KËSHILLI I EUROPËS
GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I TRETË [1]
ÇËSHTJA BALLIU KUNDËR SHQIPËRISË
(ANKIMI NR.74727/01)
VENDIM
STRASBURG
16 QERSHOR 2005
PËRFUNDIMTAR
30/11/2005
Ky vendim merr formë të prerë në rrethanat e përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen Balliu kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni III), me trup gjykues të përbërë nga:
z. G. RESS, President
z. I. CABRAL BARRETO
z. L. CAFLISCH
z. B.M. ZUPANCIC
z. J. HEDIGAN
z. K. TRAJA
znj. A. GYULUMYAN, gjykatës dhe
z. M. VILLIGER, zëvendësregjistrues i seksionit,
pas shqyrtimit me dyer të mbyllura të çështjes, më 27 maj 2004 dhe më 24 maj 2005, shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u mor në datën e fundit të sipërcituar:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar me ankimin (nr.74727/01) kundër Republikës së Shqipërisë, depozituar në Gjykatë në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetas shqiptar, z.Taulant Balliu (“Ankuesi”), më 3 gusht 2001.
2. Ankuesi, të cilit i ishte garantuar ndihmë ligjore, u përfaqësua nga z. P. Pavarini, avokat që ushtronte profesionin në Torino (Itali). Pala shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti qeveritar z. S. Puto.
3. Ankuesi pretendonte se mungesa e avokatit mbrojtës në gjyq ka cenuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur nëpërmjet ndihmës ligjore. Përveç kësaj, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, ai e kishte të pamundur të pyeste sipas rregullit dëshmitarët që ishin të pranishëm ose të siguronte paraqitjen e dëshmitarëve në emër të tij.
4. Ankimi iu caktua seksionit të tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i rregullores së Gjykatës). Trupi gjykues që do të shqyrtonte çështjen në këtë seksion (neni 27 § 1 i Konventës) përbëhej siç parashikohej në nenin 26 § 1 të rregullores.
5. Me vendim të datës 30 shtator 2004, pas një seance mbi pranueshmërinë dhe themelin (Neni 54 § 3 i rregullores), Gjykata deklaroi pranimin e ankesës.
6. Si Ankuesi dhe Qeveria paraqitën vërejtje mbi themelin (Neni 59 § 1). Pasi trupi gjykues, në konsultim me palët mori vendim se nuk ishte i nevojshëm caktimi i një seance dëgjimore për themelin (Neni 59 § 3 i rregullores in fine), palët iu përgjigjën me shkrim vëzhgimeve të njëra- tjetrës.
7. Më 1 nëntor 2004 Gjykata ndryshoi përbërjen e seksioneve (Neni 25 § 1 i rregullores), por çështja iu la trupit gjykues, me përbërje si në seksionin III të lartpërmendur.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Ankuesi ka lindur në 1971 dhe është aktualisht duke vuajtur dënimin me burgim në burgun e Peqinit në Shqipëri.
Gjatë procedimeve penale kundër bandave të armatosura që vepronin gjatë trazirave politike në Shqipëri nga marsi deri në shtator 1997, prokuroria e rrethit gjyqësor Elbasan akuzoi ankuesin si organizator të bandës së armatosur, të njohur si “Banda Kateshi”. Banda e stërvitur si komando ushtarake, synonte të merrte hakun për vrasjen e anëtarëve të bandës në konflikte me bandat e tjera dhe financohej duke i zhvatur para biznesmenëve të ndryshëm në atë zonë.
A. Procedimet penale
Në 1999 ankuesi u akuzua para Gjykatës së Rrethit Durrës për pesë vepra penale për vrasje, dy për tentativë vrasje, një për mbajtje armësh ushtarake dhe një për krijim dhe pjesëmarrje në bandat e armatosura.
Avokati i ankuesit, z. Leli, ishte i pranishëm në seancat publike para gjykatës më 25 qershor 1999, 13 shtator 1999 dhe 10 dhjetor 1999. Megjithatë, gjatë periudhës nga data 10 dhjetor 1999 deri më 15 shkurt 2000, avokati nuk i siguroi ndihmë ligjore, dhe ankuesit nuk iu caktua kryesisht një avokat. Ankuesi parashtroi se në seancat e asaj periudhe, prokuroria kishte thirrur dëshmitarë kundër tij, kishte marrë në pyetje dëshmitarët që ishin të pranishëm dhe kishte paraqitur prova të tjera kundër tij. Avokati i ankuesit kishte thirrur dy dëshmitarë në favor të ankuesit, por ata nuk u paraqitën në gjyq.
Sipas pretendimeve të ankuesit, asnjë avokat mbrojtës nuk i ka ofruar atij ndihmë ligjore gjatë kësaj faze, në të cilën palët kanë bërë parashtrimet e tyre përfundimtare. Në këtë kontekst, siç është pasqyruar edhe në procesverbalin e seancave gjyqësore, avokati i ankuesit ka munguar në seancë pa arsye dhe ankuesi ka refuzuar të paraqesë vetë parashtrimet e tij përfundimtare të mbrojtjes. Në një rast të tillë, kërkuesi është ankuar dhe i ka kërkuar gjykatës t’i caktojë atij kryesisht një avokat mbrojtës, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas parashtrimeve të shtetit shqiptar, seancat e gjykatës së shkallës së parë zgjatën shtatë muaj dhe u organizuan 21 seanca gjyqësore. Seancat gjyqësore ishin shtyrë në shumë raste si rezultat i mungesës së pajustifikuar të avokatëve, veçanërisht të avokatit mbrojtës të ankuesit. Ky i fundit mungonte gjatë shtatë seancave gjyqësore të njëpasnjëshme, pa dhënë asnjë arsye.
Në tërësi, në të vërtetë ishin zhvilluar vetëm njëmbëdhjetë seanca, kurse dhjetë të tjera ishin shtyrë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës. Kështu, gjykata vendosi caktimin e znj. Meta si avokate mbrojtëse, e cila ishte e pranishme në seancën që u zhvillua më 28 janar 2000. Megjithatë, ankuesi refuzoi të mbrohej nga një avokat që nuk ishte zgjedhur prej tij. Për këtë arsye, gjykata e shkarkoi avokatin mbrojtës të caktuar kryesisht prej saj dhe vazhdoi procedimin në prani të ankuesit, por pa avokat mbrojtës.
Me anë të letrës të datës 13 dhjetor 1999, Gjykata e Rrethit Durrës informoi Ministrin e Drejtësisë, midis të tjerash, për një moskorrektesë nga ana e avokatit mbrojtës të ankuesit dhe i kërkonte atij të ndërhynte në çështje. Megjithatë, nuk u mor asnjë masë disiplinore ndaj z. Leli nga Dhoma e Avokatisë, Tiranë.
Më 15 shkurt 2000, gjykata e rrethit Durrës e shpalli fajtor ankuesin dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Më 21 shkurt 2000, ankuesi depozitoi ankimin pranë Gjykatës së Apelit Durrës kundër vendimit të dhënë më 15 shkurt 2000. Ai pretendonte se gjatë gjykimit në Gjykatën e Rrethit, atij i ishte mohuar e drejta për një gjykim të drejtë, sepse nuk kishte pasur ndihmë ligjore nga një avokat mbrojtës gjatë dy muajve të parë të gjykimit. Një avokat i tillë do të kishte bërë të mundur përgatitjen e mbrojtjes së tij dhe do të kishte thirrur dëshmitarë në mbrojtje të tij. Ai pretendonte se nuk kishte pasur avokat mbrojtës as në paraqitjen e kërkesave të tij përfundimtare. Ai gjithashtu pretendonte se kishte qenë jashtë shtetit gjatë kohës kur ishin kryer disa nga krimet për të cilat ai ishte akuzuar, duke paraqitur dhe vula doganore të vendosura në pasaportën e tij për të provuar se ai ishte larguar jashtë vendit. Në apelimin e tij, ankuesi nuk kërkoi marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë.
Më 19 prill 2000, Gjykata e Apelit la në fuqi, vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 15 shkurt 2000, duke bërë disa ndryshime lidhur me dënimet e dhëna për disa nga veprat penale. Këto ndryshime nuk ndryshuan vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Më 19 maj 2000, ankuesi depozitoi ankimin në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij kushtetuese, duke qenë se i ishte mohuar e drejta për të pasur një përfaqësues ligjor gjatë procedimit. Ai ankohej veçanërisht se megjithëse nuk kishte pasur përfaqësim të duhur, gjykata e rrethit kishte proceduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve kundër tij dhe kishte marrë në konsideratë dhe prova të tjera.
Më 7 dhjetor 2000, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit mbi bazën e arsyeve të mëposhtme:
“Shkeljet e paraqitura nga ankimuesi ishin njohur dhe ndrequr nga Gjykata e Apelit, pa pasur ndonjë ndikim thelbësor në përmbajtjen e vendimit të shkallës së parë. Gjatë periudhës së paraburgimit, ashtu dhe gjatë procesit gjyqësor, të paditurit i ishte ofruar ndihmë ligjore. Gjykata arsyetonte se mungesa e pajustifikuar e avokatit mbrojtës, në marrëveshje me të paditurin, për të shtyrë gjyqin nuk mund të sillte si pasojë pavlefshmërinë absolute të një vendimi të gjykatës së rrethit.”
B. Procedimet në Gjykatën Kushtetuese
Më pas, ankuesi, mbështetur në nenin 131 (f) të Kushtetutës, depozitoi një ankim pranë Gjykatës Kushtetuese. Më 19 prill 2001, Gjykata Kushtetuese, në përputhje me nenin 31 të ligjit nr.8577 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” , datë 10 shkurt 2000, vendosi de plano të deklarojë ankimin të papranueshëm si “jashtë juridiksionit të saj”.
II. LEGJISLACIONI I BRENDSHËM PËRKATËS
A. Kushtetuta
Dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Shqipërisë parashikojnë:
Neni 31
“Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:
...
ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
d) t’u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
Neni 42
“1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. ”
B. Kodi i Procedurës Penale
23. Sa më sipër, Kodi Shqiptar i Procedurës Penale parashikon:
Neni 49
Mbrojtësi i caktuar
“...
5. “Kur kërkohet prania e mbrojtësit dhe mbrojtësi i zgjedhur ose i caktuar nuk është siguruar, nuk është paraqitur ose e ka lënë mbrojtjen, gjykata ose prokurori cakton si zëvendësues një mbrojtës tjetër, i cili ushtron të drejtat dhe merr përsipër detyrimet e mbrojtësit.”
LIGJI
SHKELJE TË PRETENDUARA TË NENIT 6 § § 1 DHE 3 (c) DHE (d) TË KONVENTËS
24. Ankuesi pretendon se bazuar në nenin 6 § § 1 dhe 3 (c) dhe (d) të Konventës, i është mohuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, duke qenë se nuk është mbrojtur si duhet me ndihmë ligjore dhe nuk ka qenë në gjendje të pyesë disa dëshmitarë ose të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve në mbrojtje të tij.
Pjesët përkatëse nga neni 6 i Konventës vijojnë si më poshtë:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht …nga një gjykatë e pavarur …,e cila do të vendosë … për bazueshmërinë e çdo akuze të natyrës penale që i është drejtuar.
3. Çdo i akuzuar ka, së paku, të drejtat e mëposhtme:
c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij dhe, në qoftë se ai nuk ka mjete për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas nga një avokat i caktuar, kryesisht kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës.
25. Gjykata fillimisht rithekson se kërkesat e paragrafit 3 (c) dhe (d) të nenit 6 duhet të shihen si aspekte të veçanta të së drejtës për një gjykim të drejtë proces të rregullt ligjor, të garantuara nga paragrafi 1. Për këtë arsye, Gjykata e konsideron të arsyeshëm shqyrtimin e pretendimeve të ankuesit lidhur me paragrafin 3, së bashku me parimet themelore të paragrafit 1 (shih, midis të tjerash, Artico v Italy, vendimi i 13 majit 1980, Seria A, nr.37, fq. 15, § 32, dhe Van Geyseghem v Belgium [GC], nr.26103/95, § 27, ECHR 1999-I). Në tërësi, Gjykata do të shqyrtojë nëse procedimet në tërësinë e tyre kanë qenë të drejta.
A. Shkelja e pretenduar e nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c)
1. Parashtrimet e palëve
26. Së pari ankuesi pretendoi se në procedimin penal kundër tij, ai nuk është përfaqësuar në mënyrën e duhur nga një avokat, siç kërkohet nga neni 6 §§ 1 dhe 3 (c) i Konventës. Kjo do të kishte qenë mjaft e rëndësishme në lidhje me kompleksitetin e çështjes dhe shkallën e ashpërsisë së dënimit.
27. Ankuesi vërejti se ishte e qartë, si nga parashtrimet e autoriteteve shtetërore, ashtu edhe nga dokumentet e dosjes, se avokati i tij nuk e ka përfaqësuar atë si duhet gjatë pjesëve më të rëndësishme të procedimit para Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Durrësit. Pavarësisht nga shkaqet për mungesën e mbrojtësit të tij, asnjë masë disiplinore nuk është marrë nga autoriteti kompetent në lidhje me sjelljen e tij të papërgjegjshme.
28. Më 26 nëntor 2004, ankuesi depozitoi në Gjykatë dy deklarata të bëra para një noteri në Durrës, më 4 korrik 2003, në të cilat z. Leli, mbrojtësi i tij dhe znj. Meta, avokatja e caktuar kryesisht, deklaruan se Gjykata e Rrethit të Durrësit nuk kishte arritur t’i siguronte ankuesit ndihmën e nevojshme ligjore. Përveç kësaj, z. Leli pohoi se Gjykata e Rrethit e kishte shkarkuar atë nga mbrojtja e ankuesit gjatë procedimit në shkallën e parë dhe se ai ishte kërcënuar nga persona të panjohur.
29. Autoritetet shtetërore nuk pranuan pretendimet e ankuesit. Ata pretendonin se që nga koha e fillimit të hetimit, dhe veçanërisht në gjykim, ankuesi kishte pasur çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, dhe veçanërisht për të qenë i përfaqësuar nga një avokat. Kështu, pavarësisht nga mungesa e vazhdueshme dhe e pajustifikuar e avokatit të tij, gjykata e rrethit e shtyu seancën disa herë, duke i dhënë avokatit mundësinë për të qenë i pranishëm. Përveç kësaj, gjykata e rrethit i caktoi ankuesit një avokat sipas skemës së ndihmës ligjore. Kur ky i fundit u paraqit më 28 janar 2000, ankuesi deklaroi se dëshironte të kishte avokatin e tij dhe nuk pranoi një avokat tjetër të caktuar nga gjykata.
30. Në parashtrimet e autoriteteve shtetërore, vendimi i gjykatës së rrethit për të vazhduar seancat, pavarësisht nga mungesa ose prania e përfaqësuesit ligjor të ankuesit, nuk cenon të drejtat kushtetuese të ankuesit. Në fakt, e drejta e ankuesit për t’u mbrojtur nëpërmjet ndihmës ligjore, ishte siguruar madje edhe gjatë seancave para Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, në të cilat ai ishte përfaqësuar nga i njëjti avokat.
31. Në lidhje me deklaratat e ankuesit, të paraqitura më 26 nëntor 2004, Qeveria pohoi se në dosjen e gjykatës së rrethit nuk kishte të dhëna që gjykata e rrethit kishte shkarkuar avokatin mbrojtës të ankuesit.
2. Vlerësimi i Gjykatës
32. Gjykata rithekson se si parim i përgjithshëm, bazuar në nocionin e një gjykimi të drejtë, një personi të akuzuar për një vepër penale, i cili nuk dëshiron të mbrohet vetë, duhet t’i jepet mundësia për të pasur ndihmë ligjore nëpërmjet një mbrojtësi të zgjedhur prej tij. Nëse ai nuk ka burime të mjaftueshme për të përballuar këtë ndihmë, Konventa i njeh të drejtën që ta ketë këtë ndihmë falas kur e kërkojnë interesat e drejtësisë (shih Campbell and Fell v.the United Kingdom, vendim i 28 qershorit 1984, Seritë A, nr.80, fq 45, § 99 dhe Pakelli v. Germany, vendimi 25 prillit 1983, Seritë A, nr.64, fq. 15,§ 31).
33. Duke pasur parasysh qëllimin e Konventës, për mbrojtjen e të drejtave që janë praktike dhe efektive, Gjykata ka konstatuar në mënyrë të vazhdueshme që, ndërsa shtetet nuk mund të jenë përgjegjëse për çdo të metë të avokatëve të caktuar për ndihmë ligjore, në rrethana të veçanta të çështjes autoritetet kompetente duhet të marrin masa për të siguruar që ankuesit të gëzojnë efektivisht të drejtën që u njihet. (shih Artico v. Italy, vendim i 13 majit 1980, Seritë A, nr.37, fq. 18, § 36).
34. Në rastin në fjalë, Gjykata duhet të përcaktojë nëse shteti mban përgjegjësi për neglizhimin e avokatit të zgjedhur nga ankuesi, për të përmbushur detyrën e tij, në shkelje të të drejtave të akuzuarit sipas Konventës.
35. Gjykata vëren gjithashtu se në këtë rast, kur ankuesi nuk dëshironte të mbrohej vetë dhe kur avokati i zgjedhur prej tij nuk e përmbushi detyrën, autoritetet shqiptare kishin në dispozicion disa mundësi. Ato mund të siguronin që z. Leli, avokati i zgjedhur i ankuesit të përmbushte detyrën e tij, ose mund ta zëvendësonin atë me një avokat të caktuar kryesisht. Megjithatë, ishte e pamundur, duke marrë parasysh pavarësinë e Dhomës së Avokatisë, për ta detyruar mbrojtësin e ankuesit për të vepruar. Për më tepër, Ankuesi nuk pranoi të mbrohej nga një avokat i caktuar kryesisht. Kështu, gjykata e rrethit zgjodhi një mundësi të tretë, atë të shtyrjes së seancave dhe procedimit në mungesë të avokatit, por në prani të ankuesit.
36. Gjykata vëren më tej se ankuesi nuk e informoi asnjëherë Gjykatën e Rrethit të Durrësit për mungesën e përfaqësuesit të tij dhe as të avokatit të caktuar kryesisht. Ai gjithashtu nuk kërkoi ndonjë avokat tjetër.
37. Në këto rrethana, Gjykata vëren se autoritetet e përmbushën në nivel të mjaftueshëm detyrimin e tyre për të siguruar ndihmë ligjore, si duke shtyrë seancat, për t’i dhënë avokatit të ankuesit mundësi për të përmbushur detyrën e tij, ashtu dhe duke caktuar një avokat sipas skemës së ndihmës ligjore.
38. Duke pasur parasysh gjithashtu detyrimin e autoriteteve sipas nenit 6 § 1 të Konventës për të përfunduar procesin “brenda një afati të arsyeshëm”, rrethanat e përfaqësimit të ankuesit gjatë gjykimit të tij nuk cenojnë të drejtën për sigurimin e ndihmës ligjore, siç kërkohet nga neni 6 § 3 (c) i Konventës, ose mohim të gjykimit të drejtë, sipas paragrafit 1 të këtij neni.
B. Shkelja e pretenduar e nenit 6 §§ 1 dhe 3 (d)
1.Parashtrimet e palëve
39. Ankuesi u ankua gjithashtu se nuk iu dha mundësia të pyeteshin disa dëshmitarë, siç kërkohet nga neni 6 §§ 1 dhe 3 (d) i Konventës.
40. Në veçanti, Gjykata e Rrethit nuk ka dështuar në respektimin e dispozitave të ligjit të brendshëm, i cili, sipas pikëpamjes së ankuesit kërkonte thirrjen e dëshmitarëve në emër të tij. Përveç kësaj, ai nuk pranoi deklarimet e autoriteteve shtetërore rreth mundësisë për të thirrur dëshmitarë gjatë procedimeve para Gjykatës së Apelit. Ai argumentoi se qëndrimi i papërshtatshëm i avokatit të tij gjatë procesit në shkallën e parë ka vazhduar edhe gjatë procesit para Gjykatës së Apelit.
41. Autoritetet shtetërore argumentuan se mosparaqitja e dëshmitarëve të mbrojtjes në një kohë kur mbrojtja kishte dashur që ata të jepnin prova para Gjykatës së Rrethit, nuk ishte përgjegjësi e gjykatës. Në mënyrë të veçantë, ankuesi kishte zgjedhur me paramendim si pjesë të strategjisë së tij të mbrojtjes, të rrinte pasiv dhe të mos ushtronte të drejtat e tij sipas Konventës. Në të vërtetë, gjykimi, në tërësi, ka qenë i drejtë, siç kërkohet nga ligji dhe Konventa dhe ankuesi ka pasur në të vërtetë mundësinë për të ushtruar të drejtat e tij gjatë procedimeve.
2.Vlerësimi i Gjykatës
42. Gjykata rithekson se pranimi i provave rregullohet kryesisht nga rregullat e legjislacionit të brendshëm dhe se, si rregull, janë gjykatat kombëtare që duhet të vlerësojnë provat para tyre. Detyra e institucioneve të Konventës është të sigurojë që procesi në tërësinë e tij, përfshirë dhe mënyrën sesi janë marrë provat, të ketë qenë i rregullt. Si rregull, këto të drejta kërkojnë që të akuzuarit t’i jepet mundësia e nevojshme dhe e përshtatshme për të kundërshtuar dhe pyetur një dëshmitar kundër tij, qoftë në momentin kur ai bën deklaratat, ose dhe në një fazë të mëvonshme të procedimeve (shih Saïdi v France, vendim i 20 shtatorit 1993, seritë A nr.261 –C, fq. 56 § 43, dhe A.M. v. Italy, nr. 37019/97, § 25, ECHR 1999 –IX).
43. Rrjedhimisht, në rastin konkret duhet të përcaktohej nëse ankuesit i ishte ofruar mundësia e duhur për të ushtruar të drejtat e tij për t’u mbrojtur, brenda kuptimit të nenit 6 të Konventës, në lidhje me provat e dhëna nga dëshmitarët.
44. Në seancat gjyqësore në gjykatën e rrethit të Durrësit, si ankuesi, edhe mbrojtësi i tij, u përballën me dëshmitarët e akuzës, patën mundësinë që t’iu bënin atyre pyetje, edhe pse preferuan të mos e bënin këtë: avokati i ankuesit duke munguar, ndërsa ankuesi duke heshtur.
45. Në këtë mënyrë, nuk mund të thuhet se autoritetet nuk vepruan në përputhje me detyrën e tyre sipas nenit 6 §§ 1 dhe 3 (d), për t’i siguruar ankuesit mundësinë e duhur për të pyetur dëshmitarët në gjykim.
C. Përfundimi
46. Në përfundim, Gjykata çmon se në tërësi procesi penal kundër ankuesit nuk mund të konsiderohet si i parregullt. Kështu, nuk ka shkelje të nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c) në lidhje me ndihmën ligjore të marrë nga ankuesi, veçanërisht gjatë gjykimit të shkallës së parë para gjykatës së rrethit, Durrës. Gjithashtu, nuk ka pasur shkelje të të drejtave të ankuesit sipas nenit 6 § 3 (d) të Konventës, përsa i përket mundësisë për të pyetur dëshmitarët në proces.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT
Çmon se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c) dhe (d) të Konventës.
Bërë në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 16 qershor 2005, sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores së Gjykatës.
Mark VilligerGeorg Ress
Zëvendësregjistrues President
[1] Në përbërjen e tij para datës 1 nëntor 2004.
Full & Egal Universal Law Academy