© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore nr. 156 të Gjykatës
tetor 2012
Catan dhe të Tjerë kundër Republikës së Moldavisë [GC] - 43370/04, 18454/06 dhe 8252/05
Vendimi 19.10.2012 [GC]
Neni 1
Juridiksioni i Shteteve
Juridiksioni i Qeverive të Moldavisë dhe Rusisë në lidhje me politikën arsimore brenda rajonit separatist të Republikës së Moldavisë
Neni 2 i Protokollit nr. 1
Respekti për bindjet filozofike të prindërve
E drejta për arsim
Mbyllja e shkollave që zhvillojnë mësimin në shkrimin latin dhe ngacmimi i nxënësve që dëshirojnë të shkollohen në gjuhën e tyre kombëtare: shkelje
Faktet – Kërkuesit ishin fëmijë dhe prindër nga komuniteti moldav në Transdniestria, rajon në pjesën lindore të territorit të Republikës së Moldavisë mbi të cilin Qeveria e Moldavisë nuk ushtron kontroll. Kjo zonë qeveriset nga “Republika Moldaviane e Transdniestrias” (“MRT”), lëvizje separatiste. “MRT” nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkuesit u ankuan për efektet mbi arsimin dhe jetën familjare të tyre dhe fëmijëve të tyre të politikës gjuhësore të autoriteteve separatiste. Thelbi i ankesave të tyre ka të bëjë me masat e ndërmarra nga autoritetet e “MRT” në vitet 2002 dhe 2004 të cilat e ndaluan përdorimin e alfabetit latin në shkolla dhe kërkuan që të gjitha shkollat të regjistroheshin dhe të fillonin të përdornin kurrikulumin e miratuar nga “MRT” si dhe shkrimin cirilik. Këto veprime përfshinin dëbimin me forcë të nxënësve dhe mësuesve nga shkollat e tyre, dhe më pas mbylljen dhe zhvendosjen e shkollave të tyre në vendndodhje të largëta dhe në ambiente të pajisura keq. Më tej, kërkuesit diskutuan që ata iu nënshtruan një fushate sistematike ngacmimesh dhe frikësimi nga përfaqësuesit e regjimit të “MRT” dhe individëve privatë. Ata pretenduan që fëmijët e tyre ishin abuzuar verbalisht rrugës për në shkollë dhe ishin ndalur dhe kontrolluar nga policia dhe rojet kufitare të “MRT”, të cilët kishin konfiskuar librat me shkrim latin kur ua kishin gjetur dhe, përveç kësaj, dy shkollat e ndodhura në territorin e kontrolluar nga “MRT” kishin qenë në shënjestër të akteve të përsëritura të vandalizmit. Kërkuesit pretenduan që ngjarjet në fjalë hynin brenda juridiksionit të të dy Shteteve përgjegjëse.
E drejta – Neni 1: Kompetenca juridiksionale e një Shteti sipas nenit 1 është kryesisht territoriale. Megjithatë, në raste të jashtëzakonshme, veprimet e Shteteve Kontraktuese që janë kryer ose kanë shkaktuar efekte jashtë territoreve të tyre mund të përbëjnë ushtrim të juridiksionit. Një Shtet mund të ushtrojë juridiksion jashtëterritorial përmes pohimit të autoritetit dhe kontrollit përmes agjentëve të tij mbi një apo disa individë; ose kur, si pasojë e veprimeve ushtarake të ligjshme apo të paligjshme, ai ushtron kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit të tij kombëtar.
(a) Juridiksioni i Republikës së Moldavisë – Të tria shkollat ndodheshin gjatë tërë kohës të vendosura në territorin e Republikës së Moldavisë. Megjithëse nuk u kontestua që Moldavia nuk kishte autoritet në zonën në fjalë, dhe nuk i kontrollonte veprimet e “MRT”, në vendimin Ilaşcu Gjykata u shpreh se individët e burgosur në Transdniestria hynin brenda juridiksionit të Moldavisë sepse Moldavia ishte Shteti territorial, edhe pse nuk kishte kontroll efektiv mbi rajonin e Transdniestrias. Gjykata u shpreh në atë çështje që Moldavia kishte detyrimin sipas nenit 1 të Konventës që të ndërmerrte masat brenda pushtetit të saj për të siguruar të drejtat dhe liritë e Konventës. Gjykata nuk pa këtu baza mbi të cilat ta dallonte çështjen e tanishme. Fakti që rajoni njihej në kuadër të së drejtës publike ndërkombëtare si pjesë e territorit të Moldavisë nxiste detyrimin për të përdorur të gjitha mjetet ligjore dhe diplomatike në dispozicion të saj për të vazhduar të garantonte gëzimin e të drejtave dhe lirive të përkufizuara në Konventë për ata që jetonin aty.
Përfundim: brenda juridiksionit (njëzëri).
(b) Juridiksioni i Federatës Ruse – Meqenëse ngjarjet kyçe të kësaj çështjeje hynin brenda periudhës kohore të shqyrtuar nga Gjykata në vendim, dhe meqenëse në atë çështje Gjykata arriti në përfundimin që kërkuesit hynin brenda “juridiksionit” të Federatës Ruse për qëllimet e nenit 1 të Konventës, në çështjen aktuale i takonte Qeverisë ruse barra për të konstatuar që Rusia nuk ushtronte juridiksion në lidhje me ngjarjet për të cilat ishte bërë ankesë. Gjykata pranoi që nuk kishte prova të ndonjë përfshirjeje të drejtpërdrejtë të agjentëve rusë në veprimet e ndërmarra kundër shkollave të kërkuesve, dhe më tej shqyrtoi nëse Rusia kishte pasur kontroll efektiv mbi “MRT”. Duke pasur parasysh praninë ushtarake ruse në atë zonë, Gjykata pranoi që numri i forcave ruse të vendosura atje ishte zvogëluar në mënyrë domethënëse dhe ishte i vogël në krahasim me sipërfaqen e territorit. Sidoqoftë, siç gjeti Gjykata në çështjen Ilaşcu, duke pasur parasysh madhësinë e arsenalit të ushtrisë ruse në rajon ndikimi i saj vazhdonte. Sfondi historik gjithashtu kishte ndikim të konsiderueshëm – separatistët kishin arritur të siguronin pushtetin në vitin 1992 vetëm me ndihmën e ushtrisë ruse. Më tej, Gjykata kishte gjetur në çështjen Ilaşcu që “MRT” kishte mbijetuar gjatë periudhës në fjalë vetëm në saje të mbështetjes ekonomike të Rusisë, dhe u theksua që Qeveria ruse vazhdonte të shpenzonte shuma të mëdha çdo vit duke siguruar ndihma humanitare për popullsinë e Transdniestrias.
Nuk ishin nxjerrë prova që diskreditonin gjetjet në çështjen Ilaşcu, dhe prania e vazhdueshme ushtarake ruse dërgonte një sinjal të fortë të përkrahjes së vazhdueshme për regjimin e “MRT”. Prandaj, Qeveria ruse nuk e kishte bindur Gjykatën që përfundimet që kishte arritur ajo në çështjen Ilaşcu ishin të pasakta, dhe kërkuesit në çështjen aktuale hynin brenda juridiksionit të Rusisë.
Përfundimi: brenda juridiksionit (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një votë kundër).
Neni 2 i Protokollit nr. 1: Ishte e vështirë të konstatoheshin me hollësi faktet lidhur me përvojat e kërkuesve pas rihapjes së shkollave, por Gjykata shënoi që përdorimi i alfabetit latin përbënte vepër në “MRT”; që ishte e qartë se shkollave i ishte dashur të lëviznin në ambiente të tjera të cilat ishin shpesh shumë larg; dhe që numri i nxënësve që vijonin mësimin në këto shkolla kishte rënë në mënyrë të ndjeshme. Këto fakte të pakontestuara vërtetuan peshën e përgjithshme të pretendimeve të kërkuesve. Masat e ndërmarra dhe ngacmimet që kishin pësuar kërkuesit përbënin ndërhyrje tek të drejtat e nxënësve kërkues për qasje në institucionet arsimore dhe për arsimim në gjuhën e tyre kombëtare. Përveç kësaj, Gjykata konsideroi që masat shkonin deri në ndërhyrje tek e drejta e prindërve kërkues për të siguruar arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre filozofike, dhe Gjykata shënoi që neni 2 i Protokollit nr. 1 duhet te lexohej nën dritën e nenit 8 të Konventës. Duke shqyrtuar nëse ndërhyrja tek të drejtat e kërkuesve mund të konsiderohej të ishte e justifikuar, u vu re që nuk kishte prova që sugjeronin se masat e ndërmarra nga autoritetet e “MRT” në lidhje me këto shkolla kishin një qëllim legjitim. Në fakt, dukej që politika gjuhësore e “MRT”, ashtu siç ishte zbatuar në këto shkolla, kishte për qëllim implementimin e rusifikimit të gjuhës dhe kulturës së komunitetit moldav. Më tej, Gjykata shqyrtoi përgjegjësinë e Shteteve përgjegjëse për sa i përket kësaj ndërhyrjeje.
(a) Detyrimet e Republikës së Moldavisë – Ndryshe nga pozicioni i saj në çështjen Ilaşcu, ku Gjykata gjeti që Moldavia nuk i kishte marrë të gjitha masat në dispozicion për të ndaluar shkeljet e Konventës në atë rast, në çështjen në fjalë ajo konsideroi që Qeveria moldave kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për të mbështetur kërkuesit. Në mënyrë të veçantë, pas zaptimit të objekteve të mëparshme të shkollave nga “MRT”, ajo kishte paguar qiranë dhe renovimin e ambienteve të reja si dhe pajisjet, rrogat e stafit dhe shpenzimet e transportit. Kështu, ajo kishte përmbushur detyrimet e saj pozitive në lidhje me kërkuesit.
Përfundim: nuk ka shkelje (njëzëri).
(b) Detyrimet e Federatës Ruse – Nuk kishte prova të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të agjentëve rusë në masat e marra kundër kërkuesve. As nuk kishte prova të përfshirjes ruse në ose në miratimin e politikës gjuhësore të “MRT” në përgjithësi. Megjithatë, Rusia kishte ushtruar kontroll efektiv mbi “MRT” gjatë periudhës në fjalë. Nuk ishte e nevojshme të përcaktohej nëse Rusia kishte ushtruar apo jo kontroll të hollësishëm mbi politikat dhe veprimet e administratës vartëse vendase. Duke pasur parasysh mbështetjen e saj të vazhdueshme ushtarake, ekonomike dhe politike për “MRT”, e cila ndryshe nuk mund të mbijetonte, ajo mbante përgjegjësi sipas Konventës për shkeljen e të drejtave të kërkuesve për arsim.
Përfundim: shkelje (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një votë kundër).
Neni 41: 6.000 euro për dëme jo-materiale për secilin kërkues të shënuar me emër në Shtojcës së çështjes.
(Shih gjithashtu Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, 8 korrik 2004, Nota Informative nr. 66; Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, 7 korrik 2011, Nota Informative nr. 143; Ivanţoc dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë, nr. 23687/05, 15 nëntor 2011, Nota Informative nr. 146)
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy