BIJELIC kundër MALIT TË ZI dhe SERBISË
(kërkesa nr. 11890/05)
28 prill 2009
kjo çështje ka të bëjë me vijueshmërinë e detyrimit të shteteve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në rast të shkëputjes nga një shtet që e ka ratifikuar më parë Konventën
I.Faktet Kryesore
1. Kërkuesja e parë, i dyti dhe i treti kanë lindur më 1950, 1973 dhe 1971 dhe aktualisht jetojnë në Beograd.
2.Kërkuesja e parë, burri i saj dhe dy kërkuesit e tjerë zotëronin një kontrate qiradhënieje për një apartament në Podgoricë në Mal të Zi, ku ata jetonin.
3.Në vitin 1989 kërkuesja e parë dhe burri i saj u divorcuan dhe të parës iu dha e drejta për kujdestari mbi dy kërkuesit e tjerë. Në 26 janar të vitit 1994, kërkuesja e parë mori të drejtën të vazhdonte kontratën e mbajtjes me qira të apartamentit të familjes. Në vazhdim, ish burri i saj (“i padituri në procedurat e brendshme”) u urdhërua që të linte apartamentin brenda pesëmbëdhjetë ditësh nga data kur vendimi u bë përfundimtar.
4.Duke patur parasysh se pala e paditur nuk iu bind urdhërit të gjykatës për të lënë apartamentin, në datën 31 maj të vitit 1994, kërkuesja e parë filloi një procedurë gjyqësore për ekzekutimin e urdhërit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Podgoricës.
5.Vendimi i vitit 1994 ka mbetur i pazbatuar edhe sot. Për shumë vite, përpjekjet e shumta për ta marrë apartamentin dështuan, kryesisht, sepse ish bashkëshorti i kërkueses së parë kërcënonte kërkuesit dhe policinë me përdorimin e forcës, përfshirë edhe një kërcënim se ai mund ta hidhte në erë të gjithë ndërtesën me anë të një mine me telekomandë. Në vitin 2007, policia vendase vlerësoi se zbrazja e godinës në fjalë ishte shumë i rrezikshëm për t’u ekzekutuar duke qenë se policët nuk kishin pajisje për t’u marrë me raste të tilla. Për pesëmbëdhjetë vite me radhë, kërkuesja e parë u ankua në një sërë organesh shtetërore për moszbatimin e vendimit të dhënë në favor të saj, por pa patur sukses.
6.Ndërkohë, kërkuesja e parë e bleu apartamentin në fjalë dhe u bë pronare e tij në vitin 1994. Një vit më vonë, ajo ua dhuroi atë fëmijëve të saj, përkatësisht kërkuesit të dytë dhe të tretë.
II.Vendimi i Gjykatës
7.Kjo çështje i ka fillesat në një kërkesë kundër Shtetit Federativ të Serbisë dhe Malit të Zi të regjistruar në gjykatë në mars të vitit 2005. Kërkuesit u ankuan sidomos për mos-ekzekutimin e urdhrit përfundimtar për lirimin e apartamentit nga ish bashkëshorti i kërkueses së parë dhe për pamundësinë e tyre të vazhdueshme për të jetuar në apartamentin në fjalë.
Pajtueshmëria rationae personae
8.Duke ndjekur deklaratën e pavarësisë të Malit të Zi në 6 qershor të vitit 2006, kërkuesit theksuan se ata do të donin që procedura të vazhdonte kundër Malit të Zi dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Çështja kryesore për të vendosur në lidhje me këtë kërkesë përpara Gjykatës është se cili prej shteteve, Serbia apo Mali i Zi duheshin shpallur përgjegjës për mosveprimin e vazhdueshëm të autoriteteve që nga 3 marsi 2004 (kur KEDNj-ja u ratifikua prej Shtetit Federal Serbi dhe Mal i Zi) dhe 5 qershorit të vitit 2006.
9.Duke pasur parasysh arsyetimet e paraqitura nga qeveritë serbe dhe malazeze, nga Komisioni i Venecias dhe nga një OJFvendase malazeze, si dhe kërkesat praktike të nenit 46 të Konventës dhe parimin që të drejtat themelore të mbrojtura nga traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’u përkasin individëve që jetojnë në territorin e Shtetit palë në fjalë, si dhe duke mos anashkaluar zgjidhjen e tij në vazhdim, Gjykata konsideroi se si Konventa dhe Protokolli nr. 1 duhen interpretuar se kanë qenë në fuqi për edhe Malin e Zi që prej 3 marsit 2004 deri më 5 qershorit 2006, si dhe për çdo periudhë pas 5 qershorit 2006.
10. Së fundmi, duke pasur parasysh faktin se procedurat për zbatimin e vendimit për lirimin e apartamentit kanë qenë kompetencë vetëm e autoriteteve malazeze, Gjykata, pa paragjykuar themelin e çështjes i konsideroi pretendimet e kërkuesve kundër Malit të Zi si të pajtueshme ratione personea me dispozitat e Konventës dhe të Protokollit nr.1. Megjithatë,për të njëjtën arsye, Gjykata vendosi se pretendimet e tyre në lidhje me Serbinë nuk ishin të pajtueshme ratione personae në kuptimin e nenit 35 § 3, dhe për rrjedhojë u hodhën poshtë bazuar në nenin 35 § 4 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1
11. Neni 1 i Protokollit nr. 1 garanton, inter alia të drejtën e pronës, e cila përfshin të drejtën për të gëzuar pronën përkatëse lirisht, si dhe të drejtën për ta administruar atë. Në kuadrin e kësaj të drejte, detyrimet pozitive mund të kërkojnë që shteti të marrë masat përkatëse për të mbrojtur të drejtën e pronës, duke përfshirë këtu edhe përgjegjësinë e tij për të përdorur të gjitha mjetet ligjore të disponueshme për të zbatuar një vendim gjyqësor përfundimtar, pavarësisht nga fakti nëse ai është dhënë kundrejt një pale private.
12. Gjykata së pari vërejti se pamundësia e kërkuesve për të larguar palën e paditur nga apartamenti në fjalë ka përbërë një ndërhyrje në të drejtat e tyre të pronësisë. Mos-zbatimi i vazhdueshëm hyn në kompetencat e Gjykatës ratione temporis për një periudhë prej thuajse pesë vjetësh, po të mbahet parasysh ratifikimi i KEDNJ-së në mars të vitit 2004 nga Shteti Federativ Serbi Mali i Zi. Nga ana tjetër Gjykata mbajti parasysh edhe faktin që deri në momentin e ratifikimit kishin kaluar 10 vjet nda data kur vendimi ishte bërë përfundimtar. E fundit dhe më e rëndësishmja, policët vetë thanë se ata ishin të paaftë për të përmbushur detyrat e tyre sipas ligjit, çka edhe kishte shkaktuar vonesën në fjalë.
13. Pra, Gjykata vlerësoi se autoritetet malazeze kishin dështuar të përmbushin detyrimet sipas kuptimit të nenit 1 të Protokollit nr. 1 për të zbatuar vendimin e 31 majit 1994 dhe gjeti një shkelje të kësaj të drejte.
C. Në lidhje me nenin 6 § 1
14. Duke pasur parasysh gjetjet e saj në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 dhe të faktit se është moszbatimi i vendimit përfundimtar në themel të pretendimeve të kërkuesit, Gjykata vërejti se nuk ishte e domosdoshme që të shqyrtoheshin më vete pretendimet në lidhje me shkeljen ose jo të nenit 6 § 1.
D. Në lidhje me nenin 8
15. Pasi u shqyrtua çështja në veçanti edhe në këndvështrimin e faktit se kërkuesit kishin si qëllim shitjen e apartamentit në fjalë dhe ishin kthyer në banorë të përhershëm në Beograd, Gjykata vlerësoi se kjo pronë nuk mund të konsiderohej më si “shtëpia” e tyre për qëllim të zbatimit të nenit 8. Ankesa sipas këtij neni u hodh poshtë si e papajtueshme ratione materiae me Konventën.
E. Në lidhje me nenin 41
16. Gjykata u shpalli se u jep të drejtën kërkuesve të dëmshpërblehen me 4.500 euro për dëmet jopasurore të pësuara prej tyre dhe 700 euro (përveç ndihmës ligjore të paguara tashmë prej Këshillit të Evropës) për kosto dhe shpenzime të tjera. Gjithashtu, Gjykata vendosi se nëse qeveria malazeze nuk arrin të sigurojë zbatimin e shpejtë të vendimit gjyqësor të vitit 1994, ajo duhet t’u paguajë të gjithë kërkuesve, së bashku, shumën prej 92.000 eurosh.
Full & Egal Universal Law Academy