© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
VENDIMI ALIŠIĆ ME TË TJERË k. BOSNJË- HERCÉGOVINËS, KROACISË, SERBISË, SLLOVENISË DHE ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË
(Kërkesëpadia nr. 60642/08)
VENDIM
STRASBURG
16 korrik 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Ališić me të tjerë k. Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë, Sllovenisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
David Thór Björgvinsson,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
Päivi Hirvelä,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger,
Linos-Alexandre Sicilianos,
André Potocki,
Faris Vehabović,
Ksenija Turković, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 10 korrik 2013 dhe më 28 maj 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 60642/08) e drejtuar kundër Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë, Sllovenisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe me anë të së cilës tre shtetas boshnjakë, Znja Emina Ališić, Z. Aziz Sadžak dhe Z. Sakib Šahdanović (“paditësit”), i janë drejtuar Gjykatës më 30 korrik 2005 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”). Paditësja e parë ka gjithashtu edhe shtetësinë gjermane.
2. Paditësit ankohen se, që nga shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ata gjenden në pamundësinë për t’i tërhequr fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë që kishin depozituar nëpër llogari të çelura pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë dhe të Investbanka-s në Tuzla. Ata u referohen neneve 13 dhe 14 të Konventës, si edhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës.
3. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 17 tetor 2011, një dhomë e këtij seksioni e përbërë nga Nicolas Bratza, Lech Garlicki, Nina Vajić, Boštjan M. Zupančič, Ljiljana Mijović, Dragoljub Popović dhe Mirjana Lazarova Trajkovska, gjyqtarë, si edhe nga Lawrence Early, sekretar seksioni, vendosi ta bashkojë me themelin kërkesën e paraqitur nga Qeveritë për prapësim për arsye mosshterrimi të mjeteve të brendshme ligjore dhe e shpalli kërkesëpadinë të pranueshme.
4. Me një vendim të datës 6 nëntor 2012, Dhoma e ka rrëzuar me gjashtë vota në favor dhe një kundër kërkesën për prapësim për arsye mosshterrimi të mjeteve të brendshme ligjore dhe ka thënë:
– njëzëri, se kishte pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga Serbia kundër Z. Šahdanović;
– me gjashtë vota në favor dhe një kundër, se kishte pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić e Z. Sadžak;
– njëzëri, se kishte pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga shtetet e tjera të paditura;
– njëzëri, se kishte pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Serbia ndaj Z. Šahdanović ;
– me gjashtë vota në favor dhe një kundër, se kishte pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić e Z. Sadžak;
– njëzëri, se nuk kishte pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga shtetet e tjera të paditura;
– njëzëri, se nuk kishte përse të shqyrtohej çështja në këndvështrimin e nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 13 të Konventës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 për sa u përket Serbisë dhe Sllovenisë dhe se nuk kishte pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 13 të Konventës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 nga shtetet e tjera të paditura.
Vendimit i ishte bashkëngjitur paraqitja e mendimit kundërshtues të gjyqtarit Zupančič.
5. Më 18 mars 2013, duke i dhënë të drejtë kërkesës së formuluar nga Qeveria serbe dhe Qeveria Sllovene, Kolegji i Dhomës së Madhe ka vendosur t’ia kalojë çështjen kësaj të fundit në bazë të nenit 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores. Pas tërheqjes së Boštjan M. Zupančič, gjyqtar i zgjedhur në lidhje me Slloveninë (neni 28 i Rregullores), Qeveria sllovene ka caktuar Angelika Nußberger, gjyqtare e zgjedhur në lidhje me Gjermaninë, për të marrë pjesë në vendin e tij (nenet 26 § 4 i Konventës dhe 29 i Rregullores). David Thór Björgvinsson dhe Danutė Jočienė, mandatet e të cilëve kishin përfunduar më 31 tetor 2013, kanë vazhduar të marrin pjesë në këtë çështje (nenet 23 § 3 i Konventës dhe 24 § 4 i Rregullores).
7. Palët kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores).
8. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 10 korrik 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për paditësit
Z.B. Mujčin,
Z.E. Eser, avokatë,
Z.A. Mustafić, ndihmës;
– për Qeverinë e Bosnjë-Hercegovinës
ZnjaB. Mijić, agjente,
ZnjaB. Skalonjić, agjente ndihmëse,
ZnjaE. Veledar Arifagić,
Z.Z. Kelić,
Z.T. Ćurak,
Z.S. Bakić,
Z.E. Kubat,
ZnjaV. Tufek,
ZnjaN. Trossat,
Z.M. Mahmutović, këshilltarë;
– për Qeverinë kroate
ZnjaŠ. Stažnik,agjente,
ZnjaN. Katić,
ZnjaA. Metelko-Zgombić,
ZnjaM. Bašić,
ZnjaJ. Vlašić,
ZnjaB. Grabovac,
ZnjaV. Zvonar,këshilltare;
– për Qeverinë serbe
Z.S. Carić,agjent,
ZnjaV. Rodić,
ZnjaD. Dobrković,
Z.N. Petković,
Z.B. Milisavljević,
Z.B. Kurbalija,
ZnjaS. Đurđević,këshilltarë;
– për Qeverinë sllovene
ZnjaN. Pintar-Gosenca,agjente,
ZnjaC. Annacker,avokat,
ZnjaA. Nee,
ZnjaM. Prevc,
Z.R. Gabrovec,
ZnjaA. Polak-Petrič,
Z.A. Kulick,këshilltarë;
– për Qeverinë maqedonase
Z.K. Bogdanov,agjent,
ZnjaV. Stanojevska,këshilltare.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Mujčin, Znjës Mijić, Znjës Stažnik, Z. Carić, Znjës Annacker dhe Z. Bogdanov.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Hyrje
9. Paditësit kanë lindur përkatësisht më 1976, më 1949 dhe më 1952. Ata janë me vendbanim në Gjermani.
10. Përpara shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (“RSFJ”), dy nga paditësit, Znja Ališić dhe Z. Sadžak, kishin depozituar fonde në valutë në disa llogari të çelura pranë Ljubljanska Banka Sarajevo-s[1]. Më 1990, në kuadrin e reformave ekonomike të kryera më 1989-1990 (paragrafi 21 i mëposhtëm), Ljubljanska Banka Sarajevo u bë një degë e Ljubljanska Banka Ljubljana-s, një bankë sllovene. Paditësi i tretë, Z. Šahdanović, kishte depozituar gjithashtu, përpara shpërbërjes së RSFJ-së, fonde në valutë në disa llogari të çelura pranë degës së Tuzlas (Bosnjë-Hercegovinë) të Investbanka-s, një bankë serbe. Sipas elementeve që disponon Gjykata, llogaritë e çelura nga Znja Ališić dhe Z. Sadžak pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë paraqisnin më 31 dhjetor 1991 saldo aktive prej përkatësisht 4 715 markash gjermane (DEM) dhe 129 874 DEM. Llogaritë e çelura nga Z. Šahdanović pranë degës së Investbanka-s në Tuzla paraqisnin më 3 janar 2002 saldo aktive prej përkatësisht 63 880 DEM, 4 shilingash austriake dhe 73 dollarësh amerikanë (USD).
11. Ankesat e paraqitura në këndvështrimin e Konventës kanë të bëjnë me pamundësinë në të cilën gjenden paditësit për të tërhequr fondet e depozituara në këto llogari. Të interesuarit mbrojnë mendimin se kjo situatë përbën një shkelje prej shteteve të paditur të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës të marrë veçmas dhe të bashkuar me nenin 14 të Konventës. Nga ana tjetër, ata e quajnë veten viktima të një shkeljeje të nenit 13 të Konventës.
B. Zanafilla e çështjes
1. Sistemi bankar tregtar i RSFJ-së përpara reformës së viteve 1989-1990
a) Bankat bazë, bankat e bashkuara dhe bankat kombëtare
12. Përpara reformave ekonomike të viteve 1989-1990, sistemi bankar tregtar i RSFJ-së përbëhej nga banka bazë dhe banka të bashkuara. Ndonëse e pajisur me një personalitet juridik më vete, secila bankë bazë ishte e integruar në strukturën organizative të njërës nga nëntë bankat e bashkuara të RSFJ-së. Si rregull i përgjithshëm, bankat bazë kishin si themeluese dhe pronare shoqëri në pronësi kolektive me qendër në entitetin territorial ku ato ishin vendosur, domethënë në njërën nga republikat (Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovena) ose krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina) që përbënin RSFJ-në. Si pjesa më e zgjedhur e modelit jugosllav të vetadministrimit, shoqëritë në pronësi kolektive nuk i përkisnin as një regjimi pronësie private, as një regjimi pronësie publike, por një regjimi pronësie që zotërohej kolektivisht nga punonjësit e tyre, të cilët siguronin drejtimin e tyre sipas një konceptimi komunist të organizimit të punës (regjimi i pronësisë kolektive dhe statusi i shoqërive serbe që i përkasin ende atij janë përshkruar në vendimin Kačapor me të tjerë k. Serbisë, nr. 2269/06 e të tjerë, §§ 71-76 e 97, 15 janar 2008). Dy ose disa institucione bazë mund të bashkoheshin për të krijuar një bankë të bashkuar. Te Ljubljanska Banka Ljubljana, e cila ishte njëra nga bankat e bashkuara të RFSJ-së, përmblidheshin Ljubljanska Banka Sarajevo – tek e cila zotëronin llogari dy nga paditësit –,Ljubljanska Banka Zagreb[2], Ljubljanska Banka Skopje[3] dhe disa banka të tjera bazë. Në të njëjtën mënyrë, Investbanka, klient i së cilës ishte paditësi i tretë, kishte krijuar me disa banka të tjera bazë një bankë të bashkuar të quajtur Beogradska udružena Banka.
13. Së fundi, në RSFJ numëroheshin nëntë banka kombëtare, konkretisht Banka Kombëtare e Jugosllavisë (“BKJ”) si edhe bankat kombëtare përkatëse të gjashtë republikave dhe të dy krahinave autonome.
b) Depozitat në valutë
14. E gjendur përballë një nevoje të madhe për valuta të forta, RSFJ-ja i nxiti shtetasit e saj të mërguar si edhe të tjerët për të depozituar valuta në bankat e saj duke i shpërblyer depozitimet e tyre me një përqindje të lartë interesi (shpeshherë më shumë se 10% në vit) dhe duke dhënë për këto depozita garancinë e shtetit (neni 14 § 3 i Ligjit të vitit 1985 për veprimet në valutë[4] dhe neni 76 § 1 i Ligjit të vitit 1989 për bankat dhe institucionet e tjera financiare[5]).
15. Garancia e shtetit mund të kërkohej nga ato banka të cilat ndodheshin në situatë “paaftësie të qartë paguese” (shih nenin 18 të Ligjit të vitit 1989 për paaftësinë paguese të bankave dhe të institucioneve të tjera financiare[6] si edhe rregullat e tjera që lidhen me të[7]). Asnjëra nga bankat për të cilat bëhet fjalë këtu nuk ka formuluar ndonjë kërkesë në këtë drejtim.
16. Vetë kursimtarët nuk kishin të drejtë për ta kërkuar garancinë e shtetit. Mirëpo, nga ana tjetër, Ligji i vitit 1978 për detyrimet civile[8] u lejonte atyre që t’i tërhiqnin në çdo kohë paratë e veta, të shtuara me interesat e fituar.
Neni 1035 i këtij ligji ishte i hartuar kështu:
“1) Depozitimi monetar është kontrata me anë të së cilës një bankë merr në dorëzim një shumë që i besohet asaj nga një depozitues.
2) Kontrata e depozitimit monetar i jep bankës marrëse në dorëzim të drejtën për ta përdorur shumën e depozituar dhe i cakton asaj detyrimin për ta kthyer atë sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.”
Neni 1043 § 1 i Ligjit shprehej kështu:
“Çelja e një llogarie kursimi shoqërohet, nga ana e bankës ose e institucionit financiar në fjalë, me lëshimin e një libreze kursimi për zotëruesin e kësaj llogarie.”
Neni 1044 i Ligjit formulohej kështu:
“1) Depozitat dhe tërheqjet shënohen në një librezë.
2) Shënimet me firmë e vulë që bëhen në librezë vërtetojnë depozitimet dhe tërheqjet e kryera.
3) Të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me sa më sipër quhen të paqena e të pashkruara.”
Neni 1045 i Ligjit përcaktonte:
“Depozitat e kursimit sjellin interesa.”
c) Sistemi i dërgesave
17. Në mesin e viteve 1970, bankat filluan të pësojnë humbje në këmbim për shkak të zhvlerësimit të dinarit. Për t’i bërë ballë kësaj situate, RSFJ-ja vendosi një sistem “dërgese” valutash, i cili i lejonte bankat që t’ia dërgonin BKJ-së fondet valutore të depozituara prej shtetasve jugosllavë, me kushtin që kjo e fundit ta merrte vetë përsipër rrezikun e këmbimit (neni 51 i Ligjit të vitit 1977 për veprimet në valutë[9]). Ndonëse ky mekanizëm nuk ishte i detyrueshëm nga pikëpamja juridike, bankat në të vërtetë nuk patën asnjë alternativë tjetër përveç tij, sepse atyre nuk u lejohej t’i çelnin në banka të huaja llogaritë në valutë që nevojiteshin për të kryer pagesa jashtë shtetit e ato nuk kishin të drejtë as për të dhënë hua në valutë. Për rrjedhojë, ato ia dërgonin BKJ-së pothuajse të gjitha valutat që kishin në zotërim sipas njërës apo tjetrës nga metodat e mundshme për to, konkretisht metoda “kontabël” – e quajtur ndryshe “pro forma” – ose metoda e xhirimit efektiv nëpër llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit. Metoda kontabël ishte pa krahasim më e përdorura, sepse ajo u mundësonte bankave tregtare që t’ia kalonin rrezikun e këmbimit BKJ-së dhe u shmangte atyre detyrimin për t’u paguar shpenzime bankave të huaja (shih Kovačić me të tjerë k. Sllovenisë [DhM], nr. 44574/98, 45133/98 e 48316/99, § 36, 3 tetor 2008, si edhe vendimin AP 164/04 të miratuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës më 1 prill 2006, § 53). Nga një raport i brendshëm i hartuar nga BKJ-ja në shtator 1988[10] del se, më 30 qershor 1988, shuma e valutave të dërguara kështu arrinte në rreth nëntë miliardë USD, nga të cilat vetëm 1,4 miliard (ose pak më shumë se 15%) ishin dërguar në të vërtetë te llogaritë e shumta të BKJ-së jashtë shtetit. Me sa duket, fondet e xhiruara në llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit qenkan ndarë kohët e fundit midis shteteve trashëgimtare (paragrafi 65 i mëposhtëm).
18. Sistemi i dërgesës së valutave që ishte në fuqi te Ljubljanska Banka Sarajevo[11], ku i kishin llogaritë e tyre dy paditësit e parë, e detyronte këtë bankë, në zbatim të marrëveshjeve që ajo kishte nënshkruar me Ljubljanska Banka Ljubljana-n, me Bankën Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës dhe me Bankën Kombëtare të Sllovenisë, që t’i dërgonte çdo muaj kësaj të fundit, për llogari të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, saldon aktive të veprimeve të depozitimit dhe të tërheqjes së valutave. Një pjesë e kësaj shume i kthehej pastaj Ljubljanska Banka Sarajevo-s, me kërkesën e saj, për të mbuluar nevojat e saj për likuiditete gjatë periudhave kur tërheqjet e valutave ishin më të mëdha sesa depozitimet. Nga viti 1984 deri më 1991, në Lubjanë u dërguan gjithsej 244 665 082 DEM, kurse në Sarajevë u kthyen 41 469 528 DEM, ose më pak se 17 % të fondeve të dërguara. Valutat që nuk ktheheshin në Sarajevë i dërgoheshin BKJ-së sipas njërës apo tjetrës nga metodat e përshkruara në paragrafin 17 të mësipërm, konkretisht metodës kontabël (ose “pro forma”) – e cila nuk jep mundësi për ta ditur nëse fondet janë larguar vërtet nga Lubjana – ose metodës së xhirimit efektiv në llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit. Cilado që të ishte metoda e përdorur për dërgesë, valutat e dërguara në këtë mënyrë kontabilizoheshin si kreditime të Ljubljanska Banka Sarajevo pranë BKJ-së.
19. Në bazë të marrëveshjeve të përmendura në paragrafin e mësipërm, BKJ-ja i jepte Ljubljanska Banka Sarajevo-s, nëpërmjet Bankës Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës, hua në dinarë – fillimisht pa interes – në një shumë që i përgjigjej kundërvlerës në dinarë të valutave të dërguara. Kjo bankë bazë i përdorte shumat në dinarë që i jepeshin kështu hua për t’u dhënë vetë hua – me një përqindje interesi më të ulët sesa ajo e inflacionit – ndërmarrjeve që, si rregull i përgjithshëm, ishin të vendosura brenda të njëjtës njësi territoriale me të.
20. Në fundin e vitit 1988, një ndryshim i bërë në nenin 103 të Ligjit të vitit 1985 për veprimet në valutë i dha fund sistemit të dërgesës së valutave. Bankat jugosllave u lejuan të çelnin llogari nëpër banka të huaja. Ashtu si edhe banka të tjera, Ljubljanska Banka Sarajevo e përdori këtë të drejtë dhe depozitoi, nga tetori 1988 deri në dhjetor 1989, rreth 13,5 milionë USD te llogaritë që zotëroheshin prej saj nëpër banka të huaja. Asgjë në këtë dosje nuk jep mundësi për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me këto fonde.
2. Reforma e sistemit bankar tregtar të RSFJ-së (1989‑1990)
21. Gjatë reformave të kryera më 1989-1990, RSFJ-ja i dha fund sistemit të bankave bazë e të bankave të bashkuara, të përshkruar më lart. Ndryshimi i rregullave bankare u dha mundësi disa bankave bazë të fitonin autonominë e tyre, ndërkohë që disa të tjera u kthyen në degë të ish-bankave të bashkuara me të cilat kishin qenë të lidhura më parë. Më 1 janar 1990, Ljubljanska Banka Sarajevo, për të cilën u bë fjalë më sipër, u kthye në një degë të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, e cila i mori të gjitha të drejtat, aktivet dhe pasivet e saj. Nga ana e vet, Investbanka (e përmendur më lart) u kthye në një bankë autonome me seli në Serbi dhe me disa degë në Bosnjë-Hercegovinë.
22. Përveç kësaj, u vendos këmbyeshmëria e dinarit, një vendim që shkaktoi tërheqje masive valutash. Për t’i bërë ballë kësaj situate, RSFJ-ja morri disa masa urgjente që i shtrënguan shumë tërheqjet e valutave. Për këtë qëllim, ajo i bëri nenit 71 të Ligjit të vitit 1985 për veprimet në valutë një ndryshim, të zbatueshëm duke filluar nga dhjetori 1990, i cili ua ndalonte depozituesve tërheqjen e kursimeve të tyre për qëllime të tjera përveç pagesës së mallrave ose shërbimeve të importuara për përdorimin vetjak ose atë të të afërmve të tyre, blerjes së obligacioneve të konvertueshme të emetuara në valutë, realizimit të dhurimeve për qëllime shkencore ose humanitare apo pagesave të primeve për kontrata sigurimi jete të nënshkruara me kompani kombëtare sigurimesh. Për më tepër, tërheqjeve të lejuara për veprimet në fjalë iu vu një tavan prej 500 DEM për çdo veprim dhe prej 1 000 DEM në muaj në zbatim të nenit 3 të një vendimi të miratuar nga qeveria e RSFJ-së në prill 1991[12] – të mbetur në fuqi deri më 8 shkurt 1992 – dhe të nenit 17 c) të një vendimi të marrë nga BKJ-ja në janar 1991[13], i cili u shpall jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e RSFJ-së më 22 prill 1992 (paragrafi 53 i mëposhtëm).
3. Shpërbërja e RSFJ-së (1991-1992)
23. Shpërbërja e RSFJ-së ndodhi më 1991-1992. Në shtetet trashëgimtare të RSFJ-së, depozitat në valutë të kryera përpara shpërbërjes iu nënshtruan një regjimi të posaçëm. Ato emërtohen zakonisht me shprehjen fonde “të dikurshme” kursimi në valutë ose fonde kursimi në valutë “të ngrira”. Këtu më pas do të gjejmë një paraqitje të shkurtër të së drejtës së brendshme që përcakton rregullat lidhur me këto fonde në secilin nga pesë shtetet trashëgimtare të RSFJ-së, si edhe të praktikave përkatëse të këtyre të fundit në këtë fushë. Shtetet trashëgimtare, të paraqitura këtu më pas sipas rendit alfabetik të emrave të tyre përkatës në anglisht, janë gjithashtu edhe shtetet e paditura në këtë çështje.
C. Situatat përkatëse të shteteve të paditura
1. Bosnjë-Hercegovina
a) Masat lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë
24. Më 1992, Bosnjë-Hercegovina e mori vetë në ngarkim garancinë ligjore të dhënë nga RSFJ-ja për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë (neni 6 i Ligjit të vitit 1992 për zbatimin e legjislacionit të RSFJ-së[14]). Ndonëse dispozitat ligjore përkatëse ishin të papërcaktuara rreth kësaj pike, Banka Kombëtare e Bosnjë-Hercegovinës qe e mendimit se garancia e marrë kështu përsipër mbulonte vetëm fondet e depozituara nëpër bankat boshnjake (shih Raportin 63/94 të hartuar nga Banka Kombëtare e Bosnjë-Hercegovinës më 8 gusht 1994[15]).
25. Megjithëse të gjitha fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë mbetën të ngrira gjatë luftës, disa tërheqje lejoheshin prapëseprapë si përjashtim, për arsye humanitare ose arsye të tjera të veçanta (shih rregullat përkatëse[16]).
26. Pas luftës së viteve 1992-1995, asnjë nga entitetet që përbënin Bosnjë-Hercegovinën – Federata e Bosnjë-Hercegovinës (“FBH”) dhe Republika Srpska – nuk nxori ligje lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë. Meqenëse degët në fjalë në këtë çështje ndodheshin në FBH, vetëm legjislacioni i këtij entiteti ka rëndësi për çështjen. Më 1997, FBH-ja e mori vetë në ngarkim garancinë që i mbulonte fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara nëpër bankat dhe degët e vendosura në territorin e saj (neni 3 § 1 i Ligjit të vitit 1997 për pagesën e kreditimeve[17] dhe dekreti i vitit 1999 për pagesën e kreditimeve të personave jo me vendbanim[18]). Ndonëse fondet në fjalë mbeteshin të ngrira, ligji e lejonte përdorimin e tyre për blerjen e banesave shtetërore dhe të ndërmarrjeve publike (neni 18 i Ligjit të vitit 1997 për pagesën e kreditimeve, sipas ndryshimeve të vitit 2004).
27. Më 2004, FBH-ja miratoi një legjislacion të ri me anë të të cilit ajo zotohej t’ua kthente zotëruesve, cilado qoftë shtetësia e tyre, fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat e ndodhura në territorin e saj. Mirëpo, neni 9 § 2 i Ligjit të vitit 2004[19] për shlyerjen e borxheve publike i përjashtonte shprehimisht nga kjo garanci fondet e depozituara në degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s, të Investbanka-s ose të bankave të tjera të huaja, ku i kishin llogaritë e tyre paditësit.
28. Më 2006, detyrimet e marra përsipër nga entitetet lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat boshnjake iu transferuan shtetit. Ky i fundit hodhi poshtë përsëri çdolloj përgjegjësie lidhur me depozitimet e kryera në degët lokale të Ljubljanska Banka Ljubljana-s e të Investbanka-s, por u zotua që t’i ndihmonte klientët e këtyre degëve për t’i marrë mbrapsht paratë e tyre pranë Sllovenisë dhe Serbisë (neni 2 i Ligjit të vitit 2006 për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë[20]). Përveç kësaj, ai u dha fund përmes po këtij ligji të gjitha procedurave lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë (shih nenin 28 të këtij ligji, i cili u shpall si në përputhje me Kushtetutën nga vendimi U 13/06 i miratuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës më 28 mars 2008 (§ 35)).
b) Statusi i degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë dhe të Ljubljanska Banka Sarajevo-s (të themeluar më 1993)
29. Siç vihet në dukje në paragrafin 21 të mësipërm, Ljubljanska Banka Sarajevo u kthye në janar 1990 në një degë të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, e cila i mori të gjitha të drejtat, aktivet dhe pasivet e saj. Nga shënimet në regjistrin e shoqërive del që kjo degë vepronte në emër dhe për llogari të institucionit të saj qendror. Edhe pse shuma e depozitave të kursimit në valutë të regjistruara në llogaritë e kësaj dege arrinin në rreth 250 milionë DEM në fundin e vitit 1991, në atë kohë në dhomën e saj të thesarit kishte në të vërtetë më pak se 350 000 DEM (lëvizjet e fondeve në valutë midis Sarajevës dhe Lubjanës janë përshkruar në paragrafin 18 të mësipërm).
30. Më 1993 u themelua një bankë e re e regjistruar sipas ligjit boshnjak dhe e quajtur Ljubljanska Banka Sarajevo, njëlloj si banka që ishte trashëguar nga dega e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë. Ajo i mori vetë përsipër në mënyrë të njëanshme detyrimet e kontraktuara në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara pranë degës së Sarajevës të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, një bankë e regjistruar sipas ligjit slloven.
31. Më 1994, Banka Kombëtare e Bosnjë-Hercegovinës kreu një inspektim pranë Ljubljanska Banka Sarajevo-s së re, ku ajo zbuloi parregullsi të shumta. Në radhë të parë, ajo vuri re që drejtuesit e kësaj banke nuk ishin emëruar në mënyrë të rregullt dhe që nuk dihej me saktësi se cilët ishin aksionarët. Për rrjedhojë, ajo emëroi një drejtor, të cilin e vuri në krye të bankës. Në radhë të dytë, ajo qe e mendimit se një bankë boshnjake si Ljubljanska Banka Sarajevo nuk mund të merrte përsipër detyrimet e kontraktuara nga një bankë e huaj në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë, duke shpjeguar se një veprim i tillë do të kishte si pasojë që t’i vinte në ngarkim Bosnjë-Hercegovinës disa barra të reja financiare lidhur me garancinë ligjore të dhënë nga shteti për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat boshnjake. Ajo urdhëroi që të bëhej me urgjencë një bilanc i mbylljes së degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë më 31 mars 1992 e që të sqaroheshin lidhjet e kësaj të fundit me institucionin e vet qendror.
32. Sidoqoftë, nga regjistri i shoqërive del që Ljubljanska Banka Sarajevo e re ka mbetur deri në fundin e vitit 2004 përgjegjëse për detyrimet e kontraktuara nga dega e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë që kjo e fundit kishte marrë për depozitim (paragrafi 35 i mëposhtëm). Për rrjedhojë, ajo e vazhdoi deri në këtë kohë administrimin e këtyre fondeve, rreth 3% të të cilave u përdorën në kuadrin e procesit të privatizimit të kryer në FBH (paragrafi 26 i mësipërm). Në një rast të caktuar, ajo u dënua nga një gjykatë civile që t’i kthente paratë një klienti të degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë (Višnjevac k. Bosnjë-Hercegovinës (vend. pran.), nr. 2333/04, 24 tetor 2006).
33. Situata përpara vitit 2004 është cilësuar si “kaotike” nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës (vendimi AP 164/04 i 1 prillit 2006, § 55). Nga ana e saj, Dhoma e të Drejtave të Njeriut e Bosnjë-Hercegovinës – një institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – ka gjykuar se pasiguria juridike që rrethonte gjatë kësaj periudhe çështjen e fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë, sidomos ato që ishin depozituar në degët boshnjake të Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe të Investbanka-s, përbënte një shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës (vendimi CH/98/377 e të tjerë të datës 7 nëntor 2003, § 270).
34. Më 2003, organizmi i kontrollit bankar i FBH-së e vendosi Ljubljanska Banka Sarajevo-n nën administrim të përkohshëm me arsyetimin se kjo bankë e regjistruar sipas ligjit boshnjak mbante disa lidhje të papërcaktuara mirë me Ljubljanska Banka Ljubljana-n, një bankë e huaj që ndodhej në Slloveni.
35. Po atë vit, Parlamenti i FBH-së i bëri Ligjit të vitit 2000 për regjistrin e shoqërive[21] një ndryshim i cili e zgjaste deri në prill 2004 afatin ligjor të fshirjes së shënimeve të bëra në këtë regjistër gjatë luftës. Pak më pas, në nëntor 2004, Gjykata Bashkiake e Sarajevës gjykoi se Ljubljanska Banka Sarajevo nuk ishte trashëgimtarja e degës së Sarajevës të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, një bankë e regjistruar sipas ligjit slloven, dhe se ajo nuk ishte përgjegjëse për detyrimet e kontraktuara nga kjo e fundit në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të cilat i kishte marrë për depozitim. Për rrjedhojë, ajo urdhëroi fshirjen e shënimeve të kundërta që ishin bërë në regjistrin e shoqërive më 1993.
36. Më 2006, Ljubljanska Banka Sarajevo ia shiti aktivet e saj një shoqërie kroate, e cila mori përsipër si kundërparti që t’i shlyente borxhet e saj. Paralelisht, disa lokale të degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë të vendosura në administrimin e qeverisë së FBH-së në pritje të një vendimi të formës së prerë rreth statusit të kësaj dege iu dhanë me qira po kësaj shoqërie kroate në emër e për llogari të Ljubljanska Banka Ljubljana-s.
37. Më 2010, një gjykatë çeli një procedurë falimentimi kundër Ljubljanska Banka Sarajevo-s në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo procedurë vazhdon të jetë e papërfunduar.
c) Statusi i degës së Investbanka-s në Tuzla
38. Dega e Investbanka-s në Tuzla ka qenë gjithmonë një entitet pa personalitet juridik. Shuma e fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në këtë degë arrinte në rreth 67 milionë USD (ose rreth 100 milionë DEM) më 31 dhjetor 1991. Dega e Investbanka-s në Tuzla u mbyll në qershor 1992 dhe nuk i rinisi më kurrë veprimtaritë e saj. Nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur me fondet që ishin depozituar pranë saj.
39. Më 2002, një gjykatë serbe çeli një procedurë falimentimi kundër Investbanka-s. Autoritetet serbe i shitën lokalet e degëve të Investbanka-s që ndodheshin në FBH – ashtu sikurse kishin shitur më 1999 ato të degëve të kësaj banke që ndodheshin në Republika Srpska –, duke tërhequr për shembull 2 140 650 EUR nga shitja e lokaleve në Džafer Mahala, në Tuzla. Duket se procedura e falimentimit e drejtuar kundër Investbanka-s vazhdon të jetë e papërfunduar.
40. Më 2010, Qeveria e FBH-së vendosi t’i marrë nën administrimin e vet lokalet dhe arkivat e degëve të Investbanka-s që ndodheshin në FBH. Megjithatë, duket se Investbanka nuk kishte më lokale dhe arkiva në FBH.
41. Më 2011, me kërkesën e autoriteteve të FBH-së, autoritetet serbe nisën një hetim penal për të përcaktuar se si ishin transferuar në Serbi më 2008 arkivat e degës së Tuzlas.
2. Kroacia
a) Masat lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë
42. Qeveria kroate pohon se ua ka kthyer pronarëve – cilado qoftë shtetësia e tyre – fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat kroate dhe në degët e tyre jashtë shtetit. Vërtetohet në fakt se Kroacia u ka kthyer disa shtetasve boshnjakë fonde të depozituara nëpër degë bankash kroate të vendosura në Bosnjë-Hercegovinë. Megjithatë, Qeveria sllovene i ka përcjellë Gjykatës disa vendime të Gjykatës së Lartë të Kroacisë (vendimi Rev 3015/1993-2 i dhënë më 1994, dhe vendimet Rev 3172/1995-2 1996 e Rev 1747 /1995-2, të dhënë më 1996) ku vihet në dukje se ky term (građanin) i përdorur në ligj shënon shtetasit kroatë (krahaso me Kovačić me të tjerë, të cituar më lart, § 77).
b) Statusi i degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb
43. Kroacia i lejoi shtetasit e saj që t’i transferonin nëpër banka kroate fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë që ata kishin depozituar pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb (shih nenin 14 të Ligjit të vitit 1993 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë[22] dhe tekstet e nxjerra për zbatimin e tij[23]). Këtë përçapje e paskan bërë afërsisht dy të tretat e kësaj dege. Në mars 2013, Kroacia dhe Sllovenia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ku bëhej thirrje për negociata të reja rreth pikave të trashëgimisë lidhur me paratë e transferuara në këtë mënyrë. Disa nga klientët e degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb që nuk i kishin transferuar nëpër banka kroate depozitat e tyre – shuma e përgjithshme e të cilave arrinte në rreth 300 milionë DEM – ngritën padi civile pranë juridiksioneve kroate. Gjashtëdhjetë e tre prej tyre i morën mbrapsht paratë e tyre në përfundim të një shitjeje gjyqësore aktivesh të kësaj dege të cilat ndodheshin në Kroaci (shih vendimet e dhëna nga Gjykata Bashkiake e Osijekut më 8 prill 2005 dhe më 15 qershor 2010[24], si edhe Kovačić me të tjerë, i cituar më lart, §§ 122-133). Të tjerët nisën padi civile pranë juridiksioneve sllovene, disa prej të cilave vazhdojnë të jenë të papërfunduara (paragrafi 51 i mëposhtëm). Qeveria kroate ka paraqitur dokumente zyrtare nga të cilat del që Ljubljanska Banka Ljubljana dhe dega e saj e Zagrebit nuk zotërojnë më aktive në Kroaci.
3. Serbia
a) Masat lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë
44. Fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat serbe mbetën të ngrira pas shpërbërjes së RSFJ-së. Megjithatë, kursimtarëve u lejohej që të bënin disa tërheqje si përjashtim, për arsye humanitare, cilatdo që të ishin shtetësia e tyre dhe vendndodhja e degëve ku ata ishin klientë (shih rregullat përkatëse[25]). Përveç kësaj, drejtësia serbe ka gjykuar të paktën në një rast se bankat me seli në Serbi ishin përgjegjëse për detyrimet e kontraktuara në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e tyre që ndodheshin në Bosnjë-Hercegovinë (Šekerović k. Serbisë (vend. pran.), nr. 32472/03, 4 janar 2007).
45. Më 1998, pastaj më 2002, Serbia u zotua që t’i shlyente, pjesërisht në të holla e pjesërisht në obligacione shtetërore, fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët serbe të bankave serbe nga qytetarët e saj dhe nga shtetasit e atyre shteteve që nuk ishin shtete trashëgimtare të RSFJ-së, si edhe ato të depozituara në degët e bankave serbe jashtë shtetit (si dega e Investbanka-s në Tuzla). Parashikohej që obligacionet në fjalë të maturoheshin më 2016, të paguheshin me dymbëdhjetë këste vjeçare dhe të sillnin një interes prej 2% në vit (neni 4 i Ligjit të vitit 2002 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë[26]). Shumat që do t’u paguheshin kursimtarëve në fjalë duhej të ishte e barabartë me shumën nominale të depozitave të tyre të shtuara me interesat sipas përqindjes fillestare të fituar më 31 dhjetor 1997 dhe me interesat me përqindjen 2% në vit të fituar që prej asaj date (neni 2 i të njëjtit ligj).
46. Ndërkohë, fondet e tjera “të dikurshme” të kursimit në valutë – ato të depozituara nga shtetasit e shteteve të tjera trashëgimtare në të gjitha degët e bankave serbe që ndodheshin në Serbi ose jashtë shtetit, dhe ato të depozituara nga qytetarët serbë në degët e bankave serbe jashtë shtetit – duhej të mbeteshin të ngrira në pritje të përfundimit të negociatave rreth trashëgimisë (paratë e paditësit të tretë i përkasin kësaj kategorie fondesh). Përveç kësaj, nenet 21 e 22 të Ligjit të vitit 1998 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë[27] dhe nenet 21 e 36 të Ligjit të vitit 2002 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë u dhanë fund të gjitha procedurave lidhur me këto fonde.
b) Statusi i Investbanka-s dhe i degëve të saj
47. Sipas regjistrit të shoqërive, Investbanka është një shoqëri publike. Ajo i nënshtrohet kontrollit të Agjencisë Serbe për Garantimin e Depozitave. Si entitet publik, asaj i është dashur të heqë dorë nga kreditimet e mëdha që ajo kishte në ndërmarrje publike dhe shoqëri kolektive në mënyrë që këto të fundit të mund të privatizoheshin, në përputhje me ligjin e vitit 2001 për privatizimin[28]. Në janar 2002, kundër saj u çel një procedurë falimentimi, e cila është ende e papërfunduar. Disa qindra klientë të degëve boshnjake të kësaj banke u përpoqën më kot të merrnin paratë e tyre në kuadrin e kësaj procedure. Më pas, njëzet prej tyre nisën padi civile, por pa arritur më shumë sukses.
4. Sllovenia
a) Masat lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë
48. Më 1991, Sllovenia e mori vetë përsipër garancinë ligjore të dhënë nga RSFJ-ja në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët sllovene të të gjitha bankave (duke përfshirë Investbanka-n dhe banka të tjera të huaja), cilado që të ishte shtetësia e depozituesve për të cilët bëhej fjalë (shih nenin 19 § 3 të ligjit kushtetues të vitit 1991 lidhur me Aktin Kushtetues Themelor për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Republikës së Sllovenisë – “Ligji Kushtetues i vitit 1991”[29]), dhe i ktheu në borxh publik borxhet e bankave ndaj depozituesve (Ligji i vitit 1993 për llogaritë e dikurshme të kursimit në valutë[30]). Ajo u zotua t’u kthente kursimtarëve në fjalë shumën nominale të depozitave të tyre të shtuar me interesat në përqindjen fillestare të fituar më 31 dhjetor 1990 dhe me interesat në përqindjen prej 6% në vit të fituar gjatë periudhës nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 1992 (neni 2 i Ligjit të vitit 1993 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë). Përqindja e interesave të fituara pas kësaj date të fundit varej nga mënyra e shlyerjes – në të holla ose me obligacione shtetërore – e zgjedhur prej depozituesve. Këta të fundit mund të zgjidhnin në fakt ose obligacionet shtetërore që maturoheshin më 2003, të cilat paguheshin me njëzet këste gjashtëmujore dhe ishin me një interes prej 5% në vit, ose shlyerjen me para në dorë – që paguhej me dhjetë këste gjashtëmujore nga bankat ku ata ishin klientë – të shtuar me interesa në përqindjen e tregut të rritur me 0,25%, rast në të cilin bankave në fjalë u jepeshin obligacione shtetërore. Disa depozitues zgjodhën që të shlyheshin me obligacione shtetërore me arsyetimin se këto të fundit u jepnin atyre mundësi të blinin banesa shtetërore ose aksione ndërmarrjesh publike, si edhe të paguanin taksat dhe kuotizacionet e tyre për pension.
b) Statusi i Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe i degëve të saj
49. Pak kohë pasi shpalli pavarësinë e saj, Sllovenia e shtetëzoi Ljubljanska Banka Ljubljana-n, pastaj, më 1994, e ristrukturoi atë në bazë të një ndryshimi të bërë në Ligjin Kushtetues të vitit 1991. Shumica e aktiveve të kësaj banke dhe një pjesë e pasivit të saj iu kaluan një banke të re, Nova Ljubljanska Banka-s (shih nenin 22 b) të Ligjit Kushtetues të vitit 1991, pjesët përkatëse të të cilit riprodhohen në paragrafin 54 të mëposhtëm). Ljubljanska Banka Ljubljana e dikurshme mbeti përgjegjëse për detyrimet e kontraktuara në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e vendosura në shtetet e tjera trashëgimtare dhe i ruajti kreditimet që u përgjigjeshin atyre pranë BKJ-së (po aty). Mbi bazën e Ligjit Kushtetues të vitit 1991, drejtësia sllovene dha një numër të caktuar vendimesh të cilat e dënonin Ljubljanska Banka Ljubljana-n e dikurshme që t’ua kthente klientëve të degës së saj të Sarajevës fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë që ata kishin depozituar aty. Ajo çmoi nga ana tjetër se shteti slloven nuk mbante asnjë përgjegjësi në këtë drejtim (shih vendimet e Gjykatës së Lartë II Ips 415/95 të 27 shkurtit 1997, II Ips 613/96 të 1 prillit 1998, dhe II Ips 490/97 të 21 janarit 1999). Ish-Ljubljanska Banka Ljubljana administrohej fillimisht nga Agjencia për Ristrukturimin e Sektorit Bankar. Ajo është vendosur tashmë nën kontrollin e Fondit për Trashëgiminë, një agjenci qeveritare sllovene.
50. Më 1997, të gjitha procedurat në lidhje me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s të ndodhura në shtetet e tjera trashëgimtare u pezulluan në pritje të përfundimit të negociatave rreth trashëgimisë, me përjashtim të procedurave të ndjekura pranë Gjykatës së Lartë në shkallë të tretë (shih Ligjin e vitit 1993 rreth Fondit për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë[31], me ndryshimet e vitit 1997, si edhe Ligjin e vitit 2006 rreth Fondit për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë dhe rreth Përfaqësuesit të Lartë për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë[32]). Me kërkesë të dy kursimtarëve kroatë, Gjykata Kushtetuese sllovene gjykoi në dhjetor 2009 se kjo masë ishte jo kushtetuese[33].
51. Që prej asaj kohe, Gjykata e Qarkut të Lubjanës ka dhënë shumë vendime që e dënonin ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-n për t’i kthyer fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara në degën e saj të Sarajevës të shtuara me interesat e fituar (shih, për shembull, vendimin P 119/1995-I të 16 nëntorit 2010, që mori fuqinë e gjësë së gjykuar më 4 janar 2012 pasi u la në fuqi nga Gjykata e Apelit e Lubjanës, si edhe vendimet P 9/2007-II të 7 dhjetorit 2010 e P 1013/2012-II të 10 janarit 2013). Në këto vendime, kjo gjykatë saktësoi se, sipas të drejtës së RSFJ-së, degët vepronin në emër e për llogari të institucionit të tyre qendror dhe se, sipas legjislacionit slloven, ish-Ljubljanska Banka Ljubljana mbetej përgjegjëse për zotimet e marra në lidhje me fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara pranë degës së saj të Sarajevës. Ajo gjykoi se fakti që një bankë me të njëjtin emër –Ljubljanska Banka Sarajevo – i kishte marrë përsipër më 1993 detyrimet e kontraktuara nga ish-Ljubljanska Banka Ljubljana në lidhje me fondet e kursimit të depozituara pranë degës së Sarajevës (paragrafi 30 i mësipërm) ishte pa interes përderisa ky veprim nuk ishte miratuar nga banka-amë ose nga depozituesit në fjalë dhe se, gjithsesi, një gjykatë boshnjake e kishte urdhëruar më 2004 fshirjen e shënimeve për pasqyrimin e këtij veprimi të bëra në regjistrin e shoqërive më 1993 (paragrafi 35 i mësipërm). Së fundi, Gjykata e Qarkut të Lubjanës qe e mendimit se xhirimet e fondeve në valutë te llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit me anë të sistemit të dërgesës të përshkruar këtu më lart ishin pa lidhje me çështjen.
5. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë
52. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ua ka shlyer pronarëve, cilado që të ishte shtetësia e tyre, fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara në bankat maqedonase dhe në degët maqedonase të bankave të huaja (si dega e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Shkup[34]).
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
53. Siç vihet në dukje në paragrafin 22 të mësipërm, tërheqjeve të fondeve të kursimit në valutë u ishin vënë disa kufizime përpara shpërbërjes së RSFJ-së. Për shembull, neni 17 c) i vendimit të miratuar nga BKJ-ja në janar 1991[35], i cili u gjykua si jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e RSFJ-së në prill 1992, ishte i hartuar kështu:
“Bankat e autorizuara ua paguajnë depozituesve jugosllavë fondet në valutë të depozituara në llogaritë e tyre në valutë (...) me kusht që depozituesit në fjalë t’i kenë njoftuar ato për qëllimin e tyre për t’i disponuar këto fonde. Pagesat kryhen sipas mënyrave të mëposhtme:
i) për shuma që nuk i kapërcejnë 500 DEM: pas një afati prej pesëmbëdhjetë ditësh për tërheqjen e parë, dhe pas një afati prej tridhjetë ditësh për tërheqjet e mëpasshme;
ii) për shuma që nuk i kapërcejnë 1 000 DEM: pas një afati prej tridhjetë ditësh për tërheqjen e parë, dhe pas një afati prej dyzet e pesë ditësh për tërheqjet e mëpasshme;
iii) për shuma që nuk i kapërcejnë 3 000 DEM: pas një afati prej nëntëdhjetë ditësh;
iv) për shuma që nuk i kapërcejnë 8 000 DEM: pas një afati prej njëqind e tetëdhjetë ditësh.”
Nenet 8 § 6 e 17 të vendimit të cituar më lart i përjashtonin gjithsesi nga përfitimi i kësaj dispozite mërgimtarët jugosllavë që, ashtu si paditësit, jetonin dhe punonin jashtë shtetit. Pazotësia në të cilën gjendeshin paditësit për t’i tërhequr paratë e depozituara në llogaritë e tyre rrjedh nga disa dispozita të së drejtës së brendshme të parashtruara këtu më poshtë sipas rendit kronologjik.
54. Pjesët përkatëse të Ligjit Kushtetues të Sllovenisë, me ndryshimet e vitit 1994, janë të formuluara kështu:
Hyrje
“Duke pasur parasysh ngurrimet e disa shteteve që janë krijuar në territorin e ish-[RSFJ-së] dhe të bankave që ndodhen brenda kufijve të tyre përkatës;
Duke pasur parasysh se disa arsye të rendit praktik e juridik të lidhura me luftën që ka pllakosur në një pjesë të territorit të ish-RSFJ-së, sanksionet ndërkombëtare që kanë goditur “RFJ-në” (Serbi-Mali i Zi), shembjen e sistemit financiar dhe ekonomik të disave nga shtetet trashëgimtare, si edhe përdorimin e aktiveve financiare të RSFJ-së nga “RFJ-ja” për të financuar luftën e agresionit e pengojnë tani për tani përfundimin e një marrëveshjeje rreth trashëgimisë lidhur me mjetet e me zotimet financiare të ish-RSFJ-së;
(...)
Me qëllim që, përmes negociatës me kreditorët e huaj, të gjendet një zgjidhje e drejtë për marrjen përsipër të një pjese të duhur të borxheve shtetërore të ish-RSFJ-së në rastet kur përfituesit përfundimtarë të kreditimeve përkatëse nuk mund të përcaktohen (...)”
Neni 22 b)
“Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Kreditna Banka Maribor i transferojnë veprimtaritë dhe aktivet e tyre përkatëse në bankat e reja të krijuara në bazë të këtij ligji.
Pa i dëmtuar dispozitat e paragrafit të mësipërm, Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Kreditna Banka Maribor:
(...)
iii) mbeten plotësisht përgjegjëse për detyrimet e kontraktuara lidhur me llogaritë rrjedhëse në valutë dhe me llogaritë e kursimit në valutë për të cilat Qeveria e Sllovenisë nuk ka e dhënë garancinë e saj;
(...)
v) i ruajnë kreditimet që u përgjigjen këtyre detyrimeve.
Ljubljanska Banka Ljubljana i mban lidhjet e saj me degët e agjencitë e veta të vendosura në republikat e tjera që janë krijuar në territorin e ish-RSFJ-së dhe e ruan pjesën që u përgjigjet kreditimeve të zotëruara pranë Bankës Kombëtare të Jugosllavisë në lidhje me llogaritë e kursimit në valutë.”
55. Pjesët përkatëse të Ligjit të vitit 1993 të Fondit për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë, të ndryshuar më 1997, shprehen kështu:
Neni 1
“Krijohet një Fond për Trashëgiminë i Republikës së Sllovenisë (më tej “Fondi”) për vjeljen e kredive dhe shlyerjen e borxheve të Republikës së Sllovenisë dhe të atyre të personave fizikë dhe juridikë të vendosur në territorin e saj në kuadër të procesit të ndarjes së të drejtave, aktiveve dhe detyrimeve të RSFJ-së.”
Neni 15 č) 1)
“Gjykatat i pezullojnë kryesisht procedurat gjyqësore dhe procedurat e papërfunduara përmbarimore lidhur me një veprim juridik apo me një vendim gjyqësor përmbarimi të drejtuar kundër personave me qendër ose me banim në Slloveni nga ana e kreditorëve apo kërkuesve me qendër ose banim në (...) një republikë të ish-RSFJ-së (...)”
56. Pjesët përkatëse të Ligjit serb të vitit 2002 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë janë të hartuara kështu:
Neni 21 § 1
“Shtetasit e [Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë dhe ish‑Republikës Jugosllave të Maqedonisë] që zotërojnë fonde të dikurshme kursimi në valutë të depozituara nëpër banka që e kanë selinë e tyre në Serbi-Mal të Zi[36] dhe shtetasit e këtij shteti që zotërojnë fonde në valutë të depozituara në degët e këtyre bankave të cilat ndodhen në [Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe ish‑Republikën Jugosllave të Maqedonisë] do t’i marrin mbrapsht kreditimet e tyre sipas modaliteteve për të cilat do të bihet dakord nga shtete trashëgimtare të RSFJ-së.”
Neni 36
“Ky ligj u jep fund të gjitha procedurave – duke përfshirë edhe përmbarimin – në lidhje me fondet e kursimit në valutë.”
57. Neni 2 i Ligjit boshnjak të vitit 2006 për fondet e dikurshme të kursimit në valutë shprehet kështu:
“1. Për këtë ligj, me shprehjen “fonde të dikurshme kursimi në valutë” kuptohen fondet e kursimit në valutë që mbaheshin më 31 dhjetor 1991 nga bankat e ndodhura në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, të shtuara me interesat e fituara deri në atë datë, duke iu zbritur atyre pagesat e kryera pas kësaj date dhe fondet e transferuara në llogari të posaçme privatizimi.
2. Nga kategoria e fondeve të dikurshme të kursimit në valutë, e përkufizuar në paragrafin e mësipërm, përjashtohen fondet e kursimit në valutë të depozituara në degët e Ljubljanska Banka-s, të Investbanka-s ose të institucioneve të tjera të huaja bankare të vendosura në territorin e Bosnjë-Hercegovinës.
3. Në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2001 për Çështjet e Trashëgimisë, fondet e kursimit në valutë të përkufizuara në paragrafin 2 të mësipërm i përkasin përgjegjësisë së shteteve trashëgimtare ku e kanë selinë bankat e sipërpërmendura. Në kuadrin e veprimtarive të saj ndërkombëtare, Bosnjë-Hercegovina do t’u japë ndihmën e saj zotëruesve të llogarive të lartpërmendura (...)”
58. Neni 23 i Ligjit të vitit 2006 rreth Fondit për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë dhe Përfaqësuesit të Lartë për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë formulohej kështu:
“1) Vendimet e dhëna nga juridiksionet sllovene në zbatim të Ligjit të vitit 1993 rreth Fondit për Trashëgiminë të Republikës së Sllovenisë, i cili i pezullonte procedurat lidhur me fondet e kursimit në valutë të depozituara në bankat tregtare ose në degët e tyre të ndodhura në cilindo nga shtetet trashëgimtare të ish-RSFJ-së, mbeten në fuqi. Ato procedura në fjalë të cilat mund të jenë rinisur pezullohen përsëri ose shtyhen për më vonë.
2) Procedurat e përmendura në paragrafin e mësipërm do të rinisin automatikisht pasi pika e garancive të dhëna nga RSFJ-ja ose BKJ-ja në lidhje me fondet e kursimit në valutë të jetë zgjidhur në përputhje me nenin 7 të aneksit C të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë.”
Kjo dispozitë është shpallur si jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë më 3 dhjetor 2009.
E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
I. E DREJTA NDËRKOMBËTARE E TRASHËGIMISË SË SHTETEVE
59. Trashëgimia e shteteve përcaktohet, të paktën pjesërisht, nga disa rregulla të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme të pasqyruara në Konventën e Vjenës të vitit 1978 për Trashëgiminë e Shteteve lidhur me Pasuritë, Arkivat dhe Borxhet Shtetërore[37]. Ndonëse i fundit nga këto instrumente nuk ka hyrë ende në fuqi dhe palë në të janë vetëm tre nga shtetet e paditura në këtë çështje (Kroacia, Sllovenia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), në të drejtën ndërkombëtare është e përcaktuar mirë se, edhe pa u ratifikuar, një dispozitë e një traktati mund të ketë fuqi detyruese në qoftë se ajo pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore, qoftë duke e “kodifikuar” këtë të fundit, qoftë duke bërë që të lindin rregulla të reja zakonore (Cudak k. Lituanisë [DhM], nr. 15869/02, § 66, GjEDNj 2010, dhe Platforma kontinentale e Detit të Veriut, vendim i 20 shkurtit 1969, Gj.N.D. Përmbledhje 1969, § 71).
60. Detyrimi për të negociuar në mirëbesim për të mbërritur në një marrëveshje përbën parimin bazë për zgjidhjen e aspekteve të ndryshme të trashëgimisë (shih mendimin nr. 9 të dhënë nga Komisioni i Arbitrazhit i Konferencës Ndërkombëtare për Paqen në Jugosllavi[38] dhe nenin 6 të Rezolutës rreth Trashëgimisë së Shteteve lidhur me Pasuritë dhe Borxhet të miratuar nga Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare – “Rezoluta e vitit 2001”). Në mungesë të një marrëveshjeje, parimi i territorialitetit ka një rëndësi thelbësore për sa i përket trashëgimisë së pasurive shtetërore (neni 18 i Konventës së Vjenës të vitit 1983 dhe neni 16 i Rezolutës së vitit 2001). Në lëmin e trashëgimisë së borxheve shtetërore, parimi që zbatohet është ai i “përpjesëtimit të drejtë”. Dispozita përkatëse e Konventës së Vjenës të vitit 1983, konkretisht neni i saj 41, shprehet kështu:
“Kur një shtet shpërbëhet e pushon së qeni dhe pjesët e territorit të shtetit paraardhës formojnë dy apo disa shtete trashëgimtare, në qoftë se shtetet trashëgimtare nuk bien dakord për të vepruar ndryshe, borxhi shtetëror i shtetit paraardhës u kalon shteteve trashëgimtare në përpjesëtime të drejta, duke marrë parasysh veçanërisht pasuritë, të drejtat dhe interesat që u kalojnë shteteve trashëgimtare në marrëdhënie me këtë borxh shtetëror.”
Edhe neni 23 § 2 i Rezolutës së vitit 2001 përcakton gjithashtu se parimi i “përpjesëtimit të drejtë” është parimi udhëheqës në fushën e trashëgimisë së borxheve:
“Në mungesë të një marrëveshjeje rreth kalimit të borxheve shtetërore të shtetit paraardhës, të çfarëdo kategorie qofshin këto borxhe, kalimi i tyre bëhet në një përpjesëtim të drejtë, duke marrë parasysh veçanërisht pasuritë, të drejtat dhe interesat që u kalojnë në marrëdhënie me këtë borxh shtetit ose shteteve trashëgimtare.”
Sidoqoftë, nenet 27 deri 29 të Rezolutës së vitit 2001 vendosin një dallim ndërmjet borxheve kombëtare, borxheve të lokalizuara dhe borxheve lokale dhe parimin e territorialitetit e zbatojnë posaçërisht për këto të fundit.
Neni 27: Borxhet kombëtare
“1. Borxhet shtetërore të kontraktuara nga shteti paraardhës në fitim të shtetit të plotë (borxhet kombëtare) u nënshtrohen rregullave të nenit 22 e vijues të kësaj Rezolute.
2. Borxhet e institucioneve dhe të ndërmarrjeve publike që kanë një fushë veprimtarie në nivel kombëtar u nënshtrohen të njëjtave rregulla, pavarësisht nga selia e këtyre institucioneve ose ndërmarrjeve.”
Neni 28: Borxhet e lokalizuara
“1. Borxhet shtetërore të marra për projekte ose objekte të veçanta për një krahinë specifike që janë kontraktuar nga shteti paraardhës ose nga një institucion a ndërmarrje publike e këtij shteti që ka një fushë veprimtarie kombëtare (borxhe kombëtare të lokalizuara), u nënshtrohen rregullave të nenit të mësipërm.
2. Megjithatë, ndarja e këtij borxhi me drejtësi duhet të marrë parasysh kalimin e pasurive (objekteve/instalimeve) të lidhura me borxhin si edhe fitimin e krijuar nga këto pasuri për shtetin trashëgimtar në territorin e të cilit ato ndodhen.”
Neni 29: Borxhet lokale
“1. Borxhet e institucioneve publike lokale (komuna, krahina, entitete të federuara, departamente, shërbime publike dhe institucione të tjera krahinore dhe vendore) i kalojnë shtetit trashëgimtar në territorin e të cilit ndodhen këto institucione.
(...)
6. Shteti paraardhës dhe shteti ose shtetet trashëgimtare mund të bien dakord me anë marrëveshjeje për kalimin e borxheve lokale sipas mënyrash të ndryshme. Për sa u përket borxheve private, kreditorët e këtyre të fundit duhet të marrin pjesë formalisht në hartimin dhe në përfundimin e kësaj marrëveshjeje.”
Së fundi, pjesët përkatëse të Rezolutës së vitit 2001 lidhur me pasojat e trashëgimisë shtetërore ndaj personave privatë shprehen kështu:
Neni 24 §§ 1 e 2
“1. Një trashëgimi shtetesh nuk duhet t’i cenojë të drejtat dhe detyrimet e kreditorëve dhe debitorëve privatë.
2. Shtetet trashëgimtare kanë detyrimin që ta njohin në rendin e tyre juridik ekzistencën e të drejtave dhe të detyrimeve të kreditorëve që kanë qenë të vendosur brenda rendit juridik të shtetit paraardhës.”
Neni 25
“Shtetet trashëgimtare kanë detyrimin që t’i respektojnë sa më shumë që të jetë e mundur të drejtat e fituara të personave privatë brenda rendit juridik të shtetit paraardhës.”
II. MARRËVESHJA PËR ÇËSHTJET E TRASHËGIMISË DHE PRAKTIKA PËRKATËSE NË KËTË FUSHË
61. Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë është fryt i gati dhjetë vjetëve negociata të kryera nën kujdesin e Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe të Përfaqësuesit të Lartë, një administrator ndërkombëtar i caktuar në zbatim të Aneksit 10 të Marrëveshjes-Kuadër të Përgjithshme për Paqen në Bosnjë-Hercegovinë. E nënshkruar më 29 qershor 2001, ajo ka hyrë në fuqi më 2 qershor 2004 ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë-Malit të Zi (që më vonë është trashëguar nga Serbia), Sllovenisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
62. Pika lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë ishte objekt konflikti. Pikëpamjet e shteteve trashëgimtare nuk pajtoheshin lidhur me faktin nëse ajo duhej të zgjidhej në këndvështrimin e zotimeve të RSFJ-së në kuptimin e Aneksit C (pasuri e zotime financiare) të Marrëveshjes apo nëse ishte çështje e së drejtës private dhe i përkiste për pasojë regjimit të parashikuar në Aneksin G (pasuri private dhe të drejta të fituara[39]). Shtetet në fjalë kishin gjithashtu mosmarrëveshje lidhur me pikën nëse garancia e RSFJ-së që mbulonte fondet “e dikurshme” në valutë duhej të merrej përsipër nga shteti i selisë shoqërore të bankës-amë në fjalë apo nga shteti në të cilin ishin depozituar efektivisht fondet. Më në fund, në Aneksin C të Marrëveshjes u futën dispozitat e mëposhtme:
Neni 2 § 3 a)
“Zotimet e tjera financiare [të RSFJ-së] përfshijnë:
a) Garancitë e RSFJ-së ose të Bankës Kombëtare të Jugosllavisë që shërbenin për të mbuluar kursimin në valuta të forta të depozituar pranë bankave tregtare dhe agjencive të tyre të ndodhura në territorin e cilitdo nga shtetet trashëgimtare përpara datës në të cilën ky i fundit ka shpallur pavarësinë e tij;
(...)”
Neni 7
“Garancitë e RSFJ-së ose të Bankës Kombëtare të Jugosllavisë që shërbenin për të mbuluar kursimin në valutë të depozituar pranë një banke tregtare apo cilësdo prej agjencive të saj në territorin e një shteti trashëgimtar përpara datës në të cilën ky i fundit ka shpallur pavarësinë e tij do të negociohen menjëherë, duke marrë veçanërisht parasysh nevojën për ta mbrojtur kursimin në valutë të individëve. Kjo negociatë do të zhvillohet nën kujdesin e Bankës së Shlyerjeve Ndërkombëtare.”
63. Më 2001-2002 u mbajtën katër cikle negociatash kushtuar ndarjes së garancive të dhëna nga RSFJ-ja për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë. Meqenëse shtetet trashëgimtare nuk arritën ndonjë marrëveshje, Banka e Shlyerjeve Ndërkombëtare (“BShN”) i informoi ato që eksperti i saj – Z. Meyer – kishte vendosur t’i jepte fund mandatit të tij dhe që ajo çmonte se asaj nuk i mbetej më të luante kurrfarë roli në ato negociata, duke shtuar sidoqoftë se:
“Në qoftë se pesë shtetet trashëgimtare do të vendosnin megjithatë në të ardhmen që t’i çelnin përsëri negociatat lidhur me garancitë që i mbulonin fondet në valuta të forta dhe të kërkonin ndihmën e BShN-së, kjo e fundit do të ishte e gatshme t’u jepte atyre ndihmë sipas disa kushteve për të cilat duhej rënë dakord[40].”
Duket se pak kohë më vonë të gjitha shtetet trashëgimtare, me përjashtim të Kroacisë, e njoftuan BShN-në rreth qëllimit të tyre për t’i vazhduar negociatat. Ashtu veproi edhe Kroacia në tetor 2010 dhe, në nëntor 2010, ajo mori një përgjigje pjesët përkatëse të së cilës shpreheshin kështu:
“ (...) BShN-ja e ka rishqyrtuar këtë çështje kohët e fundit. Ajo çmon se ndihmesa e saj për një cikël të ri negociatash në kuadrin e një misioni shërbimesh dashamirëse nuk do të sillte asgjë dhe ka parasysh në këtë drejtim periudhën kohore që ka kaluar që prej ciklit të fundit të negociatave si edhe përparësitë e saj të tanishme në fushën e stabilitetit monetar e financiar. Gjithsesi, ajo dëshiron të vërë në dukje se mbledhjet dy herë në muaj që mbahen në lokalet e saj në Bazel u japin udhëheqësve të shteteve trashëgimtare rastin për të diskutuar për këtë çështje midis tyre në mënyrë jozyrtare[41].”
64. Është e udhës të vihet në dukje se një pikë analoge e problemit që shtrohet në çështjen në fjalë, ajo e garancive të dhëna nga RSFJ-ja për depozitimet e kryera pranë Arkës Postare të Kursimit dhe agjencive të saj, është zgjidhur jashtë negociatave që kanë përfunduar me Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë, meqenëse secili nga shtetet trashëgimtare pranoi t’i merrte vetë përsipër këto garanci lidhur me degët që ndodheshin në territorin e vet.
65. Asetet financiare të RSFJ-së janë ndarë ndërmjet shteteve trashëgimtare sipas formulës së mëposhtme të shpërndarjes (në zbatim të nenit 5 të Aneksit C të Marrëveshjes): 15,5% për Bosnjë-Hercegovinën, 23% për Kroacinë, 7,5% për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, 16% për Slloveninë, 38% për Serbinë-Malin e Zi (që më vonë u trashëgua nga Serbia). Duket se pothuajse të gjitha fondet në valutë të depozituara në llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit – ose rreth 237 milionë USD në banka amerikane dhe rreth 221 milionë USD në banka të tjera – janë ndarë midis shteteve trashëgimtare sipas po kësaj formule shpërndarjeje gjatë periudhës 2003-2012[42].
66. Në përputhje me nenin 4 të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë, u krijua një Komitet i Përbashkët i Përhershëm i përbërë nga përfaqësues të lartë të secilit prej shteteve trashëgimtare me misionin për t’u kujdesur për zbatimin efektiv të Marrëveshjes e për të shërbyer si forum i përshtatshëm për shqyrtimin e pikave të ndryshme lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ky komitet është mbledhur tri herë: më 2005, më 2007 dhe më 2009.
67. Me rëndësi për çështjen në fjalë janë gjithashtu edhe dispozitat e mëposhtme:
Neni 5
“1) Mosmarrëveshjet që mund të lindin lidhur me interpretimin e me zbatimin e kësaj marrëveshjeje duhet të zgjidhen, në radhë të parë, me anë diskutimesh ndërmjet shteteve në fjalë.
2) Në rast se mosmarrëveshjet nuk mund të zgjidhen nëpërmjet diskutimesh të tilla brenda një afati njëmujor duke filluar nga njoftimi i parë i paraqitur në kuadër të këtyre diskutimeve, shtetet në fjalë duhet që:
a) ose t’i drejtohen për këtë pikë një personaliteti të pavarur të zgjedhur prej tyre, me qëllim që për atë pikë të merret një vendim i shpejtë e që shërben si model, i cili duhet të respektohet dhe në të cilin, në rast nevoje, të caktohen afate të sakta për masat që duhet të merren;
b) ose t’i drejtohen për këtë pikë, për zgjidhje, Komitetit të Përbashkët të Përhershëm të krijuar në bazë të nenit 4 të kësaj marrëveshjeje.
3) Mosmarrëveshjet që mund të lindin në praktikë lidhur me interpretimin e termave të përdorur në këtë marrëveshje ose në çdo marrëveshje tjetër të mëvonshme që nevojitet për vënien në jetë të anekseve të Marrëveshjes së lartpërmendur do të mund t’i nënshtrohen për më tepër, me nismën e cilitdo nga shtetet në fjalë, një eksperti të vetëm (i cili nuk duhet të jetë shtetas i asnjërës nga palët e kësaj marrëveshjeje) të emëruar me mirëkuptim nga palët në mosmarrëveshje ose, në mungesë të këtij mirëkuptimi, nga Kryetari i Gjykatës së Pajtimit dhe të Arbitrazhit në gjirin e OSBE-së, me qëllim që ai të propozojë një zgjidhje të lejuar e cila do të ketë fuqi detyruese. Eksperti do të vendosë për të gjitha pikat e procedurës pasi të jetë këshilluar, nëse e gjykon të përshtatshme, me palët që i janë drejtuar atij, me synimin e qartë për të mbërritur në një zgjidhje të shpejtë e të efektshme të mosmarrëveshjes.
4) Procedura e parashikuar në paragrafin 3 të këtij neni do të kufizohet rreptësisht në interpretimin e termave të përdorur në marrëveshjet në fjalë dhe nuk do ta lejojë në asnjë rast ekspertin që të shprehet rreth zbatimit praktik të cilësdo nga këto marrëveshje. Në veçanti, procedura e synuar nuk do të zbatohet për dispozitat e mëposhtme:
a) Shtojcën e kësaj marrëveshjeje;
b) Nenet 1, 3 dhe 4 të Aneksit B;
c) Nenin 4 dhe paragrafin 1 të Nenit 5 të Aneksit C ;
d) Nenin 6 të Aneksit D.
5) Paragrafët e mësipërm të këtij neni nuk i ndryshojnë aspak ato drejta e detyrime të Palëve në këtë marrëveshje të cilat rrjedhin nga ndonjë dispozitë e çfarëdoshme shtrënguese në fuqi midis tyre në fushën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.”
Neni 9
“Kjo marrëveshje do të zbatohet prej shteteve trashëgimtare në mirëbesim në përputhje me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe në respekt të së drejtës ndërkombëtare”.
III. JURISPRUDENCA NDËRKOMBËTARE NË FUSHËN E PACTUM DE NEGOTIANDO NË ÇËSHTJET NDËRSHTETËRORE
68. Një pactum de negotiando i kushtëzon palët me detyrimin për të negociuar me qëllim që të arrijnë një marrëveshje, kurse parimi themelor pacta sunt servanda i detyron ato që të negociojnë në frymë mirëbesimi. Në çështjen Greqia k. Republikës Federale të Gjermanisë, Gjykata e Arbitrazhit e Marrëveshjes për Borxhet e Jashtme Gjermane ka dhënë më 26 janar 1972 një vendim pjesët përkatëse të të cilit shprehen kështu (§§ 62-65):
“Sidoqoftë, përfundimi i një pactum de negotiando nuk është pa efekte juridike. Ai nënkupton që secila nga palët përpiqet në frymë mirëbesimi për të arritur në një zgjidhje reciprokisht të kënaqshme përmes kërkimit të një kompromisi, edhe sikur t’i duhet që për këtë të heqë dorë nga disa pozita ku qëndronte fort. Pactum de negotiando nënkupton që secila nga palët të jetë e gatshme për t’u tërhequr nga qëndrimet e saj fillestare në një frymë negociate dhe për t’u bashkuar pjesërisht me ato të palës tjetër. Termat e marrëveshjes nuk mund të interpretohen sikur e lejojnë secilën nga palët që t’i përmbahet qëndrimit të saj fillestar dhe të kërkojë medoemos kapitullimin e plotë të tjetrës. Një qasje e tillë do të ishte e papajtueshme me nocionin e “negociatës” dhe diametralisht e kundërt me qëllimin e ndjekur. Teksa zotohen për të negociuar, palët duhet të kenë synimin që të japin e marrin me njëra-tjetrën për të arritur në një ujdi. Ndonëse neni 19 i bashkuar me paragrafin II të Aneksit I nuk mund të interpretohet sikur u dikton palëve detyrimin absolut për të arritur një marrëveshje, Gjykata çmon se formulimi i këtyre dispozitave i detyron ato për të negociuar e për të bërë lëshime duke u përpjekur në frymë mirëbesimi për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për secilën prej tyre, me qëllimin për t’i dhënë fund kësaj mosmarrëveshjeje të gjatë (...)
Marrëveshja e arritur për të negociuar kërkesat monetare objekt konflikti nënkupton pa tjetër që palët janë të gatshme të marrin parasysh gjetjen e një ujdie. Dhe kjo edhe sikur mosmarrëveshja e tyre të ketë të bëjë jo vetëm me shumën e kreditimeve, por edhe me vetë ekzistencën e tyre, rrethana këto që janë pa ndikim për sa i përket parimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Neni 19 nuk kërkon medoemos që palët t’i zgjidhin çështjet juridike objekt konflikti. Për shembull, ai nuk e merr për të mirëqenë që palët do të bien dakord rreth disa pikave për të cilat kanë kundërshti, në këtë rast ato lidhur me faktin nëse kreditimet objekt konflikti kanë ose jo një ekzistencë juridike, dhe nëse ato janë me karakter publik apo privat. Madje, palët bien në një mendim se këto pika janë objekt mosmarrëveshjeje midis tyre. Megjithatë, pavarësisht nga mospajtimi që kanë rreth kësaj pike, ato janë zotuar të negociojnë me sa të jetë e mundur me qëllim që të arrijnë një marrëveshje ujdie (...)
Gjykata çmon se parimi ku mbështetet zgjidhja e dhënë në çështjen e Platformës Kontinentale të Detit të Veriut është me rëndësi për çështjen në fjalë. Ky parim, i parashtruar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e ripohon kuptimin e zakonshëm të termit “negociatë” dhe e konkretizon atë. Që negociata të ketë njëfarë kuptimi, duhet që ajo të jetë nisur me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje. Sado që, siç e ka vënë tashmë në dukje Gjykata, një marrëveshje për negociatë nuk ua dikton palëve detyrimin për të arritur një marrëveshje ujdie, ajo i detyron ato që të bëjnë përpjekje reale për ta arritur atë.”
69. Në një çështje të kohëve të fundit (Zbatimi i marrëveshjes së përkohshme të 13 shtatorit 1995 (ish‑Republika Jugosllave e Maqedonisë k. Greqisë), vendim i 5 dhjetorit 2011, Gj.N.D. Përmbledhje 2011, § 132), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka përmbledhur jurisprudencën përkatëse në mënyrën e mëposhtme:
“Gjykata ka vënë në dukje se nocioni i negociatës për qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ose detyrimi për të negociuar, është sqaruar nga jurisprudenca e saj dhe ajo e paraardhëses së saj, si edhe nga disa vendime arbitrazhi. Siç e ka saktësuar që më 1931 Gjykata e Përhershme e Drejtësisë Ndërkombëtare në mendimin konsultativ që ka dhënë rreth çështjes së Qarkullimit hekurudhor ndërmjet Lituanisë dhe Polonisë, detyrimi për të negociuar, para së gjithash, nuk është “vetëm [ai] për të nisur negociata, por edhe [ai] për t’i vazhduar ato sa të jetë e mundur, me qëllim që të arrihen marrëveshje”. Sigurisht, kjo gjithsesi nuk nënkupton as “[detyrimin] për t’u marrë vesh” (Qarkullimi hekurudhor ndërmjet Lituanisë dhe Polonisë, mendim konsultativ, 1931, Gj.P.N.D. seria A/B nr. 42, f. 116; shih gjithashtu Uzinat e brumit të letrës në lumin Uruguai (Argjentina k. Uruguait), vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 2010 (I), f. 68, paragr. 150) as domosdoshmërinë për të bërë negociata të gjata (Koncesionet Mavrommatis në Palestinë, vendim nr. 2, 1924, Gj.P.N.D. seria A nr. 2, f. 13). Shtetet kanë megjithatë detyrimin që të sillen në një mënyrë të tillë që “negociatat të kenë kuptim”. Ky kusht nuk plotësohet kur, për shembull, njëra palë ose tjetra “ngul këmbë në qëndrimin e vet pa pasur ndër mend të bëjë asnjë ndryshim” (Platforma Kontinentale e Detit të Zi (Republika Federale e Gjermanisë / Danimarka; Republika Federale e Gjermanisë / Vendet e Ulëta), vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 1969, f. 47, paragr. 85); shih gjithashtu Uzinat e brumit të letrës në lumin Uruguai (Argjentina k. Uruguait), vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 2010 (I), f. 67, paragr. 146) ose u nxjerr pengesa negociatave, për shembull, duke ndërprerë çdolloj komunikimi, duke shkaktuar vonesa të papërligjura, duke mos i marrë parasysh procedurat për të cilat është rënë dakord (Çështja e liqenit Lanoux (Spanjë/Francë) (1957), Përmbledhje e vendimeve të arbitrazhit (PVA), vëll. XII, f. 307). Zhvillimi i negociatave për të arritur një marrëveshje nënkupton gjithashtu që secila palë ta marrë parasysh interesin e palës tjetër (Kompetencat në fushën e zonave të peshkimit (Mbretëria e Bashkuar k. Islandës), themel, vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 1974, f. 33, paragr. 78). Për sa i përket provës së kërkuar për të vërtetuar mungesën e frymës së mirëbesimit (çka do t’i shërbente si bazë njërës palë ose tjetrës për të mbrojtur mendimin se është e çliruar nga detyrimi i përmbarimit), “thjesht dështimi i disa negociatave nuk përbën një element të mjaftueshëm” (arbitrazhi i Tacna-Arica (Kili/Peru) (1925), PVA, vëll. II, f. 930). Ndonëse prova e lartpërmendur mund të sillet përmes elementesh të tërthorta, ajo duhet megjithatë të mbështetet “jo në deduktime të kundërshtueshme, por në elemente të qarta e bindëse që shpien medoemos te një përfundim i tillë” (po aty).”
IV. VENDIMI E-16/11 I DHËNË NGA GJYKATA E DREJTËSISË E SHOQATËS EVROPIANE E SHKËMBIMIT TË LIRË (EFTA) MË 28 JANAR 2013
70. Landsbanki ishte një bankë private e regjistruar sipas së drejtës islandeze, e cila kishte degë në Vendet e Ulëta dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe një prej veprimtarive të së cilës ishte që të hidhte në treg llogari kursimi përmes internetit nën emërtimin “Icesave”. Depozitimet e bëra në këto llogari mbuloheshin nga sistemi i garancisë islandez, holandez ose britanik, sipas rastit.
71. Më 2008, Landsbanki u shemb. Qeveria islandeze nxori urgjentisht disa ligje për të shmangur një krizë të sistemit dhe krijoi një bankë të re, të quajtur “New Landsbanki”. Depozitimet e bëra në Islandë u transferuan te kjo bankë e re, por jo ato që ishin realizuar në Vendet e Ulëta dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Pak pas themelimit të New Landsbanki-t dhe transferimit të depozitave të bëra në Islandë, sistemit islandez të garancisë iu kërkua që t’u kthente kursimtarëve shumat përkatëse, duke përfshirë edhe ato që ishin depozituar në Vendet e Ulëta dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në kundërshtim me ata që kishin kryer depozita në Islandë, kursimtarët që kishin vendosur fonde në degët holandeze dhe britanike të Landsbanki-t nuk u zhdëmtuan nga sistemi islandez i garancisë, por, si përfundim, i morën mbrapsht paratë e tyre nga sistemi i garancisë holandez ose britanik, sipas rastit.
72. Më 2001, Autoriteti i Mbikëqyrjes i Shoqatës Evropiane të Shkëmbimit të Lirë (EFTA) iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë të EFTA-s me pretendimin se, duke mos u kthyer kursimtarëve që kishin bërë depozita në Vendet e Ulëta dhe në Mbretërinë e Bashkuar zhdëmtimin minimal (20 000 euro[43]) brenda afateve të parashikuara, Islanda, shtet palë në Marrëveshjen për Hapësirën Ekonomike Evropiane (“HEE”), u ishte shmangur detyrimeve që rrjedhin nga Direktiva 94/19/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 30 majit 1994 lidhur me sistemet e garancisë së depozitave. Komisioni Evropian ndërhyri në procedurë në përkrahje të Autoritetit të Mbikëqyrjes.
73. Me një vendim të dhënë më 28 janar 2013, Gjykata e Drejtësisë e EFTA-s doli në përfundimin që, megjithëse normat e Bashkimit Evropian lidhur me tregun unik ishin vendosur edhe në rendin juridik të HEE-së, Islanda nuk e kishte shkelur dispozitën e sipërpërmendur. Për t’u shprehur kështu, ajo vuri në dukje veçanërisht se direktiva në fjalë nuk u diktonte shteteve dhe autoriteteve të tyre ndonjë detyrim për zhdëmtim në rast fundosjeje të një sistemi garancie të depozitave të lidhur me një krizë sistemi. Nga ana tjetër, ajo nënvizoi se shtetet gëzonin “një hapësirë të gjerë për vlerësim në zgjedhjet themelore që ato duhej të bënin në fushën e politikës ekonomike në kontekstin e veçantë të një krize sistemi”.
LIGJI
74. Paditësit mbrojnë mendimin se pazotësia në të cilën ata gjenden për të tërhequr fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë që dy të parët prej tyre i kishin depozituar nëpër degë të një banke sllovene të ndodhura në Bosnjë-Hercegovinë dhe që i treti i kishte vënë pranë një dege të një banke serbe të vendosur në të njëjtin shtet përbën një shkelje nga të gjitha shtetet e paditura të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të marrë veçmas dhe të bashkuar me nenin 14 të Konventës. Ata e quajnë veten nga ana tjetër viktima të një shkeljeje të nenit 13 të Konventës.
I. RRETH KËRKESAVE PËR PRAPËSIM PARAPRAK TË NGRITURA NGA QEVERITË
75. Qeveritë e ftojnë Gjykatën që ta rishikojë vendimin me anën e të cilit Dhoma e ka shpallur kërkesëpadinë si të pranueshme më 17 tetor 2011. Secila prej tyre mbron mendimin se paditësit nuk ndodhen në juridiksionin e saj – në kuptimin e nenit 1 të Konventës –, por nën atë të një shteti tjetër të paditur. Madje, Qeveria serbe dhe Qeveria sllovene parashtrojnë se pretendimet e të interesuarve nuk kanë të bëjnë me “pasuri” në kuptimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1, dhe se kërkesëpadia e tyre për pasojë nuk pajtohet ratione materiae me dispozitat e Konventës. Argumentet e paraqitura nga ana e Qeverive përpara Dhomës së Madhe janë identike me ato që ishin parashtruar prej tyre përpara Dhomës (paragrafët 49-50 të vendimit për pranueshmërinë).
76. Paditësit i kundërshtojnë këto teza dhe, duke u mbështetur veçanërisht te përfundimet e Dhomës, e ftojnë Gjykatën që t’i rrëzojë kërkesat për prapësim paraprak të ngritura nga Qeveritë.
77. Dhoma ka dalë në përfundimin se paditësit ndodheshin në juridiksionin e secilit nga shtetet e paditura pasi kishte vënë re se këto të fundit, gjatë negociatave rreth trashëgimisë, e kishin pranuar që fondet “e dikurshme” të kursimit ne valutë ishin të mbuluara nga zotimet financiare të RSFJ-së të cilat ato duhej t’i ndanin midis tyre (paragrafët 38 e 58 të vendimit për pranueshmërinë). Nga ana tjetër, ajo ka vërejtur se e drejta ndërkombëtare i detyronte shtetet trashëgimtare që t’i zgjidhnin me rrugë marrëveshjeje të gjitha aspektet e trashëgimisë (paragrafët 36 e 58 të atij vendimi). Për sa i përket kompetencës ratione materiae të Gjykatës, Dhoma, duke pasur parasysh elementet që kishte në dorë, ka çmuar se nuk kishte asnjë arsye për ta vënë në dyshim faktin që paditësit ishin zotërues të disa fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë shuma e të cilave përkonte me shumat që ata kishin deklaruar. Ajo ka qenë gjithashtu e mendimit, për arsye të ndryshme, se kreditimet e të interesuarve nuk ishin shuar me shpërbërjen e RSFJ-së (paragrafët 52-55 të atij vendimi). Ajo ka theksuar, në veçanti, se legjislacioni i shteteve trashëgimtare nuk i kishte shfuqizuar ose bërë të pavlefshme në ndonjë mënyrë tjetër kreditimet objekt konflikti dhe se askush nuk e kishte vënë kurrë në dyshim që shtetet trashëgimtare ose disa prej tyre do të duhej në fund të fundit t’ua kthenin paratë të interesuarve. Ajo ka shtuar:
“Madje, shtetet trashëgimtare janë zotuar sa e sa herë, me fjalë jo të dykuptimshme, për të vepruar në mënyrë të tillë që personat të cilët ndodhen në të njëjtën situatë si të interesuarit të fitojnë në një mënyrë apo në një tjetër kthimin e fondeve të tyre “të dikurshme” në valutë (shih, a contrario, çështjen Bata k. Republikës Çeke (vend. pran.), nr. 43775/05, 24 qershor 2008, në të cilën shteti i paditur nuk e kishte deklaruar kurrë se i pranonte ose i njihte kërkesat e paditësve dhe ishte treguar armiqësor, që prej rënies së regjimit komunist, ndaj çdolloj kërkese të këtij lloji). Përveç kësaj, shtetet në fjalë e kanë pranuar se fondet “e dikurshme” në valutë bënin pjesë në zotimet financiare të RSFJ-së të cilat ato duhet t’i ndanin midis tyre ashtu siç kishin ndarë midis tyre elemente të tjera të pasivit dhe të aktivit të RSFJ-së (...) Kjo çështje, me veçoritë e saj, ka dallim nga çështje të tjera si X, Y e Z k. Gjermanisë (nr. 7694/76, vendim i Komisionit i 14 tetorit 1977, Décisions et rapports (DR) 12, f. 131), S.C. k. Francës (nr. 20944/92, vendim i Komisionit i 20 shkurtit 1995, DR 80, f. 78), dhe Abraini Leschi me të tjerë k. Francës (nr. 37505/97, vendim i Komisionit i 22 prillit 1998, DR 93, f. 120), te të cilat Komisioni kishte gjykuar se, në mungesë të teksteve zbatuese, traktatet ndërkombëtare objekt konflikti nuk kishin bërë që për paditësit të lindte ndonjë e drejtë për zhdëmtim e tillë që të përfshihej në fushën e zbatimit të nenit 1 të Protokollit nr. 1.”
78. Gjykata rikujton se asgjë nuk e pengon Dhomën e Madhe që të shqyrtojë, nëse është rasti, pika lidhur me pranueshmërinë e kërkesëpadisë në bazë të nenit 35 § 4 të Konventës. Në bazë të kësaj dispozite, në fakt, Gjykata ka mundësi që “në çdo fazë të procedimit” ta rrëzojë një kërkesëpadi të cilën ajo e gjykon si të papranueshme. Për këtë arsye, edhe në fazën e shqyrtimit në themel, përveç asaj çka parashikohet në nenin 55 të Rregullores së saj, Gjykata mund ta rishikojë vendimin me anë të të cilit kërkesëpadia është shpallur si e pranueshme në qoftë se vë re që kjo e fundit ishte dashur të quhej si e papranueshme për njërën nga arsyet e përmendura një për një në pikat 1 deri 3 të nenit 35 të Konventës (Odièvre k. Francës [DhM], nr. 42326/98, § 22, GjEDNj 2003‑III).
79. Megjithatë, pas shqyrtimit të kërkesave për prapësim të formuluara nga Qeveritë, Dhoma e Madhe çmon se nuk është me vend që të rishikohet vendimi i Dhomës për t’i rrëzuar kërkesat për prapësim paraprak që i ishin drejtuar asaj. Përkundrazi, përveç arsyeve te të cilat ishte mbështetur Dhoma për t’u shprehur rreth këtyre kërkesave për prapësim, Dhoma e Madhe vë re se vendimet e gjykatave serbe dhe sllovene të parashtruara në paragrafët 44, 49 dhe 51 të mësipërm tregojnë se shpërbërja e RSFJ-së nuk ka sjellë shuarjen e kreditimeve si këto për të cilat bëhet fjalë këtu. Përveç kësaj, meqenëse Qeveria sllovene e ka kundërshtuar vërtetësinë dhe saktësinë e shumës së depozitave për të cilat paditësit e quajnë veten kreditorë, Dhoma e Madhe i ka rishqyrtuar të gjitha elementet e dosjes, sidomos një kopje të dëftesave bankare të Znjës Ališić dhe të Z. Sadžak ku figurojnë saldot e llogarive të tyre përkatëse më 31 dhjetor 1991, një kopje të kontratës së depozitimit të nënshkruar nga Z. Sadžak, ekstraktet e librezës bankare të Z. Šahdanović që tregojnë saldon e njërës prej llogarive të tij më 17 prill 1992, të dhënat zyrtare, të paraqitura nga Qeveria serbe përpara Dhomës, të cilat tregojnë saldon e llogarive të Z. Šahdanović më 3 janar 2002, informacionet në mikroskeda lidhur me llogaritë e Znjës Ališić dhe të Z. Sadžak të paraqitura nga Qeveria e Bosnjë-Hercegovinës, dhe një vërtetim të Agjencisë për Privatizimin të FBH-së ku thuhet se paditësit nuk i kanë përdorur fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë në kuadrin e procesit të privatizimit.
80. Duke pasur parasysh gjithashtu rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes në fjalë, Dhoma e Madhe e quan si të vërtetuar përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm se paditësit janë zotërues fondesh “të dikurshme” kursimi në valutë shumat e të cilave përkojnë me shumat e treguara në paragrafin 10 të mësipërm dhe çmon se është vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme që fondet në fjalë përbëjnë “pasuri” në kuptimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1 (shih, ndër të tjera, Gayduk me të tjerë k. Ukrainës (vend. pran.), nr. 45526/99, vendim i 2 korrikut 2002, për sa u përket depozitave fillestare, Merzhoyev k. Rusisë, nr. 68444/01, § 48, 8 tetor 2009, Suljagić k. Bosnjë-Hercegovinës, nr. 27912/02, § 35, 3 nëntor 2009, Boyajyan k. Armenisë, nr. 38003/04, § 54, 22 mars 2011, Kotov k. Rusisë [DhM], nr. 54522/00, § 90, 3 prill 2012, dhe A. e B. k. Malit të Zi, nr. 37571/05, § 68, 5 mars 2013).
81. Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe i rrëzon kërkesat për prapësim paraprak të ngritura nga Qeveritë. Madje, ajo vëren që, edhe pse Qeveritë kanë ngritur përpara Dhomës një kërkesë prapësimi për mosshterrje të mjeteve të brendshme ligjore nga ana e paditësve, ata nuk e kanë përsëritur atë përpara saj.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1 TË KONVENTËS
82. Neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës shprehet kështu:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën që t’i respektohet pasuria e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të nxjerrë ligje, që ato i gjykojnë të domosdoshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve të tjera, ose të gjobave.”
A. Përfundimet e Dhomës
83. Dhoma ka gjykuar se problemi i fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë dhe pranë degës së Investbanka-s në Tuzla kishte të bënte me çështjet e trashëgimisë (shih vendimin për pranueshmërinë të dhënë nga Dhoma). Duke theksuar se nuk i takonte asaj që ta zgjidhte këtë pikë në vend të shteteve të paditura, ajo ka çmuar se mund të shqyrtojë megjithatë nëse pazotësia në të cilën gjendeshin paditësit prej më shumë se njëzet vjetësh për t’i disponuar paratë e tyre për shkak të moszgjidhjes së kësaj pike nga shtetet e paditura përbënte një shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga ana e njërit apo e disave prej tyre. Duke marrë parasysh një numër të caktuar elementesh, sidomos regjimin e pronësisë së bankave, masat – veçanërisht legjislative – në lidhje me aktivet e bankave në fjalë, statusin e degëve të përmendura pas shpërbërjes së RSFJ-së, transferimin e fondeve që mbaheshin nga këto degë drejt institucioneve të tyre përkatëse amë, dështimin më 2002 të negociatave të zhvilluara nën kujdesin e Bankës së Shlyerjeve Ndërkombëtare, si edhe mungesën e çdolloj negociate të mirëfilltë të mëvonshme rreth fondeve “të dikurshme” në valutë, ajo ka dalë në përfundimin se Sllovenia e kishte shkelur këtë dispozitë ndaj Znjës Ališić e ndaj Z. Sadžak, dhe se Serbia e kishte shkelur atë ndaj Z. Šahdanović (paragrafët 66-74 të vendimit të Dhomës). Dhoma ka dalë përveç kësaj në përfundimin se nuk kishte pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga ana e shteteve të tjera të paditura.
B. Tezat e palëve
1. Paditësit
84. Paditësit pretendojnë se, në cilësinë e tyre si shtete trashëgimtare, shtetet e paditura janë të gjitha të detyruara që t’ua shlyejnë atyre fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë, përderisa kanë përgjegjësi që nuk e kanë zgjidhur këtë aspekt të trashëgimisë. Ata janë të mendimit se shtetet e paditura duhet ta bëjnë këtë shlyerje sipas formulës së shpërndarjes të përdorur për ndarjen e aseteve të RSFJ-së (paragrafi 65 i mësipërm).
2. Qeveritë e paditura (të paraqitura sipas rendit alfabetik të emërtimeve të tyre përkatëse në anglisht)
a) Qeveria boshnjake
85. Qeveria boshnjake mbron mendimin se pika lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë ka të bëjë me të drejtën private. Ajo çmon se të interesuarit dhe bankat për të cilat bëhet fjalë këtu kanë lidhur kontrata të drejte private në bazë të të cilave të parët do të mundnin në çdo kohë ta kërkonin kthimin e shumave të tyre nga degët në fjalë ose drejtpërdrejt nga institucionet-amë të tyre (Qeveria boshnjake shpjegon se, sipas së drejtës civile jugosllave, bankat kishin detyrime lidhur me borxhet e kontraktuara prej degëve të tyre). Duke e pranuar se garancia e RSFJ-së i mbulonte të gjitha depozitat në valutë, Qeveria boshnjake vë në dukje se kjo garanci nuk është kërkuar kurrë të përgjigjet, meqenëse bankat për të cilat bëhet fjalë këtu kishin, sipas saj, aftësi paguese deri në shpërbërjen e RSFJ-së. Ajo nxjerr nga kjo se detyrimet e këtyre bankave nuk i janë transferuar RSFJ-së dhe mosmarrëveshja lidhur me shumat e paditësve nuk ka të bëjë kështu me çështjet e trashëgimisë. Ajo është e mendimit se shteti slloven dhe shteti serb duhet të mbahen si përgjegjës, përkatësisht, për borxhet e Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe ato të Investbanka-s, meqenëse paaftësia e këtyre bankave për të shlyer detyrimet e tyre ka ndodhur, sipas saj, për faj të këtyre shteteve. Lidhur me këtë, ajo vë në dukje se Qeveria sllovene, nëpërmjet një ligji, ia ka transferuar aktivet kryesore të Ljubljanska Banka Ljubljana-s një banke të re (paragrafi 49 i mësipërm) dhe se Qeveria serbe i ka fshirë kreditimet që zotëroheshin nga Investbanka në disa shoqëri publike për të mundur që t’i privatizonte shoqëritë në fjalë, veprim ky që sipas saj i paska sjellë asaj miliona.
86. Për më tepër, degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe të Investbanka-s paskan qenë të detyruara që t’ua transferonin institucioneve-amë të tyre përkatëse valutat e grumbulluara pranë klientëve të tyre, çka shpjeguaka përse kasafortat e degëve boshnjake të këtyre bankave paskan qenë pothuajse të zbrazura në çastin e shpërbërjes së RSFJ-së. Këtu paska një arsye më shumë për t’ua vënë përgjegjësinë në këtë çështje Sllovenisë dhe Serbisë.
b) Qeveria kroate
87. Për të njëjtat arsye si ato të parashtruara nga Qeveria boshnjake (paragrafët 85-86 të mësipërm), Qeveria kroate çmon se përgjegjësia në çështjen në fjalë bie mbi Slloveninë dhe Serbinë. Ajo shton se, në kundërshtim me sa thotë Qeveria sllovene, ristrukturimi i Ljubljanska Banka Ljubljana-s nuk ishte i domosdoshëm për të shmangur fundosjen e saj, por synonte ta përjashtonte këtë bankë nga çdolloj përgjegjësie ndaj kursimtarëve klientë të degëve të saj të ndodhura jashtë Sllovenisë. Në mbështetje të kësaj teze, ajo paraqet një kopje të një raporti të hartuar nga Moody’s më 1997 i cili treguaka se asetet e Nova Ljubljanska Banka-s, të themeluar vetëm disa vite më parë me aktivet e Ljubljanska Banka Ljubljana-s (paragrafi 49 i mësipërm), arrinte në rreth 3,7 miliardë USD.
88. Madje, ajo mbron mendimin se Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë më 11 mars 2013 e që bën thirrje për negociata të reja rreth trashëgimisë nuk kishte të bënte veçse me depozitat që ishin transferuar nga dega e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb drejt disa bankave kroate gjatë viteve 1990 (paragrafi 43 i mësipërm). Për rrjedhojë, sipas saj, në kundërshtim me pretendimet e Qeverisë sllovene, ky memorandum nuk duhet të interpretohet sikur do të thotë se nënshkruesit e tij e pranonin që të gjitha fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s të vendosura jashtë territorit slloven kishin të bënin me çështjet e trashëgimisë (paragrafi 92 i mëposhtëm).
c) Qeveria serbe
89. Qeveria serbe mbron mendimin se rregullat ndërkombëtare të trashëgimisë së shteteve dhe klauzolat e Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë e detyrojnë atë vetëm për ta negociuar në frymë mirëbesimi pikën lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e Investbanka-s të ndodhura jashtë territorit serb. Për rrjedhojë, ajo e fton Gjykatën që të kufizohet vetëm duke parë nëse janë zhvilluar negociata në frymën e mirëbesimit dhe të mos marrë vendim rreth pikës në themel nëse cili nga shtetet e vëna në pikëpyetje duhet t’i shlyejë shumat e paditësve. Ajo çmon që, në qoftë se Gjykatës do t’i duhet megjithatë të vendosë ta shqyrtojë këtë pikë, kjo u dashka të dalë në përfundimin se përgjegjësia në këtë çështje rëndon mbi Bosnjë-Hercegovinën, veçanërisht për arsye të parimit të territorialitetit dhe të masave të marra nga ky shtet lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë (paragrafët 24-28 të mësipërm). Ajo çmon se Bosnjë-Hercegovina është shteti që ka përfituar më shumë nga fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara pranë degës së Investbanka-s në Tuzla. Ajo quan si provë për këtë disa kopje kontratash huaje të lidhura ndërmjet degës së Invesbanka-s në Tuzla, në njërën anë, dhe një shoqërie boshnjake, degë e një shoqërie serbe të vendosur në Bosnjë-Hercegovinë dhe një banori të Bosnjë-Hercegovinës, në anën tjetër.
90. Sipas Qeverisë serbe, Qeveria sllovene nuk e ka vërtetuar që fondet në valutë objekt konflikti përfundonin më në fund nëpër llogari të BKJ-së jashtë shtetit ose në selinë shoqërore të kësaj banke në Beograd (paragrafi 95 i mëposhtëm). Në lidhje me këtë, Qeveria serbe deklaron se valutat i transferoheshin si rregull i përgjithshëm BKJ-së sipas metodës kontabël – ose “pro forma” –, çka nuk paska kërkuar dërgesë efektive fondesh (paragrafi 17 i mësipërm), dhe se valutat e dërguara në llogaritë e BKJ-së jashtë shtetit ishin ndarë ndërmjet shteteve trashëgimtare (paragrafi 65 i mësipërm).
91. Së fundi, duke e pranuar se asetet e Z. Šahdanović janë ngrirë prej shumë vitesh për arsye të ligjeve serbe të viteve 1998 dhe 2002 lidhur me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë, Qeveria serbe mbron mendimin se kjo masë ishte e domosdoshme për të “mbrojtur likuiditetin e financave të shtetit përballë vështirësive ekonomike dhe fundosjes financiare me të cilat ballafaqohej vendi” dhe se kjo nuk i ka diktuar paditësit ndonjë barrë individuale të tepruar. Ajo çmon se pika lidhur me asetet e depozituara nga Z. Šahdanović dhe nga shumë kursimtarë të tjerë nëpër degë bankash serbe të ndodhura jashtë territorit serb duhet të zgjidhet me marrëveshje ndërmjet shteteve trashëgimtare të RSFJ-së në kuadrin e negociatave për trashëgiminë. Ajo shton se Gjykata, në vendimin Molnar Gabor k. Serbisë (nr. 22762/05, 8 dhjetor 2009), ka gjykuar që legjislacioni i fajësuar ruante një baraspeshë të drejtë midis interesit të përgjithshëm, pretendimit ngulmues dhe të ligjshëm të paditësit për t’iu kthyer depozitimet e tij fillestare dhe të drejtave të të gjithë atyre që ndodheshin në të njëjtën situatë me të interesuarin.
d) Qeveria sllovene
92. Duke u mbështetur në veçanti te Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë (paragrafët 62-63 të mësipërm) dhe te Memorandumi i Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë më 2013 (paragrafi 43 i mësipërm), Qeveria sllovene mbron mendimin se çështja e fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara nga paditësit pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë dhe degës së Investbanka-s në Tuzla përfshihet në kuadrin e një trashëgimie. Për rrjedhojë, ajo e fton Gjykatën që të kufizohet vetëm duke kërkuar nëse negociatat janë zhvilluar në frymë mirëbesimi në këtë drejtim dhe të mos marrë vendim rreth pikës në themel për të ditur se cili nga shtetet e vëna në pikëpyetje duhet t’i shlyejë shumat e paditësve. Ajo çmon se, edhe sikur Gjykatës t’i duhet megjithatë që të vendosë ta shqyrtojë këtë pikë, parimi i territorialitetit u dashka ta shpjerë atë në përfundimin që përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë objekt konflikti të quhet Bosnjë-Hercegovina, për më tepër që, deri më 2004, kjo e fundit nuk e paska përjashtuar shprehimisht përgjegjësinë e vet në këtë drejtim (paragrafët 24-28 të mësipërm).
93. Ajo shton se autoritetet sllovene kanë qenë të detyruara për ta ristrukturuar Ljubljanska Banka Ljubljana-n më 1994, duke qenë të mendimit se kjo shoqëri ishte në prag të falimentimit. Ajo çmon megjithatë se shteti slloven nuk duhet të quhet se ka detyrime në lidhje me borxhet e kësaj banke vetëm për faktin që ai është bërë pronar i saj si pasojë e procesit të ristrukturimit dhe se, po të mos ishte kështu, asnjë shtet nuk mundka ta ristrukturojë një bankë me kapital negativ pa rrezikuar që të quhet plotësisht përgjegjës për borxhet e kësaj të fundit. Ajo pohon gjithsesi se Ljubljanska Banka Ljubljana nuk ka ushtruar kurrë ndonjë mision shërbimi publik, se për sa i përket mosshlyerjes së fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë të paditësve ajo nuk ka vepruar kurrë sipas ndonjë udhëzimi të posaçëm të shtetit, dhe se ajo i përkiste të drejtës së zakonshme (domethënë të drejtës së shoqërive sllovene). Ajo mbron mendimin se, sipas së drejtës ndërkombëtare zakonore, ashtu siç është kodifikuar kjo në projekt-nenet e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare për Përgjegjësinë e Shtetit për Vepra Ndërkombëtarisht të Paligjshme, fakti i thjeshtë që një shtet mund të jetë pronar i një shoqërie dhe që ai ushtron në këtë drejtim njëfarë kontrolli mbi të nuk mjafton për ta fajësuar atë për veprimtaritë e shoqërisë apo për ta quajtur atë përgjegjës për borxhet e kësaj të fundit.
94. Qeveria sllovene shton se asgjë nuk e detyronte atë për ta ristrukturuar degën e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë. Ajo shpjegon lidhur me këtë se sistemet e garancisë së depozitave në fuqi në disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës – ndër të cilat Belgjika, Franca, Portugalia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Vendet e Ulëta – e japin këtë garanci vetëm për depozitat e kryera në degët e bankave kombëtare të ndodhura brenda territoreve të tyre përkatëse. Ajo mbron përveç kësaj mendimin se, në vendimin e saj E-16/11 të 28 janarit 2013 (paragrafët 71-73 të mësipërm), Gjykata e Drejtësisë e EFTA-s ka theksuar se shtetet gëzonin “një hapësirë të gjerë për vlerësim në zgjedhjet themelore që ato duhej të bënin në fushën e politikës ekonomike në kontekstin e veçantë të një krize sistemi”, dhe është e mendimit se ky parim gjen vend për zbatim edhe në fushën e nenit 1 të Protokollit nr. 1.
95. Së fundi, ndonëse e pranon që fondet në valutë transferoheshin rregullisht nga dega e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë te Banka Kombëtare e Sllovenisë, Qeveria sllovene pohon se disa prej tyre ktheheshin pastaj mbrapsht në Sarajevë (paragrafi 18 i mësipërm), se fondet që nuk ktheheshin mbrapsht kontabilizoheshin si kreditime të degës së Sarajevës pranë BKJ-së dhe se ato ishin objekt i një xhirimi efektiv nëpër llogari të BKJ-së jashtë shtetit. Ajo i quan si provë disa dokumente ku flitet për dërgesa valute të kryera përpara shpërbërjes së RSFJ-së nga Lubjana drejt disa llogarive të BKJ-së jashtë shtetit (veçanërisht pranë dy bankave që i përkisnin Ljubljanska Banka Ljubljana-s, LBS – New York dhe LHB Internationale Handelsbank A.G. Frankfurt, si edhe pranë disa bankave të tjera tregtare të huaja).
e) Qeveria maqedonase
96. Sipas shembullit të qeverive boshnjake dhe kroate, Qeveria maqedonase mbron mendimin se çështja e depozitave të paditësve i takon së drejtës civile. Ajo çmon se, në mungesë të një lidhjeje midis të interesuarve dhe autoriteteve maqedonase, duhet të dilet afërmendsh në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të Konventës nga ana e Maqedonisë.
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. Zbatueshmëria e nenit 1 të Protokollit nr. 1
97. Në paragrafin 80 të mësipërm, Gjykata ka dalë në përfundimin se depozitat në valutë, objekt i ankesave të paditësve, janë “pasuri” në kuptimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1. Prandaj, kjo dispozitë gjen vend për t’u zbatuar në çështjen në fjalë.
2. Respektimi i nenit 1 të Protokollit nr. 1
a) Rregulla e zbatueshme
98. Siç e ka deklaruar disa herë Gjykata, neni 1 i Protokollit nr. 1 përmban tri norma të veçanta: e para, e cila shprehet në fjalinë e parë të paragrafit të parë dhe ka një karakter të përgjithshëm, parashtron parimin e respektimit të pronës; e dyta, e cila figuron në fjalinë e dytë të të njëjtit paragraf, ka parasysh privimin nga prona dhe vendos për të disa kushte; për sa i përket së tretës, të shënuar në paragrafin e dytë, ajo u njeh shteteve fuqinë, ndër të tjera, për të vendosur rregullat e përdorimit të pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm. E dyta dhe e treta, të cilat kanë të bëjnë me disa shembuj të veçantë cenimesh të së drejtës së pronësisë, duhet të interpretohen në dritën e parimit të sanksionuar në të parën (shih, ndër shumë të tjera, Sporrong e Lönnroth k. Suedisë, 23 shtator 1982, § 61, seria A nr. 52, Iatridis k. Greqisë [DhM], nr. 31107/96, § 55, GjEDNj 1999‑II, Immobiliare Saffi k. Italisë [DhM], nr. 22774/93, § 44, GjEDNj 1999‑V, Broniowski k. Polonisë [DhM], nr. 31443/96, § 134, GjEDNj 2004‑V, dhe Vistiņš e Perepjolkins k. Letonisë [DhM], nr. 71243/01, § 93, 25 tetor 2012).
99. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se, për arsye të masave të ndryshme të marra në nivel kombëtar, paditësit gjenden që prej më shumë se njëzet vjetësh në pazotësinë për t’i përdorur fondet e tyre. Sado që ngrirja e llogarive bankare të të interesuarve mund të paraqitej, të paktën në fillim, si një masë për vendosjen e rregullave të përdorimit të pasurive në kuptimin e normës së tretë të nenit 1 të Protokollit nr. 1, prapëseprapë mund të shtrohet pyetja nëse padisponueshmëria e këtyre fondeve për një periudhë kaq të gjatë nuk përbën një “privim” nga pasuritë në kuptimin e normës së dytë të parashtruar nga kjo dispozitë. Sidoqoftë, meqenëse Gjykata ka dalë në përfundimin se legjislacioni i shteteve trashëgimtare nuk i kishte fshirë apo bërë të pavlefshme në ndonjë mënyrë tjetër kreditimet e paditësve (paragrafët 77 deri 81 të mësipërm), e përderisa shtetet në fjalë e kanë pranuar se kursimtarët si në rastin e paditësve duhej që në parim të mund t’i dispononin asetet e tyre, nuk mund të thuhet që të interesuarit janë privuar formalisht nga pasuritë e tyre. Për të njëjtat arsye, Gjykata çmon se mosmarrëveshja me të cilën ka të bëjë kjo çështje nuk mund të barazohet në mënyrë të qartë me një shpronësim faktik. Në këto kushte, dhe duke pasur parasysh natyrën e ndërlikuar të pikëpyetjeve faktike dhe juridike që shtrohen në çështjen në fjalë, Gjykata çmon se shkelja e së drejtës së pronësisë e pretenduar nga paditësit nuk i përket ndonjë kategorie të caktuar (Beyeler k. Italisë [DhM], nr. 33202/96, § 106, GjEDNj 2000‑I, dhe Zolotas k. Greqisë (nr. 2), nr. 66610/09, § 47, GjEDNj 2013). Për këtë arsye, është e udhës që kjo çështje të shqyrtohet në këndvështrimin e parimit të përgjithshëm të vendosur nga norma e parë e nenit 1 të Protokollit nr. 1.
b) Natyra e shkeljes së pretenduar
100. Neni 1 i Protokollit nr. 1 synon në thelb që ta mbrojë individin prej çdo cenimi të papërligjur të respektimit të pasurive të tij nga ana e shtetit. Neni 1 i Konventës sanksionon nga ana e tij se çdo shtet kontraktues “i siguro[n] çdokujt, që ndodhet në juridiksionin e [tij], të drejtat dhe liritë e përcaktuara në (...) Konvent[ë]”. Ky detyrim i përgjithshëm mund të nënkuptojë disa detyrime pozitive të pandashme nga garancia e një ushtrimi efektiv të të drejtave të sanksionuara prej Konventës. Për sa i përket nenit 1 të Protokollit nr. 1, detyrime të tilla pozitive mund ta shtyjnë shtetin që të detyrohet të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e së drejtës së pronësisë (shih Broniowski, i cituar më lart, § 143, dhe referencat që citohen aty, si edhe Likvidējamā p/s Selga e Vasiļevska k. Letonisë (vend. pran.), nr. 17126/02 dhe 24991/02, §§ 94-113, 1 tetor 2013).
101. Kufirit midis detyrimeve pozitive dhe detyrimeve negative të shtetit në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 është gjithsesi e vështirë t’i jepet një përkufizim i saktë. Megjithatë, parimet e zbatueshme janë të krahasueshme. Sido që të analizohet çështja, qoftë në këndvështrimin e një detyrimi pozitiv në ngarkim të shtetit, qoftë në atë të një ndërhyrjeje të autoriteteve publike e cila kërkon një përligjje, kriteret që duhet të zbatohen nuk janë të ndryshme në thelb. Në të dyja rastet, duhet pasur kujdes që të ruhet baraspesha e drejtë midis interesave konkurruese të individit dhe të shoqërisë në tërësi. Është po ashtu e vërtetë se qëllimet e përmendura një për një në paragrafin 2 mund të luajnë njëfarë roli në vlerësimin e pikës nëse është ruajtur një baraspeshë ndërmjet kërkesave të interesit publik dhe së drejtës themelore të pronësisë të paditësit. Në të dyja hipotezat, shteti gëzon njëfarë hapësire vlerësimi për të përcaktuar masat që duhet të merren me qëllim që të sigurohet respektimi i Konventës (Broniowski, i cituar më lart, § 144, dhe referencat që citohen aty).
102. Në këtë çështje, të interesuarit ankohen se nuk mund t’i tërheqin fondet e depozituara në bankat në fjalë. Padisponueshmëria e aseteve të tyre rrjedh si pasojë e një numri të caktuar elementesh, sidomos nga pamjaftueshmëria e burimeve të bankave në fjalë, nga ngrirja e llogarive e diktuar prej ligjit dhe nga fakti se autoritetet nuk kanë marrë masa të tilla që t’ua mundësojnë kursimtarëve që ndodhen në situatën e paditësve disponimin e aseteve të tyre. Kjo situatë mund të shihet fare mirë si një pengim në ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtur nga neni 1 i Protokollit nr. 1 ose si një mospërmbushje e detyrimit për ta lejuar ushtrimin e kësaj të drejte (shih Zolotas (nr. 2), të cituar më lart, §§ 40, 47 e 53, ku Gjykata ka gjykuar se masa objekt konflikti përbënte një ndërhyrje dhe se shteti i paditur kishte disa detyrime pozitive). Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të kësaj çështjeje, Gjykata e sheh si të padobishme që të vendosë rreth pikës nëse kjo çështje duhet të shihet në këndvështrimin e detyrimeve pozitive që mund të kishin rënduar mbi shtetet e paditura apo në atë të detyrimeve të tyre negative. Ajo do të kërkojë të shohë nëse sjellja e shteteve të paditura – sido që të mund të karakterizohet kjo sjellje, qoftë si ndërhyrje, qoftë si mosveprim apo qoftë edhe si një kombinim i të dyja rasteve – ishte e përligjur në vështrim të parimeve të ligjshmërisë, të drejtësisë së qëllimit të ndjekur dhe të përpjesëtueshmërisë (Broniowski, i cituar më lart, § 146).
c) Rreth respektimit të parimit të ligjshmërisë nga shtetet e paditura
103. Kërkesa e parë e nenit 1 të Protokollit nr. 1, e cila është gjithashtu edhe më e rëndësishmja, është ajo e ligjshmërisë: në fakt, fjalia e dytë e paragrafit të parë të këtij neni lejon një privim nga prona vetëm “në kushtet e parashikuara nga ligji”; paragrafi i dytë u njeh shteteve të drejtën për të përcaktuar rregullat e përdorimit të pasurive duke vënë në fuqi “ligje”. Për më tepër, epërsia e së drejtës, një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike, është e pandashme nga tërësia e neneve të Konventës. Parimi i ligjshmërisë nënkupton paraprakisht gjithashtu që ekzistojnë norma ligjore të brendshme të cilat janë mjaftueshëm të zbatueshme, të përcaktuara saktë dhe të parashikueshme në zbatimin e tyre (Broniowski, i cituar më lart, § 147, dhe referencat që citohen aty).
104. Në çështjen në fjalë, pika lidhur me respektimin e parimit të ligjshmërisë nuk është objekt i ndonjë kundërshtie të shprehur midis palëve. Gjykata nuk sheh nga ana e saj asnjë arsye për të qenë e mendimit se parimi i lartpërmendur nuk është pasur parasysh. Situata për të cilën ankohen paditësit, konkretisht pazotësia në të cilën ata gjenden për të tërhequr shumat e tyre të paktën që prej shpërbërjes së RSFJ-së, ka haptazi një bazë ligjore në të drejtën e brendshme (shih, ndër të tjera, paragrafët 54-58 të mësipërm).
d) Rreth respektimit të parimit të “drejtësisë së qëllimit të ndjekur” nga shtetet e paditura
105. Çdo ndërhyrje në gëzimin e një të drejte të njohur nga Konventa duhet të ndjekë një qëllim të drejtë. Po ashtu, në çështjet ku nënkuptohet një detyrim pozitiv, duhet të ketë një përligjje të drejtë për mosveprimin e shtetit. Parimi i “baraspeshës së drejtë”, i pandashëm nga vetë neni 1 i Protokollit nr. 1, e supozon ekzistencën e një interesi të përgjithshëm. Për më tepër, është e udhës të rikujtohet se normat e ndryshme të përfshira në nenin 1 të Protokollit nr. 1 nuk janë pa lidhje midis tyre dhe se e dyta dhe e treta nuk janë veçse disa raste të veçanta cenimesh të së drejtës për respektimin e pasurive. Nga kjo rrjedh, veçanërisht, se ekzistenca e një “arsye[je] të interesit publik” e kërkuar nga fjalia e dytë, apo më tej “[interesi i] përgjithshëm” i përmendur në paragrafin e dytë, përbëjnë pasoja të pashmangshme të parimit të parashtruar në fjalinë e parë. Për rrjedhojë, një ndërhyrje në ushtrimin e së drejtës së respektimit të pasurive, në kuptimin e fjalisë së parë të nenit 1 të Protokollit nr. 1, duhet gjithashtu të ndjekë një qëllim interesi publik (Beyeler, i cituar më lart, § 111).
106. Në saje të një njohjeje të drejtpërdrejtë të shoqërisë së tyre dhe të nevojave të saj, autoritetet kombëtare ndodhen në parim në një pozitë më të mirë sesa gjyqtari ndërkombëtar për të përcaktuar se çfarë është me “[interes] publik”. Brenda mekanizmit mbrojtës të krijuar nga Konventa, u takon për pasojë atyre që të shprehen të parat rreth ekzistencës së një problemi me interes të përgjithshëm i cili i përligj disa masa të zbatueshme në fushën e ushtrimit të së drejtës së pronësisë. Prandaj, ato gëzojnë këtu njëfarë hapësire për vlerësim, ashtu si edhe në fusha të tjera ku shtrihen garancitë e Konventës. Meqenëse ligjvënësi ka një liri të gjerë për të ndjekur një politikë ekonomike dhe shoqërore, Gjykata e respekton mënyrën sesi ai i koncepton nevojat e domosdoshme të “interesit publik”, me përjashtim të rastit nëse gjykimi i tij është haptazi pa bazë të arsyeshme (Broniowski, i cituar më lart, § 149, dhe referencat që citohen aty). Gjykata ka gjykuar tashmë se duhet të veprohet medoemos njëlloj edhe kur bëhet fjalë për përmbysje rrënjësore si shpërbërja e një shteti e ndjekur nga një luftë, dukuri që sjellin si pasojë në mënyrë të pashmangshme miratimin e disa ligjeve ekonomike dhe shoqërore me përmasa të mëdha (Suljagić, i cituar më lart, § 42).
107. Duke pasur parasysh hapësirën për vlerësim që u njihet shteteve të paditura, Gjykata çmon se edhe parimi i drejtësisë së qëllimit të ndjekur është respektuar gjithashtu në çështjen në fjalë. Sipas Qeverisë serbe, masat e fajësuara synonin të mbronin likuiditetin e financave të shtetit përballë vështirësive ekonomike dhe fundosjes financiare me të cilat ballafaqohej vendi (paragrafi 91 i mësipërm). Shtetet e tjera të paditura nuk kanë paraqitur vërejtje rreth kësaj pike. Megjithatë, Gjykata është e prirë të pranojë se, pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe konflikteve të armatosura që e pasuan atë, shteteve të paditura u është dashur të marrin masa për të mbrojtur sistemin e tyre bankar e, më në përgjithësi, ekonominë e tyre. Duke pasur parasysh shumën e përgjithshme të fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë, është e qartë se asnjë nga shtetet trashëgimtare nuk ishte në gjendje që t’i lejonte zotëruesit e tyre t’i tërhiqnin ato në mënyrë të pakontrolluar. Prandaj Gjykata do ta shqyrtojë pikën kryesore që shtrohet në këtë çështje, konkretisht atë nëse është ruajtur një “baraspeshë e drejtë” ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe të drejtave të paditësve që rrjedhin nga neni 1 i Protokollit nr. 1.
e) Rreth respektimit të parimit të “baraspeshës së drejtë” nga shtetet e paditura
i. Parime të përgjithshme
108. Çdo masë ndërhyrjeje në ushtrimin e së drejtës për respektimin e pasurive, ashtu si edhe çdolloj mosveprimi në këtë drejtim, duhet të ruajë një “baraspeshë të drejtë” ndërmjet kërkesave me interes të përgjithshëm të bashkësisë dhe nevojave të domosdoshme të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit. Për rrjedhojë, në çdo çështje ku bëhet fjalë për një pretendim për shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1, Gjykata duhet të verifikojë nëse, për arsye të veprimit ose të mosveprimit të shtetit, personit të prekur i është dashur të mbajë një barrë të shpërpjesëtuar e të tepruar. Për të vlerësuar përputhshmërinë e sjelljes së shtetit me këtë dispozitë, Gjykata duhet të bëjë një shqyrtim të përgjithshëm të interesave të ndryshëm në lojë, duke mos harruar se Konventa synon të mbrojë të drejta “konkrete dhe efektive”. Lidhur me këtë, duhet të nënvizohet se pasiguria – qoftë legjislative ose administrative, qoftë në lidhje me praktikat e vëna në zbatim nga ana e autoriteteve – është një faktor i cili duhet të merret parasysh për ta vlerësuar sjelljen e shtetit. Në fakt, kur luhet me fatin e një pike me interes të përgjithshëm, autoritetet publike janë të detyruara të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë korrekte dhe me koherencën më të madhe (Broniowski, i cituar më lart, §§ 147-151).
ii. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
109. Në vendimin e saj të 17 tetorit 2011, duke e deklaruar kërkesëpadinë të pranueshme, Dhoma ka vënë re se garancisë ligjore të dhënë nga RSFJ-ja për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në bankat në fjalë nuk i ishte kërkuar të përgjigjej përpara shpërbërjes së RSFJ-së dhe ka nxjerrë nga kjo se detyrimet e kontraktuara prej këtyre banka në lidhje me këto depozita nuk i ishin transferuar RSFJ-së. Përveç kësaj, ajo ka vënë në dukje se, deri në shpërbërjen e RSFJ-së, degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe ato të Investbanka-s, në përputhje me të drejtën civile të RSFJ-së dhe me shënimet e bëra në regjistrat e shoqërive, kishin vepruar në emër e për llogari të institucioneve të tyre amë përkatëse. Dhoma ka dalë në përfundimin se, deri në shpërbërjen e RSFJ-së, Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Investbanka kishin mbetur përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të marra për depozitim nga degët e tyre përkatëse (paragrafi 67 i vendimit të Dhomës).
110. Palët e kishin pranuar madje se situata ishte e tillë në promemoriet rreth themelit të çështjes që i kishin parashtruar Dhomës dhe ato nuk kanë pohuar ndryshe në fjalët e tyre mbrojtëse përpara Dhomës së Madhe.
111. Në këto kushte, Dhoma e Madhe e miraton përfundimin e Dhomës dhe bashkohet plotësisht me të.
112. Gjykata vë re për më tepër se, pas shpërbërjes së RSFJ-së, Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Investbanka kanë mbetur përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e tyre përkatëse boshnjake, çka përcaktohet qartë nga e drejta dhe praktika e brendshme të parashtruara në paragrafët 44, 45, 49 e 51 të mësipërm. Është e udhës veçanërisht të vihet në dukje që juridiksionet sllovene dhe serbe kanë gjykuar se ish-Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Investbanka mbeteshin përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e tyre përkatëse jashtë shtetit.
113. Ndonëse është e saktë se shënimet e bëra në regjistrin e shoqërive gjatë periudhës 1993-2004 vënë në dukje se edhe një bankë boshnjake e quajtur Ljubljanska Banka Sarajevo ishte gjithashtu përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë, disa juridiksione boshnjake dhe sllovene kanë gjykuar se shënimet e bëra në regjistrin e shoqërive gjatë luftës ishin të paligjshme që në zanafillë (paragrafët 30-35 dhe 51 të mësipërm) dhe kanë urdhëruar fshirjen e tyre. Gjykata nuk sheh asnjë arsye për t’u shmangur nga përfundimet e këtyre juridiksioneve. Madje ajo e ka thënë disa herë se u takon në radhë të parë autoriteteve kombëtare, sidomos gjykatave, që ta interpretojnë legjislacionin e brendshëm dhe se roli i saj kufizohet në verifikimin e përputhshmërisë së efekteve të një interpretimi të tillë me Konventën (Waite e Kennedy k. Gjermanisë [DhM], nr. 26083/94, § 54, GjEDNj 1999‑I, Nejdet Şahin e Perihan Şahin k. Turqisë [DhM], nr. 13279/05, § 49, 20 tetor 2011, dhe Vučković me të tjerë k. Serbisë [DhM], nr. 17153/11, § 80, 25 mars 2014).
114. Meqenëse Dhoma e Madhe ka dalë në përfundimin se Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Investbanka ishin dhe mbeten përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e tyre përkatëse boshnjake, ajo duhet të kërkojë të shohë, ashtu siç e ka bërë Dhoma, nëse mospagesa nga këto banka e borxheve të tyre ndaj paditësve duhet t’i vihet në ngarkim Sllovenisë dhe Serbisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se një shteti mund t’i vihen në ngarkim borxhet e kontraktuara nga një shoqëri publike, edhe sikur kjo të jetë një person juridik autonom, në qoftë se ajo nuk gëzon një pavarësi të mjaftueshme institucionale dhe operative ndaj shtetit që ky i fundit të mundë të çlirohet prej përgjegjësisë së tij në vështrim të Konventës (shih, ndër shumë të tjera, Mikhaïlenki me të tjerë k. Ukrainës, nr. 35091/02 e të tjera, §§ 43-46, GjEDNj 2004‑XII, Cooperativa Agricola Slobozia-Hanesei k. Moldavisë, nr. 39745/02, §§ 17-19, 3 prill 2007, Yershova k. Rusisë, nr 1387/04, §§ 54-63, 8 prill 2010, dhe Kotov, i cituar më lart, §§ 92-107). Në çështjet e cituara më lart, për të vlerësuar nëse shteti ishte vërtet përgjegjës për borxhe të tilla, Gjykata është bazuar te kriteret kryesore të mëposhtme: statusi juridik (publik ose privat) i shoqërisë në fjalë, natyra e veprimtarive të saj (misione shërbimi publik ose veprimtari të zakonshme tregtare), suaza e ushtrimit të veprimtarive të saj (monopol ose sektor me rregulla shumë të përcaktuara), dhe pavarësia e saj institucionale (e matur me kutin e nivelit të pjesëmarrjes së shtetit në kapitalin e shoqërisë) dhe operative (e vlerësuar në vështrim të shtrirjes së mbikëqyrjes dhe të kontrollit të ushtruar mbi të nga shteti).
115. Në disa çështje, Gjykata ka kërkuar të shohë gjithashtu nëse shteti ishte drejtpërdrejt përgjegjës për vështirësitë financiare të shoqërisë në fjalë, nëse ai kishte përvetësuar, në dëm të kësaj të fundit ose të partnerëve të saj, fonde që i përkisnin shoqërisë dhe nëse ai e kishte cenuar pavarësinë e saj apo kishte abuzuar në ndonjë mënyrë tjetër me personalitetin e saj juridik (Anokhin k. Rusisë (vend. pran.), nr. 25867/02, 31 maj 2007, dhe Khachatryan k. Armenisë, §§ 51-55, nr. 31761/04, 1 dhjetor 2009). Së fundi, Gjykata ka gjykuar se shoqëritë në pronësi kolektive, shumë të përhapura në RSFJ dhe ende të zakonshme në Serbi, nuk gëzonin në përgjithësi ndonjë “pavarësi të mjaftueshme institucionale dhe operative” në raport me shtetin në mënyrë që ky i fundit të mund të ishte i përjashtuar nga përgjegjësia e tij në vështrim të Konventës (shih, ndër shumë të tjera, R. Kačapor me të tjerë, i cituar më lart, §§ 96-99, dhe Zastava It Turs k. Serbisë (vend. pran.), nr. 24922/12, §§ 19-23, 9 prill 2013).
116. Ndonëse jurisprudenca e përshkruar këtu më sipër ka të bëjë me shoqëri që nuk janë institucione financiare, Gjykata çmon se ajo gjen vend për t’u zbatuar ndaj bankave për të cilat bëhet fjalë këtu. Në lidhje me këtë, ajo shënon se Ljubljanska Banka Ljubljana i përket shtetit slloven dhe se ajo kontrollohet prej një organizmi qeveritar slloven, Fondi për Trashëgiminë (paragrafi 49 i mësipërm). Fakti që Sllovenia i ka bërë Ligjit Kushtetues të vitit 1991 një ndryshim me anë të të cilit shumica e aktiveve të Ljubljanska Banka Ljubljana-s i janë transferuar një banke të re në dëm të së parës dhe të partnerëve të saj (po aty) merr madje një rëndësi thelbësore. Ky veprim vërteton në fakt se shteti slloven ka vepruar sipas dëshirës së tij me aktivet e Ljubljanska Banka Ljubljana-s (krahaso me Khachatryan, i cituar më lart, § 51). Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe e miraton dhe pajtohet plotësisht me përfundimin e Dhomës se ka arsye të mjaftueshme për t’ia vënë në ngarkim Sllovenisë përgjegjësinë e borxheve të Ljubljanska Banka Ljubljana-s ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak. Për më tepër, Gjykata vëren se disa elemente të dosjes tregojnë se shumica e fondeve të depozituara pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë përfundonin në fund të fundit në Slloveni (paragrafi 18 i mësipërm).
117. Për sa i përket Investbanka-s, Gjykata vë në dukje se edhe ajo është një shoqëri publike, i përket shtetit serb dhe administrohet prej një organizmi qeveritar serb, Agjencia Serbe për Garantimin e Depozitave (paragrafi 47 i mësipërm). Për më tepër, Ligji i vitit 2001 për privatizimin e ka detyruar Investbanka-n që të hiqte dorë, në dëm të saj dhe të partnerëve të saj, nga kreditimet e mëdha që ajo kishte te disa shoqëri publike dhe shoqëri me pronësi kolektive (po aty). Me fjalë të tjera, Serbia ka vepruar si ka dashur me aktivet e Investbanka-s, ashtu si ka vepruar edhe Sllovenia me ato të Ljubljanska Banka Ljubljana-s. Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe e miraton dhe pajtohet plotësisht me përfundimin e Dhomës se ka arsye të mjaftueshme për t’ia vënë në ngarkim Serbisë përgjegjësinë e borxheve të Investbanka-s ndaj Z. Šahdanović.
118. Gjykata dëshiron të saktësojë se rrezja e veprimit të përfundimeve te të cilat ajo ka mbërritur kufizohet brenda fakteve të çështjes në fjalë. Këto përfundime nuk nënkuptojnë që shtetet nuk mund ta ristrukturojnë kurrë një bankë që po falimenton pa u quajtur si përgjegjës të drejtpërdrejtë për borxhet e saj në këndvështrimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1 (Kotov, i cituar më lart, § 116, dhe Anokhin, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart). Në kundërshtim me tezën e mbrojtur nga Sllovenia (paragrafët 93-94 të mësipërm), ato nuk nënkuptojnë gjithashtu se kjo dispozitë i detyron sistemet kombëtare për garantimin e depozitave që ta shtrijnë sistematikisht garancinë e tyre edhe te degët e huaja të bankave kombëtare. Gjykata çmon se, për arsyet e numëruara këtu më sipër, kjo çështje merr një karakter të veçantë. Në radhë të parë, RSFJ-ja vazhdonte të ekzistonte në kohën kur paditësit i kanë kryer këto depozitime objekt konflikti dhe degët në fjalë nuk ishin institucione të vendosura jashtë shtetit. Në radhë të dytë, Ljubljanska Banka Ljubljana ishte një shoqëri publike që përpara ristrukturimit të saj. Në fakt, Ljubljanska Banka Ljubljana dhe Investbanka kanë qenë përherë shoqëri publike ose shoqëri në pronësi kolektive. Për rrjedhojë, kjo çështje dallohet qartazi nga çështjet e zakonshme të ristrukturimit të bankave private në paaftësi paguese. Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së EFTA-s i përmendur si argument nga Qeveria sllovene, i cili kishte të bënte me ristrukturimin e një banke të falimentuar private brenda një kuadri juridik të veçantë, atij të Islandës, nuk ka të bëjë aspak me rastin në fjalë. Përveç kësaj, ndryshe nga paditësit në këtë çështje, kursimtarët që kishin të bënin me çështjen në fjalë ishin shlyer nga autoritetet holandeze dhe britanike sipas rastit (paragrafët 71-73 të mësipërm).
119. Gjykata nuk e harron që Qeveria serbe e ka përmendur si argument çështjen Molnar Gabor (paragrafi 91 i mësipërm), por saktëson se dispozitat e Ligjit serb për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të shqyrtuara nga Gjykata në atë çështje kishin të bënin me kursimtarë që, në kundërshtim me paditësit në çështjen në fjalë, mund të përfitonin nga shlyerja me këste e depozitave të tyre nga ana e autoriteteve serbe. Në vendimin Molnar Gabor, Gjykata ka gjykuar se, duke pasur parasysh situatën katastrofike të ekonomisë serbe në periudhën për të cilën ishte fjala dhe hapësirën për vlerësim që u jepet shteteve në fushën e politikës ekonomike, masat e kritikuara ruanin një baraspeshë të drejtë ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe të drejtave të të interesuarve. Meqenëse Z. Šahdanović nuk mund të pretendojë për një shlyerje me këste të aseteve të tij nga ana e autoriteteve serbe, ka vend për ta bërë dallimin midis çështjes së tanishme dhe çështjes Molnar Gabor.
120. Pasi ka dalë në përfundimin e përgjegjësisë së Sllovenisë për borxhet e Ljubljanska Banka Ljubljana-s ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak, dhe të përgjegjësisë së Serbisë për borxhet e Investbanka-s ndaj Z. Šahdanović, Gjykata duhet të kërkojë të shohë nëse mosshlyerja e paditësve nga këto shtete që prej kaq vitesh përligjet me ndonjë arsye të vlefshme. Qeveritë serbe dhe sllovene shpjegojnë se kjo vonesë lidhet kryesisht me faktin që e drejta ndërkombëtare e trashëgimisë së shteteve i detyruaka shtetet vetëm që t’i negociojnë në frymë mirëbesimi çështjet e trashëgimisë, pa u diktuar atyre ndonjë afat për zgjidhjen e këtyre të fundit. Ato mbrojnë për më tepër mendimin se përpjekjet e bëra prej tyre në suazën e negociatave rreth trashëgimisë në mënyrë që Bosnjë-Hercegovina të quhet përgjegjëse për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët boshnjake të bankave sllovene dhe të bankave serbe janë plotësisht në përputhje me parimin e territorialitetit, i cili është sipas tyre parimi udhëheqës i së drejtës ndërkombëtare të trashëgimisë së shteteve.
121. Gjykata nuk pajtohet me tezën e Sllovenisë dhe të Serbisë e cila kërkon që depozitat e paditësve t’i nënshtrohen parimit të territorialitetit. Në fushën e borxheve shtetërore, parimi udhëheqës i së drejtës ndërkombëtare të trashëgimisë së shteteve është ai i ndarjes në “përpjesëtime të drejta”. Ndonëse është e vërtetë që Rezoluta e vitit 2001 rreth Trashëgimisë së Shteteve lidhur me Pasuritë dhe Borxhet, e miratuar nga Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, e zbaton në mënyrë specifike parimin e territorialitetit për borxhet lokale, është e qartë se depozitat e paditësve nuk kanë të bëjnë me këtë kategori borxhesh (paragrafi 60 i mësipërm). Dhoma e Madhe e hedh poshtë gjithashtu edhe tezën e Sllovenisë dhe të Serbisë sipas së cilës e drejta ndërkombëtare i detyron shtetet vetëm që t’i negociojnë çështjet e trashëgimisë: në të vërtetë, ajo parashikon gjithashtu se, në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet shteteve trashëgimtare, borxhet shtetërore duhet të ndahen midis tyre në mënyrë të drejtë (po aty).
122. Është e udhës gjithashtu të vihet në dukje se pika e ndarjes së drejtë të borxheve shtetërore për të cilën bëhet fjalë këtu do të kërkonte një vlerësim të përgjithshëm të pasurive dhe të borxheve të shtetit paraardhës si edhe të përqindjeve të caktuara tashmë për secilin nga shtetet trashëgimtare. Kjo pikë e kapërcen gjerësisht suazën e kësaj çështjeje dhe nuk i përket kompetencës së Gjykatës (Kovačić me të tjerë, i cituar më lart, § 256).
123. Përveç kësaj, negociatat rreth trashëgimisë nuk i pengonin shtetet trashëgimtare për të marrë në rang kombëtar masa mbrojtëse të interesave të kursimtarëve të tillë si paditësit. Qeveria kroate u ka shlyer shtetasve të saj një pjesë të madhe të fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë që ata i kishin depozituar pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb (paragrafi 43 i mësipërm), kurse Qeveria maqedonase i ka shlyer të gjitha këto fonde “të dikurshme” të cilat ishin depozituar pranë degës së kësaj banke në Shkup (paragrafi 52 i mësipërm). Megjithatë, qeveritë kroate dhe maqedonase nuk kanë hequr dorë kurrë nga qëndrimi i tyre sipas të cilit Sllovenia duhej të quhej në përfundim si përgjegjëse për këto borxhe dhe ato u janë përmbajtur në nivel ndërshtetëror – sidomos në kuadrin e negociatave rreth trashëgimisë – kërkesave të tyre për rimbursim të shumave që ato u kishin paguar kursimtarëve. Paralelisht, Qeveria sllovene i ka shlyer në mënyrë tërësore fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të cilat ishin depozituar në degët sllovene të Investbanka-s dhe në banka të tjera të huaja (paragrafi 48 i mësipërm), ndërsa Qeveria serbe është zotuar që t’u shlyejë qytetarëve të shteteve të ndryshme nga shtetet trashëgimtare të RSFJ-së fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e huaja të bankave serbe, të tilla si dega e Investbanka-s në Tuzla (paragrafi 45 i mësipërm). Me fjalë të tjera, për disa kategori zotëruesish të fondeve “të dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e marra parasysh janë gjetur disa zgjidhje, por jo për paditësit.
124. Ndonëse disa vonesa mund të përligjen në rrethana të jashtëzakonshme (shih Merzhoyev, i cituar më lart, § 56, dhe, mutatis mutandis, Immobiliare Saffi, i cituar më lart, § 69), Gjykata çmon se paditësit janë lënë të presin tepër dhe se, pavarësisht nga hapësira e gjerë për vlerësim që gëzojnë në këtë fushë (paragrafi 106 i mësipërm), autoritetet sllovene dhe autoritetet serbe nuk kanë ruajtur një baraspeshë të drejtë ndërmjet interesit të përgjithshëm dhe së drejtës së pronësisë të paditësve, të cilëve u është hedhur në kurriz një barrë e shpërpjesëtuar.
125. Duke pasur parasysh çka paraprin, Gjykata del në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga ana e Sllovenisë ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak, se ka pasur shkelje të këtij neni nga ana e Serbisë ndaj Z. Šahdanović, dhe se nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite nga shtetet e tjera të paditura.
III. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 13 TË KONVENTËS
126. Neni 13 i Konventës shprehet kështu:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në (...) Konventë, ka të drejtë të bëjë ankim efektiv tek një organ i vendit të tij, edhe kur shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Përfundimet e Dhomës
127. Pasi ka analizuar një numër të caktuar mjetesh të brendshme ligjore, Dhoma ka dalë në përfundimin se paditësit nuk kishin pasur asnjë mundësi ankimi efektiv për sa u përket ankesave të tyre materiale. Për rrjedhojë, ajo i ka rrëzuar prapësimet për mosshterje të mjeteve të brendshme ligjore të kërkuara nga Qeveritë. Nga ana tjetër, pasi ka gjykuar se Sllovenia dhe Serbia ishin përgjegjëse, e para për fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë dhe e dyta për ato të depozituara pranë degës së Investbanka-s në Tuzla, Dhoma ka dalë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak, se ka pasur shkelje të kësaj dispozite nga Serbia ndaj Z. Šahdanović, dhe se nuk ka pasur shkelje të këtij neni nga shtetet e tjera të paditura (paragrafët 83-90 të vendimit të Dhomës).
B. Tezat e palëve
1. Paditësit
128. Paditësit pretendojnë pa dhënë më shumë hollësi se ata nuk kanë pasur asnjë mundësi ankimi efektiv për sa u përket ankesave të tyre materiale.
2. Qeveritë e paditura
129. Vetëm Qeveria sllovene mbron mendimin se e drejta e brendshme u jepte paditësve mundësi ankimi efektiv. Në këtë drejtim, ajo parashtron se ata paskan mundur veçanërisht të ngrenë padi kundër ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s pranë gjykatave sllovene. Ajo shton se të interesuarit paskan mundur gjithashtu ta çojnë këtë bankë para juridiksioneve kroate, duke vënë në dukje që më shumë se pesëqind klientë të degës së ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb kanë fituar vendime kundër kësaj banke dhe që gjashtëdhjetë e tre prej tyre i kanë marrë mbrapsht fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë në përfundim të një shitjeje gjyqësore aktivesh të degës së Zagrebit të ndodhura në Kroaci (paragrafi 43 i mësipërm).
130. Qeveritë e tjera të paditura e pranojnë se paditësit nuk kanë pasur asnjë mundësi ankimi efektiv. Qeveria boshnjake shton se, edhe sikur të interesuarit të kishin fituar vendime që ta urdhëronin ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-n që t’ua shlyente fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë, këto vendime me siguri nuk do të ishin ekzekutuar sepse, sipas saj, legjislacioni i miratuar më 1994 nuk i kishte lënë aktive të mjaftueshme asaj banke (paragrafi 49 i mësipërm). Nga ana e saj, Qeveria kroate mbron mendimin se një padi kundër ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s pranë juridiksioneve kroate do të kishte qenë po aq i paefektshëm, për shkak se banka nuk kishte më aktive në Kroaci (paragrafi 43 i mësipërm).
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
131. Gjykata e ka thënë shumë herë se neni 13 i Konventës e garanton ekzistencën në të drejtën e brendshme të një mundësie ankimi që lejon të përfitohet nga të drejtat dhe liritë e Konventës ashtu siç mund të gjenden ato të sanksionuara aty. Pra, për rrjedhojë, kjo dispozitë kërkon një mjet ankimi të brendshëm që të japë mundësi për të fituar shqyrtimin e përmbajtjes së një “ankese të argumentueshme” mbi bazën e Konventës dhe caktimin e një ndreqjeje të përshtatshme. Rrezja e veprimit të detyrimit që u ngarkon neni 13 shteteve kontraktuese ndryshon në varësi të natyrës së ankesës së paditësit. Sidoqoftë, mjeti i ankimit që kërkon neni 13 duhet të jetë “efektiv” si në praktikë ashtu edhe në ligj. “Efektiviteti” i një “ankimi” në kuptimin e nenit 13 nuk varet nga siguria e një përfundimi të favorshëm për paditësin. Po ashtu, “organi” për të cilin bën fjalë kjo dispozitë nuk ka nevojë të jetë një institucion gjyqësor, mirëpo kompetencat e tij dhe garancitë që paraqet ai duhet të merren parasysh për vlerësimin e efektivitetit të ankimit që ushtrohet para tij. Përveç kësaj, kërkesat e nenit 13 mund të plotësohen nga tërësia e mjeteve të ankimit që ofron e drejta e brendshme, edhe pse asnjë prej tyre i marrë veçmas nuk u përgjigjet plotësisht (Kudła k. Polonisë [DhM], nr. 30210/96, § 157, GjEDNj 2000‑XI).
132. Lidhur fillimisht me padinë civile kundër ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s që paditësit, sipas thënieve të Qeverisë sllovene, paskan mundur të ushtrojnë pranë juridiksioneve sllovene, Gjykata vë në dukje se Gjykata e Qarkut të Lubjanës ka dhënë shumë vendime që e urdhëronin këtë bankë të shlyente fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degën e saj në Sarajevë të shtuara me interesat e fituara (paragrafi 51 i mësipërm). Sidoqoftë, Qeveria sllovene nuk e ka vërtetuar që të paktën njëri prej këtyre vendimeve të jetë ekzekutuar. Për rrjedhojë, deri më sot nuk vërtetohet që kjo rrugë ankimi të ketë qenë në gjendje për t’u ofruar paditësve një zgjidhje të përshtatshme e të mjaftueshme për ankesat e tyre.
133. Lidhur pastaj me mundësinë për të paraqitur një padi civile kundër ish-Ljubljanska Banka Ljubljana-s pranë juridiksioneve kroate, Dhoma e Madhe vëren se, sipas dokumenteve që zotëron ajo, kjo bankë nuk ka më aktive në Kroaci. Për rrjedhojë, kjo rrugë ligjore nuk u ofronte të interesuarve gjasa të arsyeshme për sukses.
134. Gjykata e mban shënim argumentin e Qeverisë sllovene se neni 13 i Konventës nuk shkon deri aty sa të kërkojë një mjet ankimi me anë të të cilit ligjet e një shteti kontraktues të mund të denoncohen si të tilla pranë një autoriteti kombëtar si në kundërshtim me Konventën, dhe se në çështjen në fjalë nuk kishte pra asnjë detyrim për t’u dhënë paditësve një mjet ankimi të brendshëm. Duke e ripohuar këtë interpretim të nenit 13 (Roche k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 32555/96, § 137, GjEDNj 2005‑X, Sejdić e Finci k. Bosnjë-Hercegovinës [DhM], nr. 27996/06 e nr. 34836/06, § 60, GjEDNj 2009, dhe Paksas k. Lituanisë [DhM], nr. 34932/04, § 114, GjEDNj 2011), Gjykata vë në dukje se ankesat e të interesuarve nuk drejtohen kundër legjislacioneve kombëtare të shteteve të paditura e as kundër ndonjë vendimi të brendshëm a ndonjë mase të brendshme. Paditësit i qortojnë shtetet e paditura se nuk e kanë siguruar, në një mënyrë apo në një tjetër, shlyerjen e aseteve të tyre. Për rrjedhojë, Gjykata është e mendimit se të interesuarit ishte dashur të kishin një mjet ankimit të brendshëm efektiv.
135. Për sa i përket Investbanka-s, Gjykata vëren se Serbia nuk e kundërshton që Z. Šahdanović nuk ka pasur një mjet ankimi efektiv.
136. Në këto kushte, Dhoma e Madhe, sipas shembullit të Dhomës, del në përfundimin se neni 13 i Konventës është shkelur nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak, se ai është shkelur nga Serbia ndaj Z. Šahdanović, dhe se ai nuk është shkelur nga shtetet e tjera të paditura.
IV. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 14 TË KONVENTËS
137. Neni14 i Konventës shprehet kështu:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të njohura në (...) Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër.”
138. Paditësit e kanë përmendur këtë nen në vërejtjet e tyre para Dhomës së Madhe, por pa i kushtuar atij shtjellime të mirëfillta. Vërejtjet e Qeverive të paditura rreth kësaj pike janë po aq fjalëpaka. Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe, sipas shembullit të Dhomës, del në përfundimin se nuk ka përse çështja të shqyrtohet në këndvështrimin e nenit 14 për sa u përket Serbisë e Sllovenisë dhe se nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite nga shtetet e tjera të paditura.
V. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 46 TË KONVENTËS
139. Pjesët përkatëse të nenit 46 të Konventës shprehen kështu:
“1. Palët e Larta Kontraktuese zotohen t’u binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në lidhje me mosmarrëveshjet në të cilat janë palë.
2. Vendimi përfundimtar i Gjykatës i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr zbatimin e tij.
(...)”
A. Përfundimet e Dhomës
140. Dhoma ka zbatuar në çështjen në fjalë procedurën e vendimit pilot dhe ka vënë në dukje një numër të caktuar masash të përgjithshme (paragrafët 98-101 të vendimit të Dhomës).
B. Tezat e palëve
141. Vetëm Qeveria serbe dhe Qeveria sllovene e kundërshtojnë zbatimin e procedurës së vendimit pilot në këtë çështje, duke parashtruar në veçanti se ato nuk qenkan në gjendje të verifikojnë saldon e llogarive “të dikurshme” të kursimit në valutë të mbajtura nga degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe të Investbanka-s të ndodhura në shtetet e tjera të paditura pa ndihmën e këtyre të fundit. Qeveria boshnjake dhe Qeveria kroate mbrojnë mendimin se Qeveria serbe dhe Qeveria sllovene i kanë të gjitha informacionet e nevojshme për këtë qëllim.
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. Parimet e përgjithshme
142. Gjykata rikujton se neni 46 i Konventës i interpretuar në dritën e nenit 1 i dikton shtetit të paditur detyrimin ligjor për të venë në zbatim, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose individuale që janë të përshtatshme për ta garantuar atë të drejtë të paditësit shkeljen e së cilës e ka vënë re Gjykata. Shteti duhet t’i zbatojë gjithashtu këto masa ndaj personave të tjerë që ndodhen në të njëjtën situatë me paditësin, meqenëse qëllimi i tij duhet të jetë zgjidhja e problemeve që e kanë çuar Gjykatën te konstatimi i një shkeljeje nga ana e saj (Lukenda k. Sllovenisë, nr. 23032/02, § 94, GjEDNj 2005‑X). Komiteti i Ministrave e nënvizon pa reshtur këtë detyrim gjatë kontrollit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës (ResDH(97)336, IntResDH(99)434, IntResDH(2001)65 dhe ResDH(2006)1).
143. Për të lehtësuar një vënie efektive në zbatim të këtyre vendimeve, Gjykata mund të zgjedhë një procedurë vendimi pilot që e lejon atë jo vetëm të vërë qartë në dukje ekzistencën e problemeve strukturore në zanafillë të shkeljeve, por edhe t’i tregojë shtetit të paditur masat për zgjidhjen e tyre (shih Rezolutën Res(2004)3 lidhur me vendimet që zbulojnë një problem strukturor të nëntëshëm, të miratuar nga Komiteti i Ministrave më 12 maj 2004, nenin 61 të Rregullores së Gjykatës dhe vendimin Broniowski k. Polonisë [DhM], të cituar më lart, §§ 189-194). Kjo procedurë synon të lehtësojë zgjidhjen sa më të shpejtë e sa më të efektshme të një mosfunksionimi që e dëmton mbrojtjen e të drejtave në fjalë të Konventës në rendin e brendshëm juridik (Wolkenberg me të tjerë k. Polonisë (vend. pran.), nr. 50003/99, § 34, GjEDNj 2007‑XIV). Megjithëse duhet të synojë kryesisht ndreqjen e këtyre mosfunksionimeve dhe krijimin, në rast nevoje, të mjeteve për ankim të brendshëm efektiv që e mundësojnë denoncimin e shkeljeve të kryera, veprimi i shteteve të paditura mund të përfshijë gjithashtu edhe miratimin e disa zgjidhjeve ad hoc si pajtime me mirëkuptim me paditësit apo oferta të njëanshme zhdëmtimi, në përputhje me kërkesat e Konventës. Gjykata mund të vendosë kështu ta shtyjë për më vonë shqyrtimin e të gjitha çështjeve të ngjashme, duke u dhënë pra shteteve të paditura një mundësi për t’i zgjidhur ato sipas këtyre mënyrave të ndryshme (shih, për shembull, Bourdov k. Rusisë (nr. 2), nr. 33509/04, § 127, GjEDNj 2009). Në qoftë se, megjithatë, shteti i paditur nuk i merr këto masa pas vendimit pilot dhe në qoftë se ai vazhdon ta shpërfillë Konventën, Gjykata nuk ka alternativë tjetër përveçse ta rifillojë shqyrtimin e të gjitha kërkesëpadive të ngjashme që i janë paraqitur asaj dhe të marrë vendim rreth tyre me qëllim që të garantojë respektimin efektiv të Konventës (shih E.G. k. Polonisë (vend. pran.), nr. 50425/99, § 28, GjEDNj 2008, dhe Kurić me të tjerë k. Sllovenisë (shpërblim i drejtë) [DhM], nr. 26828/06, § 136, GjEDNj 2014).
2. Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në çështjen në fjalë
144. Shkeljet e konstatuara nga Gjykata në këtë çështje prekin një numër të madh personash. Më shumë se 1 850 kërkesëpadi të ngjashme, të cilat kanë të bëjnë me mbi 8 000 paditës, janë të papërfunduara pranë Gjykatës. Ato lidhen me fondet “e dikurshme” të kursimit në valutë të depozituara në degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë e në Zagreb, si edhe në degët e disa bankave serbe të ndodhura në Serbi ose jashtë shtetit (paragrafi 46 i mësipërm). Përveç kësaj, paditësit potencialë numërohen me mijëra. Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe pajtohet me përfundimin e Dhomës se është me vend që në çështjen në fjalë të zbatohet procedura e vendimit pilot, ndonëse Qeveria serbe dhe Qeveria sllovene e kundërshtojnë këtë.
145. Duke pasur parasysh situatën me karakter sistemik që vë re, Gjykata çmon se në suazën e zbatimit të këtij vendimi diktohen pa asnjë dyshim disa masa të përgjithshme në rang kombëtar.
146. Në veçanti, Sllovenia duhet të marrë, brenda një afati njëvjeçar, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjitha masat, duke përfshirë edhe ato të rendit ligjvënës, të cilat nevojiten për t’u mundësuar Znjës Ališić, Z. Sadžak dhe të gjithë atyre që ndodhen në të njëjtën situatë me ta marrjen e fondeve të tyre “të dikurshme” në valutë në të njëjtat kushte si edhe personat që kishin depozituar fonde të tilla në degët sllovene të bankave sllovene (këto kushte janë përshkruar në paragrafin 48 të mësipërm). Nga ana e saj, Serbia duhet të marrë brenda një afati njëvjeçar, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjitha masat, duke përfshirë edhe ato të rendit ligjvënës, të cilat nevojiten për t’i mundësuar Z. Šahdanović dhe të gjithë atyre që ndodhen në të njëjtën situatë me të marrjen e fondeve të tyre “të dikurshme” në valutë në të njëjtat kushte si edhe shtetasit serbë që kishin depozituar fonde të tilla në degët serbe të bankave serbe (këto kushte janë përshkruar në paragrafin 45 të mësipërm).
147. Është e udhës të nënvizohet se masat e treguara këtu më sipër nuk zbatohen ndaj personave të cilëve, ndonëse ndodhen në të njëjtën situatë me paditësit, u janë kthyer tërësisht fondet e tyre “të dikurshme” në valutë – për shembull atyre që kanë mundur t’i tërheqin ato për arsye humanitare (paragrafët 25 e 44 të mësipërm) apo t’i disponojnë ato në kuadrin e procesit të privatizimit të zhvilluar në FBH (paragrafi 32 i mësipërm) –, apo që e kanë marrë nga Qeveria kroate ose Qeveria maqedonase shlyerjen e depozitimeve të bëra në degët e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb e në Shkup (paragrafët 43 dhe 52 të mësipërm). Për rrjedhojë, Serbia dhe Sllovenia mund t’i përjashtojnë këta persona nga programet e tyre përkatëse të rimbursimit. Megjithatë, në rast shlyerje vetëm të pjesshme të fondeve “të dikurshme” në valutë, Serbia dhe Sllovenia do të mbeten debitore për diferencën e pakthyer të kreditimeve që u detyrohen këtyre personave –Serbia për fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara në degët e bankave serbe, Sllovenia për fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara në degët e bankave sllovene – cilado qoftë shtetësia e depozituesve për të cilët bëhet fjalë dhe vendndodhja e atyre degëve.
148. Për t’u dhënë mundësi autoriteteve serbe dhe autoriteteve sllovene që ta verifikojnë saldon e llogarive që kanë të bëjnë me masat e sipërpërmendura, paditësit dhe të gjithë ata të cilët ndodhen në të njëjtën situatë me ta do të duhet të veprojnë në përputhje me kërkesat e procedurave të verifikimit që mund të vendosin Serbia dhe Sllovenia. Përveç kësaj, duke pasur parasysh kohën që ka kaluar dhe luftërat që kanë dëmtuar kaq shumë persona në mënyra të ndryshme, kërkesat e depozituesve nuk do të mund të rrëzohen për të vetmen arsye se këta nuk i disponojnë origjinalet e kontratave të tyre apo të librezave të tyre bankare në qoftë se ekzistenca e kreditimeve të tyre mund të vërtetohet me mjete të tjera. Për më tepër, të gjitha vendimet e marra në kuadrin e procedurave të verifikimit do të duhet të mund t’i nënshtrohen një kontrolli gjyqësor.
149. Ndonëse nuk ka asnjë dyshim që pazotësia për t’i disponuar lirisht fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë, në të cilën gjenden që prej më shumë se njëzet vjetësh personat në fjalë, është për ta një burim dëshpërimi e zhgënjimi të thellë, Gjykata çmon se në këtë stad nuk është e nevojshme të caktohet si masë e përgjithshme që Serbia dhe Sllovenia duhet t’u japin atyre një zhdëmtim të përshtatshëm për këtë dëm. Megjithatë, në qoftë se njëri apo tjetri nga këto shtete nuk do t’i zbatojë masat e përcaktuara në paragrafin 146 të mësipërm e do të vazhdojë kështu ta shkelë Konventën, Gjykata mund ta rishqyrtojë pikën lidhur me zhdëmtimin në një çështje të ardhshme që mund të drejtohet kundër shtetit në fjalë e që mund të jetë e përshtatshme për një rishqyrtim të tillë (Suljagić, i cituar më lart, § 64).
150. Së fundi, Gjykata vendos ta shtyjë për një vit shqyrtimin e të gjitha kërkesëpadive të ngjashme me këtë çështje të drejtuara kundër Serbisë ose Sllovenisë (Suljagić, i cituar më lart, § 65), duke saktësuar se, siç e parashikon Konventa, ajo mund ta shpallë megjithatë në çdo moment njërën apo tjetrën nga këto kërkesëpadi si të papranueshme ose ta fshijë fare nga regjistri i saj.
VII. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
151. Në bazë të nenit 41 të Konventës:
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
152. Paditësit kërkojnë për dëm material kthimin e fondeve të tyre “të dikurshme” në valutë të shtuara me interesa. Gjykata ka marrë tashmë vendim rreth kësaj pike në paragrafin 146 të mësipërm.
153. Përveç kësaj, të interesuarit kërkojnë secili nga 4 000 euro (EUR) për dëm moral.
154. Qeveritë nuk janë shprehur lidhur me këtë në vërejtjet e tyre përpara Dhomës së Madhe.
155. Sipas shembullit të Dhomës, Dhoma e Madhe e pranon se pazotësia në të cilën paditësit gjenden që prej më shumë se njëzet vjetësh për t’i disponuar lirisht fondet e tyre “të dikurshme” të kursimit në valutë nuk ka mundur të mos u shkaktojë atyre dëshpërim e zhgënjim të thellë. Fakti që të interesuarit e kanë marrë mundimin – të paktën në njëfarë mase – për të vepruar në emër të kursimtarëve që ndodhen në të njëjtën pozitë me ta i ka rënduar në mënyrë të pashmangshme këto ndjenja dëshpërimi e zhgënjimi të thellë (Hutten‑Czapska k. Polonisë [DhM], nr. 35014/97, § 248, GjEDNj 2006‑VIII). Për rrjedhojë, duke marrë vendim me drejtësi siç e kërkon neni 41 i Konventës, Gjykata ua cakton paditësve shumat që ata kërkojnë, konkretisht nga 4 000 EUR secili për Znjën Ališić dhe Z. Sadžak (shuma që duhet të paguhen nga Sllovenia) dhe 4 000 EUR për Z. Šahdanović (shumë që duhet të paguhet nga Serbia).
B. Kosto e shpenzime
156. Paditësit kërkojnë 27 351 EUR si kosto e shpenzime të mbuluara prej tyre në suazën e procedurës përpara Dhomës së Madhe.
157. Qeveritë e gjykojnë këtë kërkesë si të tepruar e të pambështetur.
158. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditës mund ta fitojë shlyerjen e kostove dhe të shpenzimeve të tij vetëm në atë masë sa provohet vërtetësia e nevoja e tyre, si edhe karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre. Me fjalë të tjera, paditësi duhet t’i ketë paguar ato, ose të jetë i detyruar t’i paguajë, në bazë të një detyrimi ligjor ose kontraktual, dhe duhet që ai të ketë qenë i shtrënguar që t’i kryejë ato për ta penguar shkeljen e konstatuar ose për ta ndrequr atë. Për këtë, Gjykata kërkon që t’i paraqiten fletë honorarësh e fatura mjaft të përpikta për t’i lejuar asaj të përcaktojë se në çfarë mase janë plotësuar kushtet e sipërpërmendura. Meqenëse paditësit nuk kanë paraqitur as fletë honorarësh, as fatura, Gjykata e rrëzon kërkesën e tyre për kosto e shpenzime.
C. Kamatëvonesat
159. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Rrëzon, njëzëri, kërkesat për prapësime paraprake të bëra nga Qeveritë e paditura;
2. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga Serbia ndaj Z. Šahdanović;
3. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić et dhe Z. Sadžak;
4. Thotë, me pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 nga shtetet e tjera të paditura;
5. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Serbia ndaj Z. Šahdanović;
6. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Sllovenia ndaj Znjës Ališić dhe Z. Sadžak;
7. Thotë, me pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga shtetet e tjera të paditura;
8. Thotë, njëzëri, se ka përse të shqyrtohet ankesa në këndvështrimin e nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 13 të Konventës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 për sa u përket Serbisë dhe Sllovenisë, dhe se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 13 të Konventës dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 nga shtetet e tjera të paditura;
9. Thotë, njëzëri, se fakti që Qeveria serbe dhe Qeveria sllovene nuk i kanë përfshirë paditësit dhe të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën situatë me ta në programet e tyre përkatëse të shlyerjes së fondeve “të dikurshme” në valutë përbën një problem sistemik;
10. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se Serbia duhet të marrë brenda një afati njëvjeçar, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjitha masat, duke përfshirë edhe ato të rendit ligjvënës, që nevojiten për t’ua mundësuar Z. Šahdanović dhe të gjithë atyre që ndodhen në të njëjtën situatë me të që t’i marrin mbrapsht fondet e tyre “të dikurshme” në valutë në të njëjtat kushte si shtetasit serbë që kanë depozituar fonde të tilla në degët serbe të bankave serbe;
11. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se Sllovenia duhet të marrë brenda një afati njëvjeçar, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjitha masat, duke përfshirë edhe ato të rendit ligjvënës, që nevojiten për t’u mundësuar Znjës Ališić, Z. Sadžak dhe të gjithë atyre që ndodhen në të njëjtën situatë me ta që t’i marrin mbrapsht fondet e tyre “të dikurshme” në valutë në të njëjtat kushte si personat që kanë depozituar fonde të tilla në degët sllovene të bankave sllovene;
12. Vendos, njëzëri, ta shtyjë për një vit shqyrtimin e të gjitha kërkesëpadive të ngjashme me këtë çështje të drejtuara kundër Serbisë ose Sllovenisë, duke qenë e nënkuptuar se në bazë të Konventës ajo vazhdon të mundë, në çdo moment, që ta shpallë njërën apo tjetrën nga këto kërkesëpadi si të papranueshme ose ta fshijë fare nga regjistri i saj;
13. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër,
a) se Serbia duhet t’i paguajë, brenda tre muajsh, 4 000 EUR (katër mijë euro) Z. Šahdanović për dëm moral, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim ose si taksë mbi këtë shumë;
b) se Sllovenia duhet t’u paguajë, brenda tre muajsh, nga 4 000 EUR (katër mijë euro) secilit Znjës Ališić dhe Z. Sadžak për dëm moral, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim ose si taksë mbi këtë shumë;
c) se, duke nisur nga përfundimi i afateve të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
14. Rrëzon, njëzëri, kërkesën e paditësve për çdo shtesë si shpërblim i drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 16 korrik 2014.
Michael O’BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
- mendimi pajtues i gjyqtares Ziemele;
- mendimi pjesërisht pajtues i gjyqtarit Popović;
- mendimi pjesërisht kundërshtues i gjyqtares Nuẞberger, me të cilin bashkohet edhe gjyqtari Popović.
D. S.
M. O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Ljubljanska Banka Sarajevo nuk është e njëjta bankë me bankën me të njëjtin emër të themeluar më 1993, e cila përmendet në paragrafin 30 të mëposhtëm, dhe nuk duhet të ngatërrohet me këtë të fundit.
[2]. Paragrafi 43 i mëposhtëm.
[3]. Paragrafi 52 i mëposhtëm.
[4]. Zakon o deviznom poslovanju, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 66/85, 13/86, 71/86, 2/87, 3/88, 59/88, 85/89, 27/90, 82/90 dhe 22/91. Ky shënim dhe ata vijues tregojnë titullin e plotë, në gjuhën origjinale, të normave të së drejtës së brendshme të cilave u referohen.
[5]. Zakon o bankama i drugim finansijskim organizacijama, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 10/89, 40/89, 87/89, 18/90, 72/90 dhe 79/90.
[6]. Zakon o sanaciji, stečaju i likvidaciji banaka i drugih finansijskih organizacija, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 84/89 dhe 63/90.
[7]. Odluka o načinu izvršavanja obaveza Federacije po osnovu jemstva za devize na deviznim računima i deviznim štednim ulozima građana, građanskih pravnih lica i stranih fizičkih lica, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 27/90.
[8]. Zakon o obligacionim odnosima, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 29/78, 39/85, 45/89 dhe 57/89.
[9]. Zakon o deviznom poslovanju i kreditnim odnosima, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 15/77, 61/82, 77/82, 34/83, 70/83 dhe 71/84.
[10]. Qeveria sllovene i ka paraqitur Gjykatës një kopje të këtij raporti (aneksi nr. DhM10).
[11]. Siç vihet në dukje në shënimin në fund të faqes nr. 6, Ljubljanska Banka Sarajevo nuk duhet të ngatërrohet me bankën me të njëjtin emër të themeluar më 1993 e të përmendur në paragrafin 30 të mëposhtëm.
[12]. Odluka o načinu na koji ovlašćene banke izvršavaju naloge za plaćanje domaćih fizičkih lica devizama sa njihovih deviznih računa i deviznih štednih uloga, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 28/91, 34/91, 64/91 dhe 9/92.
[13]. Odluka o načinu vođenja deviznog računa i deviznog štednog uloga domaćeg i stranog fizičkog lica, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 6/91, 30/91, 36/91 dhe 25/92.
[14]. Uredba sa zakonskom snagom o preuzimanju i primjenjivanju saveznih zakona koji se u Bosni i Hercegovini primjenjuju kao republički zakoni, Gazeta Zyrtare e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës nr. 2/92.
[15]. Qeveria boshnjake i ka paraqitur Gjykatës një kopje të këtij dokumenti.
[16]. Odluka o uslovima i načinu isplata dinara po osnovu definitivne prodaje devizne štednje domaćih fizičkih lica i korišćenju deviza sa deviznih računa i deviznih štednih uloga domaćih fizičkih lica za potrebe liječenja i plaćanja školarine u inostranstvu, Gazeta Zyrtare e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës nr. 4/93; Odluka o uslovima i načinu davanja kratkoročnih kredita bankama na osnovu definitivne prodaje deponovane devizne štednje građana i efektivno prodatih deviza od strane građana, Gazeta Zyrtare e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës nr. 10/93 e 2/94; dhe Odluka o ciljevima i zadacima monetarno-kreditne politike u 1995, Gazeta Zyrtare e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës nr. 11/95 dhe 19/95.
[17]. Zakon o utvrđivanju i realizaciji potraživanja građana u postupku privatizacije, Gazeta Zyrtare e FBH nr. 27/97, 8/99, 45/00, 54/00, 32/01, 27/02, 57/03, 44/04, 79/07 dhe 65/09.
[18]. Uredba o ostvarivanju potraživanja lica koja su imala deviznu štednju u bankama na teritoriju Federacije, a nisu imala prebivalište na teritoriju Federacije, Gazeta Zyrtare e FBH nr. 44/99.
[19]. Zakon o utvrđivanju i načinu izmirenja unutrašnjih obaveza Federacije, Gazeta Zyrtare e FBH nr. 66/04, 49/05, 35/06, 31/08, 32/09 dhe 65/09.
[20]. Zakon o izmirenju obaveza po osnovu računa stare devizne štednje, Gazeta Zyrtare e FBH nr. 28/06, 76/06 dhe 72/07.
[21]. Zakon o postupku upisa pravnih lica u sudski registar, Gazeta Zyrtare e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës nr. 4/00, 49/00, 32/01, 19/03 dhe 50/03.
[22]. Zakon o pretvaranju deviznih depozita građana u javni dug Republike Hrvatske, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kroacisë nr. 106/93.
[23]. Pravilnik o utvrđivanju uvjeta i načina pod kojima građani mogu prenijeti svoju deviznu štednju s organizacijske jedinice banke čije je sjedište izvan Republike Hrvatske na banke u Republici Hrvatskoj, Gazeta Zyrtare e Republikës së Kroacisë nr. 19/94.
[24]. Qeveria sllovene i ka paraqitur Gjykatës një kopje të këtij dokumenti (anekset nr. 273-74).
[25]. Odluka o uslovima i načinu davanja kratkoročnih kredita bankama na osnovu definitivne prodaje deponovane devizne štednje građana, Gazeta Zyrtare e Republikës Federale të Jugosllavisë nr. 42/93, 49/93, 71/93 dhe 77/93; Odluka o uslovima i načinu isplate dela devizne štednje građana koja je deponovana kod NBJ, Gazeta Zyrtare nr. 42/94, 44/94 dhe 50/94; Odluka o uslovima i načinu isplate dela devizne štednje građana koja je deponovana kod NBJ, Gazeta Zyrtare nr. 10/95, 52/95, 58/95, 20/96, 24/96 e 30/96, dhe Odluka o privremenom obezbeđivanju i načinu i uslovima isplate sredstava ovlašćenim bankama na ime dinarske protivvrednosti dela devizne štednje deponovane kod NBJ isplaćene građanima za određene namene, Gazeta Zyrtare e Republikës Federale të Jugosllavisë nr. 41/96, 21/98 dhe 4/99.
[26]. Zakon o regulisanju javnog duga Savezne Republike Jugoslavije po osnovu devizne štednje građana, Gazeta Zyrtare e Republikës Federale të Jugosllavisë nr. 36/02.
[27]. Zakon o izmirenju obaveza po osnovu devizne štednje građana, Gazeta Zyrtare e Republikës Federale të Jugosllavisë nr. 59/98, 44/99 e 53/01.
[28]. Zakon o privatizaciji, Gazeta Zyrtare e Republikës së Serbisë nr. 38/01, 18/03, 45/05, 123/07 dhe 30/10.
[29]. Ustavni zakon za izvedbo Temeljne ustavne listine o samostojnosti in neodvisnosti RS, Gazeta Zyrtare e Republikës së Sllovenisë nr. 1/91 e 45/94.
[30]. Zakon o poravnavanju obveznosti iz neizplačanih deviznih vlog, Gazeta Zyrtare e Republikës së Sllovenisë nr. 7/93.
[31]. Zakon o Skladu Republike Slovenije za sukcesijo, Gazeta Zyrtare e Republikës së Sllovenisë nr. 10/93, 38/94 dhe 40/97.
[32]. Zakon o Skladu Republike Slovenije za nasledstvo in visokem predstavniku Republike Slovenije za nasledstvo, Gazeta Zyrtare e Republikës së Sllovenisë nr. 29/06 dhe 59/10.
[33]. Vendim i botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Sllovenisë nr. 105/09.
[34]. Закон за преземање на депонираните девизни влогови на граѓаните од страна на Република Македонија, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 26/92; Закон за гаранција на Република Македонија за депонираните девизни влогови на граѓаните и за обезбедување на средства и начин за исплата на депонираните девизни влогови на граѓаните во 1993 и 1994, Gazeta Zyrtare nr. 31/93, 70/94, 65/95 e 71/96; dhe Закон за начинот и постапката на исплатување на депонираните девизни влогови на граѓаните по кои гарант е Република Македонија, Gazeta Zyrtare nr. 32/00, 108/00, 4/02 dhe 42/03.
[35]. Odluka o načinu vođenja deviznog računa i deviznog štednog uloga domaćeg i stranog fizičkog lica, Gazeta Zyrtare e RSFJ-së nr. 6/91, 30/91, 36/91 dhe 25/92.
[36]. Ky ligj është miratuar nga Republika Federale e Jugosllavisë. E krijuar më 1992 dhe e shpërbërë më 2003, kjo republikë përmblidhte Serbinë dhe Malin e Zi. Trashëgimtarja e vetme e saj është Serbia.
[37]. RSFJ-ja e ka nënshkruar këtë traktat më 1983. Më 2001, Republika Federale e Jugosllavisë ka depozituar një instrument me anë të të cilit ajo shprehte vullnetin e saj për ta trashëguar nënshkrimin e vendosur nga RSFJ-ja.
[38]. I krijuar nga Komuniteti Evropian dhe shtetet e tij anëtare më 1991, ky komision ka nxjerrë pesë mendime në lidhje me disa pikëpyetje juridike të shtruara nga shpërbërja e RSFJ-së (shih International Law Reports 92 (1993), f. 162-208, dhe 96 (1994), f. 719-37).
[39]. Shih punimet përgatitore të Marrëveshjes të paraqitura nga Qeveria sllovene (anekset nr. 265-270).
[40]. Qeveria kroate i ka paraqitur Gjykatës një kopje të kësaj letre.
[41]. Qeveria kroate i ka paraqitur Gjykatës një kopje të kësaj letre.
[42]. Qeveria serbe i ka paraqitur Gjykatës një kopje të komunikimeve SWIFT dhe të dokumenteve të tjera përkatëse.
[43]. Niveli i garancisë është çuar nga 20 000 në 100 000 euro më 2010 (Direktiva 2009/14/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të 11 marsit 2009 për ndryshimin e Direktivës 94/19/KE lidhur me sistemet e garantimit ë depozitave).
Full & Egal Universal Law Academy