ÇELNIKU kundër GREQISË
(kërkesa nr. 21449/04)
5 korrik 2007
kjo çështje analizon organizimin e një operacioni policor për kapjen e një shqiptari të dyshuar si autor veprash penale në Athinë
I.Faktet kryesore
1.Kërkueset, Mirela Çelniku dhe motra e saj Raimonda Çelniku, janë shtetase shqiptare që kanë lindur respektivisht më 1976 dhe 1974 dhe jetojnë në Athinë. Në pasditen e 21 nëntorit 2001, oficeri i policisë së Athinës I.R. po ecte në qendër të qytetit të Athinës, kur iu bë e ditur nga një informator se, Gentian Çelniku, i njohur nga policia si "kinezi", ishte në afërsi të sheshit Amerika. Gentjan Çelniku, dyshohej se ishte përfshirë në një incident në të cilin persona të tjerë me origjinë shqiptare ishin plagosur rëndë, dhe mendohej se ai lëvizte gjithmonë i armatosur me një thikë. Pasi u vu në dijeni nga I.R., oficeri i policisë V., i shoqëruar nga tre policë të tjerë, mbërriti në afërsi të kafenesë ku i dyshuari dhe katër shtetas të tjerë shqiptarë mendohej se ishin.
2.Pasi morën autorizimin për kapjen e pesë individëve në fjalë dhe i kërkuan I.R. të mos merrte pjesë në operacion, V. dhe tre policët hynë në kafene dhe urdhëruan të dyshuarit të ngrinin duart lart dhe të shtriheshin në dysheme. Z. Çelniku nuk u bind dhe u përpoq të fuste dorën poshtë xhupit të tij. Duke besuar se kolegët e tij ishin në rrezik, I.R. ndërhyri, duke shkuar drejt Z. Çelniku me një armë zjarri në dorë. Kur ky i fundit e goditi I.R. me shkelm në dorën e djathtë, arma shkrepi duke qëlluar Z. Çelniku në kokë, i cili vdiq në vend.
3.Në dëshminë e tij të nesërmen e ngjarjeve, I.R. tha se ai kishte vepruar instiktivisht për të mbrojtur kolegët e tij dhe se menjëherë pas shtënës fatale ai kishte parë një thikë në një pellg gjaku. Tre policët që kishin qenë të pranishëm thanë se I.R. e kishte gjetur thikën pasi kishte kërkuar në trupin e viktimës, gjë të cilën e pranoi edhe vetë I.R. më vonë. Me qëllim që të verifikohej nëse përdorimi i forcës kishte qënë i justifikuar filloi menjëherë një hetim administrativ. Në korrik 2003, bordi disiplinor i policisë vendosi se nuk kishte bazë për marrjen e masave disiplinore ndaj I.R. pasi vetëm viktima kishte qenë përgjegjës për të shtënën fatale. Ndërkohë, ndaj I.R. ishte hapur procedimi penal për vrasje pa dashje. Në nëntor të vitit 2003 ai u shpall i pafajshëm me arsyetimin se e shtëna fatale nuk kishte qënë për shkak të neglizhencës së tij. Komiteti Grek i Helsinkit, duke vepruar në emër të kërkueseve, i kërkoi prokurorit që ta apelonte këtë vendim, por nuk pati sukses.
4.Kërkueset pretenduan, duke u mbështetur në nenet 2 dhe 13 të Konventës, se policët që shkuan të arrestonin vëllain e tyre kishin përdorur armë zjarri në mënyrë të tepruar e cila kishte çuar në vdekjen e tij dhe u ankuan se nuk kishte pasur një hetim efektiv në lidhje me faktet e çështjes. Ato pretenduan gjithashtu, në bazë të nenit 14, se ngjarjet në fjalë kishin qenë rezultat i qëndrimeve diskriminuese ndaj personave me origjinë shqiptare.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 2
i. Mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse që çoi në vdekjen e Z. Çelniku
5.Gjykata vlerësoi se, nuk kishte para saj ndonjë element që ta bënte të vinte në pikëpyetje faktet e konstatuara nga gjykatat greke, dhe për këtë arsye mbajti qëndrimin se e shtëna fatale nuk ishte shkaktuar nga ndonjë veprim i qëllimshëm nga ana I.R. Prandaj, Gjykata vlerësoi se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nuk i atribuohet shtetit grek.
ii. Mbi organizimin e operacionit policor
6.Gjykata vërejti në mënyrë të veçantë që, në kundërshtim me urdhërat e eprorit të tij V., polici I.R. i ishte afruar Z. Çelniku duke mbajtur në dorën e tij të shtrirë armën e zjarrit. Në këtë mënyrë, me nismën e tij ai i dha mundësi reagimit të viktimës gjë që kishte sjellë si pasojë të shtënën fatale. Sipas mendimit të Gjykatës, fakti që situata kishte degjeneruar në një shkallë të tillë ishte akoma më e pafalshme për faktin se ky ishte një operacion i planifikuar nga ana e policisë, të cilin oficerët përkatës duhet të kishin qenë në gjendje ta përgatitisnin me kujdes.
7. Gjykata ishte gjithashtu e ndërgjegjshme për faktin se, në kohën e ngjarjeve, përdorimi i armëve nga forcat e rendit rregullohej nga një legjislacion, i cili ishte pranuar si problematik dhe i papërshtatshëm në një shoqëri moderne demokratike. Kuadri ligjor në fuqi nuk iu jepte forcave të zbatimit të ligjit udhëzime dhe kritere të qarta në lidhje me përdorimin e forcës në kohë paqeje. Në këto rrethana, edhe pse vdekja e viktimës në vetvete nuk i atribuohet autoriteteve greke, mënyra në të cilën është kryer operacioni i policisë tregoi se policia nuk kishte marrë masat e duhura dhe nuk kishte treguar kujdesin e kërkuar në këto raste, për të siguruar që çdo rrezik për jetën e Z. Çelniku dhe personat e tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes të kufizohej në minimum. Ata kishin qenë pra, të pakujdesshëm në kryerjen e veprimeve të tyre. Prandaj, Gjykata konstatoi se ka pasur shkelje të nenit 2.
iii. Mbi hetimin e vdekjes së Gentjan Çelnikut
8.Gjykata vuri në dukje se autoritetet kishin treguar gatishmërinë e tyre për të kryer një hetim administrativ, për të përcaktuar nëse, përdorimi i forcës ishte i justifikuar në rrethanat përkatëse. Megjithatë, ka pasur probleme sa i përket pavarësisë dhe profesionalizmit të hetimit. Gjykata vërejti para së gjithash që oficerët e policisë të ngarkuar me hetimin, i përkasin strukturës së policisë së Atikës, njësoj si edhe policët e përfshirë në incident. Sipas mendimit të Gjykatës, ky fakt cenonte pavarësinë e hetimit dhe dëmtonte besimin e publikut dhe të individëve që kanë një interes në kryerjen objektive të hetimit.
9.Gjykata u shpreh e habitur nga fakti që policët e përfshirë nuk kishin marrë hapat e duhur për të bërë izolimin e skenës së ngjarjes dhe për të mbledhur provat menjëherë pas incidentit. Së fundmi, Gjykata vuri re mungesën e rregullave dhe udhëzimeve mbi procedurat e qarta që duhen ndjekur nga oficerët e policisë në situata të tilla. Në këto rrethana, Gjykata konstatoi se ka pasur shkelje të Nenit 2 në rastin në fjalë, për shkak të mungesës së një hetimi të pavarur dhe efektiv. Në funksion të këtij konstatimi, Gjykata nuk e konsideroi të nevojshme të shqyrtojë nëse ka pasur shkelje edhe të nenit 13.
B. Në lidhje me nenin 14
10. Gjykata nuk e konsideroi të provuar "përtej dyshimit të arsyeshëm" se veprimet e policëve grekë në këtë rast ishin motivuar nga paragjykime raciale kundër personave me origjinë shqiptare. Prandaj ajo e shpalli ankesën sipas nenit 14 të papranueshme, si qartazi të pabazuar.
C. Në lidhje me nenin 41
11. Gjykata i akordoi kërkueseve së bashku 4,010 euro për dëmin material, 20,000 euro për dëmin jomaterial dhe 5,000 euro për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy