© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore nr. 162 të Gjykatës
prill 2013
Animal Defenders International kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC] - 48876/08
Vendimi 22.4.2013 [GC]
Neni 10
Neni 10-1
Liria e shprehjes
Refuzimi i lejes një organizate jo-qeveritare për të transmetuar reklama televizive për shkak të ndalimit statutor të reklamave politike: nuk ka shkelje
Faktet – Ligji për Komunikimet i vitit 2003 ndalon reklamat politike në transmetuesit televizivë ose të radios, me qëllim që të ruhet paanshmëria në mediat transmetuese dhe për të parandaluar grupet e fuqishme nga blerja e ndikimit përmes kohës së transmetimit. Ndalimi ka të bëjë jo vetëm me reklamat me përmbajtje politike por edhe me organe të cilat janë tërësisht ose kryesisht të natyrës politike, pavarësisht nga përmbajtja e reklamave të tyre. Para se të bëhej ligj, legjislacioni iu nënshtrua një procesi shqyrtimi dhe konsultimi të hollësishëm nga organe të ndryshme parlamentare, posaçërisht duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane në çështjen VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës (në të cilin një ndalim i reklamave politike ishte gjetur të ishte në shkelje të nenit 10 të Konventës).
Kërkuesja është një organizatë jo-qeveritare që bën fushatë kundër përdorimit të kafshëve në tregti, shkencë dhe në kohën e lirë, dhe kërkon të arrijë ndryshime në ligj dhe në politikat publike dhe të ndikojë mbi opinionin publik dhe parlamentar për atë qëllim. Në vitin 2005 ajo u përpoq të projektonte një reklamë televizive si pjesë e një fushate për trajtimin e primatëve. Megjithatë, Qendra për Autorizimin e Reklamave në Transmetim (angl. Broadcast Advertising Clearance Centre, “BACC”) refuzoi ta autorizonte reklamën, sepse natyra politike e qëllimeve të kërkueses nënkuptonte që transmetimi i reklamës hynte brenda ndalimit në seksionin 231(2) të Ligjit për Komunikimet. Ai vendim u mbështet nga Gjykata e Lartë dhe Dhoma e Lordëve, ku kjo e fundit vendosi në një vendim të 12 marsit 2008 ([2008] UKHL 15) që ndalimi i reklamave politike justifikohej nga qëllimi i parandalimit të shtrembërimit të Qeverisë dhe politikave të saj nga shpenzuesi më i madh.
E drejta – Neni 10: Ndalimi statutor i reklamave politike me pagesë në radio dhe televizion ka ndërhyrë në të drejtat e kërkueses sipas nenit 10. Ndërhyrja ishte “e parashkruar me ligj” dhe synonte të ruante paanshmërinë e transmetimit në lidhje me çështje të interesit publik dhe, kështu, të mbronte procesin demokratik. Kjo përputhej me qëllimin legjitim të mbrojtjes së “të drejtave të të tjerëve”. Prandaj çështja u kthye tek fakti nëse masa kishte qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike.
Gjykata përsëriti që, në përputhje me Konventën, një Shtet mund të miratonte masa të përgjithshme të cilat zbatoheshin në situata të paracaktuara, pavarësisht nga faktet individuale të secilit rast, edhe nëse kjo mund të rezultonte në çështje individuale të vështira. Nga praktika gjyqësore doli që, në mënyrë që të vendosej proporcionaliteti i një mase të përgjithshme, Gjykata duhet së pari të vlerësojë zgjedhjet legjislative pas masave në fjalë. Cilësia e shqyrtimit parlamentar dhe gjyqësor të nevojshmërisë së masës kishte rëndësi të veçantë. Gjithashtu, relevancë kishte edhe rreziku i abuzimit në rast se një masë e caktuar do të relaksohej. Zbatimi i masës së përgjithshme ndaj fakteve të çështjes mbetej sidoqoftë pasqyrim i impaktit të saj në praktikë dhe kështu ishte material për proporcionalitetin e saj. Përfundimisht, sa më bindëse të ishin arsyetimet e përgjithshme për masën e përgjithshme, aq më pak rëndësi do t’i jepte Gjykata impaktit të saj në rastin e veçantë.
Të dy palët në çështjen në fjalë kishin të njëjtin pikësynim të ruajtjes së një debati të lirë dhe pluralist mbi çështje të interesit publik, dhe më përgjithësisht të dhënies së kontributit në procesin demokratik. Megjithatë, OJQ-ja kërkuese konsideronte që do të kishin qenë të mjaftueshme rregulla më pak kufizuese. Prandaj, Gjykatës i kërkohej të ekuilibronte të drejtën e OJQ-së kërkuese për të shpërndarë informacion dhe ide të interesit të përgjithshëm të cilat publiku kishte të drejtë t’i merrte kundrejt dëshirës së autoriteteve për të mbrojtur debatin dhe procesin demokratik nga shtrembërimi prej grupeve të fuqishme financiare me qasje më me avantazh mbi mediat me ndikim.
Gjatë këtij ekuilibrimi, Gjykata së pari i dha peshë të konsiderueshme faktit që regjimi rregullator kompleks që qeveriste transmetimin politik në Mbretërinë e Bashkuar i ishte nënshtruar rishikimeve të thella dhe me vend nga organe parlamentare dhe gjyqësore dhe mendimit të tyre që masa e përgjithshme ishte e nevojshme për parandalimin e shtrembërimit të debateve shumë të rëndësishme të interesit publik dhe, rrjedhimisht, minimit nga brenda të procesit demokratik. Legjislacioni ishte kulminacioni i një shqyrtimi të jashtëzakonshëm të aspekteve kulturore, politike dhe ligjore të ndalimit dhe kishte hyrë në fuqi me mbështetje mbarëpartiake pa asnjë votë kundërshtuese. Proporcionaliteti i ndalimit gjithashtu ishte debatuar me hollësi në Gjykatën e Lartë dhe në Dhomën e Lordëve, ku të dyja kishin analizuar praktikën gjyqësore dhe parimet përkatëse para se të arrinin në përfundimin që ishte një ndërhyrje e nevojshme dhe proporcionale.
Së dyti, Gjykata e konsideroi të rëndësishme që ndalimi ishte hartuar posaçërisht për të adresuar pikërisht rrezikun e shtrembërimit që Shteti përpiqej të shmangte me dëm minimal ndaj të drejtës së shprehjes. Ai kishte të bënte vetëm me reklamat politike me pagesë dhe kufizohej tek mediat më me ndikim dhe më të shtrenjta (radio dhe televizioni).
Gjykata refuzoi argumentet e OJQ-së kërkuese të cilat kontestonin arsyetimin që mbështeste zgjedhjet legjislative që ishin bërë në lidhje me fushëveprimin e ndalimit, duke gjetur në mënyrë të veçantë që:
– Një dallim i bazuar mbi ndikimin e veçantë të mediave transmetuese në krahasim me format e tjera të mediave ishte koherent duke pasur parasysh impaktin e menjëhershëm dhe të fuqishëm të këtyre të fundit. Nuk kishte prova që përparimi i internetit dhe mediave sociale vitet e fundit e kishte ndërruar atë ndikim deri në atë masë sa të minohej nevoja për ndalim posaçërisht mbi mediat transmetuese.
– Për sa i përket argumentit që reklamat e transmetuara nuk ishin më aq të shtrenjta sa mediat e tjera, reklamuesit ishin plotësisht të vetdijshëm për avantazhet e reklamave të transmetuara dhe vazhdonin të ishin të përgatitur të paguanin shuma të mëdha parash për to duke shkuar shumë më larg se shumica e OJQ-ve të tjera që dëshironin të merrnin pjesë në debate publike.
– Fakti që ndalimi ishte i relaksuar në mënyrë të kontrolluar për partitë politike – organet që përbëjnë pjesën më qenësore të procesit demokratik – duke u ofruar atyre transmetime të politikës partiake, të zgjedhjeve partiake dhe fushatave për referendume ishte faktor relevant në shqyrtimin e Gjykatës për ekuilibrin e tërësishëm të arritur nga masa e përgjithshme, edhe nëse ai nuk ndikonte tek kërkuesja.
– Relaksimi i rregullave duke lejuar reklamat nga grupe avokuese sociale jashtë periudhave zgjedhore mund t’i jepte shkas abuzimeve (siç janë organet e pasura ku axhenda prezantohet nga grupe avokuese shoqërore të krijuara pikërisht për atë qëllim ose nga një numër i madh i grupeve të interesit të njëjtë të krijuara për të akumuluar kohë reklamuese). Për më tepër, një ndalim që kërkonte dallimin rast-për-rast të mes reklamuesve dhe reklamave mund të mos ishte i mundur: duke pasur parasysh kompleksitetin e bazës rregullatore, kjo formë kontrolli mund të shpinte drejt pasigurisë, kontesteve ligjore, shpenzimeve dhe vonesave dhe drejt pretendimeve për diskriminim dhe arbitraritet.
Më tej, ndërkohë që mund të ketë një trend që i largohet ndalimeve të gjera, nuk ka pasur konsensus evropian lidhur me mënyrën se si të rregullohen reklamat politike me pagesë në transmetim. Shtetet Kontraktuese kanë zbatuar një sërë instrumentesh të shumëllojshme për të rregulluar reklamat politike, duke pasqyruar dallimet e mëdha në zhvillimin historik, diversitetin kulturor, mendimin politik dhe vizionin demokratik. Kjo mungesë konsensusi e ka zgjeruar hapësirën dikur të ngushtë të vlerësimit që gëzonin Shtetet për sa u përket kufizimeve të shprehjes së interesit publik.
Së fundi, impakti i ndalimit nuk kishte fituar më shumë peshë sesa arsyetimet e mëparshme bindëse për masën e përgjithshme. Qasja në mediat alternative ishte kyçe për proporcionalitetin e një kufizimi mbi qasjen në media të tjera potencialisht të dobishme dhe në një sërë alternativash (siç janë programet me diskutime në radio dhe televizion, shtypi, interneti dhe mediat sociale) kishin qenë në dispozicion të OJQ-së kërkuese.
Rrjedhimisht, arsyet e dhëna nga autoritetet për të justifikuar ndalimin ishin relevante dhe të mjaftueshme dhe masa nuk mund të konsiderohej një ndërhyrje joproporcionale tek e drejta e kërkueses për lirinë e shprehjes.
Përfundim: nuk ka shkelje (nëntë vota pro, tetë vota kundër).
(Shih gjithashtu VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, nr. 24699/94, 28 qershor 2001; dhe TV Vest AS dhe Rogaland Pensjonistparti kundër Norvegjisë, nr. 21132/05, 11 dhjetor 2008, Nota Informative nr. 114; Bowman kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24839/94, 19 shkurt 1998)
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy