© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA I.B. kundër GREQISË
(kërkesë no 552/10)
VENDIM
STRASBURG
3 tetor 2013
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara nga neni 44 § 2 i Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetën në formë.
Në çështjen I.B. kundër Greqisë,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i parë) që mblidhet në një dhomë të përbërë nga :
Isabelle Berro-Lefèvre, kryetare,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Julia Laffranque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse, gjyqtarë,
et de Søren Nielsen, sekretar i seksionit,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 10 shtator 2013,
Dha këtë vendim, të miratuar në këtë datë.
PROCEDURA
1. Kjo çështje nis me një kërkesë (no 552/10) drejtuar kundër Republikës greke që shtetasi i këtij shteti Z. I.B. (« kërkuesi »), i paraqiti Gjykatës në 2 dhjetor 2009 sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi përfaqësohet nga Mjeshtri G. Letsas dhe V. Mantouvalou, avokatë në Londër. Qeveria greke (Qeveria) përfaqësohet nga të deleguarit e agjentit të saj Znj. G. Papadaki, anëtare në Këshillin juridik të shtetit, dhe Znj. M. Germani, audituese pranë Këshillit juridik të Shtetit.
3. Kërkuesi pretendon veçanërisht një shkelje të neneve 8 dhe 14 të kombinuar të Konventës.
4. Me një vendim të 28 gushtit 2012, dhoma ka deklaruar se kërkesa është pjesërisht e pranueshme.
5. Si kërkuesi ashtu edhe Qeveria kanë depozituar vërejtje plotësuese me shkrim (neni 59 § 1 i rregullores).
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
6. Kërkuesi ka lindur në 1980 dhe jeton në Athinë.
7. Kërkuesi punonte qysh nga viti 2001 në një ndërmarrje të prodhimit të stolive. Në 4 mars 2003, ai dha dorëheqjen nga ky post për të kryer shërbimin ushtarak. Në fund të shërbimit ushtarak, kërkuesi kontaktoi S.K., pronarin e ndërmarrjes, që e ripunësoi me kohë të plotë që nga 1 korriku 2004 me një rrogë mujore 722,92 euro (EUR).
8. Në janar 2005, kërkuesi u besoi 3 prej kolegëve të tij, I.M., S.M. dhe O.G., se kishte frikë se mos ishte infektuar nga virusi imunodeficient human (HIV). Në 11 shkurt 2005, ndërsa kishte marrë lejen e zakonshme, një test provoi se ai ishte efektivisht mbartës i këtij virusi. Në 15 shkurt, punëdhënësi, Znj S.K., mori një letër nga tre punonjësit që nxitonin të tregonin se kërkuesi « kishte AIDS » dhe se ndërmarrja duhej ta pushonte para se të mbaronte lejen vjetore. Të tre kishin bërë një test depistimi që doli negativ.
9. Ndërkohë, informacionet mbi gjendjen shëndetsore të kërkuesit u përhapën në të gjithë ndërmarrjen, që numëronte 70 punonjës. Personeli filloi të ankohej pranë punëdhënësit sepse i duhej të punonte me një njeri seropozitiv dhe kërkoi pushimin e tij. S.K atëherë thërriti mjekun e ndërmmarjes që të vinte aty me qëllim që t’i jepte shpjegime personelit mbi HIV-in dhe mbi mënyrat e transmetimit të kësaj sëmundjeje. Mjeku u përpoq t’i qetësonte punonjësit duke u shpjeguar se cilat ishin masat që duheshin marrë. Personeli nguli këmbë duke kërkuar lirimin nga puna të kërkuesit. S.K. mendoi atëherë ta transferonte kërkuesin drejt një departamenti të ndërmarrjes të vendosur në një adresë tjetër, por shefi i këtij departamenti kërcënoi duke thënë se do të jepte dorëheqjen nëse kërkuesi do të punonte në shërbimin e tij. S.K. propozoi atëherë që kërkuesi të largohej nga ndërmarrja dhe, në shkëmbim, ajo do ta ndihmonte të punonte për vete. Ajo i propozoi gjithashtu t’i paguante një formim për berber. Sidoqoftë, kërkuesi i refuzoi këto oferta.
10. Në 21 shkurt 2005, tridhjetë e tre punonjës të ndërmarrjes (gjysma e personelit afërsisht) i drejtuan S.K. një letër me anë të së cilës ata i bënin thirrje të ndahej nga kërkuesi me qëllim që të « ruante shëndetin e tyre dhe të drejtën e tyre për punë », në të kundërt klima e harmonishme që mbretëronte në ndërmarrje do të prishej. Në 23 shkurt 2005, dy ditë para se të kthehej në punë nga leja kërkuesi, S.K. e pushoi duke i derdhur një dëmshpërblim të parashikuar nga ligjeslacioni grek, pra një rrogë mujore dhe një leje të zakonshme të paguar, d.m.th. 843,41 EUR.
11. Pak pas pushimit nga puna, kërkuesi gjeti një punë në një ndërmarrje private.
12. Në 13 maj 2005, kërkuesi iu drejtua gjykatës së shkallës së parë të Athinës. Ai ankohej për faktin se « paragykimet shoqërore të papranueshme dhe konsideratat tabu të vjetëruara » kishin dalë mbi kontributin e tij në ndërmarrjen ku punonte. Ai përmendte gjithashtu karakterin abuziv të pushimit të tij nga puna dhe pavlefshmërinë e tij për shkak se nuk ishte paguar një dëmshpërblim i mjaftueshëm. Ai pretendonte se pushimi i tij ishte diktuar nga « konsiderata përçmuese » që nuk mbanin parasysh « faktorin njerëzor dhe personalitetin e tij », që punëdhënësi i tij « kishte qëndruar haptas indiferent ndaj faktit që në këtë mënyrë ai kishte dëmtuar rëndë një punonjës të zellshëm dhe të ndërgjegjshëm, tamam në atë moment kur ndjenjat elementare të humanizmit kërkonin që ai të mbështetej, dhe njëkohësisht fyente rëndë në këtë mënyrë personalitetin e tij » dhe se punëdhënësi e « kishte trajtuar me një neveri të pajustifikuar dhe çnjerëzore për shkak të një problemi serioz shëndeti ».
13. Kërkuesi shton se aryeja e vetme që e kishte shtyrë S.K. për të marrë një vendim ishte paragjykimi (i pabazuar shkencërisht) kundër seropozitivëve dhe « rrezikut » të pretenduar që ata shkaktonin për marrëdhëniet e tyre profesionale dhe shoqërore. Pra, ishte e dukshme se me sjelljen e tij, S.K. kishte dëmtuar brutalisht personalitetin e tij, veçanërisht në aspektet më intime që kanë të bëjnë me të dhëna personale delikate. Mënyra se si ai u pushua përbënte një degradim të papranueshëm të vlerës së tij si qenie njerëzore, duke e reduktuar kërkuesin në një « objekt » që mund të menaxhohej « sipas paragjykimeve dhe fiksimeve personale ».
14. Kërkuesi i kërkoi gjykatës të shpallte të pavlefshme zgjidhjen e kontatës, të urdhëronte punëdhënësin të vazhdonte ta mbante në punë dhe t’i paguante rrogën, si dhe t’i paguante 9 397 EUR për rrogat e papaguara, 1 068,62 EUR për lejet e zakonshme si dhe shuma të ndryshme parash që ai i llogariste, në fund, në shifrën 20 000 EUR për dëm moral .
15. Me një vendim të 13 qershor 2006, gjykata vendosi se pushimi nga puna ishte i paligjshëm, sepse ishte në kundërshtim me nenin 281 të kodit civil që ndalon ushtrimin e një të drejte nëse ajo i kalon haptas kufijtë e vendosur nga mirëbesimi ose mirësjellja. Gjykata pranoi se zgjidhja e kontatës ishte motivuar vetëm nga sëmundja e kërkuesit dhe i dha atij shumën 6 339,18 EUR, që i korrespondonte rrogave të papaguara qysh prej pushimit të tij nga puna. Gjykata nënvizoi se qëndrimi i punëdhënësit, edhe pse mbahej parasysh presioni i ushtruar nga punonjësit e tij, përbënte një abuzim me të drejtën. Ajo saktësoi se punëdhënësi, me qëllim që të siguronte funksionimin e mirë të ndërmarrjes së tij dhe të shmangte protestat dhe ankesat, kishte vendosur të ndahej nga ankuesi për ta mbajtur mirë me shumicën e personelit.
16. Sidoqftë, gjykata e rrëzoi ankesën e kërkuesit sipas të cilës largimi i tij nga puna i kishte cenuar personalitetin, sepse nuk ishte provuar se largimi nga puna ishte bërë me qëllim për ta dëmtuar ose me qëllim për ta diskredituar. Gjykata përkundrazi vuri në dukje se S.K. e kishte pushuar kërkuesin me qëllim që të ruante, atë që ajo gabimisht, e konsideronte si një
çështje të marrëdhënieve paqësore në punë në gjirin e ndërmarrjes së saj. Më në fund, gjykata vlerësoi se rimarrja në punë e kërkuesit nuk ishte e domosdoshme, sepse ky i fundit ndërkohë kishte gjetur një punë tjetër.
17. Në 26 shkurt dhe 15 mars 2007, S.K. dhe kërkuesi kanë apeluar respektivisht kundër këtij vendimi pranë gjykatës së apelit të Athinës.
18. Me një vendim të 29 janarit 2008, gjykata e apelit e rrëzoi kërkesën e S.K. dhe pranoi atë të kërkuesit në dy pretendimet e tij d.m.th. abuzimi me të drejtën dhe cenim i personalitetit. Sipas shembullit të gjykatës së shkallës së parë, gjykata e apelit pranoi se S.K. e kishte pushuar kërkuesin duke iu nënshtruar presionit të përsonelit me qëllim që të ruante një klimë të mirë pune në gjirin e ndërmarrjes së vet. Gjykata e apelit nënvizoi se frika e punonjësve të ndërmarrjes ishte shkencërisht e pajustifikuar, siç ua kishte shpjeguar edhe mjeku i ndërmarrjes. Në fakt, për shkak të mënyrës së transmetimit të këtij virusi, nuk ekziston asnjë rrezik për shëndetin e tyre. Kështu, këto lloj frikërash në fakt bazoheshin në paragjykime dhe jo në një rrezik të vërtetuar dhe për rrjedhojë, sëmundja e kërkuesit nuk mund të prekte funksionimin e mirë të ndërmarrjes në të ardhmen.
19. Gjykata e apelit vuri në balancë, nga një anë, nevojën për të ruajtur funksionimin e mirë të ndërmarrjes në një kohë që kërcënohej nga reagime shkencërisht të pajustifikuara, dhe, nga ana tjetër, shpresën e justikuar të kërkuesit për të qenë i mbrojtur gjatë një periudhe të vështirë për të. Ajo nënvizoi se nëse sëmundja e një punonjësi nuk kishte pasoja negative mbi marrëdhëniet e punës apo funksionimin e mirë të ndërmarrjes (si p.sh. në rastin e mungesës së interesit ose uljes së aftësisë për punë, etj.) ajo nuk mund të shërbente si justifikim objektiv për ndërprerjen e kontratës. Mirëpo kërkuesi nuk kishte munguar në punë dhe nuk parashikohej asnjë mungesë e tij për shkak të sëmundjes në një të ardhme të afërt. Nga ana tjetër, për shkak të natyrës së punës së tij, që nuk çonte në mbilodhje, kërkuesi nuk rrezikonte aspak që kapaciteti i tij në punë të ulej, sepse për shumë vjet kur një i sëmurë mbetet thjesht mbartës i HIV, kapacitetet e tij nuk ulen ndjeshëm.
20. Ajo konstatoi se sëmundja e kërkuesit nuk mund ta dëmtonte funksionimin e mirë të ndërmarrjes, duke nënvizuar se asnjë punonjës nuk ishte larguar nga ndërmarrja nga momenti kur ishte zbuluar sëmundja e kërkuesit e deri në ndërprerjen e kontratës së punës. Ajo arriti në përfundimin se për S. K. « fakti që ishte dorëzuar para kërkesave të punonjësve të tij, kishte dëbuar nga puna kërkuesin dhe i kishte dhënë fund kontratës së tij nuk mund të justifikohej me sinqeritetin ose interesin e punëdhënësit në kuptimin e mirë të fjalës ».
21. Gjykata e apelit i dha kërkuesit shumën 6 339,18 EUR për rroga të papaguara që nga data e pushimit. Ajo nënvizoi gjithashtu se personaliteti i kërkuesit ishte prekur, sepse pushimi i tij ishte i paligjshëm dhe kishte cenuar si statusin e tij profesional ashtu edhe atë shoqëror, që përbëjnë dy anët e personalitetit të kujtdo. Ajo i dha atij 1 200 EUR plus për dëm moral.
22. Në 4 korrik 2008, S.K. apeloi në gjykatën e kasacionit kundër vendimit të gjykatës së apelit.
23. Në 16 tetor 2008, kërkuesi nga ana e tij filloi një procedurë ankimi kundër vendimit të gjykatës së apelit. Ai bazohej në nenet 180 (pavlefshmëri e një akti juridik), 281 (abuzim me të drejtat) dhe 932 (ndreqje e dëmit moral) të kodit civil dhe mbi nenin 22 (e drejta e punës) të Kushtetutës, si dhe në parimin e proporcionalitetit për sa i përket shumës së dëmshpërblimit të dhënë. Duke përfituar nga jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit, ai pohoi përveç kësaj se kur një pushim nga puna ishte anuluar me vendim gjyqësor si abuziv, punëdhënësi kishte detyrimin ta merrte përsëri në punë punonjësin. Më saktë, në pretendimin e tij të dytë në kasacion, kërkuesi nënvizonte se vendimi i gjykatës së apelit e kishte rrëzuar pa të drejtë kërkesën e tij për t’u rikthyer në punë në ndërmarrje, duke argumentuar se rikthimi i tij në punë ishte si rregull në rastet e shkeljes së nenit 281, ose në rastin e cenimit të paligjshëm të personalitetit ose të të drejtës për zhvillim të personalitetit si dhe për pjesëmarrje në jetën profesionale.
24. Me një vendim no 676/2009 të 17 mars 2009 (i zbardhur në 4 qershor 2009), Gjykata e kasacionit e rrëzoi vendimin e gjykatës së apelit, me arsyen se ajo e kishte keqinterpretuar dhe keqzbatuar nenin 281 të kodit civil lidhur me faktet e çështjes. Ajo vlerësoi se zgjidhja e kontratës së punës nuk ishte abuzive nëse justifikohej nga interesat e punëdhënësit, « në kuptimin e mirë të fjalës », si vendosja e një bashkëpunimi të harmonishëm midis punonjësve dhe një funksionim i mirë i ndërmarrjes në një kohë kur këto do të ishin çrregulluar nga mbajtja në punë e një punonjësi të pushuar. Gjykata e kasacionit u shpreh kështu :
« Duke mbajtur parasysh se pushimi nga puna (...) nuk ka për shkak keqdashjen, as një frymë urrejtje apo ndonjë agresivitet të çfarëdo lloji nga ana e punëdhënësit] ndaj [punonjësit], pushimi ishte plotësisht i justifikuar nga interesat e punëdhënësit, në kuptimin e mirë të fjalës [interesa], pasi ai ka vendosur kështu me qëllim që të rivendosë qetësinë në gjirin e ndërmarrjes si dhe funksionimin e mirë të saj. Në fakt, punonjësit ishin vërtet të shqetësuar nga sëmundja jashtëzakonisht serioze dhe ngjitëse e [kërkuesit], burim ndjenjash pasigurie dhe frike për shëndetin e tyre duke kërkuar kolektivisht me shkrim largimin e tij dhe duke nënvizuar se në rast të kundërt, një problem i madh do të lindte për funksionimin e mirë të ndërmarrjes (...). »
25. Në fund, Gjykata e kasacionit e rrëzoi ankesën e kërkuesit për mungesë të lëndës dhe e dërgoi çështjen në gjykatën e apelit.
26. Lidhur me nisjen e procedurës që u përket palëve, del se as kërkuesi e as punëdhënësi i tij nuk i drejtohen gjykatës së apelit që të shprehet mbi largimin nga puna.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. E drejta e brendshme
27. Nenet përkatëse të Kushtetutës greke lexohen kështu :
Neni 9
« 1. (...) Jeta private dhe familjare e individit është e pacenushme (...) »
Neni 22
« 1. Puna është një e drejtë dhe është nën mbrojtjen e shtetit, i cili është përgjegjës për krijimin e kushteve për punësim të plotë për të gjithë qytetarët, si dhe për përparimin moral dhe material të popullsisë aktive në fshat dhe në qytet. »
Neni 25
« 1. Të drejtat e njeriut, ku ky i fundit konsiderohet si individ dhe si anëtar i shoqërisë, ashtu si dhe parimi i sundimit të shtetit social garantohen nga shteti.
Të gjitha organet e shtetit duhet të sigurojnë ushtrimin e lirë dhe efikas të tyre. Këto parime janë gjithashtu të zbatueshme midis individëve në rastin kur ato duhen zbatuar. Kufizimet e çdo lloji që mund të vendosen për këto të drejta sipas Kushtetutës duhet të parashikohen qoftë drejtpërdrejtë nga Kushtetuta qoftë nga ligji, (...) për të respektuar parimin e proporcionalitetit. »
28. Neni 1 i ligit no 2112/1920 që lidhet me pushimin nga puna dhe ndërprerjen e kontratave të punonjësve të sektorit privat, parashikon se:
« Pushimi i një punonjësi të sektorit privat, i rekrutuar me një kontratë me një kohëzgjatje të papërcaktuar i cili është punësuar për më shumë se dy muaj, nuk mund të bëhet pa njoftuar paraprakisht me shkrim për ndërprerje të kontratës së punës (...). »
29. Nenet kryesore të ligjit no 3304/2005 që lidhen me trajtimin e barabartë (raca, nënshtetësia, besimi fetar, mosha, orientimi seksual) formulohen kështu :
Neni 1 (qëllimi)
« Qëllimi i këtij ligji qëndron në miratimin e një kuadri të përgjithshëm rregullator për të luftuar diskriminimin e bazuar në fe apo në bindje të tjera apo për shkak të handikapit, moshës ose orientimit seksual në fushën e punësimit (...) dhe për të siguruar zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë. »
Neni 2 (parimi i trajtimit të barabartë)
1. Diskriminimi, i drejtpërdrejtë dhe jodrejtpërdrejtë, për një nga arsyet e cituara në nenin 1, është i ndaluar.
2. Konsiderohet gjithashtu si një diskriminim ngacmimi (...), që ka për qëllim ose pasojë të cenojë personin dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues ose agresiv.»
Neni 10 (përshtatje të arsyeshme ndaj personave që vuajnë nga një handikap)
«Në përputhje me trajtimin e barabartë të personave me aftësi të kufizuara, punëdhënësi duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme që kërkojnë rrethanat në mënyrë që njerëzit të mund të kenë akses në një vend pune, për të ushtruar e zhvilluar një aktivitet dhe që të marrin pjesë në një trajnim profesional, me kusht që këto masa të mos shkaktojnë një barrë të paarsyeshme për punëdhënësin. (...) »
Neni 12 (veprimi pozitiv dhe masat e veçanta)
1. Nuk përbën diskriminim, miratimi ose ruajtja e masave të veçanta që kanë për qëllim parandalimin ose kompensimin e dizavantzheve për arsye fetare ose për shkak të bindjeve të tjera, apo të paaftësisë, moshës, apo orientimit seksual
2. Nuk përbën diskriminim, nëse bëhet fjalë për persona me aftësi të kufizuara, miratimi ose ruajtja e dispozitave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë në vendin e punë, ose masave që synojnë krijimin dhe ruajtjen e kushteve apo lehtësirave për mbrojtjen dhe promovimin e integrimit të tyre në aktivitete ose në punë. »
B. Komisioni kombëtar për të drejtat e njeriut
30. Në 27 janar 2011, Komisioni kombëtar për të drejtat e njeriut hartoi një raport lidhur me « çështjet e mbrojtjes së të drejtave të personave mbartës të virusit HIV ». Në hyrje të tij raporti saktëson :
« arsyeja për të cilën komisioni kombëtar për të drejtat e njeriut ndalet në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të personave mbartës të virusit HIV është se ai ka konstatuar që këta të fundit nuk gëzojnë si duhet të drejtat themelore, pasi gjendja e tyre rëndohet nga stigmatizimi, shfaqjet e intolerancës, shkelja e konfidencialitetit dhe diskriminime të tjera shoqërore në dëm të tyre
Shtysa është dhënë nga vendimi 676/2009 i Gjykatës së kasacionit, me anë të të cilit gjykata e lartë, në fakt, ka miratuar ligjshmërinë dhe kushtet në të cilat është bërë largimi nga puna i një punonjësi mbartës i virusit HIV. Duke mbajtur parasysh rëndësinë e këtij vendimi – që përbën precedentin e parë jurisprudencial në analet gjyqësore të vendit – dhe faktin se ajo ka vënë në dukje një aspekt të vetëm por të rëndësishëm të problemeve me të cilat janë përballur mbartësit e këtij virusi, Komisioni ka organizuar me shumë organizma e institucione të tjera një konsultim që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave. Gjatë diskutimit u trajtuan shumë çështje, por ato që u gjykuan si më të rëndësishme janë si më poshtë : a) stigmatizimi i shkaktuar nga HIV/AIDS, b) trajtimet diskriminuese ndaj personave mbartës të këtij virusi, veçanërisht në mjedisin e punës, c) aksesi i këtyre personave në shërbimet shëndetësore dhe d) mbrojtja e jetës së tyre private. »
31. Në konsideratat e tij përfundimtare, Komisioni vuri në dukje se :
« Nevoja për të mbrojtur të drejtat e personave seropozitivë dhe për të institucionalizuar dhe zbatuar parimet themelore mbi të cilat bazohen këto të drejta, është aktuale dhe imperative, po të merret parasysh fakti se, sipas të dhënave zyrtare të fundit, sëmundja duket se ka arritur nivele shqetësuese në vendin tonë.
Rreziqet nuk burojnë vetëm nga vetë sëmundja dhe përhapja e saj, por gjithashtu nga formimi apo konsolidimi i koncepteve të rrezikshme dhe shkencërisht të pabazuara përmes jurisprudencës së gjykatave, që pranon se punojësit seropozitivë përbëjnë një « rrezik » në mjedisin e tyre të punës.
Së fundi, ne duhet të nënvizojmë se mbrojtja e të drejtave të seropozitivëve nuk ka të bëjë vetëm me ta, por gjithashtu me shëndetin publik në përgjithësi, në kuptimin që nëse këta persona nuk mbrohen ata do të ngurrojnë të bëjnë testin (...) çka do të sabotojë përpjekjet e organizmave të shëndetit publik që synojnë të kufizojnë përhapjen e sëmundjes. »
III. TEKSTET EVROPIANE DHE NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Rekomandimi (no 200) i ONP (Organizatës Ndërkombëtare të Punës) për sa i përket HIV dhe AIDS dhe bota e punës, 2010
32. Ky Rekomandim është instrumenti i parë i të drejtave të njeriut mbi virusin HIV dhe AIDS në botën e punës. Ai u miratua, me një shumicë të zgjeruar, nga përfaqësuesit e qeverive, punëdhënësit dhe punonjësit e shteteve anëtare të ONP në Konferencën ndërkombëtare të Punës në qershor 2010. Ai këshillon si më poshtë :
« 3. (...)
c) Asnjë diskriminim apo stigmatizim nuk duhet ushtruar kundrejt punonjësve, veçanërisht personave që kërkojnë punë, për shkak të statusit të tyre real apo të supozuar si të sëmurë me HIV, ose për shkak se u përkasin rajoneve të botës apo grupe popullsish të perceptuar si më të rrezikuar ose më të prekshëm nga infektimi me HIV :
(...)
9. Qeveritë, në konsultim me organizatat më përfaqëuese të punëdhënësve dhe të punonjësve do të duhej të mbanin parasysh ofrimin e një mbrojtjeje identike me atë që parashikon Konventa përsa i përket diskriminimit (në punë dhe profesion) 1958, me qëllim që të pengojë çdo diskriminim lidhur me statusin real ose të supozuar HIV.
10. Statusi HIV real ose i supozuar nuk duhet të shërbejë si shkak diskriminimi që pengon marrjen në punë ose mbajtjen në punë, as edhe kërkimin e mundësive të barabarta në pajtueshmëri me dispozitat e Konventës që lidhen me diskriminimin (në punë dhe profesion), 1958.
11. Stausi HIV real ose i supozuar nuk duhet të përbëjë arsye për të pushuar nga puna.
Mungesa e përkohshme në punë për arsye të përkujdesjes për të tretët ose të një sëmundjeje që lidhet më HIV apo me AIDS duhet trajtuar si çdo mungesë tjetër për arsye shëndetësore, duke marrë parasysh konventën mbi pushimin nga puna, 1982.
12. Kur masat ekzistuese në rast diskriminimi në vendin e punës nuk mjaftojnë për të siguruar një mbrojtje efikase kundër diskriminimit lidhur me HIV ose AIDS, Anëtarët duhet t’i përshtasin ose të vendosin masa të reja dhe të sigurojnë zbatimin e tyre efektiv dhe transparent. »
B. Tekstet e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës
33. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës (« APCE ») ka tërhequr vëmendjen mbi çështjen e HIV/AIDS në një numër dokumentash të saj. Në rekomandimin 1116 (1989) mbi AIDS-in dhe të drejtat e njeriut, ajo shprehet kështu :
« 3. Duke konstatuar se megjithëse Këshilli i Evropës ishte i shqetësuar që nga viti 1983 për parandalimin, aspektet etike vetëm sa janë cikur ;
4. duke vlerësuar gjithsesi se është thelbësore të kujdesesh që të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të mos rrezikohen në emër të frikës që ngjall AIDS-i ;
5. e shqetësuar në mënyrë të veçantë nga diskriminimet viktimë e të cilave janë disa të sëmurë ose edhe persona seropozitivë ;
(...)
8. I rekomandon Komitetit të Ministrave :
A. të ngarkojë Komitetin drejtues për të drejtat e njeriut t’i japë përparësi forcimit të klauzolës së mosdiskriminimit të nenit 14 të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut, ose duke shtuar shëndetin ndërmjet arsyeve të ndaluara të dallimit, ose duke hartuar një klauzolë të përgjithshme për trajtim të barabartë para ligjit (...) »
34. Në Rezolutën e saj 1536 (2007), APCE ka riafirmuar angazhimin e saj për të luftuar të gjitha format e diskriminimit kundër personave që vuajnë nga HIV / AIDS :
« Duke nënvizuar se pandemia e HIV/ AIDS-it përbën një urgjencë njëkohësisht mjekësore, shoqërore dhe ekonomike, Asambleja u bën thirrje parlamenteve dhe qeverive të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës :
9.1. të veprojnë në mënyrë që ligjet, politikat dhe praktikat e tyre të respektojnë të drejtat e njeriut në kontekstin e HIV /AIDS, veçanërisht të drejtat për arsim, për punë, për respektim të jetës private, për mbrojtje dhe për parandalim, për mjekime dhe përkujdesje si dhe për asistencë ;
9.2. për të mbrojtur personat që vuajnë nga HIV/AIDS kundër çdo forme diskriminimi si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat (...) ».
C. Pakti ndërkombëtar lidhur me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore
35. Neni 2 § 2 i Paktit ndërkombëtar lidhur me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore thotë që të drejtat e shprehura në këtë instrument « do të ushtrohen pa asnjë diskriminim të bazuar mbi racën, ngjyrën, seksin, gjuhën, fenë, opinionin politik ose çdo opinion tjetër, origjinën kombëtare ose shoqërore, pasurinë, lindjen ose çdo gjendje tjetër ». Në Komentin e tij të përgjithshëm për mosdiskriminimi (no 20, 2009) Komiteti i të drejtave ekonomike, shoqërore dhe kulturore ka deklaruar shprehimisht se shprehja « çdo gjendje tjetër » që figuron në fund të nenit 2 § 2 të Paktit nënkuptonte gjendjen shëndetësore, sidomos seropozitivitetin :
« 33. Gjendja shëndetësore ka të bëjë me shëndetin fizik dhe mendor të një personi. Shtetet palë duhej të siguronin që gjendja shëndetësore reale ose e perceptuar e një personi të mos përbëjë një pengesë për realizimin e të drejtave të sanksionuara nga Pakti. Mbrojtja e shëndetit publik citohet shpesh nga shtetet për të justifikuar kufizime të drejtave të njeriut për shkak të gjendjes shëndetësore të një personi. Mirëpo shumë nga këto kufizime janë diskriminuese, për shembull kur HIV-i përdoret për të justifikuar një trajtim të diferencuar për sa i përket aksesit për arsim, për punësim, për mjekime shëndetësore, për udhëtime, për sigurime shoqërore, për strehim dhe azil .
D. Vendimi i Gjykatës kushtetuese të Afrikës së Jugut në çështjen Hoffman kundër South African Airways
36. Në çështjen Hoffman kundër South African Airways (CCT 17/00) e 4 tetorit 2000, Gjykatës kushtetuese i ishin drejtuar për të kundërshtuar një vendim të High Court të Witwatersrand-it që lidhej me diskriminimin në punë të Z. Hoffman si punonjës shërbimi në linjën tregtare (steward) të kompanisë ajrore South African, me arsyen se ai vuante nga HIV-i. Kjo e fundit përmendte tre argumente : reagimi i rrezikshëm i personave me AIDS ndaj vaksinës së etheve të verdha, rreziku i infektimit të pasagjerëve dhe anëtarëve të tjerë të kompanisë, rendimenti i dobët nga agjentë të tillë (në krahasim me investimin) meqë ata janë të dënuar me një jetëgjatësi më të shkurtër se të tjerët.
37. Gjykata kushtetuese, unanimisht, ka gjykuar se të drejtat kushtetuese të Z. Hoffman ishin injoruar nga një diskriminim i tillë.
38. Së pari, ajo ka vlerësuar se duhej bërë një dallim midis personave seropozitivë dhe personave që vuajnë nga një deficiencë imunitare. Ky nuk ishte rasti i Z. Hoffman që ishte vetëm seropozitiv në momentin e pushimit të tij nga puna dhe të vendimit të Gjykatës. Gjykata ka shtuar se praktika e kompanive të tjera ajrore të huaja nuk kishte asnjë ndikim në shqyrtimin e kushtetueshmërisë së vendimit. Së dyti, ajo ka pranuar se preokupimet tregtare të një kompanie ishin legjitime, por ka çmuar se ato nuk duhen përdorur për të justifikuar një pozicion të maskuar përmes të cilit anashkaloheshin të drejtat themelore elementare siç janë dinjiteti njerëzor, zemërmadhësia dhe toleranca ndaj tjetrit. Duke mbajtur parasysh këto kërkesa, personat e prekur nga HIV ishin në një situatë vulnerabiliteti të veçantë që kërkon një mbrojtje të plotë nga ana e sistemit juridik. Për këto arsye, Gjykata arriti në përfundimin se shkelja e të drejtave të Z. Hoffman e detyronte kompaninë ajrore t’i bënte menjëherë një ofertë punësimi dhe të merrte përsipër shpenzimet gjyqësore.
IV. ELEMENTET E TË DREJTËS PRIVATE
39. Një studim krahasues i legjislacionit të tridhjetë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, për sa i përket mbrojtjes kundër diskriminimit mbi vendin e punës dhënë personave të prekur nga HIV, tregon se shtatë shtete, si për shembull Shqipëria, Azerbaixhani, Italia, Moldavia, Rumania, Anglia dhe Rusia kanë miratuar tekstet legjislative specifike për këtë çështje. Megjithatë, në njëzet e tre vendet e tjera që nuk kanë parashikuar tekste të tilla, mbartësit e virusit HIV që janë përballur me trajtime të diferencuara në vendin e tyre të punës mund të bazohen në dispozitat e përgjithshme të legjislacionit kombëtar në fushën e mosdiskriminimit. Nga vendimet e gjykatave të brendshme dhe të organeve të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të njeriut del se në disa nga këto vende shtetet u sigurojnë personave me HIV mbrojtje kundër pushimit nga puna përmes ndalimit të formave të tjera të diskriminimit, si atij mbi shëndetin ose aftësinë e kufizuar
40. Kështu, për shembull, në Francë, në 6 shtator 2012, Komisioni për trajtim të barabartë (qysh nga tetori 2012, Këshilli i të drejtave të njeriut) ka vënë re se ligji mbi trajtimin e barabartë lidhur me aftësinë e kufizuar ose me sëmundjet kronike nuk e detyronin një punonjës (në këtë rast punonjësi i prekur nga HIV-i në një kafe-restorant) të raportonte për sëmundjen e tij, vetëm nëse kjo ishte e domosdoshme për të kryer punën. Komisioni çmoi kështu se paragjykimi i supozuar i klientelës ndaj një seropozitivi nuk mund të justifikonte përfundimin e kontratës.
41. Në 13 dhjetor 1995, gjykata penale e Pontoise-ës, në Francë, ka dënuar një punëdhënës me pesë muaj burg me kusht dhe 3 000 EUR për dëmet dhe interesat sepse kishte pushuar nga puna për arsye gjoja ekonomike, një nga punonjësit e tij, ndihmësveteriner, seropozitiv.
42. Para se të miratohej në Belgjikë ligji i 10 majit 2007 që synonte të luftonte kundër disa formave të diskriminimit, gjykata e punës e Dendermonde-ës gjykoi, në 5 janar 1998, se një punëdhënës kishte abuzuar me të drejtën e tij dhe kishte pushuar një punonjës për shkak se ishte me HIV.
43. Gjykata federale zvicerane (vendimi ATF 127 III 86) ka pohuar se një pushim i bazuar vetëm në infeksionin nga virusi HIV ishte diskriminues dhe abuziv sipas nenit 336 të kodit të detyrimeve.
44. Në 18 tetor 2004, gjykata e rrethit e Poltava-s, në Ukrainë, e ka dënuar kryeredaktorin e një gazete me një dëmshpërblim që duhet t’ia paguante gazetarit të cilin e kishte pushuar sepse vuante nga HIV-i.
45. Në Kroaci, pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, u amendua Rregullorja e policisë, që parashikonte se një person me HIV nuk mund të bëhej oficer policie ose nuk mund të vazhdonte të ishte i tillë.
46. Në 23 nëntor 2009, Gjykata kushtetuese polake e shpalli jokushtetuese një dispozitë të Rregullores së Ministrisë së Brendshme sipas të cilës një oficer policie me HIV duhej të ishte shpallur automatikisht i paaftë për shërbim.
47. Ne 26 prill 2011, Gjykata e lartë ruse anuloi një dispozitë të Rregullores mbi Aviacionin civil që u ndalonte të sëmurëve me HIV të punonin si pilotë në çdo tip avioni.
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENEVE 8 DHE 14 TË KOMBINUARA TË KONVENTËS.
48. Kërkuesi ankohet për një shkelje të së drejtës për jetë private, duke pretenduar se Gjykata e kasacionit e ka gjykuar të ligjshëm pushimin e tij nga puna të arsyetuar me faktin se ai ishte i prekur me HIV. Ai pretendon gjithashtu se pushimi i tij nga puna ishte diskriminues dhe se arsyeja e dhënë nga Gjykata e kasacionit sipas të cilës pushimi justifikohej me domosdoshmërinë për të ruajtur atmosferën e punës në ndërmarrje nuk mund të shërbente si bazë për një trajtim të diferencuar në përputhje me nenin14. Ai përmend nenet 8 dhe 14 të marrë së bashku në Konventë të cilat lexohen kështu :
Neni 8
« 1. Çdo person ka të drejtë që t’i respektohet jeta e tij private dhe familjare, vendbanimi dhe letërkëmbimi i tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirivetë të tjerëve.
Neni 14
« Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjëdallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, opinionet politike ose çdo opinion tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.. »
A. Argumentet e palëve
1. Qeveria
49. Qeveria pranon se çdo pushim nga puna e një punonjësi ka, pa dyshim, një impakt mbi jetën e tij private. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton që neni 8 të zbatohet. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, pushimi nga puna do të përbënte problem lidhur me nenin 8 vetëm nëse ka pasoja më të mëdha për punonjësin, veçanërisht pamundësinë për të gjetur punë dhe jo thjesht kur ky i fundit humb vendin e punës që kishte. Pushimi nga puna i kërkuesit nuk ka pasur si pasojë përjashtimin e tij nga tregu i punës ( siç ishte rasti në çështjen Sidabras dhe Džiautas kundër Lituanisë nos 55480/00 dhe 59330/00, GJEDNJ 2004‑VIII), as përjashtimin në mënyrë të përgjithshme të të sëmurëve me HIV nga e drejta për punë. Kërkuesi ka gjetur punë pak pas pushimit të tij. Neni 8 mbron marrëdhëniet që të dy palët do të donin të kishin, ndërsa në rastin e kërkuesit, kolegët e tij nuk donin të punonin me të. Së fundi, punëdhënësi i kërkuesit nuk i ka keqpërdorur informacionet që lidhen me gjendjen shëndetësore të këtij të fundit
50. Sipas Qeverisë, kërkuesi nuk ishte viktimë diskriminimi. Punëdhënësi i tij e pushoi nga puna sepse ishte i shqetësuar për të mbrojtur interesat e ndërmarrjes dhe qetësinë në gjirin e saj dhe jo për shkak të ndonjë paragjykimi kundër statusit të tij si i sëmurë me HIV. Fakti që Gjykata e kasacionit e kishte pranuar se pushimi nga puna ishte vendosur mbi këtë bazë nuk do të thotë se ajo ka treguar paragjykim ose anshmëri kundër kërkuesit : motivimi i saj nuk është fokusuar në faktin se kërkuesi është mbartës i virusit HIV. Përveç kësaj, punëdhënësja e kërkuesit nuk u favorizua në Gjykatën e kasacaionit për faktin se ajo nuk ishte mbartëse e këtij virusi.
51. Qeveria, pretendon se gjendja shëndetësore e kërkuesit dhe mbajtja e tij në ndërmarrje nuk ka qenë objekt i një « negocimi » midis punëdhënësit dhe kolegëve të kërkuesit. Punëdhënësi ka provuar të gjejë një zgjidhje që pa vënë në rrezik mbijetesën e ndërmarrjes së tij, të mbante parsysh interesin e kërkuesit. Ai ka shqyrtuar mundësinë për të marrë masa më pak radikale se pushimi nga puna dhe është përpjekur ta ndihmojë duke i propozuar një formim për parukier ose duke e ndihmuar të krijonte një biznes të vetin. Kur të gjitha këto përpjekje dështuan, ai e vuri interesin personal, d.m.th. vazhdimin e funksionimit të mirë të ndërmarrjes, mbi interesin e kërkuesit dhe ka vendosur ta pushojë atë. Punëdhënësi nuk mund t’i injoronte frikërat e punonjësve të tij. Sigurimi i një klime të harmonishme në ndërmarrje nuk përbënte thjesht një të drejtë për punëdhënësin por gjithashtu një detyrim ndaj punonjësve që ai ka punësuar. Fakti se një punëdhënës e ka vënë interesin personal mbi interesin e një prej punonjësve të tij dhe nuk ka reaguar ashtu si do të ishte « e dëshirueshme » - për shembull duke injoruar frikërat e punonjësve të tij- dhe fakti se Gjykata e kasacionit nuk e ka detyruar këtë punëdhënës të bëjë atë çka do të ishte « e dëshirueshme », nuk përbën një shkelje të Konventës.
52. Qeveria nënvizon se vendimet Obst kundër Gjermanisë (no 425/03, 23 shtator 2010) dhe Schlüth kundër Gjermanisë (no 1620/03, GJEDNJ 2010), të përmendura nga kërkuesi, mbështesin sidomos tezën se nuk ka pasur shkelje. Në veçanti, në vendimin e dytë, Gjykata i ka dhënë një peshë të posaçme faktit se pushimi nga puna i kërkuesit rrezikonte t’ia bënte të pamundur gjetjen e një punë tjetër, çka nuk është rasti në këtë çështje. Meqë kërkuesi është punësuar në një ndërmarrje tjetër pak pasi ishte pushuar, ai nuk ka pasur për pasojë stigmatizim ose përjashtim nga jeta profesionale apo shoqërore.
53. Qeveria çmon se duhet dalluar kjo çështje nga çështja Kiyutin kundër Rusisë (no 2700/10, GJEDNJ 2011) në të cilën kufizimet që iu vendosën të drejtave të kërkuesit ishin pasojë e një veprimi të shtetit. Përkundrazi, në këtë çështje, trajtimi diskriminues i pretenduar ishte veprim i një individi dhe Gjykata e kasacionit duhej të shqyrtonte një mosmarrëveshje midis individëve. Përveç kësaj, konsensusi evropian i konstatuar nga Gjykata në vendimin Kiyutin kishte të bënte me qëndrimin e të sëmurëve me HIV në territorin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe jo me shkallën e përgjegjësisë së individëve dhe shkrirjen e përgjegjësisë së tyre me atë të shtetit.
54. Qeveria nënvizon se Gjykata e kasacionit nuk mendon se duheshin marrë parsysh frikërat e kolegëve të kërkuesit dhe të merreshin ata nën mbrojtje. Ky vendim nuk ishte as arbitrar as i i paarsyeshëm, edhe pse mendohet se hapësira e vlerësimit të shtetit është e kufizuar, po të merret parasysh fakti se kërkuesi ishte me HIV. Në këtë rast, rendi juridik grek nuk mund të kërkonte më shumë nga punëdhënësi po të merret parasysh fakti se ky i fundit ishte një individ i thjeshtë, se ishte përpjekur të shmangte pushimin nga puna, të ndihmonte kërkuesin dhe se atmosfera në ndërmarrje ishte veçanërisht armiqësor ndaj këtij të fundit
55. Qeveria arriti në përfundimin se kërkuesi nuk është trajtuar në mënyrë të pafavorshme, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, as nga Gjykata e kasacionit as nga punëdhënësi i tij. Ky i fundit nuk e ka krahasuar gjendjen shëndetësore të kërkuesit me atë të punonjësve të tjerë ; ai e ka marrë vendimin për ta pushuar jo sepse ai ishte seropozitiv, por për të rivendosur paqen në ndërmarrje.
56. Qeveria thotë se neni 8 i marrë veçmas, madje as i kombinuar me nenin 14, madje as Protokolli no 12, nuk i detyron shtetet të bëjnë ligje në favor të punonjësve seropozitivë me qëllim që të ndalojnë pushimin e tyre nga një vend pune që ata kanë në sektorin privat. Të parashikosh një detyrim të tillë do të çonte në një rritje të përgjegjësisë së shtetit për sa i përket marrëdhënieve midis individëve ndërkohë që sipas jurisprudencës së Gjykatës, në këtë fushë, Shtetet kanë një hapësirë të madhe vlerësimi (Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 6339/05, § 77, GJEDNJ 2007‑I).
57. Sigurisht, shtetet nuk janë penguar të bëjnë ligje në këtë drejtim, por kjo gjë nuk mund të konsiderohet si një detyrim që buron nga nenet 8 dhe 14 të Konventës. Shteti grek në parim ka plotësuar detyrimet e tij pozitive për sa i përket të drejtës së punës dhe veçanërisht fushave ku mund të dalin çështje që prekin jetën private të personave të interesuar. Ai i jep një mbrojtje efikase punonjësve me HIV përmes dispozitave të vendosura tashmë të së drejtës së punës, së drejtës civile, të procedurës civile ose dispozita që rregullojnë kategori specifike të të punësuarve (ligji no 2643/1998 e quajtur « mbrojtje për punësimin e personave me aftësi të kufizuara» dhe ligji no 3304/2005 që përfshin direktivën 2000/78/CE të Këshillit të 27 nëntorit 2000 që ka të bëjë me krijimin e një kuadri të përgjithshëm në favor të trajtimit të barabartë në fushën e punësimit dhe të punës).
58. Qeveria nënvizon se, duke përfituar nga dispozitat që lidhen me të drejtën civile dhe të drejtën e punës, kërkuesi i është drejtuar gjykatave civile, që kanë shqyrtuar çështjen e tij sipas procedurës së posaçme për çështjet në kontekstin e punës. Fakti se gjykatat e themelit i kanë dhënë të drejtë atij, tregon se dispozitat e lartpërmendura ofrojnë një kuadrër të mjaftueshëm për mbrojtjen e punonjësve me HIV. Efektiviteti i këtij kuadri juridik nuk mund të vihet në dyshim për shkak të faktit të thjeshtë se gjykata e kasacionit më në fund ka vendosur për këtë çështje në favor të punëdhënësit të kërkuesit.
2. Kërkuesi
59. Duke përfituar nga vendimet Sidabras dhe Džiautas, i lartcituar , Obst dhe Schlüth, i lartcituar, Palomo Sánchez dhe të tjerë kundër Spanjës ([GC], nos 28955/06, 28957/06, 28959/06 et 28964/06, GJEDNJ 2011) dhe Siliadin kundër Francës (no 73316/01, GJEDNJ 2005-VII), kërkuesi pretendon se fakti që ankesa e tij ka të bëjë me rrethanat e pushimit nga puna në parim nuk e përjashton zbatueshmërinë në këtë rast të nenit 8 të Konventës dhe teorinë e detyrimeve pozitive. Rrethanat e faktit tregojnë se qëndrimi i kolegëve të tij dhe i punëdhënësit kanë pasur pasoja mbi jetën e tij private, të cilat nuk mund të quhen të parëndësishme. Ai ka qenë objekt i një stigmatizimi të menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe efektiv nga ana e kolegëve të tij dhe ka qenë trajtuar si një njeri inferior që nuk duhej të kishte më të drejtën për të punuar. Përveç kësaj, punëdhënësi i tij mund dhe duhej të kishte mbajtur një qëndrim të ndryshëm ndaj tij, veçanërisht të këmbëngulte në faktin se seropozitiviteti nuk mund të bëhet shkak për pushim nga puna, në vend që ta bënte këtë sëmundje një çështje që duhej negociuar me punonjësit e tjerë. Kërkuesi nënvizon se ka shprehur dëshirën të ruajë vendin e punës pavarësisht reagimeve armiqsore dhe etiketimit social që i është bërë. Puna është një faktor i rëndësishëm për këdo, për të ruajtur respektin për veten çka është thelbësore për të lidhur marrëdhënie shoqërore dhe private.
60. Kërkuesi i referohet shumë instrumenteve ndërkombëtare të tilla si Rekomandimi no 200 i ONP, Rezoluta 1536 (2007) i APKE, që e përkufizojnë stigmatizimin në mjedisin e punës dhe bëjnë thirrje për një mbrojtje të personave të prekur nga ky virus kundër çdo lloj forme diskriminimi.
61. Kërkuesi pretendon se Gjykata e kasacionit « kishte detyrimin » në rrethanat e rastit, të konstatonte se pushimi nga puna ishte i paligjshëm sepse ishte diskriminues. Ai është trajtuar keq nga kolegët e tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore : nëse nuk do të kishte marë virusin e AIDS-it, kolegët nuk do të kishin kundërshtim të punonin me të dhe punëdhësi nuk do ta kishte pushuar. Nëse në Greqi do të ishte vendosur tashmë se është e ndaluar të pushohet një punonjës me HIV, edhe punonjësit që kanë paragjykime do të ishin të ndërgjegjshëm se nuk do të mund të arrinin pushimin e një personi të tillë, ata nuk do të çrregullonin funksionimin e ndërmarrjes dhe nuk do të përziheshin në jetën profesionale dhe private. Në këtë rast, nuk është e mundur të ndahen arsyet e të punësuarve nga ato të punëdhënësit dhe të pretendohet se pushimi nga puna nuk ishte diskriminues me pretekstin se arsyet e punëdhënësit, të marra veçmas përbënin një shkak të vlefshëm për pushim nga puna.
62. Kërkuesi pretendon se nëse nuk konsiderohet si i paligjshëm pushimi nga puna i një pjesëtari të një grupi vulnerabël sepse kolegët e tij nuk pranojnë të punojnë bashkë me të për shkak të paragjykimeve, kjo çon në diskriminim dhe përjashtim në shkallë të gjerë : personat që kanë paragjykime ndaj të tjerëve për shkak të racës, përkatësisë etnike ose orientimit seksual thjesht mund të mos pranojnë të punojnë me ta dhe punëdhënësit e tyre atëherë do t’i largojnë nga puna. Nëse gjykatat nuk ndërhyjnë, paragjykimet e të tretëve do të kenë për pasojë përjashtimin e anëtarëve të një grupi vulnerabël nga shumica e vendeve të punës në sektorin privat dhe vendosjen e një diskriminimi midis ndërmarrjeve që punësojnë persona që i përkasin këtij grupi dhe personave të tjerë.
63. Kërkuesi pretendon se në këtë rast Gjykata e kasacionit nuk ka vënë në balancë nevojën për të mbrojtur punonjësit me AIDS kundër diskriminimit dhe nevojën e punëdhënësve për të mbrojtur interesat e tyre. Përveç kësaj, vendimi i Gjykatës së kasacionit është shumë i shkurtër dhe nuk e ka shqyrtuar si duhet çështjen e proporcionit të ndërhyrjes.
64. Kërkuesi parashtron se ekzistojnë, në këtë rast, shumë faktorë që do të kishin justifikuar të mendohej - ashtu sikundër Gjykata ka bërë në fakt, në vendimin Kiyutin (të lartcituar, § 63) –, se shteti disponon një hapësirë të ngushtë vlerësimi. Në këtë rast, këta faktorë janë : paragjykimi i pamohueshëm i kolegëve të tij ndaj personave të prekur me HIV ; fakti se këta të fundit bëjnë pjesë në një grup shumë vulnerabël, janë viktimë e trajtimeve diskriminuese sistematike dhe vuajnë nga stigmatizimi, përjashtimi shoqëror dhe margjinalizimi, fakti që statusi i seropozitivëve s’është i njëjtë por shpesh merret si një tregues i preferencave seksuale të të interesuarve. Kur bëhet fjalë për të pushuar një punonjës me HIV, stigmatizimi që vijon është shkatërrues. Të interesuarit nuk i duhet vetëm të përballet me sëmundjen, por edhe me pasojat shkatërruese të pushimit nga puna për shkak të sëmundjes. Ky stigmatizim mund t’ia bëjë të pamundur gjetjen e një pune të re.
65. Kërkuesi citon, përveç kësaj, në mbështetje të tezave të tij, shumë vendime të gjykatave të larta të shumë vendeve që kanë vendosur në favor të seropozitivëve në mjedisin e punës, dhe veçanërisht vendimin Hoffman kundër South African Airways të Gjykatës kushtetuese (paragrafët 36 -38 si më sipër) i cili ka shpallur se paragjykimi kundër kësaj kategorie njerëzish nuk përbën një interes profesional legjitim.
66. Duke shfrytëzuar vendimin Bah kundër Mbretërisë së Bashkuar (no 56328/07, GJEDNJ 2011), kërkuesi pretendon se shtetet duhet të parashtrojnë arsye shumë të forta për të justifikuar një trajtim të diferencuar mbështetur në kushte mjekësore të tilla si sëmundja e AIDS-it. Ashtu siç e ka afirmuar Gjykata në këtë vendim trajtimi i diferencuar i mbështetur në një karakteristikë personale të qenësishme dhe të pandryshueshme duhet arsyetuar në mënyrë më të hollësishme se një trajtim i diferencuar i mbështetur në një karakteristikë që buron nga një zgjdhjeje. Mirëpo sëmundja e AIDS-it është një gjendje që, kur e merr, nuk mund të zhduket.
B. Vlerësimet e Gjykatës
1. Mbi zbatueshmërinë e nenit 8 të kombinuar me nenin 14
67. Lidhur me pyetjen nëse faktet e çështjes lidhen me fushën e zbatueshmërisë së nenit 8, Gjykata kujton se nocioni « jetë private » është një nocion i gjerë, i cili nuk mund të përkufizohet në mënyrë shteruese. Ky nocion mbulon integritetin fizik dhe moral të personit dhe përfshin ndonjëherë aspekte të identitetit fizik dhe shoqëror të një individi, si e drejta e tij për të lidhur dhe zhvilluar marrëdhënie me të tjerët, e drejta për « zhvillim personal » ose e drejta për vetëvendosjen si të tillë (Schüth, lartcituar, § 53).
68. Ashtu si në çështjen Schlüth, kërkuesi nuk ankohet në këtë rast për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të autoriteteve kombëtare që kishte çuar në pushimin e tij nga puna, por ngaqë ato nuk e kishin mbrojtur sferën e tij private kundër ndërhyrjes së punëdhënësit, çka mund të angazhonte përgjegjësinë e Shtetit (shih, mutatis mutandis, Palomo Sanchez dhe të tjerë, i lartpërmendur, § 60).
69. Gjykata ka pasur tashmë rastin të shprehet, në dritën e nenit 8, mbi raste të pushimit të personave të bërë për shkak të aktiviteteve private të tyre (Obst dhe Schlüth, i lartcituar). Po kështu, në një plan tjetër, Gjykata ka vendosur se neni 8 zbatohej në një situatë në të cilën autoritetet nuk pranojnë t’i japin lejeqëndrimi të interesuarit për shkak se është i prekur nga sëmundja HIV (Kiyutin, i lartcituar) ose në një situatë ku të interesuarit ishin ndaluar të punonin në sektorin privat për shkak të profesionit të tyre të mëparshëm (Sidabras dhe Džiautas, i lartcituar).
70. Pra nuk ka asnjë dyshim që çështjet që lidhen me punësimin, si dhe situatat që përfshijnë personat e prekur me HIV hyjnë në fushën e veprimit të jetës private. Nuk mund të ndodhte ndryshe, meqë epidemia e HIV-it nuk mund të konsiderohet vetëm si një problem mjekësor, meqë pasojat e saj ndihen në të gjitha sferat e jetës private.
71. Me qëllim që t’u kthehemi fakteve të çështjes, Gjykata nënvizon se kjo çështje paraqet një veçanti që e dallon nga të gjitha çështjet e cituara më lart : pushimi nga puna e një punonjësi të prekur me HIV. Nuk ka asnjë dyshim se nëse arsyeja e paraqitur për pushimin nga puna të kërkuesit ishte ruajtja e një klime të mirë pune në gjirin e ndërmarrjes, fakti gjenerues ishte shpallja e sëmundjes së tij me HIV. Ky fakt shkaktoi kundërshtimin e kolegëve të tij për të punuar me të- megjithë siguritë e mjekut të ndërmarrjes të ftuar nga punëdhënësi për t’i sqaruar mbi rrugët e transmetimit të sëmundjes- përpjekjet e punëdhënësit për ta bindur që të largohej nga ndërmarrja, dhe më në fund kërcënimin e hapur të punonjësve se do të prishnin funksionimin e ndërmarrjes për sa kohë kërkuesi do të vazhdonte të ishte i pranishëm aty.
72. Është e qartë se pushimi nga puna i kërkuesit çoi në stigmatizimin e një personi i cili, edhe pse ishte mbartës i HIV, nuk kishte shfaqur asnjë simptomë të sëmundjes. Kjo masë mund të kishte vetëm pasoja të rënda mbi personalitetin e tij, mbi respektimin e tij nga të tjerët, dhe në fund të fundit, mbi jetën e tij private. Kësaj i shtohet edhe pasiguria që lidhet me gjetjen e një pune të re, meqë perspektivat për të gjetur një të tillë mund të duken shumë të largëta po të mbahet parasysh eksperienca e mëparshme. Fakti që kërkuesi ka gjetur një punë të re pas pushimit të tij nga puna nuk mjafton për të zhdukur efektin e keq që kanë pasur faktet e kontestuara mbi kapacitetin e tij për të bërë një jetë personale normale.
73. Së fundi, Gjykata kujton se në vendimin Kiyutin të lartpërmendur (§ 57), ajo ka menduar se gjendja shëndetësore e një personi, veçanërisht një problem shëndeti si AIDS-i duhet të konsiderohet si një motiv diskriminimi që lidhet me shprehjen « çdo gjendje tjetër » e përdorur në tekstin e nenit 14 të Konventës si një handikap, madje dhe handikap i mirëfilltë.
74. Këtej rrjedh se nenet 8 dhe 14 të kombinuar të Konventës zbatohen në rrethanat e çështjes.
2. Mbi shqyrtimin e nenit 8 të kombinuar me nenin 14
a) Mbi çështjen nëse kërkuesi gjendet në një situatë analoge me atë të punonjësve të tjerë të ndërmarrjes
75. Sipas jurisprudencës së vendosur nga Gjykata, diskrimin do të thotë të trajtosh ndryshe, me përjashtim të një justifikimi objektiv dhe të arsyeshëm, persona të vendosur në situata analoge ose të krahasueshme (D.H. dhe të tjerë kundër. Republikës çeke [GC], no 57325/00, § 175, GJEDNJ 2007-IV, dhe Burden kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 13378/05, § 60, GJEDNJ 2008).
76. Në cilësinë e punonjësit të ndërmarrjes, kërkuesi mund të shpresonte me të drejtë të vazhdonte të punonte aty për sa kohë nuk kishte bërë ndonjë veprim që sipas legjislacionit të brendshëm të punës mund të justifikonte një pushim nga puna. Sidoqoftë, ai është pushuar pak pasi ishte zbuluar në ndërmarrje se ai vuante nga HIV-i.
77. Gjykata çmon se situata e kërkuesit duhet të krahasohet me atë të punonjësve të tjerë në ndërmarrje sepse kjo situatë është e rëndësishme për të vlerësuar ankesën e bazuar në trajtimin e diferencuar. Është e sigurt se kërkuesi është trajtuar në mënyrë më pak të favorshme se cilido nga kolegët e tij vetëm për arsye të sëmundjes së tij. Gjykata vë në dukje se shqetësimi i punëdhënësit ishte, sigurisht, të rivendoste qetësinë në gjirin e ndërmarrjes, por ky shqetësim ka lindur nga situata e krijuar nga qëndrimi i kolegëve të kërkuesit ndaj sëmundjes së HIV-it që e ka prekur.
b) Mbi çështjen nëse trajtimi i diferencuar për të cilin bëhet fjalë ishte i justifikuar në mënyrë objektive dhe të arsyeshme.
78. Që nga momenti që kërkuesi ka treguar ekzistencën e një trajtimi të diferencuar, i takon qeverisë së paditur të provojë se ky trajtim ishte i justifikuar. Një justifikim i tillë duhet të jetë objektiv dhe i arsyeshëm, d.m.th. se ai duhet të ndjekë një qëllim legjitim dhe se duhet të ketë aty një raport të arsyeshëm proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të ndjekur. Nga ana tjetër, shtetet kontraktuese gëzojnë një hapësirë të caktuar vlerësimi për të përcaktuar nëse dhe në ç’masë ndryshimet midis situatave, që në drejtime të tjera janë të ngjashme, justifikojnë trajtime të ndryshme. Shtrirja e kësaj hapësire vlerësimi ndryshon sipas rrethanave, fushave dhe kontekstit. (Kiyutin, i lartpërmendur, § 62).
79. Në vendimin Kiyutin të përmendur më lart, Gjykata ka pohuar se kur një kufizim i të drejtave themelore zbatohet për grupe veçanërisht vulnerabël të shoqërisë, të cilët kanë vuajtur nga një diskriminim i madh në të kaluarën, hapësira vlerësuese që i është dhënë shtetit reduktohet jashtëzakonisht dhe ky i fundit duhet të ketë arsye shumë të forta për të vendosur kufizimin në fjalë (ibidem, § 63).
80. Personat mbartës të HIV-it janë të detyruar të përballojnë shumë probleme, jo vetëm më natyrë mjekësore, por edhe profesionale, shoqërore, personale dhe psikologjike e sidomos paragjykime nganjëherë të rrënjosura madje edhe te njerëz nga më të shkolluarit.
81. Gjykata e ka pranuar këtë realitet në vendimin e saj Kiyutin të lartpërmendur. Ajo mendon se mosnjohja e mënyrave të përhapjes së kësaj sëmundje ka ushqyer paragjykime që kanë çuar në një stigmatizim dhe mënjanim të mbartësve të këtij virusi. Ajo ka shtuar se nga ky fakt personat që vuajnë nga HIV-i përbëjnë një grup vulnerabël dhe se shtetet kanë një hapësirë vlerësuese të ngushtë për të miratuar masa për t’i rezervuar këtij grupi një trajtim të veçantë të bazuar mbi seropozitivitetin e anëtarëve të grupit. (ibidem, § 64).
82. Për të plotësuar këtë, Gjykata vë në dukje se një studim krahasues i legjislacionit të tridhjetë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, për sa i përket mbrojtjes kundër diskriminimit në vendin e punës që u jepet personave të prekur nga HIV-i, tregon se shtatë shtete kanë miratuar tekste legjislative specifike në këtë drejtim. Gjithsesi, në njëzet e tre shtetet e tjera që nuk kanë parashikuar tekste të tillë, mbartësit e HIV-it që janë përballur me trajtime të diferencuara në vendin e punës mund të mbështeten mbi dispozitat e përgjithshme të legjislacionit kombëtar në fushën e mosdiskriminimit. Nga vendimet e gjykatave kombëtare dhe organeve të tjera të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në disa nga këto shtete del se këto të fundit i mbrojnë personat e prekur me HIV, kundër pushimit nga puna duke i përfshirë në grupe të tjera ku ndalohet diskriminimi për arsye si shëndeti apo handikapi (paragrafi 39 më lart).
83. Pra, del se edhe nëse të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë miratuar një legjislacion specifik në favor të personave që vuajnë nga HIV-i, ka një tendencë të qartë të përgjithshme për të mbrojtur këta persona kundër çdo diskriminimi në vendin e punës përmes dispozitave legjislative më të përgjithshme por të zbatuara nga gjykatat në kuadrin e pushimeve nga puna të personave me HIV, si në funksionin publik ashtu edhe në sektorin privat (paragrafët 40-47 më lart).
84. Nga ana tjetër, Gjykata vëren se dispozitat që lidhen me mosdikriminimin në instrumentet e ndryshme i japin një mbrojtje personave të prekur nga HIV-i. Në këtë kontekst, Komiteti i të drejtave ekonomike, shoqërore dhe kulturore i Kombeve të Bashkuara e ka njohur statusin e personit të prekur me HIV si një nga arsyet e ndaluara për të ushtruar diskriminimin. Përveç kësaj, një numër në rritje i instrumenteve ndërkombëtare specifike parashikojnë dispozita të konceptuara për të sëmurët me AIDS, duke përfshirë veçanërisht ndalimin e diskriminimit në fushën e punësimit, si rekomandimi no 200 i ONP për sa i përket HIV-it dhe AIDS-it në fushën e punës.
85. Duke shqyrtuar faktin e rastit, Gjykata konstaton, nga njëra anë, se punëdhënësi i kërkuesit i ka dhënë fund kontratës së këtij të fundit për shkak të presionit të shkaktuar nga ana e punonjësve të tij dhe se ky presion kishte për origjinë seropozitivitetin e kërkuesit dhe shqetësimin që kjo sëmundje kishte krijuar tek ata. Ajo vë në dukje se, nga ana tjetër, punonjësit e ndërmarrjes ishin informuar nga mjeku se nuk kishte asnjë rrezik infeksioni në kuadrin e marrëdhënieve të punës me kërkuesin.
86. Gjykatat e themelit të cilave kërkuesi u drejtoi ankesën, kanë vënë në balancë, nga njëra anë, domosdoshmërinë për të ruajtur funksionimin e mirë të ndërmarrjes dhe, nga ana tjetër, shpresën e justifikuar të kërkuesit për të qenë i mbrojtur gjatë një periudhe të vështirë për të. Ata kanë bërë që balanca të anojë në favor të kërkuesit. Veçanërisht, gjykata e apelit ka çmuar se kërcënimi për çrregullimin e ndërmarrjes në këtë rast, shkaktuar nga reagimi masiv i punonjësve, bazohej mbi reagime shkencërisht të pajustifikuara. Ajo nënvizoi se nëse sëmundja e një punonjësi nuk kishte pasojë negative mbi marrëdhëniet në punë ose në mirëfunksionimin e ndërmarrjes (duke shkaktuar mungesa ose një ulje të aftësisë për punë, etj.), ajo nuk mund të përdorej si justifikim objektiv për ndërprerjen e kontratës. Nga ana tjetër, për shkak të natyrës së punës së tij, që nuk shkaktonte mbilodhje, kërkuesi nuk rrezikonte që t’i ulej aftësia në punë, sepse gjatë shumë viteve kur një i sëmurë mbetet thjesht një mbartës i HIV-it aftësitë e tij nuk ulen në mënyrë thelbësore. .
87. Në këtë rast, gjykata e apelit ka pranuar shprehimisht se sëmundja e HIV-it që ka prekur kërkuesin nuk kishte pasojë mbi aftësinë e këtij të fundit për të kryer punën e tij dhe nuk linte shkas të parashikohej një ndikim i keq mbi kontratën e tij çka do të kishte justifikuar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj të fundit (paragrafi 19 më lart). Gjykata e apelit ka pranuar gjithashtu edhe se vetë ekzistenca e ndërmarrjes nuk kërcënohej nga presionet e ushtruara nga punonjësit (paragrafi 20 më lart). Nga ana tjetër, paragjykimi i punonjësve i menduar ose i shprehur nuk do të mund të përmendej si pretekst për t’i dhënë fund kontratës së një punonjësi me AIDS. Në raste të tilla, nevoja për të mbrojtur interesat e punëdhënësit duhet të vihet në balancë në mënyrë të kujdesshme, me nevojën për të mbrojtur interesat e punonjësve, të cilët janë pjesa më e dobët në kontratë aq më tepër që ky punonjës është një seropozitiv.
88. Përkundrazi, Gjykata e kasacionit nuk ka vënë në balancë të gjitha interesat që janë në lojë, në mënyrë aq të hollësishme dhe të thelluar siç e ka bërë gjykata e apelit. Me arsyetime disi të shkurtra në krahasim me rëndësinë dhe karakterin e panjohur të problemeve të çështjes, ajo ka afirmuar se pushimi nga puna ishte plotësisht i justifikuar nga interesat e punëdhënësit, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse ai ishte vendosur me qëllim që të kthehej qetësia në ndërmarrje dhe funksionimi i mirë i saj. Nëse Gjykata e kasacionit nuk e ka kontestuar faktin se infeksioni i kërkuesit nuk kishte efekt negativ mbi ekzekutimin e kontratës së tij të punës, ajo e ka bazuar gjithsesi vendimin e saj, për të justifikuar frikërat e punonjësve, në një premisë dukshëm të pasaktë, si p.sh. natyra « ngjitëse » e sëmundjes. Duke bërë këtë, Gjykata e kasacionit i ka dhënë funksionimit të mirë të ndërmarrjes kuptimin që dëshironin t’i jepnin punonjësit duke e identifikuar me perceptimin subjektiv të këtyre të fundit.
89. Gjykata nuk bashkohet me argumentin e Qeverisë sipas të cilit një vendim i Gjykatës së kasacionit në favor të kërkuesit nuk do ta zgjidhte problemin, përderisa punëdhënësi do të duhej paguante koston e turbullirave të zgjatura në ndërmarrje e tij ndërsa kërkuesi do të duhej gjithë kohës të përballej me një mjedis armiqësor. Në fakt, sfida e kërkuesit para Gjykatës së kasacionit kufizohej me dhënien thjesht të një dëmshpërblimi ashtu si kishte vendosur gjykata e apelit, meqë kërkesa fillestare e kërkuesit që synonte ripunësimin e tij në ndërmarrje ishte rrëzuar si nga gjykata e shkallës së parë ashtu edhe nga gjykata e apelit. Nga ana tjetër, Gjykata mendon se nuk mund të spekulohet me faktin se cili do të kishte qenë qëndrimi që do të mbanin punonjësit e ndërmarrjes nëse Gjykata e kasacionit në këtë rast do të kishte konfirmuar vendimin e gjykatave të themelit, dhe aq më tepër, nëse në Greqi do të ekzistonte një legjislacion ose një jurisprudencë e konsoliduar, në mbrojtje të të sëmurëve me AIDS në vendin e punës.
90. Si përfundim, Gjykata mendon se Gjykata e kasacionit nuk e ka parashtruar mjaftueshëm pse interesat e punëdhënsit të kërkuesit dilnin mbi ato të kërkuesit dhe se nuk i ka vënë në balancë të drejtat e të dy palëve në përputhje me Konventën.
91. Nga kjo rrjedh se kërkuesi ka qenë viktimë e një diskriminimi të bazuar në gjendjen e tij shëndetësore, pa marrë parasysh nenin 14 të Konventës të kombinuar me nenin 8. Pra, ka shkelje të këtyre dispozitave.
II. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
92. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të
saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet
vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim
të drejtë palës së dëmtuar.. »
A. Dëmi
93. Kërkuesi kërkon 6 339,18 EUR si dëmshpërblim material, shumë që i korrespondon asaj që i kishte dhënë gjykata e apelit. Ai kërkon gjithashtu interesat duke filluar nga data e vendimit të gjykatës së apelit. Ai kërkon edhe 20 000 EUR për dëmin moral të shkaktuar nga stigmatizimi i tij dhe pushimi diskriminues.
94. Qeveria fton Gjykatën të hedhë poshtë pretendimet për dëmin material sepse ato kanë të bëjnë me një aspekt pasuror të punës dhe jo me të drejtën për respektimin e jetës private të garantuar nga neni 8. Sa për dëmin moral, pretendimi i kërkuesit sipas të cilit ai ka qenë i stigmatizuar dhe i diskriminuar nuk është i bazuar sepse pak pas pushimit të tij nga puna, ai ka gjetur punë përsëri. Nëse Gjykata ka dalë në përfundimin se ka një shkelje të Konventës, konstatimi i shkeljes do të përbënte një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
95. Gjykata kujton se ajo ka vendosur për një shkelje të nenit 14 të kombinuar me nenin 8 për shkak se Gjykata e kasacionit nuk ka vënë në balancë të drejtat e të dy palëve ashtu siç e kërkon Konventa. Ajo konstaton se gjykata e apelit kishte caktuar shumën që do t’i akordohej kërkuesit për pagat e papaguara deri në 6 339,18 EUR, dhe ia akordon këtë shumë si dëmshpërblim material. Ajo çmon gjithashtu se duhet t’i japë atij shumën prej 8 000 EUR për dëm moral.
B. Shenzimet dhe kostot
96. Për shpenzime dhe kosto, kërkuesi kërkon shumën 6 000 EUR që i korrespondon honorareve të dy avokatëve të Gjykatës (60 orë pune me 100 euro ora)
97. Qeveria i ka bërë thirrje Gjykatës të hedhë poshtë kërkesën sepse ajo nuk është e shoqëruar me provat e nevojshme.
98. Sipas jurisprudencës së përhershme të Gjykatës, mbulimi i kostove dhe shpenzimeve sipas nenit 41 presupozon që të provohet vërtetësia e tyre, domosdoshmëria dhe, për më tepër, karakteri i arsyeshëm i përqindjeve të tyre. (Iatridis kundër Greqisë (dëmshpërblim i drejtë) [GC], no 31107/96, § 54, GJEDNJ 2000-XI). Gjykata vëren se pretendimet e kërkuesit për kostot dhe shpenzimet nuk janë të justifikuara si duhet dhe të mbështetura me provat e nevojshme. Është mirë pra të rrëzohet kërkesa e tij.
C. Interesat moratore (e vonuara)
99. Gjykata e gjykon të arsyeshme të përllogarisë përqindjen e interesave moratore sipas përqindjes së interesit të normës margjinale të huadhënies së Bankës qendrore evropiane të rritur me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT,
1. Deklaron se ka pasur shkelje ta nenit 14 të kombinuar me nenin 8 të Konventës ;
2. Deklaron
a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tri muajve duke filluar nga data kur vendimi bëhet i formës së prerë, në përputhje me nenin 44 § 2 të konventës, shumat e mëposhtëme :
i. 6 339,18 EUR (gjashtë mijë e treqind e tridhjetë e nëntë euro dhe tetëmbëdhjetë qindarka), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm material ;
ii. 8 000 EUR (tetë mijë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm moral;
b) se duke filluar nga data e skadimit të këtij afati dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin margjinal të huave afatshkurtra të Bankës Qëndrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, e shtuar me tri pikë ;
3. E rrëzon kërkesën për dëmshpërblim të drejtë për pjesën e mbetur
E hartuar në frëngjisht, më pas e transmetuar me shkrim më 3 tetor 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Søren NielsenIsabelle Berro-Lefèvre
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy