© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA COPLAND kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesa nr. 62617/00)
VENDIM
STRASBURG
3 prill 2007
PËRFUNDIMTAR
03/07/2007
Në çështjen e Copland kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), me Dhomën e përbërë nga:
Josep Casadevall, Kryetar,
Nicolas Bratza,
Giovanni Bonello,
Rait Maruste,
Stanislav Pavlovschi,
Lech Garlicki,
Javier Borrego Borrego, gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 7 mars 2006 dhe më 13 mars 2007,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e përmendur në fund:
PROCEDURA
1. Çështja filloi në vijim të një ankese (nr. 62617/00) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore që u depozitua në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga Znj. Lynette Copland (“kërkuesja”), më 23 maj 2000.
2. Kërkuesja përfaqësohej para Gjykatës nga Z. J. Welch që vinte nga Liberty, organizatë jo-qeveritare për të drejtat civile me seli në Londër. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti Përfaqësues, Z. J. Grainger, Zyra e Punëve të Jashtme dhe Commonwealthit.
3. Kërkuesja ankohej për monitorimin e thirrjeve të saj telefonike, korrespondencës elektronike dhe përdorimit të internetit sipas neneve 8 dhe 13 të Konventës.
4. Me një vendim të datës 7 mars 2006, Gjykata e deklaroi kërkesën pjesërisht të pranueshme.
5. Kërkuesja, por jo Qeveria, paraqiti vërejtje të mëtejshme (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesja është e lindur në vitin 1950 dhe jeton në Llanelli, Wales (Uejlls).
7. Në vitin 1991, kërkuesja ishte e punësuar në Kolegjin Carmathenshire (“Kolegji”). Kolegji është një organ statutor i administruar nga Shteti me pushtet procesues sipas seksioneve 18 dhe 19 të Ligjit për Arsimin e Vazhdueshëm dhe të Lartë të vitit 1992 në lidhje me ofrimin e arsimit të vazhdueshëm dhe të lartë.
8. Në vitin 1995 kërkuesja u bë asistente personale e Drejtorit të Kolegjit (“DK”) dhe prej fundit të vitit 1995 asaj iu kërkua të punonte afër Drejtorit të ri Kryesor (DK) të sapoemëruar.
9. Rreth muajit korrik të vitit 1998, gjatë periudhës së pushimit vjetor, kërkuesja vizitoi një kampus tjetër të Kolegjit me një drejtor mashkull. Më pas ajo mori vesh që DK kishte kontaktuar kampusin për të pyetur lidhur me vizitën e saj dhe kuptoi që ai po sugjeronte një raport të pahijshëm mes saj dhe drejtorit.
10. Gjatë punësimit të saj, telefoni, emaili dhe përdorimi i internetit nga kërkuesja iu nënshtruan monitorimit me nxitjen e DK-së. Sipas Qeverisë, ky monitorim u zhvillua në mënyrë që të sigurohej nëse kërkuesja po i përdorte më tepër ambientet e Kolegjit për qëllime personale. Qeveria deklaroi që monitorimi i përdorimit të telefonit kishte të bënte me analizën nga Kolegji të faturave telefonike ku tregoheshin numrat e thirrur, datat dhe ora e thirrjeve, si dhe kohëzgjatja dhe kostoja e tyre. Gjithashtu, kërkuesja besonte se kishte pasur regjistrime të hollësishme dhe të plota të kohëzgjatjes së thirrjeve, numrit të thirrjeve të bëra dhe të pranuara, dhe numrat e telefonave të personave që e kishin thirrur atë. Ajo deklaroi që, në të paktën një rast, DK kishte marrë vesh emrin e një individi me të cilin ajo kishte pasur telefonata hyrëse dhe dalëse. Qeveria parashtroi që monitorimi i përdorimit të telefonit ndodhi për një periudhë disa-mujore deri rreth datës 22 nënor 1999. Kërkuesja deklaroi që përdorimi i telefonit të saj u monitorua për një periudhë prej rreth tetëmbëdhjetë muajsh deri në nëntor 1999.
11. Edhe përdorimi i internetit nga kërkuesja u monitorua nga DK. Qeveria pranoi që ky monitorim kishte të bënte me analizimin e faqeve të internetit të vizituara, kohët dhe datat e vizitave në faqet e internetit dhe kohëzgjatja e secilës vizitë, dhe që ky monitorim ndodhi nga tetori deri në nëntor 1999. Kërkuesja nuk komentoi mbi mënyrën në të cilën ishte monitoruar përdorimi i internetit nga ajo, por deklaroi që ai kishte ndodhur gjatë një periudhe më të gjatë kohore sesa periudha e pranuar nga Qeveria.
12. Në nëntor 1999 kërkuesja mori vesh që po zhvilloheshin hetime lidhur me përdorimin nga ajo të internetit në punë kur vajza e burrit me të cilin ishte martuar kërkuesja u kontaktua nga Kolegji dhe iu kërkua të jepte informacione lidhur me emailat që ajo i kishte dërguar Kolegjit. Kërkuesja i shkroi DK-së për të pyetur nëse po zhvillohej ndonjë hetim i përgjithshëm apo nëse emailat e saj ishin të vetmit që po hetoheshin. Përmes një emaili të datës 24 nëntor 1999, DK informoi kërkuesen që, ndërkohë që tërë aktiviteti në email regjistrohej, departamenti i teknologjisë informative i Kolegjit po hetonte vetëm emailat e saj me kërkesë të DK-së.
13. Qeveria parashtroi që monitorimi i emailave mori formën e analizës së adresave të emailit dhe datave dhe kohëve të dërgimit të emailave dhe që monitorimi ndodhi për pak muaj para datës 22 nëntor 1999. Sipas kërkueses, monitorimi i emailave vazhdoi për të paktën gjashtë muaj nga maji deri në nëntor 1999. Ajo paraqiti prova dokumentuese në formën e fletëve të printuara ku tregohej me hollësi përdorimi i emailit nga ajo nga 14 maji deri më 22 nëntor 1999, të cilat theksonin datën dhe orën e dërgimit të emailave prej emailit të saj së bashku me adresat e emailit të pranuesve.
14. Me anë të një memorandumi të datës 29 nëntor 1999, DK i shkroi Zv/Drejtorit për të konfirmuar përmbajtjen e një bisede që kishin pasur si vijon:
“Për të shmangur dykuptimshmërinë, e gjykova me vend që të konfirmoja pikëpamjet e mia që jua shpreha javën e kaluar, në lidhje me hetimin e komunikimeve në emailin e [kërkueses].
Në vijim të faktit që kërkuesja e ka kuptuar që dikush nga [Kolegji] po përgjon emailat e saj, unë bisedova me [ST] i cili e konfirmoi që kjo ishte e vërtetë dhe që ishte nxitur nga ju. Duke pasur parasysh që legjislacioni në dispozicion e bën të paligjshëm për organizatat që të hetojnë emailin e dikujt pa leje, natyrisht që u shqetësova për këto ngjarje dhe e udhëzova [ST] që të mos vazhdonte me analiza të mëtejshme. Më tej, ju kërkova edhe juve të veproni në të njëjtën mënyrë dhe kërkova që ç informacion që keni në lidhje me [kërkuesen] të më përcillet mua si çështje prioriteti. Ju thatë që do të përgjigjeshit pozitivisht ndaj të dy kërkesave, ndërkohë që i përsëritët shqetësimet tuaja lidhur me [kërkuesen].”
15. Nuk kishte asnjë politikë të miratuar në Kolegj në kohën përkatëse lidhur me monitorimin e telefonatave, emailave ose përdorimit të internetit nga punonjësit.
16. Në ose rreth marsit apo prillit 2000, kërkuesja u informua nga anëtarë të tjerë të stafit të Kolegjit që mes vitit 1996 dhe fundit të vitit 1999 disa nga aktivitetet e saj ishin monitoruar nga Zv/Drejtori ose nga të tjerë në emër të tij. Po ashtu, kërkuesja besonte se personat që ajo kishte thirrur në telefon kishin marrë thirrje edhe nga Zv/Drejtori, ose të tjerë në emër të tij, me synim të identifikimit të bashkëbiseduesve dhe qëllimit të bisedës telefonike. Më tej, ajo besonte se Zv/Drejtori ishte në dijeni të një faksi të një natyre të privilegjuar ligjore që ajo i kishte dërguar avokatëve të saj dhe që lëvizjet e saj personale, si në punë ashtu edhe gjatë pushimit mjekësor ose pushimit vjetor, ishin të përgjuara.
17. Kërkuesja paraqiti para Gjykatës deklarata nga anëtarë të tjerë të stafit ku pretendohej monitorimi i papërshtatshëm dhe i ndërfutur i lëvizjeve të tyre. Kërkuesja, e cila vazhdon të punojë në Kolegj, është në dijeni të faktit që Zv/Drejtori është pezulluar.
II. LIGJI RELEVANT VENDAS
A. Ligji i privatësisë
18. Në kohën përkatëse nuk ekzistonte e drejta e përgjithshme për privatësi në ligjet britanike.
19. Që nga zbatimi i Ligjit të të Drejtave të Njeriut të vitit 1998 më 2 tetor 2000, gjykatave u është kërkuar të lexonin dhe t’i jepnin fuqi legjislacionit primar në mënyrë të atillë që të ishte në përputhje me të drejtat e Konventës sa më shumë që ishte e mundur. Po ashtu, Ligji e bënte të paligjshme për çdo autoritet publik, përfshirë edhe gjykatën, që të vepronte në papajtueshmëri me të drejtën e Konventës përveç se kur kërkohej të veprohej kështu nga legjislacioni primar, duke lejuar kështu zhvillimin e ligjit zakonor në përputhje me të drejtat e Konventës. Në çështjen Douglas kundër Hello! Ltd ([2001] 2 WLR 992), Gjyqtari Lord Sedley u shpreh që ai ishte përgatitur të gjente që ekzistonte e drejta e kualifikuar e privatësisë në ligjet angleze, por Gjykata e Apelit nuk vendosi në lidhje me atë pikë.
20. Rregullorja e Ligjit të Pushtetit Hetimor të vitit 2000 (“Ligji i vitit 2000”) parashikonte rregullimin e, inter alia, përgjimit të komunikimeve. Rregulloret e Telekomunikimeve (Praktika e Ligjshme të Biznesit) 2000 u dekretuan sipas Ligjit të vitit 2000 dhe hynë në fuqi më 24 tetor 2000. Rregulloret përcaktonin rrethanat në të cilat punëdhënësit mund të regjistronin ose monitoronin komunikimet e punonjësve (si emaili apo telefoni) pa lejen e punonjësit ose të palës tjetër bashkëkomunikuese. Punëdhënësve iu kërkua të merrnin hapa të arsyeshëm për të informuar punonjësit që komunikimet e tyre mund të përgjoheshin.
B. Dëmet kontraktuale për shkelje të besimit dhe sigurisë nga ana e punëdhënësit
21. Dhoma e Lordëve në çështjen Malik kundër Bank of Credit and Commerce International SA ([1997] IRLR 462) konfirmoi që, si çështje ligji, në kontratën e çdo punonjësi nënkuptohet një kusht i përgjithshëm që punonjësi “nuk do të sillet, pa shkak të arsyeshëm dhe të duhur, në mënyrë të atillë që llogaritet apo që ka gjasë të shkatërrojë apo të dëmtojë seriozisht raportin e besimit dhe sigurisë mes punonjësit dhe punëdhënësit”. Në çështjen Malik, Dhoma e Lordëve u mor me caktimin e të ashtuquajturit “kompensim stigmë” kur një ish-punonjës nuk arrin të gjejë punë tjetër për shkak të asociimit me një ish-punëdhënës të pandershëm. Në vlerësimin e dëmshpërblimit që mund të akordohej për shkeljen e detyrimit për besim dhe siguri, Dhoma shtjelloi vetëm çështjen e pagimit të kompensimit për humbjen financiare të pësuar si rezultat i pengesës në tregun e punës. Lordi Nicholls vërejti në mënyrë të veçantë që “[për] qëllimet e tanishme nuk kam në bëj me shqyrtimin e përjashtimit të dëmeve për njenjat e lënduara, çështja në fjalë ka të bëjë vetëm me humbjen financiare”.
22. Në kufizimin e hapësirës së kushtit të nënkuptuar të besimit dhe sigurisë në çështjen Malik, Lordi Steyn deklaroi si vijon:
“Detyrimi i nënkuptuar i ndërsjellë për besim dhe siguri është i zbatueshëm vetëm aty ku ‘nuk ka shkak të arsyeshëm dhe të duhur’ për sjelljen e punëdhënësit, dhe atëherë vetëm kur sjellja llogaritet se shkatërron ose dëmton seriozisht raportin e besimit dhe sigurisë. Ajo e jashtëshkruan shtrirjen dhe fushëveprimin potencial të detyrimit të nënkuptuar.”
C. Dëmi për shkak të veprimit arbitrar
23. Dëmi për shkak të veprimit arbitrar ndodh kur një zyrtar pulik ose ka (a) ushtruar pushtetin e tij duke synuar pikërisht lëndimin e paditësit, ose ka (b) vepruar me dijeni të, ose me indiferencë të pamatur ndaj, paligjshmërisë së veprimit të tij dhe me dijeni të ose me indiferencë të pamatur ndaj probabilitetit të shkaktimit të lëndimit kërkuesit ose një klase njerëzish pjesëtar e së cilës është kërkuesi (Këshilli i Qarkut Three Rivers kundër Bankës së Anglisë (Nr. 3) (HL) [2000] 2 WLR 1220).
D. Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave i vitit 1984
24. Në kohën e veprave për të cilat ankohet kërkuesja, Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave i vitit 1984 (“Ligji i vitit 1984”) rregullonte mënyrën në të cilën njerëzit dhe organizatat që mbanin të dhëna, të njohur si “mbajtës të të dhënave”, i përpunonin ose përdornin ato të dhëna. Ai ofronte një numër të caktuar zgjidhjesh të mundshme për individët në rast keqpërdorimi të të dhënave të tyre. Ligji i vitit 1984 tani është zëvendësuar nga Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave i vitit 1998.
25. Seksioni 1 i Ligjit të vitit 1984 përkufizonte kushtet e tij si vijon:
“...
(2) ’Të dhëna’ nënkupton informacionin e regjistruar në formë të atillë që mund të përpunohet nga pajisje që operohen automatikisht sipas udhëzimeve që jepen për atë qëllim.
(3) ’Të dhëna personale’ nënkupton të dhënat që përbëhen nga informacione të cilat janë të lidhura me një individ të gjallë i cili mund të identifikohet nga ai informacion (ose nga ai dhe informacione të tjera në posedim të mbajtësit të të dhënave) ...
(4) ’Subjekti i të dhënave’ nënkupton një individ i cili është subjekti i të dhënave personale.
(5) ’Përdorues i të dhënave’ nënkupton një person që mban të dhëna, dhe një person ‘mban’ të dhëna nëse –
(a) të dhënat formojnë pjesë të një koleksioni të të dhënave të përpunuara ose që synohet të përpunohen nga ose me autorizim të atij personi siç përmendet në nënseksionin (2) lart; dhe
(b) ai person ... kontrollon përmbajtjen dhe përdorimin e të dhënave të përmbledhura në koleksion; dhe
(c) të dhënat janë në formën në të cilën kanë qenë ose synohet të përpunohen siç përmendet në paragrafin (a) ...
(7) ’Përpunimi’, në lidhje me të dhënat, nënkupton ndryshimin, shtimin, fshirjen ose riorganizimin e të dhënave ose nxjerrjen e informacioneve që përbëjnë të dhënat dhe, në rastin e të dhënave personale, nënkupton kryerjen e cilitdo prej këtyre veprimeve në referencë të subjektit të të dhënave.
...
(9) ’Zbulimi’, në lidhje me të dhënat, nënkupton zbulimin e informacionit të nxjerrë nga të dhënat ...”
26. “Parimet e mbrojtjes së të dhënave” që duhen respektuar nga mbajtësit e të dhënave janë caktuar në Pjesën I të Skemës I të Ligjit si vjon:
“1. Informacioni që përfshihet në të dhënat personale përftohet, dhe të dhënat personale përpunohen, në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.
2. Të dhënat personale mbahen vetëm për një ose më shumë qëllime të specifikuara dhe të ligjshme.
...
4. Të dhënat personale të mbajtura për çfarëdo qëllimi ... duhet të jenë të përshtatshme, relevante dhe jo të tepruara në lidhje me atë qëllim ose ato qëllime.”
27. Seksioni 23 i Ligjit të vitit 1984 ofronte të drejta të kompensimit për subjektin e të dhënave në rast zbulimi të paautorizuar të të dhënave personale.
“(1) Një individ i cili është subjekt i të dhënave personale të mbajtura nga një përdorues të dhënash ... dhe i cili pëson dëme si pasojë e –
...
(c) ... zbulimit të të dhënave, ose qasjes së fituar ndaj të dhënave, pa autoritet të tillë si më lart,
i takon kompensim nga përdoruesi i të dhënave ... për ato dëme dhe për çdo shqetësim të cilin individi e vuan për shkak të ... zbulimit ose qasjes.”
28. Ligji i vitit 1984 gjithashtu krijoi pozicionin e Regjistruesit të Mbrojtjes së të Dhënave, me detyrë promovimin e vëzhgimit të parimeve të mbrojtjes së të dhënave nga përdoruesit e të dhënave. Në seksionin 10 ai krijoi veprën penale të mëposhtme:
“(1) Nëse Regjistruesi është i bindur që një person ka shkelur ose është duke shkelur ndonjë prej parimeve të mbrojtjes së të dhënave ai mund mund t’i dërgojë atij personi një lajmërim (‘notë zbatimi’) ku i kërkon të ndërmarrë ... hapa të atillë të cilët janë të përshtatshëm për të vepruar në pajtim me parimin ose parimet në fjalë.
(2) Në marrjen e vendimit nëse duhet dërguar një notë zbatimi Regjistruesi merr në konsideratë faktin nëse shkelja i ka shkaktuar apo ka gjasa t’i shkaktojë dikujt dëme ose shqetësim.
...
(9) Çdo person që nuk vepron në përputhje me një notë zbatimi është fajtor për vepër ...”
LIGJI
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 8 TË KONVENTËS
29. Kërkuesja pretendoi që aktiviteti monitorues i zhvilluar kishte shkuar deri tek ndërhyrja në të drejtën e saj për respektim të jetës së saj private dhe korrespondencës së saj private sipas nenit 8, i cili thotë:
“1. Secili person ka të drejtën e respektit për jetën e tij private dhe jetën familjare, shtëpinë dhe korrespondencën e tij.
2. Nuk do të ketë ndërhyrje nga një autoritet publik në ushtrimin e kësaj të drejte përveç se në përputhje me ligjin dhe sipas nevojës në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë kombëtare, sigurisë publike ose mirëqenies ekonomike të vendit, për parandalimin e çrregullimeve ose krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
30. Qeveria e kontestoi këtë argument.
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria
31. Qeveria pranoi që Kolegji ishte organ publik për veprimet e të cilit Shteti ishte drejpërdrejt përgjegjës sipas Konventës.
32. Megjithëse kishte pasur monitorim të thirrjeve telefonike, emailave dhe përdorimit të internetit nga kërkuesja para nëntorit 1999, kjo nuk ka shkuar deri tek përgjimi i thirrjeve telefonike ose analiza e përmbajtjes së faqeve të internetit të vizituara nga ajo. Kështu, monitorimi nuk ka qenë më shumë sesa një analizë e informacioneve të gjeneruara automatikisht për të përcaktuar nëse ambientet e Kolegjit ishin përdorur për qëllime personale të cilat, në vetvete, nuk përbënin mos-respektim të jetës private apo korrespondencës personale. Çështja P.G. dhe J.H. kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 44787/98, KEDNJ 2001‑IX) mund të dallohej meqenëse në atë rast kishte pasur përgjime faktike të thirrjeve telefonike. Kishte dallime domethënëse nga çështja Halford kundër Mbretërisë së Bashkuar (25 qershor 1997, Përmbledhje e Vendimeve 1997‑III), ku thirrjet telefonike të kërkueses ishin përgjuar në një linjë telefonike të caktuar për përdorim privat dhe, në mënyrë të veçantë, çështja gjyqësore e saj kundër punëdhënësit të saj.
33. Në rast se analiza e regjistrimit të përdorimit të telefonit, emailit dhe internetit konsiderohej se shkonte deri në ndërhyrje ndaj respektimit të jetës ose korrespondencës private, Qeveria argumentoi që ndërhyrja ishte e justifikuar.
34. Së pari, ajo kishte qëllimin legjitim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve duke siguruar që ambientet e ofruara nga një punëdhënës i financuar nga publiku nuk po abuzoheshin. Së dyti, ndërhyrja bazohej mbi ligjin e brendshëm në atë Kolegj, si organ statutor, pushteti i të cilit i mundëson atij të ofrojë arsim të vazhdueshëm dhe të lartë dhe për të bërë gjithçka që është e nevojshme dhe e përshtatshme për ato qëllime, kishte fuqinë të merrte nën kontroll të arsyeshëm ambientet e tij për t’u siguruar që ishte në gjendje të vazhdonte funksionet e tij statutore. Ishte e parashikueshme me arsye që ambientet e ofruara nga një organ statutor i mbështetur në fonde publike nuk mund të përdoreshin në mënyrë të tepruar për qëllime personale dhe që Kolegji do të ndërmerrte një analizë të regjistrimeve të tij për të përcaktuar nëse kishte probabilitet të përdorimit personal që duhej hetuar. Në këtë aspekt, situata ishte e ngjashme me atë të çështjes Peck kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 44647/98, KEDNJ 2003‑I).
35. Së fundi, veprimet kishin qenë të nevojshme në një shoqëri demokratike dhe ishin proporcionale meqenëse çdo ndërhyrje nuk ka shkuar më larg sesa ishte e nevojshme për të përcaktuar nëse kishte pasur përdorim të atillë personal të tepruar të ambienteve që meritonte hetime.
2. Kërkuesja
36. Kërkuesja nuk e pranoi që emailat e saj nuk ishin lexuar dhe që thirrjet e saj telefonike nuk ishin përgjuar por argumentoi që, edhe sikur faktet të ishin ashtu siç i paraqiste Qeveria, ishte e qartë se kishte pasur aktivitet monitorues i cili shkonte deri tek ndërhyrja në të drejtën e saj për respektim të jetës dhe korrespondencës personale.
37. Ajo iu referua legjislacionit pas shkeljes së pretenduar, pra Ligjit mbi Rregulloren e Pushtetit Hetimor të vitit 2000 dhe Rregulloreve të Telekomunikimit (Praktika e Ligjshme e Biznesit) të vitit 2000 (shih paragrafin 20 lart), i cili ajo pretendoi se ishte njohje e qartë nga Qeveria e faktit që një monitorim i tillë përbënte ndërhyrje sipas nenit 8 dhe kërkonte autorizim për të qenë e ligjshme. Që kur këto ligje hynë në fuqi në vitin 2000, baza ligjore për ndërhyrje të tilla i pas-datoi ngjarjet në rastin konkret. Kështu, ndërhyrja nuk gjente bazë në ligjin vendor dhe ishte krejtësisht e ndryshme nga pozicioni në çështjen Peck (shih paragrafin 34 lart), ku autoriteteve vendase u jepej fuqi e posaçme nga statuti për të regjistruar pamje vizuale të ngjarjeve të ndodhura në zonën e tyre. Në rastin konkret nuk ka ekzistuar një pushtet i tillë që Kolegji të zhvillonte përgjime mbi punonjësit e vet dhe fuqia statutore nuk e parashikonte një vëzhgim të tillë me arsye.
38. Kërkuesja konstatoi që sjellja e Kolegjit nuk ishte e nevojshme e as proporcionale. Kishte metoda më të arsyeshme dhe më pak ndërhyrëse të cilat Kolegji do të kishte mundur të përdorte, si p.sh. hartimi dhe publikimi i një politike në lidhje me përdorimin nga punonjësit të telefonit, internetit dhe emailit.
B. Vlerësimi i Gjykatës
39. Gjykata shënon pranimin nga Qeveria të faktit që Kolegji është organ publik për veprimet e të cilit ajo është përgjegjëse për qëllime të Konventës. Kështu, ajo konsideron që në rastin konkret çështja që duhet analizuar sipas nenit 8 ka lidhje me detyrimin negativ që ka Shteti për të mos ndërhyrë në jetën dhe korrespondencën private të kërkueses dhe që nuk ngrihet çështje e ndarë lidhur me jetën në shtëpi dhe familje.
40. Më tej, Gjykata vëren se palët nuk janë dakord për sa i përket natyrës së këtij monitorimi dhe periudhës kohore gjatë së cilës ai është zhvilluar. Megjithatë, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të hyjë në këtë mosmarrëveshje meqenëse këtu del një problem nga neni 8 edhe ashtu siç i pranon Qeveria faktet.
1. Hapësira e jetës private
41. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, thirrjet telefonike nga ambientet e punës mbulohen prima facie nga nocionet e “jetës private” dhe “korrespondencës” për qëllime të nenit 8 § 1 (shih Halford, cituar lart, § 44, dhe Amann kundër Zvicrës [GC], nr. 27798/95, § 43, KEDNJ 2000-II). Logjikisht, rrjedh që emailat e dërguar nga puna duhet të mbrohen po ashtu nga neni 8, ashtu siç duhen mbrojtur edhe informacionet e përftuara nga monitorimi i përdorimit personal të internetit.
42. Kërkueses në rastin konkret nuk i ishte dhënë paralajmërim që thirrjet e saj do të mund të monitoroheshin, prandaj ajo me arsye priste të kishte privatësi në thirrjet telefonike që bënte nga telefoni i punës (shih Halford, § 45). E njëjta pritje duhet zbatuar edhe në lidhje me përdorimin nga kërkuesja të emailit dhe internetit.
2. Nëse ka pasur ndonjë ndërhyrje tek të drejtat e garantuara nga neni 8
43. Gjykata vëren se përdorimi i informacionit lidhur me datën dhe kohëzgjatjen e bisedave telefonike dhe në mënyrë të veçantë numrat e thirrur mund të ngrejë çështje nga neni 8 meqenëse një informacion i tillë përbën një “element integral të komunikimeve të bëra me telefon” (shih Malone kundër Mbretërisë së Bashkuar, 2 gusht 1984, § 84, Seria A nr. 82). Vetë fakti që këto të dhëna mund të jenë përftuar në mënyrë legjitime nga Kolegji, në formën e faturave të telefonit, nuk është pengesë për gjetjen e një ndërhyrjeje mbi të drejtat e garantuara nga neni 8 (ibid.). Për më tepër, ruajtja e të dhënave personale lidhur me jetën private të një individi gjithashtu hyn brenda zbatimit të nenit 8 § 1 (shih Aman, cituar lart, § 65). Kështu, nuk është relevant fakti që të dhënat e mbajtura nga Kolegji nuk janë zbuluar apo përdorur kundër kërkueses në procedura disiplinore ose të tjera.
44. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që mbledhja dhe ruajtja e informacioneve personale lidhur me telefonin e kërkueses, si dhe të përdorimit të emailit dhe internetit nga ana e saj, pa dijeninë e saj, përbënin ndërhyrje në të drejtën e saj për jetën dhe korrespondencën e vet private brenda kuptimit të nenit 8.
3. Nëse ndërhyrja ka qenë “në përputhje me ligjin”
45. Gjykata vëren që është vendosur në praktikën gjyqësore që termi “në përputhje me ligjin” nënkupton – dhe kjo rrjedh nga objekti dhe qëllimi i nenit 8 – se duhet të ekzistojë një masë mbrojtjeje ligjore në ligjin vendas kundër ndërhyrjeve arbitrare nga autoritetet publike tek të drejtat e mbrojtura nga neni 8 § 1. Kjo vlen edhe më shumë kur bëhet fjalë për aspekte të tilla si monitorimi në fjalë, duke pasur parasysh shqyrtimin publik dhe rrezikun e keqpërdorimit të pushtetit (shih Halford, cituar lart, § 49).
46. Kjo shprehje jo vetëm që kërkon përputhshmëri me ligjin vendas, por edhe lidhet me cilësinë e atij ligji, duke kërkuar që ai të jetë në pajtim me rregullën e ligjit (shih, inter alia, Khan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 35394/97, § 26, KEDNJ 2000-V, dhe P.G. dhe J.H. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 44). Në mënyrë që të përmbushet kërkesa e parashikueshmërisë, ligji duhet të jetë mjaftueshëm i qartë në gjuhën e vet që t’u ofrojë individëve tregues të qartë lidhur me rrethanat dhe kushtet në të cilat autoritetet kanë pushtetin të përdorin masa të tilla (shih Halford, cituar lart, § 49, dhe Malone, cituar lart, § 67).
47. Gjykata nuk është e bindur nga parashtrimi i Qeverisë që Kolegji ishte i autorizuar nga pushteti i tij statusor për të bërë “gjithçka që është e nevojshme ose e përshtatshme” për qëllime të ofrimit të arsimimit të vazhdueshëm dhe të lartë, dhe e gjen argumentin jo bindës. Për më tepër, Qeveria nuk kërkon të argumentojë që në kohën relevante ekzistonin, qoftë në ligjin vendas apo në instrumentet qeverisëse të Kolegjit, dispozita që rregullonin rrethanat në të cilat punëdhënësit mund të monitoronin përdorimin e telefonit, emailit dhe internetit nga punonjësit. Më tej, është e qartë se Rregulloret e Telekomunikimit (Praktika e Ligjshme e Biznesit) të vitit 2000 (të miratuara sipas Ligjit të Rregullimit të Pushtetit Hetimor të vitit 2000) të cilat e bëjnë këtë dispozitë nuk ishin në fuqi në kohën përkatëse.
48. Rrjedhimisht, meqenëse nuk kishte ligj vendas që rregullonte monitorimin në kohën përkatëse, ndërhyrja në këtë rast nuk ka qenë “në përputhje me ligjin” siç kërkohet nga neni 8 § 2 i Konventës. Gjykata nuk do ta përjashtonte që monitorimi i telefonit, emailit apo internetit të një punonjësi në vendin e punës mund të konsiderohej “i nevojshëm në një shoqëri demokratike” në situata të caktuara me qëllime legjitime. Megjithatë, duke pasur parasysh përfundimin e saj të mësipërm, nuk është e nevojshme të shqiptohet një vendim lidhur me atë çështje në rastin konkret.
49. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës në këtë aspekt.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS I MARRË NË LIDHJE ME NENIN 8
50. Kërkuesja parashtroi që nuk ekzistonte mjet vendas për zgjidhjen e shkeljeve të nenit 8 të Konventës për të cilën ajo ankohej dhe që, si pasojë, kishte pasur edhe shkelje të nenit 13, i cili parashikon si vijon:
“Çdo personi të cilit i shkelen të drejtat dhe liritë e shënuara në [Konventë] i ofrohet zgjidhje efektive para një autoriteti kombëtar pavarësisht nga fakti se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në cilësi zyrtare.”
51. Duke pasur parasysh vendimin e saj në lidhje me nenin 8 (shih paragrafin 48 lart), Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të shqyrtojë ankesën e kërkueses edhe sipas nenit 13.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
52. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Nëse Gjykata gjen që ka pasur shkelje të Konventës ose Protokolleve të saj, dhe nëse e drejta ndërkombëtare e Palës së Lartë Kontraktuese në fjalë lejon vetëm dëmshpërblim të pjesshëm, Gjykata, nëse është e nevojshme, do t’i ofrojë shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
53. Kërkuesja nuk paraqiti kërkesë për dëme materiale por, pa saktësuar shumë, pretendoi kompensim për dëme jo-materiale për shkak të stresit, akthit, gjendjes së shqetësuar dhe pamundësisë për të fjetur. Ajo paraqiti një raport mjekësor të datuar qershor 2006 ku thuhej që ajo kishte vuajtur nga stresi dhe mungesa e gjumit për shkak të ambientit në punë.
54. Qeveria parashtroi që raporti i prezantuar nga kërkuesja nuk përmbante tregues të faktit që stresi për të cilin ajo ankohej ishte shkaktuar nga faktorët që i kishin dhënë shtysë ankesës së saj. Më tej, Gjykata ishte shprehur disa herë, në lidhje me ankesat që kishin të bënin me përgjimin e komunikimeve të kriminelëve të dyshuar nga policia, që sipas mendimit të saj gjetja e shkeljes në vetvete duhet të përbënte shpërblim të drejtë (shih Taylor-Sabori kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 47114/99, § 28, 22 tetor 2002; Hewitson kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 50015/99, § 25, 27 maj 2003; dhe Chalkley kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 63831/00, § 32, 12 qershor 2003). Më tej, meqenëse sjellja e pretenduar kishte të bënte me monitorim dhe jo me përgjim, natyra e një ndërhyrjeje të tillë kishte peshë shumë më të lehtë sesa çështjet e përmendura më lart.
55. Gjykata i merr parasysh rastet e mësipërme të cituara nga Qeveria, por vëren se edhe në çështjen Halford (cituar lart, § 76), e cila kishte të bënte me përgjimin e thirrjeve telefonike private të një punonjëseje nga punëdhënësi i saj, ajo akordoi një shpërblim në shumën 10.000 paund stërlina (GBP) për dëme jo-materiale. Pas një vlerësimi mbi baza të barazisë lidhur me çështjen në fjalë, Gjykata i akordon kërkueses 3.000 euro (EUR) për dëme jo-materiale.
B. Kostot dhe shpenzimet
56. Kërkuesja pretendoi kosto dhe shpenzime ligjore në totalin 9.363 paund, përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Kjo përfshinte tarifat e avokatit dhe avokatit praktikant në shumën 7.171,62 paund, pagesën prej 1.556,88 paund dhe pjesën e mbetur për shpenzime të pritshme në të ardhmen.
57. Qeveria parashtroi se honoraret e avokatëve dhe përqindja e shtuar gjatë periudhës kur çështja ishte në pritje ishin të tepërta. Për më tepër, kërkesa fillestare e kërkueses përfshinte disa ankesa të cilat Gjykata i deklaroi të papranueshme dhe prandaj pjesa e shpenzimeve në lidhje me ato kërkesa nuk do të ishte e kompensueshme. Sipas mendimit të Qeverisë, shuma prej 2.000 paund do të mbulonte në masën e duhur kostot dhe shpenzimet e bëra.
58. Sipas praktikës së saj gjyqësore, Gjykata do t’i caktojë kostot dhe shpenzimet për aq sa ato kanë të bëjnë me shkeljen e gjetur dhe deri në atë masë ku ato janë shkaktuar sipas nevojës dhe përbëjnë një shumë të arsyeshme (shih, mes autoriteteve të tjera, Schouten dhe Meldrum kundër Hollandës, 9 dhjetor 1994, § 78, Seria A nr. 304, dhe Lorsé dhe Të Tjerë kundër Hollandës, nr. 52750/99, § 103, 4 shkurt 2003). Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, ajo i akordon kërkueses 6.000 euro për kostot dhe shpenzimet ligjore, së bashku me çdo tatim mbi vlerën e shtuar që duhet paguar.
C. Interesi i munguar
59. Gjykata e konsideron të arsyeshme që interesi i munguar të paguhet bazuar mbi përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
2. Vendos që nuk është e nevojshme të shqyrtohet çështja sipas nenit 13 të Konventës;
3. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve nga data kur vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të konvertuara në paund stërlina me kursin e këmbimit në fuqi në kohën e vendimit:
(i) 3.000 euro (tre mijë euro) për dëme jo-materiale;
(ii) 6.000 euro (gjashtë mijë euro) për kosto dhe shpenzime;
(iii) çdo taksë që mund të jetë e ngarkueshme mbi shumat e mësipërme;
(b) që nga skadimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane plus tri pikë përqindjeje;
4. Rrëzon pjesën tjetër të kërkesës së kërkueses për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe e shpallur me shkrim më 3 prill 2007, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyJosep Casadevall
KancelarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy