CHOWDURY DHE TË TJERË kundër GREQISË
(kërkesa nr. 21884/15)
30 mars 2017
shkelje e detyrimit të Shtetit për të parandaluar, hetuar dhe dënuar personat përgjegjës për trafikimin e qënieve njerëzore
I .Faktet kryesore
1. Kërkuesit, 42 shtetas nga Bangladeshi që jetojnë në Greqi, kishin punuar si mbledhës luleshtrydhës në një fermë në Manolada nga tetorit i vitit 2012 deri në shkurt të vitit 2013, pa pasur leje pune, Për punën e bërë atyre u ishte premtuar një rrogë prej 22 € për shtatë orë punë dhe 3 € për çdo orë shtesë mbi orarin e punës. Ata punonin çdo ditë nga ora 7:00 deri në orën 19:00 nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur. Punëdhënësit e tyre i kishin kërcënuar se do të paguheshin vetëm nëse vazhdonin të punonin. Kërkuesit jetonin në kasolle të improvizuara pa tualete e ujë të rrjedhshëm.
2. Në shkurt 2013, mars 2013 dhe prill 2013 punëtorët zhvilluan greva duke kërkuar të paguheshin për punën e bërë, por pa sukses. Më 17 prill 2013 punëdhënësit rekrutuan më shumë emigrantë nga Bangladeshi. Duke qënë të frikësuar për mos marrjen e pagave, 100-150 punëtorë të sezonit të vjeljes së luleshtrydheve 2012-2013 tentuan tu afroheshin dy punëdhënësve për të kërkuar pagat e tyre. Një nga rojet hapi zjarr në drejtim të tyre duke plagosur rëndë 30 punëtorë, ku përfshihesin dhe 21 prej kërkuesve. Të plagosurit u dërguan në spital dhe u morën në pyetje nga policia.
3. Dy punëdhënësit, së bashku me rojen i cili kishte hapur zjarr dhe një rojë tjetër të armatosur, u arrestuan dhe u gjykuan për veprën penale të tentativës për vrasje - më pas u riklasifikua si dëmtime të rënda trupore - dhe për trafikim të qenieve njerëzore. Me një vendim të datës 30 korrik 2014, gjykata rrëzoi akuzat ndaj tyre për trafikimin e qenieve njerëzore dhe dënoi rojën e armatosur dhe një nga punëdhënësit për dëmtime të rënda trupore dhe përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit. Dënimet e tyre me burgosje u zëvendësuan më dënime me gjobë. Gjithashtu, ata u urdhëruan t’u paguanin 35 punëtorëve, të cilët ishin njohur si viktima, 1.500 euro, pra 43 € secilit prej tyre. Dy të dënuarit apeluan kundër këtij vendimi. Në kohën e vendimit të Gjykatës, ankesa e tyre ishte në pritje dhe kishte efekt pezullues.
4. Më 21 tetor 2014 punëtorët kërkuan nga prokurori pranë Gjykatës së Kasacionit të apelonte vendimin e gjykatës , duke argumentuar se akuzat për trafikimin e qenieve njerëzore nuk ishin shqyrtuar siç duhej. Kjo kërkesë u hodh poshtë dhe pjesa e vendimit të gjykatës asiz që rrëzonte akuzat për trafikimin e qenieve njerëzore mori formë të prerë.
II. Vendimi i Gjykatës
5. Kërkuesit pretenduan, duke u mbështetur në nenin 4 (2) të Konventës, se kishin kryer punë të detyruar. Gjithashtu, ata pretenduan se Shteti kishte detyrimin të parandalonte trafikimin e tyre, duke miratuar masa parandaluese dhe të ndëshkonte punëdhënësit.
A. Në lidhje me nenin 4
6. Gjykata bëri dallimin ndërmjet robërimit dhe punës së detyruar. Ajo vërejti se gjykatat kombëtare e kishin barazuar në mënyrë efektive konceptin e trafikimit me robërimin; një koncept që kërkon që viktima të ndiejë se gjendja e tij është e përhershme. Ky nuk mund të konsiderohet rasti i kërkuesve, pasi ata ishin punëtorë sezonalë. Megjithatë, faktet në fjalë, dhe në veçanti kushtet e punës së kërkuesve, çonin në konstatimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të punës së detyruar të përcaktuar në nenin 3a të "Protokollit të Palermos" dhe nenin 4 të Konventës së Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ku parashikohet se shfrytëzimi përmes punës është një aspekt i trafikimit njerëzor. Gjykata riafirmoi se puna e detyruar nënkuptonte kufizime, qoftë fizike apo morale. Gjithashtu, e rëndësishme për Gjykatën në konstatimin nëse kishin të bënin me trafikim të qenieve njerëzore dhe punë të detyruar, ishte natyra e punës dhe intensiteti i saj.
7. Gjykata më pas shqyrtoi detyrimet e Shtetit sipas nenit 4 (2) dhe vuri në dukje se ato kishin detyrimin të miratonin një kuadër ligjor dhe administrativ që ndalonte dhe dënonte punën me dhunë ose të detyruar, robërimin apo skllavërimin. Lidhur me këtë, Gjykata vuri në dukje se Greqia kishte ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në vitin 2014. Më tej, Gjykata konkludoi se, në mënyrë që për Shtetin të lindte një detyrim pozitiv, siç është detyrimi për të hetuar, shteti duhet të ketë qenë i vetëdijshëm për rrethanat që mund të çonin drejt përfundimit se kishte njerëz që i nënshtroheshin trajtimit të ndaluar. Në rastin në fjalë, Gjykata vërejti se Shteti ishte njoftuar, edhe para ngjarjeve të 17 prillit 2013, për situatën në plantacione e luleshtrydheve në Manolada nga raporte dhe artikuj të shtypit. Debate kishte pasur edhe në Parlament, ku tre ministra urdhëruan inspektime dhe hartimin e akteve ligjore që synonin përmirësimin e situatës së migrantëve. Edhe Zyra e Ombudsmanit kishte paralajmëruar disa ministra dhe organe shtetërore, por nuk u arritën rezultate të prekshme deri në vitin 2013. Për më tepër, punonjësit e stacionit të policisë të Amaliada duket se ishin në dijeni për mos pagimin e punëtorëve nga punëdhënësit e plantacioneve të luleshtrydhes, pasi një oficer i policisë kishte pranuar gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë , se punonjësit e fermës ishin ankuar për këtë situatë. Kështu, Gjykata vërejti se masat operacionale të marra nga autoritetet nuk kishin qenë të mjaftueshme për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të mbrojtur kërkuesit nga trajtimi të cilit u ishin nënshtruar.
8. Për të shqyrtuar efektivitetin e hetimit dhe procedurat gjyqësore të ndërmarra, pra për të parë nëse Shteti kishte përmbushur detyrimin e tij sipas nenit 4, Gjykata i ndau kërkuesit në dy grupe, ata që kishin marrë pjesë në procedurat para gjykatës kompetente dhe ata të cilët nuk kishin marre pjese. Lidhur me këta të fundit, Gjykata vuri në dukje se ata kishin paraqitur një ankesë më 8 maj 2013 duke pretenduar se ishin punësuar në fermën që i përkiste T.A. dhe N.V në kushtet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të punës së detyruar. Ankesa e tyre ishte hedhur poshtë pasi prokurori vërejti që nëse vërtetë ata do të kishin qënë viktima, do ta kishin raportuar ngjarjen më 17 prill 2013, në vend që të prisnin deri më 8 maj 2013. Gjykata u shpreh se duke mos verifikuar vërtetësinë e akuzave, prokurori nuk kishte respektuar detyrimin e tij për të kryer një hetim. Neni 13 i Konventës së Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore parashikonte një "periudhë rikuperimi dhe reflektimi" prej së paku 30 ditësh, në mënyrë që personi në fjalë të mund ta rimerrte veten nga situata e krijuar, t’i shpëtonte ndikimit të trafikantëve dhe të merrte një vendim pasi të ishte mirë informuar për të bashkëpunuar me autoritetet kompetente. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 4 (2) të Konventës në lidhje me detyrimin procedural për të kryer një hetim efektiv.
9. Për sa i përket kërkuesve të cilët kishin marrë pjesë në procedurat para gjykatës kompetente, Gjykata vuri në dukje se gjykata kombëtare e kishte liruar të pandehurit nga akuzat për trafikim, pasi lëvizja e punëtorëve nuk ishte e kufizuar. Sidoqoftë, kufizimi i lëvizjes nuk është një kushti i vetëm që të jemi në kushtet e punës së detyruar apo trafikim njerëzor. Në çdo rast, Gjykata vërejti se kërkuesit nuk kishin leje pune apo leje qëndrimi në Greqi dhe për rrjedhojë çdo përpjekje për të lënë punën mund të sillte rrezikun e dëbimit. Për më tepër, duke qenë se nuk ishin paguar nuk mund ta linin punën për shkak të pamundësisë financiare.
10. Për më tepër, dënimi me burgim i të pandehurve për lëndime të rënda trupore ishte konvertuar në një dënim financiar prej 5 € për cdo ditë me burgim. Gjykata kishte urdhëruar T.A. dhe një nga rojet e armatosura për të paguar të dy 1,500 €, ose 43 € për cdo punonjës të dëmtuar. Megjithatë, neni 15 i Konventës së Këshillit të Evropës mbi Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore kërkonte që Shtetet Kontraktuese, përfshirë Greqinë, të garantonin të drejtën e viktimave për t’u kompensuar nga personat që kanë kryer veprën penale ndaj tyre dhe, ndër të tjera, për të krijuar një fond kompensimi për viktimat.
Kështu, Gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje të nenit 4 (2) të Konventës në lidhje me detyrimin procedural të Shtetit për të kryer një hetim efektiv mbi gjendjen e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të punës së detyruar të pretenduar nga kërkuesit dhe për të garantuar procedura efektive gjyqësore.
B. Në lidhje me nenin 41
11. Gjykata vendosi se Greqia duhet t’i paguante secilit prej kërkuesve, të cilët kishin marrë pjesë në procedurat para gjykatës kompetente 16,000 € dhe 12,000 € kërkuesve të tjerë në lidhje me të gjitha dëmet e pësuara, si dhe 4,363.64 € për të gjithë kërkuesit në lidhje me kostot dhe shpenzimeve.
Full & Egal Universal Law Academy