© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 176
Korrik 2014
Qendra e Burimeve Juridike k. Rumanisë [DhM] - 47848/08
Vendim 17.7.2014 [DhM]
Neni 34
Locus standi
Cilësia e një organizate joqeveritare për të paraqitur një kërkesëpadi në emër të një personi me aftësi të kufizuar mendore të vdekur
Neni 2
Detyrime pozitive
Mungesë mjekimesh të duhura për një person me aftësi të kufizuar mendore dhe seropozitiv: shkelje
Neni 46
Neni 46-2
Ekzekutimi i vendimit
Masa të përgjithshme
Shteti i paditur i detyruar për të marrë masa të përgjithshme në mënyrë që personat e prekur nga një aftësi e kufizuar mendore të përfitojnë një përfaqësim të pavarur
Faktet – Kërkesëpadia është paraqitur nga Qendra e Burimeve Juridike (CRJ), organizatë joqeveritare, në emër të një të riu rom, Z. Câmpeanu, i cili ka vdekur më 2004 në moshën 18 vjeç. I braktisur nga e ëma që në lindje, ky i fundit ishte vendosur në një jetimore. Ndërkohë që ai ishte ende një fëmijë i vogël, mjekët kishin zbuluar se ishte seropozitiv dhe i sëmurë me të meta të rënda mendore. Pasi mbërriti moshën madhore, atij iu desh të largohej nga qendra për fëmijë me aftësi të kufizuar ku qëndronte dhe u bë objekt i një vargu ekzaminimesh me qëllim të vendosjes së tij në një institucion të specializuar. Meqenëse një numër i caktuar qendrash refuzuan ta merrnin për arsye të gjendjes së tij shëndetësore, ai u pranua më në fund në një qendër mjekoshoqërore, ku u konstatua se ai ndodhej në një stad të përparuar rënieje psikiatrike dhe fizike, nuk kishte barna antiretroviralë dhe vuante nga kequshqyerja. Disa ditë më vonë, pasi kishte paraqitur një sjellje hiperagresive, i riu u shtrua në një spital psikiatrik, i cili kishte vënë më parë në dukje se nuk ishte i pajisur për t’i mjekuar pacientët seropozitivë. Në këtë institucion, ai u vu re nga një ekip vëzhguesish të CRJ-së. Ky i fundit raportoi se e kishte gjetur atë të vetmuar në një dhomë pa ngrohje, të pajisur me një shtrat pa çarçafë e batanije, dhe se ai ishte i veshur vetëm me një xhaketë pizhamesh. Ndonëse ai nuk ishte në gjendje të ushqehej ose të shkonte në tualet pa e ndihmuar kush, personeli i spitalit nuk pranonte që ta ndihmonte, nga frika se mos i ngjitej HIV-i. Meqenëse i refuzonte ushqimin dhe barnat, ai ushqehej vetëm me perfuzion glukoze. Vëzhguesit e CRJ-së dolën në përfundimin se spitali nuk i kishte dhënë të riut as trajtimin e mjekimet më elementare. M. Câmpeanu vdiq po atë ditë, në mbrëmje.
Sipas një raporti të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve ose Trajtimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese (KPT) të vitit 2004, gjatë dimrave të viteve 2003 e 2004, brenda spitalit psikiatrik në fjalë kanë vdekur në rrethana të dyshimta 109 pacientë. Shkaqet kryesore të vdekjeve ishin ndalimi i zemrës, infarkti i miokardit dhe bronkopneumonia. Mosha mesatare e pacientëve të vdekur ishte 56 vjeç dhe disa prej tyre ishin nën 40 vjeç. KPT-ja vërente se disa prej këtyre pacientëve nuk kishin përfituar përkujdesje të mjaftueshme. Ai vinte në dukje gjithashtu një varfëri mjetesh njerëzore dhe materiale në spital, si edhe mangësi lidhur me vlerën cilësore e sasiore të ushqimeve dhe mungesën e ngrohjes.
Ligji – Neni 34: Gjykata e rrëzon prapësimin paraprak të Qeverisë sipas të cilit CRJ-ja nuk ka cilësi për ta paraqitur kërkesëpadinë. Ajo e pranon që CRJ-ja nuk mund të konsiderohet si viktimë e shkeljeve të pretenduara të Konventës; në fakt, Z. Câmpeanu ka qenë në mënyrë të pamohueshme viktima e drejtpërdrejtë, ndërsa CRJ-ja nuk e ka provuar ekzistencën e një “lidhjeje [mjaft] të ngushtë” me të riun as e ka vërtetuar atë të ndonjë “interesi vetjak” për t’i mbrojtur ankesat në fjalë para Gjykatës në mënyrë që të konsiderohet si një viktimë e tërthortë. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të kësaj çështjeje dhe seriozitetin e pretendimeve të formuluara, CRJ-së duhet t’i njihet zotësia për të vepruar në cilësi përfaqësueseje të Z. Câmpeanu, sado që ajo nuk ka marrë prokurë për të vepruar në emër të të riut dhe ky i fundit ka vdekur përpara paraqitjes së kërkesëpadisë.
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje se çështja ka të bëjë me një të ri rom tejet të cenueshëm, të sëmurë me të meta të rënda mendore dhe të infektuar me HIV, i cili u mor në ngarkim nga autoritetet publike përgjatë gjithë jetës së tij dhe vdiq në spital. Vdekja e tij mund të ketë ardhur për shkak pakujdesish. Duke pasur parasysh brishtësinë e tij të skajshme, ai nuk ishte në gjendje që të niste vetë një procedurë pranë juridiksioneve të brendshme pa mbështetje dhe këshilla juridike të përshtatshme. Në momentin e vdekjes së tij, ai nuk kishte të afërm të njohur. Pas vdekjes së tij, CRJ-ja nisi disa procedura të brendshme me qëllim për të sqaruar rrethanat e kësaj të fundit. Gjykata i kushton një rëndësi të konsiderueshme faktit që as zotësia e CRJ-së për të vepruar për Z. Câmpeanu, as vërejtjet e saj të paraqitura në emër të tij pranë autoriteteve të brendshme mjekësore dhe gjyqësore nuk janë vënë në pikëpyetje ose kundërshtuar në asnjë mënyrë. Shteti nuk kishte ngarkuar as ndonjë person kompetent, as ndonjë kujdestar për t’u kujdesur për interesat e tij, me gjithë detyrimin ligjor që e parashikonte një masë të tillë. CRJ-ja ka ndërhyrë vetëm pak përpara vdekjes së të riut, ndërkohë që ky i fundit ishte haptazi i paaftë të shprehte çfarëdo dëshire ose mendimi rreth nevojave e interesave të tij personale dhe, a fortiori, rreth volisë për të ushtruar ndonjë të drejtë ankimi. Të dilet në përfundimin se CRJ-ja nuk mund ta përfaqësonte Z. Câmpeanu në ato kushte do të nënkuptonte një rrezik që shteti i paditur të lihet t’i shpëtojë përgjegjësisë përmes vetë efektit të moscaktimit nga ana e tij të një përfaqësuesi ligjor, me gjithë detyrimet që i takonin. Për më tepër, t’i njohësh CRJ-së cilësinë për të vepruar si përfaqësuese e Z. Câmpeanu, kjo është një qasje e cila përputhet me atë që Gjykata zbaton për të drejtën për një kontroll gjyqësor të parashikuar në nenin 5 § 4 të Konventës në rastin e “të sëmurëve mendorë” (neni 5 § 1 e)). Në këtë kontekst, duhet që i interesuari të ketë qasje te një gjykatë dhe të ketë rastin për t’u dëgjuar personalisht ose, në rast nevoje, nëpërmjet një trajte të caktuar përfaqësimi. Për rrjedhojë, CRJ-ja e ka cilësinë e përfaqësueses de facto të Z. Câmpeanu.
Përfundimi: rrëzim i kërkesës për prapësim paraprak (njëzëri).
Neni 2: Vendimet lidhur me sistemimet e Z. Câmpeanu janë marrë në thelb në varësi të pëlqimit ose jo nga ana e institucioneve për ta pranuar pacientin dhe jo të aftësisë së tyre për t’i dhënë atij mbështetje e mjekime të përshtatshme. Kështu, Z. Câmpeanu është vendosur fillimisht në një qendër mjekoshoqërore e cila nuk ishte e pajisur për t’u marrë me pacientë që vuanin nga çrregullime mendore dhe është shtruar më në fund në një spital psikiatrik, ndonëse ky i fundit kishte refuzuar më parë që ta pranonte atë me arsyetimin se nuk i kishte mjetet e nevojshme për të mjekuar pacientët e sëmurë me HIV. I riu është transferuar nga një strukturë te tjetra pa diagnozën e pa ndjekjen e duhur dhe në shpërfillje të plotë të gjendjes së tij shëndetësore reale dhe të nevojave të tij mjekësore më thelbësore. Është e udhës të shënohet në veçanti pakujdesia që kanë treguar autoritetet duke mos u kujdesur që ai të merrte antiretroviralë. Trajtimi i bërë për të riun ka qenë në thelb që atij i jepeshin sedativë e vitamina dhe asnjë shqyrtim serioz nuk është kryer me qëllim që të përcaktoheshin shkaqet e gjendjes së tij mendore, veçanërisht të agresivitetit të tij të papritur.
Gjykata nënvizon se Z. Câmpeanu e ka kaluar të gjithë jetën e tij në duart e autoriteteve, mbi të cilat rëndon kështu detyrimi për të dhënë llogari rreth trajtimit të tij. Autoritetet ishin të informuara për kushtet e tmerrshme që mbizotëronin në spitalin psikiatrik, ku mungesa e ngrohjes dhe e një ushqimi të përshtatshëm si edhe pamjaftueshmëria e personelit mjekësor dhe e barnave kishin shkaktuar një rritje të numrit të vdekjeve gjatë dimrit të vitit 2003. Kundërveprimi i tyre ka qenë gjithsesi i papërshtatshëm. Duke vendosur ta sistemonin Z. Câmpeanu në atë spital, pavarësisht nga një brishtësi tashmë e shtuar, ato e kanë vënë në mënyrë të paarsyeshme jetën e tij në rrezik. Përveç kësaj, mospërmbushja e vazhduar nga personeli mjekësor e detyrimit të vet për t’i dhënë atij mjekime dhe një trajtim të përshtatshëm ka përbërë një faktor tjetër përcaktues në vdekjen e parakohshme të të riut. Me një fjalë, autoritetet nuk i kanë siguruar Z. Câmpeanu nivelin e kërkuar të mbrojtjes së jetës së tij.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Gjykata del gjithashtu, njëzëri, në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 2 në anën e tij procedurale, duke qenë e mendimit se autoritetet nuk kanë kryer një hetim efektiv mbi rrethanat e vdekjes, dhe se ka pasur shkelje të nenit 13 të bashkuar me nenin 2 për faktin se shteti nuk ka garantuar e krijuar një kuadër juridik që ta mundësonte shqyrtimin nga një autoritet i pavarur të pretendimeve për shkelje të së drejtës së Z. Câmpeanu për jetën.
Neni 46: Gjykata i rekomandon Rumanisë që të marrë parasysh disa masa të përgjithshme në mënyrë që personat e prekur nga një aftësi e kufizuar mendore dhe të cilët ndodhen në një situatë të krahasueshme të përfitojnë një përfaqësim të pavarur e në gjendje për t’ua mundësuar që ankesat e tyre të bëra mbi bazën e Konventës lidhur me shëndetin e vet dhe me trajtimin që u bëhet të shqyrtohen nga një gjykatë ose një organ tjetër i pavarur.
Neni 41: asnjë kërkesë e formuluar për dëm.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy