© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA QENDRA E BURIMEVE JURIDIKE
NË EMËR TË VALENTIN CÂMPEANU-T k. RUMANISË
(Kërkesëpadia nr. 47848/08)
VENDIM
STRASBURG
17 korrik 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Qendra e Burimeve Juridike në emër të Valentin Câmpeanu-t k. Rumanisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Alvina Gyulumyan,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
Päivi Hirvelä,
Luis López Guerra,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Kristina Pardalos,
Vincent A. de Gaetano,
Angelika Nußberger,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Paul Mahoney,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 4 shtator 2013 e 26 maj 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të çështjes ndodhet një kërkesëpadi (nr. 47848/08) e drejtuar kundër Rumanisë dhe me anë të së cilës një organizatë joqeveritare rumune, Qendra e Burimeve Juridike (Centrul de Resurse Juridice – “CRJ”) i është drejtuar Gjykatës në emër të Z. Valentin Câmpeanu (“paditësi”) më 2 tetor 2008 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Interights, që e ka këshilluar CRJ-në deri më 27 maj 2014, është përfaqësuar nga Z. C. Cojocariu, avokat në Londër. Qeveria rumune (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znja C. Brumar, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. CRJ-ja pretendonte në emër të Z. Valentin Câmpeanu se ky i fundit kishte qenë viktimë shkeljesh të neneve 2, 3, 5, 8, 13 dhe 14 të Konventës.
4. Më 7 qershor 2011, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë. Është vendosur gjithashtu që pikat e pranueshmërisë dhe të themelit do të shqyrtoheshin bashkërisht (neni 29 § 1 i Konventës).
5. Vërejtje janë marrë nga Human Rights Watch, nga Qendra Eurorajonale për Nismat Publike, nga Komiteti i Helsinkit i Bullgarisë dhe nga Qendra për Mbrojtjen e Personave me të Aftësi të Kufizuar Mendore, të cilat kryetari i kishte lejuar të ndërhynin në procedurë (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores së Gjykatës). Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës ka ushtruar të drejtën e tij për të marrë pjesë në procedurë dhe ka paraqitur vërejtje me shkrim (nenet 36 § 3 i Konventës dhe 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës).
Qeveria u është përgjigjur këtyre vërejtjeve.
6. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 4 shtator 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZnjaC. Brumar, agjente,
Z.G. Caian, avokat,
Z.D. Dumitrache, bashkagjent;
– për CRJ-në
ZnjaG. Iorgulescu, Drejtore e Përgjithshme, CRJ,
ZnjaG. Pascu, drejtuese programi, CRJ,
Z.C. Cojocariu, avokat, Interights,avokatë;
– për Komisarin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës
Z.N. Muižnieks, Komisar për të Drejtat e Njeriut,
ZnjaI. Gachet, drejtore, Zyra e Komisarit
për të Drejtat e Njeriut,
ZnjaA. Weber, këshilltare, Zyra e Komisarit
për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Znjës Brumar, Z. Caian, Z. Cojocariu, Znjës Iorgulescu dhe Z. Muižnieks, si edhe përgjigjet e Znjës Brumar, Z. Cojocariu dhe Znjës Iorgulescu për pyetjet e bëra nga Gjykata.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Vdekja e Valentin Câmpeanu-t
1. Zanafilla e çështjes
7. Valentin Câmpeanu ishte një i ri me prejardhje rom. I lindur më 15 shtator 1985 me baba të panjohur, ai u braktis që në lindje nga e ëma, Florica Câmpeanu (e vdekur më 2001). Kështu që ai u vendos në një jetimore, në Qendrën e Korlates, ku u rrit.
Më 1990, u zbulua se Valentin Câmpeanu ishte seropozitiv. Meqenëse mjekët diagnostikuan më vonë “të meta të rënda mendore, një koeficient intelekti IQ=30 dhe një infeksion me HIV”, ai u konsiderua si i prekur nga një paaftësi “e rëndë”. Më pas, ai paraqiti edhe simptoma që shoqërojnë HIV-in, si tuberkuloz të mushkërive, pneumoni dhe hepatit kronik.
Në mars 1992, ai u transferua në Qendrën për Fëmijë me Aftësi të Kufizuar në Krajovë dhe, më vonë, në Qendrën e Sistemimit nr. 7 të Krajovës (“Qendra e Sistemimit”).
2. Ekzaminimet mjekësore të kryera më 2003 e 2004
8. Më 30 shtator 2003, Komisioni i Qarkut të Doljit për Mbrojtjen e Fëmijëve (“Komisioni i Qarkut”) urdhëroi që Z. Câmpeanu të mos mbahej më në ngarkim nga shteti, me arsyetimin se ai kishte mbushur tanimë tetëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ndiqte asnjë formë shkollimi.
Ndonëse punonjësi social që merrej me Z. Câmpeanu kishte dhënë mendim për ta transferuar atë në Qendrën Vendore për Ripërtëritje dhe Riedukim Neuropsikologjik, Komisioni i Qarkut vendosi që një punonjës social kompetent duhej të merrte të gjitha masat e nevojshme për ta shtruar Z. Câmpeanu në Spitalin Neuropsikiatrik të Poiana Mares (“SPM”). Sipas së drejtës përkatëse, ky vendim mund të kundërshtohej pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krajovës.
Z. Câmpeanu nuk qe vetë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Qarkut dhe as u përfaqësua aty.
9. Më 14 tetor 2003, Komisioni Mjekësor për të Rritur me Aftësi të Kufizuar i Këshillit të Qarkut të Doljit e mori në rishqyrtim gjendjen shëndetësore të Z. Câmpeanu. Ai konstatoi vetëm infektimin me HIV, i cili i përgjigjej një paaftësie “mesatare”. Ai shënoi gjithashtu se pacienti ishte “i integruar nga pikëpamja shoqërore”.
10. Më vonë, në një datë të papërcaktuar në tetor ose nëntor 2003, një punonjës social dhe një mjek i Qendrës së Sistemimit hartuan një raport ekzaminimi mjekësor e shoqëror për Z. Câmpeanu, kusht paraprak ky për sistemimin e tij në një qendër mjekoshoqërore. Te zëri “përfaqësues ligjor” ata shënuan “i braktisur që në lindje”; për sa i përket pikës “person për t’u njoftuar në rast urgjence”, ata e lanë atë pa e plotësuar. Diagnoza vinte në dukje “prapambetje e rëndë mendore, seropozitivitet”, pa iu referuar fare diagnozës së mëparshme (paragrafi 9 i mësipërm). Raporti i vlerësimit vinte në dukje “ka nevojë për mbikëqyrje dhe për ndihmë të herëpashershme për kujdesin personal” dhe dilte në përfundimin se Z. Câmpeanu ishte i aftë të kujdesej për vetveten duke pasur njëkohësisht nevojë për një ndihmë të konsiderueshme”.
11. Me një letër që mbante datën 16 tetor 2003, SPM-ja e informoi Komisionin e Qarkut se nuk mund ta pranonte Z. Câmpeanu, duke shpjeguar se ky i fundit ishte seropozitiv dhe i prekur nga të meta mendore dhe se spitali nuk ishte i pajisur për të mjekuar persona që paraqisnin këtë lloj patologjish.
12. Pas këtij refuzimi, ndërmjet tetorit 2003 dhe janarit 2004, Komisioni i Qarkut dhe Drejtoria e Qarkut për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës (“Drejtoria për Mbrojtjen e Fëmijëve”) kërkuan ndihmën e një numri të caktuar institucionesh për të gjetur një strukturë shoqërore ose psikiatrike që do të pranonte ta mbante Z. Câmpeanu. Drejtoria për Mbrojtjen e Fëmijëve vuri në dukje se SPM-ja kishte refuzuar ta mbante këtë pacient për arsye të seropozitivitetit të tij dhe kërkoi bashkëpunimin e institucioneve përkatëse, duke saktësuar se gjendja shëndetësore e të riut “nuk kishte nevojë për shtrim në spital, por kërkonte një mbikëqyrje të vazhdueshme në gjirin e një institucioni të specializuar”.
3. Pranimi në Qendrën Mjekoshoqërore të Çetates
13. Komisioni i Qarkut çmoi më në fund se Z. Câmpeanu mund të sistemohej në Qendrën Mjekoshoqërore të Çetates-Dolj (“CMSC”), e cila përbënte sipas tij një institucion të përshtatshëm për të interesuarin. Në kërkesën e tij për CMSC-në, ai vuri në dukje vetëm se Z. Câmpeanu ishte seropozitiv, çka i përgjigjej një paaftësie mesatare, dhe nuk i përmendi fare vështirësitë e tij për të mësuar.
14. Më 5 shkurt 2004, Z. Câmpeanu u pranua në CMSC. Sipas një relacioni të hartuar nga ky institucion dhe të drejtuar CRJ-së më 5 mars 2004, i cili përshkruante gjendjen e Z. Câmpeanu në momentin e pranimit të tij, ky i fundit ndodhej në një stad të përparuar “rënieje psikiatrike dhe fizike”, ai ishte i veshur me një palë tuta të shqyera, nuk mbante as veshje të brendshme, as këpucë, dhe nuk kishte as barna antiretroviralë, as informacione rreth gjendjes së tij shëndetësore; relacioni përmendte gjithashtu se pacienti “kundërshtonte të bashkëpunonte”.
Në deklarimet që i bëri prokurorisë më 22 korrik 2004 në kuadër të procedurës së brendshme (të përshkruar në seksionin B të mëposhtëm), M. V., mjeku që e kishte trajtuar Z. Câmpeanu në Qendrën e Sistemimit, e përligji faktin që të interesuarit nuk i ishin dhënë as barna, as informacione të përshtatshme, duke vënë në dukje se në atë kohë ai nuk e dinte nëse nevojitej ndonjë ndryshim i mjekimit mbi bazën e rezultateve të ekzaminimeve të fundit (paragrafi 9 i mësipërm).
Një ekzaminim mjekësor i kryer në momentin e pranimit të Z. Câmpeanu në CMSC doli në përfundimin se i interesuari vuante “nga një prapambetje e thellë mendore, nga një infektim me HIV dhe nga kequshqyerja”. I riu ishte në atë kohë 1,68 m i gjatë dhe peshonte 45 kg. U shënua se ai “nuk ishte i aftë për t’u orientuar në kohë e në hapësirë, as të ushqehej vetëm apo të kujdesej vetë për higjienën e tij personale”.
15. Në mbrëmjen e datës 6 shkurt 2004, Z. Câmpeanu filloi të ketë një gjendje shqetësimi. Sipas relacionit të CMSC-së (paragrafi 14 i mësipërm), në mëngjesin e datës 7 shkurt 2004 ai “u bë i dhunshëm, sulmoi disa pacientë të tjerë, theu një dritare dhe grisi një dyshek si edhe veshmbathjet e çarçafët e tij”; iu dha fenobarbital e pastaj diazepam për ta qetësuar.
4. Ekzaminimi në SPM
16. Më 9 shkurt 2004, Z. Câmpeanu u çua për ekzaminim, diagnostikim dhe trajtim pranë SPM-së, institucionit psikiatrik më të afërt. Diagnoza “të meta të rënda mendore” u përsërit. Megjithatë, u çmua se gjendja e tij “nuk [përbënte] urgjencë psikiatrike”, meqenëse i interesuari “nuk ishte i shqetësuar”. Mjeku L.G. diagnostikoi “të meta mendore mesatare” dhe lëshoi recetë për barna qetësues (karbamazepinë dhe diazepam).
Kartela mjekësore e ruajtur në SPM vë në dukje se gjatë pranimit të Z. Câmpeanu në spital nuk qe e mundur të merrej asnjë informacion rreth precedentëve të tij mjekësorë, ngaqë ai “nuk ishte bashkëpunues”. Në deponimet që u dha autoriteteve hetimore më 8 dhjetor 2005, mjeku D.M., i SPM-së, deklaroi se “pacienti ishte i ndryshëm, në kuptimin që me të nuk mund të komunikohej dhe se ai paraqiste të meta mendore”.
5. Kthimi në CMSC
17. Po atë ditë, Z. Câmpeanu u dërgua mbrapsht në CMSC. Ndërkohë, gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme. Meqenëse CMSC-ja kishte marrë antiretroviralë, u rifillua trajtimi i të riut. Me gjithë atë masë, gjendja e këtij të fundit nuk u përmirësua, përderisa kartela mjekësore vë në dukje se ai vazhdonte të ishte “i shqetësuar” dhe “i dhunshëm”.
18. CMSC vendosi që, duke mos i pasur pajisjet e nevojshme për ta mjekuar Z. Câmpeanu, ajo nuk mund ta mbante më gjatë atë. Spitali i dërgoi Qendrës së Sistemimit një kërkesë për transferim të të interesuarit drejt një institucioni tjetër. Megjithatë, Qendra e Sistemimit e hodhi poshtë këtë kërkesë, me argumentin se i riu ndodhej tashmë “jashtë kompetencave të saj”.
19. Më 11 shkurt 2004, E.O., drejtorja e CMSC-së, e paska marrë në telefon Drejtorinë e Shëndetit Publik të Qarkut të Doljit dhe i qenka lutur për të gjetur një zgjidhje që të mundësonte transferimin e Z. Câmpeanu në një strukturë më të përshtatshme për problemet e tij shëndetësore. Asaj i paskan këshilluar që të kërkonte ta shtronte Z. Câmpeanu në SPM për një trajtim psikiatrik për katër ose pesë ditë.
6. Transferimi në SPM
20. Më 13 shkurt 2004, Z. Câmpeanu u transferua nga CMSC-ja në SPM. Qëndrimi i tij në atë spital, ku bëhej fjalë të trajtohej hiperagresiviteti i tij, duhej të zgjaste tri ose katër ditë. Ai u vendos në Repartin Psikiatrik V.
21. Më 15 shkurt 2004, ai iu besua mjekut L.G. Meqenëse i riu ishte seropozitiv, mjeku vendosi ta transferonte në Repartin Psikiatrik VI. Meqenëse te ky i fundit kishte vetëm dy mjekë të përgjithshëm e asnjë psikiatër, i ngarkuar me trajtimin psikiatrik që i jepej Z. Câmpeanu mbeti L.G..
22. Më 19 shkurt 2004, pacienti në fjalë filloi të mos ushqehej më dhe nuk pranoi të merrte barnat e tij. Kështu që u vendos t’i bëheshin glukozë dhe vitamina në rrugë intravenoze. Mjeku që e ekzaminoi Z. Câmpeanu nxori si konkluzion një “gjendje të përgjithshme të keqe”.
7. Vizita e anëtarëve të CRJ-së
23. Më 20 shkurt 2004, një ekip vëzhguesish të CRJ-së shkoi në SPM dhe konstatoi gjendjen në të cilën ndodhej Z. Câmpeanu. Sipas një raporti të hartuar nga anëtarët e CRJ-së në lidhje me këtë vizitë, i riu ishte i vetmuar në një dhomë të izoluar, pa ngrohje dhe të mbyllur me çelës, pajisjet e së cilës kufizoheshin vetëm te një shtrat pa çarçafë e batanije; ai ishte i veshur vetëm me një xhaketë pizhamesh; ndonëse nuk ishte në gjendje për t’u ushqyer ose për të vajtur në tualet pa e ndihmuar kush, personeli i SPM-së nuk pranonte që ta ndihmonte, nga frika me sa duket se mos i ngjitej HIV-i, kështu që i interesuari ushqehej vetëm me perfuzion glukoze. Raporti dilte në përfundimin se spitali nuk i kishte dhënë këtij të riu as trajtimin e mjekimet më elementare.
Në raportin e tyre, përfaqësuesit e CRJ-së vinin në dukje se kishin kërkuar transferimin e menjëhershëm të Z. Câmpeanu në Spitalin e Sëmundjeve Infektive në Krajovë, që sipas tyre ishte në gjendje t’i jepte të interesuarit një trajtim të përshtatshëm; mirëpo drejtori i spitalit i qenkësh shmangur kësaj kërkese, duke çmuar se pacienti “nuk ishte një rast urgjent, por një rast social” dhe se gjithsesi ai nuk ishte në gjendje për ta përballuar udhën deri atje.
24. Z. Câmpeanu vdiq në mbrëmjen e datës 20 shkurt 2004. Sipas aktit të vdekjes të hartuar më 23 shkurt 2004, shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes ishte një insuficiencë kardiorespiratore. Akti i vdekjes vinte gjithashtu në dukje se “sëmundja fillestare” ishte infektimi me HIV dhe se “të metat mendore” kishin përbërë “një sëmundje tjetër të rëndësishme”.
25. Me gjithë dispozitat ligjore që e bënin të detyrueshme kryerjen e një autopsie në rast vdekjeje të ndodhur në një spital psikiatrik (vendimi i përbashkët nr. 1134/255/2000 i ministrit të Drejtësisë dhe i ministrit të Shëndetësisë), SPM-ja nuk e praktikoi një gjë të tillë, “meqenëse vdekja nuk ishte çmuar si e dyshimtë, duke pasur parasysh dy sëmundjet e rënda që paraqiste pacienti” (të meta mendore dhe infektim me HIV).
26. Më 21 shkurt 2004, duke mos e ditur që Z. Câmpeanu kishte vdekur, CRJ-ja kishte hartuar disa letra urgjente të cilat ua kishte drejtuar një numri të caktuar drejtuesish të administratës vendore dhe kombëtare, mes të cilëve ministrit të Shëndetësisë, prefektit të Qarkut të Doljit, kryetarit të Bashkisë së Poiana Mares dhe kreut të Drejtorisë së Shëndetit Publik të Qarkut të Doljit. CRJ-ja vinte në dukje aty se Z. Câmpeanu ndodhej në një gjendje tejet kritike dhe se ai ishte transferuar në një institucion i cili nuk ishte në gjendje që t’i ofronte mjekimet e përshtatshme, duke pasur parasysh seropozitivitetin e tij. CRJ-ja kritikonte nga ana tjetër trajtimin sipas saj të papërshtatshëm që i ishte dhënë të interesuarit dhe kërkonte masa urgjente për ndreqjen e kësaj situate. Ajo shtonte se pranimi i Z. Câmpeanu në CMSC dhe transferimi i tij i mëvonshëm në SPM kishin përbërë shkelje të të drejtave themelore të të interesuarit dhe i ngarkonte autoritetet me detyrimin për të nisur një hetim të përshtatshëm në lidhje me këtë çështje.
Më 22 shkurt 2004, CRJ-ja publikoi një komunikatë për shtyp që tërhiqte vëmendjen te kushtet dhe trajtimi që u bëhej pacientëve të SPM-së, përmendte në mënyrë të veçantë situatën e Z. Câmpeanu dhe rekomandonte marrjen e masave urgjente.
B. Procedura e brendshme
1. Paditë penale të paraqitura nga CRJ-ja
27. Nëpërmjet një letre të datës 15 qershor 2004 drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme të Rumanisë, CRJ-ja kërkoi të dinte se çfarë po bëhej me procedurën e nisur pas padisë penale që ajo kishte paraqitur pranë këtij organi më 23 shkurt 2004 lidhur me rrethanat që kishin çuar në vdekjen e Z. Câmpeanu. Në atë padi, CRJ-ja kishte nënvizuar se i riu nuk ishte vendosur në një institucion mjekësor të përshtatshëm për gjendjen e tij shëndetësore fizike dhe mendore.
28. Po më 15 qershor 2004, CRJ-ja paraqiti dy padi të tjera penale, njërën në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krajovës dhe tjetrën në prokurorinë pranë Gjykatës së Qarkut të Krajovës. Ajo e përsëriti kërkesën e saj për nisje të një hetimi penal lidhur me rrethanat në të cilat kishte ndodhur vdekja e Z. Câmpeanu, duke pretenduar se ishin kryer veprat e mëposhtme penale:
i. pakujdesi, nga ana e punonjësve të Drejtorisë për Mbrojtjen e Fëmijëve si edhe e punonjësve të Qendrës së Sistemimit (neni 249 § 1 i Kodit Penal);
ii. veprime dhe mosveprime me dashje që kishin cenuar interesat e një personi, si edhe vënie në rrezik të një personi të paaftë për t’u kujdesur për veten e tij, nga ana e punonjësve të CMSC-së (nenet 246 e 314 të Kodit Penal); dhe
iii. vrasje nga pakujdesia ose vënie në rrezik e një personi të paaftë për t’u kujdesur për veten e tij, nga ana e punonjësve të SPM-së (nenet 178 § 2 dhe 314 të Kodit Penal).
CRJ-ja shtonte se komisioni mjekësor e kishte konsideruar pa të drejtë Z. Câmpeanu si një person të sëmurë me të meta mesatare, pavarësisht nga diagnozat e vendosura më parë e më pas (paragrafi 9 i mësipërm). Për sa i përket Drejtorisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, sipas CRJ-së ajo nuk kishte nisur asnjë procedurë me qëllim të caktimit të një kujdestari kur Z. Câmpeanu kishte mbushur moshën madhore, duke vepruar kështu në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Përveç kësaj, CRJ-ja e akuzonte Qendrën e Sistemimit se nuk e kishte furnizuar personelin e CMSC-së me antiretroviralët e nevojshëm kur Z. Câmpeanu ishte transferuar në këtë institucion më 5 shkurt 2004; ajo çmonte se kjo gjë kishte mundur të shkaktonte vdekjen e të interesuarit dy javë më vonë.
Ajo ishte nga ana tjetër e mendimit se transferimi nga CMSC-ja në SPM kishte qenë i kotë, i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, përderisa kjo masë ishte marrë pa pëlqimin e pacientit ose të kujdestarit të tij, në shkelje të Ligjit për të Drejtat e Pacientëve (Ligji nr. 46/2003).
Së fundi, CRJ-ja mbronte mendimin se Z. Câmpeanu nuk ishte mjekuar, trajtuar e ushqyer në mënyrë korrekte në SPM.
29. Më 22 gusht 2004, Prokuroria e Përgjithshme e njoftoi CRJ-në se çështja i ishte përcjellë për hetim prokurorisë pranë Gjykatës se Qarkut të Doljit.
Më 31 gusht 2004, prokuroria në fjalë e njoftoi CRJ-në se pas paraqitjes së padisë së saj ishte çelur një dosje penale dhe se hetimi i ishte besuar degës së ngarkuar me hetimet penale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Doljit (“Drejtoria e Policisë”).
2. Raporti mjekoligjor
30. Më 14 shtator 2004, me kërkesë të prokurorisë, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Krajovës dorëzoi një raport mjekoligjor që, mbi bazën e dokumenteve mjekësore të paraqitura, nxirrte si konkluzion:
“[Pacientit i] ishte rekomanduar një trajtim mjekësor për seropozitivitetin e tij si edhe për gjendjen e tij psikiatrike; ky trajtim [ishte] korrekt dhe i përshtatshëm për sa i përket dozimit, duke pasur parasysh gjendjen klinike dhe imunologjike të të interesuarit.
Është e pamundur të përcaktohet nëse pacienti i ka marrë vërtet barnat e rekomanduar, duke pasur parasysh stadin e përparuar të degradimit të tij psikosomatik.”
31. Më 22 tetor 2004, trupi i Z. Câmpeanu u zhvarros dhe iu nënshtrua autopsisë. Raporti i autopsisë, i dalë më 2 shkurt 2005, vinte në dukje se kufoma paraqiste shenja të përparuara kakeksie dhe dilte në këtë përfundim:
“(...) vdekja nuk ka qenë e dhunshme. Ajo ka ardhur si rezultat i një insuficience kardiorespiratore të shkaktuar prej një pneumonie, komplikacion ky që ka ndodhur si pasojë e përparimit të infeksionit me HIV. Pas zhvarrimit, nuk u zbulua asnjë gjurmë veprimi të dhunshëm.”
3. Vendimet e prokurorisë
32. Më 19 korrik 2005, prokuroria pranë Gjykatës se Qarkut të Doljit vendosi ta arkivojë çështjen, duke çmuar konkretisht se, duke pasur parasysh elementet e paraqitura, trajtimi mjekësor që i ishte dhënë pacientit kishte qenë ai i duhur dhe se vdekja nuk kishte qenë e dhunshme, por kishte ardhur si rezultat i një komplikacioni të ndodhur si pasojë e përparimit të infeksionit nga HIV-i prej të cilit vuante Z. Câmpeanu.
33. Më 8 gusht 2005, CRJ-ja e kundërshtoi këtë vendim pranë kryeprokurorit të prokurorisë pranë Gjykatës se Qarkut të Doljit, duke mbrojtur veçanërisht mendimin se nuk ishin shqyrtuar disa prej argumenteve të saj lidhur me trajtimin mjekësor që i ishte dhënë pacientit, ndërprerjen e hamendësuar të dhënies së barnave antiretroviralë dhe kushtet e jetesës nëpër spitale.
Më 23 gusht 2005, kryeprokurori e pranoi këtë ankim, shfuqizoi vendimin e 19 korrikut 2005 dhe urdhëroi rinisjen e hetimit me qëllim të shqyrtimit të të gjitha aspekteve të dosjes. U dhanë udhëzime specifike lidhur me disa dokumente mjekësore të cilat ishte e udhës të studioheshin sapo të jepeshin nga Spitali i Sëmundjeve Infektive i Krajovës, Qendra e Sistemimit, CMSC-ja dhe SPM-ja. Duhej të merreshin në pyetje mjekët që ishin marrë me Z. Câmpeanu. Duhej të sqaroheshin rrethanat në të cilat pacientit i ishte dhënë ose jo trajtimi antiretroviral gjatë qëndrimeve të tij në CMSC dhe në SPM, sidomos duke pasur parasysh faktin që dosja mjekësore e ruajtur në SPM nuk përmbante asnjë saktësim rreth kësaj pike.
34. Më 11 dhjetor 2006, prokuroria pranë Gjykatës se Qarkut të Doljit vendosi që, sipas rregullave të reja procedurale në fuqi, ajo nuk ishte kompetente për të kryer hetimin dhe ia kaloi çështjen prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalafatit.
4. Procedura disiplinore
35. Më 11 janar 2006, Drejtoria e Policisë i bëri kërkesë Urdhrit të Mjekëve të Qarkut të Doljit (“Urdhri i Mjekëve”) që të jepte një mendim “rreth pikës nëse përçapja terapeutike [e zgjedhur] [kishte qenë] korrekte duke pasur parasysh diagnozën [e vendosur në raportin e autopsisë] apo nëse aty duhej të shihej një gabim mjekësor”.
Më 20 korrik 2006, komisioni i disiplinës i Urdhrit të Mjekëve vendosi që nuk kishte përse të nisej ndonjë veprim disiplinor kundër personelit të SPM-së:
“(...) terapia me psikotrope, e përmendur në shënimet për vrojtimin e përgjithshëm klinik të SPM-së, ishte e përshtatshme (...) [dhe për këtë arsye] (...) informacionet e marra të shtyjnë të mendosh se mjekët kanë marrë vendimet e duhura dhe se nuk ka pse të dyshohet për ndonjë gabim mjekësor [në lidhje me] një infeksion rastësor të bashkuar me HIV-in [i cili nuk qenka] trajtuar në mënyrë korrekte”.
Drejtoria e Policisë e kundërshtoi këtë vendim, por ankimi i tyre u hodh poshtë për shkak vonese më 23 nëntor 2006.
5. Vendimi i ri për pushim çështjeje dhe ankimet e mëvonshme
36. Më 30 mars 2007, prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalafatit dha një vendim të ri për pushimin dhe arkivimin e çështjes. Prokurori e bazoi arsyetimin e tij tek elementet e përfshira në dosje si edhe te vendimi i dhënë nga komisioni i disiplinës i Urdhrit të Mjekëve.
37. CRJ-ja e kundërshtoi vendimin për pushim çështjeje, duke mbrojtur mendimin se nuk ishin marrë parasysh shumica e udhëzimeve të dhëna në vendimin e kryeprokurorit të datës 23 gusht 2005 (paragrafi 33 i mësipërm). Ky ankim u rrëzua më 4 qershor 2007 nga kryeprokurori i prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalafatit, i cili, me një arsyetim të shkurtër, iu referua konkluzioneve të raportit mjekoligjor të datës 14 shtator 2004 dhe vendimit të Urdhrit të Mjekëve të datës 20 korrik 2006.
Më 10 gusht 2007, CRJ-ja ngriti padi kundër këtij vendimi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Kalafatit.
38. Më 3 tetor 2007, kjo gjykatë e pranoi padinë e CRJ-së, i shfuqizoi vendimet e 30 marsit e të 4 qershorit 2007 dhe urdhëroi riçeljen e hetimit, duke çmuar se nuk ishin marrë në shqyrtim disa aspekte të ndryshme që lidheshin me vdekjen e Z. Câmpeanu dhe se duhej të paraqiteshin elemente plotësuese prove.
Gjykata vuri në dukje veçanërisht të metat e mëposhtme: shumica e dokumenteve që mendohej se ishin mbledhur pranë Spitalit të Sëmundjeve Infektive të Krajovës dhe Qendrës së Sistemimit nuk ishin përfshirë në dosjen e hetimit (dokumente mjekësore mbi bazën e të cilave Z. Câmpeanu ishte pranuar në CMSC e transferuar në SPM, ekzaminime të kryera klinike dhe paraklinike, relacione të marrjes në pyetje të mjekëve dhe infermierëve që ishin ngarkuar nga administrata për mjekimin e Z. Câmpeanu dhe vija udhëheqëse rreth depistimit të HIV-it); kontradiktat që dilnin nga deklarimet e personave që kishin marrë pjesë në pranimin e Z. Câmpeanu në CMSC nuk ishin sqaruar, ashtu siç nuk ishin sqaruar as rrethanat lidhur me ndërprerjen e trajtimit antiretroviral pas transferimit të të riut në SPM; përveç këtyre, nuk ishin ndriçuar thëniet kontradiktore të personelit mjekësor të CMSC-së dhe të SPM-së lidhur me të pretenduarën “gjendje shqetësimi” të Z. Câmpeanu.
Sipas asaj gjykate, hetuesit nuk kishin verifikuar as nëse personeli mjekësor i SPM-së i kishte kryer ekzaminimet e nevojshme pas pranimit të Z. Câmpeanu e nëse këtij i ishin dhënë antiretroviralët dhe çdo medikament tjetër i rekomanduar. Gjykata shtoi se hetuesit nuk kishin përcaktuar as nga se ishin shkaktuar edemat e vërejtura në fytyrën dhe në gjymtyrët e poshtme të Z. Câmpeanu, as nëse kishte qenë korrekte terapia e zgjedhur në SPM. Ajo çmoi se, duke pasur parasysh këto mangësi, kërkesa për mendim drejtuar Urdhrit të Mjekëve kishte pasur karakter të parakohshëm dhe duhej të përsëritej sapo të plotësohej dosja hetimore.
39. Prokurori i prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalafatit e apeloi këtë vendim. Më 4 prill 2008, Gjykata e Qarkut të Doljit e pranoi apelimin, e shfuqizoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kalafatit dhe e rrëzoi padinë e ngritur nga CRJ-ja kundër vendimit për pushim çështjeje të datës 30 mars 2007.
Gjykata u mbështet kryesisht te konkluzionet e raportit mjekoligjor dhe të raportit të autopsisë, si edhe te vendimi i Urdhrit të Mjekëve, dokumente këto të cilat vinin të gjitha në dukje mungesën e ndonjë lidhjeje shkakësore ndërmjet trajtimit mjekësor që i ishte bërë Z. Câmpeanu dhe vdekjes së këtij të fundit.
C. Veprime të tjera të kryera me nismën e CRJ-së
1. Në lidhje me Z. Câmpeanu
40. Më 8 mars 2004, në përgjigje të padive të ngritura nga CRJ-ja (paragrafi 26 i mësipërm), prefekti i Qarkut të Doljit ngarkoi një komision për të hetuar rreth rrethanave të vdekjes së Z. Câmpeanu. Këtij komisioni, i cili përbëhej nga përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, të Drejtorisë së Shëndetit Publik, të degës së ngarkuar me hetimet penale të Drejtorisë së Policisë, dhe të Prefekturës, iu caktua një afat prej dhjetë ditësh për ta mbyllur hetimin e për të paraqitur një raport rreth konkluzioneve të veta.
Në raportin e tij, komisioni mbërriti në përfundimin se të gjitha procedurat lidhur me trajtimin e Z. Câmpeanu pas daljes së tij nga Qendra e Sistemimit kishin qenë të ligjshme dhe të përligjura duke pasur parasysh diagnozën e vënë. Ai vërejti vetëm një parregullsi, konkretisht moskryerjen e një autopsie menjëherë pas vdekjes së të riut, e cila kishte qenë sipas tij në kundërshtim me legjislacionin në fuqi (paragrafi 25 i mësipërm).
41. Më 26 qershor 2004, CRJ-ja paraqiti pranë Zyrës Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Birësimin (“Zyra Kombëtare”) një ankesë ku ajo denonconte disa mangësi, ndër të cilat moscaktimin e një kujdestari për Z. Câmpeanu dhe mosvendosjen e këtij të fundit në një institucion të përshtatshëm mjekësor. CRJ-ja e përsëriti padinë e saj më 4 gusht 2004, duke mbrojtur mendimin se transferimi i papërligjur i të riut në SPM mund të shtronte disa pikëpyetje në vështrim të nenit 5 § 1 e) të Konventës.
Më 21 tetor 2004, në përgjigje të këtyre pretendimeve, Zyra Kombëtare nxori një raport për rrethanat e vdekjes së Z. Câmpeanu. Ajo e pranonte që komisioni i Qarkut i kishte kapërcyer kompetencat e tij duke urdhëruar pranimin e Z. Câmpeanu në SPM. Ajo çmonte megjithatë se ky urdhër kishte qenë pa pasoja, përderisa institucioni në fjalë gjithsesi kishte refuzuar fillimisht që ta pranonte Z. Câmpeanu (paragrafi 11 i mësipërm).
Zyra Kombëtare dilte në përfundimin se, duke e transferuar Z. Câmpeanu në CMSC, Drejtoria për Mbrojtjen e Fëmijëve kishte vepruar në respektim të parimeve të etikës profesionale dhe të praktikave të mira. Për mendimin e saj, gjithsesi nuk i takonte asaj që të jepte një gjykim rreth transferimit të mëvonshëm të Z. Câmpeanu në SPM.
Po ashtu, Zyra Kombëtare nuk pranoi që të shprehej rreth argumentit sipas të cilit Z. Câmpeanu ishte konsideruar pa të drejtë si një person i prekur nga një paaftësi mesatare, ose rreth fakteve që kishin ndodhur pas pranimit të tij në CMSC.
42. Më 24 mars 2004, Drejtoria e Shëndetit Publik e Qarkut të Doljit e njoftoi CRJ-në se një komision i përbërë nga drejtues të ndryshëm të Qarkut kishte dalë në përfundimin që në kuadër të vdekjes së Z. Câmpeanu “nuk [kishte] pasur shkelje të asnjë të drejte themelore”, përderisa shtrimet e tij të njëpasnjëshme në spital kishin qenë të përligjura nga neni 9 i Ligjit nr. 584/2002 lidhur me masat parandaluese kundër përhapjes së infektimit nga HIV-i dhe për mbrojtje të personave të infektuar me HIV ose të prekur nga sida.
2. Lidhur me pacientë të tjerë
43. Më 16 mars 2005, pas një hetimi penal rreth vdekjes së shtatëmbëdhjetë pacientëve në SPM, Prokuroria e Përgjithshme i drejtoi Ministrisë së Shëndetësisë një letër ku i kërkonte marrjen e disa masave administrative me synim që të ndreqej situata në spital. Duke vënë në dukje se lidhur me vdekjet në fjalë nuk ishte vërejtur asnjë veprim i dënueshëm nga pikëpamja penale, letra nënvizonte disa “mangësi administrative” të vëna re në spital dhe këshillonte marrjen e masave të përshtatshme rreth pikave të mëposhtme:
“mungesë ngrohjeje në dhomat e pacientëve, ushqim hipokalorik, personel i pamjaftueshëm dhe i papërgatitur për mjekimin e duhur të pacientëve me aftësi të kufizuar mendore, mungesë barnash të efektshme, mundësi tejet të kufizuara për të kryer hulumtime paraklinike [...], të gjitha këto elemente që kanë favorizuar shfaqjen e sëmundjeve infektive si edhe përparimin e tyre vdekjeprurës [...]”
44. Në vendimin që dha më 15 qershor 2006 në vijim të një padie penale të paraqitur nga CRJ-ja në emër të P.C., një pacienti tjetër të vdekur në SPM, Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë e hodhi poshtë prapësimin e prokurorisë sipas të cilit CRJ-ja nuk kishte cilësi për të vepruar. Ky juridiksion i lartë qe i mendimit se CRJ-ja, duke pasur parasysh fushën e saj të veprimtarisë dhe qëllimet e deklaruara se ajo ndjek si fondacion për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kishte kompetencë për të ndjekur një procedurë të kësaj natyre që synon të ndriçojë rrethanat në të cilat shtatëmbëdhjetë pacientë kishin gjetur vdekjen në SPM në janar dhe shkurt 2004. Juridiksioni i lartë u shpreh kështu:
“Gjykata e Lartë çmon se CRJ-ja mund të konsiderohet si “çdo person tjetër interesat legjitimë të të cilit janë dëmtuar” në kuptimin e nenit 2781 të Kodit të Procedurës Penale. Legjitimiteti i interesave të CRJ-së lidhet me kërkesën që ajo ka paraqitur për të përcaktuar dhe sqaruar rrethanat që kanë çuar në vdekjen e shtatëmbëdhjetë pacientëve në SPM, në janar e shkurt 2004; qëllimi i CRJ-së ishte pra që të garantonte të drejtën për jetën dhe ndalimin e torturës e të keqtrajtimeve (...) duke bërë që të niste një hetim penal zyrtar i cili do të ishte efektiv e i plotë dhe do të bënte të mundur identifikimin e personave përgjegjës për shkeljen e të drejtave të sipërpërmendura, në përputhje me nenet 2 dhe 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. [CRJ-ja synonte gjithashtu] të sensibilizojë shoqërinë për sa i përket nevojës për të mbrojtur të drejtat e liritë themelore dhe për të garantuar qasjen te drejtësia, çka u përgjigjet qëllimeve të shpallura të OJQ-së.
Ekzistenca e interesit të drejtë të CRJ-së është vërtetuar me çeljen e një hetimi, i cili është i papërfunduar deri më sot.
Në të njëjtën kohë, mundësia e CRJ-së për të paraqitur padi mbi bazën e nenit 2781 (...) përbën një mjet ankimi në rrugë gjyqësore, në përputhje me dispozitat e nenit 13 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilave u është referuar si bazë kërkuesja (...)”
D. Ekspertiza e paraqitur nga CRJ-ja
45. CRJ-ja paraqiti një ekspertizë që mban datën 4 janar 2012 dhe që është hartuar nga doktori Adriaan van Es, pjesëtar i ekipit konsultativ mjekoligjor dhe drejtor i Federatës Ndërkombëtare të Organizatave të Shëndetësisë dhe të të Drejtave të Njeriut (International Federation of Health and Human Rights Organisations – IFHHRO), i asistuar nga Anca Boeriu, shef projekti në IFHHRO. Ekspertiza mbështetej në kopje dokumentesh që CRJ-ja ia ka paraqitur edhe Gjykatës, sidomos kartela mjekësore të CMSC-së dhe të SPM-së.
Ajo bënte fjalë për dokumente mjekësore “sipërfaqësore, jo cilësore, shpeshherë të paqena ose të munguara” të SPM-së dhe të CMSC-së, në të cilat përshkrimi i gjendjes klinike të Z. Câmpeanu ishte “shumë i pamjaftueshëm”. Ajo vinte në dukje se pacienti nuk ishte ekzaminuar kurrë nga një specialist i sëmundjeve infektive në SPM dhe shtonte se, në kundërshtim me çka kërkohej nga e drejta rumune, nuk ishte kryer autopsi menjëherë pas vdekjes.
Sipas ekspertizës, dokumentet e disponueshme nuk jepnin informacione të besueshme rreth pikës nëse trajtimi antiretroviral ishte dhënë në mënyrë të vazhduar; prandaj kishte mundësi që, për arsye të një trajtimi të papërshtatshëm, Z. Câmpeanu të kishte vuajtur nga një goditje e re prej HIV-it, por gjithashtu edhe nga infeksione rastësore, një pneumoni me pneumociste (raporti i autopsisë e identifikonte pneumoninë si shkak të vdekjes). Ekspertiza vinte në dukje se pneumonia as nuk ishte diagnostikuar, as nuk ishte trajtuar gjatë qëndrimeve të të interesuarit në SPM e në CMSC, ndërkohë që fjala ishte për një sëmundje shumë të shpeshtë te personat portatorë të HIV-it, dhe se në asnjë çast nuk ishin bërë analiza të zakonshme laboratorike për ta mbajtur nën mbikëqyrje seropozitivitetin e pacientit.
Ekspertiza vinte re se disa shenja sjelljeje të interpretuara si shqetësime psikiatrike mund të ishin shkaktuar prej ndonjë septicemie.
Për rrjedhojë, sipas ekspertizës, rreziqet e lidhura me ndërprerjen e trajtimit antiretroviral, rreziqet për infektime rastësore dhe e kaluara me tuberkuloz e Z. Câmpeanu duhet të kishin çuar në shtrimin e këtij pacienti në ndonjë spital mjekësie të përgjithshme që trajton sëmundje infektive, dhe jo në një institucion psikiatrik.
46. Ekspertiza dilte në konkluzionin se vdekja e Z. Câmpeanu në SPM ishte rezultati i një “gabimi të rëndë mjekësor”, se mënyra se si ishte vepruar me HIV-in dhe me infeksionet rastësore nuk kishte qenë në përputhje as me normat ndërkombëtare, as me etikën mjekësore, se po ashtu qëndronte puna edhe me këshillat e me mjekimin që i ishin dhënë pacientit për të metat e tij të rënda mendore dhe se, për më tepër, në procedurën disiplinore pranë Komisionit Disiplinor të Urdhrit të Mjekëve kishte pasur mangësi e pakujdesi, duke pasur parasysh mungesën e disa dokumenteve të rëndësishme mjekësore.
E. Të dhëna të përgjithshme rreth institucioneve mjekësore të Çetates dhe të Poiana Mares
1. Spitali Neuropsikiatrik i Poiana Mares
47. SPM-ja ndodhet në Qarkun e Doljit, në jug të Rumanisë, 80 kilometra nga Krajova, në vendin e një ish-baze ushtarake që zë një territor prej 36 hektarësh. SPM-ja mund të mbajë pesëqind pacientë. Këta mund të jenë objekt i një shtrimi të vullnetshëm ose i një vendosjeje me detyrim, duke qenë kjo e fundit një masë e ardhur si rezultat i një procedure civile ose penale. Deri përpara disa vjetësh, spitali kishte edhe një repart për pacientët e prekur nga tuberkulozi. Ky repart është transferuar në një komunë fqinje nën trysninë e një numri të caktuar organesh kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (“KPT”).
Në kohën e ngjarjeve objekt konflikti, në shkurt 2004, SPM-ja numëronte 436 pacientë. Personeli mjekësor përfshinte pesë psikiatër, katër specializantë në psikiatri dhe gjashtë mjekë të përgjithshëm.
Sipas raportit të KPT-së të vitit 2004 (paragrafi 77 i mëposhtëm), 109 pacientë kanë vdekur në SPM në rrethana të dyshimta – tetëdhjetë e një ndërmjet janarit e dhjetorit 2003 dhe njëzet e tetë gjatë pesë muajve të parë të vitit 2004. KPT-ja e ka vizituar SPM-në tri herë, më 1995, më 1999 dhe më 2004, ku vizita e fundit kishte pasur për qëllim specifik që të hetonte rreth rritjes alarmuese të përqindjes së vdekshmërisë. Pas çdo vizite, KPT-ja ka hartuar raporte shumë kritike, duke nënvizuar “kushte jetese çnjerëzore dhe poshtëruese” në SPM.
Më 2 shtator 2003, Ministria e Shëndetësisë botoi një raport pas vizitës në disa institucione mjekësore, veçanërisht te SPM-ja, të sinjalizuara si problematike në raportet e KPT-së. Ajo dilte aty në konkluzionin se në SPM barnat që u jepeshin pacientëve ishin të papërshtatshëm, qoftë për arsye të mungesës së lidhjes ndërmjet diagnozës psikiatrike dhe trajtimit të dhënë, qoftë sepse ekzaminimet mjekësore ishin shumë të kufizuara. Ajo shtonte se kishte vërejtur disa mangësi që kishin të bënin me administrimin e spitalit dhe një pamjaftueshmëri personeli mjekësor në krahasim me numrin e pacientëve.
2. Qendra Mjekoshoqërore e Çetates
48. Nga informacionet e dhëna prej CRJ-së del që CMSC-ja ishte një strukturë e vogël mjekoshoqërore e cila, në fillim të vitit 2004, kishte një kapacitet prej njëzet shtretërish. Në atë kohë, aty qëndronin tetëmbëdhjetë pacientë. Para 1 janarit 2004 – datë në të cilën ky institucion është klasifikuar si qendër mjekoshoqërore – CMSC-ja ishte një spital psikiatrik.
Në bazë të miratimit që iu lëshua për vitet 2006-2009, CMSC-ja lejohej që të jepte shërbime për të rritur që përballeshin me situata të vështira familjare, meqenëse theksi vihej tek ana shoqërore e ndihmës mjekoshoqërore.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kodi Penal rumun
49. Dispozitat përkatëse të Kodit Penal rumun që ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve objekt konflikti ishin formuluar kështu:
Neni 114 – Shtrimi në një strukturë mjekësore
“1) Në qoftë se autori i një vepre penale vuan nga një sëmundje mendore ose nga toksikomania dhe në qoftë se ndodhet në një gjendje të tillë që ai paraqet një rrezik për shoqërinë, mund të urdhërohet shtrimi i tij në një institucion mjekësor të specializuar deri në shërimin e tij të plotë.
2) Një masë e tillë mund të merret gjithashtu edhe përkohësisht në kuadrin e një procedure penale ose të një procesi.”
Neni 178 – Vrasja nga pakujdesia
“Vrasja nga pakujdesia, e shkaktuar nga mosrespektimi i dispozitave ligjore apo i masave parandaluese të lidhura me ushtrimin e një zanati a profesioni, ose me kryerjen e njëfarë veprimtarie, ndëshkohet me një dënim me burgim për një periudhë nga dy deri në shtatë vjet.”
Neni 246 – Veprimi ose mosveprimi me dashje që cenon interesat e tjetërkujt
“Nëpunësi publik që, me vetëdije, gjatë ushtrimit të detyrave të tij zyrtare, nuk e kryen një veprim ose e kryen atë në mënyrë jo korrekte, duke cenuar kështu interesat juridike të tjetërkujt, mund të dënohet me burgim për një periudhë nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”
Neni 249 – Pakujdesia në kryerjen e një detyre zyrtare
“1) Nëpunësi publik që, nga pakujdesia, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare ose i përmbush ato në mënyrë të gabuar, kur pakujdesia e tij e dëmton shumë mirëfunksionimin e një autoriteti ose institucioni publik, apo të një personi juridik, ose u shkakton një dëm pasurive të tij apo një dëmtim të rëndë interesave juridike të tjetërkujt, mund të ndëshkohet me një dënim me burgim nga një muaj deri në dy vjet ose me gjobë (...)”
Neni 314 – Vënia në rrezik e një personi të paaftë për t’u kujdesur për vetveten
“1) Braktisja, largimi ose lënia pa ndihmë e një fëmije ose e një personi të paaftë për t’u kujdesur për vetveten, të kryera në çdolloj mënyre qoftë nga një person i ngarkuar për të mbikëqyrur ose për t’u përkujdesur për këtë fëmijë a këtë person, [ose] ekspozimi i jetës, shëndetit apo tërësisë së tij fizike ndaj një rreziku të atypëratyshëm, ndëshkohet me një dënim me burgim për një periudhë nga një deri në tre vjet (...)”
B. Kodi rumun i Procedurës Penale
50. Procedura lidhur me paraqitjen në gjykatë të një ankimi kundër një vendimi të marrë prej një prokurori gjatë një hetimi penal u nënshtrohej neneve 275 deri 2781 të Kodit, në atë trajtë të këtij të fundit që ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve objekt konflikti. Pjesët përkatëse të këtyre dispozitave shpreheshin kështu:
Neni 275
“Çdo person interesat e drejta të të cilit janë dëmtuar prej një mase apo një vendimi të marrë në kuadrin e një hetimi penal mund të paraqesë ankim kundër kësaj mase a këtij akti (...)”
Neni 278
“Ankimet kundër masave apo vendimeve të marra nga një prokuror, ose të vëna në zbatim me kërkesën e tij, shqyrtohen nga (...) kryeprokurori i sektorit kompetent (...)”
Neni 2781
“1) Pas rrëzimit, nga prokurori, të një ankimi të paraqitur në bazë të neneve 275 deri 278 e që ka të bëjë me mbylljen e një hetimi penal (...) me një vendim për pushim e arkivim çështjeje (neurmărire penală) (...), pala e dëmtuar, ose cilido interesat e drejta të të cilit janë dëmtuar, mund të paraqesë, brenda një afati prej njëzet ditësh duke nisur nga njoftimi i vendimit të kundërshtuar, një padi pranë gjyqtarit të gjykatës që është në parim kompetente për ta shqyrtuar çështjen në shkallë të parë (...)
4) Personi objekt i hetimit penal të cilin prokurori ka vendosur ta mbyllë si edhe autori i ankimit kundër këtij vendimi thirren në gjykatë. Në qoftë se këta persona janë thirrur sipas rrugëve ligjore, mosparaqitja e tyre para gjykatës nuk e pengon shqyrtimin e çështjes (...)
5) Prokurori është i detyruar të paraqitet para gjykatës.
6) Gjyqtari ia jep fjalën autorit të ankimit, pastaj personit i cili ishte objekt i hetimit penal që është mbyllur dhe, së fundi, prokurorit.
7) Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjyqtari e vlerëson vendimin e kundërshtuar duke u bazuar tek aktet dhe dokumentet ekzistuese, si edhe te çdo dokument i ri që i bëhet atij i ditur.
8) Gjyqtari merr vendim në njërën nga mënyrat e mëposhtme:
a) e rrëzon ankimin për arsye vonese, papranueshmërie ose për mungesë themelësie dhe e lë në fuqi vendimin e kundërshtuar;
b) e pranon ankimin, e shfuqizon vendimin e kundërshtuar dhe ia kthen çështjen prokurorit me qëllim që ky ta nisë ose rinisë hetimin penal. Gjyqtari duhet të parashtrojë arsyet e kthimit të çështjes dhe, në të njëjtën kohë, të tregojë faktet e rrethanat që duhet të sqarohen, si edhe elementet me rëndësi që duhet të paraqiten;
c) e pranon ankimin, e shfuqizon vendimin e kundërshtuar dhe, në qoftë se dokumentet e dosjes janë të pamjaftueshme, e mban çështjen për shqyrtim më të gjerë, sipas rregullave procedurale që zbatohen, në shkallë të parë e pastaj, në rast nevoje, në apel (...)
12) Gjyqtari e shqyrton ankimin brenda një afati prej tridhjetë ditësh duke nisur nga data e marrjes së tij.
13) Një ankim i paraqitur pranë autoritetit të gabuar i dërgohet, në rrugë administrative, autoritetit kompetent për shqyrtimin e tij.”
C. Sistemi i ndihmës sociale
51. Neni 2 i Ligjit për Ndihmën Sociale Kombëtare (Ligji nr. 705/2001) e përkufizonte kështu sistemin e ndihmës sociale:
“(...) sistem institucionesh e masash me anë të të cilave shteti, autoritetet publike dhe shoqëria civile sigurojnë parandalimin, kufizimin dhe eliminimin e pasojave të përkohshme ose të përhershme të situatave që mund të shkaktojnë mënjanimin dhe përjashtimin shoqëror të disa individëve.”
Neni 3 e përkufizon kështu objektin e këtij sistemi:
“(...) të mbrojë personat që, për arsye financiare, fizike, mendore ose shoqërore, nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e tyre shoqërore dhe t’i zhvillojnë aftësitë e tyre vetjake dhe mundësitë e tyre për t’u integruar në shoqëri.”
52. Rregullorja nr. 68/2003 për shërbimet sociale përcakton objektivat e shërbimeve sociale publike dhe përshkruan procesin vendimmarrës lidhur me dhënien e shërbimeve sociale.
D. Legjislacioni lidhur me sistemin shëndetësor
53. Dispozitat juridike përkatëse rreth shëndetit mendor janë parashtruar me hollësi në vendimin B. k. Rumanisë (nr. 2) (nr. 1285/03, §§ 42-66, 19 shkurt 2013).
Ligji nr. 487/2002 për shëndetin mendor dhe mbrojtjen e personave të prekur nga shqetësime psikike (“Ligji për Shëndetin Mendor i vitit 2002”), i cili ka hyrë në fuqi në gusht 2002, përcakton procedurën që duhet të ndiqet për trajtimin e detyrueshëm të një individi. Vendimi i psikiatrit trajtues për shtrimin e një personi në spital për qëllim mjekimi të detyrueshëm duhet të miratohet nga një komision i posaçëm mjekësh psikiatër brenda një afati prej shtatëdhjetë e dy orësh pas shtrimit të të interesuarit në spital. Përveç kësaj, ky vlerësim duhet të rishqyrtohet brenda njëzet e katër orësh nga një prokuror, vendimi i të cilit mund të kundërshtohet edhe ai pranë një gjykate. Vënia në zbatim e dispozitave të këtij ligji kushtëzohej me miratimin e rregullores së nevojshme zbatuese; kjo e fundit është miratuar më 2 maj 2006.
54. Ligji për Spitalet (Ligji nr. 270/2003) përcaktonte në nenin 4 të tij se spitalet ishin të detyruar që “të ofrojnë strehim dhe ushqim të përshtatshëm si edhe të kujdesen për parandalimin e infeksioneve”. Ai është shfuqizuar më 28 maj 2006, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Reformën e Kujdesit Shëndetësor i vitit 2006 (Ligji nr. 95/2006).
55. Ligji për të Drejtat e Pacientëve (Ligji nr. 46/2003) përcakton në nenin 3 të tij se “pacienti ka të drejtë të respektohet si çdo qenie njerëzore, pa diskriminim”. Neni 35 përcakton që një pacient ka “të drejtë për mjekime të vazhdueshme deri në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore ose deri në shërimin e tij”. Përveç kësaj, “pacienti ka të drejtë për mjekime qetësuese që të mundë të vdesë me dinjitet”. Për çdo trajtë ndërhyrjeje mjekësore kërkohet pëlqimi i pacientit.
56. Vendimi nr. 1134/25.05.2000 i ministrit të Drejtësisë dhe Vendimi nr. 255/4.04.2000 i ministrit të Shëndetësisë për procedurat lidhur me mendimet mjekësore dhe me shërbime të tjera mjekoligjore përcaktojnë në nenin 34 të tyre se, kur një vdekje ndodh në një spital psikiatrik, duhet të bëhet një autopsi. Neni 44 e detyron drejtorinë e institucionit në fjalë që të informojë për një vdekje të tillë autoritetet e ngarkuara me kryerjen e hetimeve, të cilat duhet të kërkojnë një autopsi.
57. Ligji nr. 584/2002 lidhur me masat parandaluese kundër përhapjes së infektimit me HIV dhe për mbrojtjen e personave të infektuar me HIV ose të prekur nga sida përcakton në nenin 9 të tij se institucionet mjekësore dhe mjekët janë të detyruar t’i shtrojnë personat në fjalë dhe t’u japin atyre trajtimet mjekësore që kërkojnë simptomat e tyre specifike.
E. Sistemi i kujdestarisë
1. Kujdestaria e një të mituri
58. Nenet 113 deri 141 të Kodit të Familjes, ashtu siç ishin në fuqi në kohën e ngjarjeve objekt konflikti, përcaktonin rregullat e kujdestarisë së një të mituri prindërit e të cilit kishin vdekur ose ishin të panjohur, u ishte hequr autoriteti prindëror ose ishin shpallur të paaftë, ishin zhdukur ose ishin shpallur të vdekur nga një gjykatë. Kodi i Familjes përcaktonte kushtet të cilat diktonin vendosjen nën kujdestari, caktimin e një kujdestari (tutore), përgjegjësitë e një kujdestari, revokimin e këtij të fundit dhe përfundimin e kujdestarisë. Institucioni që ngarkohej me përgjegjësitë më të mëdha në këtë fushë ishte Autoriteti i Kujdestarive (autoritatea tutelarã), i ngarkuar sidomos për të mbikëqyrur veprimtaritë e kujdestarëve.
Tani, rregullat e kujdestarisë përcaktohen nga nenet 110 deri 163 të Kodit Civil.
2. Procedura e shpalljes së pazotësisë dhe kujdestaria e personave me aftësi të kufizuar
59. Nenet 142 deri 151 të Kodit të Familjes, ashtu siç ishin në fuqi në kohën e ngjarjeve në fjalë, përcaktonin procedurën e shpalljes së pazotësisë (interdicţie), masë përmes së cilës i hiqet zotësia juridike një personi paaftësia e të cilit për t’u dhënë drejtim punëve të tij quhet e vërtetuar.
Një vendim për heqje zotësie mund të miratohej dhe të shfuqizohej nga një gjykatë ndaj një personi “të paaftë për t’u kujdesur për interesat e tij për arsye të një çrregullimi ose të një aftësie të kufizuar mendore”. Një procedurë për shpallje pazotësie mund të nisej nga një numër i gjerë personash, veçanërisht nga shërbimet publike kompetente në fushën e mbrojtjes së të miturve ose nga çdo person i interesuar. Sapo një person shpallej i pazoti, me qëllim të përfaqësimit të tij caktohej një kujdestar; këtij i jepeshin kompetenca të njëjta me ato të kujdestarit të një të mituri.
Ndonëse procedura e heqjes së zotësisë mund të zbatohej gjithashtu edhe për të mitur, ajo kishte parasysh në veçanti të rriturit me aftësi të kufizuar.
Që prej asaj kohe, dispozitat e sipërpërmendura, pas disa ndryshimesh, janë përfshirë në Kodin Civil (nenet 164 deri 177). Kodi i ri Civil është botuar në Gazetën Zyrtare nr. 511 të datës 24 korrik 2009, pastaj ribotuar në Gazetën Zyrtare nr. 505 të datës 15 korrik 2011. Ai ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2011.
60. Nenet 152 deri 157 të Kodit të Familjes, ashtu siç ishin në fuqi në kohën e ngjarjeve, përcaktonin procedurën e vënies nën kujdestari të përkohshme (curatela), e cila synon t’i bëjë ballë situatës së një personi që, ndonëse jo i shpallur i pazoti, nuk është i aftë për t’i mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme interesat e tij apo për të caktuar një përfaqësues. Pjesët përkatëse të këtyre dispozitave janë të formuluara kështu:
Neni 152
“Përveç rasteve të tjera të parashikuara nga ligji, Autoriteti i Kujdestarive cakton një kujdestar të përkohshëm në situatat e mëposhtme:
a) kur, për shkak të një moshe të thyer, të një sëmundjeje ose të një invaliditeti fizik, një person, ndonëse e ruan zotësinë e tij juridike, është i paaftë për t’i administruar vetë pasuritë e tij ose për t’i mbrojtur vetë interesat e tij në mënyrë të kënaqshme dhe, për arsye të drejta, nuk mundet të caktojë një përfaqësues;
b) kur, për shkak të një sëmundjeje ose për arsye të tjera, një person, ndonëse e ruan zotësinë e tij juridike, është i paaftë për të marrë, qoftë vetë, qoftë nëpërmjet një përfaqësuesi, masat e nevojshme në disa situata ku kërkohet një veprim urgjent;
c) kur, për shkak të një sëmundjeje ose për arsye të tjera, prindi ose kujdestari [tutore] i caktuar nuk është në gjendje ta kryejë veprimin në fjalë (...)”
Neni 153
“Në situatat e marra parasysh në nenin 152, caktimi i një kujdestari të përkohshëm [curator] nuk ndikon te zotësia e personit të përfaqësuar.”
Neni 154
“1. Kujdestaria e përkohshme [curatela] mund të vendoset me kërkesën e personit që dëshiron të përfaqësohet, të bashkëshortit ose të afërmve të këtij të fundit, të çdo personi të marrë parasysh në nenin 115, ose të kujdestarit [tutore] në situatën e marrë parasysh në nenin 152 c). Edhe Autoriteti i Kujdestarive mund të vendosë një kujdestari të përkohshme me nismën e tij.
2. Kujdestaria e përkohshme nuk mund të vendoset përveçse me pëlqimin e personit që duhet të përfaqësohet, me përjashtim të atyre situatave ku ky pëlqim nuk mund të jepet (...)”
Neni 157
“Nëse nuk ekzistojnë më arsyet që kishin çuar në vendosjen e një kujdestarie të përkohshme, kjo masë hiqet nga Autoriteti i Kujdestarive me kërkesën e kujdestarit të përkohshëm, të personit të përfaqësuar ose të çdo personi tjetër të marrë parasysh në nenin 115, ose me vetë nismën e Autoritetit të Kujdestarive.”
Që prej asaj kohe, dispozitat e sipërpërmendura janë përfshirë, pas disa ndryshimesh, në Kodin Civil (nenet 178 deri 186).
61. Urdhëresa urgjente nr. 26/1997 lidhur me fëmijët në gjendje të vështirë, e cila ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve, shmangej nga dispozitat e Kodit të Familjes rreth kujdestarisë. Neni i saj 8 § 1 parashtronte:
“(...) në qoftë se prindërit e fëmijës kanë vdekur, janë të panjohur ose u është hequr zotësia juridike, në qoftë se ata janë shpallur të vdekur nga një gjykatë, janë zhdukur ose u është hequr autoriteti prindëror, dhe në qoftë se nuk ka pasur vënie nën kujdestari, në qoftë se fëmija është shpallur i braktisur me një vendim gjyqësor të formës së prerë, dhe në qoftë se nuk është vendosur prej një gjykate që ai t’i besohet një familjeje ose një personi në përputhje me ligjin, të drejtat prindërore i ushtron Këshilli i Qarkut, (...) nëpërmjet Komisionit [për Mbrojtjen e Fëmijëve]”.
Urdhëresa urgjente nr. 26/1997 është shfuqizuar më 1 janar 2005, kur ka hyrë në fuqi një ligj i ri për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës (Ligji nr. 272/2004).
62. Vendimi nr. 726/2002 lidhur me kriteret e përcaktimit të kategorive të aftësisë së kufizuar te të rriturit i përshkruan kështu personat e prekur nga “të meta të rënda mendore”:
“(...) paraqesin një zhvillim të kufizuar psikomotor dhe pak ose aspak aftësi gjuhësore; mund të mësojnë të flasin e të familjarizohen me alfabetin dhe llogarinë elementare. Mund të tregohen të aftë për të kryer detyra të thjeshta nën mbikëqyrje nga afër. Mund të përshtaten me jetën në bashkësi në gjirin e një qendre përkujdesjeje ose të familjes së tyre, për sa kohë që nuk vuajnë nga ndonjë e metë tjetër që kërkon mjekime të veçanta.”
63. Ligji nr. 519/2002 për mbrojtjen e posaçme dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar i përmendte një për një të drejtat shoqërore që u njihen personave me aftësi të kufizuar. Ai është shfuqizuar nga Ligji për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuar (Ligji nr. 448/2006), i hyrë në fuqi më 21 dhjetor 2006. Neni 23 i këtij ligji, ashtu siç parashikonte ai fillimisht, përcaktonte se personat me aftësi të kufizuar mbroheshin kundër pakujdesisë dhe keqtrajtimit, veçanërisht nëpërmjet shërbimesh ndihme juridike dhe, në rast nevoje, me anë të vënies nën kujdestari. Në bazë të nenit 25 të këtij ligji, ashtu siç ishte ndryshuar ai më 2008, personat me aftësi të kufizuar mbrohen kundër pakujdesisë dhe keqtrajtimit, si edhe kundër çdo diskriminimi që mund të bazohet te vendi ku ata ndodhen. Personat që janë në paaftësi të plotë ose të pjesshme për t’u dhënë drejtim punëve të tyre përfitojnë një mbrojtje juridike e cila mund të marrë trajtën e një kujdestarie të plotë ose të pjesshme, si edhe një ndihmë juridike. Përveç kësaj, në qoftë se një person me aftësi të kufizuar nuk ka një prind ose një person tjetër që mund të pranojë të jetë kujdestari i tij, një gjykatë mund të caktojë për të luajtur këtë rol autoritetin publik vendor ose entitetin juridik privat që përkujdeset për të.
III. ELEMENTET PËRKATËSE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
A. Çështja e cilësisë për të vepruar
1. Konventa e Kombeve të Bashkuara lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar (“KDPAK”), e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 13 dhjetor 2006 (Rezoluta A/RES/61/106)
64. KDPAK-ja, e cila ka si objekt që të nxisë, të mbrojë e të sigurojë gëzimin e plotë e të barabartë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe të të gjitha lirive themelore nga personat me aftësi të kufizuar, si edhe të nxisë respektimin e dinjitetit të tyre vetjak, është ratifikuar nga Rumania më 31 janar 2011. Pjesët e saj përkatëse shprehen kështu:
Neni 5
Barazia dhe mosdiskriminimi
“1. Shtetet Palë e pranojnë se të gjithë personat janë të barabartë përpara ligjit e në bazë të këtij të fundit dhe se ata kanë të drejtë pa diskriminim për mbrojtje të barabartë e përfitim të barabartë nga ligji.
2. Shtetet Palë i ndalojnë të gjitha diskriminimet mbi bazë aftësie të kufizuar dhe u garantojnë personave me aftësi të kufizuar një mbrojtje juridike të barabartë e efektive kundër çdolloj diskriminimi, cilado qoftë baza e tij.
3. Me qëllim të nxitjes së barazisë e të zhdukjes së diskriminimit, Shtetet Palë i marrin të gjitha masat e duhura për të bërë rregullime të arsyeshme.
4. Masat specifike që nevojiten për të përshpejtuar ose siguruar barazinë de facto të personave me aftësi të kufizuar nuk përbëjnë diskriminim në kuptimin e kësaj konvente.”
Neni 10
E drejta për jetën
“Shtetet Palë ripohojnë se e drejta për jetën është e lidhur ngushtë me personin njerëzor dhe i marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar gëzimin e saj efektiv, mbi bazën e barazisë me të tjerët.
(...)”
Neni 12
Njohja e statusit të personit juridik në kushte barazie
“1. Shtetet Palë ripohojnë se personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtë t’u njihet kudo statusi i personit juridik.
2. Shtetet Palë pranojnë se personat me aftësi të kufizuar e gëzojnë zotësinë juridike në të gjitha fushat, mbi bazën e barazisë me të tjerët.
3. Shtetet Palë marrin masa të përshtatshme për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar përkrahjen që mund t’u nevojitet për të ushtruar zotësinë e tyre juridike.
4. Shtetet Palë veprojnë në mënyrë të tillë që masat lidhur me ushtrimin e zotësisë juridike të shoqërohen me garancitë e duhura dhe efektive për të parandaluar abuzimet, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Këto garanci duhet të sigurojnë që masat lidhur me ushtrimin e zotësisë juridike t’i respektojnë të drejtat, vullnetin dhe parapëlqimet e personit në fjalë, të jenë të zhveshura nga çdo konflikt interesi dhe të mos shkaktojnë asnjë shpërdorim ndikimi, të jenë të përpjesëtuara e të përshtatura për situatën e personit në fjalë, të zbatohen brenda një kohe sa më të shkurtër dhe t’i nënshtrohen një kontrolli të herëpashershëm të kryer prej një organi kompetent, të pavarur e të paanshëm ose prej një instance gjyqësore. Këto garanci duhet gjithashtu të jenë në përpjesëtim me shkallën në të cilën të drejtat dhe interesat e personit në fjalë preken prej atyre masave që duhet ta lehtësojnë ushtrimin e zotësisë juridike.
(...)”
Neni 13
Qasja te drejtësia
“1. Shtetet Palë ua sigurojnë personave me aftësi të kufizuar qasjen efektive te drejtësia, mbi bazën e barazisë me të tjerët, edhe nëpërmjet ndreqjeve procedurale dhe ndreqjeve në varësi të moshës, me qëllim që të lehtësojnë pjesëmarrjen e tyre efektive, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, veçanërisht si dëshmitarë, në të gjitha procedurat gjyqësore, përfshirë aty edhe në stadin e hetimit e në stadet e tjera paraprake.
2. Me qëllim që të ndihmohet sigurimi i qasjes efektive të personave me aftësi të kufizuar te drejtësia, Shtetet Palë favorizojnë një përgatitje të përshtatshme të personeleve që marrin pjesë në dhënien e drejtësisë, duke përfshirë aty personelet policore dhe personelet e burgjeve.”
2. Konstatimet përkatëse të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara
65. Protokolli i Parë Fakultativ i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i jep Komitetit të të Drejtave të Njeriut (KDNj) kompetencë për shqyrtimin e njoftimeve individuale lidhur me një shkelje të pretenduar të Paktit nga ana e një Shteti Palë në Protokoll (nenet 1 e 2 të Protokollit Fakultativ). Ky i fundit e kufizon shprehimisht tek individët të drejtën e paraqitjes së një njoftimi. Kështu që ankesat e paraqitura në emrin e vet nga OJQ, shoqata, parti politike ose shoqëri shpallen në përgjithësi të papranueshme për mungesë cilësie për të vepruar (shih, për shembull, Disabled and handicapped persons in Italy v. Italy (nr. 163/84)).
66. Si përjashtim, një palë e tretë mund të paraqesë njoftim në emrin e një viktime. Një njoftim i paraqitur në emrin e një viktime të pretenduar nga ana e një pale të tretë mund të shqyrtohet vetëm në qoftë se kjo e fundit arrin të vërtetojë se e ka cilësinë për ta paraqitur njoftimin. Viktima e pretenduar mund të ngarkojë një përfaqësues për ta paraqitur njoftimin në emrin e saj.
67. Një njoftim i paraqitur në emrin e një viktime të pretenduar mund të pranohet gjithashtu në qoftë se duket që personi në fjalë është në pazotësi për ta paraqitur vetë njoftimin (neni 96 i Rregullores së Brendshme të Komitetit të të Drejtave të Njeriut):
Neni 96
“Për të vendosur rreth pranueshmërisë së një njoftimi, Komiteti, ose një grup pune i krijuar në përputhje me paragrafin 1 të nenit 95, sigurohet:
(...)
b) Që individi pretendon, me thënie të mbështetura në mënyrë të mjaftueshme, se është viktimë e një shkeljeje, nga ana e këtij Shteti Palë, të cilësdo nga të drejtat e përmendura në Pakt. Normalisht, njoftimi duhet të paraqitet nga vetë individi ose nga përfaqësuesi i tij; një njoftim i paraqitur në emrin e një viktime të pretenduar mund të pranohet megjithatë në rast se është e qartë që kjo e fundit ndodhet në pazotësi për ta paraqitur vetë njoftimin;
(...)”
68. Shembuj tipikë të kësaj situate paraqiten kur pretendohet që viktima është rrëmbyer, që ajo është zhdukur ose që nuk ka asnjë mjet për të ditur se ku ndodhet, apo gjithashtu që ajo gjendet në burg ose në një institucion psikiatrik. Një palë e tretë (zakonisht fjala është për të afërm) mund ta paraqesë një njoftim në emrin e një personi të vdekur (shih, për shembull, Z. Saimijon e Znja Malokhat Bazarov k. Uzbekistanit (njoftimi nr. 959/2000); Panayote Celal k. Greqisë (njoftimi nr. 1235/2003); Yuliya Vasilyevna Telitsina k. Federatës së Rusisë (njoftimi nr. 888/1999); José Antonio Coronel me të tjerë k. Kolumbisë (njoftimi nr. 778/1997), dhe Jean Miango Muiyo k. Zaires (njoftimi nr. 194/1985)).
3. Raportuesja e Posaçme e Kombeve të Bashkuara për Aftësinë e Kufizuar
69. Në raportin e saj rreth çështjes së monitorimit, të botuar më 2006, Raportuesja e Posaçme është shprehur si vijon:
“2. Personat që paraqesin të meta mendore tanë të ekspozuar në mënyrë të veçantë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, personat me aftësi të kufizuar rrallë merren parasysh, ata nuk kanë zë politik e përbëjnë shpeshherë një nëngrup brenda grupeve shoqërore tashmë të mënjanuara; ata nuk e kanë pra fuqinë për të ndikuar mbi qeveritë. Ata kanë shumë vështirësi për të pasur qasje në sistemin gjyqësor për t’i mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të fituar zhdëmtim për shkeljet, dhe qasja e tyre te organizatat që mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre është përgjithësisht e kufizuar. Në qoftë se personat jo me aftësi të kufizuar kanë nevojë për organe të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të tyre, aq më shumë ka arsye për t’u kujdesur që personave me aftësi të kufizuar dhe të drejtave të këtyre personave t’u kushtohet një vëmendje e posaçme përmes mekanizmash të pavarur mbikëqyrjeje kombëtarë e ndërkombëtarë.”
4. Jurisprudenca përkatëse e Komisionit Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut
70. Neni 44 i Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut i jep Komisionit Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut kompetencë për të pranuar kërkesa me shkrim nga çdo person ose çdo grup personash, nga çdo entitet joqeveritar e i njohur ligjërisht në një ose disa shtete anëtare të Organizatës së Shteteve Amerikane (OShA). Ky nen përcakton:
“Çdo person ose çdo grup personash, çdo entitet joqeveritar e i njohur ligjërisht në një ose disa shtete anëtare të Organizatës mund t’i parashtrojnë Komisionit kërkesa me shkrim që përmbajnë denoncime ose ankesa lidhur me një shkelje të kësaj konvente nga një shtet palë.”
Neni 23 i Rregullores së Komisionit Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut përcakton se këto kërkesa me shkrim mund të paraqiten në emër të palëve të treta. Ai shprehet kështu:
“Çdo person ose çdo grup personash, çdo entitet joqeveritar i njohur ligjërisht në një ose disa shtete anëtare të OShA-së mund t’i paraqesin Komisionit kërkesa me shkrim, në emrin e vet ose në emrin e palëve të treta, për të denoncuar çdo shkelje të prezumuar të njërës prej të drejtave të njohura njerëzore, sipas rastit, në Deklaratën Amerikane të të Drejtave dhe Detyrave të Njeriut, Konventën Amerikane për të Drejtat e Njeriut “Pakti i San Hozesë së Kosta Rikës” (...), në përputhje me dispozitat e tyre përkatëse, me Statutin e Komisionit dhe me këtë rregullore. Kërkuesi me shkrim mund të caktojë në vetë kërkesën me shkrim ose në një dokument me shkrim një avokat ose një person tjetër për ta përfaqësuar atë para Komisionit.”
71. Komisioni Ndëramerikan ka shqyrtuar çështje të paraqitura nga OJQ në emër të disa viktimave të drejtpërdrejta, veçanërisht të disa personave të zhdukur ose të vdekur. Kështu, në çështjen Gomes Lund me të tjerë (“Guerrilha do Araguaia”) k. Brazilit (raporti nr. 33/01), autori i kërkesës me shkrim ishte Qendra për Drejtësinë dhe të Drejtën Ndërkombëtare, e cila vepronte në emër të disa personave të zhdukur dhe të të afërmve të tyre. Për sa i përket kompetencës së tij ratione personae, Komisioni ka pranuar se, në bazë të nenit 44 të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, entiteti kërkues mund të paraqiste kërkesa me shkrim në emrin e viktimave të drejtpërdrejta në atë çështje. Në çështjen Teodoro Cabrera Garcia e Rodolfo Montiel Flores k. Meksikës (raporti nr 11/04), Komisioni e ka shpallur veten kompetent ratione personae për të shqyrtuar disa ankesa të paraqitura nga organizata e persona të ndryshëm që pretendonin se dy individë të tjerë ishin ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe ishin torturuar e pastaj burgosur në përfundim të një procesi jo të drejtë. Në çështjen Escher me të tjerë k. Brazilit (raporti nr. 18/06), ai e ka shpallur veten kompetent ratione personae për të shqyrtuar një kërkesë me shkrim të paraqitur prej dy shoqatash (Rrjeti Popullor Kombëtar i Avokatëve dhe Qendra për Drejtësinë Botërore), të cilat pretendonin për një shkelje të të drejtave për një proces të drejtë, për respektimin e nderit e të dinjitetit personal dhe për t’u qasur në gjykata ndaj pjesëtarëve të dy kooperativave në ortakëri me Lëvizjen e Fshatarëve Pa Tokë për shkak të përgjimit dhe të mbikëqyrjes së paligjshme të linjave të tyre telefonike.
72. Një çështje e paraqitur fillimisht nga një OJQ mund t’i parashtrohet më tej nga Komisioni Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut, pas miratimit të një raporti të Komisionit rreth themelit (shih, për shembull, çështjen e Masakrës së “Las Dos Erres” k. Guatemalës, të paraqitur nga Zyra e të Drejtave të Njeriut e Argjipeshkvisë së Guatemalës dhe Qendra për Drejtësinë dhe të Drejtën Ndërkombëtare; shih gjithashtu Escher me të tjerë k. Brazilit).
5. Raporti i Agjencisë së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (FRA): Qasja te drejtësia në Evropë: paraqitje e sfidave dhe e mundësive
73. Ky raport, i botuar nga FRA-ja në mars 2011, nënvizon se në rrafshin kombëtar aftësia për të kërkuar një mbrojtje efektive për të drejtat e personave të brishtë ndeshet shpeshherë me pengesa, veçanërisht për shkak të shpenzimeve gjyqësore dhe të një interpretimi të ngushtë të cilësisë për të vepruar (f. 43-54 të raportit).
B. Raportet lidhur me kushtet që mbizotëronin në SPM
1. Raportet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese (KPT) lidhur me Rumaninë
74. KPT-ja ka raportuar për situatën që mbizotëronte në SPM gjatë tri vizitash, të kryera më 1995, më 1999 e më 2004.
75. Më 1995, ai i kishte çmuar kushtet e jetesës në SPM aq të vajtueshme saqë kishte vendosur të vinte në përdorim nenin 8 § 5 të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese, i cili i lejon atij që, në rrethana të jashtëzakonshme, t’i përcjellë vërejtje qeverisë në fjalë gjatë vetë asaj vizite. KPT-ja kishte vënë re në veçanti se, në një periudhë prej shtatë muajsh, më 1995, kishin vdekur gjashtëdhjetë e një pacientë, njëzet e pesë prej të cilëve kishin qenë viktima “kequshqyerje (...) të rëndë” (paragrafi 177 i Raportit të vitit 1995). KPT-ja i kishte kërkuar Qeverisë rumune të merrte masa urgjente për të siguruar disa “kushte themelore jetese” në SPM.
KPT-ja kishte identifikuar me atë rast edhe burime të tjera shqetësimi, veçanërisht praktikën e vendosjes së një pacienti në një dhomë izolimi me qëllim ndëshkimi si edhe mungesën e garancive lidhur me shtrimin e pavullnetshëm.
76. KPT-ja u kthye në SPM më 1999. Mangësitë më serioze që ai vuri re me atë rast kishin të bënin me pakësimin e efektivave, si specialistë ashtu edhe personel ndihmës, në krahasim me vitin 1995 si edhe me mungesën e përparimeve në fushën e shtrimit të pavullnetshëm.
77. KPT-ja e kreu vizitën e tij të tretë në SPM në qershor 2004, kësaj radhe si kundërveprim ndaj informacioneve që bënin fjalë për një rritje të numrit të pacientëve të vdekur. Në momentin e vizitës, spitali, i cili kishte një kapacitet prej 500 shtretërish, strehonte 472 pacientë, 246 prej të cilëve ishin shtruar aty mbi bazën e nenit 114 të Kodit Penal rumun (masë shtrimi e vendosur nga një gjykatë penale).
KPT-ja shënoi në raportin e tij se më 2003 kishin vdekur tetëdhjetë e një pacientë dhe gjatë pesë muajve të parë të vitit 2004 njëzet e tetë. Numri i vdekjeve ishte shtuar pavarësisht nga transferimi jashtë atij spitali, më 2002, i pacientëve të sëmurë me tuberkuloz aktiv. Shkaqet kryesore të vdekjeve ishin ndalimi i zemrës, infarkti i miokardit dhe bronkopneumonia.
Mosha mesatare e pacientëve të vdekur ishte pesëdhjetë e gjashtë vjeç dhe gjashtëmbëdhjetë prej tyre ishin nën dyzet vjeç. KPT-ja çmoi se “vdekje kaq të parakohshme nuk mund të shpjegoheshin vetëm me patologjinë e pacientëve në zanafillë të shtrimit të tyre në spital” (paragrafi 13 i Raportit të vitit 2004). Ai vërejti nga ana tjetër se disa prej këtyre pacientëve nuk kishin “përfituar me sa duket përkujdesje të mjaftueshme” (paragrafi 14).
KPT-ja tha se ishte i shqetësuar nga “varfëria e mjeteve, si njerëzore ashtu edhe materiale”, të vëna në dispozicion të spitalit (paragrafi 16). Ai përmendi në veçanti disa mangësi serioze lidhur me vlerën cilësore dhe sasiore të ushqimeve që u propozoheshin pacientëve si edhe mungesën e ngrohjes në spital.
Duke pasur parasysh mangësitë e vëna re në SPM, KPT-ja deklaroi (paragrafi 20 i raportit):
“(...) nuk mund të përjashtohet se bashkëveprimi i kushteve të vështira të jetesës – veçanërisht mungesat ushqimore dhe vështirësitë ngrohjes – të ketë ndikuar në përkeqësimin në rritje të gjendjes së përgjithshme të disave nga pacientët më të dobët e se varfëria e mjeteve sanitare që i janë dhënë spitalit të mos ketë mundur ta shmangë përfundimin fatal në disa raste.
Sipas mendimit të KPT-së, situata e vërejtur në Spitalin Psikiatrik të Poiana Mares është shumë shqetësuese dhe e përligj marrjen e masave energjike që synojnë përmirësimin qoftë të kushteve të jetesës, qoftë të trajtimit somatik të pacientëve. Pas kësaj vizite të tretë të KPT-së në Spitalin Psikiatrik të Poiana Mares brenda më pak se dhjetë vjetësh, është momenti i duhur që autoritetet t’i kuptojnë më në fund përmasat reale të situatës që mbizotëron në këtë institucion.”
Së fundi, lidhur me shtrimet e pavullnetshme të vendosura në kuadër të procedurave civile, KPT-ja vuri në dukje se Ligji i vitit 2002 për Shëndetin Mendor, i miratuar pak kohë më parë, nuk ishte vënë në zbatim në mënyrë të plotë, përderisa ai kishte gjetur pacientë të cilët ishin shtruar pa pëlqimin e tyre, në shkelje të garancive të parashikuara nga ligji i sipërpërmendur (paragrafi 32).
2. Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtën për Shëndetin
78. Më 2 mars 2004, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtën për Shëndetin, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtën për Ushqimin dhe Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Torturën i shkruan bashkërisht Qeverisë rumune për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me disa informacione alarmuese rreth kushteve të jetesës në SPM dhe për të kërkuar shpjegime rreth kësaj teme. Qeveria u drejtoi atyre përgjigjen e mëposhtme (shih përmbledhjen e Raportuesit të Posaçëm për të Drejtën për Shëndetin në dokumentin e Kombeve të Bashkuara E/CN.4/2005/51/Add.1):
“54. Me anë të një letre të datës 8 mars 2004, Qeveria i është përgjigjur njoftimit që i kishte dërguar asaj Raportuesi i Posaçëm lidhur me situatën në Spitalin Psikiatrik të Poiana Mares. Qeveria e pohon që autoritetet rumune i kuptojnë shqetësimet lidhur me spitalin dhe bashkohen plotësisht me to. Mbrojtja e personave me aftësi të kufizuar mbetet një përparësi për Qeverinë dhe Ministria e Shëndetësisë do të kryejë hetime për të gjitha institucionet e ngjashme mjekësore, me qëllim që të sigurohet se Poiana Mare është një rast i veçuar. Lidhur me këtë institucion, disa masa për përmirësimin e kushteve të jetesës të pacientëve janë marrë aty për aty dhe këto masa do të vazhdojnë deri sa spitali të rehabilitohet tërësisht. Më 25 shkurt 2004, ministri i Shëndetësisë ka kryer një hetim në Poiana Mare. Atje kishte mangësi në rrafshin e sistemeve të ngrohjes e të furnizimit me ujë, të përgatitjes së ushqimeve, të eliminimit të mbetjeve, të kushteve të jetesës e të kushteve sanitare, si edhe të përkujdesjeve mjekësore. Shumica e problemeve lidhur me përkujdesjet mjekësore kanë ardhur për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve e të një keqadministrimi. Qeveria pohon se nevojiten masat e mëposhtme: marrje sqarimesh nga ekspertë mjekoligjorë rreth shkakut të vdekjes së pacientëve vdekja e të cilëve nuk lidhet me ndonjë patologji paraekzistuese apo me një moshë të kaluar; vënie në jetë e planit të vitit 2004 për spitalin; rekrutim profesionistësh shëndetësie të specializuar shtesë; riorganizim i orareve të punës të mjekëve në mënyrë që të mundësohet vendosja e rojeve të natës; dhënie rregullisht përkujdesjesh mjekësore të specializuara dhe caktim fondesh shtesë për përmirësimin e kushteve të jetesës. Qeveria pohon gjithashtu se sekretari i shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, si edhe sekretari i shtetit i ngarkuar me Zyrën Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, janë shkarkuar për arsye të parregullsive të vëna re në Spitalin Psikiatrik të Poiana Mares, dhe se drejtori i spitalit është zëvendësuar me një drejtor të përkohshëm në pritje të përfundimit të procedurës së përzgjedhjes me konkurs që është organizuar për të plotësuar këtë vend të lirë pune. Qeveria pohon se spitali do të mbetet nën mbikëqyrjen e rreptë të përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë përgjatë gjithë vitit 2004 dhe se disa përfaqësues të administratës vendore do të ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për ta përmirësuar situatën në këtë institucion. Së fundi, Qeveria pohon se Ministria e Shëndetësisë do të nisë shumë shpejt një hetim të pavarur rreth të gjitha strukturave të tjera të këtij lloji dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla negative.”
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Rumani në gusht 2004, Raportuesi i Posaçëm për të Drejtën për Shëndetin inspektoi disa institucione psikiatrike, ndër të cilat SPM-në. Raporti që pasoi këtë vizitë, i botuar më 21 shkurt 2005, shprehet kështu në pjesët e tij përkatëse:
“61. Raportuesi i Posaçëm, gjatë misionit të tij, ka dalë megjithatë në përfundimin se, pavarësisht nga masat juridike e të tjera të marra nga Qeveria, gëzimi i së drejtës për përkujdesje shëndetësore mendore mbetet prapëseprapë më fort një aspiratë sesa një realitet për shumë persona që vuajnë nga çrregullime mendore në Rumani.
Spitali Psikiatrik i Poiana Mares
(...)
63. Gjatë misionit të tij, Raportuesi i Posaçëm mundi të shkojë [në SPM] dhe të bisedojë me drejtorin e ri të spitalit për ngjarjet që kishin ndodhur aty që prej shkurtit 2004. Drejtori e informoi atë se Qeveria kishte siguruar 5,7 miliardë lei për të bërë përmirësime. Racionet ushqimore ishin shtuar, ngrohja ishte riparuar dhe repartet e të gjitha godinat e spitalit po ristrukturoheshin. Duke i pritur me kënaqësi këto përmirësime e duke përgëzuar të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesë për to, Raportuesi i Posaçëm i kërkon Qeverisë që të sigurojë burimet e nevojshme në mënyrë që këto përmirësime të mund të vazhdohen në mënyrë afatgjatë. Qeveria duhet të mbështesë gjithashtu edhe masa të tjera të nevojshme dhe të kujdeset sidomos që të mos mungojnë barnat e duhura, që pacientët të përfitojnë nga programe të përshtatshme riadaptimi, që ata të kenë qasje në mekanizma efikase ankimi dhe që personeli i spitalit të jetë i trajnuar për të drejtat e njeriut. Raportuesi i Posaçëm mendon se hetimet penale rreth vdekjeve po vazhdohen. Ai do të vijojë ta ndjekë nga afër ecurinë e situatës [në SPM]. Raportuesi i Posaçëm përfiton nga ky rast për të përshëndetur rolin e rëndësishëm që kanë luajtur në këtë drejtim mediet dhe OJQ-të.”
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENEVE 2, 3 DHE 13 TË KONVENTËS
79. Duke vepruar në emër të Z. Câmpeanu, CRJ-ja pretendon se këtij të fundit i është marrë jeta në mënyrë të paligjshme përmes efektit të bashkërenduar të veprimeve e mosveprimeve të kryera nga një numër i caktuar organesh shtetërore, me gjithë detyrimin ligjor për t’i dhënë atij përkujdesje dhe mjekim. Përpos kësaj, CRJ-ja çmon se autoritetet nuk kanë ngritur një mekanizëm efektiv të duhur për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar të vendosur nëpër institucione qëndrimi afatgjatë. Ajo i qorton ato në veçanti për mungesën e hetimeve rreth vdekjeve të dyshimta.
Përveç kësaj, CRJ-ja është e mendimit se mangësitë serioze lidhur me përkujdesjet e me mjekimin që i janë dhënë Z. Câmpeanu në CMSC e në SPM, kushtet e jetesës në SPM dhe qëndrimi i përgjithshëm i autoriteteve dhe i personave që kanë marrë pjesë në këto përkujdesje e mjekime gjatë muajve të fundit të jetës së të riut përbëjnë, si bashkërisht ashtu edhe veç e veç, një trajtim çnjerëzor e poshtërues. Për më tepër, sipas CRJ-së, hetimi zyrtar rreth këtyre pretendimeve për keqtrajtime nuk e ka përmbushur detyrimin procedural që i takon shtetit në bazë të nenit 3 të Konventës.
Në këndvështrimin e nenit 13 të bashkuar me nenet 2 dhe 3 të Konventës, CRJ-ja mbron mendimin se rendi juridik rumun nuk jep asnjë mjet ankimi efektiv në rastet e vdekjeve të dyshimta ose të keqtrajtimeve në spital psikiatrik.
Nenet 2, 3 dhe 13 të Konventës përcaktojnë:
Neni 2
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj (...)”
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
Neni 13
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në (...) Konventë, ka të drejtë të bëjë ankim efektiv tek një organ i vendit të tij, edhe kur shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Rreth pranueshmërisë
80. Qeveria çmon se CRJ-ja nuk e ka cilësinë për ta paraqitur këtë kërkesëpadi në emër të të ndjerit Valentin Câmpeanu; për këtë arsye, kjo e fundit qenka e papranueshme për mospërputhje ratione personae me nenin 34 të Konventës, i cili shprehet kështu:
“Gjykatës mund t’i paraqiten kërkesa nga çdo person, organizëm joqeveritar ose grup individësh që pretendojnë se janë të dëmtuar nga një shkelje prej një Pale të Lartë Kontraktuese e të drejtave të njohura nga Konventa ose protokollet e saj. Palët e Larta Kontraktuese zotohen të mos pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte.”
1. Vërejtjet e paraqitura në Gjykatë
a) Qeveria
81. Sipas Qeverisë, kërkesëpadia nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga neni 34: në njërën anë, CRJ-ja nuk e paska cilësinë e viktimës dhe, në anën tjetër, kjo shoqatë nuk e paska vërtetuar që ajo e përfaqësonte në mënyrë të vlefshme viktimën e drejtpërdrejtë.
Duke qenë e vetëdijshme që Gjykata jep një interpretim dinamik e evolutiv të Konventës në jurisprudencën e saj, Qeveria çmon se, sado që gjyqtarit t’i lejohet ta interpretojë Konventën, prapëseprapë nuk mund të pranohet që ai të vërë ligje në një mënyrë a në një tjetër duke i bërë shtesa tekstit të kësaj të fundit. Prandaj, sipas Qeverisë, është e udhës që neni 34 të interpretohet se nënkupton që një kërkesëpadi individuale nuk mund të paraqitet përveçse nga një individ, një OJQ ose një grup individësh që pretendon se është viktimë, ose nga përfaqësuesi i viktimës së pretenduar.
82. Qeveria e kundërshton që CRJ-ja të mund të konsiderohet si një viktimë e drejtpërdrejtë apo si një viktimë e tërthortë ose potenciale.
Së pari, CRJ-ja nuk pretenduaka në këtë çështje që të ketë pësuar ndonjë shkelje të të drejtave të veta dhe për këtë arsye ajo nuk mundka të mbahet për një viktimë të drejtpërdrejtë (Qeveria citon Čonka me të tjerë e Lidhja e të Drejtave të Njeriut k. Belgjikës (vend. pran.), nr. 51564/99, 13 mars 2001).
Së dyti, sipas analizës që Qeveria i bën jurisprudencës së Gjykatës, një viktimë e tërthortë ose potenciale duhet të vërtetojë me prova të mjaftueshme se ka ose një rrezik shkeljeje, ose pasoja që kanë rrjedhur për atë vetë nga shkelja e të drejtave të një pale të tretë për arsye të një lidhjeje të ngushtë e cila ka ekzistuar paraprakisht, qoftë kjo lidhje e natyrshme (për shembull, në rast se pala e tretë është një pjesëtar i familjes) ose juridike (si pasojë, për shembull, e një regjimi kujdestarie). Për mendimin e Qeverisë, vetëm fakti që situata e brishtësisë së Z. Câmpeanu i është bërë e ditur CRJ-së, e cila paska vendosur pastaj t’ua paraqesë rastin e të riut juridiksioneve kombëtare, nuk mjafton pra për ta kthyer CRJ-në në një viktimë të tërthortë; mungesa e çdolloj lidhjeje të qëndrueshme ndërmjet viktimës së drejtpërdrejtë dhe CRJ-së si edhe e çdolloj vendimi që do ta kishte ngarkuar CRJ-në me një mision përfaqësimi ose përkujdesjeje ndaj Z. Câmpeanu, nuk e lejuaka këtë shoqatë që të paraqitet me cilësinë e viktimës, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, dhe kjo pavarësisht nga brishtësia e pakundërshtueshme e Z. Câmpeanu apo nga fakti që ai ishte jetim dhe nuk ka përfituar prej ndihmës së një kujdestari (Qeveria citon, a contrario, Becker k. Danimarkës, nr. 7011/75, vendim i Komisionit i datës 3 tetor 1975).
83. Përveç kësaj, Qeveria çmon se, në mungesë të provave që të tregojnë ekzistencën e ndonjë forme të çfarëdoshme mandati, CRJ-ja nuk mund të pretendojë as se e përfaqëson viktimën e drejtpërdrejtë (Qeveria citon Skjoldager k. Suedisë, nr. 22504/93, vendim i Komisionit i datës 17 maj 1995).
Ajo mbron mendimin se përfshirja e CRJ-së në procedurën e brendshme lidhur me vdekjen e Z. Câmpeanu nuk nënkupton që autoritetet kombëtare t’i kenë njohur asaj cilësinë për të vepruar në emër të viktimës së drejtpërdrejtë. Sipas saj, statusi i CRJ-së para juridiksioneve kombëtare ishte ai i një personi interesat e të cilit ishin dëmtuar nga vendimi i prokurorit dhe jo ai i një përfaqësuesi të palës së dëmtuar. Në lidhje me këtë, e drejta e brendshme, ashtu siç është interpretuar ajo nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë në vendimin e saj të 15 qershorit 2006 (paragrafi 44 i mësipërm), qenka njëlloj sikur të pranohej një actio popularis në procedurën e brendshme.
84. Qeveria argumenton se kjo çështje duhet rrëzohet si një actio popularis dhe se çështje të tilla pranohen nga Gjykata vetëm në kontekstin e nenit 33 të Konventës dhe të kompetencës që kanë shtetet për ta mbikëqyrur njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë. Ndonëse duke e pranuar që disa organe të tjera ndërkombëtare nuk e ndalojnë shprehimisht actio popularis-in (ajo përmend nenin 44 të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut), ajo çmon se çdo mekanizëm ka kufijtë, të këqijat e të mirat e veta, përderisa modeli i zgjedhur nuk është sipas saj veçse fryti i negociatave ndërmjet palëve kontraktuese.
85. Qeveria shton se autoritetet rumune janë kujdesur për rekomandimet specifike të KPT-së. Kështu, Shqyrtimi Periodik i Përbotshëm i Kombeve të Bashkuara për vitin 2013 e paska pranuar që situata e personave me aftësi të kufizuar në Rumani ishte zhvilluar në mënyrë pozitive. Përparime qenkan bërë edhe në fushën e legjislacionit rreth kujdestarisë dhe mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.
Së fundi, çështja e të drejtave të pacientëve të brishtë të vendosur nëpër institucione të mëdha qenka shqyrtuar tashmë nga disa vendime të ndryshme të Gjykatës (ajo u referohet vendimeve C.B. k. Rumanisë, nr. 21207/03, 20 prill 2010, dhe Stanev k. Bullgarisë [DhM], nr. 36760/06, GjEDNj 2012), dhe nuk paska kështu asnjë arsye të veçantë të lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, ashtu siç i garanton ato Konventa, për ta vazhduar shqyrtimin e kërkesëpadisë.
b) CRJ-ja
86. CRJ-ja mbron mendimin se rrethanat e jashtëzakonshme të kësaj kërkesëpadie kërkojnë një shqyrtim në themel. Ajo është e mendimit se Gjykata mund ta bëjë këtë vlerësim ose duke pranuar që CRJ-ja është një viktimë e tërthortë, ose duke konsideruar që kjo shoqatë vepron në cilësi përfaqësueseje të Z. Câmpeanu.
87. Meqenëse Gjykata ka sipas saj si parim që t’i interpretojë në mënyrë elastike kriteret e saj të pranueshmërisë kur këtë e lyp nevoja në interes të të drejtave të njeriut si edhe për të mundësuar një qasje konkrete dhe efektive në procedurën e saj, CRJ-ja çmon se ajo u dashka ta pranojë që kjo shoqatë e ka cilësinë për të vepruar në emër të Z. Câmpeanu. Ajo u dashka sidomos të marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të lidhura me çështjen, pamundësinë për të riun për të pasur qasje te drejtësia – qoftë drejtpërdrejt, qoftë me anë të një përfaqësuesi –, faktin që juridiksionet kombëtare e kanë njohur cilësinë e CRJ-së për të vepruar në emrin e tij dhe, një pikë kjo e fundit por jo nga më të parëndësishmet, përvojën e gjatë të kësaj OJQ-je në ndërmarrjen e veprimeve për llogari të personave me aftësi të kufizuar.
Për më tepër, Gjykata i paska përshtatur rregullat e veta për t’ua mundësuar qasjen në procedurat e saj atyre viktimave të cilave u duket tejet e vështirë, madje e pamundur, për të vepruar në përputhe me disa kritere pranueshmërie, për arsye të disa faktorëve që nuk varen nga vullneti i tyre, por që lidhen me shkeljet për të cilat ato ankohen (vështirësi të një viktime masash mbikëqyrjeje të fshehtë për t’i provuar ato ose brishtësi për shkak faktorësh si mosha, gjinia ose aftësia e kufizuar) (CRJ-ja citon, për shembull, S.P., D.P. e A.T. k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 23715/94, vendim i Komisionit i datës 20 maj 1996, Storck k. Gjermanisë, nr. 61603/00, GjEDNj 2005‑V, dhe Öcalan k. Turqisë [DhM], nr. 46221/99, GjEDNj 2005‑IV).
Gjykata qenka shmangur gjithashtu edhe nga rregulli lidhur me pasjen “cilësi viktime” duke u mbështetur te “interesi i të drejtave të njeriut”. Ajo paska deklaruar në fakt se vendimet e saj shërbejnë jo vetëm për të zgjidhur çështjet që i paraqiten, por më gjerësisht “për të sqaruar, mbrojtur e zhvilluar normat e Konventës dhe për të dhënë kështu ndihmesë në respektimin nga ana e shteteve të zotimeve që këta kanë marrë përsipër në cilësinë e tyre si Palë Kontraktuese” (CRJ-ja i referohet vendimit Karner k. Austrisë, nr. 40016/98, § 26, GjEDNj 2003‑IX).
Përveç kësaj, CRJ-ja çmon se shteti ka disa detyrime, për shembull në bazë të nenit 2, pavarësisht nga ekzistenca e të afërmve apo e vullnetit të tyre për të nisur një procedurë në emër të paditësit. Ajo shton se nënshtrimi ndaj ekzistencës së të afërmve i mbikëqyrjes së respektimit nga ana e shteteve të detyrimeve të tyre që rrjedhin prej nenit 2 përbëka rrezik për një mospërfillje të kërkesave të nenit 19 të Konventës.
88. CRJ-ja përmend praktikën ndërkombëtare të Komisionit Ndëramerikan të të Drejtave të Njeriut dhe të Komisionit Afrikan të të Drejtave të Njeriut e të Popujve, e cila e lejuaka në raste të jashtëzakonshme paraqitjen e një çështjeje nga të tjerë në emër të viktimës së pretenduar në ato raste kur kjo e fundit nuk qenka në gjendje që ta paraqesë vetë njoftimin. Në këto situata, OJQ-të qenkan ndër mbrojtëset më aktive të të drejtave të njeriut; fundja, cilësia e OJQ-ve për t’iu drejtuar gjykatave në emër të viktimave të tilla ose për t’i përkrahur këto të fundit u pranuaka shpeshherë në shumë shtete anëtare të Këshillit të Evropës (sipas një raporti të Agjencisë së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian të vitit 2011 me titull Qasja te drejtësia në Evropë: paraqitje e sfidave dhe e mundësive).
89. Për sa u përket veçorive të kësaj çështjeje, CRJ-ja çmon se, gjatë vlerësimit të pikës lidhur me cilësinë e saj për të vepruar, është me vend që të merret parasysh një element i rëndësishëm, konkretisht ai se vëzhguesit e saj kanë pasur një kontakt të shkurtër pamor me Z. Câmpeanu gjatë vizitës së tyre në SPM dhe se ata kanë qenë dëshmitarë të vuajtjeve të tij. CRJ-ja paska vepruar në fakt aty për aty, duke iu drejtuar autoriteteve të ndryshme dhe duke i nxitur ato për të gjetur zgjidhje për situatën kritike të Z. Câmpeanu. Në këtë kontekst, përvoja e gjatë e kësaj shoqate në mbrojtjen e të drejtave themelore të personave me aftësi të kufizuar luajtka një rol thelbësor.
Duke vënë në dukje se asaj i është njohur cilësia për të vepruar në rrafshin kombëtar, CRJ-ja parashtron se Gjykata i ka marrë shpeshherë parasysh rregullat procedurale të brendshme rreth përfaqësimit për të përcaktuar se kush e kishte cilësinë për të paraqitur një kërkesëpadi në emër të një personi me aftësi të kufizuar (ajo citon Glass k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61827/00, GjEDNj 2004‑II). Ajo shton se Gjykata ka konstatuar shkelje në disa çështje ku autoritetet kombëtare i kishin zbatuar rregullat procedurale në mënyrë të ngurtë duke e ngushtuar kështu mundësinë e personave me aftësi të kufizuar për t’iu qasur drejtësisë (ajo i referohet në veçanti vendimit X e Y k. Vendeve të Ulëta, 26 mars 1985, seria A nr. 91).
Në këtë kontekst, CRJ parashtron se nismat e marra prej saj pranë autoriteteve të brendshme e dallojnë atë në thelb nga OJQ-ja paditëse në çështjen e kohëve të fundit Nencheva me të tjerë k. Bullgarisë (nr. 48609/06, 18 qershor 2013), lidhur me vdekjen e pesëmbëdhjetë fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuar në një strehë shoqërore. Ajo vë në dukje se në çështjen në fjalë, ndonëse duke vërejtur në përgjithësi se mund të nevojiteshin disa masa të jashtëzakonshme për të siguruar përfaqësimin e personave të pazotë për t’u mbrojtur vetë, Gjykata ka vënë re që Shoqata për Integrimin Evropian dhe të Drejtat e Njeriut nuk e kishte paraqitur më parë çështjen pranë autoriteteve kombëtare dhe e ka rrëzuar për rrjedhojë kërkesëpadinë për shkak mospërputhjeje ratione personae me dispozitat e Konventës për sa i përket OJQ-së në fjalë (po aty, § 93).
90. Duke u mbështetur te vërejtjet e Komisarit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës lidhur me vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar për t’iu qasur drejtësisë si edhe te shqetësimet e shprehura nga Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Torturën se praktikat e keqtrajtimeve ndaj personave me aftësi të kufizuar që mbahen të izoluar nëpër institucione publike “mbeten [shpeshherë] të padukshme”, CRJ-ja çmon se “interesi i të drejtave të njeriut” kërkon një shqyrtim në themel të kësaj kërkesëpadie.
Ajo numëron një për një nga ana tjetër një varg kriteresh të cilat ajo i çmon si të dobishme për vërtetimin e cilësisë për të vepruar në disa çështje të ngjashme me këtë çështje: brishtësinë e viktimës, që mund të sjellë sipas saj një pazotësi të plotë për të vepruar; pengesat konkrete dhe të natyrshme që nuk e lejojnë viktimën për t’i shteruar mjetet e brendshme ligjore, si heqja e lirisë ose paaftësia për të marrë kontakt me një avokat a një të afërm; natyrën e shkeljes, veçanërisht në qoftë se ajo ka të bëjë me nenin 2, kur viktima e drejtpërdrejtë gjendet ipso facto në pamundësinë për t’u dhënë një mandat me shkrim palëve të treta; mungesën e mekanizmave të tjera institucionale për të siguruar posaçërisht një përfaqësim efektiv të viktimës; natyrën e lidhjes ndërmjet viktimës së drejtpërdrejtë dhe palës së tretë që kërkon cilësinë për të vepruar; ekzistencën e rregullave të brendshme favorizuese lidhur me cilësinë për të vepruar, si edhe pikën nëse pretendimet e formuluara ngrenë pikëpyetje serioze me karakter të përgjithshëm.
91. Duke pasur parasysh kriteret e sipërpërmendura dhe meqenëse ajo çmon që ka vepruar në emrin e viktimës së drejtpërdrejtë, Z. Câmpeanu – jo vetëm përpara vdekjes së tij, duke bërë një thirrje për ta transferuar atë jashtë SPM-së, por edhe menjëherë pas vdekjes së tij e për katër vjet me radhë, duke u përpjekur që përgjegjësitë për vdekjen e tij të përcaktoheshin para gjykatave kombëtare –, CRJ-ja mbron mendimin se ajo e kishte të drejtën për ta çuar çështjen e këtij të riu para Gjykatës.
OJQ-ja del në përfundimin se, nëse asaj i mohohet cilësia për të vepruar në emër të Z. Câmpeanu, kjo qenka njëlloj sikur Qeveria të lihet të përfitojë nga situata fatkeqe e këtij të riu për t’i shpëtuar kontrollit nga Gjykata, duke ua bllokuar kështu pjesëtarëve më të brishtë të shoqërisë qasjen te Gjykata.
c) Vërejtjet përkatëse të palëve të treta
i. Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës
92. Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, ndërhyrja e të cilit pranë Gjykatës i është përmbajtur vetëm pikës së pranueshmërisë së kësaj kërkesëpadie, çmon se qasja te drejtësia e personave me aftësi të kufizuar është shumë problematike në Rumani. Sipas tij, atje procedurat për deklarim aftësie të kufizuar janë të papërshtatshme dhe rregullat lidhur me cilësinë për të vepruar tepër kufizuese. Për rrjedhojë, nuk qenka e rrallë që abuzimet e shpeshta ndaj personave me aftësi të kufizuar të mos u sinjalizohen autoriteteve dhe të mos bëhen të ditura, aq sa këto shkelje u mbështjellkan me një klimë pandëshkueshmërie. Të shqetësuara për të parandaluar abuzime të tilla e për t’u dhënë atyre fund, OJQ-të luajtkan një rol të rëndësishëm, sidomos duke ua lehtësuar personave të brishtë qasjen te drejtësia. Në këtë kontekst, t’u lejohet OJQ-ve që të paraqesin kërkesëpadi pranë Gjykatës në emër të personave me aftësi të kufizuar qenka plotësisht në përputhje me parimin e efektivitetit që nënkupton Konventa, si edhe me udhëzimet e miratuara në shumë shtete evropiane dhe me jurisprudencën e disa juridiksioneve të tjera ndërkombëtare si Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut, e cila ua njohka OJQ-ve cilësinë për të vepruar në emër të viktimave të pretenduara, edhe sikur këto të fundit të mos i kenë caktuar ato organizata për t’i përfaqësuar (Komisari përmend si shembull çështjen Yatama k. Nikaraguas, vendim i datës 23 qershor 2005).
Sipas Komisarit, një qasje kufizuese e rregullave lidhur me cilësinë për të vepruar në emër të personave të prekur nga të meta (mendore në këtë rast) paska si efekt të padëshirueshëm që i privon personat e brishtë nga çdolloj mundësie për të kërkuar e fituar zhdëmtim për shkeljet e të drejtave të tyre themelore, çka do të ishte në kundërshtim me qëllimet thelbësore të Konventës.
93. Nga ana tjetër, Komisari është i mendimit se, në disa rrethana të jashtëzakonshme, të cilat duhet të përcaktohen nga Gjykata, OJQ-të u dashka që të kenë mundësi për të paraqitur pranë Gjykatës kërkesëpadi në emër të viktimave të identifikuara që janë prekur drejtpërdrejt nga shkelja e pretenduar. Ekzistenca e rrethanave të tilla të jashtëzakonshme mund t’u njohka në rastin e viktimave tejet të brishta, për shembull të personave që mbahen në një institucion psikiatrik ose mbrojtjeje sociale, të cilët mund të mos kenë as familje, as ndonjë mjet tjetër përfaqësimi, dhe kërkesëpadia e të cilëve, e paraqitur në emër të tyre nga një person ose një organizëm me të cilin mund t’u vërtetuaka një lidhje e mjaftueshme, mund të ngrejë pikëpyetje të rëndësishme me interes të përgjithshëm.
Sipas mendimit të Komisarit, një qasje e tillë iu përgjigjka plotësisht prirjes evropiane për zgjerimin e cilësisë për të vepruar në rrugë gjyqësore dhe për njohjen e ndihmesës së paçmueshme që japin OJQ-të në fushën e të drejtave themelore të personave me aftësi të kufizuar, dhe ajo u përputhka edhe me jurisprudencën përkatëse të Gjykatës, e cila qenka zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme këto vitet e fundit, veçanërisht në saje të ndërhyrjes së OJQ-ve.
ii. Komiteti i Helsinkit i Bullgarisë
94. Duke iu referuar përvojës së tij të madhe si OJQ që mbron të drejtat e njeriut, Komiteti i Helsinkit i Bullgarisë çmon se një person me aftësi të kufizuar i vendosur në një institucion mund të përfitojë nga mbrojtja e së drejtës penale vetëm në qoftë se një OJQ vepron në emër të tij duke përdorur përveç sensibilizimit të publikut edhe mjetet e ankimit në rrugë gjyqësore. Sipas këtij komiteti, edhe kështu rezultatet konkrete mbeten të pamjaftueshme. Thjesht qasja në gjykata mbetka në fakt problematike për viktima të tilla, të cilave ajo mund t’iu mohuaka shpeshherë për arsye procedurale. Për rrjedhojë, veprat penale ndaj personave me aftësi të kufizuar mendore të vendosur në institucion i shpëtuakan zbatimit të ligjit që synon t’i parandalojë, sanksionojë e zhdëmtojë veprime të tilla.
iii. Qendra për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuar Mendore
95. Qendra për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuar Mendore është e mendimit se pamundësia, faktike ose juridike, e një individi që paraqet të meta mendore për të pasur qasje te drejtësia – një pikë kjo e shqyrtuar tashmë prej Gjykatës në disa çështje (për shembull, në çështjen Stanev, të cituar më lart) – mund të shpjerë si përfundim te pandëshkueshmëria e shkeljes së të drejtave të këtij individi. Në disa situata ku viktimave të brishta u hiqet zotësia e tyre juridike ose ku ato mbahen nëpër institucione publike, shtetet mundkan “t’i shmangen” çdo detyrimi për ta mbrojtur jetën e këtyre personave, duke mos u dhënë atyre asnjë ndihmë juridike, sidomos për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore. Qendra përmend jurisprudencën e Gjykatës së Lartë të Kanadasë, të Gjykatës së Lartë të Irlandës dhe të High Court të Anglisë e të Uellsit: në disa çështje, këto juridiksione ua paskan njohur OJQ-ve cilësinë për të vepruar kur askush tjetër nuk ishte në gjendje për ta ngritur pranë gjykatave një problem me interes publik. Vendimet e këtyre juridiksioneve për sa i përket cilësisë për të vepruar të OJQ-ve qenkan mbështetur në thelb te vlerësimi i pikave nëse çështja lidhej me një pikëpyetje serioze dhe nëse ankuesi kishte ndonjë interes të vërtetë për t’iu drejtuar drejtësisë, nëse ankuesi kishte ndonjë farë ekspertize në fushën që qëndronte në qendër të çështjes dhe nëse ekzistonte apo jo ndonjë mënyrë tjetër e arsyeshme dhe efektive për ta çuar problemin para gjykatave.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Qasja e Gjykatës në çështje të mëparshme
i. Viktimat e drejtpërdrejta
96. Që të mundë të paraqesë një kërkesëpadi në bazë të nenit 34, një person duhet të mundë të vërtetojë se ai i ka “pësuar drejtpërdrejt efektet” e masës objekt konflikti (Burden k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 13378/05, § 33, GjEDNj 2008, dhe İlhan k. Turqisë [DhM], nr. 22277/93, § 52, GjEDNj 2000‑VII). Ky kusht është i nevojshëm për vënien në veprim të mekanizmit mbrojtës të parashikuar nga Konventa, ndonëse ky kriter nuk duhet të zbatohet në mënyrë të ngurtë, mekanike dhe jo elastike përgjatë të gjithë procedurës (Karner, i cituar më lart, § 25, dhe Fairfield me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 24790/04, GjEDNj 2005‑VI).
Përveç kësaj, sipas praktikës së Gjykatës dhe nenit 34 të Konventës, një kërkesëpadi mund të paraqitet vetëm nga persona që janë gjallë ose në emër të tyre (Varnava me të tjerë k. Turqisë ([DhM], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 e 16073/90, § 111, GjEDNj 2009). Kështu, në një numër të caktuar çështjesh ku viktima e drejtpërdrejtë kishte vdekur përpara paraqitjes së kërkesëpadisë, Gjykata nuk ka pranuar t’ia njohë kësaj viktime të drejtpërdrejtë, qoftë ajo edhe e përfaqësuar, një locus standi në vështrim të nenit 34 të Konventës (Aizpurua Ortiz me të tjerë k. Spanjës, nr. 42430/05, § 30, 2 shkurt 2010, Dvořáček e Dvořáčková k. Sllovakisë, nr. 30754/04, § 41, 28 korrik 2009, dhe Kaya e Polat k. Turqisë (vend. pran.), nr. 2794/05 e nr. 40345/05, 21 tetor 2008).
ii. Viktimat e tërthorta
97. Gjykata ka bërë një dallim midis çështjeve të kategorisë së sipërpërmendur dhe atyre ku trashëgimtarët e një paditësi pranoheshin për të vazhduar një kërkesëpadi të paraqitur tashmë. Për këtë dëshmon jurisprudenca Fairfield me të tjerë (vendim për pranueshmërinë i cituar më lart): në atë çështje, një grua, Znja Fairfield, kishte paraqitur pas vdekjes së të atit një kërkesëpadi ku ajo pretendonte se këtij të fundit i ishin shkelur të drejtat për lirinë e mendimit, të fesë dhe të shprehjes (nenet 9 e 10 të Konventës); ndërkohë që juridiksionet e brendshme e kishin lejuar Znjën Fairfield që ta ndiqte çështjen pas vdekjes së të atit, Gjykata nuk pranoi t’ia njihte asaj cilësinë e viktimës dhe e dalloi atë çështje nga çështja Dalban k. Rumanisë ([DhM], nr. 28114/95, GjEDNj 1999‑VI), në të cilën kërkesëpadinë e kishte paraqitur vetë paditësi, ndërsa e veja e tij vetëm sa e kishte vazhduar procedurën pas vdekjes së tij.
Në lidhje me këtë, Gjykata e bën dallimin sipas rastit kur vdekja e viktimës së drejtpërdrejtë ka ndodhur përpara ose pas paraqitjes së kërkesëpadisë pranë saj
Në raste në të cilat paditësi kishte vdekur pas paraqitjes së kërkesëpadisë, Gjykata ka pranuar që një i afërm ose një trashëgimtar mund ta vazhdonte në parim procedurën në qoftë se ai kishte një interes të mjaftueshëm në atë çështje (për shembull, e veja dhe fëmijët te Raimondo k. Italisë, 22 shkurt 1994, § 2, seria A nr. 281‑A, dhe Stojkovic k. “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, nr. 14818/02, § 25, 8 nëntor 2007; prindërit te X k. Francës, 31 mars 1992, § 26, seria A nr. 234‑C; nipi dhe trashëgimtari potencial te Malhous k. Republikës Çeke (vend. pran.) [DhM], nr. 33071/96, GjEDNj 2000‑XII; ose bashkëjetuesja pa martesë ose de facto te Velikova k. Bullgarisë (vend. pran.), nr. 41488/98, GjEDNj 1999‑V; a contrario, trashëgimtari i përgjithshëm pa lidhje familjare me të vdekurin te Thevenon k. Francës (vend. pran.), nr. 2476/02, GjEDNj 2006-III; mbesa te Léger k. Francës (çregjistrim) [DhM], nr. 19324/02, § 50, 30 mars 2009; dhe e bija e njërit prej paditësve fillestarë në një çështje në lidhje me disa të drejta – jo të kalueshme – që rrjedhin nga nenet 3 dhe 8 e ku nuk vihej në pikëpyetje asnjë interes i përgjithshëm te M.P. me të tjerë k. Bullgarisë, nr. 22457/08, §§ 96-100, 15 nëntor 2011).
98. Ndërsa situata është e ndryshueshme kur viktima e drejtpërdrejtë ka vdekur përpara paraqitjes së kërkesëpadisë pranë Gjykatës. Në rast të tillë, Gjykata, duke u mbështetur në një interpretim autonom të nocionit “viktimë”, është treguar e prirë që ta njohë cilësinë për të vepruar të një të afërmi ose sepse ankesat ngrinin një pikëpyetje me interes të përgjithshëm që prekte “respektimin e të drejtave të njeriut” (neni 37 § 1 in fine i Konventës) e sepse paditësit kishin si trashëgimtarë një interes të drejtë për ta vazhduar kërkesëpadinë, ose për arsye të një efekti të drejtpërdrejtë te të drejtat e vetë paditësit (Micallef k. Maltës [DhM], nr. 17056/06, §§ 44-51, GjEDNj 2009, dhe Marie-Louise Loyen e Bruneel k. Francës, nr. 55929/00, §§ 21-31, 5 korrik 2005). Është me vend të shënohet se këto dy çështje të fundit ishin sjellë pranë Gjykatës në vijim ose në lidhje me një procedurë të brendshme ku viktima e drejtpërdrejtë kishte marrë pjesë vetë sa kishte qenë gjallë.
Gjykata ia ka njohur kështu një të afërmi të viktimës cilësinë për të paraqitur një kërkesëpadi kur viktima kishte vdekur ose ishte zhdukur në rrethana për të cilat pretendohej se ngarkonin me përgjegjësi shtetin (Çakıcı k. Turqisë [DhM], nr. 23657/94, § 92, GjEDNj 1999‑IV, dhe Bazorkina k. Rusisë (vend. pran.), nr. 69481/01, 15 shtator 2005).
99. Te Varnava me të tjerë (cituar më lart), paditësit i kishin paraqitur kërkesëpaditë e tyre njëherazi në emër të vet dhe në atë të të afërmve të tyre të zhdukur. Gjykata e gjykoi si të padobishme që të merrte vendim rreth pikës nëse personave të zhdukur duhej t’u njihej ose jo cilësia si paditës, përderisa nuk vihej në dyshim që të afërmit e tyre mund të paraqisnin ankesa në lidhje me zhdukjen e tyre (po aty, § 112). Ajo e shqyrtoi çështjen duke konsideruar që paditësit në vështrimin e nenit 34 të Konventës ishin të afërmit e personave të zhdukur.
100. Në çështje ku shkelja e pretenduar e Konventës nuk lidhej ngushtë me zhdukje ose vdekje që ngrenë pikëpyetje në vështrim të nenit 2, Gjykata ka ndjekur një qasje shumë më kufizuese, si për shembull në çështjen Sanles Sanles k. Spanjës ((vend. pran.), nr. 48335/99, GjEDNj 2000‑XI), e cila kishte të bënte me ndalimin e vetëvrasjes së asistuar. Në atë çështje, Gjykata çmoi se të drejtat e kërkuara nga paditësja në vështrim të neneve 2, 3, 5, 8, 9 e 14 të Konventës kishin të bënin me kategorinë e të drejtave jo të kalueshme dhe doli në përfundimin se e interesuara, e cila ishte e kunata dhe trashëgimtarja e ligjshme e të vdekurit, nuk mund të pretendonte se ishte viktimë e një shkeljeje në emër të kunatit të saj të ndjerë. Gjykata ka dalë në një përfundim të njëjtë lidhur me ankesat e bëra në fushën e neneve 9 dhe 10 nga e bija e viktimës së pretenduar (vendimi për pranueshmërinë Fairfield me të tjerë, i cituar më lart).
Në çështje të tjera lidhur me ankesa të bëra mbi bazën e neneve 5, 6 dhe 8, Gjykata ua ka njohur cilësinë e viktimës disa të afërmve që e kishin provuar ekzistencën e një interesi moral për ta shkarkuar viktimën e vdekur nga çdo konstatim fajësie (Nölkenbockhoff k. Gjermanisë, 25 gusht 1987, § 33, seria A nr. 123, dhe Grădinar k. Moldavisë, nr. 7170/02, §§ 95 e 97-98, 8 prill 2008) ose për të mbrojtur emrin e vet të mirë apo atë të familjes së tyre (Brudnicka me të tjerë k. Polonisë, nr. 54723/00, §§ 27-31, GjEDNj 2005‑II, Armonienė k. Lituanisë, nr. 36919/02, § 29, 25 nëntor 2008, dhe Polanco Torres e Movilla Polanco k. Spanjës, nr. 34147/06, §§ 31-33, 21 shtator 2010), ose që kishin vërtetuar ekzistencën e në interesi material që rridhte nga një pasojë e drejtpërdrejtë mbi të drejtat e tyre pronësore (Ressegatti k. Zvicrës, nr. 17671/02, §§ 23-25, 13 korrik 2006, Marie-Louise Loyen e Bruneel, §§ 29-30, Nölkenbockhoff, § 33, dhe Micallef, § 48, të gjitha të cituara më lart). Gjithashtu në konsideratë është marrë edhe ekzistenca e një interesi të përgjithshëm që e bën të nevojshme ndjekjen e shqyrtimit të ankesave (Marie-Louise Loyen e Bruneel, § 29, Ressegatti, § 26, Micallef, §§ 46 e 50, të tria të cituara më lart, dhe Biç me të tjerë k. Turqisë, nr. 55955/00, §§ 22-23, 2 shkurt 2006).
Për sa i përket pjesëmarrjes së paditësit në procedurën e brendshme, Gjykata nuk e ka konsideruar atë si ndonjë kriter me rëndësi midis të tjerëve (Nölkenbockhoff, § 33, Micallef, §§ 48-49, Polanco Torres e Movilla Polanco, § 31, dhe Grădinar, §§ 98-99, të gjitha të cituara më lart; Kaburov k. Bullgarisë (vend. pran.), nr. 9035/06, §§ 52-53, 19 qershor 2012).
iii. Viktimat potenciale dhe actio popularis
101. Neni 34 i Konventës nuk lejon që të bëhet ankesë in abstracto për shkelje të Konventës. Kjo e fundit nuk e njeh actio popularis-in (Klass me të tjerë k. Gjermanisë, 6 shtator 1978, § 33, seria A nr. 28, Partia Laburiste Gjeorgjane k. Gjeorgjisë (vend. pran.), nr. 9103/04, 22 maj 2007, dhe Burden, i cituar më lart, § 33), çka nënkupton se një paditës nuk mund të ankohet për një dispozitë juridike të brendshme, për një praktikë kombëtare ose për një veprim publik thjesht sepse këta i duken atij sikur e shkelin Konventën.
Në mënyrë që një paditës të mundë të pretendojë se është viktimë, duhet që ai të paraqesë tregues të arsyeshëm e bindës të mundësisë së realizimit të një shkeljeje për sa ka të bëjë personalisht me atë vetë; për këtë nuk mjaftojnë dyshime ose hamendësime të thjeshta (Tauira me 18 të tjerë k. Francës, nr. 28204/95, vendim i Komisionit i datës 4 dhjetor 1995, Décisions et rapports (DR) 83-A, f. 131), Monnat k. Zvicrës, nr. 73604/01, §§ 31-32, GjEDNj 2006‑X).
iv. Përfaqësimi
102. Sipas jurisprudencës së përhershme të Gjykatës (paragrafi 96 i mësipërm), para saj mund të paraqitet kërkesëpadi vetëm nga persona të gjallë ose në emrin e tyre.
Në qoftë se një paditës vendos që të përfaqësohet në bazë të nenit 36 § 1 të Rregullores së Gjykatës dhe jo ta paraqesë vetë kërkesëpadinë, neni 45 § 3 i Rregullores e detyron atë të paraqesë një autorizim me shkrim, të nënshkruar rregullisht. Është thelbësore që përfaqësuesi të vërtetojë se ka marrë udhëzime të përpikta e të qarta nga ana e viktimës së pretenduar, në kuptimin e nenit 34, në emrin e së cilës kërkon të veprojë para Gjykatës (Post k. Vendeve të Ulëta (vend. pran.), nr. 21727/08, 20 janar 2009; për sa i përket vlefshmërisë së autorizimit, shih Aliev k. Gjeorgjisë, nr. 522/04, §§ 44-49, 13 janar 2009).
103. Organet e Konventës kanë çmuar megjithatë se disa konsiderata të posaçme mund të përligjeshin në rastin e viktimave të pretenduara të shkeljeve së neneve 2, 3 dhe 8 të Konventës, të pësuara në duart e autoriteteve kombëtare.
Disa kërkesëpadi të paraqitura nga individë në emër të viktimës ose viktimave janë shpallur kështu të pranueshme, ndonëse nuk ishte paraqitur asnjë lloj autorizimi i vlefshëm. Një vëmendje e veçantë u është kushtuar disa faktorëve brishtësie, si mosha, gjinia ose aftësia e kufizuar, të cilët mund t’i pengojnë disa viktima për t’ia paraqitur çështjen e tyre Gjykatës, duke i marrë madje parasysh në mënyrën e duhur lidhjet ndërmjet viktimës dhe personit autor të kërkesëpadisë (shih, mutatis mutandis, İlhan, i cituar më lart, § 55, ku ankesat ishin formuluar nga paditësi në emër të të vëllait, i cili kishte pësuar keqtrajtime; Y.F. k. Turqisë, nr. 24209/94, § 29, GjEDNj 2003‑IX, ku një bashkëshort ankohej se bashkëshortja e tij ishte detyruar t’i nënshtrohej një ekzaminimi gjinekologjik; dhe S.P., D.P. e A.T. k. Mbretërisë së Bashkuar, ku një kërkesëpadi ishte paraqitur nga një solicitor në emër të disa fëmijëve që ai kishte përfaqësuar gjatë procedurës së brendshme, në të cilën ai ishte caktuar nga kujdestari ad litem).
Përkundrazi, te Nencheva me të tjerë (i cituar më lart, § 93) Gjykata nuk ia ka njohur cilësinë e viktimës shoqatës paditëse e cila vepronte në emër të viktimave të drejtpërdrejta. Ajo ka vërejtur në fakt se shoqata nuk e kishte çuar çështjen para juridiksioneve të brendshme dhe se, për më tepër, veprat e fajësuara nuk ndikonin në veprimtaritë e saj, përderisa ajo ishte në gjendje të vazhdonte të vepronte për realizimin e objektivave të saj. Gjykata ua ka njohur cilësinë për të vepruar të afërmve të disa viktimave, por ajo nuk është shprehur rreth pikës së përfaqësimit të viktimave që mund të mos jenë në gjendje për të vepruar para saj në emër të vet; megjithatë, ajo e ka pranuar se disa rrethana të jashtëzakonshme mund të kërkonin masa të jashtëzakonshme.
b) Rreth pikës nëse CRL-ja ka cilësi për të vepruar në këtë çështje
104. Kjo çështje ka të bëjë me një person, Z. Câmpeanu, i cili ishte tejet i brishtë dhe nuk kishte të afërm. Z. Câmpeanu ishte një i ri rom i sëmurë me të meta të rënda mendore dhe i infektuar me HIV. Ai u mor në ngarkim nga autoritetet publike gjatë gjithë jetës së tij dhe vdiq në spital. Vdekja e tij mund të ketë ardhur për shkak pakujdesish. Sot, dhe pa pasur kontakte domethënëse me këtë të ri në të gjallë të tij (paragrafi 23 i mësipërm) e pa pasur marrë autorizim ose udhëzime nga ana e tij ose nga ana e ndonjë personi tjetër të çfarëdoshëm kompetent, shoqata paditëse (CRJ-ja) kërkon t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesëpadi që ka të bëjë veçanërisht me rrethanat e vdekjes së tij.
105. Gjykata çmon se kjo çështje nuk hyn me lehtësi në asnjërën prej kategorive të mbuluara nga jurisprudenca e sipërpërmendur dhe se ajo shtron kështu një pikëpyetje të vështirë interpretimi të Konventës lidhur me cilësinë për të vepruar të CRJ-së. Për ta zgjidhur atë, Gjykata do të marrë parasysh faktin se Konventa duhet të interpretohet sikur garanton të drejta konkrete dhe efektive, e jo teorike ose të rreme (shih Artico k. Italisë, 13 maj 1980, § 33, seria A nr. 37, bashkë me referencat që citohen aty). Ajo duhet të mos harrojë gjithashtu se vendimet “shërbejnë jo vetëm për të zgjidhur rastet që i drejtohen asaj, por edhe më gjerë për të sqaruar, mbrojtur e zhvilluar normat e Konventës dhe për të dhënë ndihmesë në këtë mënyrë në respektimin, nga ana e shteteve, të zotimeve që ato kanë marrë përsipër në cilësinë e tyre si Palë Kontraktuese” (Irlanda k. Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 154, seria A nr. 25, dhe Konstantin Markin k. Rusisë [DhM], nr. 30078/06, § 89, GjEDNj 2012). Në të njëjtën kohë, e siç del nga jurisprudenca e sipërpërmendur në lidhje me cilësinë e viktimës dhe me nocionin “cilësi për të vepruar”, Gjykata duhet të kujdeset që të interpretohen në mënyrë koherente kushtet e pranueshmërisë që duhet të plotësohen për t’iu drejtuar asaj.
106. Për Gjykatën, është e pamohueshme se Z. Câmpeanu ka qenë viktima e drejtpërdrejtë, në kuptimin e nenit 34 të Konventës, e rrethanave që kanë çuar në vdekjen e tij e që ndodhen në qendër të ankesës kryesore të paraqitur pranë Gjykatës në çështjen në fjalë, konkretisht të ankesës së bërë mbi bazën e nenit 2 të Konventës.
107. Por, nga ana tjetër, Gjykata nuk sheh se ka arsye me rëndësi të mjaftueshme për ta konsideruar CRJ-në si një viktimë të tërthortë në vështrim të jurisprudencës së saj. Ajo nënvizon lidhur me këtë se CRJ-ja nuk e ka provuar ekzistencën e një “lidhjeje [mjaft] të ngushtë” me viktimën e drejtpërdrejtë; kjo nuk pretendon as të ketë ndonjë “interes vetjak” për t’i mbrojtur ankesat në fjalë para Gjykatës, duke pasur parasysh përkufizimin që jurisprudenca e Gjykatës u jep këtyre nocioneve (paragrafët 97-99 të mësipërm).
108. Në të gjallë të tij, Z. Câmpeanu nuk nisi pranë juridiksioneve kombëtare asnjë procedurë për t’u ankuar për situatën e tij mjekësore dhe juridike. Ndonëse në rrafshin formal ai konsiderohej si një person i pajisur me zotësinë e plotë juridike, është e qartë se në praktikë ai nuk është trajtuar si i tillë (paragrafët 14 e 16 të mësipërm). Sidoqoftë, Gjykata çmon se, duke pasur parasysh brishtësinë e tij të skajshme, Z. Câmpeanu nuk ishte në gjendje ta paraqiste vetë një procedurë të tillë pa mbështetje e këshilla juridike të duhura. Ky i ri ndodhej kështu në një situatë krejtësisht ndryshe, dhe më pak të favorshme, në krahasim me ato të shqyrtuara nga Gjykata në çështje të mëparshme, të cilat kishin të bënin me persona të pajisur me zotësinë juridike, ose që të paktën asgjë nuk i kishte penguar për të nisur një procedurë në të gjallë të tyre (paragrafët 98 e 100 të mësipërm), dhe në emër të të cilëve ishin paraqitur kërkesëpadi pas vdekjes së tyre.
109. Pas vdekjes së Z. Câmpeanu, CRJ-ja nisi disa procedura të brendshme me qëllimin për t’i sqaruar rrethanat e saj. Meqenëse hetimet dolën më në fund në konkluzionin se me këtë vdekje nuk lidhej asnjë veprim i dënueshëm penalisht, CRJ-ja e ka paraqitur këtë kërkesëpadi pranë Gjykatës.
110. Gjykata i kushton një rëndësi të konsiderueshme faktit që as zotësia e CRJ-së për të vepruar për Z. Câmpeanu, as vërejtjet e saj të paraqitura në emër të tij pranë autoriteteve të brendshme mjekësore dhe gjyqësore nuk janë vënë në pikëpyetje ose kundërshtuar në asnjë mënyrë (paragrafët 23, 27-28, 33, 37-38 e 40-41 të mësipërm). Këto nisma, të cilat do t’i përkisnin normalisht përgjegjësisë së një kujdestari a të përfaqësuesi, janë marrë pra prej CRJ-së pa asnjë vërejtje nga ana e autoriteteve kompetente, të cilat i kanë pranuar e trajtuar të gjitha kërkesat që u janë paraqitur atyre.
111. Gjykata vëren gjithashtu se, në momentin e vdekjes së tij, siç është treguar më sipër, Z. Câmpeanu nuk kishte të afërm të njohur dhe se, në periudhën kur ai e kishte mbushur moshën madhore, shteti nuk kishte ngarkuar asnjë person kompetent as kurrfarë kujdestari për t’u kujdesur për interesat e tij – juridikë ose të tjerë –, pavarësisht detyrimit ligjor që e parashikonte një masë të tillë. Në rrafshin kombëtar, CRJ-ja ka ndërhyrë si përfaqësuese vetëm pak përpara vdekjes së të riut, ndërkohë që ky i fundit ishte haptazi i pazoti për të shprehur ndonjë dëshirë a mendim të çfarëdoshëm rreth nevojave e interesave të tij vetjakë, dhe a fortiori rreth volisë për të ushtruar ndonjë të drejtë ankimi. Meqenëse autoritetet nuk kishin caktuar asnjë kujdestar ligjor as ndonjë përfaqësues tjetër, nuk ishte e mundur as nuk ishte krijuar asnjë trajtë përfaqësimi për ta mbrojtur të interesuarin apo për t’u paraqitur vërejtje në emër të tij autoriteteve spitalore, juridiksioneve kombëtare dhe Gjykatës (shih, mutatis mutandis, P., C. e S. k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 56547/00, 11 dhjetor 2001, dhe B. k. Rumanisë (nr. 2), i cituar më lart, §§ 96-97). Është e udhës gjithashtu të shënohet se kërkesa kryesore e mbështetur te Konventa ka të bëjë me ankesa të bëra mbi bazën e nenit 2 (“e drejta për jetën”), të cilat Z. Câmpeanu, ndonëse duke qenë viktima e drejtpërdrejtë, sigurisht që nuk mund t’i paraqiste përderisa kishte vdekur.
112. Në kontekstin që sapo ka parashtruar, Gjykata është e bindur se, duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes në fjalë dhe seriozitetin e pretendimeve të formuluara, CRJ-së duhet t’i njihet zotësia për të vepruar në cilësi përfaqësueseje të Z. Câmpeanu, sado që ajo të mos ketë marrë prokurë për të vepruar në emër të të riut dhe ky i fundit të ketë vdekur përpara paraqitjes së kërkesëpadisë së bazuar te Konventa. Të dilet në ndonjë tjetër përfundim do të ishte njëlloj sikur të mos lejohej që këto pretendime serioze për shkelje të Konventës të mund të shqyrtohen në rrafshin ndërkombëtar, me rrezikun që shteti i paditur t’i shpëtojë përgjegjësisë që rrjedh për të nga Konventa përmes vetë efektit të moscaktimit nga ana e tij të një përfaqësuesi ligjor të ngarkuar për të vepruar në emër të të riut, me gjithë detyrimet që i takonin në bazë të së drejtës së brendshme (paragrafët 59 e 60 të mësipërm; shih gjithashtu, mutatis mutandis, P., C. e S. k. Mbretërisë së Bashkuar, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, dhe Argeş College of Legal Advisers k. Rumanisë, nr. 2162/05, § 26, 8 mars 2011). T’i lejohet shtetit të paditur që t’i shpëtojë kështu përgjegjësisë së tij do të ishte diçka e papajtueshme me frymën e përgjithshme të Konventës dhe me detyrimin që neni 34 i Konventës u cakton Palëve të Larta Kontraktuese për të mos e penguar në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur një kërkesëpadi pranë Gjykatës.
113. T’i njohësh CRJ-së cilësinë për të vepruar si përfaqësuese e Z. Câmpeanu, do të thotë të zgjedhësh një qasje në përputhje me atë që zbatohet për të drejtën për një kontroll gjyqësor të parashikuar në nenin 5 § 4 të Konventës në rastin e “të sëmurëve mendorë” (neni 5 § 1 e)). Gjykata rikujton se në këtë kontekst duhet që i interesuari të ketë qasje në një gjykatë dhe që atij t’i jepet rasti për t’u dëgjuar vetë ose, nëse është nevoja, nëpërmjet një trajte të caktuar përfaqësimi, përndryshe ai nuk mund të quhet se i gëzon “garancitë themelore procedurale që zbatohen në fushën e heqjes së lirisë” (De Wilde, Ooms e Versyp k. Belgjikës, 18 qershor 1971, § 76, seria A nr. 12). Sëmundjet mendore mund të shpien në kufizimin ose ndryshimin e kësaj të drejte brenda kushteve të ushtrimit të saj (Golder k. Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1975, § 39, seria A nr. 18), por ato nuk kanë sesi ta përligjin një cenim të vetë thelbit të saj. Në të vërtetë, mund të diktohen disa garanci të posaçme procedurale për të mbrojtur ata që, për arsye të çrregullimeve të tyre mendore, nuk janë plotësisht të zotë për të vepruar për llogarinë e tyre (Winterwerp k. Vendeve të Ulëta, 24 tetor 1979, § 60, seria A nr. 33). Një pengesë faktike mund ta shkelë Konventën njëlloj si një pengesë juridike (Golder, i cituar më lart, § 26).
114. Për rrjedhojë, Gjykata e rrëzon prapësimin e Qeverisë lidhur me mungesën e një locus standi të CRJ-së, meqenëse kjo e fundit e ka cilësinë e përfaqësueses de facto të Z. Câmpeanu.
Duke konstatuar nga ana tjetër se ankesat në fjalë nuk janë haptazi të pabazuara në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ato nuk ndeshen me asnjë arsye tjetër për papranueshmëri, Gjykata i shpall ato të pranueshme.
B. Rreth themelit
1. Vërejtje të parashtruara pranë Gjykatës
a) CRJ-ja
115. CRJ-ja mbron mendimin se, për arsye të vendimeve të pavend që paskan marrë lidhur me transferimet e Z. Câmpeanu nëpër institucione që nuk i kishin kompetencat e pajisjet e nevojshme për mjekimin e tij, vendime të cilat qenkan pasuar nga veprime të papërshtatshme ose nga mosveprime në rrafshin mjekësor, autoritetet kanë dhënë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ndihmesë në vdekjen e parakohshme të të riut.
CRJ-ja shpjegon se, ndërkohë që ekzaminimet mjekësore të kryera mbi Z. Câmpeanu gjatë muajve që i paraprinë shtrimit të tij në CMSC pastaj në SPM kishin vërtetuar një “gjendje të përgjithshme të mirë” si edhe mungesën e ndonjë problemi madhor, shëndeti i të interesuarit ishte përkeqësuar papritur gjatë dy javëve përpara vdekjes së tij, në një kohë pra kur ai ishte nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Nga pjesa me rëndësi për këtë çështje e jurisprudencës së bollshme të Gjykatës që ka të bëjë me nenin 2, ajo nxjerr që Qeveria ishte e detyruar të jepte një shpjegim në lidhje mjekimet që i ishin dhënë Z. Câmpeanu dhe me shkakun e vdekjes së këtij të fundit (CRJ-ja citon, ndër të tjera, Kats me të tjerë k. Ukrainës, nr. 29971/04, § 104, 18 dhjetor 2008, Dodov k. Bullgarisë, nr. 59548/00, § 81, 17 janar 2008, Alexanian k. Rusisë, nr. 46468/06, § 147, 22 dhjetor 2008, Khoudobine k. Rusisë, nr. 59696/00, § 84, GjEDNj 2006‑XII, dhe Z.H. k. Hungarisë, nr. 28973/11, §§ 31-32, 8 nëntor 2012).
Mirëpo Qeveria nuk e paska përmbushur këtë detyrim. Nga njëra anë, ajo paska dështuar të paraqiste disa dokumente të rëndësishme mjekësore lidhur me Z. Câmpeanu dhe, nga ana tjetër, ajo i paska paraqitur Gjykatës një dublikatë të një raporti mjekësor lidhur me qëndrimin e këtij pacienti në SPM, ku qenkan ndryshuar disa informacione me rëndësi të dorës së parë. Ndërkohë që raporti mjekësor origjinal – ashtu siç ishte paraqitur në stade të ndryshme të procedurës së brendshme – nuk paska përmbajtur asnjë referencë për dhënie antiretroviralësh Z. Câmpeanu, dokumenti i ri, i hartuar me një shkrim të ndryshëm, i përmendka disa barna të tillë, duke lënë kështu të nënkuptohet se ata i ishin dhënë pacientit. Meqenëse Qeveria e ka përdorur dokumentin e ri për të kundërshtuar para Gjykatës vërejtjet e CRJ-së lidhur me mungesën e trajtimit antiretroviral (paragrafi 122 i mësipërm), kjo e fundit paraqet si argument se kjo provë shkresore është prodhuar me sa duket pas ngjarjeve me qëllim për të mbështetur argumentet e Qeverisë para Gjykatës.
116. Ajo çmon nga ana tjetër se nga dokumentet e ndryshme të parashtruara në këtë çështje, veçanërisht lidhur me inspektimet e kryera në vendngjarje nga KPT-ja, del qartë se autoritetet ishin në dijeni të kushteve të këqija të jetesës në SPM si edhe të mjekimeve e trajtimeve që jepeshin në atë institucion, jo vetëm përpara vitit 2004, por edhe në periudhën në fjalë (paragrafët 47, 74 e 78 të mësipërm).
117. CRJ-ja e vë gishtin te mangësitë sipas saj të mbajtjes së kartelave mjekësore dhe të regjistrimit të transferimeve të njëpasnjëshme të pacientit ndërmjet strukturave të ndryshme spitalore. Mosveprimet në fjalë e vërtetuakan plotësisht tezën sipas së cilës Z. Câmpeanu nuk i janë bërë mjekimet dhe trajtimi që duheshin. Ato qenkan edhe aq më shumë domethënëse përderisa u shfaqka qartë se gjendja shëndetësore e këtij pacienti ishte përkeqësuar gjatë periudhës në fjalë, deri në atë pikë sa të kërkohej një trajtim urgjence. Përveç kësaj, siç është treguar më sipër, CRJ-ja çmon se, përderisa trajtimi antiretroviral i Z. Câmpeanu është ndërprerë gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në CMSC, ka shumë të ngjarë që pacientit të mos i jenë dhënë antiretroviralë as gjatë qëndrimit të tij në SPM. CRJ-ja shton që duhej të ishin bërë një varg analizash mjekësore, por që ato nuk janë kryer kurrë. Hetimi zyrtar nuk i paska sqaruar këto aspekte kyçe të çështjes, ndërkohë që, sipas CRJ-së, për sjelljen psikotike të supozuar të këtij pacienti kishte ndoshta disa shpjegime më të besueshme, si septicemia ose izolimi me forcë në një dhomë të ndarë më vete.
Duke pasur parasysh çka prin më lart, CRJ-ja mbron mendimin se shteti i paditur i ka lënë haptazi pa i përmbushur detyrimet materiale që rrjedhin nga neni 2.
118. CRJ-ja çmon nga ana tjetër se kushtet e jetesës në SPM dhe vendosja e pacientit në një dhomë të izoluar përbëjnë një shkelje më vete të nenit 3.
Kjo dosje përmbajtka elemente të fuqishme – veçanërisht disa prova shkresore të lëshuara nga autoritete rumune si Qeveria, prokuroria pranë Gjykatës së Lartë, Instituti Kombëtar i Mjekësisë Ligjore apo vetë personeli i SPM-së – të cilat vënë në dukje kushtet, e vajtueshme sipas CRJ-së, që mbizotëronin në atë periudhë në SPM, sidomos mungesën e ushqimit dhe të ngrohjes, si edhe praninë e sëmundjeve infektive.
Nuk u kundërshtuaka që Z. Câmpeanu është vendosur i vetëm në një dhomë të ndarë më vete. Gjatë vizitës së tyre në SPM, vëzhguesit e CRJ-së paskan konstatuar se i interesuari nuk ishte i veshur në mënyrë korrekte, se në dhomë ishte ftohtë dhe se personeli nuk pranonte t’i jepte të riut as ndihmën më të vogël për të plotësuar nevojat e tij personale elementare. Qeveria nuk paska paraqitur asnjë element për ta përligjur këtë masë, të marrë sipas saj pa kurrfarë qëllimi diskriminues ndaj të interesuarit. Argumenti se dhoma në fjalë ishte hapësira e vetme e disponueshme u kundërshtuaka nga informacione të shumta të cilat treguakan se në atë periudhë spitali nuk punonte me kapacitet të plotë.
119. Sipas CRJ-së, hetimi zyrtar i kryer në këtë çështje nuk i ka përmbushur kërkesat e Konventës, dhe kjo për arsyet e mëposhtme: rrezja e tij e veprimit paska qenë tepër e kufizuar, përderisa ai qenka përqendruar vetëm te dy mjekë (njëri i CMSC-së, tjetri i SPM-së) dhe paska lënë pas dore pjesëtarë të tjerë të personelit ose entitete për të cilat bëhej fjalë; objekt shqyrtimi paskan qenë vetëm shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes e periudha menjëherë përpara saj dhe autoritetet nuk i paskan grumbulluar provat thelbësore në kohën e duhur as sqaruar faktet objekt kundërshtish, veçanërisht shkakun e vdekjes. Mosrealizimi i një autopsie menjëherë pas vdekjes së pacientit dhe mungesat në dhënien e përkujdesjeve mjekësore qenkan disa prej mangësive të theksuara në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili qenka shfuqizuar gjithsesi në apel.
CRJ-ja është e mendimit se hetimi nuk i ka bërë të mundur vërtetimin e fakteve, përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe sanksionimin e personave përgjegjës. Ajo del këndej në përfundimin se ai nuk i ka përmbushur kërkesat që rrjedhin nga nenet 2 dhe 3 të Konventës.
120. Ajo mbron mendimin se neni 13 i detyron shtetet të marrin masa pozitive për t’ua garantuar qasjen te drejtësia personave me aftësi të kufizuar të mbyllur nëpër institucione publike, veçanërisht përmes vendosjes së një mekanizmi mbikëqyrës të pavarur e të veshur me kompetencë për të pranuar ankesa në këtë fushë, për të hetuar rreth abuzimeve, për të dhënë sanksione ose për t’ia parashtruar dosjet një autoriteti kompetent.
121. Ajo shton se, në disa çështje kundër Rumanisë, Gjykata ka dalë në një konstatim shkeljeje për arsye të mungesës së mjeteve të përshtatshme ligjore që do t’u kishin lejuar personave me aftësi të kufizuar të ankoheshin në këndvështrimin e nenit 3 ose të nenit 5 të Konventës (CRJ-ja citon Filip k. Rumanisë, nr. 41124/02, § 49, 14 dhjetor 2006, C.B. k. Rumanisë, i cituar më lart, §§ 65-67, Parascineti k. Rumanisë, nr. 32060/05, §§ 34-38, 13 mars 2012, dhe B. k. Rumanisë (nr. 2), i cituar më lart, § 97).
Të njëjtat konkluzione dalkan nga dokumentacioni përkatës i botuar prej disa OJQ-ve ndërkombëtare si Human Rights Watch ose Mental Disability Rights International. Vetë CRJ-ja paska sinjalizuar gjithashtu se mungojnë garancitë kundër keqtrajtimeve, se pacientët e shtruar nëpër institucione psikiatrike nuk i dinë në një pjesë të madhe të drejtat e tyre dhe se personeli nuk është i përgatitur për trajtimin e ankesave që lidhen me abuzime.
Përveç kësaj, CRJ-ja pohon se, me sa di ajo, pavarësisht nga disa pretendime – shumë të besueshme sipas saj – të cilat kanë të bëjnë me disa vdekje të dyshimta nëpër institucione psikiatrike, nuk ka pasur kurrë asnjë vendim të formës së prerë që ta shpallë një punonjës të këtyre të fundit përgjegjës nga pikëpamja penale apo civile për ndonjë gabim në lidhje me vdekje të tilla. Për 129 vdekjet e sinjalizuara në SPM gjatë viteve 2002 deri 2004, hetimi penal nuk paska vërejtur asnjë veprim të qortueshëm dhe vendimet për pushim çështjeje e arkivim të saj qenkan lënë më pas në fuqi nga gjykatat.
Si përfundim, rendi juridik rumun nuk ofruaka asnjë mundësi ankimi efektiv në kuptimin e nenit 13 (e drejta për ankim efektiv) për të denoncuar jo vetëm, në mënyrë të përgjithshme, shkeljen e të drejtave të personave të sëmurë me të meta mendore, por edhe, më në veçanti, atë të të drejtave të Z. Câmpeanu që rrjedhin nga nenet 2 dhe 3.
b) Qeveria
122. Qeveria shpjegon se infektimi me HIV është një sëmundje evolutive shumë e rëndë dhe se fakti që Z. Câmpeanu ka vdekur prej saj nuk provon në vetvete që vdekja të ketë ardhur si pasojë e disa mangësive të sistemit mjekësor.
Ajo shton se nuk është paraqitur asnjë provë që treguaka se autoritetet nuk i kanë dhënë trajtim antiretroviral Z. Câmpeanu; përkundrazi, kopja e kartelës mjekësore lidhur me qëndrimin e këtij pacienti në SPM, e paraqitur nga Qeveria, vërtetuaka që i interesuari e ka marrë trajtimin e duhur antiretroviral gjatë qëndrimit të tij në spital.
Konkluzioni i Komisionit Disiplinor të Urdhrit të Mjekëve dëshmuaka gjithashtu se trajtimi që i është dhënë Z. Câmpeanu ishte i përshtatshëm (paragrafi 35 i mësipërm). Kështu që në këtë çështje nuk mund të zbatohet neni 2 në anën e tij materiale.
123. Në këndvështrimin e nenit 3, Qeveria mbron mendimin se, si në CMSC ashtu edhe në SPM, kushtet e përgjithshme (higjiena, ushqimi, ngrohja e po ashtu burimet njerëzore) ishin të kënaqshme dhe në përputhje me normat e atëhershme.
Mjekimet që i ishin dhënë Z. Câmpeanu paskan qenë ato të duhura për gjendjen e tij shëndetësore; i interesuari qenka pranuar në CMSC ndërkohë që ai ndodhej në një “gjendje të mirë të përgjithshme” dhe qenka transferuar në SPM pasi filloi të kishte “kriza dhune”. Në SPM atë e paskan vendosur të vetëm në një dhomë jo me qëllimin për ta izoluar, por sepse kjo dhomë paska qenë e vetmja e disponueshme. Megjithëse është ushqyer në rrugë intravenoze, pacienti paska vdekur për shkak të një insuficience kardiorespiratore më 20 shkurt 2004.
Në këtë kontekst, Qeveria çmon se, duke pasur parasysh kohën e shkurtër të qëndrimit të Z. Câmpeanu në SPM, neni 3 nuk mund të zbatohet për kushtet materiale që mbizotëronin në atë spital.
124. Ajo parashtron se paditë penale të paraqitura nga CRJ-ja në lidhje me rrethanat e vdekjes së Z. Câmpeanu kanë qenë objekt i një shqyrtimi të thelluar nga ana e autoriteteve kombëtare (gjykata, komisione ose organe hetimore), të cilat paskan parashtruar që të gjitha arsye të hollësishme e të forta në mbështetje të vendimeve të tyre. Për rrjedhojë, shteti nuk u ngarkuaka dot me përgjegjësi në vështrim të nenit 2 ose të nenit 3.
125. Për sa i përket ankesës së bërë mbi bazën e nenit 13, Qeveria është e mendimit se përderisa ajo lidhet me ankesat e tjera të formuluara nga CRJ-ja, nuk ka përse të shqyrtohet më vete. Sidoqoftë, sipas saj, ankesat e bëra mbi bazën e kësaj dispozite janë të pabazuara.
Për hollësi plotësuese, Qeveria mbron mendimin se legjislacioni kombëtar i jep ato mundësi ankimi efektiv, në kuptimin e nenit 13, të cilat do të kishin lejuar që të paraqiteshin ankesat e shtruara në kërkesëpadi.
Ajo vë në dukje se Avokati i Popullit rumun bën pjesë te mjetet ekzistuese të ankimit. Sipas statistikave të disponueshme në sajtin e tij në internet, ky i fundit paska ndërhyrë në disa çështje që lidheshin me shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut ndërmjet viteve 2003 e 2011.
Duke iu referuar dy vendimeve të gjykatave të brendshme të paraqitura si elemente prove me kërkesën e Gjykatës, Qeveria siguron se, kur trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me persona të sëmurë me të meta mendore, juridiksionet rumune veprojnë shumë seriozisht dhe japin rregullisht vendime në themel.
126. Në një rrafsh më specifik, në lidhje me nenin 2, Qeveria pohon se situata në SPM është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme si pasojë e disa ankesave të bëra për kushtet e jetesës e të mjekimit në atë institucion. Ajo çmon se rreth kësaj pike një ankesë duhet të konsiderohet që përbën një mjet efektiv ankimi në vështrim të normave të Konventës.
Në këndvështrimin e nenit 3, Qeveria parashtron se edhe CRJ-ja paska mundur të ngrinte një padi për zhdëmtim për shkak gabimi mjekësor.
Së fundi, për arsyet e vëna në dukje më sipër, Qeveria mbron mendimin se, për secilën nga ankesat e shtruara në kërkesëpadi, Z. Câmpeanu kishte në dispozicion disa mundësi efektive ankimi, qoftë vetë, qoftë me anë të një përfaqësimi. Për këtë arsye, ankesa e bërë në bazë të nenit 13 qenka e papranueshme.
c) Palët e treta
i. Qendra për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuar Mendore
127. Qendra për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuar Mendore (QMPAKM) deklaron se në mbarë Evropën janë vërejtur kushte potencialisht vdekjeprurëse nëpër institucione ku strehohen fëmijë të prekur me të meta mendore ose me HIV dhe se ka disa informata të cilat duket që tregojnë njëfarë prirjeje për të mos i shtruar në spital fëmijët e sëmurë, pavarësisht nga serioziteti i gjendjes së tyre, dhe për t’i lënë ata që të vdesin nëpër këto institucione. Në raportin e tij të vitit 2009 për të drejtat e njeriut në Rumani, Departamenti amerikan i Shtetit e paska nënvizuar vijimësinë e kushteve të këqija në SPM: mbipopullim, mungesë personeli e barnash, higjienë e keqe dhe përdorim i zakonshëm sedativësh e mjetesh për lidhje.
Duke përmendur jurisprudencën ndërkombëtare lidhur me të drejtën për jetën (për shembull, vendimet e Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Villagrán Morales me të tjerë k. Guatemalës, të datës 19 nëntor 1999, lidhur me pesë fëmijë që jetonin në rrugë, dhe në çështjen Velásquez Rodríguez k. Hondurasit, të datës 29 korrik 1988), QMPAKM-ja mbron mendimin se detyrimi i shtetit për ta mbrojtur jetën i përfshin dhënien e trajtimit të nevojshëm mjekësor, marrjen e çdolloj mase parandaluese që kërkohet si edhe vënien në veprim të të gjithë mekanizmave që mundësojnë mbajtje nën kontroll, hetime dhe ndjekjen e personave përgjegjës; ajo çmon gjithashtu se viktimave duhet t’u jepet një mundësi efektive dhe konkrete për ta kërkuar mbrojtjen e së drejtës së tyre për jetën. Sipas QMPAKM-së, kur shteti nuk ia ofron këtë mundësi një personi tejet të brishtë në të gjallë të tij, ai nuk duhet të mbetet si përfundim pa u dënuar pas vdekjes së të interesuarit.
ii. Qendra Eurorajonale për Nismat Publike
128. Sipas Qendrës Eurorajonale për Nismat Publike (QENP), Rumania është një nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të cilat kanë numrin më të madh të personave që jetojnë me HIV. Kjo u shpjeguaka në thelb me ekspozimin, ndërmjet viteve 1986 e 1991, të rreth 10 000 fëmijëve të vendosur nëpër spitale e jetimore publike ndaj rrezikut të transmetimit të HIV-it nëpërmjet përdorimit të shumëfishtë të shiringave dhe mikrotransfuzioneve me gjak të pakontrolluar. Në dhjetor 2004, ndër fëmijët qenkan regjistruar 7 088 raste me sida dhe 4 462 raste infektimi me HIV. Në fund të vitit 2004, 3 482 nga këta fëmijë kishin vdekur nga sida.
Sipas QENP-së, përqindja e lartë e infektimit me HIV te fëmijët ka ardhur për shkak të trajtimit që u është bërë atyre nëpër jetimore dhe spitale, ngaqë fëmijët me aftësi të kufizuar konsiderohen sipas saj si “të parikuperueshëm” e “joprodhimtarë” dhe ngaqë personeli nuk ka as aftësitë, as interesin e nevojshëm për të dhënë përkujdesjet e duhura mjekësore.
QENP-ja vë në dukje se, më 2003, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se është i shqetësuar për shkak të mundësisë së marrjes së trajtimit antiretroviral vetëm nga një numër i kufizuar personash dhe për shkak të ndërprerjeve të shpeshta që shoqërojnë dhënien e këtij trajtimi për mungesë kredish. Përveç kësaj, edhe në fundin e vitit 2009, rezervat e antiretroviralëve paskan qenë të kufizuara për arsye të mungesës së kredive të dhëna nga Arka Kombëtare e Sigurimeve Shëndetësore si edhe të keqadministrimit të programit kombëtar të luftës kundër HIV-it.
QENP-ja shton se, kur një person që jeton me HIV-in bën një qëndrim të gjatë në një institucion të mbyllur ose në një spital, mundësia e tij për të gjetur antiretrovirale varet gjerësisht nga masat e marra prej institucionit në fjalë për ta tërhequr këtë medikament nga mjeku specialist i sëmundjeve infektive pranë të cilit është i regjistruar pacienti. Ajo çmon se pacientëve të infektuar me HIV shpeshherë nuk u jepen informacionet për të cilat ata paskan nevojë që të mundin ta mbrojnë të drejtën e tyre legjitime për qasje te shërbimet mjekësore.
Më 2009, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara paska shprehur shqetësimin se vinte re që fëmijët e infektuar me HIV ndeshnin shpeshherë pengesa në qasjen te shërbimet shëndetësore.
Për sa i përket rastit të veçantë të personave që jetojnë me HIV-in e që janë të sëmurë edhe me çrregullime mendore, QENP-ja pretendon se spitalet psikiatrike nuk pranojnë nganjëherë që t’i mjekojnë fëmijët e të rinjtë seropozitivë nga frika e infektimit. Ajo i referohet një dokumenti të Human Rights Watch të vitit 2007, i cili i përshkruan këto situata (Life Doesn’t Wait. Romania’s Failure to Protect and Support Children and Youth Living with HIV).
iii. Human Rights Watch
129. Në vërejtjet e tij me shkrim, Human Rights Watch u referohet konkluzioneve të Komitetit të të Drejtave Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara, të cilat vënkan në dukje se te strukturat e shërbimeve shëndetësore duhet të kenë qasje të gjithë, veçanërisht pjesa më e brishtë e popullsisë, dhe se mungesa e një politike kombëtare që synon t’ua garantojë të gjithëve të drejtën për shëndetin, keqadministrimi në shpërndarjen e burimeve të disponueshme publike si edhe paaftësia për t’i ulur përqindjet e vdekshmërisë foshnjore dhe amësore mund të konsiderohen si mospërmbushje të detyrimit që ka shteti për t’i ofruar shërbime të tilla.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Neni 2 i Konventës
i. Parime të përgjithshme
130. Fjalia e parë e nenit 2 § 1 e detyron shtetin jo vetëm që të mos e shkaktojë vdekjen në mënyrë të vullnetshme e të parregullt, por edhe që të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që ka nën juridiksionin e tij (L.C.B. k. Mbretërisë së Bashkuar, 9 qershor 1998, § 36, Recueil des arrêts et décisions 1998‑III).
Detyrimet pozitive të cilat rrjedhin nga neni 2 duhet të interpretohen sikur vlejnë në kontekstin e çdolloj veprimtarie, publike ose jo, e cila mund ta vërë në pikëpyetje të drejtën për jetën. I tillë është rasti për shembull, në fushën e shëndetësisë, për sa u përket veprimeve ose mosveprimeve të profesionistëve të shëndetësisë (Dodov, i cituar më lart, §§ 70, 79-83 e 87, dhe Vo k. Francës [DhM], nr. 53924/00, §§ 89-90, GjEDNj 2004‑VIII, bashkë me referenca të tjera), meqenëse shtetet duhet të krijojnë një kornizë rregullatore e cila ua dikton spitaleve, qofshin këto publike ose private, marrjen e masave të posaçme për të siguruar mbrojtjen e jetës së të sëmurëve të tyre (Calvelli e Ciglio k. Italisë [DhM], nr. 32967/96, § 49, GjEDNj 2002‑I). Ky detyrim zbatohet në veçanti në rastet e mëposhtme: kur aftësia e të sëmurëve për t’u kujdesur për vetveten është e kufizuar (Dodov, i cituar më lart, § 81); në kontekstin e administrimit të veprimtarive të rrezikshme (Öneryıldız k. Turqisë [DhM], nr. 48939/99, § 71, GjEDNj 2004‑XII); ndaj autoriteteve shkollore, të cilat kanë një detyrë për mbrojtje të shëndetit e të mirëqenies së nxënësve që ndodhen nën kontrollin ekskluziv të këtyre autoriteteve dhe veçanërisht të fëmijëve në moshë të njomë të cilët janë veçanërisht të brishtë (Ilbeyi Kemaloğlu e Meriye Kemaloğlu k. Turqisë, nr. 19986/06, § 35, 10 prill 2012); dhe, po ashtu, në kuadrin e ndihmës dhe të përkujdesjeve mjekësore për fëmijë në moshë të njomë të vendosur në institucione publike (Nencheva me të tjerë, i cituar më lart, §§ 105-116).
Që të ketë një detyrim të tillë pozitiv, duhet të vërtetohet se autoritetet e dinin ose duhej ta dinin duke pasur parasysh rrethanat që viktima kërcënohej në mënyrë reale e të atypëratyshme nga fakti i veprimeve kriminale të një pale të tretë (Nencheva me të tjerë, i cituar më lart, § 108) dhe se ato nuk i kanë marrë, në kuadrin e kompetencave të tyre, masat për të cilat mund të çmohet në mënyrë të arsyeshme se do ta kishin shmangur pa dyshim atë rrezik (A. me të tjerë k. Turqisë, nr. 30015/96, §§ 44-45, 27 korrik 2004).
131. Duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes që jep neni 2, Gjykata duhet t’i shqyrtojë në mënyrë tejet të vëmendshme rastet kur dikujt i merret jeta dhe t’i marrë në shqyrtim jo vetëm veprimet e nëpunësve të shtetit, por gjithashtu edhe të gjitha rrethanat e çështjes. Personat e ndaluar ndodhen në një situatë brishtësie dhe autoritetet kanë detyrën për t’i mbrojtur ata. Kur autoritetet vendosin ta vënë e ta mbajnë në ndalim një person me aftësi të kufizuar, ato duhet të kujdesen me një rreptësi të veçantë në mënyrë që kushtet e mbajtjes së tij në ndalim t’u përgjigjen nevojave specifike që rrjedhin nga aftësia e tij e kufizuar (Jasinskis k. Letonisë, nr. 45744/08, § 59, 21 dhjetor 2010, bashkë me referenca të tjera). Më në përgjithësi, Gjykata ka thënë se shtetet kanë detyrimin që të marrin masa të veçanta për të bërë të mundur një mbrojtje efektive të personave të brishtë kundër keqtrajtimeve për të cilat autoritetet kishin ose duhej të kishin pasur dijeni (Z me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 29392/95, § 73, GjEDNj 2001‑V). Për rrjedhojë, kur në individ vendoset në ndalim ndërkohë që ai ndodhet në një gjendje të mirë shëndetësore dhe vdes pas kësaj, shtetit i bie për detyrë që të japë një shpjegim të kënaqshëm e bindës për faktet që kanë çuar te vdekja (Carabulea k. Rumanisë, nr. 45661/99, § 108, 13 korrik 2010) dhe, në qoftë se e kundërshton vërtetësinë e pretendimeve të viktimës, të paraqesë prova të tilla që e vënë atë në dyshim, veçanërisht kur pretendimet mbështeten me raporte mjekësore (Selmouni k. Francës [DhM], nr. 25803/94, § 87, GjEDNj 1999‑V, dhe Abdülsamet Yaman k. Turqisë, nr. 32446/96, § 43, 2 nëntor 2004).
Për vlerësimin e elementeve të provës, Gjykata i përmbahet kriterit të provës “përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm”. Një provë e tillë mund të rezultojë gjithsesi prej një sërë treguesish ose prezumimesh që nuk janë hedhur poshtë e që kanë peshë, qartësi e bashkëpërkim të mjaftueshëm (Orhan k. Turqisë, nr. 25656/94, § 264, 18 qershor 2002, dhe Irlanda k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 161).
132. Për sa i përket detyrimit të tij për ta mbrojtur të drejtën për jetën, shteti duhet jo vetëm të marrë masa të arsyeshme të cilat e garantojnë sigurinë e individëve në vendet publike, por edhe të sigurohet se ka një sistem gjyqësor efikas e të pavarur, që ofron rrugë ligjore të cilat mundësojnë që brenda një afati të shkurtër, në raste plagosjeje të rëndë ose vdekjeje, të vërtetohen faktet, të detyrohen personat përgjegjës për të dhënë llogari dhe t’u jepet viktimave një zhdëmtim i përshtatshëm (Dodov, i cituar më lart, § 83).
Ky detyrim nuk kërkon medoemos në të gjitha rastet një mundësi ankimi me natyrë penale. Kështu, kur vërtetohet pakujdesia, një detyrim i tillë mund të përmbushet gjithashtu, për shembull, në qoftë se sistemi juridik për të cilin bëhet fjalë u ofron palëve të interesuara një mundësi ankimi pranë juridiksioneve civile, qoftë vetëm, qoftë bashkë me një mundësi ankimi pranë juridiksioneve penale. Sidoqoftë, neni 2 i Konventës kërkon jo vetëm që mekanizmat e mbrojtjes të cilët parashikohen në të drejtën e brendshme të ekzistojnë teorikisht, por gjithashtu, e sidomos, që ata të funksionojnë në mënyrë efektive praktikisht (Calvelli e Ciglio, i cituar më lart, § 53).
133. Nga ana tjetër, juridiksionet kombëtare duhet të kujdesen që të mos i lënë pa i ndëshkuar cenimet ndaj jetës. Kjo është e domosdoshme për të ruajtur besimin e publikut dhe për të siguruar përkrahjen e tij për shtetin e së drejtës, si edhe për të parandaluar çdo hije tolerance ndaj veprimeve të paligjshme apo pajtimi në kryerjen e tyre (shih, mutatis mutandis, Nikolova e Velitchkova k. Bullgarisë, nr. 7888/03, § 57, 20 dhjetor 2007). Detyra e Gjykatës është pra që të verifikojë nëse dhe në çfarë mase juridiksionet, përpara se të dalin në këtë apo atë përfundim, e kanë bërë shqyrtimin e përpiktë që kërkon neni 2 i Konventës, në mënyrë që ta ruajnë fuqinë shkëshilluese të sistemit gjyqësor të ngritur e të garantojnë që të shqyrtohen e zhdëmtohen shkeljet e së drejtës për jetën (Öneryıldız, i cituar më lart, § 96).
ii. Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e kësaj çështjeje
α) Ana materiale
134. Duke iu referuar kontekstit të çështjes, Gjykata shënon që në fillim se Z. Câmpeanu e ka kaluar të gjithë jetën e tij në duart e autoriteteve të brendshme: i braktisur që në lindje, ai u rrit në një jetimore, më vonë u transferua në Qendrën për Sistemim, pastaj në CMSC e së fundi në SPM, ku vdiq në mënyrë të parakohshme më 20 shkurt 2004.
135. Pas moshës tetëmbëdhjetë vjeç, Z. Câmpeanu nuk iu caktua në asnjë moment ndonjë kujdestar apo kujdestar i përkohshëm. Autoritetet kanë pandehur kështu se ai e kishte zotësinë e plotë juridike, pavarësisht se sa serioze ishte aftësia e tij e kufizuar mendore.
Duke e pranuar të ketë qenë ashtu, Gjykata vë re që mënyra se si autoritetet mjekësore e kanë administruar rastin e Z. Câmpeanu i ka shpërfillur kërkesat e Ligjit për Shëndetin Mendor lidhur me pacientët që kanë zotësi të plotë juridike: në fakt, të riut nuk i është marrë pëlqim pasi kishte mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç për sa u përket transferimeve të tij të njëpasnjëshme nga njëra strukturë mjekësore në tjetrën; asnjë pëlqim nuk është dhënë kur ai është pranuar në SPM, i cili është një institucion psikiatrik; pacienti as është informuar, as është pyetur lidhur me mjekimet që i jepeshin dhe, po ashtu, atij nuk i është bërë e ditur mundësia për t’i kundërshtuar masat e sipërpërmendura. Justifikimi i dhënë nga autoritetet ka qenë vetëm pohimi se i riu “nuk ishte bashkëpunues” dhe se “me të nuk mund të komunikohej” (paragrafët 14 e 16 të mësipërm).
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se në vendimin B. k. Rumanisë (nr. 2) (të cituar më lart, §§ 93-98, 19 shkurt 2013) ajo kishte vënë në dukje mangësi të rënda në mënyrën se si autoritetet i zbatonin dispozitat e Ligjit për Shëndetin Mendor ndaj pacientëve të brishtë, të cilët liheshin pa kurrfarë ndihme ose mbrojtjeje juridike gjatë pranimit në një institucion psikiatrik në Rumani.
136. Përveç kësaj, Gjykata vëren se vendimet e autoriteteve kombëtare për ta transferuar Z. Câmpeanu e për ta sistemuar atë fillimisht në CMSC e pastaj në SPM janë marrë në thelb në varësi të pëlqimit ose jo nga ana e institucioneve për ta pranuar pacientin dhe jo të aftësisë së tyre për t’i dhënë atij mbështetje e mjekime të përshtatshme (paragrafët 12-13 të mësipërm). Lidhur me këtë, Gjykata nuk mund të mos e marrë parasysh faktin se Z. Câmpeanu është vendosur fillimisht në CMSC, një strukturë që nuk ishte e pajisur për t’u marrë me pacientë të cilët vuanin nga çrregullime mendore, dhe se ai është shtruar më në fund në SPM, ndërkohë që ky spital kishte refuzuar më parë ta pranonte atë me arsyetimin se nuk i kishte mjetet e nevojshme për t’i mjekuar pacientët e sëmurë me HIV (paragrafi 11 i mësipërm).
137. Gjykata është kështu e mendimit se Z. Câmpeanu është transferuar nga një strukturë te tjetra pa diagnozën e pa ndjekjen e duhur dhe në shpërfillje të plotë të gjendjes së tij shëndetësore reale dhe të nevojave të tij mjekësore më thelbësore. Është e udhës të shënohet në veçanti pakujdesia që kanë treguar autoritetet duke mos u kujdesur për zbatimin e mirë të trajtimit antiretroviral të pacientit, meqenëse ato nuk ia kanë dhënë atij barnat gjatë ditëve të para të qëndrimit të tij në CMSC dhe se pastaj, ndërsa ai ndodhej në SPM, nuk i kanë dhënë më fare të tilla (paragrafët 14 e 115 të mësipërm).
Për të mbërritur në përfundimet e saj, Gjykata mbështetet te vërejtjet e CRJ-së, të vërtetuara me provat shkresore mjekësore që u janë paraqitur juridiksioneve kombëtare dhe me konkluzionet e ekspertit që ishte ftuar të jepte një mendim rreth metodës terapeutike të ndjekur ndaj Z. Câmpeanu (paragrafët 33, 38 e 45 të mësipërm), si edhe te informacionet e dhëna nga QENP-ja në lidhje me kushtet e përgjithshme në të cilat u jepej trajtimi antiretroviral fëmijëve të infektuar me HIV (paragrafi 128 i mësipërm), çka i bën të besueshme pohimet e CRJ-së. Duke pasur parasysh këto elemente, Gjykata çmon se pretendimet e Qeverisë për të kundërtën janë pak bindëse, përderisa nuk vërtetohen me asnjë element tjetër që ta provojë vërtetësinë e tyre përtej çdolloj dyshimi të arsyeshëm.
138. Përveç kësaj, faktet e çështjes tregojnë se, përballë një ndryshimi të papritur sjelljeje të pacientit, i cili ishte bërë hiperagresiv e i shqetësuar, autoritetet mjekësore kanë vendosur ta transferojnë të interesuarin në një institucion psikiatrik, konkretisht në SPM, ku ai është vendosur në një repart ku nuk kishte mjek psikiatër (paragrafi 21 i mësipërm). Siç është vënë në dukje më sipër, SPM-ja nuk ishte i pajisur në atë kohë për t’i mjekuar pacientët seropozitivë; për më tepër, gjatë qëndrimit të tij në SPM, pacienti nuk është ekzaminuar kurrë nga ndonjë specialist i sëmundjeve infektive.
I vetmi trajtim për Z. Câmpeanu ka qenë që atij i jepeshin sedativë e vitamina, ndërkohë që nuk është kryer asnjë hetim mjekësor serioz me qëllim që të përcaktoheshin shkaqet e gjendjes së tij mendore (paragrafët 16 e 22 të mësipërm). Në fakt, autoritetet nuk kanë paraqitur dokumente mjekësore në të cilat të ishte përshkruar gjendja klinike e Z. Câmpeanu gjatë qëndrimit të tij në CMSC pastaj në SPM. Po ashtu, informacionet lidhur me shkaqet e mundshme të vdekjes së të interesuarit nuk ishin të përpikta: akti i vdekjes i përmendte HIV-in dhe të metat mendore si faktorë të rëndësishëm që kishin çuar në vdekjen e tij, çka e paska përligjur vendimin e autoriteteve për të mos e praktikuar autopsinë e detyrueshme (paragrafët 24 e 25 të mësipërm).
139. Gjykata u referohet konkluzioneve të raportit mjekësor të hartuar prej ekspertit të ngarkuar nga CRJ-ja. Kjo ekspertizë bënte fjalë për dokumente mjekësore “sipërfaqësore [dhe] jo cilësore” lidhur me gjendjen shëndetësore të Z. Câmpeanu (paragrafi 45 i mësipërm). Ajo vinte në dukje se mbikëqyrja mjekësore në të dyja institucionet në fjalë ishte “shumë e pamjaftueshme” dhe se autoritetet mjekësore, të ndodhura përballë përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit, kishin marrë disa masa të cilat mund të cilësoheshin në rastin më të mirë si qetësuese. Ekspertiza shtonte se disa shkaqe potenciale vdekjeje, veçanërisht pneumonia me pneumociste (e përmendur gjithashtu në raportin e autopsisë) nuk ishin as studiuar, as diagnostikuar e aq më pak trajtuar ndonjëherë, qoftë në CMSC, qoftë në SPM (po aty). Ekspertiza dilte në përfundimin se vdekja e Z. Câmpeanu në SPM ishte rezultati i një “gabimi të rëndë mjekësor” (paragrafi 46 i mësipërm).
140. Në këtë kontekst, Gjykata është e mendimit se, për të vlerësuar elementet që i janë parashtruar asaj, ajo duhet t’u kushtojë një vëmendje të veçantë gjendjes së brishtësisë së Z. Câmpeanu (paragrafi 7 i mësipërm) dhe faktit se ai e ka kaluar të gjithë jetën e tij në duart e autoriteteve, mbi të cilat rëndon kështu detyrimi për të dhënë llogari rreth trajtimit të tij dhe për të dhënë shpjegime të besueshme lidhur me këtë pikë (paragrafi 131 i mësipërm).
Së pari, Gjykata shënon se vërejtjet e CRJ-së në të cilat parashtrohen faktet që kanë çuar në vdekjen e Z. Câmpeanu vërtetohen në mënyrë të qëndrueshme nga ekzistenca e mangësive të rënda në vendimet e autoriteteve mjekësore. Këto mangësi janë përshkruar në arsyetimin e vendimit të dhënë nga kryeprokurori më 23 gusht 2005 (paragrafi 33 i mësipërm), në vendimin e juridiksionit të shkallës së parë të datës 3 tetor 2007, që urdhëronte kthimin e çështjes për plotësim hetimi (paragrafi 38 i mësipërm) dhe në konkluzionet e ekspertizës mjekësore të paraqitur në këtë çështje nga CRJ-ja.
Së dyti, Gjykata çmon se Qeveria nuk ka paraqitur elemente të mjaftueshme për ta vënë në dyshim vërtetësinë e pretendimeve të formuluara në emër të viktimës. Ndonëse duke e pranuar që infektimi me HIV mund të jetë një sëmundje evolutive shumë e rëndë, ajo nuk mund të mos i marrë parasysh ato të dhëna të përpikta e bashkëpërkuese që tregojnë se procesi vendimmarrës lidhur me dhënien e barnave dhe të mjekimeve të duhura Z. Câmpeanu është i njollosur me mangësi serioze (paragrafët 137-138 të mësipërm). Gjithashtu, Qeveria nuk i ka plotësuar as boshllëqet e krijuara si rezultat i mungesës së dokumenteve mjekësore të duhura për të treguar se cila ishte gjendja e Z. Câmpeanu përpara vdekjes së tij e si pasojë e mosdhënies së shpjegimeve përkatëse lidhur me shkakun real të vdekjes së tij.
141. Përveç kësaj, duke e rivendosur situatën personale të Z. Câmpeanu në kontekstin e përgjithshëm, Gjykata vëren se në kohën e ngjarjeve ishin sinjalizuar tashmë disa dhjetëra vdekje të ndodhura në SPM (tetëdhjetë e një më 2003 dhe njëzet e tetë në fillim të vitit 2004); siç e vinte në dukje raporti i KPT-së i vitit 2004, atëherë ishin vërejtur mangësi të rënda lidhur me ushqimin e pacientëve, me mungesën e ngrohjes dhe me kushte jetese në përgjithësi të vështira, mangësi të cilat kishin sjellë si pasojë një përkeqësim në rritje të shëndetit të pacientëve, veçanërisht të atyre që ishin më të brishtë (paragrafi 77 i mësipërm). Kushtet e tmerrshme që mbizotëronin në SPM ishin përshkruar nga organe të ndryshme ndërkombëtare (paragrafi 78 i mësipërm). Autoritetet kombëtare ishin pra plotësisht të informuara rreth situatës shumë të vështirë që mbizotëronte në këtë institucion.
Pavarësisht nga pohimet e Qeverisë se kushtet e jetesës në SPM ishin të kënaqshme (paragrafi 123 i mësipërm), Gjykata shënon se në periudhën përkatëse, përballë raporteve të organeve të ndryshme ndërkombëtare në fjalë, autoritetet kombëtare i kishin pranuar mangësitë e SPM-së lidhur me sistemet e ngrohjes e te furnizimit me ujë, me kushtet e jetesës e të higjienës, si edhe me ndihmën mjekësore (paragrafi 78 i mësipërm).
142. Gjykata vëren se në çështjen Nencheva me të tjerë (të cituar më lart), ajo kishte gjykuar se shteti bullgar nuk i kishte përmbushur detyrimet e tij që rridhnin nga neni 2 me arsyetimin se ai nuk kishte marrë masa të menjëhershme për të garantuar një mbrojtje efektive dhe të mjaftueshme të jetës së të rinjve në një strehë shoqërore. Në atë çështje, ajo kishte marrë parasysh faktin se vdekja e fëmijëve nuk kishte qenë një ngjarje e papritur, meqenëse autoritetet ishin informuar tashmë për kushtet e tmerrshme të jetesës që mbizotëronin brenda asaj strehe dhe për rritjen e përqindjes së vdekshmërisë së regjistruar gjatë muajve që i kishin paraprirë periudhës në fjalë (po aty, §§ 121-123).
143. Gjykata është gjithashtu e mendimit se, në këtë çështje, autoritetet kombëtare kanë kundërvepruar në mënyrë të papërshtatshme përballë situatës në përgjithësi të vështirë që mbizotëronte në atë kohë në SPM. Për mendimin e saj, ato ishin në fakt plotësisht të vetëdijshme për faktin se mungesa e ngrohjes dhe e një ushqimi të përshtatshëm, si edhe mungesa e personelit dhe e mjeteve mjekësore, sidomos e barnave, kishin shkaktuar një rritje të numrit të vdekjeve gjatë dimrit të vitit 2003.
Në këto kushte, për Gjykatën bëhet edhe më e qartë se, duke vendosur që ta sistemonin Z. Câmpeanu në SPM, pavarësisht nga një brishtësi tashmë e shtuar, autoritetet kombëtare e kanë vënë në mënyrë të paarsyeshme jetën e tij në rrezik. Gjykata çmon se mospërmbushja e vazhduar nga personeli mjekësor e detyrimit të tij për t’i dhënë Z. Câmpeanu përkujdesje dhe një trajtim të duhur ka përbërë një faktor tjetër përcaktues në vdekjen e parakohshme të të riut.
144. Konsideratat e mësipërme i mjaftojnë Gjykatës për të dalë në përfundimin se autoritetet kombëtare nuk ia kanë siguruar Z. Câmpeanu nivelin e kërkuar të mbrojtjes së jetës së tij. Ato nuk i kanë përmbushur pra kërkesat materiale të nenit 2 të Konventës.
β) Ana procedurale
145. Gjykata çmon nga ana tjetër se autoritetet jo vetëm që nuk u janë përgjigjur nevojave mjekësore më thelbësore të Z. Câmpeanu kur ai ishte gjallë, por nuk kanë sqaruar gjithashtu as rrethanat e vdekjes së tij, sidomos duke identifikuar personat përgjegjës.
146. Ajo vëren se, në atë kohë, nga raporte të ndryshme të autoriteteve kombëtare u vunë në dukje disa parregullsi procedurale, veçanërisht moskryerja, në kundërshtim me dispozitat e së drejtës së brendshme, e një autopsie menjëherë pas vdekjes së Z. Câmpeanu dhe mungesa e një hetimi efektiv lidhur me metodën terapeutike të zbatuar ndaj të riut (paragrafët 33, 38 e 40 të mësipërm).
Për më tepër, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalafatit vuri në dukje mangësi të rënda procedurale, veçanërisht faktin se nuk ishin mbledhur disa elemente mjekësore thelbësore dhe se nuk ishin sqaruar deklarimet kontradiktore të personelit mjekësor (paragrafi 38 i mësipërm). Ndonëse ky vendim nuk u la në fuqi nga Gjykata e Qarkut, prapëseprapë mangësitë e vërejtura nuk u shqyrtuan ndonjëherë e aq më pak u ndreqën. Në arsyetimin e saj të shkurtër, Gjykata e Qarkut u mbështet kryesisht te vendimi i Urdhrit të Mjekëve dhe te raporti mjekoligjor, të cilët e përjashtonin çdolloj pakujdesie mjekësore në këtë çështje dhe dilnin në përfundimin se pacientit i ishte bërë një trajtim i kënaqshëm mjekësor.
Gjykata i çmon këto përfundime si çuditërisht lakonike, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë – e pranuar – të informacioneve mjekësore që e përshkruanin trajtimin që i ishte bërë Z. Câmpeanu (paragrafi 45 i mësipërm) si edhe situatën objektive të SPM-së në fushën e burimeve njerëzore dhe mjekësore (paragrafët 77-78 të mësipërm).
Gjykata e mban shënim nga ana tjetër pohimin e CRJ-së se hetimet penale të nisura pas 129 vdekjeve në SPM të sinjalizuara ndërmjet viteve 2002 dhe 2004 u mbyllën të gjitha pa u vënë nën akuzë apo deklaruar përgjegjës askush nga pikëpamja civile ose penale.
147. Duke pasur parasysh të gjitha këto elemente, Gjykata është e mendimit se autoritetet nuk ia kanë nënshtruar rastin e Z. Câmpeanu shqyrtimit të kujdesshëm të kërkuar nga neni 2 i Konventës dhe se ato nuk kanë kryer pra një hetim efektiv për rrethanat e vdekjes së tij.
Për rrjedhojë, ajo del në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës gjithashtu edhe në anën e tij procedurale.
b) Neni 13 i bashkuar me nenin 2
i) Parime të përgjithshme
148. Neni 13 i Konventës garanton që në të drejtën e brendshme të ekzistojë një mjet ankimi që jep mundësi për t’i kërkuar brenda saj të drejtat dhe liritë e Konventës ashtu siç mund të jenë ato të sanksionuara aty.
Për pasojë pra, kjo dispozitë kërkon patjetër që të ketë një mjet ankimi të brendshëm i cili i jep instancës kombëtare kompetente fuqi për ta shqyrtuar përmbajtjen e një “ankese të pranueshme” mbi bazën e Konventës dhe për të ofruar zhdëmtimin e duhur, ndonëse shtetet kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për sa i përket mënyrës se si duhet t’u përmbahen detyrimeve që u cakton kjo dispozitë.
Rrezja e veprimit e detyrimit që rrjedh nga neni 13 ndryshon në varësi të natyrës së ankesës që paditësi ka paraqitur mbi bazën e Konventës. Megjithatë, ankimi i kërkuar nga neni 13 duhet të jetë “efektiv” si praktikisht ashtu edhe juridikisht, veçanërisht në kuptimin që ushtrimi i tij nuk duhet të pengohet në mënyrë të papërligjur nga veprime ose mosveprime të autoriteteve të shtetit të paditur (Paul e Audrey Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, §§ 96‑97, GjEDNj 2002‑II).
149. Kur bëhet fjalë për një të drejtë me rëndësi kaq themelore sa e drejta për jetën apo ndalimi i torturës ose i trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, neni 13 kërkon, përveç pagesës së një zhdëmtimi aty ku është e udhës, kryerjen e hetimeve të thelluara dhe efektive të tilla që të çojnë në identifikimin e në dënimin e personave përgjegjës dhe të cilat përfshijnë një qasje efektive të ankuesit në procedurën hetimore. Në ato raste ku autoritetet qortohen për mosmbrojtje personash kundër veprimeve të individëve të veçantë, neni 13 mund të mos e nënkuptojë përherë për autoritetet detyrimin për ta marrë përsipër përgjegjësinë e hetimit rreth pretendimeve. Por nga ana tjetër, viktima ose familja e saj duhet të kenë në dispozicion një mekanizëm i cili e mundëson që të përcaktohet, në rast nevoje, përgjegjësia e nëpunësve ose organeve të shtetit për veprimet ose mosveprimet që përbëjnë shkelje të të drejtave të sanksionuara prej Konventës (Z me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 29392/95, § 109, GjEDNj 2001‑V).
Gjykata është e mendimit se “organi” për të cilin bën fjalë neni 13 mund të mos jetë medoemos, në të gjitha rastet, një institucion gjyqësor në kuptimin e ngushtë. Mirëpo, kompetencat e tij dhe garancitë procedurale që ai paraqet duhet të merren parasysh për të përcaktuar nëse ankimi është efektiv (Klass me të tjerë, i cituar më lart, § 67). Për mendimin e Gjykatës, ankimet gjyqësore ofrojnë për viktimën dhe familjen e saj garanci të forta pavarësie, qasjeje në procedurë dhe zbatimi të vendimeve për zhdëmtim, në përputhje me çka kërkon neni 13 (Z me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, § 110).
ii) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e kësaj çështjeje
150. Siç është vënë në dukje më sipër, neni 13 duhet të interpretohet se i garanton një “ankim efektiv tek një organ i vendit” cilitdo që e quan veten viktimë të një shkeljeje të këtyre të drejtave dhe lirive të cilat rrjedhin nga Konventa. Kërkesa themelore që e shoqëron një ankim të tillë është që viktima të ketë në të qasje në mënyrë efektive.
151. Në çështjen në fjalë, Gjykata ka përcaktuar tashmë se brishtësia e Z. Câmpeanu, e bashkuar me faktin që autoritetet nuk e kanë zbatuar legjislacionin në fuqi dhe as i kanë dhënë të interesuarit një ndihmë të përshtatshme juridike, ishin faktorë të cilët e përforconin themelësinë juridike të vendimit të saj për t’ia njohur CRJ-së, si përjashtim, cilësinë për të vepruar (paragrafi 112 i mësipërm). Pa ndërhyrjen e CRJ-së, rasti i Z. Câmpeanu nuk do të ishte sjellë kurrë në vëmendjen e autoriteteve, qofshin ato kombëtare apo ndërkombëtare.
Gjykata vëren megjithatë se nismat e marra nga CRJ-ja në emër të Z. Câmpeanu më shumë kishin një karakter sui generis sesa hynin në kuadrin juridik ekzistues lidhur me të drejtat e personave të prekur nga një aftësi e kufizuar mendore, sepse ky kuadër nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej nevojave specifike të këtyre personave, dhe në veçanti t’u jepte atyre mundësinë konkrete për të pasur qasje te mjetet e disponueshme të ankimit. Gjykata ka konstatuar në fakt më parë se shteti i paditur e kishte shkelur nenin 3 ose nenin 5 të Konventës për shkak të mungesës së mundësive të duhura të ankimit për personat me aftësi të kufizuar ose për faktin se këta të fundit kishin vetëm një qasje të kufizuar te ankimet e këtij lloji që mund të ekzistonin (C.B. k. Rumanisë, i cituar më lart, §§ 65-67, Parascineti, §§ 34-38, dhe B. k. Rumanisë (nr. 2), § 97, të gjithë të cituar më lart).
152. Mbi bazën e elementeve që i janë parashtruar asaj në këtë çështje, Gjykata e ka shpallur tashmë shtetin e paditur përgjegjës, në vështrim të nenit 2, për mungesën e mbrojtjes së jetës së Z. Câmpeanu gjatë marrjes së tij në ngarkim nga autoritetet mjekësore kombëtare dhe për moskryerjen e një hetimi efektiv lidhur me rrethanat që kanë çuar në vdekjen e tij. Qeveria nuk ka përmendur asnjë procedurë tjetër që mund të lejonte të përcaktohej në mënyrë të pavarur, publike dhe efektive përgjegjësia e autoriteteve.
Gjykata çmon përveç kësaj se mundësitë e paraqitura nga Qeveria sikur dëshmojnë për ekzistencën e ankimeve të përshtatshme në vështrim të nenit 13 (paragrafi 125 i mësipërm) janë ose të pamjaftueshme, ose pa efektivitet, duke pasur parasysh ndikimin e tyre të kufizuar dhe mungesën e garancive procedurale.
153. Duke pasur parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata çmon se shteti i paditur nuk ka krijuar ndonjë mekanizëm të tillë që t’u ofrojë zhdëmtim personave të sëmurë me të meta mendore të cilët e quajnë veten viktima në vështrim të nenit 2 të Konventës.
Më në veçanti, Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të nenit 13 të bashkuar me nenin 2 të Konventës për faktin se shteti nuk ka garantuar dhe vënë në zbatim një kuadër juridik që ta kishte mundësuar shqyrtimin nga një autoritet i pavarur të pretendimeve për shkelje të së drejtës për jetën të Z. Câmpeanu.
c) Neni 3, i marrë në veçanti dhe i bashkuar me nenin 13 të Konventës
154. Duke pasur parasysh konstatimet e formuluara në paragrafët 140 deri 147 të mësipërm si edhe konkluzionin e saj që figuron në paragrafin 153 të mësipërm, Gjykata është e mendimit se nuk shtrohet asnjë pikëpyetje më vete lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 3, të marrë në veçanti ose të bashkuar me nenin 13 (shih, mutatis mutandis, Nikolova e Velitchkova, i cituar më lart, § 78, dhe Timus e Tarus k. Republikës së Moldavisë, nr. 70077/11, § 58, 15 tetor 2013).
II. RRETH SHKELJEVE TË TJERA TË PRETENDUARA TË KONVENTËS
155. CRJ-ja mbron nga ana tjetër mendimin se Z. Câmpeanu ka pësuar në shkelje të të drejtave të tij që rrjedhin nga nenet 5, 8 e 14 të Konventës.
156. Duke pasur megjithatë parasysh faktet e kësaj çështjeje, tezat e palëve dhe konkluzionet e nxjerra në këndvështrimin e neneve 2 e 13 të Konventës, Gjykata çmon se ajo i ka shqyrtuar pikat kryesore juridike që ngrihen në këtë kërkesëpadi dhe se nuk ka përse të merren vendime veç e veç rreth ankesave të tjera (shih, ndër të tjera, Kamil Uzun k. Turqisë, nr. 37410/97, § 64, 10 maj 2007, The Argeş College of Legal Advisers, të cituar më lart, § 47, Women On Waves me të tjerë k. Portugalisë, nr. 31276/05, § 47, 3 shkurt 2009, Velcea e Mazăre k. Rumanisë, nr. 64301/01, § 138, 1 dhjetor 2009, Villa k. Italisë, nr. 19675/06, § 55, 20 prill 2010, Ahmet Yıldırım k. Turqisë, nr. 3111/10, § 72, GjEDNj 2012, dhe Mehmet Hatip Dicle k. Turqisë, nr. 9858/04, § 41, 15 tetor 2013; shih gjithashtu Varnava me të tjerë, të cituar më lart, §§ 210-211).
III. NENET 46 DHE 41 TË KONVENTËS
A. Neni 46 i Konventës
157. Pjesët përkatëse të nenit 46 janë të formuluara kështu:
“1. Palët e Larta Kontraktuese zotohen t’u binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në lidhje me mosmarrëveshjet në të cilat janë palë.
2. Vendimi përfundimtar i Gjykatës i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr zbatimin e tij (...)”
158. Gjykata rikujton se, në bazë të nenit 46 të Konventës, Palët Kontraktuese janë zotuar t’u binden vendimeve të formës së prerë të Gjykatës në mosmarrëveshjet ku ato janë palë, ndërkohë që Komiteti i Ministrave është i ngarkuar për të mbikëqyrur ekzekutimin e tyre. Nga kjo rrjedh në veçanti se shtetit të paditur e të njohur si përgjegjës për një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj i kërkohet jo vetëm që t’u paguajë të interesuarve shumat e caktuara si shpërblim i drejtë, por edhe që të zgjedhë, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose, nëse është rasti, individuale që duhet të merren brenda rendit të tij të brendshëm juridik, me qëllim për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga Gjykata dhe për t’i fshirë sa të jetë e mundur pasojat e saj (Scozzari e Giunta k. Italisë [DhM], nr. 39221/98 e nr. 41963/98, § 249, GjEDNj 2000‑VIII, dhe Stanev, i cituar më lart, § 254). Gjykata rikujton gjithashtu se i takon në radhë të parë shtetit në fjalë që, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, t’i zgjedhë mjetet që duhet të përdoren brenda rendit të tij të brendshëm juridik për ta përmbushur detyrimin e tij në vështrim të nenit 46 të Konventës (Scozzari e Giunta, i cituar më lart, dhe Brumărescu k. Rumanisë (shpërblim i drejtë) [DhM], nr. 28342/95, § 20, GjEDNj 2001‑I).
159. Megjithatë, për ta ndihmuar shtetin e paditur që t’i përmbushë detyrimet e tij në bazë të nenit 46, Gjykata mund të kërkojë që t’i tregojë atij llojin e masave, individuale dhe/ose të përgjithshme, që ai do të mund të merrte për t’i dhënë fund situatës së konstatuar (shih, ndër shumë të tjera, Vlad me të tjerë k. Rumanisë, nr. 40756/06, 41508/07 dh 50806/07, § 162, 26 nëntor 2013).
160. Në çështjen në fjalë, Gjykata rikujton se, meqenëse autoritetet nuk kishin emëruar as kujdestar ligjor, as ndonjë përfaqësues tjetër, asnjë trajtë tjetër përfaqësimi nuk ishte e mundshme dhe as ishte krijuar për ta mbrojtur Z. Câmpeanu ose për t’u paraqitur vërejtje në emër të tij autoriteteve spitalore, juridiksioneve kombëtare apo Gjykatës (paragrafi 111 i mësipërm). Duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme që e kanë detyruar atë për ta lejuar CRJ-në që të vepronte në emër të të riut (konkluzion i formuluar në paragrafin 112 të mësipërm), Gjykata ka konstatuar gjithashtu një shkelje të nenit 13 të bashkuar me nenin 2 me arsyetimin se shteti nuk kishte garantuar e krijuar një kuadër juridik që ta kishte mundësuar shqyrtimin e ankesave të Z. Câmpeanu nga një autoritet i pavarur (paragrafët 150 deri 153 të mësipërm; shih gjithashtu paragrafin 154 lidhur me ankesat e bëra në bazë të nenit 3, të marrë veçmas e të bashkuar me nenin 13). Kështu, faktet e rrethanat që e kanë bërë Gjykatën të konstatonte një shkelje të neneve 2 dhe 13 zbulojnë ekzistencën e një problemi më të gjerë i cili i kërkon asaj që t’i tregojë disa masa të përgjithshme për ekzekutimin e vendimit të vet.
161. Në këtë kontekst, Gjykata i rekomandon shtetit të paditur t’i marrë parasysh masat e përgjithshme të cilat nevojiten në mënyrë që personat e sëmurë me aftësi të kufizuar mendore dhe të cilët ndodhen në një situatë të krahasueshme me atë të Z. Câmpeanu të përfitojnë një përfaqësim të pavarur e në gjendje për t’ua mundësuar që ankesat e tyre të bëra mbi bazën e Konventës lidhur me shëndetin e vet dhe me trajtimin që u bëhet të shqyrtohen nga një gjykatë ose një organ tjetër i pavarur (shih, mutatis mutandis, paragrafin 113 të mësipërm dhe Stanev, të cituar më lart, § 258).
B. Neni 41 i Konventës
162. Në bazë të nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
1. Dëmi
163. CRJ-ja nuk ka paraqitur pretendime për dëmin material ose për dëmin moral
2. Kosto dhe shpenzime
164. CRJ kërkon 11 455,25 euro (EUR) për kostot dhe shpenzimet e paguara pranë gjykatave të brendshme për hetimet rreth SPM-së, pastaj pranë Gjykatës; Interights, që e ka këshilluar CRJ-në, kërkon 25 800 EUR për kostot dhe shpenzimet e paguara pranë Dhomës, shumë kjo që përkon me 215 orë pune, dhe një shtesë prej 14 564 EUR për procedurën para Dhomës së Madhe, shumë kjo që përkon me 111 orë pune. Një pasqyrë e këtyre shpenzimeve është paraqitur e ndarë sipas zërave.
165. Qeveria çmon se nuk janë paraqitur dokumente justifikuese për të gjitha kostot e shpenzimet e pretenduara, se këto të fundit nuk janë përcaktuar me hollësi të mjaftueshme dhe se ato janë gjithsesi të tepruara.
166. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditës mund ta fitojë shlyerjen e kostove dhe të shpenzimeve të tij vetëm në atë masë sa provohen vërtetësia e nevoja e tyre, si edhe karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre. Në çështjen në fjalë, Gjykata është e bindur se vendimi i CRJ-së për të kërkuar pjesëmarrjen e Interights-it në procedurë, siç është vënë në dukje më sipër, ishte i përligjur (shih, për shembull, Yaşa k. Turqisë, 2 shtator 1998, § 127, Recueil 1998‑VI, dhe Menteş me të tjerë k. Turqisë, 28 nëntor 1997, § 107, Recueil 1997‑VIII). Duke pasur parasysh dokumentet që ka në zotërim të saj, numrin e natyrën e ndërlikuar të pikave faktike dhe juridike të trajtuara si edhe kriteret e sipërpërmendura, Gjykata e gjykon të arsyeshme që t’i caktojë 10 000 EUR CRJ-së dhe 25 000 EUR Interights-it.
3. Kamatëvonesat
167. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. I shpall, njëzëri, të pranueshme ankesat e bëra mbi bazën e neneve 2, 3 dhe 13 të Konventës;
2. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës, si në anën e tij materiale ashtu edhe në anën e tij procedurale;
3. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të bashkuar me nenin 2 të Konventës;
4. Thotë, me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër, se nuk ka përse të shqyrtohet ankesa e bërë në bazë të nenit 3 të Konventës, të marrë veçmas ose të bashkuar me nenin 13 të Konventës;
5. Thotë, njëzëri, se nuk ka përse të shqyrtohet pranueshmëria e themelësia e ankesave të bëra në bazë të neneve 5 dhe 8 të Konventës;
6. Thotë, me pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër, se nuk ka përse të shqyrtohet pranueshmëria e themelësia e ankesave të bëra në bazë të nenit 14 të Konventës;
7. Thotë, njëzëri,
a) se shteti i paditur duhet të paguajë, brenda tre muajsh, për kosto dhe shpenzime, shumat e mëposhtme, të cilat duhet të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur me kursin e zbatueshëm në datën e shlyerjes, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim ose taksë mbi këto shuma:
i. 10 000 EUR (dhjetë mijë euro) CRJ-së dhe
ii. 25 000 EUR (njëzet e pesë mijë euro) Interights-it;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur prej tre muajsh e deri në pagesën e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
8. Rrëzon, njëzëri, kërkesën për çdo shtesë si shpërblim i drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 17 korrik 2014.
Michael O’BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendimi pajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque;
– mendimi pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Spielmann, Bianku dhe Nußberger;
– mendimi pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Ziemele dhe Bianku.
D.S.
M.O.B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright i mësipërm ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy