SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA CANI kundër SHQIPËRISË
(Ankimi nr. 11006/06)
VENDIM
STRASBURG
6 mars 2012
Ky vendim do të marrë formë të prerë në rrethanat e përcaktuara në Nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen Cani kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), duke gjykuar si Dhomë e përbërë nga:
Lech Garlicki, President,
David Thór Bjőrgvinsson,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku
Nebojŝa Vućinic, gjykatës,
dhe Fatoş Araci, Zëvendës Regjistrues,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 8 nëntor 2011 dhe 14 janar 2012,
Shpall vendimin e mëposhtëm të miratuar në datën e përmendur së fundi:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në ankimin (nr. 11006/06) kundër Republikës së Shqipërisë të depozituar pranë Gjykatës sipas Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga shtetasi shqiptar, Z. Besnik Cani (“ankuesi”), më 11 mars 2006.
2. Ankuesi u përfaqësua nga Z. V. Cano, avokat që ushtron aktivitetin e tij në Tiranë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentja e atëhershme e saj, Znj. S. Meneri dhe më pas nga Znj. E. Hajro.
3. Ankuesi pretendoi se procedimet e brendshme që përcaktonin dënimin e tij ishin të padrejta.
4. Më 1 shkurt 2008 Presidenti i Seksionit të Katërt të cilit iu caktua çështja, vendosi të njoftonte Qeverinë e paditur në lidhje me kërkesën. U vendos gjithashtu të merrej vendim mbi pranueshmërinë dhe themelin e kërkesës në të njëjtën kohë (Neni 29 § 1).
5. Ankuesi dhe Qeveria paraqitën individualisht vërejtjet me shkrim mbi pranushmërinë dhe themelin e kërkesës (Neni 59 § 1).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Ankuesi ka lindur në vitin 1969 dhe aktualisht po vuan dënimin me burgim në Lushnjë, Shqipëri.
Procedimet gjyqësore kundër ankuesit
7. Pas disa ridërgimesh të çështjes kundër ankuesit dhe dy bashkë të pandehurve të tjerë, më 4 mars 2004 Gjykata e Rrethit Berat (“Gjykata e Rrethit”) dënoi ankuesin për disa akuza penale të kryera në bashkëpunim me të bashkë të pandehurit. Gjykata e Rrethit konstatoi se ankuesi kishte vepruar në rrethana rënduese për faktin se kishte qenë autori i një prej veprave penale që kishin çuar në vdekjen e një personi ndërsa bashkë të pandehurit kishin ndihmuar për kryerjen e asaj vepre. Në lidhje me veprat e tjera penale, Gjykata e Rrethit e shpalli secilin bashkë të pandehur fajtor sipas akuzave. Gjykata e Rrethit e dënoi ankuesin me burgim të përjetshëm në bazë të një bashkimi dënimesh. Meqë Gjykata e Rrethit kishte aplikuar gjykimin e shkurtuar sipas Kodit të Procedurës Penale (KPP), dënimi i ankuesit u ul në njëzet e pesë vjet burgim.
8. Gjatë procedimeve të Gjykatës së Rrethit, ankuesi u përfaqësua kryesisht nga avokatë të caktuar nga gjykata. Në fazën përfundimtare të këtyre procedimeve, ankuesi caktoi avokat mbrojtës sipas zgjedhjes së vet, në bazë të një prokure të nënshkruar më 18 shkurt 2004, e cila, për aq sa ka lidhje, përmban tekstin e mëposhtëm:
“...
Me anë të kësaj prokure autorizoj S.S si avokat mbrojtës dhe përfaqësues të posaçëm për të më mbrojtur dhe përfaqësuar para Gjykatës së Rrethit, Berat, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë në gjykimin e çështjes penale në lidhje me akuzat e parashikuara në Nenet...të Kodit Penal. Kjo çështje është gjykuar më parë dhe nga një Gjykatë Apeli vendimi është ridërguar për rishqyrtim.
Në pajtim me Nenin 352 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj që çështja të gjykohet në mungesën time.
Unë pranoj akuzat e ngritura kundër meje dhe autorizoj avokatin mbrojtës të kërkojë aplikimin e gjykimit të shkurtuar sipas Nenit 403 të Kodit të Procedurës Penale.
Avokati mbrojtës ka të drejtë të paraqesë apele ndaj vendimeve të gjykatës që janë kundër interesave të mia.
....”
9. Më 12 mars 2004 ankuesi paraqiti një apel në Gjykatën e Apelit, Vlorë (“Gjykata e Apelit”). Megjithëse pranoi se kishte kryer veprat penale, ai kundërshtoi dënimin e dhënë. Ai argumentoi se gjykata nuk kishte marrë në konsideratë disa prej rrethanave lehtësuese në favor të tij, si për shembull pendimi që kishte treguar pas kryerjes së krimit dhe dorëzimin pranë autoriteteve, situatën e vështirë financiare të familjes së tij dhe faktin se ai kishte një fëmijë të mitur, mospasjen e precedentëve penalë dhe nivelin e tij të ulët arsimor.
10. Më 4 maj 2004 u zhvillua një seancë e cila u shty për në datën 26 maj 2004, me qëllim thirrjen e ankuesit për t’u paraqitur në gjykatë. Në po atë datë Gjykata e Apelit i dërgoi një shkresë Komisariatit të Policisë dhe autoriteteve vendore të burgjeve, duke u kërkuar atyre ta shoqëronin ankuesin në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar më 26 maj 2004.
11. Ankuesi nuk mori pjesë në seancën e datës 26 maj 2004. Gjykata urdhëroi një shtyrje afati deri më 4 qershor 2004. Përfaqësuesi i ankuesit ishte i pranishëm në gjykim. Pjesët përkatëse të procesverbalit të procesit gjyqësor parashikojnë si më poshtë:
“I pandehuri Besnik Cani u thirr dhe nuk u paraqit. Nga aktet rezulton se ka dijeni dhe do të marrë pjesë në gjykim”.
12. Më 27 maj 2004 Gjykata e Apelit i dërgoi një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve vendore të burgjeve, duke kërkuar që ankuesi të shoqërohej në gjykim më 4 qershor 2004, siç kishte shprehur dëshirën për të marrë pjesë.
13. Ankuesi nuk u paraqit në seancën e 4 qershorit 2004. Gjykata urdhëroi një shtyrje afati deri më 18 qershor 2004. Pjesët përkatëse të procesverbalit të procesit gjyqësor parashikojnë si më poshtë:
“Nga aktet rezulton se ka dijeni Komisariati për ta sjellë dhe nuk e solli. Avokati i tij u thirr dhe ishte i pranishëm”
14. Më 7 qershor 2004 Gjykata e Apelit i dërgoi një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve vendore të burgjeve, duke kërkuar që ankuesi të shoqërohej në gjykim më 18 qershor 2004, siç kishte shprehur dëshirën për të qenë i pranishëm në gjykim. Një shënim me shkrim dore në fund të shkresës kishte tekstin e mëposhtëm:
“[ata] refuzuan të nënshkruanin, duke thënë se nuk janë përgjegjës ndaj Gjykatës së Apelit. Ne nuk shoqërojmë të burgosurit. Gjykata nuk ka asnjë punë me ne. Dërgojani shkresën Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Tiranë.”
15. Ankuesi nuk ishte i pranishëm në seancën e 18 qershorit 2004 por avokati i tij nuk mori pjesë. Pjesët përkatëse të procesverbalit të procesit gjyqësor parashikojnë si më poshtë:
“avokati [S.S] tha “Unë përfaqësova të pandehurin [Besnik Cani] me anë të një prokure gjatë [proceseve gjyqësore] në [gjykatën] e shkallës së parë. Kështu, më lejoni të procedoj me seancën.”
16. Gjykata e Apelit vendosi të procedonte me seancën në mungesë të ankuesit ndërsa ai përfaqësohej nga avokati i tij.
17. Më 23 qershor 2004 Gjykata e Apelit Vlorë e dënoi ankuesin njëzet e pesë vjet burgim në bazë të një bashkimi dënimesh, ulur me një të tretën si rezultat i aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Pjesët përkatëse të vendimit parashikojnë si më poshtë:
“...Gjykata [e Apelit] çmon se Gjykata e Rrethit i cilësoi si duhet veprat penale por dënimi [me burgim] duhet të ndryshohet, duke marrë parasysh ndryshimet e dukshme në dënimet e vendosura për çdo të pandehur. Të gjithë bashkë të pandehurit janë pothuajse në të njëjtën pozitë për sa i përket bashkëpunimit dhe rolit të tyre përkatës në kryerjen e veprave penale. Pavarësisht nga fakti se i pandehuri ishte autor i një prej veprave penale, nuk duhet të ketë një ndryshim kaq të madh në dënimet e vendosura. Duke marrë në konsideratë Nenin 141 të Kodit Penal që synon përjashtimin e aplikimit të burgimit të përjetshëm të ankuesit, duke marrë parasysh pendimin e treguar nga i pandehuri gjatë proceseve gjyqësore, dorëzimin e tij pranë autoriteteve pas kryerjes së krimit dhe rolin e tij si autor në kryerjen e veprës penale, gjykata çmon se ai duhet të dënohet me njëzet e pesë vjet burgim në bazë të një bashkimi dënimesh. Në këto rrethana, duke marrë në konsideratë apelin e paraqitur nga ankuesi, vendimi i Gjykatës së Rrethit duhet të ndryshohet për sa i përket dënimit të vendosur ndaj të pandehurit.”
Dispozitat përkatëse të pjesës vepruese të vendimit parashikojnë si më poshtë:
“...
Sipas Nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri Besnik Cani është dënuar me 25 vjet burgim në bazë të një bashkimi dënimesh.
Sipas Nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale është ulur një e treta e dënimit të vendosur ndaj shtetasit Besnik Cani.”
18. Në një datë të papërcaktuar prokurori paraqiti një apel pranë Gjykatës së Lartë me arsyetimin e një zbatimi të gabuar të të drejtës penale. Ai deklaroi, ndër të tjera, se dënimi i vendosur nga Gjykata e Apelit që nuk kishte urdhëruar burgimin e përjetshëm për ankuesin si autor i krimit që kishte çuar në vdekjen e një personi, nuk i korrespondonin rrezikut të lartë ndaj shoqërisë të paraqitur nga ankuesi dhe pasojave të rënda kriminale të asaj vepre.
19. Rezultoi se ankuesi nuk kishte bërë parashtrime me shkrim pranë Gjykatës së Lartë, në përgjigje të apelit të prokurorit. Më 15 qershor 2005, vëllai i ankuesit caktoi A.K të përfaqësonte ankuesin para Gjykatës së Lartë.
20. Në seancën e 15 qershorit 2005 para Gjykatës së Lartë, ankuesi u përfaqësua nga A.K, i cili i kërkoi gjykatës të rrëzonte apelin e prokurorit. Më 15 qershor 2005 Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit. Procesverbali i seancës përcakton se ankuesi u përfaqësua nga avokati i tij. Pjesët përkatëse të vendimit të Gjykatës së Lartë parashikojnë si më poshtë:
“Pas shqyrtimit të dokumenteve në dosjen hetimore dhe dosjen gjyqësore, pas shqyrtimit të arsyetimit të apelit të paraqitur nga prokurori, Gjykata e Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit që ndryshoi vendimin e Gjykatës së Rrethit duke ndryshuar dënimin e të pandehurit [ankuesit] u mor mbi bazën e një zbatimi të gabuar të të drejtës penale, veçanërisht Nenit 37 etj të Kodit Penal, që përcaktojnë mënyrën e vendosjes së një dënimi.
Gjykata e Lartë nxjerr këtë përfundim pasi Gjykata e Apelit nuk e shqyrtoi si duhet rëndësinë e veprave penale të kryera nga i pandehuri, rrezikun serioz ndaj shoqërisë të paraqitur nga i pandehuri duke vazhduar kryerjen e veprave penale, shkallën e lartë të fajësisë, pasojat e rënda kriminale, dhe kryerjen e veprës penale më shumë se një herë, duke përdorur armë dhe duke vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë.
Ulja e dënimit nga Gjykata e Apelit për shkak se i pandehuri kishte ndihmuar drejtësinë duke treguar pendim për veprat penale që kishte kryer dhe duke kërkuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar, nuk është e bazuar në ligj. Pranimi i akuzave nga i pandehuri dhe kërkesa e tij për aplikimin e gjykimit të shkurtuar ndihmojnë në përshpejtimin e dhënies së drejtësisë. Ligji e merr këtë në konsideratë duke ulur dënimin në masën e një të tretës, në pajtim me Nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale. Një ulje e mëtejshme e dënimit të të pandehurit mbi uljen e lejuar në bazë të zbatimit të Nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, ka çuar në ulje të dyfishtë të dënimit për të njëjtat rrethana.”
21. Ankuesi paraqiti një ankim kushtetues pranë Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkeljet e të drejtës së tij për të marrë pjesë në seancat e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
22. Më 10 shkurt 2006 Gjykata Kushtetuese shpalli ankimin të papranueshëm, duke konstatuar se pretendimet e paraqitura prej ankuesit nuk përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kushtetuta
23. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës shqiptare parashikojnë si më poshtë.
Neni 31
“Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:
a) të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet, për të drejtat e tij, si dhe t’i krijohet mundësia për të njoftuar familjen ose të afërmit e tij;
b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
c) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;
ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;
d) t’u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet”.
Neni 42 § 2
“Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Neni 131
“Gjykata Kushtetuese vendos për:...(f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.”
B. Kodi i Procedurës Penale (“KPP”)
24. Neni 48 § 3 parashikon se “zgjedhja e mbrojtësit për personin e ndaluar, të arrestuar ose të dënuar me burgim, derisa ky person nuk e ka bërë vetë zgjedhjen, mund të bëhet nga një i afërm i tij, në format e parashikuara nga paragrafi 2 më lart”.
25. Neni 350 parashikon se “kur i pandehuri, qoftë edhe i paraburgosur, ose personi ndaj të cilit ka bërë kërkesë për gjykim i dëmtuari akuzues, nuk paraqitet në seancë dhe del se mungesa është shkaktuar nga forca madhore ose ndonjë pengesë tjetër që e përjashton nga përgjegjësia, gjykata, edhe kryesisht, shtyn ose pezullon shqyrtimin gjyqësor, cakton datën e seancës së re dhe urdhëron që të përsëritet thirrja.”
26. Neni 352 deklaron se i pandehuri duhet të përfaqësohet nga mbrojtësi kur ai kërkon ose jep pëlqimin e tij për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në mungesën e tij.
Procedimet e apelit
27. Neni 422 parashikon se çdo palë mund të apelojë kundër një vendimi të gjykatës së shkallës së parë, që është vendimi i Gjykatës së Rrethit.
28. Neni 425 §1 përcakton objektin e shqyrtimit të një apeli nga Gjykata e Apelit. Ai parashikon se shqyrtimi i një çështjeje nga Gjykata e Apelit nuk kufizohet në arsyetimin e apelit por shtrihet në të gjithë çështjen, dmth në shqyrtimin si të fakteve edhe të ligjit. Neni 425§3 dënon me ligj reformatio in peius, duke deklaruar se “në një apel të paraqitur vetëm nga i pandehuri, gjykata nuk mund të vendosë një sanksion më të rëndë penal, urdhër ose masë më të rëndë kufizuese ose të cilësojë pafajësinë në nivel më pak të favorshëm sesa arsyet e bazuara në vendimin e kundërshtuar.”
29. Gjykata e Apelit mund të kryejë një rivlerësim të plotë të provave të marra dhe të shqyrtuara nga gjykata e shkallës së parë, dhe në këtë rast vendos rishtas për fajësinë ose pafajësinë e ankuesit. Sipas Nenit 427, Gjykata e Apelit mund të përsërisë shqyrtimin gjyqësor. Në rast se një prej palëve kërkon rishqyrtimin e provave të administruara gjatë procedimeve në gjykatën e shkallës së parë ose kërkon mbledhjen e provave të reja shtesë, Gjykata e Apelit, kur e çmon të nevojshme, mund të vendosë rifillimin e procedimit gjyqësor, pjesërisht ose plotësisht (Neni 427 § 1). Në masën që provat janë zbuluar pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ose në masën që provat janë zbuluar gjatë procedimeve të apelit, Gjykata e Apelit vendos rast pas rasti rreth pranimit të saj (Neni 427§2). Rifillimi i një çështjeje mund të vendoset edhe kryesisht, kur çmohet e nevojshme (Neni 427§3). Gjithashtu, Gjykata e Apelit mund të rishqyrtojë provat, me kusht që i pandehuri të mos marrë pjesë në procedimet gjyqësore të shkallës së parë, ose për shkak se ai nuk ishte njoftuar, ose se nuk kishte patur mundësi për të marrë pjesë në atë proces për arsye të përligjura (Neni 427§4).
30. Neni 428 përcakton se cilat vendime mund të merren nga Gjykata e Apelit. Ai parashikon se Gjykata e Apelit mund të vendosë të rrëzojë apelin dhe të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për të ndryshuar vendimin e gjykatës shkallës së parë, për të rrëzuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe për t’i dhënë fund procedimeve gjyqësore, ose për të rrëzuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe për të ridërguar çështjen për rigjykim.
Procesi në Gjykatën e Lartë
31. Vendimet e Gjykatës së Apelit mund të apelohen në Gjykatën e Lartë në pajtim me një prej kërkesave të mëposhtme të Nenit 432: a) ligji penal nuk është respektuar ose është zbatuar në mënyrë të gabuar; b) ka patur shkelje që kanë çuar në shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të gjykatës, në pajtim me Nenin 128 të këtij Kodi; c) ka patur shkelje të rregullave procedurale që kanë ndikuar në marrjen e vendimit.
32. Neni 434 parashikon se Gjykata e Lartë shqyrton apelin në masën që çështjet ligjore janë ngritur në të. Ajo ka të drejtën për të shqyrtuar dhe vendosur, me mocionin e vet, dhe në çdo fazë ose shkallë të procedimit, çështjet ligjore që nuk janë shqyrtuar më parë. Seksioni 437 parashikon se i pandehuri dhe palët private duhet të përfaqësohen nga një avokat mbrojtës. Në lidhje me procedurën, paragrafi 5 i seksionit të mësipërm përcakton se relatori paraqet çështjen ndjekur nga parashtrimet verbale të prokurorit dhe dokumentet e mbrojtjes të avokatit mbrojtës. Nuk lejohen kundërpadi.
33. Sipas Nenit 441, Gjykata e Lartë mund të vendosë: a) të lërë në fuqi vendimin e gjykatës më të ulët; b) të ndryshojë cilësimin e veprës penale për sa i përket llojit, dënimit dhe pasojave civile; c) të prishë vendimin [e gjykatës më të ulët] dhe të marrë një vendim pa ridërguar çështjen për rigjykim në gjykatën më të ulët; d) të prishë vendimin [e gjykatës më të ulët] dhe të ridërgojë çështjen për rigjykim; e) të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit.
Gjykimi i shkurtuar
34. Gjykimi i shkurtuar rregullohet nga Nenet 403-406 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”). I pandehuri ose përfaqësuesi i tij duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, që bazohet në supozimin se çështja mund të vendoset mbi bazën e dosjes aktuale të çështjes, pa e paraqitur atë për shqyrtim gjyqësor. Nëse gjykata miraton kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, kur jep vendimin e saj në themel, ajo e ul dënimin në masën e një të tretës. Burgimi i përjetshëm ulet në njëzet e pesë vjet burgim. Si prokurori, ashtu edhe i pandehuri mund të apelojnë kundër vendimit të gjykatës.
35. Për sa i përket gjykimit të shkurtuar, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë Nr. 2 i datës 29 janar 2003 përcaktonte si më poshtë:
“...Gjykimi i shkurtuar është i rëndësishëm për hir të efektivitetit gjyqësor sepse ai thjeshton dhe shkurton procedurën, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e një shqyrtimi gjyqësor dhe për rrjedhojë, sjell përfitim për të pandehurin duke ulur dënimin e tij me një të tretën dhe duke mos vendosur një dënim me burgim të përjetshëm.
Është e rëndësishme të theksohet se ky përfitim nuk duhet të jetë në dëm të drejtësisë. Për këtë qëllim, gjykata pranon kërkesën e të pandehurit vetëm kur ajo bindet se mund ta zgjidhte çështjen mbi bazën e dosjes aktuale të çështjes, pa e paraqitur atë për shqyrtim gjyqësor...Thelbi i gjykimit të shkurtuar është pranimi i dokumenteve të grumbulluara gjatë hetimit penal dhe shmangia e shqyrtimit të provave të tjera në një gjykim dhe argumentet në lidhje me të.
...
Mbledhja e provave dhe kërkesave të tjera në lidhje me pavlefshmërinë e tyre nuk janë pjesë e gjykimit të shkurtuar.
Ligji parashikon që çështja do të zgjidhet mbi bazën e dosjes aktuale të çështjes që nënkupton një pranim të ndërsjellë të akteve dhe dokumenteve nga palët. Është detyrimi i gjykatës të vlerësojë nëse një vendim mund të merrej mbi bazën e dosjes aktuale të çështjes, pa dëmtuar drejtësinë dhe pa ndërhyrë në interesat e ligjshme të të pandehurit. Gjykimi vazhdon me parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare të palëve, që i referohet dosjes aktuale të çështjes...dhe mbi këtë bazë gjykata merr një vendim.
Nëse palët ankohen se aktet ose dokumentet janë të pavlefshme, gjykata duhet të shfuqizojë vendimin e saj për aplikimin e një gjykimi të shkurtuar dhe urdhëron vazhdimin e një shqyrtimi normal gjyqësor.”
Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë në lidhje me aplikimin e gjykimit të shkurtuar
36. Në tre vendime (nr. 764 i 9 shtatorit 2005, nr. 720 i 20 tetorit 2005 dhe nr. 224 i 19 prillit 2006), Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit që ulte më tej dënimet e të pandehurve, pavarësisht se ata kishin përfituar ulje me anë të aplikimit të gjykimit të shkurtuar nga Gjykatat e Rretheve. Në uljen e mëtejshme të dënimeve, Gjykata e Apelit kishte marrë në konsideratë pranimin nga të pandehurit të fajit dhe shenjat e pendimit.
37. Në tre vendime të tjera (nr. 2 i 12 janarit 2011, nr. 11 i 10 janarit 2011 dhe nr. 26 i 9 shkurtit 2011), Gjykata e Lartë uli më tej dënimet e të pandehurve që ishin vendosur dhe ulur në bazë të aplikimit të gjykimit të shkurtuar nga Gjykata e Rrethit dhe të lëna në fuqi në shkallën e apelit. Në uljen e dënimeve Gjykata e Lartë kishte marrë parasysh rrethanat lehtësuese, si për shembull dorëzimi i të pandehurve pranë autoriteteve dhe pendimi i tyre i thellë për kryerjen e krimit.
LIGJI
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 6 TË KONVENTËS
38. Ankuesi u ankua se kishte patur një shkelje të Nenit 6 §1 të Konventës në lidhje me Nenin 6§§3 (c) për faktin se atij i ishte mohuar e drejta për t’u mbrojtur në një seancë publike para Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
Neni 6§§1 dhe 3 (c) i Konventës, për aq sa ka lidhje, parashikon si më poshtë.
“1. Në përcaktimin e..çdo akuze penale kundër tij, çdokush ka të drejtën e një gjykimi...të drejtë...nga një gjykatë...
...Çdokush që akuzohet për një vepër penale ka të drejtat e mëposhtme minimale:
(c) të mbrohet personalisht ose nëpërmjet ndihmës ligjore sipas zgjedhjes së vet, ose, nëse ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar ndihmën ligjore, t’i sigurohet falas kur kërkohet nga interesat e drejtësisë;
.....”
A. Pranueshmëria
39. Qeveria nuk ngriti kundërshtime në lidhje me pranueshmërinë e këtij ankimi. Gjykata konstaton se ky ankim ishte paraqitur brenda afatit gjashtë mujor, duke filluar nga vendimi i formës së prerë i gjykatës së brendshme i 10 shkurtit 2006 (shihni Caka kundër Shqipërisë, nr. 44023/02, §74, 8 dhjetor 2009). Më tej, ajo çmon se ky ankim nuk është haptazi i pabazuar. Nuk është konstatuar asnjë arsye tjetër për ta shpallur atë të papranueshëm. Rrjedhimisht, ajo e shpall ankimin të pranueshëm.
B. Themeli
Vërejtjet e palëve
(a) Ankuesi
40. Ankuesi parashtroi se ai nuk kishte hequr dorë asnjëherë nga e drejta e tij për të marrë pjesë në seancat e zhvilluara para Gjykatës së Apelit. Në fakt, ai kishte shprehur dëshirën për të qënë i pranishëm në seanca, një fakt që sipas mendimit të tij, ishte përmendur në shkresat që Gjykata e Apelit i kishte dërguar autoriteteve kombëtare, me synim garantimin e pjesëmarrjes së tij.
41. Ankuesi parashtroi më tej se megjithë dëshirën e tij për të marrë pjesë në seanca para Gjykatës së Apelit, në burg atij nuk i ishte dërguar asnjë njoftim gjykate. Ai deklaroi se autoritetet e burgjeve e kishin penguar të merrte pjesë në seancat gjyqësore, duke vepruar në kundërshtim të hapur me urdhrat e gjykatës.
42. Ankuesi argumentoi se Gjykata e Apelit ishte e autorizuar për të shqyrtuar plotësisht një çështje, pavarësisht nga arsyet e apelit të paraqitura pranë saj. Duke marrë parasysh këtë fakt, dhe duke çmuar se ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit, ai gjykoi se prania e tij kërkohej në seancat para Gjykatës së Apelit.
43. Ankuesi pohoi se çështja e tij ishte e ngjashme me Kremzow kundër Austrisë, 21 shtator 1993, Seria A. Nr. 268-B. Në çështjen në fjalë, si në Kremzow, Gjykata e Lartë kishte vendosur në favor të apelit të prokurorit dhe kishte rënduar pozicionin e ankuesit duke rivendosur dënimin me burgim të përjetshëm. Ky konkluzion, argumentoi ankuesi, nuk mund të ishte arritur vetëm mbi bazën e dosjes së çështjes. Gjykata e Lartë duhet t’i kishte dhënë atij mundësinë të dëgjohej personalisht, me qëllim që të vendoste në lidhje me nivelin e përfshirjes së tij në krimet për të cilat ishte akuzuar. Më tej ankuesi parashtroi se as ai, as avokati i tij nuk i kishin paraqitur parashtrime Gjykatës së Lartë.
(b) Qeveria
44. Qeveria parashtroi se praktika e Gjykatës lejonte kufizime të të drejtës së të pandehurit për të marrë pjesë në gjykim në apel, për shembull, kur i pandehuri kishte marrë pjesë në procedimet e gjykatës së shkallës së parë (shihni Ekbatani kundër Suedisë, 26 maj 1988, Seria A nr. 134).
45. Qeveria deklaroi se ankuesi kishte kërkuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar që ishte miratuar nga Gjykata e Rrethit. Gjykimi i shkurtuar vazhdonte të aplikohej edhe në apel. Rrjedhimisht, juridiksioni i Gjykatës së Apelit kufizohej në faktin se nuk lejohej asnjë shqyrtim gjyqësor. Meqë ankuesi kishte apeluar kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit, kjo nënkuptonte se pozicioni i tij nuk do të rëndohej dhe Gjykata e Apelit nuk do të vendoste një dënim më të rëndë.
46. Qeveria iu drejtua më tej prokurës së 18 shkurtit 2004 që ishte nënshkruar nga ankuesi dhe sipas të cilës ai kishte pranuar të gjitha akuzat kundër tij dhe kishte kërkuar shprehimisht, në përputhje me Nenin 352 të KPP-së, që të gjykohej në mungesë.
47. Qeveria pohoi se Gjykata kishte vendosur se prania e një të pandehuri nuk kërkohej në seancat para gjykatave që shqyrtonin apele mbi çështjet ligjore. Ata shpjeguan se procedura para Gjykatës së Lartë kërkonte që palët të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre, të cilët bënin parashtrime me shkrim dhe verbalisht në një seancë publike. Ata parashtruan se ankuesi ishte përfaqësuar sipas rregullave para Gjykatës së Lartë nga një avokat mbrojtës, siç kërkohet me ligj. Gjykata e Lartë nuk kishte shqyrtuar çështje ose prova që do të kishin nevojë për praninë e tij në gjykim. Në fund të procedimeve, Gjykata e Lartë, duke vërejtur se Gjykata e Apelit kishte keqinterpretuar dispozitat në lidhje me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, kishte vendosur të linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit. Sipas pikëpamjes së Qeverisë, kjo tregonte ndryshimin midis kësaj kërkese dhe vendimit të Gjykatës në çështjen Kremzow kundër Austrisë, të cituar më lart.
Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parime të përgjithshme
48. Gjykata rithekson se garancitë në Nenin 6§3(c) të Konventës janë aspekte të veçanta të të drejtës për gjykim të drejtë, të përcaktuar në paragrafin e parë të këtij Neni. Rrjedhimisht, ankimi i ankuesit do të shqyrtohet sipas kërkesave të përgjithshme të drejtësisë të parashikuara në Nenin 6 të Konventës.
49. Në interes të një procesi të drejtë dhe të ndershëm penal, është e një rëndësie themelore që i pandehuri duhet të paraqitet në gjykimin e tij (shihni Lala kundër Holandës, 22 shtator 1994, §33, Seria A nr. 297-A; Poitrimol kundër Francës, 23 nëntor 1993, §35, Seria A nr. 277-A; dhe De Lorenzo kundër Italisë (dhjet.), nr. 69264/01, 12 shkurt 2004), si për shkak të të drejtës së tij për gjykim, edhe për shkak të nevojës për të verifikuar saktësinë e deklaratave të tij dhe për t’i krahasuar me ato të viktimës-interesat e të cilit duhet të mbrohen-dhe të dëshmitarëve (shihni Sejdovic kundër Italisë [GC], nr. 56581/00, § 92, KEDNJ 2006-II).
50. Paraqitja e të pandehurit personalisht nuk merrte të njëjtën rëndësi thelbësore për një seancë apeli, siç ka për gjykimin (shihni Kamasinski kundër Austrisë, 19 dhjetor 1989, §106, Seria A nr. 168). Megjithatë, mënyra e zbatimit të Nenit 6 për procedimet para gjykatës së apelit varet nga karakteristika të veçanta të procedimeve përkatëse; duhet të merret parasysh tërësia e procedimeve në rendin e brendshëm juridik dhe e rolit të gjykatës së apelit në të (shihni Ekbatani kundër Suedisë, cituar më lart; dhe Monnell dhe Morris kundër Mbretërisë së Bashkuar, 2 mars 1987, §56, Seria A nr. 115).
51. Procedimet për lejimin e apelit dhe procedimet që përfshijnë vetëm çështjet ligjore, ndryshe nga çështjet e faktit, mund të pajtohen me kërkesat e Nenit 6 megjithëse ankuesit nuk i ishte dhënë mundësia të dëgjohej personalisht nga gjykata e apelit ose kasacionit, me kusht që të kishte patur një seancë me dyer të hapura në shkallën e parë (shihni, ndër të tjera, Monnel dhe Morris, cituar më lart, §58 (lejimi i apelit); dhe Sutter kundër Suedisë, 22 shkurt 1984, §30, Seria A nr. 74 (Gjykata e Kasacionit). Megjithatë, në këtë rast arsyeja kryesore është se gjykata në fjalë nuk ka detyrën e konstatimit të fakteve të çështjes, por vetëm të interpretimit të rregullave ligjore përkatëse (shihni Ekbatani, cituar më lart, § 31).
52. Në të vërtetë, edhe kur një gjykatë apeli ka juridiksion të plotë për të rishikuar çështjen si mbi çështjet e faktit dhe ato ligjore, Neni 6 nuk kërkon gjithmonë një të drejtë për seancë me dyer të hapura dhe një të drejtë a fortiori për të qenë i pranishëm personalisht (shihni Fejde kundër Suedisë, 29 tetor 1991, §31, Seria A nr. 212-C). Në vlerësimin e kësaj çështjeje, ndër të tjera duhet të merren parasysh karakteristikat e veçanta të procedimeve përkatëse dhe mënyra në të cilën interesat e mbrojtjes ishin paraqitur dhe mbrojtur para gjykatës së apelit, veçanërisht duke marrë parasysh çështjet që ajo do të vendosë (shihni Helmers kundër Suedisë, 29 tetor 1991, §§ 31-32, Seria A nr. 212-A) dhe rëndësisë së tyre për ankuesin (shihni Kremzow, cituar më lart § 59; Kamasinski, cituar më lart §106 in fine; dhe Ekbatani, cituar më lart, §§ 27-28).
53. Në sistemet ligjore ku një gjykatë apeli vepron jo thjesht si gjykatë rishikuese por kur duhet të shqyrtojë një çështje në lidhje me faktet dhe ligjin dhe të kryejë një rivlerësim të çështjes së fajësisë ose pafajësisë, ajo nuk mund të përcaktojë çështjen pa një vlerësim të drejtpërdrejtë të provave të dhëna personalisht nga i pandehuri me qëllim që të provojë se ai nuk ka kryer veprën që dyshohej të përbënte vepër penale (shihni Dondarini kundër San Marinos, nr. 50545/99, § 27, 6 korrik 2004; Strzalkowski kundër Polonisë, nr. 31509/02, § 41, 9 qershor 2009; dhe Sobolewski kundër Polonisë (nr. 2), nr. 19847/07, § 35, 9 qershor 2009).
54. As formulimi i saktë, as fryma e Nenit 6 të Konventës nuk pengon një person që të heqë dorë, me vullnetin e tij të lirë, ose shprehimisht ose në mënyrë të heshtur, nga e drejta e tij për garancitë e një gjykimi të drejtë. Megjithatë, kjo heqje dorë, duhet të jetë efektive për qëllimet e Konventës, duhet të vendoset përfundimisht dhe të shoqërohet me garanci minimale në përputhje me rëndësinë e saj (shihni Hermi kundër Italisë [GC], nr. 18114/02, §73, KEDNJ 2006-XII).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen në fjalë
55. Gjykata fillimisht vëren se i është nënshtruar cilësimit që duhet t’i jepet në ligj fakteve të çështjes. Ajo nuk konsideron të jetë e lidhur nga detyrimi ligjor i cilësimit të dhënë nga ankuesi ose një qeveri (shihni Berhani kundër Shqipërisë, nr. 847/05, § 46, 27 maj 2010; dhe Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], nr. 10249/03, § 54, KEDNJ 2009..). Gjykata vëren se çështja në fjalë lidhet me çështjet e dënimit që përfshijnë përcaktimin e një akuze penale, pavarësisht se çështja e fajësisë së ankuesit është përcaktuar dhe përfshin garancitë e parashikuara në Nenin 6 (shihni Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], cituar më lart §§48-57 dhe §§ 132-145). Ndërsa i takon autoriteteve të caktojnë dënimin që do të vendoset, detyra e Gjykatës është të shqyrtojë nëse ankuesit i ishin dhënë garancitë e drejtësisë së procedimeve në tërësi.
56. Në rrethanat e kësaj çështjeje, ankuesi nuk kishte paraqitur ankime në lidhje me procedimet para Gjykatës së Rrethit. Fillimisht ai u përfaqësua nga avokatë të caktuar nga gjykata dhe në fazën përfundimtare të procedimeve ai u mbrojt nga një avokat i zgjedhur prej tij, i cili bëri parashtrimet në emër të tij pas konsultimit të dosjes së çështjes.
57. Gjykata vëren se më 18 shkurt 2004, në bazë të prokurës së tij dhe ndërsa procedimet ishin ende duke u zhvilluar para Gjykatës së Rrethit, ankuesi kërkoi me dëshirën e tij, aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Gjykimi i shkurtuar përfshin padyshim avantazhe për të pandehurin, i cili, sipas formulimit të Gjykatës së Lartë është “i rëndësishëm për hir të efektiviteti gjyqësor sepse thjeshton dhe shkurton procedurën, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e shqyrtimit gjyqësor dhe për rrjedhojë, sjell përfitim për të pandehurin duke ulur dënimin e tij në masën e një të tretës dhe duke mos vendosur burgim të përjetshëm.” Nga ana tjetër, gjykimi i shkurtuar përfshin një pakësim të garancive procedurale të dhëna nga ligji i brendshëm, në veçanti mundësinë e kërkimit të pranimit të provave të reja që nuk ndodhen në dosjen e çështjes ose argumenteve të lidhura me provat tashmë të mbledhura.
58. Gjykata çmon se ankuesi i cili ishte ndihmuar nga një avokat, ishte padyshim i aftë të kuptonte pasojat e kërkesës së tij për aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Ankuesi nuk kërkoi në apelet e tij ndërprerjen e aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, sipas Kodit shqiptar të Procedurës Penale, miratimi i gjykimit të shkurtuar nuk përfshin një pakësim të të gjitha garancive procedurale, kryesisht e drejta e të pandehurit për apel kundër dënimit të vendosur nga gjykata më të ulëta dhe e drejta e të pandehurit për të marrë pjesë në seanca (shihni paragrafët 36-37 më lart). As vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë i 29 janarit 2003 nuk mbështet një interpretim të tillë.
59. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se ajo ishte e hapur për apelin e ankuesit kundër dënimit të vendosur nga Gjykata e Rrethit. Në të vërtetë, ai paraqiti një apel kundër dënimit të tij në Gjykatën e Apelit, duke argumentuar se dënimi i tij duhet të ulet për shkak të ekzistencës së rrethanave lehtësuese. Në atë rast, duke marrë parasysh arsyetimin e apelit të tij, ankuesit iu caktua një dënim më i lehtë.
Gjykata vëren se sipas dispozitave përkatëse të kodit shqiptar të procedurës penale, juridiksioni i një gjykate apeli shtrihet në çështje si të fakteve dhe ato ligjore (shihni paragrafët 28 dhe 29 më lart). Në arsyetimin për vendimin e saj, Gjykata e Apelit nxori përfundime që lidheshin me fajësinë e ankuesit. Në procedimet e apelit, siç vërtetohet dhe dokumentohet nga vetë Gjykata e Apelit, ankuesi përsëriti dëshirën e tij për të marrë pjesë në seancën e apelit të tij. Gjykata e Apelit reagoi duke e shtyrë seancën tre herë, me qëllim që të garantonte praninë e ankuesit. Është për të ardhur keq që shërbimi penitenciar nuk arriti të zbatonte urdhrat e Gjykatës së Apelit. Më 18 qershor 2004, avokati i ankuesit i kërkoi gjykatës të vazhdonte me procedimet. Në atë rast dhe duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të çështjes, Gjykata nuk çmon se deklarata e avokatit të ankuesit përbën heqje dorë nga dëshira e përsëritur dhe përfundimtare e ankuesit për të marrë pjesë në gjykim.
60. Megjithatë, prokurori çmoi se ankuesi nuk ishte trajtuar në mënyrë aq favorizuese dhe i kërkoi Gjykatës së Lartë të ricaktonte dënimin e Gjykatës së Rrethit. Ankuesi u përfaqësua nga avokati mbrojtës para Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit të brendshëm, ai nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në seancë personalisht dhe, si çështje e të drejtës së Konventës, Neni 6 nuk i garantonte atij këto të drejta para Gjykatës së Lartë, juridiksioni i të cilës kufizohej vetëm në çështjen e interpretimit ligjor, dmth objektin e kompetencave për rishikim të Gjykatës së Apelit sipas Kodit të Procedurës Penale. Në atë rast, Gjykata e Lartë konstatoi se Gjykata e Apelit kishte tejkaluar kompetencën e saj dhe la në fuqi dënimin e Gjykatës së Rrethit.
61. Gjykata nuk konstaton asgjë në konkluzionet e Gjykatës së Lartë që të sugjerojë se Gjykata e Apelit nuk mund të kishte ulur më tej dënimin e ankuesit. Në të vërtetë, në pajtim me Nenin 428 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Apelit kishte mundësinë të ndryshonte dënimin e vendosur nga Gjykata e Rrethit. Qeveria nuk paraqiti ndonjë statut ose praktikë gjyqësore të brendshme me qëllim që aplikimi i gjykimit të shkurtuar ta zhvishte Gjykatën e Apelit nga kompetenca e saj për të ulur dënimin e vendosur nga gjykata e shkallës së parë. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë i 29 janarit 2003 nuk ofroi asnjë lloj mbështetjeje për një interpretim të tillë.
62. Në të kundërt, sipas praktikës së brendshme gjyqësore dhe veçanërisht gjatë periudhës kur ankimi kushtetues i ankuesit po shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë la në fuqi dy vendime të Gjykatës së Apelit, përkatësisht të 9 shtatorit 2005 dhe 20 tetorit 2005, të cilat kishin ulur më tej dënimet e caktuara nga Gjykatat e Rrethit me anë të aplikimit të gjykimit të shkurtuar (shihni paragrafin 36 më lart). Së fundi, në vitin 2011 vetë Gjykata e Lartë caktoi dënime më të lehta, pavarësisht nëse i pandehuri kishte përfituar ulje me anë të aplikimit të gjykimit të shkurtuar nga gjykata më të ulta (shihni paragrafin 37 më lart). Rrjedhimisht, rezultoi se vazhdon të mbizotërojë kjo linjë e praktikës gjyqësore dhe interpretimit të dispozitave të procedurës penale.
63. Gjykata vëren më tej se në asnjë fazë të procedimeve të apelit, qoftë në procedimet para Gjykatës së Apelit ose para Gjykatës së Lartë, ankuesi nuk kishte mundësi të argumentonte personalisht se ekzistonin faktorë lehtësues, si për shembull pendimi i tij pas krimit, mospasja e dënimeve penale të mëparshme, formimi i tij dhe vështirësitë ekonomike të familjes së tij, të cilat do të kishin favorizuar caktimin e një dënimi më të ulët sesa ai i dhënë nga Gjykata e Rrethit. Për Gjykatën, të gjitha këto janë çështje mbi të cilat, për arsye të drejtësisë, ai duhet të ishte dëgjuar personalisht. Rrjedhimisht, ka patur një shkelje të Nenit 6§1 të Konventës.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
64. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i jep shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
65. Ankuesi pretendoi 10,000 Euro në lidhje me dëmin jomonetar të shkaktuar si rezultat i shkeljes së të drejtave të tij sipas Konventës.
66. Qeveria nuk bëri komente.
67. Duke marrë parasysh shkeljen e konstatuar në këtë rast, Gjykata çmon se një kompensim për dëmin jomonetar është i justifikuar. Në kryerjen e një vlerësimi mbi baza të barabarta, Gjykata i jep ankuesit 3,200 EURO.
B. Kostot dhe shpenzimet
68. Ankuesi gjithashtu pretendoi 15,290 EURO për kostot dhe shpenzimet e kryera para kësaj Gjykate dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai paraqiti dy fatura që dokumentonin kostot ligjore, kostot e përkthimit dhe tarifat postare.
69. Qeveria nuk bëri komente.
70. Në çështjen në fjalë, duke marrë parasysh informacionin e zotëruar prej saj, Gjykata e çmon të arsyeshme t’i kompensojë ankuesit shumën prej 3,500 EURO për kostot dhe shpenzimet.
C. Kamatëvonesa
71. Gjykata çmon të arsyeshme se kamatëvonesa duhet të bazohet në normën marzhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Europiane të cilës duhet t’i shtohen tre pikë për qind.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Shpall ankimin të pranueshëm;
2. Vendos se ka patur një shkelje të Nenit 6§1 të Konventës;
3. Vendos
(a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë ankuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë, në përputhje me Nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme që duhet të konvertohen në monedhën e saj kombëtare, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes:
(i) 3,200 (tre mijë e dyqind Euro) EURO plus çdo taksë që mund të jetë e kërkueshme, në lidhje me dëmin jomonetar;
(ii) 3,500 (tre mijë e pesëqind Euro) EURO plus çdo taksë që mund të jetë e kërkueshme për ankuesin, në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
(b) se nga mbarimi i afatit të lartpërmendur prej tre muaj deri në shlyerje, interesi i thjeshtë do të jetë i pagueshëm për shumat e mësipërme në një normë të barabartë me normën marzhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë për qind;
Bërë në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 6 mars 2012, sipas Nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatos AraciLech Garlicki
Zëvendës RegjistruesPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinioni pajtues i Gjykatësit De Gaetano i bashkëlidhet këtij vendimi.
L.G.
F.A.
OPINIONI PAJTUES I GJYKATËSIT DE GAETANO
Kam votuar me shumicën në këtë çështje vetëm për shkak të rrethanës tejet rënduese, pra refuzimit të vazhdueshëm, pothuajse sfidues të autoritete të burgjeve për ta sjellë ankuesin në gjykatë në seancën e apelit (§§ 9-14). Në çështjen në fjalë rezultoi se prania e ankuesit para Gjykatës së Apelit ishte e një rëndësie thelbësore për vendimin e asaj gjykate dhe të çdo gjykate tjetër në lidhje me dënimin që do të vendosej. Megjithëse Gjykata e Apelit e uli dënimin, mungesa e ankuesit në gjykim nënkuptonte se nuk u morën asnjëherë provat e tij në lidhje me faktorët lehtësues të parashtruar në kërkesën e tij të apelit, dhe si rezultat, nuk ishin vënë në dispozicion para Gjykatës së Lartë. Për mendimin tim, kjo cenoi drejtësinë e procedimeve në tërësi.
Full & Egal Universal Law Academy