© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2016. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2016. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2016. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇSHTJA CHITOS kundër GREQISË
(Kërkesë no 51637/12)
VENDIM
STRAZBURG
4 qershor 2015
PËRFUNDIMTAR
19/10/2015
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në çështjen Chitos kundër Greqisë,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i parë), që u mblodh në një dhomë të përbërë nga:
Isabelle Berro, kryetare,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Julia Laffranque,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse, gjyqtarë,
dhe nga Søren Nielsen, sekretar i seksionit,
Pasi kanë diskutuar në dhomën e këshillit në 12 maj 2015,
dha vendimin e mëposhtëm, të miratuar në këtë datë :
PROCEDURA
1. Kjo çështje nis me një kërkesë (no 51637/12) drejtuar kundër Republikës greke kur një qytetar i këtij shteti, Z. Georgios Chitos (« kërkuesi »), i është drejtuar Gjykatës në 31 korrik 2012 sipas nenit 34 të Konventës së të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi është përfaqësuar nga avokati K. Giannakopoulos, avokat në Athinë. Qeveria greke (« Qeveria ») është përfaqësuar nga të deleguarit e agjentit të tij, zonjat F. Dedousi dhe K. Nasopoulou, asistente pranë Këshillit juridik të shtetit dhe Znj. V. Stroubouli, asistente pranë Këshillit juridik të shtetit.
3. Kërkuesi ankohet për shkelje të nenit 4 § 2 të Konventës, të marë veç mas dhe të kombinuar me nenin 14 të Konventës.
4. Në 27 shtator 2013, kërkesa i është përcjellë Qeverisë.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në në 1968 dhe banon në Selanik.
6. Në 15 shtator 1986, u pranua në Shkollën ushtarake të oficerëve të trupave të ushtrisë (seksioni mjekësor). Ai merrte një pagë si dhe përfitime shoqërore. Ai ndiqte falas formimin akademik të mjekëve të shërbimit shëndetësor, me një kohëzgjatje prej gjashtë vjetësh, në fakultetin e mjekësisë së Universitetit të Selanikut.
7. Në 3 qershor 1993, në përfundim të studimeve, ai u emërua mjek toger i trupave ushtarake tokësore.
8. Sipas nenit 64 § 1 të dekret-ligjit no 1400/1973 lidhur me statusin e oficerëve të forcave të armatosura, që ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve, kërkuesi ishte futur në shërbimin e forcave të armatosura për një periudhë tri herë më të gjatë se studimet e tij në shkollën ushtarake, ose ndryshe prej tetëmbëdhjetë vjetësh. Kjo dispozitë u ndryshua nga neni 1 i ligjit no 3257/2004 dhe periudha në fjalë u reduktua në dyfishin e kohëzgjatjes së studimeve, d.m.th. në dymbëdhjetë vjet.
9. Në 18 janar 1996, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë organizoi një konkurs për të marrë në punë specialistë. Mjekët ushtarakë, të tillë si kërkuesi, u ftuan të marrin pjesë në këtë konkurs me qëllim që të fitonin një specialitet. Kërkuesi u punësua sërish në spitalin e përgjithshëm ushtarak të Selanikut, ku nga 26 korrik 1996 deri në 30 korrik 1997, kreu funksione si mjek stazhier. Më pas, nga 30 korriku 1997 deri në 27 korrik 2001, ai u punësua, duke tejkaluar numrin e parashikuar të personelit (në bazë të nenit 8 të ligjit no123/1975), në spitalin e përgjithshëm rajonal Papanikolaou të Selanikut, si mjek stazhier me pagesë që do të specializohej në anesteziologji.
10. Pasi përfundoi këtë specializim për një periudhë prej pesë vjetësh afërsisht, gjatë së cilës ai merrte pagën si oficer, kërkuesi në pajtueshmëri me nenin 64 § 7 të dekret-ligjit no 1400/1973, u fut në shërbim të ushtrisë edhe për pesë vjet shtesë. Në pajtueshmëri me nenin 67 § 10 të dekret-ligjit të lartcituar u hartua një deklaratë personale.
11. Kërkuesi shërbeu në ushtri deri në 22 janar 2006, datë në të cilën ai dha dorëheqjen, në moshën 37 vjet, me gradën mjek kolonel anestezist.
12. Me një akt të 12 shtatorit 2006, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë tokësore e informoi kërkuesin se, sipas nenit 64 të dekretit no 1400/1973, ai duhej ose të shërbente në ushtri për një periudhë shtesë prej nëntë vjetë katër muaj dhe dymbëdhjetë ditë, ose t’i paguante një dëmshpërblim shtetit, që mund të llogaritej në bazë të periudhës që i mbetej për të shërbyer.
13. Me një vendim të 26 majit 2007, shërbimi kontabël i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë tokësore llogariti shumën e këtij dëmshpërblimi në 106 960 euro (EUR). Vendimi saktësonte se kërkuesi mund të paraqiste para Gjykatës së llogarive një ankesë që nuk mund të kishte veprim pezullues përsa i përkiste procedurës së pagesës.
14. Në 25 qershor 2007, kërkuesi paraqeti para dhomës V të Gjykatës së llogarive një ankesë për anulim të aktit të 12 shtatorit 2006. Ai pretendonte se neni 64 i dekretit no 1400/1973 binte ndesh me nenin 22 § 4 të Kushtetutës (ndalim i çdo lloj pune të detyruar) dhe me nenin 4 § 2 të Konvetës, të marrë veçmas dhe të kombinuar me nenin 14 të saj. Në 27 qershor 2007, kërkuesi depozitoi gjithashtu një kërkesë për pezullim të ekzekutimit të vendimit të 26 majit 2007 të përmendur më lart.
15. Në 5 korrik 2007, një kryetar i dhomës së Gjykatës së llogarive nxorri një urdhër të përkohshëm me anë të të cilit pezullonte vendimin e 26 majit 2007. Në 29 nëntor 2007, dhoma V e Gjykatës së llogarive konfirmoi pezullimin e ekzekutimit që ishte kërkuar.
16. Me vendimin no 175/2009 të 13 shkurtit 2009, dhoma V e Gjykatës së llogarive e rrëzoi ankesën për anulim të kërkuesit si të pabazuar. Ajo çmoi veçanërisht se dëmshpërblimi që duhej të paguante kërkuesi nuk përbënte një kërcënim për sanksion, merrte parasysh parimin e proporcionalitetit, ishte llogaritur në mënyrë objektive dhe kishte për qëllim t’i kthente shtetit shpenzimet që ky i fundit kishte bërë për të formuar ushtarë profesionistë të cilëve madje u jepte një pagë gjatë gjithë stadeve të formimit të tyre dhe të marrjes së një specializimi.
17. Në 3 mars 2009, kërkuesi paraqiti një rekurs në Gjykatën e kasacionit kundër këtij vendimi para seancës plenare të Gjykatës së llogarive.
18. Në 17 mars 2009, kryetari i seancës plenare të Gjykatës së llogarive lëshoi një urdhër me anë të të cilit pezullonte ekzekutimin e vendimit të lartpërmendur. Paralelisht, në 18 mars pastaj në 9 prill 2009, qendra e taksave në Selanik e urdhëroi kërkuesin të paguante shumën 106 960 EUR, shtuar me shumën e një pulle fiskale prej 2 139,20 EUR dhe një shumë prej 427,84 EUR në dobi të organizmit të sigurimeve bujqësore.
19. Në 21 tetor 2009, seanca plenare e Gjykatës së llogarive konfirmoi pezullimin e kërkuar të ekzekutimit.
20. Në 10 maj 2010, drejtoria e taksave të ministrisë së Financave informoi kërkuesin se, për shkak të mospagesës gjatë vitit të shkuar të shumës së caktuar me vendim të 26 majit 2007, shuma në fjalë ishte rritur nga interesat për shkak të vonesës dhe arrinte në 13 143,24 EUR. Ajo e informonte kërkuesin se nëse e shlyente shumën brenda 31 majit 2010, ai mund të përfitonte një ulje prej 80% mbi interesat.
21. Në 26 maj 2010, kërkuesi depozitoi shumën prej 112 155,69 EUR në qendrën e taksave të Selanikut.
22. Me vendimin no 3230/2011 të 7 dhjetorit 2011 (njoftuar kërkuesit në 10 shkurt 2012), seanca plenare e Gjykatës së llogarive e pranoi pjesërisht rekursin.
23. Ajo vërejti se fakti që nuk ishte përfshirë periudha prej pesë vjetësh - e nevojshme që kërkuesi të përfundonte specializimin- në të gjithë periudhën e viteve të shërbimit të detyruar binte ndesh me parimin e proporcionalitetit të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës.
24. Ajo mendoi se vitet që kishin për qëllim marrjen e një specializimi bënin pjesë në shërbimin ushtarak real të kryer nga mjeku oficer. Për rrjedhojë, ajo e anuloi vendimin e dhomës V pasi kjo e fundit kishte çmuar se vitet e specializimit ishin vite studimi që nuk duheshin llogaritur në detyrimet e shërbimit të kryera nga kërkuesi.
25. Ajo rrëzoi si të pabazë mjetin që lidhej me shkeljen e Konventës për arsyet e mëposhtme :
« Paragrafi 7 i nenit 64 të dekretit (...) përputhet me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Sociale dhe të Konventës, duke mbajtur parasysh faktin se gjatë periudhës pesëvjeçare mjeku oficer u shërben forcave të armatosura që kanë siguruar formimin e tij, dhe ka arritur qëllimin e ndjekur, d.m.th. formimin e stafit të forcave të armatosura, pa qenë i detyruar të punojë. Sa për dëmshpërblimin ashtu si duhet llogaritur në zbatim të paragrafit 16 të të njëjtit nen, ai është një mjet për të kompensuar shpenzimet e bëra nga shteti për formimin e oficerëve dhe nuk përbën në asnjë rast sanksion. »
26. Seanca plenare e Gjykatës së llogarive e kaloi çështjen në dhomën V që u mblodh me një përbërje të ndryshme. Ky kalim kufizohej me problemin e rishikimit të aktit që ia ngarkonte dëmshpërblimin kërkuesit duke marrë parasysh, si vite shërbimi, periudhën pesëvjeçare të specializimit të tij
27. Me anë të dekretit no 4909/2013 të 12 dhjetorit 2013 (njoftuar kërkuesit në 10 janar 2014), dhoma V e Gjykatës së llogarive e amendoi vendimin e 26 majit 2007 të shërbimit kontabël të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë duke reduktuar shumën që duhej paguar nga kërkuesi në 49 978,33 EUR.
28. Në mënyrë më të veçantë, Gjykata e llogarive mendoi së pari se vendimi i 26 majit 2007 i lartpërmendur ishte i ligjshëm sepse kërkuesi ishte larguar nga ushtria para fundit të periudhës së detyruar të shërbimit prej shtatëmbëdhjetë vjetësh. Ajo vuri re megjithatë se kohëzgjatja e shërbimit të detyruar që duhej të kryente ende nuk ishte nëntë vjet, katër muaj dhe dymbëdhjetë ditë, siç e kishte llogaritur shtabi i përgjithshëm i ushtrisë, por katër vjet, katër muaj dhe dhjetë ditë. Ajo nënvizoi se do të duhej të përfshihej koha e shërbimit gjatë periudhës së studimeve të specializimit të kërkuesit, e cila kishte filluar në 26 korrik 1996 dhe kishte përfunduar në 27 korrik 2001, sepse, siç e kishte saktësuar vendimi no 3230/2011, kohëzgjatja e specializimit duhej të llogaritej si pjesë e shërbimit efektiv.
29. Në 13 mars 2014, shteti i ktheu kërkuesit shumën prej 59 749,61 EUR që i korrespondonte diferencës midis shumës së paguar prej tij dhe asaj të caktuar nga vendimi no 4909/2013 i përmendur më lart.
30. Sipas informacioneve të dhëna nga Qeveria, kërkuesi punon tani e tutje në një spital të madh privat të Selanikut.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
31. Sipas dispozitave të nenit 64 të dekretit no 1400/1973 lidhur me statusin e oficerëve të forcave të armatosura, që ishte në fuqi në kohën e pranimit të kërkuesit në shkollën ushtarake dhe në fakultetin e mjekësisë si dhe në përfundim të studimeve të tij, oficerët detyroheshin, sapo emëroheshin në gradën nëntoger, të shërbenin në forcat e armatosura për një periudhë tri herë më të gjatë se kohëzgjatja e studimeve. Oficerët e shërbimit të shëndetsisë që kishin marë një specializim në sajë të ushtrisë detyroheshin të shërbenin në ushtri edhe me pesë vjet shtesë.
32. Këto dispozita u amenduan nga neni 1 i ligjit no 3257/2004 (që rregullon çështjet që lidhen me personelin e forcave të armatosura). Ligjvënësi e ka zvogëluar periudhën e detyrimit të oficerëve për të shërbyer në ushtri nga tri herë më shumë se periudha e studimeve në shkollën ushtarake, në dy herë më shumë. Ai ka ruajtur, për ata që kanë marrë një specializim, detyrimin për të shërbyer pesë vjet më shumë dhe u ka ofruar mundësinë të heqin dorë nga angazhimi i tyre para se të kenë plotësuar kohën e duhur duke i paguar shtetit një dëmshpërblim. Shuma e këtij dëmshpërblimi llogaritet duke shumëzuar pagën bazë që i takon gradës që mban oficeri, me numrin e muajve të shërbimit që i kanë mbetur për të kryer.
33. Neni 64 i lartpërmendur, ashtu si u ndryshua nga ligji no 3257/2004, parashikon tashmë se :
« 1. Oficerët e dipolmuar nga shkollat e larta ushtarake dhe shkolla e oficerëve të ushtrisë detyrohen, që me emërimin e tyre në gradën nëntoger, nëntoger në marinën ushtarake ose nëntoger i ushtrisë së ajrit, të shërbejnë në forcat e armatosura për një periudhë dy herë më shumë se kohëzgjatja e formimit të tyre (...)
7. Oficerët e trupës mjekësore, që marrin një specialitet me shpenzimet e [ushtrisë], janë të detyruar të shërbejnë në gjirin e forcave të armatosura edhe me pesë vite shtesë.
10. Oficerët (...) që janë dërguar nga shërbimi i tyre për të ndjekur një formim ose që janë përzgjedhur për këtë qëllim pas një kërkese nga ana e tyre duhet të lëshojnë një deklaratë personale përmes së cilës pranojnë se janë njohur me detyrimet që kanë.
16. Ata që largohen nga forcat e armatosura për shkak të dorëheqjes, reformës ose pensionit për arsye të veçanta (...) janë të detyruar t’i paguajnë shtetit një dëmshpërblim të barabartë me shumën që del nga shumëzimi i pagës bazë që i takon gradës së tyre me numrin e muajve të shërbimit që i kanë mbetur për të kryer. Ata që largohen nga forcat e armatosura me dëshirën e tyre para se të kenë shlyer detyrimet dhe që janë formuar jashtë shtetit janë të detyruar të paguajnë plus dënmshpërblimit të lartpërmendur, shpenzimet që janë bërë për formimin e tyre (...)
17. Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet vetëm për ata që largohen nga ushtria për arsye shëndetësore. »
34. Neni 63 §§ 3 dhe neni 4 i po këtij ligji dikton se:
« 3. U ndalohet oficerëve aktivë
a) të kryejnë privatisht një detyrë apo një punë kundrejt pagese ose të ushtrojnë një aktivitet tjetër profesional që është burim të ardhurash ;
(...)
4. U lejohet përjashtimisht
a) oficerëve të shërbimit shëndetësor të ushtrojnë profesionin e mjekut privatisht, jashtë orarit të punës, duke respektuar deontologjinë mjekësore (...) me miratimin e shefit të njësisë ushtarake përkatëse (...) »
35. Raporti hyrës i ligjit no 3257/2004 saktësonte se nenet e dekretit no 1400/1973 që janë ndryshuar i detyrojnë oficerët dhe nënoficerët të shërbejnë në forcat e armatosura për periudha veçanërisht shtrënguese, dhe se amendimet e propozuara synonin të harmonizonin legjislacionin grek me detyrimet që e lidhnin Greqinë pas ratifikimit të Kartës Sociale Evropiane. Përveç kësaj, sipas këtij raporti, neni 1 § 2 i Kartës Sociale Evropiane thotë se palët kontraktuese « angazhohen të mbrojnë në mënyrë efikase të drejtën e punonjësit për të fituar jetesën me një punë të ndërmarë lirisht ». Raporti përmend përveç kësaj se komente- bazuar në termat « punë e ndërmarrë lirisht » - të organeve të Kartës Sociale që flasin për shtrëngesë të tepruar të ushtruar mbi personelin e forcave të armatosura për shak të kohëzgjatjes të detyrimit të shërbimit, shpesh e kishin vënë në vështirësi shtetin dhe veç anërisht Ministrin e Mbrojtjes.
36. Me vendimin no 1571/2010, Këshilli i Shtetit ka gjykuar se dispozitat e nenit 64 të dekretit no 1400/1973 në fuqi para ndryshimit të tyre nga ligji no 3257/2004, i cili e detyronte personelin ushtarak të qëndronte në një shërbim për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë pa mundur të hiqnin dorë nga angazhimi i tyre, binin ndesh me nenin 1 § 2 të Kartës Sociale Evropiane. Ai ka çmuar se ky nen nënkupton se është « e ndaluar të detyrosh çdo punonjës, pavarësisht nga natyra juridike e punës së tij, të vazhdojë të bëjë një punë ose të ushtrojë një profesion nëse nuk dëshiron ta bëjë më».
37. Neni 14 § 1 i ligjit no 1394/1983, lidhur me formimin e kuadrove të ushtrisë tokësore, thotë :
« Oficerët mjekë të shërbimit shëndetësor fitojnë një specializim vetëm përmes shërbimit. Nëse zgjedhin një specialitet duhet të informojnë gjatë dy muajve të fundit të studimeve të tyre departamentin e formimit të shkollës së shërbimit shëndetësor. Formimi kryhet brenda territorit ose, nëse kjo nuk është e mundur, jashtë shtetit ; ai synon që t’u japë të interesuarve një specialitet që i përgjigjet nevojave të shërbimit dhe nënkupton detyrimin për të qëndruar në shërbim për një periudhë shtesë (...) »
38. Neni 38 § 2 i ligjit no 1397/1983 lidhur me sistemin kombëtar të shërbimit është formuluar si më poshtë :
« Emërimi e një mjeku me qëllim specializimin e tij mbi vendet e lira në spitale është i ndaluar. Ky ndalim nuk zbatohet për mjekët e përhershëm të forcave të armatosura, të cilët mund të caktohen aty edhe duke tejkaluar numrin me vendim të ministrit të shëndetësisë (...) »
39. Me vendimin no 2763/2013, dhoma V e Gjykatës së llogarive ka gjykuar se, për sa i përket oficerëve të shërbimit shëndetësor, ky kufizim (d.m.th. detyrimi për të qëndruar në shërbim për një periudhë të caktuar), që është vendosur sipas saj në bazë të kritereve të përgjithshme dhe objektive, përbënte një masë të nevojshme dhe adekuate për të siguruar funksionimin e rregullt të institucioneve spitalore ushtarake dhe njësive shëndetësore, për të cilat do të ishte e nevojshme të hartohej një plan afatgjat për shërbimet dhe të shmangej dobësimi i menjëhershëm i punës nga mungesa e një personeli të specializuar. Në këtë drejtim, Gjykata e llogarive ka treguar se ky detyrim nuk mund të konsiderohet si një formë e punës së detyruar. Për Gjykatën e llogarive, të intersuarit e pranonin këtë detyrim, që ishte qartaz i parashikuar nga ligji dhe për rrjedhojë i njohur paraprakisht nga ata, gjatë pranimit në shkollën e oficerëve të ushtrisë, pasi kishin vënë në balancë përparësitë dhe detyrimet që rridhnin prej tij. Për rrjedhojë ata i njihnin pasojat e mosplotësimit të një detyrimi të tillë, pra, të pagimit të një dëmshpërblimi. Përveç kësaj, gjithmonë sipas Gjykatës së llogarive, nuk kishte çekuilibër midis qëllimit të formimit profesional të mjekësve dhe këtij detyrimi, sepse ata do të përfitonin si kompensim mundësinë e ushtrimit të profesionit të mjekut privatisht jashtë orarit të shërbimit.
40. Gjykata e llogarive ka shtuar se detyrimi për të paguar dëmshpërblimin e parashikuar në paragrafin 16 të nenit 64 nuk ishte i tepërt dhe nuk shkelte parimin e proporcionalitetit. Ajo ka saktësuar se ky detyrim përbënte një kompensim për shpenzimet që shteti kishte bërë për të formuar, duke i paguar, ushtarakë profesionistë që do të largoheshin nga ushtria në mënyrë të parakohshme dhe të papritur. Sipas saj, me shpenzime duhen kuptuar jo vetëm shpenzimet direkte të kryera nga shteti gjatë shkollimit të ushtarakëve (shpenzime për ushqim, veshje dhe pajisjet), por gjithashtu kostot administrative jodirekte që lidhen me mirëmbajtjen e ndërtesave dhe funksionimin e vazhduar të shkollave mjekësore në fjalë. Gjykata e llogarive ka treguar më në fund se, duke marë parasysh pamundësinë për të përcaktuar me saktësi shpenzimet e lartpërmendura për çdo ushtarak që largohet nga ushtria, shuma e dëmshpërblimit është caktuar në mënyrë objektive, në varësi të kohëzgjatjes së shërbimit që mbetej për t’u mbuluar. .
41. Me vendimin no 3822/2013, dhoma V e Gjykatës së llogarive ka gjykuar se shërbimi i detyruar në ushtri për një periudhë kohe që është dy herë më shumë se periudha e studimeve dhe pagimi i një dëmshpërblimi përbënte kufizime të përshtatshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme për të arritur një qëllim me interes të përgjithshëm : t’u sigurohen forcave të armatosura për një periudhë të planifikuar në mënyrë të arsyeshme kuadro të specializuar dhe kompetentë. Ajo ka treguar se ky qëllim nuk mund të arrihet me tjetër mënyrë, përderisa, në rast largimi të parakohshëm dhe të papritur të oficerëve, zëvendësimi i shpejtë i tyre me oficerë të tjerë me formim të njëjtë do të ishte i pamundur dhe do të rrezikonte kështu mbrojtjen e vendit.
42. Gjykata e llogarive ka treguar gjithashtu se dëmshpërblimi i parashikuar në ngarkim të kuadrove të cilët largohen nga ushtria para kohe synon të kompensojë nga njëra anë, shpenzimet e mbuluara nga shteti për formimin, strehimin, ushqimin e tyre, si dhe veshjen, mirëmbajtjen dhe funksionimin e godinave të shkollave ushtarake, nga ana tjetër, shpenzimet që rrjedhin nga zëvendësimet e këtyre kuadrove.
43. Neni 3 § 1 i dekret-ligjit no 356/1974 (kodi që lidhet me mbledhjen e të ardhurave të shtetit) dekreton se borxhet kundrejt shtetit paguhen njëherësh ose nëse ligji e parashikon, me disa këste.
44. Me opinionin no 120/2002 të 27 marsit 2002, Këshilli Juridik i Shtetit ka pranuar se neni 96 i dekret-ligjit no 721/1970 lidhur me dispozitat financiare dhe kontabilitetin e forcave të armatosura u jepte mundësi ushtarakëve të shlyenin borxhet e tyre kundrejt ushtrisë me shumë këste. Sidoqoftë ai ka saktësuar se i takonte ushtrisë të përcaktonte, duke mbajtur parasysh gjendjen financiare të oficerit të interesuar, shumën e borxhit si dhe ekzistencën e precedentëve, nëse shuma që duhet paguar duhet shlyer njëherësh ose me këste, çka do të kishte për qëllim të mos e rëndojë financiarisht oficerin që i detyrohet shtetit.
III. TEKSTET DHE PRAKTIKA NDRKOMBËARE
A. Karta Sociale Evropiane
45. Neni1 § 2 i I Kartës Sociale Evropiane thotë:
« Me qëllim që të sigurohet ushtrimi efektiv i të drejtës së punës, Palët kontraktuese angazhohen :
2. të mbrojnë në mënyrë efikase të drejtën që punonjësi të sigurojë jetesën përmes një punë të ndërmarrë lirisht.»
B. Komiteti evropian i të drejtave sociale të Këshillit të Evropës
46. Në përfundimet e tij të ndryshme për sa i përket Greqisë, Komiteti evropian i të drejtave sociale nënvizonte :
47. Në përfundimet e tij XVII-1 të 2004-ës:
« Në përfundimin e mëparshëm, Komiteti ka nënvizuar tre arsye për mospajtueshmëri lidhur me ndalimin e punës së detyruar: (...) ii) kohëzgjatja e tepërt (25 vjet) e periudhës gjatë së cilës oficerët e karrierës së forcave të armatosura nuk mund ta lënë shërbimin (kjo arsye ishte nënvizuar gjithashtu në kuadrin e kërkesës 7/2000) ; (...)
(...) Komiteti nënvizon se një ligj i miratuar në vitin 2003 parashikon se oficerët e karrierës që kanë ndjekur një formim ushtarak në nivel universitar dhe ata që kanë ndjekur një formim jashtë shtetit kanë detyrimin të qëndrojnë në shërbim për një periudhë prej të paktën sa dyfishi i kohës së formimit që ata kanë përfituar. Raporti tregon se kjo qasje e re do ta zvogëlojë periudhën e qëndrimit në karrierë ushtarake nga 25 vjet në afërsisht 10 vjet. Komiteti mendon se kohëzgjatja e qëndrimit të detyruar i parashikuar nga ligji i ri nuk është e tepruar. »
48. Në përfundimet e tij XVIII-1 të 2006-ës:
« Komiteti ka treguar në përfundimin e mëparshëm se kohëzgjatja e periudhës gjatë së cilës oficerët e karrierës të forcave të armatosura nuk mund ta linin shërbimin (25 vjet) (arsye e përmendur gjithashtu në kuadrin e kërkesës së Federatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kundër Greqisë (no 7/2000, vendimi mbi pranueshmërinë i 5 dhjetorit 2000) është zvogëluar në bazëtë ligjit no 3257/2004. Teksti e shkurton kohëzgjatjen e shërbimit që oficerët e karrierës duhet të plotësojnë para se të largohen nga ushtria. Oficerët që kanë ndjekur një formim të nivelit universitar në ushtri ose që kanë ndjekur një formim jashtë shtetit duhet të qëndrojnë në ushtri për një periudhë të barabartë me dyfishin e kohës së formimit që kanë përfituar. Sipas raportit të mëparshëm, periudha maksimale e shërbimit të detyruar është bërë nga 25 vjet në 10 vjet. Komiteti mendon se kohëzgjatja është në pajtueshmëri me nenin 1§2. »
49. Në përfundimet e tij XX-1 de 2012-ës :
« Kohëzgjatja minimale e shërbimit në forcat e armatosura
Komiteti vëren informacionet e dhëna mbi kohëzgjatjen minimale të shërbimit në forcat e armatosura profesionale. Ai nënvizon se kohëzgjatja minimale duhet të jetë e arsyeshme dhe se kur një periudhë minimale zgjatet për shkak të studimeve ose formimeve që ka përfituar personi i interesuar, kohëzgjatja duhet të jetë në proporcion me atë të studimeve ose formimeve. Po kështu, të gjitha shpezimet dhe kostot që duhen rimbursuar për shkak të një shkëputjeje të parakohshme të shërbimit duhet gjithashtu të jenë të proporcionuara.”
50. Përveç kësaj, në përfundimet e tij të 2012-ës për sa i përket Irlandës, Komiteti vinte në dukje :
« Kohëzgjatja minimale në forcat e armatosura
Komiteti nënvizon se ka vendosur mospajtueshmëri të situatës me arsyen se oficerët nuk mund të kërkonin të ndërpritej kontrata e tyre angazhuese me forcat e armatosura në mënyrë të parakohshme vetëm me kusht që të rimbursonin shtetin të paktën për një pjesë të kostos së formimit të tyre dhe se daljae parakohshme në pension lihej në kompetencë të Ministrit të Mbrojtjes. Kështu ai kishte çmuar se periudha e shërbimit mund të rezultonte të ishte shumë e gjatë dhe nuk mund të konsiderohej në pajtueshmëri me lirinë e zgjedhjes së punës apo zgjedhjes për t’i dhënë fund asaj. Kjo arsye për mospajtueshmëri është vënë në dukje qysh prej 1998 (Përfundime XIV-1, f. 435 dhe 436) dhe raporti nuk tregon asnjë ndryshim. »
C. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës
51. Rekomandimi CM/Rec(2010)4 i Komitetit të Ministrave për Shtetet anëtare mbi të drejtat e njeriut të anëtarëve të forcave të armatosura (miratuar në 24 shkurt 2010) parashikon :
« 16. Autoritetet nuk duhej t’u impononin anëtarëve profesionistë të forcave të armatosura kohëzgjatje shërbimi që do të përbënin një kufizim të paarsyeshëm lidhur me të drejtën për t’u larguar nga forcat e armatosura pasi kjo do të ishte njëlloj si punë e detyruar. »
D. Konventa no 29 mbi punën e detyruar e Organizatës Ndërkombëtare të Punës
52. Neni 2 § 2 a) i Konventës dekreton :
« 1. Sipas kësaj konvente, termi punë me dhunë ose e detyruar nuk do të thotë çdo punë ose shërbim që i kërkohet një individi të kërcënuar me një ndëshkim të çfardoshëm dhe të cilin ky individ nuk e kryen me dëshirën e vet.
2. Sidoqoftë, termi punë me dhunë ose e detyruar, për qëllimet e kësaj konvente nuk do të përfshijë :
a) çdo punë ose shërbim të kërkuar sipas ligjeve mbi shërbimin ushtarak të detyruar dhe që kanë të bëjnë me punë të karakterit thjesht ushtarak. »
PËRSHKRIMI I TË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NËNIT 4 § 2 TË KONVENTËS
53. Kërkuesi pretendon se detyrimi që i vendos legjislacioni kombëtar për të qëndruar në shërbim në ushtri për një periudhë sipas tij shumë të gjatë ose për t’i paguar shtetit një shumë sipas tij shumë të madhe, për të kompensuar ndërprerjen e angazhimit përbën një punë të kryer me dhunë ose të detyruar, sepse do të rëndonte në mënyrë të çproporcionuar mbi lirinë e punës dhe do të ishte një kufizim jo i nevojshëm ndaj saj. Ai përmend në këtë drejtim nenin 4 § 2 të Konventës, që është i formuluar si më poshtë :
« Askush nuk do të shtrëngohet të kryejë një punë me dhunë ose të detyruar »
54. Gjykata çmon të përshtatshme në këtë çështje të shpjegojë gjithashtu termat përkatës të paragrafit 3 të nenit 4.
« 3. Për qëllim të këtij neni nuk konsiderohet « punë e kryer me dhunë ose e detyruar » :
b) çdo lloj shërbimi i karakterit ushtarak ose, në rastin e kundërshtarëve të ndërgjegjes në vendet ku kundërshtimi i ndërgjegjes është i njohur me ligj, shërbimi që kryhet në vend të shërbimit ushtarak të detyruar. »
A. Mbi pranueshmërinë
1. Mbi cilësimin viktimë të kërkuesit
55. Duke deklaruar se mbështetet në vendimin e seancës plenare të Gjykatës së llogarive, Qeveria kundërshton cilësimin viktimë të kërkuesit. Ajo tregon, në këtë drejtim, se interpretimi i dispozitave që ka dhënë ky vendim ka çuar në shkurtimin e kohëzgjatjes së detyrimit të shërbimit të kërkuesit pra në një zvogëlim të shumës së dëmshpërblimit që ky i fundit duhet t’i paguajë shtetit.
56. Kërkuesi pretendon se as vendimi no 3230/2011 i seancës plenare të Gjykatës së llogarive, që ka çmuar se kohëzgjatja e specializimit duhet përfshirë në kohëzgjatjen e detyrimit të shërbimit në ushtri, as vendimi vijues no 4909/2013 i dhomës V të Gjykatës së llogarive nuk ia kanë hequr cilësimin e tij si viktimë.
57. Gjykata kujton se një vendim ose një masë në dobi të kërkuesit në parim nuk mjafton për t’i hequr atij cilësimin « viktimë » vetëm në rastin kur autoritetet vendase e kanë pranuar, në mënyrë të qartë ose në thelb, dhe pastaj e kanë ndrequr shkeljen e Konventës. Për sa i përket dëmshpërblimit adekuat dhe të mjaftueshëm për të ndrequr në nivelin e brendshëm shkeljen e së drejtës së garantuar nga Konventa, Gjykata në përgjithësi mendon se ajo varet nga tërësia e rrethanave të çështjes, duke marrë parasysh veçanërisht natyrën e shkeljes së Konventës në këtë çështje. (Scordino c. Italie (no 1) [GC], no 36813/97, §§ 180 dhe186, GJEDNJ 2006-V).
58. Gjykata nënvizon se në këtë rast ankesa e kërkuesit bazohet në kohëzgjatjen e detyrimit të shërbimit në ushtri si dhe në shumën e dëmshpërblimit që duhet të paguajë nëse do të ndërpresë angazhimin e tij para periudhës së rregullt. Gjykata vëren se seanca plenare e Gjykatës së llogarive i ka rrëzuar përfundimisht ankesat që kanë të bëjnë me shkeljen e Konventës dhe ky vendim përbën detyrim për dhomën V. Përveç kësaj, në vendimin e vet, dhomaVe Gjykatës së llogarive, pas kalimit të çështjes për kompetencë, është mjaftuar me konstatimin se kërkuesi vetëm duhej të shërbente në ushtri për një periudhë shtesë prej katër vjetësh, katër muajsh dhe dhjetë ditësh dhe për pasojë ta reduktonte shumën e dëmshpërblimit që duhet të paguajë nga 106 960 në 49 978,33 EUR. Gjykata e llogarive nuk ka vendosur për shkelje të nenit 4 të Konventës, as në mënyrë eksplisite as në thelb. Ulja e ndjeshme e periudhës së shërbimit dhe e shumës që duhet paguar nga kërkuesi përbën një aspekt të pranueshmërisë dhe nuk mund të ndikonte në cilësimin « viktimë » .
2. Mbi karakterine pamatur të kërkesës
59. Qeveria pretendon se kërkesa është depozituar në mënyrë të pamatur sepse, sipas saj, kërkuesi duhej të kishte pritur, para se t’i drejtohej Gjykatës, që dhoma V të kishte marrë vendim pas dërgimit të çështjes për kompetencë në 12 dhjetor 2013 për sa i përket kohëzgjatjes së detyrimit të tij dhe shumës së dëmshpërblimit.
60. Kërkuesi thotë se, me vendimin no 3230/2011 të 7 dhjetorit 2011, seanca plenare e Gjykatës së llogarive ka rrëzuar përfundimisht ankesat e tij lidhur me shkeljen e Konventës. Ai shton se ky vendim përbënte një detyrim për dhomën V të Gjykatës së llogarive ndaj ajo nuk mund të shprehej sërish mbi çështjen e shkeljes së nenit 4 të Konventës.
61. Gjykata nënvizon se neni 35 § 1 i Konventës nuk mund të interpretohej në një mënyrë të tillë që t’i kërkonte kërkuesit të paraqiste ankesën e tij në Gjykatë para se çështja në fjalë të ishte bërë objekt i një vendimi përfundimtar në nivelin e gjykatave të vendit (Varnava dhe të tjerë kundër Turqisë [GC], nos 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90, § 157, GJEDNJ 2009).
62. Në këtë rast, Gjykata nënvizon se kërkuesi e ka paraqitur kërkesën e tij në 31 korrik 2012, pra, pasi seanca plenare e Gjyktës së llogarive ka dhënë vendimin. Kompetenca e dhomës V të Gjykatës së llogarive që ka vendosur pas kalimit të çështjes në këtë dhomë, në 12 dhjetor 2013, kufizohej me rishikimin, në varësi të konkluzioneve ligjore të seancës plenare dhe të akteve administrative të kontestuara nga kërkuesi. Dhoma V nuk mund t’i rikthehej mjetit të nxjerrë nga Konventa, por vetëm të përfshinte periudhën e specializimit prej pesë vjetësh në periudhën e plotë të shërbimit të kërkuesit në ushtri dhe të llogariste për rrjedhojë shumën e dëmshpërblimit që ky i fundit duhej të paguante. Vendimi përfundimtar i gjykatave të brendshme sipas nenit 35 § 1 të Konventës ishte, pra, vendimi no 3230/2011 i seancës plenare të Gjykatës së llogarive.
3. Mbi karakterin abuziv të kërkesës
63. Qeveria pretendon se kërkuesi e ka paraqitur kërkesën e tij në mënyrë abuzive, aq më tepër që i interesuari konteston se është caktuar të punojë në spitalin e përgjithshëm rajonal Papanikolaou si mjek stazhier anestezist duke tejkaluar numrin e personelit. Mirëpo, si dhoma V e Gjykatës së llogarive ashtu edhe seanca plenare kanë konstatuar në mënyrë përfundimtare se kërkuesi kishte përfituar nga ky emërim mbi numrin e duhur të personelit për të marrë specialitetin e tij.
64. Kërkuesi pretendon se kërkesa nuk përmban asnjë formulim abuziv, ka një qëllim real dhe nuk synon të mashtrojë Gjykatën.
65. Gjykata nënvizon se sipas nenit 35 § 3 a) një kërkesë mund të deklarohet abuzive veçanërisht nëse ajo bazohet qëllimisht në fakte të rreme. Një informacion i paplotë dhe i gënjeshtërt mund të konsiderohet gjithashtu si një abuzim me të drejtën e ankimit individual, veçanërisht kur ai ka të bëjë me thelbin e çështjes dhe kur kërkuesi nuk jep shpjegime mjaftueshëm pse nuk ka bërë të ditur informacione të rëndësishme (Gross kundër Zvicrës [GC], no 67810/10, § 28, 30 shtator 2014).
66. Në këtë rast, Gjykata nuk vë re në kërkesën e kërkuesit asnjë element që do të lejonte të cilësohej kërkesa si abuzive. Çështja nëse i interesuari ka qenë i punësuar duke tejkaluar ose jo numrin e personelit në një spital për të fituar një specialitet është një çështje fakti rëndësia e të cilës duket shumë e kufizuar në kuadrin e vlerësimit që duhej të jepte Gjykata lidhur me pranueshmërinë e ankesës së bazuar në shkeljen e nenit 4 të Konventës.
4. Përfundimi
67. Gjykata hedh poshtë pretendimet e Qeverisë për të rrëzuar kërkesën duke konstatuar për më tepër se kërkesa nuk është dukshëm e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se ajo nuk ka asnjë arsye tjetër për mospranueshmëri, Gjykata e deklaron të pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Argumentet e palëve
a) Qeveria
68. Qeveria pretendon se situata e denoncuar në këtë çështje nuk përbën një rast të punës së detyruar sipas nenit 4 § 2 të Konventës. Ajo thotë se, pas studimeve në shkollën ushtarake, emërimit në gradën nëntoger dhe specializimit të tij, kërkuesi ka pranuar me vullnet të plotë detyrimin për të shërbyer në gjirin e forcave të armatosura për një periudhë prej dymbëdhjetë vjetësh plus edhe pesë vjetë shtesë. Ajo shton se i interesuari ishte njohur me këtë detyrim, që ishte parashikuar shprehimisht nga ligji, sepse dispozitat që e shprehnin bënin pjesë në kuadrin që rregullon karrierën e një oficeri mjek, dhe që madje i ka përdorur procedurat e deklaruara në këtë kuadër normativ dhe ka përfituar nga privilegjet e ofruara nga ky kuadër.
69. Qeveria parashtron gjithashtu se pretendimi i kërkuesit sipas të cilit ai ka qenë i detyruar të marrë një specializim nuk është i bazuar. Një specializim i tillë nuk do të ishte i detyruar dhe ka rëndësi vetëm për karrierën e të interesuarit. Ky i fundit ka marrë pjesë me vullnet të plotë në konkursin e organizuar nga ushtria tokësore për poste specialistësh, ai ka përfituar nga një trajtim preferencial që konsiston në punësimin e tij mbi numrin e duhur të oficerëve mjekë në spitale, për specializim, dhe ka përfituar nga mundësitë e rritjes në karrierë (ai ka arritur në gradën komandant) që i hapeshin nga një specializim i tillë. Përveç kësaj, kërkuesi, sipas Qeverisë, ka pasur mundësinë që në bazë të nenit 63 § 4 të dekretit presidencial no 1400/1973, të ushtrojë privatisht profesionin e mjekut.
70. Për me tëpër, Qeveria përsërit se kërkuesi është punësuar mbi numrin e duhur me qëllim që të fitojë specializimin e tij ndërsa mjekët civilë do të duhej të prisnin që të liroheshin vende pune për t’u punësuar, sipas prioritetit ose me hedhje shorti, kur të krijoheshin vende të reja pune. I interesuari kishte fituar kështu një specializim pa qenë i detyruar të presë, të ndërmarrë ndonjë hap ose të marrë përsipër shpenzimet. Përveç kësaj, gjatë gjithë kohëzgjatjes së specializimit, ka marrë rrogën si mjek ushtarak.
71. Nga ana tjetër, Qeveria pretendon se kërkuesi nuk ankohet për një prishje të parimit të proporcionalitetit në rastin e tij, për rrjedhojë Gjykata nuk ka kompetencë për të shqyrtuar një çështje të tillë. Ajo shton se i interesuari nuk ka përmendur, qoftë edhe si të dorës së dytë, faktin se kohëzgjatja e detyrimit të shërbimit duhej të ishte më e shkurtër ose që duhej të paguante një dëmshpërblim më të vogël, por është mjaftuar vetëm duke deklaruar se ai duhej ta thyente angazhimin e tij pa kufizime dhe të zgjidhte vetë momentin kur do të largohej nga ushtria.
72. Sa për qëllimin dhe proporcionalitetin e kufizimeve që u vihen mjekëve oficerë me anë të nenit 64 të dekretit no 1400/1973, Qeveria i referohet arsyeve të vendimeve no 2763/2013 dhe no 3822/2013 të Gjykatës së llogarive (paragrafët 39–42 më lart).
73. Së fundi, Qeveria saktëson se kërkuesi kishte mundësinë të mos paguante menjëherë shumën e duhur pranë qendrës së taksave dhe të priste shpalljen e vendimit të seancës plenare të Gjykatës së llogarive duke depozituar paraprakisht një kërkesë për pezullim të ekzekutimit në bazë të neneve 94 të dekretit no 721/1970 dhe 51 të dekretit no 1225/1981. Ajo tregon se e drejta e brendshme i ofronte gjithashtu të interesuarit mundësinë për t’i kërkuar ushtrisë ta lejonte të shlyente detyrimin e tij në mënyrë të përshkallëzuar. Ajo është e bindur se ushtria, duke pasur sipas saj një pushtet diskrecionar në këtë drejtim, do të kishte marrë parasysh gjendjen financiare të kërkuesit, shumën e borxhit të tij dhe praktikën në këtë fushë.
b) Kërkuesi
74. Duke përmendur vendimin Van der Mussele kundër Belgjikës (23 nëntor1983, §§ 34-35, seria A no 70) dhe vendimin Mihal kundër Sllovakisë ((vend.) no 23360/08, §§ 44-47, 28 qershor 2011), kërkuesi pretendon se detyrimi që i ishte imponuar, edhe pse nuk kishte natyrë penale, përbënte « kërcënim për një dënim ». Ai shprehet veçanërisht se ky detyrim ka sjellë pasoja potenciale të mëdha, të cilat kanë mjaftuar për ta frikësuar që ai të ofronte shërbime kundër vullnetit të tij nën « kërcënimin e një dënimi ». Ai pretendon se në këtë aspekt Qeveria vetëm sa ka përmendur shembuj të rregulloreve të tilla në vende të tjera dhe ka paraqitur disa përparësi që do ta zbusnin barrën e këtij detyrimi.
75. Kërkuesi, duke deklaruar se i referohet jurisprudencës Van der Mussele (të lartcituar), pretendon se ai nuk e ka « bërë kurrë me vullnet të plotë » punën në fjalë. Ai pranon se ka zgjedhur të bëhet oficer i ushtrisë dhe për rrjedhojë i është dashur t’i nënshtrohet të gjitha kërkesave që lidhen me këtë zgjedhje. Kërkuesi saktëson se vetëm ka pranuar një status me natyrë të përgjithshme, çka sipas tij nuk mund të konsiderohet si një pëlqim i shprehur qartë për të marrë përsipër detyrimet që bien ndesh me të drejtat e garantuara nga Konventa. Ai pretendon se autoritetet e ushtrisë nuk e kanë informuar kurrë për detyrimin e tij për të shërbyer në ushtri për një periudhë shtesë prej pesë vjetësh. Kërkuesi pohon se ftesa drejtuar në 18 janar 1991 oficerëve – pra edhe atij vetë- kishte për qëllim vetëm t’i nxiste të kandidonin për të marrë një specialitet për të fituar kështu një përvojë shtesë që do t’u hapte perspektiva më të mira për karrierën në ushtri.
76. Për sa i përket çështjes së karakterit të arsyeshëm të detyrimit, kërkuesi pretendon se mundësia e tij për të publikuar artikuj shkencorë ose për të ushtruar mjekësinë privatisht nuk mjaftojnë për të kompensuar detyrimin që i ka vendosur shteti. Në këtë drejtim, ai nënvizon se është anestezist dhe jo mjek i përgjithshëm. Për atë, nëse dëmshpërblimi i kontestuar duhej, siç e pohonte Qeveria, të kompensonte shpenzimet e kryera nga Shteti për të formuar oficerët, ai duhej llogaritur në bazë të periudhës së formimit (dhe jo mbi të gjithë periudhën e shërbimit të detyruar) dhe të shumës së shpenzimeve përkatëse. Por Qeveria nuk do të ishte në gjendje të llogariste në shifra një shumë të tillë.
77. Përveç kësaj, kërkuesi pretendon se, megjithë deklaratat e Qeverisë në këtë drejtim, kjo çështje nuk bie në fushën e veprimit të paragrafit 3 b) të nenit 4 të Konventës. Ai mendon se në fakt, ky paragraf synon rekrutimin dhe nuk zbatohet për ushtarakë karriere.
78. Së fundi, kërkuesi pohon se autoritetet jo vetëm nuk i kanë ofruar kurrë mundësinë për të paguar shumën e kërkuar me këste, por përkundrazi ai ka qenë i detyruar ta shlyente borxhin të plotë me gjithë interesat që i kishin vënë për vonesën.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Fusha e çështjes
79. Gjykata kujton që, në termat punë « e kryer me dhunë ose e detyruar », pjesa e parë jep idenë e një shtrëngese fizike ose morale. Përsa i përket cilësimit të dytë, ai nuk mund të nënkuptojë një detyrim juridik të çfardoshëm. Për shembull, një punë e kryer në bazë të një kontrate të lidhur vullnetarisht nuk mund të trajtohet nga neni 4 vetëm sepse një nga dy kontraktuesit është angazhuar ndaj tjetrit ta përmbushë këtë kontratë dhe rrezikon të sanksionohet nëse nuk e respekton nënshkrimin e tij. Duhet të bëhet fjalë për një punë « të kërkuar (...) nën kërcënimin e një dënimi të çfardoshëm » dhe për më tepër kundër dëshirës së të interesuarit, punë për të cilën ky i fundit « nuk ka pranuar ta kryejë më vullnet të plotë » (Van der Mussele, i lartpërmendur, § 34).
80. Sa për paragrafin 3 të nenit 4, Gjykata ka gjykuar tashmë se roli i tij nuk është të autorizojë kufizimin e ushtrimit të të drejtës së garantuar nga paragrafi 2, por të përcaktojë përmbajtjen e kësaj të drejte : ai formon një të tërë me paragrafin 2 dhe citon çfarë nuk konsiderohet si punë e kryer me dhunë ose si punë e detyruar (ibid. § 38). Por, sipas paragrafit 3, nuk konsiderohet punë e kryer me dhunë ose e detyruar : b) çdo lloj shërbimi i karakterit ushtarak ose, në rastin e kundërshtarëve të ndërgjegjes në vendet ku kundërshtimi i ndërgjegjes është i njohur me ligj, shërbimi që kryhet në vend të shërbimit ushtarak të detyruar. »
81. Në vendimin e tij W., X., Y. dhe Z. kundër Mbretërisë së Bashkuar (no 3435/67, 3436/67, 3437/67 dhe 3438/67, Vjetari 11, f. 594), i 19 korrikut 1968, Komisioni Evropian i të drejtave të njeriut ka çmuar se neni 4 § 3 b) synonte jo vetëm shërbimin ushtarak të detyruar, por çdo shërbim ushtarak, përfshi këtu shërbimin e ndërmarrë vullnetarisht nga ushtarakë karriere. Ky interpretim i zgjeruar i përjashtimit në fjalë, që synon ushtarët që kishin hyrë në shërbim para moshës madhore, duket se bazohet vetëm në pjesën e parë të frazës së nënparagrafit b) që i referohet « çdo lloj shërbimi ushtarak ».
82. Sidoqoftë, Gjykata tregon se në këtë rast, Qeveria e paditur nuk ka përmendur përjashtimin e nenit 4 § 3 b), që çmon me sa duket se kjo dispozitë nuk merret parasysh në rastin e kërkuesit, mjek ushtarak profesionist.
83. Pavarësisht të gjithave, Gjykata çmon se paragrafi 3 b) i nenit 4 duhet të lexohet në tërësi. Kështu, nga leximi i nënparagrafit b) del se në tërësinë dhe në kontekstin e tij ky ka të bëjë me shërbimin ushtarak të detyruar, në shtetet ku ky shërbim ekziston, dhe kjo për dy arsye: nga njëra anë, nga referimi që bëhet për kundërshtarët e ndërgjegjes që sigurisht janë rekrutë të rinj dhe jo ushtarakë karriere ; nga ana tjetër nga referimi i qartë për shërbimin ushtarak të detyruar në fund të nënparagrafit. Gjykata nënvizon në këtë drejtim parimin e përgjithshëm të interpretimit sipas të cilit përjashtimet nga rregulla duhet të interpretohen në mënyrë rigoroze. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur ndalimet e nenit 4 §§ 1 dhe 2 të Konventës bëjnë pjesë në bërthamën e tij.
84. Gjykata vëren nga ana tjetër se neni 2 § 2 a) i Konventës no29 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) thotë se puna e kryer me dhunë ose e detyruar nuk nënkupton çdo lloj pune ose shërbimi të kërkuar në bazë të ligjeve mbi shërbimin ushtarak të detyruar dhe që ka të bëjë me punë të karakterit krejtësisht ushtarak », çka nënkupton që ky përjashtim ka të bëjë vetëm me rekrutët.
85. Po në këtë kuptim, Komiteti i të drejtave sociale të Këshillit të Evropës dallon gjithashtu, në fushën e punës së detyruar, situatën e ushtarakëve të karrierës nga situata e rekrutëve. Nga përfundimet e tij për sa i përket vendeve të ndryshme, përfshi Greqinë, del se Komiteti e konsideronte si arsye të mospajtueshmërisë me nenin 1 § 2 të Kartës sociale evropiane i cili ndalon punën e kryer me dhunë, kohëzgjatjen e tepruar gjatë së cilës një oficer karriere detyrohej të qëndronte në shërbim (paragrafët 46-50 më lart).
86. Për më tepër, Rekomandimi CM/Rec(2010)4 i Komitetit të Ministrave i Shteteve Anëtare mbi të drejtat e njeriut të anëtarëve të forcave të armatosura e lidh nocionin punë e detyruar me kohëzgjatjen e paarsyeshme të shërbimit që autoritetet mund t’u imponojnë anëtarëve të forcave të armatosura (paragrafi 52 më lart).
87. Në bazë të gjithë këtyre elementeve, Gjykata mendon, në pajtueshmëri me objektin dhe qëllimin e Konventës, se paragrafi 3 b) i nenit 4 nuk e mbulon punën e ndërmarrë nga ushtarakët e karrierës. Gjykata pra mendon të shqyrtojë në këtë rast çështjen e nenit 4 § 2.
b) Shqyrtimi i nenit 4 § 2
88. Në këtë kontekst, ka vend të shihet nëse kërkuesi në këtë rast kishte « pranuar me vullnet të plotë » të bënte punën në fjalë, duke pasur dijeni paraprakisht për të gjitha rrethanat që kjo mund të përmbajë dhe nëse vendimi për të mos vazhduar ta bëjë këtë punë deri në fund të periudhës të përcaktuar me ligj mund të ndryshojë por « nën kërcënimin e një dënimi ».
89. Gjykata tregon se, në vitin 1986, kërkuesi është pranuar në Shkollën ushtarake të oficerëve të forcave të armatosura (seksioni mjekësi) dhe se, kështu, është regjistruar në fakultetin e mjekësisë së Universitetit të Selanikut për studime në mjekësi për gjashtë vjet. Gjatë kësaj periudhe atij i është dhënë një pagë. Në 3 qershor 1993, pas përfundimit të studimeve, ai u emërua nëntoger i ushtrisë së tokës dhe u angazhua, në zbatim të nenit 64 § 1 të dekret-ligjit no 1400/1973 lidhur me statusin e oficerëve, të shërbejë në forcat e armatosura për një periudhë të barabartë me tri herë më shumë se kohëzgjatja e studimeve, pra tetëmbëdhjetë vjet.
90. Më pas dhe me ftesë të ushtrisë, kërkuesi ka vendosur të specializohet në anesteziologji dhe kështu nëpërmjet ushtrisë u caktua në spitalin e përgjithshëm ushtarak 424 të Selanikut ku ka kryer nga 26 korriku 1996 deri në 30 korrik 1997, funksione të mjekut stazhier. Më pas, ai u caktua, gjithmonë me ndërmjetësinë e ushtrisë nga 30 korriku 1997 deri në 27 korrik 2001, në spitalin e përgjithshëm rajonal Papanikolau të Selanikut si mjek stazhier me pagesë që specializohej në anesteziologji. Pasi kishte marrë specializimin, në bazë të ligjit 64 § 7 të dekret-ligjit no 1400/1973, ai përmbushte detyrimin për të shërbyer në forcat e armatosura me pesë vjet shtesë.
91. Gjykata nënvizon se, gjatë kohës që kërkuesi ndiqte formimin e tij, ligij i ri no 3257/2004 hyri në fuqi dhe ndryshoi kushtet për largimin e parakohshëm të oficerëve. Kështu, neni 1 i këtij ligji e ka reduktuar detyrimin e shërbimit të oficerëve në një periudhë dy herë më të gjatë se numri i viteve të studimit në shkollën ushtarake, por ai ruajti detyrimin për ata që kishin marrë një specializim që të shërbenin edhe me pesë vjet shtesë dhe u dha mundësinë të thyenin angazhimin e tyre para mbarimit të viteve të shërbimit të detyruar duke i paguar shtetit një dëmshpërblim të barabartë me shumën e përftuar nga shumëzimi i rrogës bazë sipas gradës që kishte oficeri me numrin e muajve të shërbimit që i kishin mbetur. Pra, duke mbajtur parasysh kuadrin ligjor në fuqi në 22 janar 2006, datë në të cilën kërkuesi 37 vjeçar vendosi të japë dohëheqjen, Gjykata do të shqyrtojë nëse puna e kërkuar merrte karakterin e punës së kryer me dhunë ose punës së detyruar .
92. Gjykata deklaroi menjëherë se kërkuesi nuk mund të pretendojë në mënyrë legjitime se nuk e dinte parimin dhe shtrirjen e detyrimeve që duhej të përmbushte në momentin që kishte përqafuar karrierën e oficerit dhe të mjekut ushtarak. Një nga përparësitë që rridhnin nga shërbimi në ushtri ishte kryerja falas e studimeve. Në fakt, forcat e armatosura marrin përsipër koston e studimeve të të interesuarit gjatë shkollimit, i japin një pagë dhe i japin gjithashtu përparësi sociale që u njihen ushtarakëve të karrierës. Si kompensim, ato kërkojnë që oficeri të angazhohet të shërbejë në radhët e tyre për një numër të caktuar vitesh pas marrjes së diplomës.
93. Gjykata nënvizon se detyrimi që u bëhet oficerëve në versionin origjinal të nenit 64 të dekret-ligjit no 1400/1973 për të shërbyer për një periudhë të barabartë me tri herë më shumë numrin e viteve të studimit, pa mundur të thyejë angazhimin është konsideruar nga Këshilli i Shtetit (vendimi no 1571/2010) si një nen që bie ndesh me nenin 1 § 2 të Kartës Sociale Evropiane. Ky detyrim është zbutur nga hyrja në fuqi, në 29 korrik 2004, e ligjit no 3257/2004. Në bazë të këtij ligji është llogaritur dëmshpërblimi që duhet të paguajë kërkuesi.
94. Gjykata çmon se detyrimi për oficerët e ushtrisë për të shërbyer për një farë periudhe pas përfundimit të studimeve është i pandashëm nga misioni që u takon të përmbushin. Llogaritja e kohëzgjatjes së angazhimit të oficerëve të formuar me përkujdesjet e ushtrisë dhe shqyrtimi i modaliteteve të thyerjes së angazhimit lidhen me hapësirën vlerësuese të shteteve. Shqetësimi i shtetit për të rentabilizuar investimin e tij për formimin e oficerëve dhe mjekëve të ushtrisë dhe për të siguruar kuadro të mjaftueshme në një periudhë të përshtatshme në raport me nevojat, justifikon ndalimin e thyerjes së angazhimit për një periudhë të caktuar dhe pagimin e një dëmshpërblimi për të mbuluar shpenzimet për jetesë dhe shkollim që shteti u ka marrë përsipër gjatë viteve të formimit, duke u dhënë gjithashtu një rrogë dhe të drejta sociale
95. Në këtë drejtim, Gjykata gjykon të rëndësishme arsyet e vendimeve no 2763/2013 dhe no 3822/2013 të Gjykatës së llogarive, sipas të cilave rregullorja e kontestuar kishte për qëllim të shmangte veçanërisht largimet e papritura, të parakohshme dhe kolektive të oficerëve dhe riskun për të dëmtuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
96. Mbetet për të verifikuar nëse kërkuesi e ka konsideruar të çproporcionuar barrën që i është imponuar, i vetmi element që mund ta shtyjë Gjykatën, në këtë rast, të vendosë për shkelje të nenit 4 § 2 të Konventës.
97. Në vendimin Van der Mussele (të lartcituar, § 37), Gjykata ka çmuar se, nëse një shërbim që duhej ofruar për të arritur një profesion të dhënë impononte një barrë kaq të madhe ose jashtë çdo proporcioni në krahasim me përparësitë që lidhen me ushtrimin në të ardhmen të punës që i interesuari nuk do mundte ta konsideronte « si të kryer me vullnet të plotë », shërbimi i kërkuar përbën një shkelje për punë të detyruar. Për të përcaktuar nëse shtrëngesat (servitutet) që rëndojnë mbi kërkuesin do të ishin më të mëdha se përparësitë që lidhen me profesionin që ai ka zgjedhur të bëjë, Gjykata do të vendoset jo në kohën kur kërkuesi është pranuar në shkollën ushtarake dhe ka zgjedhur një specializim, por në vitin 2004, vit kur ka hyrë në fuqi ligji i amendimit të dekret-ligjit no 1400/1973. Në fakt, pikërisht nën regjimin e këtij dekret-ligji të amenduar kërkuesi ka vendosur t’i japë fund angazhimit të tij duke iu përshtatur kërkesave që rrjedhin prej tij.
98. Gjykata nuk mund të lëjë mënjanë faktin se në saje të ndërhyrjes së ushtrisë kërkuesi ka bërë studimet për mjekësi dhe ka fituar një specializim si anestezist duke punuar nga viti 1996 deri në vitin 2001 fillimisht në spitalin e përgjithshëm ushtarak 424 të Selanikut dhe më pas në spitalin rajonal Papanikolau të Selanikut. Ajo vëren në këtë drejtim se neni 38 § 2 i ligjit no 1397/1983 ndalonte caktimin e një mjeku për qëllime specializimi në spiatale mbi vendet e lira, por ai lejonte një gjë të tillë duke tejkaluar vendet e lira, për mjekët e përhershëm të forcave të armatosura, mundësi nga e cila ka përfituar kërkuesi. Përveç kësaj legjislacioni grek u jep mundësinë oficerëve si kërkuesi të punojnë për një periudhë të caktuar për ushtrinë ose të largohen prej saj para periudhës së caktuar duke paguar një dëmshpërblim.
99. Gjykata nënvizon gjithashtu se, pas hyrjes në fuqi të ligjit no 3257/2004 të lartcituar, oficerët e shërbimit shëndetësor, pra edhe kërkuesi, ishin të autorizuar të ushtronin profesionin e mjekut privatisht jashtë orarit të punës.
100. Këto elemente tregojnë se mjekët ushtarakë përfitojnë, në kuadrin e studimeve dhe të specializimit të tyre, privilegje që nuk i kanë studentët në mjekësinë civile, ndër të cilat sigurinë e vendit të punës. Nëse shtojmë këtu faktin se mjekët ushtarakë marrin një rrogë gjatë kohëzgjatjes së studimeve të tyre, detyrimi për ata që dëshirojnë të largohen nga ushtria para fundit të periudhës së detyruar të shërbimit që t’i paguajnë shtetit rimbursimin e shpenzimeve që ky i fundit ka shpenzuar për t’i formuar, justifikohet plotësisht. Gjykata çmon se për rrjedhojë vetë parimi i rimbursimit të viteve të shërbimit të mbetura nuk përbën problem për sa i përket parimit të proporcionalitetit. .
101. Gjithsesi, Gjykata mendon se modalitetet e këtij rimbursimi, në disa raste të veçanta, mund të kontribuojnë në prishjen e ekuilibrit që duhet të ekzistojë midis mbrojtjes së të drejtës individuale të ushtarakut të interesuar dhe mbrojtjes së interesave të kolektivit.
102. Në këtë rast, Gjykata nënvizon, nga njëra anë, se kur kërkuesi ka dhënë dorëheqjen, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë e ka informuar se ai kishte për të përmbushur një shërbim të detyruar për një periudhë prej nëntë vjetësh, katër muajsh dhe dymbëdhjetë ditësh dhe se po të mos e respektonte këtë ai duhej t’i paguante shtetit një dëmshpërblim prej 106 960 EUR (vendim i 26 majit 2007). Ajo nënvizon, nga ana tjetër, se Gjykata e llogarive më në fund ka gjykuar, në 12 dhjetor 2013, se pesë vjetët e specializimit të kërkuesit duhej të përfshiheshin në periudhën e plotë të detyrimit të shërbimit prej shtatëmbëdhjetë vjetësh dhe që për pasojë ajo e reduktoi shumën e dëmshpërblimit që i duhej paguar shtetit në 49 978,33 EUR.
103. Gjykata konstatoi pamundësinë e deklaruar të Qeverisë për të saktësuar shumën e pagave dhe honorareve të përfituara nga kërkuesi gjatë periudhës së studimeve dhe të specializimit si mjek anestezist. Ajo nënvizon sidoqoftë se, sipas vetë vlerësimeve të tyre, kërkuesi dhe Qeveria bien dakord të thonë se kërkuesi ka marrë në total një shumë midis 86 976 EUR minimumi dhe 91 476 EUR maksimumi për periudhat që shhtrihen nga shtatori 1986 në qershor 1993, pastaj nga gushti 1996 në korrik 2001.
104. Gjykata çmon se shuma 49 978,33 EUR që kërkuesi më në fund duhej të paguante, në zbatim të vendimit të Gjykatës së llogarive të 12 dhjetorit 2013, ishte të paktën sa dy të tretat e shumës që kishte marrë gjatë periudhës së kontestuar ( midis 86 976 EUR dhe 91 476 EUR) dhe për këtë ajo nuk mund të konsiderohej si e paarsyeshme.
105. Gjykata vëren për më tepër se, pas një kërkese të kërkuesit në këtë drejtim, kryetari i seancës plenare të Gjykatës së llogarive ka lëshuar, në 17 mars 2009, një urdhër të përkohshëm me anë të të cilit pezullonte ekzekutimin e vendimit të 26 marsit 2007, një pezullim i konfirmuar në 21 tetor 2009 nga seanca plenare e Gjykatës së llogarive.
106. Ky pezullimi i ekzekutimit nuk e ka ndaluar qendrën e taksave të Selanikut ta detyronte, në 18 mars e më pas në 9 prill 2009, kërkuesin të paguante një shumë prej 109 527 EUR, që përbëhej nga shuma e lartpërmendur prej 106 960 EUR, e shtuar me 2 139,20 EUR për pullën fiskale dhe shumën prej 427,84 EUR që shkonte në favor të organizmit të sigurimeve bujqësore. Në 10 maj 2010, drejtoria e taksave të ministrisë së financave e informoi kërkuesin se, për shkak të mos pagimit nga ana e tij të shumës së duhur gjatë vitit që kishte kaluar, shuma shtohej nga interesat e vonesës dhe arrinte në 13 143,24 EUR. Ajo e informonte gjithashtu, se në rast se do t’i bindej urdhërit deri në 31 maj 2010, mund të përfitonte nga një ulje prej 80% mbi interesat. Në 26 maj 2010, kërkuesi ka depozituar shumën prej 112 155,69 EUR në qendrën e taksave të Selanikut.
107. Pavarësisht pezullimit të ekzekutimit të vendimit të kontestuar që i është dhënë kërkuesit, së pari nga kryetari i seancës plenare të Gjykatës së llogarive pastaj nga vetë seanca plenare, dhe ndonëse procedura para seancës plenare të Gjykatës së llogarive sapo kishte nisur, kërkuesi ishte i detyruar, nga ndërhyrja e drejtorisë së taksave të Ministrisë së Financave, në 10 maj 2010, të paguante shumën e duhur të shtuar me interesat me 12% deri 13%. Nëse ai nuk do të pranonte të paguante të gjithë shumën, ajo do të rritej edhe më shumë për atë periudhë kohe sa të merrte vendimin Gjykata e llogarive.
108. Përveç kësaj, Gjykata nënvizon se, neni 3 § 1 i kodit që lidhet me mbledhjen e të ardhurave të shtetit dhe neni 96 i dekret -ligjit no 721/1970, ashtu si interpretohen nga opinioni no 120/2002 i Këshillit Juridik të Shtetit, dekretojnë se borxhet e oficerëve ndaj ushtrisë mund të shlyhen në mënyrë të përshkallëzuar, një mundësi e tillë duhet të përmendet në aktin e shlyerjes së dëmshpërblimit. Por, në këtë rast, ajo nuk figuron në vendimin e 26 majit 2007.
109. Duke mbajtur parasysh këto rrethana, Gjykata nuk ka dyshim se kërkuesi ka qenë i detyruar të veprojë kështu nën shtrëngesë (shih mutatis mutandis, Deweer kundër Belgjikës, vendim i 27 shkurtit 1980, seria A no 35, § 51). Ajo konstaton se autoritetet i kanë injoruar dy vendimet gjyqësore që ishin shtrënguese ndaj tyre dhe kanë këmbëngulur që të ekzekutohet vendimi i tyre fillestar i 26 majit 2007 i cili saktësonte se procedura e pagimit nuk mund të ndërpritet nga një ankim i mundshëm i kërkuesit (shih, mutatis mutandis, Georgoulis dhe të tjerë kundër Grqisë, no 38752/04, § 25, 21 qershor 2007). Duke e detyruar kërkuesin të paguajë menjëherë shumën 109 527 EUR të shtuar në 112 155,69 EUR nga interesat, autoritetet fiskale kanë krijuar një detyrim të çproporcionuar për të interesuarin.
Për rrjedhojë, ka një shkelje të nenit 4 § 2 të Konventës në këtë drejtim.
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 4 § 2 TË KOMBINUAR ME NENIN 14 TË KONVENTËS
110. Kërkuesi pretendon se vetëm mjekët oficerë të ushtrisë së tokës, si ai, janë të detyruar të marrin një specializim në bazë të nenit 14 të ligjit no 1394/1983 dhe të angazhohen kështu në ushtri për një periudhë shtesë prej pesë vjetësh, ndërsa një specializim i tillë nuk do t’u kërkohej as mjekëve oficerë të marinës as atyre të ushtrisë së ajrit. Në këtë drejtim, ai denoncon një shkelje të nenit 4 § 2 të Konventës, të marrë veçmas ose të kombinuar me nenin 14 të Konventës.
111. Qeveria pretendon, së pari se ankesa duhej hedhur poshtë për mosshterrim të rrugëve të brendshme të rekursit. Së dyti, ajo vë në dukje se neni 64 i dekret-ligjit no 1400/1973 zbatohet pa dallim për mjekët oficerë të tri grupimeve të ushtrisë (ushtrinë e tokës, së marinës kombëtare dhe të ajrit)
112. Gjykata vëren, ashtu si Qeveria, se nga neni 64 §§ 7 dhe 15 i dekret-ligjit të lartcituar, të kombinuar me nenin 14 § 1 të ligjit no 1394/1983, del që detyrimi i shërbimit gjatë pesë vjetëve shtesë në rastin e specializimit bie mbi mjekët e tre grupimeve të ushtrisë. Më saktësisht, ajo konstaton se neni 14 § 1 i ligjit no 1394/1983 nuk e bën të detyrueshëm specializimin e mjekëve të forcave tokësore, kur dekreton se ata që dëshirojnë të marrin një specializim mund ta bëjnë këtë vetëm përmes ushtrisë (gjetje ose krijim vendesh pune plus dhe pagimi i shpenzimeve që lidhen me të).
113. Nga kjo rrjedh se kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme meqë është dukshëm e pabazuar, në zbatim të nenit 35 §§ 3 a) dhe nenit 4 të Konventës.
III. MBI NENIN 41 TË KONVENTËS
114. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të Konventës ose të protololleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë. »
A. Dëmi material
115. Për dëm material, kërkuesi kërkon 106 960 euro (EUR), ose rimbursimin e shumës së dëmshpërblimit që ai ka qenë i detyruar t’i paguajë shtetit.
116. Gjykata nënvizon, ashtu si Qeveria se, në 13 mars 2014, Shteti e ka rimbursuar kërkuesin me shumën 59 749,61 EUR që i korrespondon diferencës midis shumës tashmë të derdhur nga i interesuari dhe shumës së caktuar nga vendimi no 4909/2013 i lartpërmendur. Gjykata nënvizon gjithashtu se ajo e ka mbështetur konstatimin e saj për shkelje në modalitetet e zbatimit të aktit të shlyerjes së dëmshpërblimit nga kërkuesi dhe jo në vetë parimin e pagimit të dëmshpërblimit në rastin e dorëheqjes së parakohshme nga ushtria. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se asnjë shumë nuk i duhet paguar kërkuesit si dëmshpërblim material.
B. Dëmi moral
117. Kërkuesi kërkon 50 000 EUR për dëm moral.
118. Qeveria mendon se shuma e kërkuar është shumë e madhe dhe se konstatimi se ka shkelje të Konventës do të përbënte një kompensim të mjaftueshëm.
119. Gjykata çmon se kërkuesi ka pësuar sigurisht një dëm moral dhe se konstatimi i shkeljes së Konventës nuk përbën një kompensim të mjaftueshëm në këtë drejtim. Ajo i jep për këtë shumën 5000 EUR.
C. Shpenzime dhe kosto gjyqësore
120. Për shpenzimet dhe pagesat që ai thotë se ka bërë për gjykatat e brendshme dhe për Gjykatën, kërkuesi kërkon rimbursimin e një shume prej 9 102,30 EUR, nga të cilat 2 460 EUR për procedurat në Gjykatë.
121. Qeveria çmon se pretendimet e kërkuesit janë të tepërta, të paqarta dhe të paprovuara. Ai shton se i interesuari nuk jep elementet mbi të cilat ka bërë llogaritë e tij.
122. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues nuk mund të rimbursohet për shpenzimet e pagesat gjyqësore veçse po të provohet vërtetësia e tyre, domosdoshmëria dhe karakteri i arsyeshëm i normës së tyre. Në këtë rast, duke mbajtur parasysh dokumentet që ka në dispozicion dhe në dritën e jurisprudencës, Gjykata mendon se është e arsyeshme t’i jepet kërkuesit shuma prej 2 500 EUR për të gjitha shpenzimet.
D. Interesa të vonuara
123. Gjykata e gjykon të përshtatshme ta përllogarisë normën e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huadhënieve afatshkurtëra të Bankës Qendrore Evropiane përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NË UNANIMITET,
1. Deklaron se kërkesa është e pranueshme për sa i përket ankesës së bazuar në nenin 4 § 2 të Konventës dhe e papranueshme për pjesën që mbetet ;
2. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 4 § 2 të Konventës ;
3. Thotë
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tri muajve duke numëruar nga dita kur vendimi është bërë përfundimtar në pajtueshmëri me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme :
i. 5 000 EUR (pesë mijë euro), plus çdo shumë që mund të jetë paguar për taksa, për dëm moral,
ii. 2 500 EUR (dy mijë e pesëqind euro), plus çdo shumë tjetër që mund të jetë paguar si taksë nga kërkuesi, për shpenzime e pagesa të tjera ;
b) se duke numëruar që nga skadimi i këtij afati deri në pagimin e tyre, këto shuma do të rriten me një interes të thjeshtë me një përqindje të barabartë me atë të kursit marxhinal të huadhënies afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë ;
4. Hedh poshtë kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën tjetër.
Hartuar në frëngjisht, më pas transmetuar me shkrim në 4 qershor 2015, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Søren NielsenIsabelle Berro
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2016.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2016
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2016
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy