© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shume informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European/Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA BUKTA DHE TË TJERË KUNDËR HUGRARISË
(Ankimi nr. 25691/04)
VENDIM
Ky version u korrigjua më 25 Shtator 2007, sipas Rregullit 81 të Rregullores së Gjykatës
STRASBURG
17 Korrik 2007
PËRFUNDIMTAR
17/10/2007
Në çështjen Bukta dhe të tjerë kundër Hungarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), me trup gjykues të përbërë prej :
Françoise Tulkens, President,
András Baka,
Ireneu Cabral Barreto,
Vladimiro Zagrebelsky,
Antonella Mularoni,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović, gjyqtarë,
dhe Sally Dollé, Kancelare e Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 26 Qershor 2007,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të ankimit (nr. 25691/04) kundër Republikës së Hungarisë drejtuar Gjykatës, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa"), nga tre shtetas hungarez, Znj. Dénesné Bukta, Z. Ferdinand Laczner dhe Z. Jánosné Tölgyesi ("ankuesit"), më 13 prill 2004.
2. Ankuesit u përfaqësuan nga z L. Grespik, avokat, që ushtron profesionin e tij në Budapest. Qeveria Hungareze ("Qeveria") u përfaqësua nga agjenti i saj, z L. Hötzl, nga Ministria e Drejtësisë dhe Zbatimi të Ligjit.
3. Ankuesit pretenduan shkelje të neneve 10 dhe 11 të Konventës për shkak se tubimi i tyre paqësor ishte shpërndarë nga policia.
4. Më 4 shtator 2006 Gjykata vendosi t’ia komunikonte ankimin Qeverisë. Sipas dispozitave të nenit 29 § 3 të Konventës, ajo vendosi të shqyrtojë themelin e ankimit në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e saj.
FAKTET
5. Ankuesit janë shtetas hungarezë të lindur përkatësisht më 1943, 1945 dhe 1951 dhe jetojnë në Budapest. Rrethanat e çështjes
6. Faktet e çështjes, siç paraqiten nga palët, mund të përmblidhen si më poshtë.
7. Më 1 dhjetor 2002 Kryeministri rumun bëri një vizitë zyrtare në Budapest dhe organizoi një pritje me rastin e ditës kombëtare të Rumanisë, në përkujtim të vitit 1918 kur u mblodh Asambleja Kombëtare e Gyulafehérvár, për deklarimin e transferimit të Transilvanisë që deri atëherë i përkiste Hungarisë, Rumanisë.
8. Kryeministri Hungarez vendosi të marrë pjesë në pritjen e organizuar dhe e bëri publik qëllimin e tij një ditë përpara pritjes.
9. Ankuesit ishin të mendimit se Kryeministri hungarez nuk duhet të merrte pjese në pritjen e organizuar për shkak të perceptimit negativ që kishte Asambleja Kombëtare e Gyulafehérvár në historinë e Hungarisë. Për këtë arsye, ata vendosën të organizonin një tubim përballë Hotel Kempinski në Budapest, ku do mbahej pritja. Ata nuk e informuan policinë për qëllimet e tyre.
10. Në pasditen e datës 1 dhjetor 2002, rreth 150 njerëz, përfshirë edhe ankuesit, u mblodhën përballë hotelit. Policia ishte gjithashtu e pranishme. Për shkak të zhurmës së madhe, policia vendosi të shpërndajë demonstruesit, duke i konsideruar rrezik për sigurinë e pritjes. Policia i detyroi demonstruesit të zhvendoseshin në një park pranë hotelit ku, pas një fare kohë, ata u shpërndanë.
11. Më 16 dhjetor 2002, ankuesit kërkuan shqyrtim gjyqësor të veprimeve të policisë dhe i kërkoi Gjykatës Qendrore të Rrethit Pest ti shpallë ato të paligjshme. Ata pretenduan se tubimi kishte qenë krejtësisht paqësor dhe qëllimi i tij i vetëm ishte shprehja e mendimit të tyre. Për më tepër, ankuesit theksuan, se kishte qenë krejt e pamundur të njoftonin policinë për tubimin sipas Ligjin nr. III të vitit 1989, mbi të drejtën e tubimit (Ligji për Tubimet), për shkak se kryeministri kishte njoftuar për vendimin e tij për të marrë pjesë në pritjen vetëm një ditë para organizimit të saj.
12. Më 6 shkurt 2003 Gjykata e Rrethit rrëzoi pretendimet e ankuesve. Lidhur me rrethanat e ngjarjes, ajo vuri në dukje se tubimi ishte shpërndarë pasi ishte dëgjuar një shpërthim i vogël.
13. Gjykata e Rrethit gjithashtu vuri në dukje se afati tre-ditor për njoftimin e policisë për një tubim të planifikuar mund të mos zbatohet për tubime në lidhje me ngjarje që ndodhin në më pak se tre ditë. Sipas mendimit të gjykatës, të metat e mundshme të Ligjit për Tubimet nuk mund të rregullohen nga gjykatat. Prandaj, detyrimi për të njoftuar policinë në lidhje me mbledhje të tilla zbatohet për çdo lloj tubimi, përfshirë edhe ato spontane. Gjykata gjithashtu vuri në dukje se mund të ketë nevojë për rregullime më të specifikuara dhe komplekse për sa i përket ngjarjeve të tilla, por tha se kjo ishte një detyrë e ligjvënësve, dhe jo e gjykatave.
14. Gjykata pohoi gjithashtu se detyrimi për të njoftuar policinë paraprakisht për tubime të organizuara në publik shërben për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e të tjerëve, pra, lëvizjen e lirë të trafikut dhe të drejtën e lirisë së lëvizjes. Ajo vërejti se organizatorët e tubimit as nuk kishin tentuar të njoftonin policinë. Gjykata e Rrethit vazhdoi duke thënë:
"... sipas dispozitave përkatëse të ligjit të brendshëm në fuqi, fakti që një tubim është paqësor nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të shmangur detyrimin për të informuar policinë ... Gjykata nuk shqyrton çështjen nëse tubimi ishte apo jo paqësor, pasi mungesa e njoftimit e bënte të paligjshëm në vetvete dhe, prandaj, pala e paditur e shpërndau tubimin në mënyrë të ligjshme, në pajtim me seksionin 14 (1) të Ligjit për Tubimet. "
15. Ankuesit apeluan. Më 16 tetor 2003 Gjykata Rajonale e Budapestit la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ajo ndryshoi pjesë të arsyetimit të Gjykatës së Rrethit, duke hequr vërejtjet lidhur me të metat e mundshme të ligjit të brendshëm përkatës. Për më tepër, Gjykata Rajonale pohoi, duke iu referuar, inter alia, jurisprudencës së Gjykatës dhe vendimit 55/2001. (XI. 29.) të Gjykatës Kushtetuese se:
"... në zbatimin e ligjit të brendshëm përkatës, qasja është padyshim absolute në faktin se nuk ka përjashtim nga detyrimi i njoftimit dhe, prandaj, nuk ka dallim ndërmjet ‘tubimeve të njoftuara’ dhe atyre ‘spontane’ - këto të fundit janë të paligjshme për shkak të mos respektimit të detyrimit për njoftim. "
16. Në përfundim, Gjykata Rajonale vendosi se kufizimet që iu ishin vënë ankuesve ishin të nevojshme dhe proporcionale.
17. Ankuesit depozituan një kërkesë për rishqyrtim të cilën Gjykata e Lartë e rrëzoi më 24 shkurt 2004, pa shqyrtuar themelin e saj, si të papajtueshme ratione materiae me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile. Legjislacioni i brendshëm përkatës
18. Neni 62 i Kushtetutës garanton të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe siguron ushtrimin e saj të lirë.
19. Seksioni 6 i Ligjit për Tubimet parashikon që policia të njoftohet për një tubim të paktën tre ditë përpara datës së mbajtjes së tij.
20. Seksioni 14 (1) i Ligjit për Tubimet parashikon që policia duhet të shpërndajë (feloszlatja) çdo tubim të organizuar pa njoftim paraprak.
21. Seksioni 14 (3) i Ligjit për Tubimet parashikon se në rast të shpërndarjes së një tubimi, pjesëmarrësit mund të ankohen në gjykatë brenda pesëmbëdhjetë ditëve.
E DREJTA SHKELJE E PRENTEDUAR E NENIT 11 TË KONVENTËS
22. Ankuesit pretendojnë se shpërndarja e tubimit të tyre paqësor me justifikimin e mos njoftimit të organeve policore, përbën shkelje të Nenit 11 të Konventës i cili parashikon lidhje me këtë çështje si më poshtë:
"1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor.....
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike...për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin të krimit..ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve... “
A. Pranueshmëria
23. Gjykata konstaton se ankesa nuk është haptazi e pabazuar në kuptim të Nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo më tej konstaton se nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër dhe e deklaron atë të pranueshme.
B. Themeli
1. Nëse ka ndërhyrje në të drejtën e lirisë së tubimit paqësor
24. Qeveria pranon se ankuesit mund të mbështeten në garancitë që parashikohen nga Neni 11; ajo as nuk mohon faktin se shpërndarja e tubimit ndërhyn në ushtrimin e të drejtave të ankuesve sipas kësaj dispozite. Gjykata nuk sheh arsye për të mbajtur një qëndrim të ndryshëm. Qeveria pretendoi, megjithatë, se ndërhyrja ishte e justifikuar në bazë të paragrafit të dytë të nenit 11.
2. Nëse ndërhyrja ishte e justifikuar.
25. Ajo që duhet përcaktuar është nëse veprimet e ankimuara të policisë, ishin të “parashikuara në ligj”, dhe nxitur nga një ose më shumë prej qëllimeve legjitime të përcaktuara në paragrafin 2, dhe nëse ishin "të nevojshme në një shoqëri demokratike".
(a) “Të parashikuara në ligj”
26. Nuk kishte asnjë mosmarrëveshje ndërmjet palëve për faktin se kufizimi i vendosur ndaj lirisë së ankuesve për tubim paqësor është bazuar në nenin 14 të Ligjit për Tubimet, formulimi i të cilit është i qartë. Prandaj, kërkesa e “parashikueshmërisë në ligj” plotësohet. Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për të mbajtur një qëndrim të ndryshëm prej palëve.
(b) “Qëllim i ligjshëm”
27. Ankuesit nuk u shprehen në lidhje me këtë çështje.
28. Qeveria parashtroi se kufizimet mbi të drejtën e tubimit paqësor në mjediset publike shërbejnë për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, për shembull të drejtën për lirinë e lëvizjes apo të qarkullimit të rregullt të trafikut.
29. Ajo më tej shtoi se liria e tubimit paqësor nuk mund të reduktohet në detyrimin e thjeshtë nga ana e shtetit për të mos ndërhyrë. Në raste të caktuara, duhen marrë masa pozitive të cilat të sigurojnë që tubimi të jetë paqësor. Afati tre-ditor ishte i nevojshëm për t’i dhënë mundësi policisë, ndër të tjera, për t’u koordinuar me autoritetet e tjera, të vendosë forcat policore, për të siguruar brigada zjarrfikëse dhe të mbante në dispozicion automjetet. Ata tërhoqi vëmendjen dhe për rastin kur më shumë se një organizatë njofton autoritetet për organizimin e tubimit në të njëjtin vend dhe kohë, si rrjedhim negociata shtesë mund të jenë të nevojshme.
30. Në dritën e këtyre vlerësimeve, Gjykata konstaton se masat e ankimuara të policisë ndjekin qëllimet legjitime për të parandaluar çrregullimet dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
(c) “Nevoja në një shoqëri demokratike”
31. Ankuesit pretenduan se tubimi i tyre spontan kishte qenë paqësor dhe u shpërbë vetëm sepse policia nuk kishte pasur njoftim paraprak, në pajtim me nenin 14 të Ligjit për Tubimet. Një masë e tillë nuk mund të justifikohet me faktin se një shpërthim i vogël ishte dëgjuar; nëse do të pranohej një logjikë e tillë atëherë kjo do t’i jepte të drejtë policisë që të shpërndante për arsye të tilla çdo tubim, pa asnjë justifikim të mëtejshëm.
32. Qeveria parashtroi se tubimi i ankuesve nuk u shpërnda për shkak të mungesës së njoftimit paraprak, por për shkak të shpërthimit, të cilin policia e klasifikon si rrezik për sigurinë e zyrtarëve shtetërorë që ndodheshin në Hotel Kempinski.
33. Gjykata vëren se paragrafi 2 i Nenit 11, i jep të drejtë Shteteve që të vendosin “kufizime të ligjshme” në ushtrimin e të drejtës për lirinë e tubimeve.
34. Gjykata, duke iu referuar vendimeve të gjykatave të brendshme në lidhje me ligjshmërinë e ngjarjeve, konstaton se baza ligjore për shpërndarjen e tubimit të ankuesve lidhet vetëm me mungesën e njoftimit paraprak. Gjykatat e bazuan vendimin e tyre për të deklaruar se masat e marra nga policia ishin të ligjshme vetëm mbi atë argument dhe nuk morën në konsideratë aspektet e tjera të çështjes, në veçanti, natyrën paqësore të ngjarjes.
35. Gjykata rithekson se procedura e autorizimit paraprak për tubimet publike nuk cenon normalisht thelbin e së drejtës për tubim paqësor (shih Rassemblement Jurassien dhe Unité Jurassienne kundër Zvicrës, nr. 8191/78, vendim i Komisionit i 10 tetor 1979, Vendimet Raportet 17). Megjithatë, në rrethanat e çështjes në fjalë, njoftimi shume i vonë i publikut për pjesëmarrjen e Kryeministrit në pritjen e organizuar, i vendos ankuesit përpara alternativës të heqjes dorë tërësisht nga e drejta e tyre për tubim paqësor, ose ta ushtronin atë në kundërshtim me kërkesat administrative.
36. Sipas mendimit të Gjykatës, në rrethana të veçanta, kur një përgjigje e menjëhershme, në formën e një tubimi për një ngjarje politike, mund të justifikohet, një vendim për shpërndarjen e tubimit paqësore vetëm për shkak të mungesës së njoftimit të nevojshëm paraprak dhe pa asnjë sjellje të paligjshme nga pjesëmarrësit, përbën një kufizim joproporcional ndaj lirisë së tubimit paqësor.
37. Në lidhje me sa më sipër, Gjykata vëren se nuk ka prova që tregojnë se ankuesit përbënin ndonjë rrezik për rendin publik përveç shqetësimeve të vogla të cilat janë të pashmangshme në mbledhje të tilla në vende publike. Gjykata rithekson se, "kur demonstruesit nuk marrin pjesë në akte dhune, është e rëndësishme që autoritetet publike të tregojnë njëfarë tolerance ndaj tubimeve paqësore, me qëllim që liria e tubimit e garantuar në nenin 11 të Konventës të mos nga gjithë kuptimi që ka" (shih Oya Ataman kundër Turqisë, nr. 74552/01, §§ 41 42, ECHR 2006 -XIV).
38. Duke pasur parasysh vlerësimet e mësipërme, Gjykata konstaton se shpërndarja e tubimit paqësor të ankuesve nuk mund të konsiderohet si e domosdoshme në një shoqëri demokratike në mënyrë që të arrijë qëllimet që ndjek.
39. Për pasojë, ka pasur shkelje të nenit 11 të Konventës.
SHKELJE E PRENTEDUAR E NENIT 10 të KONVENTES
40. Ankuesit bazohen në Nenin 10 të Konventës i cili parashikon:
“ 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë se shprehjes. Kjo e drejte përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marre ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marre parasysh kufijtë...
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike..., për mbrojtjen e rendit dhe parandalimit të krimit...(ose) për mbrojtjen...e të drejtave të të tjerëve...”
41. Gjykata çmon se, në dritën e konstatimeve të saj mbi shkeljen e nenit 11 të Konventës, në rrethanat e çështjes në fjalë (shih paragrafin 39 më sipër), është e panevojshme për të shqyrtuar më vete kërkesën e ankuesve në bazë të nenit 10 (shih Ezelin kundër Francës, 26 prill 1991, § 35, Seria A nr. 202).
ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
42. Neni 41 i Konventës parashikon :
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.” Dëmi
43. Ankuesit pretenduan secili 10 000 euro (EUR) për dëmin jomaterial.
44. Qeveria i kundërshtoi pretendimet e ankuesve si të tepruara.
45. Gjykata vlerëson se konstatimi i shkeljes përbën shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo material që ankuesit mund të kenë pësuar.
Kosto dhe Shpenzime
46. Ankuesit gjithashtu pretenduan në total shumën prej 2,000 EUR për kostot dhe shpenzimet e kryera para Gjykatës.
47. Qeveria kundërshtoi pretendimet e ankuesve si të tepruara
48. Bazuar në jurisprudencën e Gjykatës, një ankues ka të drejtë të rimbursohet për kostot dhe shpenzimet vetëm nëse tregohet se janë paguar realisht, kanë qenë të nevojshme të paguheshin dhe kanë qenë të arsyeshme në masë. Në çështjen në fjalë, duke marrë parasysh informacionin e ofruar dhe kriteret e mësipërme, Gjykata çmon të arsyeshme të japë për ankuesit bashkërisht shumën e pretenduar prej 2.000 EUR,.
Interesi i munguar
49. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tre për qind.
PER KETO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT :
E deklaron ankesën të pranueshme;
Vendos se ka pasur shkelje të Nenit 11 të Konventës; Vendos se nuk ka nevoje të shqyrtohen më vete pretendimet e bazuara në Nenin 10 të Konventës; Vendos se konstatimi i shkeljes përbën shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jomaterial që ankuesit mund të kenë pësuar. Vendos:
(a) Shteti i paditur, duhet t’u paguaje ankuesve së bashku, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi bëhet përfundimtar, në pajtim me Nenin 44 § 2 të Konventës, shumën prej 2000 euro (dy mije euro) për kostot dhe shpenzimet, të cilat duhen konvertuar në monedhën vendase të Shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e pagesës, duke përfshirë edhe ndonjë taksë që mund të jetë e zbatueshme;
(b) Që nga mbarimi i afatit tre mujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të huadhënies nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre për qind.
Hedh poshtë pjesën e mbetur të pretendimeve të ankuesve për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 17 Korrik 2007, sipas Nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Sally DolléFrançoise Tulkens
Kancelare Presidente
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo komerciale me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime komerciale, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy