BUDAYEVA DHE TË TJERËT kundër RUSISË
(kërkesat nr. 15339/02, 21166/02, 20058/02, 11673/02 dhe 15343/02)
20 mars 2008
detyrimet pozitive të shtetit për të mbrojtur të drejtën e jetës dhe të pronës në
raste të fatkeqësive mjedisore
I. Faktet kryesore
1.Gjashtë kërkuesit janë shtetas rusë që kanë lindur ndërmjet viteve 1953 dhe 1961. Ata jetojnë në qytetin e Tyrnauz, i vendosur në rrethin malor të Republikës së Kabardino-Balkariya në Rusi. Rrëshqitje dheu janë regjistruar në zonë çdo vit që nga viti 1937, sidomos në verë.
2.Më 18 korrik të vitit 2000 një rrëshqitje dheu, balte dhe mbetjesh goditi qytetin e Tyrnauz dhe përmbyti një pjesë të zonës së banuar. Sipas kërkuesve nuk kishte asnjë paralajmërim paraprak dhe ata të gjithë mezi arritën të shpëtonin nga rrëshqitjet e dheut. Një nga kërkuesit, Fatima Atmurzayeva, dhe vajza e saj, ndërsa po përpiqeshin të shpëtonin, u përfshinë nga balta dhe mbeturinat duke u plagosur dhe pësuar dëmtime dhe djegie në trup. Pasi nisën rrëshqitjet e dheut, u dha alarmi nëpërmjet altoparlantëve në qytet, por kërkuesit pretenduan se nuk kishte forca shpëtimi apo ekipe të tjera emergjence në vendin e fatkeqësisë. Në mëngjesin e 19 korrikut 2000 niveli i baltës ra dhe, përderisa nuk kishte pengesa, barriera, njoftime ose polici apo ekipe emergjence që t’i ndalonin, disa banorë, ndërmjet tyre edhe kërkuesja Khalimat Budayeva dhe familja e saj, u kthyen në shtëpitë e tyre. Ata nuk ishin në dijeni të ndonjë urdhri për evakuim. Po atë ditë, më vonë, një rrëshqitje e dytë dhe më e fuqishme dheu dhe balte goditi qytetin.
3.Ms Budayeva dhe djali i saj i madh arritën të shpëtonin. Djali i saj më i vogël u shpëtua, por pësoi dëme të rënda cerebrale dhe në kurriz. Bashkëshorti i saj, Vladimir Budayev, që kishin mbetur prapa për të ndihmuar prindërit e kërkueses, u vra kur pallati në të cilën ai dhe familja e tij jetuan, u shemb. Qyteti më pas u godit nga një sërë rrëshqitjesh për një periudhë që zgjati deri më 25 korrik 2000. Tetë persona u deklaruan zyrtarisht të vdekur, por kërkuesit pretendonin se kishin humbur edhe 19 të tjerë. Të gjithë kërkuesit pretenduan se shtëpitë dhe pasuritë e tyre ishin shkatërruar dhe se kushtet e tyre të jetesës dhe të shëndetit ishin përkeqësuar nga kjo fatkeqësi.
4.Sipas Qeverisë, forca e jashtëzakonshme e rrëshqitjeve nuk mund të ishte parashikuar ose ndaluar. Pas valës së parë të baltës më 18 korrik 2000, autoritetet urdhëruan një evakuim emergjent të qytetit Tyrnauz. Policia dhe zyrtarët lokalë lajmëruan në shtëpitë e banorëve dhe automjetet policore të pajisura me altoparlantë silleshin nëpër qytet, duke u bërë thirrje banorëve të evakuohen. Ata banorë që u kthyen në shtëpitë e tyre e bënë këtë duke shkelur urdhrat e evakuimit. Qeveria pretendoi se ishin marrë të gjitha masat e nevojshme për të shpëtuar viktimat, për të strehuar banorët në vende të tjera dhe për tu dhënë atyre ndihma emergjente jetese.
5.Më 3 gusht 2000 Prokuroria e Qarkut Elbrus vendosi të fillojë një hetim penal në lidhje me këto ngjarje dhe mbi vdekjen e z Budayev-së, e cila ishte konsideruar aksidentale.
6.Pas një vendimi në 12 gushtit 2000 të Qeverisë së Republikës së Kabardino-Balkariya, të gjithë kërkuesve iu ofrua strehim falas dhe një mbështetje financiare emergjent prej 13,200 rubla (rreth 530 euro në atë kohë). Kërkuesit bënë një padi civile për kompensim. Pretendimet e tyre u hodhën poshtë me arsyetimin se autoritetet kishin marrë të gjitha masat e arsyeshme për zbutur rrezikun e një rrëshqitje dheu. Kërkuesit nuk u pajtuan me këto përfundime. Ata akuzuan autoritetet për tre mangësi të mëdha në funksionimin e sistemit për mbrojtjen ndaj fatkeqësive natyrore në Tyrnauz: së pari, ata pohuan se autoritetet nuk arritën të ngrenë një infrastrukturë për mbrojtjen nga rrëshqitjet e dheut, sidomos të riparonin një digë që mbante baltën e cila ishte dëmtuar në vitin 1999; së dyti, ata u ankuan për mungesën e një paralajmërimi publik; dhe së fundi ata u ankuan se nuk ishte bërë asnjë hetim për të vlerësuar efektivitetin e sjelljes së autoriteteve para dhe gjatë rrëshqitjeve të dheut. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, kërkuesit ofruan disa artikuj gazetash, deklarata dëshmitarësh dhe letra e dokumente zyrtare, të cilat vërtetonin se asnjë fond nuk ishte parashikuar në buxhetin e qarkut për riparimin e kërkuar pas rrëshqitjeve të dheut më 1999 dhe se autoritetet kishin marrë një numër të paralajmërimesh mbi rrezikun e afërt të një katastrofe nga Instituti Mountain, një agjenci shtetërore përgjegjëse për monitorimin e rreziqeve natyrore në zonat malore. Në paralajmërimet e tij, Instituti kishte rekomanduar që diga e dëmtuar të riparohej dhe që të ngriheshin pika vrojtimi për të lehtësuar evakuimin e popullatës në rast të një rrëshqitje dheu.
7.Duke u bazuar në nenet 2, 8, 13 dhe nenit 1 të Protokollit nr.1, kërkuesit pretendonin se, si rezultat i dështimit të autoriteteve ruse për të zbutur pasojat e rrëshqitjeve të dheut nga 18 deri në 25 korrik të vitit 2000, autoritetet kishin vënë jetën e kërkuesve në rrezik dhe ishin përgjegjës për vdekjen e Z. Budayev dhe për shkatërrimin e shtëpive të tyre. Ata gjithashtu u ankuan sipas nenit 2 se autoritetet nuk arritën të kryejnë një hetim efektiv në lidhje me këtë fatkeqësi.
II. Vendimi i Gjykatës
A.Në lidhje me nenin 2
i. Për sa i përket mirëmbajtjes joadekuate të infrastrukturës së mbrojtjes nga rrëshqitjet e dheut dhe dështimit për të ngritur një sistem paralajmërimi
8.Gjykata vuri në dukje se në vitin 1999 autoritetet kishin marrë një numër të paralajmërimesh të cilat duhet t’i kishin bërë ata të vetëdijshëm për rritjen e rreziqeve të një rrëshqitje dheu në shkallë të gjerë. Në rrethana të tilla, autoritetet duhet të kishin marrë masa praktike thelbësore për të garantuar sigurinë e popullatës lokale, të tilla si paralajmërimi i publikut dhe duke marrë hapa paraprakë për një evakuim emergjence.
Megjithatë, kërkuesit vazhdimisht pretenduan dhe Qeveria konfirmoi se banorët nuk kishin marrë asnjë paralajmërim deri kur rrëshqitja e dheut kishte ndodhur faktikisht në qytet më 18 korrik 2000. Për më tepër, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e Institute Mauntain, pikat e përkohshme të vrojtimit në male nuk ishin ngritur, duke e bërë të vështirë për autoritetet që të vlerësonin kohën, forcën apo kohëzgjatjen e rrëshqitjeve të dheut. Së fundi, qeveria nuk dha asnjë informacion në lidhje me zgjidhje të tjera që kishte parashikuar për të garantuar sigurinë e popullatës lokale, si për shembull një kuadër ligjor dhe administrativ, politika të planifikimit urban apo masa specifike të sigurisë. Parashtresat e saj i referoheshin vetëm digës së mbrojtjes nga rrëshqitjet e dheut dhe kolektorit, i cili, siç ishte provuar ndërkaq, nuk ishte mirëmbajtur në mënyrë adekuate. Prandaj, autoritetet ruse kishin dështuar në detyrën e tyre për të krijuar një kuadër ligjor dhe administrativ me anë të të cilit të siguronin një mbrojtje parandaluese efektive ndaj një kërcënimi të të drejtës për jetën, në shkelje të nenit 2.
ii.Lidhur me reagimin gjyqësor ndaj katastrofës
9.Brenda një jave nga katastrofa prokuroria kishte vendosur të fillonte një hetim penal mbi rrethanat e vdekjes së Vladimir Budayev. Hetimi ishte kufizuar në shkaqet direkte të vdekjes së tij dhe nuk e kishte shqyrtuar çështjet e respektimit të masave të sigurisë apo përgjegjësinë e autoriteteve. Pretendimet e kërkuesve për dëmshpërblim ishin hedhur poshtë nga gjykatat ruse sepse nuk kishin arritur të provonin, sipas tyre, se në çfarë mase neglizhenca e autoriteteve kishte shkaktuar dëme përtej atyre që ishin pashmangshme në një fatkeqësi natyrore.
10. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se çështja e përgjegjësisë së Rusisë për aksidentin në Tyrnauz nuk ishte hetuar apo shqyrtuar asnjëherë si e tillë nga ndonjë autoritet gjyqësor ose administrativ, në shkelje të nenit 2.
B.Në lidhje me nenin 1 të protokollit nr.1
11. Palët ranë dakord se ishte e paqartë se deri në çfarë mase mirëmbajtja e duhur e infrastrukturës së mbrojtjes, ose sistemet e duhura paralajmëruese, mund të kishin zbutur forcën e jashtëzakonshme të rrëshqitjeve të dheut në rastin konkret. Dëmi i shkaktuar nga rrëshqitjet nuk mund t’i atribuohej pa mëdyshje neglizhencës së autoriteteve. Për më tepër, detyrimi i një shteti për të mbrojtur pronën private nuk mund të shihet si sinonim me një detyrim për të kompensuar vlerën e plotë të tregut, të një prone të shkatërruar për shkaqe natyrore.
12. Mbi këtë bazë, Gjykata arriti në përfundimin se kompensimi për qëllime strehimi dhe kompensimi për orenditë shtëpiake për të cilat kërkuesit kishin të drejtë nuk kishte qenë haptazi në disproporcion me shtëpitë që kishin humbur. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka pasur arsye asnjë shkelje të nenit 1 të protokollit nr.1.
C.Në lidhje me nenin 13
13. Gjykata konstatoi se, nuk ka çështje më vete që ngrihen në bazë të nenit 13.
D.Në lidhje me nenin 8
14. Gjykata vlerësoi se, nuk ishte e nevojshme që ankesat e kërkuesve të shqyrtoheshin edhe sipas nenit 8.
E.Në lidhje me nenin 41
15. Gjykata iu akordoi kërkuesve për dëmin jopasuror 30 000 euro për Khalimat Budayeva, 15 000 euro për Fatima Atmurzayeva dhe 10 000 euro për secilin nga kërkuesit e tjerë.
Full & Egal Universal Law Academy