendim për pushim çështjeje, garancitë e një procesi të drejtë të parashtruara në nenin 6 § 2 do të rrezikonin të bëhen teorike dhe të rreme. Gjithashtu, ajo çka vihet në pikëpyetje pas përfundimit të procedurës penale është emri i mirë i të interesuarit dhe mënyra se si ky perceptohet prej publikut. Në njëfarë mase, mbrojtja e ofruar nga neni 6 § 2 në këtë drejtim mund të përputhet me atë që sjell neni 8 (shih, për shembull, Zollmann k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 62902/00, GjEDNj 2003‑XII, dhe Taliadorou e Stylianou k. Qipros, nr. 39627/05 dhe 39631/05, §§ 27 e 56-59, 16 tetor 2008).
ii. Zbatueshmëria e nenit 6 § 2
95. Siç e tregon shprehimisht vetë mënyra se si është formuluar, neni 6 § 2 zbatohet kur një person është “i akuzuar për një vepër penale”. Gjykata e ka nënvizuar disa herë se aty bëhet fjalë për një nocion më vete, i cili është e udhës të interpretohet sipas tre kritereve të parashtruara në jurisprudencën e saj, konkretisht cilësimit të procedurës në të drejtën kombëtare, natyrës së saj thelbësore dhe llojit e seriozitetit të dënimit të parashikuar (shih, mes precedentëve të shumtë rreth nocionit të “akuzës në fushën penale”, Engel me të tjerë k. Vendeve të Ulëta, 8 qershor 1976, § 82, seria A nr. 22, dhe Phillips k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 41087/98, § 31, GjEDNj 2001‑VII). Për të vlerësuar një ankim të bërë mbi bazën e nenit 6 § 2 dhe të lindur në kontekstin e një procedure gjyqësore, duhet para së gjithash të përcaktohet nëse procedura objekt mosmarrëveshjeje kishte të bënte me themelësinë e një akuze në fushën penale, në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës.
96. Mirëpo, në çështjet që vënë në veprim aspektin e dytë të mbrojtjes së ofruar nga neni 6 § 2, i cili del në pah gjatë mbylljes së një procedure penale, zbatimi i kriterit të mëparshëm është qartazi i papërshtatshëm. Në këto çështje, procedura penale është medoemos e mbyllur dhe, me përjashtim të rastit kur procedura gjyqësore pasuese lë vend për një akuzë të re në fushën penale, në kuptimin më vete të Konventës, në qoftë se neni 6 § 2 gjen vend për t’u zbatuar, kjo duhet të jetë për arsye të tjera.
97. Asnjëra nga palët nuk e ka mbrojtur idenë se padia për zhdëmtim e nisur nga paditësja paska prodhuar një “akuzë në fushën penale”, në kuptimin më vete të Konventës. Pra këtu është në veprim aspekti i dytë i mbrojtjes së ofruar nga neni 6 § 2. Prandaj, Gjykata do të shohë se si i është qasur ajo zbatueshmërisë së nenit 6 § 2 në një procedurë gjyqësore të vonshme në këtë lloj çështjesh.
98. Gjykatës i është dashur tashmë të marrë në shqyrtim zbatimin e nenit 6 § 2 në vendime gjyqësore të dhëna pas një procedure penale të mbyllur me pushimin e çështjes ose me një vendim dhënieje pafajësie, veçanërisht në procedura që kishin të bënin me:
a) detyrimin e një ish-të akuzuari për të marrë përsipër shpenzimet gjyqësore dhe shpenzimet hetimore (Minelli k. Zvicrës, 25 mars 1983, §§ 30-32, seria A nr. 62, dhe McHugo k. Zvicrës (vend. pran.), nr. 55705/00, 12 maj 2005);
b) një kërkesë për zhdëmtim të paraqitur nga një ish-i akuzuar lidhur me një paraburgim ose me një dëm tjetër të shkaktuar nga një procedurë penale (Englert, i cituar më lart, § 35; Nölkenbockhoff k. Gjermanisë, 25 gusht 1987, § 35, seria A nr. 123; Sekanina, i cituar më lart, § 22; Rushiti, i cituar më lart, § 27; Mulaj e Sallahi k. Austrisë (vend. pran.), nr. 48886/99, 27 qershor 2002; O. k. Norvegjisë, i cituar më lart, §§ 33-38; Hammern, i cituar më lart, §§ 41-46; Baars k. Vendeve të Ulëta, nr. 44320/98, § 21, 28 tetor 2003; Capeau k. Belgjikës (vend. pran.), nr. 42914/98, 6 prill 2004; Del Latte k. Vendeve të Ulëta, nr. 44760/98, § 30, 9 nëntor 2004; A.L. k. Gjermanisë, nr. 72758/01, §§ 31-33, 28 prill 2005; Puig Panella, i cituar më lart, § 50; Tendam, i cituar më lart, §§ 31 e 36; Bok k. Vendeve të Ulëta, nr. 45482/06, §§ 37-48, 18 janar 2011, dhe Lorenzetti k. Italisë, nr. 32075/09, § 43, 10 prill 2012);
c) një kërkesë të paraqitur nga një ish-i akuzuar me qëllim për kompensimin e shpenzimeve të mbrojtjes së tij (Lutz k. Gjermanisë, 25 gusht 1987, §§ 56-57, seria A nr. 123; Leutscher k. Vendeve të Ulëta, 26 mars 1996, § 29, Recueil 1996‑II; Yassar Hussain, i cituar më lart, § 19, dhe Ashendon e Jones k. Mbretërisë së Bashkuar (rishikim), nr. 35730/07 dhe nr. 4285/08, §§ 42 e 49, 15 dhjetor 2011);
d) një kërkesë për zhdëmtim të paraqitur nga një ish-i akuzuar lidhur me dëmin e shkaktuar nga një hetim a një procedurë e parregullt ose abuzive (Panteleyenko k. Ukrainës, nr. 11901/02, § 67, 29 qershor 2006, dhe Grabtchouk k. Ukrainës, nr. 8599/02, § 42, 21 shtator 2006);
e) detyrimin civil për të zhdëmtuar viktimën (Ringvold k. Norvegjisë, nr. 34964/97, § 36, GjEDNj 2003‑II; Y k. Norvegjisë, nr. 56568/00, § 39, GjEDNj 2003‑II; Orr, i cituar më lart, §§ 47-49; Erkol k. Turqisë, nr. 50172/06, §§ 33 e 37, 19 prill 2011; Vulakh me të tjerë k. Rusisë, nr. 33468/03, § 32, 10 janar 2012; Diacenco k. Rumanisë, nr. 124/04, § 55, 7 shkurt 2012; Lagardère k. Francës, nr. 18851/07, §§ 73 e 76, 12 prill 2012, dhe Constantin Florea k. Rumanisë, nr. 21534/05, §§ 50 e 52, 19 qershor 2012);
f) rrëzimin e një padie civile të nisur nga paditësi kundër një kompanie sigurimesh (Lundkvist k. Suedisë (vend. pran.), nr. 48518/99, GjEDNj 2003‑XI, dhe Reeves k. Norvegjisë (vend. pran.), nr. 4248/02, 8 korrik 2004);
g) lënien në fuqi të një urdhri për sistemim të një fëmije, pas vendimit të prokurorisë për të mos e vënë prindin nën akuzë për abuzime ndaj fëmijës (O.L. k. Finlandës (vend. pran.), nr. 61110/00, 5 korrik 2005);
h) çështje disiplinore ose pushimi nga puna (Moullet k. Francës (vend. pran.), nr. 27521/04, 13 shtator 2007; Taliadorou e Stylianou, i cituar më lart, § 25; Šikić, i cituar më lart, §§ 42-47, dhe Çelik (Bozkurt) k. Turqisë, nr. 34388/05, § 34, 12 prill 2011); dhe
i) heqjen e së drejtës së paditësit për një banesë sociale (Vassilios Stavropoulos k. Greqisë, nr. 35522/04, §§ 28-32, 27 shtator 2007).
99. Në disa nga këto çështje, Gjykata ka dalë në përfundimin e zbatueshmërisë së nenit 6 § 2. Në tri çështje të vjetra, Gjykata, duke shpjeguar se përse zbatohej kjo dispozitë pavarësisht mungesës së një akuze të papërfunduar në fushën penale, ka thënë që vendimet rreth pikës nëse të interesuarit kishin të drejtë për kompensimin e shpenzimeve të tyre dhe për një zhdëmtim përbënin “pasojën e pashmangshme dhe plotësuesin e detyrueshëm” apo “zgjatimin e menjëhershëm” të vendimit të procedurës penale (Englert, i cituar më lart, § 35; Nölkenbockhoff, i cituar më lart, § 35, dhe Lutz, i cituar më lart, § 56). Po ashtu, në një varg çështjesh të mëvonshme, Gjykata ka dalë në përfundimin se legjislacioni dhe praktika austriake “i lidh[n]in (...) aq shumë të dyja pikat – përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe të drejtën për zhdëmtim – saqë vendimi për të dytën mund të konsiderohe[j] si një pasojë e pashmangshme dhe, në njëfarë mase, si një plotësues i asaj që [ishte] vendosur e para”, kështu që neni 6 § 2 ishte i zbatueshëm te padia për zhdëmtim (Sekanina, i cituar më lart, § 22; Rushiti, i cituar më lart, § 27, dhe Weixelbraun, i cituar më lart, § 24).
100. Duke e stërholluar këtë ide në çështje të mëvonshme, Gjykata ka çmuar se “jo vetëm që padia për dëmshpërblim e nd[iqte] procedurën penale në kohë, por edhe [që] ajo [ishte] gjithashtu e lidhur me të si juridikisht ashtu edhe praktikisht, si në pikëpamjen e kompetencës së juridiksionit ashtu edhe në atë të pikave që duhej të zgjidheshin”, çka kishte krijuar një lidhje midis të dyja procedurave, kështu që neni 6 § 2 gjente vend për t’u zbatuar (O. k. Norvegjisë, i cituar më lart, § 38, dhe Hammern, i cituar më lart, § 46).
101. Në disa çështje lidhur me të drejtën e viktimës për t’u zhdëmtuar nga paditësi – i cili ishte deklaruar paraprakisht jo fajtor për akuzën penale në fjalë –, Gjykata ka thënë që, në qoftë se vendimi rreth padisë civile do të duhej të përmbante një deklaratë që caktonte një përgjegjësi penale, atëherë kjo do të kishte si efekt që të krijonte midis të dyja procedurave një lidhje të tillë që të fuste në veprim nenin 6 § 2 lidhur me vendimin rreth kërkesës për zhdëmtim (Ringvold, i cituar më lart, § 38; Y k. Norvegjisë, i cituar më lart, § 42, dhe Orr, i cituar më lart, § 49).
102. Më së voni, Gjykata ka qenë e mendimit se, pas pushimit të ndjekjes penale, prezumimi i pafajësisë kërkon që, në çdolloj procedure të mëvonshme, e çfarëdo natyre qoftë ajo, të merret parasysh fakti se i interesuari nuk është dënuar (Vanjak, i cituar më lart, § 41, dhe Šikić, i cituar më lart, § 47). Ajo ka vënë gjithashtu në dukje se pjesa udhëzuese e një vendimi për dhënie pafajësie duhet të respektohet nga çdo autoritet që shprehet, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për përgjegjësinë penale të të interesuarit (Vassilios Stavropoulos, i cituar më lart, § 39; Tendam, i cituar më lart, § 37, dhe Lorenzetti, i cituar më lart, § 46).
iii. Përfundim
103. Çështja në fjalë ka të bëjë me zbatimin e prezumimit të pafajësisë në kuadrin e një procedure gjyqësore pas shfuqizimit nga GjA-DhP-ja të dënimit të paditëses, shfuqizim i cili ka sjellë një dhënie pafajësie. Duke pasur parasysh qëllimet e nenit 6 § 2 të shqyrtuara këtu më lart (paragrafët 92-94) dhe qasjen që përvijohet nga studimi i jurisprudencës së saj, Gjykata e formulon si më poshtë parimin e prezumimit të pafajësisë në këtë kontekst: prezumimi i pafajësisë do të thotë që, në qoftë se është ngritur një akuzë në fushën penale dhe ndjekja penale ka përfunduar me dhënie pafajësie, personi i cili ka qenë objekt i kësaj ndjekjeje penale konsiderohet si i pafajshëm në vështrim të ligjit dhe duhet të trajtohet si i tillë. Prandaj, për këtë arsye, prezumimi i pafajësisë mbetet në fuqi pas mbylljes së procedurës penale, çka lejon që të kërkohet respektimi i pafajësisë së të interesuarit lidhur me çdo akuzë themelësia e së cilës nuk është provuar. Ky shqetësim mbizotërues ndodhet në vetë themelin e mënyrës se si Gjykata e koncepton zbatueshmërinë e nenit 6 § 2 në këtë lloj çështjesh.
104. Sa herë që pika e zbatueshmërisë së nenit 6 § 2 shtrohet në suazën e një procedure të mëvonshme, paditësi duhet të tregojë ekzistencën e një lidhjeje – si ajo e përmendur më lart – midis procedurës penale të përfunduar dhe padisë pasuese. Një lidhje e tillë mund të jetë e pranishme, për shembull, kur padia e mëvonshme e kërkon shqyrtimin e përfundimit të procedurës penale dhe, në veçanti, kur ajo e detyron juridiksionin për të cilin është fjala që ta analizojë vendimin penal, të bëjë një studim ose një vlerësim të elementeve të provës të përfshira në dosjen penale, të çmojë pjesëmarrjen e paditësit në njërën ose në të gjitha ngjarjet që kanë çuar në vënien nën akuzë, ose të formulojë komente rreth treguesve që vazhdojnë të ngjallin mendimin për një fajësi eventuale të të interesuarit.
105. Duke pasur parasysh natyrën e garancisë – të paraqitur këtu më lart – që ofron neni 6 § 2, fakti se neni 133 i Ligjit të vitit 1988 është miratuar për t’i dhënë mundësi shtetit të paditur që të përmbushë detyrimet e tij të cilat rrjedhin prej nenit 14 § 6 të PNDCP-së dhe se ai është formuluar në mënyrë pothuajse të njëjtë me këtë të fundit si edhe me nenin 3 të Protokollit nr. 7 nuk ka për pasojë, ndryshe nga çfarë thotë Qeveria, që ta përjashtojë padinë për zhdëmtim objekt mosmarrëveshjeje nga fusha e zbatueshmërisë së nenit 6 § 2. Këto dy nene të fundit kanë të bëjnë me aspekte krejtësisht më vete të procedurës penale, dhe asgjë nuk lë vend për të menduar që neni 3 i Protokollit nr. 7 të jetë konceptuar për t’i shtrirë në një situatë të veçantë disa garanci të përgjithshme si ato të përmbajtura në nenin 6 § 2 (shih, megjithatë, Maaouia k. Francës [DhM], nr. 39652/98, §§ 36-37, GjEDNj 2000‑X). Neni 7 i Protokollit nr. 7 saktëson në fakt se dispozitat normative të Protokollit duhet të konsiderohen si nene shtesë të Konventës, dhe se “të gjitha dispozitat e Konventës do të zbatohen në lidhje me to”. Për këtë arsye, nuk mund të pohohet se neni 3 i Protokollit nr. 7 përbën një lloj lex specialis që e përjashton zbatimin e nenit 6 § 2.
b) Zbatimi i parimeve të përgjithshme ndaj fakteve të çështjes
106. Meqenëse paditësja ka qenë e akuzuar për vrasje nga pakujdesia, prezumimi i pafajësisë zbatohej për këtë vepër penale që në momentin e vënies së saj nën akuzë. Edhe pse mbrojtja e ofruar nga prezumimi i pafajësisë ka pushuar me dënimin e së interesuarës, të paapeluar në atë kohë, ajo është rivendosur gjatë dhënies së pafajësisë që ka rezultuar më vonë nga vendimi i GjA-DhP-së (paragrafi 45 i mësipërm).
107. Në këtë stad të analizës së saj, Gjykata ka pra për detyrë të shohë, duke pasur parasysh konsideratat e formuluara më lart (paragrafi 104 i mësipërm), nëse ekzistonte ndonjë lidhje midis procedurës penale të përfunduar dhe padisë për zhdëmtim. Rreth kësaj pike, ajo vë në dukje se një procedurë që i takon nenit 133 të Ligjit të vitit 1988 nënkupton që të jetë shfuqizuar një dënim paraprak. E drejta për të kërkuar një zhdëmtim për gabim gjyqësor rrjedh pikërisht nga kjo përmbysje e mëvonshme e dënimit. Përveç kësaj, për të përcaktuar nëse janë përmbushur kriteret e përgjithshme të vendosura nga neni 133, ministri dhe juridiksionet e ftuara për të marrë vendim në suazën e procedurës së kontrollit gjyqësor duhet të marrin parasysh vendimin e dhënë nga GjA-DhP-ja. Vetëm shqyrtimi i këtij vendimi u lejon këtyre autoriteteve që të përcaktojnë nëse përmbysja e dënimit – e cila në rastin e paditëses në çështjen në fjalë ka çuar si përfundim në një dhënie pafajësie – mbështetej në elemente të reja e nëse ajo zbulonte ndonjë gabim gjyqësor.
108. Gjykata vë re pra se paditësja e ka vërtetuar ekzistencën e lidhjes së kërkuar midis procedurës penale dhe padisë për zhdëmtim të nisur prej saj më pas. Për rrjedhojë, neni 6 § 2 gjente vend për zbatim në suazën e procedurës që i takonte nenit 133 të Ligjit të vitit 1988, dhe ai duhej t’i siguronte aty paditëses një trajtim të pajtueshëm me pafajësinë e saj. Për këtë arsye, kërkesëpadia nuk mund të rrëzohet në zbatim të nenit 35 § 3 a) të Konventës për papajtueshmëri ratione materiae me dispozitat e Konventës.
109. Nga ana tjetër, Gjykata çmon se ky ankim nuk është haptazi i pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ai nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër për papranueshmëri. Për rrjedhojë, ajo e rrëzon kërkesën për prapësim paraprak për papranueshmëri të pretenduar nga Qeveria dhe e deklaron ankimin të pranueshëm.
C. Rreth themelit
1. Tezat e palëve
a) Paditësja
110. Paditësja mbron mendimin se refuzimi i një zhdëmtimi që i është bërë asaj nga High Court dhe nga Gjykata e Apelit mbështetej në arsye të tilla që mund të ngjallnin dyshime për sa i përket pafajësisë së saj. Ajo thekson në veçanti që High Court ka nxjerrë përfundimin se mbeteshin ende “disa elemente rënduese bindëse” (paragrafi 31 i mësipërm) dhe që Gjykata e Apelit ka deklaruar se elementet e reja, “po të ishin shqyrtuar nga një juri, do të kishin çuar ndoshta në një përfundim të ndryshëm” (paragrafi 33 i mësipërm), se “nuk [kishte] asnjë dyshim se vendimi i GjA-DhP-së nuk do të tho[shte] aspak që kundër apelueses nuk qëndronte më asnjë akuzë” (paragrafi 38 i mësipërm) dhe se “asgjë nuk lejonte të thuhej se, duke pasur parasysh elementet e reja, nuk ishte me vend që çështja t’i paraqitej një jurie” (paragrafi 39 i mësipërm). E interesuara çmon se e mira është që këto komente të shqyrtohen në dritën e pozitës së përgjithshme lidhur me të drejtën për të përfituar zhdëmtim. Sipas saj, nga vendimi i Gjykatës së Apelit del në mënyrë të qartë se ajo do të mund të ishte dënuar sikur të ishte rigjykuar.
111. Paditësja vë në dukje se në një numër të caktuar vendimesh Gjykata ka dalë në përfundimin se detyrimi i një personi për të provuar pafajësinë e vet përbënte shkelje të nenit 6 § 2 (ajo u referohet vendimeve Capeau, Puig Panella e Tendam, të gjitha të cituara më lart). Për mendimin e saj, në qoftë se një shtet ia nënshtron pagesën e një zhdëmtimi vërtetimit të pafajësisë nga ana e vetë të interesuarit, vendimi sipas të cilit nuk lind asnjë detyrim për zhdëmtim nënkupton domosdo që shteti e vë në dyshim pafajësinë e personit për të cilin bëhet fjalë.
112. Së fundi, paditësja çmon se nga jurisprudenca e Gjykatës del që edhe vetë shprehja e thjeshtë e dyshimeve për sa i përket pafajësisë së një personi është e papajtueshme me nenin 6 § 2 pas një dhënie pafajësie (ajo u referohet vendimeve Sekanina, Rushiti dhe Diacenco, të gjitha të cituara më lart). Mirëpo dhënia e pafajësisë në rastin e saj u mbështetka qartësisht mbi elemente themelore të çështjes, përderisa GjA-DhP-ja, teksa ka shfuqizuar dënimin e saj, ka vënë në dukje se baza e këtij të fundit ishte dobësuar në vështrim të fakteve dhe të elementeve të provës.
113. Paditësja çmon për rrjedhojë se, në suazën e padisë për zhdëmtim të nisur prej saj, juridiksionet e kanë vënë përsëri në pikëpyetje pafajësinë e saj. Ajo e fton Gjykatën të nxjerrë si përfundim se ka pasur shkelje të nenit 6 § 2.
b) Qeveria
114. Sipas Qeverisë, në çështjen në fjalë nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 2. Neni 133 i Ligjit të vitit 1988 nuk e prekka drejtësinë e dhënies së pafajësisë ose të drejtën e kërkuesit për t’u prezumuar i pafajshëm, dhe nuk e shpërfillka pra prezumimin e pafajësisë. Interpretimi i vendimeve të përmendura nga paditësja, për shembull i vendimit Rushiti (të cituar më lart), nuk mundka të shtyhet deri në atë pikë sa të pohohet se neni 6 § 2 thënka që, pas marrjes së pafajësisë, një person u dashka të trajtohet përherë e nga çdo pikëpamje sikur është realisht i pafajshëm. Një interpretim i tillë nuk u pajtuaka me nenin 3 të Protokollit nr. 7, as me jurisprudencën e Gjykatës rreth pajtueshmërisë me nenin 6 § 2 të një procedure civile të nisur për arsye të të njëjtave fakte (Qeveria i referohet vendimit Y k. Norvegjisë, të cituar më lart).
115. Në çështje të mëparshme lidhur me padi për zhdëmtim, sidomos në ato të përmendura nga paditësja, ajo çka paska përbërë problem për mendimin e Gjykatës paska qenë se mospranimi për të zhdëmtuar nuk kishte lënë asnjë dyshim rreth faktit që ky vendim mbështetej te një prezumim fajësie; fjalët e përdorura paskan shkuar përtej dyshimeve apo hamendësimeve të thjeshta. Mirëpo një problem i tillë nuk u shtruaka në rastin e mospranimit për të zhdëmtuar në bazë të nenit 133 të Ligjit të vitit 1988 në përgjithësi apo të refuzimit specifik që i është bërë paditëses. Mospranimi për të zhdëmtuar qenka i pajtueshëm me nenin 6 § 2, me kusht që nga fjalët e përdorura të dalë në mënyrë të qartë se e interesuara nuk mund të akuzohet për asnjë fajësi (Qeveria i referohet vendimit A.L., të cituar më lart).
116. Së fundi, Qeveria kujton jurisprudencën e Gjykatës rreth funksionimit të prezumimit të pafajësisë në suazë procedurash civile ose disiplinore (ajo përmend vendimet Šikić, Vanjak dhe Bok, të gjitha të cituara më lart). Kjo jurisprudencë vërtetuaka se Gjykata ndjek një qasje të zhdërvjellët për sa i përket rëndësisë së prezumimit të pafajësisë jashtë suazës penale dhe se ajo tregohet e ndjeshme ndaj nevojës për t’u kujdesur për efektivitetin e procedurave civile dhe disiplinore.
117. Qeveria çmon për rrjedhojë se në vendimet e dhëna nga juridiksionet e brendshme asgjë nuk e ka dobësuar apo vënë sërish në pikëpyetje dhënien e pafajësisë për paditësen. Ajo e fton pra Gjykatën që të dalë në përfundimin se në çështjen në fjalë nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 2.
2. Vlerësimi i Gjykatës
118. Gjykata vëren se kjo çështje nuk ka të bëjë me përputhshmërinë e sistemit të zhdëmtimit të vendosur nga neni 133 i Ligjit të vitit 1988 me nenin 3 të Protokollit nr. 7, instrument që shteti i paditur nuk e ka ratifikuar (paragrafi 70 i mësipërm). Prandaj, Gjykatës nuk i duhet që të shohë nëse është respektuar neni 3 i Protokollit nr. 7; asaj nuk i duhet as që të vlerësojë interpretimin e dhënë nga shteti i paditur për shprehjen “gabim gjyqësor” që figuron në këtë nen, me përjashtim të rastit nëse interpretimi i lartpërmendur mund të paraqitet si i papajtueshëm me prezumimin e pafajësisë të sanksionuar nga neni 6 § 2.
119. Siç vihet në dukje më sipër, pasi të vërtetohet ekzistenca e një lidhjeje midis dy procedurave, Gjykata duhet të përcaktojë, duke pasur parasysh tërësinë e rrethanave të çështjes, nëse është respektuar prezumimi i pafajësisë. Pra, është e udhës të analizohet fillimisht qasja e ndjekur nga Gjykata në shqyrtimin në themel të çështjeve të mëparshme të të njëjtit lloj.
a) Qasja e Gjykatës në precedentë të krahasueshëm
120. Te Minelli (vendim i cituar më lart), një çështje e vjetër që kishte të bënte me një vendim drejtësie me anë të të cilit paditësi ishte urdhëruar të kompensonte një pjesë të shpenzimeve procedurale pas mbylljes së ndjekjes penale, Gjykata e ka parashtruar si vijon parimin e zbatueshëm:
“37. Për mendimin e Gjykatës, prezumimi i pafajësisë quhet i shpërfillur në qoftë se, pa u provuar paraprakisht në mënyrë ligjore fajësia e një të akuzuari e, sidomos, pa iu dhënë këtij të fundit rasti për të ushtruar të drejtat e mbrojtjes, një vendim gjyqësor lidhur me të pasqyron ndjenjën se ai është fajtor. Kështu mund të ndodhë edhe në mungesë të një konstatimi të prerë; mjafton një arsyetim i cili lë të nënkuptohet se gjyqtari e konsideron të interesuarin si fajtor. (...)”
121. Në çështjet e para që i janë dashur të trajtojë lidhur me kërkesa të paraqitura nga ish-të akuzuar për të fituar një zhdëmtim ose kompensimin e shpenzimeve të mbrojtjes së tyre, Gjykata është mbështetur në parimin e vendosur te Minelli, duke shpjeguar se një vendim i cili ia refuzon një “të akuzuari”, pas pushimit të ndjekjes penale, kompensimin e kostove dhe të shpenzimeve të tij të nevojshme ose një dëmshpërblim për paraburgim mund të shtronte një problem në këndvështrimin e nenit 6 § 2 në rast se disa arsyetime të pandashme nga pjesa udhëzuese ishin në thelb baras me një konstatim fajësie pa u provuar paraprakisht në mënyrë ligjore kjo e fundit e, sidomos, pa iu dhënë të interesuarit rasti për t’i ushtruar të drejtat e mbrojtjes (Englert, i cituar më lart, § 37; Nölkenbockhoff, i cituar më lart, § 37, dhe Lutz, i cituar më lart, § 60). Në të tria këto çështje, ndjekjet penale të mëparshme kishin përfunduar me një vendim pushimi, por jo dhënieje pafajësie. Duke dalë në përfundimin që nuk kishte pasur shkelje të nenit 6 § 2, Gjykata ka shpjeguar se juridiksionet kombëtare kishin përshkruar një “situatë dyshimi” dhe se vendimet e tyre nuk përmbanin asnjë konstatim fajësie.
122. Në çështjen Sekanina, të shqyrtuar më pas, Gjykata ka bërë një dallim ndërmjet rasteve ku ka pasur pushim të ndjekjes penale dhe atyre ku është dhënë një vendim i formës së prerë për dhënie pafajësie, duke saktësuar se shprehja e dyshimeve rreth pafajësisë së një të akuzuari mund të kuptohej për aq kohë sa pushimi i ndjekjes penale nuk përbënte vendim rreth themelësisë së akuzës, por se nuk mund të mbështeteshe me të drejtë te dyshime të tilla pas një dhënie pafajësie e cila kishte marrë formë të prerë (Sekanina, i cituar më lart, § 30). Duket kështu se parimi që del nga Sekanina priret ta kufizojë parimin e vendosur te Minelli për çështjet ku ka pasur pushim të ndjekjes penale. Jurisprudenca tregon se në çështje të këtij lloji parimi i dalë nga Minelli citohet përherë njëlloj si parimi i përgjithshëm që duhet të zbatohet (Leutscher, i cituar më lart, § 29; Mulaj e Sallahi, vend. pran. i cituar më lart; Baars, i cituar më lart, §§ 26-27; Capeau, i cituar më lart, § 22; A.L., i cituar më lart, § 31; Panteleyenko, i cituar më lart, § 67, dhe Grabtchouk, i cituar më lart, § 42). Dallimi i vendosur te Sekanina midis rasteve të pushimit të ndjekjes penale dhe rasteve të dhënies së pafajësisë është zbatuar për shumicën e çështjeve të mëvonshme që kishin të bënin me vendime dhënieje pafajësie (shih, për shembull, Rushiti, të cituar më lart, § 31; Lamanna k. Austrisë, nr. 28923/95, § 38, 10 korrik 2001; Weixelbraun, të cituar më lart, § 25; O. k. Norvegjisë, të cituar më lart, § 39; Hammern, të cituar më lart, § 47; Yassar Hussain, të cituar më lart, §§ 19 e 23; Tendam, të cituar më lart, §§ 36-41; Ashendon e Jones, të cituar më lart, §§ 42 e 49, dhe Lorenzetti, të cituar më lart, §§ 44-47; shih, megjithatë, vendimet Del Latte dhe Bok, të cituara më lart).
123. Në çështje lidhur me padi civile për zhdëmtim të nisura nga viktima, pavarësisht nga pika nëse ndjekjet penale kishin çuar në një vendim për pushim apo në një vendim për dhënie pafajësie, Gjykata ka nënvizuar se sado që dhënia e pafajësisë e shpallur në procedurën penale duhej të respektohej në suazën e procedurës për zhdëmtim, kjo nuk përbënte pengesë për të përcaktuar, mbi bazë kriteresh prove më pak të rrepta, një përgjegjësi civile që përfshinte një detyrim për pagesën e një zhdëmtimi për arsye të të njëjtave fakte. Ajo ka shtuar megjithatë që, në qoftë se vendimi i brendshëm rreth padisë civile do të duhej të përmbante një deklarim që e ngarkonte me përgjegjësi penale palën e paditur, kjo do të ngrinte një pikëpyetje në fushën e nenit 6 § 2 të Konventës (Ringvold, i cituar më lart, § 38; Y k. Norvegjisë, i cituar më lart, §§ 41-42; Orr, i cituar më lart, §§ 49 e 51, dhe Diacenco, i cituar më lart, §§ 59-60). Kjo qasje është ndjekur gjithashtu edhe në çështje lidhur me padi civile të nisura kundër disa kompanish sigurimesh nga persona të cilëve u ishte dhënë pafajësi (vend. pran. Lundkvist dhe Reeves, të cituara më lart).
124. Në disa çështje lidhur me procedura disiplinore, Gjykata ka pranuar se nuk kishte automatikisht shkelje të nenit 6 § 2 kur një paditës ishte shpallur fajtor për një vepër disiplinore për arsye faktesh identike me ato të marra parasysh në një akuzë të mëparshme penale por që nuk kishte përfunduar me dënim. Ajo ka theksuar se organet disiplinore e kishin kompetencën dhe aftësinë për t’i provuar në mënyrë të pavarur faktet e çështjeve të paraqitura pranë tyre dhe se elementet që përbënin vepra penale nuk ishin identike me ato të veprave disiplinore (Vanjak, i cituar më lart, §§ 69-72, dhe Šikić, i cituar më lart, §§ 54‑56).
125. Shqyrtimi i mësipërm i jurisprudencës së Gjykatës për sa i përket nenit 6 § 2 tregon se nuk ka një mënyrë të vetme për t’i përcaktuar rrethanat ku ka shkelje të kësaj dispozite në kontekstin e një procedure që vjen pas pushimit të një procedure penale. Siç e tregon jurisprudenca e Gjykatës, gjërat varen gjerësisht nga natyra dhe konteksti i procedurës në suazën e së cilës është miratuar vendimi objekt mosmarrëveshjeje.
126. Në të gjitha rastet, dhe pavarësisht nga qasja e ndjekur, fjalët e përdorura nga autoriteti vendimmarrës kanë një rëndësi thelbësore kur është puna për të vlerësuar pajtueshmërinë e vendimit dhe të arsyetimit të ndjekur me nenin 6 § 2 (shih, për shembull, Y k. Norvegjisë, të cituar më lart, §§ 43‑46; O. k. Norvegjisë, të cituar më lart, §§ 39-40; Hammern, të cituar më lart, §§ 47-48; Baars, të cituar më lart, §§ 29-31; Reeves, vend. pran. të cituar më lart; Panteleyenko, të cituar më lart, § 70; Grabtchouk, të cituar më lart, § 45, dhe Konstas k. Greqisë, nr. 53466/07, § 34, 24 maj 2011). Kështu, në një çështje ku juridiksioni kombëtar kishte deklaruar se ishte “qartazi me gjasa” që paditësi t’i kishte “kryer veprat (...) për të cilat [ishte] akuzuar”, Gjykata ka qenë e mendimit se juridiksioni në fjalë e kishte kapërcyer kuadrin civil dhe kishte hedhur kështu një dyshim mbi themelësinë e dhënies së pafajësisë (Y k. Norvegjisë, i cituar më lart, § 46; shih gjithashtu Orr, të cituar më lart, § 51, dhe Diacenco, të cituar më lart, § 64). Po ashtu, në një çështje ku juridiksioni kombëtar kishte çmuar se dosja penale përmbante në mënyrë të mjaftueshme elemente prove për të provuar se ishte kryer një vepër penale, Gjykata ka gjykuar se fjalët e përdorura e kishin shpërfillur prezumimin e pafajësisë (Panteleyenko, i cituar më lart, § 70). Ka edhe çështje ku Gjykata ka vënë në dukje shprehimisht në vendimin e saj se dyshimet për fajësi nuk ishin hequr dhe ka nxjerrë përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 6 § 2 (shih, për shembull, Sekanina, të cituar më lart, §§ 29-30, dhe Rushiti, të cituar më lart, §§ 30-31). Megjithatë, kur merret parasysh natyra dhe konteksti i procedurës në fjalë, edhe përdorimi i fjalëve pa vend mund që të mos jetë përcaktues (paragrafi 125 i mësipërm). Jurisprudenca e Gjykatës jep disa shembuj çështjesh ku është dalë në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 2 ndonëse formulimet e përdorura nga autoritetet dhe juridiksionet kombëtare kritikoheshin nga Gjykata (Reeves, vend. pran. i cituar më lart, dhe A.L. c. Allemagne, i cituar më lart, §§ 38‑39).
b) Rreth pikës nëse në çështjen në fjalë është respektuar e drejta e paditëses për t’u prezumuar e pafajshme
127. Për ta kuptuar mirë kontekstin e përgjithshëm të kësaj çështjeje, duhet pasur parasysh fakti se dënimi i paditëses është shfuqizuar nga GjA-DhP-ja me arsyetimin se ai “nuk mbështete[j] mbi baza të qëndrueshme”, meqenëse ky juridiksion i lartë ka çmuar se, sikur elementet e reja të kishin qenë të ditura gjatë procesit, ato do të kishin mundur të ndikonin në vendimin e jurisë (paragrafi 20 i mësipërm). GjA-DhP-ja nuk e ka vlerësuar vetë tërësinë e provave, në dritën e elementeve të reja, për të përcaktuar nëse fajësia provohej përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm. Ajo ka vendosur që të mos japë urdhër për rishqyrtimin e çështjes, sepse paditësja e kishte vuajtur tashmë dënimin e saj me burgim në momentin e shfuqizimit të këtij dënimi (paragrafët 21, 26 dhe 34 të mësipërm). Në zbatim të nenit 2 § 3 të Ligjit të vitit 1968 për apelimet në fushën penale, shfuqizimi në fjalë ka çuar në regjistrimin e një vendimi për dhënie pafajësie (paragrafi 45 i mësipërm). Mirëpo, për mendimin e Gjykatës, dhënia e pafajësisë për paditësen nuk ishte në kuptimin e mirëfilltë të fjalës një dhënie pafajësie “në themel” (shih gjithashtu, për krahasim, çështjet Sekanina dhe Rushiti (vendime të cituara më lart, ku dhënia e pafajësisë mbështetej te parimi sipas të cilit çdo dyshim i arsyeshëm duhet të jetë në favor të të akuzuarit). Në këtë kuptim, sado që formalisht bëhet fjalë për një dhënie pafajësie, mund të konsiderohet se përfundimi që ka pasur procedura penale e drejtuar kundër paditëses në çështjen në fjalë e afron këtë të fundit me çështjet ku ka pasur pushim të ndjekjes penale (shih, për shembull, Englert, Nölkenbockhoff dhe Lutz, të gjitha të cituara më lart; Mulaj e Sallahi, vend. pran. i cituar më lart; Roatis k. Austrisë (vend. pran.), nr. 61903/00, 27 qershor 2002, dhe Fellner k. Austrisë (vend. pran.), nr. 64077/00, 10 tetor 2002).
128. Është gjithashtu me rëndësi të nënvizohet se neni 133 i Ligjit të vitit 1988, në mënyrë që të ketë një të drejtë zhdëmtimi, kërkon që të plotësohen disa kritere të përcaktuara mirë. Duhet, me pak fjalë, që kërkuesi të jetë dënuar, që ai të ketë pësuar një ndëshkim për arsye të këtij dënimi dhe që të jetë pranuar një apelim i mëvonshëm me arsyetimin që një fakt i ri tregon përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor. Këto kritere, me përjashtim të disa dallimeve të parëndësishme gjuhësore, përkojnë me ato të nenit 3 të Protokollit nr. 7 të Konventës, i cili duhet të mundë të interpretohet në mënyrë të pajtueshme me nenin 6 § 2. Prandaj, Gjykata vë re se asgjë nga vetë kriteret nuk e vë sërish në pikëpyetje pafajësinë e një personi të cilit i është dhënë pafajësi dhe se vetë legjislacioni nuk kërkon asnjë vlerësim të fajësisë penale të së interesuarës.
129. Gjykata vëren madje se në shtetin e paditur mundësia për t’u zhdëmtuar pas një dhënieje pafajësie është kufizuar në mënyrë të konsiderueshme nga kriteret e vendosura në nenin 133. Është e qartë se një dhënie pafajësie e shpallur në kuadër të një apelimi të bërë brenda afateve nuk do të krijonte asnjë të drejtë për zhdëmtim sipas nenit 133. Po ashtu, një dhënie pafajësie e shpallur në apel me arsyetimin se juria ka marrë udhëzime të papërshtatshme apo se janë marrë parasysh elemente prove të padrejta nuk do t’u përgjigjej kritereve të parashtruara në nenin 133 të Ligjit të vitit 1988. U takon juridiksioneve kombëtare që ta interpretojnë ligjin me qëllim që të vihet në jetë vullneti i ligjvënësit dhe, mjaft që të mos e vënë sërish në pikëpyetje pafajësinë e personit për të cilin bëhet fjalë, ato kanë të drejtë që në këtë ushtrim të dalin në përfundimin se duhet diçka më tepër sesa një dhënie pafajësie për të provuar ekzistencën e një “gabimi gjyqësor”. Prandaj, Gjykata nuk ka përse t’i marrë në shqyrtim interpretimet divergjente që i janë dhënë kësaj shprehjeje nga gjyqtarët e Dhomës së Lordëve në çështjen R (Mullen) dhe, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit në çështjen në fjalë, nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë në çështjen Adams. Ajo çka duhet të shqyrtojë Gjykata është pika nëse, duke pasur parasysh natyrën e detyrës që u takonte juridiksioneve kombëtare dhe në kontekstin e lidhur me vendimin për shfuqizim të dënimit objekt mosmarrëveshjeje (paragrafi 127 i mësipërm), fjalët e përdorura nga këto juridiksione ishin të pajtueshme me prezumimin e pafajësisë të garantuar nga neni 6 § 2.
130. Për sa i përket natyrës së detyrës së gjykatave, është e qartë se, për të përcaktuar nëse plotësoheshin kriteret e vendosura nga neni 133, juridiksionet kombëtare duhej t’i referoheshin vendimit të GjA-DhP-së që e kishte shfuqizuar dënimin, me qëllim që të gjenin arsyet e dhënies së pafajësisë dhe të përcaktonin se në çfarë mase ishte e mundur të pohohej se një fakt i ri kishte treguar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm që kishte ndodhur një gabim gjyqësor. Në këtë kuptim, konteksti i procedurës e ka detyruar High Court, dhe më vonë Gjykatën e Apelit, që ta vlerësonte vendimin e GjA-DhP-së në dritën e kritereve të vendosura nga neni 133.
131. Për sa i përket vendimit të High Court, Gjykata vëren se gjyqtari e ka analizuar konkluzionin e GjA-DhP-së dhe ka çmuar se ai nuk ishte “i pajtueshëm me pohimin se pas një procesi të ri (...) gjyqtari i themelit do të ishte detyruar që ta ftonte jurinë për t’i dhënë pafajësi së interesuarës” (paragrafi 25 i mësipërm). Pasi i ka shqyrtuar çështjet lidhur me kërkesa për zhdëmtim në bazë të nenit 133 të paraqitura më parë pranë gjykatave, gjyqtari ka qenë i mendimit se u largoheshe termave të nenit 133 po të thoshe për një çështje ku një juri mund të kishte dalë në një përfundim të ndryshëm se ajo tregon përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor (paragrafi 30 i mësipërm). Në rastin e paditëses, ai ka gjykuar që dëshmitë e mjekëve të dëgjuar nga GjA-DhP-ja dhe nga juria tregonin se në këtë rast ekzistonin “elemente rënduese bindëse” dhe se marrja e vendimit për këtë pikë i paska takuar jurisë (paragrafi 31 i mësipërm). Gjyqtari ka nxjerrë përfundimin se GjA-DhP-ja ishte mjaftuar të thoshte se elementet e reja “[kishin] nxjerrë mundësinë” që, nëse ato do të ishin kombinuar me elementet e parashtruara gjatë procesit, një juri “mbase do të kishte pasur njëfarë baze për të dhënë pafajësi”. Për mendimin e gjyqtarit, aty ishim shumë larg nga vërtetimi përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm që në këtë çështje pask[ësh] ndodhur një gabim gjyqësor (paragrafi 32 i mësipërm).
132. Edhe Gjykata e Apelit ka filluar duke iu referuar fjalëve të vendimit për shfuqizimin e dënimit. Ajo ka shpjeguar se GjA-DhP-ja kishte vendosur se elementet tashmë në dispozicion, “po të ishin shqyrtuar nga një juri, do të kishin çuar ndoshta në një përfundim të ndryshëm” (paragrafi 33 i mësipërm). Ajo ka deklaruar pastaj se vendimi i GjA-DhP-së “nuk do të tho[shte] aspak” që kundër apelueses nuk qëndronte më asnjë akuzë, dhe se “asgjë nuk lejonte të thuhej” se, duke pasur parasysh elementet e reja, nuk ishte me vend që çështja t’i paraqitej një jurie (paragrafët 38-39 të mësipërm).
133. Është e vërtetë që, duke parë nëse faktet e çështjes në fjalë i përkisnin nocionit “gabim gjyqësor”, si High Court ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë përmendur interpretimet divergjente që kishin dhënë Lordi Bingham dhe Lordi Steyn për këtë shprehje gjatë shqyrtimit të çështjes R (Mullen) nga Dhoma e Lordëve. Meqenëse Lordi Steyn kishte çmuar se nuk mund të kishte gabim gjyqësor përveçse në rastin kur pafajësia do të ishte provuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm, duhej pa tjetër që të zhvillohej një debat rreth pikës së pafajësisë dhe rreth pikës se deri në çfarë mase një vendim i GjA-DhP-së për shfuqizim të një dënimi mund të paraqitej sikur vërtetonte në mënyrë të përgjithshme pafajësinë e së interesuarës. Për këtë, Dhoma e Lordëve i është referuar Raportit Shpjegues të Protokollit nr. 7, i cili shpjegon se qëllimi për autorët e nenit 3 të këtij instrumenti ishte që t’i detyronte shtetet për të paguar një zhdëmtim vetëm në ato raste kur pranohej se personi për të cilin bëhej fjalë ishte « qartazi i pafajshëm » (paragrafi 72 i mësipërm). Është plotësisht e kuptueshme se, duke kërkuar të përcaktojë kuptimin e një koncepti legjislativ aq të dyshimtë sa ai i “gabimit gjyqësor”, i cili i gjen zanafillat e tij në dispozita instrumentesh ndërkombëtare – te neni 14 § 6 i PNDCP-së dhe te neni 3 i Protokollit nr. 7 –, gjyqtarët kombëtarë i referohen jurisprudencës ndërkombëtare lidhur me këto dispozita dhe punimeve përgatitore që paraqesin konceptin e hartuesve të tyre. Megjithatë, vetë Raporti Shpjegues vë në dukje se, sado që synon ta lehtësojë kuptimin e dispozitave që përmban Protokolli, prapëseprapë ai nuk përbën një instrument të mirëfilltë interpretimi të atij teksti (paragrafi 71 i mësipërm). Referimet e Raportit ndaj nevojës për të vërtetuar pafajësinë duhet të konsiderohen tashmë si të kapërcyera nga jurisprudenca e Gjykatës lidhur me nenin 6 § 2. Madje, e kjo pikë merr një rëndësi thelbësore, as High Court, as Gjykata e Apelit nuk kanë çmuar në vendimet e tyre se paditësja duhej të plotësonte kriterin e parashtruar nga Lordi Steyn, domethënë të vërtetonte pafajësinë e saj. High Court, në veçanti, ka theksuar se faktet në zanafillë të çështjes R (Mullen) ishin shumë larg nga ato të çështjes së paditëses dhe se ratio decidendi i zgjedhur në çështjen e parë nuk ndihmonte aspak për të marrë vendim në atë të së interesuarës (paragrafi 27 i mësipërm).
134. Gjykata çmon se, të vështruara në suazën e ushtrimit që ftoheshin për të kryer juridiksionet kombëtare, fjalët e përdorura nga këto të fundit nuk mund të paraqiten sikur kanë vënë sërish në pikëpyetje dhënien e pafajësisë për paditësen apo sikur kanë përbërë një trajtim të papajtueshëm me pafajësinë e së interesuarës. Juridiksionet janë përqendruar – siç u takonte në bazë të nenit 133 – te nevoja për të përcaktuar nëse kishte ndodhur apo jo një “gabim gjyqësor”. Në kuadrin e këtij vlerësimi, ato nuk kanë formuluar komente rreth pikës nëse, mbi bazën e elementeve të njohura gjatë procedurës së apelit, e interesuara duhej të merrte pafajësi a të dënohej, apo nëse kishte gjasa që të ndodhte ashtu me të. Po ashtu, ato nuk kanë bërë vërejtje rreth pikës nëse elementet e provës shkonin në drejtim të fajësisë së paditëses apo më fort në atë të pafajësisë së saj. Ato janë mjaftuar të pranojnë përfundimet e GjA-DhP-së, që në vetvete kishte marrë në shqyrtim pikën nëse në atë kohë, sikur të hamendësohej që të ishin paraqitur elemente të reja përpara ose gjatë procesit, do të kishte pasur ende akuza kundër së interesuarës. Ato kanë përsëritur përherë se, po të ishte urdhëruar një rishqyrtim i çështjes, detyra për të vlerësuar elementet e reja do t’i kishte takuar një jurie (paragrafët 31, 33 dhe 38-39 të mësipërm).
135. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se, sipas së drejtës angleze të procedurës penale, në një proces rreth një aktakuze i takon jurisë që t’i vlerësojë elementet e akuzës dhe që të marrë vendim rreth fajësisë së të akuzuarit. Roli i GjA-DhP-së në çështjen e paditëses ka qenë që të shihte nëse dënimi mbështetej apo jo në “baza të qëndrueshme”, në kuptimin e nenit 2 § 1 a) të Ligjit të vitit 1968 (paragrafi 43 i mësipërm), dhe jo që t’i zinte vendin jurisë për të përcaktuar, duke marrë parasysh elementet tashmë në dispozicion, nëse fajësia e së interesuarës ishte provuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm. Vendimi për të mos urdhëruar një rishqyrtim të çështjes e ka kursyer paditësen nga stresi e ankthi që do t’i kishte shkaktuar asaj një proces tjetër. Madje, e interesuara nuk e ka mbrojtur mendimin se çështja do të ishte dashur të rishqyrtohej. High Court dhe Gjykata e Apelit i janë referuar gjerësisht, si njëra ashtu edhe tjetra, vendimit të GjA-DhP-së për të parë nëse kishte ndodhur ndonjë gabim gjyqësor, dhe asnjëra nga të dyja nuk ka kërkuar të formulonte konkluzione më vete rreth përfundimit të çështjes. Këto juridiksione nuk e kanë vënë sërish në pikëpyetje konkluzionin e GjA-DhP-së se dënimi nuk mbështetej në baza të qëndrueshme, as nuk kanë lënë të nënkuptohej se GjA-DhP-ja i kishte vlerësuar gabim elementet që i ishin bërë të ditura. Ato i kanë pranuar konstatimet e GjA-DhP-së ashtu siç ishin dhe, pa i ndryshuar e pa i rivlerësuar, janë mbështetur në to për të përcaktuar nëse ishin përmbushur kriteret e vendosura në nenin 133.
136. Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se vendimet e dhëna nga High Court e nga Gjykata e Apelit në çështjen e paditëses nuk zbulojnë asnjë shmangie nga prezumimi i pafajësisë që përfiton e interesuara lidhur me akuzën për vrasje nga pakujdesia, për të cilën asaj i është dhënë pafajësi. Prandaj, ajo nxjerr përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 2 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E shpall kërkesëpadinë të pranueshme;
2. Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 2 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 12 korrik 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtarit de Gaetano.
D.S.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy