© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës nr. 182
Shkurt 2015
Bochan kundër Ukrainës (nr. 2) [GC] - 22251/08
Vendimi 5.2.2015 [GC]
Neni 6
Procedura civile
Neni 6-1
Mundësia për t’u drejtuar në gjykatë
Të drejtat dhe detyrimet civile
Seanca e drejtë dëgjimore
Interpretim së tepërmi arbitrar i vendimit të Gjykatës Evropiane nga Gjykata Supreme gjatë rrëzimit të një apeli të jashtëzakonshëm: Neni 6 § 1 i zbatueshëm; shkelje
Faktet – Kërkuesja ka qenë e përfshirë në një çështje gjyqësore shumë të gjatë por përfundimisht të pasuksesshme në lidhje me titullin e pronësisë së tokës në gjykatat vendase. Në vitin 2001 ajo bëri kërkesë pranë Gjykatës Evropiane ku u ankua për padrejtësi në procedurat vendase. Në një vendim të 3 majit 2007* Gjykata gjeti një shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës mbi bazën e faktit që vendimet e gjykatave vendase ishin marrë gjatë procedurave të cilat nuk kanë respektuar garancitë e seancës dëgjimore të drejtë nga Neni 6 § 1 për pavarësi dhe paanshmëri, për siguri ligjore dhe kërkesën për dhënie të arsyeve të mjaftueshme. Ajo i caktoi kërkueses 2.000 euro për dëme jo materiale.
Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Evropiane, kërkuesja më pas ngriti një “apel nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” (“apel i jashtëzakonshëm”) në të cilin ajo i kërkoi Gjykatës Supreme të Ukrainës që të prishte vendimet e gjykatave vendase në çështjen e saj dhe të lejonte pretendimet e saj në tërësi. Në mars 2008 Gjykata Supreme e rrëzoi apelin e saj pasi gjeti që vendimet vendase ishin të sakta dhe të bazuara. Në qershor 2008 ajo e deklaroi të papranueshëm një apel të mëtejshëm të paraqitur nga kërkuesja.
Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Evropiane në rastin konkret, kërkuesja u ankua në përputhje me Nenin 6 § 1 të Konventës dhe Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 që gjatë rrëzimit të apelit të saj të jashtëzakonshëm Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh gjetjet e Gjykatës Evropiane në vendimin e saj të 3 majit 2007.
E drejta – Neni 6 § 1: Gjykata duhet të përcaktojë tri çështje: (a) nëse ajo është penguar nga neni 46 i Konventës për të shqyrtuar ankesat e kërkueses duke marrë parasysh faktin që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ishte ende duke mbikëqyrur ekzekutimin e vendimit të 3 majit 2007, (b) nëse procedura vendase lidhur me apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses kishte vepruar në pajtim me garancitë e Konventës dhe, nëse po, (c) nëse kërkesat e Nenit 6 § 1 ishin respektuar.
(a) Nëse Gjykata është penguar nga Neni 46 për shqyrtimin e ankesave – Dhoma e Madhe përsëriti që roli i Komitetit të Ministrave në aspekt të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës nuk e ndalon Gjykatën nga shqyrtimi i një kërkese të re lidhur me masat e marra nga një Shtet përgjegjës për ekzekutimin e një vendimi në qoftë se ajo kërkesë përmban informacione relevante në lidhje me çështje të pavendosura nga vendimi fillestar.
Disa nga lutjet e kërkueses në çështjen në fjalë mund të kuptohen si të tilla ku ajo ankohet për mungesën e pretenduar të ekzekutimit të duhur të vendimit të Gjykatës të 3 majit 2007. Megjithatë, ankesat për dështimin në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës ose për zgjidhjen e një shkeljeje tashmë të gjetur nga Gjykata ishin jashtë kompetencave të Gjykatës. Prandaj, ankesat e kërkueses lidhur me dështimin e zgjidhjes së shkeljes fillestare të Nenit 6 § 1 në çështjen e saj të mëparshme ishin të papranueshme.
Megjithatë, kërkuesja kishte ngritur gjithashtu një ankimim tjetër në lidhje me sjelljen dhe drejtësinë e procedurës së vendosur nga Gjykata Supreme në mars 2008. Ajo pretendoi, në mënyrë të veçantë, që arsyetimi i përdorur nga Gjykata Supreme në atë vendim kishte qenë në kundërthënie të dukshme me gjetjet përkatëse të Gjykatës në vendimin e saj të vitit 2007. Pra ky ankimim i ri kishte të bënte me mënyrën se si ishte arritur vendimi i marsit 2008 në procedurën lidhur me apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses, jo me rezultatin e asaj procedure si e tillë apo me efektivitetin e zbatimit nga gjykatat vendase të vendimit të Gjykatës. Kështu, ai kishte të bënte me një situatë të ndryshme nga ajo e shqyrtuar në vendimin e vitit 2007 dhe përmbante informacione të reja relevante lidhur me çështje të pavendosura nga ai vendim. Rrjedhimisht, Gjykata nuk pengohej nga Neni 46 i Konventës për të shqyrtuar ankesën e re të kërkueses lidhur me padrejtësinë e procedurës që kishte kulminuar me vendimin e marsit 2008.
(b) Zbatueshmëria e Nenit 6 ndaj procedurës lidhur me apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses – Ndërkohë që Neni 6 § 1 normalisht nuk ishte i zbatueshëm në apele të jashtëzakonshme që kërkonin rihapjen e procedurave gjyqësore të përfunduara, natyra, fushëveprimi dhe tiparet e veçanta të procedurave në një apel të jashtëzakonshëm të dhënë në një sistem ligjor të caktuar mund të jenë të atilla që i sjellin procedurat rreth këtij lloj apeli brenda hapësirës së Nenit 6 § 1 dhe mbrojtjeve për gjyq të drejtë që ai u ofron palëve. Prandaj, Gjykatës iu desh të shqyrtonte natyrën, fushëveprimin dhe tiparet e veçanta të apelit të jashtëzakonshëm që diskutohet në rastin konkret.
Korniza ligjore e zbatueshme kombëtare vinte në dispozicion të kërkueses një zgjidhje e cila mundësonte shqyrtimin gjyqësor të çështjes së saj civile nga Gjykata Supreme nën dritën e gjetjeve të Gjykatës Evropiane që vendimet origjinale vendase ishin të mangëta. Për shkak të llojit të shqyrtimit gjyqësor që parashikonte, apeli i jashtëzakonshëm i ngritur nga kërkuesja mund të shihej si zgjatje e procedurës civile origjinale (e përfunduar), ngjashëm me procedurën e kasacionit ashtu siç përkufizohet nga e drejta ukrainase. Kështu, ndërkohë që tiparet e veçanta të kësaj procedure të ngjashme me kasacionin mund të ndikonin tek mënyra se si veprojnë garancitë e parashikuara procedurale të Nenit 6 § 1, Gjykata ishte e mendimit që ato garanci duhet të jenë të zbatueshme ndaj saj në të njëjtën mënyrë siç janë të zbatueshme në procedurat e kasacionit në çështje civile në përgjithësi.
Ai përfundim që rrodhi nga dispozitat e të drejtës së zbatueshme vendase u vërtetua përmes referencës ndaj fushëveprimit dhe natyrës së “shqyrtimit” që faktikisht zhvilloi Gjykata Supreme në mars 2008 para se ajo të rrëzonte apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses, duke i lënë vendimet e kontestuara të pandryshuara. Gjykata Supreme i shqyrtoi materialet e çështjes dhe vendimet e gjykatës nga procedura origjinale nën dritën e parashtrimeve të reja të kërkueses bazuar kryesisht mbi vendimin e Gjykatës të vitit 2007.
Kështu, duke pasur parasysh si dispozitat përkatëse të legjislacionit ukrainas ashtu edhe natyrën dhe fushëveprimin e procedurës që kulminoi me vendimin e Gjykatës Supreme të marsit 2008 lidhur me apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses, ndjekur nga vendimi i saj konfirmues në qershor 2008, Gjykata konsideroi që procedura ishte vendimtare për përcaktimin e të drejtave dhe përgjegjësive civile të kërkueses. Rrjedhimisht, garancitë përkatëse të Nenit 6 § 1 ishin të zbatueshme në atë procedurë.
Përfundim: kundërshtimi paraprak rrëzohet (njëzëri).
(c) Pajtueshmëria me Nenin 6 § 1 – Gjykata përsëriti që nuk ishte roli i saj të vepronte si instancë e katërt dhe të vinte në pyetje sipas Nenit 6 § 1 vendimet e gjykatave vendase, në qoftë se gjetjet e tyre nuk mund të shiheshin si arbitrare ose dukshëm të paarsyeshme.
Në rastin konkret, në vendimin e saj të marsit 2008 Gjykata Supreme kishte keqinterpretuar rëndë gjetjet e Gjykatës Evropiane në vendimin e kësaj të 3 majit 2007. Në mënyrë të veçantë, ajo kishte treguar me hollësi që Gjykata Evropiane i kishte gjetur vendimet e gjykatave vendase të ligjshme dhe të bazuara dhe kishte dhënë shpërblim të drejtë për shkelje të garancisë së “kohës së arsyeshme” (kur në fakt ankesa ishte refuzuar si dukshëm e pabazuar). Këto pohime ishin qartazi të pasakta. Arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk përbënte thjesht një lexim ndryshe të një teksti ligjor. Për Gjykatën, kjo mund të interpretohej vetëm si “së tepërmi arbitrar” ose si i tillë që nënkuptonte “mohim të drejtësisë”, në kuptimin që përfaqësimi i shtrembëruar i vendimit të vitit 2007 pati efektin e mundjes së përpjekjes së kërkueses për shqyrtimin e pretendimit të saj pronësor nën dritën e atij vendimi në kuadër të procedurës së ngjashme me kasacionin të parashikuar nga e drejta vendase. Kështu, procedura e kundërshtuar nuk e ka plotësuar kriterin e “gjyqit të drejtë” sipas Nenit 6 § 1.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 41: 10.000 euro për dëme jo-materiale.
* Bochan kundër Ukrainës, 7577/02, 3 maj 2007.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nga Kancelaria nuk është detyruese për Gjykatën.
Kliko këtu për Notat Informative të Praktikës Gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy