© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E BOUYID kundër BELGJIKËS
(Kërkesa nr. 23380/09)
VENDIM
STRASBURG
28 shtator 2015
Ky vendim është i formës së prerë por mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen e Bouyid kundër Belgjikës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Guido Raimondi,
Isabelle Berro,
Alvina Gyulumyan,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Nebojša Vučinić,
Vincent A. De Gaetano,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Erik Møse,
Helen Keller,
Paul Lemmens,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović,
Egidijus Kūris,
Iulia Antoanella Motoc, gjyqtarë,
dhe Johan Callewaert, Zëvendëskancelar i Dhomës së Madhe,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 8 tetor 2014 dhe 24 qershor 2015,
Shpalli vendimin e mëposhtëm të miratuar në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 23380/09) kundër Mbretërisë së Belgjikës, të depozituar në Gjykatë në përputhje me Nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga dy shtetas belgë, Z. Saïd Bouyid (“kërkuesi i parë”) dhe Z. Mohamed Bouyid (“kërkuesi i dytë”), më 28 prill 2009.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. Christophe Marchand dhe Z. Zouhaier Chihaoui, avokatë që ushtrojnë profesionin në Bruksel. Qeveria belge (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj, Z. Marc Tysebaert, Këshilltar i Lartë, Departamenti Federal i Drejtësisë.
3. Duke pretenduar në mënyrë të veçantë që ata të dy ishin goditur me shuplakë nga policët gjatë kohës që ndodheshin në stacionin e policisë, kërkuesit u ankuan për trajtim degradues dhe diskutuan që ishin viktima të një shkeljeje të Nenit 3.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Në një vendim të shpallur më 21 nëntor 2013 një Dhomë e atij Seksioni e deklaroi kërkesën të pranueshme për sa i përket ankesës sipas Nenit 3 të Konventës dhe pjesën e mbetur të papranueshme, dhe gjeti njëzëri që nuk kishte pasur shkelje të Nenit 3. Dhoma përbëhej nga Mark Villiger, Kryetar, Ann Power-Forde, Ganna Yudkivska, André Potocki, Paul Lemmens, Helena Jäderblom dhe Aleš Pejchal, gjyqtarë, dhe gjithashtu nga Stephen Phillips, Zëvendëskancelar i Seksionit. Më 24 janar 2014, sipas Nenit 43 të Konventës, kërkuesit kërkuan referimin e çështjes tek Dhoma e Madhe. Kolegji i Dhomës së Madhe e miratoi këtë kërkesë më 24 mars 2014.
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në përputhje me Nenin 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenin 24 të Rregullores.
6. Të dy kërkuesit dhe Qeveria paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim në lidhje me themelet (neni 59 § 1).
7. Organizatat jo-qeveritare REDRESS dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut (Human Rights Centre) e Universitetit të Ghent u lejuan të ndërhynin në procedurën me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
8. Një seancë publike u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 8 tetor 2014 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Znj.I. Niedlispacher, Bashkë-Agjente;
(b) për kërkuesit
Z.C. Marchand,
Z.Z. Chihaoui,Avokatë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. Marchand, Z. Chihaoui dhe Znj. Niedlispacher, dhe përgjigjet e dhëna nga Z. Marchand dhe Znj. Niedlispacher ndaj pyetjeve të bëra nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesit janë të lindur në vitet 1986 dhe 1979 respektivisht dhe jetojnë në Saint-Josse-ten-Noode (një qark në rajonin e Kryeqytetit Bruksel).
10. Kërkuesit janë vëllezër të cilët jetojnë me prindërit e tyre, me vëllain dhe dy motrat afër stacionit të policisë së Saint-Josse-ten-Noode. Ata të dy u ankuan që ishin goditur me shuplaka në fytyrë nga policët – akuzë e cila kontestohet nga Qeveria – njëri më 8 dhjetor 2003 dhe tjetri më 23 shkurt 2004. Ata parashtruan që ato ngjarje kishin ndodhur në kontekst të marrëdhënieve të tensionuara mes familjes së tyre dhe disa policëve të caktuar në stacionin e policisë.
A. Ngjarjet e 8 dhjetorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004
1. Ngjarjet e 8 dhjetorit 2003
11. Kërkuesit parashtruan që më 8 dhjetor 2003 rreth orës 4 pasdite kërkuesi i parë kishte qenë duke qëndruar me një shok në rrugën jashtë derës së ndërtesës ku banonte me familjen e tij, dhe, meqë kishte harruar çelësat, i kishte rënë ziles në mënyrë që prindërit t’ia hapnin derën, kur një polic me rroba civile, A.Z., i kishte kërkuar të paraqiste letërnjoftimin e tij. Kërkuesi i parë kishte refuzuar ta bënte këtë, duke i kërkuar policit të shfaqte kredencialet e tij. Pas kësaj polici e kishte kapur nga xhaketa – duke ia grisur atë – dhe e kishte çuar në stacion të policisë. Më pas kërkuesi i parë ishte vendosur në një dhomë dhe, gjatë kohës që kishte qenë vetëm me A.Z., polici i kishte rënë shuplakë fytyrës për shkak se ai po protestonte kundër arrestimit të tij.
12. Kërkuesit paraqitën një certifikatë të lëshuar në orën 7:20 të mbrëmjes në të njëjtën ditë nga një mjek i përgjithshëm, ku vërtetohej se kërkuesi i parë kishte qenë “në gjendje shoku” dhe kishte pasur lëndimet në vijim: “eritemë në faqen e majtë (në zhdukje)” dhe “eritemë në pjesën e majtë të jashtme të kanalit të dëgjimit”.
13. Qeveria parashtroi që, për shkak të refuzimit të kërkuesit të parë për të treguar letërnjoftimin e tij, polici A.Z. nuk kishte pasur zgjidhje tjetër përveç se ta çonte në stacion të policisë për identifikim. Më pas kërkuesi i parë kishte bërë skena, duke thënë se kishte pësuar padrejtësi dhe i ishte nënshtruar një kontrolli të paligjshëm identiteti, dhe kishte ofenduar një polic i cili i kishte thënë të qetësohej. Ai ishte lejuar të largohej nga stacioni i policisë pasi identiteti i tij ishte vërtetuar dhe pasi ishte informuar nga A.Z. që do të depozitohej një raport policor kundër tij për rezistencë me forcë ndaj një zyrtari publik, për sjelle abuzive dhe kërcënime verbale. Ai ishte kthyer në stacionin e policisë pas disa minutash me prindërit e tij, duke e akuzuar A.Z. që e kishte goditur, por polici e ka mohuar gjithmonë një gjë të tillë.
14. Në ora 6:00 të mbrëmjes A.Z. kishte depozituar një ankesë penale kundër kërkuesit të parë, ku pretendonte rezistencë me forcë ndaj një zyrtari publik, sjellje abuzive dhe kërcënime verbale. Procesverbali i hartuar me atë rast tregonte që A.Z. kishte informuar eprorët e tij në lidhje me ngjarjet në ora 5:30 të mbrëmjes, dhe gjithashtu njëfarë “Inspektor K.”.
2. Ngjarjet e 23 shkurtit 2004
15. Kërkuesit treguan që më 23 shkurt 2004, mes orës 9:44 dhe 10:20 të paradites (siç tregohet nga procesverbali i marrjes në pyetje të kërkuesit të dytë), gjatë kohës që kërkuesi i dytë ndodhej në stacionin e policisë së Saint-Josse-ten-Noode dhe polici P.P. ishte duke e intervistuar në lidhje me një zënkë që përfshinte atë dhe nënën e tij bashkë me një palë të tretë (dhe rreth së cilës kjo e fundit kishte bërë ankesë), P.P. e kishte goditur me shuplakë në fytyrë pasi i kishte kërkuar që të mos mbështetej në tavolinën e tij. Më pas ai e kishte detyruar të nënshkruante deklaratën e tij duke e kërcënuar që do ta fuste në qeli.
16. Kërkuesit paraqitën një certifikatë mjekësore të lëshuar në të njëjtën ditë nga një mjek i përgjithshëm, i cili vërejti “mavijosje [në] faqen e majtë” të kërkuesit të dytë. Certifikata nuk saktësonte kohën se kur ishte hartuar, megjithëse duhet të ketë qenë para orës 11:20 paradite, koha kur ajo iu paraqit Komisionit P (shih paragrafin 25 poshtë).
17. Qeveria shpjegoi që kërkuesi i dytë kishte qenë shumë arrogant gjatë intervistës së tij: duke u kërrusur në karrigen e tij, duke u mbështetur si rastësisht mbi tavolinën e P.P.-së, duke qeshur pa arsye dhe duke dhënë përgjigje të prera ndaj pyetjeve. Gjithashtu ai e kishte ndryshuar deklaratën e tij disa herë, duke thënë që policia paguhej për këtë punë, dhe duke ikur i kishte kërcënuar policët duke bërtitur se do t’ia dëgjonin zërin prapë. Qeveria theksoi që, pavarësisht nga sjellja e kërkuesit të dytë, i cili qartazi kishte qenë i predispozuar për konflikt, P.P. kishte qëndruar i qetë dhe i durueshëm.
B. Sfondi i ngjarjeve
18. Në parashtrimin e kërkuesve, familja e tyre ishte ngacmuar nga forcat e policisë së Saint-Josse-ten-Noode. Ata deklaruan që problemet kishin filluar në vitin 1999, kur një prej policëve kishte dyshuar se vëllai i tyre N. ia kishte gërvishtur makinën me dashje. Më pas N. ishte akuzuar për kërcënim të të njëjtit polic dhe për kryerje grabitjesh, akuza nga të cilat ai ishte liruar nga Gjykata e të Miturve e Brukselit më 21 prill 2000. Sipas kërkuesve, çështja kundër tij kishte qenë tërësisht e fabrikuar nga anëtarët e policisë së Saint-Josse-ten-Noode si ndëshkim.
19. Ata shtuan që më 24 qershor 1999 kërkuesi i parë, në atë kohë 13-vjeçar, ishte “rrahur” nga një polic tjetër në stacionin e policisë, ku ai ishte marrë pas një përleshjeje në rrugë. Ai kishte pësuar lëndim, shpuarje të daulles së veshit. Nëna e tij dhe njëra prej motrave të tij, të cilat kishin qenë në dhomën e pritjes, ishin shtyrë dhe keqtrajtuar nga policët.
20. Më 25 nëntor 1999 njëra prej motrave të tyre ishte abuzuar verbalisht nga një polic i policisë së Saint-Josse-ten-Noode, dhe më 11 mars 2000 vëllai i tyre N. ishte kontrolluar, shtyrë dhe abuzuar verbalisht nga policët.
21. Më tej ata deklaruan që në vitin 2000 “ishte hapur një çështje ... e nisur nga forcat policore të Saint-Josse-ten-Noode kundër N. e cila i ishte besuar një gjyqtari hetues”, por procedura ishte ndërprerë. Në të njëjtin vit kërkuesi i parë ishte “kërkuar për marrje në pyetje” dhe, megjithëse policia e Saint-Josse-ten-Noode kishte deklaruar më 23 korrik 2002 që ai po hiqej nga lista përkatëse e “personave të kërkuar”, ai megjithatë ishte dashur të bënte kërkesa të ndryshme pranë prokurorisë dhe të priste deri në mars të vitit 2005 që të përfundonte procesi, çka i kishte shkaktuar atij shumë telashe.
22. Më 6 prill 2001 dhe 12 korrik 2001 respektivisht, vëllai i tyre N. dhe kërkuesi i dytë ishin abuzuar verbalisht nga policët e stacionit policor të Saint-Josse-ten-Noode.
23. Kërkuesit shpjeguan që ata i kishin raportuar sistematikisht pranë autoriteteve gjyqësore ose policisë të gjitha incidentet ku ata kishin qenë viktima, dhe kishin depozituar ankesa.
C. Ankesat lidhur me ngjarjet e 8 dhjetorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004, kërkesa për palë civile, hetimet gjyqësore dhe vendimi për ndërprerjen e procedurave
24. Në ora 9:42 të mëngjesit më 9 dhjetor 2003 kërkuesi i parë depozitoi ankesë pranë komisionit të ngritur për mbikëqyrjen e shërbimeve policore (i njohur si “Komisioni P”) dhe u intervistua nga një anëtar i departamentit të hetimeve. Një kopje e certifikatës mjekësore të hartuar një ditë më parë iu bashkëngjit si shtojcë procesverbalit fillestar.
25. Kërkuesi i dytë vazhdoi në ora 11:20 të paradites më 23 shkurt 2004. Ai tregoi në mënyrë të veçantë që ai konsideronte se “qëndrimi i përgjithshëm i policisë së Saint-Josse karshi familjes [së tij] [ishte bërë] absolutisht i patolerueshëm dhe i tepruar deri në një pikë të atillë [saqë ata kishin menduar] të ndërronin shtëpi”. Një kopje e certifikatës mjekësore të hartuar në të njëjtën ditë iu bashkëngjit si shtojcë procesverbalit fillestar.
26. Nëna e kërkuesve po ashtu u intervistua më 23 shkurt 2004 nga departamenti i hetimeve i Komisionit P në lidhje me ankesat e kërkuesit të dytë. Ajo theksoi që sapo ata ishin kthyer në shtëpi ajo kishte thirrur njëfarë “Inspektori K.” (shih paragrafin 14 lart) për t’i kërkuar atij që ta bindte P.P. për të kërkuar falje. Inspektori K. kishte ardhur menjëherë në shtëpinë e tyre, ku kishte gjetur mjekun i cili kishte hartuar certifikatën mjekësore. Nëna e kërkuesve gjithashtu depozitoi ankesë, duke treguar, më tej, që vetë ajo ishte trajtuar me respekt të pamjaftueshëm nga polici P.P.
27. Më 5 maj 2004 polici P.P. u intervistua nga drejtori i mbikëqyrjes së brendshme i forcës së policisë lokale në lidhje me ankesat e kërkuesit të dytë dhe nënës së tij. P.P. deklaroi në mënyrë të veçantë që kërkuesi i dytë kishte qenë veçanërisht i pasjellshëm ndaj tij gjatë intervistës dhe që, megjithëse ai e kishte kapur djalin për krahu për ta bërë të dilte nga zyra, ai nuk e kishte goditur atë me shuplakë.
28. Më 17 qershor 2004 kërkuesit bënë kërkesë që të ndërhynin si palë civile në lidhje me akuzat për ngacmim, ndërhyrje arbitrare tek të drejtat themelore, abuzim i autoritetit, arrestim arbitrar dhe lëndim i qëllimshëm. Ata dhanë një përmbledhje të të gjitha vështirësive të tyre me policinë e Saint‑Josse‑ten‑Noode, dhe deklaruan shprehimisht që dëshironin të ndërhynin si palë civile në lidhje me ngjarjet e 8 dhjetorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004.
29. Policët A.Z. dhe P.P. u akuzuan për përdorim të dhunës kundër individëve gjatë ushtrimit të detyrës dhe, në mënyrë të veçantë, me plagosje ose sulm të qëllimshëm, dhe me përfshirje në akte arbitrare në shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta.
30. Më 26 qershor 2004 një gjyqtar hetues i Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit udhëzoi departamentin e hetimeve të Komisionit P që të merrte parasysh kërkesën e kërkuesve për palë civile, t’i intervistonte ata në mënyrë që të vërtetoheshin hollësitë e ankesës së tyre, të hartonte një raport mbi sjelljen e familjes Bouyid, të bënte një listë të çështjeve të ngritura kundër tyre dhe të ankesave të ngritura nga ata, dhe të shpjegonte se çfarë veprimesh ishin ndërmarrë në lidhje me to.
31. Duke pasur parasysh faktin që ai tashmë kishte marrë dëshmi nga kërkuesit kur ata kishin depozituar ankesat e tyre respektive (shih paragrafët 24-25 lart), departamenti i hetimeve i Komisionit P vendosi të mos i intervistonte përsëri. Më 26 korrik 2004 ai i përcolli një raport gjyqtarit hetues, të bazuar mbi dokumentet nga departamenti i mbikëqyrjes së brendshme i distriktit të policisë që mbulonte Saint-Josse-ten-Noode, ku përshkruheshin zhvillimet në marrëdhëniet mes familjes së kërkuesve dhe policisë lokale. Më pas raporti rendiste çështjet kundër familjes, duke shënuar këtu që kërkuesi i parë kishte qenë i implikuar në procedurat e hapura në dhjetor 2003 për sjellje abuzive dhe kërcënuese dhe për pengimin e një polici, dhe N. në shtatë procedura të hapura nga tetori 1997 deri në qershor 1999. Më tej ai shënoi që, përveç ankesave në fjalë të kërkuesve në çështjen në fjalë, ishin depozituar tri ankesa gjyqësore nga anëtarët e familjes së tyre (dy pranë Komisionit P, në qershor 1999 dhe në korrik 2001, dhe një pranë “Divizionit të Rinisë” në vitin 1999) dhe dy ankesa ishin trajtuar nga departamenti i mbikëqyrjes së brendshme i distriktit të policisë që mbulonte Saint-Josse-ten-Noode. Në fund, duke cituar një raport të hartuar në kontekst të një çështjeje kundër kërkuesit të parë dhe gjetjeve të hetimeve administrative, ai theksoi natyrën problematike të marrëdhënieve mes policisë lokale dhe familjes Bouyid dhe komentoi mbi “sjelljen e përgjithshme” të kësaj të fundit, duke shënuar si vijon:
“Në përmbledhje, sipas policëve, familja Bouyid (sidomos femrat dhe në veçanti nëna) me sa duket refuzojnë të pranojnë që fëmijët e familjes mbajnë përgjegjësi për sjelljen abuzive në fjalë. Kështu, ata e mbështesin sjelljen e tyre mbi këtë qëndrim mbrojtës. Në përgjithësi, anëtarët e familjes thuhet se sillen në mënyrë agresive dhe provokuese ndaj policisë.
Pas incidenteve që përfshinin policin [B.], një lehtësues dialogu me sa duket dështoi në përpjekjet e pajtimit, për shkak të sjelljes së papajtueshme nga ana e femrave të familjes Bouyid.
Në vitet 1999 dhe 2000 situata kërkoi caktimin e një kadeti të policisë si ndërmjetësues për këtë familje.”
32. Më 3 gusht 2004 gjyqtari hetues vendosi t’i mbyllte hetimet dhe e dërgoi dosjen tek autoritetet prokuroriale.
33. Më 16 nëntor 2004 polici A.Z. u intervistua nga një anëtar i departamentit të hetimeve i Komisionit P rreth ngjarjeve të 8 dhjetorit 2003. Ai deklaroi në mënyrë të veçantë që ai nuk e kishte njohur më herët kërkuesin e parë kur e kishte çuar në stacionin e policisë së Saint-Josse-ten-Noode ditën në fjalë.
34. Në një kërkesë të datës 10 nëntor 2005 Prokurori i Kurorës kërkoi ndërprerjen e çështjes mbi bazën e faktit që “hetimet gjyqësore nuk [kishin] konstatuar që faktet përbënin vepër serioze ose kundërvajtjeje dhe nuk [kishin] nxjerrë ndonjë provë që do të arsyetonte marrjen e masave të mëtejshme”.
35. Kërkuesit u informuan që dosja e lëndës do të finalizohej para Divizionit të Akuzimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit më 2 mars 2006. Më 1 mars 2006 ata dërguan një kërkesë para gjyqtarit hetues duke kërkuar njëzet masa hetimore shtesë. Ajo kërkesë rezultoi me ndërprerjen sine die të çështjes para Divizionit të Akuzimeve.
36. Më 7 mars 2006 gjyqtari hetues urdhëroi dy prej masave të kërkuara dhe refuzoi pjesën e mbetur të kërkesës për shkak se ajo kishte të bënte me fakte që datonin para ngjarjeve që i referoheshin atij dhe që masat e kërkuara nuk ishin të nevojshme për të konstatuar të vërtetën. Rrjedhimisht, në ripërmbledhje të të gjitha ankesave kundër policisë së Saint‑Josse‑ten‑Noode, kërkuesit dhe anëtarët e tjerë të familjes së tyre i dërguan gjyqtarit hetues një kërkesë për “vazhdimin e statusit të palës civile”, por ajo u refuzua. Dy masat shtesë u zbatuan më 25 prill, 15 maj dhe 24 maj 2006.
37. Në një urdhër të 27 nëntorit 2007 Divizioni i Akuzimeve, duke mbështetur bazat e cekura në kërkesën e Prokurorit të Kurorës, i ndërpreu procedurat.
38. Kërkuesit apeluan kundër atij urdhri.
39. Në një kërkesë të 3 dhjetorit 2007 Kryeprokurori i Kurorës kërkoi që urdhri për ndërprerje të mbështetej.
40. Më 5 shkurt 2008 kërkuesit dhe anëtarët e tjerë të familjes së tyre depozituan një ankesë si palë civile në lidhje me të gjitha faktet që gjyqtari hetues kishte konsideruar se nuk i ishin referuar atij (shih paragrafët 43-44 poshtë).
41. Më 9 prill 2008 Divizioni i Akuzimeve pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit, pas refuzimit të bashkimit të lëndës në lidhje me ngjarjet e 8 nëntorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004 me çështjen e re që ishte hapur pas ankesës së palës civile të 5 shkurtit 2008, e mbështeti urdhrin e ndërprerjes në një vendim që thoshte si vijon:
“...
Faktet e çështjes mund të përmblidhen si vijon:
– Më 8 dhjetor 2003 i padituri [A.Z.] pretendohet se është përfshirë në sjellje të paligjshme policore kundër palës civile Saïd Bouyid, e cila përshkruhet nga ky i fundit si vijon: polici [A.Z.], pasi ka ndaluar jashtë shtëpisë së tij, pretendohet se e ka kapur atë nga xhaketa dhe ia ka grisur atë; më pas ai është marrë në stacionin e policisë aty afër, ku i njëjti polic pretendohet se e ka goditur me shuplakë në fytyrë me dorën e tij të djathtë.
– Më 23 shkurt 2004 i padituri [P.P.] pretendohet se është përfshirë në sjellje të paligjshme policore kundër palës civile Mohamed Bouyid, e cila përshkruhet nga ky i fundit si vijon: pasi ky ka ndaluar makinën para shtëpisë së tij në mënyrë që nëna e tij të nxirrte çantat me gjëra që kishte blerë, ai pati një grindje me shoferin e makinës prapa; ai u ftua në stacionin e policisë pas një ankese të atij shoferi; gjatë intervistës, Mohamed Bouyid pretendohet se u godit me shuplakë nga i padituri [P.P.] (shih certifikatën mjekësore të lëshuar nga Dr. ...), i cili kërcënoi se do ta fuste në qeli në qoftë se nuk e nënshkruante deklaratën e tij, kur në fakt ai donte ta ndryshonte.
– Familja Bouyid me sa duket ka hasur vështirësi të shumta me disa anëtarë të caktuar të policisë së Saint-Josse-ten-Noode që nga marsi i vitit 1999, kur një polic [B.] dyshoi që Saïd Bouyid ia kishte gërvishtur makinën, duke i dhënë shkas një lloj tensioni dhe persekutimi të kësaj familjeje nga policia.
– Thuhet se ka provokime të vazhdueshme nga ana e policisë së Saint-Josse-ten-Noode duke e bërë jetën e familjes Bouyid të padurueshme.
Si departamenti policor i mbikëqyrjes së brendshme në distriktin e policisë [në fjalë] ashtu edhe departamenti i hetimeve i Komisionit P zhvilluan hetime të gjera rreth fakteve për të cilat u ankuan palët civile.
Nga gjetjet e hetimeve gjyqësore, e posaçërisht nga deklaratat kontradiktore të palëve në fjalë, rrjedh që nuk ka prova kundër të paditurve të cilat të justifikojnë akuzimin e tyre për akuzat e renditura në parashtrimet e Kryeprokurorit të Kurorës, për sa i përket periudhës gjatë së cilës thuhet të jenë kryer veprat.
Deklaratat e të paditurve, të cilët i mohojnë akuzat, janë të qëndrueshme; këtu është e udhës të përmendet raporti i hollësishëm në lidhje me sjelljen e përgjithshme të familjes së palëve civile i hartuar nga Komisioni P, i cili hedh dritë mbi kontekstin e përgjithshëm të kësaj çështjeje.
Palët civile nuk kanë përmendur para gjykatës, pra Divizionit të Akuzimeve, ndonjë informacion të ri, relevant dhe bindës i cili nuk është paraqitur më herët para gjykatës në fjalë dhe i cili ka mundësi të zbulojë prova sado të vogla kundër të paditurve të cilat mund të justifikojnë akuzimin e tyre për në gjyq.
Më tej, hetimet gjyqësore nuk nxorën në dritë prova të mjaftueshme për të treguar që nga të paditurit ishte kryer vepër penale në kohën e ngjarjeve në të cilat ata pretendohet të jenë përfshirë.
Përveç kësaj, nga dosja e lëndës nuk duket që dispozitat e seksionit 37 të Ligjit për Policinë i 5 gushtit 1992 nuk janë respektuar.
Siç u theksua nga parashtrimet e Prokurorit të Kurorës më 10 nëntor 2005 si dhe të Kryeprokurorit të Kurorës, dhe me vendim të Divizionit të Akuzimeve, faktet e çështjes në fjalë nuk përbëjnë vepër penale serioze ose të parëndësishme.
...”
42. Një apel mbi pikat e ligjit i depozituar nga kërkuesit – duke u mbështetur veçanërisht mbi Nenet 3, 6 dhe 13 të Konventës – u rrëzua më 29 tetor 2008 nga Gjykata e Kasacionit.
D. Ankesa e palës civile në lidhje me ngjarjet para atyre të 8 dhjetorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004
43. Më 5 shkurt 2008 gjashtë anëtarë të familjes Bouyid, përfshirë dy kërkuesit, kishin depozituar një ankesë si palë civile pranë një gjyqtari hetues të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit në lidhje me të gjitha akuzat e tyre kundër oficerëve të policisë së Saint-Josse-ten-Noode, veçanërisht në lidhje me faktet që datonin para ngjarjeve të 8 dhjetorit 2003 dhe 23 shkurtit 2004.
44. Ankesa e palës civile bëri që gjashtë policë të dilnin para Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, ku u dëgjua çështja në lidhje me themelet e saj. Në një vendim të 30 majit 2012 gjykata deklaroi që ndjekja penale e veprave përkatëse kishte afat të kufizuar kohor. Nga dosja e lëndës nuk duket se është ngritur ndonjë apel kundër atij vendimi.
II. TEKSTET, INSTRUMENTET DHE DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE
A. Koncepti i dinjitetit
45. Hyrja e Kartës së Kombeve të Bashkuara të 26 qershorit 1946 pohon vendosmërinë e popujve të Kombeve të Bashkuara “për të shpallur përsëri besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të tij, në barazinë e të drejtave midis burrit dhe gruas si edhe midis kombeve të mëdha e të vogla”. Koncepti i dinjitetit gjithashtu përmendet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të 10 dhjetorit 1948, Hyrja e së cilës deklaron që “njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”, dhe Neni 1 i së cilës parashikon që “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave”.
46. Shumë tekste dhe instrumente të mëtejshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i referohen këtij koncepti, përfshirë:
- Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor e 20 nëntorit 1963, e cila “solemnisht shpall nevojën e eliminimit të menjëhershëm të diskriminimit racor në tërë botën, në të gjitha format dhe manifestimet e tij, dhe të garantimit të mirëkuptimit dhe respektimit të dinjitetit të qenies njerëzore”, dhe Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor e 21 dhjetorit 1965 (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës i referohet asaj Deklarate:
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të 16 dhjetorit 1966 (të dyja të ratifikuara nga Belgjika), Hyrjet e të cilave deklarojnë që të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore “rrjedhin nga dinjiteti i lindur i qenies njerëzore”. Më tej, Neni 10 i të parës parashikon që “të gjithë personat e privuar nga liria duhet të trajtohen me njerëzi dhe me respekt për dinjitetin e lindur të qenies njerëzore”, dhe Neni 13 i së dytës deklaron që “Shtetet Palë ... njohin të drejtën e secilit për arsim ... [dhe] bien dakord që arsimi duhet të drejtohet kah zhvillimi i plotë i personalitetit njerëzor dhe ndjenja e dinjitetit të tij, dhe duhet të fuqizojë respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore ...”;
- Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave e 18 dhjetorit 1979 (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës thekson në mënyrë të veçantë që diskriminimi kundër grave “shkel parimet e barazisë së të drejtave dhe të respektimit të dinjitetit njerëzor”;
- Konventa kundër Torturës dhe Dënimeve ose Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese e 10 dhjetorit 1984 (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës vë në pah se “të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore ... rrjedhin nga dinjiteti i lindur i personit”;
- Konventa për të Drejtat e Fëmijës e 20 nëntorit 1989 (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës deklaron që “fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri, dhe duhet të edukohet në frymën e idealeve të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara e sidomos në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit” (shih gjithashtu Nenin 23 § 1, Nenin 28 § 2, Nenin 37, Nenin 39 dhe Nenin 40 § 1);
- Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë (Neni 19 § 2 dhe neni 24 § 5 (c)) (e ratifikuar nga Belgjika);
- Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës deklaron që “diskriminimi ndaj çdo personi për shkak të aftësive të kufizuara është dhunim i dinjitetit dhe vlerave të personit”, dhe synimet e së cilës përfshijnë promovimin e respektit për “dinjitetin e lindur” të personave me aftësi të kufizuara (Neni 1), ku kjo është gjithashtu një nga parimet e saj të përgjithshme (Neni 3 (a)) (shih gjithashtu Nenin 8 (a), Nenin 16 § 4, Nenin 24 § 1 dhe Nenin 25);
- Protokolli i Dytë Fakultativ i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje, i 15 dhjetorit 1989 (i ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e të cilit shpreh bindjen që “heqja e dënimit me vdekje i shërben ngritjes së dinjitetit njerëzor dhe zhvillimit të mëtejshëm të të drejtave të njeriut”;
- Protokolli Fakultativ i 19 dhjetorit 2011 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës në procedurat e komunikimeve (i ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e të cilit riafirmon “statusin e fëmijës si subjekt me të drejtat e veta dhe si qenie njerëzore me dinjitet dhe kapacitete në zhvillim e sipër”;
- Protokolli Fakultativ i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore i 10 dhjetorit 2008 (i ratifikuar nga Belgjika) dhe Protokolli Fakultativ i Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave i 6 tetorit 1999 (i ratifikuar nga Belgjika).
47. Disa tekste dhe instrumente rajonale të të drejtave të njeriut po ashtu i referohen konceptit të dinjitetit, përfshirë si vijon:
- Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut e 22 nëntorit 1969 (Neni 5 § 2, Neni 6 § 2 dhe Neni 11 § 1);
- Akti Final i Konferencës së Helsinkit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i 1 gushtit 1975, i cili thotë se Shtetet “do të promovojnë dhe nxisin ushtrimin efektiv të të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të drejta e liri të tjera ku të gjitha rrjedhin prej dinjitetit të lindur të personit dhe janë thelbësore për zhvillimin e tij të lirë dhe të plotë” (Parimi VII);
- Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve e 28 qershorit 1981, Neni 5 i së cilës parashtron se “Çdo individ ka të drejtë për respekt ndaj dinjitetit të lindur të qenies njerëzore dhe për njohjen e statusit të vet ligjor”;
- Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Dinjitetit të Qenieve Njerëzore në lidhje me Zbatimin e Biologjisë dhe Mjekësisë e 4 prillit 1997 (të cilën Belgjika nuk e ka nënshkruar), Hyrja e së cilës afirmon, inter alia, “nevojën për të respektuar qenien njerëzore si individ ashtu edhe si anëtar i llojit njerëzor dhe ... rëndësinë e garantimit të dinjitetit të [tij]”;
- Karta e të Drejtave Themelore e Bashkimit Evropian e 7 dhjetorit 2000, Hyrja e së cilës pohon se duke qenë “i vetëdijshëm për trashëgiminë e vet shpirtërore dhe morale, Bashkimi themelohet mbi vlerat universale e të pandashme të dinjitetit njerëzor, të lirisë, barazisë dhe solidaritetit”, dhe Neni 1 i së cilës deklaron që “dinjiteti njerëzor është i padhunueshëm [dhe] duhet të respektohet dhe të mbrohet” (shih gjithashtu Nenin 31 për “Kushtet e drejta të punës”);
- Protokolli Nr. 13 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat i 3 majit 2002 (i ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e të cilit thekson se heqja e dënimit me vdekje është thelbësore për mbrojtjen e të drejtës së secilit për jetë dhe për njohjen e plotë të “dinjitetit të lindur të të gjitha qenieve njerëzore”;
- Konventa e Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore e 16 majit 2005 (e ratifikuar nga Belgjika), Hyrja e së cilës thekson se “trafikimi me qenie njerëzore përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe ofendim ndaj dinjitetit dhe integritetit të qenies njerëzore” (shih gjithashtu Nenet 6 dhe 16).
B. Dokumentet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit a Dënimit Çnjerëzor ose Degradues
48. Në një dokument të titulluar “Standardet CPT” (CPT/Inf/E (2002) 1 – Rev. 2015), Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit a Dënimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT) deklaroi si vijon:
“... 97. Duke pasur parasysh mandatin e tij parandalues, prioritet i CPT gjatë vizitave të tij është që të përpiqet të konstatojë nëse të miturit të cilëve u hiqet liria i janë nënshtruar keqtrajtimit. Për fat të keq, keqtrajtimi i qëllimshëm i të miturve nga zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk është çrrënjosur aspak dhe mbetet shqetësim real në disa vende evropiane. Delegacionet e CPT vazhdojnë të marrin akuza të besueshme të keqtrajtimeve të të miturve të ndaluar. Akuzat shpesh kanë të bëjnë me shkelmime, shuplaka, grushte ose goditje me shkopinj gome në kohën e kapjes (edhe pasi i mituri është vendosur nën kontroll), gjatë transportimit ose gjatë marrjes në pyetje më pas në ambientet e zbatimit të ligjit. Gjithashtu nuk është e pazakontë që të miturit të bëhen viktima të kërcënimeve ose abuzimeve verbale (përfshirë ato të natyrës raciste) gjatë kohës që ndodhen në duart e agjencive të zbatimit të ligjit.
...
126. ... Në disa [qendra ndalimi për të mitur] të vizituara nga CPT, nuk ishte e pazakontë që stafi të përdorte të ashtuquajturën ‘shuplakë pedagogjike’ ose forma të tjera të ndëshkimit fizik ndaj të miturve që silleshin keq. Në këtë aspekt, CPT kujton që ndëshkimi trupor ka gjasa të përbëjë keqtrajtim dhe duhet të ndalohet rreptësisht. ...”
CPT gjithashtu shënoi më poshtë në raportin e tij të nëntë të përgjithshëm të aktivitetit (CPT/Inf (99) 12), datë 30 gusht 1999:
“... 24. Në disa ambiente të tjera të vizituara [ku të miturve u hiqej liria], delegacioneve të CPT iu është thënë që nuk ishte e pazakontë që stafi të përdorte herë pas here ‘shuplakën pedagogjike’ ndaj të miturve që silleshin keq. Komiteti konsideron që, në interes të parandalimit të keqtrajtimit, të gjitha format e ndëshkimit fizik duhet si të ndalohen formalisht ashtu edhe të shmangen në praktikë. Të burgosurit që sillen keq duhet të trajtohen vetëm në përputhje me procedurat e parashikuara disiplinore. ...”
49. Në raportin e tij drejtuar Qeverisë belge në lidhje me vizitën në Belgjikë nga 18 deri më 27 prill 2005 (CPT/Inf (2006) 15; 20 prill 2006) CPT deklaroi, mes të tjerash:
“... 11. Mbi bazën e të gjitha informacioneve të marra gjatë vizitës, CPT ka arritur në përfundimin – ashtu si gjatë tri vizitave të para në Belgjikë – që rreziku i keqtrajtimit të një personi nga oficerët e zbatimit të ligjit gjatë kohës së ndalimit nuk mund të përjashtohet. Rrjedhimisht, CPT rekomandon që autoritetet belge të vazhdojnë të jenë vigjilente në këtë aspekt dhe të bëjnë përpjekje të posaçme në rastet e të miturve të cilëve u është hequr liria.
CPT më tej rekomandon që oficerëve të zbatimit të ligjit t’u rikujtohet periodikisht dhe rregullisht që çdo formë keqtrajtimi – përfshirë fyerjet – ndaj personave të cilëve u është hequr liria është e papranueshme, që çdo informacion rreth keqtrajtimit të pretenduar do të hetohet si duhet, dhe që çdokush përgjegjës për trajtim të tillë do të dënohet rreptësisht.
12. Më saktë, për sa u përket pretendimeve për keqtrajtim nga oficerët e zbatimit të ligjit gjatë arrestimit të të dyshuarve, CPT ka shënuar në mënyrë të përsëritur që ky proces pa dyshim përbën një detyrë të vështirë dhe të rrezikshme nganjëherë, posaçërisht kur personi në fjalë bën rezistencë ose kur oficerët e zbatimit të ligjit kanë arsye për të besuar që personi përbën kërcënim të afërt. Megjithatë, përdorimi i forcës gjatë kryerjes së arrestit duhet të ruhet vetëm për rastet kur është absolutisht i nevojshëm; më tej, nuk mund të ketë asnjëherë justifikim për goditjen e personave të kapur pasi ata të jenë vënë nën kontroll. ...”
Raporti i CPT në lidhje me vizitën e tij në Belgjikë nga 28 shtatori deri më 7 tetor 2009 (CPT/Inf (2010) 24; 23 korrik 2010) përmban veçanërisht pjesën në vijim:
“... 13. Gjatë vizitave të tij në stacionet e policisë, delegacioni i CPT takoi vetëm një numër të vogël njerëzish të cilëve u ishte hequr liria. Pavarësisht nga kjo, gjatë vizitave në burgje, ai takoi një numër të madh njerëzisht të cilët kishin qenë së fundi në mbajtje nga policia.
Shumica e të ndaluarve të cilët biseduan me delegacionin nuk raportuan ndonjë rast keqtrajtimi fizik të qëllimshëm gjatë kohës së mbajtjes së tyre në polici. Megjithatë, delegacioni dëgjoi një numër të kufizuar pretendimesh për përdorim të tepruar të forcës (siç janë goditjet e shkaktuara pasi personi është vënën nën kontroll, ose prangosja tepër e shtrënguar e duarve) gjatë arrestimit (posaçërisht në Bruksel, Charleroi dhe Marcinelle). Siç ka vënë në dukje shpesh CPT, arrestimi i një të dyshuari është pa dyshim detyrë e vështirë dhe e rrezikshme nganjëherë, sidomos kur personi bën rezistencë ose kur policia ka arsye të besojë se personi përbën kërcënim të afërt. Sidoqoftë, CPT rekomandon që policëve t’u rikujtohet se gjatë kryerjes së arrestit përdorimi i forcës duhet të ruhet vetëm për rastet kur është absolutisht i nevojshëm; për më tepër, nuk mund të ketë asnjë justifikim për goditjen e personave të kapur pasi ata janë vënë nën kontroll. ...”
C. Kodi Evropian i Etikës Policore
50. Në rekomandimin e tij Rec(2001)10 në lidhje me Kodin Evropian të Etikës Policore të miratuar më 19 shtator 2001, Komiteti i Ministrave deklaroi bindjen e tij që “besimi publik tek policia është i lidhur ngusht me qasjen dhe sjelljen e saj ndaj publikut, posaçërisht respekti i saj për dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e liritë themelore të individit të mishëruara, veçanërisht, në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Rekomandohet që qeveritë e Shteteve anëtare të udhëhiqen në legjislacionin e tyre të brendshëm, në praktikat e tyre dhe në kodet e sjelljes policore nga parimet e cekura në Kodin Evropian të Etikës Policore bashkëngjitur Rekomandimit, me qëllim të zbatimit të vazhdueshëm të tij dhe qarkullimit sa më të gjerë të tekstit të tij.
51. Kodi deklaron në mënyrë të veçantë që një prej qëllimeve kryesore të policisë është të mbrojë dhe të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të individit ashtu siç ngërthehen, veçanërisht, në Konventë (paragrafi 1). Në seksionin mbi “Udhërrëfyesi për veprim/ndërhyrjen e policisë” ai përcakton që “policia nuk duhet të shkaktojë, të nxisë ose të tolerojë asnjë akt torture ose trajtimi a dënimi çnjerëzor apo degradues në asnjë rrethanë” (paragrafi 36) dhe që ajo “mund të përdorë forcën vetëm kur është absolutisht e nevojshme dhe vetëm deri në masën e kërkuar për arritjen e një objektivi legjitim” (paragrafi 37). Më tej, “gjatë zhvillimit të aktiviteteve të saj, [ajo] duhet të mbajë gjithmonë parasysh të drejtat themelore të secilit” (paragrafi 43) dhe “personeli i policisë duhet të veprojë me integritet dhe respekt ndaj publikut dhe me konsideratë të veçantë për situatat e individëve që u përkasin grupeve veçanërisht të lëndueshme” (paragrafi 44).
D. Lëndueshmëria e të miturve
52. Hyrja e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës (ku “fëmija” përkufizohet në Nenin 1 si “çdo qenie njerëzore nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç përveç se kur, në përputhje me ligjin e zbatueshëm, mosha madhore arrihet më herët”) e 20 nëntorit 1989 (e ratifikuar nga Belgjika) i referohet deklarimeve të lartpërmendura dhe thekson se nevoja për t’i ofruar mbrojtje të veçantë fëmijës është njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (posaçërisht në Nenet 23 dhe 24), në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (posaçërisht në Nenin 10) dhe në statutet e instrumentet përkatëse të institucioneve të specializuara dhe organizatave ndërkombëtare që merren me mirëqenien e fëmijëve.
53. Një numër tekstesh të mëvonshme ndërkombëtare dhe rajonale janë të bazuara mbi njohjen e nevojës për të marrë parasysh lëndueshmërinë e të miturve. Për shembull, Hyrja e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Fëmijëve kundër Shfrytëzimit Seksual dhe Abuzimit Seksual e 25 tetorit 2007 (e ratifikuar nga Belgjika) deklaron që “çdo fëmijë ka të drejtë për masa të atilla mbrojtjeje siç kërkohet nga statusi i tij ose i saj si i/e mitur, nga ana e familjes, shoqërisë dhe Shtetit të tij ose të saj”, ku fëmija përkufizohet si “çdo person nën moshën 18 vjeç” (Neni 3 (a)). Gjithashtu mund të bëhet referencë ndaj Rekomandimit CM/Rec(2008)11 mbi Rregullat Evropiane për shkelësit e mitur që u nënshtrohen sanksioneve ose masave dhe Rekomandimit CM/Rec(2009)10 mbi strategjitë e integruara kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës më 5 nëntor 2008 dhe 18 nëntor 2009 respektivisht. Ky instrumenti i fundit thekson që “brishtësia dhe lëndueshmëria e fëmijëve dhe varësia e tyre tek të rriturit për rritje e zhvillim kërkojnë investim më të madh në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e fëmijëve nga ana e familjeve, shoqërisë dhe Shtetit”; i pari nënvizon lëndueshmërinë ekstreme të të miturve të cilëve u është hequr liria (Shtojca e Rekomandimit, § 52.1). Vetëm pak kohë më parë CPT vuri theks të veçantë mbi lëndueshmërinë e të miturve në kontekstin e burgimit (Raporti i Përgjithshëm i 24-rt i CPT, 2013-2014, janar 2015, të miturit të cilëve u është hequr liria sipas legjislacionit penal, paragrafët 3, 98 dhe 99).
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 3 TË KONVENTËS
54. Kërkuesit pretenduan që policët i kishin goditur me shuplakë në fytyrë gjatë kohës që kanë qenë në stacionin e policisë së Saint-Josse-ten-Noode. Ata pretenduan se kishin qenë viktima të trajtimit degradues. Më tej ata u ankuan që hetimet rreth ankesave të tyre kishin qenë jo efektive, të paplota, të njëanshme dhe tejet të gjata. Ata u mbështetën tek Neni 3, Neni 6 § 1 dhe Neni 13 i Konventës, ku i pari prej këtyre thotë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimit apo trajtimit çnjerëzor ose degradues.”
55. Duke përsëritur që Gjykata është zot i karakterizimit juridik të fakteve të çështjes dhe duke vlerësuar se këto ankesa kanë të bëjnë me të njëjtin objekt, Dhoma e pa të udhës të shqyrtonte pretendimet e kërkuesve vetëm sipas Nenit 3 të Konventës. Dhoma e Madhe është dakord me këtë qasje. Prandaj ajo do të procedojë në të njëjtën mënyrë.
A. Vendimi i Dhomës
56. Në vendimin e saj Dhoma iu referua parimeve të dala nga praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me Nenin 3 të Konventës. Ajo iu referua në mënyrë të veçantë parimit që kur ngjarjet në fjalë shtrihen tërësisht, ose në masë të madhe, brenda njohurive ekskluzive të autoriteteve, si në rastin e personave të mbajtur nën kontrollin e tyre, do të ngriheshin prezumime të forta fakti në lidhje me lëndimet që ndodhin gjatë një ndalimi të tillë. Atëherë i takonte Qeverisë të jepte shpjegime të kënaqshme dhe bindëse duke paraqitur prova që mbështesin fakte të cilat hedhin dyshime mbi rrjedhën e ngjarjeve të treguar nga viktima. Dhoma gjithashtu iu referua parimit që kur një individi i është hequr liria ose, më përgjithësisht, kur ka pasur përballje me zyrtarët e zbatimit të ligjit, çdo kalim në forcë fizike i cili nuk është bërë absolutisht i nevojshëm nga sjellja e vetë personit ishte ulje e dinjitetit njerëzor dhe ishte në parim shkelje e të drejtës së përcaktuar në Nenin 3. Më tej ajo iu referua parimit që, në mënyrë që keqtrajtimi të hyjë brenda fushëveprimit të Nenit 3, ai duhet të arrinte një nivel minimal rreptësie. Më tej, disa forma të dhunës, sado që mund të dënohen moralisht dhe gjithashtu edhe gjerësisht sipas të drejtës vendase të Shteteve Kontraktuese, nuk hyjnë brenda Nenit 3. Dhoma më tej shënoi që Qeveria e kishte kontestuar faktin që kërkuesit ishin qëlluar me shuplakë nga policët, dhe kishte parashtruar që certifikatat mjekësore të paraqitura nuk konstatonin që lëndimet e regjistruara ishin shkaktuar nga këto shuplakë. Gjithsesi ajo e gjeti të pakuptimtë të vendoste mbi vërtetësinë ose pavërtetësinë e akuzave të kërkuesve, duke konsideruar që, edhe po të supozohej se ato ishin vërtetuar, veprimet për të cilat ankoheshin kërkuesit, në rrethanat e çështjes, nuk do të përbënin trajtim në shkelje të Nenit 3 të Konventës. Dhoma arriti në përfundimin që vijon (§ 51):
“Edhe po të supozohet se goditjet me shuplakë kanë ndodhur, në të dy rastet ka qenë shuplakë e shkaktuar pa menduar nga një polic të cilit i ka ardhur në maje të hundës nga sjellja pa respekt ose provokuese e kërkuesve, pa kërkuar t’i bënte ata që të rrëfenin. Për më tepër, mes anëtarëve të familjes së kërkuesve dhe policëve në lagjen e tyre me sa duket ekzistonte një atmosferë e tensionuar. Në ato kushte, edhe pse njëri prej kërkuesve ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë dhe ndërkohë është e kuptueshme që, nëse ngjarjet vërtet kanë ndodhur ashtu siç përshkruajnë kërkuesit, atyre duhet t’u ketë ardhur shumë inat, Gjykata nuk mund të injorojë faktin që këto ishin gjëra që ndodhin vetëm një herë në një situatë tensioni dhe pa efekte serioze ose afatgjata. Ajo është e mendimit që veprime të këtij lloji, sado që të papranueshme, nuk mund të shihen si të tilla që shkaktojnë një shkallë të mjaftueshme poshtërimi ose uljeje për t’u konstatuar si shkelje të Nenit 3 të Konventës. Me fjalë të tjera, sidoqoftë, kufiri i lartpërmendur i rreptësisë nuk është arritur në rastin konkret, kështu që nuk ngrihet asnjë çështje shkeljeje të asaj dispozite, qoftë sipas titullit substancial apo atij procedural të saj.”
B. Vërejtjet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kërkuesit
57. Për sa i përket aspektit substancial të Nenit 3, kërkuesit u ankuan që Dhoma ishte larguar nga parimet e përcaktuara nga Dhoma e Madhe. Ata parashtruan që Dhoma kishte lënë jashtë zbatimin e prezumimeve të shkakësisë dhe rreptësisë së përfshirë në rastet e dhunës kundër personave që ishin privuar nga liria ose që ishin nën kontrollin e policisë. Në raste të tilla ekzistonte prezumimi i një lidhjeje shkakësore mes shenjave të lëna nga goditjet dhe atribuimin e tyre tek policia, çka mund të kundërshtohej me anë të shpjegimeve të arsyeshme nga kryesit e pretenduar. Në qoftë se nuk ishte ashtu, hynte në lojë prezumimi i dytë ku viktima privohej nga liria e tij apo e saj: meqenëse përdorimi i forcës fizike në thelb shkelte dinjitetin njerëzor, çdo veprim i tillë prezumohej të ishte serioz dhe në shpërputhje me Nenin 3, megjithëse kryesi i pretenduar mund ta kundërshtonte atë prezumim duke diskutuar që përdorimi i forcës kishte qenë absolutisht i nevojshëm duke pasur parasysh sjelljen e viktimës. Kërkuesit parashtruan që Gjykata mund të shqyrtonte vetëm rreptësinë e veprimit “mbi baza subsidiare” gjatë konstatimit nëse ai duhet të klasifikohej si “torturë” apo “trajtim çnjerëzor ose degradues”.
58. Kërkuesit theksuan që certifikatat mjekësore të hartuara pak pas kohës materiale tregonin që ata kishin pasur shenja goditjesh pas largimit nga stacioni i policisë. Mbi këtë bazë ata thanë se prezumimi i shkakësisë zbatohej dhe shënuan që Qeveria, ashtu si shërbimi policor në nivel vendas, nuk kishte dhënë shpjegime që ishin në gjendje ta kundërshtonin atë prezumim, duke u kufizuar me mohimin e ngjarjes së ndonjë goditjeje me shuplakë. Më tej, përdorimi i forcës kundër tyre nuk kishte qenë as i nevojshëm e as proporcional. Kërkuesit vunë në pah se tek policët që i kishin qëlluar me shuplakë nuk kishte pasur asnjë shenjë goditjeje, që vetë ata nuk kishin bërë rezistencë fizike aktive, që policia dhe Shteti belg – që gjithmonë e kishin mohuar goditjen me shuplakë të kërkuesve – nuk ishin në gjendje të konstatonin se goditja me shuplakë kishte qenë e nevojshme, dhe që duhet të merrej në konsideratë konteksti i dhunës policore në Belgjikë. Për më tepër, atmosfera e nervozizmit dhe mungesës së respektit dhe konflikti mes policisë së lagjes dhe familjes Bouyid ishin të pamjaftueshme për të konstatuar nevojën e përdorimit të forcës. Kërkuesi i parë shtoi se kontrolli i identitetit për të cilin ai ishte ndaluar nga policia kishte qenë i pajustifikuar, që arsyet për atë kontroll ishin të paqarta, që xhaketa e tij ishte grisur gjatë incidentit, që ai kishte qenë më trupvogël sesa polici që e kishte qëlluar me shuplakë, që ai kishe qenë i mitur në kohën materiale, që shuplaka e kishte lënë atë në gjendje shoku, që ndjenjat e frikës dhe shqetësimit tek ai ishin shtuar nga fakti që ai e kishte njërën daulle veshi të shpuar qysh para katër vjetësh si pasojë e një goditjeje të shkaktuar nga një polic, dhe që ai ishte përballur me heshtjen dhe frymën korporatiste të policisë. Kërkuesi i dytë shtoi që ai kishte qenë i ulur, pra duke mos paraqitur asnjë kërcënim direkt, kur ishte qëlluar me shuplakë.
59. Kërkuesit parashtruan që dhuna policore ishte problem aktual në Belgjikë: shtypi kishte raportuar aq shumë raste, dhe në raportin e tij vjetor të vitit 2012 Komisioni i Ngritur për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Policore (“Komisioni P”) kishte shënuar një rritje të numrit të ankesave për dhunë policore (468 ankesa në vitin 2010 dhe 576 ankesa në vitin 2012). Më tej, në raportin e tij gjatë vizitës në Belgjikë nga 18 deri më 27 prill 2005, CPT kishte theksuar që “rreziku i keqtrajtimit të personave nga zyrtarët e zbatimit të ligjit gjatë kohës së ndalimit nuk mund të përjashtohet” (20 prill 2006, CPT/Inf(2006)15, § 11). Më tej, në komentet e fundit pas raportit të tretë periodik mbi Belgjikën, Komisioni i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues kishte shënuar me shqetësim akuzat e vazhdueshme për përdorimin e paligjshëm të dhunës nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe rekomandonte hetime “të thella, të pavarura dhe të paanshme” (28 tetor – 22 nëntor 2013, CAT/C/BEL/CO/3, § 13). Kërkuesit gjithashtu parashtruan që çdo javë postoheshin katër ankesa për dhunë policore në faqen e internetit për vëzhgimin e dhunës policore të ngritur nga seksioni në gjuhën franceze i Lidhjes Belge për të Drejtat e Njeriut (OBSPOL). Ata gjithashtu kishin përshtypjen që policët sistematikisht depozitonin ankesë menjëherë pasi depozitohej ankesa kundër tyre, dhe që edhe kur çështjet arrinin të dilnin para gjykatës, vendimi shtyhej më shpesh sesa për anëtarët e zakonshëm të publikut. Për këtë arsye publiku i gjerë ndiente që ekzistonte një klimë padënueshmërie, dhe shumë viktima nuk donin të ngrinin ankesa.
60. Për sa i përket aspektit procedural të Nenit 3, kërkuesit parashtruan që hetimet e zhvilluara rreth çështjes së tyre nuk i përmbushnin kriteret e praktikës gjyqësore të Gjykatës.
61. Së pari, ata parashtruan që hetimet ishin bazuar kryesisht mbi analizimin e sjelljes së familjes, duke nxjerrë përfundime mbi bazën e të dhënave të përgatitura nga stacioni i policisë ku punonin policët kundër të cilëve ishin ankuar kërkuesit. Fakti që raporti përmbledhës tregonte me hollësi ankesat e bëra nga anëtarët e familjes së tyre kundër policëve të këtij stacioni dhe deklaronte që ndaj tyre nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim, por megjithatë nuk përmbante informacion për raportet e hartuara nga policët në lidhje me anëtarët e familjes së tyre – ku në shumicën e këtyre rasteve nuk ekzistonte asnjë dosje ose procedura ishte ndërprerë – tregonte që hetimet ishin zhvilluar me qëllim që të shfajësoheshin policët. Më tej kërkuesit vërejtën që hetimet nuk kishin hedhur dritë mbi rrethanat e ndërhyrjes së policisë.
62. Së dyti, ata diskutuan që kishte pasur mangësi serioze gjatë hetimeve: në kundërshtim me udhëzimet e gjyqtarit hetues, kërkuesit në asnjë moment nuk ishin intervistuar nga hetuesit; dosja e incidentit të gërvishtjes së makinës së një polici të atij stacioni në vitin 1999 nuk ishte përfshirë e tëra në dosjen e lëndës; dhe gjyqtari hetues nuk ishte informuar rreth veprimeve të ndërmarra në çështjet e ndryshme të hapura kundër familjes Bouyid (disa nga çështjet e përmendura në raportin përmbledhës në fakt nuk ekzistonin ose ishin faktikisht çështje në të cilat ata kishin pretenduar të ishin viktimat). Kërkuesit theksuan që kur ata i kishin vënë re këto mangësi ata i kishin kërkuar gjyqtarit hetues njëzet masa hetimore shtesë, prej të cilave vetëm dy ishin pranuar: përfshirja e një emaili në dosjen e lëndës dhe intervista e një polici të cilin kërkuesi i parë akuzohej ta kishte fyer më 8 dhjetor 2003 (për më tepër, kërkuesve nuk iu ishte dhënë qasje ndaj këtyre provave).
63. Së treti, dispozitat ligjore për intervistimin e viktimave të mitura për vepra penale nuk ishin respektuar (ata iu referuan Neneve 91 bis dhe 92 të Kodit të Procedurës Penale, të cilët përcaktonin që persona të tillë duhet të ishin të shoqëruar nga një i rritur gjatë intervistës së tyre para autoriteteve gjyqësore dhe lejonin që intervista të incizohej).
64. Së katërti, gjyqtari hetues mund të kishte kërkuar me mocion të vetin që të zbatoheshin masat e mëtejshme hetimore në vijim: intervistimi i shokut të kërkuesit të parë i cili kishte qenë me të kur ky i fundit ishte ndaluar dhe marrë në pyetje; përfshirja në dosjen e lëndës e pamjeve nga kamerat në hyrje dhe dalje të stacionit të policisë; urdhërimi i një mendimi të dytë mjekësor; dhe organizimi i një ballafaqimi.
65. Prandaj kërkuesit parashtruan që autoritetet hetimore kishin vendosur që veprat nuk ishin kryer dhe që nuk kishte baza për ndjekjen penale të policëve duke u bazuar mbi hetime jo efektive të kryera me qëllim të shfajësimit të policëve në fjalë.
2. Qeveria
66. Qeveria deklaroi që ajo ishte dakord me analizën e kërkuesve për sa i përket faktit që në qoftë se një person ka qenë i mbajtur nga policia në kohën materiale ka pasur prezumim të lidhjes shkakësore mes gjurmëve të lëndimeve dhe atribuimit të lëndimeve policisë, prezumim i cili mund të kundërshtohej me anë të një shpjegimi të arsyeshëm. Ajo gjithashtu pranoi që veprimi në fjalë prezumohej të ishte serioz kur personi në fjalë ndodhej në mbajtje, me ç’rast Gjykata e pranoi de facto që ishte dëmtuar dinjiteti i personit, megjithëse ai prezumim mund të kundërshtohej duke vërtetuar se përdorimi i forcës kishte qenë absolutisht i nevojshëm duke pasur parasysh sjelljen e viktimës. Qeveria theksoi që ajo nuk kishte pasur asnjëherë për qëllim t’i shpërfillte ato prezumime, por që ajo e konsideronte legjitime që të mos vinte në pyetje konstatimet e policëve në qoftë se hetimet shteruese të kryera në rastin konkret nuk kishin zbuluar asgjë që mund të lejonte me arsye kundërshtimin e atyre konstatimeve.
67. Qeveria ishte e mendimit që autoritetet gjyqësore duhet të përputhnin prezumimin e shkakësisë me parimin po aq themelor të prezumimit të pafajësisë për agjentët e përfshirë të Shtetit: autoritetet gjyqësore nuk mund të iknin nga parimi që ata duhet ta dënojnë një person të akuzuar vetëm kur janë të sigurt përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që ai ka kryer veprime që përbëjnë trajtim degradues kundër ankuesit.
68. Qeveria theksoi se në çështjen në fjalë, megjithëse kërkuesit kishin paraqitur certifikata mjekësore që konstatonin lëndime të cilat mund të përputheshin me ngjarjet për të cilat ata u ankuan, ishin vetëm deklaratat e kërkuesve ato që sugjeronin se ato lëndime ishin pasoja të një shuplake dhe që shuplakët në fjalë ishin shkaktuar tek të dy kërkuesit nga policët. Më tej, policët në fjalë e kishin mohuar gjithmonë fuqimisht kryerjen e këtyre veprimeve, dhe asnjë nga provat e mbledhura gjatë hetimeve nuk kishte qenë në kundërshtim me deklaratat e tyre. Qeveria gjithashtu vërejti që anëtarët e familjes Bouyid kishin ngritur shumë ankesa të tjera kundër policëve të stacionit të tyre policor lokal, çdo herë në kuadër të një përballjeje me policinë pasi ata ishin ndaluar dhe marrë në pyetje. Ajo përfundoi që, duke pasur parasysh sjelljen e familjes Bouyid, ishte e konceptueshme që ankesat e kërkuesve kishin pasur për qëllim të diskreditonin policinë bashkiake, me të cilën ata kishin pasur vështirësi për shumë vite me radhë. Sipas mendimit të Qeverisë tensionet kishin qenë kaq të mëdha saqë një rezultat i tillë nuk kishte qenë i paimagjinueshëm.
69. Prandaj në rastin konkret ekzistonte “më shumë se një dyshim i arsyeshëm në lidhje me konstatimin e fakteve të pretenduara”.
70. Qeveria parashtroi që kjo deklarata e fundit nuk ishte në kundërthënie me parimin që kur një individi i hiqej liria ose ai kishte të bënte me zyrtarët e zbatimit të ligjit, çdo rekurs drejt forcës fizike që nuk bëhej i nevojshëm për shkak të sjelljes së vetë personit ulte dinjitetin njerëzor dhe parimisht përbënte shkelje të Nenit 3.
71. Qeveria gjithashtu parashtroi që kërkuesit kishin pasur mundësi të kishin hetime zyrtare efektive të cilat kishin analizuar të gjitha të dhënat në dispozicion për sa u përket raporteve, procesverbaleve dhe dëshmive. Megjithatë, ajo shtoi se hetimet nuk kishin konstatuar që faktet e pretenduara nga kërkuesit faktikisht kishin ndodhur dhe rrjedhimisht nuk kishte qenë e mundur të identifikonin një ose më shumë kryes të mundshëm.
72. Në fund, Qeveria deklaroi që ajo nuk mund ta pranonte që kjo çështje të shërbente si standard në luftën kundër dhunës policore, meqenëse faktet nuk ishin konstatuar në mënyrë të arsyeshme.
B. Vërejtjet e palëve të treta
1. Qendra e të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Ghent
73. Kjo palë e tretë shënoi që gjatë përfundimit që kufiri i rreptësisë i Nenit 3 nuk ishte arritur, Dhoma kishte marrë parasysh sjelljen kinse të parespektueshme ose provokuese të kërkuesve, klimën e tensionuar që kishte mbizotëruar mes anëtarëve të familjes së kërkuesve dhe policëve të tyre lokalë, dhe faktet që shuplakët nuk kishin pasur për qëllim të nxirrnin rrëfime dhe që ato kishin qenë veprime të izoluara pa ndonjë efekt serioz ose afatgjatë. Ajo konsideroi që, duke pasur parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës, tre të parët nga këto katër faktorë nuk ishin relevantë. Megjithëse ajo e vlerësoi faktorin e katërt të vlefshëm, ajo parashtroi që ekzistonte një kriter të cilit duhet t’i jepej rëndësi themelore gjatë përcaktimit nëse ishte arritur kufiri i rreptësisë në lidhje me një veprim të kryer kundër një personi të privuar nga liria prej policisë, pra faktit të policëve abuzues me pushtetin e tyre karshi personave që ndodheshin tërësisht nën kontrollin e tyre. Në raste të tilla kufiri i rreptësisë duhet të ulej. Duke iu referuar Salman kundër Turqisë ([GC], nr. 21986/93, ECHR 2000‑VII), Denis Vasilyev kundër Rusisë (nr. 32704/04, 17 dhjetor 2009), dhe Valiulienė kundër Lituanisë (nr. 33234/07, 26 mars 2013), pala e tretë vuri në pah se Gjykata konsideronte që personat në mbajtje të policisë ishin në pozicion të lëndueshëm dhe që Neni 3 caktonte detyrën ndaj Shteteve që të mbronin mirëqenien fizike të personave në pozicion të tillë, dhe që ajo mori parasysh ndjenjat e frikës dhe pambrojtshmërisë së viktimës gjatë vlerësimit nëse ishte arritur kufiri i Nenit 3. Pala e tretë ishte e mendimit që e njëjta gjë vlente edhe më shumë për të miturit e privuar nga liria, duke pasur parasysh lëndueshmërinë e tyre të veçantë. Në këtë kontekst, një shuplakë e thjeshtë mund të kishte pasoja psikologjike serioze të cilat ishin në mospajtim me kriteret e Nenit 3, veçanërisht për shkak se një shuplakë e tillë mund të merrej si kërcënim për dhunë edhe më të madhe në rast refuzimi për bashkëpunim, ose madje edhe si dënim.
74. Pala e tretë ftoi Gjykatën të merrte në konsideratë faktin që në raportet e viteve 2006 dhe 2010 për Belgjikën CPT kishte rekomanduar që autoritetet belge t’ua përkujtonin “policëve ... që kur bënin arrestime, përdorimi i forcës duhet të mbahej vetëm brenda nevojshmërisë absolute [, dhe që] nuk mund të ketë asnjëherë justifikim për goditjen e personave të kapur pasi ata të ishin vënë nën kontroll” (CPT/Inf(2010)24 dhe CPT/Inf(2006)15).
75. Më tej pala e tretë theksoi se në Davydov dhe të Tjerë kundër Ukrainës (nr. 17674/02 dhe nr. 39081/02, § 268, 1 korrik 2010), Gjykata kishte vendosur që Neni 3 kërkonte që Shtetet t’i trajnonin zyrtarët e zbatimit të ligjit në mënyrë të atillë që t’i pajisnin me një shkallë të lartë kompetence në sjelljen e tyre profesionale, të tillë që askush të mos i nënshtrohej trajtimit në kundërshtim me atë dispozitë.
76. Në fund, pala e tretë nënvizoi faktin që përdorimi i dhunës nga policia nuk ishte i pazakontë në Belgjikë. Ashtu si kërkuesit, ajo iu referua statistikave të publikuara nga Komisioni P dhe OBSPOL. Ajo shtoi se forcat policore belge kishin qenë të përfshira në shumë raste të dhunës policore gjatë viteve të fundit, dhe që në disa stacione policie në rajonin e Brukselit, goditja me pëllëmbë të hapur (për të lënë sa më pak shenja që është e mundur) ishte gjetur të ishte praktikisht ngjarje rutinë.
2. NDREQJA
77. Kjo palë e tretë theksoi që e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut lejonte përdorimin e forcës fizike nga zyrtarët e zbatimit të ligjit vetëm deri në atë masë sa ç’ishte e nevojshme dhe proporcionale me një qëllim legjitim. Ajo iu referua Nenit 10 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Komentit të Përgjithshëm nr. 20 të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Kodit të Sjelljes së OKB-së për Zyrtarët e Zbatimit të Ligjit, Parimeve Themelore të OKB-së për Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Zyrtarët e Zbatimit të Ligjit, Kodit Evropian të Etikës Policore (Komiteti i Ministrave, Rec(2001(10) dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve (të cilave Gjykata dhe CPT i referoheshin gjatë punës së tyre), si dhe Udhërrëfyesit mbi Patrullimin Demokratik të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Nga ato tekste ajo nxori parimet në vijim: secili kishte të drejtë të mos i nënshtrohej torturës, trajtimit mizor, çnjerëzor ose degradues, meqenëse Organi i OKB-së për Mbrojtjen e të Gjithë Personave që ndodhen në Çdo Formë Ndalimi ose Burgimi saktësonte që këto duhen interpretuar në mënyrë të atillë që të ofrojnë mbrojtje sa më të gjerë të mundshme kundër abuzimeve; më parë duhet të provohen mjetet jo të dhunshme; forca duhet të përdoret vetëm kur është absolutisht e nevojshme, dhe vetëm për qëllime të ligjshme të zbatimit të ligjit; në marrëdhëniet e tyre me personat e ndaluar, zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk duhet të përdorin forcën, përveç se kur është absolutisht e nevojshme për ruajtjen e sigurisë dhe rendit brenda institucionit, ose kur kërcënohet siguria personale; nuk duhet të lejohen përjashtime ose shfajësime për përdorimin e paligjshëm të forcës; përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë proporcional me objektivat e ligjshme; duhet të tregohet përmbajtje në përdorimin e forcës; dëmet dhe lëndimet duhet të minimizohen; duhet të vihen në dispozicion një sërë mjetesh për përdorimin e diferencuar të forcës; të gjithë zyrtarët e zbatimit të ligjit duhet të trajnohen për përdorimin e mjeteve të ndryshme për përdorimin e diferencuar të forcës; dhe të gjithë oficerët duhet të trajnohen për përdorimin e mjeteve jo të dhunshme.
78. Pala e tretë deklaroi që parimi i përcaktuar nga Gjykata në lidhje me faktin që çdo rekurs drejt forcës nga një agjent shtetëror kundër një personi të privuar nga liria që nuk është bërë absolutisht i nevojshëm nga sjellja e atij personi ulte dinjitetin njerëzor dhe ishte parimisht shkelje e të drejtës së cekur në Nenin 3 ishte po ashtu i ngërthyer në praktikën gjyqësore të Gjykatës Inter-Amerikane të të Drejtave të Njeriut (ajo iu referua vendimit Loayza Tamayo kundër Perusë të 17 shtatorit 1997, § 57). Më tej, Gjykata kishte specifikuar që kur konstatohej mungesa e një nevojshmërie të tillë të rreptë, nuk ishte e nevojshme të vlerësohej shkalla e vuajtjes së shkaktuar në mënyrë që të gjendej shkelje e Nenit 3 (ajo iu referua Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 27229/95, § 113, ECHR 2001‑III); aty ku ishte konstatuar një nevojshmëri e tillë, ishin marrë parasysh të gjithë faktorët vendimtarë, përfshirë kohëzgjatjen e trajtimit, efektet e tij fizike dhe/ose mendore dhe, në disa raste, seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës, si dhe lëndueshmëria e veçantë e tij/saj; dhe personat e ndaluar ishin të lëndueshëm sepse ata ndodheshin nën kontrollin absolut të policisë ose personelit të burgut. Pala e tretë shtoi që në një vendim të 2 qershorit 2010 (nr. 543/2010) Gjykata Supreme e Spanjës, duke marrë parasysh këtë lëndueshmëri, kishte vendosur që një shuplakë me të cilën një polic kishte qëlluar një të ndaluar kishte qenë poshtëruese dhe degraduese pavarësisht nga mungesa e lëndimeve të dukshme. Kjo qasje ishte ndërmarrë gjithashtu edhe nga Raportuesi i mëparshëm i Posaçëm për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore gjatë Përballjes me Terrorizmin, CPT dhe Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
79. Pala e tretë theksoi që fëmijët e ndaluar ishin dyfish të lëndueshëm, siç u nënvizua nga Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për Torturën dhe Trajtime ose Dënime të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese. Duke iu referuar Rregullores së OKB-së për Mbrojtjen e të Miturve të Privuar nga Liria e tyre dhe punës së Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, pala e tretë shtoi që ishte përcaktuar tashmë që përdorimi i forcës kundër fëmijëve ishte i ndaluar përveç se për një numër shumë të kufizuar qëllimesh. Kjo zbatohej ndaj të gjitha formave të dhunës, përfshirë dhunën jo fizike ose të paqëllimshme, pavarësisht nga shpeshtësia ose shkalla e tyre, madje edhe kur nuk ishin të motivuara nga qëllimi për të lënduar. Ashtu si CPT në raportin e saj të nëntë të përgjithshëm, ajo dënoi në mënyrë të veçantë “përdorimin pedagogjik të forcës” (veçanërisht “shuplakën pedagogjike”), çka konsistonte në përdorimin e forcës në përgjigje të refuzimit për të bashkëpunuar ose të sjelljes së keqe, ndërkohë që CPT gjithashtu shënoi që stacionet e policisë ishin vendet ku të rinjtë rrezikoheshin më së shumti nga keqtrajtimi i qëllimshëm.
80. Në fund, pala e tretë vuri në pah që sistemet ligjore kombëtare pasqyronin standarde ndërkombëtare dhe rajonale. Ndalimi i përdorimit të forcës përveç se kur ishte absolutisht i nevojshëm ishte po ashtu i ngërthyer edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Australi, Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Aspekti substancial i ankesës
(a) Parime të Përgjithshme
81. Neni 3 i Konventës ngërthen një prej vlerave më themelore të shoqërive demokratike (shih, mes autoriteteve të tjera, Selmouni kundër Francës [GC], nr. 25803/94, § 95, ECHR 1999‑V; Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 119, ECHR 2000‑IV; Gäfgen kundër Gjermanisë [GC], nr. 22978/05, § 87, ECHR 2010; El-Masri kundër “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë” [GC], nr. 39630/09, § 195, ECHR 2012; dhe Mocanu dhe të Tjerë kundër Rumanisë [GC], nr. 10865/09, nr. 45886/07 dhe nr. 32431/08, § 315, ECHR 2014 (pjesë të shkëputura)). Në fakt, ndalimi i torturës dhe trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose degradues është vlerë e civilizimit e lidhur ngusht me respektin për dinjitetin njerëzor.
Ndryshe nga shumica e klauzolave substanciale të Konventës, Neni 3 nuk ka dispozita për përjashtime, dhe nuk lejohet derogimi prej tij sipas Nenit 15 § 2 edhe në rast emergjencash publike që kërcënojnë jetën e kombit (ibid.). Edhe në rrethanat më të vështira, siç është lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, Konventa e ndalon në mënyrë absolute torturën dhe trajtimin ose dënimin çnjerëzor ose degradues, pavarësisht nga sjellja e personit në fjalë (shih, mes autoriteteve të tjera, Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 79, Raporte të Vendimeve 1996‑V; dhe Labita, Gäfgen dhe El‑Masri, të gjitha cituar lart; shih gjithashtu Gjeorgjia kundër Rusisë (I) [GC], nr. 13255/07, § 192, ECHR 2014 (pjesë të shkëputura); dhe Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë [GC], nr. 32541/08 dhe nr. 43441/08, § 113, ECHR 2014 (pjesë të shkëputura)).
82. Pretendimet për keqtrajtim në kundërshtim me Nenin 3 duhet të jenë të mbështetura nga prova të përshtatshme. Për t’i vlerësuar këto prova, Gjykata vepron mbi bazën e standardit të provës “përtej dyshimit të arsyeshëm” por shton që prova të tilla mund të rrjedhin nga bashkekzistenca e nënkuptimeve mjaftueshëm të forta, të qarta dhe të përputhshme ose nga prezumime të pakundërshtuara të ngjashme fakti (shih, mes autoriteteve të tjera, Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 161 in fine, Seria A nr. 25; Labita, cituar lart, § 121; Jalloh kundër Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, § 67, ECHR 2006‑IX; Ramirez Sanchez kundër Francës [GC], nr. 59450/00, § 117, ECHR 2006‑IX; dhe Gäfgen, cituar lart, § 92).
83. Në lidhje me pikën e fundit të përmendur Gjykata ka shpjeguar që kur ngjarjet në fjalë qëndrojnë tërësisht, ose në masë të madhe, brenda dijenisë ekskluzive të autoriteteve, si rastet e personave brenda kontrollit të tyre në mbajtje, dalin prezumime të forta fakti në lidhje me lëndimet e ndodhura gjatë një ndalimi të tillë. Barra e provës atëherë i mbetet Qeverisë për të ofruar një shpjegim të kënaqshëm dhe bindës duke paraqitur prova që konstatojnë fakte të cilat hedhin dyshime mbi rrjedhën e ngjarjeve të treguara nga viktima (shih Salman, cituar lart, § 100; Rivas kundër Francës, nr. 59584/00, § 38, 1 prill 2004; dhe gjithashtu, mes autoriteteve të tjera, Turan Çakır kundër Belgjikës, nr. 44256/06, § 54, 10 mars 2009; Mete dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 294/08, § 112, 4 tetor 2012; Gäfgen, cituar lart, § 92; dhe El-Masri, cituar lart, § 152). Në mungesë të një shpjegimi të tillë, Gjykata mund të nxjerrë nënkuptime të cilat mund të jenë të pafavorshme për Qeverinë (shih, mes autoriteteve të tjera, El-Masri, cituar lart, § 152). Kjo justifikohet nga fakti që personat në mbajtje janë në pozicion të lëndueshëm dhe autoritetet kanë për detyrë t’i mbrojnë ata (shih, mes autoriteteve të tjera, Salman, cituar lart, § 99).
84. Dhoma gjeti në çështjen e tanishme që i njëjti parim qëndronte në kontekstin e një kontrolli identiteti në stacion të policisë (si në rastin e kërkuesit të parë) ose në kontekstin e një interviste të thjeshtë në këto ambiente (si në rastin e kërkuesit të dytë). Dhoma e Madhe është dakord, duke theksuar që parimi i cekur në paragrafin 83 lart zbatohet në të gjitha çështjet në të cilat një person është nën kontrollin e policisë ose të një autoriteti të ngjashëm.
85. Gjykata gjithashtu theksoi në vendimin El-Masri (cituar lart, § 155) që megjithëse ajo njohu që duhet të bënte kujdes gjatë marrjes së rolit të një tribunali fakti të shkallës së parë kur një gjë e tillë nuk bëhej e pashmangshme nga rrethanat e një çështjeje të dhënë (shih McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 28883/95, 4 prill 2000), ajo duhet të zbatonte “këqyrje posaçërisht të kujdesshme” kur bëheshin akuza sipas Nenit 3 të Konventës (shih, mutatis mutandis, Ribitsch kundër Austrisë, 4 dhjetor 1995, § 32, Seria A nr. 336; dhe Georgiy Bykov kundër Rusisë, nr. 24271/03, § 51, 14 tetor 2010), edhe nëse disa procedura dhe hetime vendase tashmë ishin zhvilluar (shih Cobzaru kundër Rumanisë, nr. 48254/99, § 65, 26 korrik 2007). Me fjalë të tjera, në një kontekst të tillë Gjykata është e përgatitur të zhvillojë një shqyrtim të plotë të gjetjeve së gjykatave kombëtare. Gjatë shqyrtimit të tyre ajo mund të marrë parasysh cilësinë e procedurave vendase dhe çdo defekt të mundshëm në procesin e vendimmarrjes (shih Denisenko dhe Bogdanchikov kundër Rusisë, nr. 3811/02, § 83, 12 shkurt 2009).
86. Keqtrajtimi duhet të arrijë një shkallë minimale rreptësie për të hyrë brenda fushëveprimit të Nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, si kohëzgjatja e trajtimit, pasojat e tij fizike dhe mendore dhe, në disa raste, seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih, mes autoriteteve të tjera, Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 162; Jalloh, cituar lart, § 67; Gäfgen, cituar lart, § 88; El-Masri, cituar lart, § 196; dhe Svinarenko dhe Slyadnev, cituar lart, § 114). Faktorë të tjerë përfshijnë qëllimin për të cilin është shkaktuar keqtrajtimi, bashkë me synimin ose motivimin e tij (krahaso, inter alia, Aksoy kundër Turqisë, 18 dhjetor 1996, § 64, Raporte 1996‑VI; Egmez kundër Qipros, nr. 30873/96, § 78, ECHR 2000‑XII; dhe Krastanov kundër Bullgarisë, nr. 50222/99, § 53, 30 shtator 2004; shih gjithashtu, mes autoriteteve të tjera, Gäfgen, cituar lart, § 88; dhe El-Masri, cituar lart, § 196), megjithëse mungesa e një synimi për të poshtëruar ose përulur viktimën nuk mund të përjashtojë në mënyrë konkluzive gjetjen e një shkeljeje të Nenit 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, V. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24888/94, § 71, ECHR 1999‑IX; dhe Svinarenko dhe Slyadnev, cituar lart, § 114). Gjithashtu, duhet të merret parasysh edhe konteksti në të cilin është shkaktuar keqtrajtimi, si atmosfera e tensionit dhe emocioneve të larta (krahaso, për shembull, Selmouni, cituar lart, § 104; dhe Egmez, cituar lart, § 78; shih gjithashtu, mes autoriteteve të tjera, Gäfgen, cituar lart, § 88).
87. Keqtrajtimi që arrin një shkallë të tillë minimale rreptësie zakonisht përfshin lëndime faktike trupore ose vuajtje të mëdha fizike ose mendore. Megjithatë, edhe në mungesë të këtyre aspekteve, kur trajtimi poshtëron ose ul një individ, duke treguar mungesë respekti ose duke zvogëluar dinjitetin njerëzor të tij ose të saj, ose shkakton ndjenja frike, ankthi ose inferioriteti që mund të thyejnë rezistencën morale dhe fizike të një individi, ai mund të karakterizohet si degradues dhe mund të hyjë brenda ndalimit të parashikuar nga Neni 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, Vasyukov kundër Rusisë, nr. 2974/05, § 59, 5 prill 2011; Gäfgen, cituar lart, § 89; Svinarenko dhe Slyadnev, cituar lart, § 114; dhe Gjeorgjia kundër Rusisë (I), cituar lart, § 192). Gjithashtu duhet theksuar se mund të mjaftojë poshtërimi i viktimës në vetë sytë e tij/saj, edhe nëse jo në sytë e të tjerëve (shih, mes autoriteteve të tjera, Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 32, Seria A nr. 26; dhe M.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë [GC], nr. 30696/09, § 220, ECHR 2011).
88. Më tej, duke marrë parasysh faktet e çështjes, Gjykata e konsideron të rëndësisë së veçantë të theksojë se, për sa i përket një personi i cili privohet nga liria, ose, më përgjithësisht, përballet me zyrtarët e zbatimit të ligjit, çdo rekurs në forcë fizike i cili nuk është bërë absolutisht i nevojshëm nga vetë sjellja e tij zvogëlon dinjitetin njerëzor dhe, në parim, është shkelje e të drejtës së cekur në Nenin 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, Ribitsch, cituar lart, § 38; Mete dhe të Tjerë, cituar lart, § 106; dhe El-Masri, cituar lart, § 207).
89. Fjala “dinjitet” paraqitet në shumë tekste dhe instrumente ndërkombëtare dhe rajonale (shih paragrafët 45-47 lart). Megjithëse Konventa nuk përmend atë koncept – i cili sidoqoftë shfaqet në Hyrjen e Protokollit Nr. 13 të Konventës, në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat – Gjykata ka theksuar që respekti për dinjitetin njerëzor është pjesë e vetë thelbit të Konventës (shih Svinarenko dhe Slyadnev, cituar lart, § 118), krahas lirisë njerëzore (shih C.R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, § 42, Seria A nr. 335‑C; dhe S.W. kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, § 44, Seria A nr. 335‑B; shih gjithashtu, mes autoriteteve të tjera, Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 65, ECHR 2002‑III).
90. Për më tepër, ekziston një lidhje veçanërisht e fortë mes koncepteve të trajtimit ose dënimit “degradues” brenda kuptimit të Nenit 3 të Konventës dhe respektit për “dinjitetin”. Në vitin 1973 Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut theksoi që në kontekstin e Nenit 3 të Konventës shprehja “trajtim degradues” tregonte që qëllimi i përgjithshëm i asaj dispozite ishte të parandalonte ndërhyrje posaçërisht të rënda tek dinjiteti njerëzor (shih East African Asians kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4403/70, nr. 4404/70, nr. 4405/70, nr. 4406/70, nr. 4407/70, nr. 4408/70, nr. 4409/70, nr. 4410/70, nr. 4411/70, nr. 4412/70, nr. 4413/70, nr. 4414/70, nr. 4415/70, nr. 4416/70, nr. 4417/70, nr. 4418/70, nr. 4419/70, nr. 4422/70, nr. 4423/70, nr. 4434/70, nr. 4443/70, nr. 4476/70, nr. 4477/70, nr. 4478/70, nr. 4486/70, nr. 4501/70, nr. 4526/70, nr. 4527/70, nr. 4528/70, nr. 4529/70 dhe nr. 4530/70, raporti i Komisionit i datës 14 dhjetor 1973, Vendime dhe Raporte 78-A, § 192). Gjykata, nga ana e saj, për herë të parë iu referua shprehimisht këtij koncepti në vendimin Tyrer (cituar lart), në lidhje jo me “trajtimin degradues” por me “dënimin degradues”. Duke gjetur që dënimi në fjalë ishte degradues brenda kuptimit të Nenit 3 të Konventës, Gjykata mori parasysh faktin që “megjithëse kërkuesi nuk kishte pasur efekte të rënda ose afatgjata fizike, dënimi i tij – ku ai u trajtua si objekt nën pushtetin e autoriteteve – përbënte sulm ndaj pikërisht atij që Neni 3 ka për qëllim të mbrojë, pra dinjiteti dhe integriteti fizik i një personi” (§ 33). Shumë vendime të mëpasme kanë theksuar lidhjen e ngushtë mes koncepteve të “trajtimit degradues” dhe respektit për “dinjitet” (shih, për shembull, Kudła kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, § 94, ECHR 2000‑XI; Valašinas kundër Lituanisë, nr. 44558/98, § 102, ECHR 2001‑VIII; Yankov kundër Bullgarisë, nr. 39084/97, § 114, ECHR 2003‑XII (pjesë të shkëputura); dhe Svinarenko dhe Slyadnev, cituar lart, § 138).
(b) Zbatimi në çështjen e tanishme
(i) Konstatimi i fakteve
91. Qeveria nuk kontestoi parimin e lartpërmendur që kur një individ paraqiste shenja goditjesh pas qenies në stacionin e policisë dhe ankohej që ato shenja ishin rezultat i keqtrajtimit, ekzistonte një prezumim – i kundërshtueshëm – që ishte vërtet kështu (shih paragrafët 83-84 lart). Ajo gjithashtu pranoi që ai parim zbatohej edhe në çështjen e tanishme. Megjithatë, ajo parashtroi që certifikatat mjekësore të paraqitura nga kërkuesit nuk konstatonin që lëndimet e përmendura kishin rezultuar nga një shuplakë e as që kjo e fundit ishte shkaktuar nga policët, veçanërisht duke pasur parasysh që policët në fjalë i kishin mohuar gjithmonë këto veprime. Ajo shtoi që asnjë nga provat e mbledhura gjatë hetimeve nuk e kundërshtonte mohimin e tyre.
92. Gjykata vëren se për të përfituar nga prezumimi në fjalë, individët që pretendojnë të jenë viktima të një shkeljeje të Nenit 3 të Konventës duhet të demonstrojnë që ata kanë shfaqur shenja të keqtrajtimit pas qenies nën kontrollin e policisë ose një autoriteti të ngjashëm. Shumë nga çështjet me të cilat është marrë Gjykata kanë treguar se persona të tillë zakonisht paraqesin certifikata mjekësore për atë qëllim, ku përshkruhen lëndimet ose shenjat e goditjeve, të cilave Gjykata iu jep peshë provuese substanciale.
93. Më tej Gjykata shënon që certifikatat mjekësore të paraqitura në çështjen e tanishme – origjinaliteti i të cilave nuk kontestohet – përmendin, në rastin e kërkuesit të parë, “gjendjen e tij në shok”, “eritemë në faqen e majtë (në zhdukje)” dhe “eritemë në kanalin e majtë të jashtëm të dëgjimit” (shih paragrafin 12 lart) dhe, në rastin e kërkuesit të dytë, “mavijosje [në] faqen e majtë” (shih paragrafin 16 lart). Këto janë pasojat e mundshme të shuplakave në fytyrë.
94. Gjykata po ashtu vëren që certifikatat ishin lëshuar të njëjtën ditë të ngjarjeve, pak pasi kërkuesit ishin larguar nga stacioni i policisë së Saint-Josse-ten-Noode, çka e forcon vlerën e tyre provuese. Certifikata në lidhje me kërkuesin e parë u lëshua më 8 dhjetor 2003 në ora 7:20 të darkës, ku kërkuesi i parë kishte qenë në stacionin e policisë nga ora 4:00 pasdite deri në ora 5:30 pasdite (shih paragrafët 12 dhe 14 lart). Certifikata në lidhje me kërkuesin e dytë mban datën 23 shkurt 2004 dhe është hartuar para orës 11:20 të paradites – kur iu paraqit Komisionit P (shih paragrafin 25 lart) – ku kërkuesi i dytë kishte qenë në stacionin e policisë mes orës 9:44 të paradites dhe 10:20 të paradites (shih paragrafët 15 dhe 16 lart).
95. Gjykata shënon që nuk është kontestuar që kërkuesit nuk i kishin këto shenja kur hynë në stacionin e policisë së Saint-Josse-ten-Noode.
96. Në fund, gjatë tërë procedurave vendase policët në fjalë e mohuan në vazhdimësi goditjen me shuplakë të kërkuesve. Megjithatë, duke pasur parasysh që kishte shumë mangësi në hetime (shih paragrafët 124-134 poshtë), është e pamundur të konkludohet që deklaratat e policëve ishin të sakta thjesht nga fakti që hetimet dështuan të ofronin ndonjë provë që tregonte të kundërtën.
97. Për sa i përket hipotezës së përmendur nga Qeveria në seancë për sa i përket faktit që kërkuesit e kishin qëlluar veten me shuplakë në fytyrë për të pasur argumente kundër policisë (shih paragrafin 68 lart), Gjykata shënon që nuk ka prova për ta vërtetuar një gjë të tillë. Më tej, duke pasur parasysh provat e paraqitura nga palët, hipoteza në fjalë nuk duket të jetë përmendur në gjykatat vendase.
98. Duke marrë parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata e vlerëson mjaftueshëm të konstatuar që mavijosjet e përshkruara në certifikatat e paraqitura nga kërkuesit kanë ndodhur gjatë kohës që ata kanë qenë nën kontrollin e policisë në stacionin e Saint-Josse-ten-Noode. Ajo gjithashtu shënon që Qeveria ka dështuar të paraqesë prova që kanë gjasë të hedhin dyshime mbi parashtrimet e kërkuesve lidhur me faktin që mavijosjet kanë rezultuar nga një shuplakë e shkaktuar nga një polic. Prandaj Gjykata e konsideron atë fakt të vërtetuar.
99. Mbetet të përcaktohet nëse kërkuesit janë të justifikuar në pretendimin e tyre që trajtimi për të cilin ankohen ka qenë në shkelje të Nenit 3 të Konventës.
(ii) Klasifikimi i trajtimit të shkaktuar mbi kërkuesit
100. Siç ka vënë në pah Gjykata më herët (shih paragrafin 88 lart), kur një individi i hiqet liria e tij ose e saj ose, më përgjithësisht, kur ai/ajo përballet me zyrtarët e zbatimit të ligjit, çdo rekurs në forcë fizike që nuk është bërë absolutisht i nevojshëm nga sjellja e personit përbën ulje të dinjitetit njerëzor dhe është në parim shkelje e të drejtës së përcaktuar nga Neni 3 i Konventës.
101. Gjykata thekson që fjalët “në parim” nuk mund të merren si të tilla që nënkuptojnë se mund të ketë situata në të cilat një gjetje e tillë e një shkeljeje nuk kërkohet, sepse kufiri i lartpërmendur i rreptësisë (shih paragrafët 86-87 lart) nuk është arritur. Çdo ndërhyrje ndaj dinjitetit njerëzor godet pikërisht thelbin e Konventës (shih paragrafin 89 lart). Për atë arsye çdo sjellje e zyrtarëve të zbatimit të ligjit karshi një individi që zvogëlon dinjitetin njerëzor përbën shkelje të Nenit 3 të Konventës. Kjo zbatohet në mënyrë të veçantë ndaj përdorimit nga ana e tyre të forcës kundër një individi kur kjo nuk bëhet absolutisht e nevojshme nga sjellja e këtij të fundit, cilido qoftë impakti mbi personin në fjalë.
102. Në çështjen e tanishme Qeveria nuk pretendoi që shuplakët për të cilat dy kërkuesit u ankuan kishin korresponduar me rekursin drejt forcës fizike i cili ishte bërë absolutisht i nevojshëm nga sjellja e tyre; ajo thjesht mohoi të ishte qëlluar ndonjë shuplakë. Në fakt, nga dosja e lëndës duket që secila shuplakë ka qenë veprim impulsiv në përgjigje të sjelljes së perceptuar si e parespektueshme, çka natyrisht nuk mjafton për ta përcaktuar një nevojshmëri të tillë. Rrjedhimisht Gjykata gjen që dinjiteti i kërkuesve është dëmtuar dhe që për këtë arsye ka pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës.
103. Sido që të jetë, Gjykata thekson se një shuplakë e qëlluar nga një zyrtar i zbatimit të ligjit drejt një individi i cili ndodhet tërësisht nën kontrollit e tij përbën sulm serioz ndaj dinjitetit të individit.
104. Një shuplakë ka impakt të konsiderueshëm tek personi mbi të cilin ajo bie. Një shuplakë në fytyrë ndikon pjesën e trupit të njeriut e cila shpreh individualitetin e tij, manifeston identitetin e tij shoqëror dhe përbën qendrën e shqisave të tij – të parit, të folurit dhe të dëgjuarit – të cilat përdoren për të komunikuar me të tjerët. Në fakt, Gjykata tashmë ka pasur rast të shënojë rolin që luan fytyra në ndërveprimet shoqërore (shih S.A.S. kundër Francës [GC], në lidhje me ndalimin e veshjes që synon të mbulojë fytyrën në vende publike; nr. 43835/11, §§ 122 dhe 141, ECHR 2014 (pjesë të shkëputura)). Ajo gjithashtu ka marrë parasysh veçantinë e asaj pjese të trupit në kontekstin e Nenit 3 të Konventës, duke thënë që “veçanërisht për shkak të vendndodhjes së saj”, goditja në kokën e individit gjatë arrestimit të tij, e cila kishte shkaktuar ënjtje dhe mavijosje prej 2 cm në ballin e tij, ishte mjaftueshëm e rëndë për të ngritur padi sipas Nenit 3 (shih Samüt Karabulut kundër Turqisë, nr. 16999/04, §§ 41 dhe 58, 27 janar 2009).
105. Gjykata përsërit se mund të mjaftojë që viktima të jetë poshtëruar në sytë e atij/asaj vetë për të pasur trajtim degradues brenda kuptimit të Nenit 3 të Konventës (shih paragrafin 87 lart). Në fakt, ajo nuk dyshon që qoftë edhe një shuplakë pa paramendim e cila nuk ka fare efekt serioz ose afatgjatë tek personi mbi të cilin bie mund të perceptohet si poshtëruese nga ai person.
106. Kjo është posaçërisht e vërtetë kur shuplaka shkaktohet nga zyrtarët e zbatimit të ligjit drejt personave nën kontrollin e tyre, sepse thekson superioritetin dhe inferioritetin që karakterizojnë marrëdhënien mes të parëve dhe të dytëve në këto rrethana. Fakti që viktimat e dinë që një veprim i tillë është i paligjshëm, duke përbërë shkelje të etikës morale dhe profesionale të atyre zyrtarëve dhe – siç theksoi me të drejtë Dhoma në vendimin e saj – duke qenë njëkohësisht i papranueshëm, mund të shkaktojë tek ata një ndjenjë trajtimi arbitrar, padrejtësie dhe pafuqishmërie (për konsideratat në lidhje me këtë lloj ndjenje në kontekst të Nenit 3 të Konventës, shih, për shembull, Petyo Petkov kundër Bullgarisë, nr. 32130/03, §§ 42 dhe 47, 7 janar 2010).
107. Për më tepër, personat në mbajtje të policisë ose që thjesht merren ose thirren në stacion të policisë për kontroll identiteti ose marrje në pyetje – si në rastin e kërkuesve – dhe më gjerësisht të gjithë personat nën kontrollin e policisë ose një autoriteti të ngjashëm, ndodhen në një situatë lëndueshmërie. Rrjedhimisht autoritetet kanë për detyrë t’i mbrojnë ata (shih paragrafët 83-84 lart). Me shkaktimin e poshtërimit të goditjes me shuplakë nga një prej zyrtarëve të tyre ato e shpërfillin këtë detyrim.
108. Fakti që shuplaka mund të jetë dhënë pa menduar nga një polic që e ka humbur durimin nga sjellja e parespektueshme ose provokuese e viktimës nuk është relevant këtu. Prandaj Dhoma e Madhe ka qasje tjetër nga ajo e Dhomës në lidhje me këtë pikë. Siç ka theksuar Gjykata më përpara, edhe në rrethanat më të vështira, Konventa ndalon në mënyrë absolute torturën dhe trajtimin ose dënimin çnjerëzor apo degradues, pavarësisht nga sjellja e personit të përfshirë (shih paragrafin 81 lart). Në një shoqëri demokratike keqtrajtimi nuk është kurrë përgjigjja e duhur ndaj problemeve me të cilat përballen autoritetet. Policia, në mënyrë të veçantë, duhet “të mos shkaktojë, nxisë ose tolerojë asnjë akt torture ose trajtimi apo dënimi çnjerëzor ose degradues në asnjë rrethanë” (Kodi Evropian i Etikës Policore, § 36; shih paragrafin 51 lart). Më tej, Neni 3 i Konventës përcakton detyrimin pozitiv të Shtetit për të trajnuar zyrtarët e tij të zbatimit të ligjit në mënyrë të atillë që të sigurojë nivel të lartë kompetence gjatë sjelljes së tyre profesionale në mënyrë që askush të mos i nënshtrohet torturës ose trajtimit që është në kundërshtim me atë dispozitë (shih Davydov dhe të Tjerë, cituar lart, § 268).
109. Së fundi, Gjykata shënon, si konsideratë dytësore, që kërkuesi i parë është i lindur më 22 gusht 1986 pra ishte 17 vjeç më 8 dhjetor 2003. Prandaj ai ka qenë i mitur në kohën materiale. Keqtrajtimi ka gjasë të ketë impakt më të madh – posaçërisht në aspekt psikologjik – tek një i mitur (shih, për shembull, Rivas, cituar lart, § 42; dhe Darraj kundër Francës, nr. 34588/07, § 44, 4 nëntor 2010) sesa tek një i rritur. Më gjerësisht, Gjykata në shumë raste ka theksuar lëndueshmërinë e të miturve në kontekst të Nenit 3 të Konventës. Kështu ka qenë, për shembull, në Okkalı kundër Turqisë (nr. 52067/99, ECHR 2006‑XII (pjesë të shkëputura)); Yazgül Yılmaz kundër Turqisë (nr. 36369/06, 1 shkurt 2011); dhe Iurcu kundër Republikës së Moldavisë (nr. 33759/10, 9 prill 2013). Nevoja për të marrë parasysh lëndueshmërinë e të miturve është afirmuar gjithashtu në mënyrë të qartë edhe në nivel ndërkombëtar (shih paragrafët 52-53 lart).
110. Gjykata thekson që është jetike për zyrtarët ligjzbatues që janë në kontakt me të mitur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre që të marrin parasysh siç duhet lëndueshmërinë e natyrshme të moshës së tyre të re (Kodi Evropian i Etikës Policore, § 44; shih paragrafin 51 lart). Sjellja e policisë karshi të miturve mund të jetë në papajtueshmëri me kërkesat e Nenit 3 të Konventës thjesht për faktin që ato janë në moshë të mitur, ndërkohë që mund të vlerësohet e pranueshme në rastin e të rriturve. Prandaj, zyrtarët ligjzbatues duhet të tregojnë vigjilencë dhe vetëkontroll më të madh kur merren me të miturit.
111. Përfundimisht, shuplaka e dhënë secilit kërkues nga policët gjatë kohës që ndodheshin nën kontrollin e tyre në stacionin e policisë së Saint-Josse-ten-Noode nuk përputhej me rekursin drejt forcës fizike të bërë absolutisht të nevojshëm nga sjellja e tyre, dhe kështu ulte dinjitetin e tyre.
112. Duke pasur parasysh që kërkuesit iu referuan vetëm lëndimeve të lehta trupore dhe nuk treguan që kishin kaluar vuajtje të rënda fizike ose mendore, trajtimi në fjalë nuk mund të përshkruhet si çnjerëzor ose, a fortiori, si torturë. Prandaj Gjykata gjen që çështja në fjalë kishte të bënte me trajtim degradues.
113. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të titullit substancial të Nenit 3 për sa i përket secilit kërkues.
2. Aspekti procedural i ankesës
(a) Parimet e përgjithshme
114. Gjykata u referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara inter alia në El‑Masri (cituar lart, §§ 182-185) dhe Mocanu dhe të Tjerë (cituar lart, §§ 316-326).
115. Ato parime tregojnë që ndalimi i përgjithshëm i torturës dhe trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose degradues nga agjentët e Shtetit në mënyrë të veçantë do të ishte jo efektiv në praktikë në qoftë se nuk do të ekzistonte procedura për hetimin e keqtrajtimit të pretenduar të personave të mbajtur prej tyre.
116. Kështu, duke pasur parasysh detyrën e përgjithshme të Shtetit sipas Nenit 1 të Konventës për t’i “siguruar secilit brenda juridiksionit [të vet] të drejtat dhe liritë e përkufizuara në Konventë”, dispozitat e Nenit 3 kërkojnë përmes nënkuptimit që duhet të ketë një formë hetimi zyrtar efektiv ku një individ bën një konstatim të besueshëm që ai ka pësuar trajtim që shkel Nenin 3 në duart e, inter alia, policisë ose autoriteteve të tjera të ngjashme.
117. Qëllimi thelbësor i një hetimi të tillë është të sigurojë zbatimin efektiv të ligjeve vendase që ndalojnë torturën dhe trajtimin ose dënimin çnjerëzor ose degradues në çështje ku përfshihen agjentët ose organet e Shtetit, dhe të garantojë llogaridhënien e tyre për keqtrajtimin e ndodhur nën përgjegjësinë e tyre.
118. Në përgjithësi, në mënyrë që hetimet të jenë efektive, institucionet dhe personat përgjegjës për zhvillimin e tyre duhet të jenë të pavarur nga personat në shënjestër të hetimeve. Kjo nënkupton jo vetëm mungesën e çdo lidhjeje hierarkike ose institucionale por njëkohësisht edhe pavarësi praktike.
119. Pavarësisht nga mënyra e përdorur, autoritetet duhet të veprojnë me ritmin e vet. Përveç kësaj, për të qenë efektive hetimet duhet të arrijnë të shpijnë drejt identifikimit dhe ndëshkimit të përgjegjësve. Gjithashtu ato duhet të jenë mjaft të gjera aq sa të lejojnë që autoritetet hetimore të marrin në konsideratë jo vetëm veprimet e agjentëve të Shtetit që kanë përdorur forcë direkte por edhe të gjitha rrethanat e rastit.
120. Megjithëse ky nuk është detyrim i rezultateve që duhet të arrihen por i mjeteve që duhet të përdoren, çdo mangësi gjatë hetimeve e cila dëmton mundësinë për të përcaktuar shkakun e lëndimeve ose identitetin e personave përgjegjës do të rrezikojë mos përmbushjen e standardit të kërkuar të efektivitetit.
121. Në këtë kontekst nënkuptohet që duhet vepruar menjëherë dhe me shpejtësi të arsyeshme. Ndërkohë që mund të ketë vështirësi që pengojë përparimin e hetimeve në një situatë të caktuar, një përgjigje e menjëhershme nga autoritetet në hetimin e akuzave për keqtrajtim përgjithësisht mund të shihet si thelbësore në ruajtjen e besimit publik për faktin që ato i përmbahen rendit dhe ligjit dhe në parandalimin e aparencave të marrëveshjeve të fshehta apo veprimeve të paligjshme.
122. Viktima duhet të ketë mundësi të përfshihet efektivisht në hetime.
123. Së fundi, hetimet duhet të jenë të plota, çka do të thotë që autoritetet gjithmonë duhet të bëjnë përpjekje serioze për të gjetur se çfarë ka ndodhur dhe nuk duhet të mbështeten mbi përfundime të nxituara ose të pabazuara për të përmbyllur hetimet.
(b) Zbatimi në çështjen në fjalë
124. Gjykata konsideron që akuzat e kërkuesve – siç paraqiten në ankesat e depozituara pranë autoriteteve vendase – që ata i janë nënshtruar trajtimit në shkelje të Nenit 3 të Konventës nga policët në stacionin e Saint-Josse-ten-Noode ishin të diskutueshme. Kështu Neni 3 kërkonte që autoritetet të zhvillonin hetime efektive.
125. Qeveria parashtroi që mënyra në të cilën ishin zhvilluar hetimet ishte e kënaqshme duke pasur parasysh kriteret e përcaktuara në praktikën gjyqësore më lart.
126. Gjykata nuk është e të njëjtit mendim me Qeverinë.
127. Ajo vëren që kërkuesit kishin bërë ankesë si palë civile, kishin nisur hetimet dhe dy policë të implikuar nga kërkuesit ishin ngarkuar me akuza të përdorimit të dhunës kundër individëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre dhe, në mënyrë të veçantë, me lëndim ose sulm të qëllimshëm, dhe me përfshirje në veprime arbitrare në shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta. Hetimet u zhvilluan në përputhje me kërkesat statusore, nën autoritetin e një gjyqtari hetues. Prandaj ato ishin nën kontrollin e një autoriteti të pavarur. Më tej, nuk kishte asgjë që sugjeronte se kërkuesit nuk kishin mundësi të përfshiheshin në to.
128. Pavarësisht nga kjo, gjyqtari hetues, i cili duket se nuk ka urdhëruar personalisht asnjë masë specifike hetimore, u kufizua me kërkimin nga departamenti i hetimeve pranë Komisionit P që të shënonte aplikimin e kërkuesve për palë civile, që t’i intervistonte ata për të marrë hollësitë e ankesës së tyre, të hartonte një raport rreth sjelljes së familjes Bouyid, të bënte një listë të çështjeve të ngritura kundër tyre dhe të ankesave të ngritura prej tyre, dhe të shpjegonte se çfarë veprimesh ishin marrë në lidhje me këto. Ai nuk mbajti, as nuk organizoi, ballafaqim mes policëve në fjalë dhe kërkuesve, nuk intervistoi e as nuk urdhëroi intervistimin e mjekëve që kishin hartuar certifikatat mjekësore të paraqitura nga kërkuesit, ose të personit që kishte qenë bashkë me kërkuesin e parë kur polici A.Z. e kishte ndaluar dhe marrë në pyetje në rrugë më 8 dhjetor 2003 (shih paragrafin 11 lart), ose të Inspektorit K., i cili e kishte takuar kërkuesin e dytë në shtëpinë e këtij të fundit më 23 shkurt 2004, pak pasi ky ishte larguar nga stacioni i policisë së Saint-Josse-ten-Noode (shih paragrafin 26 lart). Masa të tilla sidoqoftë do të kishin ndihmuar për konstatimin e fakteve.
129. Prandaj hetimet u kufizuan kryesisht me intervistimin e policëve të përfshirë në incidente nga policë të tjerë të deleguar pranë departamentit hetimor të Komisionit P dhe me përgatitjen nga ato policë të një raporti përmbledhës të të gjitha provave të mbledhura, edhe një herë, nga policët (departamenti i mbikëqyrjes së brendshme i rrethit të policisë që mbulonte lagjen e kërkuesve), i cili përshkruante kryesisht “sjelljen e përgjithshme” të familjes Bouyid.
130. Më tej, nuk u dhanë arsye as për parashtrimet e Prokurorit të Kurorës, as për urdhrin e Divizionit të Akuzimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit ku çështja ndërpritej. Më tej, gjatë mbështetjes së urdhrit për ndërprerjen e çështjes, Divizioni i Aktakuzave i Gjykatës së Apelit të Brukselit u mbështet pothuajse ekskluzivisht mbi raportin e lartpërmendur në lidhje me sjelljen e familjes Bouyid dhe mohimet e policëve të akuzuar, pa vlerësuar besueshmërinë dhe seriozitetin e akuzës së kërkuesve që ata ishin qëlluar me shuplakë nga policët në fjalë. Gjithashtu duhet të shënohet që vendimi i Divizionit të Aktakuzave i datës 9 prill 2008, i cili përmban vetëm një referencë shumë të shkurtër ndaj certifikatës mjekësore të paraqitur nga kërkuesi i dytë, nuk përmend fare certifikatën e paraqitur nga kërkuesi i parë.
131. Këto faktorë tregojnë që autoritetet hetimore kanë dështuar t’i kushtojnë vëmendjen e duhur akuzave të kërkuesve – pavarësisht nga fakti që ato ishin të vërtetuara nga certifikata mjekësore të cilat ata i kishin paraqitur për t’i përfshirë në dosjen e lëndës – ose natyrës së veprimit, që kishte të bënte me goditjen me shuplakë të një individi nga një zyrtar i zbatimit të ligjit kur i pari ishte krejtësisht nën kontrollin e të dytit.
132. në fund, Gjykata shënon kohëzgjatjen e pazakontë e hetimeve, gjë për të cilën Qeveria nuk ofroi shpjegime. Ngjarjen ndodhën më 8 dhjetor 2003 në rastin e kërkuesit të parë, dhe më 23 shkurt 2004 në rastin e kërkuesit të dytë, dhe kërkuesit i depozituan ankesat e tyre pranë Komisionit P më 9 dhjetor 2003 dhe 23 shkurt 2004 respektivisht, para se të bënin kërkesë për palë civile më 17 qershor 2004. Megjithatë, urdhri për ndërprerje nuk u mor deri më 27 nëntor 2007. Për sa u përket vendimeve të Divizionit të Aktakuzave të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Kasacionit të Brukselit, ato u morën më 8 prill 2008 dhe 29 tetor 2008 respektivisht. Prandaj, kaluan pothuaj pesë vjet mes ankesës së kërkuesit të parë dhe vendimit të Gjykatës së Kasacionit që shënonte mbylljen e procedurave, dhe kaloi një periudhë prej mbi katër vjetësh e tetë muajsh në rastin e kërkuesit të dytë.
133. Siç ka theksuar Gjykata më përpara, megjithëse mund të ketë pengesa ose vështirësi të cilat e ndalojnë përparimin gjatë hetimeve në situata të caktuara, një përgjigje e menjëhershme nga autoritetet në hetimin e akuzave për keqtrajtim mund të shihet përgjithësisht si thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut për faktin që autoritetet po i përmbahen ligjit dhe rendit dhe në parandalimin e dukjes së përfshirjes së tyre në marrëveshje të fshehta apo tolerimit prej tyre të veprimeve të paligjshme (shih, mes autoriteteve të tjera, McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28883/95, § 114, ECHR 2001‑III; dhe Mocanu dhe të Tjerë, cituar lart, § 323).
134. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata konsideron që kërkuesit nuk i kanë pasur përfitimet e hetimeve efektive. Rrjedhimisht ajo gjen shkelje të titullit procedural të Nenit 3 të Konventës.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
135. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmshpërblimi
136. Siç kishin vepruar edhe para Dhomës, kërkuesit së bashku pretenduan 5.000 euro (EUR) në lidhje me dëmet jo materiale që rezultuan nga shkelja e titullit substancial të Nenit 3 të Konventës, dhe 48.110 EUR në lidhje me dëmet jo materiale që rezultuan nga shkelja e titullit procedural të të njëjtit Nen. Ata e justifikuan këtë kërkesën e fundit duke argumentuar se irritimi që kishin përjetuar ata si pasojë e mangësive në hetime kishte filluar më 7 mars 2006 me urdhrin për refuzimin e masave hetimore shtesë dhe kishte vazhduar deri më 14 nëntor 2012; ata e konsideruan të përshtatshme që secilit prej tyre t’i caktohej një shumë ditore prej 15 EUR që mbulonte periudhën deri më 29 tetor 2008, kur Gjykata e Kasacionit kishte marrë vendimin e saj (në total 952 ditë), dhe një shumë ditore prej 5 EUR për periudhën pasuese (në total 1.455 EUR).
137. Qeveria, e cila nuk i komentoi këto pretendime para Dhomës së Madhe, kishte shprehur në vërejtjet e saj para Dhomës që ajo do ta linte shumën e lartpërmendur prej 5.000 EUR në diskrecionin e Gjykatës. Ajo gjithashtu ftoi Gjykatën të mos merrte parasysh vlerësimin material nga kërkuesit të dëmeve të shkaktuara nga shkelja e një titulli procedural të Nenit 3, duke diskutuar që ishte i paarsyeshëm dhe jo realist. Ajo kishte shtuar se në qoftë se Gjykata do të merrte në konsideratë që rivendosja e të drejtave të kërkuesve si rezultat i gjetjes së një shkeljeje përbënte ndreqje të pamjaftueshme, shpërblimi sipas atij titulli duhet të reduktohej në një nivel të drejtë.
138. Gjykata e konsideron të pamohueshme që kërkuesit kanë pësuar dëme jo materiale për shkak të shkeljes së titujve substancialë dhe proceduralë të Nenit 3 të Konventës, viktima të së cilës kanë qenë ata vetë. Duke bërë vlerësimin e saj mbi baza të paanshme siç kërkohet nga Neni 41 i Konventës, ajo i cakton secilit prej tyre 5.000 EUR sipas këtij titulli.
B. Kosto dhe shpenzimet
139. Siç kishin vepruar edhe para Dhomës, kërkuesit pretenduan 4.088,71 EUR në lidhje me kostot dhe shpenzimet para gjykatave vendase. Më tej ata kërkuan 25.167,04 EUR në lidhje me kostot dhe shpenzimet e tyre në lidhje me procedurat para Gjykatës, që do të thotë 7.051,42 EUR në lidhje me tarifat e Z. Marchand dhe 18.115,62 EUR në lidhje me tarifat e Z. Chihaoui. Ata shpjeguan që ata ishin pajtuar me honorarët 85 EUR dhe 125 EUR respektivisht për dy avokatët. Më tej, Z. Marchand i kishte faturuar atyre tridhjetepesë orë përgatitje për kërkesën e tyre, afro trembëdhjetë orë përgatitje të kërkesës së tyre për referim në Dhomën e Madhe dhe afro nëntë orë përgatitje për deklarimin e tyre para Dhomës së Madhe, dhe Z. Chihaoui kishte ngarkuar në llogari të tyre pesëdhjetenjë orë përgatitje për vërejtjet e tyre para Dhomës, gjashtëdhjetenëntë orë përgatitje për kërkesën e tyre për referim në Dhomën e Madhe dhe rreth nëntë orë përgatitje për deklarimin e tyre para Dhomës së Madhe. Ata paraqitën dokumente të ndryshme në mbështetje të këtyre pretendimeve.
140. Qeveria, e cila nuk i komentoi këto pretendime para Dhomës së Madhe, kishte deklaruar në vërejtjet e saj para Dhomës që ajo e konsideronte honorarin prej 85 EUR të paarsyeshme. Nga ana tjetër, ajo kishte parashtruar që konsultimi i një avokati tjetër me honorar 125 EUR dukej e panevojshme, dhe rrjedhimisht kishte kërkuar që kjo pjesë e pretendimit të refuzohej ose, të paktën, të zbatohej i njëjti honorar prej 85 EUR.
141. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkuesi i takon rimbursimi i kostos dhe shpenzimeve vetëm për aq sa vërtetohet që këto kanë qenë reale dhe të nevojshme dhe që janë të arsyeshme në aspekt të shumës totale (shih, për shembull, Jeunesse kundër Holandës [GC], nr. 12738/10, § 135, 3 tetor 2014). Në çështjen në fjalë, duke pasur parasysh dokumentet në dispozicion dhe kriteret e lartpërmendura, Gjykata e konsideron të arsyeshme t’u akordojë kërkuesve shumën 10.000 EUR për kosto dhe shpenzime të shkaktuara para gjykatave vendase dhe para Gjykatës.
C. Interesi i munguar
142. Gjykata e konsideron të udhës që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, katërmbëdhjetë vota me tri, që ka pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës nën titullin e tij substancial;
2. Vendos, njëzëri, që ka pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës nën titullin e tij procedural;
3. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy,
(a) që Shteti përgjegjës duhet të paguajë shumat e mëposhtme brenda tre muajsh:
(i) 5.000 EUR (pesë mijë euro) secilit kërkues, plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme, në lidhje me dëme jo materiale;
(ii) 10.000 EUR (dhjetë mijë euro) kërkuesve së bashku, plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme, në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane plus tri pikë përqindjeje;
4. Rrëzon, njëzëri, pjesën e mbetur të pretendimit të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 28 shtator 2015.
Johan CallewaertDean Spielmann
Zëvendës i KancelaritKryetar
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinioni i përbashkët pjesërisht i ndarë i Gjyqtarëve De Gaetano, Lemmens dhe Mahoney i bashkangjitet këtij vendimi.
D.S.
J.C.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I'Europe/Cour européenne des droits de l'homme, 2015.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l'homme sont le français et l'anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l'homme du Conseil de l'Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l'homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l'a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l'affaire soit cité en entier et s'accompagne de l'indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l'homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l'adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy