(kërkesa nr. 20134/05)
7 shkurt 2012
veprimi prapaveprues i ligjit penal cenon të drejtën e garantuar nga neni 7 i Konventës
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi ishte administrator i shoqërisë “Vefa Holding” sh.p.k, e cila zhvilloi aktivitet tregtar nga viti 1992 deri në 1997. Ndër aktivitetet e tjera tregtare shoqria u përfshi ede ne skemën piramidale të kredimarrjes. Pas shpalljes së falimentimit nga kompania ajo u morr në dorëzim nga administratorë të caktuar për të përmbyllur procesin e falimentit[2]. Ndërkohë, në prill 1998 kërkuesi u akuzua se kishte pëer veprën penale të mashtrimit, në bashkëpunim dhe u arrestua.
2. Pas dy serish procedurash apeli ndaj masës së sigurimit kërkuesi nuk arriti t`a zhvleftësojë atë. Afati i masës së sigurimit personal “arrest me burg” u zgjat deri në maj 2000 me argumentimin se kërkuesi ishte akuzuar edhe për krijimin e një organizate kriminale dhe se hemiti i ështjes ishte tepër kompleks.
3. Në maj 2000 Gjykata e Rrethit Tiranë e deklaroi kërkuesin fajtor për mashtrim dhe e dënoi atë me pesë vjet heqje lirie. Ndërkohë, gjykata nuk e deklaroi atë fajtor për veprën penale të krijimit të një organizate kriminale. Gjykata vërejti se mashtrimi ishte kryer në dëm të 68,85 kreditorëve dhe arrinte në vlerën totale 325 300.00 dollarë.
4. Pas apelit të bërë nga prokurori, në dhjetor 2002 Gjykata e Apelit deklaroi kërkuesin fajtor për mashtrimin e 57 923 kreditorëve dhe e dënoi atë me 20 vjet heqje lirie në bazë të nenit 143 § 3 të Kodit Penal, i cili kishte hyrë në fuqi në janar 2001. Gjykata uli numrin e kreditorëve të kompanisë i pasojë e një rillogaritjeje të bërë gjatë fazë së likuidimit.
5. Në nëntor 2002 Gjykata e Lartë duke u mbështetur në faktet e evidentuara nga gjykatat më të ulëta e shpalli fajtor kërkuesin. GJL uli masën e dëmit të shkaktuar si pasojë e mashtrimit.
6. Në dhjetor 2004 Gjykata Kushtetuese e deklaroi ankimin kushtetues të kërkuesit të papranueshëm.
7. Prej prillit 1998 kërkuesi kishte shfaqur gjendje shëndetësore jo të mirë. Ai ishte diagnostikuar me një sërë sëmundjesh për pasojë ai u transferua disa herë në spital gjatë kohës së vuajtjes së dënimit për të marrë trajtimin e duhur mjekësor.
8. Gjatë viteve 2002-2007 dënimi i kërkuesit u ul si pasojë e aministive të dhëna dhe punës së kryer prej tij në burg. Ai u lirua në maj 2010.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me pretendimin për shkelje të neneve 2 dhe 3
9. Gjykata çmoi se pretendimi i kërkuesit duhet të trajtohej nën dritën e parashikimeve të nenit 3[3] të Konventës. GJEDNJ vërejti se autoritetet nuk kishin lënë pas dore trajtimin mjeksor të kërkuesit, duke i siguruar atij mjekimet dhe kujdesin e duhur gjatë periudhës kur Z. Alimuçaj kishte shfaqur probleme serjoze shëndetësore. Në bazë të gjithë të dhënave të dosjes Gjykata vërejti se nuk ishte shkaktuar shkelje e të drejtës së parashikuar nga neni 3 i KEDNJ dhe për rrjedhojë e deklaroi ankimin e kërkuesit haptazi të pabazuar në bazë të nenit 35 § 1 dhe 4 të Konventës.
B. Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 5 dhe 6
10. Gjykata vërejti se kërkuesi ishte ankuar për tejzgjatje të periudhës së tij të paraburgimit në tejkalim të afatit gjashtë mujor nga vendimi i fundit i gjykatëve të brendshme, kështuqë për rrjedhojë kjo kërkesë e tij nuk mund të merrej në konsideratë. Gjykata e deklaroi atë haptazi të pabazuar dhe e rrëzoi në bazë të nenit 35 § 1 dhe 4 të Konventës. Gjykata mbajti të njëjtin qëndrim edhe për pretendimin e kërkuesit se ndaj tij nuk ishte respektuar e drejta për një proces të rregullt gjyqësor.
C. Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 7
11. Gjykata vërejti se kërkuesi u akuzua dhe u dënua në bazë të nenit 143 § 1 të Kodit Penal, i cili parashikoi veprën penale të mashtrimit. GJEDNJ çoi se gjykatat shqiptare përdorën për cilësimin e veprës dhe dënimin e kërkuesit ligjin në fuqi në kohën kur po zhvillohej gjyqi. Gjykatat vendase cilësuan se kërkuesi në mënyrë të qëllimshme kishte konsumuar veprën penale të mashtrimit. GJEDNJ u shpreh se ky cilësim i kryer nga gjykatat vendase nuk ishte arbitrar ose i paarsyeshëm. Për rrjedhojë Gjykata nuk vërejti shkelje të nenit 7 të Konventës në këtë aspekt.
12. Gjykata e Strasburgut vlerësoi dhe mënyrën e llogaritjes së dënimit për kërkuesin. GJEDNJ vërejti se në kohën kur kishte ndodhur vepra penale ajo dënohej në maksimum me pesë vjet heqje lirie dhe neni respektiv i Kodit Penal nuk parashikonte asnjë rrethanë rënduese e cila të rriste masën e dënimit për veprën. Megjithatë, gjykatat shqiptare kishin llogaritur dënimin e kërkuesit në bazë të ndryshimeve, që i`u bënë dispozitës në fjalë në vitin 2001. Për më tepër Gjykata e Lartë shqiptare në shtator 2000 kishte miratuar një vendim unifikues në të cilin shprehej se dënimi për veprën penale të mashtrimit do të llogaritej aq herë sa herë ishte konsumuar vepra. Në këtë llogjikë kërkuesi u dënua 57 923 herë, po dënimi i tij final nuk mund të kalonte kufirin e maksimumit të dënit parashikuar nga Kodi Penal, kështu që gjykatat e dënuan atë me 20 vjet burg.
13. GJEDNJ vërejti se dënimi i kërkuesit ishte llogaritur në bazë të një dispozite, e cila ishte miratuar pasi vepra penale ishte kryer. Kështu dispozitës në fjalë i ishte dhënë fuqi prapravepruese edhe në kohën kur kërkuesi kishte kryer veprën penale. Për rrjedhojë Gjykata e Strasburgut e cilësoi këtë vendim të gjykatave shqiptare si të paligjshëm dhe çmoi se z. Alimuçaj i ishin shkelur të drejtat e parashikuara nga neni 7 i Konventës.
D. Në lidhje me zbatimin e nenit 41
14. Gjykata vërejti se nuk kishte evidentuar lidhje shkakësore mes shkeljes së të drejtave të kërkuesit dhe shpërblimit monetar të pretenduar. Gjithsesi GJEDNJ i akordoi z. Alimuçaj 8 000 euro në kuadër të shpërblimit jo monetar.
III. Koment
15. Në shqyrtimin e çështjes Alimuçaj kundër Shqipërisë, Gjykata e Strasburgut ka vërejtur cenim të të drejtave të garantuara nga neni 7 i Konventës për kërkuesin. Gjykata në këtë vendim ka risjellë edhe një herë në vemendje parashikimin e nenit 7 dhe standardet, që duhet të aplikohen në zbatim të tij.
16. Sipas GJEDNJ garancia e dhënë nga neni 7 KEDNJ se nuk ka dënim pa ligj është një ndër garancitë themelore të mbi të cilat mbështetet shteti i së drejtës, nga kjo e drejtë nuk mund të ketë asnjë derogim, as në kohë lufte ose emergjencash publike[4]. Neni 7 i Konventës nuk pengon vetëm veprimin prapaveprues të ligjeve penale, por gjithashtu trajton në mënyrë të përgjithshme parimin nullum crimen, nulla poena sine lege. Pra, nëse nuk ka krim nuk mund të ketë ndëshkim. Kur cilëson termin “ligj”, neni 7 i KEDNJ i referohet çdo akti tjetër normativ ose vendimi gjyqësor, i cili ka karakter detyrues. Megjithatë, Gjykata u shpreh se neni 7 i Konventës nuk pengon Shtetet Palë të ndryshojnë dënimet për veprat penale duke rritur kështu ashpërsinë e tyre[5].
[1] Ky vendim është marrë në mënyrë integrale nga libri i znj. Dajena Kumbaro “Versus Albania: jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, botim i Qendrës Europiane dhe Civil Rights Defenders 2014. Znj. Kumbaro ka miratuar përdorimin e materialit për efekt të këtij botimi.
[2] Detaje të hollësishme mbi aktivitetin e kompanisë “Vefa Holding” sh.p.k mund të konsultohen në vendimin Vefa Holding sh.p.k dhe Alimuçaj k. Shqipërisë, nr. 24096/05, 14 qershor 2011, i cili është shpallur papranueshëm nga GJEDNJ.
[3] Shih çështjen Douglas-William k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 564613/00, 8 janar 2002.
[4] Shih çështjen Scoppola k. Italisë (nr. 2), nr. 10249/03, GJEDNJ-2009.
[5] Shih Çështjet Streletz, Kessler dhe Kenz k Gjermanisë, nr. 34044/96, 35532/97 dhe 44801/98, GJEDNJ 2001-II, Konomov k. Letonisë, nr. 36376/04, GJEDNJ 2010 dhe K. H. W k. Gjermanisë, nr. 37201/97 GJEDNJ 2001-II.
Full & Egal Universal Law Academy