© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E ANIMAL DEFENDERS INTERNATIONAL kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesa nr. 48876/08)
VENDIM
STRASBURG
22 prill 2013
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Animal Defenders International kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Nicolas Bratza,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Ineta Ziemele,
Elisabeth Steiner,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
András Sajó,
Zdravka Kalaydjieva,
Mihai Poalelungi,
Nebojša Vučinić,
Kristina Pardalos,
Vincent A. De Gaetano,
Julia Laffranque,
Helen Keller, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 7 mars 2012 dhe 20 shkurt 2013,
Shpall vendimin e mëposhtëm i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me një kërkesë (nr. 48876/08) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës të depozituar në Gjykatë në pajtim me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga Animal Defenders International, organizatë jo-qeveritare (“OJQ”) me seli në Londër (“kërkuesja”), më 11 shtator 2008.
2. Kërkuesja përfaqësohej para Gjykatës nga Znj. T. Allen, avokate që zhvillon aktivitetin në Londër. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjentja e saj, Znj. A. Sornarajah, nga Zyra e Jashtme dhe Commonwealth-it.
3. Kërkuesja u ankua për ndalimin e reklamave politike me pagesë nga neni 321(2) i Ligjit për Komunikimet të vitit 2003.
4. Kërkesa u depozitua në Seksionin e Katërt të Gjykatës (neni 52 § i Rregullores së Gjykatës). Më 21 janar 2011 Gjykata vendosi t’ia komunikonte kërkesën Qeverisë. Po ashtu, ajo vendosi të merrte një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjes në të njëjtën kohë (neni 29 § 1). Më 29 nëntor 2011 Dhoma vendosi t’ia kalonte juridiksionin Dhomës së Madhe.
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në pajtim me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
6. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën deklaratat e tyre në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet.
7. Një seancë dëgjimore u mbajt në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 7 mars 2012 (neni 59 § 3). Para Gjykatës dolën:
– për Qeverinë
Z.A. Sornarajah,Agjentë,
Z.M. Chamberlain,Avokatë,
Znj.E. Van Heyningen,
Znj.S. White, Këshilltarë;
– për kërkuesit
Z.H. Tomlinson QC,
Z.A. O’Neill QC,Avokatë,
Znj.T. Allen,Këshilltarë,
Znj.J. Creamer, Kryetare e organizatës kërkuese.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. Chamberlain dhe Z. Tomlison.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. OJQ kërkuese zhvillon fushatë kundër përdorimit të kafshëve për tregti, shkencë dhe kohë të lirë, duke synuar arritjen e ndryshimeve në ligj dhe në politikat publike dhe ndikimin e opinionit publik dhe parlamentar në atë drejtim.
1. Reklama e ndaluar televizive
9. Në vitin 2005 kërkuesja filloi një fushatë të quajtur ‘Miku Im Është Primat’ (angl. ‘My Mate’s a Primate’) e cila drejtohej kundër mbajtjes dhe ekspozimit të primatëve dhe përdorimit të tyre në reklamat televizive. Si pjesë e fushatës, kërkuesja dëshironte të transmetonte një reklamë televizive prej 20 sekondash. Reklama e propozuar fillonte me pamjen e një kafazi kafshësh nga errësira e të cilit dilte një vajzë e lidhur me zinxhirë. Më pas figura hiqej dhe në ekran shfaqeshin tre mesazhe njëri pas tjetrit: “Një shimpanze ka moshën mendore të një fëmije 4-vjeçar”; “Megjithëse kemi 98% të njëjtën përbërje gjenetike, ata vazhdojnë të burgosen dhe të abuzohen për argëtimin tonë”; dhe “Për të mësuar më shumë dhe si mund të na ndihmoni ta ndalojmë këtë, ju lutem porosisni paketën informative prej 10 paund”. Në sekuencën përfundimtare, shfaqej një shimpanze në të njëjtin pozicion si vajza.
10. Reklama e propozuar iu paraqit Qendrës për Leje Transmetimi të Reklamave (angl. Broadcast Advertising Clearance Centre) (“BACC”) për shqyrtim të pajtueshmërisë me ligjet dhe kodet përkatëse. Më 5 prill 2005 BACC refuzoi dhënien e lejes për transmetimin e reklamës. Synimet e kërkueses ishin “krejtësisht ose kryesisht të nja natyre politike” kështu që neni 321(2) i Ligjit për Komunikimet të vitit 2003 (“Ligji i vitit 2003”) e ndalonte transmetimin e reklamës. Ky vendim u konfirmua më 6 maj 2005. Reklama mund të shikohej, dhe ende mund të shikohet, në internet.
2. Gjykata e Lartë ([2006] EWHC 3069)
11. Më 19 tetor 2005 kërkuesja filloi procedurat duke kërkuar një deklaratë papajtueshmërie në bazë të nenit 4 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998 (“HRA”) duke argumentuar që ndalimi i reklamave politike në televizion dhe në radio që imponohej nga Ligji i vitit 2003 ishte në papajtueshmëri me nenin 10 të Konventës. Çështja e vetme e kontestuar ishte nëse ndalimi mund të konsiderohej “i nevojshëm në një shoqëri demokratike”.
12. Në emër të Shtetit, u dorëzua një dëshmi nga Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kulturës, Medias dhe Sportit (“DCMS”) e datës 16 dhjetor 2005. Aty shpjegohej me hollësi se si paanshmëria ishte tipar themelor i regjimit rregullator që zbatohej në transmetime dhe përse konsiderohej që reklamimi politik ishte në papajtueshmëri me paanshmërinë. Aty shpjegohej që një ndalim më pak kufizues ishte i papraktikueshëm, duke përshkruar procesin e shqyrtimit i cili kishte filluar në vitin 1999 (shih paragrafët 37-55 poshtë) dhe duke nënvizuar që organet përkatëse të konsultuara e kishin mbështetur ndalimin, dhe ajo konsideroi që kjo i jepte përgjigje argumenteve të kërkueses. Kontrollet mbi mediat transmetuese ishin të justifikuara duke pasur parasysh natyrën unike të mediumit dhe duke qenë se kishte media të tjera në dispozicion të kërkueses. Dëshmia i referohej Shteteve të tjera me dispozita të ngjashme Irlanda, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia), duke përfunduar që, në vendet të cilat lejonin reklamimin politik me pagesë mbeteshin “probleme të konsiderueshme praktike” në administrimin e një sistemi të tillë për të arritur të garantohej qasje e barabartë për të gjitha palët aty ku sfondi politik karakterizohej nga parti të shumta, ku partitë/transmetuesit anashkalonin rregullat në lidhje me kufijtë e kohës/financimit për reklamat politike me pagesë, dhe ku kishte konfuzion lidhur me faktin se çfarë përbënte reklamim “politik”.
13. Më 4 dhjetor 2006 Gjykata e Lartë (Auld LJ and Ousley J) e rrëzoi pretendimin e kërkueses. Të dy gjyqtarët konsideruan që ndalimi ishte gjerësisht i përkufizuar. Ousley J vërejti që ai mbulonte “vazhdimësinë e aktivitetit politik dhe intensitetin nga aktiviteti politik partiak në kohë zgjedhjesh deri tek ndjekja nga organe jo-politike në çfarëdo kohe e interesave të caktuara publike”. Ndërkohë që të shprehurit politik ishte një formë tepër e çmuar e shprehjes, të dy gjetën që ndërhyrja ishte e justifikuar.
14. Të dy gjyqtarët refuzuan mbështetjen tek çështja VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës (nr. 24699/94, ECHR 2001‑VI) e cila ata gjetën që ishte kthyer kah faktet e saj. Auld LJ gjeti që Ligji i vitit 2003 kishte pasur disa tipare përmirësuese të cilat nuk ishin të pranishme në çështjen për diskutim në VgT, përfshirë relaksimin e kontrolleve mbi kohën dhe përmbajtjen e transmetimeve politike dhe atyre zgjedhore. Ata u mbështetën tek kritikat ndaj vendimit të VgT në çështjen R (Aleanca Pro-Jetës, angl. ProLife Alliance) kundër BBC ([2003] UKHL 23), ku Ousley J gjeti që nuk ishte e mundur të dallohej baza e vendimit të VgT. Të dy gjyqtarët dyshuan në relevancën e çështjes Murphy kundër Irlandës (nr. 44179/98, ECHR 2003‑IX (pjesë të shkëputura)): ajo nuk kishte lidhje me reklamimin politik dhe ata nuk ishin të bindur nga fakti që aty vunë re që hapësira e vlerësimit për kufizimet ndaj reklamave politike mund të ishin më të ngushta sesa ato ndaj reklamave fetare.
15. Të dy gjyqtarët nënvizuan që duhej treguar kujdes nga gjykatat për sa i përkiste politikës dhe zgjedhjeve legjislative të Parlamentit. Auld LJ përsëriti që:
“ ... në çështje të tilla gjykimi social dhe politik, autoritetet ekzekutive dhe legjislative - posaçërisht këto të fundit - të një Shteti Kontraktues normalisht mund të pritet që t’i kuptojnë më mirë ose më me siguri nevojat demokratike dhe aspektet praktike të tyre sesa Gjykata e Strasburgut apo gjykatat e tij. Aty gjendet nocioni i respektit i cili, sido që të quhet, ende qëndron si paralajmërim për gjykatat tona që të bëjnë kujdes ndaj ndërhyrjes më të gatshme sesa duhet tek politikat e Qeverisë apo skemat legjislative të Parlamentit gjatë zbatimit të tyre. Një paralajmërim i tillë për maturi është element veprues për zgjerimin, e jo ngushtimin, e hapësirës së vlerësimit/cakun dhe gjykimin e lirisë për të vepruar të një Shteti Kontraktues në këtë kontekst, ashtu siç mund të jetë edhe në kontekstin e çështjeve të tjera të rëndësishme dhe të ndjeshme sipas traditave të një Shteti Kontraktues, ndaj të cilave autoritetet e Shtetit në fjalë – si ato të Irlandës në çështjen Murphy – janë posaçërisht aktive dhe shumë të kualifikuara për t’i vlerësuar.
Këtu, Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka zgjedhur të vendosë ndalesa kundër reklamimit politik të kufizuara në mediat transmetuese për shkak të fuqisë së tyre që perceptohet të jetë më e madhe sesa mediat e tjera, dhe, rrjedhimisht, potencialit më të madh për shtrembërim nga interesat e pasura të procesit demokratik. Mund të jetë edhe fakti që mund të ishte administruar ndryshe, por a i takon gjykatës të jetë gjykuese e kësaj, duke pasur parasysh që ajo po përballet me mbështetje të gjerë dhe tepër autoritare nga Parlamenti?”
Auld LJ më vonë doli në përfundimin që Parlamenti kishte vepruar brenda caqeve të vendimit sipas diskrecionit që ka në dispozicion.
Ousley J deklaroi që Gjykata e Lartë nuk u mbështet vetëm në provat para saj meqenëse “përvoja, ekspertiza dhe gjykimi i Parlamentit i shprehur në legjislacion mund të tregojë justifikimin e nevojshëm”. Për sa i përket justifikimit për ndalimin, ai deklaroi:
“Këtu bëhet fjalë për interesa konkurruese të cilat një legjislaturë ka të drejtë dhe e ka për detyrë t’i ekuilibrojë, duke pasur parasysh mënyrën në të cilën ajo mund të presë që grupet dhe partitë do ta përdornin qasjen më të madhe ndaj mediave transmetuese të cilën e kërkon Kërkuesja për vete dhe të tjerë. ...
Në këtë aspekt, është e qartë se Parlamenti ka shprehur një pikëpamje të konsideruar, pasi është marrë me implikimet e të drejtave të njeriut në s231. Unë i jap peshë të madhe pikëpamjes së tij të shprehur kështu si evidentim i nevojës për këtë kufizim. Ky nuk është akt ekzekutiv, jo legjislacion i deleguar por primar, i cili është miratuar pa kundërshtime nga anëtarët e Parlamentit. Ai ka qenë i vetëdijshëm për kundërshtimet mbi bazën e të drejtave të njeriut nga Profesor Barendt, dhe për rezervat, mbi bazën e çështjes VgT, të shprehura nga Komisioni i Përbashkët i të Drejtave të Njeriut dhe Komisioni Zgjedhor.
Gjithashtu, pikëpamjes së konsideruar të Parlamentit i jap peshë të madhe për shkak të temës së diskutimit. Impakti i transmetimit në lidhje me temat, kuadrin dhe intensitetin e debatit politik është i tillë që pak veta do të ishin në gjendje ta vlerësonin më mirë sesa ata që merren çdo ditë me votuesit dhe grupet e interesit, nëse duhet të pranohet, nëse duhet të reagohet, apo nëse duhet të bëhet rezistencë ndaj ndikimit të tyre. Ata do të ishin në pozicion më të mirë për të ditur se çfarë lloj grupesh ka pasur apo mund të ketë të cilat mund të përfitonin nga shkallët e modifikimit të ndalimit në fjalë. Nuk kontestohet që Parlamenti, përmes deputetëve të tij dhe kolegëve politikisht aktivë, është në pozicion shumë më të mirë për të arritur një vendim në lidhje me ato çështje sesa gjyqtarët. Kjo nuk është një fushë që hyn më shumë në një sferë në të cilën gjyqtarët janë më me përvojë dhe më ekspertë. Kjo është edhe më e vërtetë në rastin e gjyqtarëve jo-kombëtarë.
Unë i shoh këto faktorë si të atillë që ofrojnë prova substanciale për këndvështrimin e një organi të zgjedhur demokratikisht gjatë marrjes së vendimit se cili kufizim është vërtetuar të jetë i nevojshëm në interes të publikut. Në thelb, me fjalë të tjera mund të thuhet se tema në fjalë kërkon që Parlamentit t’i jepet një hapësirë e konsiderueshme diskrete gjykimi.
Pa dyshim që Parlamenti mund të kishte hartuar një formulim me fjalë i cili do të përfaqësonte një zgjidhje të rëndomtë për çdo problem lidhur me vendin ku duhet hequr vija mes llojeve [të] reklamuesit apo reklamës. Megjithatë, kompleksitetet dhe arbitrariteti i pashmangshëm i çdo zgjidhjeje, sido që të quhet, janë pikërisht çështje që duhen shqyrtuar nga Parlamenti gjatë marrjes së vendimit që një ndalim i plotë i transmetimit të reklamave është përgjigjja e vetme praktike dhe e drejtë.”
Nëse miratimi i ndalimit nga Parlamenti ishte provë e nevojshmërisë së tij në një fushë të ekspertizës së Parlamentit apo si gjykim në një fushë ku atij do të duhej t’i jepej një hapësirë më e madhe diskrecioni, Ousley J konsideroi që vendimi i Parlamentit duhet të respektohet nga gjykatat.
16. Duke shënuar mungesën e një konsensusi relevant evropian, Auld LJ vërejti që raportet e parashtruara të ekspertëve kishin ofruar fare pak ndihmë, ishin paraqitur nga Shteti thjesht si bërje e ditur, dhe Shteti nuk ishte mbështetur në to. Ousley J vërejti që Gjykatës së Lartë i ishte paraqitur një pjesë, por jo tërësia, e materialit në lidhje me mënyrën se si disa Shtete të tjera të Këshillit të Europës dhe të Commonwealth-it e administronin këtë çështje. Nuk kishte ndonjë dobi të madhe përveç se tregonte që kishte konsensus të përgjithshëm që periudhat zgjedhore justifikonin ndalimet e reklamave dhe që nuk kishte konsensus të qartë nëse ndalimi në fjalë ishte i nevojshëm jashtë një periudhe zgjedhore. Shtete të ndryshme kishin vendosur se çfarë kufizimesh ishin të nevojshme duke pasur parasysh ndjeshmëritë e tyre të veçanta politike dhe sistemet e transmetimit. Mungesa e konsensusit mund të ketë reflektuar ato kushte të ndryshueshme të cilat me të drejtë ishin pjesë e gjykimit të një legjislature në lidhje me faktin nëse kjo masë kufizimi ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
17. Si Auld LJ ashtu edhe Ousley J theksuan arsyeshmërinë e ndalimit: ruajtja e integritetit të procesit demokratik duke u siguruar që mediat transmetuese të mos shtrembërohen nga interesat e pasura në favor të një rendi të caktuar politik të ditës. Ousley J e karakterizoi ndalimin si një kufizim që synon mbështetjen e procesit demokratik, e jo kufizim që synon kundërshtimin përmbajtësor. Të dy gjyqtarët e konsideruar legjitime përcaktimin e medias transmetuese meqenëse impakti i saj ishte potencialisht më i fuqishëm: ku Ousley J gjeti që nuk ishte çështje serioze diskutimi fakti që media transmetuese ishte më depërtuese dhe e fuqishme sesa çdo formë tjetër e mediave. Për sa i përket debatit nëse televizioni ishte më i shtrenjtë sesa mediat e tjera, Ousley J e konsideroi të mjaftueshme të pranonte që reklamat e transmetuara kishin një avantazh të cilin reklamuesit dhe transmetuesit e dini dhe për të cilin të parët do të paguanin shuma të mëdha parash të cilat do të ishin shumë larg mundësive të grupeve të tjera të zakonshme të cilat do të dëshironin të merrnin pjesë në debatin publik.
18. Së fundi, të dy gjyqtarët refuzuan argumentin që ndalimi ishte jo-proporcional meqenëse ai zbatohej jashtë periudhave zgjedhore dhe për grupet siç ishte rasti i kërkueses, të cilat nuk ishin të lidhura me politika partiake apo fushata zgjedhore. Auld LJ theksoi që nuk do të ishte “dallim parimor ose logjik” kufizimi i ndalimit vetëm brenda periudhave zgjedhore. Të dy gjyqtarët konsideruan që reklamimi politik në mediat transmetuese jashtë periudhave të tilla kishte gjasa të kishte ndikim po aq të dukshëm tek proceset demokratike. Në këtë aspekt, Ousley J vërejti që media transmetuese ishte e kudondodhur, që çështje kontestuese demokratike mund të dilnin në çdo kohë, dhe që influenca e blerë mund të ndikonte tek promovimi i legjislacionit, vendimit për të mbajtur zgjedhje apo rezultatin përfundimtar të tyre. Të dy gjyqtarët gjithashtu konsideruan që ishte e papraktikueshme, arbitrare dhe potencialisht e padrejtë që të bëheshin përpjekje për të hequr një vijë mes çështjeve politike partiake dhe çështjeve të tjera të rëndësisë publike: shtrembërimi i debatit politik mund të merrte forma të shumta dhe mund të prekte një gamë të gjerë çështjesh të interesit publik dhe disa çështje të caktuara do të ishin të vështira për t’u kategorizuar. Gjithashtu, ekzistonte rreziku që një dallim i tillë mund t’u lejonte partive politike “jashtë-kontraktimin” e reklamimit të tyre politik drejt “copëzimit apo grupeve përkrahëse” çka nuk do të kishte fare kufizimeve.
19. Si rezultat, Gjykata e Lartë refuzoi bërjen e një deklarate të papajtueshmërisë.
3. Dhoma e Lordëve ([2008] UKHL 15)
20. Më 20 mars 2008 Dhoma e Lordëve (Lordi Bingham, Lordi Scott, Baronesha Hale, Lordi Carswell dhe Lordi Neuberger) njëzëri rrëzuan apelin e kërkueses.
21. Lordi Bingham shpalli vendimin kryesor. Ai njohu faktin që, meqenëse ndalimi ndërhynte tek shprehja e pikëpamjeve politike, standardi i justifikimit që i imponohej Shtetit ishte “i lartë” dhe hapësira e vlerësimit ishte e vogël në krahasim me të. Synimi i ndalimit ishte si më poshtë:
“28. Arsyeshmëria themelore e procesit demokratik është që nëse pikëpamjet, mendimet dhe politikat konkurruese debatohen publikisht dhe ekspozohen ndaj analizave publike, me kalimin e kohës e mira do ta nxjerrë jashtë të keqen dhe e vërteta do të mbizotërojë ndaj të pavërtetës. Duhet supozuar që, me kohë, publiku do të bëjë një zgjedhje të shëndoshë kur, në vazhdën e procesit demokratik, ai ka të drejtën të zgjedhë. Por është shumë e dëshirueshme që fusha e lojës së debatit të jetë në nivel praktik. Kjo arrihet aty ku, në diskutime publike, shprehen, kundërvihen, përgjigjen dhe debatohen pikëpamje të ndryshme. Është detyra e transmetuesve që ta arrijnë këtë objektivë në mënyrë të paanshme duke prezantuar programe të ekuilibruara në të cilat të mund të zënë vend të gjitha pikëpamjet e ligjshme.”
22. Objektiva nuk arrihej nëse:
“...interesat e pasura të cilat nuk janë parti politike kanë mundësi të përdorin pushtetin e kuletës për t’u dhënë përparësi të shtuar pikëpamjeve të cilat mund të jenë të vërteta ose të pavërteta, tërheqëse për mendjet e përparuara ose jo-tërheqëse, dobiprurëse apo dëmprurëse. Rreziku është që objektet të cilat në thelb janë politike mund të fillojnë të pranohen nga publiku jo sepse në debate publike tregohet që ato janë të drejta por sepse, për shkak të ngulitjes së përsëritjes së vazhdueshme, publiku kushtëzohet drejt pranimit të tyre. Të drejtat e të tjerëve, për mbrojtjen e duhur të të cilave është vendosur kufizimi ndaj ushtrimit të së drejtës së lirisë së shprehjes, duhet, sipas gjykimit tim, të përfshijnë të drejtën për të qenë i/e mbrojtur nga dëmet potenciale të reklamimit të njëanshëm politik.”
Lordi Bingham nuk mendonte që fuqia e plotë e këtij argumenti ishte shfrytëzuar në vendimin e lartpërmendur të VgT.
23. Ai konsideroi që një ndalim i plotë ishte i nevojshëm për të shmangur rrezikun e reklamimit nga organizata me qëllime të kundërshtueshme dhe ai vuri re që kjo mundësi ishte lënë jashtë në çështjen VgT por ishte njohur në vendimin e lartpërmendur të çështjes Murphy. Fakti që ndalimi kufizohej vetëm në mediat transmetuese shpjegohej, siç kishte gjetur Ousley J, me depërtueshmërinë dhe fuqinë e veçantë të televizionit dhe radios, një faktor i njohur nga kjo Gjykatë në çështjen Jersild kundër Danimarkës (23 shtator 1994, § 31, Seria A nr. 298) dhe në çështjen Murphy, megjithëse ai shënoi që vendimi në VgT dukej ta kishte lënë jashtë këtë pikë.
24. Për sa i përket faktit nëse një ndalim më pak kufizues (i rregulluar sipas kohës, shpeshtësisë, shpenzimeve apo natyrës dhe cilësisë së reklamave) do të shmangte dëmin që synohet të shmanget, Lordi Bingham e konsideroi të panevojshme të eksplorohej në detaje si mundësi sepse, inter alia, çdo sistem më pak kufizues do të anashkalohej nga formimi i grupimeve të vogla me objektiva politike shumë të ngjashme; do të ishte e vështirë të zbatohej në mënyrë objektive dhe koherente; dhe do të ishte edhe më e vështirë për transmetuesit të përmbushnin detyrën e tyre të paanshmërisë. Ndërkohë që JHCR kishte kërkuar një zgjidhje kompromisi, Qeveria kishte gjykuar që nuk mund të gjendej asnjë zgjidhje e drejtë dhe praktike e cila mund t’i adresohej këtij problemi, “një vendim të cilin Parlamenti e ka pranuar. Unë nuk shoh arsye ta sfidoj atë vendim”. Vendimit të Parlamentit duhet t’i jepej “peshë e madhe” për tri arsye. Së pari, ishte e arsyeshme të pritej që politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike do të ishin “posaçërisht të ndjeshëm” ndaj masave të nevojshme për të mbrojtur integritetin e demokracisë. Së dyti, ndërkohë që Parlamenti konsideronte që ndalimi “kishte mundësi ndonëse nuk kishte gjasë” të shkelte nenin 10, Parlamenti kishte vendosur të vazhdonte për shkak të rëndësisë që i jepte ndalimit dhe gjykimit të tij i cili nuk duhet të “refuzohej lehtë”. Së treti, legjislacioni nuk mund të ngushtohej për t’iu adresuar çështjeve të caktuara por duhet të parashtronte rregulla të përgjithshme dhe Parlamenti do të vendoste se ku do të ishte vija. Ndërkohë që kjo nënkuptonte në mënyrë të pashmangshme që çështjet e vështira do të binin nga ana e gabuar e vijës, “kjo nuk duhet të shihej si e tillë që zhvlerësonte rregullën nëse, parë në tërësi, ajo është e dobishme”.
25. Fakti që kërkuesja kishte në dispozicion mjete të tjera komunikimi ishte “faktor me peshë” dhe kjo duhet të vihej në kontrast me çështjen Bowman kundër Mbretërisë së Bashkuar (19 shkurt 1998, Raporte 1998-I) ku dispozita e kundërshtuar ishte gjetur të përbënte pengesë të plotë për komunikimin nga kërkuesja të pikëpamjeve të saj.
26. Së fundi, Lordi Bingham vërejti që nuk ekzistonte konsensus i qartë mes Shteteve anëtare lidhur me llojin e legjislacionit për transmetimin e reklamave politike. Kjo Gjykatë e ka zgjeruar hapësirën e vlerësimit në raste të tilla dhe sugjeroi që mbase secili Shtet është në gjendje ta gjykojë më mirë se çfarë nevojitet, në pajtim me nenin 10, për mbrojtjen integritetit të demokracisë së vet. Ai e rrëzoi apelin, duke qenë dakord me Ousley J dhe, në tërësi, me Auld LJ. Ai nuk e pranoi pikëpamjen e Lordit Scott që gjykatat vendase mund të dallonin nga kjo Gjykatë në interpretimin e të drejtave të Konventës meqenëse të parat, në mungesë të rrethanave të veçanta, duhet të ndiqnin çdo praktikë gjyqësore të qartë dhe të vazhdueshme të kësaj Gjykate.
27. Lordi Scott ishte dakord me Lordin Bingham, duke shtuar dy komente.
Së pari, ndalimi mund t’i jepte shkas pretendimeve të mëtejshme në bazë të nenit 10 duke pasur parasysh gjerësinë e tij “të spikatur”: ai mund të fshihte nga kërkuesja mundësinë për të paraqitur reklama për transmetim pa përmbajtje politike ose me përmbajtje krejtësisht asnjanëse dhe të parandalonte kërkuesen nga ‘përballja’ me reklamat e lejuara komerciale të cilat ofendonin parimet e saj. Si rezultat, mund të kishte aspekte në të cilat nenet 319 dhe 321 ishin në papajtueshmëri me nenin 10. Megjithatë, pushteti për të bërë një deklaratë papajtueshmërie sipas nenit 4 të HRA ishte i natyrës diskrete. Si rregull i përgjithshëm ai nuk duhet të ushtrohej, vetëm në rast se rrethanat e çështjes tregonin që dispozita legjislative në fjalë kishte “ndikuar tek një e drejtë e kërkueses nga Konventa ... në mënyrë të papajtueshme me atë të drejtë” dhe shembujt hipotetikë të mënyrave se si dispozita legjislative mund të ishte në papajtueshmëri me një të drejtë të Konventës nuk mjaftonte. Përfundimi ishte që ndalimi nuk ishte në papajtueshmëri me të drejtat e kërkueses nga neni 10.
Së dyti, nuk ishte e mundur të supozohej nga vendimi VgT që Gjykata nuk do të ishte dakord me Dhomën e Lordëve në çështjen në fjalë. Në çështjen Murphy Gjykata nuk e dalloi apo kualifikoi arsyetimin e saj në VgT dhe vendimet e kësaj Gjykate të fokusuara nga afër në faktet e veçanta të secilës çështje. Nuk kishte asgjë më shumë sesa mundësia e divergjencës mes gjetjes së Dhomës së Lordëve dhe asaj të kësaj Gjykate.
28. Baronesha Hale e filloi gjykimin e saj duke vënë në pah që kishte pasur një “elefant në dhomë” kur ishte dëgjuar çështja dhe ky ishte mbizotërimi i reklamës, jo vetëm në zgjedhje por edhe në formimin e opinionit publik, në Shtetet e Bashkuara. Ajo nënvizoi shumat e stërmëdha të shpenzuara, dhe shumat që duhet të mblidhen, për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte kufi në Shtetet e Bashkuara për shumat të cilat grupet e presionit mund të shpenzonin për të përcjellë mesazhin e tyre me anë të mediave më të fuqishme dhe më depërtuese në dispozicion.
29. Ajo vazhdoi duke përshkruar arsyeshmërinë e ndalimit si i tillë që siguron që Qeveria dhe politikat e saj nuk vendoseshin nga shpenzuesit më të mëdhenj:
“Demokracia jonë bazohet në më shumë sesa një person një votë. Ajo bazohet mbi pikëpamjen që secili person ka vlerë të barabartë. ... Ne duam që secili të jetë në gjendje të vendosë vetë në lidhje me çështje të rëndësishme të ditës. Për këtë na duhet shkëmbimi i lirë i informacioneve dhe ideve. Ne duhet ta pranojmë që disa njerëz kanë burime më të mëdha në dispozicion sesa të tjerët me të cilat përhapin pikëpamjet e tyre. Por ne duam të shmangim shtrembërimet më të mëdha të cilat mund të vinë si pasojë e qasjes së pakufizuar në mediat transmetuese.
Pra kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me kufizimet e lejueshme ndaj lirisë së shprehjes. Ka të bëjë me gjetjen e ekuilibrit të duhur mes dy elementëve më të rëndësishëm përbërës të një demokracie: liria e shprehjes dhe barazia e votuesve.”
30. Baronesha Hale u shpreh, duke u pajtuar plotësisht me arsyet e dhëna nga Lordi Bingham, që ndalimi ashtu siç vepronte në këtë rast nuk ishte në papajtueshmëri me të drejtat e kërkueses nga neni 10. Përkundrazi, ai ishte:
“51. ... një përgjigje e ekuilibruar dhe proporcionale ndaj problemit: ata mund të përpiqen t’i paraqesin argumentet e tyre në çdo formë tjetër, por jo atë që kaq shumë rrezikon të shtrembërojë debatin publik në favor të të pasurve. Duhet të jetë e njëjta rregullë për të njëjtin lloj reklamimi, cilado qoftë arsyeja për të cilën bëhet fushatë dhe cilatdo qofshin burimet e fushatë-bërësve. Nuk duhet të bëjmë dallim mes kauzave me të cilat jemi dakord dhe kauzave me të cilat nuk jemi dakord. As në praktikë nuk mund ta bëjmë dallimin mes organizatave të vogla të cilat duhet të luftojnë për çdo cent dhe organizatave të pasura të cilat kanë qasje në shuma masive parash. Vendosja e tavanit apo racionalizimi nuk funksionon...”
31. Ajo dyshonte në zbatimin e vendimit të Gjykatës në çështjen VgT meqenëse, si të gjitha vendimet e Gjykatës, ishte posaçërisht i lidhur me faktet:
“52. ... Sado të ngjashme që ishin organizatat, reklamat ishin mjaft të ndryshme: mesazhi “hani më pak mish” dallon nga mesazhi “na ndihmoni t’i japim fund vuajtjeve të tyre”. Argumente të rëndësishme të cilave iu dha më pak peshë në çështjen VgT u pranuan në çështjen Murphy. Së paku, nevoja për të qëlluar një ekuilibër të drejtë mes interesave konkurruese është më i fuqishëm në kontekstin politik sesa në kontekstin fetar. Sado i rëndësishëm që është të shprehurit politik, të drejtat politike të të tjerëve janë po aq të rëndësishme në demokraci. Çështja është nëse ndalimi, ashtu siç u zbatohet këtyre fakteve, ka qenë në proporcion me qëllimin legjitim të mbrojtjes së lirive demokratike të të tjerëve. Siç tregoi Lordi Bingham, Qeveria dhe Parlamenti kohët e fundit kanë marrë në konsideratë serioze nëse mund të arrihej funksionimi i një ndalimi më të kufizuar, dhe kanë arritur në përfundimin që kjo nuk do të mund të arrihej. Zgjidhja e zgjedhur gëzon mbështetjen e të gjitha partive. Parlamentarët e të gjitha bindjeve politike janë të mendimit që ndalimi është i nevojshëm në këtë shoqëri demokratike. Një gjykate do t’i duhej shumë kohë për të arritur të shprehte një pikëpamje të ndryshme në lidhje me një çështje të tillë. Mund të ketë vend për diskutime në hapësirat anash rregullës, për shembull, për ndalimin e çdo reklame të çdo lloji nga një organ politik, ose ndalimin e çdo reklame nga kushdo mbi çështje të polemikave publike. Por nuk është ashtu.”
32. Së fundi, Baronesha Hale ra dakord me Lordin Bingham (duke mos qenë dakord me Lordin Scott) që interpretimi i saktë i të drejtave të inkorporuara të Konventës përfundimisht i takonte kësaj Gjykate. Gjykatat vendase duhet të ndërmerrnin një “qasje të kujdesshme” aty ku nuk duhet të “hidhen përpara” interpretimeve të Gjykatës por “të mbajnë të njëjtin ritëm me jurisprudencën e Strasburgut ashtu siç zhvillohet gjatë kohës, as më shumë e as më pak”.
33. Si Lordi Carswell, ashtu edhe Lordi Neuberger e rrëzuan apelin për arsyet e dhëna nga Lordi Bingham.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Ligji për të Drejtat e Njeriut i vitit 1998 (angl. “HRA”)
34. HRA hyri në fuqi në Angli, Wales dhe Irlandë Veriore më 2 tetor 2002. Neni 4 lejon gjykatat të lëshojnë një deklaratë papajtueshmërie aty ku është e mundur të interpretohet legjislacioni primar ose i deleguar në pajtueshmëri me Konventën. Neni 19 i HRA titullohet “Deklaratat e pajtueshmërisë” dhe parashikon që:
“(1) Një Ministër ... përgjegjës për një Ligj në cilëndo nga Dhomat e Parlamentit duhet, para Leximit të Dytë të Ligjit:
(a) të bëjë një deklaratë ku të shprehet pikëpamja e tij që dispozitat e Ligjit janë në pajtueshmëri me të drejtat e Konventës (“deklaratë pajtueshmërie”); ose
(b) të bëjë një deklaratë ku të shprehet që megjithëse ai nuk e ka të mundur të japë deklaratë pajtueshmërie qeveria sidoqoftë dëshiron që Dhoma ta dekretojë Ligjin;
(2) Deklarata duhet të bëhet me shkrim dhe të publikohet në mënyrën të cilën Ministri që e bën atë e konsideron të përshtatshme.”
B. Sfondi legjislativ i ndalimit
1. Sfondi i Ligjit për Komunikimet të vitit 2002 (“Ligji i vitit 2002”)
(a) Ligji për Televizionin i vitit 1954 (“Ligji i vitit 1954”)
35. Para Ligjit të vitit 1954, BBC ishte i vetmi transmetues radiofonik dhe televiziv në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk transmetonte kurrë reklama me pagesë. Ligji i vitit 1954 hapi tregun për transmetuesit komercialë, që mbështeteshin tek të ardhurat nga reklamat për financat e tyre, dhe kështu u vendos një organ rregullator (Autoriteti i Pavarur i Televizionit, angl. “ITA”) për të zbatuar, inter alia, një ndalim mbi reklamat e paguara politike që nga Ligji i vitit 1954:
“Nuk lejohen reklamat të cilat paraqiten nga ose në emër të cilitdo person apo organ objektivi i të cilit është krejtësisht ose kryesisht i natyrës fetare ose politike, dhe nuk lejohen reklamat të cilat janë të orientuara drejt një qëllimi fetar ose politik ose të cilat kanë lidhje me mosmarrëveshje industriale.”
36. Legjislacioni vijues e ka mbajtur këtë ndalim.
(b) Komisioni i Standardeve në Jetën Publike (“Komisioni Neill”)
37. Komisioni Neill u ngrit nga Qeveria për të marrë në shqyrtim një çështje më të gjerë të financimit të partive politike. Pas vizitave në Kanada, Gjermani, Irlandë, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara, në tetor 1998, ai paraqiti Raportin e Pestë të tij para Qeverisë. Në Kreun 13 të Raportit, Komisioni Neill rekomandoi që ndalimi i reklamimit politik në televizion dhe radio duhet të vazhdohet, duke përshkruar dobitë e tij si më poshtë:
“13.7 Pengimi i partive politike dhe organizatave të tjera me motivacion politik nga blerja e kohës në televizion dhe radio ka efektin e kufizimit të shumës totale të parave që ata mund të shpenzojnë, pra të kufizimit të shumave të parave që ata duhet të mbledhin. Ekziston një dakordim pothuaj universal që këto efekte janë të dobishme. Fushatat zgjedhore në Mbretërinë e Bashkuar janë më të lira sesa në shumë vende të tjera. Gjatë fushatave zgjedhore, teleshikuesit dhe dëgjuesit e radios nuk i nënshtrohen një batareje të vazhdueshme propagande politike partiake (një pjesë e madhe e së cilës, po të lejohej këtu, do të ishte pa dyshim negative). Varësia e partive nga donatorët e pasur është e reduktuar. Udhëheqësit politikë nuk janë të detyruar të shpenzojnë shuma gjigande kohe dhe energjish duke mbledhur para për të financuar fushatat në televizion dhe radio. Jo më pak i dobishëm është edhe fakti që transmetuesit ofrojnë kohë transmetimi pa pagesë për partitë. Kjo do të thotë që të gjitha partive politike kryesore, e jo vetëm partive më të pasura, u jepet mundësia të deklarojnë pikëpamjet e tyre. Pothuaj të gjithë ata që kanë parë fushatat zgjedhore në Shtetet e Bashkuara i shohin këto aspekte të sistemit të Mbretërisë së Bashkuar si superiore. Ne besojmë që organizimi aktual i ka shërbyer pozitivisht këtij vendi dhe duhet të mbetet ashtu siç është.”
38. Komisioni Neill konsideroi që kufizimi mbi lirinë e shprehjes që rezulton nga ndalimi ishte potencialisht i justifikueshëm. Ai arriti në përfundimin që:
“13.11 ... është krejtësisht e udhës që Qeveria ta dekretojë mbi bazën e faktit që ndalimi i reklamimit politik në televizion dhe radio është ligjërisht i mbrojtshëm. Ne i referohemi në mënyrë të veçantë argumentit të Ministrisë [në çështjen X dhe Shoqata e Z kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4515/70, vendimi i Komisionit i datës 12 korrik 1971, Libri Vjetor 14, p. 538] ... ku justifikohej ndalimi kategorik për arsye të mbrojtjes së të drejtës demokratike të qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar për të mos iu nënshtruar një batareje propagande politike në pikun e kohës së reklamave nga partia me mbështetësit më të pasur. Nëse një gjykatë në të ardhmen vendos ndryshe, kjo me gjasë do të kishte efekt dramatik mbi financimin e partive politike. Nëse do të ishin të lira të vepronin kështu, partitë politike pothuaj me siguri do të ndiheshin të detyruara të shfrytëzonin mundësinë për të reklamuar veten (ose për të sulmuar kundërshtarët e tyre) në televizion dhe në radio. Në Shtetet e Bashkuara një përqindje e madhe e shpenzimeve nga partitë politike në kohë zgjedhjesh i kushtohet reklamave në televizion dhe në radio. Është trysnia për të reklamuar, po aq sa edhe çdo faktor tjetër, ajo që gjeneron kërkesën për para e rrjedhimisht garën e armëve mes Demokratëve dhe Republikanëve...”
39. Më tej Komisioni Neill sugjeroi që, së paku, legjislacioni duhet të rishqyrtohej për t’u siguruar që ishte i gjerë në masë të mjaftueshme:
“13.12 Një tjetër rrezik i mundshëm në të ardhmen, të cilit iu referua në disa prej provave, është që, ndërsa përparimet teknologjike sjellin mënyra të reja dhe të ndryshme të përhapjes së informacionit (televizioni kabllor, televizioni dixhital me shumë kanale, Interneti etj.) mund të krijohen metoda të reja në përpjekje për të anashkaluar kufizimet ndaj reklamave politike. Do të kërkohet vigjilencë për të parandaluar këtë. Legjislacioni ekzistues duhet të rishikohet për t’u siguruar që hapësira që mbulon ai të jetë sa më e gjerë.”
40. Në vitin 1999 Qeveria filloi një shqyrtim gjithëpërfshirës të rregullimit të transmetimeve dhe angazhoi në konsultim, inter alia, masa më pak kufizuese sesa ndalimi aktual mbi reklamat politike. Në korrik 1999 Qeveria iu përgjigj Komisionit Neill duke propozuar legjislacion i cili përfshinte ruajtjen e ndalimit të reklamave politike:
“9.2 Ndalimi i reklamave politike në televizion dhe radio ka qenë një faktor madhor në kufizimin e shumës së parave që partitë politike mund të shpenzojnë në fushatë zgjedhore, pra të shumës që ato duhet të mbledhin. Si rezultat, ndalimi mbështetet nga tërë spektri politik dhe Qeveria e përkrah fuqimisht rekomandimin e Komisionit Neill që ai duhet të mbahet.”
2. Konsultimet mbi Ligjin e vitit 2002
(a) Letra e Bardhë për Komunikimet
41. Në dhjetor 2000 Qeveria publikoi një Ligj për Letër të Bardhë të Komunikimeve për zbatimin e kontrolleve të reja mbi mediat transmetuese në Angli dhe në Wales përfshirë ruajtjen e ndalimit të reklamave politike. Gjatë periudhës konsultuese që rezultoi, Gjykata shpalli vendimin në çështjen Vgt Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës (nr. 24699/94, ECHR 2001‑VI).
(b) Publikimi dhe shqyrtimi Ligjit të vitit 2002
42. Pas asaj periudhe konsultimesh, në maj 2002 Qeveria publikoi Ligjin e vitit 2002, duke hapur kështu një periudhë tremujore konsultimesh. Shërbimet programore nuk duhet të përmbanin asnjë reklamë politike, pavarësisht nëse ishte reklamë e bërë nga ose në emër të ndonjë organi të natyrës politike ose reklamë e drejtuar me qëllime politike. Dokumentet e publikuara me Ligjin e vitit 2002 përfshinin Shënime Shpjeguese (të cilat merrnin në konsideratë vendimin VgT, duke shënuar që ai kishte hedhur dyshime nëse ndalimi ishte në pajtueshmëri me Konventën) dhe një dokument mbi Politikat ku shtroheshin propozimet në Ligj dhe vendimet përkatëse lidhur me politikat dhe ku shprehej pikëpamja, inter alia, që Ligji pasqyronte ekuilibrin e duhur mes lirisë së shprehjes dhe nevojës për mbrojtje nga disa lloje të caktuara të materialit të transmetuar.
43. Komisioni i Përbashkët i të Drejtave të Njeriut (angl. “JCHR”, komision parlamentar me detyrën e shqyrtimit të implikimeve të të drejtave të njeriut në projektligje) mori në shqyrtim Ligjin e vitit 2002 në qershor 2002 dhe mori prova nga Profesor Barendt i cili ishte Profesor Goodman për të Drejtën e Mediave në University College të Londrës (1990-2010), kryetari i parë në Mbretërinë e Bashkuar në fushën e të drejtës mediale. Në përgjigje të pyetjes nëse kishte kufizime që mund të viheshin ndaj reklamave politike të cilat mund të ishin në pajtueshmëri me nenin 10, Profesor Barendt deklaroi që ai ishte dakord me rezultatet e çështjes VgT. Moslejimi në një program politik i një organizate bamirësie (siç është Amnesty) e cila kishte kapacitet të paguante për një reklamë të shkurtër atij i dukej një “shkelje e përbindshme dhe e pajustifikueshme e lirisë së shprehjes”. Për të nuk kishte kuptim që të lejoheshin reklamat komerciale për automobilë dhe produkte që kanë të bëjnë me drejtimin e automjeteve por të mos lejoheshin grupet të transmetonin reklama me pikëpamje të kundërta. Ai nuk përkrahte qasjen e pakufishme por miratimin e rregullave për kufizimin e numrit të spoteve që mund të bliheshin. Ai konsideronte që shtrembërimi i debatit politik mund të “shmangej duke caktuar kufij financiarë, njësoj si ato që kemi tani për financimin dhe shpenzimet e partive politike”.
44. Më 19 korrik 2002 JCHR publikoi një raport në lidhje me Ligjin e vitit 2002, duke përfshirë ndalimin e reklamave politike. JCHR njohu faktin që ndalimi mund të gjendej lehtë të ishte në papajtueshmëri me nenin 10 duke pasur parasysh VgT. Megjithatë, ai kërkonte që të bëhej kujdes në përmbysjen e ndalimit duke pasur parasysh arsyeshmërinë e rëndësishme të ndalimit dhe vështirësinë e hartimit të një zgjidhjeje të përmbledhur. Pas nënvizimit të qasjes së Gjykatës Supreme të Kanadasë dhe traditave të ndryshme të lirisë së shprehjes në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, JCHR preferoi qasjen evropiane për faktin se ajo i jepte “peshën e duhur objektivës legjitime të garantimit të barazisë së mundësive për shprehje politike, në mediat transmetuese, sidoqoftë”, traditë e cila e justifikonte ndalimin. JCHR vazhdoi:
“63. ... ka konsiderata të shumta të cilat ne mendojmë se kërkojnë që të tregohet kujdes i madh në lëvizjen nga pozicioni aktual statutor i Mbretërisë së Bashkuar (ku qasja në televizion dhe radio e atyre që synojnë propagandimin e kauzave politike është e kufizuar pothuaj krejtësisht brenda sistemit thellësisht të rregulluar të transmetimeve për partitë politike). Këto konsiderata të gjera përfshijnë frikën e aneksimit të procesit demokratik nga të pasurit dhe të fuqishmit, së cilës i është referuar në mënyrë të tërthortë Gjykata në vendimin e saj në çështjen VgT... Rreziqet e kësaj do të intensifikohen aty ku shihet se është e pamundur të parandalohet përqendrimi i pronësisë së kombinuar të mediave në një shtet. Njëkohësisht, ne jemi të vetdijshëm që kompromisi të cilit Gjykata i referohet tërthorazi - një ndalim më i përmbledhur i zbatuar në mënyrë më diskriminuese - paraqet një sfidë të vështirë për t’u vendosur në formë statutore. Në mënyrë të veçantë, është e vështirë të konceptohet se si do të hartohen mënyra për të caktuar kohën e transmetimit apo për të caktuar një tavan të shpenzimeve në lidhje me një “pikëpamje politike” (ndryshe nga një parti politike, sido që të jetë e përkufizuar në statut)...”
45. Ndërkohë që JCHR dyshonte në zbatueshmërinë e përgjithshme e vendimit të lartpërmendur në çështjen VgT dhe shihte që kishte njëfarë baze për të pritur që jurisprudenca në këtë fushë të piqej më tej para se të vendosej në lidhje me përgjigjen e duhur legjislative, ai sidoqoftë konsideroi që një ndalim total i reklamave politike në radio dhe televizion kishte gjasa të shihej si i tillë që ishte në papajtueshmëri me nenin 10, siç kishte njohur vetë Qeveria në Shënimet Shpjeguese për Ligjin e vitit 2002. JCHR rekomandoi që Qeveria “të shqyrtonte mënyra në të cilat kufizimet e kësaj natyre, funksionale dhe të pajtueshme me Konventën, mund të përfshiheshin në Ligj”.
46. Komisioni i Përbashkët për Projekt-Ligjin mbi Komunikimet (angl. “JCDCB”) ishte një organ parlamentar i ngritur për të shqyrtuar Ligjin. Raporti i tij i datës 25 korrik 2002 i mbështeti parimet e ngërthyera në ndalimin e propozuar:
“301. ...Pikëpamja e Qeverisë është që ka baza të forta për ri-zbatimin e ndalimit në fuqi për një kohë të gjatë të reklamave politike në mediat transmetuese, por njeh faktin që një vendim i kohëve të fundit i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka hedhur dyshime mbi pajtueshmërinë e atij ndalimi me Konventën. Profesor Eric Barendt argumentoi që një ndalim i plotë mbi reklamat politike nuk ishte në pajtueshmëri me të drejtat e njeriut dhe sugjeroi që qëllimi mund të arrihej më mirë përmes kufizimeve ndaj shpenzimeve gjatë reklamave politike. Komisioni i Përbashkët për të Drejtat e Njeriut ka argumentuar që një ndalim mbi blerjen e kohës për reklama për qëllime politike ka gjasa të jetë në pajtim me të drejtat e Konventës. Ne i mbështesim parimet e ngërthyera në ndalimin e propozuar të reklamave politike ... dhe nxisim Qeverinë që t’i shqyrtojë me kujdes metodat e zbatimit praktik të atij ndalimi në mënyra të cilat nuk bien pre e sfidave të papajtueshmërisë me të drejtat e Konventës.”
47. Komisioni i Pavarur i Televizionit (angl. “ITC”) mbante përgjegjësi të plotë për televizionin komercial në atë kohë. Më 10 tetor 2002 ITC ftoi Qeverinë që ta mbante ndalimin:
“ITC ka të njëjtat kundërshtime parimore si Qeveria ndaj reklamave politike dhe shpreson që ndalimi, i cili ka qenë efektiv, do të mbahet. Vlerësimi ynë është që një skemë e OFCOM e administruar nga transmetuesi për të ‘kontrolluar’ reklamat politike mbi bazën e testeve për paanshmërinë e duhur dhe dominimin e paduhur do të rrëzohej goxha shpejt për shkak të mos funksionalitetit në praktikë ... Pasi të hiqet ndalimi absolut, transmetuesit... së paku do të ishin të hapur ndaj sfidës nëse do të refuzonin të pranonin reklamat politike. Por pastaj ne do të gjendeshim në terren delikat ... ndalimi i partive politike të përmendura me emra është joefektiv aty ku ... nuk është e vështirë të krijohen organizata fronti. E njëjta gjë vlen për shumë çështje të tjera emotive, siç është e drejta për jetë. Vendimi i Strasburgut në çështjen zvicerane nuk ofronte garanci të qarta lidhur me kohën kur një reklamë politike mund t’i nënshtrohej ndalimit. Pra duhet të ekzistojë të paktën një rrezik që një zgjidhje e bazuar në dy qëndrime të ndryshme – përveç të qenit joefektive – do të vazhdonte të quhej si e papajtueshme.”
(c) Futja e Ligjit të vitit 2002 në Parlament dhe debatet në lidhje me të
48. Më 19 nëntor 2002 Qeveria prezantoi Ligjin e vitit 2002 në Parlament me ndalimin e reklamimit politik të paprekur. Ministri që paraqiti Ligjin bëri një deklaratë sipas nenit 19(1)(b) HRA e vitit 1998:
“Unë nuk mund (por vetëm për shkak të [ndalimit të reklamimit politik]) të bëj një deklaratë që, sipas mendimit tim, dispozitat e [Ligjit të vitit 2002] janë në pajtueshmëri me të drejtat e Konventës. Megjithatë, Qeveria sidoqoftë dëshiron që Dhoma ta dekretojë Ligjin”.
49. Kjo ishte hera e vetme që nga zbatimi i HRA që Qeveria ndërmerrte një procedurë të tillë: kjo nuk nënkuptonte që Qeveria e konsideronte Ligjin e vitit 2002 të papajtueshëm por që ajo nuk mund të thoshte me qartësi që ai ishte në pajtueshmëri duke pasur parasysh vendimin VgT.
50. Më 22 nëntor 2002 Sekretari i Shtetit për Departamentin e Kulturës, Mediave dhe Sportit (angl. “DCMS”) publikoi një Memorandum të Departamentit në përgjigje të raportit të JCHR të korrikut 2002:
“... Qeveria është e vetdijshme që çështja [VgT] hedh dyshime mbi faktin nëse ndalimi i reklamimit politik (të cilin Ligji do ta ridekretonte) është në pajtueshmëri me KEDNJ. Ne shënojmë që pikëpamja e Komisionit që objektiva legjitime e sigurimit të barazisë së mundësive për shprehje politike në mediat transmetuese justifikon kufizimet ndaj reklamimit politik, dhe që duhet treguar shumë kujdes në ndryshimin e qëndrimit statutor ekzistues ....
Duke pasur parasysh vërejtjet e Komisionit, Qeveria ka ndjekur rekomandimet e Komisionit për shqyrtimin e mënyrave të në cilat kufizime funksionale dhe të pajtueshme me Konventën mund të përfshiheshin në Ligj. Ne kemi marrë në konsideratë të veçantë alternativën e një regjimi të bazuar mbi ndalime specifike, siç është ndalimi i të gjitha reklamave politike partiake, dhe të gjitha reklamimet politike të çdo lloji gjatë kohës së fushatës ose referendumeve, bashkë me rregulla të tjera për të shmangur mbizotërimin e ndonjë pikëpamjeje të caktuar, për të ofruar identifikim vizual apo auditiv të reklamave politike, dhe për të kontrolluar shkallën e reklamimit politik si në aspekt të kohës së transmetimit ashtu edhe në aspektin e proporcionit të të ardhurave nga reklamat që një transmetues lejohet të ketë nga reklamimi politik. Ne kemi arritur në përfundimin që do të ishte shumë e vështirë që një skemë e tillë të bëhej funksionale në praktikë, dhe që sidoqoftë ajo do të kishte efektin e ndalimit të prerë aktualisht në fuqi dhe do të lejonte një masë substanciale të reklamimit politik që të transmetohej.”
51. Më 3 dhjetor 2002 Sekretari i Shtetit për DCMS shpjegoi para Parlamentit përse deklarata e pajtueshmërisë nuk kishte qenë e mundur:
“Megjithëse natyrisht që do ketë mundësi që kjo çështje të debatohet në tërësi në Komision, desha të shpjegoj qëndrimin e të gjithë Dhomës. Vendimi për të dekretuar një Ligj i cili përmban një dispozitë të këtij lloji sigurisht që ishte i pazakontë, dhe kjo u arrit vetëm pas konsultimeve të thella dhe shqyrtimit të plotë të argumenteve ligjore dhe të alternativave në aspektin e politikave.
Për shumë vite, Qeveritë e kanë ndaluar plotësisht reklamimin politik në televizion dhe radio. Qëllimi i Qeverisë në këtë rast është vazhdimi i ndalimit në fjalë—një ndalim që është mbështetur nga komisioni Neill në raportin e tij të vitit 1998 mbi financimin e partive politike—dhe përkufizimi më i saktë i asaj që nënkuptohet me fjalën “politik/e”, në mënyrë që OFCOM të mund të vazhdojë ta përdorë leximin e gjerë të fjalës që përdorin rregullatorët ekzistues. ...
Megjithatë, ekziston një komplikim politik i mundshëm në formën e [vendimit të VgT] i cili [kishte të bënte] me një ndalim në dukje të tillë. Kjo pikë u shënua po ashtu edhe nga [JCHR]. Në përgjigje ndaj vendimit të ECHR dhe shqetësimit të [JCHR], ne e analizuam ndalimin aktual me intensitet të plotë për të parë nëse ndonjë ndryshim i vogël mund ta bënte më të sigurt faktin që ndalimi ishte në pajtueshmëri me të drejtat e njeriut. Për fat të keq, çdo ndryshim i tillë ende do të lejonte reklamim politik të konsiderueshëm, dhe unë shpresoj që të gjitha partitë janë dakord që ky nuk do të ishte rezultat i dëshirueshëm. Duke u mohuar interesave të fuqishme mundësinë për të shtrembëruar debatin politik, ndalimi aktual mbron debatin publik dhe demokratik, dhe mbron paanshmërinë e transmetuesve.
Pas shqyrtimit të të gjitha fakteve, dhe pas këshillimit ligjor të gjerë, unë kam arritur në përfundimin që mund të paraqiten argumente shumë të forta në favor të ndalimit që përmban ky Ligj në pajtueshmëri me KEDNJ. ...
Qeveria zbaton standarde testuese ndaj shqyrtimit të pajtueshmërisë së legjislacionit të saj me konventën dhe, duke pasur parasysh ekzistencën e [VgT], unë duhet t’i kërkoj Dhomës që ta marrë në konsideratë këtë Ligj bashkë me një deklaratë sipas nenit 19(1)(b) të Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998 të bashkangjitur në të. Kjo nuk do të thotë që ne besojmë që Ligji është në papajtueshmëri me KEDNJ, dhe ne do të hartonim një mbrojtje të padepërtueshme sikur kjo të kontestohej ligjërisht. Natyrisht, nëse kjo mbrojtje më pas do të dështonte para gjykatave vendase, ne do të duhej të rikonsideronim qëndrimin tonë. Përndryshe, ne i marrim detyrimet tona ndërkombëtare shumë seriozisht dhe do të kërkonim ndryshimin e ndalimit në përputhje me çdo vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg që vendos kundër legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar. Sidoqoftë, duke i parë gjërat ashtu siç janë tani, Qeveria beson që është e drejtë t’i kërkohet Dhomës që ta miratojë vazhdimin e ndalimit të reklamimit politik.”
52. Më 5 dhjetor 2002 Sekretari i Shtetit i DCMS iu përgjigj kërkesës së një deputeti lidhur me pajtueshmërinë me Konventën të ndalimit, duke përfshirë një “Shënim Shpjegues” të hollësishëm nga DCMS ku shpreheshin arsyet e Qeverisë për ruajtjen e ndalimit. Shënimi Shpjegues i DCMS vërente që, ndërkohë që çështja VgT kishte hedhur dyshime mbi faktin nëse ndalimi ishte në përputhje me Konventën, ndalimi kishte gëzuar mbështetjen e gjerë të tërë spektrit partiak dhe ishte mbështetur fuqimisht nga Komisioni Neill. Komisioni para-legjislativ i shqyrtimit dhe JCHR mbështesnin parimet mbi të cilat bazohej ndalimi dhe kishin nxitur Qeverinë që të gjente mënyra për t’u siguruar që ai të ishte në pajtueshmëri me Konventën. Qeveria kishte ndjekur këshillat e duhura. Një ndalim më i përputhshëm me Konventën mund të arrihej vetëm me anë të një ndërrimi domethënës të qasjes ndaj ndalimit i cili do t’i hapte rrugë “të paktën reklamimit substancial nga grupet lobuese dhe fushatëbërësve të kauzave”. Për më tepër, kishte “argumente të forta” që ndalimi ishte në pajtueshmëri me KEDNJ dhe kjo ishte arsyeja përse Qeveria i kërkonte Parlamentit ta miratonte Ligjin me ndalimin e pandryshuar.
Alternativat e ndalimit ishin marrë në konsideratë për të përcaktuar se si mund të ruhej ndalimi në mënyrë të pajtueshme me Konventën:
“Në mënyrë të veçantë, u mor në konsideratë regjimi alternativ i bazuar mbi ndalime specifike, siç është ndalimi i të gjitha reklamat politike partiake gjatë kohës së zgjedhjeve ose referendumeve; së bashku me rregulla të tjera për të shmangur mbizotërimin e pikëpamjeve të caktuara në një kanal, për të ofruar identifikim vizual apo auditiv të reklamave politike, dhe për të kontrolluar shkallën e reklamimit politik si në aspekt të kohës reklamuese ashtu edhe të proporcionit të të ardhurave nga reklamat që një transmetues lejohet të marrë nga reklamat politike.
8. U arrit në përfundimin, pas marrjes parasysh të këshillave ligjore, që do të ishte shumë e vështirë që një skemë e tillë të bëhej funksionale, dhe që sido të ishte ai do të ishte shumë më pak efektiv se ndalimi aktual, dhe do të lejonte që një masë substanciale reklamash politike të transmetoheshin nëpër disa kanale.”
Shënimi Shpjegues i DCMS vazhdoi duke theksuar këshillat që DCMS kishte marrë nga avokatët në lidhje me pajtueshmërinë me Konventën për sa i përkiste ndalimit pavarësisht nga vendimi VgT:
“20. Qeveria kërkoi këshillën e Avokatit në lidhje me efektin e çështjes zvicerane mbi pajtueshmërinë me Konventën të ndalimit për reklamat politike të përmbajtur në Ligjin për Transmetimet të vitit 1990. Avokati këshilloi që, përveç çështjes zvicerane, ka argumente shumë të forta që do të ishte në pajtueshmëri me nenin 10 nëse e drejta vendase e ndalonte reklamimin politik. Ai gjithashtu shprehu mendimin që vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen zvicerane nuk ishte bindës dhe që kishte argumente të forta për të justifikuar një gjykatë vendase dhe vetë Gjykatën Evropiane për mos-ndjekjen e atij vendimi në kontekstin aktual.
21. Pikat kryesore të këshillave të Avokatit drejt këtij mendimi kishin të bënin me faktorët e mëposhtëm:
(a) rëndësia themelore e ruajtjes së paanshmërisë në mediat transmetuese për shkak të përhapjes, shpejtësisë dhe ndikimit të tyre;
(b) lejimi i reklamimit nga organet politike, ose reklamat e natyrës politike, do të binin në konflikt me parimin e paanshmërisë, do të lejonin që grupe të fuqishme të blinin ndikim përmes blerjes së kohës së transmetimit, dhe do të privonin transmetuesit nga mbrojtja ndaj kërkesës së reklamuesve politikë për të ushtruar ndikim redaktorial mbi programe të tjera të shërbimit televiziv;
(c) trajtimi i veçantë për transmetimin në këtë aspekt mbështetet nga konsideratat e kufizimeve spektër, fjalia e tretë e nenit 10(1) (lejimi i licencimit të transmetuesve) dhe Urdhëresa për Televizionin Pa Kufij;
(d) konsideratat e pavarura të kohëve të fundit e kanë mbështetur ndalimin: p.sh. Komisioni Neill dhe Komisioni i Përbashkët për të Drejtat e Njeriut;”
(e) kritikat që ndalimi u zbatohet organeve politike dhe nuk sheh natyrën e secilës reklamë është i pajustifikuar, sepse çdo reklamë e një organi të tillë ka tendencë të promovojë interesat e veta (qoftë edhe vetëm përmes promovimit të njohjes së emrit apo mbledhjes së fondeve), sepse do të ishte thelbësisht e vështirë dhe e pasigurt të thuhej nëse përmbajtja e një reklame të caktuar ishte “tepër politike”, dhe sepse (duke marrë parasysh faktorët mbështetës) Parlamenti po vepron brenda diskrecionit të gjykimit të vet në fokusimin tek natyra e organit, e jo tek natyra e reklamës, për të vijuar objektivën e vet të paanshmërisë.
22. Shpjegimi i Avokatit se përse ai e gjeti arsyetimin në çështjen zvicerane si jo bindës përfshinte pikat e mëposhtme:
(a) përfundimi “i çuditshëm” i Gjykatës së Strasburgut që shqetësimet të cilat ndalimi synonte të adresonte (p.sh. ndalja e grupeve të fuqishme nga pasja e ndikimit të paduhur) nuk ishin “këmbëngulëse” duke pasur parasysh faktin që ndalimi nuk mbulonte forma të tjera të mediave;
(b) Gjykata pranoi që një ndalim i reklamave politike mund të ishte i lejueshëm në rrethana të caktuara, por Avokati theksoi që ka autoritet që disa rregulla (“vija e ndritshme”) mund të justifikohen, edhe nëse ato mund të sjellin çështje të vështira si efekt anësor;
(c) Gjykata i dha peshë të pamjaftueshme faktit që forma të tjera të publicitetit (p.sh. gazetat, fletëpalosjet, stendat) ishin në dispozicion.”
53. Më 10 dhjetor 2002 JCHR i shkroi Qeverisë duke kërkuar një shpjegim më të plotë në lidhje me arsyet pse ndalimi vazhdonte të mbahej. Më 20 dhjetor 2002 JCHR bëri të ditur një raport ku shprehej keqardhje që Qeveria kishte dështuar të shpjegonte përse nuk kishte përfshirë një ndalim më pak kufizues në Ligj. Më 8 janar 2003 Sekretari i Shtetit i DCMS iu përgjigj JCHR duke iu referuar letrës dhe Shënimit Shpjegues shoqërues të DCMS dërguar në dhjetor 2002 deputetit (paragrafi 52 lart). Më 10 shkurt 2003 JCHR u përgjigj që ai ishte i bindur që veprimet e Qeverisë ishin legjitime. Në mënyrë të veçantë, ai shënoi (Raporti i Katërt i Sesionit 2002-2003):
“40. Në Raportin tonë të Parë, ne theksuam gjashtë faktorë të cilët përkohësisht menduam se ishin relevantë për një vlerësim nga Parlamenti të përshtatshmërisë së zhvillimit të legjislacionit në një mënyrë e cila do t’i jepte shtysë një rreziku të ditur të papajtueshmërisë me një të drejtë të Konventës. Duke pasur parasysh këto çështje, si dhe korrespondencën e përmendur më lart, ne jemi bindur që—
- në çdo çështje gjyqësore në lidhje me ndalimin e reklamimit politik dhe sponsorizimin në mediat transmetuese sipas klauzolës 309 të Ligjit, Qeveria do të argumentonte që vendimi në çështjen [VgT] nuk duhet të ndiqej, ose që vendimi jo domosdoshmërisht përfshin pajtueshmërinë e klauzolës 309 me të drejtën për lirinë e shprehjes sipas nenit 10 të KEDNJ, dhe që një argument i tillë do të kishte shanse të arsyeshme për sukses;
- Qeveria do të ndihej e detyruar të ndryshonte ligjin nëse ajo dispozitë do të konsiderohej nga [Gjykata], pas diskutimeve, të ishte në papajtueshmëri me nenin 10, dhe do të konsideronte qëndrimin e vet nëse një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar do të bënte një deklaratë papajtueshmërie sipas nenit 4 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998; dhe
- në ndërkohë, në pritje të mundësisë për të paraqitur para gjykatave argumentet e saj në lidhje me pajtueshmërinë me nenin 10, Qeveria ka arsye të forta për të besuar që arsyet e politikës për ruajtjen e ndalimit peshojnë më shumë se arsyet për kufizimin e tij, posaçërisht duke pasur parasysh që do të ishte e vështirë të gjendej një zgjidhje funksionale kompromisi.”
54. Më 13 janar 2003 Komisioni Zgjedhor (një organ i pavarur i ngritur nga Parlamenti për të shqyrtuar një sërë çështjesh zgjedhore dhe politike) publikoi një raport të titulluar “Transmetimi i Partive Politike: Raport dhe Rekomandime”. Ai i diskutonte argumentet e ndalimit si bindëse. Një shqetësim parimor ishte shmangia e atyre me burime financiare më të mëdha nga dominimi i axhendës politike çka do të thotë që elektorati do të merrte informacione vetëm nga një numër shumë i vogël partish politike (të mëdha) të financuara mirë. Po ashtu, do të ishte e vështirë që transmetuesit të ruanin ekuilibrin dhe paanshmërinë. Krahasimet ndërkombëtare nuk ndihmuan shumë për lehtësimin e shqetësimeve në lidhje me impaktin e reklamimit me pagesë, kur Komisioni iu referua përvojave në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani ku, pavarësisht nga tarifat e reduktuara për reklama, vetëm partitë më të mëdha kishin burime për reklama të tilla. Pavarësisht nga vendimi në çështjen VgT, ndalimi i propozuar mund të justifikohej mbi bazën e nenit 10(2) të Konventës (faqet 16-17 të Raportit);
“...duhet shënuar që çështja [VgT] kishte të bënte me reklamat me pagesë në përgjithësi dhe jo me një reklamë partie politike brenda një konteksti ku ndalimi i reklamave të paguara vepronte krahas një regjimi transmetimesh pa pagesë të cilat zakonisht nuk ndërmjetësohen nga transmetuesit. Një [regjim] i tillë nuk ka qenë subjekt vendimi qoftë në Strasburg, qoftë në gjykatat tona në kuadër të Ligjit për të Drejtat e Njeriut. ... [është] pa dyshim kundërpeshë e ndalimit të reklamimit me pagesë. Ndërkohë që ai nuk e mënjanon ndalimin në tërësi ...ne sidoqoftë e konsiderojmë të jetë një kundërpeshë domethënëse sepse zbatohet parimisht në kohë zgjedhjesh.
Ne na duket që sistemi i Mbretërisë së Bashkuar do t’i mbijetonte analizës së thellë në kuadër të KEDNJ dhe HRA, të paktën nëse regjimi pa pagesë dhe transmetimi i pandërmjetësuar është i qëndrueshëm.”
55. Vendimi VgT u mor në konsideratë nga Dhoma e Lordëve në çështjen R (Aleanca Pro-Jetë) kundër BBC ([2003] UKHL 23). Lordi Hoffman e përshkroi vendimin VgT si “një vendim të mbrojtur, nëse jo i errët”, megjithëse vërejti që Gjykata nuk do të “përjashtonte që një ndalim i ‘reklamimit politik’ mund të jetë në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 10 në situata të caktuara”. Lordi Walker komentoi që vendimi VgT “me gjithë respektin e duhur, nuk jep arsye të plota apo të qarta për atë që duket të jetë një përfundim pak i largët... Pra, domethënia e vërtetë e çështjes VgT është e papeshueshme”.
C. Ligji për Komunikimet i vitit 2003 (“Ligji i vitit 2003”) i zbatuar në korrik 2003
1. Ndalimi i reklamimit politik
56. Ligji i vitit 2003 u zbatua nga Parlamenti pa kundërshtimin e anëtarëve. Ligji i vitit 2003 zëvendësoi rregullatorët ekzistues me një rregullator të unifikuar për media, telekomunikime dhe radiokomunikime të quajtur Zyra e Komunikimeve (angl. “OFCOM”). Megjithatë, deri më 31 dhjetor 2007 Qendra për Miratimin e Transmetimit të Reklamave (angl. “BACC”) ishte përgjegjëse për shqyrtimin para-transmetimit dhe miratimin e reklamave të propozuara për transmetim.
57. Neni 319(1) kërkon që OFCOM të caktojë dhe të shqyrtojë standardet për arritjen e disa objektivave të fiksuara të renditura në nenin 319(2) të cilat përfshijnë faktin që lajmet në televizion dhe në radio duhet të paraqiten me paanshmërinë e duhur dhe që kërkesat e paanshmërisë të nenit 320 të respektohen dhe, më tej, që reklamat në kundërshtim me ndalimin e reklamimit politik të mos përfshihen në shërbimet televizive ose radiofonike.
58. Neni 321(2) e përmban atë ndalim dhe parashikon që:
“(2) Për qëllimet e nenit 329(2)(g) një reklamë është në kundërshtim me ndalimin e reklamimit politik nëse ajo është:
(a) një reklamë e cila paraqitet nga ose në emër të një organi objektivat e të cilit janë krejtësisht ose kryesisht të natyrës politike;
(b) një reklamë e cila është e orientuar kah një qëllim politik; ose
(c) një reklamë e cila ka lidhje me një mosmarrëveshje industriale.”
59. Neni 321(3) përcakton objektin e “natyrës politike dhe qëllimeve politike” si të atilla që përfshijnë:
“(a) ndikimin mbi rezultatin e zgjedhjeve ose referendumit, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar apo diku tjetër;
(b) bërja e ndryshimeve në ligj në tërë ose një pjesë të Mbretërisë së Bashkuar ose diku tjetër, apo përndryshe ndikimi në procesin legjislativ në çdo vend apo territor;
(c) ndikimi mbi politikat apo vendimet e qeverive lokale, rajonale apo nacionale, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar apo diku tjetër;
(d) ndikimi mbi politikat apo vendimet e personave të cilëve u akordohen funksione publike nga ose sipas ligjit në Mbretërinë e Bashkuar ose në një vend ose territor tjetër jashtë Mbretërisë së Bashkuar;
(e) ndikimi mbi politikat apo vendimet e personave të cilëve u akordohen funksione nga ose sipas marrëveshjeve ndërkombëtare;
(f) ndikimi i opinionit publik në lidhje me një çështje e cila, në Mbretërinë e Bashkuar, është çështje polemikash;
(g) promovimi i interesave të një partie apo grupi të organizuar personash, në Mbretërinë e Bashkuar ose diku tjetër, për qëllime politike.”
60. Rrjedhimisht, ndalimi u zbatohet, jo vetëm reklamave me përmbajtje politike, por edhe atyre organe të cilat janë krejtësisht ose kryesisht të një natyre politike pavarësisht nga përmbajtja e reklamave të tyre.
61. Neni 321(7) parashikon një përjashtim për reklamat e shërbimeve publike të paraqitura nga ose në emër të një departamenti qeveritar dhe për transmetime të fushatave apo referendumeve politike partiake të partive të caktuara (paragrafi 64 poshtë). Partitë politike në emër të të cilave mund të bëhen transmetime të tilla përcaktohen nga OFCOM dhe vetëm ato që regjistrohen pranë Komisionit Zgjedhor kanë të drejtë të përzgjidhen.
2. Detyrimi i paanshmërisë në mediat transmetuese: 3 mekanizma
62. Paanshmëria politike ka qenë tipar thelbësor i regjimit legjislativ që qeveris transmetimin që nga fillimi dhe ajo arrihet me anë të tre mekanizmave. I pari është ndalimi kundër reklamimit politik me pagesë.
63. I dyti është detyrimi statutor për paanshmëri i cili vlen për të gjithë transmetuesit. Neni 320 i Ligjit të vitit 2003 titullohet “Kërkesat e Veçanta të Paanshmërisë” dhe nën-nenet 1 dhe 2 parashikojnë si vijon:
“(1) Kërkesat e këtij neni janë–
(a) përjashtimi, në rastin e shërbimeve televizive dhe radiofonike ... nga programet e përfshira në ato shërbime të të gjitha shprehjeve të pikëpamjeve apo opinioneve të personit që ofron shërbimin në lidhje me të gjitha çështjet e përmendura në nën-nenin (2);
(b) ruajtja, në rastin e të gjitha shërbimeve programore televizive, shërbimit teletekst, shërbimi radiofonik kombëtar dhe shërbimi kombëtar dixhital zanor, e paanshmërisë së duhur, nga ana e personit që ofron shërbimin, për sa u përket të gjitha atyre çështjeve;
(c) parandalimi, në rastin e të gjitha shërbimeve radiofonike lokale, shërbimeve lokale dixhitale zanore apo shërbimeve radiofonike me përmbajtje të licencueshme, i dhënies së përparësisë së paduhur në programet e përfshira në shërbim pikëpamjeve dhe opinioneve të personave ose organeve të caktuara në lidhje me të gjitha ato çështje.
(2) Ato çështje janë–
(a) çështje të polemikave politike apo industriale; dhe
(b) çështje në lidhje me politikën publike aktuale.”
64. Mekanizmi i tretë është ofrimi i transmetimeve pa pagesë për fushatat politike partiake, zgjedhore partiake dhe referendumeve partiake, një mekanizëm i cili ka qenë pjesë e kuadrit rregullator që nga koha e fillimit të transmetimeve. Transmetimi i parë i këtij lloji në radio ishte në vitin 1924 dhe në televizion në vitin 1951. Neni 333 i Ligjit të vitit 2003 parashikon që licencat për disa transmetues të caktuar duhet të kërkojnë përfshirjen e transmetimeve pa pagesë dhe respektimin e Rregullave të OFCOM. Ato Rregulla rregullojnë transmetimet politike partiake (ofruar partive kryesore në kohën e ngjarjeve kyçe në kalendarin politik); transmetimet zgjedhore partiake (ofruar gjatë periudhave zgjedhore për të gjitha partitë kryesore dhe për partitë më të vogla të regjistruara që pretendonin një të gjashtën e vendeve në zgjedhje të përgjithshme) dhe transmetimet e fushatave të referendumeve (ofruar të gjitha organizatave të përfshira në referendum deri në momentin para mbajtjes së referendumit).
D. Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore (angl. “EPRA”)
1. Sondazhi EPRA, maj 2006
65. Ky sondazh u zhvillua nga Sekretariati i EPRA mbi bazën e informacionit të marrë nga 31 Shtete/territore: Austria, Belgjika (2), Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Isle of Man, Izraeli (2), Italia, Latvia, Lituania, Luksemburgu, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Suedia dhe Zvicra (2). Rekomandohet kujdes në mbështetjen tek një shikim krahasues në këtë kontekst. Duke marrë parasysh mungesën e përkufizimeve të sakta në ligjet kombëtare dhe diversitetin e madh të traditave kombëtare, kishte gjasa për ekzistencën e konfuzionit për sa i përket kuptimit që i atribohet fjalës “politik/e”, një nocion që mund të përfshinte çështje po aq të llojllojshme sa edhe transmetimi politik partiak gjatë periudhave zgjedhore si dhe shprehja e interesit publik nga një organizatë jo-qeveritare.
66. Në përgjigje ndaj pyetjes “A është i ndaluar transmetimi i reklamimit politik me pagesë në vendin tuaj?”, Sondazhi shënonte:
“Vendet ku reklamimi politik me pagesë është i ndaluar
Reklamimi politik me pagesë është i ndaluar me statut në shumicën dërrmuese të vendeve evropiano-perëndimore siç janë Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Irlanda, Malta, Norvegjia, Portugalia, Suedia, Zvicra, dhe Mbretëria e Bashkuar. Mjaft vende nga Evropa qendrore dhe lindore, siç janë Republika Çeke dhe Rumania, po ashtu e kanë të ndaluar reklamimin politik me pagesë.
Justifikimi më tradicional për këtë ndalim është që partitë e pasura ose me rrënjë të thella do të kishin mundësi të blinin shumë më tepër kohë reklamash sesa partitë e reja ose partitë e pakicave – çka do të përbënte një praktikë diskriminuese. Një arsyetim tjetër për kufizimin apo ndalimin është që ai mund të çojë drejt ndashmërive në shoqëri dhe mund të shkaktojë shqetësim publik. Gjithashtu është sugjeruar, edhe pse më rrallë, që ndalimi do të ruante cilësinë e debatit politik.
Vendet të cilat e lejojnë reklamimin politik me pagesë
Reklamimi politik me pagesë lejohet në shumë vende të Evropës qendrore dhe lindore, siç janë Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, [ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë], Polonia, dhe Shtetet baltike: Estonia, Latvia dhe Lituania. Në disa vende si Bosnja-Hercegovina (60 ditë para ditës së zgjedhjeve), dhe Kroaci, reklamimi politik lejohet vetëm gjatë periudhës zgjedhore.
Shpesh neglizhohet fakti që shumë prej vendeve të Evropës perëndimore, siç janë Austria, Finlanda, Luksemburgu (për momentin, kjo mund të ndryshojë së shpejti) dhe Holanda, po ashtu e lejojnë reklamimin politik me pagesë.
Në Itali, deri në vitin 2003, reklamimi politik me pagesë, d.m.th. hapësirat e vetmenaxhuara, lejohej edhe për transmetuesit kombëtarë, me kusht që ata njëkohësisht të transmetonin “hapësirat e komunikimit politik” ... d.m.th. programe diskutimesh me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë; tani lejohen vetëm transmetuesit lokalë dhe duhet të kushtojë jo më shumë se 70% e çmimit të zbatuar për reklamat komerciale, kurse transmetuesit kombëtare lejohen t’i transmetojnë ato vetëm pa pagesë.
Në Greqi, ndërkohë që ekziston një ndalim i përhershëm dhe i gjerë i reklamimit politik të personave, reklamimi politik me pagesë nga partitë politike nuk është i ndaluar.
Në Spanjë, ndërkohë që ndalimi i reklamimit politik është përherë në fuqi për transmetuesit televizivë, Kodi Zgjedhor Spanjoll i lejon reklamat zgjedhore me pagesë në stacionet komerciale të radios, vetëm gjatë periudhës zgjedhore.
Arsyetimi kryesor për reklamimin politik me pagesë është që ai mund t’i mundësojë kandidatëve të rinj të bëhen të njohur si personalitete. Po ashtu, shpesh argumentohet që e drejta e reklamimit politik është pjesë përbërëse thelbësore e të drejtës së shprehjes dhe informacionit.”
67. Për sa i përket fushëveprimit të reklamimit politik, Sondazhi pohoi:
“Si rregull, reklamimi politik nuk ka lidhje ekskluzivisht vetëm me kohën e zgjedhjeve, apo me partitë politike, apo me kandidatët. Reklamat në lidhje me çështje të tjera, të cilat pasqyrojnë debate të rëndësishme shoqërore, siç janë të drejtat e kafshëve, çështjet e mjedisit, abortit etj. (shpesh të quajtura si propagandë politike apo reklamim tematik) mund të konsiderohen si të tilla që ndjekin një qëllim politik ose që janë të natyrës politike dhe prandaj mund të perceptohen si reklama politike.
Vendet ku ndalimi shtrihet shumë gjerë
Kështu është në vendet si Franca, Irlanda, Isle of Man, Izraeli, Malta, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Në Irlandë, ndalimi zbatohet ndaj çdo reklame që mund të thuhet se është e natyrës politike dhe të gjitha grupeve të cilat janë të mirëfillta politike. Në këtë kuptim ndalimi zbatohet në kuptimin më të gjerë dhe nuk kufizohet ekskluzivisht tek fushatat zgjedhore apo votimi në referendume. Në Izrael, ndalimi është i zbatueshëm në mënyrë të përhershme dhe ai zbatohet ndaj partive politike si dhe grupeve të tjera të interesit dhe të shoqërisë.
Në Isle of Man, termi “politik/e” përdoret në kuptim më të gjerë sesa “politik partiak”. Ndalimi përjashton, për shembull, bërjen e fushatës tematike për qëllime të ndikimit në legjislacion apo veprime ekzekutive nga qeveria ose autoritetet lokale.
Në Francë, ndalimi u zbatohet partive dhe kandidatëve politikë, por gjithashtu të gjitha organizatave mesazhet në reklamat e të cilave do të synonin kah një qëllim politik. Shoqatat (shumica e grupeve të interesit dhe grupeve shoqërore janë krijuar si të tilla) nuk lejohen të transmetojnë spote reklamuese. Shoqatat me qëllime bamirësie mund të transmetojnë të ashtuquajturin “mesazh i interesit të përgjithshëm” (frëng. “messages d’intérêt general”) i cili nuk do të duhej të përfshinte asnjë mesazh politik.
Në Spanjë, ndalimi është i zbatueshëm gjatë gjithë kohës dhe nuk i specifikon grupet.
Në Maltë, ndalimi është i zbatueshëm gjatë gjithë kohës me përjashtim të transmetimeve sipas skemave të tilla të miratuara. Paragrafi 1(f) i Shtojcës së Tretë ndalon reklamimin e natyrës politike dhe kjo është marrë gjithmonë si e tillë që u zbatohet në interpretimin e vet të rreptë partive politike. Megjithatë, Autoriteti ka ndërmarrë njëkohësisht parasysh një interpretim më të gjerë dhe e ka zbatuar një ndalim të tillë ndaj reklamimit nga organizata të tjera si p.sh. sindikatat etj. të cilat kanë synime të cilat mund të cilësoheshin si politike në kuptim të gjerë.
Vendet me fushëveprim më të kufizuar të ndalimit
Në Zvicër, si pasojë e [vendimit VgT] ... disa lloje të caktuara të formave të reklamimit “politik” lejohen tani. OJQ ose grupet shoqërore mund të paraqesin reklama me njëfarë përmbajtjeje politike, por jo para zgjedhjeve ose në fushata para votuesve. Megjithatë, ndalimi i reklamimit nga partitë politike dhe kandidatët vazhdon të mbetet.
Po kështu, në Danimarkë - për pasojë të vendimit të lartpërmendur - ndalimi i përhershëm i reklamimit politik në televizion ka të bëjë me reklamat e partive politike, lëvizjet politike dhe kandidatët politikë si dhe me reklamat e sindikatave dhe lëvizjeve fetare. Ndalimi nuk konsiderohet që përfshin lëvizjet politike në kuptimin më të gjerë siç janë grupet ambientaliste dhe shoqërore me përjashtim të rastit kur këto grupe emërohen për organe apo asamble politike.
Përveç kësaj, legjislacioni danez nuk lejon transmetimin e reklamave me mesazhe politike gjatë kohës së fushatave zgjedhore kur një ndalim total konsiderohet i nevojshëm për të mbrojtur votuesit nga të ndikuarit e papërshtatshëm dhe për të siguruar të drejta të barabarta demokratike të kandidatëve pavarësisht nga mundësitë e finanimit. Reklamimi dhe fushatëbërja politike nuk janë të ndaluara në media të tjera, siç është transmetimi përmes radios.
Në Norvegji, ndalimi zbatohet përherë dhe ndaj grupeve dhe partive që promovojnë qëllime politike. Megjithatë, ndalimi do të interpretohet nën dritën e nenit 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikës gjyqësore nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nga neni i përmendur.
Në Suedi, vetëm transmetimet të cilat u nënshtrohen kushteve të paanshmërisë nuk mund të përfshijnë reklamim politik. Licencat DTT, për kanalet komerciale, si rregull nuk e kanë të përfshirë një kusht të tillë dhe prandaj kanë qenë të lira të transmetojnë reklama politike. Sidoqoftë, deri më 1 mars 2006 kjo nuk përfshinte licencat TV4 DTT për kanalet e tyre anësore. Megjithatë, tani licencat e reja për kanalet anësore të TV4 nuk e përfshijnë kushtin e paanshmërisë, çka do të thotë se ata mund të transmetojnë reklama politike.
Në Itali, termi “politik/e” është përdorur në kuptim shumë të ngushtë; grupe të tjera të interesit do të hynin tek ato që quhen mesazhe “sociale”. Të gjithë transmetuesit mund të transmetojnë mesazhe me përmbajtje dobishmërie shoqërore (kjo nuk është e përkufizuar) dhe po ashtu edhe mund të paguhet, nëse çmimi nuk e tejkalon 50% të kostos së reklamave komerciale. Këto mesazhe (me ose pa pagesë) nuk merren në konsideratë për llogaritjen e kufijve të kohës në orë/ditë dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 4 minuta në ditë.
Në disa vende, fokusi i ndalimin është mbi zgjedhjet dhe periudhën e zgjedhjeve (p.sh. Republika Çeke) ose partitë politike ose kandidatët (p.sh. Belgjika). Reklamimi tematik nuk përmendet.”
68. Disa Shtete e lejonin reklamimin politik mbi bazën e kufizimeve dhe disa Shtete nuk kishin fare kufizime të tilla:
“Vendet me kufizime mbi reklamimin politik me pagesë
Shumica e vendeve të cilat e lejojnë reklamimin politik po ashtu parashikojnë disa kufizime të caktuara ligjore për të shmangur karakterin diskriminues të kësaj praktike. Kjo përfshin kufijtë ndaj kohëzgjatjes dhe shpeshtësisë (p.sh. [ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë], Bosnja dhe Hercegovina), duke caktuar (p.sh. ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë]: jo gjatë lajmeve, programeve të fëmijëve) kufij në tarifat për reklama të tilla (p.sh. Bosnja dhe Hercegovina aty ku lista e çmimeve i duhet dorëzuar rregullatorit për shqyrtim 15 ditë para periudhës së zgjedhjeve), ose mbi shpenzimet maksimale gjatë zgjedhjeve që lejohen me ligj (Greqia, Latvia ku gjatë zgjedhjeve për Saeima (Parlament) dhe ato të Parlamentit Evropian, një parti nuk mund të shpenzojë më shumë se 0,20 LVL (0,284 euro) x numrin e votuesve në zgjedhjet e kaluara), kërkesat për etiketim/identifikim (p.sh. Qipro, [ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë]: reklamimi politik me pagesë duhet të etiketohet si duhet dhe dukshëm, nga fillimi deri në fund të programit, si “reklamë politike me pagesë”). Në Hungari, transmetuesit duhet t’u parashtrojnë të gjitha partive të njëjtat kushte (të njëjtin çmim, të njëjtën periudhë programore etj.) por nuk ka kufizime specifike lidhur me shumën e reklamimit politik.
Vlen të përmendet që në disa vende, siç është [ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë], transmetimi i shërbimit publik nuk lejohet të shfaqë reklama politike me pagesë, vetëm transmetuesit privatë mund ta bëjnë këtë.
Vendet pa kufizime ndaj reklamimit politik me pagesë
Kështu është për shembull në Austri, Estoni, Finlandë dhe Poloni. Në Poloni, çështja e kufizimeve ndaj reklamimit politik rregullohet nga secili transmetues me anë të kodeve të brendshme për reklamat.
Analizë & Komente:
•Ndarja e përmendur shpesh mes lindjes dhe perëndimit për sa i përket ndalimit të reklamimit politik, edhe nëse reflekton një trend real, mund të jetë paksa çorientuese. Vendet evropiano-perëndimore të cilat e lejojnë këtë praktikë shpesh harrohen në shikimet e përgjithshme krahasuese.
•Për sa u përket qëndrimeve të ndryshme në lidhje me këtë çështje, Këshilli i Evropës nuk ndërmerr një qëndrim lidhur me faktin nëse reklamimi politik do të duhej të pranohej apo jo, dhe thjesht kufizohet me deklarimin e Rekomandimit të tij “që nëse lejohet reklamimi me pagesë ai duhet t’i nënshtrohet disa rregullave minimale (...)”.
•Shumica e vendeve të cilat e lejojnë reklamimin politik kanë futur disa kufij në mënyrë që kjo praktikë të mos jetë domosdoshmërisht gjithmonë diskriminuese. Të gjitha partive duhet t’u ofrohen të njëjtat mundësi. Megjithatë, kjo “barazi e mundësive” është reale vetëm kur të gjitha partitë kanë fondet e nevojshme në dispozicion për të blerë të njëjtën sasi kohe. ...”
69. Sondazhi i përmblodhi çështjet si vijon:
“Mungesa e përkufizimeve të hollësishme dhe diversiteti i madh i traditave kombëtare kanë gjasa të krijojnë konfuzion mes homologëve evropianë për sa i përket reklamimit politik. Përgjithësisht, termi “reklamim” në shprehjen reklamim politik përdoret në kuptimin më të gjerë si propagandë politike. Si rregull, dispozitat transmetuese kombëtare nuk janë të zbatueshme meqenëse ato kërkojnë pagesë ose konsiderata të ngjashme. Megjithatë, në disa vende, reklamimi politik i nënshtrohet dispozitave të përgjithshme ligjore në lidhje me reklamat.
...
Çuditërisht, një numër i vogël vendesh nuk kanë fare kufizime për reklamimin politik me pagesë. Megjithatë, nuk duket se kjo nxjerr në pah ndonjë problem të veçantë apo shkakton ndonjë shqetësim. ...
Në shumicën dërrmuese të vendeve, partive dhe/ose kandidatëve u ofrohet kohë transmetimi pa pagesë, shpesh por jo ekskluzivisht në transmetuesit e shërbimit publik për të prezantuar programet e tyre. Është interesante të shënohet që një sistem i tillë nuk ekziston në një numër të vogël vendesh, ku nuk ka skemë zyrtare të fushatës zgjedhore në televizion. ...
Nganjëherë diskutohet që nëse kandidatët dhe partitë kanë qasje të drejtë ndaj kohës së transmetimit pa pagesë gjatë fushatave zgjedhore, ka më pak (ose nuk ka fare) nevojë për reklamim politik me pagesë. Kjo nuk mund të verifikohet në mënyrë sistematike në praktikë meqenëse ekzistenca e një skeme për shpërndarjen e kohës së transmetimit pa pagesë nuk i ndalon disa vende që të lejojnë reklamimin politik me pagesë. ...
Në shumë vende evropiano-perëndimore, tema më e nxehtë për momentin duket se është “reklamimi tematik”, d.m.th. mesazhet me qëllim politik që vinë nga organizata të cilat nuk janë parti politike, siç janë grupet e interesit apo grupet shoqërore. Në vazhdimësi të një vendimi të KEDNJ, një numër i vogël vendesh e kanë kufizuar fushëveprimin e ndalimit të reklamimit politik dhe tani i lejojnë spote të tilla - jashtë periudhave zgjedhore. ...”
Përmbledhja përfundonte me pyetjen vijuese:
“A janë ndalimet totale aktuale (përfshirë reklamimin tematik) të justifikuara në një “mënyrë relevante dhe të mjaftueshme” aq sa të mund t’i bëjnë ballë shqyrtimin të thellë nga këndvështrimi i KEDNJ? A përbëjnë ata një kufizim joproporcional ndaj lirisë së shprehjes?”
2. EPRA: Eseja për Grupin Punues 1 mbi “Reklamimin Politik”, Takimi i 30-të i EPRA, tetor 2009
70. Kjo ese komentoi mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës të kohëve të fundit. Ajo shënoi që çështja VgT kishte hapur një perspektivë origjinale meqenëse neni 10 tani dukej se kërkonte një ndërhyrje pozitive nga Shteti për zbatimin e një forme të së drejtës së lirisë së transmetimit përmes hapësirës reklamuese. Eseja krahasonte vendimin në çështjen Appleby dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 44306/98, ECHR 2003‑VI), i cili theksonte vlerën e qasjes në media të tjera, dhe çështjen e lartpërmendur Murphy e cila nuk pranoi argumentet mbi bazën e çështjes VgT.
3. Puna krahasuese më tej
71. Ndërkohë që studimi i EPRA i vitit 2006 përfshinte disa Shtete jo-Kontraktuese, Gjykata ka shqyrtuar 34 Shtetet Kontraktuese përfshirë 7 (Monako, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina) të cilat nuk mbuloheshin në studimin e zhvilluar nga EPRA. Që nga raporti i vitit 2006 nga EPRA, ka pasur ndryshime relevante në regjimet rregullatore të 25 Shteteve Kontraktuese, shumica e të cilave kanë qenë relativisht domethënëse.
72. Nga 34 Shtetet e ekzaminuara, 19 Shtete e ndalonin reklamimin politik me pagesë në një formë apo një tjetër. Në aspektin e kësaj të fundit, fushëveprimi i ndalimit në 7 Shtete (Republika Çeke, Francë, Gjermani, Irlandë, Portugali, Spanjë dhe Suedi) si dhe në Mbretërinë e Bashkuar mund të konsiderohej i gjerë qoftë për shkak të përkufizimit të gjerë të fjalës “politik/e”, qoftë për shkak të zbatimit të tij jashtë periudhave zgjedhore, apo qoftë për të dyja këto arsye. Megjithatë, edhe për këto 7 Shtate, përkufizimi dhe interpretimi i termit “politik/e” ndryshon kështu që ndalimi mund të argumentohej të ishte (Irlanda) apo të kishte qenë (Republika Çeke, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Spanja) zbatuar për të caktuar kohën e transmetimit për OJQ të caktuara (si Kryqi i Kuq, Greenpeace), për disa organizata qeveritare të caktuara (si UNHCR) dhe për disa organizata kombëtare bamirësie. Trendi në shumicën dërrmuese të Shteteve Kontraktuese të shqyrtuara është lejimi i transmetimit të reklamave të njëfarë interesi shoqëror nga organe të caktuara.
E. Tekstet e Këshillit të Evropës
73. Rekomandimi R(1999)15 i Komitetit të Ministrave mbi masat lidhur me mbulimin në media të fushatave zgjedhore parashikonte:
“5. Reklamimi politik me pagesë
Në Shtetet anëtare ku partitë dhe kandidatët politikë lejohen të blejnë hapësirë reklamuese për qëllime zgjedhore, kornizat rregullatore duhet të sigurojnë që:
- mundësia e blerjes së hapësirës reklamuese duhet të jetë në dispozicion për të gjitha partitë garuese, dhe me të njëjtat kushte dhe tarifa pagese;
- publiku të informohet që mesazhi është reklamë politike e paguar;
Shtetet Anëtare mund të marrin në konsideratë futjen e një dispozite në kornizat e tyre rregullatore për të sasinë e hapësirës reklamuese politike që një parti apo kandidat i caktuar mund të blejë.”
74. Memorandumi Shpjegues për atë Rekomandim shënonte:
“Reklamimi politik me pagesë
Reklamimi politik me pagesë në mediat transmetuese tradicionalisht ka qenë i ndaluar në shumë Shtete anëtare të Këshillit të Evropës, ndërkohë që ka qenë i lejuar në Shtete të tjera. Një nga avantazhet më të mëdha të tij është mundësia që ai krijon për të gjitha forcat politike që të përhapin gjerësisht mesazhet/programet e tyre. Nga ana tjetër, ai mund t’i japë një avantazh të padrejtë atyre partive ose kandidatëve të cilët mund të blejnë sasi të rëndësishme të kohës së transmetimit.
Duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme në lidhje me këtë çështje, Rekomandimi nuk ndërmerr qëndrim nëse kjo praktikë duhet të pranohet ose jo, dhe thjesht kufizohet duke thënë që nëse reklamat me pagesë lejohen atëherë ato duhet t’u nënshtrohen disa rregullave minimale: një, që ai trajtim i barabartë (për sa i përket qasjes dhe tarifave) t’u ofrohet të gjitha partive që kërkojnë kohë transmetimi, dhe dy, që publiku të informohet që mesazhet kanë qenë me pagesë.
Po ashtu, mund të konsiderohet e rëndësishme të caktohen kufij mbi shumën e reklamave me pagesë që mund të blihen nga një parti e vetme. Pavarësisht nga kjo, Rekomandimi nuk specifikon nëse është e dëshirueshme të bëhet kjo, dhe as nuk përcakton kufij të saktë për shumat e reklamave me pagesë, meqenëse konsiderohet që vendimi në lidhje me këtë çështje do të duhet të merrej në nivel kombëtar.”
75. Më 7 nëntor 2007 Rekomandimi Rec(2007)15 rishikoi R(1999)15. Draft Memorandumi Shpjegues shënoi:
“78. Duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme në lidhje me këtë çështje, Rekomandimi CM/Rec(2007) ... nuk ndërmerr qëndrim nëse kjo praktikë do të duhet të pranohej apo jo, dhe thjesht kufizohet duke thënë që nëse reklamat me pagesë lejohen atëherë ato duhet t’u nënshtrohen disa rregullave minimale, në mënyrë të veçantë që të gjitha partive që kërkojnë hapësirë transmetimi t’u ofrohet trajtim i barabartë (për sa i përket qasjes dhe tarifave).”
E DREJTA
I SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 10 TË KONVENTËS
76. Kërkuesja u ankua në bazë të nenit 10 në lidhje me ndalimin statutor të reklamimit politik me pagesë në radio dhe televizion (“ndalimi”). Neni 10, për aq sa është relevant, thotë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. ...
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
A. Pranueshmëria
77. Gjykata konsideron që zbatimi nuk është dukshëm i pabazë brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Më tej ajo shënon që ai nuk është i papranueshëm mbi ndonjë bazë tjetër. Prandaj, ai duhet të deklarohet i pranueshëm.
B. Themelet
78. Palët janë dakord që ndalimi shkonte deri tek ndërhyrja në të drejtat e kërkueses sipas nenit 10, që ndërhyrja ishte “e parashkruar me ligj” (nenet 319 dhe 321 të Ligjit të vitit 2003) dhe që ai synonte qëllimin e ruajtjes së paanshmërisë së transmetimeve në lidhje me çështje të interesit publik dhe, kështu, të mbrojtjes së procesit demokratik. Gjykata e pranon që kjo korrespondon me qëllimin legjitim të mbrojtjes së “të drejtave të të tjerëve” të cilave u referohet neni 10 (VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, nr. 24699/94, § 62, ECHR 2001‑VI; dhe TV Vest AS dhe Rogaland Pensjonistparti kundër Norvegjisë, nr. 21132/05, § 78, ECHR 2008 (pjesë të shkëputura)). Mosmarrëveshjet mes partive të përfshira kishin të bënin me faktin nëse ndërhyrja ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” dhe Gjykata tani do ta shqyrtojë këtë çështje.
1. Parashtrimet e kërkueses
79. Kërkuesja theksoi fuqinë e mbrojtjes së Konventës për shprehjen e interesave politike të interesit publik, argumentoi që ndërhyrja ishte gjerësisht e përkufizuar dhe konsideroi që ajo përbënte një formë kufizimi paraprak. Prandaj duhej zbatuar një hapësirë e ngushtë vlerësimi dhe një analizë e thellë dhe e rreptë (VgT, cituar lart). “Hapësira disi më e gjerë e vlerësimit” që referohet në çështjen TV Vest (cituar lart) ishte relevante vetëm për aq kohë sa Shteti kërkonte të mbështetej mbi tiparet e veçanta të situatës brenda vendit të vet e cila posaçërisht e justifikonte kufizimin (si në çështjen Murphy kundër Irlandës, nr. 44179/98, ECHR 2003‑IX (pjesë të shkëputura)) dhe situata në rastin konkret nuk ishte e tillë. Hapësira e gjerë e akorduar nga gjykatat vendase për legjislaturën ishte e papërshtatshme meqenëse kjo e fundit përbëhej nga partitë politike të cilat përfitonin nga ndalimi i kundërshtuar.
80. Argumenti kryesor i kërkueses ishte që ndalimi i reklamave politike me pagesë ishte tepër i gjerë për të qenë proporcional për arsyet e mëposhtme.
81. Pikësëpari, ndalimi ishte i përkufizuar tepër gjerë. Ndërkohë që kërkuesja e pranonte nevojshmërinë e ndalimit gjatë periudhave parazgjedhore, ajo e konsideronte joproporcionale mbajtjen e ndalimit jashtë atyre periudhave për grupet e avokimit social në lidhje me çështje të interesit publik. Një ndalim që bënte dallime mes “politikës partiake” dhe avokimit shoqëror të interesit publik do të ishte parimor, i praktikueshëm dhe proporcional. Sipas kërkueses, ishte bërë dallimi mes dy nocioneve në nenin 321(3) të Ligjit të vitit 2003 dhe Shtetet e tjera e kishin bërë këtë dallim. Përkufizimi i gjerë kufizonte në mënyrë të pajustifikueshme mundësinë e grupeve të vogla fushatëbërëse për t’u angazhuar me publikun në lidhje me çështje të interesit të përgjithshëm. Ai krijonte monopol në favor të partive të mëdha politike të cilat kishin qasje, sado të rregulluar, në mediat transmetuese via transmetimeve politike partiake dhe transmetimeve zgjedhore partiake pa pagesë. Prandaj ndalimi shtrembëronte debatin publik. Së fundi, ishte financiarisht e rëndë të ngrihej një grup bamirësie për të transmetuar një reklamë në lidhje me një çështje jo-politike në mënyrë që ndalimi të favorizonte organet e financuara mirë.
82. Së dyti, qasja e ndryshme ndaj transmetimeve dhe mediave të tjera ishte e pavërtetuar, e pashpjegueshme dhe e panevojshme. Qeveria kishte supozuar që mediat transmetuese ishin të fuqishme dhe të shtrenjta në mënyrë unike pa asnjë provë, analizë apo studim krahasues. Duke pasur parasysh ndikimin në rritje të formave të tjera të mediave të përhapura, kishte arsye bindëse për të besuar se ato ide tani mund të ishin false. Qeveria pa të drejtë u mbështet në gjetjet e mëparshme të kësaj Gjykate në lidhje me fuqinë e mediave transmetuese. Sidoqoftë, nuk kishte kuptim të kufizohej qasja ndaj mediave transmetuese dhe të lejohej qasja në media të tjera të përhapura bindëse. Nëse mediat transmetuese ishin posaçërisht të fuqishme, kjo do të ishte arsye për të transmetuar fjalime politike dhe nëse nuk ishin më aq të fuqishme në krahasim, për shembull, me internetin, justifikimi i Shtetit për ndalimin rrëzohej. Qëllimi i Qeverisë për ruajtjen e rrëmbimit të mediave transmetuese nga të pasurit dhe të fuqishmit nuk u arrit sepse të gjithë (të pasur e të varfër) u përjashtuan nga transmetimi por të pasurit ende arrinin të monopolizonin media të tjera të fuqishme.
83. Së treti, proporcionaliteti i një mase të përgjithshme duhet të testohej sërish, dhe të vërtetohej praktikisht nga, realitetet praktike dhe faktike të një çështjeje individuale. Duke u mbështetur në vendimin VgT, kërkuesja nënvizoi që as ajo vetë e as reklama nuk ishin konsideruar të kundërshtueshme, por ndalimi i mohonte asaj mundësinë për të ngritur një çështje të rëndësishme të interesit publik dhe për t’iu përgjigjur transmetimeve të tjera mbi primatët të cilat tashmë ishin pjesë e transmetimeve publike.
84. Së katërti, nuk ishte vërtetuar që, pa ndalimin, ekzistonte rreziku i komprometimit të paanshmërisë së transmetimit, ose që tre mekanizmat që thuhej se garantonin paanshmërinë ishin të ndërvarura.
85. Kërkuesja gjithashtu argumentoi që shqetësimet në lidhje me një sistem më pak kufizues nuk e justifikonin ruajtjen e ndalimit. Frika e shtrembërimit të debatit publik nga grupe të pasura dhe të fuqishme ishte e ekzagjeruar dhe e pavërtetuar. Shtete të tjera evropiane kishin arritur të ngrinin korniza rregullatore të tjera të cilat arrinin qëllimin e synuar pa pasojat përmbytëse të cilave u frikësohen. Përgjithësimet e frymëzuara nga Shtetet e Bashkuara nuk ishin të zbatueshme në Mbretërinë e Bashkuar.
86. Kërkuesja konsideroi që praktika gjyqësore përkatëse (vendimet e lartpërmendura VgT dhe TV Vest si dhe Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2) [GC], no. 32772/02, 30 qershor 2009) ishte direkt e zbatueshme ndaj argumenteve të saj dhe ishte në favor të saj. Reklamat dhe reklamuesit ishin të padëmshëm; reklamuesit nuk ishin të fuqishëm; dhe sidomos në çështjen TV Vest, Gjykata i refuzoi argumentet e Qeverisë së Norvegjisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me vendimin për të ndërmarrë një masë të përgjithshme për të mbrojtur debatin publik kundër grupeve të fuqishme financiare. Çështjet VgT dhe TV Vest nuk mund të kufizoheshin brenda fakteve të veta. Pavarësisht nëse kërkuesja po përgjigjej ndaj ose po fillonte një debat, ishte natyra e interesit publik të shprehjes ajo që përcaktohej në çështjen VgT dhe kështu duhet të ishte edhe në çështjen në fjalë. Siç u tregua në vendimin TV Vest, ndjeshmëritë e veçanta të cilat dilnin në pah nga shprehja e pikëpamjeve fetare nënkuptonin që çështja Murphy ishte e dallueshme. Për më tepër, argumenti që vendimi VgT ishte i gabuar nuk ishte bindës: ai vendim ishte shqyrtuar dhe konfirmuar tri herë (Murphy, VgT Nr. 2 dhe TV Vest) dhe nuk kishte asgjë të re apo imponuese në lutjet e Qeverisë. Precedentët e qartë duhet të ndiqen në interes të sigurisë ligjore dhe zhvillimit koherent të jurisprudencës së Konventës.
87. Së fundi, kërkuesja argumentoi që Konventa Evropiane mbi televizionin Trans-Kufitar (e cila mbron transmetimin dhe reklamimin trans-kufitar) kishte të bënte me reklamimin politik me pagesë. Gjithashtu, i referohej “Urdhëresës pa Kufij” duke theksuar që, ndërkohë që Shtetet mund të vendosnin kërkesa më të rrepta ndaj ofruesve të shërbimeve të medias, kërkohej një qasje e përbashkët me shtrirje të gjerë në BE në lidhje me çështjen e lirisë së shprehjes dhe reklamave të transmetuara.
2. Parashtrimet e Qeverisë
88. Qeveria parashtroi që Parlamenti e kishte konsideruar ndalimin të nevojshëm për të shmangur rrezikun e papranueshëm që debati politik të shtrembërohej në favor të xhepmbushurve që financonin reklamat në mediat më të fuqishme dhe më të shtrenjta. Transmetimi i parregulluar i reklamave politike me pagesë do ta kthente ndikimin demokratik në një komoditet çka do të minonte nga brenda paanshmërinë në transmetim dhe procesin demokratik. Objektiva ishte që të zhvillohej debati politik e jo të kufizohej.
89. Ajo argumentoi që ndërhyrja ishte proporcionale për arsyet mbi të cilat u mbështetën autoritetet vendase gjatë miratimit të rishikimit të ndalimit. Regjimi rregullator i zgjedhur ishte hartuar me qëllim të ekuilibrimit, nga njëra anë, të lirisë së shprehjes politike dhe, nga ana tjetër, të paanshmërisë së asaj shprehjeje dhe mbrojtjes së procesit demokratik. Këto të fundit qëllime të rëndësishme u arritën përmes tre mekanizmave të ndërlidhura: ndalimi; detyra statutore e paanshmërisë e vendosur vetëm mbi transmetuesit (neni 320 i Ligjit të vitit 2003); dhe transmetimet pa pagesë të partive politike, të zgjedhjeve partiake dhe fushatave të referendumeve. Ishte proporcionaliteti i ndalimit si masë e përgjithshme që duhej shqyrtuar dhe jo zbatimi i tij ndaj fakteve të çështjes. Ky arsyetimi i fundit supozonte, në mënyrë të pasaktë, që ishte e mundur, e praktikueshme dhe e pranueshme që një organ shtetëror të bënte dallimin mes reklamuesve ose reklamave në kontekstin e një debati social ose ndryshe për të zbatuar një kufizim mbi reklamat politike rast pas rasti.
90. Qeveria e konsideroi ndalimin të ishte proporcional për disa arsye kyçe.
91. Pikësëpari, shkalla e ndalimit kufizohej sa më shumë që ishte e mundur brenda qëllimit të tij thelbësor duke shmangur, në të njëjtën kohë, vlerësimet problematike nga rasti në rast. Ai kishte të bënte vetëm me reklamat me pagesë. Ai mbulonte vetëm mediat më të përhapura dhe më bindëse, ndërkohë që kërkuesja vazhdonte të kishte qasje në media të tjera shumë të dobishme.
92. Së dyti, qasja ndaj mediave transmetuese ishte e shtrenjtë dhe, pa ndalimin, vetëm grupet e mirëfinancuara do të mund ta shfrytëzonin një qasje të tillë. Nuk do të ishte në shërbim të interesave të kërkueses nëse reklama do të sillte pas një ortek reklamash të transmetuara nga grupe të financuara mirë me mendim të kundërt me të. Qeveria kishte paraqitur prova para gjykatave vendase në lidhje me shpenzimet e reklamave në mediat transmetuese, ajo që kishte rëndësi ishte fakti që kostoja ishte mjaft e lartë sa të përjashtonte shumicën e organizatave jo-qeveritare (“OJQ”) dhe kujtoi që dëshmia e kërkueses në procedurat brenda vendit shënonte që buxheti për reklama i sektorit komercial për një ditë do të ishte më shumë se ai i sektorit të OJQ-së për një vit.
93. Së treti, lejimi i transmetimit të reklamave politike me pagesë do të minonte nga brenda paanshmërinë transmetuese. Do të duhej të miratoheshin një sërë rregullash komplekse për t’u siguruar që asnjë pikëpamje/reklamues nuk do të mbizotëronte në mënyrë të paduhur, përfshirë: identifikimin e qartë të reklamimit politik dhe për t’u siguruar që të mbetet si shtesë e formave të tjera të shprehjes; kufizimin e përqindjes së të ardhurave të transmetuesve nga reklamat politike; dhe shmangia e arbitraritetit. Këto rregulla do të ishin të vështira për t’u zbatuar pa akuza për diskriminim ose pa minuar parimin e paanshmërisë dhe ato do të ishin të vështira për t’u ruajtur dhe mbajtur nën kontroll pa siguri ligjore.
94. Së katërti, transmetimet e partive politike, zgjedhjeve partiake dhe fushatave të referendumeve (njëri nga tre aspektet e sistemit rregullator) e zbusnin impaktin e masës së përgjithshme të kundërshtuar.
95. Për më tepër, Qeveria argumentoi që funksioni i Gjykatës kufizohej me shqyrtimin e faktit nëse zgjedhja e miratuar nga Parlamenti mund të shihej si e tillë që vendoste ekuilibrin dhe hynte brenda hapësirës së zbatueshme të vlerësimit. Edhe pse çështja përfshinte shprehjen politike, qëllimi ishte ruajtja e integritetit dhe paanshmërinë e saj. TV Vest kishte njohur faktin që mungesa e konsensusit favorizonte një hapësirë disi më të madhe vlerësimi. Ekzistonte një ekuilibër shumë delikat i interesave konkurruese, i cili përfshinte konsiderata të hollësishme dhe refuzimin e alternativave më pak kufizuese nga organe të ndryshme eksperte dhe politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike të cilët ishin posaçërisht të ndjeshëm ndaj masave të nevojshme për të mbrojtur integritetin e procesit demokratik. Parlamenti kishte të drejtë të gjykonte që objektiva justifikonte ndalimin dhe ishte miratuar pa kundërshtime. Më pas si është analizuar thellë nga gjykatat kombëtare të cilat i miratuan arsyet për të cilat, dhe fushëveprimin e, ndalimit. Rrjedhimisht, dhe duke pasur parasysh hapësirën e vlerësimit në dispozicion, kjo Gjykatë duhet të mos ngutet për të hamendësuar zgjidhjen e identifikuar me kujdes në një fushë komplekse nga organet vendore përkatëse. Për sa i përket konfliktit të pretenduar të interesit të sistemit politik në vlerësimin e nevojshmërisë së ndalimit, përvoja në Shtetet e Bashkuara tregonte që një sistem i parregulluar favorizonte politikanët dhe nuk do të linte të përfitonte një parti pakicë.
96. Qeveria u mbështet në dëshminë e Drejtorit të Përgjithshëm të DCMS (paragrafi 12 lart) e cila theksonte dhe mbështetej në reflektimet e DCMS lidhur me nevojshmërinë e ndalimit dhe mbi alternativat krahas tij (paragrafët 50-52 lart). Qeveria theksoi aspektet e mëposhtme.
Ajo shënoi që Parlamenti kishte të drejtë të konsideronte që ndalimi nuk mund të kufizohej brenda periudhave zgjedhore meqenëse ata që i kishin xhepat plot mund ta bombardonin elektoratin në çdo moment me pikëpamjet e tyre të njëanshme duke shtrembëruar kështu vetë procesin zgjedhor. Nëse një ndalim gjatë periudhave zgjedhore do të ishte në përputhje me nenin 10 (siç pranoi kërkuesja) për të mbrojtur procesin zgjedhor, ishte çështje fakti dhe shkalle deri ku ishte e nevojshme të ekzistonte ndalimi në periudha të tjera për të njëjtin qëllim. Ajo theksoi që ndalimi nuk mund të kufizohej vetëm tek partitë politike. Ai mund të anashkalohej lehtë nga partitë e fshehura pas grupeve të interesit publik duke shtrembëruar kështu axhendën politike. Për më tepër, nuk ekzistonte dallim i qartë dhe praktik mes partive politike dhe grupeve të avokimit social. Ajo theksoi që përpjekjet për të shmangur përmbajtjen politike nuk do të ishin realiste sepse ishte e vështirë të imagjinohej një organ avokues social reklama e të cilit nuk synonte të përmbushte objektivat e tij. Në fakt, çdo reklamë nga një organ i tillë do të paraqiste qëllimet e veta politike sikur edhe vetëm përmes rritjes së njohjes së emrit të tij apo ndihmës në mbledhjen e fondeve. Nëse një organ dëshironte të reklamonte në lidhje me ndonjë çështje jo-politike, e gjithë ajo që duhet të bënte (siç e kanë bërë shumë) ishte të ngrinte një organizatë bamirësie. Së fundi, ajo theksoi që vendosja e tavanit financiar ndaj grupeve që synonin të transmetonin reklama mund të anashkalohej lehtë nga xhepat e mbushur që shpërndanin para grupeve të shumta simpatizante ose grupeve të krijuara për atë qëllim. Tavani financiar mbi disa pikëpamje të caktuara politike po ashtu do të ishte objektivisht i vështirë për t’u hartuar dhe për të funksionuar në praktikë. Kufizimi i numrit të hapësirave për transmetime politike në dispozicion në mënyrë të pashmangshme do t’i jepte shtysë pyetjeve lidhur me padrejtësinë dhe diskriminimin ndërkohë që ishte më praktike të hartoheshin rregulla për caktimin e transmetimeve të partive politike duke iu referuar partive politike të regjistruara dhe/ose rezultateve të zgjedhjeve.
97. Sondazhi krahasues i EPRA e mbështeti qëndrimin e Qeverisë. Vetëm 4 Shtete e kishin krejtësisht të parregulluar këtë qëndrim. Kishte “ndalime me shtrirje të gjerë” në Francë, Irlandë, Maltë, Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë tre Shtete (Zvicra, Danimarka dhe Norvegjia) lejonin reklamimin nga grupe të avokimit social, e konsideronin veten të detyruar karshi vendimit VgT, fushëveprimi dhe efekti i të cilit ishte në diskutim në çështjen në fjalë. Sidoqoftë, ndërkohë që ekzistonte konsensus i gjerë evropian që media transmetuese kërkonte rregullim, nuk kishte konsensus në lidhje me mënyrën si duhej bërë kjo. Në fakt, Komiteti i Ministrave duke e shqyrtuar këtë çështje në vitin 1999 dhe 2007 (shih paragrafët 73-75 lart) nuk rekomandoi një qasje të përbashkët nëpër Evropë: Urdhëresa e Televizionit pa Kufij zbatohej vetëm për reklamat komerciale dhe, sidoqoftë, parashikonte që nuk mund të përdorej për të anashkaluar rregulla më të rrepta kombëtare. E njëjta gjë vlente për Urdhëresën mbi Shërbimet Mediatike Audio-Video. Komisioni i Përhershëm i Konventës Evropiane për Televizionin Trans-Kufitar, në mbledhjen e tij në korrik 2010, arriti në përfundimin që reklamat politike ishin jashtë kompetencave të BE-së.
98. Qeveria bëri parashtresa të hollësishme mbi praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate dhe, kryesisht, mbi vendimet e lartpërmendura VgT, Murphy dhe TV Vest.
Ajo argumentoi që vendimi VgT duhet të kufizohej brenda fakteve të veta sepse kërkuesi kishte qenë duke u përpjekur të rikthente ekuilibrin në një debat tashmë të filluar, ndërkohë që kërkuesja në fjalë synonte të fillonte një debat mbi trajtimin e primatëve. Përndryshe, vendimi VgT nuk duhet të ndiqej. Ai kishte dështuar të pranonte nevojën e konstatuar për një qasje të veçantë ndaj mediave audio-vizuale për shkak të përhapjes dhe fuqisë së saj. Ai dështoi të adresonte justifikimin e një mase të përgjithshme dhe prandaj dështoi të adresonte, në mënyrë të përshtatshme apo hiç fare, disa çështje relevante në lidhje me të. VgT (Nr. 2) nuk ishte relevante sepse Gjykata nuk i kishte hyrë çështjes substantive aktuale sipas nenit 10 të Konventës. Për sa i përket TV Vest, faktet ishin ndryshe: kërkuesja ishte një parti politike pakicë por detyra statutore e paanshmërisë dhe transmetimeve pa pagesë për partitë politike, zgjedhjet partiake dhe fushatat e referendumeve, nga të cilat përfitonin partitë e pakicave, nuk ekzistonin në Norvegji. Ndërkohë që vendimi në TV Vest njohu faktin që mungesa e një konsensusi evropian e rriste hapësirën e vlerësimit të një Shteti, ai njëkohësisht dështoi të vlerësonte kufizimin si masë e përgjithshme. Vendimi Murphy shqyrtoi kufizimin si masë e përgjithshme dhe nuk kishte arsye përse një shqyrtim çështje-për-çështje të ishte i papërshtatshëm për reklamat fetare por i përshtatshëm për reklamat politike.
3. Vlerësimi i Gjykatës lidhur me faktin nëse ndërhyrja ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike
99. Kërkuesja pohoi që ndalimi ishte joproporcional sepse ai ndalonte reklamimin “politik” me pagesë nga grupet e avokimit social jashtë periudhave zgjedhore. Qeveria argumentoi që ndalimi ishte i nevojshëm për të shmangur shtrembërimin e debateve mbi çështje të interesit publik përmes qasjes së pabarabartë në mediat me influencë nga organet financiarisht të fuqishme e, rrjedhimisht, për të mbrojtur pluralizmin efektiv dhe procesin demokratik. Termi reklamë politike i përdorur këtu përfshin reklamimin në lidhje me çështje të interesit të gjerë publik.
(a) Parimet e përgjithshme
100. Parimet e përgjithshme lidhur me nevojshmërinë e një ndërhyrjeje në lirinë e shprehjes u përmblodhën në çështjen Stoll kundër Zvicrës [GC] (nr. 69698/01, § 101, ECHR 2007‑V) dhe u përmendën sërish kohët e fundit në çështjen Mouvement raëlien suisse kundër Zvicrës ([GC], nr. 16354/06, § 48, 13 korrik 2012):
“(i) Liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet elementare për përparimin e saj dhe për vetpërmbushjen individuale të secilit. Në kuadër të paragrafit 2 të nenit 10, ajo është e zbatueshme jo vetëm ndaj ‘informacionit’ apo ‘ideve’ që priten mirë apo që shihen si të padëmshme apo si çështje indiference, por gjithashtu edhe ndaj atyre që janë ofenduese, shokuese apo trazuese. Të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjegjerësisë pa të cilat nuk ka ‘shoqëri demokratike’. Siç parashikohet nga neni 10, kjo liri ka përjashtime, të cilat ... duhet, sidoqoftë, të konceptohen në mënyrë të rreptë, dhe nevoja për kufizime duhet të përcaktohet në mënyrë bindëse ...
(ii) Mbiemri ‘i nevojshëm’, brenda kuptimit të nenit 10 § 2, nënkupton ekzistencën e një ‘nevoje sociale të ngutshme’. Shtetet Kontraktuese kanë njëfarë hapësire vlerësimi kur gjykojnë nëse një nevojë e tillë ekziston, por ajo shkon paralelisht me mbikqyrjen evropiane, duke përqafuar si legjislacionin ashtu edhe vendimet që e zbatojnë atë, madje edhe ato që merren nga një gjykatë e pavarur. Prandaj Gjykata ka fuqinë të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me faktin nëse një ‘kufizim’ është i pajtueshëm me lirinë e shprehjes të mbrojtur nga neni 10.
(iii) Detyra e Gjykatës, në ushtrimin e juridiksionit të saj mbikqyrës, nuk është të zërë vendin e autoriteteve kompetente kombëtare por të shqyrtojë përmes prizmit të nenit 10 vendimet që ata kanë marrë në përputhje me fuqinë e tyre të vlerësimit. Kjo nuk do të thotë që mbikqyrja kufizohet me të siguruarit nëse Shteti përgjegjës e ka ushtruar diskrecionin e vet në mënyrë të arsyeshme, të kujdesshme dhe në mirëbesim; ajo që duhet të bëjë Gjykata është ta shohë ndërhyrjen për të cilën është bërë ankesë nën dritën e çështjes si e tërë dhe të përcaktojë nëse ka qenë ‘proporcionale karshi qëllimit legjitim të synuar’ dhe nëse arsyet e dhëna nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë ‘relevante dhe të mjaftueshme’ .... Duke vepruar kështu, Gjykata duhet të bindë veten që autoritetet kombëtare kanë zbatuar standarde të cilat kanë qenë në përputhje me parimet e mishëruara në nenin 10 dhe, për më tepër, që ato janë mbështetur mbi një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse ....”
Kjo mbrojtje e nenit 10 shtrihet jo vetëm drejt thelbit të ideve dhe informacionit të shprehur por edhe drejt formës në të cilën ato paraqiten (Jersild kundër Danimarkës, 23 shtator 1994, § 31, Seria A nr. 298).
101. Gjykata gjithashtu kujton parimet në lidhje me pluralizmin në mediat audio-vizuale të përcaktuara kohët e fundit në Centro Europa 7 S.R.L. dhe Di Stefano kundër Italisë ([GC], nr. 38433/09, ECHR 2012):
“129. ... Siç ka vërejtur shpesh, nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. ... Është në vetë thelbin e demokracisë që të lejojë propozimin dhe debatimin e programeve të ndryshme politike ... nëse ato nuk dëmtojnë vetë demokracinë ....
132. Mediat audio-vizuale, si radio dhe televizioni, luajnë një rol posaçërisht të rëndësishëm në këtë aspekt. ...
133. Një situatë ku një grup i fuqishëm ekonomik ose politik në shoqëri lejohet të marrë një pozicion dominues mbi mediat audiovizuale duke ushtruar kështu presion mbi transmetuesit dhe eventualisht duke shkurtuar lirinë e tyre editoriale minon nga brenda rolin themelor të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike siç është mishëruar në nenin 10 të Konventës, në mënyrë të veçantë aty ku shërben për të përcjellë informacione dhe ide të interesit të përgjithshëm ...
134. Gjykata vëren që në një sektor kaq të ndjeshëm siç është media audiovizuale, përveç detyrës së tij negative për mos-ndërhyrje, Shteti ka detyrimin pozitiv të ngritjes së një kornize të përshtatshme legjislative dhe administrative për të garantuar pluralizëm efektiv ...
Duke pasur parasysh këtë, duhet shënuar që në Rekomandimin CM/Rec(2007)2 lidhur me pluralizmin në media dhe diversitetin e përmbajtjes në media ... Komiteti i Ministrave riafirmoi që “në mënyrë që të mbrohen dhe të promovohen në mënyrë aktive shprehjet e ideve dhe opinioneve si dhe diversiteti kulturor, shtetet anëtare duhet të përshtasin kornizat rregullatore ekzistuese, posaçërisht në aspektin e pronësisë së mediave, dhe të miratojnë të gjitha masat rregullatore dhe financiare që kërkohen për të garantuar transparencë mediale dhe pluralizëm strukturor si dhe diversitetin e përmbajtjes së shpërndarë”.
Më tej, duke pasur parasysh rëndësinë e asaj që rrezikohet sipas nenit 10, Shteti është garantuesi përfundimtar i pluralizmit (Informationsverein Lentia dhe të Tjerë kundër Austrisë, 24 nëntor 1993, § 38, Seria A nr. 276; dhe Manole dhe të Tjerë kundër Moldavisë, nr. 13936/02, § 99, ECHR 2009 (pjesë të shkëputura)).
102. Për sa i përket gjerësisë së hapësirës së vlerësimit që duhet lejuar, kujtohet që ajo varet nga disa faktorë. Ajo përkufizohet nga lloji i shprehjes për të cilën bëhet fjalë dhe, në këtë aspekt, kujtohet që ekziston fushëveprim i vogël nga neni 10 § 2 për kufizimet lidhur me debatet për çështje të interesit publik (Wingrove kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendimi i datës 25 nëntor 1996, Përmbledhje e Vendimeve 1996-V, § 58). Çështje të tilla përfshijnë mbrojtjen e kafshëve (Bladet Tromsø dhe Stensaas kundër Norvegjisë [GC], nr. 21980/93, §§ 61-64 ECHR 1999-III; si dhe VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, §§ 70 dhe 72; dhe Mouvement raëlien suisse kundër Zvicrës, §§ 59-61, dy të fundit të cituara lart). Hapësira gjithashtu ngushtohet nga interesi i fuqishëm i një shoqërie demokratike që shtypi të ushtrojë rolin e tij jetik si rojtar shoqëror (Editions Plon kundër Francës, nr. 58148/00, § 43, ECHR 2004‑IV): liria e shtypit dhe mediave të tjera të lajmeve i ofron publikut një nga mënyrat më të mira për të zbuluar dhe formuar një mendim lidhur me idetë dhe qëndrimet e udhëheqësve politikë. Është detyrë e shtypit të përcjellë informacione dhe ide në lidhje me tema të interesit publik dhe publiku gjithashtu ka të drejtë t’i marrë ato (Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, Seria A nr. 24; dhe Centro Europa 7 S.R.L. dhe Di Stefano kundër Italisë, cituar lart, §131).
103. Rrjedhimisht, Gjykata e shqyrton në mënyrë të ndërgjegjshme proporcionalitetin e një kufizimi mbi shphrehjen nga shtypi në një program televiziv në lidhje me një çështje të interesit të përgjithshëm (Schweizerische Radio- und Fernsehgesellschaft SRG kundër Zvicrës, nr. 34124/06, § 56, 21 qershor 2012). Në kontekstin aktual, duhet shënuar që, kur një OJQ tërheq vëmendjen drejt çështjeve të interesit publik, ajo po ushtron rolin e një rojtari publik të rëndësisë së ngjashme me atë të shtypit (Vides Aizsardzības Klubs kundër Latvias, nr. 57829/00, § 42, 27 maj 2004).
104. Për këto arsye, hapësira e vlerësimit që i duhet lejuar Shtetit në kontekstin në fjalë është, parimisht, e ngushtë.
105. Nën dritën e të gjithë faktorëve të lartpërmendur, Gjykata duhet të vlerësojë nëse arsyet e dhëna për të justifikuar ndalimin kanë qenë edhe “relevante”, edhe “të mjaftueshme”, e rrjedhimisht nëse ndërhyrja përkonte me një “nevojë të ngutshme sociale” dhe nëse ka qenë proporcionale me qëllimin legjitim të synuar. Në këtë aspekt, nuk është detyra e Gjykatës të zërë vendin e autoriteteve kombëtare por ajo duhet të shqyrtojë, duke parë çështjen në tërësi, vendimet e atyre autoriteteve të marra në përputhje me hapësirën e tyre të vlerësimit (Fressoz dhe Roire kundër Francës [GC], nr. 29183/95, § 45, ECHR 1999-I).
(b) Vërejtje paraprake
106. Pavarësisht nëse lutja është parashtruar në këtë mënyrë për ndërhyrjen në çështjen e lartpërmendur VgT, palët e tanishme pranuan që reklamimi politik mund të rregullohej përmes një mase të përgjithshme dhe nuk ishin dakord vetëm për gjerësinë e masës së zgjedhur. Kujtohet se, në përputhje me Konventë, një Shtet mund të miratojë masa të përgjithshme të cilat janë të zbatueshme në situata të para-caktuara pavarësisht nga faktet individuale të secilit rast edhe nëse kjo mund të rezultojë në çështje individuale të vështira (Ždanoka kundër Latvias [GC], nr. 58278/00, §§ 112-115, ECHR 2006‑IV). Në kundërshtim me parashtresën e kërkueses, një masë e përgjithshme duhet të dallohet nga një kufizim i mëparshëm i vendosur mbi një akt individual të shprehjes (Observer dhe Guardian kundër Mbretërisë së Bashkuar, 26 nëntor 1991, § 60, Seria A nr. 216).
107. Nevojshmëria e një mase të përgjithshme është shqyrtuar nga Gjykata në disa kontekste të ndryshme siç janë politikat ekonomike dhe sociale (James dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1986, Seria A nr. 98; Mellacher dhe të Tjerë kundër Austrisë, 19 dhjetor 1989, Seria A nr. 169; dhe Hatton dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 36022/97, § 123, ECHR 2003‑VIII) dhe mirëqenia dhe pensionet (Stec dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 65731/01, ECHR 2006‑VI; Runkee dhe White kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 42949/98 dhe nr. 53134/99, 10 maj 2007; dhe Carson dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 42184/05, ECHR 2010). Gjithashtu është shqyrtuar në kontekstin e ligjeve zgjedhore (Ždanoka kundër Latvias [GC], cituar lart); votimi nga të burgosurit (Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) [GC], nr. 74025/01, ECHR 2005‑IX; dhe Scoppola kundër Italisë (nr. 3) [GC], nr. 126/05, 22 May 2012); fekondimi artificial për të burgosurat (Dickson kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 44362/04, §§ 79-85, ECHR 2007‑V); shkatërrimi i embrioneve të ngrira (Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 6339/05, ECHR 2007‑I); dhe vdekja e asistuar (Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, ECHR 2002‑III); si dhe në kontekstin e një ndalimi mbi reklamimin fetar (çështja e lartpërmendur Murphy kundër Irlandës).
108. Nga praktika gjyqësore del që, për të përcaktuar proporcionalitetin e një mase të përgjithshme, Gjykata duhet fillimisht të vlerësojë zgjedhjet legjislative pas saj (James dhe të tjerë, § 36). Cilësia e shqyrtimit parlamentar dhe gjyqësor të nevojshmërisë së masës është e rëndësisë së veçantë në këtë aspekt, përfshirë edhe përdorimin e hapësirës përkatëse të vlerësimit (për shembull, Hatton, në § 128; Murphy, në § 73; Hirst në §§ 78-80; Evans, në § 86; dhe Dickson, në § 83, të gjitha të cituara lart). Gjithashtu, është me vend të merret parasysh rreziku i abuzimit nëse një masë e përgjithshme relaksohet, rrezik i cili i takon Shtetit ta vlerësojë (Pretty, § 74). Një masë e përgjithshme është gjetur të jetë mjet më funksional i përmbushjes së qëllimit legjitim sesa një dispozitë që lejon shqyrtimin rast-për-rast, kur kjo e fundit do t’i jepte shkas rrezikut të një pasigurie të konsiderueshme (Evans, § 89), hapjes së një çështjeje gjyqësore, shpenzimeve dhe vonesave (James dhe të Tjerë, § 68 dhe Runkee, § 39) si dhe diskriminimit dhe arbitraritetit (Murphy, në §§ 76-77 dhe Evans, § 89). Zbatimi i masës së përgjithshme ndaj fakteve të çështjes mbetet, megjithatë, pasqyrim i ndikimit të saj në praktikë e kështu ka peshë materiale për proporcionalitetin e saj (shih, për shembull, James dhe të Tjerë, cituar lart, § 36).
109. Rrjedh që sa më bindëse që janë justifikimet e përgjithshme për masën e përgjithshme, aq më pak rëndësi i jep Gjykata ndikimit të saj mbi çështjen e dhënë. Kjo qasje e Gjykatës në shqyrtimin e masave të përgjithshme bazohet mbi elemente të analizës së saj në të dy çështjet e lartpërmendura VgT dhe Murphy, ku kjo e fundit u zbatua në çështjen TV Vest. Vendimi VgT (nr. 2) i vitit 2009 (cituar lart) nuk është relevant, meqenëse kishte të bënte me detyrimin pozitiv të Shtetit për të ekzekutuar një vendim të kësaj Gjykate.
110. Çështja qenësore për sa u përket masave të tilla nuk është, siç sugjeroi kërkuesja, nëse duhet të ishin miratuar rregulla më pak kufizuese, apo nëse Shteti mund të vërtetonte që, pa ndalimin, qëllimi legjitim nuk do të përmbushej. Në fakt, çështja thelbësore është nëse, duke miratuar masën e përgjithshme dhe duke gjetur ekuilibrin që gjeti, legjislatura ka vepruar brenda hapësirës së vlerësimit që i është lejuar (James dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, § 51; Mellacher dhe të Tjerë kundër Austrisë, § 53; dhe Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], § 91, të gjitha të cituara lart).
111. Më tej, Gjykata shënon që justifikimi i ofruar nga Qeveria përfshinte nevojën për të mbrojtur procesin zgjedhor si pjesë e rendit demokratik dhe ajo u mbështet në çështjen Bowman kundër Mbretërisë së Bashkuar (19 shkurt 1998, § 41, Raporte 1998‑I) në të cilën Gjykata pranoi që një kontroll statutor i debatit publik ishte i nevojshëm duke pasur parasysh rrezikun që i kanosej të drejtës për zgjedhje të lira. Kërkuesja e kontestoi relevancën e asaj çështjeje meqenëse kishte të bënte me një kufizim i cili vepronte vetëm para dhe gjatë zgjedhjeve. Ndërkohë që rreziku ndaj debateve pluraliste publike, zgjedhjeve dhe procesit demokratik do të ishte dukshëm më i theksuar gjatë një periudhe zgjedhore, vendimi Bowman nuk sugjeron që rreziku kufizohet brenda këtyre periudhave meqenëse procesi demokratik është proces në vazhdimësi i cili duhet ushqyer gjatë tërë kohës nga debati i lirë dhe pluralist. Në fakt, në çështjen Centro Europa 7 S.R.L. dhe Di Stefano kundër Italisë (cituar lart, § 134), Gjykata nuk sugjeroi që njohja e një detyrimi pozitiv për të ndërhyrë për garantimin e pluralizmit efektiv në sektorin audiovizual ishte e kufizuar brenda një periudhe të veçantë.
Rrjedhimisht, është me vend të kujtohet që ka një shumllojshmëri dallimesh historike, kulturore dhe politike brenda Evropës kështu që i takon secilit Shtet të formësojë vizionin e vet demokratik (Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) [GC], § 61; dhe Scoppola kundër Italisë (nr. 3) [GC], § 83, të dyja të cituara lart). Për arsye të kontaktit të tyre të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me forcat jetike të vendeve të tyre, shoqëritë e tyre dhe nevojat e tyre, autoritetet legjislative dhe gjyqësore janë në pozicion më të mirë që të vlerësojnë vështirësitë e veçanta në mbrojtjen e rendit demokratik në Shtetin e vet (Ždanoka kundër Latvias [GC], cituar lart, § 134). Prandaj Shtetit duhet t’i jepet një shkallë diskrecioni për sa i përket këtij vlerësimi kompleks dhe specifik për vetë vendin, i cili është i rëndësisë qenësore për zgjedhjet legjislative që diskutohen në rastin konkret.
112. Së fundi, Gjykata shënon që të dy palët kanë të njëjtën objektivë, pra ruajtjen e debatit të lirë dhe pluralist në lidhje me çështje të interesit publik dhe, më përgjithësisht, dhënien e kontributit në procesin demokratik. Prandaj Gjykatës i kërkohet të ekuilibrojë, nga njëra anë, të drejtën e OJQ-së kërkuese për të përcjellë informacione dhe ide të interesit të përgjithshëm të cilat publiku ka të drejtë t’i marrë, dhe, nga ana tjetër, dëshirën e autoriteteve për të mbrojtur debatin dhe procesin demokratik nga shtrembërimi prej grupeve të fuqishme financiare me qasje prioritare ndaj mediave me influencë. Gjykata njeh faktin që grupe të tilla mund të fitonin avantazhe konkurruese në fushën e reklamimit me pagesë duke shkurtuar kështu debatin e lirë dhe pluralist, për të cilin garantuesi përfundimtar mbetet Shteti. Rregullimi i transmetimit të debatit të interesit publik pra mund të jetë i nevojshëm brenda kuptimit të nenit 10 § 2 të Konventës. Ndërkohë që edhe vendimi VgT, edhe TV Vest shprehimisht e pranuan atë parim (shih gjithashtu, për shembull, çështjen e lartpërmendur Centro Europa 7 S.R.L. dhe Di Stefano kundër Italisë), secili gjeti që përdorimi i ndalimeve mbi reklamat në fjalë në ato çështje ishte joproporcional. Çështja që duhet zgjidhur në këtë rast është nëse ndalimi aktual ka shkuar tepër larg, duke pasur parasysh qëllimin e tij të përshkruar lart dhe hapësirën e vlerësimit që i është lejuar Shtetit përgjegjës.
(c) Proporcionaliteti
113. Prandaj, duke iu kthyer proporcionalitetit të kësaj mase të përgjithshme, Gjykata pikësëpari ka parë shqyrtimet kombëtare parlamentare dhe gjyqësore të nevojshmërisë së tij, të cilat, për arsyet e dhëna në paragrafët 106-111 lart, janë të rëndësisë qenësore për çështjen në fjalë.
114. Megjithëse ndalimi ka qenë pjesë përbërëse e transmetimeve në Mbretërinë e Bashkuar që nga vitet ‘50, nevojshmëria e tij u shqyrtua dhe u konfirmua në mënyrë specifike nga Komisioni Neill në raportin e tij të vitit 1998. Kështu, një Letër e Bardhë me një ndalim të propozuar u publikua për komente. Në këtë pikë (2001) u shpall vendimi i lartcituar VgT dhe të gjitha fazat e mëvonshme të shqyrtimit para-legjislativ shqyrtuan me hollësi impaktin e këtij vendimi mbi pajtueshmërinë me Konventën të ndalimit të propozuar. Pas konsultimeve mbi Letrën e Bardhë, në vitin 2003 u publikua një Projektligj me një Shënim Shpjegues të detajuar i cili merrej me implikimet e vendimit të VgT. Të gjitha organet specialiste të mëpasme u konsultuan në lidhje me atë Ligj (JCHR, JCDCB, ITC dhe Komisioni Zgjedhor) e mbështetën, për arsyet e përcaktuara hollësisht lart (paragrafët 42-45), të ruajtjes së ndalimit duke marrë parasysh që, edhe pas vendimit VgT, ishte një masë e përgjithshme proporcionale. Qeveria, përmes DCMS, luajti një rol të rëndësishëm në atë debat duke shpjeguar shpesh dhe me hollësi arsyet e saj për mbajtjen e ndalimit dhe konsiderimin e tij si proporcional dhe duke shkuar deri tek zbulimi i këshillave të saj ligjore në lidhje me këtë temë (paragrafët 50-53 lart). Atëherë, Ligji i vitit 2003 që përmbante ndalimin u dekretua me mbështetjen e të gjitha partive dhe pa asnjë votë kundërshtuese. Kështu, ndalimi ishte kulminacioni i një shqyrtimi të jashtëzakonshëm nga organet parlamentare të aspekteve kulturore, politike dhe ligjore të ndalimit si pjesë e sistemit më të gjerë rregullator që qeveriste shprehjen e transmetuar të interesave publike në Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha organet gjetën që ndalimi kishte qenë ndërhyrje e nevojshme tek të drejtat e nenit 10.
115. Ishte pikërisht kjo kompetencë e veçantë e Parlamentit dhe konsultimet e gjera para-legjislative mbi pajtueshmërinë me Konventën të ndalimit të cilat shpjegonin shkallën e respektit të treguar nga gjykatat vendase për vendimin e Parlamentit për ta miratuar ndalimin (në mënyrë të veçantë, paragrafët 15 dhe 24 lart). Proporcionaliteti i ndalimit, sidoqoftë, u debatua deri diku me hollësi para Gjykatës së Lartë dhe Dhomës së Lordëve. Të dy gjykatat analizuan praktikën gjyqësore dhe parimet përkatëse të Konventës, adresuan relevancën e vendimit të lartpërmendur VgT dhe ia zbatuan me kujdes atë jurisprudencë ndalimit. Secili gjyqtar në të dy shkallët e mbështeti objektivën e ndalimit si dhe arsyetimin mbi zgjedhjet legjislative të cilat përkufizuan fushëveprimin e tij të veçantë dhe secili konkludoi që ishte një ndërhyrje e nevojshme dhe proporcionale tek të drejtat e kërkueses sipas nenit 10 të Konventës.
116. Nga ana e saj, Gjykata i jep peshë të konsiderueshme këtyre shqyrtimeve këmbëngulëse dhe me vend, të zhvilluara nga organet parlamentare dhe ato gjyqësore, mbi regjimin rregullator kompleks që qeveris transmetimet politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe pikëpamjes së saj që masa e përgjithshme ishte e nevojshme për të parandaluar shtrembërimin e debateve të interesit publik thelbësor dhe, kështu, minimin nga brenda të procesit demokratik.
117. Më tej, Gjykata e konsideron të rëndësishme që ndalimi është hartuar në mënyrë të veçantë për të adresuar pikërisht rrezikun e shtrembërimit që Shteti synonte të shmangte me dëme minimale ndaj të drejtës së shprehjes. Pra, ai i referohet vetëm reklamave duke pasur parasysh natyrën e tij thelbësisht të njëanshme (Murphy, § 42), reklamave me pagesë duke pasur parasysh rrezikun e qasjes së pabarabartë për arsye të pasurisë dhe reklamave politike (siç shpjegohet në paragrafin 99 lart) meqenëse konsiderohej se shkonte në zemër të procesit demokratik. Gjithashtu, ai kufizohet tek disa media të caktuara (radio dhe televizion) meqenëse ato konsiderohet të jenë mediat më me ndikim dhe më të shtrenjta dhe të përbëjnë gurthemelin e sistemit rregullator në fjalë në çështjen aktuale. Kufijtë e vendosur mbi një kufizim janë faktorë të rëndësishëm në vlerësimin e proporcionalitetit të tij (Mouvement raëlien suisse kundër Zvicrës [GC], § 75, cituar lart). Rrjedhimisht, një gamë mediash alternative kanë qenë në dispozicion të kërkueses dhe këto renditen në paragrafin 124 poshtë).
118. Megjithatë, kërkuesja diskutoi arsyeshmërinë e zgjedhjeve legjislative të bëra për sa i përket fushëveprimit të ndalimit.
119. Pikësëpari, kërkuesja argumentoi, duke iu referuar paragrafit 77 të vendimit VgT, që kufizimi i ndalimit vetëm për sa i përket radios dhe televizionit ishte i palogjikshëm duke pasur parasysh fuqinë krahasuese të mediave të reja siç është interneti. Megjithatë, Gjykata e konsideron të logjikshëm një dallim të bazuar mbi ndikimin e veçantë të mediave transmetuese. Në mënyrë të veçantë, Gjykata njeh efektin e menjëhershëm dhe të fuqishëm të medias transmetuese, një impakt që përforcohet nga funksioni i vazhdueshëm i radios dhe televizionit si burime familjare të argëtimit në intimitetin e shtëpisë (Jersild kundër Danimarkës, § 31; Murphy kundër Irlandës, § 74; TV Vest, në § 60; dhe Centro Europa 7 S.R.L. dhe Di Stefano kundër Italisë, § 132, të gjitha të cituara lart). Më tej, zgjedhjet e përfshira në përdorimin e internetit dhe mediave sociale nënkuptojnë që informacioni që del përmes tyre nuk ka të njëjtin sinkronizim ose impakt si informacioni i transmetuar. Prandaj, pavarësisht nga zhvillimi domethënës i internetit dhe mediave sociale vitet e fundit, nuk ka prova të një ndryshimi mjaftueshëm serioz në ndikimet respektive të mediave të reja dhe mediave transmetuese në Shtetin përgjegjës sa për të minuar nga brenda nevojën për masa të veçanta për këtë të fundit.
120. Së dyti, kërkuesja diskutoi që reklamimi i transmetuar nuk ishte më i shtrenjtë se mediat e tjera dhe Qeveria e kontestoi këtë. Gjykata konsideron që është e mjaftueshme të shënohet, siç bëri Ousley J në Gjykatën e Lartë (paragrafi 17 lart), që reklamat e transmetuara kishin avantazhe për të cilat reklamuesit dhe transmetuesit janë të vetdijshëm dhe për të cilat reklamuesit do të paguanin shuma të mëdha parash, shumë më të mëdha nga ç’kishin në dispozicion shumica e OJQ-ve që dëshironin të merrnin pjesë në debatin publik.
121. Së treti, kërkuesja konsideroi që ofrimi i transmetimeve pa pagesë për fushatat e partive politike, zgjedhjeve partiake dhe referendumeve për partitë politike nuk ishte relevant ndaj proporcionalitetit të ndalimit. Megjithatë, Gjykata konsideron që relaksimi i ndalimit në mënyrë të kontrolluar për ato organe që janë pjesa më qenësore e procesit demokratik duhet të konsiderohet faktor relevant në shqyrtimin nga Gjykata të ekuilibrit të përgjithshëm të arritur nga masa e përgjithshme (paragrafët 106-111 lart), edhe nëse kërkuesja nuk preket nga ai faktor.
122. Së katërti, kërkuesja argumentoi që Qeveria mund të kishte ngushtuar fushëveprimin e ndalimit për të lejuar reklamimin nga grupe të avokimit social jashtë periudhave zgjedhore. Shqetësimet lidhur me një ndalim më pak kufizues u pranuan nga autoritetet parlamentare dhe gjyqësore, dhe dy shqetësime u ritheksuan nga Qeveria para kësaj Gjykate: rreziku i abuzimit dhe rreziku i arbitraritetit. Rreziku i abuzimit duhet adresuar fillimisht nga autoritetet vendase (paragrafi 108 lart) dhe Gjykata e konsideron të arsyeshme frikën që ky opsion mund t’i japë shkas rrezikut që organe të pasura me axhendat e tyre të paraqiten me anë të grupeve të avokimit social të krijuara prej tyre pikërisht për atë qëllim. Vendosja e tavaneve financiare mund të anashkalohej nga ato organe të pasura duke krijuar një numër të madh grupesh të ngjashme të interesit, duke akumuluar kështu kohë reklamuese. Gjithashtu Gjykata e konsideron racional shqetësimin që një ndalim që kërkon të bëhet dallimi nga njëri rast tek tjetri mes reklamuesve dhe reklamave mund të mos jetë mjet praktik i përmbushjes së qëllimit legjitim. Në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh sfondin rregullativ kompleks, kjo formë e kontrollit mund të çojë drejt pasigurisë, hapjes së procedurave gjyqësore, shpenzimeve dhe vonesave si dhe drejt pretendimeve për diskriminim dhe arbitraritet, arsye të cilat mund të justifikojnë një masë të përgjithshme (paragrafi 108 lart). Prandaj, ishte e arsyeshme që Qeveria të mendonte që opsioni alternativ i propozuar nuk ishte praktik dhe që asaj mund t’i duhej të komprometonte parimin e paanshmërisë në transmetim, një gurthemel i sistemit rregullator në fjalë (paragrafët 62-64).
123. Më tej, Gjykata do të nënvizonte që nuk ka konsensus evropian mes Shteteve Kontraktuese në lidhje me mënyrën se si të rregullohet reklamimi politik me pagesë në transmetim (paragrafët 65-72 lart) dhe palët e pranuan këtë. Kujtohet që mungesa e konsensusit përkatës mes Shteteve Kontraktuese mund të fliste në favor të lejimit të një hapësire vlerësimi disi më të gjerë se ajo që normalisht lejohet në rastet e kufizimeve ndaj shprehjes së çështjeve të interesit publik (Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) [GC], § 81 dhe TV Vest, § 67, të dyja të cituara lart, si dhe Société de conception de presse et d’édition dhe Ponson kundër Francës, nr. 26935/05, §§ 57 dhe 63, 5 mars 2009). Është e vërtetë që EPRA rekomandoi njëfarë kujdesi gjatë mbështetjes në materialin krahasues në këtë kontekst (paragrafi 65 lart). Megjithatë, ndërkohë që mund të ketë një trend që i largohet ndalimeve të gjera, mbetet e qartë që ekziston një shumllojshmëri mjetesh të përdorura nga Shtetet Kontraktuese për të rregulluar reklama të tilla, që pasqyrojnë dallimet e shumta në zhvillimin historik, diversitetin kulturor, mendimin politik dhe, rrjedhimisht, vizionin demokratik të atyre Shteteve (Scoppola kundër Italisë (nr. 3) [GC], cituar lart, § 83). Ka aq shumë mungesë konsensusi në lidhje me këtë temë saqë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, duke shqyrtuar çështjen e reklamave politike me pagesë në mediat transmetuese në vitin 1999 dhe 2007 refuzoi të rekomandonte një qëndrim të përbashkët në lidhje me çështjen (paragrafët 73-75 lart). Kjo mungesë konsensusi gjithashtu zgjeron hapësirën e vlerësimit që mund të lejohet për sa u përket kufizimeve mbi shprehjen e interesave publike.
124. Së fundi, Gjykata nuk konsideron që impakti i ndalimit në rastin konkret peshon më shumë sesa justifikimet bindëse më sipër në lidhje me masën e përgjithshme (paragrafi 109 lart).
Gjykata vëren, në këtë aspekt, mediat e tjera që mbeten në dispozicion të kërkueses në fjalë dhe kujton që qasja ndaj mediave alternative është kyçe për proporcionalitetin e një ndalimi mbi qasjen në media të tjera potencialisht të dobishme (Appleby dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44306/98, § 48, ECHR 2003‑VI; dhe Mouvement raëlien suisse kundër Zvicrës, cituar lart, §§ 73-75). Në mënyrë të veçantë, OJQ kërkuese vazhdon të ketë në dispozicion mundësinë e pjesëmarrjes në radio ose televizion në programet me diskutime të natyrës politike (p.sh. transmetime, në vend të reklamave me pagesë). Po ashtu, ajo mund të reklamojë në radio dhe në televizion në lidhje me një çështje jo të natyrës politike nëse ngre një degë bamirësie të organizatës për ta bërë këtë, dhe nuk është treguar që kostoja e kësaj është e ndaluar. Më së rëndësishmi, kërkuesja ka qasje të plotë për reklamat e saj në mediat jo-transmetuese përfshirë mediat në shtyp, internetin (përfshirë rrjetet mediale sociale) si dhe për demonstrata, pankarta dhe pamflete. Edhe pse nuk është treguar që interneti, me rrjetet e veta mediale sociale, është më me ndikim se mediat transmetuese në Shtetin përgjegjës (paragrafi 119 lart), ato media të reja vazhdojnë të mbeten mjete të fuqishme komunikimi të cilat mund të jenë shumë të dobishme për OJQ-në kërkuese në arritjen e objektivave të saj.
125. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që arsyet e paraqitura nga autoritetet për të justifikuar ndalimin e reklamës së kërkueses janë relevante dhe të mjaftueshme. Prandaj, ndalimi nuk mund të konsiderohet të shkojë deri në ndërhyrje joproporcionale në të drejtën e kërkueses për lirinë e shprehjes. Kështu, Gjykata arrin në përfundimin që nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA:
1. E deklaron, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
2. Vendos, me nëntë vota pro dhe tetë vota kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
I bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe i shpallur në seancë dëgjimore më 22 prill 2013, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet e ndara të mëposhtme i bashkëngjiten këtij vendimi:
- mendimi paralel i Gjyqtarit Bratza;
- mendimi pakicë i Gjyqtarëve Ziemele, Sajo, Kalaydjiyeva, Vučininć dhe De Gaetano;
- mendimi pakicë i Gjyqtarit Tulkens, bashkë me Gjyqtarët Spielmann dhe Laffranque
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
D.S.
M.O.B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy