© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 165
Korrik 2013
Allen k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM] - 25424/09
Vendim 12.7.2013 [DhM]
Neni 6
Neni 6-2
Prezumimi i pafajësisë
Mospranim zhdëmtimi pas shfuqizimit të dënimit penal të paditëses: jo shkelje
Faktet – Në shtator 2000, paditësja u shpall fajtore për vrasje nga pakujdesia të kryer ndaj personit të foshnjës së saj. Dënimi mbështetej në dëshmi ekspertësh mjekësorë të cilët kishin çmuar se dëmtimet e pësuara nga i mituri përputheshin me “sindromën e bebes së shkundur”, të quajtur gjithashtu “traumë jo aksidentale e kokës” (TJAK). Në suazën e apelimit të bërë prej saj, paditësja mbrojti mendimin se disa elemente të reja mjekësore dukej që tregonin se dëmtimet mund të kishin ardhur si pasojë e një shkaku tjetër dhe jo nga një TJAK. Në korrik 2005, Gjykata e Apelit (Dhoma Penale – “GjA-DhP”) e shfuqizoi dënimin me arsyetimin se ai nuk mbështetej në baza të qëndrueshme, pasi doli në përfundimin që elementet e reja do të mund të kishin ndikuar në vendimin e jurisë për të dhënë një dënim. Prokuroria nuk e kërkoi rishqyrtimin e çështjes, duke pasur parasysh faktin se paditësja e kishte kryer dënimin e saj dhe se kishte kaluar një periudhë e konsiderueshme kohe.
Paditësja iu drejtua ministrit të Brendshëm mbi bazën e nenit 133 të ligjit të vitit 1988 për drejtësinë penale, i cili përcakton se i paguhet zhdëmtim personit që, pasi është bërë objekt i një dënimi penal, i është shfuqizuar më pas ky dënim sepse një fakt i ri ose i zbuluar rishtas tregon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se është bërë një gabim gjyqësor. Kjo kërkesë u rrëzua. Një kërkesë për kontroll gjyqësor të këtij vendimi u rrëzua nga High Court, e cila doli në përfundimin se GjA-DhP-ja vetëm sa kishte thënë se elementet e reja, të bashkuara me elementet e parashtruara gjatë procesit, “[kishin] bërë të dilte në pah mundësia” që një juri “mbase [do të kishte pasur] njëfarë baze për të dhënë pafajësi”. Paditësja bëri apelim, por kërkesa nuk iu pranua nga Gjykata e Apelit që çmoi se dhënia e pafajësisë “nuk [do të thoshte] aspak” që ndaj të interesuarës të mos qëndronte më asnjë akuzë, kështu që kriteri i “gabimit gjyqësor” nuk plotësohej.
Në kërkesëpadinë e saj pranë Gjykatës evropiane, paditësja pretendonte se arsyetimet e paraqitura në vendimin për të mos e dëmshpërblyer i kishin cenuar asaj të drejtën për prezumimin e pafajësisë.
Ligji – Neni 6 § 2
a) Shtrirja e çështjes – Pyetja që i shtrohet Gjykatës nuk është për të parë nëse mospranimi i zhdëmtimit ka sjellë në vetvete shkelje të së drejtës së paditëses për t’u prezumuar e pafajshme (neni 6 § 2 nuk i garanton një personi të shpallur i pafajshëm ndonjë të drejtë zhdëmtimi për një gabim gjyqësor), por nëse vendimi mohues objekt mosmarrëveshjeje, sidomos me arsyetimin e tij dhe me fjalët e përdorura, ishte i pajtueshëm me prezumimin e pafajësisë.
b) Zbatueshmëria – Neni 6 § 2 përmban dy aspekte. I pari vendos disa kërkesa procedurale në suazën e vetë procesit penal (sidomos lidhur me barrën e provës, prezumimet faktike dhe juridike, si edhe me të drejtën për të mos dhënë ndihmesë në fajësimin e vetes). Aspekti i dytë, ai që është me rëndësi të veçantë në çështjen e paditëses, ka si qëllim që të mos lejojë që ata individë të cilët kanë fituar pafajësi ose pushim të ndjekjes penale të trajtohen nga nëpunësit apo autoritetet publike sikur të ishin në fakt fajtorë. Kur mbyllet një procedurë penale, një person që dëshiron t’i referohet nenit 6 § 2 në një procedurë të mëvonshme duhet të tregojë se ekziston një lidhje midis të dyja procedurave. Një lidhje e tillë mund të jetë e pranishme, për shembull, kur padia e mëvonshme kërkon shqyrtimin e përfundimit të procedurës penale dhe, veçanërisht, kur ajo e detyron juridiksionin në fjalë për ta analizuar vendimin penal, për të kryer një studim a një vlerësim të atyre elementeve prove që janë përfshirë në dosjen penale, për ta çmuar pjesëmarrjen e paditësit në një ngjarje apo në tërësinë e ngjarjeve që kanë çuar në vënien nën akuzë, ose për të bërë komente rreth të dhënave që vazhdojnë të flasin në favor të një fajësie eventuale të të interesuarit. Lidhja e kërkuar ishte e pranishme në këtë çështje, përderisa e drejta për të ngritur një padi për zhdëmtim rridhte nga shpallja e paditëses si e pafajshme në përfundim të procedurës penale; për më tepër, ministri dhe juridiksionet në fjalë, kur kanë miratuar e kontrolluar vendimin lidhur me zhdëmtimin, duhet ta kenë pasur parasysh vendimin e dhënë në përfundim të apelit në fushën penale. Neni 6 § 2 gjen pra vend për zbatim.
Përfundimi: kërkesa për prapësim paraprak rrëzohet (njëzëri).
c) Themeli – Nuk ka vetëm një mënyrë për t’i përcaktuar rrethanat ku ka shkelje të nenit 6 § 2 në kontekstin e një procedure që vjen pas mbylljes së një procedure penale. Gjërat varen gjerësisht nga natyra dhe konteksti i procedurës në kuadër të së cilës është miratuar vendimi objekt mosmarrëveshjeje. Por, në të gjitha rastet dhe pavarësisht nga qasja e ndjekur, termat e përdorur nga autoriteti vendimmarrës janë të një rëndësie thelbësore kur është fjala për të vlerësuar se sa pajtohen me nenin 6 § 2 vendimi dhe arsyetimi i ndjekur.
Për sa i përket natyrës dhe kontekstit të procedurës së ndjekur në çështjen e paditëses, Gjykata vëren se dhënia e pafajësisë për të nuk ishte në kuptimin e mirëfilltë të fjalës një dhënie pafajësie “në themel”. Sado që formalisht bëhej fjalë për pafajësi, përfundimi ku ka dalë procedimi penal i drejtuar kundër paditëses e afron atë me çështjet ku ka pasur pushim të ndjekjes penale.
Gjykata vë re nga ana tjetër se, për të pasur një të drejtë zhdëmtimi, duhet të plotësohen disa kritere specifike sipas nenit 133 të ligjit të vitit 1988: duhet që kërkuesi të jetë dënuar, që ai ta ketë vuajtur këtë dënim dhe që të jetë pranuar një apelim i mëvonshëm me arsyetimin se një fakt i ri tregon përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se ka ndodhur një gabim gjyqësor. Këto kritere, me përjashtim të disa dallimeve të parëndësishme gjuhësore, përputhen me ato të nenit 3 të Protokollit nr. 7, i cili duhet të mund të interpretohet në pajtim me nenin 6 § 2 të Konventës. Asnjëri nga këto kritere nuk e vë sërish në pikëpyetje pafajësinë e një personi të shpallur të pafajshëm dhe vetë legjislacioni nuk kërkon kurrfarë vlerësimi të fajësisë penale të së interesuarës.
Për sa i përket fjalëve të përdorura nga juridiksionet kombëtare, Gjykata çmon se, të para në kuadër të ushtrimit që këto të fundit ishin ftuar të kryenin sipas nenit 133 të ligjit të vitit 1988, ato nuk e kanë vënë sërish në pikëpyetje shpalljen e paditëses si të pafajshme, as kanë përbërë ndonjë trajtim të papajtueshëm me pafajësinë e së interesuarës. Duke hulumtuar nëse kishte ndodhur ose jo ndonjë “gabim gjyqësor”, juridiksionet nuk kanë bërë komente rreth pikës nëse, mbi bazën e elementeve të njohura gjatë procedurës në apel, paditësja duhej të shpallej e pafajshme a të dënohej, apo nëse kishte gjasa që të veprohej ashtu ndaj saj. Po ashtu, ato nuk kanë bërë vërejtje rreth pikës nëse elementet e provës çonin më shumë drejt fajësisë së paditëses apo drejt pafajësisë së saj. Në fakt, ato nuk kanë lënë asnjë rast pa e përsëritur se, po të ishte urdhëruar një rishqyrtim i çështjes, detyra për vlerësimin e elementeve të reja do t’i ishte takuar një jurie.
Për më tepër, sipas së drejtës angleze të procedurës penale, në një proces rreth aktakuzës, vlerësimi i elementeve rënduese dhe marrja vendim rreth fajësisë së të akuzuarit i takojnë si detyrë jurisë. Roli i GjA-DhP-së në çështjen e paditëses ka qenë që të shihte nëse dënimi mbështetej apo jo në “baza të qëndrueshme”, por jo që t’i zinte vendin jurisë për të përcaktuar, me aq sa shihej nga elementet tashmë në dispozicion, nëse fajësia e të interesuarës vërtetohej përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm. Vendimi për të mos urdhëruar një rishqyrtim të çështjes e ka shpëtuar paditësen nga stresi e ankthi që do t’i kishte shkaktuar një proces tjetër. Madje e interesuara nuk ka deklaruar në mbrojtje të saj që çështja do të ishte dashur të rishqyrtohej. High Court dhe Gjykata e Apelit i janë referuar të dyja gjerësisht vendimit të GjA-DhP-së për të parë nëse ishte bërë ndonjë gabim gjyqësor, dhe asnjëra nga të dyja nuk ka kërkuar të formulojë konkluzione më vete rreth zgjidhjes së çështjes. Këto juridiksione nuk e kanë vënë sërish në pikëpyetje përfundimin e GjA-DhP-së sipas të cilit dënimi nuk mbështetej në baza të qëndrueshme; ato as nuk kanë lënë të nënkuptohet që GjA-DhP-ja i kishte vlerësuar gabim elementet që i ishin parashtruar asaj. Ato i kanë pranuar ashtu siç ishin konstatimet e GjA-DhP-së dhe janë mbështetur në to, pa i ndryshuar e pa i rivlerësuar, për të përcaktuar nëse ishin plotësuar kriteret e vendosura në nenin 133.
Përfundimi: jo shkelje (njëzëri).
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy