QENDRA PËR BURIME LIGJORE NË EMËR TË VALENTIN CAMPEANU kundër RUMANISË
(kërkesa nr. 47848/08)
17 korrik 2014
Dhomë e Madhe
një OJQ sjell një rast para Gjykatës në emër të një të riu me aftësi të kufizuara mendore i cili vdiq në një spital psikiatrik
I.Faktet kryesore
1.Kjo kërkesë u soll përpara Gjykatës nga një OJF rumune, Qendra për Burime Ligjore (tani e tutje QBL). Kjo OJF e solli kërkesën në emër të Valentin Campeanu, një shtetas rumun i cili kishte lindur në vitin 1985 dhe vdiq në vitin 2004. Z. Campeanu ishte braktisur nga prindërit që në lindje dhe ishte vendosur në një jetimore.
2.Në vitin 1990, që kur ishte vetëm 5 vjeç, ai u diagnostikua si HIV-pozitiv dhe se vuante nga një paaftësi të rënda mendore. Në mars të vitit 1992, ai u transferua në Qendrën për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Craiova dhe më vonë në Qendrën e Kujdesit nr. 7 në Craiova (tani e tutje "Qendra e Kujdesit"). Në shtator 2003, Këshilli rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve urdhëroi që për Z. Campeanu nuk duhet të kujdesej më shteti, për shkak se ai kishte arritur moshën 18 vjeç dhe nuk është regjistruar në ndonjë formë arsimimimi. Në fillim të shkurtit të vitit 2004, pas refuzimeve të njëpasnjëshme nga një sërë institucionesh që ta pranonin Z. Campeanu, në fund ai u pranua në një qendër të kujdesit mjekësor dhe social (tani e tutje “QKMS”), personeli i së cilës konstatoi se ai ishte në një gjendje të avancuar degradimi psikiatrik dhe fizik, se nuk kishte marrë ndonjë mjekim antiretroviral dhe se vuante nga kequshqyerja. Më 9 shkurt, pas një krize të papritur ku dyshohet se Z. Campeanu ka reaguar në mënyrë agresive ai u dërgua në Spitalin neuropsikiatrik Poiana Mare (tani e tutje "SPM") për ekzaminim dhe trajtim. Megjithatë, ai u kthye në Qendrën e Kujdesit në të njëjtën ditë. Më 13 shkurt, Z. Campeanu u dërgua përsëri për SPM për trajtim. Ai u mbajt aty një javë dhe u vendos në pavijone të ndryshme psikiatrike.
3.Më 20 shkurt ai u vu re nga një ekip vëzhguesish të Qendrës për Burime Ligjore (QBL) të cilët raportuan se Z. Campeanu mbahej i izoluar në një dhomë pa ngrohje, me një shtrat, por pa shtroje, i veshur në mënyrë të pamjaftueshme vetëm me bluzë pizhamesh dhe pa ndihmën e nevojshme për të ngrënë ose për të përdorur pajisjet sanitare, përderisa punonjësit e spitalit mesa duket refuzonin ta ndihmonin për shkak të frikës nga HIV. Përfaqësuesit e QBL deklaruan se ata kishin kërkuar që ai të transferohej menjëherë në Spitalin e Sëmundjeve Infektive të Krajovës, ku ai do të mund të merrte trajtimin e duhur. Megjithatë, drejtori i spitalit nuk kishte qenë dakord, duke besuar se pacienti nuk ishte një "rast urgjent, por një rast social", dhe se në çdo rast ai nuk do të ishte në gjendje të përballonte udhëtimin. Në të njëjtën ditë, më 20 shkurt 2004, Z. Campeanu vdiq.
4.Duke mos pasur dijeni për vdekjen e Z. Campeanu, QBL iu dërgoi urgjentisht disa letra një numri zyrtarësh vendorë dhe qendrorë, duke theksuar gjendjen e tij shumë kritike dhe faktin se ai ishte transferuar në një institucion që nuk ishte në gjendje t’i siguronte kujdesin e duhur. QBL kritikoi gjithashtu trajtimin e papërshtatshëm që ai kishte marrë dhe kërkoi marrjen e masave urgjente për të përmirësuar situatën. Ajo theksoi më tej se pranimi i Z. Campeanu në QKMS dhe transferimi i tij i mëvonshëm në SPM ishte bërë në shkelje të të drejtave të tij njerëzore, dhe kërkoi që të fillonte një hetim në lidhje me këtë situatë. Më 22 shkurt 2004, QBL dha një deklaratë për shtyp ku nënvizonte kushtet dhe trajtimin e pacientëve në SPM, duke iu referuar të veçantë në rastit të Z. Campeanu dhe duke bërë thirrje për masa urgjente.
5.Pas shumë ankesave nga QBL dhe pas hetimit penal të mëvonshëm mbi vdekjen e Z. Campeanu, hetim që nuk dha asnjë rezultat konkret, QBL iu drejta Gjykatës së Strasburgut duke pretenduar se ishin shkelur të drejtat e Z. Campeanu sipas neneve 2, 3, 5, 8, 13 dhe 14.
II.Vendimi i Gjykatës
A. Mbi pranueshmërinë
6.Qeveria rumune pretendoi se QBL nuk legjitimohej për të paraqitur një kërkesë në emër të Valentin Campeanu, pasi nga njëra anë ajo nuk mund të pretendonte se ishte vetë viktimë e shkeljeve të pretenduara Konventës dhe, nga ana tjetër, nuk mund as të pretendonte se ishte përfaqësuese ligjore e autorizuar e Z. Campeanu. Gjykata theksoi se Konventa garanton të drejta që janë praktike dhe efektive, dhe jo teorike dhe iluzive, dhe duke pasur parasysh natyrën serioze të pretendimeve, QBL duhet të kishte mundësi të vepronte si përfaqësuese e Z. Campeanu.
B. Mbi aspektet materiale të nenit 2
7.Gjykata deklaroi se vendimi i autoriteteve rumune për ta vendosur Z. Campeanu në QKMS dhe më pas për ta transferuar në SPM u përcaktua kryesisht nga kriteri se cili institucion ishte i gatshëm për ta pranuar dhe jo aq nga kriteri se ku ai do të ishte në gjendje të merrte kujdesin dhe mbështetjen e duhur mjekësore. Duke pasur parasysh se QKMS nuk ishte e pajisur si duhej për trajtimin e pacientëve të sëmurë mendërisht, ata e transferuan atë në SPM, pavarësisht nga fakti se spitali më parë kishte refuzuar ta pranonte, dhe më pas ishte vendosur në një pavijon pa staf psikiatrik. Transferimi nga një objekt në një tjetër kishte ndodhur pa ndonjë diagnostikim adekuat dhe përkujdesje e vazhdueshme dhe në mospërfillje të plotë të gjendjes shëndetësore të Z. Campeanu dhe të nevojave të tij elementare mjekësore. Gjykata i kushtoi rëndësi të veçantë faktit që autoritetet nuk kishin arritur t’i administronin atij një mjekim antiretroviral. Ajo i kushtoi vëmendje të veçantë gjithashtu gjendjes të brishtë të Z. Campeanu, dhe faktit që për të gjithë jetën e tij Z. Campeanu kishte qenë në duart e autoriteteve, të cilat për këtë arsye ishin të detyruara të jepnin llogari për trajtimin e tij. Duke vendosur ta shtronin Z. Campeanu në spitalin psikiatrik, edhe pse ishin në dijeni të kushteve të tmerrshme në atë spital, autoritetet e kishin vënë në mënyrë të paarsyeshme jetën e tij në rrezik. Dështimi për t’i siguruar atij kujdesin dhe trajtimin e duhur ka qenë një tjetër faktor vendimtar që çoi në vdekjen e tij të parakohshme. Në këto kushte Gjykata arriti në përfundimin se autoritetet rumune kanë shkelur nenin 2 duke dështuar të sigurojnë mbrojtjen e nevojshme të jetës së Z. Campeanu.
C. Mbi aspektet procedurale të nenit 2
8.Duke pasur parasysh se autoritetet kishin dështuar të sqaronin rrethanat e vdekjes së Z. Campeanu dhe të identifikonin personat përgjegjës për këtë vdekje, Gjykata konstatoi shkelje të aspekteve procedurale të nenit 2 të Konventës.
D. Mbi nenin 13 të marrë në lidhje me nenin 2
9.Gjykata konstatoi gjithashtu, se në Rumani nuk kishte një mekanizëm të përshtatshëm për ndreqjen e situatës ose dëmshpërblimin e personave me aftësi të kufizuara mendore që pretendojnë se janë viktima sipas nenit 2. Për këtë arsye, Gjykata vendosi edhe shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 2.
E. Mbi nenet e tjera
10. Duke pasur parasysh konstatimet e saj sipas neneve 2 dhe 13, Gjykata u shpreh se nuk ishte e nevojshme për të shqyrtuar më vete edhe pretendimet në bazë të nenit 3, të marra veçmas dhe në lidhje me nenin 13, apo në bazë të neneve 5, 8 dhe 14.
F. Mbi nenin 46
11. Gjykata u shpreh se shteti i paditur, duhet të marrë masat e përgjithshme të nevojshme për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara mendore në situata të ngjashme t’u mundësohet përfaqësim i pavarur, duke u lejuar atyre që ankesat që kanë në bazë të Konventës në lidhje me shëndetin dhe trajtimin e tyre të shqyrtohen nga një gjykatë ose organ tjetër i pavarur.
G. Mbi nenin 41
12.QBL nuk kishte paraqitur ndonjë pretendim në lidhje me dëmin material ose jo-material, kështu asnjë shumë nuk u akordua nën këtë zë. Gjykata vendosi që Rumania duhet t’i paguajë 10 000 euro QBL dhe 25 000 euro organizatës Interights, i cili ka vepruar si këshilltare e QBL, për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy