© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA AUSTIN DHE TË TJERË
kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesat nr. 39692/09, 40713/09 dhe 41008/09)
VENDIM
STRASBURG
15 mars 2012
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Austin dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Dhoma e Madhe), në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Françoise Tulkens, Kryetar,
Nicolas Bratza,
Jean-Paul Costa,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Lech Garlicki,
Ineta Ziemele,
Päivi Hirvelä,
Giorgio Malinverni,
Luis López Guerra,
Ledi Bianku,
Kristina Pardalos,
Ganna Yudkivska,
Vincent A. De Gaetano,
Angelika Nußberger,
Erik Møse, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 14 shtator 2011 dhe 15 shkurt 2012,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 39692/09) drejtuar Gjykatës sipas nenit 34 të Konvntës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetase britanike, Znj. Lois Amelia Austin (“kërkuesja e parë”), më 17 korrik 2009; një kërkesë (nr. 40713/09) e ngritur nga një person me shtetësi të dyfishtë greko-australiane, Z. George Black (“kërkuesi i dytë”) më 27 korrik 2009; dhe një kërkesë (nr. 41008/09) e ngritur nga një person me shtetësi të dyfishtë britanike-australiane, Znj. Bronwyn Lowenthal (“kërkuesja e tretë”), dhe një shtetas britanik, Z. Peter O’Shea (“kërkuesi i katërt”), më 27 korrik 2009. Të tria kërkesat drejtoheshin kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
2. Kërkuesja e parë përfaqësohej para Gjykatës nga Louise Christian, Katharine Craig, Heather Williams QC dhe Philippa Kaufmann. Kërkuesi i dytë përfaqësohej nga James Welch. Kërkuesja e tretë dhe kërkuesi i katërt përfaqësoheshin nga Z. Ben Emmerson QC, Z. Michael Fordham QC, Z. Alex Bailin dhe Z. John Halford. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti i saj përfaqësues, Z. John Grainger, Zyra për Çështje të Jashtme dhe të Commonwealth-it.
3. Kërkuesit u ankuan që kufizimi i tyre brenda një kordoni të policisë (një masë që quhet “kettling”) për rreth shtatë orë gjatë një demonstrate në Londër përbënte privim të lirisë sy tyre në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 21 shtator 2010 Gjykata vendosi t’i bashkonte kërkesat dhe t’ia komunikonte ato Qeverisë. Po ashtu, ajo mori një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesave në të njëjtën kohë (neni 29 § 1). Më 12 prill 2011 Dhoma vendosi t’ia kalonte juridiksionin Dhomës së Madhe.
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në lidhje me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenin 24 të Rregullores së Gjykatës.
6. Si kërkuesit ashtu dhe Qeveria paraqitën parashtresat e tyre në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet.
7. Një seancë publike u mbajt në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 14 shtator 2011 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z. J. Grainger, Përfaqësues,
Z. D. Pannick QC,
Z. J. Segan, Avokatë,
Z. C. Papaleontiou,
Znj. M. Purdasy, Këshilltarë;
(b) për kërkuesit
Z. B. Emmerson QC,
Znj. P. Kaufmann QC,
Znj. A. Macdonald,
Z. I. Steele,Avokatë,
Znj. K. Craig,
Z. J. Halford,
Z. J. Welch,Këshilltarë,
Znj. L.A. Austin,
Z. G. Black,
Znj. B. Lowenthal,Kërkues.
Gjykata dëgjoi deklaratat e Z. Pannick, Znj. Kaufmann dhe Z. Emmerson.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Kërkuesja e parë
Kërkuesja e parë ka lindur në vitin 1969 dhe jeton në Basildon; kërkuesi i dytë ka lindur në vitin 1949 dhe jeton në Londër; kërkuesja e tretë ka lindur në vitin 1972 dhe jeton në Londër; dhe kërkuesi i katërt ka lindur në vitin 1963 dhe jeton në Wembley.
9. Faktet e çështjes mund të përmblidhen si vijon.
A. Rrëfimet e kërkuesve në lidhje me atë që u ka ndodhur më 1 maj 2001
10. Më 1 maj 2001, në kontekstin e një demonstrate në qendër të Londrës, ata u rrethuan nga një kordon policie në Oxford Circus (udhëkryqi mes Regent Street dhe Oxford Street).
11. Kërkuesja e parë, Znj. Lois Austin, është anëtare e Partisë Socialiste dhe ka marrë pjesë në shumë demonstrata, përfshirë demonstrata të mëparshme të Ditës së Majit (May Day). Më 1 maj 2001 ajo la vajzën e saj 11-muajshe në çerdhe, duke planifikuar që ta merrte në ora 4:30 pasdite, dhe udhëtoi nga Essex për në Qendër të Londrës me partnerin e saj. Ata morën pjesë në një protestë kundër globalizimit jashtë ambienteve të Bankës Botërore para se të marshonin bashkë me protestuesit e tjerë drejt Oxford Circus, ku arritën rreth orës 2:00 pasdite. Rreth orës 3:45 pasdite, Znj. Austin iu desh të largohej nga demonstrata për të marrë vajzën e saj nga çerdhja. Ajo ia shpjegoi situatën dy policëve që mbanin kordonin por asaj iu tha që nuk mund të largohej dhe që nuk dihej se sa kohë do të kalonte para se ajo të mund të largohej nga ajo zonë. Znj. Austin i kërkoi një mikes së saj që ta merrte fëmijën nga çerdhja. Përfundimisht ajo u lejua të largohej në ora 9:30 të darkës.
12. Mes orës 2 dhe 2:30 pasdite më 1 maj 2001 kërkuesi i dytë u përpoq të kalonte përmes Oxford Circus për të shkuar në një librari në Oxford Street. Një polic i tha atij që nuk mund të ecte në Oxford Street për shkak të turmës së demonstruesve që po afrohej dhe e këshilloi të merrte Margaret Street, një rrugë paralele në veri. Kërkuesi ndoqi këtë këshillë por mes Margaret Street dhe Regent Street ai hasi në një mur policësh me mburoja dhe helmeta të cilët lëviznin drejt jugut. Kërkuesi u detyrua të dilte në Oxford Circus rreth orës 2:30 pasdite. Ai menjëherë kërkoi që të lejohej të dilte jashtë kordonit dhe u informua që kishte një dalje për jo-protestuesit në anën e Bond Street të Oxford Circus, por kur shkoi aty i thanë që nuk kishte dalje. Kërkuesi nuk mundi të dilte nga kordoni deri në ora 9:20 të darkës.
13. Kërkuesja e tretë nuk kishte lidhje me demonstratën. Ajo punonte në zonën e Oxford Circus dhe ishte në pushim të drekës në ora 2:10 pasdite kur u pengua që të kthehej në vendin e punës nga një rresht policësh që kishin bllokuar rrugën. Ajo u kthye dhe u përpoq të kalonte në një drejtim tjetër por gjeti që daljet ishin po ashtu të bllokuara nga policët, të cilët filluan të lëviznin drejt saj. Ajo qëndroi e mbajtur brenda kordonit në Oxford Circus deri në orën 9:35 të darkës. Ajo dhe të tjerë në mënyrë të përsëritur kërkuan që të lejoheshin të dilnin nga zona e kordonit por policët që pyeti i thanë që kishin urdhra që të mos lejonin asnjë njeri të kalonte.
14. Kërkuesi i katërt gjithashtu punonte në zonën e Oxford Circus dhe po ashtu u zu brenda kordonit gjatë kohës që po ecte përmes Oxford Circus në pushimin e drekës. Ai mundi të largohej rreth orës 8:00 të darkës.
B. Procedurat në vend
1. Gjykata e Lartë
15. Pas ngjarjeve të 1 majit 2001 rreth 150 persona të cilët ishin ngujuar në Oxford Circus kontaktuan firma të ndryshme avokatore me qëllim që të fillonin procedura gjyqësore. Kërkuesit e shumtë të mundshëm, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe përfaqësuesit e Policisë Metropolitane filluan një korrespondencë me qëllim të përpunimit të kërkesave në mënyrë efikase. U ra dakord që kërkuesja e parë dhe Z. Geoffrey Saxby, i cili ishte një kalimtar i zënë nga kordoni, të vepronin si test-kërkues. Ata filluan procedurat në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar dëme për burgim fallso dhe nën Aktin e të Drejtave të Njeriut të vitit 1998 për shkelje të së drejtës së tyre për liri të garantuar me nenin 5 të Konventës. Kërkuesja e parë gjithashtu paraqiti akuzë për ndërhyrje në të drejtën e saj për lirinë e shprehjes dhe organizimit në kundërshtim me nenet 10 dhe 11 të Konventës, por më pas ajo i braktisi këto pretendime. Policia Metropolitane u zotua para përfaqësuesve tw kërkuesve të tjerë (përfshirë edhe kërkuesit e dytë, tretë dhe të katërt) që nuk do të ngrinte argumentin e kufizimit nëse ata do të ngrinin pretendime në gjykatat vendase pas përfundimit të çështjes testuese.
(a) Faktet ashtu siç janë gjetur nga Gjyqtari Z. Tugendhat
16. Seanca dëgjimore në Gjykatën e Lartë para Tugendhat J zgjati tri javë, përfshirë gjashtë ditë prova verbale. Ai mori në shqyrtim dëshmitë e gjalla nga 18 dëshmitarë të jashtëm dhe dy ekspertë, deklarata nga 138 dëshmitarë të tjerë, mijëra faqe prova dokumentuese dhe video incizime nga kamerat e dorës dhe kamerat e sigurisë si dhe nga helikopterët e policisë. Në vendimin e tij, të shpallur më 23 mars 2005 ([2005] EWHC 480 (QB)), Tugendhat J i kushtoi 500 paragrafë vlerësimit nga ana e tij të provave dhe gjetjes së fakteve. Gjetjet e tij faktike mund të përmblidhen si vijon.
17. Tungendhat J gjeti që më 18 qershor dhe 30 nëntor 1999 dhe në Ditën e Majit në vitin 2000 kishin ndodhur prishje shumë të rënda të rendit publik në Londër të cilat policia kishte pasur frikë se mund të përsëriteshin në vitin 2001. Arsyeja e të tria demonstratave kishte qenë protestimi kundër kapitalizmit dhe globalizimit. Organizatorët e ngjarjes më 18 qershor 1999 nuk kishin bashkëpunuar me policinë dhe kishin shpërndarë materiale të publikuara të ngjashme me ato të shpërndara nga organizatorët e demonstratës së Ditës së Majit në vitin 2001. Gjatë pasdites së 18 qershorit 1999 një turmë prej 3,000 deri në 5,000 personash, me maska në fytyrë, kishin shkaktuar afro 2 milionë paund dëme dhe lëndime ndaj pjesëtarëve të publikut dhe policëve, njëmbëdhjetë prej të cilëve kishin kërkuar trajtim mjekësor në spital. Demonstratat me këtë tematikë po ashtu kishin rezultuar në çrregullime të rënda të rendit publik edhe në vende të tjera rreth së njëjtës kohë, përfshirë në Seattle më 30 nëntor 1999 (takimi i Organizatës Botërore të Tregtisë), në Uashington DC më 16 prill 2000 (takimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar), në Melburn më 11-13 shtator 2000 (samiti i Forumit Ekonomik Botëror të Paqësorit në Azi), në Pragë më 26 shtator 2000 (një tjetër takim i Fondit Monetar Ndërkombëtar), dhe më 22 prill 2001 në Kebek (takimi i Samitit të Amerikave). Planifikimi për Ditën e Majit 2001 pasqyroi përvojën e kaluar dhe demonstratat e mëparshme, sidomos në Londër, dhe rekomandimet e bëra pas atyre ngjarjeve.
18. Më 1 maj 2001, dy ngjarje ishin lajmëruar në polici, më saktë një Marshim dhe Tubim i Ditës së Majit nga sindikatat dhe një Marshim i Studentëve të Rinj Socialistë, që do të zhvilloheshin në pjesë të ndryshme të Londrës. Përveç kësaj, të dhënat e inteligjencës tregonin që aktivistët përfaqësonin një koalicion të gjerë të përbërë nga ambientalistë, anarkistë dhe grupe protestuese majtiste që synonin të mbanin protesta të ndryshme në 24 pika të ndryshme në Londër bazuar mbi katrorët e lojës Monopoly. Ngjarja përfundimtare do të ishte një tubim në Oxford Circus në orën 4:00 pasdite. Organizatorët e protestës së Monopolit të Ditës së Majit (May Day Monopoly) nuk kontaktuan me policinë e as nuk tentuan të kërkonin autorizim për demonstratat dhe u përpoqën t’i mbanin sekret vendndodhjen dhe natyrën e protestës. Protestuesit u nxitën direkt dhe indirekt që të vishnin maska dhe të përfshiheshin në grabitje dhe dhunë (shih vendimi i Tugendhat J, §§ 206-225). Të dhënat e inteligjencës të Degës Speciale të Policisë ishin që do të kishte “500 deri në 1,000 protestues të fortë që kërkojnë konfrontim, dhunë dhe që shkaktojnë trazira publike”. Vlerësimi i Degës Speciale ishte që protesta mund të paraqiste një prej kërcënimeve më serioze ndaj rendit publik që ishte parë ndonjëherë në Londër, me rrezik real të lëndimeve të rënda e madje edhe vdekje, si dhe dëmtim të pronave, nëse nuk arrihej të kontrollohej turma në mënyrë efektive. Personat e rrezikuar ishin pjesëtarët e publikut, policët dhe demonstrues të tjerë. Më 24 prill 2001 Kryetari i Bashkisë së Londrës shkroi një artikull në gazetën kryesore të mbrëmjes në Londër, ku shprehte pikëpamjen që organizatorët e protestës së Ditës së Majit me qëllim synonin të krijonin shkatërrim, dhe ku nxiste londinezët të qëndronin larg. Paralajmërime të tilla u raportuan në disa gazeta të tjera në mars dhe në prill 2001.
19. Plani i policisë për ditën në fjalë përfshinte zbarkimin e afro 6,000 policëve këmbësorë të veshur me jelekë me dukshmëri të lartë, përveç policëve kalërues. Në atë kohë ky ishte numri më i madh i policisë që kishte zbarkuar ndonjëherë në Londër. Policët dhe policet përgjegjës në detyrë Ditën e Majit 2001 ishin zyrtarët më me përvojë të rendit publik në Angli. Meqenëse parashikohej që ngjarja përfundimtare do të ishte një tubim në Oxford Circus në ora 4:00 pasdite, aty u instalua një sistem amplifikimi zanor. Qëllimet strategjike të operacionit të policisë u deklaruan të ishin ofrimi i sigurisë dhe sigurimi i mirëqenies së popullsisë; lehtësimi i protestës legjitime; parandalimi i trazirave publike dhe mbrojtja e ndërtesave kyçe si Buckingham Palace dhe Houses of Parliament; parandalimi i krimit dhe marrja e të gjitha masave të arsyeshme për kapjen e kryesve nëse kryheshin krime; dhe përgjithësisht minimizimi i çrregullimeve. Megjithatë, policia nuk dinte shumë se çfarë të priste apo se si do të reagonin ndaj ngjarjeve nëse ndodhnin dhe kur të ndodhnin.
20. Gjatë mëngjesit të 1 majit 2001 nëpër Londër pati një numër demonstratash relativisht të vogla. Rreth orës 1:00 pasdite demonstruesit filluan të mblidheshin jashtë zyrave të Bankës Botërore në Haymarket. Ata ecën drejt Piccadilly Circus dhe më pas nëpër Regent Street në drejtim të Oxford Circus. Rreth orës 2:00 pasdite vlerësohej të kishte afro 1,500 persona në Oxford Circus dhe të tjerë vazhdonin të bashkoheshin me ta. Disa persona që lëviznin në Regent Street mbanin maska në fytyrë. Shërbimi i inteligjencës së policisë kishte treguar që tubimi në Oxford Circus do të mbahej në ora 4:00 pasdite dhe madhësia e turmës aty në atë kohë e zuri policinë në befasi, me pak policë në atë zonë për të parandaluar më shumë njerëz nga hyrja në atë pjesë.
21. Rreth orës 2:00 pasdite, policia vendosi të ngrinte një kordon për të përmbajtur turmën. Vendimi u bazua mbi të dhënat e inteligjencës në dispozicion, të cilat kishin vlerësuar që 500-1000 individë me qëllime të dhunshme do të merrnin pjesë në protestat e Ditës së Majit dhe me qëllimet e njëjta si në demonstratat e ngjashme më parë, dhe jo me sjelljen e turmës deri në atë moment. Vendimi u mor duke u mbështetur në pushtetin e ligjit zakonor për parandalimin e shkeljes së paqes. Sapo u mor vendimi për vendosjen e kordonit, u deshën pesë deri në dhjetë minuta për të formuar një kordon të lirë dhe, ndërkohë që arrinin më shumë policë, u deshën 20-25 minuta për të formuar një kordon të plotë. Kishte hapësirë të mjaftueshme brenda kordonit ku njerëzit mund të ecnin dhe askush nuk shtyhej. Megjithatë, gjatë pasdites kushtet u bënë të parehatshme. Moti ishte i ftoftë dhe me lagështi. Nuk kishte ushqim as ujë dhe nuk kishte tualete as strehim.
22. Asnjë lajmërim nuk u bë para turmës kur u formua kordoni në fillim për shkak të shqetësimit të policisë që ajo nuk do të ishte aq e fuqishme sa t’i rezistonte një përpjekjeje të përbashkët të turmës për ta thyer atë. Lajmërimi i parë përmes sistemit të komunikimit publik u bë në ora 4:00 pasdite, ku informohej turma që ata po mbaheshin me qëllim të parandalimit të shkeljes së paqes. Në provat e dhëna para gjykatave vendase Komandanti i Policisë pranoi që lajmërimi mund të ishte bërë më herët, mbase në ora 3:15 apo 3:30 pasdite.
23. Në ora 2:25 pasdite, pesë minuta pasi ishte vendosur kordoni i plotë, Shefi i Policisë (Chief Superintendent) që komandonte operacionin planifikoi të fillonte lirimin e kontrolluar nga brenda kordonit në pjesën veriore të Regent Street. Megjithatë, lirimi u desh të vonohej kur pjesëtarët e turmës brenda dhe jashtë kordonit filluan të hidhnin raketa dore dhe të përdornin dhunë kundër policisë dhe kur pati përpjekje nga turma për të thyer kordonin për të dalë në Regent Street. Në ora 2:55 pasdite u planifikua përsëri fillimi i lirimit nga veriu, por u pezullua për shkak të dhunës nga protestuesit në të dy anët e kordonit. Rreth kësaj kohe më shumë njerëz filluan të lëviznin drejt Oxford Circus për të marrë pjesë në ngjarjen e cila ishte planifikuar të zhvillohej në ora 4:00 pasdite. Rreth orës 3:40 pasdite raporti i policisë mbi situatën ishte që policët ishin zënë në të gjitha anët nga turmat, ku i shtynin dhe i ngjishnin dhe i gjuanin me shishe. Në ora 4:30 pasdite kishte një turmë prej 400 deri në 500 personash jashtë kordonit që ndiqnin një grup muzikor samba, çka e bënte shpërndarjen në Oxford Street të vështirë. Situata u rishqyrtua në ora 4:55 pasdite por lirimi kolektiv u vendos që të mos bëhej për shkak të rrezikut të dhunës dhe trazirave. Në ora 5:15 pasdite pati trazira serioze në Oxford Street të shkaktuara nga një grup prej 25 protestuesish të maskuar të cilët tërhoqën një turmë prej disa qindra të tjerëve. Në ora 5:20 pasdite turma brenda kordonit ishte e qetë por policia nuk ishte e gatshme të rrezikonte lirimin kolektiv për shkak të pranisë së turmave të tjera të trazuara në afërsi.
24. Në ora 5:55 pasdite u vendos që të shpërndahej turma brenda kordonit. Megjithatë, turma u bë sërish e dhunshme dhe në ora 6:15 pasdite vendimi për lirim u kthye mbrapsht. Në ora 7:00 pasdite filloi lirimi, me grupe të vogla dhe individë që shoqëroheshin larg vendit të mbajtjes. Megjithatë, në ora 7:20 pasdite lirimi u pezullua për shkak të vështirësisë në kontrollimin nga policia të turmave jashtë kordonit, disa prej të cilave gjuanin copa të mëdha gurësh dhe raketa të ndezura drejt policisë, dhe për shkak se demonstruesit e liruar nga kordoni mbeteshin në afërsi. Në ora 7:30 pasdite rifilloi shpërndarja kolektive, me burime policore shtesë për të shoqëruar ata që liroheshin nga kordoni. Megjithatë, përsëri shpërndarja u ndërpre sepse u pa qartë se ata që liroheshin nga Oxford Circus po i bashkoheshin një turme tjetër më të madhe, e cila kishte qenë e dhunshme më përpara, në veri në Great Portland Street. Nga ora 8:00 e darkës Portland Place u pastrua dhe lirimi kolektiv i turmës në Oxford Circus rifilloi, në grupe nga dhjetë persona. Deri në orën 9:45 të darkës, shpërndarja pothuajse kishte përfunduar. Mbi 100 persona u arrestuan për shkak të trazirave në Oxford Circus dhe në zonën përreth. Pjesë e politikës për lirimin kolektiv ishte të kontrolloheshin të gjithë personat e liruar, të merreshin shënim emrat dhe adresat e tyre dhe të fotografoheshin.
25. Policia vlerësoi që në kulmin e turmës brenda kordonit kishte pasur maksimumi 2000 persona dhe jashtë kordonit 1000 persona. Analiza e provave dokumentuese dhe video incizimeve e pranuar më vonë në gjyq tregoi që, gjatë pasdites, afro 392 persona ishin liruar individualisht. U pranua që kjo shifër nuk kishte gjasa të ishte e saktë, por Tugendhat J gjeti që numri i lirimeve individuale me gjasë ishte “më afër shifrës 400 sesa afër shifrës 200”. Prej këtyre, shumica ishin nga pjesët e veriut dhe jugut të Oxford Circus, ku shumë pak njerëz u liruan nga pjesa lindore dhe ajo perëndimore. Shumica e lirimeve të regjistruara ndodhën para orës 4:00 pasdite; 12 veta u liruan mes orës 4:00 dhe 5:00 pasdite; 89 persona u liruan mes orës 5:00 dhe 6:00 pasdite; 59 persona u liruan mes orës 6:00 dhe 7:00 pasdite; dhe 12 persona u liruan individualisht pas orës 7:00 pasdite. Ishte e vështirë për policët të identifikonin pjesëtarët e turmës për lirim individual mbi bazën e faktit që nuk përbënin kërcënim për dhunë. Disa prej të liruarve u identifikuan nga policët si kalimtarë rasti të zënë nga demonstrata. Të tjerë u përshkruan si të stresuar, gra shtatzëna, të moshuar ose fëmijë.
(b) Përfundimet e Tugendhat J
26. Gjyqtari arriti në përfundimin që, duke pasur parasysh dhunën që kishte ndodhur gjatë demonstratave të mëparshme, të dhënat e inteligjencës që kishte policia, mungesën e bashkëpunimit me organizatorët dhe sjelljen e pjesëve të caktuara të turmës, policia kishte baza të arsyeshëm për të besuar se ekzistonte rreziku real për dëmtime pronash, lëndime fizike serioze dhe bile edhe vdekje. Rreziqet kryesore vinin nga shtypja dhe ndrydhja, por kishte rreziqe edhe nga hedhja e kapsulave. Duke pasur parasysh situatën në Oxford Circus, nëse donin të parandalonin dhunën dhe lëndimet, policia nuk kishte alternativë tjetër në orën 2:00 pasdite përveç se të vendoste një kordon absolut dhe prandaj kjo ishte reagim proporcional nga policia ndaj pranisë së turmës. Qëllimi kryesor i kësaj mbajtjeje ishte të ofrohej siguri për persona, përfshirë edhe ata brenda kordonit; ruajtja e pronave në Oxford Street; dhe mbrojtja e të drejtave të palëve të treta. Gjithashtu policia synonte t’i veçonte disa anëtarë të caktuar të turmës prej të tjerëve, nëse do të duhej duke iu bërë pyetje ose duke i kontrolluar ata.
27. Nga ora 2:20 pasdite, askush prej turmës nuk mund të largohej pa leje. Masa ishte mbajtje në kufizim, me liri minimale në Oxford Circus, dhe efektet e saj ishin të rrepta, gjithmonë e më të rrepta me kalimin e kohës. Megjithatë, nuk pritej në asnjë moment që kufizimi të zgjaste aq gjatë dhe mundësia e lirimit të sigurt të turmës është mbajtur në shqyrtim gjatë gjithë kohës.
28. Nuk ishte praktike që policët ta lironin turmën kolektivisht më herët sesa e liruan. Pati periudha kur kanali i lirimit bllokohej nga turma të tjera që përpiqeshin të hynin në Oxford Circus. Nuk do të kishte qenë e arsyeshme as e sigurt që të lejoheshin këto turma të bashkoheshin me njëra-tjetrën pa kontrolluar lëvizjet e tyre. Përveç kësaj, pati periudha të gjata gjatë të cilave policia nuk kishte burime për të siguruar shpërndarjen e sigurt, dhe nuk u sugjerua që Komisioneri apo Policia Metropolitane mund ose duhet të kishin vënë në dispozicion më shumë policë sesa patën vënë atë ditë në rrugë. Një arsye pse burimet ishin të pamjaftueshme ishte se një pjesë substanciale e turmës nuk po bashkëpunonte me policinë në kordonin rreth tyre. Gjyqtari vlerësoi që rreth 40% e turmës ishte armiqësore në mënyrë aktive gjatë gjithë kohës, duke shtyrë dhe duke hedhur kapsula, dhe përgjithësisht duke treguar mungesë bashkëpunimi. Ata që nuk shtynin apo nuk gjuanin kapsula nuk shkëputeshin nga pakica që i kryente këto veprime. Për pasojë, kordoni duhet të mbahej nga aq policë sa ishte e mjaftueshme për t’i rezistuar përpjekjeve të bashkuara të këtyre njerëzve që shtynin për të dalë. Një turmë bashkëpunuese do të kishte qenë e mundur të mbahej nga më pak policë, çka do të linte policët e tjerë në dispozicion për të kontrolluar shpërndarjen. Arsyeja tjetër pse kishte burime policore të pamjaftueshme ishte se turmat e tjera jashtë pjesës së ruajtur refuzonin të pranonin kontrollimin apo orientimin nga policia. Policia po bënte më të mirën e mundshme në rrethanat më të vështira. Burimet që u nevojiteshin atyre për të kontrolluar shpërndarjen e turmave në Oxford Circus u përdorën sipas nevojës dhe si kërkohej në vende të tjera. Kjo nuk do të thotë se policia duhet ta lejonte turmën në Oxford Circus të shpërndahej pa kontroll. Sipas gjyqtarit, kjo do të kishte qenë heqje dorë nga detyra e tyre për të parandaluar shkeljen e paqes, dhe e detyrës së tyre për t’u kujdesur si dhe detyrimit të tyre pozitiv për mbrojtur pjesëtarët e turmës dhe palët e treta, përfshirë policët, nga rreziku i lëndimeve serioze, si dhe për të mbrojtur palët e treta nga rreziku i dëmit ndaj pronës.
29. Në rrethanat që ekzistonin në Oxford Circus, dhe në mënyrë të veçantë vështirësia e policisë për të dalluar mes individëve paqësorë dhe atyre të dhunshëm apo potencialisht të dhunshëm brenda kordonit, gjyqtari e pati të pamundur të gjente ndonjë politikë të lirimit individual, përveç asaj që është përdorur, e cila do të kishte qenë e përshtatshme. Pasi u vendos kordoni, çdo masë lirimi të kontrolluar do të kishte marrë kohë të konsiderueshme para se e tërë turma të lirohej. Ishte e pamundur të thuhej se sa kohë do të kishte marrë, sikur të mos kishte pasur kontrolle apo mbledhje provash, por do të kishte qenë punë që do të kishte zgjatur më shumë se njëzet minuta. Nëse lirimi do të ishte kombinuar me kontrolle dhe mbledhje provash, ai do të kishte marrë po aq kohë sa procedura që u zhvillua nga koha kur filloi në 7:30 pasdite, pra të paktën një ose dy orë.
30. Për sa i përket pretendimit për burgim fals, Tugendhat J u shpreh që mbrojtja e nevojshmërisë ishte në dispozicion dhe që veprimet e policisë ishin të nevojshme.
31. Në lidhje me nenin 5, gjyqtari gjeti që mbajtja brenda kordonit përbënte privim të lirisë brenda kuptimit të nenit 5 § 1. Megjithëse ai gjeti që në asnjë moment policia nuk kishte për qëllim të nxirrte të gjithë personat e mbajtur në Oxford Circus para gjyqit, qëllimi ishte të përmbahej turma në mënyrë që policia të mund të arrestonte dhe të sillte para gjyqit të gjithë ata që ajo i konsideronte me arsye të kishin kryer vepra penale dhe ata arrestimi i të cilëve ishte i nevojshëm për t’i parandaluar ata nga kryerja e veprave, dhe që kjo ishte e mjaftueshme për kërkesat e nenit 5 § 1 (c).
32. Më tej, Tugendhat J gjeti që, duke marrë parasysh faktet e pazakonta të rastit, nuk kishte pasur ndërhyrje në të drejtat e lirisë së shprehjes dhe organizimit. Asnjë prej dëshmitarëve nuk mundën të shpjegonin se cili ishte qëllimi i grumbullimit në Oxford Circus apo çfarë propozohej se duhet të kishte ndodhur aty, apo kudo tjetër, nëse nuk do të ishte vendosur kordoni i policisë. Ai gjeti që literatura e shpërndarë përpara nga organizatorët synonte të nxiste të paktën një pakicë substanciale të të pranishmëve të angazhohej në një formë aktiviteti trazues dhe penal, mbase duke përfshirë veprat kundër rendit publik si rrahje, dëme kriminale dhe vjedhje. Sikur të mos kishte pasur kordon, do të kishte qenë praktikisht e pamundur në ato kushte trazirash për këdo që synonte të kryente akte ligjore proteste për ta bërë këtë. Për më tepër, nuk kishte prova që dikush në Oxford Circus kishte për qëllim të ushtronte ndonjë prej të drejtave të lirisë së shprehjes që nuk e ushtruan atë ditë. Prandaj, Tugendhat J arriti në përfundimin që çështja kishte të bënte me rendin publik dhe të drejtën për liri, dhe nuk kishte të bënte me lirinë e shprehjes apo lirinë e organizimit, dhe ai i rrëzoi pretendimet e paditësve.
(c) Gjykata e Apelit
33. Tugendhat J lejoi Znj. Austin dhe Z. Saxby të apelonin kundër gjetjeve të tij për sa u përket pretendimeve për burgim fallso dhe sipas nenit 5 të Konventës. Në një vendim të shpallur më 15 tetor 2007 ([2007] EWCA Civ 989), Gjykata e Apelit e rrëzoi apelin.
34. Në lidhje me pretendimin për burgim fals, Gjykata e Apelit u shpreh që, në mënyrë që të parandalohej shkelja e paqes e kërcënuar nga të tjerët, policia mund të ndërmerrte veprime të ligjshme të cilat ndërhynin në ose zvogëlonin ushtrimin e ligjshëm të të drejtave të palëve të treta të pafajshme, por vetëm aty ku tashmë ishin marrë të gjithë hapat e tjerë të mundshëm për të shmangur shkeljen e paqes dhe për mbrojtjen e të drejtave të palëve të treta, dhe ku veprimet e ndërmarra ishin të nevojshme me arsye dhe proporcionale. Me zbatimin e kësaj prove, në rrethanat e demonstratës në Oxford Circus, mbajtja e Znj. Austin ishte i ligjshëm sepse ishte i nevojshëm për të parandaluar shkeljen e afërt të paqes nga të tjerët.
35. Në lidhje me pretendimin sipas nenit 5, Gjykata e Apelit arriti në përfundimin që ndalimi nuk përbënte privim nga liria. Sër Anthony Clarke MR, duke dhënë vendimin e gjykatës, u shpreh si më poshtë:
“102. ... Çështja e parë është nëse kërkuesit janë privuar nga liria e tyre që nga fillimi. Sipas mendimit tonë është e qartë se ata nuk janë privuar nga liria. Pozicioni në atë kohë nuk ishte thellësisht i ndryshëm duke pasur parasysh ndalimin nga disa lloje të ndryshme kufizimi apo burgimi referuar nga gjyqtari të cilat nuk do të ishin konsideruar si privim nga liria brenda kuptimit të nenit 5(1). Një shembull i mirë do të ishte turma në një ndeshje futbolli. Është e zakonshme që një turmë e tillë të përmbahet për periudha të cilat mund të zgjaten në kohë, pjesërisht për mbrojtjen e individëve në turmë dhe pjesërisht (në disa raste) për të shmangur dhunën në turmë, ndoshta mes grupeve të përkrahësve të ekipeve kundërshtare ... Shembuj të tjerë mund të jenë ... për shembull kur drejtuesit e mjeteve motorike nuk arrijnë të dalin nga autostrada, ndoshta për orë të tëra, për shkak të veprimeve të policisë pas një aksidenti. Në raste të tilla mund të jetë e nevojshme që policia t’i kufizojë individët në zona të caktuara për periudha të cilat mund të zgjaten në kohë më shumë sesa synohet fillimisht.
103. Sipas mendimit tonë ky rast ka qenë pikërisht kështu. Në lidhje me gjetjet faktikë të gjyqtarit, policia nuk ka pasur alternativë tjetër përveç se të impononte kordonin, gjë që e ka bërë. Ata prisnin lirimin me radhë gjatë dy ose tri orëve në mënyrë që të shmangnin dhunën. Gjyqtari i identifikoi qëllimet e tyre të ndryshme, të cilat përfshinin sigurinë dhe parandalimin e krimit nga individët në turmë shumë prej të cilëve nuk mund të identifikoheshin. Në këto kushte imponimi fillestar i kordonit, sipas gjykimit tonë, nuk mund të konsiderohej si lloji i ndalimit arbitrar të cilin autoritetet e Strasburgut do ta përshkruanin si privim nga liria brenda kuptimit të nenit 5(1). Për këto arsye ne mendojmë që gjyqtari ka gabuar në parim kur ka arritur në përfundimin që kërkuesit janë ndaluar në mënyrë të paligjshme duke filluar nga oira 2:20 pasdite.
104. Mbi atë bazë, na takon të konsiderojnë nga fillimi çështjen që mbetet, pra nëse ata janë ndaluar në mënyrë të paligjshme më pas. Sipas gjykimit tonë, përgjigjja ndaj asaj pyetjeje është ‘Jo’. Kështu, për shembull, ... në disa raste gjatë pasdites policia ka dhënë urdhër të fillonte lirimi i kontrolluar, kur kanë parë që nuk mund ta vazhdonin në kushte sigurie ... Në tre raste vendimi për të filluar shpërndarjen e kontrolluar në veri u desh të rishqyrtohej dhe të pezullohej për shkak të sjelljes së protestuesve brenda ose jashtë zonës së kontrolluar, me rezultatin që faza përfundimtare e lirimit nuk filloi deri në ora 8:02 të darkës ... Gjatë gjithë periudhës ka pasur dhunë të konsiderueshme, megjithëse jo nga kërkuesit, çka duhet theksuar ... Siç konkludoi gjyqtari ... kjo nuk ishte thjesht një turmë statike protestuesish në Oxford Circus të rrethuar nga policia dhe e mbajtur në vend për 7 orë. Kjo ishte një situatë dinamike, kaotike dhe konfuze ku kishte edhe protestues të tjerë të shumtë jashtë në afërsi të kordonit të cilët kërcënonin seriozisht për trazira dhe përbënin kërcënim serioz për policët jashtë dhe brenda kordonit.
105. Në këto kushte nuk mund të thuhet me arsye që erdhi një moment kur ajo që fillimisht ishte më pak se privim nga liria u bë rrjedhimisht privim nga liria brenda kuptimit të nenit 5(1) të Konventës. Prandaj, ne vendosim, në kundërshtim me përfundimin e gjyqtarit, që, nëse merren parasysh të gjitha rrethanat relevante, këtu nuk ka pasur privim arbitrar nga liria sipas Konventës.”
(d) Dhoma e Lordëve
36. Znj. Austin, ashtu si Z. Saxby, u lejuan nga Dhoma e Lordëve të apelonin në lidhje me çështjet nga neni 5 § 1 i Konventës. Çështja u dëgjua më 24 dhe 25 nëntor 2008 dhe më 28 janar 2009 u shpall një vendim njëzëri, ku rrëzohej apeli mbi bazën faktit që neni 5 § 1 nuk ishte i zbatueshëm meqenëse kërkuesja nuk ishte privuar nga liria e saj ([2009] UKHL 5).
37. Lordi Hope i Craighead, me të cilin ranë dakord të gjithë Lordët Gjyqtarë, shpjegoi qasjen e tij ndaj interpretimit të “privimit nga liria” si vijion:
“23. Zbatimi i nenit 5(1) në masat e kontrollimit të turmave është një çështje që nuk duket deri tani të jetë sjellë në vëmendje të gjykatës në Strasburg. Pra nuk ka orientim të drejtpërdrejtë në lidhje me faktin nëse neni 5(1) angazhohet kur policia vendos kufizime ndaj lëvizjes me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së personave nga lëndimi ose të shmangies së dëmeve të mëdha në pronë. Megjithatë nevoja për marrjen e masave për kontrollimin e turmës në interes publik nuk është diçka e re. Shpesh është e nevojshme, për shembull, që masa të tilla të merren në ndeshje futbolli për të siguruar që tifozët rivalë nuk përballen me njëri-tjetrin në situata që mund të çojnë drejt dhunës. Kufizimet e lëvizjes po ashtu mund të imponohen nga policia edhe tek drejtuesit e mjeteve motorike në interes të sigurisë rrugore pas një aksidenti në autostradë, ose për të parandaluar banorët lokalë që të mos afrohen tek zjarri ose vendi i një incidenti terrorist. Nuk është pa interes që deri tani nuk është sugjeruar që kufizime të këtij lloji do të jenë shkelje të nenit 591) përderisa janë proporcionale dhe jo arbitrare.
24. Kufizimet që u imponuan nga kordoni i policisë në këtë rast mund të mendohet, në krahasim me shembujt që sapo përmenda, se kanë qenë më të mëdha në shkallën dhe intensitetin e tyre. Por Lordi Pannick QC në emër të të pandehurit parashtroi që nuk mund të injorohet me arsye qëllimi i kufizimit apo i rrethanave. Paraburgimi në sensin e paradigmës nuk ka qenë qëllim i askujt. Nuk do të kishte pasur dyshim për faktin që do të kishte pasur privim nga liria sikur kordoni të kishte qëndruar vetëm për 20 minuta. Fakti që ai qëndroi për një kohë shumë më të gjatë nuk do të duhej të bënte dallim, meqenëse fakti që nuk ishte e mundur të liroheshin të gjithë nga kordoni më përpara ishte për shkak të rrethanave që ishin përtej kontrollit të policisë. Kjo ishte një çështje, tha ai, ku përgjigjja ndaj pyetjes nëse ajo që është bërë hyn brenda fushëveprimit të nenit 5(1) do të përcaktohej duke gjetur një ekuilibër të drejtë mes të drejtave të individit dhe interesave të shoqërisë. Natyrisht, ishte e nevojshme t’i jepej efekt i plotë faktit që neni 5 është një e drejtë themelore rëndësia e së cilës është tepër e madhe. Por fakti që shkelja nuk justifikohej përveç se në rastet e renditura në nënparagrafët (a) deri në (f) tregonte se ishte e nevojshme të bëhej kujdes në identifikimin e kufijve të zbatimit të tij.
25. Znj. Williams QC për apeluesin, nga ana tjetër, tha që qëllimi për të cilin ishin zbatuar masat ishte jo relevant. Fakti që ishte një reagim i nevojshëm dhe që ishte proporcional ishte një parakusht për përcaktimin e ligjshmërisë së masës për qëllime të nënparagrafëve (a) deri në (f) të nenit 5(1). Por nuk shkoi më larg se aq. Nuk kishte ekuilibër që duhej vendosur kur u mos në konsideratë çështja fillestare nëse neni 5(1) zbatohej tek masat e marra nga policia. Çështjet e qëllimit dhe ekuilibrit dolën vetëm kur po shqyrtoheshin çështjet e renditura në nënparagrafët (a) deri në (f).
A është relevant qëllimi?
26. Vendimi nëse ka pasur privim nga liria është, natyrisht, shumë i ndjeshëm ndaj fakteve të çështjeve. Prandaj pak vlerë mund të nxirret nga vendimet lidhur me zbatimin e nenit 5 që varen krejtësisht nga faktet e veta. Por ato kanë vlerë aty ku mund të thuhet se ilustrojnë çështje parimore. Në kontekstin aktual, mund të gjendet mbështetje nga çështjet për sa i përket shkallës deri ku mund të merret parasysh qëllimi apo synimi i masës në fjalë kur shqyrtohet fakti nëse ajo është brenda hapësirës së nenit 5(1).
27. Nëse qëllimi është relevant, ai duhet të jetë kështu për të mundësuar një ekuilibër mes kufizimit që synon të arrijë dhe interesave të individit. Pohimi që duhet arritur një ekuilibër në fazën fillestare kur fushëveprimi i nenit është duke u marrë në shqyrtim nuk është përmendur në çështjen Engel kundër Holandës (Nr 1) (1976) 1 EHRR 647 ose Guzzardi kundër Italisë (1980) 3 EHRR 333. As nuk mund të thuhet që bazohet mbi diçka që gjendet në tekstin e nenit. Por unë mendoj se ka tregues të mjaftueshëm diku tjetër në praktikën gjyqësore të gjykatës që çështja e ekuilibrit është e ngërthyer në konceptet e mishëruara në Konventë dhe që ata luajnë rol kur merret në shqyrtim fushëveprimi i nivelit të parë të të drejtave të njeriut që mbrojnë sigurinë fizike të individit.”
Lordi Hope më pas shqyrtoi disa vendime të Gjykatës dhe Komisionit, përfshirë X. Kundër Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 8819/79, vendimi i Komisionit i datës 19 mars 1981, Vendime dhe Raporte (DR) vol. 24, fq. 158; Guenat kundër Zvicrës, nr. 24722/94, vendimi i Komisionit i datës 10 prill 1995, DR vol. 81-B, fq. 13; H.M. kundër Zvicrës, nr. 39187/98, KEDNJ 2002‑II; Nielsen kundër Danimarkës, 28 nëntor 1988, Seria A nr. 144; Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, Seria A nr. 161; O’Halloran dhe Francis kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 15809/02 dhe 25624/02, KEDNJ 2007‑III; N. Kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 26565/05, 27 maj 2008, dhe arriti në përfundimin:
“34. Prandaj unë mendoj se ka hapësirë, edhe në rastin e të drejtave themelore siç janë ato në zbatimin e të cilave nuk lejohen kufizime apo ngushtime nga Konventa, për një qasje pragmatike e cila merr në konsideratë të plotë të gjitha rrethanat. Asnjë referencë nuk përmbahet në nenin 5 në lidhje me interesat e sigurisë publike ose mbrojtjen e rendit publik si një prej rasteve kur një person mund të privohet nga liria e tij. Kjo qëndron në kontrast të thellë me nenin 10(2), i cili shprehimisht kualifikon të drejtën për lirinë e shprehjes në këto aspekte. Por rëndësia që i duhet dhënë në kontekstin e nenit 5 masave të marra në interes të sigurisë publike siç shtrohet nga neni 2 i Konventës, meqenëse jetët e njerëzve të ndikuar nga dhuna e turmës mund të jenë në rrezik nëse masat për kontrollimin e turmës nuk mund të merren nga policia. Kjo është një situatë ku kërkimi i një ekuilibri të drejtë është i nevojshëm për këto të drejta konkurruese nëse duam t’i pajtojmë ato me njëra-tjetrën. Hapësira që i jepet nenit 5 për sa i përket masave të kontrollit natyrisht që duhet të marrë parasysh të drejtat e individit si dhe interesat e komunitetit. Kështu, çdo hap që merret duhet të zbatohet në mirëbesim dhe duhet të jetë proporcional me situatën e cila e ka bërë masën të nevojshme. Kjo është thelbësore për të ruajtur parimin themelor që çdo gjë që bëhet e cila ndikon në të drejtën e personit për liri nuk duhet të jetë arbitrare. Megjithatë nëse këto kushte përmbushen do të jetë me vend të konkludohet se masat për kontrollimin e turmës që janë marrë në interes të komunitetit nuk do të shkelnin të drejtat e nenit 5 të pjesëtarëve individualë të turmës liria e lëvizjes së të cilëve kufizohet prej tyre.”
Lordi Neuberger i Abbotsbury ra dakord që nuk kishte pasur privim nga liria, dhe vërejti si vijon:
“58. Policia ka për detyrë të ruajë paqen kur kërcënohet një protestë, dhe të marrë hapa të arsyeshëm për të parandaluar çrregullime publike serioze, sidomos nëse ato përfshijnë dhunë të rëndë ndaj individëve dhe pronave. Çdo person i arsyeshëm që jeton në një demokraci moderne do të priste me logjikë që të kishte njëfarë kufizimi, brenda një hapësire nga policia, në disa rrethana të caktuara. Kështu, nëse një person i çmendur apo i dehur është i lirë dhe i armatosur në ndërtesë, policia do të kishte të drejtën, me të drejtë e pritshme, që të siguronte që, ndoshta për disa orë me radhë, pjesëtarët e publikut të ngujoheshin në vendin ku gjenden, edhe nëse do të ishte një dhomë krejt e vogël bashkë me persona të tjerë. Po kështu, aty ku ka grupe përkrahësish të ekipeve kundërshtare në një ndeshje futbolli, policia në mënyrë rutinore, dhe natyrisht me vend, sigurohet që, në mënyrë që të shmanget dhuna dhe kaosi, dy grupet të mbahen të ndara; kjo shpesh përfshin kufizimin e një ose të dy grupeve brenda një hapësire relativisht të vogël për një periudhë kohore jo të pakonsiderueshme. Ose nëse ndodh një aksident në autostradë, është e zakonshme, dhe sërish me vend, që policia t’u kërkojë drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve të qëndrojnë në automjetet e tyre pa lëvizur, shpesh për më shumë se një orë apo dy. Në të gjitha këto raste, policia i kufizon individët me qëllim të mbrojtjes së tyre dhe të parandalimit të dhunës ndaj njerëzve apo pronës.
59. Kështu, edhe në këtë rast, siç e shoh unë, aty ku ka demonstratë, e sidomos demonstratë ku ka pritje të justifikuara të çrregullimeve dhe dhunës së konsiderueshme, nga policia duhet të pritet, dhe vërtet nganjëherë është e domosdoshme, që të marrë hapa për të siguruar që një çrregullim dhe dhunë e tillë të mos ndodhin, ose, të paktën, të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur. Hapa të tillë shpesh duhet të përfshijnë kufizimin e lëvizjeve të demonstruesve, dhe nganjëherë edhe të atyre pjesëtarëve të publikut të cilët pa dashje i zë turma gjatë demonstratës. Në disa raste, kjo përfshin kufizimin e njerëzve në hapësira relativisht të vogla për një kohë të caktuar.
60. Në raste të tilla, më duket jo realiste të diskutohet që neni 5 mund të luajë ndonjë rol, nëse, dhe ky është kusht i rëndësishëm, veprimet e policisë janë proporcionale dhe të arsyeshme, dhe çdo kufizim kufizohet brenda një minimumi të domosdoshëm, në aspektin e parehatisë dhe kohës, meqenëse është e nevojshme për qëllimet përkatëse, pra parandalimin e çrregullimit publik dhe dhunës.
61. U sugjerua në emër të apeluesit që, të paktën në disa prej shembujve që kam dhënë, pëlqimi për t’u kufizuar mund t’u ngarkohet personave në fjalë. Nuk jam i sigurt nëse kjo është analizë bindëse, jo më pak e tillë për shkak se, vetëm nëse pëlqimi trajtohet si i pavullnetshëm apo gjykohet se është dhënë në mënyrë të pamohueshme, nuk do të merrej me çështjen e një personi që e ka informuar policinë se e ka kundërshtuar kufizimin e tij. Megjithatë, nëse pëlqimi i ngarkohet është bazë e mjaftueshme për justifikimin e kufizimit për qëllime të nenit 5, atëherë më duket se kufizimi në rastin konkret mund të justifikohej mbi bazën e faktit që çdokush në rrugë, sidomos në një demonstratë me rrezik të njohur të dhunës serioze, duhet të merret se është dakord me mundësinë e të qenit i kufizuar nga policia, nëse ajo është mënyra e arsyeshme dhe proporcionale për parandalimin e trazirave serioze publike dhe dhunës.
62. Pra, në pajtim me Gjykatën e Apelit, unë do të thoja që, duke marrë parasysh gjetjet e Gjyqtarit, siç përmblidhen në paragrafin [57] lart, veprimet e policisë në rastin konkret nuk i kanë dhënë shkas ndonjë shkeljeje të të drejtave të apeluesit nga neni 5. Tipari i rastit në fjalë që jep shkak të veçantë për shqetësim është gjatësia e periudhës kohore, afro shtatë orë. Megjithatë, pas arritjes në përfundimin që kufizimi i arsyeshëm dhe proporcional, i cili është kusht për parandalimin e trazirave dhe dhunës serioze, nuk shkel nenin 5, më duket e vështirë të diskutoj që thjesht periudha kohore e kufizimit ka qenë e gjatë në masë të pazakontë mundet në vetvete të kthejë një situatë e cila përndryshe nuk do të hynte në kuadër të nenit 5 në një situatë që hyn në hapësirën e tij. Unë mendoj se kjo pikëpamje gjen mbështetje në rastet kur është vendosur që ndalimi në burg nuk merret nga neni 5 sepse ka qenë vetëm për një kohë të shkurtër – shih p.sh. Novotka kundër Sllovakisë (Kërkesa Nr 47244/99) 4 nëntor 2003.
63. Siç është treguar më parë, më duket që qëllimi i policisë është relevant, sidomos në një rast jo model, siç është ky, dhe aty ku qëllimi është i dukshëm nga rrethanat e jashtme. Nëse do të kishte ndodhur, për shembull, që policia do ta kishte mbajtur kordonin më gjatë sesa koha e nevojshme për kontrollimin e turmës, në mënyrë që t’i “dënonte” apo t’u “jepte një mësim” demonstruesve brenda kordonit, atëherë mendoj se do të dilnin në pah konsiderata krejtësisht të ndryshme. Në këto kushte, do të mendoja që do të ekzistonte një argument i fuqishëm për të thënë që mbajtja e kordonit përbënte ndalim brenda kuptimit të nenit 5. Megjithatë, siç është e dukshme nga gjetjet e qarta dhe të kujdesshme të Gjyqtarit, të cilat me të drejtë nuk janë kontestuar në apel, nuk mund të ketë diskutim për ngritjen e një kundërshtimi të tillë në rastin konkret.
64. Më tej, vlen të kihet parasysh që, të paktën ashtu siç e shoh unë, nëse kufizimi në rastin konkret do të përbënte ndalim brenda kuptimit të nenit 5, nuk do të ishte e mundur që policia të justifikonte ndalimin sipas përjashtimeve në paragrafët (b) dhe (c), edhe për shkak se arsyetimi i Gjykatës Europiane në çështjen Lawless kundër Irlandës (Nr. 3) (1961) 1 EHRR 15. Unë konsideroj që fakti që kufizimi në rastin konkret nuk mund të justifikohej sipas ndonjërit prej përjashtimeve në paragrafët (a) deri në (f) e mbështet konstatimin që kufizimi nuk përbënte fare ndalim nga neni 5. Mua do të më dukej shumë e çuditshme nëse policia nuk do të kishte mundësi të vepronte ashtu siç veproi në rrethanat e rastit, pa shkelur të drejtat nga neni 5 të atyre që u mbajtën të kufizuar.”
Lordi Carswell ishte dakord me Lordin Hope, dhe Lordi Scott i Foscote ishte dakord me Lordët Hope dhe Neueberger, duke theksuar që “qëllimi i kufizimit apo frenim dhe qëllimet e personave përgjegjës për caktimin e tij i cilësojnë shumë lart rrethanat që duhen pasur parasysh në marrjen e vendimit” nëse ka pasur privim nga liria.
Lordi Walker i Gestingthorpe ishte dakord me Lordin Hope, por shtoi si “shënim në fund të faqes”:
“43. Në paragrafët 26ff të opinionit të tij Lordi Hope ngre pyetjen “A është relevant qëllimi?” Përfundimi i tij është shumë i mbrojtur, domethënë (paragrafi 34) që ka hapësire, edhe në rastin e të drejtave themelore, për një qasje pragmatike e cila merr parasysh plotësisht të gjitha rrethanat. Me gjithë respektin e duhur jam dakord që është e udhës të qenit i kujdesshëm në këtë pikë. Gjykata e Strasburgut shpesh e ka bërë të qartë që të gjitha rrethanat mund të jenë relevante për të përcaktuar nëse ka privim nga liria: shih për shembull HM kundër Zvicrës (2004) 38 EHRR 314, paragrafi 42: ... Vlen të përmendet që faktorët e renditur, sado që janë të gjerë, nuk e përfshijnë qëllimin.
44. Qëllimi i kufizimit i cili mund është e dyshimtë se mund të shkojë deri në privim lirie është përgjithësisht relevant, jo për sa i përket faktit nëse është kaluar kufiri, por për sa i përket faktit që kufizimi mund të justifikohet sipas nenit 5(1)(a) deri në (f); shih për shembull (në lidhje me nenin 5(1)(e)) Nielsen kundër Danimarkës (1988) 11 EHRR 175; Litwa kundër Polonisë (2001) 33 EHRR 1267; Wall kundër Suedisë, (10 dhjetor 2002) vendimi mbi pranueshmërinë 41403/98; HM kundër Zvicrës (lart); HL kundër Mbretërisë së Bashkuar (2005) 40 EHRR 32; Enhorn kundër Suedisë (2005) 41 EHRR 633; dhe Storck kundër Gjermanisë (2006) 43 EHRR 96. Nëse konstatohet që ka pasur kufizim që shkon deri në privim nga liria dhe siguria personale, qëllimet e mira nuk mund të mjaftojnë për të plotësuar mangësitë në justifikimin e kufizimit sipas një prej përjashtimeve të renditura në nenin 5(1)(a) deri në (f), të cilat duhet të interpretohen rreptësisht.
45. Shumë nga këto çështje nga neni 5(1)(e) gjithashtu ngrenë çështje në lidhje me pëlqimin e shprehur ose të nënkuptuar (për shtrimin në njësi psikiatrike ose në shtëpi të pleqve). Disa nga çështjet e mëparshme duken të diskutueshme sot duke pasur parasysh që ato vareshin nga ‘të drejtat prindërve’ (veçanërisht Nielsen, ku me nëntë vota pro dhe shtatë kundër u vendos që shtrimi në njësinë psikiatrike të një djali dymbëdhjetë-vjeçar nuk ishte privim nga liria, për shkak të ‘të drejtave prindërore’ të nënës së tij). Çështa Storck, mendoj unë, ka dhënë një mesazh të qartë që tregon një qasje të ndryshme ndaj autonomisë personale të të rinjve (megjithëse kërkuesja e pafat në atë çështje ishte 18 vjeçe në kohën e mjekimit të saj të detyrueshëm në një njësi të kyçur të një klinike në Bremen, për çka ajo fitoi dëmshpërblim jashtëzakonisht të lartë për dëme jo-materiale).
46. Gjithashtu ndiej njëfarë shqetësimi në lidhje me vendimin mbi pranueshmërinë në çështjen X kundër Gjermanisë (19 mars 1991) 8819/79; stacionet e policisë mund të jenë vende trishtuese për këdo, sidomos për fëmijët, dhe duket paksa naive të arsyetohet që
‘në rastin konkret veprimet e policisë nuk synonin të privonin fëmijët nga liria por thjesht të merrnin informacione nga ata në lidhje me mënyrën se si ata i kanë siguruar sendet që iu gjetën atyre dhe në lidhje me vjedhjet që kishin ndodhur në shkollë më përpara’.
47. Kështu pra, sidoqoftë, unë arrij në përfundimin që është thelbësore, në rastin konkret, që të bëjmë një pyetje të thjeshtë: çfarë po bënte policia në Oxford Circus më 1 maj 2001? Me çfarë po merreshin? Përgjigjja është, siç ka shpjeguar Lordi Hope në përmbledhjen e tij të plotë të gjetjeve të pakontestueshme të gjyqtarit, që ata ishin të angazhuar në një ushtrim tepër të vështirë të kontrollimit të turmës, në mënyrë që të shmangnin lëndimet personale dhe dëmtimin e pronës. Zyrtarët e lartë që zhvillonin operacionet ishin të vendosur të shmangnin fatalitete të tilla si ato që kishin ndodhur në Red Lion Square më 15 qershor 1974. Qëllimi ishte që policia të shpërndante turmën, dhe fakti që arritja e këtij qëllimi mori shumë më tepër kohë sesa pritej ishte për shkak të rrethanave të cilat ishin përtej kontrollit të tyre.”
LIGJI
SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
38. Kërkuesit u ankuan që ata ishin privuar nga liria në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Çdo person ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit. Askush nuk do të privohet nga liria e tij përveç rasteve të mëposhtme dhe në përputhje me procedurën e parashikuar nga ligji:
(a) ndalimi i ligjshëm i një personi pas gjetjes fajtor nga një gjykatë kompetente;
(b) arrestimi ose ndalimi i ligjshëm i një personi për veprim në mospajtim me urdhrin e ligjshëm të një gjykate në mënyrë që të sigurohet përmbushja e një detyrimi të parashikuar me ligj;
(c) arrestimi ose ndalimi i ligjshëm i një personi i kryer me qëllim të sjelljes së tij para autoritetit ligjor kompetent për shkak të dyshimit të arsyeshëm që ka kryer një vepër penale ose kur me arsye konsiderohet e nevojshme që ai të parandalohet nga kryerja e një vepre penale ose arratisjes pas kryerjes së një vepre;
(d) ndalimi i një të mituri përmes një urdhri të ligjshëm me qëllim të mbikëqyrjes edukative të tij ose ndalimit të ligjshëm me qëllim të sjelljes së tij para një autoriteti ligjor kompetent;
(e) ndalimi i ligjshëm i personave për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, i personave me mendje jo të shëndoshë, i alkoolikëve ose të varur nga droga ose endacakëve;
(f) arrestimi ose ndalimi i ligjshëm i një personi për ta parandaluar atë nga hyrja e paautorizuar në një shtet ose e një personi kundër të cilit po merren veprime me qëllim të dëbimit ose ekstradimit.”
39. Qeveria argumentoi që neni 5 § 1 nuk zbatohej, sepse nuk kishte pasur privim nga liria. Në rast të kundërt, ajo parashtroi që çdo privim nga liria kishte qenë në pajtim me nenin 5 § 1(b) dhe/ose (c).
A. Argumentet e palëve
1. Qeveria
40. Qeveria parashtroi që policia nuk i kishte privuar kërkuesit nga liria e tyre, brenda kuptimit të nenit 5 § 1. Ajo theksoi që një prej parimeve më themelore të ngërthyera në Konventë ishte që duhej gjetur një ekuilibër i drejtë mes interesave të komunitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të individit. Nevoja për të vendosur një ekuilibër të tillë ka qenë temë që e ka përshkuar praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe po ashtu duhet të merret në konsideratë gjatë përcaktimit të ekzistimit të privimit nga liria. Ndryshe nga nenet 8-11 të Konventës, neni 5 § 1 nuk i është nënshtruar një dispozite të përgjithshme të justifikimit. Prandaj ishte me rëndësi që të mos përdorej një koncept tepër i gjerë i “privimit të lirisë”.
41. Parimet përkatëse për identifikimin e privimit nga liria fillimisht u vendosën nga Gjykata në çështjen Egel dhe të Tjerë kundër Hollandës, 8 qershor 1976, §§ 58-59, Seria A nr. 22, ndjekur nga Guzzardi kundër Italisë, 6 nëntor 1980, §§ 92-93, Seria A nr. 39 dhe çështje të shumta më pas. Këto çështje e bënë të qartë se çështja nëse ka pasur privim nga liria apo jo duhet të përcaktohej duke iu referuar fakteve të veçanta. Kohëzgjatja e masës ishte vetëm një ndër faktorët që duhej marrë parasysh, por fakti që kontrollet ishin caktuar për një periudhë të konsiderueshme në vetvete nuk ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar privimin nga liria, siç ishte e qartë nga çështjet në lidhje me ndalimqarkullimin natën: shih Raimondo kundër Italisë, 22 shkurt 1994, Seria A nr. 281‑A dhe Trijonis kundër Lituanisë, nr. 2333/02, 15 dhjetor 2005. Qëllimi për të cilin caktohet një masë ishte faktor relevant dhe mund të peshojë kundër gjetjes nga Gjykata të privimit të lirisë, edhe aty ku ka pasur kufizim fizik për një periudhë të gjatë: shih Engel, cituar lart, në § 59, ku Gjykata vërejti që konteksti i disiplinës ushtarake duhet të merrej parasysh; shih po ashtu Nielsen kundër Danimarkës dhe H.M. kundër Zvicrës, të dyja cituar lart, ku Gjykata, duke vendosur që neni 5 nuk ishte i zbatueshëm, mori parasysh qëllimin humanitar të kufizimit. Kjo qasje ishte e saktë në parim, meqenëse synimi i nenit 5 § 1 ishte të parandalonte burgimin arbitrar dhe të pajustifikuar.
42. Asnjë nga çështjet nga praktika gjyqësore e Gjykatës deri tani nuk ka adresuar rrethana si ato të rastit konkret, ku kishte qenë e nevojshme që policia të merrte veprime proporcionale për të kufizuar personat për një kohë të kufizuar për të parandaluar trazira publike serioze që përfshinin rrezik serioz për vdekje ose lëndime të rënda. Nëse neni 5 do të interpretohej si i tillë që parandalon imponimin e kordonit në Oxford Circus në Ditën e Majit 2001, policia në Shtetet Kontraktuese do të ishte e detyruar të përgatiste metoda alternative të trajtimit të demonstratave të dhunshme, çka nuk do të ngrinte çështje nga neni 5 por do të ishte shumë më e rrezikshme për të gjithë pjesëmarrësit, si përdorimi i gazit lotsjellës apo plumbave prej gome.
43. Dhoma e Lordëve dhe Gjykata e Apelit me të drejtë zbatuan parimet e nxjerra nga praktika gjyqësore e Gjykatës për të gjetur që nuk ka pasur privim nga liria kur është vendosur kordoni në fillim. Një kufizim i përkohshëm mbi lirinë e lëvizjes në një rrugë kryesore publike, edhe po të ishte absolut, nuk shkoi deri tek privimi i lirisë, siç u shpjegua qartë nga shembujt e turmave të ndeshjet e futbollit dhe në autostrada të përmendur nga gjykatat vendase. Më pas çështja ishte nëse gjatësia e kohës për të cilën u imponua kordoni e bënte atë privim të lirisë. Kjo duhet të varej nga të gjitha rrethanat, në mënyrë të veçantë nga qëllimi i policisë për të mbrojtur sigurinë e atyre brenda dhe jashtë kordonit dhe nevojshmëria e masës, meqenëse nuk kishte hapa të tjerë të cilët mund t’i merrte policia për të parandaluar trazira publike serioze.
44. Përndryshe, sikur të kishte pasur privim nga liria, ai do të kishte qenë i justifikuar nga neni 5 § 1(b), për të siguruar përmbushjen e “detyrimit të parashikuar nga ligji” për të ndihmuar një polic për t’u marrë me shkeljen e paqes. Në alternativë të mëtejshme, çdo privim nga liria po ashtu hynte tek përjashtimin e nenit 5 § 1(c), që do të thotë se kufizimi i secilit prej kërkuesve ishte i nevojshëm për t’i mundësuar policisë të parandalonte shkeljen e paqes.
2. Kërkuesit
45. Në parashtresat e kërkuesve, në mënyrë që të përcaktohej nëse kishte pasur privim të lirisë, ishte objektivisht e nevojshme të vlerësohej situata konkrete e individit, në mënyrë të veçantë nëse kishte pasur “kufizim në një vend të caktuar të rrethuar për një kohëzgjatje që nuk mund të neglizhohet”, dhe nëse ai “kanë dhënë pëlqim të vlefshëm” në lidhje me këtë ndodhi (shih Storck kundër Gjermanisë, nr. 61603/00, § 74, ECHR 2005‑V). Aty ku masa e përdorur nuk përfshinte ndalimin në kuptimin klasik të burgosjes, ajo duhet të vlerësohej duke iu referuar natyrës dhe shkallës së kufizimit, mënyrës së zbatimit të tij, kohëzgjatjes dhe efektit të tij tek kërkuesi. Kështu, për shembull, sa më e madhe shkalla e kufizimit dhe sa më e lartë shkalla e shtrëngimit nga autoritetet, aq më e shkurtër do të gjendej kohëzgjatja e kërkuar para privimit të lirisë.
46. Kërkuesit arsyetuan që Vërejtjet e Qeverisë bazoheshin në propozimin e ri dhe kundërthënës që përmbajtja e kërkuar për qëllime dashamirëse apo publike nuk do të shkonte deri në privim të lirisë, të paktën në jashtë situatës klasike të burgimit. Kërkuesit nuk ishin dakord dhe parashtruan që nëse në rrethana të caktuara zbatohej një masë e cila përndryshe do të përbënte privim lirie, qëllimi apo intenca me të cilën ishte ndërmarrë ajo nuk ishte relevante në vlerësimin e faktit nëse kishte ndodhur privim nga liria. Qëllimi për të cilin është marrë masa ishte relevant vetëm gjatë përcaktimit nëse një privim i konstatuar nga liria ishte i justifikuar nga referenca ndaj gjashtë qëllimeve të specifikuara në nenin 5 § 1 (a)-(f), të cilat sidoqoftë duhet të interpretoheshin ngushtë. Nuk ishte e mundur të interpretohej ndryshe koncepti i privimit të lirisë në krahasim me kufizimet e vendosura mbi baza të rendit publik, kundrejt masave të imponuara për çdo qëllim tjetër dashamirës apo të interesit publik.
47. Më tej, kërkuesit diskutuan që përpjekjet e Qeverisë për të mbështetur argumentet e saj duke iu referuar kërkimit të një ekuilibri të drejtë mes kërkesave të interesit publik dhe nevojës për të mbrojtur të drejtat e individëve ishin keqkuptuar. Ky ekuilibër i drejtë tashmë ishte vendosur nga vetë formulimi i të drejtave të mbrojtura me Konventë. Gjykata nuk ishte e lirë të peshonte konsideratat e interesave publike konkurruese për të ngushtuar fushëveprimin e mbrojtjes. Çdo vlerësim i ekuilibrit të drejtë i ndërmarrë nga Gjykata informohej nga struktura e nenit të posaçëm dhe ndodhte vetëm brenda hapësirave të lëna nga ajo strukturë, për shembull në përvijimin e fushëveprimit të detyrimeve pozitive që dilnin nga disa nene të caktuara. Nëse argumentet qendrore të Qeverisë do të ishin të sakta, Shtetet do të ishin në gjendje të anashkalonin mbrojtjet e nenit 5, duke i mbajtur personat të ndaluar për një gamë të gjerë arsyesh përtej fushëveprimit të nenit 5 § 1(a)-(f), nëse tregohej nevojshmëria dhe individët pa i gëzuar mbrojtjet, procedurale dhe substanciale, të parashikuara nga neni 5.
48. Kërkuesit nuk e diskutuan që kishte pasur privim të lirisë nga momenti që ishte vendosur kordoni. Megjithatë, duke marrë parasysh natyrën e kufizimit, zbatimin e tij të detyruar, periudhën e gjatë kohore dhe efektin mbi ta, kufizimi brenda kordonit të policisë ishte qartë privim i tyre nga liria. Fakti që Gjykatat vendase gjetën që ajo ishte një masë e nevojshme e rendit publik nuk ishte relevant për këtë çështje.
49. Privimi nga liria nuk ishte i justifikuar nga asnjë prej paragrafëve të nenit 5 § 1. Në mënyrë të veçantë, për sa i përket nenit 5 § 1(b), kërkuesit nuk u ndaluan për të “siguruar përmbushjen e ndonjë detyrimi të parashikuar nga ligji”, meqenëse ky justifikim do të ngrihej vetëm aty ku do të kishte dalë një detyrim specifik dhe konkret ndaj individit dhe privimi i lirisë ishte thelbësor për përmbushjen e tij. “Detyrimi” nuk mund të ishte kriter për vetë privimin nga liria. Më tej, ndalimi sipas nenit 5 § 1(c), “kur ai me arsye konsiderohet i nevojshëm për të parandaluar kryerjen e veprave penale”, kërkonte edhe që privimi të ndodhte për të parandaluar individin në fjalë nga kryerja e një vepre të caktuar edhe që të ishte qëllimi i autoriteteve në kohën e privimit për ta nxjerrë individin para autoritetit ligjor kompetent gjatë procedurave penale. Asnjëri prej këtyre kritereve nuk mundi të vërtetohej në rastin e tyre.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
50. Gjykata konsideron që çështja nëse kërkuesit ishin privuar nga liria e tyre, pra nëse neni 5 § 1 është i zbatueshëm, është e lidhur ngushtë me themelet e ankesave të kërkuesve. Prandaj, ajo e bashkon këtë çështje paraprake me themelet.
51. Ajo gjen që çështja nuk është e papranueshme mbi baza të tjera dhe prandaj e deklaron atë të pranueshme.
2. Themelet
(a) Parimet e përgjithshme
52. Është e vërtetë, siç theksojnë palët, që kjo është hera e parë që Gjykata ka shqyrtuar zbatimin e nenit 5 § 1 të Konventës në lidhje me “kettling” apo përmbajtjen e një grupi njerëzish të kryer nga policia mbi baza të rendit publik. Në interpretimin e nenit 5 § 1 në këto rrethana, dhe në mënyrë të veçantë në përcaktimin e faktit nëse ka pasur privim nga liria, Gjykata orientohet nga parimet e përgjithshme në vijim.
53. Së pari, siç ka theksuar Gjykata në shumë raste, Konventa është një mjet i gjallë i cili duhet interpretuar nën prizmin e kushteve të sotme dhe të ideve mbizotëruese në Shtetet demokratike sot (shih, mes autoriteteve të tjera, Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 31, Seria A nr. 26; Kress kundër Francës [GC], nr. 39594/98, § 70, KEDNJ 2001-VI; Christine Goodëin kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 28957/95, § 75, KEDNJ 2002‑VI; dhe, kohët e fundit, Bayatyan kundër Armenisë [GC], nr. 23459/03, § 102, KEDNJ 2011). Megjithatë, kjo nuk do të thotë që për t’iu përgjigjur nevojave, kushteve, pikëpamjeve ose standardeve të ditëve të sotme, Konventa mund të krijojë një të drejtë të re përveç atyre të njohura nga Konventa (shih Johnston dhe të Tjerë kundër Irlandës, 18 dhjetor 1986, §§ 51-54, Seria A nr. 112) apo që ajo mund të ngushtojë një të drejtë ekzistuese apo të krijojë një “përjashtim” apo “arsyetim” të ri i cili nuk është shprehimisht i njohur në Konventë (shih, për shembull, Engel dhe të Tjerë, cituar lart, § 57 dhe Ciulla kundër Italisë, 22 shkurt 1989, § 41, Seria A nr. 148).
54. Së dyti, Konventa duhet të lexohet si e tërë, dhe duhet të interpretohet në mënyrë të atillë që të promovojë vazhdimësi dhe harmoni mes dispozitave të ndryshme të saj (Stec dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.) [GC], nr. 65731/01 dhe 65900/01, § 48, KEDNJ 2005‑X).
55. Duke marrë parasysh kontekstin në të cilin kjo masë kufizuese është zbatuar në rastin konkret, Gjykata e konsideron me vend të kujtojë, për hir të plotësisë, që neni 2 i Protokollit nr. 4 të Konventës garanton të drejtën e lirisë së lëvizjes. Është e vërtetë që kërkuesit nuk janë mbështetur në këtë dispozitë, meqenëse Mbretëria e Bashkuar nuk e ka ratifikuar Protokollin nr. 4 dhe kështu nuk ka detyrim sipas tij. Megjithatë, sipas mendimit të Gjykatës, duke marrë parasysh rëndësinë dhe domethënien e dispozitave specifike të nenit 5 dhe të nenit 2 të Protokollit nr. 4, është e dobishme të reflektohen si vijon. Së pari, neni 5 në parim nuk duhet të interpretohej në mënyrë të atillë që të inkorporojë kërkesat e Protokollit nr. 4 në lidhje me Shtetet anëtare të cilat nuk e kanë ratifikuar atë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Në të njëjtën kohë, neni 2 § 3 i Protokollit në fjalë lejon vendosjen e kufizimeve mbi të drejtën e lirisë së lëvizjes aty ku është e nevojshme, inter alia, për ruajtjen e rendit publik, parandalimin e krimit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve. Në lidhje me nenin 11 të Konventës, Gjykata është shprehur që ndërhyrjet tek e drejta për lirinë e organizimit në parim janë të justifikuara për parandalimin e çrregullimit dhe krimit dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve kur demonstruesit angazhohen në akte dhune (shih Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë [GC], nr. 23458/02, § 251, KEDNJ 2011). Gjithashtu, ajo është shprehur që, në rrethana të caktuara të specifikuara saktë, nenet 2 dhe 3 mund të nënkuptojnë detyrime pozitive për autoritetet që të marrin masa parandaluese dhe operacionale për të mbrojtur individët në rrezik lëndimi serioz nga aktet kriminale të individëve të tjerë (Giuliani dhe Gaggio, cituar lart, § 244; P.F. dhe E.F. kundër Mbretërisë së Bashkuar, (vend.), nr. 28326/09, § 36, 23 nëntor 2010). Në shqyrtimin nëse autoritetet vendase i janë përmbajtur detyrimeve të tilla pozitive, Gjykata është shprehur që duhet të merren parasysh vështirësitë e përfshira në punën e policisë në shoqëritë moderne, paparashikueshmërinë e sjelljes njerëzore dhe zgjedhjet operacionale që duhen bërë në aspektin e prioriteteve dhe burimeve (Giuliani dhe Gaggio, cituar lart, § 245; P.F. dhe E.F. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 40).
56. Siç ka deklaruar Gjykata më parë, policia duhet të ketë një shkallë diskrecioni në marrjen e vendimeve operacionale. Vendime të tilla janë pothuaj gjithmonë të komplikuara dhe policia, e cila ka qasje në informacione dhe shërbime të inteligjencës që nuk i di publiku i gjerë, zakonisht është në pozicionin më të mirë për t’i marrë ato vendime (shih P.F. dhe E.F. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, §41). Për më tepër, edhe deri në vitin 2001, përparimet në teknologjinë e komunikimit kishin bërë të mundur që kalimtarët të mobilizoheshin me shpejtësi dhe fshehtësi në shkallë deri atëherë të panjohur. Forcat policore në Shtetet Kontraktuese përballen me sfida të reja, mbase të paparashikuara në kohën e hartimit të Konventës, dhe kanë zhvilluar teknika të reja policore për t’i trajtuar ata, përfshirë kufizimin apo “kettling”. Neni 5 nuk mund të interpretohet në mënyrë të atillë që ta bëjë jo praktike për policinë përmbushjen e detyrave të saj për ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e publikut, nëse vepron në pajtim me parimin kryesor të nenit 5, që është mbrojtja e individëve nga arbitrariteti (shih Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, §§ 67‑74, KEDNJ 2008).
57. Siç u përmend më lart, neni 5 § 1 nuk ka të bëjë me kufizime të thjeshta të lirisë së lëvizjes, të cilat qeverisen nga neni 2 i Protokollit nr. 4. Në mënyrë që të përcaktohet nëse dikush është “privuar nga liria e tij” brenda kuptimit të nenit 5 § 1, pika fillestare duhet të jetë situata e tij konkrete dhe duhet të merren parasysh një gamë e gjerë kriteresh siç janë lloji, kohëzgjatja, efektet dhe mënyra e zbatimit të masës në fjalë. Dallimi mes privimit nga dhe kufizimit të lirisë është dallim në shkallë dhe intensitet, dhe jo dallim në natyrë dhe substancë (shih Engel dhe të Tjerë, § 59; Guzzardi, §§ 92-93; Storck, § 71, të gjitha cituar lart; dhe gjithashtu, kohët e fundit, Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, §§ 73, KEDNJ 2010).
58. Siç theksoi Lordi Walker (shih paragrafin 37 lart), qëllimi i masës në fjalë nuk përmendet në gjykimet e mësipërme si faktor që duhet marrë parasysh kur të vendoset nëse ka pasur privim nga liria. Në fakt, është e qartë nga praktika gjyqësore e Gjykatës që një motiv parësor i interesit publik, për shembull mbrojtja e komunitetit kundër një kërcënimi që pritet nga një individ, nuk ka ndikim në çështjen nëse një person është privuar nga liria e tij, megjithëse mund të jetë relevant në hetimet e mëpasme nëse privimi i lirisë ka qenë i justifikuar sipas njërit prej paragrafëve të nenit 5 § 1 (shih, mes shumë shembujve, A. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, § 166, 19 shkurt 2009; Enhorn kundër Suedisë, nr. 56529/00, § 33, KEDNJ 2005‑I; M. kundër Gjermanisë, nr. 19359/04, 17 dhjetor 2009). E njëjta gjë është e vërtetë kur synimi është mbrojtja, trajtimi apo kujdesi në njëfarë mënyrë për personin e kufizuar, vetëm nëse ai person ka dhënë pëlqimin e vlefshëm për atë që përndryshe do të ishte privim nga liria (shih Storck, cituar lart, §§ 74-78, dhe çështjet e cituara aty dhe, kohët e fundit, Stanev kundër Bullgarisë [GC], nr. 36760/06, § 117, 17 janar 2012; shih gjithashtu, për sa i përket vlefshmërisë së pëlqimit, Amuur kundër Francës, 25 qershor 1996, § 48, Përmbledhje e Vendimeve 1996‑III).
59. Megjithatë, Gjykata është e mendimit që kërkesa për të llogaritur “llojin” dhe “mënyrën e zbatimit” të masës në fjalë (shih Engel, § 59 dhe Guzzardi, § 92, të dyja cituar lart) mundëson që të merret parasysh konteksti dhe rrethanat specifike të llojit të kufizimit përveç modelit të kufizimit në një qeli (shih, për shembull, Engel dhe të Tjerë, cituar lart, § 59; Amuur, cituar lart, § 43). Në fakt, konteksti në të cilin merren veprimet është faktor i rëndësishëm për t’u marrë parasysh, meqenëse në shoqërinë moderne ndodhin rëndom situata ku publiku mund të përjetojë kufizime të lirisë së lëvizjes apo kufizim të lirisë në interes të së mirës së përbashkët. Siç vërejtën gjyqtarët në Gjykatën e Apelit dhe Dhomën e Lordëve, pjesëtarët e publikut përgjithësisht e pranojnë që ndaj lirisë së tyre të lëvizjes mund të vihen kufizime të caktuara në kontekste të caktuara, siç është udhëtimi me transport publik ose në autostradë, ose ndjekja e një ndeshjeje futbolli (shih paragrafët 35 dhe 27 lart). Gjykata nuk konsideron që kufizime të tilla të lëvizjes që ndodhin kaq shpesh, për sa kohë që bëhen të pashmangshme si rezultat i rrethanave përtej kontrollit të autoriteteve dhe janë të nevojshme për të shmangur një rrezik real lëndimi apo dëmi, dhe mbahen në minimumin e kërkuar për atë qëllim, mund të përshkruhen me vend si “privime nga liria” brenda kuptimit të nenit 5 § 1.
60. Neni 5 mishëron një të drejtë njerëzore themelore, pra mbrojtjen e individit kundër ndërhyrjes arbitrare nga Shteti tek e drejta e tij ose e saj për liri. Nënparagrafët (a)-(f) të nenit 5 § 1 përmbajnë një listë gjithëpërfshirëse të bazave të lejueshme mbi të cilat personat mund të privohen nga liria e tyre dhe asnjë privim nga liria nuk do të jetë në përputhje me nenin 5 § 1 nëse nuk hyn tek ndonjë prej këtyre bazave (shih, mes shumë autoriteteve, Al-Jedda kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27021/08, § 99, 7 korrik 2011). Nuk mund të përjashtohet që përdorimi i teknikave të kufizimit dhe kontrollimit të turmës, në rrethana të caktuara, mund t’i jepte shkas një privimi të pajustifikuar nga liria në shkelje të nenit 5 § 1. Në secilin rast, neni 5 § 1 duhet të interpretohet në mënyrë të atillë që merr parasysh kontekstin specifik në të cilin zbatohen teknikat, si dhe përgjegjësitë e policisë për të përmbushur detyrat e tyre për ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e publikut, siç u kërkohet të bëjnë sipas të drejtës vendase dhe asaj të Konventës.
(b) Zbatimi i këtyre parimeve tek faktet e çështjes
61. Kështu, çështja nëse ka pasur privim nga liria bazohet në faktet e veçanta të rastit. Në lidhje me këtë, Gjykata kujton që brenda skemës së Konventës, ajo ka për qëllim të jetë pjesë subsidiare e sistemeve kombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut (shih A. dhe të Tjerë, cituar lart, § 154). Subsidiariteti është në bazë të Konventës, siç del nga një lexim i përbashkët i neneve 1 dhe 19. Gjykata duhet të bëjë kujdes në marrjen e rolit të tribunalit të faktit të shkallës së parë, aty ku kjo bëhet e pashmangshme nga rrethanat e një rasti të caktuar. Si rregull e përgjithshme, aty ku zhvillohen procedurat vendase, nuk është detyra e Gjykatës të zëvendësojë vlerësimin e vet të fakteve me atë të gjykatave vendase dhe i takon këtyre të fundit të konstatojnë faktet mbi bazën e provave që kanë përpara. Megjithëse Gjykata nuk është e detyruar nga gjetjet në gjykatat vendase dhe mbetet e lirë të bëjë vlerësimin e vet duke marrë parasysh të gjitha materialet që ka përpara, në rrethana normale kërkon elemente bindëse që të bëjnë të largohet nga gjetja e fakteve të arritura nga gjykatat vendase (Giuliani dhe Gaggio, cituar lart, § 180). Pavarësisht nga kjo, meqenëse sipas neneve 19 dhe 32 të Konventës është roli definitiv i Gjykatës që të interpretojë dhe të zbatojë Konventën, ndërkohë që duhet t’i referohet gjetjeve faktike të gjykatës vendase, nuk kufizohet nga përfundimet e saj ligjore fakti nëse ka pasur ose jo privim nga liria brenda kuptimit të nenit 5 § 1 (shih, për shembull, Storck, cituar lart, § 72).
62. Vendimi i Tugendhat J në shkallën e parë erdhi pas një gjyqi që zgjati tri javë, gjatë të cilave ai shqyrtoi një masë të madhe provash në lidhje me ngjarjet në Oxford Circus në Ditën e Majit 2001, përfshirë edhe dëshmi verbale dhe dokumentare, prova në video dhe fotografi (shih paragrafin 16 lart). Ai gjeti, inter alia, që informacioni që kishte pasur policia paraprakisht tregonte se demonstrata do të tërhiqte një “grup të fortë” prej 500 deri në 1000 demonstruesish të dhunshëm dhe që ekzistonte një rrezik real për lëndime të rënda, edhe vdekje, dhe dëme në prona nëse turmat nuk kontrolloheshin me efikasitet. Policia priste që turma në Oxford Circus të mblidhej rreth orës 4:00 pasdite, dhe u zunë në befasi kur rreth 1500 persona u mblodhën aty dy orë më herët. Duke pasur parasysh informacionet nga shërbimet e inteligjencës dhe sjelljen e turmave në demonstrata të mëparshme me të njëjtën tematikë, policia vendosi që nëse donin të parandalonin dhunën dhe rrezikun e lëndimit të njerëzve si dhe dëmtimin e pronës, duhet të vendosej një kordon absolut në ora 2:00 pasdite. Nga ora 2:20 pasdite, kur u vendos një kordon i plotë, askush në turmë nuk ishte i lirë të largohej nga ajo zonë pa leje. Brenda kordonit kishte hapësirë ku njerëzit të ecnin dhe nuk shtyheshin, por kushtet ishin të parehatshme, nuk kishte strehë, ushqim, ujë ose banjo. Gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes u bënë përpjekje nga policia për të filluar lirimin kolektiv, por sjellja e dhunshme dhe jo bashkëpunuese e një pakice domethënëse brenda dhe jashtë kordonit bëri që policia ta pezullonte disa herë shpërndarjen. Për pasojë, shpërndarja e plotë nuk mundi të përfundohej deri në ora 9:30 të darkës. Megjithatë, policia lejoi afro 400 individë të cilët mundën të identifikoheshin si persona që nuk ishin të përfshirë në demonstratë ose të cilët ishin ndikuar seriozisht nga të qenit të kufizuar, që të largoheshin (shih paragrafët 17-25 lart). Këto gjetje nuk u kontestuan nga palët në procedurat në fjalë dhe Gjykata nuk e sheh të arsyeshme t’i largojë ato. Kërkuesit e parë, dytë dhe tretë u kufizuan brenda kordonit të policisë për rreth shtatë orë dhe kërkuesi i katërt për pesë orë e gjysmë.
63. Gjykata duhet të analizojë situatën konkrete të kërkuesve duke iu referuar kritereve të caktuara në çështjen Engel dhe të Tjerë dhe praktikës gjyqësore të mëpasme (shih paragrafin 57 lart). Megjithëse kishte dallime mes kërkuesve, në faktin që kërkuesja e parë ishte e pranishme në Oxford Circus si demonstruese kurse kërkuesit e tjerë ishin kalimtarë rasti, Gjykata nuk konsideron që ky dallim është relevant për çështjen nëse ka pasur privim nga liria.
64. Në përputhje me kriteret nga çështja Engel, Gjykata konsideron që natyra shtrënguese e përmbajtjes brenda kordonit; kohëzgjatja e tij; dhe efekti i tij tek kërkuesit, në aspektin e parehatisë fizike dhe pamundësisë për t’u larguar nga Oxford Circus, tregon drejt privimit të lirisë.
65. Megjithatë, Gjykata duhet të marrë parasysh edhe “llojin” dhe mënyrën e zbatimit” të masës në fjalë. Siç u tregua më lart, konteksti në të cilin masa është imponuar është domethënës.
66. Prandaj, është me rëndësi të shënohet që masa u imponua për të izoluar dhe përmbajtur një turmë të madhe, në kushte të luhatshme dhe të rrezikshme. Siç theksoi Qeveria (shih paragrafin 42 lart), policia vendosi të përdorte masën e përmbajtjes për të kontrolluar turmën, në vend që të shfrytëzonte metoda më të fuqishme, të cilat do t’i kishin dhënë shkas një rreziku më të madh për lëndime të personave në turmë. Gjyqtari i gjyqit arriti në përfundimin që, duke pasur parasysh situatën në Oxford Circus, policia nuk kishte alternativë përveç vendosjes së kordonit absolut nëse donin të shmangnin rrezikun real të lëndimit dhe dëmit të rëndë (shih paragrafin 26 lart). Gjykata nuk gjen arsye të largohet nga përfundimi i gjyqtarit që në këto rrethana imponimi i një kordoni absolut ishte masa më pak ndërhyrëse dhe më efikase që mund të përdorej. Në fakt, kërkuesit nuk diskutuan që, kur kordoni u vendos në fillim, ata që ndodheshin brenda tij u privuan menjëherë nga liria e tyre (shih paragrafin 48 lart).
67. Për më tepër, sërish mbi bazën e fakteve të gjetura nga gjyqtari i gjyqit, Gjykata nuk është në gjendje të identifikojë momentin kur masa ka ndryshuar nga ajo që ishte, pra më së shumti kufizim i lirisë së lëvizjes, në privim nga liria. Është tronditës fakti që, rreth pesë minuta pas vendosjes së kordonit absolut, policia po planifikonte të fillonte një lirim të kontrolluar drejt veriut. Pas tridhjetë minutash, një përpjekje e dytë nga policia për të filluar lirimin u nis por u pezullua, për shkak të sjelljes së dhunshme të atyre brenda dhe jashtë kordonit. Mes orës 3:00 dhe 6:00 pasdite policia e mbajti situatën nën shqyrtim, por ardhja e një grupi të ri protestuesish dhe kushtet e rrezikshme brenda turmave bënë që ata të mendonin që nuk do të ishte e sigurt të liroheshin ata që ndodheshin brenda kordonit. Lirimi i kontrolluar rifilloi në ora 5:55 pasdite por ndaloi në 6:15 pasdite; rifilloi në ora 7:00 pasdite dhe u pezullua në ora 7:20; filloi sërish në ora 7:30 dhe u la prapë; pastaj u zhvillua në vazhdim në grupe nga dhjetë veta deri sa e tërë turma ishte liruar në ora 9:45 të darkës (shih paragrafin 24 lart). Kështu, gjyqtari i gjyqit gjeti që të njëjtat kushte të cilat kërkonin që policia ta përmbante turmën në ora 2:00 pasdite kanë vazhduar deri në ora 8:00 të darkës, kur lirimi kolektiv më në fund mundi të vazhdonte pa ndërprerje (shih paragrafin 24 lart). Në këto rrethana, ku policia e mbante situatën vazhdimisht nën mbikëqyrje të rreptë, por ku në substancë vazhduan të ekzistonin të njëjtat kushte të rrezikshme që kërkonin vendosjen e kordonit në ora 2:00 pasdite ka vazhduar të ekzistojë gjatë tërë pasdites dhe të orët e hershme të darkës, Gjykata nuk konsideron që ata brenda kordonit mund të thuhet se kanë qenë të privuar nga liria e tyre brenda kuptimit të nenit 5 § 1. Meqenëse nuk ka pasur privim nga liria, është e panevojshme që Gjykata të shqyrtojë nëse masat në fjalë janë në përputhje me nënparagrafët (b) ose (c) të nenit 5 § 1.
68. Gjykata thekson që përfundimet e mësipërme, që nuk ka pasur privim nga liria, bazohen mbi faktet e veçanta dhe të jashtëzakonshme të kësaj çështjeje. Më tej, kjo kërkesë nuk përfshinte ndonjë ankesë lidhur me nenet 10 ose 11 të Konventës dhe Gjykata thekson gjetjet e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë që nuk ka pasur ndërhyrje në të drejtat e neneve 10 dhe 11 për lirinë e shprehjes dhe organizimit të personave brenda kordonit (shih paragrafin 32 lart). Duhet theksuar që masat e kontrollimit të turmës nuk duhet të përdoren nga autoritetet vendase direkt ose indirekt për të ngushtuar apo dekurajuar protestat, duke marrë parasysh rëndësinë themelore të lirisë së shprehjes dhe organizimit në të gjitha shoqëritë demokratike. Sikur të mos kishte vazhduar të ishte e nevojshme që policia të vendoste dhe të mbante kordonin në mënyrë që të parandalonte lëndimet apo dëmet, “lloji” i masës do të kishte qenë i ndryshëm, dhe natyra e tij shtrënguese dhe kufizuese mund të kishte qenë e mjaftueshme për ta sjellë atë në kuadër të nenit 5.
69. Si përfundim, meqenëse neni 5 nuk është i zbatueshëm, nuk ka pasur shkelje të asaj dispozite në këtë çështje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Deklaron kërkesat të pranueshme njëzëri;
2. Vendos me katërmbëdhjetë vota pro dhe tri vota kundër që nuk ka pasur shkelje të nenit 5 të Konventës.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 15 mars 2012, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleFrançoise Tulkens
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet e pakicës të Gjyqtarëve Tulkens, Spielmann dhe Garlicki i janë bashkangjitur këtij vendimi.
F.T.
M.O.B.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar/e në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy