© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA QIPRO k. TURQISË
(Kërkesë nr. 25781/94)
VENDIM
(Shpërblim i drejtë)
STRASBURG
12 Maj 2014
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Qipros kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Josep Casadevall, President,
Françoise Tulkens,
Guido Raimondi,
Nina Vajić,
Mark Villiger,
Corneliu Bîrsan,
Boštjan M. Zupančič,
Alvina Gyulumyan,
David Thór Björgvinsson,
George Nicolaou,
András Sajó,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Ann Poëer-Forde,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Paulo Pinto de Albuquerque, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 14 Mars 2012, 10 Prill 2013, 27 Qershor 2013 dhe 12 Mars 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Rasti iu paraqit Gjykatës, në pajtim me dispozitat e zbatueshme para hyrjes në fuqi të Protokollit 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa"), nga Qeveria e Republikës e Qipros ("Qeveria kërkuese"), më 30 gusht 1999 dhe Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut më 11 shtator 1999 (neni 5 § 4 i Protokollit nr. 11 dhe nenet 47 dhe 48 të Konventës para hyrjes në fuqi të Protokollit nr.11).
2. Në rrjedhën e procesit mbi themelin e çështjes, më 27 tetor 1999, Presidenti i Gjykatës takoi Avokatin e Qeverisë kërkuese dhe Avokatin e Republikës së Turqisë ("Qeveria e paditur") për të diskutuar disa çështje procedurale paraprake. Përfaqësuesit e Shteteve përkatëse ranë dakord se, në qoftë se Gjykata do të konstatonte shkelje, pretendimet sipas nenit 41 të Konventës do të shqyrtoheshin në një proces të veçantë.
3. Me anë të një letre të datës 29 nëntor 1999, Gjykata udhëzoi palët si vijon:
“Qeveria kërkuese nuk është e detyruar të paraqesë kërkesë për shpërblim të drejtë sipas nenit 41 të Konventës në këtë fazë të procedurës. Pretendimet sipas këtij neni do të shqyrtohen në një proces të mëvonshëm, në varësi të konkluzioneve të Gjykatës për themelin e kërkesës.”
4. Në një vendim[1] të datës 10 maj 2001 ("vendimi kryesor"), Gjykata (Dhoma e madhe) konstatoi një numër shkeljesh të Konventës në adresë të Turqisë, si rrjedhojë e operacioneve ushtarake turke në Qipron veriore në korrik dhe gusht të vitit 1974, vazhdimit të ndarjes së territorit të Qipros dhe aktiviteteve të "Republikës turke të Qipros Veriore" ("TRNC") (Qipro k. Turqisë [DHM], nr. 25781/94, ECHR 2001-IV). Për sa i përket dhënies të një shpërblimi të drejtë, Gjykata u shpreh unanimisht se çështja e zbatimit të mundshëm të nenit 41 të Konventës nuk ishte gati për vendim dhe do të konsiderohej nga Gjykata në një kohë të mëvonshme.
5. Çështja e ekzekutimit të vendimit kryesor është aktualisht në pritje përpara Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
6. Më 31 gusht të vitit 2007 Qeveria kërkuese informoi Gjykatën se kishte për qëllim paraqitjen e një "kërkese në Dhomën e Madhe për të rifilluar shqyrtimin e zbatimit të mundshëm të nenit 41 të Konventës". Më 11 mars 2010, Qeveria kërkuese parashtroi në Gjykatë pretendimet për shpërblim të drejtë në lidhje me personat e zhdukur kundrejt të cilëve Gjykata kishte konstatuar shkelje të neneve 2, 3 dhe 5 të Konventës (shih pjesën II, pikat 2, 4 dhe 7 të dispozitivit të vendimit kryesor dhe paragrafët përkatës të cilat ato u referohen). Ata deklaruan se shqyrtimi i çështjes së shpërblimit të drejtë për shkeljet e tjera, në veçanti ato që lidhen me shtëpitë dhe pronat e greko-qipriotëve, do të rezervohej për një kohë tjetër dhe ndoshta ata do t’i ktheheshin kësaj çështje në një kohë të mëvonshme. Kështu, si Qeveria kërkuese ashtu edhe ajo e paditur paraqitën vërejtje e tyre.
7. Më 7 prill 2011, Presidenti i Gjykatës vendosi përcaktimin e përbërjes së Dhomës së Madhe për të vendosur mbi zbatimin e nenit 41 të Konventës, nëpërmjet shortit (nenet 24 dhe 75 § 2 të Rregullores së Gjykatës). Kështu, Presidenti i Gjykatës hodhi shortin për plotësimin e përbërjes së Dhomës së Madhe (neni 24 § 2 (e) i Rregullores së Gjykatës).
8. Më 25 nëntor 2011, Qeveria kërkuese i paraqiti Gjykatës kërkesën me titull "Kërkesë për shpërblim të drejtë (neni 41), në emër të Republikës së Qipros", duke vënë theksin mbi procedurën e zbatimit të vendimit kryesor nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës dhe duke i kërkuar Gjykatës ndërmarrjen e hapave që do të lehtësonin zbatimin e këtij vendimit.
9. Me një letër të datës 21 mars 2012, në vijim të diskutimeve të datës 14 mars 2012, Gjykata ftoi Qeverinë kërkuese për t’iu përgjigjur disa pyetje dhe për të paraqitur versionin përfundimtar të pretendimeve të tyre për shpërblim të drejtë. Në përgjigje të letrës së mësipërme, më datë 18 qershor 2012, Qeveria kërkuese ndryshoi pretendimet fillestare në bazë të nenit 41 të Konventës në lidhje me personat e zhdukur dhe ngriti pretendime të reja për shpërblim të drejtë vetëm në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut (më saktësisht, nenet 3, 8, 9, 10 dhe 13 të Konventës dhe të nenit 2 të Protokollit 1) të banorëve greko-qipriotë në enklavën e gadishullit Karpas (shih pjesën IV, pikat 4, 6, 11, 12, 15 dhe 19 të dispozitivit të vendimit kryesor dhe paragrafëve të cilëve ato u referohen). Më 26 tetor 2012, Qeveria e paditur paraqiti vërejtjet në lidhje me këto pretendime.
E DREJTA
10. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
11. Pjesët përkatëse të nenit 46 të Konventës parashikojnë si më poshtë:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij.”
12. Neni 60 i Rregullores së Gjykatës lexon:
“1. Një kërkues që dëshiron të ngrejë një pretendim për një shpërblim të drejtë në bazë të Nenit 41 të Konventës, duhet të parashtrojë një pretendim specifik për këtë synim, në rast se Gjykata konstaton një shkelje të së drejtave të tij apo saj të parashikuara po në Konventës.
2. Të gjitha pretendimet e bëra duhet të detajohen sipas rubrikave duke iu bashkangjitur dokumente mbështetëse përkatëse, brenda afatit kohor të caktuar për parashtrimin e komenteve të kërkuesit për meritat e çështjes, përveç kur Kryetari i Dhomës udhëzon ndryshe.
3. Nëse kërkuesi nuk i përmbush kërkesat e parashtruara në paragrafët pararendës, Dhoma mund të hedhë poshtë plotësisht ose pjesërisht pretendimet.
4. Pretendimet e kërkuesit do t’i komunikohen Qeverisë së paditur për komente.”
I. PRETENDIMET E QEVERISË KËRKUESE PËR SHPËRBLIM TË DREJTË
A. Pranueshmëria
1. Nëse pretendimeve tw Qeverisë kërkuese për shpërblim të drejtë u ka kaluar koha
a. Parashtrimet e palëve
i. Qeveria qipriote
13. Qeveria qipriote pranoi se pretendimet e tyre për shpërblim të drejtë ishin paraqitur më 11 mars 2010, pothuajse nëntë vjet pas dhënies së vendimit kryesor. Megjithatë, ata pohuan se mosveprimi nga ana e tyre për periudhën nga viti 2001 deri në vitin 2010 ishte plotësisht i justifikueshëm. Së pari, në vendimin për themelin, Gjykata e kishte shtyrë për një kohë të papërcaktuar çështjen e zbatimit të mundshëm të nenit 41 të Konventës, duke e lënë atë të hapur. Qeveria kërkuese, para edhe pas vendimit[2] thjesht kishte pritur për udhëzime të mëtejshme nga ana e Gjykatës, e cila duhej të përcaktonte procedurën e mëtejme në pajtim me Rregulloren e saj. Së dyti, pas dhënies së vendimit kryesor, Qipro kishte shpresuar bona fide se ky vendim do të zbatohej siç duhej përmes mekanizmit të zakonshme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Vetëm pasi kaluan disa vite dhe u bë e qartë se Turqia nuk kishte vullnetin për të zgjidhur çështjen me mjete politike (p.sh. nëpërmjet miratimit të masave të përgjithshme apo specifike), Qeveria qipriote e kuptoi se nuk kishte alternativë tjetër veçse t’i drejtohej përsëri Gjykatës, për të kërkuar ekzekutimin e vendimit[3] nëpërmjet akordimit të një shpërblimi të drejtë. Në veçanti, interpretimet e ndryshme që iu bënë vendimit[4] në çështjen Demopoulos dhe të Tjerë k. Turqisë (vendim [DHM], nr. 46113/99, 3843/02, 13751/02, 13466/03, 10200/04, 14163/04, 19993/04 dhe 21819/04, ECHR 2010) përbënin një pengesë; ndryshe nga Turqia, Qeveria qipriote nuk ishte dakord që ky vendim të interpretohej si një konstatim se Turqia kishte përmbushur detyrimet e saj në përputhje me vendimin kryesor[5]. Për më tepër, nga konstatimet përkatëse të Komitetit të Ministrave rezultonte se nuk ishin ndërmarrë masat hetimore të kërkuara nga vendimi[6].
14. Duke qenë të vetëdijshëm se një numër kërkesash individuale të cilat i mbivendoseshin çështjes ndër-shtetërore ishin në pritje përpara Gjykatës, Qeveria kërkuese vlerësoi se këtyre kërkesave individuale u duhej dhënë prioritet. Megjithatë, në dritën e "afateve të reja të riformuluara" në çështjen Varnava dhe të Tjerët k. Turqisë ([GC], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070 / 90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90, ECHR 2009), atyre u duhej ta parashtronin këtë kërkesë në mënyrë që të mos humbasin të drejtat e tyre në bazë të nenit 41.
15. Lidhur me faktin nëse faktori kohë pengon Gjykatën për të shqyrtuar pretendimet për shpërblim të drejtë, Qeveria qipriote deklaroi se parimet e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare në këtë rast ishin gjashtë: parashkrimi, heqja dorë nga të drejtat dhe parimi i pranimit të heshtur/në heshtje, estoppel[7], parimi i gjësë së gjykuar, detyrimi për të ruajtur status quo-në dhe mirëbesimi. Asnjëri prej tyre nuk justifikon pushimin e çështjes bazuar në konsideratat kohore. Qeveria kërkuese parashtroi argumentet kryesore të saj duke u nisur nga gjashtë parimet e sipërpërmendura. Kështu, para së gjithash, në vendimin kryesor[8], Gjykata ka deklaruar në mënyrë të qartë se çështja thjesht ishte shtyrë - pra ishte lënë e hapur për një kohë të pacaktuar. Për më tepër, heqja dorë nga një e drejtë duhet të jetë e qartë dhe pa ekuivokë; ajo nuk mund të prezumohet. Qiproja nuk kishte deklaruar shprehimisht apo në mënyrë të nënkuptuar dhe as ishte sjellë në një mënyrë të tillë që të mund të kuptohej se ajo hiqte dorë nga e drejta e saj për të kërkuar shpërblim të drejtë. Përkundrazi, në vitin 2007, ajo e kishte pretenduar shprehimisht këtë të drejtë para Gjykatës dhe nuk pati asnjë kundërshti lidhur me këtë. Tashmë Turqia është vetë e ndaluar të kërkojë ndalimin bazuar në parimin ex-iniuria ius non oritur, meqë nuk e bëri këtë në vitin 2007.
16. Sipas Qeverisë qipriote, kalimi i kohës nuk e kishte vënë në disavantazh evident Qeverinë turke, sepse faktet nuk kishin ndryshuar; ato ishin në thelb të njëjta me ato në vitin 2001. Për më tepër Turqia nuk mund të priste në mënyrë të arsyeshme që kërkesa për shpërblim të drejtë të mos parashtrohej. Së fundi, në vitin 2001, Gjykata kishte vendosur se palët do të prisnin për një vendim përfundimtar[9] lidhur me çështjen e shpërblimit të drejtë dhe parimi i besimit të mirë i detyronte ata të ruanin gjendjen ekzistuese sa më shumë të ishte e mundur në mënyrë që vendimi përfundimtar të ishte i drejtë. Parimi i efektivitetit do të cenohej në qoftë se Turqia lejohej, nëpërmjet mos respektimit të vendimit[10], të pengonte marrjen e atij vendimi[11] të formës së prerë.
17. Gjithashtu, Qeveria qipriote iu referua pritshmërisë së ligjshme të viktimave individuale. Ata cituan nenin 55 të Konventës, sipas së cilit Palët Kontraktuese kanë rënë dakord "të heqin dorë reciprokisht nga përfitimi prej traktateve, konventave ose deklaratave në fuqi ndërmjet tyre, për të zgjidhur me anë të ankimit, mosmarrëveshjet që rrjedhin nga interpretimi ose zbatimi i kësaj Konvente, në mënyra të ndryshme nga ato që parashikon Konventa në fjalë". Do të ishte në kundërshtim me parimin e pritshmërisë së ligjshme për të refuzuar një zgjidhje të përshtatshme në çështjet ndërshtetërore, ku të dyja Shtete kanë rënë dakord në mënyrë specifike për ti dhënë juridiksion Gjykatës dhe për të përjashtuar çdo mënyrë tjetër zgjidhjeje.
ii. Qeveria turke
18. Qeveria e paditur vërejti se, pretendimet e Qeverisë kërkuese për shpërblim te drejtë ishin paraqitur me vonesë. Shumë pak kishte ndodhur ndërmjet vitit 2001 dhe vitit 2010, për të mos thënë asgjë, përveç letrës së dërguar në Gjykatë në gusht të vitit 2007. Nëse supozojmë se neni 41 i Konventës zbatohet për rastet ndër-shtetërore, kërkuesi duhet të respektojë detyrimin sipas nenit 60 të Rregullores së Gjykatës, për mos vonesa të panevojshme në ngritjen e pretendimeve për shpërblim të drejtë sipas nenit 41. Në rastin konkret Qeveria kërkuese kishte shkaktuar vonesa të papranueshme.
19. Qeveria turke rikujtoi se, Qeveria qipriote nuk kishte paraqitur ndonjë pretendim për shpërblim të drejtë në rrjedhën e procedurës për themelin e çështjes. Në parashtresat e tyre me shkrim në 22 nëntor 1994, Qeveria kërkuese nuk kishte kërkuar shpërblim të drejtë, duke deklaruar se kërkesa ndër-shtetërore ishte paraqitur "pa paragjykim kundrejt kërkesave individuale, të paraqitura apo që do të paraqiteshin, kundër Turqisë në bazë të nenit 25 [tani neni 34] të Konventës". Kjo do të thotë se Qiproja, në të vërtetë, i kishte dhënë përparësi funksionit mbikëqyrës të Komitetit të Ministrave dhe aplikimit në Gjykatë për shpërblim të drejtë. Kjo ishte zgjedhja e tyre në atë kohë edhe pse ata mund të kishin zgjedhur ndryshe: në fakt, nenet 41 dhe 46 të Konventës kanë qëllime të ndryshme dhe asgjë nuk e pengoi Qeverinë qipriote të paraqiste në kohë pretendimet për shpërblim të drejtë njëkohësisht me procedurat mbikëqyrëse para Komisionit të Ministrave. Gjithsesi, i takonte Qeverisë kërkuese për të vënë procesin në lëvizje menjëherë pas dhënies së vendimit kryesor[12] dhe të mos priste Gjykatën për të përcaktuar procedurën me iniciativën e saj. Duke mos e bërë këtë, Qeveria kërkuese nuk kishte bërë gjithçka që ata në mënyrë të arsyeshme duhet të bënin, për të ngritur pretendimet e tyre dhe sjellja e tyre duhet interpretuar se hedh poshtë pretendimet për shpërblim të drejtë në rastin në fjalë.
20. Gjithashtu, Qeveria e paditur vuri në dukje faktin se pretendimet e për shpërblim të drejtë i ishin parashtruar Gjykatës vetëm pasi Dhoma e Madhe kishte dhënë vendimin e saj në çështjen e Varnava dhe të Tjerët kundër Turqisë, të cituar më lart, që kishte të bënte me një numër kërkesash individuale të bëra në bazë të neni 34. Për më tepër edhe shumat e pretenduara fillimisht nga Qeveria qipriote arrinin në 12,000 euro për secilin rast, e cila ishte pikërisht shuma e dhënë për secilin nga kërkuesit individual në çështjen Varnava dhe të Tjerët. Kjo do të thotë se vendimi[13] i Gjykatës në Varnava dhe të Tjerët, i cili kishte kufizuar mundësit e suksesit për kërkuesit individualë, ishin këmbana alarmi për Qeverinë kërkuese dhe e nxiti atë t’i drejtohej sërish Gjykatës. Megjithatë, sipas Qeverisë turke, si parimi i besimit të mirë ashtu edhe respektimi i rregullit të res judicata duhet të bëjnë të pamundur për Qeverinë qipriote ri sjelljen e kësaj çështjeje tani; çdo kërkesë për shpërblim të drejtë duhet të bëhet në kërkesat individuale (si në çështjen e Varnava dhe të Tjerët) dhe jo në çështjet ndër-shtetërore si në rastin aktual.
21. Sipas Qeverisë turke, zbatimi i nenit 41 do të ishte i pajustifikuar, duke qenë se Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Personat e Zhdukur ka evoluar në mënyrë të konsiderueshme që nga koha kur u mor vendimi kryesor. Ndryshe nga çfarë pohohej nga Qeveria qipriote, ka pasur një progres të konsiderueshëm në gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave dhe kjo është njohur shprehimisht nga Gjykata (shih Charalambous dhe të Tjerë kundër Turqisë (vendim), nr.46744 / 07.. et al., 3 prill 2012). Pra, çështja e "personave të zhdukur" po shndërrohej gradualisht në çështjen e "personave të vdekur". Kjo, sipas vendimit[14] të Gjykatës në Brecknell kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 32457/04, 27 nëntor 2007), krijon në thelb detyrime të reja procedurale me afate të reja kohore. Kështu, nga njëra anë, procedurat mbikëqyrëse para Komitetit të Ministrave mbeteshin në fuqi dhe nga ana tjetër, të afërmit e personave të zhdukur, tashmë duhet të prisnin për rivendosjen e detyrimeve procedurale sipas rregullit Brecknell për mbrojtjen e interesave të tyre legjitime.
22. Qeveria turke këmbënguli se, dispozitat e veçanta të përkohshme të Konventës (siç interpretohet në Varnava dhe të Tjerë) duhet të kenë përparësi mbi parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Më saktësisht, nuk është e mundur të ngrihen pretendime në një kërkesë ndër-shtetërore, të cilat (pretendimet) nëse do të ishin parashtruar në një kërkesë individuale sipas nenit 34, do të ishin jashtë afatit të kërkuar kohor. Nëse kërkesat individuale, të cilat janë jashtë afatit, do të ri parashtroheshin në një kërkesë për shpërblim të drejtë pas gati nëntë vjetësh nga vendimi për themelin, Turqisë do t’i shkaktohej një dëm i madh.
b. Vlerësimi i Gjykatës
23. Gjykata rithekson se dispozitat e Konventës nuk mund të interpretohen dhe të zbatohen në një vakum. Pavarësisht karakterit të saj të veçantë, si një instrument për të drejtat e njeriut, Konventa është një traktat ndërkombëtar që do të interpretohet në përputhje me normat dhe parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare publike dhe, në veçanti, në dritën e Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve të 23 majit të vitit 1969 ("Konventa e Vjenës"). Në fakt, Gjykata nuk i është referuar vetëm dispozitave të Konventës për interpretimin e të drejtave dhe lirive që mbrohen prej saj. Përkundrazi, ajo gjithashtu duhet të marrë në konsideratë rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare në fuqi në marrëdhëniet ndërmjet Palëve Kontraktuese përkatëse (shih, në ndërmjet shumë të tjerave, Loizidou kundër Turqisë, 18 dhjetor 1996, § 43, Raportet 1996-VI; Al Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, § 55, ECHR 2001-XI; Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi kundër Irlandës [DHM], nr. 45036/98, § 150, ECHR 2005-VI; Demir dhe Baykara kundër Turqisë [DHM], nr. 34503/97, § 67, ECHR 2008, dhe nenin 31 § 3 (c) të Konventës së Vjenës).
24. Gjykata pranon se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, në parim, njeh detyrimin e Qeverisë kërkuese për të vepruar pa vonesa të panevojshme në një mosmarrëveshje ndër-shtetërore, në mënyrë që të garantohet siguria ligjore dhe të mos shkaktohen dëme të shpërpjesëtuara të interesave legjitime të Shtetit të paditur. Kështu, në rastin e Tokave të Fosforit në Nauru ( Nauru kundër Australisë, Kundërshtimet Paraprake, 1992 GJND Rep. 240), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh:
“32. Gjykata pranon se, edhe në mungesë të dispozitave të ndonjë traktati të zbatueshëm, vonesat nga ana e një Shteti paditës, mund ta bëjnë një kërkesë të papranueshme. Megjithatë, ajo vë në dukje se, e drejta ndërkombëtare nuk parashikon ndonjë afat të caktuar kohor në këtë drejtim. Prandaj, i takon Gjykatës të përcaktojë, nën dritën e rrethanave të çdo rasti, nëse kalimi i një kohe të caktuar e bën kërkesën të papranueshme.
...
36. ... Gjykata vlerëson se, duke pasur parasysh natyrën e marrëdhënieve midis Australisë dhe Naurus, si dhe hapat e ndërmarra, kalimi i kohës nuk e ka bërë të papranueshme kërkesën e Naurus. Megjithatë, i takon Gjykatës, që në kohën e duhur, të garantojë që vonesa e Naurus të mos paragjykojë në asnjë mënyrë përcaktimin e fakteve dhe të përmbajtjes të së drejtës në fuqi nga ana e Australisë.”
25. Para së gjithash, Gjykata rikujton se kërkesa në fjalë është paraqitur në vitin 1994, para Komisioni të atëhershëm Evropian për të Drejtat e Njeriut, në bazë të sistemit që ekzistonte para hyrjes në fuqi të Protokollit nr. 11 (paragrafi 1 më sipër). Sipas Rregullave të Procedurës të Komisionit, në fuqi në atë kohë, kërkuesi (Qeveritë në një çështje ndër-shtetërore apo individët) nuk mund të parashtronte pretendimet për shpërblim të drejtë në kërkesën e tij. Gjykata më tej thekson se në letrën e saj që u kishte dërguar dy Qeverive, të datës 29 nëntor 1999, kishte udhëzuar shprehimisht Qeverinë kërkuese të mos parashtronte asnjë pretendim për shpërblim të drejtë në bazë të nenit 41 të Konventës në fazën e shqyrtimit të themelit (paragrafi 3 më sipër); pra është e kuptueshme pse ata nuk e bënë këtë. Gjithashtu, ajo vëren se në vendimin e saj të 10 majit 2001 ka deklaruar se "çështja e zbatimit të mundshëm të nenit 41 të Konventës nuk ishte gati për vendim, duke e shtyrë vlerësimin e saj në një kohë më mëvonshme " (Pjesa VIII e dispozitivit të vendimit). Nuk u vendosën afate kohor për parashtrimin e pretendimeve për shpërblim të drejtë nga palët (paragrafët 2-4 më lart). Gjykata duhet të vlerësojë nëse, pavarësisht mungesës së limiteve kohore, fakti që Qeveria qipriote nuk i kishte paraqitur pretendimet për shpërblim të drejtë përpara 11 marsit 2010 i bënte këto pretendime të papranueshme sipas kritereve bazë, të përcaktuara në rastin e Naurus.
26. Gjykata vlerëson se ky nuk është rasti i çështjes në fjalë. Në radhë të parë, në ndryshim nga çështja e Naurus, e shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në çështjen në fjalë bëhet fjalë për një vonesë jo lidhur me paraqitjen e kërkesës ndër shtetërore, por për një vonesë në periudhën ndërmjet dhënies së vendimit[15] të Gjykatës dhe mbikëqyrjes së zbatimit të këtij vendimi nga Komiteti i Ministrave. Gjatë kësaj periudhe të dy Qeveritë kishin të drejtë të besonin se çështja lidhur me akordimin e mundshëm të një shpërblimi të drejtë ishte pezull në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Për më tepër, çështja e shpërblimit të drejtë është përmendur në mënyrë të përsëritur gjatë procedurave për themelin e çështjes (paragrafët 2-3 më lart). Në vendimin kryesor[16] deklarohej se çështja e një shpërblimi të drejtë të mundshëm nuk ishte gati për vendim dhe shqyrtimi i saj shtyhej për një kohë të mëvonshme, çka do të thotë në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se Gjykata nuk e kishte përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të kësaj çështje në një të ardhme. Pra, asnjë nga palët nuk mund të presë që kjo çështje të mbetej pa u trajtuar, apo që e drejta për të kërkuar shpërblim të drejtë të parashkruhej me kalimin e kohës. Së fundi, siç edhe Qeveria qipriote ka theksuar me të drejtë, ata kurrë nuk kishin bërë ndonjë deklaratë apo të kishin vepruar në një mënyrë të tillë që të nënkuptonte se hiqnin dorë nga e drejta e tyre për të kërkuar shpërblim të drejtë; përkundrazi letra e tyre e 31 gushtit 2007 duhet të shihet si një ri afirmim i qartë i kësaj të drejte. Në këto rrethana, pretendimi i Qeverisë së paditur se ri fillimi i shqyrtimit të pretendimeve të Qeverisë kërkuese dëmtonte interesat e tyre të ligjshme, nuk justifikohej, pasi ata logjikisht duhet ta prisnin ri sjelljen e kësaj çështjeje para Gjykatës. Në dritën e vendimit[17] mbi çështjen e Naurus, cituar më sipër, Gjykata çmon se, në këtë kontekst "dëmi" para së gjithash ka të bëjë me interesat procedurale të Qeverisë së paditur ("krijimin e fakteve dhe përcaktimin e përmbajtjes të së drejtës në fuqi") dhe i takonte po asaj (Qeverisë së paditur) për të provuar në mënyrë bindëse mundësinë apo ekzistencën e një dëmi të tillë. Megjithatë, në rastin në fjalë Gjykata nuk sheh ndonjë provë të tillë.
27. Lidhur me procedurën mbikëqyrëse para Komitetit të Ministrave, të cilës i është referuar Qeveria turke, Gjykata rithekson se konstatimi i shkeljeve në vendimet[18] e saj është në thelb deklarativ dhe se, në bazë të nenit 46 të Konventës, Shtetet kontraktuese marrin përsipër që t’u përmbahen vendimeve përfundimtare [19] të Gjykatës lidhur me çështjet ku ato janë palë dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve të mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave (Verein gegen Tierfabriken Schëeiz (VgT) kundër Zvicrës (nr.2) [GC], nr. 32772/02, § 61, ECHR 2009). Në këtë drejtim, nuk duhen ngatërruar, nga njëra anë, procedurat para Gjykatës, e cila është kompetente për konstatimin e shkeljeve të Konventës, dhënien e vendimeve përfundimtare[20] të cilat janë të detyrueshme për Shtetet palë (neni 19, i marrë së bashku me nenin 46 § 1) dhe akordimin e shpërblimit të drejtë kur është rasti (neni 41) dhe, nga ana tjetër, mekanizmi mbikëqyrës i ekzekutimit të vendimeve, ‘përgjegjësi’ e Komitetit të Ministrave (neni 46 § 2). Sipas nenit 46, Shteti palë është i detyruar jo vetëm të paguaj shumat e dhëna nga Gjykata personave përkatës si shpërblim i drejtë, por edhe të marrë masa e duhura individuale apo të përgjithshme në rendin e brendshëm juridik, ose të dyja bashkë, për të t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga Gjykata dhe për të korrigjuar efektet, duke pasur si qëllim kthimin e kërkuesit, sa më shumë të jetë e mundur, në pozitën që ai do të kishte qenë nëse detyrimet sipas Konventës do të ishin respektuar (ibid., § 85). Megjithëse janë të lidhur me njëri-tjetrin, detyrimi për të marrë masa të individuale apo të përgjithshme, ose të dyja bashkë dhe pagesa e shpërblimit të drejtë, janë dy forma të dallueshme të korrigjimit të situatës së krijuar nga shkelja e konstatuar dhe e para në asnjë mënyrë nuk përjashton të fundit.
28. Sa i përket zhvillimeve në periudhën ndërmjet vitit 2001 dhe vitit 2010, gjatë ose në lidhje me procedurat mbikëqyrëse para Komitetit të Ministrave, Gjykata i konsideron këto zhvillime padyshim të rëndësishme për shqyrtimin e pretendimeve për shpërblim të drejtë të Qeverisë kërkuese; megjithatë, ato nuk e ndalojnë Gjykatën të shqyrtojë këto pretendime.
29. Në dritën e sa më sipër, Gjykata nuk sheh ndonjë arsye të vlefshme për t’i konsideruar pretendimet e Qeverisë qipriote për shpërblim të drejtë si të parashtruara me vonesë dhe t’i shpallë të papranueshme. Rrjedhimisht kundërshtimi i Qeverisë turke bie poshtë.
30. Në të njëjtën kohë, Gjykata rithekson se, më 14 mars 2012 ajo kishte ftuar Qeverinë kërkuese të paraqiste një version "përfundimtar" të pretendimeve të tyre për shpërblim të drejtë dhe se parashtrimet e Qeverisë të 18 qershorit 2012 duhen konsideruar si përfundimtare. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se vendimi[21] aktual vendos shqyrtimin lidhur me këtë çështjes.
2. Zbatimi i nenit 41 të Konventës për rastin në fjalë
a. Parashtrimet e palëve
i. Qeveria qipriote
31. Qeveria kërkuese argumentoi se neni 41 i Konventës është i zbatueshëm në çështjet ndër shtetërore në përgjithësi dhe në çështjen konkrete në veçanti. Para së gjithash, ata vunë në dukje faktin se vet teksti i nenit 41 nuk bën dallim ndërmjet çështjeve individuale dhe atyre ndër-shtetërore, duke qenë se këto të fundit nuk përjashtohen shprehimisht nga objekti i rregullit të shpërblimit të drejtë. Ata gjithashtu iu referuan parimit të efektivitetit të të drejtave individuale të mbrojtura nga Konventa. Qeveria kërkuese propozoi që ky parim të shihej në dritën e dy parimeve të tjera të përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës: i pari, statusi i Konventës si një instrument të së drejtës ndërkombëtare publike e cila duhet të interpretohet në përputhje me rregullat dhe parimet e kodifikuara në Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve të 1969, dhe i dyti, objekti specifik dhe qëllimi i Konventës si një traktat ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Sipas Qeverisë qipriote, këto parime janë veçanërisht pertinente për sa i përket aftësisë së Gjykatës për të akorduar shpërblim të drejtë në bazë të nenit 41 të Konventës, i cili garanton se ekziston një mjet efektiv për zbatimin e Konventës dhe inkurajon palët kontraktuese që të mos injorojnë vendimet e Gjykatës. Me fjalë të tjera, neni 41 duhet të interpretohet si një mjet i rëndësishëm në dispozicion të Gjykatës me qëllim që të arrihet respektimi i vendimeve të saj, si në çështjet individuale të parashikuara në nenin 34 ashtu edhe në çështjet ndër-shtetërore sipas nenit 33.
32. Gjithashtu Qeveria kërkuese iu referua nenit 32 § 1 të Konventës, sipas të cilit " Juridiksioni i Gjykatës shtrihet për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interpretimin dhe zbatimin e Konventës dhe të protokolleve të saj sikurse parashikohet në nenet 33, 34, 46 dhe 47". Sipas pikëpamjes së tyre, këto katër nene duhet të shihen si pjesë e një sistemi unik të strukturuar së bashku me nenin 32 § 1. Nenet 33, 34, 46 dhe 47 krijojnë rrugë të ndryshme nëpërmjet të cilave mund të dërgohen çështjet në Gjykatë, por ata nuk krijojnë sfera apo lloje të ndryshme të juridiksionit të Gjykatës. Pa marrë parasysh se si një kërkesë kundër një Shteti arrin para Gjykatës, juridiksioni i kësaj të fundit mbetet i njëjtë dhe përfshinë kompetencën për të dhënë shpërblim të drejtë. Nuk ka asnjë arsye për të menduar ndryshe, pasi të drejtat e njeriut në fjalë janë të njëjta, ndoshta edhe më të serioze se në një çështje individuale; përveç kësaj, autorët e Konventës nuk kanë vënë ndonjë kufizim në të drejtën e Gjykatës për të dhënë shpërblim të drejtë në tekstin e nenit 41 dhe së fundi, nuk ka asnjë indikacion që tregon se nga logjika e vet nenit konkludohet se ekziston një kufizim i nënkuptuar në këtë nen (ose nenin 33). Prandaj, nuk mund të thuhet se Gjykata ka më pak kompetenca në lidhje me rastet që sillen para saj me anë të një kërkese ndër-shtetërore, sesa ajo ka në lidhje me rastet e sjella me anë të një kërkesë individuale.
33. Sipas Qeverisë qipriote, vetë Gjykata gjithmonë e ka konsideruar në mënyrë pa diskutueshme nenin 41, si të zbatueshëm në çështjet ndër-shtetërore dhe kjo është reflektuar në Rregulloren e Gjykatës dhe në jurisprudencën e Gjykatës. Në këtë aspekt, ata cituan nenin 46 (e) të Rregullores, sipas të cilit Qeveria kërkuese në një çështje ndër-shtetërore duhet të paraqesë një kërkesë që përmban "tregues të përgjithshëm të çdo pretendimi për shpërblim të drejtë të bërë në bazë të Nenit 41 të Konventës për llogari të palës ose palëve të dëmtuara ", si dhe nenet 60 dhe 75 § 1 të Rregullores, të cilat nuk bëjnë dallim ndërmjet kërkesave individuale dhe atyre ndër-shtetërore.
34. Për sa i përket jurisprudencës së Gjykatës, Qeveria qipriote deklaroi se vetë Gjykata, në mënyrë të nënkuptuar, por mjaft të qartë pranonte se rregulli i shpërblimit të drejtë vlente dhe në çështjet ndër-shtetërore. Kështu, në çështjen e Irlandës kundër Mbretërisë së Bashkuar (18 janar 1978, § 244-246, Seria A nr. 25) Gjykata, në vend të deklaronte ish-nenin 50 të pazbatueshëm, e kishte konsideruar atë thjesht "jo të nevojshëm për t’u zbatuar". Po kështu, në rastin në fjalë, Gjykata thjesht e shtyu shqyrtimin e çështjes së shpërblim të drejtë, por nuk e hodhi poshtë atë.
35. Së fundi, Qeveria kërkuese theksoi se Gjykata gëzon fuqi diskrecionare sipas nenit 41. Si jurisprudenca e Gjykatës ashtu edhe studiuesit ligjore gjithmonë kanë theksuar se, dhënia nga ana e Gjykatës e një shpërblimi të drejtë, në zbatim të nenit 41, në një çështje, duke përfshirë edhe ato ndër-shtetërore, është krejtësisht në diskrecionin e Gjykatës. Në rastin konkret, pretendimi i Qeverisë qipriote për shpërblim të drejtë nuk është një kërkesë për dëmet materiale të shkaktuara Qipros si një Shtet, por një kërkesë për dhënien e shpërblimit të drejtë palëve të veçanta të dëmtuara, shtetasve të tij, në lidhje me shkeljet tashmë të konstatuara.
ii. Qeveria turke
36. Qeveria turke vërejti se, si rregull i përgjithshëm, neni 41 nuk zbatohet në çështjet ndër-shtetërore. Në radhë të parë, dispozitivi i vendimit kryesor nuk mund të interpretohet si njohje, as në mënyrë implicite, e zbatueshmërisë së rregullit të shpërblimit të drejtë në çështjet ndër-shtetërore. Në vendimin për pranueshmërinë dhe themelin, Gjykata u shpreh thjesht për një zbatim "të mundshëm" të nenit 41. Gjithashtu Qeveria turke argumentoi se vendimi[22] i Dhomës së Madhe në çështjen Varnava dhe të Tjerët, të cituar më lart, duhej interpretuar si njohje e mungesës së juridiksionit të Gjykatës për të akorduar shpërblim të drejtë në çështjet ndër-shtetërore (shih § 118 të këtij vendimi). Për më tepër, Qeveria e paditur propozoi të shqyrtohej neni 41 i Konventës në kontekstin e përgjithshëm të së drejtës të përgjegjësisë ndërkombëtare, të së drejtës për mbrojtjen diplomatike dhe në parimet e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ndërsa neni 33 në thelb korrespondon me logjikën klasike të mbrojtjes diplomatike (përgjegjësi e drejtpërdrejtë Shtet me Shtet), neni 34 përbën një shmangie nga kjo logjikë: individët nëpërmjet kërkesave individuale mund të veprojnë drejtpërsëdrejti kundër shkeljeve të pretenduara të një Shteti dhe të kërkojnë shpërblim të drejtë pa pasur nevojë për të kërkuar mbrojtjen diplomatike nga Shteti i tyre kombëtar. Për Qeverinë turke, ky përshkrim justifikon përfundimin se neni 41 i Konventës nuk zbatohet për procedurat ndër-shtetërore, përveç, ndoshta, kur shkelja i ka shkaktuar një dëm të drejtpërdrejtë Shtetit Palë i cili ka paraqitur kërkesën. Me fjalë të tjera, qëllimi i nenit 41 është i kufizuar në parim në mekanizmin e kërkesave individuale.
37. Një tjetër argument i përdorur nga Qeveria e paditur në favor të mos zbatimit të nenit 41 në çështjet ndër-shtetërore është se çështje të tilla nuk janë të motivuara nga interesat vetjake të kërkuesit. Në këtë drejtim, Qeveria turke iu referua praktikës gjyqësore të Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit Shteti kërkues në një çështje ndër shtetërore nuk kërkon të mbrojë vetëm të drejtat e tij, apo të shtetasve të tij, por më shumë mbron rendi publik Evropian (shih Austria kundër Italisë, nr. 788/60, vendimi i 11 janar 1961, Libri vjetor 4, f. 116). Në të vërtetë, kërkesat ndër-shtetërore synojnë të kundërshtojnë një model të sjelljes zyrtare që shkakton shkelje të vazhdueshme të Konventës. Kërkesat ndër-shtetërore nga vet natyra e tyre janë më të gjera se kërkesat individuale; ato lidhen me dështimet sistematike dhe jo thjesht me shkelje në raste individuale. Në këtë kontekst, konstatimi i shkeljes në vetvete e arrin qëllimin e një çështje gjyqësore ndër-shtetërore. Nga ana tjetër, çdo individ ka mundësi për të paraqitur kërkesë pranë Gjykatës sipas nenit 34 të Konventës dhe të marrë shpërblim të drejtë. Pra, do të ishte gabim të ngatërronim këto procedura që kanë qëllime kaq të ndryshme.
38. Duke iu referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës, Qeveria e paditur vërejti se akordimi i shpërblimit të drejtë në bazë të nenit 41 të Konventës, ishte menduar të mbulonte trauma fizike ose psikologjike, dhimbje apo vuajtje, stresin, ankthin, frustrimin, ndjenjën e padrejtësisë dhe poshtërimit, pasigurinë e zgjatur, shqetësimet jetësore etj. Këta faktorë kanë të bëjnë ekskluzivisht me vuajtjet e një kërkuesi individual, d.m.th. të një personi fizik dhe nuk kanë kuptim në një çështje ndër-shtetërore. Për sa i përket Rregullores së Gjykatës, Qeveria e paditur argumentoi se përdorimi i përemrave pronor në gjuhën angleze "his" dhe "her" (në vend të "its")[23] në nenin 60 § 1 të Rregullores tregon se ky rregull lidhet vetëm me individët dhe jo Shtetet.
b. Vlerësimi i Gjykatës
39. Gjykata rikujton se deri më tani, e vetmja çështje ndër-shtetërore ku i është dashur të merret me zbatueshmërinë e rregullit të shpërblimit të drejtë ishte Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, e cituar më lart. Në atë rast, Gjykata konstatoi se nuk ishte e nevojshme të zbatohej ky rregull (ish-neni 50 i Konventës), pasi Qeveria kërkuese kishte deklaruar shprehimisht "se nuk i kërkonte Gjykatës të akordonte shpërblim të drejtë ..., në formën e kompensimit monetar, viktimave individuale të një shkeljeje të Konventës "(po aty, §§ 245-246).
40. Gjykata më tej thekson se logjika e përgjithshme e rregullit të shpërblimit të drejtë (neni 41, ose ish-neni 50 i Konventës), siç është menduar nga hartuesit e saj, rrjedh direkt nga parimet e së drejtës ndërkombëtare publike lidhur me përgjegjësit e Shtetit dhe duhet interpretuar në këtë kontekst. Kjo është konfirmuar nga Travaux préparatoires[24] e Konventës, sipas të cilit,
“...kjo dispozitë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtar lidhur me shkeljen e një detyrimi nga ana e një Shteti. Në këtë drejtim, praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane kurrë nuk do fusë element të rinj apo që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ekzistuese ... "(Raport i paraqitur nga komisioni i ekspertëve i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 mars 1950 (Doc. MQ / ËP 1 (50) 15)).
41. Parimi më i rëndësishëm i së drejtës ndërkombëtare në lidhje me shkeljet nga ana e një Shteti të një detyrimi që rrjedh nga një traktat është "se shkelja e angazhimit përfshin detyrimin për të dëmshpërblyer në një formë të përshtatshme" (shih vendimin e Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Fabrikës në Chorzóë (Juridiksion), Vendimi nr. 8, 1927, GJPND, Seria A, nr. 9, f. 21). Pavarësisht karakterit të veçantë të Konventës, logjika e përgjithshme e nenit 41 nuk është shumë e ndryshme nga logjika e dëmshpërblimeve në të drejtën publike ndërkombëtare, sipas së cilës "është një rregull i mirë përcaktuar i së drejtës ndërkombëtare se një Shtet i dëmtuar ka të drejtë dëmshpërblehet nga Shteti i cili nëpërmjet një veprimi ndërkombëtarisht të gabuar i ka shkaktuar një dëm atij" (shih vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Projektin Gabcikovës-Nagymaros (Hungaria kundër Sllovakisë), Raport i GJND-1997, f. 81 § 152 ). Gjithashtu, është një rregull po aq i mirë përcaktuar se gjykatat ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion për të gjykuar për çështje që lidhen me përgjegjësinë e një Shtetit, kanë pjesë të këtij juridiksioni, edhe të drejtën për të akorduar shpërblim për dëmet e pësuara (shih vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen Fisheries Jurisdiction (Republika Federale e Gjermanisë kundër Islandës), Themeli, Raportet e GJND-1974, f. 203-205, §§ 71-76).
42. Në këto rrethana, duke pasur parasysh natyrën specifike të nenit 41 si lex specialis në raport me rregullat dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, Gjykata nuk mund ta interpretojë këtë dispozitë në mënyrë të tillë, të ngushtë dhe të kufizuar, që të përjashtojë kërkesat ndër-shtetërore nga objekti i saj. Një interpretim krejt i kundërt madje, konfirmohet edhe nga formulimi i nenit 41, i cili parashikon se Gjykata "i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar" (në frëngjisht - " à la partie lésée "); me "palë" (me "p" të vogël në këtë rast) duhen kuptuar palët aktuale në një proces para Gjykatës. Referimi i Qeverisë së paditur tek formulimi aktual i nenit 60 § 1 të Rregullores së Gjykatës (paragrafët 12 dhe 38 të mësipërm) nuk mund të konsiderohet bindës në këtë drejtim. Në fakt, kjo normë, e cila qëndron në një nivel më të ulët hierarkik krahasuar me Konventën, vetëm reflekton realitetin sipas së cilit në praktikë, deri më tani, të gjitha dëmshpërblimet nga Gjykata sipas kësaj dispozite u janë akorduara direkt individëve kërkues.
43. Prandaj, Gjykata vlerëson se neni 41 i Konventës zbatohet për cështjet ndër-shtetërore. Megjithatë, për ti dhënë përgjigje pyetjes nëse justifikohet dëmshpërblimi kundrejt Shtetit kërkues, duhet të bëhet një vlerësim rast pas rasti, duke marrë parasysh, inter alia, llojin e kërkesës së bërë nga Qeveria kërkuese, faktin nëse viktimat e shkeljeve mund të identifikohen si dhe qëllimin kryesor të dërgimit të çështjes në Gjykatë nëse kjo mund të kuptohet nga kërkesa fillestare në Gjykatë. Gjykata pranon se, një kërkesë e sjellë para saj në bazë të nenit 33 të Konventës, mund të përmbajë lloje të ndryshme pretendimesh që ndjekin qëllime të ndryshme. Në raste të tilla çdo pretendim duhet të adresohet ndarazi, në mënyrë që të përcaktohet nëse akordimi i një shpërblimi të drejtë në lidhje me të është i justifikuar.
44. Kështu, për shembull, një Palë Kontraktuese mund të ankohet në lidhje me çështje të përgjithshme (probleme dhe mangësi sistematike, praktikat administrative, etj.) kundrejt një Pale tjetër Kontraktuese. Në raste të tilla qëllimi kryesor i Qeverisë kërkuese është ruajtja e rendit publik të Evropës në kuadër të përgjegjësisë kolektive sipas Konventës. Në këto rrethana nuk është e përshtatshme për ti akorduar një shpërblim të drejtë Qeverisë kërkuese në bazë të nenit 41, edhe nëse ajo e parashtron një pretendim të tillë.
45. Ekziston edhe një tjetër kategori tjetër e çështjeve ndër-shtetërore, që janë ato kur një Palë Kontraktuese denoncon shkeljet e të drejtave themelore të njeriut të shtetasve të saj (ose viktima të tjera) nga një Palë tjetër Kontraktuese. Në fakt, pretendime të tilla janë në thelb të ngjashme jo vetëm me atë që parashtrohen në kërkesat individuale sipas nenit 34 të Konventës, por edhe me pretendimet e ngritura në kontekstin e mbrojtjes diplomatike, të cilat janë, "veprimet e ndërmarra nga një Shtet, në formën e veprimeve diplomatike ose forma të tjera të zgjidhjes paqësore, në rastet kur një Shtet tjetër ka kryer akte që ndërkombëtarisht konsiderohen të paligjshme dhe nga të cilat u janë shkaktuar dëme shtetasve të tij, qofshin këta individ ose persona juridik" (neni 1 i Draft Neneve të Komisionit për të Drejtën Ndërkombëtare, në lidhje me Mbrojtjen Diplomatike-2006, shih Procesverbalin e Asamblesë së Përgjithshme, sesioni gjashtëdhjetë e një, Shtojca nr. 10 (A/61/10) si dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen Diallo (Guinea kundër Republikës Demokratike të Kongos) (kundërshtimet paraprake), GJND Raport-2007, f. 599, § 39). Nëse Gjykata e mbështet këtë lloj kërkese dhe konstaton shkelje të Konventës, do të ishte e përshtatshme akordimi i një shpërblim të drejtë, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të çështjes dhe kriteret e përcaktuara më sipër (shih paragrafin 43).
46. Megjithatë, duhet të mbahet gjithmonë parasysh se, në përputhje me natyrën e Konventës, është individi dhe jo Shteti, ai i cili është i dëmtuari, drejtpërdrejt apo tërthorazi, nga një shkelje e një apo disa të drejtave të Konventës. Prandaj, shpërblim i drejtë në një çështje ndër-shtetërore duhet gjithmonë të jepet vetëm për të mirën e viktimave individuale. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se neni 19 i Neneve të lartpërmendura për Mbrojtjen Diplomatike rekomandon "transferimin tek personi i dëmtuar i çdo lloj shume të përfituar si dëmshpërblim nga Shteti përgjegjës, duke bërë edhe zbritjet e arsyeshme" (po aty.). Për më tepër, në rastin e sipërpërmendur Diallo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë shprehimisht se "shuma e akorduar [Shtetit kërkues] si rrjedhojë e ushtrimit të mbrojtjes diplomatike të z. Diallo, ka për qëllim të sigurojë dëmshpërblim për dëmet që i janë shkaktuar këtij të fundit" (shih Diallo (Guinea kundër Republikës Demokratike të Kongos) (Kompensim), GJND Raport-2012 § 57).
47. Në rastin konkret, Gjykata konstaton se Qeveria qipriote ka paraqitur pretendime për shpërblim të drejtë në lidhje me shkeljet e të drejtave të Konventës të dy grupe njerëzit, saktësisht dhe objektivisht të identifikueshëm, që janë 1,456 personat e pagjetur dhe banorët greko-qipriotë në enklavat e gadishullit Karpas. Me fjalë të tjera, shpërblimi i drejtë nuk është kërkuar me qëllim dëmshpërblimin e Shtetit për shkeljen e të drejtave të tij, por për të përfituar viktimat individuale, siç është përshkruar në paragrafin 45 më sipër. Në këto rrethana, dhe për aq sa përfshihen personat e zhdukur dhe banorët e Karpasit, Gjykata vlerëson se Qeveria kërkuese ka të drejtë të bëj një kërkesë sipas nenit 41 të Konventës dhe se akordimi i shpërblimit të drejtë në rastin në fjalë është i justifikuar.
B. Pretendimet për shpërblim të drejtë të Qeverisë qipriote
1. Parashtrimet e palëve
a. Pretendimet në lidhje me personat e zhdukur
i. Qeveria qipriote
48. Qeveria qipriote ka deklaruar se, në funksion të rezultatit të çështjeve Varnava dhe të Tjerë, të cituar më lart dhe Karefyllides dhe të Tjerë kundër. Turqisë (vendim[25] nr. 45503/99, 1 dhjetor 2009), "tashmë duket se kërkuesit individ të cilët i drejtohen Gjykatës në lidhje me shkeljet e vazhdueshme që kanë të bëjnë më zhdukjen e anëtarëve të familjes së tyre, nuk munden (përveç nëse nuk ka dëshmi apo informacione të tjera, çka do i detyronte autoritetet që të merrnin masa të mëtejshme hetimore) të ngrenë pretendimet e tyre para Gjykatës për shkak të rregullave të reja të pranueshmërisë". Qeveria kërkuese pohoi se nga lista e 1,485 personave të zhdukur të përmendur në §119 të vendimit kryesor, disa duhen përjashtuar. Së pari, nëntë persona të zhdukur janë mbuluar tashmë nga kërkesat individuale në çështjen Varnava. Së dyti, eshtrat e njëzet e tetë personave u zhvarrosën dhe u identifikuan, por nuk ishte vërtetuar se ata kishin vdekur si pasojë e veprimeve të Turqisë. Kështu nuk ka pretendime në lidhje me këta njerëz. Nga ana tjetër, Qeveria kërkuese këmbënguli për saktësinë faktike të listës ekzistuese të personave të zhdukur, edhe pse pala turke nuk e ka kundërshtuar vlefshmërinë e kësaj liste. Kështu, shpërblim i drejtë është kërkuar për 1,456 persona.
49. Në vëzhgimet e tyre fillestare, Qeveria qipriote kërkoi 12,000 euro për personat e zhdukur, shumë kjo që korrespondonte me shumën e dhënë nga Gjykata në çështjen Varnava dhe të Tjerë kundër Turqisë. Në versionin përfundimtar të vëzhgimeve të tyre, ata i ndryshuan pretendimin e tyre duke i kërkuar Gjykatës t’u akordonte shpërblim të drejtë "sipas normës standarde bazuar në parime të barabarta". Kjo pasi, sipas Qeverivë qipriote shuma prej 12,000 euro e akorduar në çështjen Varnava, nuk korrespondonte me shumat e akorduara në çështje të tjera më të fundit të cilat ishin ligjërisht të ngjashme, pasi këto shuma ishin në mënyrë të konsiderueshme më të larta. Shpërblimi i drejtë duhet t’i akordohet Qeverisë qipriote, e cila më pas do t’ua shpërndajë atë viktimave individuale, pra, familjarëve të personave të zhdukur.
ii. Qeveria turke
50. Qeveria turke argumentoi se Gjykata nuk ishte shprehur specifikisht në lidhje me numrin e personave të zhdukur në vendimin[26] e saj. Rrjedhimisht, Qeveria kërkuese nuk ishte e justifikuar për të ngritur pretendime hipotetike në emër të përfituesve të paidentifikuar. Tashmë, të afërmit e personave të zhdukur duhet të presin për rivendosjen e detyrimeve procedurale sipas parimeve të përcaktuara në çështjen Brecknell kundër Mbretërisë së Bashkuar, të cituar më lart. Për shkak të kalimit të kohës, numri i përfituesve të mundshme mund të ketë ndryshuar; interesat ligjore të disave prej tyre mund të jenë zhdukur, etj. Për më tepër, është e vështirë një përllogaritje e saktë e dëmeve. Kjo situatë është rënduar edhe më tepër nga mungesa e veprimit për gati nëntë vjet që prej dhënies së vendimit për themelin, kjo jo për fajin e Turqisë.
b. Pretendimet në lidhje me banorët e gadishullit Karpas
i. Qeveria qipriote
51. Në vëzhgimet e tyre të datës 18 korrik 2012 Qeveria qipriote pretendoi dëmshpërblim jo vetëm në lidhje me personat e zhdukur, por edhe në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut të greko-qipriotëve të gadishullit Karpas, shkelje këto të konstatuara nga ana e Dhomës së Madhe. Më saktësisht, këto pretendime të reja përfshinin shkeljet e neneve 3, 8, 9, 10 dhe 13 të Konventës dhe të nenit 2 të Protokollit nr. 1, konstatuar nga Gjykata. Qeveria qipriote ka theksuar se këto pretendime të reja nuk kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 1 të Protokollit nr.1.
52. Lidhur me këtë, Qeveria qipriote ka kërkuar si në vijim:
“Duke marrë parasysh faktin se banorët e Karpasit nuk ishin viktima të një shkelje të vetme dhe të izoluar (si në rastet e përmendura më sipër), por ishin viktima të shkeljeve të shumta me përmbajtje raciste ndër vite nga ana e Shtetit, standarti i përdorur më sipërm sugjeron një shumë modeste si shpërblim për dëmet materiale në vlerën jo më pak se £50,000 për çdo individ. Kujtojmë se Gjykata vendosi që aktet e Turqisë cenonin dhe shkelnin vetë nocionin e respektit për dinjitetin e anëtarëve të komunitetit të Karpasit.
(1) Gjykata duhet të kërkojë nga Turqia që t’i paguajë Qipros shumën prej £50.000 për banorë (banorët greko-qipriotë të gadishullit Karpas) në periudhën ndërmjet korrikut të vitit 1974 dhe datës së vendimit[27] të Dhomës së Madhe në majin e vitit 2001 (Më pas Qipro-ja do t’i shpërndajë shumat viktimave ose trashëgimtarëve të tyre...);
(2) Numri i këtyre banorëve dakordohet ndërmjet palëve brenda 6 muajve nga urdhri të Gjykatës dhe në mungesë të një marrëveshje, do të përcaktohet nga Presidenti i Gjykatës bazuar në dëshmitë me shkrim dhe parashtrimet lidhur me numrin dhe vendndodhjen e banorëve dhe trashëgimtarëve të tyre.”
ii. Qeveria turke
53. Qeveria turke ka theksuar që në fillim se Qeverisë qipriote iu deshën njëmbëdhjetë vjet që nga dhënia e vendimit kryesor për të parashtruar pretendimet e tyre. Për më tepër, ata nuk kishin bërë asnjë përpjekje për të identifikuar numrin e përfituesve të mundshëm. Së fundi, parashtrimet e Qeverisë kërkuese lidheshin me fakte që datonin që prej vitit 1974, ndërkohë që Komisioni kishte deklaruar në raportin e tij se do të shqyrtonte vetëm shkeljet të cilat ishin kryer brenda një periudhe gjashtë mujore para datës së kërkesës.
54. Qeveria turke më tej shpjegoi se kushtet e jetesës në Karpas ishin përmirësuar dhe se ekzistonte një sistem funksional gjyqësor në "TRNC" i cili ishte i hapur për greko-qipri otët që jetonin në Veri
55. Sipas Qeverisë turke, neni 41 nuk krijon asnjë të drejtë për shpërblim të drejtë dhe ekziston një element diskrecioni në vetë tekstin e kësaj dispozite. Në kontekstin e çështjes në fjalë, Gjykata duhet të marrë parasysh procesin e vazhdueshëm të zbatimit para Komitetit të Ministrave. Së fundi, Konventa nuk garanton të drejtën e dëmit ndëshkues; Gjykata ka refuzuar vazhdimisht kërkesa të tilla. Në rastin në fjalë, Qeveria e paditur vlerësoi se Gjykata duhet të vendosë se konstatimi i shkeljes në vendimin për themelin ofron një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
2. Vlerësimi i Gjykatës
56. Gjykata do të përsërisë deklaratën e saj të përgjithshme të bërë në çështjen Varnava dhe të Tjerë, të cituar më lart, e cila është relevante në lidhje me dhënien e dëmshpërblimit në një çështje ndër shtetërore (po aty., § 224.):
« Gjykata vëren se nuk ka asnjë dispozitë lidhur me dëmin jo material apo moral. Duke evoluar rast pas rasti, qëndrimi i Gjykatës në lidhje me dhënien e shpërblimit të drejtë ka bërë dallimin ndërmjet situatave ku kërkuesi ka pësuar trauma të dukshme, fizike ose psikologjike, dhimbje dhe vuajtje, stres, ankth, frustrim, ndjenja padrejtësie dhe poshtërimi, pasiguri e zgjatur, vështirësi jetësore ose humbje e vërtetë e mundësive...dhe situatave ku njohja publike e dëmit të pësuar nga kërkuesi nëpërmjet një vendimi të Gjykatës, të detyrueshëm për Palët Kontraktuese, është në vetvete një formë e fuqishme korrigjimi e situatës. Në shumë çështje ku një ligj, procedurë apo praktikë është konstatuar se ka qenë në kundërshtim me standardet e Konventës, ky konstatim ka qenë i mjaftueshëm për të korrigjuar situatën. ... Megjithatë, në disa situata, pasojat e shkeljes mund të jenë të një natyre dhe shkallë të tillë që cenojnë në mënyrë të konsiderueshme mirëqenien morale të kërkuesit dhe rrjedhimisht kërkohet më shumë sesa thjesht konstatimi i shkeljes. Elemente të tillë nuk mund ti nënshtrohen një procesi të saktë përllogaritës. Për më tepër nuk është as roli i Gjykatës të funksionojë në mënyrë të ngjashme me mekanizmat gjyqësore kombëtare të përcaktimit të fajit dhe kompensimit të dëmit ndërmjet palëve civile. Parimi udhëzuese për Gjykatën është drejtësia, i cili mbi të gjitha përfshin fleksibilitetin dhe një shqyrtim objektiv të asaj çka është e drejtë dhe e arsyeshme në të gjitha rrethanat e rastit, duke përfshirë jo vetëm pozitën e kërkuesit, por edhe kontekstin e përgjithshëm në të cilin ka ndodhur shkelja. Shpërblimi për dëmin jo material shërben për të njohur faktit se dëmi moral ka ndodhur si pasojë e shkeljes së një të drejte themelore të njeriut dhe të pasqyrojë në kuptimin e gjerë të termave, madhësinë e dëmit; ai nuk është dhe as duhet të jetë i destinuara për mbështetje financiare në kurriz të Palës Kontraktuese të interesuar.”
Gjykata gjithashtu theksoi se "kërkuesit [në atë çështje] kishin duruar dekada duke mos pasur informacion rreth të afërmve të tyre, çka duhet të ketë ndikuar thellësisht tek ta" (po aty., § 225).
57. Lidhur me këtë, Gjykata mund të shtojë vetëm se nuk ka asnjë dyshim në lidhje me ndjenjat e zgjatura të pafuqisë, dëshpërimit dhe ankthit të banorëve të Karpas, të drejtat e të cilëve sipas neneve 3, 8, 9, 10 dhe 13 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit nr. 1 janë shkelur, siç edhe konstatohet në vendimin kryesor[28].
58. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat përkatëse të çështjes dhe duke vlerësuar mbi baza të barabarta, Gjykata e sheh të arsyeshme t’i akordojë Qeverisë qipriote shumën prej 30,000,000 euro për dëmin jo material të pësuar nga të afërmit që jetojnë të personave të zhdukur dhe 60,000,000 euro për dëmin jo material të pësuar nga banorët e enklavës së gadishullit Karpas, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këto shuma. Shumat e lartpërmendura duhet t’u shpërndahen nga Qeveria kërkuese viktimave individuale të shkeljeve të konstatuara në vendimin kryesor sipas dy ndarjeve më sipër (shih, mutatis mutandis, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen Diallo (Kompensim), të cituar më sipër, loc.cit.).
59. Gjykata më tej rikujton se, sipas nenit 46 § 2 të Konventës, i takon Komitetit të Ministrave të mbikëqyrë ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës. Në rrethanat e veçanta të çështjes, Gjykata vlerëson se duhet t’i lihet Qeverisë qipriote, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, ngritja e një mekanizmi efektiv për shpërndarjen e shumës në fjalë për viktimat individuale. Kjo shpërndarje duhet të kryhet brenda tetëmbëdhjetë muajsh nga data e pagesës nga Qeveria e paditur ose brenda një periudhe tjetër që konsiderohet e përshtatshme nga Komiteti i Ministrave.
C. Interesi i munguar
60. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tre pikë përqindjeje.
II. KËRKESA E QEVERISË QIPRIOTE PËR NJË "VENDIM DEKLARATIV" THE CYPRIOT GOVERNMENT’S APPLICATION FOR A “DECLARATORY JUDGMENT”
61. Në kërkesën e tyre të datës 25 nëntor 2011 Qeveria qipriote i kërkoi Gjykatës të adoptojë një "vendim deklarativ" ku të deklarohet:
“(i) se Turqia është e detyruar në bazë të nenit 46 të respektojnë vendimin e Gjykatës në çështjen Qipro kundër Turqisë duke mos lejuar, marrë pjesë, pranuar apo bashkëpunuar në ndonjë formë tjetër në shitjen dhe shfrytëzimin e paligjshëm të shtëpive dhe pronave në pjesën veriore të Qipros të greko qipriote;
(ii) se ky detyrim që rrjedh nga neni 46 nuk hidhet poshtë nga vendimi[29] i Gjykatës në çështjen Demopoulos.”
62. Gjykata vëren se Shteti i paditur është i detyruar sipas nenit 46 dhe për rrjedhojë edhe nga detyrimet e tij ndërkombëtare për respektimin e vendimit kryesor[30]. Kjo riafirmon parimin e përgjithshëm se Shteti i paditur është i lirë për të zgjedhur mjetet për përmbushjen e detyrimit të tij ligjor në bazë të dispozitës së lartpërmendur dhe se mbikëqyrja e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës është përgjegjësi e Komitetit të Ministrave.
63. Gjykata vlerëson se nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse ka kompetencë sipas Konventës për të dhënë një "vendim deklarativ" në mënyrën e kërkuar nga Qeveria kërkuese, duke qenë se është e qartë që Qeveria e paditur është, në çdo rast, zyrtarisht e detyruar sipas kushteve përkatëse të vendimit kryesor. Në lidhje me këtë, Gjykata ri sjell në vëmendje që ajo kishte konstatuar se kishte pasur një shkelje të vazhdueshme të nenit 1 të Protokollit nr.1 për shkak të faktit se pronarëve greko-qipriotë u mohohej aksesi, kontrolli, përdorimi dhe gëzimi i pronave të tyre në Qipron veriore si dhe nuk ishin dëmshpërblyer për ndërhyrjet në të drejtat e tyre të pronësisë (Pjesa III, pika 4 e dispozitivit të vendimit kryesor). Kështu, i takon Komitetit të Ministrave të mbikëqyrë që konstatimi në fjalë i Gjykatës, i detyrueshëm në përputhje me Konventën dhe i cili ende nuk ishte respektuar, të zbatohej me efekt të plotë nga Qeveria e paditur. Zbatimi i tij kërkon mos lejimin, pjesëmarrjen, pranimin apo çdo formë tjetër përfshirje në shitje apo shfrytëzim të paligjshëm të shtëpive dhe pronave në pjesën veriore të Qipros të greko-qipriotëve. Për më tepër, vendimi[31] i Gjykatës në çështjen Demopoulos dhe të Tjerë, i cituar më lart, ku u vendos të rrëzoheshin pretendimet për shkeljen e së drejtës së pronës të ngritura nga kërkues individual për mos-shterimin e mjeteve të brendshme ligjore, nuk mund të konsiderohet në vetvete, se zgjidh çështjen e pajtueshmërisë së Turqisë me pjesën III të dispozitivit të vendimit kryesor në çështjen ndër-shtetërore.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, se koha që ka kaluar që prej dorëzimit të vendimit kryesor[32] të 10 majit të vitit 2001 nuk e ka bërë të pranueshëm kërkesën e Qeverisë kërkuese për shpërblim të drejtë;
2. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, se neni 41 zbatohet për rastin në fjalë në lidhje me personat e zhdukur;
3. Vendos, me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër, se neni 41 zbatohet për rastin në fjalë në lidhje me banorët greko-qipriotë në enklavën e gadishullit Karpas;
4. Vendos, me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër,
(a) Se Qeveria e paditur duhet t’i paguajë Qeverisë kërkuese, brenda tre muajve, shumën 30,000,000 euro (tridhjetë milion euro) në lidhje me dëmet jo materiale që u janë shkaktuar të afërmve të personave të zhdukur, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
(c) Se Qeveria kërkuese do t’u shpërndaj viktimave individuale shuma e mësipërme, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, brenda tetëmbëdhjetë muajsh nga data e pagesës ose brenda çdo periudhe tjetër që mund të konsiderohet e përshtatshme nga Komiteti i Ministrave;
5. Vendos, me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër,
(a) Se Qeveria e paditur duhet t’i paguajë Qeverisë kërkuese, brenda tre muajve, shumën 60,000,000 (gjashtëdhjetë milion euro), në lidhje me dëmet jo materiale që u janë shkaktuar banorëve greko-qipriotë në enklavën e gadishullit Karpas, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme mbi këtë shumë;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
(c) Se Qeveria kërkuese do t’u shpërndaj viktimave individuale shuma e mësipërme, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, brenda tetëmbëdhjetë muajsh nga data e pagesës ose brenda çdo periudhe tjetër që mund të konsiderohet e përshtatshme nga Komiteti i Ministrave.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar në seancën publike gjyqësore më 12 maj 2014 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Michael O’BoyleJosep Casadevall Zëvendës Kancelar President
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) mendimi paralel i përbashkët i gjyqtarëve Zupančič, Gyulumyan, David Thόr Björgvinsson, Nicolaou, Sajό, Lazarova Trajkovska, Poëer-Forde, Vučinić dhe Pinto de Albuquerque;
(b) mendimi paralel i gjyqtarit Pinto de Albuquerque, të cilit iu bashkua edhe gjyqtari Vučinić;
(c) mendimi pjesërisht paralel i gjyqtarëve Tulkens, Vajić, Raimondi dhe Bianku, të cilit iu bashkua edhe gjyqtari Karakaş;
(d) mendimi pjesërisht paralel dhe pjesërisht mospajtues i gjyqtarit Casadevall;
(e) mendimi mospajtues i gjyqtarit Judge Karakaş.
J.C.M
M.O’B
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] për pranueshmërinë dhe themelin
[2] për pranueshmërinë dhe themelin
[3] për pranueshmërinë dhe themelin
[4] për pranueshmërinë
[5] për pranueshmërinë dhe themelin
[6] për pranueshmërinë dhe themelin
[7] ex-iniuria ius non oritur
[8] për pranueshmërinë dhe themelin
[9] për pranueshmërinë
[10] për pranueshmërinë dhe themelin
[11] për pranueshmërinë
[12] për pranueshmërinë dhe themelin
[13] për pranueshmërinë dhe themelin
[14] për pranueshmërinë dhe themelin
[15] për pranueshmërinë dhe themelin
[16] për pranueshmërinë dhe themelin
[17] për pranueshmërinë dhe themelin
[18] për pranueshmërinë dhe themelin
[19] për pranueshmërinë dhe themelin
[20] për pranueshmërinë dhe themelin
[21] për pranueshmërinë dhe themelin
[22] për pranueshmërinë dhe themelin
[23] Në gjuhën angleze përemrat pronor ‘his’ dhe ‘her’ që në gjuhën shqipe përkthehen ‘i tij’ dhe ‘e saj’ përdoren për njerëzit ndërkohë që ‘its’ që në gjuhën shqipe përkthehet gjithashtu ‘i tij ose e saj’ është një përemër që përdoret si për njerëzit ashtu edhe për objektet.
[24] Punimet paraprake
[25] për pranueshmërinë
[26] për pranueshmërinë dhe themelin
[27] për pranueshmërinë dhe themelin
[28] për pranueshmërinë dhe themelin
[29] për pranueshmërinë
[30] për pranueshmërinë dhe themelin
[31] për pranueshmërinë
[32] për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy