BROGAN DHE TË TJERË kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesat nr. 11209/84;11234/84;11266/84; 11386/85)
29 nëntor 1988
zbatimi i kritereve procedurale të arrestimit dhe zgjatjes së periudhës së ndalimit në kushtet e një situate të rënduar nga aktet terroriste
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesit, z. Terence Brogan, z. Dermot Coyle, z. William McFadden dhe z. Michael Tracey, janë qytetarë britanikë, me banim në Irlandën e Veriut.
2. Në vjeshtën e vitit 1984 ata u arrestuan në bazë të nenit 12 të Ligjit të vitit 1984 “Për Parandalimin e Terrorizmit” (dispozita të përkohshme) sipas dyshimeve të arsyeshme se ata merreshin me kryerjen, përgatitjen ose nxitjen e akteve terroriste të lidhura me ngjarjet në Irlandën e Veriut. “Terrorizmi” përkufizohet në Ligjin e vitit 1984 si “përdorimi i forcës për qëllime politike”, duke përfshirë “përdorimin e dhunës me qëllim për të frikësuar publikun ose një pjesë të tij”. Në secilën çështje, periudha fillestare e paraburgimit prej dyzetetetë orësh e lejuar nga legjislacioni u zgjat me një vendim të Sekretarit të Shtetit për Irlandën e Veriut. Kërkuesit ishin mbajtur respektivisht për periudha prej pesë ditë e njëmbëdhjetë orë, gjashtë ditë e gjashtëmbëdhjetë orë e gjysmë, katër ditë e gjashtë orë, dhe katër ditë e njëmbëdhjetë orë. Të katërt ishin pyetur për incidente konkrete me karakter terrorist, por asnjëri prej tyre nuk u akuzua apo dërgua përpara një autoriteti gjyqësor deri në momentin e lirimit të tyre.
3.Situata e emergjencës në Irlandën e Veriut në vitet 1970 dhe niveli i pranishëm i akteve terroriste formonin rrethanat e miratimit në vitin 1974 të legjislacionit fillestar që parashikonte kompetencat speciale kundër terrorizmit mbi bazën e të cilave kërkuesit ishin arrestuar dhe paraburgosur. Që nga miratimi i kompetencave speciale, nevoja për vazhdimësinë e tyre ka qenë vëzhguar në mënyrë konstante nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatimi i tyre ka qenë rregullisht i shqyrtuar nga personalitete të pavarura. Autorët e këtyre rishikimeve arritën në përfundimin, midis të tjerash, se duke pasur parasysh problemet përbërëse të parandalimit dhe hetimit të terrorizmit, përdorimi i vazhdueshëm i kompetencave speciale të arrestit dhe paraburgimit ishte i domosdoshëm. Sugjerimi sipas të cilit vendimet që zgjasnin periudhën e paraburgimit duhet të merreshin nga gjykatat u hodh poshtë, sepse informimi rreth këtyre vendimeve ishte tepër i prekshëm dhe nuk mund t’i njoftohej personave të burgosur ose përfaqësuesve të tyre ligjorë.
4. Të katër kërkesat iu paraqitën Komisionit midis tetorit të vitit 1984 dhe shkurtit 1985. Komisioni urdhëroi bashkimin e tyre më 10 korrik 1986 dhe të nesërmen i deklaroi të pranueshme. Në raportin e tij të 14 majit 1987, Komisioni arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të paragrafëve 3 dhe 5 të nenit 5 në çështjet e z. Brogan dhe z. Coyle, por jo në çështjet e z. McFadden dhe z. Tracey; se nuk ka pasur shkelje të paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 5; dhe së fundi se asnjë problem tjetër nuk lindi në bazë të nenit 13. Çështja iu paraqit Gjykatës nga Komisioni më 15 korrik 1987 dhe nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar më 3 gusht 1987.
II. Vendimi i Gjykatës
Hapësira e kompetencës së Gjykatës për të vendosur
5.Kërkuesit donin të shtonin një kërkesë në bazë të nenit 5 § 2 (e drejta e individit për t’u informuar menjëherë për arsyet e arrestimit të tij) të cilën ata e kishin tërhequr gjatë fazës së pranueshmërisë përpara Komisionit. Gjykata vërejti se pas tërheqjes së kërkesës, Komisioni kishte ndërprerë shqyrtimin e pranueshmërisë së saj në lidhje me nenin 5 § 2. Në këto kushte, pa pasur një vendim pranueshmërie në lidhje me këtë aspekt, pretendimi i shkeljes së nenit 5 § 2 nuk mund të merrej në shqyrtim.
A. Vlerësime të përgjithshme
6.Gjykata pasi kishte konstatuar një rritje të akteve terroriste në shoqëritë moderne, njohu nevojën, e cila është edhe pjesë përbërëse e sistemit të Konventës, për një ekuilibër të duhur midis mbrojtjes së institucioneve demokratike në interesin e përbashkët dhe mbrojtjes`të të drejtave të individëve. Në këto procedura nuk u ngrit çështja e shqyrtimit nëse, derogimet nga detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar, që rridhnin nga Konventa, mund të lejoheshin në bazë të nenit 15, për shkak të ekzistencës së një fushate terroriste në Irlandën e Veriut. Megjithatë, ky problem nuk pengoi vlerësimin e duhur të rrethanave të çështjes.
B. Në lidhje me nenin 5 § 1
7.Kërkuesit pretendonin se heqja e lirisë së tyre në bazë të seksionit 12 të Ligjit të vitit 1984 nuk përputhej me nenin 5 § 1 (c), përderisa ata nuk ishin arrestuar mbi dyshimin e kryerjes së një “vepre penale”, dhe se qëllimi i arrestimit të tyre nuk kishte qenë për t’i dërguar ata përpara autoritetit kompetent.
8.Ligji i vitit 1984 në të vërtetë, nuk kërkon që arresti të bazohet mbi dyshimin e kryerjes së një vepre penale të përcaktuar, por mbi dyshimin e pjesëmarrjes në “akte terrorizmi”. Sidoqoftë, sipas këndvështrimit të Gjykatës, përcaktimi ligjor i “terrorizmit” përputhet më së miri me nocionin e “veprës penale” të parashikuar nga Konventa. Për më tepër, çdo kërkues është marrë në pyetje për disa orë gjatë arrestit për dyshimin mbi pjesëmarrjen e tij në vepra penale specifike.
9.Në bazë të argumentit të dytë të kërkuesve, sipas të cilit ata as nuk ishin akuzuar as dërguar përpara një gjykate, ekzistenca e një qëllimi të duhur duhej të merrej si i pavarur nga realizimi i tij. Ndoshta ishte e pamundur të mblidhje prova të mjaftueshme ose, duke pasur parasysh natyrën e veprave penale për të cilat akuzoheshin, t’i sillje përpara gjykatësit pa vënë në rrezik jetën e tjetrit. Asgjë nuk të bën të mendosh se heqja e lirisë së tyre nuk kishte si qëllim plotësimin e hetimeve të policisë për të konfirmuar ose zhdukur dyshimet konkrete që justifikonin ndalimin e tyre.
10.Si rrjedhim, kushtet e një ndalimi dhe heqje lirie të drejtë të parashikuar nga neni 5 § 1 (c) qenë plotësuar në çështjet e kërkuesve. Pra nuk ka pasur shkelje të nenit 5 § 1.
B. Në lidhje me nenin 5 § 3
11.Kërkuesit pretendonin gjithashtu se ishin privuar nga e drejta për t’u dërguar përpara një gjyqtari ose magjistrati tjetër kur ishin nën mbikëqyrjen e policisë. Në përputhje me nenin 5 § 3, në qoftë se personi nuk është liruar, ai ka të drejtë të paraqitet menjëherë përpara gjyqtarit. Sipas Gjykatës, termi “promptly” kuptohet sikur lejon një hapësirë fare të vogël fleksibiliteti, po atë që konfirmon termi në frëngjisht “aussitot” që do të thotë menjëherë. Në qoftë se shpejtësia vlerësohet sipas kushteve të veçanta të çdo çështjeje, rëndësia që i akordohet atyre nuk mund të shkojë deri aty sa të shkelë në thelb të drejtën e garantuar nga neni 5 § 3, pra që ta lirojë shtetin nga detyra e dërgimit të menjëhershëm të personit të ndaluar përpara një autoriteti gjyqësor.
12.Duke iu rikthyer fakteve, Gjykata pranoi se hetimi mbi veprat penale i vendos autoritetet e Irlandës së Veriut përpara disa problemeve të veçanta. Ajo merr gjithashtu parasysh, garancitë e kontrollit të ministrive, mbikëqyrjen konstante për nevojën e legjislacionit nga Parlamenti dhe shqyrtimin e rregullt të zbatimit të tij nga personalitete të pavarura. Konteksti i terrorizmit në Irlandën e Veriut ka për qëllim të zgjasë periudhën e mbikëqyrjes policore përpara se i arrestuari të çohet përpara një gjykate ose një magjistrati tjetër. Për më tepër, vështirësia e kontrollit gjyqësor të vendimit të arrestimit ose paraburgimit të terroristit të dyshuar, mund të kërkojë kujdes të veçantë procedural. Megjithatë, sipas këndvështrimit të Gjykatës, edhe koha më e shkurtër nga të katër periudhat, pra katër ditët dhe gjashtë orët e mbikëqyrjes policore të z. McFadden, i tejkalon kufizimet e lejuara nga termi “menjëherë”. Në qoftë se do t’i konsideronim karakteristikat e çështjes të një rëndësie të veçantë për të justifikuar një mbikëqyrje policore kaq të gjatë pa ballafaquar personin me gjykatësin ose me një magjistrat tjetër, do të arrinim në pasoja në thelb të kundërta me të drejtën për një shqyrtim gjyqësor të menjëhershëm, të garantuar nga neni 5 § 3. Pra ky nen është shkelur.
C. Në lidhje me nenin 5 § 4
13.Neni 5 § 4 i garantonte kërkuesve të drejtën për të bërë një ankim në gjykatë, i cili lejon shqyrtimin e kërkesave mbi aktet procedurale dhe mbi themelin, të nevojshëm për “ligjshmërinë” e heqjes së lirisë së tyre, sipas kuptimit të nenit 5 § 1 (c). Sipas Gjykatës së Strasburgut e drejta për t’u ankuar përpara një gjykate mund t’i lejonte juridiksioneve gjyqësore të Irlandës së Veriut verifikimin në të njëjtën kohë të vëzhgimit të rregullave procedurale të ligjit të vitit 1984, të karakterit të arsyeshëm të dyshimeve që justifikonin ndalimin si dhe legjitimitetin e qëllimit të ndjekur nga ky i fundit, dhe më pas të mbikëqyrjes policore (arrestimit). Megjithatë, kërkuesit kishin vendosur të mos e mbështesnin këtë pretendim. Pra neni 5 § 4 nuk ishte shkelur.
D. Në lidhje me nenin 5 § 5
14.Në kundërshtim me qeverinë Britanike, Gjykata vlerësoi se e drejta e dëmshpërblimit e garantuar nga neni 5 § 5 nuk ka të bëjë vetëm me rastet e një privimi lirie të parregullt ose arbitrar sipas së drejtës së brendshme. Teksti i nenit 5 § 5 flet për arrestim ose burgim “që bien ndesh me dispozitat e këtij neni”. Por shkelja e nenit 5 § 3 e konstatuar nga Gjykata, nuk mundej as nuk mundet, edhe pas këtij vendimi, t’i lërë vend kërkesave për dëmshpërblim të viktimave përpara gjykatave vendase; qeveria nuk e kundërshtonte këtë. Pra edhe neni 5 § 5 është shkelur.
E. Në lidhje me nenin 13
15.Duke qenë se Gjykata arriti në përfundimin se neni 5 § 4 nuk qe shkelur, ajo nuk e vlerësoi të nevojshëm shqyrtimin e çështjes në bazën e nenit 13.
F. Në lidhje me nenin 50 (aktualisht neni 41)
16. Në bazë të nenit 50, kërkuesit nuk pretendonin për një rimbursim të shpenzimeve dhe pagesave, por kërkonin një dëmshpërblim të madh për riparimin e dëmit të pësuar. Meqenëse kjo çështje nuk ishte gati për gjykim, Gjykata e shtyu atë për më vonë.
17.Duke qenë se vendimi i vitit 1988 ishte përfundimtar, Gjykata nuk mund të merrte parasysh kërkesa të tjera mbi rimbursimin e shpenzimeve dhe të pagesave të bëra gjatë procedurës së ndjekur përpara institucioneve të Strasburgut. Ajo nuk përjashtoi faktin se shkelja e nenit 5 § 3 t’i ketë shkaktuar një dëm moral viktimave. Por në vendimin e saj të 30 majit 1989 ajo çmoi se vendimi i vitit 1988 përbën në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.