COUDERC DHE HACHETTE FILIPACCHI ASSOCIÉS kundër FRANCËS
(kërkesa nr. 40454/07)
10 nëntor 2015
Dhomë e Madhe
e drejta e princit Albert të Monakos për respektimin e jetës së tij private sipas nenit 8 nuk mund të justifikonte ndërhyrjen në lirinë e shprehjes së shtypit sipas nenit 10
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit janë Anne-Marie Couderc, një shtetase franceze e lindur në vitin 1950, e cila është drejtoreshë publikimi i Paris Match dhe kompania Hachette Filipacchi Associés, e cila boton revistën javore Paris Match.
2. Më 3 maj 2005, gazeta britanike Daily Mail botoi një artikull në të cilin, një qytetare e quajtur Znj. Coste pretendonte se babai i djalit të saj ishte Albert Grimaldi, princi në fron i Monakos. Më 5 maj 2005, Paris Match publikoi artikullin, i cili përbëhej nga një intervistë me znj. Coste ku rrëfehej fakti i mësipërm. Artikulli u shoqërua me fotografi që tregojnë Princin Albert me fëmijë në krahët e tij.
3. Më 19 maj 2005, Princi Albert nisi procedim kundër kërkuesve me pretendimin se artikulli kishte shkelur të drejtat e tij për të gëzuar një jetë të qetë private dhe për të mbrojtur imazhin, duke kërkuar dëmshpërblim nga kompania botuese dhe një urdhër që të publikojë vendimin e gjykatës në kopertinën e revistës.
4. Më 29 qershor 2005, Gjykata e Lartë e Nanterres urdhëroi kompaninë Hachette Filipacchi Associés t`i paguajnë Princit Albert dëmshpërblim për dëm jomaterial në shumën 50 000 euro, si dhe urdhëroi që detajet e gjykimit të botoheshin në tërë ballinën e Paris Match-it, me titull "Gjykata vendosi kundër Paris Match, me kërkesën e princit Albert II i Monakos". Gjykata vendase vlerësoi se i tërë artikulli përfshihej brenda sferës më intime të dashurisë dhe jetës familjare të princit Albert dhe se nuk shqetësohej më për ndonjë debat me interes të përgjithshëm. Kërkuesit apeluan vendimin.
5. Në një njoftim për shtyp të datës 6 korrik 2005 princi Albert pranoi publikisht se ai ishte babai i fëmijës. Më 24 nëntor 2005, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin kundër kërkuesve dhe ndryshoi kushtet për publikimin e vendimit të gjykatës në kopertinën e revistës.
6. Duke u bazuar në nenin 10, kërkuesit u ankuan se gjykimi kundër tyre kishte derivuar ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin e së drejtës së tyre për t`u shprehur lirisht. Më 12 qershor 2014, Dhoma e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës. Më 13 tetor 2014, një panel i Dhomës së Madhe pranoi kërkesën e qeverisë për referimin e rastit.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 10
7. Gjykata theksoi se, nuk është kundërshtuar nga palët se vendimi objekt gjykimi përbënte një ndërhyrje në ushtrimin e lirisë së shprehjes të kërkuesve, as nuk u është kontestuar se ndërhyrja ishte e parashikuar me ligj. Për më tepër, Gjykata vërejti se është pranuar se kjo ndërhyrje ndiqte qëllimin legjitim të mbrojtjes të së drejtave të të tjerëve, brenda kuptimit të nenit 10 § 2 të Konventës. Megjithatë, në mënyrë që një ndërhyrje të jetë në përputhje me Konventën, ajo duhet të jetë "e nevojshme në një shoqëri demokratike".
8. Gjykata vërejti se për të shqyrtuar nëse ndërhyrja në këtë rast ishte "e nevojshme", kërkohet që ajo të shqyrtojë nëse, gjykatat e brendshme vlerësuan ekuilibrin e duhur mes dy të drejtave konkurruese, pra të drejtës për respektimin e jetës private të princit dhe të lirisë së shprehjes së kërkuesve. Gjykata vuri në dukje se mbrojtja e ofruar nga koncepti i "jetës private" në nenin 8 të Konventës është menduar kryesisht për të siguruar zhvillimin, pa ndërhyrje nga jashtë, të personalitetit të çdo individi. Në lidhje me nenin 10, Gjykata përsëriti se mbrojtja e tij përfshin informacion dhe ide që fyejnë, trondisin ose shqetësojnë dhe se kur informacioni ka të bëjë me çështje me interes publik, shtypi ka për detyrë për të dhënë këtë informacion dhe publiku ka të drejtë për ta marrë atë . Gjykata vuri në dukje se mbrojtja e ofruar nga neni 10 mund të cedojë për shkak të kërkesave të nenit 8 të Konventës, kur informacioni është i natyrës private e intime dhe nuk ka interes publik për shpërndarjen e tij.
9. Më tej, Gjykata iu referua kritereve të përcaktuara në jurisprudencën e saj të mëparshme për të shqyrtuar ekuilibrin e të drejtave konkuruese. Kriteret relevante janë: kontributi në një debat me interes publik, fama të personit në fjalë, objekti i raportimit në media, sjellja paraprake e personit në fjalë, përmbajtja, forma dhe pasojat e publikimit, si edhe në rastet kur është e përshtatshme, rrethanat në të cilat janë marrë fotografitë. Gjykata ka deklaruar edhe më parë se, kur shqyrton një kërkesë të parashtruar sipas nenit 10 të Konventës, do të analizohet mënyra në të cilën është marrë informacioni, vërtetësia e tij dhe pesha e sanksionit të marrë ndaj gazetarëve apo botuesve.
10. Gjykata pranoi se nuk kishte asnjë dyshim se, botimi i marrë si një i tërë dhe në kontekst, duke u analizuar në dritën e precedentëve të jurisprudencës së saj të mëparshme, përbënte një çështje të interesit publik. Në kohën e zhvillimit të ngjarjeve lindja e këtij fëmije nuk ishte pa pasoja të mundshme dinastike dhe financiare e për rrjedhojë, informacioni i kundërshtuar ishte me rëndësi politike, pasi ai mund të ngjallte interesin e publikut në lidhje me rregullat e trashëgimisë në fuqi të Principatës.
11. Gjykata theksoi se duke pasur parasysh se princi ishte një figurë publike, garantimi i së drejtës së tij sipas nenit 8, do të mund të ndikohet. Fakti i ushtrimit të një funksioni publik domosdoshmërisht ekspozon një individ ndaj kontrollit të publikut, duke përfshirë edhe median. Gjykata vërejti se publikimi i kontestuar kishte të bënte me jetën private të princit. Megjithatë, elementi thelbësor i përmbajtjes së informacionit të publikuar - ekzistenca e fëmijës - shkonte përtej sferës private, duke pasur parasysh natyrën e trashëgueshme të funksioneve të princit, si kryetarit i shtetit. Për më tepër, vërtetësia e deklaratave të znj. Coste në lidhje me atësinë e fëmijës së saj nuk u kundërshtua as nga vetë princi, i cili e pranoi publikisht atë menjëherë pas botimit të artikullit të parë. Së fundi, Gjykata u shpreh se fotografitë ishin dorëzuar për Paris Match nga znj. Coste vullnetarisht dhe pa pagesë, ato nuk janë marrë pa lejen e princit dhe nuk paraqesin asnjë pamje të pafavorshme të tij.
12. Në dritën e këtyre konsideratave, Gjykata vlerësoi se argumentet e parashtruara nga qeveria në lidhje me mbrojtjen e jetës private të princit Albert dhe të drejtës së tij për ruajtjen e imazhit, nuk mund të konsiderohen si të mjaftueshme për të justifikuar ndërhyrjen në fjalë. Gjykatat e brendshme nuk i kishin dhënë vëmendjen e duhur parimeve dhe kritereve për ekuilibrimin e duhur mes të drejtës për respektimin e jetës private dhe lirisë së shprehjes. Në këtë drejtim, Gjykata vërejti se gjykatat e brendshme kishin dështuar në vlerësimin e intervistës në mënyrë të tillë, që të përcaktonin peshën e duhur të aspekteve të jetës private të princit dhe çfarë mund të cilësohej në mënyrë legjitime çështje me interes publik. Gjykatat e brendshme kanë mohuar se ka pasur ndonjë "vlerë diskutimi" lajmi për ekzistencën e djalit të princit dhe kështu arritën në përfundimin se artikulli nuk ishte pjesë e "një debati mbi një çështje të interesit publik e cila do të justifikohej duke u raportuar mbi bazën e transmetimit të ligjshëm të informacionit për publikun". Pra, Gjykata arriti në përfundimin se gjykatat e brendshme dështuan të arrijnë një ekuilibër të arsyeshëm proporcional midis masave që kufizojnë të drejtën e kërkuesit për t`u shprehur lirisht dhe qëllimit legjitim të ndjekur.
13. Gjykata arriti në përfundimin se ka pasur një shkelje të nenit 10 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 41
14. Gjykata rrëzoi pretendimet e kërkuesve për dëmshpërblim për shkak se ata nuk mund të pretendonin një vlerë konkrete dëmi. Megjthatë, Gjykata i akordoi kërkuesve së bashku shumën prej 15 000 euro për shpenzimet gjyqësore.
Full & Egal Universal Law Academy