Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E BOCHAN kundër UKRAINËS (nr. 2)
(Kërkesa nr. 22251/08)
VENDIM
Ky version është korrigjuar më 11 mars 2015
sipas Nenit 81 të Rregullores së Gjykatës.
STRASBURG
5 shkurt 2015
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen e Bochan kundër Ukrainës (nr. 2),
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Dhoma e Madhe), si Dhomë e Madhe e përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro,
Boštjan M. Zupančič,
Alvina Gyulumyan,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger,
Erik Møse,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Paul Mahoney,
Aleš Pejchal,
Krzysztof Wojtyczek,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, Kancelar,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 7 maj dhe 19 nëntor 2014,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 22251/08) kundër Ukrainës të depozituar në Gjykatë në përputhje me Nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetase ukrainase, Znj. Mariya Ivanivna Bochan (“kërkuesja”), më 7 prill 2008.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga djali i saj, Z.I. Bochan, avokat në Ternopil. Qeveria ukrainase (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentja e saj, më së fundi Znj. N. Sevostyanova, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesja, duke u mbështetur në Nenin 6 § 1 të Konventës dhe Nenin 1 të Protokollit Nr. 1, u ankua rreth procedurave në lidhje me “apelin e saj nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” bazuar mbi vendimin e Gjykatës në çështjet e mëparshme të kërkueses (shih Bochan kundër Ukrainës, nr. 7577/02, 3 May 2007), siç parashikohej nga legjislacioni i zbatueshëm ukrainas.
4. Më 6 shtator 2011 kërkesa iu komunikua Qeverisë.
5. Më 19 nëntor 2013 një Dhomë e Seksionit të Pestë, e përbërë nga Mark Villiger, President, Angelika Nußberger, Boštjan M. Zupančič, Ganna Yudkivska, André Potocki, Paul Lemmens, Aleš Pejchal, gjyqtarë, dhe gjithashtu nga Claudia Westerdiek, Kancelar i Seksionit, ia kaloi juridiksionin Dhomës së Madhe, ku asnjëra nga palët nuk pati kundërshtime (Neni 30 i Konventës dhe Neni 72 i Rregullores së Gjykatës).
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u caktua sipas dispozitave të Nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe Nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën secila vërejtje me shkrim. Më 17 mars 2014, pas konsultimeve me palët, Kryetari i Dhomës së Madhe vendosi që të mos mbante seancë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Kërkuesja është e lindur në vitin 1917 dhe jeton në Ternopil.
9. Faktet e çështjes, ashtu siç janë paraqitur nga palët, mund të përmblidhen si vijon.
A. Historiku faktik i çështjes
10. Që nga viti 1997 kërkuesja ka pretenduar, deri tani pa sukses, titull mbi një pjesë të një shtëpie, në pronësi të Z. M. në kohën materiale, dhe mbi tokën në të cilën ndodhet ajo shtëpi. Pretendimi i saj bazohet mbi argumentet në vijim: që pjesa e shtëpisë në fjalë është ndërtuar me shpenzimet e saj dhe të burrit të saj të ndjerë; që burri i saj e ka fituar ligjërisht titullin mbi pronën, të cilin ajo më pas e ka trashëguar; që ajo nuk i është shitur Zotit M. pavarësisht nga pasja e një marrëveshjeje fillestare me djalin e kërkueses për atë qëllim; dhe që kontrata e shitjes mbi të cilën bazohej pretendimi i Zotit M. për pronësi ishte e falsifikuar.
11. Pretendimi pronësor i kërkueses është marrë në shqyrtim shumë herë nga gjykatat vendase. Eventualisht, pas ri-caktimit të çështjes nga Gjykata Supreme drejt gjykatave më të ulëta me juridiksion territorial të ndryshëm, pretendimi i kërkueses u rrëzua. Duke u mbështetur mbi deklaratat e 17 dëshmitarëve, njëri prej të cilëve u dëgjua personalisht, dhe dokumentet e paraqitura nga Zoti M., gjykatat në dy nivele juridiksioni gjetën që Zoti M. i kishte blerë themelet e pjesës në fjalë të shtëpisë nga djali i kërkueses në vitin 1993 dhe më pas e kishte ndërtuar atë me shpenzimet e veta. Rrjedhimisht, Zoti M. ishte pronari i ligjshëm i asaj pjese të shtëpisë dhe kishte të drejtë të shfrytëzonte tokën mbi të cilën ajo ishte ndërtuar. Vendimi përfundimtar, që vërtetoi vendimet e gjykatave më të ulëta, u mor nga Gjykata Supreme më 22 gusht 2002.
B. Vendimi i Gjykatës në çështjen e parë
12. Më 17 korrik 2001 kërkuesja bëri një kërkesë pranë Gjykatës, duke u ankuar në mënyrë të veçantë për padrejtësi në procedurat në gjykatat vendase në lidhje me pretendimin e saj. Ajo gjithashtu u ankua për kohëzgjatjen e procedurave dhe pretendoi shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës i marrë vetëm dhe në lidhje me Nenin 14 të Konventës për shkak të rezultatit të tyre.
13. Më 3 maj 2007 Gjykata mori një vendim në çështjen, i cili mori formë të prerë më 3 gusht 2007. Gjykata vendosi që kishte pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat çështja e kërkueses ishte ri-caktuar nga Gjykata Supreme dhe mungesën e arsyetimit të mjaftueshëm në vendimet vendase, ku këto çështje merren së bashku dhe në mënyrë kumulative (shih Bochan, cituar lart, § 85).
14. Gjykata arsyetoi si vijon:
“74. ... [ri-caktimi] [i çështjes së kërkueses] u urdhërua nga Gjykata Supreme pas mospajtimit të shprehur tekstualisht mbi gjetjet e gjykatave më të ulëta lidhur me faktet dhe pas deklarimit të qëndrimit të saj në lidhje me një nga aspektet kryesore të çështjes ... edhe para së të ndodhte vlerësimi i ri i fakteve dhe marrja e provave nga gjykatat më të ulëta ... Duke marrë parasysh përveç kësaj dështimin e Gjykatës Supreme në dhënien e arsyeve për ri-caktimin e lëndës, Gjykata është e mendimit që mund të vendosej se është objektivisht e arsyetuar frika e kërkueses që gjyqtarët e Gjykatës Supreme, përfshirë Nënkryetarin e saj, kanë pasur një ide të fiksuar që përpara në lidhje me rezultatin e çështjes dhe që gjyqtarët të cilëve u ishte transferuar çështja më 9 tetor 2000 do të duhej ta shqyrtonin çështjen në përputhje me pikëpamjet e Gjykatës Supreme.
75. Gjykata konsideron që kjo situatë procedurale e përgjithshme njëkohësisht ka trazuar parimin e sigurisë ligjore (shih Ryabykh kundër Rusisë, nr. 52854/99, §§ 51-52, ECHR 2003‑IX). Fakti që pikëpamjet e Gjykatës Supreme mbi lëndën e çështjes së kërkueses ndryshonin nga ato të gjykatave më të ulëta nuk mund të ishte baza e vetme për ri-shqyrtimin e përsëritur të çështjes. Pushteti shqyrtues i gjykatave më të larta duhet të ushtrohet për korrigjimin e gabimeve juridike dhe administrimin e paduhur të drejtësisë, e jo për zëvendësimin e vlerësimit të fakteve nga gjykatat më të ulëta.”
15. Gjykata më tej shënoi që gjykatat vendase nuk kishin dhënë përgjigje ndaj parashtrimeve të kërkueses në lidhje me besueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve dhe vlefshmërinë e provave dokumentuese, të cilat kishin qenë vendimtare për rezultatin e çështjes (shih Bochan, cituar lart, §§ 81-84).
16. Duke u mbështetur në gjetjet e mësipërme sipas Nenit 6§1 të Konventës, Gjykata vendosi që nuk ishte e nevojshme të vendosej mbi ankesën e kërkueses nga Neni 1 i Protokollit Nr. 1, meqenëse ajo nuk ngrinte ndonjë pikë të dallueshme (shih Bochan, cituar lart, § 91).
17. Ankesat e kërkueses rreth kohëzgjatjes së procedurave dhe shkeljes së Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 i marrë në lidhje me Nenin 14 të Konventës u rrëzuan si të pabazuara (shih Bochan, cituar lart, §§ 87 dhe 93).
18. Kërkueses iu akorduan 2.000 euro si shpërblim i drejtë në lidhje me dëme jo materiale. Gjykata gjithashtu shënoi “që kërkueses i takonte sipas ligjit ukrainas që të kërkonte seancë të re dëgjimore në çështjen e saj duke marrë parasysh gjetjen e Gjykatës që gjykatat vendase nuk kishin vepruar në pajtim me Nenin 6 në rastin e saj” (shih Bochan, cituar lart, §§ 97 dhe 98).
19. Deri më sot, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ende nuk e ka përmbyllur mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimit sipas Nenit 46 §2 të Konventës.
C. “Apeli nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” nga kërkuesja
20. Më 14 qershor 2007, kërkuesja paraqiti pranë Gjykatës Supreme një “apel nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” në përputhje veçanërisht me Nenet 353-355 të Kodit të Procedurës Civile të vitit 2004 (shih paragrafin 24 poshtë). Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës të datës 3 maj 2007, ajo i kërkoi Gjykatës Supreme të prishte vendimet e gjykatave në çështjen e saj dhe të merrte një vendim të ri i cili t’i lejonte të gjitha ankesat e saj. Apelit ajo i bashkoi kopje të vendimit të Gjykatës dhe të vendimeve vendase.
21. Më 14 mars 2008 një panel prej 18 gjyqtarësh të Divizionit Civil të Gjykatës Supreme, pasi kishin analizuar apelin me dyer të mbyllura dhe duke u mbështetur në Nenin 358 të Kodit të Procedurës Civile të vitit 2004 (të cekur në paragrafin 24 poshtë), e rrëzoi apelin e kërkueses. Pjesa relevante e vendimit të Gjykatës Supreme thotë:
“Me vendimin e datës 3 maj 2007, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i deklaroi ankesat e kërkueses për padrejtësi në procedura dhe shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të pranueshme, dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme. Një shkelje e Nenit 6§1 të Konventës ... u gjet në këtë çështje. [Gjykata] urdhëroi që Shteti përgjegjës t’i paguante kërkueses, brenda tre muajve nga data kur vendimi mori formë të prerë në përputhje me Nenin 44§2 të Konventës, 2.000 euro (dy mijë euro) për dëme jo materiale...
Në paragrafin 64 të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, shënohet që parashtrimet e kërkueses kanë të bëjnë kryesisht me katër pika, si më poshtë:
(a) nëse gjykatat, të cilat kanë trajtuar çështjen e [kërkueses], kanë qenë të pavarura dhe të paanshme;
(b) nëse fakti që çështja është dëgjuar nga Gjykata e Qytetit të Chemerovetsk e ka penguar kërkuesen nga pjesëmarrja në procedura;
(c) nëse është respektuar parimi i barazisë së armëve për sa i përket dështimit të gjykatave vendase për të dëgjuar dëshmitarë deklaratat me shkrim të të cilëve gjykatat i kanë pranuar si prova;
(d) nëse vendimet përfundimtare të marra nga gjykatat në shkallën e parë, në apel dhe në kasacion kanë qenë mjaftueshëm të vërtetuara.
Siç mund të shihet nga materialet e lëndës, kërkuesja është përfaqësuar në procedurat [vendase] nga djali i saj, avokat ... Gjatë tërë vazhdës së procedurave ajo nuk ka dalë para gjykatës, megjithëse është informuar si duhet në lidhje me seancat.
Asnjë prej palëve në çështje, përfshirë Zotin B.I. [djali i kërkueses], nuk ka kërkuar që të ftoheshin dëshmitarët ... Zoti B.I. nuk ka paraqitur deklarata të dëshmitarëve ... që mund të vërtetonin se shtëpia ishte ndërtuar me shpenzimet e tij (ose të babait apo nënës së tij).
Asnjë prej palëve, përfshirë Zotin B.I., nuk ka kërkuar tërheqjen e gjyqtarit të [shkallës së parë]. Ankesat në lidhje me mungesën e objektivitetit nga ana e gjykatës ... janë ngritur vetëm nga Zoti B.I. pas marrjes së vendimit përfundimtar në çështje.
Siç mund të shihet nga materialet e çështjes, vlefshmëria e kontratës së shitjes të 18 marsit 1993, sipas së cilës Zoti M. ka blerë nga Zoti B.I. gjysmën e themeleve dhe disa prej materialeve të ndërtimit, nuk është kontestuar ... Gjithashtu ka një dokument që konfirmon që pjesa e majtë e shtëpisë është ndërtuar me shpenzimet e Zotit M. dhe një dokument sipas të cilit Zoti M. i ka paguar Zotit B.I. 1.550,000,000 karbovanet [ish-valuta tranzitore e Ukrainës para shtatorit 1996] për themelet e pjesës së majtë të shtëpisë. Këto rrethana nuk u kundërshtuan nga shqyrtimi ekspert në çështje.
Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjithashtu shënoi që kërkuesja ... nuk kishte arritur të paraqiste prova që ajo kishte vuajtur nga diskriminimi në gëzimin e të drejtave të saj pronësore, në kundërshtim me nenin 14 të Konventës në lexuar së bashku me Nenin 1 të Protokollit Nr. 1, për shkak të rezultatit të procedurave civile. [Gjykata] konkludoi që ankesat e kërkueses [sipas këtyre dispozitave] duhet të refuzoheshin si dukshëm të pabazuara në përputhje me Nenin 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës. Prandaj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut arriti në përfundimin që vendimet e gjykatave [vendase] ishin të ligjshme dhe të bazuara dhe vendosi t’i akordonte kërkueses kompensim në shumën 2.000 euro vetëm për shkeljen e kriterit të ‘kohës së arsyeshme’ nga gjykatat ukrainase.
Nën dritën e të lartcekurave, vendimet e gjykatave në këtë çështje nuk mund të prishen për arsyet e përmendura në kërkesën e Znj. Bochan.
Duke u mbështetur në [Nenin] 358 të [Kodit të Procedurës Civile të Ukrainës], paneli i gjyqtarëve të Divizionit Civil të Gjykatës Supreme të Ukrainës
[Vendosi]:
Të refuzohet pranimi i apelit [të Znj. Bochan M. I.] për shqyrtimin nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme të vendimit të 19 janarit 2001 të Gjykatës së Qytetit të Chemerovetsk në Rajonin e Khmelnytsk, vendimit të 1 marsit 2001 të Gjykatës Rajonale të Apelit të Khmelnytsk dhe vendimit të 22 gushtit 2002 të Gjykatës Supreme të Ukrainës.”
22. Më 8 gusht 2008 kërkuesja paraqiti një “apel të ri nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” pranë Gjykatës Supreme. Ajo diskutoi që vendimi i 14 marsit 2008 ishte bazuar mbi një “interpretim” të pasaktë të vendimit të Gjykatës të 3 majit 2007, dhe i kërkoi Gjykatës Supreme që të rimerrte në konsideratë themelet e çështjes nën dritën e gjetjeve të Gjykatës sipas Nenit 6 § 1 të Konventës në atë vendim siç shënohet në paragrafin 15 lart.
23. Më 5 qershor 2008 një panel prej shtatë gjyqtarësh të Divizionit Civil të Gjykatës Supreme, duke u mbështetur në Nenin 356 të Kodit të Procedurës Civile të vitit 2004, e deklaroi apelin të papranueshëm, meqenëse ai nuk përmbante argumente që mund të shërbenin si baza për rimarrjen në konsideratë të çështjes nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme në përputhje me Nenin 354 të Kodit të Procedurës Civile të vitit 2004 (shih paragrafin 24 poshtë për tekstin e Nenit 354 dhe për pjesët relevante të shkëputura nga Neni 356 i Kodit).
II. E DREJTA PËRKATËSE VENDASE
A. Kodi i Procedurës Civile i vitit 2004
24. Në pjesët relevante të shkëputura nga Kodi, me tekstin që kishin në kohën materiale, thuhej si vijon:
Neni 353. E drejta për të kontestuar vendimet gjyqësore nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Palët në procedura .. kanë të drejtë të kontestojnë para Gjykatës Supreme të Ukrainës vendime gjyqësore në çështje civile nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme pasi [ato vendime] të jenë shqyrtuar në kasacion.”
Neni 354. Bazat për apel nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Pasi vendimet gjyqësore të jenë shqyrtuar në kasacion, ato mund të shqyrtohen nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme në qoftë se kundër tyre ngrihet apel mbi bazat [e mëposhtme]:
(1) zbatim i papajtueshëm i ligjit nga gjykata e kasacionit (ose gjykatat);
(2) gjetje nga një autoritet gjyqësor ndërkombëtar, juridiksioni i të cilit është njohur nga Ukraina, që një vendim gjyqësor [vendas] ka shkelur zotimet ndërkombëtare të Ukrainës.”
Neni 355. Ngritja e një ankese nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Apeli mund të ngrihet brenda një muaji pas zbulimit të rrethanave të jashtëzakonshme.
2. Apeli nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme duhet të depozitohet në përputhje me rregullat e zbatueshme të apeleve të kasacionit.
...”
Neni 356. Pranueshmëria e një apeli nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Çështja e pranueshmërisë së një apeli nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme ... duhet të vendoset në dhoma nga një panel prej shtatë gjyqtarësh ...
2. Apeli deklarohet i pranueshëm ... në qoftë se të paktën tre gjyqtarë vendosin kështu ...
3. Vendimi lidhur me pranueshmërinë e apelit ... nuk mund të apelohet ...
4. Një kopje e vendimit që deklaron një apel të pranueshëm ... u dërgohet palëve ...
5. Nëse një apel deklarohet i pranueshëm ... gjykata mund të pezullojë ekzekutimin e vendimeve përkatëse.
6. Rregullat e cekura në paragrafët 1 deri në 4 të këtij neni nuk janë të zbatueshme në rastin e një apeli të depozituar mbi bazat e parashikuara në paragrafin 2 të Nenit 354 të këtij Kodi.”
Neni 357. Procedura për shqyrtim nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Shqyrtimi i një çështjeje nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme është një lloj procedure e kasacionit (різновидом касаційного провадження).
2. Çështja duhet të dëgjohet nga një panel gjyqtarësh që përfaqësojnë të paktën dy të tretat e anëtarëve të Divizionit Civil të Gjykatës Supreme të Ukrainës ...
...
4. Shqyrtimi i çështjes nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme duhet të zhvillohet sipas rregullave të zbatueshme për procedurat e kasacionit.”
Neni 358. Fuqitë e Gjykatës Supreme të Ukrainës gjatë shqyrtimit të çështjeve nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme
“1. Gjatë shqyrtimit të një çështjeje nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme Gjykata Supreme e Ukrainës ka fuqinë:
(1) të rrëzojë një apel dhe të lërë një vendim të pandryshuar ...
(2) të prishë, tërësisht ose pjesërisht, një vendim gjyqësor dhe ta kthejë çështjen për shqyrtim të ri në gjykatën e shkallës së parë, gjykatën e apelit ose gjykatën e kasacionit ...
(3) të prishë një vendim të gjykatës së apelit ose gjykatës së kasacionit dhe të vërtetojë një vendim i cili është prishur gabimisht ...
(4) të prishë vendimet e çështjes dhe të ndërpresë procedurat ...
(5) të ndryshojë një vendim ose të marrë një vendim të ri në lidhje me themelet e çështjes ...”
Neni 360. Forca e vendimeve të Gjykatës Supreme
“1. Vendimet e marra nga Gjykata Supreme e Ukrainës nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme kanë forcën e ligjit kur shpallen dhe nuk mund të apelohen.”
B. Ligji për Ekzekutimin e Vendimeve dhe Zbatimin e Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, 23 shkurt 2006[1]
25. Në pjesët përkatëse të Ligjit, sipas tekstit në kohën materiale, thuhej si vijon:
“Ky Ligj rregullon marrëdhëniet që rrjedhin nga: detyrimi i Shtetit për të ekzekutuar vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjet kundër Ukrainës; nevojën për të eliminuar shkaqet e shkeljes nga Ukraina të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokolleve të saj; nevojën për të implementuar standardet e të drejtave të njeriut në praktikën ligjore dhe administrative të Ukrainës; dhe nevojën për të krijuar kushte për reduktimin e numrit të kërkesave kundër Ukrainës para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut."
Seksioni 1. Përkufizime
“1. Për qëllime të këtij Ligji termat e mëposhtme përdoren me këto kuptime:
...
Konventa – Konventa e vitit 1950 për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokolleve të saj për të cilat [Parlamenti] i Ukrainës ka rënë dakord që është detyruese;
Gjykata – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut;
...
Përfituesi – (a) kërkues para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në një çështje kundër Ukrainës në favor të të cilit Gjykata ka marrë vendimin e saj ose në çështjen e të cilit palët kanë arritur një marrëveshje miqësore, ose me përfaqësuesin e tij, ose pasuesin e tij...
Ekzekutimi i vendimit të [Gjykatës] – (a) pagesa e kompensimit drejt Përfituesit; (b) miratimi i masave individuale; (c) miratimi i masave të përgjithshme;
...”
Seksioni 2. Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës
“1. Vendimet e [Gjykatës] janë detyrueshme dhe të zbatueshme për Ukrainën në përputhje me Nenin 46 të kësaj Konvente.
2. Procedura për ekzekutimin e vendimit përcaktohet nga ky Ligj, Ligji për Procedurën e Ekzekutimit, dhe nga rregullore të tjera, duke pasur parasysh dispozitat e veçanta të Ligjit në fjalë."
Seksioni 10. Masa individuale shtesë
“1. Masat individuale shtesë miratohen krahas pagesës së kompensimit dhe synojnë të rikthejnë të drejtat e Përfituesit [të cilat janë] shkelur.
2. Masat individuale përfshijnë:
(a) rikthimin sa më shumë që është e mundur të statusit ligjor që ka pasur Përfituesi para se të shkelej Konventa (restitutio in integrum);
...
3. Statusi i mëparshëm ligjor i Përfituesit duhet të rikthehet, inter alia, me anë të:
(a) rishqyrtimit të çështjes nga një gjykatë, përfshirë rihapjen e procedurës në atë çështje;
(b) rishqyrtimit të çështjes nga një organ administrativ."
Seksioni 11. Veprime të cilat Zyra e Agjentit të Qeverisë duhet të ndërmarrë në lidhje me masat individuale
“1. Zyra e Agjentit të Qeverisë, brenda tri ditësh pas pranimit të lajmërimit të Gjykatës që vendimi ka marrë formë të prerë:
(a) i dërgon Përfituesit një lajmërim ku shpjegohet e drejta e tij për të nisur procedurën për shqyrtimin e çështjes dhe/ose për të rihapur procedurën sipas ligjit në fuqi..."
III. LIGJI DHE PRAKTIKA NË SHTETET ANËTARE TË KËSHILLIT TË EVROPËS
26. Një anketë krahasuese e legjislacionit dhe praktikës kombëtare në tridhjetetetë Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës tregon se shumë Shtete kanë ngritur mekanizma vendase që ofrojnë mundësinë për të kërkuar shqyrtimin e çështjeve civile të përfunduara nga një vendim i formës së prerë mbi bazën e gjetjes së një shkeljeje të Konventës nga Gjykata. Në mënyrë të veçantë, në njëzet e dy prej Shteteve Anëtare të anketuara, Kodi vendas i Procedurës Civile shprehimisht parashikon mundësinë që kërkuesi i suksesshëm të kërkojë shqyrtimin e çështjes civile mbi bazën e gjetjes së një shkeljeje nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ose nga një gjykatë tjetër ndërkombëtare. Kështu është në Shqipëri, Andorra, Armeni, Azerbajxhan, Kroaci, Republikën Çeke, Estoni, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Lituani, Moldavi, Mal të Zi, Norvegji, Portugali, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, Zvicër dhe Turqi. Në të gjitha ato Shtete, kërkesat për shqyrtime bëhen në gjykatë. Megjithatë, niveli i juridiksionit ndryshon nga Shteti Anëtar në Shtet Anëtar. Në disa vende është gjykata më e lartë ajo që e pranon kërkesën, pra Gjykata Supreme (siç është në Shqipëri, Azerbajxhan, Estoni dhe Lituani) ose Gjykata Kushtetuese (Republika Çeke). Në vende të tjera, kërkesa i drejtohet gjykatës vendimi i së cilës është kontestuar (Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Serbia). Normalisht, shqyrtimi nuk është automatik dhe i nënshtrohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë afatet kohore, pozicioni i kërkuesit dhe vërtetimi i kërkesës (kështu është, për shembull, në Shqipëri, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Gjeorgji, Mal të Zi dhe Turqi). Disa dispozita vendase parashikojnë plotësimin e kritereve të tjera, për shembull faktin që disa pasoja të rënda të shkeljes vazhdojnë të ekzistojnë (Rumani), ose që kompensimi nuk e ka korrigjuar shkeljen (Sllovaki), ose që kërkuesi nuk ka mundur të kompensohet me mënyra të tjera (Estoni).
27. Ndërkohë që në gjashtëmbëdhjetë nga tridhjetetetë Shtetet Anëtare të anketuara shqyrtimi i çështjeve civile mbi bazën e gjetjes së një shkeljeje të Konventës nga Gjykata momentalisht nuk parashikohet shprehimisht nga dispozitat ligjore ekzistuese (kështu është në Austri, Belgjikë, Francë, Greqi, Hungari, Itali, Irlandë, Lihtenshtajn, Luksemburg, Monako, Holandë, Poloni, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar (Angli dhe Uejlls)), në disa prej atyre Shteteve kërkuesit mund ta kenë ende mundësinë që të kërkojnë ri-shqyrtim në një situatë të tillë sipas procedurës së shqyrtimit nën dritën e fakteve të reja të dala ose pas kryerjes së gabimeve procedurale (për shembull, në Francë, Holandë dhe Poloni).
IV. REKOMANDIMI NR. r (2002) 2 I KOMITETIT TË MINISTRAVE
28. Në Rekomandimin e tij Nr. R (2002) 2, të miratuar më 19 janar 2000 në takimin e 694-rt të Zëvendësve të Ministrave, Komiteti i Ministrave shënoi që praktika në mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës tregoi që ri-shqyrtimi i një çështjeje ose rihapja e procedurës në rrethana të caktuara ishte mënyra më efikase, në mos e vetmja mënyrë, për arritjen e restitutio in integrum. Prandaj, Komiteti i Ministrave ftoi Shtetet të ngrinin mekanizma për ri-shqyrtimin e çështjeve pas gjetjes së shkeljeve të Konventës nga Gjykata, posaçërisht aty ku:
“(i) pala e dëmtuar vazhdon të vuajë pasoja shumë të rënda për shkak të rezultatit të vendimit vendas në fjalë, të cilat nuk zgjidhen në mënyrë të përshtatshme nga shpërblimi i drejtë dhe nuk mund të rregullohen përveç se me anë të ri-shqyrtimit ose ri-hapjes, dhe
(ii) vendimi i Gjykatës shpie në përfundimin që
(a) vendimi i kundërshtuar është në themel në kundërshtim me Konventën, ose
(b) shkelja e gjetur është e bazuar në gabime ose defekte procedurale të një shkalle të tillë saqë lindin dyshime serioze lidhur me rezultatin e procedurës vendase për të cilën është bërë ankesë."
E DREJTA
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS DHE E NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1
29. Kërkuesja u ankua për procedurën në lidhje me "apelin e saj nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme" ("apel i jashtëzakonshëm") që kulminoi me vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008. Në mënyrë të veçantë, ajo diskutoi që gjatë trajtimit të apelit të saj të jashtëzakonshëm Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh gjetjet e Gjykatës sipas Nenit 6 § 1 të Konventës në vendimin e saj të 3 majit 200 në lidhje me vlerësimin e gjykatave vendase të provave (shih paragrafin 15 lart). Ajo gjithashtu nuk kishte adresuar aspekte të rëndësishme të çështjes, konkretisht vlefshmërinë e provave kryesore dokumentuese mbi të cilat ishin mbështetur gjykatat vendase. Më tej, arsyetimi i saj në lidhje me rezultatin e kërkesës së mëparshme të kërkueses kishte qenë në kundërthënie me gjetjet e Gjykatës në vendimin e saj të datës 3 maj 2007 (shih paragrafët 13 dhe 18 lart). Sipas kërkueses, mënyra e padrejtë në të cilën Gjykata Supreme e kishte trajtuar apelin e saj të jashtëzakonshëm kishte përbërë shkelje të re të Nenit 6 § 1 të Konventës dhe Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. Këto dispozita thonë, për aq sa ka të bëjë me parashtrimet e kërkueses, si vijon:
Neni 6 § 1
“Në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile ... çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht ... nga [një] ... gjykatë ..."
Neni 1 i Protokollit Nr. 1
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveç se për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose gjobave të tjerë."
30. Fillimisht, Gjykata shënon që kërkesa e tanishme është vazhdim i një kërkese të mëparshme të paraqitur nga e njëjta kërkuese në lidhje me një mosmarrëveshje civile rreth një mospajtimi për titullin mbi një pasuri të paluajtshme. Në vendimin e saj të 3 majit 2007 në lidhje me atë kërkesë, Gjykata vendosi që vendimet e gjykatave vendase ishin marrë në procedura të cilat nuk i kishin respektuar garancitë e Nenit 6 § 1 të seancës së drejtë për pavarësi dhe paanshmëri, siguri ligjore dhe kërkesën për të dhënë arsye të mjaftueshme (shih paragrafët 13-15 lart). Duke u mbështetur parimisht tek vendimi i Gjykatës i 3 majit 2007, kërkuesja bëri një apel të jashtëzakonshëm pranë Gjykatës Supreme duke kontestuar vendimet e përmendura. Në procedurën e vendosur në mars 2008, e cila është objekt i kërkesës së saj të tanishme, Gjykata Supreme e refuzoi apelin e saj, duke vendosur që vendimet vendase kishin qenë të sakta dhe të bazuara.
31. Gjykata duhet të vendosë së pari nëse ajo pengohet nga Neni 46 i Konventës nga trajtimi i ankesave të ndryshme të bëra nga kërkuesja, duke pasur parasysh shpërndarjen e pushteteve të vendosur nga Konventa mes Komitetit të Ministrave dhe Gjykatës për sa i përket mbikëqyrjes së ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës (shih, për shembull, Lyons dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 15227/03, ECHR 2003‑IX). Së dyti, për aq sa nuk është e ndaluar, ajo duhet të analizojë nëse procedura vendase në apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses ishte subjekt i garancive të Konventës, posaçërisht ato nga Neni 6 § 1 (shih Steck-Risch dhe të Tjerë kundër Lihtenshtajnit (dec.), nr. 29061/08, 11 maj 2010) dhe, nëse po, a janë respektuar kriteret e Nenit 6 § 1.
32. Përpara kësaj, duhet shënuar që ankesat e kërkueses parimisht drejtohen kundër procedurave në apelin e saj të jashtëzakonshëm të depozituar më 14 qershor 2007 dhe të refuzuar nga Gjykata Supreme më 14 mars 2008. Duke pasur parasysh natyrën dhe rezultatin e apelit vijues të kërkueses, të refuzuar nga Gjykata Supreme më 5 qershor 2008, Gjykata gjithashtu do të marrë parasysh këto procedurat e fundit (shih paragrafët 55-56 poshtë).
A. Nëse Gjykata ndalohet nga Neni 46 i Konventës për të shqyrtuar ankesat e bëra në kërkesën në fjalë
1. Parime të përgjithshme
33. Çështja e pajtueshmërisë nga Palët e Larta Kontraktuese me vendimet e Gjykatës bie jashtë juridiksionit të saj në qoftë se nuk ngrihet në kontekstin e "procedurës së shkeljes" të parashikuar me Nenin 46 §§ 4 dhe 5 të Konventës (shih Organizata e Bashkuar Maqedonase Ilinden - PIRIN dhe të Tjerë kundër Bullgarisë (nr. 2), nr. 41561/07 dhe 20972/08, § 56, 18 tetor 2011). Sipas Nenit 46 § 2, Komiteti i Ministrave ka fuqinë të mbikëqyrë ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës dhe të vlerësojë masat e marra nga Shtetet përgjegjëse. Megjithatë, roli i Komitetit të Ministrave në fushën e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës nuk e ndalon Gjykatën nga shqyrtimi i një kërkese të re në lidhje me masat e marra nga një Shtet përgjegjës për ekzekutimin e një vendimi në qoftë se ajo kërkesë përmban informacione të reja relevante rreth çështjeve të pavendosura nga vendimi fillestar (shih Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (no.2) [GC], nr. 32772/02, §§ 61‑63, ECHR 2009).
34. Parimet e përgjithshme ishin përmbledhur në Egmez kundër Qipros ((dec.), nr. 12214/07, §§ 48-56, 18 shtator 2012), si vijon:
“48. Gjykata përsërit që gjetjet e një shkeljeje në vendimet e saj janë në parim të natyrës deklarative (shih Krčmář dhe të Tjerë kundër Republikës Çeke (dec.), nr. 69190/01, 30 mars 2004; Lyons dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 15227/03, ECHR 2003-IX; dhe Marckx kundër Belgjikës, 13 qershor 1979, § 58, Seria A nr. 31) dhe që, sipas Nenit 46 të Konventës, Palët e Larta Kontraktuese kanë marrë përsipër t’u përmbahen vendimeve përfundimtare të Gjykatës në çdo çështje ato kanë qenë palë, ku ekzekutimi mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave (shih, mutatis mutandis, Papamichalopoulos dhe të Tjerë kundër Greqisë (Neni 50), 31 tetor 1995, § 34, Seria A nr. 330-B). Rrjedh, inter alia, që një vendim në të cilin Gjykata gjen shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, i cakton një detyrim ligjor Shtetit përgjegjës jo vetëm t’u paguajë personave të përfshirë shumat e akorduara si shpërblim i drejtë, por edhe të zgjedhë, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, masa të përgjithshme dhe/ose, nëse është me vend, individuale që të miratohen në rendin ligjor vendas për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur nga Gjykata dhe për të pakësuar aq sa mundet efektet (shih Pisano kundër Italisë (çregjistrimi) [GC], nr. 36732/97, § 43, 24 tetor 2002 dhe Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe 41963/98, § 249, ECHR 2000-VIII). Pas monitorimit nga Komiteti i Ministrave, Shteti përgjegjës është i lirë të zgjedhë mënyrën se si do t’i kryejë detyrimet e tij ligjore sipas Nenit 46 të Konventës, ku këto mënyra duhet të jenë në pajtueshmëri me përfundimet e cekura në vendimin e Gjykatës (shih vendimin e përmendur lart Scozzari dhe Giunta, § 249). Nga ana e saj, Gjykata nuk mund të marrë asnjë rol në këtë dialog (Lyons dhe të Tjerë, cituar lart).
49. Megjithëse Gjykata mundet në situata të caktuara të tregojë se çfarë zgjidhje apo masë specifike të merret nga Shteti përgjegjës (shih, për shembull, Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, pika 14 e pjesës operative, ECHR 2004-II; Gençel kundër Turqisë, nr. 53431/99, § 27, 23 tetor 2003), sërish hyn brenda kompetencave të Komitetit të Ministrave të vlerësojnë zbatimin e masave të tilla sipas Nenit 46 § 2 të Konventës (shih Greens dhe M.T. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 60041/08 dhe nr. 60054/08, § 107, 23 nëntor 2010; Suljagić kundër Bosnje dhe Hercegovinës, nr. 27912/02, § 61, 3 nëntor 2009; Hutten Czapska kundër Polonisë (marrëveshje miqësore) [GC], nr. 35014/97, § 42, 28 prill 2008; Hutten Czapska kundër Polonisë [GC], nr. 35014/97, §§ 231-239 dhe pjesa operative, ECHR 2006-VIII); Broniowski kundër Polonisë (marrëveshje miqësore) [GC], nr. 31443/96, § 42, ECHR 2005-IX; dhe Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, §§ 189-194 dhe pjesa operative, ECHR 2004-V).
50. Rrjedhimisht, Gjykata ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme që ajo nuk ka juridiksion të vërtetojë nëse një Palë Kontraktuese ka vepruar në përputhje me detyrimet e saj të caktuara nga një vendim i Gjykatës. Prandaj, ajo ka refuzuar të shqyrtojë ankesat në lidhje me dështimin e Shteteve për të ekzekutuar vendimet e saj, duke i deklaruar ankesa të tilla ratione materiae të papranueshme (shih Moldovan dhe të Tjerë kundër Moldavisë (dec.), nr. 8229/04, 15 shkurt 2011; Dowsett kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) (dec.), nr. 8559/08, 4 janar 2011; Öcalan kundër Turqisë (dec.), nr. 5980/07, 6 korrik 2010; Haase kundër Gjermanisë, nr. 11057/02, ECHR 2004 III; Komanický kundër Sllovakisë (dec.), nr. 13677/03, 1 mars 2005; Lyons dhe të Tjerë, cituar lart; Krčmář dhe të Tjerë, cituar lart; dhe [Fischer] kundër Austrisë (dec.), nr. 27569/02, ECHR 2003 VI).
51. Megjithatë, roli i Komitetit të Ministrave në këtë fushë nuk do të thotë që masat e marra nga një Shtet përgjegjës për të korrigjuar një shkelje të gjetur nga Gjykata nuk mund të ngrenë një çështje të pavendosur nga vendimi (shih Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT), cituar lart, § 62; Hakkar kundër Francës (dec.), nr. 43580/04, 7 prill 2009; Haase, cituar lart; Mehemi [kundër Francës (nr. 2), nr. 53470/99, § 43, ECHR 2003‑IV]; Rongoni kundër Italisë, nr. 44531/98, § 13, 25 tetor 2001; Rando kundër Italisë, nr. 38498/97, § 17, 15 shkurt 2000; Leterme kundër Francës, 29 prill 1998, Raporte 1998-III; Pailot kundër Francës, 22 prill 1998, § 57, Raporte 1998-II; dhe Olsson kundër Suedisë (nr. 2), 27 nëntor 1992, Seria A nr. 250) dhe, kështu, të formojnë një kërkesë të re të cilën mund ta trajtojë Gjykata.
52. Mbi atë bazë, Gjykata ka gjetur që ajo ka kompetencën për të pranuar ankesa në disa çështje të vazhdimësisë për shembull kur autoritetet vendase kanë zhvilluar shqyrtime të reja vendase mbi çështjen me anë të zbatimit të një prej vendimeve të Gjykatës qoftë përmes ri-hapjes së procedurave (shih Emre kundër Zvicrës (nr. 2), nr. 5056/10, 11 tetor 2011, dhe Hertel [kundër Zvicrës (dec.), nr. 53440/99, ECHR 2002-I]) ose përmes fillimit të [një] serie të tërë procedurash vendase (shih Organizata e Bashkuar Maqedonase Ilinden - PIRN dhe të Tjerë kundër Bullgarisë (nr. 2), nr. 41561/07 dhe nr. 20972/08, 18 tetor 2011 dhe Liu kundër Rusisë (nr. 2), nr. 29157/09, 26 korrik 2011).
53. Më tej, në kontekstin e veçantë të një shkeljeje të vazhdueshme të një të drejte të Konventës pas miratimit të një vendimi në të cilin Gjykata ka gjetur shkelje të asaj të drejte gjatë një periudhe të caktuara kohore, nuk është e pazakontë që Gjykata të shqyrtojë një kërkesë të dytë në lidhje me shkeljen e asaj të drejtë gjatë periudhës pasuese (shih, mes të tjerash, Ivanţoc dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë, nr. 23687/05, §§ 93-96, 15 nëntor 2011 në lidhje me paraburgimin e vazhduar; Wasserman kundër Rusisë (nr. 2), nr. 21071/05, §§ 36-37, 10 prill 2008 në lidhje me mos zbatimin e një vendimi vendas; dhe Rongoni kundër Italisë, cituar lart, § 13, në lidhje me gjatësinë e procedurës). Në raste të tilla, ‘çështja e re’ rezulton nga vazhdimi i shkeljes që ka formuar bazën e vendimit fillestar të Gjykatës. Megjithatë, shqyrtimi nga Gjykata është i kufizuar nga periudha të reja kohore dhe çdo ankesë e re që mund të ngrihet në këtë aspekt (shih, për shembull, Ivanţoc dhe të Tjerë, cituar lart).
54. Është e qartë nga praktika gjyqësore e Gjykatës që përcaktimi i ekzistencës së një ‘çështjeje të re’ varet shumë nga rrethanat e veçanta të një çështjeje të dhënë dhe që dallimet mes çështjeve nuk janë gjithmonë aq të ndara me thikë. Kështu, për shembull, në çështjen Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) (cituar lart), Gjykata gjeti që ajo ishte kompetente për të shqyrtuar një ankesë që gjykata vendase në fjalë kishte rrëzuar një kërkesë për rihapjen e procedurës pas vendimit të Gjykatës. Gjykata u mbështet kryesisht mbi faktin që bazat për rrëzimin e kërkesës ishin të reja dhe prandaj përbënin informacione të reja relevante që kishin mundësi të nxirrnin në pah një shkelje të re të Konventës (shih Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT), cituar lart, § 65). Më tej, ajo mori parasysh faktin që Komiteti i Ministrave e kishte përfunduar mbikëqyrjen e tij të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës pa marrë në konsideratë refuzimin për rihapjen meqenëse ai nuk ishte informuar për atë vendim. Gjykata konsideroi që, edhe nga ai këndvështrim, refuzimi në fjalë përbënte fakt të ri (ibid, § 67). Në mënyrë të ngjashme, në vendimin e kohëve të fundit në çështjen e Emre (cituar lart) Gjykata vendosi që një vendim i ri vendas i dhënë pas rihapjes së çështjes, dhe në të cilin gjykata vendase ka vazhduar me vënien në vend të një ekuilibrimi të ri të interesave, përbënte fakt të ri. Ajo gjithashtu vërejti në këtë aspekt që procedura e ekzekutimit para Komitetit të Ministrave nuk kishte filluar akoma. Megjithatë, ankesa të krahasueshme u rrëzuan në çështjet e Schelling kundër Austrisë (nr. 2) (dec.), nr. 46128/07, 16 shtator 2010 dhe Steck-Risch dhe të Tjerë kundër Lihtenshtajnit (dec.) nr. 629061//08, 11 maj 2010), meqenëse Gjykata konsideroi që, mbi bazën e fakteve, vendimet e gjykatave vendase që refuzonin kërkesat për rihapje nuk ishin të bazuara ose të lidhura me baza të reja relevante që kishin mundësi të nxirrnin në pah një shkelje të re të Konventës. Më tej, në Steck-Risch Gjykata vërejti që Komiteti i Ministrave e kishte përfunduar mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimit të mëparshëm të Gjykatës para refuzimit të gjykatës vendase për të rihapur procedurën dhe pa u mbështetur në faktin që mund të bëhej një kërkesë për rihapje. As në këtë aspekt nuk kishte informacione të reja relevante.
55. Gjithashtu, në këtë kontekst duhet t’i bëhet referencë edhe kritereve të vendosura në praktikën gjyqësore në lidhje me Nenin 35 § 2 (b), sipas të cilit një kërkesë duhet të deklarohet e papranueshme në qoftë se ajo ‘është në thelb e njëjtë me një çështje e cila tashmë është shqyrtuar nga Gjykata ... dhe nuk përmban informacione të reja relevante’: (i) një kërkesë konsiderohet të jetë ‘në thelb e njëjtë’ aty ku palët, ankesat dhe faktet janë identike (shih Verein Gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) cituar lart, § 63 dhe Pauger kundër Austrisë (dec.), nr. 16717/90 dhe nr. 24872/94, vendimet e Komisionit të 9 janarit 1995); (ii) koncepti i ankesës karakterizohet nga faktet e pretenduara në të e jo thjesht nga bazat ose argumentet ligjore mbi të cilat është mbështetur (shih Guerra dhe të Tjerë kundër Italisë, 19 shkurt 1998, § 44, Raporte 1998-I dhe Powell dhe Rayner kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1990, § 29, Seria A nr. 172); dhe (iii) aty ku kërkuesi paraqet informacione të reja, kërkesa nuk do të jetë në thelb e njëjtë me një kërkesë të mëparshme (shih Patera kundër Republikës Çeke (dec.), nr. 25326/03), vendimi i Komisionit i 10 janarit 1996 dhe Chappex kundër Zvicrës (dec.), nr. 20338/92, vendimi i Komisionit i 12 tetorit 1994).
56. Rrjedhimisht, fuqitë që i janë caktuar Komitetit të Ministrave nga Neni 46 për të mbikëqyrur ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës dhe për të vlerësuar zbatimin e masave të marra nga Shtetet sipas këtij Neni nuk do të shkelen kur Gjykata duhet të merret me informacione të reja relevante në kontekst të një kërkese të re (shih Verein Gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) cituar lart, § 67).”
2. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen e tanishme
35. Duke iu rikthyer çështjes në fjalë, Gjykata konsideron që disa prej lutjeve të kërkueses në çështjen e tanishme mund të kuptohen si ankesa rreth mungesës së pretenduar të ekzekutimit të duhur të vendimit të Gjykatës të 3 majit 2007 në çështjen e saj të mëparshme. Kërkuesja në mënyrë të veçantë mund të kuptohet si e tillë që diskuton se mangësitë e procedurave fillestare vendase që formuan thelbin e lëndës së vendimit të Gjykatës të vitit 2007 nuk janë korrigjuar në procedurën që ka kulminuar me vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008, për faktin se Gjykata Supreme nuk i është adresuar vlefshmërisë së provave kryesore dokumentuese mbi të cilat ishin bazuar vendimet e gjykatave vendase (shih paragrafin 29 lart). Megjithatë, ankesat për dështimin qoftë në ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, qoftë në korrigjimin e një shkeljeje tashmë të gjetur nga Gjykata bien jashtë kompetencës ratione materiae të Gjykatës (shih përmbledhjen e praktikës gjyqësore të Gjykatës të riprodhuar në paragrafin pararendës, në mënyrë të veçantë Lyons dhe të Tjerë, cituar lart). Rrjedhimisht, ankesat e kërkueses, për aq sa kanë të bëjnë me dështimin për të korrigjuar shkeljen origjinale të Nenit 6 § 1 të Konventës siç u gjet në vendimin e Gjykatës të vitit 2007, duhet të deklarohen ratione materiae të papajtueshme me Konventën sipas Nenit 35 §§ 3 (a) dhe 4.
36. Megjithatë, kërkesa e re e kërkueses gjithashtu ngre një dëmtim të ri lidhur jo aq shumë me rezultatin e procedurave të vendosura në vitin 2008 nga Gjykata Supreme sa me zhvillimin dhe drejtësinë e atyre procedurave – të cilat ishin kronologjikisht të renditura pas dhe të dallueshme prej procedurave vendase të kundërshtuara në vendimin e Gjykatës të vitit 2007.
37. Pretendimi i kërkueses në atë aspekt siç mund të nxirret nga parashtrimet e saj, ka të bëjë me mënyrën se si Gjykata Supreme ka trajtuar një prej argumenteve të saj kryesore të bazuar mbi vendimin e Gjykatës të vitit 2007. Në mënyrë të veçantë, ajo u shpreh se arsyetimi i përdorur nga Gjykata Supreme në vendimin e saj të 14 marsit 2008 ishte dukshëm në kundërshtim me gjetjet aktuale të Gjykatës në vendimin e saj të vitit 2007 (shih paragrafin 29 lart). Ky dëmtim i ri pra ka të bëjë me mënyrën se si ishte arritur vendimi në mars 2008 gjatë procedurave rreth apelit të jashtëzakonshëm të kërkueses, dhe jo me rezultatin e tyre si të tilla e as me efektivitetin e zbatimit nga gjykatat vendase të vendimit të Gjykatës (krahaso dhe bëj kontrastin me Steck-Risch dhe të Tjerë, Öcalan, dhe Schelling (nr. 2), cituar lart, ku nuk u pretendua asnjë padrejtësi e veçantë në lidhje me zhvillimin e procedurave të reja relevante që u nisën nga kërkuesit në ato çështje në nivel vendi). Megjithëse iniciativat e kërkueses për të rishqyrtuar vendimet vendase në çështjen konkrete pa dyshim që ishin të lidhura me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës të datës 3 maj 2007, ankesat e saj lidhur me padrejtësinë e procedurave gjyqësore të mëpasshme të dyja kanë të bëjnë me një situatë të dallueshme nga ajo e shqyrtuar në atë vendim dhe përmbajnë informacione të reja relevante që lidhen me pika të pavendosura nga ai vendim.
38. Për pasojë, në rastin konkret “çështja e re” që Gjykata ka kompetencë të analizojë, pa shkelur privilegjet e Shtetit përgjegjës dhe të Komitetit të Ministrave sipas nenit 46 të Konventës, ka të bëjë me padrejtësinë e pretenduar të procedurave gjatë apelit të jashtëzakonshëm të kërkueses, përkundrejt rezultatit të tyre si i tillë dhe ndikimit të tyre mbi ekzekutimin e duhur të vendimit të Gjykatës të datës 3 maj 2007.
39. Rrjedhimisht, Gjykatën nuk e ndalon Neni 46 i Konventës që të analizojë ankesën e re të kërkueses në lidhje me padrejtësinë e procedurave që kulminuan me vendimin e Gjykatës Supreme të datës 14 mars 2008. Tani Gjykata do t’i kthehet çështjes nëse procedurat e kundërshtuara vendase kanë pasur garancitë e drejtësisë nga neni 6 § 1 i Konventës.
B. Nëse ankesa e re e kërkueses është në pajtueshmëri ratione materiae me Nenin 6 § 1 të Konventës
1. Parashtrimet e Palëve
40. Qeveria u shpreh se Neni 6 i Konventës ishte i pazbatueshëm në procedurat lidhur me “apelin e kërkueses nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme”. Ajo diskutoi që vendimi i Gjykatës Supreme i 14 marsit 2008, që refuzoi apelin e saj të parë, kishte qenë i natyrës së përkohshme dhe nuk kishte përcaktuar të drejtat ose detyrimet e saj civile. Ishte vendimi i mëvonshëm i Gjykatës Supreme i datës 5 qershor 2008 ku refuzohej apeli i saj i dytë ai i cili kishte “përkufizuar” të drejtat dhe detyrimet e saj civile. Megjithatë, meqenëse kërkuesja nuk u ankua që procedurat e qershorit 2008 ishin të mangëta, Neni 6 nuk ishte i zbatueshëm.
41. Kërkuesja parashtroi që Neni 6 § 1 i Konventës ishte i zbatueshëm në procedurat lidhur me apelin e saj të jashtëzakonshëm që kulminoi me vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parime të Përgjithshme
42. Gjykata përsërit që në mënyrë që Neni 6 § 1 në aspektin e tij “civil” të ishte i zbatueshëm, duhet të ekzistojë një mosmarrëveshje (në tekstin frëngjisht “contestation”) rreth një “të drejte” e cila mund të thuhet, të paktën mbi baza të argumentueshme, se njihet nga e drejta vendase, pavarësisht nëse ajo e drejtë është e mbrojtur nga Konventa. Mosmarrëveshja duhet të jetë reale dhe serioze; ajo mund të jetë e lidhur jo vetëm me ekzistencën faktike të një të drejte por edhe me fushëveprimin dhe mënyrën e ushtrimit të saj; dhe, në fund, rezultati i procedurave duhet të jetë drejtpërdrejt vendimtar për të drejtën në fjalë, ku thjesht lidhjet e vogla apo pasojat e largëta nuk mjaftojnë për të futur në lojë Nenin 6 § 1 (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Micallef kundër Maltës [GC], nr. 17056/06, § 74, ECHR 2009; dhe Boulois kundër Luksemburgut [GC], nr. 37575/04, § 90, ECHR 2012).
43. Në lidhje me këtë, karakteri i legjislacionit që qeveris mënyrën se si vendoset çështja (e drejta civile, tregtare, administrative, e kështu me radhë) dhe ai i autoritetit të veshur me këtë juridiksion në çështjen (gjykata e zakonshme, organi administrativ, e kështu me radhë) nuk kanë pasoja vendimtare (shih Micallef, cituar lart, § 74).
(b) Praktika gjyqësore lidhur me zbatueshmërinë e Nenit 6 në procedurat e apeleve të jashtëzakonshme
44. Në pajtim me parimet e lartpërmendura, sipas një praktike gjyqësore të gjatë dhe të vendosur, Konventa nuk garanton të drejtën e rihapjes së një çështjeje të përfunduar. Apelet e jashtëzakonshme që kërkojnë rihapjen e procedurave gjyqësore normalisht nuk përfshijnë përcaktimin e “të drejtave dhe detyrimeve civile” ose të “ndonjë akuze penale” dhe prandaj Neni 6 vlerësohet i pazbatueshëm ndaj tyre (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, X. kundër Austrisë, nr. 7761/77, vendimi i Komisionit i 8 majit 1978, D.R. 14, fq. 171; Surmont dhe De Meurechy kundër Belgjikës, nr. 13601/88 dhe nr. 13602/88, vendimi i Komisionit i 6 korrikut 1989, D.R. 62, fq. 284; J.F. kundër Francës (dec.), nr. 39616/98, 20 prill 1999; Zawadzki kundër Polonisë (dec.) nr. 34158/96, 6 korrik 1999; Sonnleitner kundër Austrisë (dec.) nr. 34813/97, 6 janar 2000; Sablon kundër Belgjikës, nr. 36445/97, § 86, 10 prill 2001; Valentin Gorizdra kundër Moldavisë (dec.) nr. 53180/99, 2 korrik 2002; Kucera kundër Austrisë, nr. 40072/98, 3 tetor 2002; Fischer, cituar lart; Jussy kundër Francës, nr. 42277/98, § 18, 8 prill 2003; Dankevich kundër Ukrainës, nr. 40679/98, 29 prill 2003; Steck-Risch dhe të Tjerë, cituar lart; Öcalan, cituar lart; Schelling (nr. 2), cituar lart; Hurter kundër Zvicrës (dec.), nr. 48111/07, 15 maj 2012; Dybeku kundër Shqipërisë (dec.), nr. 557/12, § 30, 11 mars 2014). Kjo është për shkak se, përderisa çështja mbulohet nga parimi i res iudicata i një vendimi të formës së prerë në procedura kombëtare, në parim nuk mund të thuhet që një kërkesë ose apel i jashtëzakonshëm vijues që kërkon rishikimin e atij vendimi i jep shkas një pretendimi të argumentueshëm në lidhje me ekzistencën e një të drejte të njohur nga ligji vendas ose që rezultati i procedurave në të cilat vendoset nëse do të rimerret në konsideratë ose jo e njëjta çështje është vendimtar për “përcaktimin e ... të drejtave ose detyrimeve civile ose të çdo akuze penale” (krahaso dhe bëj kontrastin me Melis kundër Greqisë, nr. 30604/07, §§ 18-20, 22 korrik 2010, i cili distancohet nga qasja në fjalë).
45. Kjo qasje është ndjekur edhe në rastet kur është kërkuar rihapja e procedurave vendore juridike të përfunduara mbi bazën e gjetjes nga Gjykata të një shkeljeje të Konventës (shih, për shembull, Fischer, cituar lart). Duke deklaruar ankesën e kërkueses sipas Nenit 6 të papranueshme në Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2) (nr. 32772/02, § 24, 4 tetor 2007), Dhoma kumtoi:
“24. ...Është e qartë nga praktika e saj gjyqësore që ky Nen nuk është i zbatueshëm në procedurat që kanë të bëjnë me një kërkesë për rigjykim ose për rihapjen e procedurave civile (shih Sablon kundër Belgjikës, nr. 36445/97, § 86, 10 prill 2001). Gjykata nuk sheh arsye përse ky arsyetim të mos zbatohet edhe tek një kërkesë për rihapjen e procedurave pasi ajo ka gjetur shkelje të Konventës (shih, në lidhje me një çështje penale, [Fischer] kundër Austrisë (dec.), 27569/02, ECHR 2003‑VI). Prandaj, ajo konsideron që ankesa sipas Nenit 6 është ratione materiae e papërputhshme me dispozitat e Konventës.”
46. Megjithatë, në qoftë se një apel i jashtëzakonshëm përfshin ose faktikisht rezulton në rishqyrtimin e çështjes nga fillimi, Neni 6 i zbatohet procedurave të “rishqyrtimit” në mënyrën e zakonshme (shih, për shembull, Sablon, cituar lart, §§ 88-89; Vanyan kundër Rusisë, nr. 53203/99, §56, 15 dhjetor 2005; Zasurtsev kundër Rusisë, nr. 67051/01, § 62, 27 prill 2006; Alekseyenko kundër Rusisë, nr. 74266/01, § 55, 8 janar 2009; Hakkar, cituar lart; dhe Rizi kundër Shqipërisë (dec.), nr. 49201/06, § 47, 8 nëntor 2011).
47. Më tej, Neni 6 është gjetur gjithashtu të jetë i zbatueshëm në disa rrethana të caktuara ku procedurat, edhe pse të karakterizuara si “të jashtëzakonshme” ose “të pazakonta” në të drejtën vendase, janë vlerësuar si të ngjashme nga natyra dhe fushëveprimi me procedurat e zakonshme të apelit, ku karakterizimi kombëtar i procedurave nuk është parë si vendimtar për çështjen e zbatueshmërisë.
48. Kështu, në San Leonard Band Club kundër Maltës (nr. 77562/01, §§ 41-48, ECHR 2004 IX), Neni 6 u vendos të ishte i zbatueshëm në procedurat lidhur me kërkesën për gjyq të ri. Gjykata arsyetoi që kërkesa ishte e ngjashme me një apel mbi bazën e pikave në ligj para gjykatës së kasacionit, autoritetet malteze nuk ushtruan ndonjë pushtet në diskrecionin e tyre por ata u desh të merrnin vendim në lidhje me kërkesën, dhe rezultati i procedurës së re gjyqësore ishte vendimtar për “të drejtat dhe detyrimet civile” të kompanisë kërkuese.
49. Në mënyrë të ngjashme, në Maresti kundër Kroacisë (nr. 55759/07, 25 qershor 2009) Gjykata gjeti që procedurat në lidhje me një kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit përfundimtar në një çështje penale hynte brenda fushëveprimit të Nenit 6. Duke shqyrtuar natyrën dhe tiparet e veçanta të atyre procedurave, ajo shënoi që mundësia e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm ishte e hapur për të pandehurin për gabime rreptësisht të kufizuara të ligjit që shkonin në dëm të të pandehurit, kërkesa duhet të depozitohej brenda një afati kohor të rreptë prej një muaji pas dorëzimit të vendimit të gjykatës së apelit tek i pandehuri, dhe arsyet që justifikonin shqyrtimin e jashtëzakonshëm ishin shprehimisht të renditura në Kodin e Procedurës Penale të Kroacisë dhe nuk i nënshtroheshin asnjë vendimi nën diskrecionin e Gjykatës Supreme të Kroacisë. Më tej Gjykata vërejti që kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm e gjente barasvlerën e saj në procedurën civile kroate në formën e një apeli mbi bazën e pikave në ligj në çështje civile, ku zbatohej Neni 6 (shih paragrafët 25-28 të vendimit të lartpërmendur).
50. Në përmbledhje, ndërkohë që Neni 6 § 1 normalisht nuk është i zbatueshëm në apelet e jashtëzakonshme ku kërkohet rihapja e procedurave gjyqësore të përmbyllura, natyra, fushëveprimi dhe tiparet e veçanta të procedurave në lidhje me një apel të jashtëzakonshëm të dhënë në sistemin ligjor në fjalë mund të jenë të atilla që i sjellin procedurat rreth atij lloj apeli brenda kuadrit të Nenit 6 § 1 dhe mbrojtjeve të gjyqit të drejtë që ai u ofron palëve. Prandaj Gjykata duhet të shqyrtojë natyrën, fushëveprimin dhe tiparet e veçanta të apelit të jashtëzakonshëm që diskutohet në çështjen në fjalë.
(c) Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
51. Kështu, duke iu kthyer rrethanave konkrete të çështjes në fjalë, Gjykata shënon që në kohën relevante Kodi i Procedurës Civile u garantonte palëve në procedura që ishin përmbyllur me vendim kasacioni “të drejtën për të kontestuar para Gjykatës Supreme ... vendimet gjyqësore në çështje civile nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” (Neni 353, neni hyrës në pjesën e Kodit që ka të bëjë me apelet e jashtëzakonshme – teksti i shënuar në paragrafin 24 lart). Sipas dispozitës vijuese në Kod (Neni 354 § 1 – teksti gjithashtu i shënuar në paragrafin 24 lart), “gjetja nga një autoritet gjyqësor ndërkombëtar, juridiksioni i të cilit është njohur nga Ukraina, që një vendim gjyqësor [vendas] ka shkelur zotimet ndërkombëtare të Ukrainës” ishte një prej dy bazave mbi të cilat mund të ngrihej një apel i tillë i jashtëzakonshëm. Neni 357 (ibid.) më tej e përkufizonte “shqyrtimin e një çështjeje nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme” si një “lloj procedure kasacioni”, ku Gjykata Supreme kishte të njëjtën fuqi shqyrtimi siç kishte në procedurat e kasacionit dhe ku apeli i jashtëzakonshëm kalonte nëpër të njëjtën procedurë si apelet e kasacionit. Po ashtu, fuqia e Gjykatës Supreme për të trajtuar një apel të jashtëzakonshëm ishte e krahasueshme me fuqitë e saj në apelet e kasacionit. Kështu, procedurat e apelit të jashtëzakonshëm mund të rezultonin në një prej llojeve të ndryshme të vendimeve të cekura në Nenin 358 të Kodit, posaçërisht vendimi “për të rrëzuar një apel dhe për ta lënë vendimin [e kontestuar] të pandryshuar”, “për të prishur, tërësisht ose pjesërisht, vendimin gjyqësor [të kontestuar] dhe për ta rikthyer çështjen për shqyrtim të ri drejt [gjykatës kompetente më të ulët se ajo]”, “për të prishur vendimin [e kontestuar] të gjykatës së apelit ose të gjykatës së kasacionit dhe për të mbështetur një vendim i cili është prishur gabimisht”, ose “për të ndryshuar vendimin [e kontestuar] ose për të marrë një vendim të ri mbi themelet e çështjes” (ibid.).
52. Për qëllime të këtij shqyrtimi nga Gjykata të natyrës dhe fushëveprimit të zgjidhjes së ushtruar nga kërkuesja sipas Kodit të Procedurës Civile, gjithashtu ka gjasa të ketë njëfarë rëndësie edhe konteksti i sfondit legjislativ, i përfaqësuar nga dispozitat e Ligjit të vitit 2006 për Ekzekutimin e Vendimeve dhe Zbatimin e Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (shih paragrafin 25 lart, ku përmenden pjesët relevante të atij Ligji). Në mënyrë të veçantë, seksioni 10(3)(a) i Ligjit të vitit 2006 deklaron që “statusi i mëparshëm ligjor i Përfituesit” – pra, kërkuesi i suksesshëm para kësaj Gjykate – “është që të kompensohet, inter alia, me anë të rimarrjes në konsideratë të çështjes nga një gjykatë, përfshirë rihapjen e procedurave në atë çështje” (ibid.). Më tej, sipas seksionit 11 § 1 (a) të të njëjtit Ligj, Zyra e Agjentit të Qeverisë duhet t’i dërgojë Përfituesit “një shënim ku shpjegohet e drejta e tij për të nisur procedura për shqyrtimin e çështjes së tij dhe/ose për të rihapur procedurat në përputhje me ligjin në fuqi”.
53. Kështu korniza e zbatueshme ligjore kombëtare i bënte të mundur kërkueses një zgjidhje që mundësonte shqyrtimin e çështjes së saj civile nga Gjykata Supreme nën dritën e gjetjes nga kjo Gjykatë që vendimet origjinale vendase kishte qenë të mangëta. Në përputhje me llojin e shqyrtimit gjyqësor që parashikohej, apeli i jashtëzakonshëm i ngritur nga kërkuesja mund të shihet si zgjatje e mëtejshme e procedurave fillestare civile (të përfunduara), ngjashëm me një procedurë kasacioni siç përkufizohet nga e drejta ukrainase. Duke qenë kështu, ndërkohë që tiparet e veçanta të kësaj procedure tip kasacioni mund të ndikojnë tek mënyra se si veprojnë garancitë procedurale të Nenit 6 § 1 (shih Delcourt kundër Belgjikës, 17 janar 1970, § 26, Seria A nr. 11), Gjykata është e mendimit që ato garanci duhet të jenë të zbatueshme për të në të njëjtën mënyrë siç janë të zbatueshme edhe në procedurat e kasacionit në çështje civile në përgjithësi (shih, për shembull, Mushta kundër Ukrainës, nr. 8863/06, § 39, 18 nëntor 2010; dhe, mutatis mutandis, San Leonard Band Club dhe Maresti, cituar lart në paragrafët 48-49).
54. Ky përfundim, i nxjerrë nga dispozitat ligjore të zbatueshme në Ukrainë, mbështetet nga referenca ndaj fushëveprimit dhe natyrës së “shqyrtimit” faktikisht të zhvilluar nga Gjykata Supreme më 14 mars 2008 para se ta rrëzonte apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses, duke i lënë vendimet e kontestuara të pandryshuara. Gjatë atij shqyrtimi Gjykata Supreme shqyrtoi materialet e lëndës dhe vendimet gjyqësore nga procedurat fillestare nën dritën e parashtrimeve të reja të kërkueses duke u bazuar kryesisht mbi vendimin e Gjykatës të datës 3 maj 2007 (shih paragrafët 20-21 lart). Kështu, ajo që ndodhi në procedurat e marsit 2008 mund të krahasohet me procedurat lidhur me apelin e kasacionit të kërkueses të vendosur nga Gjykata Supreme në gusht 2002 (shih paragrafin 11 lart dhe Bochan, cituar lart, § 39), ku u zbatua Neni 6 § 1 ratione materiae. Për Gjykatën, në mars 2008 Gjykata Supreme e shqyrtoi çështjen civile të kërkueses “nën dritën e rrethanave të jashtëzakonshme”, pra vendimin e Gjykatës, në një procedurë tip kasacioni dhe nuk gjeti shkak për të përmbysur vendimet e kontestuara. Prandaj, ajo zhvilloi një “rimarrje në konsideratë”, siç e quante Ligji i vitit 2006, të pretendimit të saj pronësor mbi baza të reja dhe të kohëve të fundit lidhur me interpretimin e saj të vendimit të Gjykatës të datës 3 maj 2007, sado që vendosi të mos ndryshonte rezultatin e çështjes dhe, posaçërisht, të mos urdhëronte ri-dëgjimin e plotë të çështjes nga një gjykatë më e ulët.
55. Konsideratat e mësipërme nuk ndryshojnë nga fakti që, në qershor 2008, Gjykata Supreme, duke u mbështetur në Nenin 356 të Kodit, e refuzoi apelin vijues të kërkueses të prillit 2008 si të papranueshëm në baza formale pa asnjë “shqyrtim” të mëtejshëm të aspekteve substanciale të çështjes (shih paragrafin 23 lart).
56. Kështu, nën dritën si të dispozitave përkatëse të legjislacionit ukrainas ashtu edhe të natyrës dhe fushëveprimit të procedurave që kulminuan me vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008 në lidhje me apelin e jashtëzakonshëm të kërkueses, i ndjekur nga vendimi i saj konfirmues i qershorit 2008, Gjykata konsideron që ato procedura kanë qenë vendimtare për përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve civile të kërkueses. Si pasojë, garancitë përkatëse të Nenit 6 § 1 zbatoheshin në ato procedura. Rrjedhimisht, kundërshtimi i Qeverisë në lidhje me zbatueshmërinë e asaj dispozite në procedurat e kundërshtuara duhet të refuzohet.
57. Pavarësisht nga përfundimi në lidhje me zbatueshmërinë e Nenit 6 § 1 në llojin e procedurave në fjalë në çështjen konkrete, Gjykata do të përsëriste që u takon Shteteve Kontraktuese të vendosin rrugën më të mirë për të zbatuar vendimet e Gjykatës pa trazuar në mënyrë të panevojshme parimet e res iudicata ose të sigurisë ligjore në padi civile, posaçërisht kur një padi e tillë përfshin palë të treta që kanë interesat e veta legjitime për të mbrojtur. Më tej, edhe kur një Shtet Kontraktues parashikon mundësinë e kërkimit të rihapjes së procedurave të përmbyllura gjyqësore mbi bazën e një vendimi të Gjykatës, u takon autoriteteve vendase të përcaktojnë procedurën e trajtimit të kërkesave të tilla dhe të vendosë kriteret për të vendosur nëse rihapja e kërkuar është e domosdoshme në një çështje të caktuar. Nuk ka një qasje të njësuar mes Shteteve Kontraktuese për sa i përket mundësisë së kërkimit të rihapjes së procedurave civile të përmbyllura pas gjetjes së një shkeljeje nga kjo Gjykatë ose për sa i përket modaliteteve të zbatimit të mekanizmave ekzistuese për rihapje (shih paragrafët 26-27 lart).
58. Megjithatë, konsideratat e mësipërme nuk bien nga rëndësia, për efektivitet të sistemit të Konventës, e të garantuarit që ka procedura vendase të cilat lejojnë që një çështje të rishikohet nën dritën e një gjetjeje që mbrojtjet e Nenit 6 për gjyq të drejtë janë shkelur. Në të kundërt, procedura të tilla mund të shihen si një aspekt i rëndësishëm i ekzekutimit të vendimeve të saj siç parashikon Neni 46 i Konventës dhe gatishmëria për përdorim e tyre tregon zotimin e një Shteti Kontraktues ndaj Konventës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës (shih Lyons dhe të Tjerë, cituar lart). Gjykata kujton në lidhje me këtë Rekomandimin Nr. R (2000) 2 të miratuar nga Komiteti i Ministrave, në të cilin Shtetet Palë të Konventës ftohen të garantojnë që ekzistojnë mundësitë e duhura për rihapjen e procedurave në nivel vendi aty ku Gjykata ka gjetur shkelje të Konventës (shih paragrafin 28 lart). Ajo rikonfirmon pikëpamjen që masa të tilla mund të përfaqësojnë “mënyrën më efikase, në mos të vetme, për të arritur restitutio in integrum” (shih Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) (nr. 2), cituar në paragrafin 33 lart, §§ 33 dhe 89; dhe Steck-Risch dhe të Tjerë, cituar lart).
C. Për sa i përket çështjes nëse ankesa e re e kërkueses sipas Nenit 6 § 1 të Konventës i plotëson kushtet e tjera të pranueshmërisë
59. Gjykata më tej gjen që ankesa e kërkueses në lidhje me padrejtësinë e procedurave që kulminuan me vendimin e Gjykatës Supreme të datës 14 mars 2008 nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të Nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe që nuk është e papranueshme për shkak të ndonjë baze tjetër. Prandaj, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
D. Themelet e ankesës së re të kërkueses sipas Nenit 6 § 1 të Konventës
60. Për sa i përket çështjes së pajtueshmërisë me kërkesat e Nenit 6 § 1 në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se ankesa e kërkueses për padrejtësi drejtohej pikërisht kundër arsyetimit të dhënë nga Gjykata Supreme në vendimin e saj të 14 marsit 2008.
61. Ajo përsërit që, sipas praktikës së saj gjyqësore të gjatë e tashmë të vendosur, nuk i takon kësaj Gjykate të merret me gabimet e pretenduara të ligjit ose të faktit të kryera nga gjykatat vendase në qoftë se dhe për sa kohë që këto nuk kanë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga Konventa (shih, për shembull, García Ruiz kundër Spanjës [GC], nr. 30544/96, § 28, ECHR 1999‑I; dhe Perez kundër Francës [GC], nr. 47287/99, § 82, ECHR 2004‑I), për shembull, përjashtimisht, aty ku mund të thuhet që përbëjnë “padrejtësi” në papajtueshmëri me Nenin 6 të Konventës. Ndërkohë që kjo dispozitë garanton të drejtën për seancë të drejtë, ajo nuk shtron rregulla mbi pranueshmërinë e provave apo mënyrën se si duhen vlerësuar provat, ku këto janë kryesisht çështje që duhen rregulluar nga ligjet kombëtare dhe gjykatat kombëtare. Normalisht, çështje të tilla si pesha që gjykatat kombëtare u japin provave të ndryshme ose gjetjeve apo vlerësimeve që dalin para tyre për shqyrtim nuk i takojnë Gjykatës që t’i trajtojë. Gjykata nuk duhet të veprojë si instancë e katërt dhe prandaj nuk do të vërë në pyetje sipas Nenit 6 § 1 gjykimin e gjykatave kombëtare, në qoftë se gjetjet e tyre nuk shihen si arbitrare ose dukshëm të paarsyeshme (shih, për shembull, Dulaurans kundër Francës, nr. 34553/97, §§ 33-34 dhe 38, 21 mars 2000; Khamidov kundër Rusisë, nr. 72118/01, § 170, 15 nëntor 2007; dhe Anđelković kundër Serbisë, nr. 1401/08, § 24, 9 prill 2013).
62. Kështu, në Dulaurans Gjykata gjeti shkelje të së drejtës për gjyq të drejtë sepse e vetmja arsye për të cilën Gjykata franceze e Kasacionit kishte ardhur në vendimin që refuzonte apelin e kasacionit të kërkuesit si të papranueshëm ishte rezultat i “une erreur manifeste d’appréciation” (“gabim i dukshëm në vlerësim”) (shih Dulaurans, cituar lart). Logjika e këtij nocioni të “erreur manifeste d’appréciation” (koncept i të drejtës administrative franceze), ashtu siç përdoret në kontekstin e Nenit 6 § 1 të Konventës, pa dyshim është që nëse gabimi i ligjit ose i faktit i kryer nga gjykata kombëtare është kaq i dallueshëm saqë karakterizohet si “gabim i dukshëm” – që do të thotë se është gabim të cilin asnjë gjykatë e arsyeshme nuk do të kishte mundur ta bënte ndonjëherë –, ai mund të jetë i atillë që trazon drejtësinë e procedurave. Në Khamidov, paarsyeshmëria e konkluzioneve të gjykatave vendase për sa u përket fakteve ishte “kaq haptazi e prekshme dhe e habitshme” saqë Gjykata vendosi që procedurat e ankimuara duhet të konsideroheshin “së tepërmi arbitrare” (shih Khamidov, cituar lart, § 174). Në Anđelković, Gjykata gjeti që arbitrariteti i vendimit të gjykatës vendase, i cili nuk kishte pasur bazë ligjore në të drejtën vendase dhe nuk kishte përmbajtur asnjë lidhje mes fakteve të konstatuara, ligjit të zbatueshëm dhe rezultatit të procedurave, shkonte në “mohim të drejtësisë” (shih Anđelković, cituar lart, § 27).
63. Në rastin konkret, Gjykata shënon që në vendimin e datës 14 mars 2008 Gjykata Supreme keqinterpretoi së tepërmi gjetjet e Gjykatës në vendimin e saj të datës 3 maj 2007. Në mënyrë të veçantë, Gjykata Supreme tregoi me hollësi që kjo Gjykatë kishte gjetur se vendimet e gjykatave vendase në çështjen e saj kishin qenë të ligjshme dhe të bazuara dhe që asaj i ishte akorduar shpërblim i drejtë për shkeljen e garancisë së “kohës së arsyeshme”, pohime këto të cilat janë qartazi të pasakta (shih paragrafët 13-18 dhe 21 lart).
64. Gjykata vëren se arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk përbën vetëm një lexim të ndryshëm të një teksti ligjor. Për Gjykatën ai mund të kuptohet vetëm si “së tepërmi arbitrar” ose si i tillë që ngërthen “mohim të drejtësisë”, në kuptimin që prezantimi i shtrembëruar i vendimit të vitit 2007 në çështjen e parë Bochan (cituar lart) pati efektin e disfatës së përpjekjes së kërkueses për shqyrtimin e pretendimit të saj pronësor nën dritën e vendimit të Gjykatës në çështjen e saj të mëparshme në kuadër të procedurës së llojit të kasacionit që parashikonte ligji vendas (shih paragrafët 51-53 lart). Në këtë aspekt, duhet nënvizuar që në vendimin e saj të vitit 2007 Gjykata gjeti që, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat çështja e kërkueses u ishte ricaktuar nga Gjykata Supreme gjykatave më të ulëta, dyshimet e kërkueses rreth paanshmërisë së gjyqtarëve që e kishin trajtuar çështjen, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, ishin justifikuar në mënyrë objektive (shih paragrafët 13-15 lart).
65. Rrjedhimisht, nën dritën e gjetjeve të Gjykatës lidhur me natyrën dhe nënkuptimet e mangësisë në vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008 (shih paragrafët 63-64 lart), duhet të konkludohet që procedurat e kundërshtuara nuk i kanë plotësuar kriteret e “gjyqit të drejtë” sipas Nenit 6 § 1 të Konventës dhe që ka pasur shkelje të asaj dispozite.
E. Ankesa e re e kërkueses për aq sa i përket Nenit 1 të Protokollit Nr. 1
66. Kërkuesja diskutoi që ajo ishte privuar në mënyrë të paligjshme nga pasuria e saj për shkak të procedurave të apelit të saj të jashtëzakonshëm. Ajo u mbështet tek Neni 1 i Protokollit Nr. 1.
67. Gjykata vëren që kjo ankesë është e lidhur me ankesën e shqyrtuar më lart dhe prandaj duhet të deklarohet e pranueshme.
68. Duke pasur parasysh gjetjet e saj sipas Nenit 6 § 1 të Konventës (shih paragrafin 65 lart), Gjykata gjend që nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse, në këtë rast, ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
69. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmshpërblimi
70. Kërkuesja kërkoi 300.000 euro (EUR) në lidhje me dëmet e shkaktuara nga shkelja e pretenduar e të drejtave të saj sipas Nenit 6 të Konventës dhe Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
71. Qeveria diskutoi që kërkuesja nuk e kishte saktësuar natyrën e dëmeve që pretendoi se kishte pësuar për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme në çështjen e saj dhe nuk kishte paraqitur prova për të mbështetur pretendimin e saj. Rrjedhimisht, kërkesa duhet të refuzohet në tërësi.
72. Gjykata vëren se kërkuesja nuk ka dhënë hollësi në lidhje me natyrën e dëmit të pretenduar ose të peshës së tij. Sidoqoftë, ajo konsideron se kërkuesja duhet të jetë përjetuar njëfarë shqetësimi dhe ankthi për shkak të mënyrës “së padrejtë” në të cilën Gjykata Supreme e ka trajtuar apelin e saj të jashtëzakonshëm, çka, për pasojë, i ka bërë të papërfillshme përpjekjet e saj për të shqyrtuar pretendimin e saj pronësor nën dritën e vendimit të Gjykatës në çështjen e saj të mëparshme në kuadër të procedurës tip kasacioni të parashikuar me ligjin vendas (shih paragrafin 64 lart). Gjykata nuk e gjykon të udhës të shqyrtojë nëse është i mundur një rishqyrtim i mëtejshëm i pretendimit pronësor të kërkueses në këto rrethana, duke marrë parasysh veçanërisht kohën e konsiderueshme që ka kaluar si dhe nënkuptimet e mundshme të një rishqyrtimi të tillë për parimet e res iudicata dhe të sigurisë ligjore në padi civile të përfunduara dhe për interesa legjitime të palëve të treta. Nga ana tjetër, realiteti tani është që kërkuesja duhet të merret, për qëllime të vlerësimit të Gjykatës sipas Nenit 41, si e tillë që nuk ka mundësi praktike për të ndrequr shkeljen e gjetur në çështjen e saj në nivel vendi. Kështu, duke bërë vlerësimin e saj mbi baza të barabarta, Gjykata e konsideron të arsyeshme që t’i akordojë kërkueses 10.000 EUR për dëme jo materiale, plus taksat e ngarkueshme mbi atë shumë.
B. Kostot dhe shpenzimet
73. Kërkuesja nuk ka paraqitur kërkesë për kosto dhe shpenzime.
C. Interesi i munguar
74. Gjykata e konsideron të udhës që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E deklaron ankesën e kërkueses sipas Nenit 6 § 1 të Konventës lidhur me padrejtësinë e procedurave që kulminuan me vendimin e Gjykatës Supreme të 14 marsit 2008 dhe ankesën e saj sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 që ajo ishte privuar në mënyrë të paligjshme nga pasuria e saj për shkak të atyre procedurave të pranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme;
2. Vendos që ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës;
3. Vendos që nuk ka nevojë të shqyrtohet ankesa sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës;
4. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve, 10.000 EUR (dhjetëmijë euro), plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme, në lidhje me dëme jo materiale, të cilat do të konvertohen në valutën e Shtetit përgjegjës me kursin e zbatueshëm në ditën e pagesës;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane plus tri pikë përqindjeje;
5. Rrëzon pjesën e mbetur të pretendimit të kërkueses për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe në frëngjisht, dhe e shpallur me shkrim më 5 shkurt 2015, në përputhje me Nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyDean Spielmann
KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullave të Gjykatës, opinionet e ndara të mëposhtme i vihen në shtojcë këtij vendimi.
Mendimi paralel i gjyqtarit Wojtyczek.
D.S.
T.L.E.
OPINIONI PAJTUES I GJYKATËSIT WOJTYCZEK
1. Në rastin në fjalë kam votuar me shumicën lidhur me gjetjen e një shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës. Megjithatë, unë kam disa dyshime lidhur me arsyetimin e vendimit dhe në veçanti vlerësimin lidhur me zbatueshmërinë e nenit 6 të procedurave të shqyrtimit të ankimeve të jashtëzakonshme kundër vendimeve gjyqësore.
2. Çështja nëse dhe në çfarë mase zbatohet Neni 6 për procedurat e shqyrtimit të ankimeve të jashtëzakonshme kundër vendimeve gjyqësore apo vendimeve të veçanta administrative është shumë e vështirë, duke pasur parasysh kompleksitetin e konsiderueshëm të ligjit procedural dhe diversitetit të tij në Evropë. Përveç vështirësive materiale ekzistojnë çështje gjuhësore, të cilat janë veçanërisht të mprehta në këtë sferë ligjore ku shumë prej shprehjeve ligjore të përdorur në legjislacionin e Palëve Kontraktuese nuk janë ekuivalente me gjuhët zyrtare të Gjykatës.
Vë re se në jurisprudencën e saj të mëparshme, Gjykata ka pranuar zbatueshmërinë e nenit 6 për "apelet e kasacionit" në procedurat gjyqësore në Shtete të caktuara, edhe kur ankesa të tilla konsiderohen si mjete të jashtëzakonshme sipas ligjit kombëtar. Nga ana tjetër, Gjykata ka konsideruar nenin 6 të pazbatueshëm, në parim, për procedurat e shqyrtimit të kërkesës për "rihapjen e procedurave gjyqësore" (shih aktgjykimet e përmendura në paragrafin 44 të vendimit). Në të njëjtën kohë, Gjykata u shpreh në disa raste se Neni 6 ishte i zbatueshëm për mjete të tjera të jashtëzakonshme të parashikuara në shtete të caktuara (shih, në veçanti, gjykimet në Melis k. Greqisë, nr. 30604/07, § 19, 22 korrik 2010; San Leonard Band Club k. Maltës, nr. 77562/01, ECHR 2004- IX;... Maresti kundër Kroacisë, nr 55759/07, 25 qershor 2009;... dhe JS dhe AS kundër Polonisë, nr 40732/98, 24 maj 2005).
Argumente të ndryshme janë shtuar në këto vendime për të justifikuar zbatueshmërinë e nenit 6. Në San Leonard Band Club, në lidhje me një kërkesë për një gjykim të ri penal, Gjykata theksoi tre faktorë: (1) një kërkesë për rigjykim ishte e vetmja mënyrë në ligjin Maltez për të kundërshtuar një vendim që u la në fuqi në apel; (2) kërkesa në rastin në fjalë ishte ngritur mbi zbatimin gjoja të gabuar të ligjit; dhe (3) nëse janë plotësuar kushtet ligjore, kërkesa nxiti një gjykim të ri pa pasur ndonjë zgjedhje mbi vendosjen nëse ishte e përshtatshme.
Lidhur me një kërkesë për rihapjen e procedurës në Melis, Gjykata thekson "faktori vendimtar ... që, në rastin në fjalë, një kërkesë për rihapjen e procedurave ishte i vetmi mjet juridik me të cilin kërkuesi mund të ketë gjykim të ankimit të shqyrtimit civil të lënë mënjanë dhe të ketë kthim të të drejtave të tij pronësore "(§ 19).
Lidhur me një kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të procedurave kriminale në Maresti, zbatueshmëria e nenit 6 ishte justifikuar kryesisht nga argumenti se mjeti në fjalë ishte i ngjashëm me një apel kasacioni në procedurat civile. Gjykata më tej theksoi se, në depozitimin e kërkesës, kërkuesi është mbështetur në faktin se ndjekja penale në rastin e tij ishte e ndaluar me ligj.
Është gjithashtu interesante të përmendet se gjykimi në J.S. dhe A.Ş. k. Polonisë konstatoi Nenin 6 të jetë i zbatueshëm për një nga mjetet e jashtëzakonshme të përcaktuara me procedurën administrative polake, në këtë rast një kërkesë për një vendim individual administrativ karakterizuar nga të meta serioze në veçanti për t’u deklaruar i pavlefshëm. Ky mjet mundëson kërkuesit me një shqyrtim lidhur me ligjshmërinë e vendimit të formës së prerë individuale administrative, edhe pas disa viteve pasi është dhënë. Për këtë arsye, individët të cilët depozitojnë një kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë në lidhje me një vendim të formës së prerë individual administrativ dhënë disa vite më parë, dhe që kanë të bëjnë me të drejtat ose detyrimet civile brenda kuptimit të Konventës, kanë të drejtë për një gjykim brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e cila duhet të përcaktojë kërkesat e tyre mbi meritat. Në mbështetje të përfundimit se neni 6 ishte i zbatueshëm, Gjykata vuri në dukje se ankuesit në rastin në fjalë nuk kanë kërkuar rihapjen e procedurave administrative, por thjesht konstatim se vendim administrativ i fundit ishte i pavlefshëm.
3. Pa hyrë në një analizë krahasuese të ligjit procedural, mund të vini re shkurtimisht se, në shumë sisteme ligjore, "ankesat e kasacionit" janë subjekt i afateve kohore shumë të rrepta dhe pikave të ligjit, ndërkohë që "kërkesa për rihapjen e procedimeve" mund të jetë depozituar shumë vite më vonë dhe janë mbështetur në mënyrë të veçantë në fakte të reja, prova të reja ose disa defekte të rënda procedurale. Prandaj ne mund të vëzhgojmë, në një mënyrë shumë intuitive, se shqyrtimi i një apel Kasacioni përbën në një farë mënyre një "tej zgjatje natyrore" të procedurës fillestare, duke u fokusuar mbi çështjet në lidhje me interpretimin e ligjit në fuqi dhe zgjatjen e gjendjes së pasigurisë për palët lidhur me rezultatin e procedurës. Rishikimi i procedurës duket më i veçantë dhe mund të ndodhë në një kohë të mëvonshme pas dhënies së vendimit të formës së prerë për procedimin fillestar.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se një apel Kasacioni, në shumë sisteme ligjore, në radhë të parë i shërben interesit publik. Ai është një mjet për krijimin e interpretimit të saktë të ligjit dhe harmonizimin e jurisprudencës së gjykatave më të ulëta. Personat të cilët dëshirojnë të depozitojnë një apel të këtij lloji duhet të tregojnë interesin publik në atë çfarë kanë shqyrtuar. Në të kundërt, një kërkesë për rihapjen e procedurës nuk është subjekt i kësaj pozite. Kjo mund të shërbejë për mbrojtjen e të drejtave subjektive pa qenë e nevojshme për të treguar se ka një interes publik për ta shqyrtuar. Për më tepër, padrejtësitë rregullohen me anë të rishikimit të procedurës dhe të lidhura me gabimet faktike që janë shpesh shumë më të dukshme se hezitimet shpesh të pashmangshme në interpretimin e ligjit të cilat janë kapërcyer me anë të një apel kasacioni. Për më tepër, ankesa e kasacionit është shpesh subjekt i një procedure paraprake filtrimi për të mundësuar vlerësimin e pranueshmërisë së tyre para se të shqyrtohen në themel.
Gjykata është shprehur në vendime të ndryshme se shqyrtimi i një kërkese për rihapjen e procedurave nuk është në vetvete një procedurë që çon në përcaktimin e të drejtave ose detyrimeve të palëve ose të një akuze penale. Përcaktimi i ri i të drejtave dhe detyrimeve të palëve bëhet vetëm pasi është marrë vendimi për rihapjen e procedurave. Vë re, për pjesën time, se në disa vende një apel Kasacioni ka disa ngjashmëri në këtë drejtim. Gjatë fazës së parë, gjykata kompetente shqyrton pranueshmërinë e ankesës. Gjatë fazës së dytë, vendos për themelin, ndoshta duke e anuluar kështu vendimin e kundërshtuar. Gjatë fazës së tretë, aty ku është e aplikueshme, një tjetër gjykatë do të përcaktojë sërish të drejtat dhe detyrimet e palëve.
Në këtë rast, mund të bëhet vërtet dallimi midis dy llojeve të mjeteve të jashtëzakonshme për qëllime të aplikueshmërisë së nenit 6? Dikush mund ta dyshojë. Në çdo rast, një përgjigje bindëse në mënyrë pozitive do të kërkonte një studim të thellë të ligjit procedural në shtetet e ndryshme. Një analizë e aktgjykimeve dhe vendimeve të Gjykatës të çon në përfundimin se jurisprudenca nuk ka vendosur kritere të sakta nga të cilat të vendosë se cilat mjete të jashtëzakonshme janë në kuadër të nenit 6 të Konventës. Për më tepër, sipas mendimit tim, qasja e marrë në J.S. dhe A.Ş. është e vështirë të bashkërendohet me jurisprudencën e Gjykatës në lidhje me mjetet që mundësojnë rishikimin e vendimeve të kaluara nga lloje të ndryshme të procedurave. Jurisprudenca e analizuar zbulon një shkallë shumë të lartë të pasigurisë për palët dhe për Palët Kontraktuese të Konventës.
4. Rasti i Bochan k. Ukrainës paraqiti një mundësi të mirë për të qartësuar jurisprudencën e Gjykatës në lidhje me zbatueshmërinë e nenit 6 të ankesave të jashtëzakonshme në procedurat gjyqësore, të paktën në rastet civile.
Shumica e shteteve si më poshtë në paragrafin 50: "në përmbledhje, ndërkohë që neni 6 § 1 nuk është normalisht i zbatueshëm për ankesat e jashtëzakonshme që kërkojnë rishikimin e procedurave të përfunduara gjyqësore, natyra, fushëveprimi dhe karakteristikat specifike të procedurës në një apel të caktuar të jashtëzakonshëm në sistemin e veçantë ligjor në fjalë mund të jetë e tillë që të sjellë procedurat për këtë lloj ankese në kuadër të nenit 6 § 1 dhe të masave mbrojtëse të një gjykimit të drejtë të mundshme për palët. "Në analizën e ankesës në fjalë, Gjykata thekson ngjashmëritë me një "apel Kasacioni" dhe faktin se ankesa mund të konsiderohet si një zgjatje e procedurës fillestare, para se të analizojë rishikimin kryer nga Gjykata e Lartë e Ukrainës në rastin në fjalë. Më vjen keq që arsyetimi i vendimit nuk ofron kushte të përgjithshme më specifike për të vendosur se cilët faktorë në lidhje me natyrën, fushëveprimin dhe karakteristika të veçanta të një grupi të caktuar të procedurave janë vendimtare në mënyrë që neni 6 të aplikohet.
Pasiguria në lidhje me fushëveprimin e saktë të zbatimit të nenit 6 duket të reflektohet në arsyetim. Për shembull, në paragrafin 44 in fine, Gjykata e përmbledh me këto fjalë jurisprudencën e krijuar lidhur me ankesat jashtëzakonshme: "[Kjo është për shkak,] për aq sa çështja është e mbuluar nga parimi i res judicata i një vendimi të formës së prerë në procedurat kombëtare, nuk mundet, në parim, të mbështesë faktin se një aplikim i mëvonshëm i jashtëzakonshëm apo apelim në kërkim të rishikimit të këtij vendimi krijon një pretendim të diskutueshëm si për ekzistencën e një të drejte sipas ligjeve kombëtare ashtu dhe për rezultatin e procedurës në të cilën është vendosur nëse do t’a shqyrtojë ose jo rastin e njëjtë i cili është vendimtar për "përcaktimin e të drejtave civile ... ose detyrimet ose për çdo akuzë penale". "Vë re se ky argument, është përdorur për të shpjeguar se pse neni 6 nuk zbatohet për kërkesat për procedurat për rihapje, peshon në mënyrë të barabartë në favor të mos zbatueshmërisë së nenit 6 të ankesave kasacionit në sistemet ligjore ku ankesat e tilla janë të drejtuara kundër vendimeve gjyqësore që konsiderohen të jenë përfundimtare dhe të zbatueshme në të drejtën e brendshme.
Për më tepër, në paragrafin 47, shumica thekson se Gjykata ka konstatuar gjithashtu për nenin 6 të jetë i zbatueshëm për procedurat që mendohet se janë të ngjashme me procedurat e zakonshme të apelit. Në të njëjtën kohë, në paragrafin 48, i cili supozohet të ilustrojë këtë argument, ai vë në dukje se vendimi San Leonard Band Club thekson se "kërkesa për një gjykim të ri" në ligj maltez ishte e ngjashme me një apel në disa pika të ligjit para një gjykate të kasacionit. Megjithatë, ankesa e zakonshme dhe një apel kasacioni janë dy mjete shumë të ndryshme.
5. Neni 6 i Konventës kërkon që mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet civile të përfundohen brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. Formulimi i kësaj dispozite nuk përjashton aplikimin e saj për ankesa të jashtëzakonshme kundër vendimeve gjyqësore të cilat kanë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet civile të palëve për efekt të formës së prerë (në kuptim të ligjit të brendshëm). Për më tepër, Neni 6 është projektuar për të siguruar mbrojtjen efektive të personave të përfshirë në procedurat civile dhe penale kundër padrejtësisë procedurale. Prandaj, argumenti teologjik peshon në favor të aplikimit të gjerë të mundshëm të kësaj dispozite me apelet e ndryshme të zakonshme dhe të jashtëzakonshme. Në këto rrethana kjo duket më bindëse lidhur me Neni 6 si i e zbatueshëm - të paktën në parim –për të gjitha mjetet e jashtëzakonshme në procedurat gjyqësore. Megjithatë, në qoftë se qëllimi i saj është që të mbetet e kufizuar në lloje të caktuara të mjeteve të jashtëzakonshme, është thelbësore që t’i përcaktojë këto në bazë të kritereve të sakta.
Duhet theksuar se këto konkluzione kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore. Zbatueshmëria e nenit 6 e mjeteve të jashtëzakonshme në procedurën administrative është një çështje tjetër e cila mund të kërkojë një shqyrtim të veçantë.
6. Rasti prezent gjithashtu ka të bëjë me çështje shumë delikate të ndikimit të vendimeve të Gjykatës në konstatimin e shkeljes së Konventës në procedurat civile ose që rrjedhin nga një vendim gjyqësor i një çështje civile. Vendimet gjyqësore në rastet civile shpesh shërbejnë për të përcaktuar mosmarrëveshjet ndërmjet palëve me interesa të kundërta. Kur një nga palët kundërshton para Gjykatës pajtueshmërinë me Konventën të procedurës së aplikuar, ose vendimit të dhënë, rezultati i procedurës para Gjykatës prek të drejtat dhe interesat e palëve të tjera. Megjithëse Gjykata shqyrton marrëdhënien vertikale (që është, marrëdhënia ndërmjet kërkuesit dhe Shtetit) dhe rregullat mbi shkeljet e Konventës i atribuohen autoriteteve shtetërore, vendimi i cili ka konstatuar shkelje të të drejtave të ankuesit për shkak të procedurave civile ose të një vendimi gjyqësor në çështje civile do të ketë ndikim në mbrojtjen e ofruar të të drejtave të palëve të tjera në procedurë dhe domosdoshmërisht ka një dimension horizontal, që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet palëve private. Tej zgjatja e vazhdueshme e praktikës gjyqësore në fushën e zbatimit të të drejtave të Konventës në marrëdhëniet mes palëve të së drejtës private (në gjermanisht: Dri wirkung) rrit këtë tendencë.
Ky ndikim i vendimeve të Gjykatës do të jetë edhe më i thellë nëse konstatimi i shkeljes së Konventës në procedurat civile ose si rezultat i një vendimi gjyqësor në një çështje civile do të çojë në rihapjen e këtyre procedurave. Arsyetimi i vendimit në rastin konkret me të drejtë vë në dukje mungesën e konsensusit ndërmjet Palëve të Larta Kontraktuese në këtë sferë (shih paragrafin 57 të vendimit). Ai gjithashtu vë në dukje, lidhur me çështjen, implikimet e mundshme të rishqyrtimit të rastit të kërkuesit "për parimet e res iudicata dhe sigurisë juridike në kontestin civil të përfunduar dhe për interesat legjitime të palëve të treta" (paragrafi 72). Megjithatë, arsyetimi i vendimit duket që shpreh një preferencë të caktuar për të siguruar se mundësitë ekzistojnë për të rihapur procedurat civile për të lehtësuar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës (paragrafi 58). Personalisht, unë do të kishte preferuar të përfshiheshin disa kufizime në arsyetimin e Gjykatës.
Secila palë në procedurat civile ka të drejtë për një vendim të formës së prerë të qëndrueshëm, dorëzuar brenda kohës së arsyeshme. Një vendim i formës së prerë, edhe ai që është i paplotë nga pikëpamja e Konventës, krijon pritshmëritë legjitime të stabilitetit të saj, veçanërisht në qoftë se pala kundërshtare ka vepruar me qëllimin e mirë në një situatë ku shkeljet e Konventës nuk ishin të dukshme në dritën ekzistuese të jurisprudencës së Gjykatës. Nevoja për të siguruar qëndrueshmëri të vendimeve përfundimtare gjyqësore që përcaktojnë rastet kur përfshihen palët private dhe interesat legjitime të të gjitha palëve në procedurë përbën një argument të fortë kundër rihapjes së procedurave civile pas një vendimi të Gjykatës ku është gjetur shkelja e Konventës. Rihapja e procedurave të tilla mund të rezultojë në një shkelje të të drejtave të palëve të tjera të mbrojtura nga Konventa. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet që në disa situata një vendim përfundimtar nga një gjykatë civile vendase të krijojë një padrejtësi në marrëdhëniet midis palëve private e cila është aq e dukshme sa mund të rregullohet vetëm duke mënjanuar ose ndryshuar vendimin e dhënë. Në përgjithësi, megjithatë, në situatën e ndodhur në këtë rast, shpërblimi i drejtë më së shumti do të konsistojë në kompensim nga ana e shtetit.
7. Çështja e ndikimit të vendimeve të Gjykatës është e lidhur thelbësisht me çështjen e procedurës para Gjykatës. Të gjitha rregullat procedurale duhet të jenë të përshtatshme për qëllimin dhe objektin e procedimit dhe duhet të sigurojnë mbrojtje efektive të interesave legjitime të të gjitha palëve të interesuara. Për më tepër, ata duhet të garantojnë legjitimitetin e padiskutueshëm procedural të vendimeve të dhëna.
Drejtësia procedurale kërkon në mënyrë të veçantë që të gjithë personat në fjalë të lidhur me rezultatin e procedurës tu garantohet e drejta për t’u dëgjuar. Siç dhe Seneca vërejti në Medea: “Qui statuit aliquid parte inaudita altera, aequum licet statuerit, haud aequus fuit.” Sa më shumë të gjera ndikimet e vendimeve të Gjykatës aq më jetike janë për të siguruar që të gjithë personat e interesuar të kenë të drejtë për t’u dëgjuar. Zhvillimet në praktikën gjyqësore dhe praktika lidhur me ndikimet dhe ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës mund të kërkojë të bëhen rregullime procedurale në fuqi.
8. Në shqyrtimin e kërkesave që lidhen me shkeljet e të drejtave të njeriut në proceset civile ose që dalin nga vendimet gjyqësore në rastet civile, që përcaktojnë mosmarrëveshjet mes individëve apo personave juridikë rregullohen nga e drejta private, të drejtat e palës kundërshtare me palën ankuese nuk duhet të neglizhohen. Kjo është për shkak se konstatimi i shkeljes së Konventës për shkak të një vendimi gjyqësor të Gjykatës në një çështje civile mund të ketë pasoja praktike dhe ligjore për palët e tjera në procedurë civile dhe për zbatimin e të drejtave të tyre. Ky problem është veçanërisht akut në rastin e aplikimeve kundër Shteteve, sistemi ligjor i të cilit (si ajo në Ukrainë) lejon rihapjen e procedurave civile pas një vendimi të Gjykatës.
Duhet të theksohet këtu se, në vendimin Ruiz-Mateos k. Spanjës (23 qershor të vitit 1993, Seria A nr. 262), Gjykata shqyrtoi të drejtën e personave në fjalë për t’u dëgjuar në procedurat e rishikimit kushtetues. Çështja lindi në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet procedimeve civile dhe procedurave të rishikimit kushtetues. Në këtë rast një gjykatë spanjolle, në rrjedhën e një mosmarrëveshje civile, prezantoi një pyetje paraprake në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e legjislacionit të zbatueshëm. Gjykata konstatoi shkelje të Konventës për arsye se, në procedurën për shqyrtimin konkret të legjislacionit në Gjykatën Kushtetuese, autoritetet spanjolle nuk i kishin siguruar njërës prej palëve në procedurë civile të drejtën për paraqitjen e vëzhgimeve lidhur me qëndrimin e palës kundërshtare në lidhje me çështjen e kushtetutshmërisë së një statuti (§ 67).
9. Është e pamohueshme se procedura me të cilën Gjykata shqyrton ankesat e kërkuesve, ka shumë karakteristika të veçanta dalluese nga procedurat para gjykatave të brendshme supreme. Ndërsa një vendim i Gjykatës mund të jetë i rëndësishëm në lidhje me zbatimin e të drejtave të palëve të tjera në procedimet e brendshme, ajo nuk përcakton të drejta ose detyrime me ndikim të drejtpërdrejtë tek Palët Kontraktuese. Megjithatë, duke pasur parasysh se në situatat me palët e treta ndikohen shpesh nga rezultati i procedurës para Gjykatës, si në qasjen e marrë në rastin e Ruiz-Mateos në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet procedimeve civile dhe procedimeve për shqyrtimin e legjislacionit të marrë të vërtetë në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet procedurave të brendshme civile dhe procedurës para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Konventa nuk garanton lidhur me palët e tjera që janë të interesuara për proceset e brendshme të vendimit gjyqësor të kundërshtuar të drejtën për t’u dëgjuar nga Gjykata. Është e vërtetë se në bazë të nenit 36 § 2 të Konventës, që plotësohet me Rregullën 44 § 3 të rregullores së Gjykatës, Kryetari i Dhomës mund të, në interes të administrimit të duhur të drejtësisë, autorizojë ose të ftojë çdo person në fjalë që nuk është kërkues të paraqesë komente me shkrim ose, në raste të veçanta, për të marrë pjesë në seancën dëgjimore. Gjykata ndonjëherë e përdor këtë mundësi, në mënyrë të veçantë në rastet që kanë të bëjnë me të drejtën familjare. Këtë qasje të përshtatur e konsideroj të pamjaftueshme, si opsioni i lënë në diskrecionin e kryetarit të Dhomës, për të dëgjuar pikëpamjet e një personi të interesuar nuk barazohet me garancinë e të drejtës për t’u dëgjuar. Kjo nuk përdoret gjithmonë lidhur me të drejtat e palëve të treta.
Kur mblidhemi për rastet që kanë të bëjnë me shkeljet e Konventës në procedurat civile ose që rrjedhin nga një vendim gjyqësor në një çështje civile, unë gjithmonë pyes veten nëse palëve të tjera të interesuara nuk duhet t’u jepet e drejta të paraqesin vëzhgimet në Gjykatë. A është e drejtë për të dhënë një vendim pa u dëgjuar palët e tjera të interesuara? Duke siguruar që ata kanë të drejtë të dëgjohen jo vetëm që të japin ndikim më të madh në parimet e drejtësisë procedurale, por në shumë raste të japin një pamje më të gjerë në çështjet në shqyrtim.
Duke pasur parasysh zhvillimet e jurisprudencës të përmendura më lart, rregullat e zbatueshme për procedurën e shqyrtimit të kërkesave nga Gjykata nuk diskutojnë shkallën e mjaftueshme të legjitimitetit procedural mbi vendimet e dhëna. Kundër këtij situate, është koha për të riparë procedurën para Gjykatës për ta përshtatur më mirë me kërkesat e drejtësisë procedurale.
[1]Korrigjuar më 11 mars 2015: teksti ka qenë “3 shkurt 2006”.
Full & Egal Universal Law Academy