© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 176
Korrik 2014
Ališić me të tjerë k. Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë, Sllovenisë dhe "ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë" [DhM] - 60642/08
Vendim 16.7.2014 [DhM]
Neni 46
Vendim pilot
Masa të përgjithshme
Sllovenia dhe Serbia të detyruara për të marrë masa me qëllim që t’ua mundësojnë paditësve, si edhe të gjithë personave të tjerë në të njëjtën situatë, marrjen mbrapsht të depozitave “të dikurshme” në valuta të huaja
neni 1 i Protokollit nr. 1
neni 1 paragr. 1 i Protokollit nr. 1
Respektimi i pasurive
Pamundësi, pas shpërbërjes së RSFJ-së, për t’i tërhequr depozitimet “e dikurshme” në valuta të huaja: shkelje
Faktet – Paditësit janë shtetas boshnjakë. Deri më 1989-1990, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ-ja) i nxiti shtetasit e vet që të depozitonin valuta në bankat e saj duke i shpërblyer depozitimet e tyre me përqindje të larta interesash dhe duke u dhënë atyre një garanci shtetërore së cilës mund t’i kërkohej që të përgjigjej në rast falimentimi ose “paaftësie të qartë paguese” të bankave në fjalë. Përveç kësaj, depozituesve u lejohej t’i tërhiqnin në çdo çast shumat e tyre, të shtuara me interesat e fituar. Paditësja e parë dhe ai i dytë kishin depozituar fonde në valutë pranë një banke të quajtur asokohe Ljubljanska Banka Sarajevo. Edhe paditësi i tretë kishte depozituar fonde të tilla pranë degës së Investanka-s në Tuzla. Përmes reformave të viteve 1989-1990, Ljubljanska Banka Sarajevo u kthye në një filial të Ljubljanska Banka Ljubljana-s, e cila i mori të gjitha të drejtat, aktivet dhe pasivin e saj. Nga ana e vet, Investbanka u kthye në një bankë autonome me seli në Serbi dhe me degë në Bosnjë-Hercegovinë, ndër të cilat ajo e Tuzlës. Gjatë kësaj periudhe, këmbyeshmëria e dinarit dhe disa vlera këmbimi shumë të favorshme shkaktuan tërheqje masive të valutave të depozituara nëpër bankat tregtare, dukuri që e nxiti RSFJ-në të merrte masa urgjente për t’i kufizuar tërheqjet në fjalë. Pas shpërbërjes së RSFJ-së më 1991-1992, depozitimet “e dikurshme” në valutë mbetën të ngrira nëpër shtetet trashëgimtare. Megjithatë, këto të fundit pranuan t’ua shlyenin ato bankave kombëtare. Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës iu drejtuan shumë padi individuale në lidhje me mosshlyerjen e depozitimeve “të dikurshme” në valutë të kryera pranë Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe Investbanka-s. Ajo doli në përfundimin se mungonte përgjegjësia e Bosnjë-Hercegovinës dhe e entiteteve të saj dhe e urdhëroi shtetin që t’i ndihmonte klientët e këtyre bankave për t’i marrë asetet e tyre pranë Sllovenisë ose Serbisë, sipas rastit. Në kuadrin e diskutimeve paraprake për lidhjen e Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë, disa negociata kushtuar ndarjes së garancive të dhëna nga RSFJ-ja për depozitat “e dikurshme” në valutë u mbajtën më 2001 dhe 2002. Meqenëse shtetet trashëgimtare nuk arritën në një marrëveshje, Banka e Shlyerjeve Ndërkombëtare i njoftoi ato më 2002 se ajo tërhiqej nga negociatat. Në kërkesëpaditë e tyre pranë Gjykatës, paditësit pretendonin se ata gjendeshin në pazotësi për t’i tërhequr fondet e tyre në valutë.
Ligji – Neni 1 i Protokollit nr. 1: Në vendimin e saj rreth pranueshmërisë së kërkesëpadive, Dhoma ka dalë në përfundimin se garancisë ligjore të dhënë prej RSFJ-së për fondet “e dikurshme” në valutë të depozituara pranë Ljubljanska Banka Ljubljana-s dhe Investbanka-s nuk i ishte kërkuar të përgjigjej përpara shpërbërjes së RSFJ-së dhe se detyrimet e këtyre bankave nuk i ishin transferuar kësaj të fundit përpara shpërbërjes së saj. Dhoma e Madhe pajtohet me këtë përfundim. Përveç kësaj, ajo nënvizon se dy bankat në fjalë mbeten përgjegjëse për depozitimet “e dikurshme” në valutë të kryera pranë degëve të tyre boshnjake që prej shpërbërjes së RSFJ-së. Gjykata duhet të shqyrtojë tani pikën nëse mund të quhen si përgjegjëse Sllovenia dhe Serbia për mosshlyerjen nga këto banka të borxheve të tyre ndaj paditësve.
Qeveria sllovene e ka shtetëzuar Ljubljanska Banka Ljubljana-n dhe ia ka transferuar pjesën më të madhe të aktiveve të këtij institucioni një banke të re duke ripohuar se ish-Ljubljanska Banka mbetej përgjegjëse për depozitat “dikurshme” në valutë të mbajtura nga degët e saj që ndodheshin në shtetet e tjera trashëgimtare. Nga ana tjetër, Sllovenia është aksionarja e vetme e ish-Ljubljanska Banka-s, e cila administrohet nga një organizëm qeveritar. Përveç kësaj, Sllovenia është përgjegjëse në një masë të madhe për paaftësinë e kësaj banke për t’i shlyer borxhet e saj – përderisa ajo ia ka transferuar shumicën e aktiveve të kësaj të fundit një banke të re – dhe nga disa elemente të dosjes së çështjes del që pjesa më e madhe e fondeve të depozituara pranë degës së Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Sarajevë kanë përfunduar në fund të fundit në Slloveni. Në këto kushte, Sllovenia ka detyrim për borxhet e marra nga Ljubljanska Banka Ljubljana pranë paditëses së parë dhe atij të dytë.
Nga ana e saj, Investbanka është një bankë publike që i përket Serbisë dhe ajo administrohet prej një organizmi qeveritar serb. Për më tepër, Investbanka është shtrënguar të heqë dorë, në dëm të vet dhe të partnerëve të saj, nga kreditimet e mëdha që ajo kishte në disa shoqëri publike dhe shoqëri në pronësi kolektive. Me fjalë të tjera, Serbia ka vepruar si ka dashur me aktivet e Investbanka-s. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se ka arsye të mjaftueshme për t’ia vënë në ngarkim Serbisë përgjegjësinë e borxheve të Investbanka-s ndaj paditësit të tretë.
Për sa i përket pazotësisë së paditësve për t’i disponuar lirisht depozitat e tyre “të dikurshme” në valutë që prej viteve 1991-1992, Gjykata vë re se Qeveria serbe dhe ajo sllovene e kanë shpjeguar vonesën e tyre kryesisht me faktin se e drejta ndërkombëtare i detyron ato për ta negociuar këtë pikë me shtetet e tjera trashëgimtare. Sidoqoftë, detyra për të negociuar nuk i pengon shtetet trashëgimtare që të miratojnë masa për mbrojtjen e interesave të kursimtarëve. Kroacia u ka shlyer qytetarëve të saj një pjesë të madhe të fondeve “të dikurshme” në valutë të depozituara në degën e Ljubljanska Banka Ljubljana-s në Zagreb, kurse ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë i ka shlyer tërësisht depozitimet “e dikurshme” në valutë të kryera pranë degës së kësaj banke në Shkup. Megjithatë, këto shtete nuk kanë hequr dorë asnjëherë nga qëndrimi i tyre se Sllovenia duhet që në përfundim të quhet përgjegjëse për këto borxhe dhe ato i kanë ruajtur këto pretendime në nivelin ndërshtetëror në kuadrin e negociatave rreth trashëgimisë. Përveç kësaj, qeveria sllovene dhe ajo serbe mbrojnë mendimin se pika lidhur me përgjegjësinë ndaj borxheve të bankave që ndodhen në Bosnjë-Hercegovinë duhet të ndreqet përmes zbatimit të parimit të territorialitetit. Gjykata e hedh poshtë këtë tezë dhe rikujton se në të drejtën ndërkombëtare të trashëgimisë së shteteve duhet të zbatohet parimi i “përpjesëtimit të drejtë”.
Ndonëse disa vonesa shlyerjeje të borxheve objekt konflikti mund të përligjen në rrethana të jashtëzakonshme dhe shtetet e paditura kanë në këtë fushë një hapësirë të gjerë vlerësimi, pazotësia në të cilën gjenden paditësit që prej më shumë se njëzet vjetësh për t’i disponuar lirisht asetet e tyre është e shpërpjesëtuar dhe përbën për pasojë një shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1.
Gjykata thekson se përfundimet e saj nuk nënkuptojnë që shtetet nuk do të mundin kurrë ta ristrukturojnë një bankë në falimentim pa u quajtur drejtpërdrejt si përgjegjës për borxhet e kësaj të fundit në këndvështrimin e nenit 1 të Protokollit nr. 1. Duke pasur parasysh kontekstin në të cilin përfshihet ajo, kjo çështje është e veçantë dhe dallohet nga çështjet ku bëhet fjalë për ristrukturimin e bankave private në paaftësi paguese.
Përfundimet: shkelje nga Sllovenia ndaj paditësve të parë e të dytë (njëzëri); shkelje nga Serbia ndaj paditësit të tretë (njëzëri); jo-shkelje nga shtetet e tjera të paditura (pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër).
Gjykata del për më tepër, njëzëri, në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës nga Sllovenia ndaj dy paditësve të parë dhe se ka pasur shkelje të së njëjtës dispozitë nga Serbia ndaj paditësit të tretë.
Neni 46: Më shumë se 1 850 kërkesëpadi të ngjashme të cilat kanë të bëjnë me mbi 8 000 paditës janë të papërfunduara pranë Gjykatës dhe paditësit potencialë numërohen me mijëra. Për rrjedhojë, është me vend që në këtë çështje të zbatohet procedura e vendimit pilot. Duke pasur parasysh situatën me karakter sistemik që ajo ka konstatuar, Gjykata çmon se në kuadrin e zbatimit të këtij vendimi kërkohen pa asnjë dyshim disa masa të përgjithshme në rang kombëtar. Në veçanti, Sllovenia dhe Serbia duhet të marrin, brenda një afati njëvjeçar, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjitha masat, duke përfshirë ato të rendit ligjvënës, që nevojiten për t’ua mundësuar paditësve dhe të gjithë atyre që ndodhen në të njëjtën situatë me ta që t’i marrin mbrapsht fondet e tyre “të dikurshme” në valutë në të njëjtat kushte si personat që kanë depozituar fonde të tilla në degët sllovene dhe serbe të bankave sllovene dhe serbe. Ndonëse nuk ka përse të përcaktohet se të gjithë personat e prekur duhet të marrin zhdëmtim për dëmin që rrjedh nga pazotësia ku ata gjenden që prej më shumë se njëzet vjetësh për t’i disponuar lirisht asetet e tyre, Gjykata mund ta rishqyrtojë këtë pikë në qoftë se njëri ose tjetri nga shtetet e paditura që ka të bëjë me masat e përgjithshme të përmendura më lart nuk do t’i zbatojë ato. Së fundi, Gjykata vendos ta shtyjë për një vit shqyrtimin e të gjitha kërkesëpadive të ngjashme me këtë çështje të drejtuara kundër Serbisë ose Sllovenisë.
Neni 41: 4 000 EUR paditësve të parë, të dytë dhe të tretë për dëm moral.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy