© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E CATAN DHE TË TJERË
kundër MOLDAVISË DHE RUSISË
(Kërkesat nr. 43370/04, nr. 8252/05 dhe nr. 18454/06)
VENDIM
[Pjesë të shkëputura]
STRASBURG
19 tetor 2012
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Catan dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë,
Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Nicolas Bratza, Kryetar,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Lech Garlicki,
Karel Jungwiert,
Anatoly Kovler,
Egbert Myjer,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Mihai Poalelungi,
Helen Keller, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 25 janar dhe 5 shtator 2012,
Shpall vendimin në vijim, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill pas tri kërkesave (nr. 43370/04, nr. 8252/05 dhe nr. 18454/06) kundër Republikës së Moldavisë dhe Federatës Ruse të depozituara në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (prej këtu “Konventa”) nga disa shtetas moldavë (“kërkuesit”), më 25 tetor 2004.
2. Kërkuesit, njërit prej të cilëve iu ofrua ndihmë ligjore, përfaqësoheshin nga Z. Alexandru Postică dhe Znj. Helen Duffy, avokatë pranë Interights, organizatë e të drejtave të njeriut me seli në Londër. Qeveria e Republikës së Moldavisë përfaqësohej nga Agjentët e saj, Z. Vladimir Grosu dhe Znj. Lilian Apostol dhe Qeveria e Federatës Ruse përfaqësohej nga Z. Georgy Matyushkin, Përfaqësues i Federatës Ruse në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Kërkuesit, moldavë që jetonin në Transdniestria dhe të cilët në kohën e bërjes së kërkesës ishin nxënës në tri shkolla të gjuhës moldave dhe prindërit e tyre: (shih shtojcën e bashkangjitur), u ankuan, në bazë të nenit 2 të Protokollit nr. 1 të Konventës dhe nenit 8 të Konventës, të marrë ndamas dhe së bashku me nenin 14, në lidhje me mbylljen e shkollave të tyre dhe ngacmimin e tyre nga autoritetet separatiste në Transdniestria.
4. Kërkesat u depozituan pranë Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 15 qershor 2010, pas një seance dëgjimore lidhur me pranueshmërinë dhe themelet (neni 54 § 3), kërkesat u bashkuan dhe u deklaruan pjesërisht të pranueshme nga një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga gjyqtarët vijues: N. Bratza, L. Garlicki, A. Kovler, L. Mijović, D. Björgvinsson, J. Šikuta, M. Poalelungi, dhe gjithashtu T.L. Early, Kancelar i Seksionit. Më 14 dhjetor 2010 Dhoma ia kaloi juridiksionin Dhomës së Madhe, për çka asnjëra nga palët nuk pati kundërshtime (neni 30 i Konventës dhe neni 72).
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
6. Kërkuesit dhe secila Qeveri përgjegjëse paraqitën vërejtje të mëtejshme (neni 59 § 1) në lidhje me themelet.
7. Një seancë dëgjimore publike u zhvillua në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 25 janar 2012 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për qeverinë e Republikës së Moldavisë
Z. V. Grosu, Agjent,
Z.L. Apostol, Këshilltar;
(b) për Qeverinë e Federatës ruse
Z.G. Matyushkin, Agjent,
Znj.O. Sirotkina,
Znj.I. Korieva,
Znj.A. Dzutseva,
Z.N. Fomin,
Znj.M. Molodtsova,
Znj.V. Utkina,
Z.A. Makhnev,Këshilltarë;
(c) për kërkuesit
Z.P. Hughes,
Znj.H. Duffy,Avokatë,
Z.A. Postica,
Z.I. Manole,
Z. P. Postica, Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi parashtrime nga Z. Hughes, Z. A. Postica, Z. Grosu dhe Z. Matyushkin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Sfondi historik
8. Vendi i cili u bë më vonë Republika e Moldavisë ishte krijuar si Republika Socialiste Sovjetike Moldaviane më 2 gusht 1940 nga një pjesë e Bessarabia dhe një rrip toke në bregun lindor të Dniester (shih më tej Tănase kundër Moldavisë [GC], nr. 7/08, §§ 11-17, ECHR 2010-...). Ky rajon lindor, që tani njihet si Transdniestria, së bashku me disa territore të cilat tani janë pjesë e Ukrainës, që nga viti 1924 kanë qenë pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike Autonome Moldaviane. Popullsia e Transdniestrias fillimisht përbëhej kryesisht nga ukrainas dhe moldavë/rumunë, por nga viti 1920 e tutje ka pasur imigracion të konsiderueshëm të punëtorëve të industrisë nga vende të tjera të Bashkimit Sovjetik, posaçërisht rusë dhe ukrainas. Në një census të organizuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1989, popullsia e Transdniestrias vlerësohej të ishte 679.000 banorë, e përbërë etnikisht dhe gjuhësisht nga 40% moldavë, 28% ukrainas, 24% rusë dhe 8% të tjerë.
9. Sipas Kushtetutës së Republikës Socialiste Sovjetike Moldaviane të vitit 1978, kishte dy gjuhë zyrtare: gjuha ruse dhe gjuha “moldaviane” (moldavisht/rumanisht e shkruar me alfabet cirilik).
10. Në gusht dhe shtator të vitit 1989 alfabeti latin u fut përsëri në Moldavi për gjuhën e shkruar moldave/rumune, e cila u bë gjuha e parë zyrtare.
11. Më 23 qershor 1990 Moldavia shpalli sovranitetin e saj; më 23 maj 1991 e ndryshoi emrin në Republika e Moldavisë; dhe më 27 gusht 1991 Parlamenti i Moldavisë miratoi Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Moldavisë, territori i së cilës përfshinte Transdniestrian.
B. Konflikti në Transdniestria
12. Faktet lidhur me konfliktin e armatosur të viteve 1991-1992 dhe periudha deri nga fundi i vitit 2003 përshkruhen më me hollësi në çështjen Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, §§ 28-183, ECHR 2004‑VII, dhe këtu jepet vetëm një përmbledhje e fakteve kryesore për lehtësi referimi. Gjykata vëren që Qeveria ruse ka parashtruar që faktet lidhur me konfliktin e armatosur nuk ishin relevante për çështjet e ngritura në rastin konkret.
13. Nga viti 1989 e tutje, në Transdniestria ka qenë duke u formuar një lëvizje rezistence kundër pavarësisë së Moldavisë. Më 2 shtator 1990 separatistët në Transdniestria shpallën krijimin e “Republikës Moldaviane të Transdniestrias” (anglisht “MRT”). Më 25 gusht 1991, “Këshilli Suprem i MRT” miratoi “deklaratën e pavarësisë” të “MRT”. Më 1 dhjetor 1991, në provincat e Transdniestrias u organizuan “zgjedhjet presidenciale”, të cilat u deklaruan të paligjshme nga autoritetet moldave, dhe Z. Igor Smirnov pretendoi se ishte zgjedhur “President i MRT”. Deri më sot, “MRT” nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.
14. Në kohën e shpalljes së pavarësisë së Moldavisë, ajo nuk kishte ushtrinë e vet. Armata e 14-të e BRSS, shtabi qendror i së cilës kishte qenë në Chişinău që nga viti 1956, vazhdoi të mbetej në territorin e Moldavisë, megjithëse nga viti 1990 e tutje personeli dhe pajisjet filluan të tërhiqeshin. Në vitin 1991 Armata e 14-të në Moldavi përbëhej nga disa mijëra ushtarë, njësi këmbësorie, artileri (kryesisht sistem minahedhësish anti-ajrorë), automjete të blinduara dhe mjete ajrore (përfshirë aeroplanë dhe helikopterë sulmues). Kishte disa magazina me municione, përfshirë një prej magazinave më të mëdha në Evropë në Colbaşna në Transdniestria.
15. Me anë të Dekretit nr. 234 të datës 14 nëntor 1991 Presidenti i Moldavisë deklaroi që municionet, armët, transporti ushtarak, bazat ushtarake dhe pajisje të tjera që i përkisnin njësive ushtarake të forcave të armatosura sovjetike të vendosura në territorin e Moldavisë ishin pronë e Republikës së Moldavisë. Ky dekret nuk hyri në fuqi në Transdniestria.
16. Pas një dekreti të datës 5 dhjetor 1991, Z. Smirnov vendosi të zbarkonte njësitë ushtarake të Armatës së 14-të në Transdniestria nën komandën e “Departamentit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Republikës Moldaviane të Transdniestrias”. Z. Smirnov emëroi Komandant të Armatës së 14-të Gjeneral Togerin Iakovlev, si shef i “Departamentit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare” të “MRT”. Në dhjetor 1991 Gjeneral Toger Iakovlev u arrestua nga autoritetet moldave, të cilat e akuzuan atë për ndihmën e dhënë separatistëve të Transdniestrias për t’u armatosur duke përdorur stoqet e armëve të Armatës së 14-të. Megjithatë, më pas ai u lirua pas ndërmjetësimit të qeverisë së Federatës Ruse.
17. Nga fundi i vitit 1991 dhe fillimi i vitit 1991 ndodhën përleshje të dhunshme mes forcave separatiste të Transdniestrias dhe forcave moldave të sigurisë, duke shkaktuar humbje jetësh në disa qindra njerëz.
18. Më 6 dhjetor 1991, në një apel drejtuar bashkësisë ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, qeveria e Moldavisë protestoi kundër pushtimit, më 3 dhjetor 1991, të qyteteve moldave të Grigoriopol, Dubăsari, Slobozia, Tiraspol dhe Ribniţa, në bregun lindor të Dniester, nga Armata e 14-të nën komandën e Gjeneral Togerit Iakovlev. Ata akuzuan autoritetet e BRSS, e veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes, se i kishin nxitur këto veprime. Ushtarët e Armatës së 14-të u akuzuan që u kishin shpërndarë pajisje ushtarake separatistëve të Transdniestrias dhe i kishin organizuar separatistët në çeta ushtarake të cilat po terrorizonin popullsinë civile.
19. Në vitet 1991-92 disa njësi ushtarake të Armatës së 14-të u bashkuan me separatistët e Transdniestrias. Në vendimin në çështjen Ilaşcu Gjykata gjeti se ishte konstatuar përtej dyshimit të arsyetuar që separatistët e Transdniestrias kishin arritur, me ndihmën e personelit të Armatës së 14-të, të armatoseshin me armët e marra nga depot e Armatës së 14-të në Transdniestria. Përveç kësaj, shumë shtetas rusë nga jashtë rajonit, sidomos Kozakë (angl. Cossacks), kishin shkuar në Transdniestria për të luftuar me separatistët kundër forcave të Moldavisë. Duke pasur parasysh mbështetjen e ofruar për separatistët nga trupat e Armatës së 14-të dhe transportin e madh drejt tyre të armëve dhe municioneve nga depot e Armatës së 14-të, ushtria moldave ishte në pozicion inferior që e pengonte të rimerrte nën kontroll Transdniestrian. Më 1 prill 1992, Presidenti i Federatës Ruse, Z. Boris Yeltsin, zyrtarisht e transferoi Armatën e 14-të pranë komandës ruse, dhe rrjedhimisht ajo u bë “Grupi Operativ Rus në rajonin e Transdniestrias në Moldavi” ose “ROG”. Më 2 prill 1992, Gjenerali Netkachev, Komandanti i ri i ROG, i urdhëroi forcat moldave të cilat kishin rrethuar qytetin Tighina (Bender), të mbajtur nga separatistët, të tërhiqeshin menjëherë, dhe nëse nuk vepronin kështu forcat ruse do të merrnin kundër-masa. Në maj ROG filloi sulmet kundër forcave moldave, duke i përzënë ato nga disa fshatra nga bregu lindor i Dniester. Në qershor ROG ndërhyri zyrtarisht në favor të separatistëve të cilët ishin duke e humbur qytetin Tighina, duke përzënë kështu forcat moldave.
C. Marrëveshja për armëpushim, Memorandumi i vitit 1997 dhe Zotimet e Stambollit
20. Më 21 korrik 1992 Presidenti i Republikës së Moldavisë, Z. Mircea Snegur, dhe Z. Yeltsin nënshkruan një marrëveshje mbi parimet e një zgjidhjeje miqësore të konfliktit të armatosur në rajonin e Transdniestrias të Republikës së Moldavisë (“marrëveshja e armëpushimit”).
21. Marrëveshja prezantoi idenë e një zone të sigurisë që do të krijohej me tërheqjen e ushtrive të “palëve në konflikt” (neni 1 § 2). Sipas nenit 2 të marrëveshjes, u ngrit një Komision i Përbashkët Kontrolli (“JCC”) i përbërë nga përfaqësues të Moldavisë, Federatës Ruse dhe Transdniestrias, me seli në Tighina. Marrëveshja gjithashtu parashikonte një forcë paqeruajtëse me detyrën e sigurimit të respektimit të marrëveshjeve për armëpushim dhe siguri, e përbërë nga pesë batalione ruse, tre batalione moldave dhe dy batalione të Transdniestrias nën urdhrat e një strukture komanduese ushtarake të përbashkët e cila vetë ishte nën varësinë e JCC. Sipas nenit 3 të marrëveshjes, qyteti Tighina u shpall rajon sigurie dhe administrata e tij u vu në duart e “organeve vendore të vetqeverisjes, e cila nëse ishte nevoja do të vepronte së bashku me komisionin e kontrollit”. JCC iu caktua detyra e ruajtjes së rendit në Tighina së bashku me policinë. Neni 4 kërkonte që trupat ruse të vendosura në territorin e Republikës së Moldavisë të mbeteshin krejtësisht asnjanëse. Neni 5 ndalonte sanksionet ose bllokadat dhe parashtronte synimin për heqjen e të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Masat e parashikuara nga marrëveshja u përkufizuan si “një pjesë shumë e rëndësishme e zgjidhjes së konfliktit me mjete politike” (neni 7).
22. Më 29 korrik 1994 Moldavia miratoi një Kushtetutë të re. Ajo parashikonte, inter alia, që Moldavia ishte asnjanëse, që ajo e ndalonte sanksionimin në territorin e saj të trupave që u përkisnin Shteteve të tjera dhe që mund të lejohej një formë e autonomisë për rajonet të cilat përfshinin disa zona në bregun lindor të Dniester. Sipas nenit 13 të Kushtetutës, gjuha kombëtare ishte moldavishtja, e cila do të shkruhej duke përdorur alfabetin latin.
23. Në disa raste nga viti 1995 e tutje autoritetet moldave u ankuan që personeli ushtarak i ROG dhe kontingjenti rus i forcës paqeruajtëse të JCC kishin shkelur parimin e neutralitetit të caktuar në marrëveshjen e armëpushimit dhe që, inter alia, qytetarët e Transdniestrias kishin arritur të mblidhnin pajisje të tjera ushtarake dhe mbështetje nga ROG. Këto pretendime u mohuan me vendosmëri nga autoritetet ruse. Përveç kësaj, delegacioni moldav në JCC pretendoi që qytetarët e Transdniestrias kishin ngritur postblloqe ushtarake dhe pika kufitare të kontrollit brenda zonës së sigurisë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Në vendimin e çështjes Ilaşcu Gjykata gjeti që ishte konstatuar, me anë të provave në dokumentet zyrtare të JCC, që në zona të ndryshme të Transdniestrias nën kontrollin e forcave paqeruajtëse ruse, siç ishte Tighina, forcat separatiste të Transdniestrias po e shkelnin marrëveshjen e armëpushimit.
24. Më 8 maj 1997 në Moskë, Z. Petru Lucinschi, Presidenti i Moldavisë, dhe Z. Smirnov, “Presidenti i MRT”, nënshkruan një memorandum ku shtrohej rruga për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Moldavisë dhe Transdniestrias (“Memorandumi i vitit 1997”). Sipas kushteve të Memorandumit të vitit 1997, vendimet në lidhje me Transdniestrian duhet të dakordoheshin mes dy palëve, pushtetet duhet të ishin të ndara mes njëra-tjetrës dhe të deleguara, dhe garancitë duhet të respektoheshin në mënyrë reciproke. Transdniestria duhet të lejohej të merrte pjesë në zhvillimin e politikës së jashtme të Republikës së Moldavisë mbi çështje lidhur me interesat e saj të cilat do të vendoseshin përmes marrëveshjeve të dyanshme. Transdniestria do të kishte të drejtën e njëanshme për të vendosur dhe mbajtur kontakte ndërkombëtare në fushat ekonomike, shkencore, teknike, kulturore dhe fusha të tjera, të cilat do të vendoseshin me marrëveshje të ndërsjella. Palët morën përsipër t’i zgjidhnin konfliktet me anë të negociatave, ku ishte nevoja me ndihmën e Federatës Ruse dhe Ukrainës si garantues të respektimit të marrëveshjeve të arritura, dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Commonwealth-it të Shteteve të Pavarura (CIS). Memorandumi i vitit 1997 u kundërfirmos nga përfaqësuesit e Shteteve garantuese, pra Z. Yeltsin për Federatën Ruse dhe Z. Leonid Kuchma për Ukrainën, dhe nga Z. Helveg Petersen, Kryetar i OSBE.
25. Në nëntor 1999 OSBE zhvilloi samitin e saj të gjashtë në Stamboll. Gjatë samitit, 54 Shtete Anëtare nënshkruan Kartën për Siguri Evropiane dhe Deklaratën e Samitit të Stambollit, dhe 30 Shtete Anëtare, përfshirë Moldavinë dhe Rusinë, nënshkruan Marrëveshjen për Përshtatjen e Traktatit për Forcat e Armatosura Tradicionale në Evropë (“traktati i përshtatur i CFE”). Traktati i përshtatur i CFE përcaktonte, inter alia, parimin që trupat e huaja nuk duhet të vendoseshin në territorin moldav pa lejen e Moldavisë. Dakordimi i Rusisë për t’u tërhequr nga Transdniestria (një prej “Zotimeve të Stambollit”) u përcaktua në Shtojcën e Aktit Përfundimtar të CFE të përshtatur. Përveç kësaj, Deklarata e Samitit të Stambollit, në paragrafin 19, shënoi, inter alia, zotimin e Federatës Ruse për të tërhequr forcat e saj nga Transdniestria deri në fund të vitit 2002:
“19. Duke kujtuar vendimet e Samiteve të Budapestit dhe Lisbonës dhe Takimin Ministror të Oslos, ne përsërisim shpresat tona për tërheqjen e hershme, të rregullt dhe të plotë të trupave ruse nga Moldavia. Në këtë kontekst, mirëpresim përparimin e arritur së fundi në zhvendosjen dhe shkatërrimin e pajisjeve ushtarake ruse të depozituar në rajonin e Trans-Dniestrias të Moldavisë dhe përfundimin e shkatërrimit të municioneve të patransportueshme.
Ne mirëpresim zotimin nga Federata Ruse për tërheqjen e plotë të trupave ruse nga territori i Moldavisë deri në fund të vitit 2002. Gjithashtu, mirëpresim vullnetin e Republikës së Moldavisë dhe OSBE për ta lehtësuar këtë proces, brenda mundësive përkatëse, deri në afatin e dakorduar.
Kujtojmë që një mision ndërkombëtar vlerësues është gati të dërgohet pa vonesë për të eksploruar zhvendosjen dhe shkatërrimin e municioneve dhe armatimit rus. Me qëllim që të sigurohet procesi i tërheqjes dhe shkatërrimit, ne do të udhëzojmë Këshillin e Përhershëm që të shqyrtojë vazhdimin e mandatit të Misionit të OSBE në Moldavi për sa i përket sigurimit të transparencës në këtë proces dhe koordinimin e ndihmës financiare dhe teknike të ofruar për të lehtësuar tërheqjen dhe shkatërrimin. Më tej, jemi dakord që të marrim në konsideratë ngritjen e një fondi për ndihmë financiare vullnetare ndërkombëtare për t’u administruar nga OSBE.”
Në vitin 2002, gjatë një Konference Ministrore në Lisbonë, Rusisë iu dha edhe një vit afat shtesë për tërheqjen e trupave, deri në fund të dhjetorit 2003.
26. Rusia nuk veproi në përputhje me zotimet e dhëna në Samitin e OSBE në Stamboll dhe në Konferencën Ministrore të Lisbonës për t’u tërhequr ushtarakisht nga Transdniestria para fundit të vitit 2003. Në Këshillin Ministror të OSBE në dhjetor 2003, qe e pamundur të arrihej një qëndrim i përbashkët në lidhje me Transdniestrian, dhe deklarata e publikuar shënonte që:
“Shumica e Ministrave pohuan përpjekjet e bëra nga Federata Ruse për të përmbushur zotimet e marra përsipër në Samitin e OSBE në Stamboll në vitin 1999 për të përfunduar tërheqjen e forcave ruse nga territori i Moldavisë. Ata theksuan përparimin konkret të arritur në vitin 2003 me tërheqjen/asgjësimin e disa municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake që i përkisnin Federatës Ruse. Ata vlerësuan përpjekjet e të gjitha Shteteve pjesëmarrëse të OSBE që kanë kontribuar në Fondin Vullnetar të ngritur për të mbështetur këtë përpjekje. Megjithatë, ata ishin thellësisht të shqetësuar që tërheqja e forcave ruse nuk do të përfundohej deri më 31 dhjetor 2003. Ata theksuan nevojën për përmbushjen e këtij zotimi pa vonesa të mëtejshme.”
Shtetet Anëtare të Organizatës së Traktatit Veriatlantik (NATO) kanë refuzuar të ratifikojnë CFE e përshtatur deri sa Rusia të përmbushë Zotimet e Stambollit.
D. “Memorandumi Kozak”
27. Në vitin 2001, Partia Komuniste fitoi në zgjedhje dhe u bë partia qeverisëse në Moldavi. Presidenti i ri i Moldavisë, Z. Vladimir Voronin, hyri në negociata të drejtpërdrejta me Rusinë lidhur me të ardhmen e Transdniestrias. Në nëntor 2003, Federata Ruse paraqiti një propozim për zgjidhje, “Memorandum mbi Parimet Bazë të Strukturës Shtetërore të Shtetit të Bashkuar” (referuar si “Memorandumi Kozak”, sipas politikanit rus Z. Dimitry Kozak, i cili punoi në të). Memorandumi Kozak propozonte një strukturë të re federale për Moldavinë, sipas së cilës autoritetet e “MRT” do të kishin një shkallë substanciale të autonomisë dhe përfaqësim të garantuar në “legjislaturën federale” të re. Memorandumi Kozak përfshinte dispozita të përkohshme sipas të cilave, deri në vitin 2015, do të kërkohej një shumicë prej tri të katërtash në një dhomë legjislative të dytë të krijuar rishtazi, e përbërë nga katër përfaqësues nga Gaugazia, nëntë nga Transdniestria dhe 13 përfaqësues nga dhoma e parë e legjislaturës së re federale, për të miratuar ligje organike federale. Kjo do t’u jepte përfaqësuesve të “MRT” në dhomën e dytë veto efektive mbi çdo ligj që kishte impakt në të gjithë Moldavinë deri në vitin 2015. Më 25 nëntor 2003, pasi kishte treguar paraprakisht vullnetin e tij për t’i pranuar këto propozime, Z. Voronin vendosi të mos e nënshkruante Memorandumin Kozak.
E. Shtimi i kontrolleve kufitare dhe doganore
28. Në dhjetor 2005, u ngrit një Mision i Bashkimit Evropian për Ndihmë Kufitare për të ndihmuar luftën kundër tregtisë së paligjshme mes Ukrainës dhe Moldavisë. Në mars 2006 Ukraina dhe Moldavia filluan zbatimin e një marrëveshjeje të vitit 2003 sipas së cilës kompanitë e Transdniestrias të përfshira në tregtinë mes dy anëve të kufirit duhet të regjistroheshin në Chişinău në mënyrë që t’u lëshoheshin dokumente që tregonin vendin e origjinës së mallrave, në përputhje me protokollet e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ukraina mori përsipër që të refuzonte të pranonte kalimin nëpër kufirin e saj të mallrave pa dokumente të tilla eksporti.
29. Në atë që u pa si përgjigje ndaj këtyre masave të reja doganore, përfaqësuesit e Transdniestrias refuzuan të vazhdonin me bisedimet 5+2. Më tej, në shkurt dhe mars 2005, “në përgjigje të vazhdës së veprimeve të ndërmarra nga qeveria moldave që synonin përkeqësimin e situatës rreth Transdniestrias”, Duma ruse miratoi rezoluta ku i kërkohej qeverisë ruse të vendoste sanksione mbi produktet alkoolike dhe duhanin nga Moldavia; të eksportonte energji në Moldavi (përveç Transdniestrias) me tarifa ndërkombëtare; dhe të kërkonte viza për shtetasit moldavë që vizitonin Rusinë, përveç banorëve të Transdniestrias.
30. Në prill 2005, autoritetet ruse ndaluan importin e produkteve të mishit, frutave dhe perimeve nga Moldavia, me arsyetimin që prodhimi i këtyre produkteve nuk ishte në përputhje me standardet higjienike vendase. Mes marsit 2006 dhe nëntorit 2007 u ndalua importimi i verës moldave. Fondi Monetar Ndërkombëtar gjeti që këto masa patën efekt negativ të kombinuar mbi rritjen ekonomike të Moldavisë në masën 2-3% në vit për 2006-2007.
31. Në janarin e vitit 2005 Z. Viktor Yushchenko u zgjodh President i Ukrainës. Në maj 2005 qeveria ukrainase propozoi një zgjidhje për konfliktin e Transdniestrias, “Drejt një Zgjidhjeje përmes Demokratizimit” (e përmbledhur në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: shih paragrafin 64 poshtë). Në korrik 2005, duke cituar planin ukrainas, Parlamenti i Moldavisë miratoi një ligj, “Mbi Parimet Bazë të Statusit të Posaçëm Ligjor të Transdniestrias”. Në tetor 2005 rifilluan negociatat zyrtare ku Bashkimi Evropian (“BE”) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës merrnin pjesë si vëzhgues (referuar si “bisedimet 5+2”).
F. Pajisjet dhe personeli ushtarak rus në Transdniestria
32. Më 20 mars 1998, në Odessa u nënshkrua një marrëveshje lidhur me asetet ushtarake të ROG mes Z. Viktor Chernomyrdin, Kryeministër i Federatës Ruse, dhe Z. Smirnov, “President i MRT”. Sipas afateve në shtojcën e marrëveshjes, tërheqja dhe asgjësimi i disa stoqeve, që duheshin hequr me anë të shpërthimit ose një procesi mekanik, duhet të përfundohej deri më 31 dhjetor 2001. Tërheqja (transferimi dhe asgjësimi) i municioneve të tepërta dhe personelit e pajisjeve të tjera ruse që nuk ishin pjesë e forcave paqeruajtëse planifikohej të ndodhte deri më 31 dhjetor 2002, më së voni. Disa ngarkesa trenash me pajisje ushtarake ruse u larguan nga Transdniestria mes viteve 1999 dhe 2002.
33. Në tetor 2001 Federata Ruse dhe “MRT” nënshkruan një marrëveshje tjetër me forcat ruse. Sipas asaj marrëveshjeje, në kompensim të tërheqjes së pajisjeve ushtarake ruse të vendosura në Transdniestria, “MRT” i garantohej një reduktim prej njëqind milionë dollarësh amerikanë (USD) të borxhit të saj për gazin natyror të importuar nga Federata Ruse, dhe transferimi drejt saj nga ushtria ruse i një pjese të pajisjeve të kësaj të fundit që mund të vihej në përdorim për qëllime civile.
34. Sipas një kumtese për shtyp nga OSBE, më 24 dhjetor 2002 autoritetet ruse hoqën nga Colbaşna 29 vagonë hekurudhorë të ngarkuar me pajisje për ndërtimin e urave dhe kuzhina portative të terrenit. E njëjta kumtesë citoi një deklaratë të dhënë nga një komandant i ROG, Gjenerali Boris Sergeyev, që tërheqjet e fundit ishin bërë të mundura me anë të një marrëveshjeje me Transdniestrian sipas së cilës “MRT” do të merrte gjysmën e pajisjeve jo-ushtarake të tërhequra. Gjenerali Sergeyev citoi shembullin e tërheqjes më 16 dhjetor 2002 të 77 kamionëve që ishte pasuar nga transferimi i 77 kamionëve ushtarakë rusë për në Transdniestria.
35. Sipas provave të dëgjuara nga Gjykata në çështjen Ilaşcu, në vitin 2003 të paktën 200.000 tonë armë dhe municione ruse mbeteshin në Transdniestria, kryesisht në Colbaşna, së bashku me 106 tanke luftarake, 42 automjete të blinduara, 109 kamionë të blinduar për transportimin e personelit ushtarak, 54 automjete të blinduara për rekonjicion, 123 topa dhe mortaja, 206 armë anti-tank, 226 armë anti-ajrore, nëntë helikopterë dhe 1.648 automjete të llojeve të ndryshme (shih vendimin Ilaşcu, cituar lart, § 131). Në vitin 2003, OSBE vëzhgoi dhe verifikoi tërheqjen nga Transdniestria të 11 trenave me pajisje ushtarake ruse dhe 31 trenave të ngarkuar me më shumë se 15,000 tonë municione. Megjithatë, një vit më pas, në vitin 2004, OSBE raportoi që ishte lëvizur vetëm një tren që përmbante afërsisht 1,000 tonë municione.
36. Që nga viti 2004 nuk ka pasur tërheqje të verifikuara të armëve apo pajisjeve ruse nga Transdniestria. Gjykata gjeti në çështjen Ilaşcu që, në fund të vitit 2004, rreth 21.000 tonë municione kishin mbetur ende, bashkë me më shumë se 40.000 armë të vogla dhe armatime të lehta dhe rreth dhjetë ngarkesa treni me pajisje të ndryshme ushtarake. Në nëntor 2006, një delegacion i OSBE u lejua të hynte në magazinat e municioneve dhe raportoi që mbi 21.000 tonë municione mbeteshin ende të depozituara aty (shih paragrafin 68 poshtë). Komandanti i ROG raportoi në maj 2005 që një stok shtesë prej 40.000 armësh të vogla dhe armatimesh të lehta ishin shkatërruar, por asnjë vëzhgues i pavarur nuk u lejua t’i verifikonte këto pohime. Në vëzhgimet e saj në rastin konkret, qeveria ruse deklaroi që shumica e armëve, municioneve dhe pasurisë ushtarake ishin zhvendosur mes viteve 1991 dhe 2003 dhe se ato që kishin mbetur në depo ishin bomba, granata dore, bomba-mortajë dhe municione për armë të vogla.
37. Palët në çështjen në fjalë ishin dakord që afro 1.000 punonjës rusë ishin vendosur në Transdniestria për të ruajtur depon e armëve. Përveç kësaj, palët ishin dakord që kishte rreth 1.125 ushtarë rusë të vendosur në Zonën e Sigurisë si pjesë e një force paqeruajtëse të miratuar ndërkombëtarisht. Zona e Sigurisë ishte 225 km e gjatë dhe 12-20 km e gjerë.
G. Mbështetja e pretenduar ekonomike dhe politike ruse për “MRT”
38. Përsëri, duhet thënë që qeveria ruse e kontestoi që ngjarjet në Transdniestria para krizës së shkollave nuk kishin lidhje me çështjet në rastin konkret.
39. Në vendimin Ilaşcu Gjykata e gjeti të pakontestuar faktin që industria e armëve, e cila ishte një prej shtyllave të ekonomisë së Transdniestrias, mbështetej drejtpërdrejt nga firmat ruse përfshirë kompanitë Rosvoorouzhenie (Росвооружение) dhe Elektrommash. Firma ruse Iterra kishte blerë sipërmarrjen më të madhe në Transdniestria, sistemin e inxhinierisë Râbniţa, pavarësisht nga kundërshtimet e autoriteteve moldave. Përveç kësaj, ushtria ruse ishte punëdhënëse dhe blerëse e madhe e furnizimeve në Transdniestria.
40. Sipas kërkuesve në çështjen në fjalë, Rusia kishte 18% të eksporteve të “MRT” dhe 43.7% të importeve të saj, kryesisht energji. “MRT” kishte paguar më pak se 5% të gazit natyror që kishte konsumuar. Për shembull, në vitin 2011 Transdniestria kishte konsumuar 505 milionë dollarë amerikanë gaz natyror, por kishte paguar vetëm për 4% (20 milionë dollarë amerikanë). Qeveria ruse shpjegoi që meqenëse “MRT” nuk ishte njohur si njësi e ndarë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, ajo nuk mund të kishte borxhet e saj sovrane dhe Rusia nuk zbatonte furnizim me gaz natyror të ndarë për Moldavinë dhe Transdniestrian. Fatura për furnizimin me gaz të Transdniestrias pra i shkonte Moldavisë. Furnizimi me gaz në rajon organizohej përmes korporatës publike ruse Gazprom dhe kompanisë aksionare Moldovagaz, e cila ishte në pronësi të përbashkët të Moldavisë dhe “MRT”. Borxhi i Moldovagaz ndaj Rusisë ishte mbi 1.8 miliardë dollarë amerikanë, prej të cilave 1.5 miliardë dollarë ishin shpenzime të gazit të shfrytëzuar në Transdniestria. Gazprom nuk mund të refuzonte të furnizonte rajonin me gaz natyror, meqenëse asaj i duheshin tubacionet gazsjellëse që kalonin përmes Moldavisë për të furnizuar shtetet e Ballkanit.
41. Më tej kërkuesit pretenduan që Rusia i kishte ofruar ndihmë humanitare Transdniestrias, kryesisht në formën e kontributeve pensionale për moshat e vjetra. Kërkuesit pretenduan se burime zyrtare të Rusisë kishin deklaruar që mes viteve 2007 dhe 2010 vëllimi total i ndihmës financiare në Transdniestria ishte 55 milionë dollarë amerikanë. Qeveria moldave deklaroi që në vitin 2011 “MRT” kishte marrë ndihmë financiare nga Rusia në vlerë gjithsej 20.64 milionë dollarë. Qeveria ruse deklaroi që shuma e ndihmës dhënë shtetasve rusë që jetonin në rajon për qëllime humanitare, siç janë pagesa e pensioneve dhe ndihmat në kujdesin e ofruar në shkolla, burgje dhe spitale ishte krejtësisht transparente dhe mund të krahasohej me ndihmën humanitare të ofruar nga Bashkimi Evropian. Përveç ofrimit të ndihmave për popullsinë që jetonte në Transdniestria, Rusia ofronte ndihmë edhe për ata që jetonin në pjesë të ndryshme të Moldavisë.
42. Më tej, kërkuesit pretenduan që rreth 120.000 individëve që jetonin në Transdniestria u ishte dhënë shtetësia ruse. Këtu përfshiheshin shumë prej udhëheqësve të “MRT”. Gjykata konsideron që kjo duhet të vihet në kontekstin e gjetjeve të një censusi të zhvilluar në vitin 2004 nga “Qeveria e MRT”, i cili gjeti në zonën e tyre të kontrollit një popullsi prej 555.347 banorësh, rreth 32% e të cilëve vinin nga komuniteti moldav, 30% ishin rusë dhe 29% ishin ukrainas, me përqindje të vogla të grupeve të tjera kombëtare dhe etnike.
H. Kriza e shkollave dhe faktet lidhur me çështjet e kërkuesve
43. Sipas nenit 12 të “Kushtetutës” së MRT, gjuhët zyrtare brenda MRT janë gjuha “moldaviane”, gjuha ruse dhe gjuha ukrainase. Neni 6 i “Ligjit mbi gjuhët në MRT”, i cili u miratua më 8 shtator 1992, deklaron që, për të gjitha qëllimet, gjuha “moldaviane” do të shkruhet me alfabet cirilik. Më tej ligji parashikon që përdorimi i mëtejshëm i lafabetit latin mund të përbënte shkelje dhe neni 200-3 i “Kodit të Veprave Administrative të MRT”, i miratuar më 19 korrik 2002, deklaron:
“Mos-përdorimi nga persona në poste publike dhe persona të tjerë në administratën shtetërore dhe në ekzekutiv, në shoqata publike, si dhe në organizata të tjera, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor apo forma e pronësisë, dhe në njësi/entitete të tjera, të vendosura në territorin e MRT, i legjislacionit mbi funksionimin e gjuhëve në territorin e MRT ... nënkupton përgjegjësi në formën e një gjobe e cila mund të shkojë deri në 50 (pesëdhjetë) rroga minimale.”
44. Më 18 gusht 1994 autoritetet e “MRT” e ndaluan përdorimin e shkrimit latin në shkolla. Me anë të një vendimi të datës 21 maj 1999, “MRT” urdhëroi që të gjitha shkollat që u përkisnin “shteteve të huaja” dhe funksiononin në territorin “e saj” duhet të regjistroheshin tek autoritetet e “MRT”, dhe nëse nuk vepronin kështu ato nuk do të njiheshin dhe do të privoheshin nga të drejtat e tyre.
45. Më 14 korrik 2004 autoritetet e “MRT” filluan të merrnin hapa për mbylljen e të gjitha shkollave që përdornin shkrimin latin. Në datën e miratimit të vendimit të pranueshmërisë, në Transdniestria kishin mbetur vetëm gjashtë shkolla që përdornin gjuhën moldave/rumune dhe shkrimin latin.
1. Catan dhe të Tjerë (kërkesa nr. 43370/04)
46. Kërkuesit janë 18 fëmijë të cilët vijonin mësimin në Shkollën Evrica në Rîbniţa gjatë periudhës në fjalë dhe 13 prindër (shih shtojcën e këtij vendimi).
47. Që nga viti 1997 Shkolla Evrica ka shfrytëzuar ambientet e vendosura në Rrugën Gagarin të ndërtuara me fondet publike të Moldavisë. Shkolla ishte e regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit të Moldavisë dhe përdorte shkrimin latin dhe një program mësimor (kurrikulum) të miratuar nga ajo Ministri.
48. Pas “vendimit të MRT” më 21 maj 1999 (shih paragrafin 44 lart), Shkolla Evrica refuzoi të regjistrohej, meqenëse regjistrimi nënkuptonte që ajo duhet të përdorte shkrimin cirilik dhe kurrikulumin e hartuar nga regjimi i “MRT”. Më 26 shkurt 2004 objekti shkollor u transferua nga autoritetet e “MRT” tek “Departamenti i Arsimit të Rîbniţa”. Në korrik 2004, pas mbylljes së disa shkollave që përdornin shkrimin latin në “MRT”, nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Shkollës Evrica morën përsipër të ruanin shkollën ditë e natë. Më 29 korrik 2004 policia e Transdniestrias hyri me furi në shkollë dhe dëboi gratë dhe fëmijët që ndodheshin brenda. Gjatë ditëve në vijim policia dhe zyrtarët vendas nga “Departamenti i Arsimit i Rîbniţa” i vizituan prindërit e fëmijëve të regjistruar në shkollë duke u kërkuar t’i tërhiqnin fëmijët nga shkolla dhe t’i vendosnin në një shkollë të regjistruar në regjimin e “MRT”. Pretendohet se prindërve iu tha që nëse nuk vepronin kështu ata do të hiqeshin nga puna dhe madje do të privoheshin nga të drejtat e tyre prindërore. Si rezultat i këtij presioni, shumë prindër i transferuan fëmijët e tyre në një shkollë tjetër.
49. Më 29 shtator 2004, dhe pas ndërhyrjes së Misionit të OSBE në Moldavi, shkolla u regjistrua në “Dhomën e Regjistrimit të Tiraspolit” si institucion i huaj i arsimit privat, por nuk mundi të rifillonte aktivitetet e saj për shkak të mungesës së ambienteve. Më 2 tetor 2004 regjimi i “MRT” lejoi që shkolla të hapej në një objekt tjetër, i cili më parë kishte qenë kopsht. Objekti u mor me qira nga “MRT” dhe qeveria moldave pagoi për rimodelimin e tij. Kërkesat e vazhdueshme të shkollës për t’u lejuar të kthehej në objektin e vendosur në Rrugën Gagarin, i cili është më i madh dhe më i përshtatshëm, u refuzuan mbi bazën e faktit që objekti po përdorej nga shkollë tjetër. Kërkuesit pretendojnë që ambientet e marra me qira janë të papërshtatshme për një shkollë të ciklit të mesëm të ulët sepse ndriçimi, korridoret dhe klasat nuk ishin rregulluar plotësisht dhe nuk kishte laboratorë apo ambiente sportive. Shkolla administrohet nga Ministria e Arsimit të Moldavisë, e cila paguan rrogat e mësuesve dhe siguron materialet mësimore. Aty përdoret alfabeti latin dhe kurrikulumi moldav.
50. Kërkuesit paraqitën disa peticione dhe ankesa tek autoritetet e Federatës Ruse. Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse u përgjigj duke dhënë pohime të përgjithshme lidhur me përshkallëzimin e konfliktit rreth shkollave ku përdoret gjuha moldave/rumune në Transdniestria. Me deklaratën që problemi kryesor ishte konflikti i vazhdueshëm mes Moldavisë dhe “MRT”, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë e tërhoqi vëmendjen nga Moldavia dhe “MRT” drejt faktit që përdorimi i forcës për të zgjidhur konfliktin mund të rrezikonte sigurinë në rajon dhe nxiti përdorimin e formave të ndryshme të negociatave për të zgjidhur konfliktin. Kërkuesit gjithashtu u ankuan në lidhje me situatën e tyre edhe tek autoritetet moldave.
51. Shkolla u bë shënjestër e një fushate sistematike vandalizmi, duke përfshirë edhe dritare të thyera. Kërkuesit pretendojnë që kjo fushatë filloi në vitin 2004; qeveria moldave pretendon që ajo filloi në vjeshtën e vitit 2007. Më 10 prill 2008 Ministria moldave e Riintegrimit kërkoi ndërhyrjen e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për t’i dhënë fund sulmeve. Gjithashtu, kërkuesit pretendojnë që fëmijët janë frikësuar nga popullsia rusishtfolëse vendase dhe kishin frikë të flisnin moldavisht jashtë shkollës.
52. Më 16 korrik 2008 Ministria e Riintegrimit e Moldavisë kërkoi ndihmën e Misionit të OSBE në Moldavi për transportimin e materialeve mësimore dhe ndërtimore si dhe parave për rrogat e mësuesve përmes “kufirit” me “MRT”.
53. Gjatë vitit akademik 2002-2003 në shkollë kishte 683 nxënës. Gjatë vitit 2008-2009 numri kishte rënë në 345.
2. Caldare dhe të Tjerë (kërkesa nr. 8252/05)
54. Kërkuesit janë 26 fëmijë të cilët vijonin mësimin në Shkollën Alexandru cel Bun në Tighina, Bender, gjatë periudhës në fjalë dhe 17 prindër, (shih shtojcën). Shkolla po përdorte objektin në Rrugën Kosmodemianskaia të ndërtuar me fondet publike moldave për të cilin qiranë e paguanin autoritetet moldave. Shkolla ishte regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit të Moldavisë dhe prandaj përdorte shkrimin latin dhe kurrikulumin e miratuar nga Ministria e Arsimit.
55. Më 4 qershor 2004, “Ministria e Arsimit e MRT” e paralajmëroi shkollën që ajo do të mbyllej nëse nuk regjistrohej pranë autoriteteve të saj, dhe që do të merreshin masa disiplinore kundër drejtorit. Më 18 korrik 2004 shkollës iu ndërpre furnizimi me energji elektrike dhe ujë dhe më 19 korrik 2004 administrata e shkollës u informua që nuk mund ta përdorte më objektin shkollor në Rrugën Kosmodemianskaia. Megjithatë, mësuesit, nxënësit dhe prindërit zaptuan ndërtesën, duke refuzuar të dilnin. Policia e Transdniestrias u përpoq pa sukses ta zinte objektin, dhe përfundimisht e rrethoi ndërtesën. Ata u tërhoqën më 28 korrik 2004. Më 20 shtator 2004, dhe pas negociatave të ndryshme me vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, shkollës iu rikthye energjia elektrike dhe furnizimi me ujë.
56. Regjimi i “MRT” lejoi që shkolla të hapej në shtator 2004, por në një objekt tjetër shkollor, të marrë me qira nga autoritetet e “MRT”. Shkolla për momentin përdor tre objekte shkollore, të vendosura në lagje të ndryshme të qytetit. Ndërtesa qendrore nuk ka mensë, ambiente për shkenca apo sport dhe aty nuk mund të shkohet me transport publik. Qeveria moldave i ka ofruar shkollës një autobus dhe disa kompjuterë. Gjithashtu ajo ka paguar për renovimin e ambienteve sanitare në njërën prej ndërtesave.
57. Kërkuesit kanë paraqitur disa peticione dhe ankesa pranë autoriteteve ruse dhe atyre moldave.
58. Në vitin 2002-2003 në shkollë kishte 1.751 nxënës, kurse në vitin 2008-2009 kishte 901 nxënës.
3. Cercavschi dhe të Tjerë (kërkesa nr. 18454/06)
59. Kërkuesit janë 46 fëmijë që vijonin mësimin në Shkollën Ştefan cel Mare në Grigoriopol gjatë periudhës relevante dhe 50 prindër (shih shtojcën e bashkangjitur).
60. Në vitin 1996, me kërkesë të prindërve dhe fëmijëve të tyre, shkolla e cila përdorte një kurrikulum me alfabet cirilik, paraqiti disa peticione pranë regjimit të “MRT” ku kërkonte të lejohej që të përdorte alfabetin latin. Si rezultat, mes viteve 1996 dhe 2002, “MRT” orkestroi një fushatë armiqësore në shtyp dhe media, frikësime dhe kërcënime nga forcat e sigurisë. Këto masa arritën kulmin më 22 gusht 2002 kur policia e Transdniestrias hyri me furi në shkollë dhe dëboi mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre që ndodheshin brenda. Më 28 gusht 2002 Kryetari i Komitetit të Nxënësve u arrestua dhe u dënua me pesëmbëdhjetë ditë burgim administrativ. Pas këtyre ngjarjeve, 300 nxënës e lanë shkollën.
61. Përballë okupimit të objektit shkollor nga regjimi i “MRT”, Ministria e Arsimit të Moldavisë vendosi që shkolla të transferohej përkohësisht në një ndërtesë në Doroţcaia, një fshat rreth 20 km larg Grigoriopolit i cili është nën kontrollin e Moldavisë. Çdo ditë nxënësit dhe mësuesit dërgoheshin në Doroţcaia me autobusë të siguruar nga qeveria moldave. Ata u nënshtroheshin kontrollit të çantave dhe kontrollit të identitetit nga autoritetet e “MRT” dhe gjithashtu, siç pretendohet, ngacmimeve si pështyrjes dhe abuzimeve verbale.
62. Përfaqësuesit e shkollës paraqitën një sërë peticionesh dhe ankesash lidhur me këtë situatë tek OSBE, Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe pranë autoriteteve ruse dhe atyre moldave. Autoritetet ruse u përgjigjën duke nxitur si Moldavinë ashtu edhe “MRT” që të përdornin negociata të ndryshme për ta zgjidhur konfliktin. Autoritetet moldave i informuan kërkuesit që ato nuk mund të bënin më asgjë për t’i ndihmuar.
63. Në vitin shkollor 2000-2001 në shkollë kishte 709 nxënës, ndërsa në vitin 2008-2009 kishte 169 nxënës.
II. RAPORTET E ORGANIZATAVE NDËR-QEVERITARE DHE JO-QEVERITARE
A. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës
64. Më 16 shtator 2005 Komiteti për Respektimin e Detyrimeve dhe Zotimeve nga Shtetet Anëtare i Këshillit të Evropës (Komiteti Monitorues) i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) lëshoi një raport lidhur me “Funksionimi i institucioneve demokratike në Moldavi”. Në pjesën kushtuar Transdniestrias thuhet si vijon:
“31. Ka pasur zhvillime të rëndësishme gjatë muajve të fundit, të cilat Asambleja duhet t’i ndjekë nga afër dhe t’i shoqërojë në mënyrën më të mirë të mundur.
32. Pas kontakteve intensive diplomatike mes Moldavisë dhe Ukrainës, në Samitin e GUAM në Chisinau më 22 prill, Presidenti i Ukrainës Yushchenko shpalli një iniciative me 7 pika për zgjidhjen e çështjes së Transnistrias. ...
Synimi kryesor i këtij plani të ri është arritja e një zgjidhjeje afatgjatë përmes demokratizimit të Transnistrias. Kjo do të përfshinte:
– krijimin e kushteve për zhvillimin e demokracisë, shoqërisë civile, dhe një sistemi shumëpartiak në Transdniestria;
– mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Sovjetin Suprem të Transnistrias, të monitoruara nga Bashkimi Evropian, OSBE, Këshilli i Evropës, Rusia, Shtetet e Bashkuara, dhe vende të tjera demokratike përfshirë Ukrainën;
– transformimin e formatit ekzistues të operacionit paqeruajtës drejt një misioni ndërkombëtar vëzhguesish ushtarakë dhe civilë nën ombrellën e OSBE dhe zgjerimin e numrit të vëzhguesve ushtarakë ukrainas në rajon;
– pranimin nga autoritetet e Transnistrias të një misioni monitorues ndërkombëtar, ku përfshihen ekspertët ukrainas, në repartet ushtarako-industriale në rajonin e Transdniestrias;
– një mision afatshkurtër të OSBE në Ukrainë për të verifikuar lëvizjet e mallrave dhe njerëzve përmes kufirit ukraino-moldav.
33. Teksti i plotë i planit të Ukrainës u prezantua më 16-17 maj në një takim të përfaqësuesve të negociatorëve dhe Moldavisë dhe Transnistrias në Vinnitsa, Ukrainë, pasi Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Ukrainës, Pyotr Poroshenko, dhe ndihmësi i Presidentit të Moldavisë, Mark Tkachuk, kishin zhvilluar ‘diplomaci shëtitëse’ për pothuaj një muaj.
34. Reagimet ishin të ndryshme por pozitive me maturi.
35. Më 10 qershor Parlamenti i Moldavisë miratoi një ‘Deklaratë mbi iniciativën ukrainase të zgjidhjes së konfliktit të Transnistrias’ si dhe dy apele, mbi demilitarizimin dhe mbi promovimin e kritereve të demokratizimit të rajonit të Transnistrias të Republikës së Moldavisë ....
36. Deklarata mirëpriti iniciativën e Presidentit Yushchenko, duke shpresuar që ai do të bëhej ‘faktor madhor në arritjen nga Moldavia të unitetit të saj territorial dhe civil’. Megjithatë Parlamenti shprehu keqardhje që iniciativa ukrainase nuk pasqyronte disa parime të rëndësishme të marrëveshjes, pikësëpari tërheqjen e trupave ruse; demilitarizimin; parimet dhe kushtet e demokratizimit të rajonit dhe vendosjen e një kontrolli ligjor dhe transparent mbi segmentin e Transnistrias të kufirit moldavo-ukrainas. Në këtë aspekt kërkoheshin përpjekje të shtuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe Ukraina.
37. Parlamenti gjithashtu kritikoi disa dispozita të cilat mund të ‘shkelnin sovranitetin e Republikës së Moldavisë’, si bashkë-pjesëmarrja e Transnistrias në zhvillimin e politikës së jashtme të Republikës së Moldavisë dhe propozimi për të krijuar të ashtuquajturin komitet të pajtimit. Parlamenti nguli këmbë për zgjidhjen e konfliktit në kuadër të Kushtetutës Moldave përmes dialogut me një udhëheqësi të re të Transdniestrias të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kështu, ka disa mospërputhje mes iniciativës ukrainase dhe qasjes për zbatimin e saj të zgjedhur nga Moldavia.
38. Ndërmjetësit në konfliktin e Transnistrias (OSBE, Rusia dhe Ukraina) deklaruan që plani ofronte një nxitje konkrete drejt arritjes së një zgjidhjeje. Në të gjitha takimet e tyre të fundit ishte kërkuar rifillimi i dialogut të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm për zgjidhjen e konfliktit.
39. Pozicioni i Rusisë është më delikat. Është e qartë se përmes ushtrisë dhe pranisë ekonomike të saj dhe falë lidhjeve të forta kulturore dhe gjuhësore me Transnistrian, Rusia do të donte të mbante ndikimin e saj të fuqishëm mbi atë territor. Shtypi raportoi kohët e fundit ekzistencën e një ‘Plani i veprimit mbi ruajtjen e ndikimit rus në Republikën e Moldavisë’, hollësitë e të cilit mbahen të fshehta. Rusia është ende shumë e lidhur me të ashtuquajturin ‘Memorandum Kozak’ të vitit 2003, i cili i propozonte Moldavisë një zgjidhje federale. Moldavia gati e kishte pranuar këtë plan; ajo refuzoi ta nënshkruante në momentin e fundit, siç supozohet nën ndikimin perëndimor.
40. Gjatë muajve të fundit ka pasur shenja tensionesh. Për shembull, më 18 shkurt Duma Shtetërore e Federatës Ruse miratoi me shumicë të gjerë një rezolutë që i kërkonte qeverisë ruse vendosjen e disa sanksioneve ekonomike dhe të tjera ndaj Moldavisë, me përjashtim të Transnistrias, nëse autoritetet moldave nuk e ndryshonin ‘bllokadën e tyre ekonomike ndaj Transnistrias’. Sanksionet përfshinin ndalimin e importit të alkoolit dhe duhanit nga Moldavia, çmime ndërkombëtare për eksportin e gazit natyror të Rusisë drejt Moldavisë dhe viza për moldavët që vizitojnë Rusinë.
41. Të dy apelet e miratuara nga Parlamenti moldav i kërkonin Këshillit të Evropës mbështetje dhe, në kuadër të demokratizimit të Transnistrias, për t’u angazhuar drejtpërdrejt në proces. Gjatë vizitës sonë në Chisinau bashkëbiseduesit tonë e theksuan në mënyrë të përsëritur rëndësinë që i vinin ekspertizës dhe eksperiencës së organizatës sonë në këtë aspekt. Dokumentet e miratuara nga Parlamenti i Moldavisë i ishin paraqitur zyrtarisht nga Kryetari i Parlamentit Komisionit Monitorues ‘për shqyrtim në kuadër të ushtrimit të monitorimit nga Moldavia’ dhe për ‘analizë, komente dhe rekomandime, si dhe për idetë e Asamblesë Parlamentare që mund të kontribonte në demokratizimin e rajonit të Transnistrias dhe zgjidhjen përfundimtare të konfliktit’.
42. Në shikim të parë, plani duhet të ndiqej prej afër nga Këshilli i Evropës, si organizata kryesore në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Prandaj Komisioni na ka besuar ne përgjegjësinë për të vizituar Kievin, Moskën, Bukureshtin dhe Brukselin për t’u takuar me personalitetet kryesore përgjegjëse për planin ukrainas dhe për t’u njohur me të gjitha detajet e tij. Mbi bazën e këtij informacioni ne do të bëjmë propozime specifike për Asamblenë që të luajë një rol efektiv në zbatimin e planit.
43. Mbeten disa çështje rreth zbatimit të planit të Ukrainës dhe kushteve të caktuara nga Parlamenti i Moldavisë. Megjithatë, duke pasur parasysh të gjitha përpjekjet e dështuara diplomatike, ai ka një avantazh të fuqishëm. Ai kombinon përpjekjet diplomatike me masat specifike për demokratizim, në Transnistria por edhe në Moldavi, çka duhet të shërbejë si shembull. Gjithashtu iniciativa vjen në momentin e duhur, meqenëse koincidon me përpjekjet madhore për demokratizimin dhe integrimin evropian të tërë rajonit.
44. Jo vetëm Moldavia, integriteti territorial dhe sovraniteti i së cilës janë shkelur, por edhe Evropa si e tërë nuk mund të lejojnë më të kenë ‘një vrimë të zezë’ të tillë në territorin e vet. Transnistria është qendër e të gjitha llojeve të tregtisë së paligjshme, pikësëpari e trafikimit të armëve dhe të gjitha formave të kontrabandës. Jeta politike vazhdon të jetë e dominuar nga policia sekrete; liritë dhe të drejtat themelore janë të kufizuara.
45. Një prej elementeve më të vështira duket të jetë mundësia e organizimit të zgjedhjeve demokratike në Transnistria. Për ta arritur këtë rajoni duhet të ketë parti politike që funksionojnë të lira, media dhe shoqëri civile. Zgjedhjet lokale të 27 marsit në Transnistria (për zgjedhjen e këshillave të fshatrave, vendbanimeve, qyteteve, si dhe kryetarët e fshatrave dhe vendbanimeve) treguan që mungon një opozitë vërtet e fortë. Në këtë kuadër, këto zgjedhje u konsideruan si test për zgjedhjet e caktuara në dhjetor 2005 për Sovjetin Suprem të Transnistrias.
46. Megjithatë, ka disa zhvillime interesante, posaçërisht në lidhje me një grup anëtarësh të Sovjetit Suprem të udhëhequr nga Zv/Kryetari i Parlamentit Evgeny Shevchuk.[1] Më 29 prill ky grup filloi disa projekt-ndryshime ambicioze në ‘kushtetutën’ e Transnistrias që synonin fuqizimin e rolit të këtij ‘parlamenti’ karshi ‘presidentit’ dhe ekzekutivit – për shembull duke i dhënë atij të drejtën për votën e mosbesimit në lidhje me ‘ministrat’ dhe zyrtarë të tjerë të miratuar nga ‘presidenti’, ose të drejtën për të kontrolluar punën dhe shpenzimet e ekzekutivit. Disa ndryshime të tjera më modeste, si dhe një projektligj mbi administratën lokale, që parashikonin që kryetarët e raionit [rrethit] dhe zyrtarët bashkiakë duhet të zgjidheshin nga këshillat me vota të fshehta, u miratuan më 18 maj në leximin e parë. Z. Shevchuk po ashtu po promovon një iniciativë legjislative për të transformuar ‘TV PMR’ rajonale zyrtare në një institucion transmetues publik.
47. Më 22 qershor Sovjeti Suprem rekomandoi që ‘presidenti’ Smirnov të shkarkonte ‘ministrin’ e drejtësisë Victor Balala. Balala, i cili është një nga aleatët më të afërt të ‘presidentit’, kohët e fundit vendosi të transferonte regjistrimin e funksioneve nga ‘ministria’ e tij tek një ‘dhomë ekspertësh’ pothuaj-komerciale.
48. Më 22 korrik Parlamenti moldav miratoi në dy lexime Ligjin mbi Dispozitat Kryesore të një Statusi Ligjor Special për Zonat e Populluara në Bregun Lindor të Dniester (Transnistria). Ligji vendosi një njësi territoriale autonome e cila është pjesë e pandashme e Moldavisë dhe – brenda pushtetit absolut të vendosur sipas Kushtetutës dhe legjislacionit të Moldavisë – vendos mbi çështje brenda juridiksionit të vet. Ligji parashikon që lokalitetet e populluara në bregun lindor të Dniester mund të bashkohen me Transnistrian ose të ndahen prej saj mbi bazën e referendumeve lokale dhe në përputhje me legjislacionin moldav.”
65. Në vijim të këtij raporti, PACE miratoi një rezolutë ku vendoste, inter alia, që:
“10. Asambleja mirëpret rifillimin e negociatave pas iniciativës optimiste të Ukrainës për zgjidhjen e konfliktit të Transnistrias duke i dhënë përparësi demokratizimit. Ajo shpreson që formati aktual pesë-anëtarësh, përfshirë Moldavinë, rajonin e Transnistrias, Rusinë, Ukrainën dhe OSBE, do të zgjerohet duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës. Ajo thekson nevojën për mbikqyrje efektive të kufirit mes Moldavisë dhe Ukrainës, stoqet e armëve dhe prodhimin në fabrikat e armatimit. Duke pasur parasysh ekspertizën e tyre të akumuluar, Asambleja dëshiron që raportuesit e saj të jenë në rrjedha të të gjitha këtyre zhvillimeve.
11. Çdo zgjidhje e konfliktit të Transnistrias duhet të bazohet mbi parimin e padhunueshëm të respektit të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë. Në përputhje me sundimin e ligjit, çdo zgjidhje duhet të jetë në pajtim me vullnetin e popullit dhe duhet të shprehet në zgjedhje plotësisht të lira dhe demokratike të zhvilluara nga autoritete të njohura ndërkombëtarisht.”
B. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)
66. Në Raportin e saj Vjetor për vitin 2004, OSBE i referohej ngjarjeve në Transdniestria si vijon:
“...Sidoqoftë, ngjarja më përçarëse ishte vendimi i Transdniestrias nga mesi i korrikut për të mbyllur shkollat moldave në territorin e Transdniestrias ku mësimi zhvillohet me shkrim latin. Si përgjigje, ana moldave pezulloi pjesëmarrjen e saj në negociatat pesë-palëshe për zgjidhjen politike.
Së bashku me bashkë-ndërmjetësit nga Federata Ruse dhe Ukraina, Misioni bëri përpjekje të jashtëzakonshme nga mesi i korrikut deri nga mesi i vjeshtës për të zbutur krizën e shkollave dhe për të gjetur dhe konkretizuar një zgjidhje. Gjithashtu, Misioni u përpoq të zbuste tensionet mes palëve lidhur me lirinë e lëvizjes, tokave bujqësore dhe hekurudhave.”
Në vitin 2004 OSBE po ashtu vërejti që:
“Vetëm një tren që përmbante afro 1.000 tonë municione është hequr nga depot e Grupit Operativ të Forcave Ruse në Transdniestria në vitin 2004. Rreth 21.000 tonë kubikë municione mbeten për t’u hequr, bashkë me më shumë se 40.000 armë të vogla dhe armatim të lehtë dhe rreth dhjetë ngarkesa treni me pajisje të ndryshme ushtarake. Misioni ka vazhduar të koordinojë ndihmën teknike dhe financiare për Federatën Ruse rreth këtyre aktiviteteve.”
67. Raporti Vjetor për vitin 2005 deklaronte:
“Misioni i ka përqendruar përpjekjet e tij në rifillimin e negociatave për zgjidhje politike, të ngrira që nga vera e vitit 2004. Ndërmjetësit nga Federata Ruse, Ukraina dhe OSBE kanë zhvilluar konsultime me përfaqësues nga Chisinau dhe Tiraspol në janar, maj dhe shtator. Në takimin e majit, Ukraina prezantoi planin e zgjidhjes të Presidenit Victor Yushchenko, Drejt Zgjidhjes përmes Demokratizimit. Kjo iniciativë parashikon demokratizimin e rajonit të Transdniestrias përmes zgjedhjeve të zhvilluara brenda për brenda për organet legjislative rajonale, bashkë me hapat për promovimin e demilitarizimit, transparencë dhe besim të shtuar.
Në korrik, Parlamenti i Moldavisë, duke cituar Planin Ukrainas, miratoi një ligj Mbi Parimet Kryesore të një Statusi Ligjor Special të Transdniestrias. Gjatë konsultimeve në shtator në Odessa, Chisinau dhe Tiraspol ranë dakord që të ftonin BE dhe SHBA për të marrë pjesë si vëzhgues në negociata. Negociatat formale rifilluan në një format të zgjeruar në tetor pas një ndërprerjeje 15-mujore dhe vazhduan në dhjetor pas Këshillit Ministror në Lubljanë. Më 15 dhjetor, Presidentët e Ukrainës dhe Federatës Ruse, Victor Yushchenko dhe Vladimir Putin, lëshuan një Deklaratë të Përbashkët ku mirëprisnin rifillimin e negociatave për zgjidhjen e konfliktit të Transdniestrias.
Në shtator, Presidentët Voronin dhe Yushchenko së bashku i kërkuan Kryetarit të OSBE të merrte në konsideratë dërgimin e një Misioni Vlerësues Ndërkombëtar (IAM) për të analizuar situatën demokratike në Transdniestria dhe hapat e nevojshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në rajon. Paralelisht, Misioni i OSBE zhvilloi konsultime dhe analiza teknike rreth kërkesave themelore për zgjedhje demokratike në rajonin e Transdniestrias, siç propozohej në Planin Yushchenko. Në negociatat e tetorit, Kryesisë së OSBE iu kërkua të vazhdonte negociatat rreth mundësisë së organizimit të një IAM për rajonin e Transdniestrias.
Së bashku me ekspertët ushtarakë nga Federata Ruse dhe Ukraina, Misioni i OSBE përfundoi hartimin e një pakete të propozuar të masave që synonin ndërtimin e besimit dhe sigurisë, e cila u prezantua nga tre ndërmjetësit në korrik. Më pas Misioni filloi konsultimet mbi paketën me përfaqësuesit e Chisinau dhe Tiraspol. Negociatat e tetorit mirëpritën përparimin e mundshëm të rritjes së transparencës përmes shkëmbimit të ndërsjellë të të dhënave ushtarake, siç parashikohej në elementet e kësaj pakete.”
Lidhur me çështjen e tërheqjes ushtarake ruse, OSBE vërejti:
“Nuk ka pasur tërheqje të armëve dhe pajisjeve ruse nga rajoni i Transnistrias gjatë vitit 2005. Afro 20.000 tonë kubikë municione mbetet të hiqen. Komandanti i Grupit Operativ të Forcave Ruse raportoi në maj që stoqe shtesë prej 40.000 mijë armëve të vogla dhe armatimi të lehtë të depozituara nga forcat ruse në rajonin e Transdniestrias janë shkatërruar. OSBE-së nuk i është lejuar qasje për verifikimin e këtyre pohimeve.”
68. Në vitin 2006, OSBE raportoi si vijon:
“Referendumi i ‘pavarësisë’ i 17 shtatorit dhe zgjedhjet ‘presidenciale’ të 10 dhjetorit në Transnistria – asnjëra e njohur as e monitoruar nga OSBE – kanë formësuar ambientin politik të kësaj pune ...
Për të nxitur bisedimet për zgjidhje, Misioni hartoi në fillim të vitit 2006 dokumente që sugjeronin: një caktim të mundshëm të kufijve mes autoriteteve qendrore dhe rajonale; një mekanizëm për monitorimin e fabrikave në kompleksin ushtarako-industrial të Transnistrias; një plan për shkëmbimin e të dhënave ushtarake; dhe një mision vlerësues për të vlerësuar kushtet dhe për të bërë rekomandime për zgjedhje demokratike në Transnistria. Megjithatë ana e Transnistrias refuzoi të vazhdonte negociatat pas futjes në mars të rregullave të reja doganore për eksportet e Transnistrias, dhe kështu nuk mundi të shënohej përparim përfshirë mbi këto projekte. Përpjekjet për të zhbllokuar këtë ngecje me anë të konsultimeve mes ndërmjetësve (OSBE, Federata Ruse dhe Ukraina) dhe vëzhguesve (Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) në prill, maj dhe nëntor dhe konsultimeve të ndërmjetësve dhe vëzhguesve me secilën prej palëve ndaras ishin të kota. ...
Më 13 nëntor, një grup prej 30 Kryetarëve të Delegacioneve të OSBE, bashkë me anëtarë të Misionit të OSBE u lejuan për herë të parë nga marsi 2004 të hynin në depon e municioneve të Federatës Ruse në Colbaşna, afër kufirit moldavo-ukrainas në Transnistrian veriore. Sidoqoftë, nuk pati tërheqje të municioneve apo pajisjeve ruse nga Transnistria gjatë vitit 2006, dhe më shumë se 21.000 tonë municione mbeteshin të vendosura në rajon ...”
69. Raporti Vjetor për vitin 2007 deklaronte:
“Ndërmjetësit në procesin e zgjidhjes në Transnistria, Federata Ruse, Ukraina dhe OSBE, dhe vëzhguesit, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, janë takuar katër herë. Ndërmjetësit dhe vëzhguesit janë takuar informalisht me palën e Moldavisë dhe palën e Transnistrias një herë, në tetor. Të gjitha takimet janë përqendruar në gjetjen e mënyrave për të rifilluar negociatat zyrtare për zgjidhje, të cilat sidoqoftë nuk kanë arritur të fillojnë. ...
Misioni dëshmoi që nuk kishte tërheqje të municioneve apo pajisjeve ruse gjatë vitit 2007. Fondi Vullnetar ende ka burime të mjaftueshme për të përfunduar detyrat e tërheqjes.”
70. Në vitin 2008 OSBE vërejti:
“Presidenti i Moldavisë Vladimir Voronin dhe udhëheqësi i Transnistrias Igor Smirnov u takuan në prill për herë të parë në shtatë vjet, dhe patën edhe një takim tjetër më 24 dhjetor. Ndërmjetësit nga OSBE, Federata Ruse dhe Ukraina si dhe vëzhguesit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u takuan pesë herë. Takime të palëve me ndërmjetësit dhe vëzhguesit u mbajtën pesë herë. Pavarësisht nga këto dhe përpjekje të tjera të diplomacisë shëtitëse të Misionit, negociatat zyrtare në formatin ‘5+2’ nuk rifilluan. ...
Nuk pati tërheqje të municioneve apo pajisjeve ruse nga rajoni i Transnistrias gjatë vitit 2008. Fondi Vullnetar ka burime të mjaftueshme për të përfunduar detyrat e tërheqjes.”
C. Organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare
71. Në raportin e tij të datës 17 qershor 2004, “Moldavia: Tensionet Rajonale rreth Transdniestrias” (Europe Report nr. 157), Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) gjeti si vijon (pjesë e shkëputur nga Përmbledhja Ekzekutive):
“Mbështetja e Rusisë për Republikën Moldave të Dniestrias (DMR) e vetëshpallur dhe jo e njohur ka penguar zgjidhjen e konfliktit dhe ka frenuar përparimin e Moldavisë drejt integrimit më të gjerë në strukturat politike dhe ekonomike evropiane. Në përpjekjet gjerësisht të njëanshme të kohëve të fundit për zgjidhjen e konfliktit të Transdniestrias, Rusia ka treguar pothuaj një mendësi të Luftës së Ftohtë. Pavarësisht nga retorika inkurajuese mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian (BE) dhe bashkëpunimin ruso-amerikan në zgjidhjen e konflikteve dhe paqeruajtjen brenda Shteteve Rishtaz të Pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik (NIS), duket që zakonet e vjetra nuk harrohen lehtë. Rusia ende nuk ka dëshirë të shohë BE, SHBA apo Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të luajnë rol aktiv në zgjidhjen e konfliktit sepse Moldavia ende shihet nga shumë njerëz në Moskë si sferë ekskluzivisht e interesit gjeopolitik rus.
Nuk ka qenë e vështirë për Rusinë të shfrytëzonte mungesën e stabilitetit politik dhe ekonomik të Moldavisë për interesa të veta. Pavarësisht se i ka pranuar afatet konkrete për tërheqjen e trupave të saj, Rusia ka bërë vazhdimisht hapa prapa duke u përpjekur të impononte një zgjidhje politike që do t’i kishte siguruar, përmes rregullimeve kushtetuese të paekuilibruara, ndikimin e vazhduar rus mbi politikëbërjen e Moldavisë dhe zgjatjen e pranisë së saj ushtarake nën maskën paqeruajtëse. Deri tani ajo nuk është treguar e gatshme të përdorë ndikimin e saj mbi udhëheqësinë e DMR [“MRT”] për të promovuar një qasje drejt zgjidhjes së konfliktit e cila ekuilibron interesat legjitime të të gjitha palëve.
Qarqet ukrainase dhe moldave të biznesit janë të shkathëta në përdorimin e ekonomisë paralele të DMR për qëllime të veta, duke marrë pjesë rregullisht në ri-eksportim dhe praktika të tjera të paligjshme. Disa kanë përdorur ndikimin politik për të ndaluar, vonuar dhe penguar vendime të cilat mund të kishin ushtruar presion mbi udhëheqësinë e DMR për të bërë kompromise. Këto përfshijnë heqjen e rregulloreve të taksave dhe doganës që favorizojnë biznesin e paligjshëm të ri-eksportit, zbatimin e kontrollit efektiv kufitar dhe doganor, dhe mbledhjen e doganës dhe taksave në ‘kufijtë’ e brendshëm.
Me mbështetjen e elitave ekonomike të Rusisë, Ukrainës dhe Moldavisë, udhëheqësia e DMR është bërë më e sigurt. Duke e ditur që njohja ndërkombëtare nuk ka gjasa të jetë e mundur, ajo është përqendruar në ruajtjen e pavarësisë de facto përmes një konfederate të brishtë me Moldavinë. Për fat të keq, udhëheqësit e DMR – duke përfituar nga kontradiktat në sistemet e taksave dhe doganave të Moldavisë dhe DMR – vazhdojnë të nxjerrin përfitime të konsiderueshme nga aktivitetet ekonomike të ligjshme dhe të paligjshme përfshirë ri-eksportin, kontrabandën dhe prodhimin e armëve.
DMR është bërë një aktor i vetdijshëm me interesat dhe strategjitë e veta, me një fushëveprim të kufizuar të manovrimit të pavarur politik por me një rrjet të shtrirë të lidhjeve ekonomike dhe të tjera në Rusi, Moldavi dhe Ukrainë. Megjithatë, ajo mbetet së tepërmi e varur nga mbështetja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe nuk i pëlqen ta vërë veten në një pozicion ku duhet të veprojë në kundërshtim me politikat ruse. Interesat e Rusisë dhe ato të DMR shpesh përkojnë por në disa raste udhëheqësit e DMR kanë arritur të hartojnë dhe zbatojnë strategji për të shmangur presionin rus, për të vonuar negociatat, për të penguar iniciativat ruse, dhe për të minuar politikat ruse duke luajtur me mospajtimet mes bashkë-ndërmjetësve dhe duke kapitalizuar mbi burime alternative të mbështetjes nga jashtë.
Përpjekja më e fundit e Rusisë për të zbatuar një zgjidhje – Memorandumi Kozak në tetor dhe nëntor 2003 – ka treguar që ndikimi i saj, sado depërtues, ka kufizime të qarta. Rusia nuk mund të miratojë një zgjidhje pa mbështetjen e Moldavisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të aktorëve kryesorë siç janë OSBE, BE dhe SHBA. Një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse kërkon një qasje e cila mund të afrojë dallimet mes Rusisë dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë duke pasur parasysh interesat si të qeverisë moldave ashtu edhe të asaj të DMR.
Pavarësisht se nuk bëhet fjalë për kundërvënie ndaj Rusisë, tërheqja gravitacionale e integrimit evropian është e fuqishme në Moldavi. Kohët e fundit, edhe udhëheqësia e saj komuniste ka theksuar nevojën për të bërë më shumë drejt arritjes së atij qëllimi. Megjithatë vendi është shfaqur rrallë në radarët perëndimorë gjatë dekadës së fundit, dhe do t’i duhet më shumë përkrahje e demonstrueshme nga BE dhe SHBA për t’i rezistuar mbështetjes politike dhe ekonomike të DMR nga Rusia dhe pengimit nga Transdniestria të procesit të negociatave. Aktorët ndërkombëtarë po ashtu duhet ta ndihmojnë Moldavinë për të siguruar kufijtë e vet nga aktivitetet e paligjshme ekonomike që e mbajnë Transdniestrian në sipërfaqe dhe të cilat ndikojnë edhe tek fqinjët e saj evropianë.
Konflikti mund të zgjidhet vetëm nëse bashkësia ndërkombëtare përdor influencën e saj mbi Rusinë në mënyrë të dyanshme dhe brenda OSBE. Vetëm atëherë, dhe me zotim substancialisht më të vendosur ndaj reformave politike, ekonomike dhe administrative nga ana e saj, Moldavia do të arrijë të realizojë aspiratat e saj evropian. Një strategji gjithëpërfshirëse për Moldavinë, Ukrainën dhe Rusinë brenda Politikës për Evropë më të Gjerë në BE do të ishte një hap kritik përpara.”
72. Në raportin e datës 17 gusht 2006, “E Ardhmja e Pasigurt e Moldavisë” (Europe Report nr. 175), ICG vërejti (pjesë e shkëputur nga Përmbledhja Ekzekutive):
“Me hyrjen e pritur të Rumanisë në Bashkimin Evropian në vitin 2007, BE do të ndajë një kufi me Moldavinë, një shtet i dobët i përçarë nga konflikti dhe i pllakosur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Udhëheqësia e Moldavisë ka deklaruar dëshirën për t’u bashkuar me BE, por përkushtimi i saj ndaj vlerave evropiane është i dyshimtë, dhe përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen me rajonin e Transdniestrias që kërkon të shkëputet nuk kanë arritur t’i japin fund qorrsokakut dëmtues që ka pesëmbëdhjetë vjet që vazhdon. Të rinjtë kanë pak besim në të ardhmen e vendit dhe po largohen nga vendi me shifra alarmuese. Nëse Moldavia dëshiron të bëhet pjesë e qëndrueshme e Bashkimit Evropian, duhet të ketë angazhim më të madh ndërkombëtar, jo vetëm për zgjidhjen e konflikteve por edhe për nxitjen e reformave në vend për të ndihmuar që vendi të bëhet më tërheqës për qytetarët e vet.
Dy iniciativa të kohëve të fundit nga BE dhe Ukraina rikthyen shpresat që ekuilibri i forcave në mosmarrëveshjen separatiste kishte ndryshuar në mënyrë domethënëse. Një Mision i Ndihmës Kufitare i Bashkimit Evropian (EUBAM) që filloi nga fundi i vitit 2005 ka ndihmuar zbutjen e kontrabandës në segmentin e Transdniestrias të kufirit moldavo-ukrainas, një burim i rëndësishëm i të ardhurave për autoritetet në Tiraspol, kryeqyteti i Transdniestrias. Në të njëjtën kohë, zbatimi nga Kievi i një regjimi doganor, që shërbeu si pikë referimi, për të ndihmuar Moldavinë në rregullimin e eksporteve të Transdniestrias ka zvogëluar mundësitë për biznes në rajonin, që kërkon të shkëputet, për të operuar pa mbikqyrjen e Moldavisë, duke shkaktuar një goditje të madhe psikologjike.
Por optimizmi që këto masa përfundimisht do ta detyronin Transdniestrian të bënte lëshime diplomatike duket se ka qenë i rremë. Megjithëse EUBAM ka arritur suksese të konsiderueshme, sidomos duke pasur parasysh që ishte mision i vogël me buxhet të vogël, kontrabanda vazhdon të jetë e përhapur. As regjimi doganor ukrainas nuk ka pasur efekt vendimtar mbi bizneset e Transdniestrias, të cilat ende janë në gjendje të zhvillojnë tregti fitimprurëse të ligjshme siç kanë bërë në të kaluarën. Për më tepër, pasiguria politike në vend ka ngritur çështje rreth faktit nëse Kievi do të vazhdojë të zbatojë rregulloret e reja.
Rusia e ka shtuar mbështetjen për Transdniestrian, duke dërguar ndihma ekonomike dhe duke marrë masa ndëshkuese kundër Moldavisë, përfshirë ndalimin gjymtues të eksportit të verës, një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të saj. Moska refuzon të tërheqë trupat e vendosur në Transdniestria që nga koha e Bashkimit Sovjetik, prania e të cilave duket se e ruan status quo. Me mbështetjen ruse, udhëheqësi i Transdniestrias, Igor Smirnov, ka pak shtysa që të bëjë kompromise në rrugën e tij drejt pavarësisë. Negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht mes dy palëve nuk po shkojnë askund, pavarësisht nga prania që në vitin 2005 e BE dhe SHBA si vëzhgues. Megjithëse njëfarë mirëkuptimi është arritur në lidhje me shkallën e autonomisë në një vendbanim, Moldavia e ka ashpërsuar qëndrimin e saj në kundërpërgjigje ndaj kokëfortësisë së Transdniestrias.”
73. Në raportin e saj të titulluar “Liria në botë 2009”, Freedom House komentoi, inter alia:
“Moldavia refuzoi një plan federalizimi të mbështetur nga Rusia në nëntor 2003 pasi ai shkaktoi protesta publike. Raundi i fundit i bisedimeve formale shumëpalëshe dështoi në fillimi të vitit 2006, dhe votuesit në referendumin e Transnistrias në shtator 2006 në shumicë dërrmuese mbështetën rrugën drejt pavarësisë me qëllimin e bashkimit eventual me Rusinë, megjithëse legjitimiteti i votimit nuk u njoh nga Moldavia e as nga bashkësia ndërkombëtare.
Në mungesë të negociatave 5+2, Voronin vijoi bisedimet dypalëshe me Rusinë dhe ndërmori një sërë masash për të sjellë politikën e jashtme të Moldavisë në të njëjtën linjë me atë të Kremlinit. Gjatë pjesës më të madhe të vitit 2008, ai e nxiti Rusinë që të pranonte një propozim sipas të cilit Transnistria do të merrte autonomi substanciale brenda Moldavisë, një prezencë të fuqishme dhe të bashkuar në Parlamentin e Moldavisë, dhe të drejtën për t’u shkëputur nëse Moldavia bashkohej me Rumaninë në të ardhmen. Të drejtat pronësore ruse do të respektoheshin, dhe trupat ruse do të zëvendësoheshin me vëzhgues civilë. Voronin i mbrojti ‘konsultimet’ e tij të ndara me Rusinë duke thënë që çdo zgjidhje do të finalizohej në formatin 5+2.
Çështja e Transnistrias mori përmasa urgjente edhe më tej në gusht 2008, pasi Rusia luftoi në një konflikt të shkurtër me Gjeorgjinë dhe njohu pavarësinë e dy rajoneve që kërkonin të shkëputeshin prej saj. Zyrtarët rusë thanë se nuk kishin plane për të njohur PMR [‘MRT’], por e paralajmëruan Moldavinë që të mos miratonte qëndrimin konfrontues të Gjeorgjisë. Nga ana e saj qeveria moldave i mohoi krahasimet dhe përsëriti përkushtimin e saj për negociata paqësore. Disa ekspertë shprehën shqetësime që Rusia mund të vendoste një zgjidhje të ashpër mbi Moldavinë në bisedimet dypalëshe dhe më pas të njihte PMR nëse plani do të refuzohej.
Marrëdhëniet e presidentit të Transnistrias Igor Smirnov me Voronin vazhduan të ishin të tensionuara gjatë tërë vitit, ndërkohë që udhëheqësi moldav negocionte efektivisht përtej Smirnov dhe shprehte nervozizëm të dukshëm ndaj udhëheqësisë së PMR. Dy burrat u takuan në prill për herë të parë që nga viti 2001, dhe përsëri në dhjetor. Pak ditë pas takimit të prillit, presidenti rumun Traian Basescu në mënyrë indirekte ngriti mundësinë e një ndarjeje në të cilën Ukraina do të absorbonte Transnistrian dhe Rumania do të aneksonte Moldavinë e mirëfilltë, duke nxitur Voronin që ta akuzonte për sabotim të negociatave. Ndërkohë, presidenti rus Dmitri Medvedev u takua me Voronin dhe Smirnov ndaras gjatë vitit ...
Të Drejtat dhe Liritë Politike dhe Civile
Banorët e Transnistrias nuk mund t’i zgjedhin udhëheqësit e tyre në mënyrë demokratike, dhe nuk kanë mundësi të marrin pjesë lirisht në zgjedhjet e Moldavisë...
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme serioze në Transnistria ...
Situata e mediave është ndrydhëse ...
Liritë fetare janë të kufizuara ...
Megjithëse disa mijëra studentë studiojnë në Moldavi dhe përdorin shkrimin latin, kjo praktikë është e kufizuar. Gjuha moldave dhe alfabeti latin asociohen me përkrahje ndaj Moldavisë, ndërkohë që rusishtja dhe alfabeti cirilik asociohen me qëllime separatiste. Prindërit që i dërgojnë fëmijët në shkolla ku përdoret shkrimi latin, dhe vetë shkollat, janë përballur me ngacmime të vazhdueshme nga shërbimet e sigurimit.
Autoritetet e kufizojnë në mënyrë të ashpër lirinë e organizimit dhe rrallë japin leje për protesta publike ...
Drejtësia i nënshtrohet ekzekutivit dhe përgjithësisht zbaton vullnetin e autoriteteve ...
Autoritetet bëjnë diskriminime ndaj qytetarëve të përkatësisë etnike moldave, të cilët përbëjnë 40% të popullsisë. Besohet se rusët dhe ukrainasit etnikë së bashku përbëjnë një shumicë të ngushtë, dhe një e treta e banorëve të rajonit thuhet se mbajnë pasaporta ruse.”
III. E DREJTA NDËRKOMBËTARE RELEVANTE
A. Materialet e të drejtës ndërkombëtare mbi përgjegjësinë Shtetërore për veprime të paligjshme
1. Draft-Nenet e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Veprime të Gabuara Ndërkombëtare
74. Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare (angl. ILC) miratoi Draft-Nenet e tij mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Veprimet e Gabuara Ndërkombëtare (“draft nenet”) në gusht 2001. Nenet 6 dhe 8 të Kapitullit II të Draft Neneve parashikojnë:
“Neni 6: Sjellja e organeve të vëna në dispozicion nga një Shtet për një Shtet tjetër
Sjellja e një organi të vënë në dispozicion të një Shteti nga një Shtet tjetër konsiderohet veprim i të parit sipas të drejtës ndërkombëtare nëse organi vepron në kuadër të ushtrimit të elementeve të autoritetit qeveritar të Shtetit në dispozicion të të cilit është vënë.
Neni 8: Sjellja e drejtuar apo e kontrolluar nga një Shtet
Sjellja e një personi ose grupi personash konsiderohet veprim i një Shteti sipas të drejtës ndërkombëtare nëse personi apo grupi i personave faktikisht vepron sipas udhëzimeve të, ose nën drejtimin apo kontrollin e atij Shteti në kryerjen e sjelljes.”
2. Praktika gjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ)
75. Në opinionin e saj këshillëdhënës “Pasojat ligjore të Shteteve për praninë e vazhduar të Afrikës së Jugut në Namibi, pavarësisht nga rezoluta 276 (1970) e Këshillit të Sigurimit”, ICJ u shpreh, në lidhje me detyrimin sipas të drejtës ndërkombëtare për t’i dhënë fund një situate të paligjshme:
“117. Pasi arriti këto përfundime, tani Gjykata do t’i adresohet pasojave ligjore që dalin për Shtetet nga prania e vazhduar e Afrikës së Jugut në Namibi, pavarësisht nga rezoluta 276 (1970) e Këshillit të Sigurimit. Një vendim detyrues i marrë nga një organ kompetent i Kombeve të Bashkuara për qëllime të një situate që është e paligjshme nuk mund të jetë pa pasoja. Pasi Gjykata përballet me një situatë të tillë, ajo do të dështonte në kryerjen e funksioneve të veta gjyqësore nëse nuk do të deklaronte që ekziston një detyrim, sidomos mbi Anëtarët e Kombeve të Bashkuara, që t’i japin fund asaj situate. Siç është shprehur kjo Gjykatë, duke iu referuar një prej vendimeve të saj që deklaron një situatë të atillë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare: ‘Ky vendim përmban një pasojë ligjore, që është ajo e dhënies fund një situate të paligjshme” (I.C.J. Raporte 1951, fq. 82).
118. Afrika e Jugut, duke qenë përgjegjëse për krijimin dhe vazhdimin e një situate të cilën Gjykata e ka gjetur të ishte deklaruar vlefshmërisht e paligjshme, ka për detyrim t’i japë fund asaj. Prandaj, ajo është e detyruar të tërheqë administratën e saj nga territori i Namibisë. Duke e ruajtur situatën e paligjshme ekzistuese, dhe duke pushtuar Territorin pa titull, Afrika e Jugut has në përgjegjësi ndërkombëtare që dalin nga shkelja e vazhdueshme e detyrimeve ndërkombëtare, ose e të drejtave të popullit të Namibisë. Fakti që Afrika e Jugut nuk ka më asnjë titull për të administruar Territorin nuk e liron atë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e veta sipas të drejtës ndërkombëtare ndaj Shteteve të tjera për sa i përket ushtrimit të pushteteve të saj në lidhje me këtë Territor. Kontrolli fizik mbi një territor, dhe jo sovraniteti apo ligjshmëria e titullit të saj, është baza e përgjegjësisë së Shtetit për veprime që ndikojnë tek Shtetet e tjera.”
76. Në Çështjen Lidhur me Zbatimin e Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi), vendim i datës 26 shkurt 2007, ICJ deklaroi, në lidhje me çështjen e përgjegjësisë së Shtetit:
“391. Çështja e parë e ngritur nga ky argument është nëse është e mundur në parim t’i atribohet një Shteti sjellja e personave - apo një grupi personash - të cilët, ndërkohë që nuk kanë statusin ligjor të organeve të Shtetit, në fakt veprojnë nën një kontroll kaq të rreptë nga Shteti saqë duhet të trajtohen si organe të tij për qëllime të atribuimit të nevojshëm që shpie tek përgjegjësia e Shtetit për një veprim të gabuar ndërkombëtar. Në fakt, Gjykata i është adresuar kësaj çështjeje, dhe i ka dhënë përgjigje në parim, në Vendimin e saj të datës 27 qershor 1986 mbi Aktivitetet Ushtarake dhe Paraushtarake në dhe kundër Nikaraguas (Nikaragua kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës) (Themelet, Vendimi, Raportet e I.C.J. 1986, fq. 62-64). Në paragrafin 109 të atij Vendimi, Gjykata deklaroi që ajo duhej të
‘përcaktonte . . . nëse marrëdhënia e kundërshtive ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte aq marrëdhënie varësie nga njëra anë dhe kontrolli nga ana tjetër sa që do të ishte e drejtë të barazoheshin kundërshtitë, për qëllime ligjore, me një organ të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ose si e tillë që vepronte në emër të asaj Qeverie’ (fq. 62).
Më tej, duke shqyrtuar faktet nën dritën e informacioneve në dispozicion, Gjykata vërejti që ‘nuk ka prova të qarta se Shtetet e Bashkuara faktikisht kanë ushtruar një shkallë të atillë kontrolli në të gjitha fushat sa të arsyetohej trajtimi i kundërshtive si të tilla që vepronin në emër të tyre’ (paragrafi 109), dhe vazhdoi duke dalë në përfundimin që ‘provat në dispozicion të Gjykatës . . . janë të pamjaftueshme për të demonstruar varësinë e plotë të [kundërshtive] në ndihmat e Shteteve të Bashkuara, kështu që Gjykata nuk ishte ‘në gjendje të vendoste që kundër-forca mund të barazohet për qëllime ligjore me forcat e Shteteve të Bashkuara’ (fq. 62-63, paragrafi 110).
392. Pjesët e cituara tregojnë që, sipas jurisprudencës së Gjykatës, personat, grupet e personave apo entiteteve, për qëllime të përgjegjësisë ndërkombëtare, mund të barazohen me organe Shteti edhe nëse ai status nuk rrjedh nga e drejta e brendshme, nëse faktikisht personat, grupet apo entitetet veprojnë në ‘varësi të plotë’ të Shtetit për të cilin ato janë thjesht instrumente. Në një rast të tillë, është e udhës të shihet përtej thjesht statusit ligjor, në mënyrë që të kuptohet realiteti i marrëdhënies mes personit që ndërmerr veprimin dhe Shtetit me të cilin ai është aq ngusht i lidhur saqë duket sikur nuk është asgjë tjetër përveç se agjent i tij: çdo zgjidhje tjetër do t’u lejonte Shteteve t’i iknin përgjegjësisë ndërkombëtare duke zgjedhur të vepronin përmes personave apo entiteteve pavarësia e supozuar e të cilëve do të ishte krejtësisht fiktive.
393. Megjithatë, vënia e kësaj shenje të barazimit mes personave apo entiteteve me organet Shtetërore kur nuk e kanë atë status sipas të drejtës ndërkombëtare duhet të jetë e jashtëzakonshme, meqenëse ajo kërkon prova në shkallë posaçërisht të lartë të kontrollit të Shtetit mbi to, një marrëdhënie të cilën Vendimi i Gjykatës i cituar lart e quan shprehimisht si ‘varësi e plotë’. ...”
ICJ më tej gjeti që Serbia nuk ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për gjenocidin gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995. Sidoqoftë ajo deklaroi që Serbia kishte shkelur detyrimin e saj pozitiv për të parandaluar gjenocidin, sipas Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, duke mos marrë të gjitha masat që kishte në fuqinë e saj për të ndalur gjenocidin që ndodhi në Srebrenicë në korrik 1995 dhe duke mos transferuar Ratko Mladić, i akuzuar për gjenocid dhe bashkëpërfshirje në gjenocid, për t’u gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.
B. Dispozitat e traktatit lidhur me të drejtën për arsim
1. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948
77. Neni 26 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut parashikon:
“(1) Secili ka të drejtën e arsimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktёn në fazat e arsimit fillor dhe themelor. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të jetё i pёrgjithshёm, ndёrsa arsimi i lartë duhet t'u bëhet i mundshëm të gjithëve në mёnyrё tё barabartё nё bazë të aftёsisё.
(2) Arsimi duhet të synojё zhvillimin e plotë tё personalitetit të njeriut dhe fuqizimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore tё njeriut. Ai duhet të nxisë mirёkuptimin, tolerancën dhe miqësinë mes të gjitha kombeve, grupeve raciale ose fetare, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.
(3) Prindёrit kanё tё drejtёn parёsore pёr zgjedhjen e llojit tё arsimit pёr fёmijёt e tyre.”
2. Konventa kundër Diskriminimit në Arsim e vitit 1960
78. Konventa e mësipërme, e cila u miratua nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara gjatë seancës së saj të njëmbëdhjetë tetor-dhjetor 1960, parashikon në nenet 1, 3 dhe 5:
“Neni 1
1. Për qëllimet e kësaj Konvente, termi ‘diskriminim’ përfshin çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë e cila, duke u bazuar në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, fe, bindje politike apo të tjera, origjinë kombëtare apo sociale, status familjar apo ekonomik, ka qëllimin ose efektin e nulifikimit ose dëmtimit të barazisë së trajtimit në arsim dhe në mënyrë të veçantë:
(a) Të privimit të çdo personi apo grupi personash prej qasjes në arsimin e çdo lloji ose të çdo niveli;
(b) Të kufizimit të çdo personi apo grupi personash ndaj arsimit të një standardi inferior;
(c) Në kuadër të dispozitave të nenit 2 të kësaj Konvente, të ngritjes ose ruajtjes së sistemeve apo institucioneve të ndara arsimore për një person apo grup personash; ose
(d) Të krijimit tek një person apo grup personash të kushteve të cilat janë në mospërputhje me dinjitetin e njeriut.
2. Për qëllimet e kësaj Konvente, termi ‘arsim’ i referohet të gjitha llojeve dhe niveleve të arsimit, dhe përfshin qasjen ndaj arsimit, standardin dhe cilësinë e arsimit, dhe kushtet në të cilat ofrohet ai.
Neni 3
Për të eliminuar dhe parandaluar diskriminimin në kuptim të kësaj Konvente, Shtetet Palë të saj marrin përsipër:
(a) Të shfuqizojnë çdo dispozitë statusore dhe çdo udhëzim administrativ dhe të ndërpresin çdo praktikë administrative e cila përfshin diskriminimin në arsim;
...
Neni 5
1. Shtetet Palë të kësaj Konvente bien dakord që:
(a) Arsimi do të orientohet drejt zhvillimit të plotë të personalitetit të njeriut dhe drejt fuqizimit të respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; ai do të nxisë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë mes të gjitha kombeve, grupeve të racave dhe feve të ndryshme, dhe do të çojë më tej aktivitetet e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes; ...”
3. Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore i vitit 1966
79. Neni 13 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore parashikon:
“1. Shtetet Palë të këtij Pakti njohin të drejtën e secilit për arsim. Ato bien dakord që arsimi do të orientohet drejt zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor dhe sensit të dinjitetit të tij, dhe do të fuqizojë respektin për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Më tej, ato bien dakord që arsimi do t’u mundësojë të gjithë personave që të marrin pjesë efektive në një shoqëri të lirë, të nxisë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë mes të gjitha kombeve dhe të gjitha grupeve të racave apo përkatësive etnike, dhe të çojë më tej aktivitetet e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.
2. Shtetet Palë të këtij Pakti njohin faktin që, me qëllim të përmbushjes së realizimit të plotë të kësaj të drejte:
(a) Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm dhe i garantuar falas për të gjithë;
(b) Arsimi i mesëm në format e tij të ndryshme, përfshirë arsimin teknik dhe të profilizuar, do të jetë i garantuar dhe i hapur për të gjithë me të gjitha mënyrat e mundshme, dhe në mënyrë të veçantë përmes futjes progresive të arsimit falas;
(c) Arsimi i lartë do t’u ofrohet të gjithëve në mënyrë të barabartë, sipas kapacitetit, me të gjitha mjetet e mundshme, dhe në mënyrë të veçantë përmes futjes progresive të arsimit falas;
(d) Arsimi themelor do të inkurajohet apo intensifikohet sa më shumë që është e mundur për ata persona që nuk kanë vijuar apo përfunduar periudhën e plotë të arsimit fillor;
(e) Do të zbatohet në mënyrë aktive zhvillimi i një sistemi shkollash në të gjitha nivelet, do të ngrihet një sistem i përshtatshëm bursash, dhe do të përmirësohen vazhdimisht kushtet materiale të stafit mësimdhënës.
3. Shtetet Palë të këtij Pakti marrin përsipër të respektojnë lirinë e prindërve dhe, aty ku është e zbatueshme, kujdestarëve ligjorë për të zgjedhur shkollat e fëmijëve të tyre, përveç atyre që janë të ngritura nga autoritetet publike, të cilat u përmbahen standardeve të atilla minimale arsimore siç mund të vendosen apo miratohen nga Shteti dhe për të siguruar edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre.
4. Asnjë pjesë e këtij neni nuk do të interpretohet në mënyrë të atillë që të ndërhyjë tek liria e individëve dhe organeve për të vendosur dhe drejtuar institucione arsimore, gjithmonë sipas respektimit të parimeve të cekura në paragrafin (1) të këtij neni dhe kriterit që arsimi i ofruar në institucione të tilla do t’u përmbahet standardeve minimale ashtu siç caktohen nga Shteti.”
4. Konventa Ndërkombëtare mbi Eliminimin e Të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial e vitit 1966
80. Neni 5 i Konventës së mësipërme të Kombeve të Bashkuara parashikon (sipas relevancës):
“Në përputhje me detyrimet themelore të parashikuara nga neni 2 i kësaj Konvente, Shtetet Palë marrin përsipër të ndalojnë dhe eliminojnë diskriminimin racial në të gjitha format e tij dhe të garantojnë të drejtën e secilit, pa dallim race, ngjyre, ose origjine kombëtare apo etnike, ndaj barazisë para ligjit, posaçërisht në gëzimin e të drejtave të mëposhtme:
...
(e) Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, në mënyrë të veçantë:
...
(v) Të drejtën për arsim dhe aftësim;”
5. Konventa për të Drejtat e Fëmijës e vitit 1989
81. Nenet 28 dhe 29 të Konventës së mësipërme të Kombeve të Bashkuara parashikojnë:
“Neni 28
1. Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe, me qëllim që të arrihet kjo e drejtë, hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, në mënyrë të veçantë ata do të:
(a) Bëjnë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas për të gjithë;
(b) Inkurajojnë zhvillimin e formave të ndryshme të arsimit të mesëm si të përgjithshëm ashtu edhe profesional, i bëjnë ato të hapura e të mundshme për çdo fëmijë dhe marrin masa të përshtatshme, si vendosja e arsimit falas dhe dhënia e një ndihme financiare në rast nevoje;
(c) U sigurojnë të gjithëve arsimin e lartë, sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme;
(d) Bëjnë të mundshëm dhe të arritshëm për çdo fëmijë informacionin dhe orientimin shkollor e profesional;
(e) Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e përqindjes së braktisjes së shkollës.
2. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që disiplina shkollore të zbatohet në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor të fëmijës dhe në përputhje me këtë Konventë.
3. Shtetet Palë nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit, për të kontribuar, në mënyrë të veçantë, në zhdukjen e paditurisë dhe të analfabetizmit kudo në botë dhe për të lehtësuar përvetësimin e njohurive shkencore e teknike dhe të metodave moderne të mësimdhënies. Për këtë, do të merren parasysh në mënyrë të veçantë nevojat e vendeve në zhvillim.”
Neni 29
1. Shtetet Palë bien dakord që arsimimi i fëmijës të synojë që:
(a) Të zhvillojë potencialin e plotë të personalitetit, dhuntive dhe aftësive mendore e fizike të fëmijës;
(b) Të zhvillojë respektin për të drejtat e liritë themelore të njeriut dhe për parimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara;
(c) Të zhvillojë respektin për prindërit e fëmijës, për identitetin e tij/saj, gjuhën dhe vlerat kulturore, për vlerat kombëtare të vendit ku fëmija jeton, të vendit të origjinës dhe të qytetërimeve të ndryshme nga i veti;
(d) Ta përgatisë fëmijën për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë, në frymën e mirëkuptimit, paqes, tolerancës, barazisë gjinore dhe miqësisë mes të gjithë popujve, grupeve etnike, grupeve kombëtare e fetare dhe personave me origjinë autoktone;
(e) T’i zhvillojë fëmijës respektin për mjedisin natyror.
2. Asnjë dispozitë e këtij neni ose e nenit 28 nuk do të interpretohet në mënyrë të atillë që të cenojë lirinë e personave fizikë ose juridikë, për të krijuar e drejtuar qendra arsimore, gjithmonë me kusht që parimet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni të respektohen dhe që arsimi që jepet në këto qendra të jetë në përputhje me normat minimale që përcaktohen nga Shteti.”
E DREJTA
82. Kërkuesit u ankuan në lidhje me mbylljen me forcë të shkollave të tyre nga autoritetet e “MRT” dhe masat e marra nga ato autoritete për t’i ngacmuar dhe frikësuar ata për shkak të zgjedhjes së tyre për vijimin e shkollës së fëmijëve në shkollat ku përdorej gjuha moldave/rumune. Gjykata së pari duhet të përcaktojë nëse, lidhur me çështjet për të cilat është bërë ankesë, kërkuesit hynin brenda juridiksionit të njërit ose të dy Shteteve përgjegjëse, në kuptim të nenit 1 të Konventës.
I. JURIDIKSIONI
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesit
(a) Juridiksioni i Republikës së Moldavisë
83. Kërkuesit parashtruan që, megjithëse Moldavisë i mungonte kontrolli efektiv mbi Transdniestrian, ishte e qartë se rajoni mbetej pjesë e territorit kombëtar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut atje mbetej përgjegjësi e Moldavisë.
84. Kërkuesit konsideronin që detyrimet pozitive të Moldavisë ndaj tyre funksiononin në disa nivele të ndërlidhura. Moldavia ishte përgjegjëse për të marrë të gjitha masat e mundshme për rikthimin e sundimit të ligjit dhe autoritetin e tij sovran në Transdniestria. Gjithashtu ajo kishte detyrimin pozitiv për të marrë të gjitha masat e mundshme në fjalë për të zgjidhur situatën e kërkuesve dhe për të mbrojtur lirinë e tyre për të mësuar dhe për t’i dërguar fëmijët e tyre për të mësuar në shkollat ku përdoret gjuha kombëtare moldave. Kërkuesit pretenduan që, pavarësisht nga mungesa e mungesës së kontrollit të Moldavisë në Transdniestria, ajo kishte mjete të konsiderueshme në dispozicion në aspektin politik dhe ekonomik që mund të ndikonin në marrëdhëniet e vazhdueshme me autoritetet e “MRT”.
(b) Juridiksioni i Federatës Ruse
85. Kërkuesit parashtruan se mbyllja e shkollave ndodhi në vitin 2004, pak pasi Gjykata shpalli vendimin në çështjen Ilaşcu (cituar lart). Ata pohuan se gjetjet e faktit nga Gjykata në çështjen Ilaşcu, të cilat bënë që ajo të vendoste që Rusia kishte ushtruar ndikim vendimtar mbi “MRT”, çka është njëlloj e zbatueshme në rastin konkret.
86. Kërkuesit theksuan se që nga viti 2004 nuk ka pasur tërheqje të verifikuara të armëve dhe pajisjeve të Rusisë. Ata pretenduan që Rusia kishte lidhur marrëveshje të fshehta me udhëheqësit e “MRT” për menaxhimin e depove të armëve. Në vitin 2003, vetë shifrat e qeverisë ruse flisnin se kishte ende 2.200 trupa ruse të vendosura në rajon dhe nuk kishte prova që tregonin se ajo shifër ishte zvogëluar në mënyrë domethënëse. Prania e tyre arsyetohej si e nevojshme për të mbrojtur depot e armëve. Kërkuesit parashtruan që prania e armëve dhe e trupave ishte në kundërshtim me zotimet ndërkombëtare të Rusisë. Më tej ata shtuan se nuk kishte tregues të asnjë zotimi të qartë për tërheqjen e trupave dhe armëve. Në vend të tij, deklaratat zyrtare të Rusisë kishin tendencë të tregonin që tërheqja ishte e kushtëzuar nga arritja e një zgjidhjeje politike. Sipas mendimit të kërkuesve, prania e vazhduar ushtarake ruse përfaqësonte një kërcënim të heshtur të ndërhyrjes së ardhshme ushtarake, çka shërbente për të frikësuar qeverinë moldave dhe kundërshtarët e regjimit separatist në Transdniestria.
87. Kërkuesit pretenduan që Transdniestria varej nga importi i energjisë nga Rusia dhe nga investimet, ndihmat dhe tregëtia ruse. Rusia kishte 18% të eksporteve të “MRT” dhe 43.7% të importeve të saj, kryesisht energji. “MRT” kishte paguar më pak se 5% të gazit natyror që kishte konsumuar, por Rusia nuk kishte marrë masa për kthimin e borxhit. Rusia ka ofruar ndihma humanitare të drejtpërdrejta në Transdniestria, kryesisht në formën e kontributeve pensionale për moshat e vjetra, duke shkelur ligjin moldav. Kërkuesit pretenduan që burimet zyrtare ruse deklaronin që mes viteve 2007 dhe 2010 vëllimi i përgjithshëm i ndihmës financiare dhënë Transdniestrias ishte 55 milionë USD.
88. Kërkuesit parashtruan që politika ruse e shihte Transdniestrian si një avanpost të Rusisë. Ata dhanë shembuj të deklaratave të dhëna nga anëtarë të Duma në mbështetje të pavarësisë së “MRT” nga Moldavia dhe iu referuan thirrjeve të bëra nga Igor Smirnov, President i “MRT”, deri në janar 2012, që Transdniestria të përfshihej në Federatën Ruse. Gjithashtu ata theksuan se rreth 120.000 individëve që jetonin në Transdniestria u ishte dhënë shtetësia ruse. Në shkurt dhe mars të vitit 2005, “në përgjigje të veprimeve të ndërmarra nga qeveria moldave me qëllim të përkeqësimit të situatës rreth Transdniestrias”, Duma miratoi rezoluta që i kërkonin qeverisë ruse të ndalonte importin e produkteve moldave të alkoolit dhe duhanit; të eksportonte energji në Moldavi (përveç Transdniestrias) me çmime ndërkombëtare; dhe të vendoste viza për shtetasit moldavë që vizionin Rusinë, përveç banorëve të Transdniestrias. Kërkuesit cituan gjetjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që këto masa patën një efekt negativ të kombinuar në rritjen ekonomike të Moldavisë me 2-3% në vit në 2006-2007.
2. Qeveria moldave
(a) Juridiksioni i Republikës së Moldavisë
89. Qeveria moldave parashtroi që, sipas arsyetimit të vendimit Ilaşcu (cituar lart), kërkuesit hynin brenda juridiksionit të Moldavisë sepse, duke pretenduar territore dhe duke u përpjekur të garantonin të drejtat e kërkuesve, autoritetet moldave kishin ndërmarrë detyrimet pozitive karshi tyre. Qeveria moldave u shpreh se ajo ende nuk kishte juridiksion, në kuptim të autoritetit dhe kontrollit, mbi territorin e Transdniestrias; megjithatë, ajo vazhdonte t’i përmbushte detyrimet e saj pozitive të themeluara në vendimin Ilaşcu. Për qeverinë moldave, çështja qenësore për sa i përkiste Moldavisë ishte shkalla deri ku mund të shkonte një detyrim i tillë pozitiv për të angazhuar juridiksionin e një shteti. Në këtë aspekt, ajo u mbështet në Mendimin Pjesërisht Pakicë të Gjyqtarit Sër Nicolas Bratza, të cilit iu bashkuan edhe Gjyqtarët Rozakis, Hedigan, Thomassen dhe Panţîru në vendimin Ilaşcu.
(b) Juridiksioni i Federatës Ruse
90. Qeveria e Moldavisë konsideroi që, duke pasur parasysh parimet e cekura në çështjen Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, 7 korrik 2011, faktet e rastit konkret hynin brenda juridiksionit të Rusisë për shkak të pranisë së vazhdueshme ushtarake e cila e kishte penguar zgjidhjen e konfliktit.
91. Qeveria moldave theksoi që ajo nuk kishte qasje tek depot e armëve në Colbaşna, dhe prandaj nuk kishte dijeni reale për sasinë e armatimit që mbahej ende nga Federata Ruse në Transdniestria. Ajo diskutoi që ishte e vështirë të hiqej një vijë e qartë mes ushtarëve rusë që përbënin forcën paqeruajtëse sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit dhe ushtarëve rusë që bënin pjesë në Grupin Operativ Rus (“ROG”), të vendosur në Transdniestria për të ruajtur depon e armëve. Ajo parashtroi që, duke lënë mënjanë komandantët e nivelit të lartë të cilët mbase ishin rekrutuar direkt nga Rusia, shumë prej ushtarëve të thjeshtë brenda forcës ishin shtetas rusë nga Transdniestria të cilët e përkrahnin regjimin separatist. Së fundi, ajo theksoi që aeroporti ushtarak i Tiraspolit ishte nën kontrollin rus dhe që zyrtarët e “MRT” kishin mundësi ta përdornin atë lirisht.
92. Qeveria moldave parashtroi që prania e ushtrisë ruse dhe armatimit rus në Transdniestria i bllokonte përpjekjet për ta zgjidhur konfliktin dhe ndihmonte mbajtjen e regjimit separatist në pushtet. Qeveria moldave ishte në disavantazh dhe nuk mund të negocionte lirisht pa kërcënimin që tërheqja e ushtrisë ruse do të pezullohej, siç ndodhi kur Moldavia refuzoi Memorandumin Kozak (shih paragrafin 27 lart). Kundërshtimi i “MRT” për heqjen e armëve, sipas mendimit të tyre, nuk ishte justifikim i pranueshëm për mos zhvendosjen apo shkatërrimin e tyre dhe qeveria ruse nuk duhet ta pranonte as nuk duhet të mbështetej në këtë kundërshtim. Qeveria moldave ishte e përgatitur të bashkëpunonte në çdo mënyrë, përveç rasteve kur bashkëpunimi nënkuptonte kushte të rënda pa nevojë, si ato që përfshiheshin në “Memorandumin Kozak”. Përfshirja aktive e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në procesin e negociatave duhet të vepronte gjithashtu drejt lehtësimit të çdo barre të shtuar mbi Rusinë që dilte nga organizimet praktike për shkatërrimin e depove të armëve.
93. Qeveria moldave parashtroi që ekonomia e “MRT” ishte e orientuar drejt eksportimit të mallrave për në Rusi dhe Ukrainë; nuk kishte lidhje reale tregëtare mes “MRT” dhe vetë Moldavisë. Megjithatë, vetëm rreth 20% e popullsisë ishte ekonomikisht aktive dhe rajoni mbijetonte falë mbështetjes financiare nga Rusia, në formën e lehtësimit të borxheve të gazit natyror dhe donacioneve të ndihmave. Për shembull, në vitin 2011 “MRT” pranoi ndihmë financiare nga Rusia në shumën 20.64 milionë dollarë amerikanë. Në vitin 2011 Transdniestria konsumoi 505 milionë dollarë gaz natyror, por pagoi vetëm 4% (20 milionë dollarë).
94. Në fund, qeveria moldave parashtroi që politika e “MRT” ishte krejtësisht e orientuar kah Rusia dhe larg Moldavisë. Kishte shumë vizita të nivelit të lartë mes Rusisë dhe Transdniestrias dhe deklarata mbështetëse nga politikanë të lartë rusë. Megjithatë, situata politike zhvillohej vazhdimisht dhe ishte e vështirë të jepej një vlerësim gjithëpërfshirës.
3. Qeveria ruse
(a) Juridiksioni i Republikës së Moldavisë
95. Qeveria ruse nuk komentoi rreth pozicionit juridiksional të Republikës së Moldavisë në këtë çështje.
(b) Juridiksioni i Federatës Ruse
96. Qeveria ruse kishte problem me qasjen e Gjykatës ndaj juridiksionit në çështjet Ilaşcu dhe Al-Skeini (cituar lart). Ajo parashtroi që ishte vullneti i Shteteve Kontraktuese, siç shprehet në tekstin e nenit 1 të Konventës, që në mungesë të një deklarate të qartë në tekstin e nenit 56 juridiksioni i secilit Shtet duhet të kufizohej brenda kufijve të tij territorialë. Përndryshe, qasja e ndërmarrë nga Gjykata në çështjen Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe 16 Shteteve të Tjera Kontraktuese (dec.) [GC], nr. 52207/99, ECHR 2001-XII ishte një interpretim më i saktë, meqenëse njihte faktin që juridiksioni mund të shtrihej më gjerë në mënyrë jashtëterritoriale vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për qeverinë ruse, juridiksioni mund të shtrihej më gjerë përjashtimisht kur një shtet Kontraktues ushtronte kontroll efektiv mbi një territor tjetër të barasvlershëm me shkallën e kontrollit të ushtruar mbi territorin e vet në kohë paqeje. Këtu mund të përfshiheshin rastet kur një Shtet Palë ishte në kushtet e pushtimit të gjatë ose kur një territor efektivisht kontrollohej nga një qeveri e cila shihej drejtpërdrejt si organ i Shtetit Palë relevant, në përputhje me testin e zbatuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Çështjen Lidhur me Zbatimin e Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi) (shih paragrafin 76 lart). Nuk mund të thuhej që Rusia ushtronte juridiksion në rastin konkret, ku territori kontrollohej nga një qeveri de facto e cila nuk ishte organ apo instrument i Rusisë.
97. Në një alternativë të mëtejshme, qeveria ruse diskutoi që çështja në fjalë duhet të dallohej nga çështjet e mëparshme sepse nuk kishte prova të ndonjë veprimi jashtëterritorial nga autoritetet ruse. Nga ana tjetër, në çështjen Al-Skeini, për shembull, Gjykata gjeti që të afërmit e kërkuesve hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sepse ata ishin vrarë nga ushtarët britanikë. Edhe në çështjen Ilaşcu Gjykata u bazua mbi dy grupe argumentesh për të gjetur juridiksionin rus: së pari, fakti që “MRT” ishte nën ndikimin dominues të Rusisë, por gjithashtu edhe fakti që kërkuesit ishin arrestuar dhe transferuar në burgim të “MRT” nga ushtarët rusë. Në çështjen Ilaşcu vendimi i Gjykatës u bazua mbi faktin që Rusia kishte qenë drejtpërdrejt e përfshirë në arrestim dhe, pas ratifikimit të Konventës, nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për të siguruar lirimin e tyre. Në çështjen në fjalë, qeveria ruse theksoi që nuk kishte lidhje shkakësore mes pranisë së forcave ruse në Transdniestria dhe trajtimit të shkollave të kërkuesve. Përkundrazi, qeveria ruse ishte përpjekur ta zgjidhte krizën e shkollave duke vepruar si ndërmjetëse. Për më tepër, qeveria ruse diskutoi që nuk kishte prova që Rusia ushtronte kontroll efektiv ushtarak ose politik në Transdniestria. Nëse Gjykata do të gjente juridiksionin rus në këtë rast, kjo efektivisht do të nënkuptonte që Rusia do të ishte përgjegjëse sipas Konventës për çdo shkelje që ndodhte në Transdniestria, pavarësisht nga masa jo domethënëse e pranisë ushtarake ruse aty. Prandaj, Gjykata duhet të gjejë që faktet për të cilat është ngritur ankesë ishin jashtë juridiksionit të Rusisë sipas nenit 1 të Konventës.
98. Qeveria ruse nuk ofroi shifra lidhur me sasinë e armëve ende të depozituara në Colbaşna në Transdniestria. Megjithatë, ajo nguli këmbë që shumica e armëve, municioneve dhe pasurisë ushtarake ishte hequr prej aty mes viteve 1991 dhe 2003. Në vitin 2003, kur qeveria moldave refuzoi të nënshkruante Memorandumin mbi Ngritjen e Shtetit të Bashkuar Moldav (“Memorandumi Kozak”), “MRT” bllokoi zhvendosjen e mëtejshme të pajisjeve. Sipas qeverisë ruse, bashkëpunimi i autoriteteve moldave ishte gjithashtu i nevojshëm, meqenëse ato kishin bllokuar përdorimin e linjës hekurudhore nga Transdniestria për në territorin e kontrolluar nga Moldavia. Tani për tani, në depo ndodheshin të depozituara vetëm bomba, granata dore, bomba-mortajë dhe municione për armë të vogla. Mbi 60% e këtyre pajisjeve duhet të shkatërroheshin në fund të periudhe së tyre të garancisë, por qeveria ruse nuk e saktësoi se kur do të ndodhte një gjë e tillë. Për më tepër, shkatërrimi i tyre do të bëhej i mundur vetëm pasi të ishte arritur një marrëveshje lidhur me sigurinë e ambientit. Qeveria ruse theksoi që ajo kishte përgjegjësi për ruajtjen e depove të armëve dhe për mbrojtjen e tyre ndaj vjedhjes por sidoqoftë ndihej nën presion për të hequr 1.000 ushtarët e vendosur në Transdniestria për t’i mbrojtur ato. Përveç këtij kontingjenti të vogël, ishin edhe afro 1,125 ushtarë rusë të vendosur në Zonën e Sigurisë si pjesë e forcës paqeruajtëse për të cilën ishte rëndë dakord ndërkombëtarisht. Zona e Sigurisë ishte 225 km e gjatë dhe 12-20 km e gjerë. Sipas pikëpamjes së qeverisë ruse, ishte e dukshme se prania e pak qindra ushtarëve rusë që ruanin depot ushtarake dhe kryenin funksionet e tyre paqeruajtëse nuk mund të ishte instrument i kontrollit efektiv të gjithmbarshëm mbi Transdniestrian.
99. Qeveria ruse mohoi që kishte dhënë mbështetje ekonomike për “MRT”. Për sa i përket furnizimit me gaz natyror, ajo shpjegoi që meqenëse “MRT” nuk ishte njohur si entitet i ndarë sipas të drejtës ndërkombëtare, ajo nuk mund të kishte borxhet e saj sovrane dhe Rusia nuk dërgonte furnizime të ndara me gaz për Moldavinë dhe Transdniestrian. Fatura për furnizimin me gaz të Transdniestrias pra i shkonte Moldavisë. Furnizimi me gaz i rajonit ishte organizuar përmes korporatës publike ruse Gazprom dhe kompania aksionare Moldovagaz, e cila ishte në pronësi të përbashkët të Moldavisë dhe “MRT”. Borxhi i gazit që Moldovagaz i kishte Rusisë e kalonte shumën 1.8 miliardë dollarë amerikanë, prej të cilave 1.5 miliardë dollarë të konsumuara në Transdniestria. Gazprom nuk mund thjesht të refuzonte gazin për rajonin, meqenëse i duheshin gypat e gazit përmes Moldavisë për të furnizuar shtetet e Ballkanit. Negociata komplekse vazhdonin të mbaheshin mes Gazprom dhe Moldovagaz në lidhje me ripagimin e borxhit. Në vitet 2003-2004 u propozua një zgjidhje sipas së cilës “MRT” do të lejonte Rusinë të zhvendoste pajisje ushtarake në vlerën 1 milionë dollarë në këmbim të faljes nga Rusia të një pjese të borxhit të gazit, por kjo skemë nuk u zbatua kurrë sepse në atë pikë marrëdhëniet mes Moldavisë dhe “MRT” u përkeqësuan dhe asnjëra palë nuk ishte e përgatitur të binte dakord. Qeveria ruse mohoi që kishte kontakte të ndara për furnizimin me gaz drejt Moldavisë dhe Transdniestrias dhe diskutoi që ishte e pamundur që Gazprom të caktonte tarifa të ndryshme për konsumatorë në pjesë të ndryshme të vendit. Nga viti 2008 Moldavisë i është kërkuar të paguajë gaz me çmime evropiane, jo me tarifat e brendshme me preferencë.
100. Për sa i përket ndihmës financiare, qeveria ruse parashtroi që shuma e ndihmës dhënë qytetarëve ruse që jetonin në rajon për qëllime humanitare, siç ishin pensionet dhe ofrimi i ushqimit në shkolla, burgje dhe spitale, ishte plotësisht transparente, dhe mund të krahasohej me ndihmën humanitare të ofruar nga Bashkimi Evropian. Përveç ofrimit të ndihmës ndaj popullsisë që jetonte në Transdniestria, Rusia u ofronte ndihmë atyre që jetonin në pjesë të tjera të Moldavisë. Përveç kësaj, qeveria ruse mohoi që Moldavia t’i ishte nënshtruar ndonjëherë sanksioneve ekonomike për shkak të pozicionit të saj për sa i përket “MRT” dhe theksoi që Presidenti dhe Qeveria, e jo Duma, ishin ata që kishin në dorë politikat ekonomike. Në mars 2006 u vendosën kufizime ndaj importit të verës nga Moldavia për shkak të zbulimit të shkeljeve të normave sanitare. Importi i verërave moldave rifilloi më 1 nëntor 2007 pas një raporti ekspert. Autoritetet e Federatës Ruse e konsideronin Moldavinë si një Shtet të vetëm, dhe nuk kishin organizime të ndara tregtare dhe ekonomike me Transdniestrian.
101. Në lidhje me çështjen e mbështetjes politike, qeveria ruse argumentoi që, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, edhe sikur të konstatohej që Rusia politikisht i mbështeste autoritetet e “MRT” në ndonjë mënyrë të mundshme, kjo nuk përcaktonte që Rusia ishte përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga ato. Sipas mendimit të saj, ishte absurde të thuhej që në një vend ku qeveria vendase kishte një mandat demokratik, çdo pushtet i jashtëm që e mbështeste bëhej përgjegjës për abuzimet e të drejtave të njeriut në atë vend.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme relevante për juridiksionin e nenit 1 të Konventës
102. Neni 1 i Konventës shprehet si vijon:
“Palët e Larta Kontraktuese i sigurojnë çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Titullin I të kësaj Konvente.”
103. Gjykata ka vendosur një sërë parimesh të qarta në praktikën e saj gjyqësore mbi bazën e nenit 1. Kështu, siç parashikohet nga ky nen, angazhimi i marrë përsipër nga një Shtet Kontraktues kufizohet me “sigurimin” (në tekstin frëngjisht “reconnaître”) të drejtat dhe liritë e renditura për personat brenda “juridiksionit” të tij (shih Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 86, Seria A nr. 161; Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve [GC] (dec.), nr. 52207/99, § 66, ECHR 2001- XII). “Juridiksioni” sipas nenit 1 është kriter pragu. Ushtrimi i juridiksionit është kusht i nevojshëm për një Shtet Kontraktues në mënyrë që ai shtet të mund të mbahet përgjegjës për veprime apo mosveprime të atribuara ndaj tij të cilat i japin shkas pretendimeve për shkeljen e të drejtave dhe lirive të cekura në Konventë (shih Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 311, ECHR 2004-VII; Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, § 130, 7 korrik 2011).
104. Kompetenca juridiksionale e një Shteti sipas nenit 1 është kryesisht territoriale (shih Soering, cituar lart, § 86; Banković, cituar lart, §§ 61; 67; Ilaşcu, cituar lart, § 312; Al-Skeini, cituar lart § 131). Juridiksioni presupozohet se ushtrohet normalisht në tërësinë e territorit të Shtetit (Ilaşcu, cituar lart, § 312; Assanidze v. Georgia [GC], nr. 71503/01, § 139, ECHR 2004-II). Nga ana tjetër, veprimet e kryera nga Shtetet Kontraktuese, ose efektet rezultuese, jashtë territorit të tyre mund të përbëjnë ushtrim juridiksioni në kuptim të nenit 1 vetëm në raste të jashtëzakonshme (Banković, cituar lart, § 67; Al-Skeini, cituar lart § 131).
105. Deri tani, Gjykata ka njohur disa raste të rrethanave të jashtëzakonshme të cilat i kanë dhënë mundësi ushtrimit të juridiksionit nga një Shtet Kontraktues jashtë kufijve të vet territorialë. Në secilin rast, çështja nëse ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat kërkojnë dhe arsyetojnë gjetjen nga Gjykata që Shteti ka ushtruar juridiksion jashtëterritorial duhet të konstatohet duke iu referuar fakteve konkrete (Al-Skeini, cituar lart, § 132).
106. Një përjashtim nga parimi që juridiksioni sipas nenit 1 është i kufizuar brenda kufijve territorialë të një Shteti ndodh kur, si pasojë e një veprimi ushtarak të ligjshëm apo të paligjshëm, një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv në një zonë jashtë atij territori nacional. Detyrimi për të siguruar, në një zonë të tillë, të drejtat dhe liritë e caktuara në Konventë, rrjedh nga fakti i një kontrolli të tillë, pavarësisht a ushtrohet direkt, me anë të forcave të armatosura të Shtetit Kontraktues, ose përmes një administrate lokale vartëse (Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, § 62, Seria A nr. 310; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 76, ECHR 2001-IV, Banković, cituar lart, § 70; Ilaşcu, cituar lart, §§ 314-316; Loizidou (themelet), cituar lart, § 52; Al-Skeini, cituar lart, § 138). Aty ku fakti i një dominimi të tillë konstatohet, nuk është e nevojshme të përcaktohet nëse një Shtet Kontraktues ushtron kontroll të hollësishëm mbi politikat dhe veprimet e administratës lokale vartëse. Fakti që administrata lokale mbijeton si rezultat i mbështetjes ushtarake dhe të formave të tjera të mbështetjes së Shtetit Kontraktues nënkupton përgjegjësinë e atij Shteti për politikat dhe veprimet e veta. Shteti kontrollues ka përgjegjësi sipas nenit 1 të sigurojë, brenda zonës nën kontrollin e tij, tërë hapësirën e të drejtave substanciale të caktuara në Konventë dhe ato Protokolle shtesë që ka ratifikuar. Ai do të mbahet përgjegjës për çdo shkelje të atyre të drejtave (Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §§ 76-77; Al-Skeini, cituar lart, § 138).
107. Është çështje fakti nëse një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit të vet. Në përcaktimin e faktit nëse ekziston kontrolli efektiv, Gjykata do t’i referohet kryesisht fuqisë së pranisë ushtarake të Shtetit në atë zonë (shih Loizidou (themelet), cituar lart, §§ 16 dhe 56; Ilaşcu, cituar lart, § 387). Ka edhe tregues të tjerë që mund të jenë relevantë, siç është shkalla deri ku mbështetja e tij ushtarake, ekonomike dhe politike për administratën lokale mvartëse i jep atij ndikim dhe kontroll mbi rajonin (shih Ilaşcu, cituar lart, §§ 388-394; Al-Skeini, cituar lart, § 139).
2. Zbatimi i këtyre parimeve tek faktet e çështjes
108. Në këtë pikë, është praktike të kujtohen faktet qenësore të kësaj çështjeje. Kërkuesit janë fëmijë dhe prindër fëmijësh nga komuniteti moldav në Transdniestria të cilët ankohen për ndikimin mbi arsimin e fëmijëve të tyre dhe mbi jetën e të gjitha familjeve të tyre të politikës gjuhësore të autoriteteve separatiste. Thelbi i ankesave të tyre ka të bëj me veprimet e ndërmarra nga autoritetet e “MRT” në vitin 2002 dhe 2004 për të zbatuar vendimet e miratuara pak vite më parë, të cilat ndalonin përdorimin e alfabetit latin në shkolla dhe kërkonin që të gjitha shkollat të regjistroheshin dhe të fillonin të përdornin një kurrikulum të miratuar nga “MRT” dhe shkrimin cirilik. Kështu, më 22 gusht 2002 policia e “MRT” nxori jashtë me forcë nxënësit dhe mësuesit e shkollës Ştefan cel Mare në Grigoriopol. Shkolla nuk u lejua të rihapej në të njëjtën ndërtesë dhe rrjedhimisht u transferua në ambiente të tjera rreth 20 km larg, në një territor të kontrolluar nga Moldavia. Fëmijët dhe stafi u dëbuan nga shkolla Evrica në Rîbniţa në korrik 2004. Në të njëjtin muaj, shkolla Alexandru cel Bun në Tighina u kërcënua me mbyllje dhe shkëputje të furnizimit me rrymë elektrike dhe ujë. Të dyja shkollave iu kërkua të lëviznin në ambiente më pak praktike dhe me pak të rregulluara në qytetet e tyre në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.
(a) Republika e Moldavisë
109. Gjykata duhet së pari të përcaktojë nëse çështja hyn brenda juridiksionit të Republikës së Moldavisë. Në lidhje me këtë, ajo vëren që të tria shkollat kanë qenë gjatë gjithë kohës të vendosura në territorin e Moldavisë. Është e vërtetë, siç e pranojnë të gjitha palët, që Moldavia nuk ka autoritet mbi pjesën e territorit në lindje të lumit Dniester, i cili kontrollohet nga “MRT”. Megjithatë, në vendimin Ilaşcu, cituar lart, Gjykata u shpreh që individët e burgosur në Transdniestria hynin brenda juridiksionit të Moldavisë sepse Moldavia ishte Shteti territorial, edhe pse nuk kishte kontroll efektiv mbi rajonin e Transdniestrias. Detyrimi i Moldavisë sipas nenit 1 të Konventës për t’i “siguruar secilit brenda juridiksionit të saj të drejtat dhe liritë [e Konventës]”, sidoqoftë, ishte e kufizuar në kushtet e një detyrimi pozitiv për të ndërmarrë masa diplomatike, ekonomike, gjyqësore apo të formave të tjera të cilat edhe ishin në pushtetin e saj, edhe ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare (shih Ilaşcu, cituar lart, § 331). Gjykata arriti në një përfundim të ngjashëm në çështjen Ivanţoc dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë, nr. 23687/05, §§ 105-111, 15 nëntor 2011.
110. Gjykata nuk sheh baza mbi të cilat të bëjë dallime në çështjen në fjalë. Megjithëse Moldavia nuk ka kontroll efektiv mbi veprimet e “MRT” në Transdniestria, fakti që rajoni është njohur sipas së drejtës ndërkombëtare publike si pjesë e territorit të Moldavisë paraqet detyrimin, sipas nenit 1 të Konventës, për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe diplomatike në dispozicion për të vazhduar garantimin e gëzimit të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë për ata që jetojnë aty (shih Ilaşcu, cituar lart, § 333). Gjykata do të shqyrtojë poshtë nëse Moldavia e ka përmbushur detyrimin pozitiv të saj.
(b) Federata Ruse
111. Më tej, Gjykata duhet të përcaktojë nëse kërkuesit gjithashtu hyjnë nën juridiksionin e Federatës Ruse. Ajo merr si pikë fillestare faktin që ngjarjet kyçe në këtë çështje, më konkretisht dëbimi me forcë i shkollave, ka ndodhur mes gushtit 2002 dhe korrikut 2004. Këto dy vite bënin pjesë në periudhën kohore të konsideruar nga Gjykata në vendimin Ilaşcu (cituar lart), i cili u shpall në korrik 2004. Është e vërtetë që në atë çështje Gjykata e konsideroi relevante për pyetjen nëse ishte angazhuar juridiksioni rus me arrestimin, burgosjen dhe keqtrajtimin e Z. Ilaşcu, Z. Leşco, Z. Ivanţoc dhe Z. Petrov-Popa nga ushtarët e Ushtrisë së 14-të në vitin 1992, të cilët më pas i transferuan ata në burgim të “MRT”. Gjykata konsideroi që këto veprime, megjithëse ndodhën para se Rusia të ratifikonte Konventën më 5 maj 1998, formonin pjesë të një zinxhiri të vazhdueshëm dhe të pandërprerë përgjegjësie nga ana e Federatës Ruse për fatin e të burgosurve. Gjykata gjeti gjithashtu që, si pjesë e atij zinxhiri përgjegjësie, gjatë kryengritjes në Transdniestria në vitet 1991-1992, autoritetet e Federatës Ruse kishin kontribuar si ushtarakisht ashtu edhe politikisht në vendosjen e regjimit separatist (shih Ilaşcu, cituar lart, § 382). Më tej, gjatë periudhës mes majit 1998, kur Rusia ratifikoi Konventën, dhe majit 2004, kur Gjykata shpalli vendimin, Gjykata gjeti që “MRT” mbijetoi falë mbështetjes ushtarake, ekonomike, financiare dhe politike të Federata Ruse dhe që ajo mbetej nn autoritetin efektiv, ose të paktën nën ndikimin vendimtar, të Rusisë (Ilaşcu, cituar lart, § 392). Prandaj Gjykata arriti në përfundimin që kërkuesit hynin nën “juridiksionin” e Federatës Ruse për qëllimet e nenit 1 të Konventës (Ilaşcu, cituar lart, §§ 393-394).
112. Në këto rrethana, aty ku Gjykata tashmë kishte arritur në përfundimin që Federata Ruse kishte juridiksion mbi ngjarje të caktuara në Transdniestria gjatë periudhës relevante, ajo konsideron që tani i takon qeverisë ruse të konstatojë që Rusia nuk ka ushtruar juridiksionnë lidhje me ngjarjet për të cilat ankohen kërkuesit e tanishëm.
113. Qeveria ruse e mohon që Rusia ka ushtruar juridiksion në Transdniestria gjatë periudhës relevante. Ajo thekson, së pari, që çështja në fjalë është qartë e dallueshme nga Ilaşcu, cituar lart, aty ku Gjykata ka gjetur që ushtarët rusë kanë kryer arrestimin dhe burgosjen fillestare të kërkuesve, dhe Al-Skeini, gjithashtu cituar lart, aty ku Gjykata ka gjetur që Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion në lidhje me civilët irakianë të vrarë gjatë operacioneve të sigurisë të zhvilluara nga ushtarët britanikë.
114. Gjykata kujton se ajo është shprehur që një Shtet mundet, në disa rrethana të jashtëzakonshme, të ushtrojë juridiksion jashtëterritorial përmes konstatimit të autoritetit dhe kontrollit nga agjentët e Shtetit mbi një individ ose individë, siç ndodhi për shembull në çështjen Al-Skeini, (cituar lart§ 149). Megjithatë, Gjykata po ashtu është shprehur se një Shtet mund të ushtrojë juridiksion jashtëterritorial kur, si pasojë e një veprimi të ligjshëm ose të paligjshëm ushtarak, një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv mbi nj zonë jashtë atij territori kombëtar (shih paragrafin 160 lart). Gjykata pranon që nuk ka prova të ndonjë përfshirjeje të drejtpërdrejtë të agjentëve rusë në veprimet e ndërmarra kundër shkollave të kërkuesve. Megjithatë, parashtresa e kërkuesve shprehet që Rusia kishte kontroll efektiv mbi “MRT” gjatë periudhës relevante dhe Gjykata duhet të përcaktojë nëse ka qenë kështu.
115. Qeveria e Federatës Ruse diskuton që Gjykata mund të gjente që Rusia ka pasur kontroll efektiv vetëm nëse do të gjente që “Qeveria” e “MRT” mund të shihej si organ i shtetit rus në përputhje me qasjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Çështjen Lidhur me Zbatimin e Konventës mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (Bosnja dhe Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi (shih paragrafin 76 lart). Gjykata kujton që në vendimin mbi të cilin është mbështetur qeveria e Federatës Ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte të bënte me përcaktimin se kur sjellja e një personi apo grupi personash mund t’i atribuohej një Shteti, në mënyrë që Shteti të mund të mbahej përgjegjës sipas të drejtës ndërkombëtare në lidhje me atë sjellje. Sidoqoftë, në rastin konkret, Gjykata ka të bëjë me një çështje tjetër, pra nëse faktet për të cilat ankohet një kërkues hyjnë brenda juridiksionit të një Shteti përgjegjës në kuptim të nenit 1 të Konventës. Siç tregon përmbledhja e praktikës gjyqësore të Gjykatës më lart, testi për përcaktimin e ekzistencës së “juridiksionit” sipas nenit 1 të Konventës nuk është barazuar kurrë me testin për përcaktimin e përgjegjësisë së një Shteti për një veprim ndërkombëtarisht të gabuar sipas të drejtës ndërkombëtare.
116. Në rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata duhet të sigurohet nëse, në aspektin faktik, Rusia ushtronte kontroll efektiv mbi “MRT” gjatë periudhës gusht 2002 - korrik 2004. Në dhënien e këtij vlerësimi, Gjykata do të marrë për bazë të gjitha materialet që i janë vënë në dispozicion ose, nëse lind nevoja, materialet e siguruara proprio motu (shih, mutatis mutandis, Saadi kundër Italisë [GC], nr. 37201/06, § 128, ECHR 2008).
117. Qeveria ruse theksoi që prania e saj ushtarake në Transdniestria gjatë periudhës relevante ishte e papërfillshme, duke përmbajtur vetëm rreth 1.000 ushtarakë ROG për të ruajtur depot e armëve në Colbaşna dhe 1.125 ushtarë të tjerë të vendosur në Zonën e Sigurisë si pjesë e forcës paqeruajtëse për të cilën ishin marrë vesh ndërkombëtarisht. Në vendimin Ilaşcu Gjykata gjeti që kishte rreth 1.500 personel ROG në shërbim që ruante depon e armëve në vitin 2002 (cituar lart, § 131). Numrat e trupave ruse nuk diskutohen nga palët e tjera në çështje (shih paragrafin 37 lart). Për sa i përket depos së armëve në Colbaşna, është e pamundur të përcaktohet saktësisht madhësia dhe përmbajtja e saj për periudhën 2002-2004, meqenëse qeveria ruse nuk i ka ofruar Gjykatës informacionet e hollësishme që kjo e fundit i ka kërkuar dhe meqenëse asnjë vëzhguesi të pavarur nuk i është lejuar qasje. Megjithatë, në vendimin Ilaşcu (cituar lart, § 131), Gjykata i është referuar provave për të treguar që në vitin 2003 në ROG ka pasur të paktën 200.000 tonë pajisje dhe municione ushtarake atje, dhe gjithashtu 106 tanke luftarake, 42 automjete të blinduara, 109 autoblinda personeli ushtarak, 54 automjete të blinduara për rekonjicion, 123 topa dhe mortaja, 206 armë anti-tank, 226 armë anti-ajrore, nëntë helikopterë dhe 1.648 automjete të llojeve të ndryshme.
118. Gjykata pranon që, deri në vitet 2002-2004, numri i personelit ushtarak rus të vendosur në Transdniestria ishte zvogëluar në mënyrë të ndjeshme (shih Ilaşcu, cituar lart, § 387) dhe ishte i vogël në krahasim me madhësinë e territorit. Pavarësisht nga kjo, siç gjeti Gjykata në Ilaşcu (cituar lart, § 387), për sa i përket madhësisë së arsenalit të depozituar në Colbaşna, rëndësia ushtarake e ushtrisë ruse në rajon dhe ndikimi i saj zhbindës vazhdonte ende. Më tej, për sa u përket depove të armëve dhe trupave, Gjykata konsideron që sfondi historik ka peshë të konsiderueshme mbi pozicionin gjatë periudhës nën shqyrtim në çështjen në fjalë. Nuk mund të harrohet që në vendimin Ilaşcu Gjykata u shpreh që separatistët ishin në gjendje të siguronin pushtetin në vitin 1992 vetëm si rezultat i ndihmës nga ushtria ruse. Depoja e armëve në Colbaşna fillimisht ishte në pronësi të Armatës së 14-të të BRSS dhe Gjykata gjeti që kjo e vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm që gjatë konfliktit të armatosur separatistët arritën, me ndihmën e personelit të Armatës së 14-të, të pajiseshin nga depoja e armëve. Më tej Gjykata gjeti që transferimi masiv tek separatistët i armëve dhe municioneve nga depot e Armatës së 14-të ishte qenësor në parandalimin e ushtrisë moldave nga rimarrja e kontrollit mbi Transdniestria. Përveç kësaj, Gjykata gjeti që, prej fillimit të konfliktit, numra të shumtë të shtetasve rusë nga jashtë rajonit, posaçërisht Kozakë, shkuan në Transdniestria për të luftuar me separatistët kundër forcave moldave. Së fundi, ajo gjeti që në prill 1992 ushtria ruse e vendosur në Transdniestria (ROG) ndërhyri në konflikt, duke lejuar që separatistët të merrnin nën kontroll qytetin Tighina.
119. Qeveria ruse nuk i ka ofruar Gjykatës prova për të treguar se këto gjetje të bëra në vendimin Ilaşcu ishin të pavërteta. Sipas mendimit të Gjykatës, duke pasur parasysh gjetjen e saj që regjimi separatist fillimisht ishte vendosur vetëm falë ndihmës ushtarake ruse, fakti që Rusia i mbante ende depot e armëve në territorin e Moldavisë, në shkelje të zotimeve të saj ndërkombëtare dhe në fshehtësi të plotë, së bashku me 1.000 trupa për t’i mbrojtur ato, jepte një sinjal të fortë të mbështetjes së saj të vazhdueshme për regjimin e “MRT”.
120. Siç u përmend më lart, Gjykata në vendimin Ilaşcu po ashtu gjeti që “MRT” kishte mbijetuar gjatë periudhës në fjalë vetëm falë mbështetjes ekonomike të Rusisë, inter alia (shih paragrafin 111 lart). Gjykata nuk konsideron që qeveria ruse e ka hequr barrën e provës nga supet e saj dhe ka konstatuar që kjo gjetje ishte e pasaktë. Në mënyrë të veçantë, nuk mohohet nga qeveria ruse që korporata publike ruse Gazprom e ka furnizuar rajonin me gaz natyror dhe që “MRT” ka paguar vetëm një pjesë tepër të vogël të gazit të konsumuar, si nga shtëpitë ashtu edhe nga komplekse të mëdha industriale të ngritura në Transdniestria, shumë prej të cilave Gjykata gjeti që ishin prona ruse (shih paragrafët 39-40 lart). Qeveria ruse pranon që ajo shpenzon miliona dollarë amerikanë çdo vit në formë ndihmash humanitare për popullsinë e Transdniestrias, përfshirë pagimin e pensioneve të moshës së vjetër dhe asistencës financiare për shkollat, spitalet dhe burgjet. Duke pasur parasysh statistikat e ofruara nga qeveria moldave dhe të pakontestuara nga qeveria ruse që vetëm afro 20% e popullsisë së “MRT” është ekonomikisht aktive, rëndësia e pensioneve dhe ndihmave të tjera ruse për ekonominë vendase mund të vlerësohet më mirë. Së fundi, Gjykata vëren që qeveria ruse nuk i konteston statistikat e ofruara nga kërkuesit në lidhje me nacionalitetin, sipas të cilave pothuaj një e pesta e atyre që jetojnë në rajonin e kontrolluar nga “MRT” ka marrë shtetësinë ruse (shih paragrafët 41-42 lart).
121. Prandaj, në përmbledhje, qeveria ruse nuk e ka bindur Gjykatën që përfundimet e saj në vendimin Ilaşcu të vitit 2004 (cituar lart) ishin të pasakta. “MRT” është vendosur si rezultat i mbështetjes ushtarake ruse. Prania e vazhduar e ushtrisë dhe armatimit rus në rajon jepte një sinjal të fortë për udhëheqësit e “MRT”, qeverinë moldave dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të mbështetjes së vazhdueshme ushtarake ruse për separatistët. Përveç kësaj, popullsia varej nga furnizimi pa pagesë ose shumë i subvencionuar me gaz natyror, pensione dhe forma të tjera të ndihmës financiare nga Rusia.
122. Prandaj, Gjykata është e mendimit që gjetjet e saj në vendimin Ilaşcu (cituar lart) që gjatë periudhës 2002-2004 “MRT” ka mundur ta vazhdonte ekzistencën e saj, duke i rezistuar përpjekjeve të Moldavisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktin dhe për të sjellë demokraci dhe sundimin e ligjit në rajon, vetëm për shkak të mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe politike të Rusisë. Në këto kushte, niveli i lartë i varësisë së “MRT” nga Rusia është tregues i fuqishëm që Rusia ushtronte kontroll efektiv dhe ndikim vendimtar mbi administratën e “MRT” gjatë periudhës së krizës së shkollave.
123. Rrjedh që kërkuesit e çështjes në fjalë hyjnë brenda juridiksionit të Rusisë sipas nenit 1 të Konventës. Gjykata tani duhet të përcaktojë nëse ka pasur ndonjë shkelje të të drejtave të tyre sipas Konventës të atilla që do të nxirrnin në pah përgjegjësinë e Shteteve përgjegjëse.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 2 TË PROTOKOLLIT Nr. 1 TË KONVENTËS
124. Neni 2 i Protokollit nr. 1 të Konventës parashikon:
“Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.”
A. Parashtrime e palëve
1. Kërkuesit
125. Kërkuesit parashtruan që Gjykata duhet të shfrytëzonte mundësinë për të zhvilluar praktikën e saj gjyqësore sipas nenit 2 të Protokollit nr. 1, duke pasur parasysh standardet ndërkombëtare të së drejtës për arsim. Për shembull, neni 26 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, neni 13 i § 1 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe neni 29 § 1(a) i Konventës për të Drejtat e Fëmijës të gjithë parashikonin që arsimi duhet të orientohet drejt “zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor”. Gjykata tashmë kishte njohur rëndësinë e arsimit për zhvillimin e fëmijës, duke iu referuar këtyre instrumenteve: Timishev kundër Rusisë, nr. 55762/00 dhe nr. 55974/00, § 64, ECHR 2005‑XII). Në parashtresën e kërkuesve, një qëllim i mëtejshëm i arsimit ishte t’u mundësohej fëmijëve funksionimi dhe pjesëmarrja në shoqëri, si fëmijë dhe në të ardhmen si të rritur. Arsimi që nuk arrinte t’i përmbushte këto qëllime mund të pengonte qasjen e fëmijës ndaj mundësive të ndryshme dhe aftësinë e tij/saj për t’i ikur varfërisë dhe për të gëzuar të drejta të tjera të njeriut. Në parashtresën e kërkuesve, përdorimi i gjuhës ishte thellësisht i lidhur me këto prioritete arsimore.
126. Kërkuesit parashtruan që incidentet kryesore mbi të cilat ata bazoheshin ndodhën mes viteve 2002 dhe 2004, kur shkollat u detyruan me forcë të mbylleshin dhe të rihapeshin në ambiente të tjera. Ata paraqitën dëshmi që shpjegonin se si veprimet e “MRT” kundër shkollave kishin ndikuar tek secili prej tyre individualisht. Në verën e vitit 2004, shkollat ishin mbyllur dhe ambientet e tyre ishin rrethuar dhe më pas në to kishte hyrë me forcë policia e “MRT”. Mësuesit ishin arrestuar dhe ishin burgosur dhe materialet me shkrim latin ishin konfiskuar dhe shkatërruar. Disa prindër kishin humbur punën për shkak të vendimit për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollat e gjuhës moldave.
127. Kërkuesit theksuan që nuk kishte pasur ndryshime domethënëse në situatën e tyre që nga ajo kohë. Ligji që ndalonte shkrimin latin mbetej në fuqi dhe mësimdhënia në gjuhën moldave/rumune përmbante rrezikun e ngacmimit dhe ndjekjes penale. Pas ngjarjeve të viteve 2002 dhe 2004, shumë prindër i kishin braktisur përpjekjet për t’i arsimuar fëmijët e tyre në moldavisht/rumanisht. Ata që vazhdonin ende me këto përpjekje duhet të pranonin që cilësia e arsimit do të ndikohej nga mungesa e ambienteve të përshtatshme, udhëtimet e gjata për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla, mungesa e materialeve, mungesa e aktiviteteve jashtëshkollore dhe ngacmimet e vazhdueshme, vandalizmi në ambientet shkollore, frikësimi dhe abuzimi verbal. Alternativa e ofruar nga autoritetet e “MRT” për folësit e gjuhës moldave/rumune ishte arsimi në gjuhën “moldaviane” (gjuha moldave/rumune e shkruar me shkrim cirilik). Megjithatë, meqenëse kjo gjuhë nuk ishte njohur askund jashtë Transdniestrias, dhe nuk përdorej as nga administrata e “MRT”, materialet mësimore ishin të periudhës Sovjetike dhe mundësitë për arsim të mëtejshëm ose të lartë apo për punësim zvogëloheshin.
128. Dështimi i autoriteteve të “MRT” për të ofruar arsim të vazhdueshëm në gjuhën dominuese dhe zyrtare të Shtetit territorial ishte e qartë që ndikonte në substancën e së drejtës për arsim. Përveç kësaj, nuk ishin bërë fare përpjekje nga “MRT” për të akomoduar popullsinë etnike moldave duke i lejuar qasje të lirë në shkolla private ku fëmijët mund të arsimoheshin në gjuhën e tyre. Kërkuesit e krahasuan pozicionin e tyre me atë të enklavave me popullsi greke në çështjen Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 278. Përveç kësaj, kërkuesit prindër u ankuan për ndërhyrjen tek e drejta e tyre për respekt ndaj bindjeve të tyre filozofike në ofrimin e arsimit nga Shteti; në mënyrë të veçantë, bindjen e tyre që interesat më të mira të fëmijëve të tyre ishin në arsimin në gjuhën moldave.
129. Kërkuesit parashtruan që Moldavia kishte detyrimin pozitiv të ndërmerrte të gjitha masat e arsyeshme dhe të përshtatshme që ishin të nevojshme për të ruajtur dhe mbrojtur mësimin në gjuhën moldave kudo të territorin e saj. Për sa i përket përmbushjes nga Moldavia të detyrimit të saj pozitiv, kërkuesit parashtruan që trajtimi i shkollave ku përdorej shkrimi latin nuk ishte bërë kusht për zgjidhjen e konfliktit gjatë negociatave shumëpalëshe dhe nuk dukej se ishte përmendur në përfaqësimet tek autoritetet e “MRT” dhe qeverisë ruse. Zyrtarët e “MRT” lejoheshin të udhëtonin përmes Moldavisë pa pengesa, ndryshe nga veprimet e ndërmarra nga BE për të ndaluar anëtarë të nivelit të lartë të “MRT” nga territori i BE, shprehimisht për shkak të trajtimit të shkollave që përdorin shkrimin latin, inter alia. Kërkuesit gjithashtu pretenduan që qeveria moldave kishte bërë përpjekje të pamjaftueshme për t’u siguruar që fëmijët të ktheheshin në ambiente shkollore të përshtatshme dhe të mbroheshin nga ngacmimet.
130. Kërkuesit parashtruan që shkeljet në këtë rast kishin lidhje të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me Federatën Ruse dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj për administratën e “MRT”. Nuk kishte tregues të ndonjë mase të marrë nga Rusia për të parandaluar shkeljet apo për të shprehur kundërshtimin ndaj tyre. Përkundrazi, Rusia e mbështeste politikën arsimore të “MRT” duke ofruar materiale mësimore për shkollat ku përdorej gjuha ruse brenda rajonit, duke njohur kualifikimet e shkollave të “MRT” ku përdorej gjuha ruse, dhe duke hapur institute ruse të arsimit të lartë brenda Transdniestrias, pa u konsultuar me qeverinë moldave.
2. Qeveria moldave
131. Qeveria moldave nuk kishte informacione të hollësishme rreth detajeve të situatës së vazhdueshme të kërkuesve. Megjithatë, ajo mundi të konfirmonte që, megjithëse kriza fillestare dukej se kishte kaluar dhe situata ishte “normalizuar”, numri i fëmijëve në secilën prej tri shkollave vazhdonte të binte. Për shembull, numri i fëmijëve në shkollat Alexandru cel Bun dhe Evrica ishte përgjysmuar mes viteve 2007 dhe 2011, ndërsa numri i fëmijëve në shkollën Ştefan cel Mare kishte mbetur relativisht i qëndrueshëm. Në përgjithësi, numri i nxënësve që mësonin në shkollat e gjuhës moldave/rumune në Transdniestria kishte rënë nga 2.545 në vitin 2009 tek 1.908 në vitin 2011.
132. Qeveria moldave parashtroi që ajo kishte marrë të gjitha hapat e arsyeshëm për të përmirësuar situatën, në përgjithësi për sa i përket konfliktit të Transdniestrias dhe në veçanti për sa i përket përkrahjes për shkollat. Ajo deklaroi që regjimi separatist i Transdniestrias nuk ishte mbështetur asnjëherë nga Moldavia. Objektiva e vetme e qeverisë moldave ishte të zgjidhte mosmarrëveshjen, të merrte nën kontroll territorin dhe të vendoste sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut.
133. Për sa u përket vetë shkollave, qeveria moldave kishte paguar qiranë dhe rregullimin e ndërtesave, rrogat e mësuesve, materialet mësimore, autobusët dhe kompjuterët. Sipas ligjit moldav, këto kërkues, ashtu si të gjithë ata që përfundonin studimet në shkolla në Transdniestria, kishin privilegje të posaçme në aplikimin për vende pune në universitetet dhe institutet e arsimit të lartë në Moldavi. Për më tepër, qeveria moldave e kishte ngritur çështjen e shkollave të Transdniestrias në nivel ndërkombëtar dhe kishte kërkuar ndihmë dhe ndërmjetësim ndërkombëtar, për shembull, në një konferencë të mbajtur nën kujdesin e BE dhe OSBE në Gjermani në vitin 2011. Nuk mund të pritej që qeveria moldave të bënte më shumë sesa të përmbushte detyrimin e saj pozitiv në lidhje me kërkuesit, duke pasur parasysh që ajo nuk ushtronte autoritet apo kontroll faktik mbi territorin në fjalë.
134. Hapat të cilët Moldavia kishte marrë për të përmirësuar pozicionin e kërkuesve mund të merreshin si njohje e nënkuptuar e faktit që të drejtat e tyre ishin shkelur. Qeveria moldave nuk e kontestoi pra që nuk kishte pasur shkelje të së drejtës për arsim në rastin konkret. Përkundrazi, ajo i kërkoi Gjykatës që të vlerësonte me kujdes përgjegjësinë përkatëse të secilit Shtet në lidhje me këto shkelje të të drejtave të kërkuesve.
3. Qeveria ruse
135. Qeveria ruse, e cila mohoi çdo përgjegjësi për veprimet e “MRT”, parashtroi vetëm vërejtje të kufizuara për sa u përket themeleve të çështjes. Megjithatë, ajo theksoi që Rusisë nuk mund t’i kërkohej llogari për veprimet e policisë së “MRT” në hyrjen me dhunë në ambientet e shkollave apo për ndërprerjen nga autoritetet e “MRT” të furnizimit me rrymë elektrike dhe ujë. Ajo nënvizoi që Rusia kishte qenë e përfshirë në krizën e shkollave vetëm në rolin e ndërmjetëses. Së bashku me ndërmjetësit nga Ukraina dhe OSBE, ajo ishte përpjekur të ndihmonte palët për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Për më tepër, ajo shtoi se nga shtator-tetori i vitit 2004, pas këtij ndërmjetësimi ndërkombëtar, problemet ishin zgjidhur dhe fëmijët në të tri shkollat mundën të rifillonin mësimin.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
136. Në interpretimin dhe zbatimin e nenit 2 të Protokollit Nr. 1, Gjykata duhet të ketë parasysh faktin që konteksti i tij është një traktat për mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut dhe që Konventa duhet të lexohet si e tërë, dhe duhet të interpretohet në mënyrë të atillë që të promovojë qëndrueshmërinë dhe harmoninë e brendshme mes dispozitave të saj të ndryshme (Stec dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.) [GC], nr. 65731/01 dhe nr. 65900/01, § 48, ECHR 2005-X; Austin dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 39692/09, nr. 40713/09 dhe nr. 41008/09, § 54, 15 mars 2012). Dy fjalitë e nenit 2 të Protokollit nr. 1 pra duhet të lexohen jo vetëm nën dritën e njëra-tjetrës por edhe, veçanërisht, të neneve 8, 9 dhe 10 të Konventës të cilat shpallin të drejtën e secilit, përfshirë prindërve dhe fëmijëve, “për respekt ndaj jetës së tyre private dhe familjare”, për “lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë”, dhe për “lirinë ... për të marrë dhe dhënë informacione dhe ide” (shih Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen kundër Danimarkës, vendimi i 7 dhjetorit 1976, Seria A nr. 23, § 52; Folgerø dhe të Tjerë kundër Norvegjisë [GC], nr. 15472/02, § 84, ECHR 2007‑III; Lautsi dhe të Tjerë kundër Italisë [GC], nr. 30814/06, § 60, ECHR 2011 (pjesë të shkëputura); shih gjithashtu Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 278, ECHR 2001‑IV). Në interpretimin dhe zbatimin e kësaj dispozite, duhet të merret parasysh çdo rregull dhe parim përkatës i së drejtës ndërkombëtare që janë të zbatueshme në marrëdhëniet mes Palëve Kontraktuese dhe Konventa duhet të interpretohet sa më shumë që të jetë e mundur në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare pjesë e së cilës është ajo vetë (shih Al-Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, § 55, ECHR 2001-XI; Demir dhe Baykara kundër Turqisë [GC], nr. 34503/97, § 67, ECHR 2008; Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, § 62, ECHR 2008-...; Rantsev kundër Qipros dhe Rusisë, nr. 25965/04, §§ 273-274, ECHR 2010 (pjesë të shkëputura)). Dispozitat lidhur me të drejtën për arsim të përcaktuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventa kundër Diskriminimit në Arsim, Pakti Ndërkombëtar për Të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e Të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Konventa për Të Drejtat e Fëmijës pra janë relevante (shih paragrafët 77-81 lart, dhe shih gjithashtu Timishev kundër Rusisë, nr. 55762/00 dhe nr. 55974/00, § 64, ECHR 2005‑XI). Së fundi, Gjykata thekson që objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore individuale, kërkon që dispozitat e saj të interpretohen dhe të zbatohet në mënyrë të atillë që mbrojtjet e saj të bëhen praktike dhe efektive (shih, inter alia, Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 87, Seria A nr. 161; dhe Artico kundër Italisë, 13 maj 1980, § 33, Seria A nr. 37).
137. Duke u zotuar, me fjalinë e parë të nenit 2 të Protokollit nr. 1, që të mos “mohohet e drejta për arsim”, Shtetet Kontraktuese i garantojnë secilit brenda juridiksionit të tyre të drejtën për qasje në institucionet arsimore ekzistuese në një kohë të dhënë (shih Çështjen “lidhur me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsim në Belgjikë”, vendimi i 23 korrikut 1968, Seria A nr. 6 §§ 3-4). Kjo e drejtë për qasje përbën vetëm një pjesë të së drejtës për arsim që përmendet në fjalinë e parë. Për të drejtën e të qenit efektive, është më tej e nevojshme që, inter alia, individi i cili është përfituesi të ketë mundësinë e nxjerrjes së përfitimit nga arsimi i vijuar, që do të thotë e drejta për të marrë, në përputhje me ligjet në fuqi në çdo Shtet, dhe në një formë apo një tjetër, njohje zyrtare të studimeve që ka përfunduar (Çështja “lidhur me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsim në Belgjikë”, cituar lart, § 4). Për më tepër, megjithëse teksti i nenit 2 të Protokollit nr. 1 nuk saktëson gjuhën në të cilën duhet të zhvillohet arsimi, e drejta për arsim do të ishte e pakuptimtë nëse nuk do të nënkuptonte, në favor të përfituesve, të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën kombëtare ose në njërën prej gjuhëve kombëtare, sipas rastit (Çështja “lidhur me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsim në Belgjikë”, cituar lart, § 3).
138. E drejta e përcaktuar në fjalinë e dytë të nenit është një plotësim i së drejtës themelore për arsim të përcaktuar në fjalinë e parë. Prindërit janë përgjegjësit kryesorë për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre dhe prandaj ata mund t’i kërkojnë Shtetit që të respektojë bindjet e tyre fetare dhe filozofike (shih Çështja “lidhur me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsim në Belgjikë”, cituar lart, §§ 3-5, dhe Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen kundër Danimarkës, vendimi i 7 dhjetorit 1976, Seria A nr. 23, § 52). Fjalia e dytë synon mbrojtjen e mundësisë së pluralizmit në arsim e cila është thelbësore për ruajtjen e “shoqërisë demokratike” siç është konceptuar nga Konventa. Kjo nënkupton që Shteti, në përmbushjen e funksioneve të marra përsipër prej tij në lidhje me arsimin dhe edukimin, duhet të kujdeset që informacioni apo njohuritë e përfshira në kurrikulum të përcillen në mënyrë objektive, kritike dhe pluraliste. Shteti e ka të ndaluar të ndjekë një qëllim indoktrinimi që mund të konsiderohet i atillë që nuk i respekton bindjet fetare dhe filozofike të prindërve (Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen, cituar lart, §§ 50 dhe 53; Folgerø, cituar lart, § 84; Lautsi, cituar lart, § 62).
139. Të drejtat e përcaktuara në nenin 2 të Protokollit nr. 1 zbatohen për sa i përket Shtetit dhe institucioneve private (Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen, cituar lart, § 50). Përveç kësaj, Gjykata është shprehur që dispozita i zbatohet niveleve arsimore fillore, të mesme dhe të larta (shih Leyla Şahin kundër Turqisë [GC], nr. 44774/98, §§ 134 dhe 136, ECHR 2005-XI).
140. Sidoqoftë, Gjykata njeh faktin që, pavarësisht nga rëndësia e saj, e drejta për arsim nuk është absolute, por mund t’i nënshtrohet kufizimeve. Nëse nuk dëmtohet thelbi i së drejtës, këto kufizime lejohen në mënyrë të nënkuptuar meqenëse e drejta për qasje “në natyrën e saj kërkon rregullim nga Shteti” (shih Çështja “lidhur me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsim në Belgjikë”, cituar lart, § 3). Për të siguruar që kufizimet që vendosen nuk e shkurtojnë të drejtën në fjalë deri në masë të atillë sa të dëmtohet vetë thelbi i saj dhe ajo të privohet nga efektiviteti i saj, Gjykata duhet të bindet që ato duhet të jenë të parashikueshme për të gjithë të interesuarit dhe të ndjekin një qëllim legjitim. Megjithatë, ndryshe nga pozicioni për sa i përket neneve 8 deri në 11 të Konventës, ajo nuk është e detyruar nga një listë shteruese e “qëllimeve legjitime” sipas nenit 2 të Protokollit nr. 1 (shih, mutatis mutandis, Podkolzina kundër Latvias, nr. 46726/99, § 36, ECHR 2002-II). Më tej, një kufizim është në përputhje me nenin 2 të Protokollit nr. 1 vetëm nëse ka një marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (Leyla Şahin, cituar lart, § 154). Megjithëse vendimi përfundimtar për sa i përket respektimit të kërkesave të Konventës i takon Gjykatës, Shtetet Kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi në këtë sferë. Kjo hapësirë vlerësimi rritet me nivelin e arsimit, në proporcion të anasjelltë me rëndësinë e atij arsimi për të interesuarit dhe për shoqërinë e gjerë (shih Ponomaryovi kundër Bullgarisë, nr. 5335/05, § 56, ECHR 2011).
2. Nëse ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesve për arsim në çështjen në fjalë
141. Gjykata vëren që asnjëra prej qeverive përgjegjëse nuk i ka kontestuar pretendimet e kërkuesve në lidhje me mbylljen e shkollave. Në fakt, ngjarjet thelbësore të viteve 2002 dhe 2004 u monitoruan dhe dokumentuan nga disa organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE (shih paragrafin 66 lart). Kërkuesit u ankuan më tej që, megjithëse shkollat më pas u lejuan të rihapeshin, ndërtesat e tyre u militarizuan nga autoritetet e “MRT” dhe atyre iu desh të lëviznin në ambiente të tjera të cilat ishin më pak të rregulluara dhe të vendosura në zona më pak praktike. Kërkuesit diskutojnë që ata i janë nënshtruar një fushate sistematike ngacmimesh dhe frikësimi nga përfaqësuesit e regjimit të “MRT” dhe nga individë privatë. Fëmijët abuzoheshin verbalisht rrugës për në shkollë dhe ndaloheshin për t’u kontrolluar nga policia dhe rojet kufitare të “MRT”, të cilët ua konfiskonin librat me shkrim latin kur ua gjenin. Përveç kësaj, dy shkollat e vendosura në territorin e kontrolluar nga “MRT” ishin në shënjestër të akteve të vazhdueshme të vandalizmit. Kërkuesit parashtruan që alternativa, për prindërit dhe fëmijët nga komuniteti moldav, ishte ose të vuanin këto ngacmime ose të ndiqnin një shkollë tjetër ku mësimi mbahej në gjuhën ruse, ukrainase ose “moldaviane”, që do të thotë moldavisht/rumanisht e shkruar me alfabet cirilik. Gjuha “moldaviane” nuk ishte gjuhë e përdorur apo e njohur askund në botë, megjithëse kishte qenë një prej gjuhëve zyrtare në Moldavi në periudhën Sovjetike. Kjo nënkuptonte që materialet e vetme mësimore në dispozicion për shkollat “moldaviane” në Transdniestrian e kohëve moderne ishin nga periudha Sovjetike. Nuk kishte universitete apo kolegje “moldaviane”, kështu që fëmijëve nga shkolla të tilla të cilët dëshironin të vazhdonin më tej arsimin e lartë u duhej të mësonin një alfabet ose gjuhë të re.
142. Ndërkohë që është e vështirë që Gjykata të konstatojë në detaje faktet lidhur me përvojën e kërkuesve pas rihapjes së shkollave të tyre, ajo sidoqoftë vëren si vijon. Së pari, neni 6 i “Ligjit mbi Gjuhët” të “MRT” ishte në fuqi dhe përdorimi i alfabetit latin përbënte shkelje në “MRT” (shih paragrafin 43 lart). Së dyti, është e qartë që shkollat u desh të lëviznin në ndërtesa të tjera, ku shkolla Alexandru vel Bun u nda në tre vende të ndryshme dhe nxënësit e shkollës Ştefan cel Mare duhet të udhëtonin 40 km çdo ditë. Së treti, sipas shifrave të paraqitura nga qeveria moldave, numri i nxënësve të regjistruar në dy shkollat që ende ndodheshin në territorin e kontrolluar nga “MRT” ishte përgjysmuar mes viteve 2007 dhe 2011 dhe po ashtu kishte pasur reduktime të konsiderueshme të numrit të fëmijëve që mësonin në gjuhën moldave/rumune në tërë Transdniestrian. Megjithëse duket se Transdniestria ka një popullsi në plakje dhe që posaçërisht moldavët po emigrojnë (shih paragrafët 8 dhe 42 lart), Gjykata konsideron që rënia e vijueshmërisë me 50% në shkollat Evrica de Alexandru cel Bun është tepër e lartë për t’u shpjeguar vetëm me faktorët demografikë. Për Gjykatën, këto fakte të pakontestuara shërbejnë për të vërtetuar tërësinë e përgjithshme të pretendimeve të përmbajtura në 81 dëshmitë e paraqitura nga prindërit dhe nxënësit kërkues, ku përshkruhen ngacmimet e vazhdueshme që ata kanë përjetuar.
143. Shkollat ishin gjatë tërë kohës të regjistruara pranë Ministrisë së Arsimit të Moldavisë, ato përdornin një kurrikulum të miratuar nga Ministria dhe mësimi zhvillohej në gjuhën e parë zyrtare të Moldavisë. Prandaj Gjykata konsideron që mbyllja e forcë e shkollave, mbi bazën e “Ligjit mbi Gjuhët” të “MRT” (shih paragrafët 43-44 lart), dhe masat vijuese të ngacmimit përbënin ndërhyrje tek të drejtat e nxënësve ndaj institucioneve arsimore ekzistuese në një kohë të dhënë dhe për t’u arsimuar në gjuhën e tyre kombëtare (shih paragrafin 137 lart). Përveç kësaj, Gjykata konsideron që këto masa shkonin deri në ndërhyrje tek të drejtat e prindërve kërkues për të siguruar arsimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre filozofike. Siç u tha më lart, neni 2 i Protokollit nr. 1 duhet të lexohet nën dritën e nenit 8 të Konventës, i cili mbron të drejtën për respekt ndaj jetës private dhe familjare, inter alia. Prindërit kërkues në këtë rast dëshironin që fëmijët e tyre të arsimoheshin në gjuhën zyrtare të vendit të tyre, e cila ishte gjithashtu gjuha e tyre amtare. Në fakt, ata ishin vënë në një pozicion të palakmueshëm ku duhet të zgjidhnin, nga njëra anë, mes dërgimit të fëmijëve të tyre në shkolla ku do të përballeshin me disavantazhin e ndjekjes së tërë arsimit dytësor në një kombinim gjuhe dhe alfabeti të cilin e konsideronin artificial dhe i cili nuk njihej askund, duke përdorur materiale mësimore të periudhës Sovjetike, ose, nga ana tjetër, t’i nënshtronin fëmijët e tyre ndaj udhëtimeve të gjata dhe/ose ambienteve shkollore nën standardin e duhur, ngacmimeve dhe frikësimit.
144. Nuk ka prova para Gjykatës që sugjerojnë që masat e marra nga autoritetet e “MRT” në lidhje me këto shkolla kishin një qëllim legjitim. Në fakt, duket se politika gjuhësore e “MRT”, ashtu siç është zbatuar tek këto shkolla, kishte për qëllim rusifikimin e gjuhës dhe kulturës së komunitetit moldav që jetonte në Transdniestria, në përputhje me objektivat e përgjithshme politike të “MRT” për bashkimin me Rusinë dhe ndarjen nga Moldavia. Duke pasur parasysh rëndësinë themelore të arsimit fillor dhe të nivelit të dytë në zhvillimin personal dhe suksesin e ardhshëm të secilit fëmijë, ishte e palejueshme që të ndërpritej shkollimi i fëmijëve dhe të detyroheshin ato dhe prindërit e tyre që të bënin zgjedhje kaq të vështira me qëllimin e vetëm të trasimit të ideologjisë separatiste.
3. Përgjegjësia e Shteteve Përgjegjëse
(a) Republika e Moldavisë
145. Gjykata më tutje duhet të përcaktojë nëse Republika e Moldavisë i ka përmbushur detyrimet e veta për të marrë masa të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të siguruar të drejtat e kërkuesve sipas nenit 2 të Protokollit nr. 1 (shih paragrafin 110 lart). Në vendimin Ilaşcu (cituar lart, §§ 339-340), Gjykata u shpreh se detyrimet pozitive të Moldavisë kishin të bënin si me masat e nevojshme për të rivendosur kontrollin mbi territorin e Transdniestrias, si shprehje e juridiksionit të saj, ashtu edhe me masat për të siguruar respektimin e të drejtave individuale të kërkuesve. Detyrimi për të rivendosur kontrollin mbi Transdniestria kërkonte që Moldavia, së pari, të frenohej nga mbështetja për regjimin separatist dhe, së dyti, të vepronte duke marrë të gjitha masat politike, gjyqësore dhe çdo masë tjetër në dispozicion për të rivendosur kontrollin mbi atë territor.
146. Për sa i përket përmbushjes së këtyre detyrimeve pozitive, Gjykata në çështjen Ilaşcu më tej gjeti që, prej fillimit të armiqësive në vitet 1991-1992 deri në datën e vendimit, në korrik 2004, Moldavia kishte marrë të gjitha masat në fuqinë e saj për të rivendosur kontrollin mbi territorin e Transdniestrias (cituar lart, §§ 341 to 345). Nuk ka prova para Gjykatës që sugjerojnë se ajo duhet të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveç këtij në çështjen në fjalë.
147. Në vendimin Ilaşcu Gjykata gjeti që Moldavia kishte dështuar në përmbushjen e plotë të detyrimit të saj pozitiv në shkallë të atillë që nuk kishte arritur të merrte masat në dispozicion gjatë negociatave me autoritetet e “MRT” dhe ato ruse për t’i dhënë fund shkeljes së të drejtave të kërkuesve (cituar lart, §§ 348-352). Për dallim, në rastin konkret, Gjykata konsideron që qeveria moldave ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të mbështetur kërkuesit. Në mënyrë të veçantë, pas marrjes së ndërtesave të mëparshme të shkollave nga “MRT”, qeveria moldave kishte paguar qiranë dhe rregullimin e ambienteve të reja shkollore dhe gjithashtu kishte paguar për të gjitha pajisjet, rrogat e stafit dhe shpenzimet e transportit, duke u mundësuar kështu shkollave të vazhdonin mësimin dhe fëmijëve të vazhdonin të mësonin në gjuhën moldave, sado që në kushte larg atyre ideale (shih paragrafët 49-53, 56 dhe 61-63 lart).
148. Duke marrë parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata konsideron që Republika e Moldavisë i ka përmbushur detyrimet e saj pozitive në lidhje me këto kërkues. Prandaj, Gjykata nuk gjen që ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 1 nga Republika e Moldavisë.
(b) Federata Ruse
149. Gjykata vëren që nuk ka prova të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të agjentëve rusë në masat e marra kundër kërkuesve. As nuk ka prova të përfshirjes ruse në politikën gjuhësore të “MRT” ose miratimin e saj në përgjithësi. Në fakt, ishte falë përpjekjeve të bëra nga ndërmjetësit rusë, duke vepruar së bashku me ndërmjetësit e tjerë nga Ukraina dhe OSBE, që autoritetet e “MRT” i kishin lejuar shkollat që të rihapeshin si “institucione të arsimit privat” (shih paragrafët 49, 56 dhe 66 lart).
150. Megjithatë, Gjykata ka konstatuar që Rusia ka ushtruar kontroll efektiv mbi “MRT” gjatë periudhës në fjalë. Nën dritën e këtyre përfundimeve, dhe në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës, nuk është e nevojshme të përcaktohet nëse Rusia ka ushtruar kontroll të detajuar mbi politikat dhe veprimet e administratës së varur lokale (shih paragrafin 106 lart). Me anë të mbështetjes së saj të vazhdueshme ushtarake, ekonomike dhe politike për “MRT”, e cila përndryshe nuk do të mund të mbijetonte, Rusisë i takon përgjegjësia sipas Konventës për shkeljen e të drejtave të kërkuesve për arsim. Në përfundim, Gjykata deklaron që ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 1 të Konventës në lidhje me Federatën Ruse.
...
V. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
161. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
162. Kërkuesit pretenduan dëmshpërblim për dëme jo materiale për kostot dhe shpenzimet ligjore.
...
166. Megjithatë, është e qartë që kërkuesit, si prindërit ashtu edhe fëmijët, kanë pësuar dëme jo materiale si pasojë e politikës gjuhësore të “MRT”, për të cilën gjetja e një shkeljeje të Konventës nuk parashikon kompensim të mjaftueshëm. Megjithatë, shumat e pretenduara nga kërkuesit janë të tepërta. Duke vendosur mbi baza barabarësie, Gjykata e vlerëson dëmin jo material të pësuar nga secili prej kërkuesve në shumën 6.000 euro.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, njëzëri, që faktet për të cilat janë ankuar kërkuesit hyjnë brenda juridiksionit të Republikës së Moldavisë;
2. Vendos, me 16 vota pro dhe një votë kundër, që faktet për të cilat janë ankuar kërkuesit hyjnë brenda juridiksionit të Federatës Ruse, dhe rrëzon kundërshtimin paraprak të Federatës Ruse;
3. Vendos, njëzëri, që nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 1 të Konventës për sa i përket Republikës së Moldavisë;
4. Vendos, me 16 vota pro dhe një kundër, që ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 1 të Konventës për sa i përket Federatës Ruse;
...
7. Vendos, me 16 vota pro dhe një kundër,
(a) që Federata Ruse duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve, shumat e mëposhtme:
(i) 6.000 euro (gjashtëmijë euro), plus çdo taksë që mund të jetë e ngarkueshme, në lidhje me dëme jo materiale, secilit kërkues të përmendur me emër në Tabelën e bashkangjitur këtu;
(ii) 50.000 euro (pesëdhjetëmijë euro), plus çdo taksë që mund të jetë e ngarkueshme ndaj kërkuesve, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, të gjithë kërkuesve së bashku;
(b) që nga skadimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane plus tri pikë përqindjeje;
8. Rrëzon, njëzëri, pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e Të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 19 tetor 2012.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet e ndara të mëposhtme i bashkangjiten këtij vendimi:
(a) Opinioni pjesërisht pakicë i Gjyqtarëve Tulkens, Vajić, Berro-Lefèvre, Bianku, Poalelungi dhe Keller;
(b) Opinioni pjesërisht pakicë i Gjyqtarit Kovler.
N.B.
M.O.B.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I'Europe/Cour européenne des droits de l'homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l'homme sont le français et l'anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l'homme du Conseil de l'Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l'homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l'a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l'affaire soit cité en entier et s'accompagne de l'indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l'homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l'adresse suivante: publishing@.
[1] Shënim nga Zyra e Kancelarit: Z. Shevchuk u zgjodh “President” i “MRT” në dhjetor 2011.
Full & Egal Universal Law Academy