© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ҪËSHTJA BATTISTA kundër ITALISË
(Kërkesë no43978/09)
VENDIM
STRASBURG
2 dhjetor 2014
Ky vendim do të bëhet përfundimtar sipas kushteve të përcaktuara nga neni 44 § 2 i Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në çështjen Battista kundër Italisë,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i dytë), të mbledhur në një dhomë të përbërë nga :
IşılKarakaş, kryetare,
Guido Raimondi,
AndrásSajó,
Nebojša Vučinić,
Helen Keller,
EgidijusKūris,
Robert Spano, gjyqtarë,
dhe de Abel Campos, ndihmërsekretar,
Pasi diskutuan në dhomën e këshillit në 4 nëntor 2014,
Dha vendimin si më poshtë, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Ҫështja nis me një kërkesë (no 43978/09) të drejtuar kundër Republikës italiane, kur një shtetas i këtij vendi, Z. Alessandro Battista (« kërkuesi »), i është drejtuar Gjykatës në 6 gusht 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi është përfaqësuar nga Z.A Battista, avokat në Napoli. Qeveria italiana (« Qeveria ») është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znj. E. Spatafora.
3. Në 11 prill 2011, kërkesa i është përcjellë Qeverisë.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
4. Kërkuesi, Z. Alessandro Battista, është një shtetas italian që ka lindur në 1967 dhe banon në Napoli.
5. Në fillim të çështjes, ai ishte në procedurë ndarjeje faktike me gruan e tij (D.L.), dhe kujdestaria e dy fëmijëve (G.L. dhe M.T.) të çiftit i ishte dhënë përkohësisht të dy prindërve së bashku.
6. Në 29 gusht 2007, kërkuesi i kërkoi gjykatësit të tutelës një pasaportë të re ku të ishte shënuar emri i të birit G.L. Ish bashkëshortja e kundërshtoi këtë duke pretenduar se kërkuesi nuk paguante pensionin ushqimor të caktuar nga kryetari i gjykatës në ndarjen e çiftit.
7. Me një dekret të 18 shtator 2007, gjykatësi i tutelës e rrëzoi kërkesën e kërkuesit, duke vlerësuar se nuk ishte e përshtatshme të lëshohej një pasaportë duke marrë parasysh të drejtën e fëmijëve për të marrë pension ushqimor. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se kërkuesi, që duhej të derdhte një pension ushqimor prej 600 eurosh, nuk jepte veçse një pjesë të vogël (shuma që shkonin nga 45 euro deri në 90 euro dhe se kishte rrezik që në rast udhëtimi jashtë shtetit ai t’i shmangej plotësisht këtij detyrimi.
8. Me një vendim të 26 tetorit 2007, gjykatësi i tutelës urdhëroi që shënimi i emrit të M.T. të fshihej nga pasaporta e kërkuesit.
9. Në 31 tetor 2007, komisari i policisë (questore) i Napolit e urdhëroi kërkuesin të depozitonte pasaportën në komisariat dhe e bëri të pavlefshme kartën e tij të identitetit të përdorshme për jashtë shtetit.
10. Kërkuesi kundërshtoi vendimin e gjykatësit të tutelës para gjykatës së Napolit. Ai pretendonte :
– se sipas urdhërimeve të kryetarit të gjykatës gjatë ndarjes faktike, fëmijët duhej t’i kalonin pushimet e verës nga 10 deri 26 gusht me të ; se në këtë optikë, ai kishte dashur t’i çonte në Siçili me avion ; por për këtë duhej që emrat e dy fëmijëve të shkruheshin në pasaportën e tij ;
– se për shkak të kundërshtimit të ish bashkëshortes së tij dhe të dekretit të gjykatësit të tutelës, ai vetë dhe fëmijët e tij nuk kshin ikur dot me pushime ;
– se emrat e fëmijëve ishin shënuar në pasaportën e nënës së tyre ;
– se rrëzimi i kërkesës përbënte një sanksion të paparashikuar nga ligji.
11. Në 7 shkurt 2008, kërkuesi i kërkoi gjykatësit të tutelës së Napolit t’i lëshonte një pasaportë të re, duke i shpjeguar se ish bashkëshortja e tij kishte mbajtur në banesën e tyre familjare kartën e tij të identitetit si dhe pasaportën e tij.
12. Me një dekret të 29 shkurtit 2008, gjykatësi i tutelës së Napolit e rrëzoi kërkesën me arsyen se ai nuk e kishte shlyer pensionin ushqimor për fëmijët e tij dhe se kishte rrezik që kërkuesi të nisej jashtë shtetit për t’i shpëtuar plotësisht detyrimit të tij.
Kërkuesi e kundërshtoi gjithashtu këtë vendim para gjykatës së Napolit, duke pretenduar për një cenim të së drejtës së tij për qarkullim të lirë.
13. Me një vendim të 5 shkurtit 2009, gjykata e Napolit i bashkoi ankesat dhe e rrëzoi. Gjykata nënvizoi, së pari, se baza ligjore e vendimit të gjykatësit të tutelës ishte ligji i 21 nëntorit 1967 (no 1185), ashtu si u ndryshua nga ligji no 3 i 2003-shit (ligji mbi pasaportat).
14. Gjykata mendoi se gjykatësi i tutelës e kishte kompetencën të shprehej mbi kërkesën për pasaportë të kërkuesit dhe mbi futjen e emrit të të birit. Sa për ligjshmërinë e ankesës, gjykata nënvizoi se kërkuesi nuk e paguante detyrimin që kishte në ngarkim si pension familjar dhe se kjo hipotezë përbënte një nga arsyet ligjore të refuzimit të lëshimit të pasaportës në interes të fëmijëve, sipas nenit 12 të ligjit mbi pasaportat.
15. Në 4 nëntor 2008, D.L. u dënua për të paguar një gjobë prej 100 euro (EUR) për mos-paraqitjen e fëmijëve te kërkuesi.
16. Me një dekret të 8 prillit 2009-ës, gjykatësi i tutelës i lëshoi D.L me kërkesë të saj një pasaportë me emrat e fëmijëve.
17. Në 21 gusht 2012, kërkuesi i kërkoi gjykatësit të tutelës të Napolit t’i lëshonte pasaporta individuale fëmijëve të tij në zbatim të dekretit legjislativ no 135 të vitit 2009.
18. D.L. e kundërshtoi, duke pretenduar se pasaportat nuk ishin të nevojshme për fëmijët, se kërkuesi nuk e kishte shlyer detyrimin e tij ushqimor qysh prej 2007-ës dhe se madje një procedurë penale për këtë gjë ishte ende në vazhdim.
19. Me një vendim të 3 tetorit 2012, gjykatësi i tutelës e hodhi poshtë kërkesën e kërkuesit. Ai mendoi se procedura e ndarjes midis kërkuesit dhe D.L. ishte ende në vazhdim dhe se në dritën e konsideratave të shprehura nga D.L. e cila kishte kujdestarinë e fëmijëve, duhej shtyrë çdo lëshim pasaporte për fëmijë. Kërkuesi nuk e apeloi këtë vendim.
II. E DREJTA E BRENDSHME DHE NDËRKOBËTARE PËRKATËSE
20. Ligji i 21 nëntorir 1967 (no 1185), ashtu si u ndryshua nga ligji no 3 i 2003-shit, parashikon :
Neni 3
Pasaporta nuk mund të lëshohet:
a) për fëmijë që, duke qenë nën autoritetin prindëror, nuk kanë miratimin e prindërve, ose në mungesë të tij, autorizimin e gjykatësit të tutelës ;
b) për prindër që kanë fëmijë të mitur dhe nuk kanë autorizimin e gjykatësit të tutelës. Ky autorizim nuk është i nevojshëm nëse jepet miratimi nga prindi tjetër ose nëse një nga dy prindërit ka kujdestarinë ekskluzive të fëmijëve (...).
Neni 12
Pasaporta mund të merret mbrapsht kur personi gjendet jashtë shtetit dhe nuk është në gjendje të provojë shlyerjen e pensionit familjar të caktuar me vendimin e autoritetit gjyqësor në favor të fëmijëve të mitur (...).
21. Në praktikë, ekzistojnë dy përjashtime, ku lëshimi i pasaportës pranohet : kur i interesuari ka provuar se e ka të domosdoshëm kurimin jashtë shtetit ; dhe kur duhet të shkojë jashtë për arsye pune.
22. Dekreti legjislativ no 135 i 2009 ka futur detyrimin për fëmijët e mitur që të mbajnë një pasaportë individuale. Kështu, qysh prej 25 nëntorit 2009, nuk është më e mundur të shënohen të miturit në pasaportat e prindërve. Shënimet e bëra para kësaj date mbeten të vlefshme sipas modaliteteve të parashikuara nga legjislacioni që ka qenë atëherë në fuqi. Kohëzgjatja e vlefshmërisë së pasaportës për fëmijët e mitur ndryshon në funksion të moshës : 3 vjet për fëmijët zero deri ne tre vjeç ; 5 vjet për fëmijët tre deri në tetëmbëdhjetë vjeç.
23. Regullorja (CE) no 4/2009 e 18 dhjetorit 2008 lidhur me kompetencën, ligjin e zbatueshëm, njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve dhe bashkëpunimin në fushën e detyrimeve ushqimore propozon një seri masash që synojnë të lehtësojnë pagesën e detyrimit ushqimor në situatat transkufitare.
24. Konventa e Hagës e 23 nëntorit 2007 për rivendosjen ndërkombëtare të detyrimit ushqimor për fëmijët dhe për anëtarët e tjerë të familjes vendos një sistem bashkëpunimi administrativ midis autoriteteve të shteteve kontraktuese dhe një regjim njohjeje dhe ekzekutimi të vendimeve dhe marrëveshjeve në fushën e detyrimeve ushqimore.
25. Konventa e Nju Jorkut mbi rivendosjen jashtë shtetit të detyrimeve ushqimore u miratua dhe u hap për nënshkrim në 20 qershor 1956 nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi detyrimet ushqimore e thirrur në bazë të rezolutës 572 (XIX) të këshillit ekonomik dhe shoqëror të Shteteve të Bashkuara, të miratuar në 17 maj 1955.
PËRSHKRIMI I TË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 2TË PROTOKOLLIT No4 NË Konventë
26. Kërkuesi ankohet për një cenim të jetës private dhe lirisë së qarkullimit. Në veçanti, ai parashtron se asnjë normë nuk e ndalon një prind që nuk do të paguante pensionin ushqimor të ketë një pasaportë dhe të shënojë në të emrin e fëmijëve të tij.
Ai përmend nenin 2 të Protokollit no 4 në Konventë, të formuluar kështu :
« 1. Cilido që gjendet rregullisht në territorin e një shteti ka të drejtë të qarkullojë aty lirisht dhe të zgjedhë lirisht rezidencën e tij.
2. Ҫdo person është i lirë të largohet nga cilido vend, kuptuar këtu edhe vendin e tij.
3. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund të jetë objekt i kufizimeve të tjera përveç atyre që të parashikuara nga ligji, përbëjnë masa të domosdoshme, në një shoqëri demokratike, për sigurinë kombëtare, për sigurinë publike, ruajtjen e rendit publik, për parandalimin e shkeljeve penale, për mbrojtjen e shëndetit dhe moralit ose për mbrojtjen e e të drejtave dhe lirive të tjetrit.
4. Të drejtat e njohura në paragrafin 1 mund gjithashtu, në disa zona të përcaktuara, të bëhen objekt i kufizimeve që, të parashikuara nga ligji, justifikohen nga interesi publik në një shoqëri demokratike. »
A. Mbi pranueshmërinë
28. Gjykata konstaton se kjo ankesë nuk është qartësisht e pa bazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Madje ajo nënvizon se ajo nuk bie ndesh me asnjë arsye tjetër pranueshmërie. Pra, është mirë të deklarohet e pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Tezat e palëve
29. Kërkuesi pohon se nuk ka asnjë bazë ligjore për refuzimin e autoriteteve për t’i lëshuar një pasaportë. Në veçanti, ai vë në dukje se nuk ka qenë kurrë i dënuar për shkelje të detyrimeve për ndihmë familjare, violazione degli obblighi di assistenza familiare, shkelje e ndëshkuar nga neni 570 i kodit penal) dhe se asnjë gjykatë nuk e ka dënuar për mospagesë të pensionit ushqimor. Për më tepër, ai pohon se ka një gjendje gjyqësore të pastër (i padënuar).
30. Qeveria kujton se neni 16 i Kushtetutës parashikon se liria e qytetarit për të dalë nga territori i Republikës i nënshtrohet respektimit të detyrimeve të parashikuara nga ligji.
31. Ajo nënvizon më pas se ndërhyrja në të drejtën e kërkuesit parashikohet shprehimisht nga ligji, d.m.th. neni 3 a) dhe b) i ligjit no 1185 të 1967-ës, dhe shpjegon se ai ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve : bëhet fjalë për të siguruar se kërkuesi paguan pensionin e tij ushqimor dhe për të parandaluar kryerjen e një shkeljeje. Për Qeverinë, kjo ndërhyrje i përgjigjet kriterit të « domosdoshmërisë në një shoqëri demokratike », veçanërisht në dritën e jurisprudencës së Gjykatës në fushën e borxheve të papaguara.
32. Në këtë drejtim, Qeveria kujton se gjykata e Napolit ka vendosur t’ia transmetojë vendimin e saj të 22 tetorit 2008 prokurorit të Republikës për të verifikuar nëse mund të hapet një hetim gjyqësor për shkelje të detyrimeve të ndihmës familjare (violazione degli obblighi di assistenza familiare), shkelje e dënuar nga neni 570 i kodit penal.
33. Qeveria nënvizon se Gjykata kushtetuese, në vendimin 0464 të vitit 1997, ka pohuar se thelbi i nenit në fjalë, pra i ligjit no 1185 të 1967-ës është « të garantojë se prindi përmbush detyrimet e tij ndaj fëmijëve ».
Ajo shton se, sipas jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit, vendimi i gjykatësit të tutelës në këtë fushë, paraqet një masë të gjykimit pa palë kundërshtare” (d.m.th. që nuk synon të rregullojë në mënyrë përfundimtare një konflikt midis të drejtave subjektive të prindërve).
34. Qeveria vë në dukje jurisprudencën e Gjykatës që ka të bëjë me kufizimet e lirisë së qarkullimit në situata kur ka procese penale në rrugë e sipër, falimentime ose shkelje të detyrimeve që lidhen me shërbimin ushtarak.
2. Vlerësimi i Gjykatës
35. Gjykata vëren së pari se kjo çështje ngre një problem të ri, përderisa nuk ka pasur ende rastin të merret me masa që kufizojnë lirinë për t’u larguar nga një vend për shkak të ekzistencës së borxheve ndaj një të treti, borxhe të rëndësishme, si detyrimet ushqimore.
36. Në çështjet e mëparshme të shqyrtuara në këndvështrimin e nenit 2 të Protokollit no 4, Gjykata ose ai që ishte dikur Komisioni evropian i të drejtave të njeriut janë interesuar për ndalime të tilla, të bëra për shembull në kontekstin :
– e një procedure penale në vazhdim (Schmidt kundër Austrisë, no 10670/83, vendim i Komisionit të 9 korrikut 1985, Vendime dhe raporte (DR) 44, f. 195 ; Baumann kundër Francës, no 33592/96, GJEDNJ 2001‑V ; Földes dhe Földesné Hajlik kundër Hungarisë, no 41463/02, GJEDNJ 2006‑XII ; Sissanis kundër Rumanisë, no 23468/02, 25 janar 2007 ; Bessenyei kundër Hungarisë, no 37509/06, 21 tetor 2008 ; A.E. kundër Polonisë, no 14480/04, 31 mars 2009 ; Iordan Iordanov dhe të tjerë kundër Bullgarisë, no 23530/02, 2 korrik 2009 ; Makedonski kundër Bullgarisë, no 36036/04, 20 janar 2011 ; Pfeifer kundër Bullgarisë, no 24733/04, 17 shkurt 2011 ; Prescher kundër Bullgarisë, no 6767/04, 7 qershor 2011 ; dhe Miażdżyk kundër Polonisë, no 23592/07, 24 janar 2012) ;
– e ekzekutimit të një dënimi (M. kundër Gjermanisë, no 10307/83, vendimi i Komisionit të 6 mars 1984, DR 37, fq. 113) ;
– e dënimit të të interesuarit për një vepër penale, për sa kohë që nuk i është njohur pafajësia (Nalbantski kundër Bullgarisë,no 30943/04, 10 shkurt 2011) ;
– e një procedure falimentimi në vazhdim Luordo kundër Italisë, no 32190/96, GJEDNJ 2003‑IX) ;
– e një refuzimi për të paguar një gjobë doganore (Napijalo kundër Kroacisë no 66485/01, 13 nëntor 2003) ;
– e mosshlyerjes së një takse (Riener kundër Bullgarisë, no 46343/99, 23 maj 2006) ;
– e mosshlyerjes së një borxhi të vendosur me vendim gjyqësor ndaj një huadhënësi privat (Ignatov kundër Bullgarisë, no 50/02, 2 korrik 2009, dhe Gochev kundër Bullgarisë, no 34383/03, 26 nëntor 2009 ; Khlyustov kundër Rusisë, no 28975/05, 11 korrik 2013) ;
– e njohjes së “sekreteve të shtetit” (Bartik kundër Rusisë no 55565/00, CEDH 2006‑XV) ;
– e mospërmbushjes së detyrimeve të shërbimit ushtarak (Peltonen kundër Finlandës, no 19583/92, vendimi Komisionit të 20 shkurt 1995, DR 80‑A, p. 38, dhe Marangos kundër Qipros, no 31106/96, vendim i Komisionit të 20 majit 1997, i papublikuar) ;
– e sëmundjes mendore të të interesuarit, shoqëruar me mungesën e mekanizmit që mundëson kujdesin adekuat në shtetin ku shkon (Nordblad kundër Suedisë, no 19076/91, vendimi Komisionit të 13 tetorit 1993, i papublikuar) ;
– e një vendimi gjyqësor që ndalon të marrësh me vete një fëmi të mitur jashtë shtetit (Roldan Texeira dhe të tjerë kundër Italisë (vend.), no 40655/98, 26 tetor 2000, dhe Diamante e Pelliccioni kundër San-Marinos, no 32250/08, 27 shtator 2011) ;
– e ndalimit që i bëhet një bullgari për të dalë jashtë territorit kombëtar gjatë dy vjetëve sepse ka shkelur ligjet e Shteteve të Bashkuara në fushën e emigrimit (Stamose kundër Bullgarisë, no 29713/05, GJEDNJ 2012).
Gjykata vëren se pavarësisht ndryshimeve midis këtyre çështjeve dhe çështjes në fjalë, këtu zbatohen të njëjtat parime.
37. Neni 2 § 2 i Protokollit no 4 i garanton çdo individi të drejtën për t’u larguar nga çdo vend për të shkuar në çfarëdo vendi që mund të zgjedhë dhe ku mund ta pranojnë. Kundërshtimi për t’i lëshuar një pasaportë kërkuesit dhe anulimi i kartës së tij të identitetit për udhëtimet jashtë shtetit nga gjykatat e brendshme konsiderohen shkelje të kësaj të drejte (shih vendimin e lartcituar Peltonen, f. 43, dhe vendimet e lartcituar Baumann, §§ 62-63, Napijalo, §§ 69-73, dhe Nalbantski, § 61). Pra, është mirë të përcaktojmë nëse ky cenim ishte « parashikuar nga ligji », duke ndjekur një ose shumë qëllime legjitime të përcaktuara në nenin 2 § 3 të Protokollit no 4, dhe nëse ai është « i domosdoshëm në një shoqëri demokratike » për realizimin e këtij apo këtyre qëllimeve.
38. Për sa i përket ligjshmërisë së kësaj mase, Gjykata nënvizon jurisprudencën e saj të përhershme sipas të cilës shprehja « parashikuar nga ligji » jo vetëm imponon që masa e kontestuar të ketë një bazë në të drejtën e brendshme, por synon gjithashtu cilësinë e ligjit në fjalë : ky ligj duhet të jetë i kuptueshëm për palën ndërgjyqëse dhe i parashikueshëm për sa i përket pasojave të tij (Rotaru kundër Rumanisë [GC], no 28341/95, § 52, GJDNJ 2000-V). Me qëllim që ligji të plotësojë kushtin e parashikueshmërisë, ai duhet të shprehë si duhet me saktësi kushtet në të cilat një masë mund të zbatohet, dhe kjo për t’u lejuar individëve të interesuar të rregullojnë sjelljen e tyre duke u rrethuar në rast nevoje nga këshilla të arsyeshme.
39. Ashtu si nënvizon Qeveria, ndërhyrja mbështetet në nenin 12 të ligjit mbi pasaportat të 21 nëntorit 1967 (no 1185), ashtu siç është ndryshuar nga ligji no 3 i 2003-shit, në lidhje me faktin se kërkuesi nuk shlyente pensionin ushqimor që duhej të paguante kundrejt fëmijëve të tij. Ndërhyrja kishte, pra, qartësisht një bazë ligjore në të drejtën e brendshme. Në këtë drejtim, Gjykata nënvizon gjithashtu se Gjykata kushtetuese, në vendimin e saj no0464 të 1997-ës, ka afirmuar se thelbi i nenit në fjalë i ligjit no 1185 të 1967-ës është të « garantojë se prindi përmbush detyrimet e tij kundrejt fëmijëve ».
40. Gjykata nënvizon gjithashtu se imponimi i kësaj mase synon të garantojë interesat e fëmijëve të kërkuesit dhe se ajo ndjek në parim një objektiv legjitim mbrojtës së të drejtave të tjetrit - në këtë rast, të drejtat e fëmijëve që duhet të merrnin pensionin ushqimor.
41. Për sa i përket proporcionalitetit të një kufizimi të diktuar për arsye të borxheve të papaguara, Gjykata kujton se një masë e tillë justifikohet vetëm për aq kohë sa ajo synon objektivin e ndjekur për të garantuar rikuperimin e borxheve në fjalë (Napijalo, i lartpërmendur, §§ 78 deri 82). Nga ana tjetër, edhe sikur të justifikohet në fillim, një masë që kufizon lirinë e qarkullimit të një individi mund të bëhet e çproporcionuar dhe të shkelë të drejtat e këtij individi nëse ajo zgjatet automatikisht për shumë kohë (Luordo,i lartcituar, § 96, dhe Földes e Földesné Hajlik, i lartcituar, § 35)
42. Në çdo rrethanë, autoritet e brendshme kanë detyrimin të kujdesen që çdo cenim ndaj së drejtës së një individi për t’u larguar nga vendi i tij qysh në fillim ose gjatë gjithë kohëzgjatjes, të jetë i justifikuar dhe i proporcionuar për sa u përket rrethanave. Ato nuk mund të zgjasin shumë veprimin e masave që kufizojnë lirinë e qarkullimit të një individi pa rishqyrtuar periodikisht nëse ato janë të justifikuara (Riener, i lartcituar, § 124, dhe Földes e FöldesnéHajlik, i lartcituar, § 35). Ky kontroll duhet të sigurohet normalisht, të paktën në instancë të fundit, nga pushteti gjyqësor, sepse ai ofron garancitë e pavarësisë, paanshmërisë dhe rregullsisë të procedurave (Sissanis kundër Rumanisë, no 23468/02, § 70, 25 janar 2007). Shtrirja e kontrollit juridiksional duhet t’i lejojë gjykatës të mbajë parasysh të gjithë elementet, përfshi këtu ato që lidhen me proporcionalitetin e masës kufizuese (shih, mutatis mutandis, Le Compte, Van Leuven dhe De Meyere kundër Belgjikës, 23 qershor 1981, § 60, seria A no 43).
43. Duke iu kthyer rrethanave të rastit, Gjykata vëren se kërkuesi nuk ka pasaportë, as kartë identiteti të vlefshme për jashtë shtetit qysh prej 2008-ës. Ajo nënvizon se kërkuesit i është refuzuar lëshimi i një pasaporte dhe një karte identiteti të vlefshme për jashtë shtetit për shkak të mospagimit të pensionit ushqimor. Gjykatat e brendshme (paragrafët 11-12 më lart) kanë nënvizuar se kërkuesi nuk e kishte shlyer pensionin ushqimor që duhej të paguante për fëmijët e tij dhe se ekzistonte rreziku që të mos paguante kur të shkonte jashtë shtetit.
44. Siç del nga dosja dhe veçanërisht nga vendimet e gjykatave kombëtare përkatëse, gjykatat e brendshme nuk e kanë gjykuar të nevojshme të shqyrtojnë situatën personale të të interesuarit, as aftësinë e tij për të shlyer shumat e duhura dhe e kanë zbatuar masën e kontestuar në mënyrë automatike. Në këtë rast, asnjë balancim i të drejtave në fjalë nuk është bërë. Por janë marrë në konsideratë vetëm interesat pasurore të përfituesve të pensionit ushqimor.
45. Nga ana tjetër, Gjykata konstaton se çështja e mbulimit të detyrimeve ushqimore përbën objektin e një bashkëpunimi në fushën civile në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Ajo vë në dukje se ekzistojnë mjete që mund të sigurojnë mbulimin e shumës së detyrimeve jashtë kufijve kombëtarë, veçanërisht Rregullorja (CE) no 4/2009 e Këshillit e 18 dhjetorit 2008 lidhur me kompetencën, ligjin e zbatueshëm, njohjen dhe zbatimin e vendimeve dhe bashkëpunimin në fushën e detyrimeve ushqimore, Konventën e Hagës së 23 nëntorit 2007 rivendosjen ndërkombëtare të shumës së pensioneve ushqimore të destinuara për fëmijët dhe anëtarët e familjes dhe Konventën e Nju Jorkut mbi rivendosjen e detyrimeve së pensioneve ushqimore jashtë shtetit. Këto instrumente nuk janë marrë parasysh nga autoritetet në momentin e zbatimit të masës së kontestuar. Ato janë kufizuar duke nënvizuar se kërkuesi mund të shkonte jashtë shtetit me pasaportën e tij dhe t’i shmangej kështu detyrimit të tij.
46. Për më tepër, Gjykata nënvizon se në rastin e çështjes, kufizimi që i imponohet kërkuesit nuk e garanton pagesën e pensionit ushqimor.
47. Gjykata çmon, pra, se i interesuari i është nënshtruar një mase me karakter automatik, pa asnjë kufizim për sa i përket rëndësisë dhe kohëzgjatjes së saj (Riener, lartcituar, § 127). Përveç kësaj, gjykatat e brendshme, nuk kanë kryer asnjë rishqyrtim për justifikimin dhe proporcionalitetin e masës ndaj rrethanave të çështjes qysh prej vitit 2008.
48. Në dritën e asaj që thuhet më lart, Gjykata mendon se imponimi automatik i një mase të tillë, për një kohëzgjatje të pacaktuar, pa marrë parasysh rrethanat e vetë të interesuarit, nuk mund të cilësohet e domosdoshme për një shoqëri demokratike.
49. Pra, ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit no 4 të Konventës.
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
50. Kërkuesi pretendon se moslëshimi i pasaportës përbën një cenim të të drejtës së tij për jetë private si parashikohet në neni 8 të Konventës, të formuluar kështu :
« 1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe
familjare, banesës dhe korrespondencës së tij..
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësatë drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose
moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.. »
51. Gjykata vë në dukje se kjo ankesë, ashtu siç është paraqitur nga kërkuesi, lidhet ngushtë me atë të bazuar në nenin 2 të Protokollit no 4, të shqyrtuar më lart, dhe duhet, pra, të shpallet e pranueshme.
52. Duke marrë parasysh përfundimet në të cilat ka arritur më lart, (paragrafët 48 dhe 49 më lart), Gjykata nuk e gjykon të nevojshme ta shqyrtojë veçmas.
III. MBI SHKELJET E TJERA TË PRETENDUARA
53. Kërkuesi pretendon një injorim të nenit 5 të Protokollit no 7 për shkak se nëna e fëmijëve të tij ka përfituar një trajtim preferencial sepse, ndryshe nga ai, ajo ka arritur të fusë emrat e fëmijëve në pasaportën e saj.
54. Gjykata nënvizon së pari se kjo ankesë nuk është e argumentuar. Për sa kohë ankesa ngre një çështje të ndryshme nga ajo e shqyrtuar më lart, Gjykata, bazuar në kompetencën e saj për të njohur pretendime të shprehura qartë, nuk vë në dukje asnjë shfaqje të shkeljes së të drejtave dhe lirive të garantuara nga Konventa. Prandaj, ajo e shpall këtë ankesë të papranueshme.
IV. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
55. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose
të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së
Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme,
Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë
palës së dëmtuar.. »
A. Dëmi
56. Kërkuesi kërkon 30 000 euro (EUR) për dëmin moral që ai mendon se i është shkaktuar atij dhe fëmijëve të tij për shkak të pamundësisë për të shkuar jashtë shtetit.
57. Qeveria e kundërshton këtë pretendim. Ajo mendon se shuma e kërkuar sidoqoftë është e ekzagjeruar dhe jo në pajtueshmëri me parametrat e vlerësimit të Gjykatës.
58. Gjykata mendon se është e arsyeshme t’i jepet kërkuesit shuma prej 5 000 EUR për dëmin moral.
B. Shpenzime dhe pagesa
59. Pa dokumente mbështetëse, kërkuesi kërkon gjithashtu 20 000 EUR për shpenzime dhe pagesa të kryera pranë gjykatave kombëtare dhe Gjykatës.
60. Qeveria e konsideron këtë shumë të tepruar dhe pretendon se kërkuesi nuk ka provuar se shpenzimet dhe pagesat e pretenduara ishin të domosdoshme dhe të arsyeshme.
61. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues mund të marrë rimbursim të shpenzimeve dhe pagesave vetëm kur provohet vërtetësia, domosdoshmëria dhe karakteri i arsyeshëm i normës së tyre. Në këtë rast, Gjykata vëren se kërkuesi nuk ka paraqitur dokumentet mbështetëse për kërkesën e tij dhe vendos të mos ia akordojë këtë shumë.
C. Interesa të vonuara (moratore)
62. Gjykata e sheh të arsyeshme të llogarisë përqindjen e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës Qendrore Evropiane, përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Shpalli njëzëri, se kërkesa është e pranueshme për sa i përket ankesave të bazuara në nenin 2 të Protokollit no 4 dhe nenin 8 të Konventës,
2. Shpalli, me shumicë, se kërkesa është e papranueshme për pjesën e mbetur ;
3. Deklaron, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 2 të protokollit no 4 të Konventës ;
4. Deklaron, njëzëri, se nuk është e arsyeshme të shqyrtohet ankesa e bazuar në nenin 8 të Konventës ;
5. Deklaron, njëzëri,
a) se shteti i paditur duhet t’i derdhë kërkuesit, për dëm moral, brenda tri muajve duke filluar nga dita kur vendimi është bërë i formës së prerë, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, 5 000 EUR (pesë mijë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë,
b) se duke filluar nga data e skadimit të afatit dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës Qendrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë ;
6. Rrëzon, me gjashtë vota pro dhe një votë kundë, kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën e mbetur.
Hartuar në frëngjisht, më pas transmetuar me shkrim më 2 dhjetor 2014, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Abel CamposIşılKarakaş
Ndihmës/sekretarPresident
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores së Gjykatës, deklarata e mospajtimit e gjyqtarit Kūris.
A.I.K.
A.C.
DEKLARATA E MOSPAJTIMIT TË GJYQTARIT KŪRIS
Unë kam votuar kundër pikave 2 dhe 6 të formulimit final të këtij vendimi. Mendoj se çështja e trajtuar në paragrafët 53 dhe 54 të vendimit do të meritonin të shqyrtoheshin në këndvështrimin e nenit 5 të Protokollit no 7 të Konvetës. Për rrjedhojë, kjo pjesë e kërkesës do të duhej të deklarohej e pranueshme.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy