BAZORKINA kundër RUSISË
(kërkesa nr. 69481/01)
27 korrik 2006
kjo çështje ka të bëjë me një problem të rëndë dhe të përsëritur, atë të zhdukjes së personave në Çeçeni pa pasur asnjë akt ose vendim formal mbi fatin e tyre, dhe me përgjegjësinë që kanë autoritetet shtetërore në raste të tilla
I.Faktet kryesore
1.Kërkuesja, Fatima Sergeyevna Bazorkina, është një shtetase ruse e cila ka lindur në vitin 1938 dhe jeton në Ingusheti, Rusi. Ajo u ankua në emër të saj dhe në emër të djalit të saj, Khadzhi-Murat Yandiyev, i lindur më 27 gusht 1975. Kërkuesja pretendonte se në gusht 1999 djali i saj kishte shkuar në Grozni, Çeçeni, dhe që atëherë ajo nuk kishte asnjë lajm prej tij. Në vjeshtë 1999 në Çeçeni filloi një konflikt mes një pjese të popullsisë lokale dhe autoriteteve ruse. Më 2 shkurt 2000, kërkuesja e kishte parë djalin e saj në një program televiziv lajmesh duke u marrë në pyetje nga një oficer rus në lidhje me sulmin e fshatit Alkhan-Kala. Ajo më vonë mori një kopje të plotë të regjistrimit, të bërë nga një gazetar për NTV (një televizion i pavarur rus) dhe CNN. Në fund të marrjes në pyetje të djalit të kërkueses oficeri rus i urdhëroi ushtarët "vriteni" dhe "qëllojeni". Gazetarët e CNN që kishin filmuar këtë ngjarje, identifikuan më vonë se oficerin rus ishte Kolonel-Gjenerali Baranov, komandant i trupave që vunë nën kontroll Alkhan-Kala.
2.Menjëherë pas 2 shkurtit 2000, kërkuesja filloi të kërkonte djalin e saj, duke vizituar rajonet e policisë dhe burgjet si dhe duke iu drejtuar autoriteteve të ndryshme. Në gusht 2000, ajo u informua se i biri nuk mbahej në asnjë burg rus. Në nëntor 2000, një prokuror ushtarak vendosi që të mos niste një hetim penal në lidhje me zhdukjen e Z. Yandiyev. Në prill 2001, kërkuesja paraqiti kërkesën në Gjykatën e Strasburgut në lidhje me zhdukjen e djalit të saj në rrethana të panjohura, ndërsa në korrik 2001, zyra e Prokurorit në Çeçeni nisi një hetim mbi rrëmbimin e Z. Yandiyev nga persona të paidentifikuar. Pasi Gjykata e konsideroi të pranueshme kërkesën, Qeveria ruse dorëzoi në gjykatë një kopje të dosjes hetimore.
3.Hetimi përcaktonte se djali i kërkueses ishte ndaluar në 2 shkurt 2000 në Alkhan-Kala. Menjëherë pas arrestimit, ai u ishte dorëzuar funksionarëve të Ministrisë së Drejtësisë për t’u çuar në një qendër paraburgimi. Z. Yandiyev nuk ishte çuar në asnjë qendër paraburgimi dhe vendndodhja e tij e mëvonshme nuk dihej. Kolonel-Gjenerali Baranov u mor dy herë në pyetje në lidhje me ngjarjet dhe deklaroi se ai nuk kishte dhënë ndonjë urdhër për ta "qëlluar" Z. Yandiyev, por se ai kishte për qëllim për të ndaluar sjelljen e tij agresive dhe për të parandaluar trazirat e mundshme. Në mes të korrikut të vitit 2001 dhe në shkurt të vitit 2006, hetimi u shty dhe u rinis gjashtë herë. Shumica e dokumenteve në dosjen e kësaj çështje datonin pas dhjetorit 2003. Disa herë prokurorët i kishin urdhëruar hetuesit të merrnin hapa të caktuara në lidhje me hetimin. Në mënyrë të veçantë, në dhjetor 2003, një prokuror, duke theksuar se nuk kishte pasur asnjë hetim të vërtetë, urdhëroi që të merreshin masa për të identifikuar repartet e forcave federale ruse që mund të ishin të përfshirë në operacionin special në Alkhan-Kala në fillim të shkurtit të vitit 2000 dhe për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur me personat e ndaluar.
II. Vendimi i Gjykatës
4.Kërkuesja pretendonte se djali i saj ishte i keqtrajtuar dhe vrarë nga forcat federale ruse dhe se asnjë hetim efektiv nuk ishte bërë mbi rrethanat e keqtrajtimit të tij dhe "zhdukjes". Ajo pretendonte gjithashtu se ajo vetë kishte vuajtur nga ankthi dhe shqetësimet emocionale në lidhje me "zhdukjen" e djalit të saj. Ajo mbështetej në nenet 2, 3, 5, 6, 8 dhe 13 të Konventës.
A.Në lidhje me nenin 2
i. mbi vdekjen e supozuar të Z. Yandiyev
5.Gjykata kujton se personat e ndaluar janë në një pozitë shumë të brishtë dhe se autoritetet kishin për detyrë që t’i mbronin ata. Detyrimi i autoriteteve për të dhënë llogari për trajtimin e një individi të ndaluar ishte veçanërisht i fortë kur ai individ ka vdekur ose është zhdukur pasi është vendosur në paraburgim. Gjykata vërejti se ishte e pakundërshtueshme se Z. Yandiyev është arrestuar gjatë një operacioni kundër terrorizmit në fshatin Alkhan-Kala më 2 shkurt 2000. Më tej, ajo mbajti parasysh videokasetat dhe deklaratat e shumta të dëshmitarëve, të përfshira në dosjen hetimore, të cilat konfirmonin se ai ishte marrë në pyetje nga një oficer i lartë ushtarak i cili, në fund të marrjes në pyetje, kishte thënë se ai duhej ekzekutuar, dhe që nga ajo datë nuk kishte më asnjë lajm për të birin e kërkueses. Në mungesë të ndonjë shpjegimi bindës nga Qeveria Ruse, dhe duke pasur parasysh se asnjë informacion nuk kishte dalë në dritë në lidhje me vendndodhjen e tij për më shumë se gjashtë vjet, Gjykata u bind se Z. Yandiyev duhet të konsiderohej i vdekur pasi ishte vendosur jo-zyrtarisht në paraburgim. Duke mbajtur parasysh se autoritetet nuk paraqitën asnjë justifikim në lidhje me përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga ana e ushtarëve rusë, rezultonte se përgjegjësia i takonte Qeverisë Ruse. Prandaj, Gjykata konstatoi se ka pasur shkelje të nenit 2.
ii.pamjaftueshmëria e hetimit
6.Gjykata vuri në dukje se hetimi mbi këto ngjarje filloi një vit e pesë muaj pasi ato ndodhën dhe u pengua nga vonesa të pashpjegueshme. Për më tepër, Gjykatës i rezultonte se shumica e veprimeve të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve kishin ndodhur vetëm pas dhjetorit 2003, kur ankimi i kërkueses iu komunikua Qeverisë Ruse. Gjykata vuri në dukje një numër të mangësish të rënda, duke përfshirë, në veçanti, mungesën e identifikimit ose marrjes në pyetje të disa ushtarakëve që mbikëqyrnin të burgosurit. Shumë nga këto mangësi ishin vënë në dukje edhe nga prokurorët, të cilët kishin urdhëruar marrjen e disa hapave. Megjithatë, udhëzimet e tyre ose nuk u ndoqën ose u ndoqën me vonesa të papranueshme. Në dritën e këtyre rrethanave, Gjykata konstatoi se autoritetet dështuan të kryenin një hetim penal efektiv mbi rrethanat e zhdukjes dhe vdekjes së supozuar të Z. Yandiyev dhe konstatoi se ka pasur shkelje të nenit 2.
B.Në lidhje me nenin 3
7.Përsa i përket ankesës së kërkueses mbi vuajtjet e vetë asaj për shkak të zhdukjes së djalit të saj, Gjykata vërejti se kërkuesja ishte e ëma e Z. Yandiyev, dhe se kishte parë djalin e saj në video duke u marrë në pyetje dhe duke u marrë prej tyre pasi ishin dhënë urdhra që linin të kuptohej se ai do ekzekutohej. Për më tepër, pavarësisht kërkesave të saj, kërkueses nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim apo informacion i besueshëm mbi atë se çfarë ndodhi me djalin e saj pas arrestimit. Gjykata vlerësoi se për shkak të këtyre fakteve kërkuesja ka vuajtur nga stresi dhe ankthi. Ajo vlerësoi gjithashtu se mënyra sesi ishin trajtuar ankesat e saj nga autoritetet mund të konsiderohet se përbënte trajtim çnjerëzor. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 3.
C.Në lidhje me nenin 5
8.Gjykata vuri re se edhe pse ishte e qartë se djali i kërkueses u arrestua më 2 shkurt 2000 nga autoritetet federale, ndalimi i tij nuk ishte i regjistruar në regjistrat përkatës të arrestimeve dhe se nuk ekzistonte asnjë gjurmë zyrtare e vendndodhjes apo fatit të tij të mëvonshëm. Gjykata vlerësoi se ky fakt në vetvete ishte një mangësi tepër e rëndë që u kishte mundësuar personave përgjegjës për heqjen e lirisë ta fshihnin përfshirjen e tyre në krim, të mbulonin gjurmët dhe t’i shpëtonin përgjegjësisë për fatin e një të arrestuari. Ky fakt në vetvete ishte i papajtueshëm me vetë qëllimin e nenit 5. Gjykata vlerësoi më tej se autoritetet nuk arritën të marrin masa të menjëhershme dhe efektive për të mbrojtur Z. Yandiyev kundër rrezikut të zhdukjes. Prandaj, ajo konstatoi se Z. Yandiyev u mbajt i ndaluar në mënyrë sekrete, në mungesë të plotë të garancive të parashikuara në nenin 5 dhe se për këto arsye ka pasur shkelje të së drejtës për liri dhe siguri të personit, të garantuar nga kjo dispozitë.
D.Në lidhje me nenin 13
9.Duke u mbështetur në konstatimet e saj në lidhje me nenet 2 dhe 3, Gjykata konstatoi se kërkuesja duhet të kishte qenë në gjendje të përdorte mjete juridike efektive dhe praktike të tilla që të mund të çonin në identifikimin dhe dënimin e atyre që ishin përgjegjës dhe në dhënien e një kompensimi. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se hetimi penale nuk kishte qenë efektiv, Gjykata konstatoi se autoritetet shtetërore kishin dështuar në respektimin e detyrimeve të tyre sipas nenit 13.
E.Në lidhje me nenet 6, 8, 34 dhe 38
10. Gjykata konstatoi se nuk kishte asnjë problem të veçantë që ngrihej në këtë çështje në bazë të neneve 6 dhe 8, dhe se Qeveria Ruse nuk kishte dështuar të respektonte detyrimet e saj sipas neneve 34 dhe 38 § 1 (a).
F.Në lidhje me nenin 41
11. Gjykata i akordoi kërkueses 35,000 euro për dëmin jopasuror dhe 12,241 euro për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy