© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E DEL RÍO PRADA kundër SPANJËS
(Kërkesa nr. 42750/09)
VENDIM
[Pjesë të shkëputura]
STRASBURG
21 tetor 2013
Ky vendim është i formës së prerë, por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Del Río Prada kundër Spanjës,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Elisabeth Steiner,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Ledi Bianku,
Ann Power-Forde,
Işıl Karakaş,
Paul Lemmens,
Paul Mahoney,
Aleš Pejchal,
Johannes Silvis,
Valeriu Griţco,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 20 mars 2013 dhe 12 shtator 2013;
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 42750/09) kundër Mbretërisë së Spanjës të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetase e Spanjës, Znj. Inés del Río Prada (“kërkuesja”), më 3 gusht 2009.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga Z. S. Swaroop, Z. M. Muller dhe Z. M. Ivers, avokatë në Londër, Z. D. Rouget, avokat në Bayonne, Znj. A. Izko Aramendia, avokate në Pamplona dhe Z. U. Aiartza Azurtza, avokat në San Sebastian. Qeveria spanjolle (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj, Z. F. Sanz Gandásegui, dhe bashkë-agjenti, Z. I. Salama Salama, Avokat i Shtetit.
3. Kërkuesja pretendoi në mënyrë të veçantë se nga 3 korriku 2008 burgimi i saj i vazhdueshëm nuk kishte qenë as “i ligjshëm” e as “në pajtim me procedurën e parashikuar nga ligji” siç kërkohet nga Neni 5 § 1 i Konventës. Ajo, duke u mbështetur në nenin 7, gjithashtu u ankua që ajo çka ajo e konsideronte të ishte zbatimi prapaveprues i një qasjeje të re të miratuar nga Gjykata Supreme pas dënimit të saj kishte shtuar kohëzgjatjen e burgimit të saj me pothuaj nëntë vjet.
4. Kërkesa u depozitua pranë Seksionit të Tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 19 nëntor 2009 Kryetari i Seksionit të Tretë vendosi të njoftonte Qeverinë në lidhje me kërkesën. Gjithashtu, u vendos të merrej vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e çështjes njëkohësisht (neni 29 § 1 i Konventës). Më 10 korrik 2012 një Dhomë e atij Seksioni, e përbërë nga Josep Casadevall, Kryetar, Corneliu Bîrsan, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer, Ján Šikuta, Luis López Guerra dhe Nona Tsotsoria, gjyqtarë, dhe Santiago Quesada, Kancelar i Seksionit, shpalli një vendim. Ata njëzëri i deklaruan ankesat sipas nenit 7 dhe nenit 5 § 1 të Konventës të pranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme, dhe më pas gjeti shkelje të atyre dispozitave.
5. Më 4 tetor 2012 Gjykata mori një kërkesë nga Qeveria në lidhje me çështjen që duhet t’i referohej Dhomës së Madhe. Më 22 tetor 2012 një trup gjykues i Dhomës së Madhe vendosi t’ia referonte çështjen Dhomës së Madhe (neni 43 i Konventës).
6. U vendos përbërja e Dhomës së Madhe në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim (neni 59 § 1) në lidhje me themelet.
8. Përveç kësaj, u morën komentet e palëve të treta me shkrim nga Znj. Róisín Pillay në emër të Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve (angl. ICJ), të cilit Kryetari i kishte dhënë leje të ndërhynte në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3).
9. Seanca u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 20 mars 2013 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z.I. Salama Salama, Bashkë-Agjent,
Z.F. Sanz Gandásegui, Agjent,
Z.J. Requena Juliani,
Z.J. Nistal Buron, Këshilltarë;
(b) për kërkuesen
Z.M. Muller,
Z.S. Swaroop,
Z.M. Ivers,Avokatë,
Z.D. Rouget,
Znj.A. Izko Aramendia,
Z.U. Aiartza Azurtza, Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi fjalime nga Z. Muller, Z. Swaroop, Z. Ivers dhe Z. Salama Salama, si dhe përgjigje nga Z. Muller, Z. Swaroop, Z. Ivers dhe Z. Sanz Gandásegui ndaj pyetjeve të saj.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Kërkuesja është e lindur në vitin 1958. Ajo është duke vuajtur dënimin me burg në rajonin e Galicias.
11. Në tetë grupe procedurash penale të ndara të zhvilluara para Audiencia Nacional[1], kërkuesja u dënua si vijon:
- në vendimin nr. 77/1988 të 18 dhjetorit 1988: për anëtarësi në një organizatë terroriste, me tetë vjet burg; për posedim të paligjshëm armësh, me shtatë vjet burg; për posedim eksplozivësh, me tetë vjet burg; për falsifikim, me katër vjet burg; dhe për përdorim të dokumenteve të falsifikuara të identitetit, me gjashtë muaj burg;
- në vendimin nr. 8/1989 të 27 janarit 1989: për dëmtim të pronës, në lidhje me gjashtë akuza për lëndime të rënda trupore, një për shkaktim të lëndimit trupor dhe nëntë për shkaktimin e lëndimeve të lehta, me gjashtëmbëdhjetë vjet burg;
- në vendimin nr. 43/1989 të 22 prillit 1989: për një sulm fatal dhe për vrasje, me njëzet e nëntë vjet burg për secilën pikë të akuzës;
- në vendimin nr. 54/1989 të 7 nëntorit 1989, për një sulm fatal, me tridhjetë vjet burg; për njëmbëdhjetë vrasje, me njëzet e nëntë vjet burg për secilën vrasje; për shtatëdhjetetetë vrasje në tentativë, me njëzet e katër vjet burg për secilën pikë të akuzës; dhe për dëmtim të pronës, me njëmbëdhjetë vjet burg. Audiencia Nacional urdhëroi që, në pajtim me nenin 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973, afati maksimal i dënimit (condena) që ajo do të vuante të ishte tridhjetë vjet;
- në vendimin nr. 58/1989 të 25 nëntorit 1989: për një sulm fatal dhe dy vrasje, me njëzet e nëntë vjet burg për secilën pikë të akuzës. Audiencia Nacional urdhëroi që, në pajtim me nenin 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973, afati maksimal i dënimit (condena) që ajo do të vuante të ishte tridhjetë vjet;
- në vendimin nr. 75/1990 të 10 dhjetorit 1990: për një sulm fatal, me tridhjetë vjet burg; për katër vrasje me tridhjetë vjet burg për secilën pikë të akuzës; për njëmbëdhjetë vrasje në tentativë, me njëzet vjet burg për secilën pikë të akuzës; dhe për akuzën e terrorizmit, me tetë vjet burg. Vendimi u shpreh që, për qëllime të dënimeve me burg, duhet të merrej parasysh dënimi maksimal i parashikuar nga neni 70.2 i Kodit Penal të vitit 1973;
- në vendimin nr. 29/1995 të 18 prillit 1995: për një sulm fatal, me njëzet e tetë vjet burg, dhe për vrasje në tentativë, me njëzet vjet e një ditë. Sërish gjykata iu referua kufirit të parashikuar nga neni 70 i Kodit Penal;
- në vendimin nr. 24/2000 të 8 majit 2000: për një sulm me qëllim vrasës, me tridhjetë vjet burg; për vrasje, me njëzet e nëntë vjet burg; për shtatëmbëdhjetë vrasje në tentativë, me njëzet e katër vjet burg për secilën pikë të akuzës; dhe për dëm ndaj pronës, me njëmbëdhjetë vjet burg. Vendimi u shpreh që dënimi që ajo duhet të vuante nuk duhet ta kalonte kufirin e parashikuar nga neni 70.2 i Kodit Penal të vitit 1973. Gjatë përcaktimit se cila e drejtë penale ishte e zbatueshme (Kodi Penal i vitit 1973, i cili ishte i zbatueshëm në kohën materiale, apo Kodi Penal i mëvonshëm i vitit 1995), Audiencia Nacional konsideroi që ligji më i butë ishte Kodi Penal i vitit 1973, për shkak të afatit maksimal që ajo duhet të vuante siç parashikonte neni 70.2 i atij Kodi, kombinuar me lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg siç parashikohej nga neni 100.
12. Në total, kohëzgjatja e burgimit me të cilin u dënua kërkuesja për këto vepra, të kryera mes viteve 1982 dhe 1987, shkonte në mbi 3000 vjet.
13. Kërkuesja u mbajt në paraburgim paragjyqësor nga 6 korriku 1987 deri më 13 shkurt 1989 dhe filloi të vuante dënimin e saj të parë pas dënimit të 14 shkurtit 1989.
14. Me një vendim të 30 nëntorit 2000 Audiencia Nacional njoftoi kërkuesen që lidhjet ligjore dhe kronologjike mes veprave për të cilat ajo ishte dënuar mundësonin grupimin e tyre (acumulación de penas) siç parashikohej nga seksioni 988 i Ligjit për Procedurën Ligjore (Ley de Enjuiciamiento Criminal) i lidhur me nenin 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave. Audiencia Nacional e fiksoi maksimumin e dënimit që kërkuesja duhet të vuante për sa u përkiste të gjitha dënimeve të saj me burg të kombinuara në tridhjetë vjet.
15. Me anë të një vendimi të 15 shkurtit 2001 Audiencia Nacional caktoi datën në të cilën kërkuesja do ta kryente plotësisht vuajtjen e dënimit të saj (liquidación de condena) e cila do të ishte 27 qershor 2017.
16. Më 24 prill 2008, duke marrë parasysh lehtësimin prej 3282 ditësh që i takonte për punën që ajo kishte bërë që nga viti 1987, autoritetet në Burgun Muncia, ku kërkuesja po vuante dënimin, i propozuan Audiencia Nacional që ajo të lirohej më 2 korrik 2008. Dokumentet e paraqitura në Gjykatë nga Qeveria tregojnë se kërkueses i ishin lejuar lehtësime të zakonshme dhe të jashtëzakonshme të dënimit për shkak të vendimeve të gjyqtarëve përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve (Jueces de Vigilancia Penitenciaria në shkallën e parë dhe Audiencias Provinciales në shkallën e apelit) në vitet 1993, 1994, 1997, 2002, 2003 dhe 2004, për pastrimin e burgut, qelisë së saj dhe zonave të përbashkëta dhe për vijimin e studimeve universitare.
17. Megjithatë, më 19 maj 2008 Audiencia Nacional e refuzoi atë propozim dhe u kërkoi autoriteteve të burgut të paraqisnin një datë të re për lirimin e kërkueses, bazuar mbi një precedent të ri (të njohur si “doktrina Parot”) të caktuar nga Gjykata Supreme në vendimin e saj nr. 197/2006 të 28 shkurtit 2006. Sipas kësaj qasjeje të re, ndreqjet e dënimeve (beneficios) dhe lehtësimet nuk zbatoheshin më ndaj afatit maksimal të burgut prej tridhjetë vjetësh, por respektivisht ndaj secilit prej dënimeve të dhëna (shih “E drejta dhe praktika përkatëse vendase”, paragrafët 39-42 poshtë).
18. Audiencia Nacional shpjegoi që kjo qasje e re u zbatohej vetëm personave të dënuar sipas Kodit Penal të vitit 1973 ku ishte zbatuar neni 70.2. Meqenëse rasti i kërkueses ishte i tillë, data e lirimit të saj duhet të ndryshohej përkatësisht.
19. Kërkuesja bëri apel (súplica) kundër atij vendimi. Ajo diskutoi, inter alia, që zbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme ishte në shkelje të parimit të zbatimit jo prapaveprues të dispozitave të së drejtës penale që ishin më pak të favorshme ndaj kërkueses, sepse në vend që t’i zbatoheshin afatit maksimal të burgimit që ajo duhet të vuante, që ishte tridhjetë vjet, lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg rrjedhimisht iu zbatuan secilit prej dënimeve të dhëna. Efekti, diskutoi ajo, do të ishte rritja e afatit të burgimit që ajo do të vuante me pothuaj nëntë vjet. Gjykata nuk është informuar për rezultatin e këtij apeli.
20. Me një urdhër të 23 qershorit 2008, bazuar mbi një propozim të ri të autoriteteve të burgut, Audiencia Nacional caktoi datën për lirimin përfundimtar të kërkueses (licenciamiento definitivo) e cila do të ishte 27 qershor 2017.
21. Kërkuesja bëri një apel súplica kundër urdhrit të 23 qershorit 2008. Me një vendim të datës 10 korrik 2008 Audiencia Nacional refuzoi apelin e kërkueses, duke shpjeguar se nuk ishte çështje e kufijve të dënimeve me burg por e mënyrës së zbatimit të reduktimeve të dënimit për të përcaktuar datën e lirimit të një të burgosuri. Reduktime të tilla prej atij momenti do të zbatoheshin ndaj secilit dënim individualisht. Së fundi, Audiencia Nacional konsideroi që parimi i zbatimit jo prapaveprues nuk ishte shkelur sepse e drejta penale e zbatuar në këtë rast kishte qenë ajo që kishte qenë në fuqi në kohën e zbatimit të saj.
22. Duke u mbështetur në nenet 15 (ndalimi i diskriminimit), 17 (e drejta për liri), 24 (e drejta për mbrojtje gjyqësore efektive) dhe 25 (parimi i ligjshmërisë) të Kushtetutës, kërkuesja depozitoi një apel amparo pranë Gjykatës Kushtetuese. Me anë të një vendimi të 17 shkurtit 2009 Gjykata Kushtetuese e deklaroi apelin të papranueshëm mbi bazën e faktit që kërkuesja nuk kishte treguar relevancën kushtetuese të ankesave të saj.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
...
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 7 TË KONVENTËS
56. Kërkuesja pretendoi që ajo që kërkuesja e konsideronte zbatim prapaveprues të një ndryshimi të Gjykatës Supreme nga praktika gjyqësore pasi ajo ishte dënuar e kishte zgjatur burgimin e saj me pothuaj nëntë vjet, në shkelje të nenit 7 të Konventës, i cili thotë si vijon:
“1. Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës së brendshme ose asaj ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.
2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”
A. Vendimi i Dhomës
57. Në vendimin e saj të 10 korrikut 2012 Dhoma gjeti që kishte pasur shkelje të nenit 7 të Konventës.
58. Ajo arriti te kjo gjetje pasi kishte vërejtur, pikësëpari, që megjithëse dispozitat e Kodit Penal të vitit 1973 i zbatueshëm për lehtësimet e dënimit dhe afatin maksimal të burgimit që mund të vuante një person – pra tridhjetë vjet sipas nenit 70 të atij Kodi – ishin disi të mjegullta, në praktikë autoritetet e burgut dhe gjykatat spanjolle ishin të prirura ta trajtonin afatin maksimal ligjor të burgimit si një dënim i ri, i pavarur, ndaj të cilit duhet të zbatoheshin ndreqje siç janë lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg. Ajo arriti në përfundimin që në kohën kur ishin kryer veprat dhe në kohën kur ishte miratuar vendimi për të kombinuar dënimet (më 30 nëntor 2000), e drejta përkatëse spanjolle, e marrë në tërësi, përfshirë edhe praktikën gjyqësore, kishte qenë e formuluar me saktësi të mjaftueshme që t’i mundësonte kërkueses të dallonte në masë të arsyeshme fushëveprimin e dënimit të caktuar dhe mënyrën e ekzekutimit të tij (§ 55 e vendimit, me referencë, në kontrast me Kafkaris kundër Qipros [GC], nr. 21906/04, § 150, ECHR 2008).
59. Së dyti, Dhoma vërejti që në rastin e kërkueses interpretimi i ri i Gjykatës Supreme në vitin 2006 i mënyrës në të cilën duhet të zbatoheshin lehtësimet e dënimit kishte çuar, në mënyrë prapavepruese, drejt zgjatjes me gati nëntë vjet të afatit të burgimit për kërkuesen, duke e privuar atë nga lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg të cilat përndryshe do t’i kishin takuar asaj si e drejtë. Kështu, ajo konsideroi që kjo masë jo vetëm që kishte të bënte me ekzekutimin e dënimit të kërkueses, por gjithashtu kishte ndikim vendimtar mbi fushëveprimin e “dënimit” për qëllimet e nenit 7 (§ 59 e vendimit).
60. Së treti, Dhoma vërejti që ndryshimi i qasjes i Gjykatës Supreme nuk kishte bazë në praktikën gjyqësore, dhe që vetë Qeveria kishte njohur që praktika e mëparshme e burgjeve dhe gjykatave do të kishte qenë më e favorshme për kërkuesen. Ajo theksoi që ndryshimi nga praktika e mëparshme kishte ndodhur pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal të ri të vitit 1995, i cili i kishte hequr lehtësimet nga dënimi për punën e bërë në burg dhe kishte vendosur rregulla të reja – më të rrepta – për zbatimin e ndreqjes së dënimit për të burgosurit e dënuar me disa burgime të gjata. Ajo theksoi që gjykatat vendase nuk duhet të zbatojnë, në mënyrë prapavepruese dhe në dëm të individit në fjalë, politikën penale pas ndryshimeve legjislative të miratuara pas kryerjes së veprës penale (§ 62 e vendimit). Ajo doli në përfundimin që kishte qenë e vështirë, madje edhe e pamundur, që kërkuesja të imagjinonte, në kohën materiale dhe gjithashtu në kohën kur ishin kombinuar të gjitha dënimet dhe ishte fiksuar një afat maksimal burgimi, që Gjykata Supreme do ta ndryshonte praktikën e saj e mëparshme gjyqësore në vitin 2006 dhe mënyrën e zbatimit të lehtësimeve të dënimit, që ky ndryshim në praktikën gjyqësore do të zbatohej në rastin e saj, dhe që për pasojë kohëzgjatja e burgimit të saj do të zgjatej në mënyrë të konsiderueshme (§ 63 e vendimit).
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kërkuesja
61. Kërkuesja parashtroi që afati maksimal tridhjetëvjeçar i burgut i caktuar me anë të vendimit të 30 nëntorit 2000 për të kombinuar dënimet dhe për të vendosur një kufi tavan të kohës së burgimit që duhej vuajtur përbënte një dënim të ri dhe/ose vendimin e formës së prerë mbi dënimin e saj. Ajo ishte dakord me gjetjen e Dhomës që praktika në atë kohë i jepte asaj pritshmëri legjitime, ndërkohë që vuante dënimin e saj me burg, që reduktimet e dënimit të cilat i takonin asaj për punën e bërë në burg që nga viti 1987 do të zbatoheshin në afatin maksimal ligjor prej tridhjetë vjetësh burg.
62. Rrjedhimisht, ajo parashtroi që zbatimi ndaj çështjes së saj i ndryshimit të qasjes së Gjykatës Supreme nga praktika gjyqësore në vendimin e saj nr. 197/2006 përbënte imponim prapaveprues të një dënimi shtesë i cili nuk mund të përshkruhej thjesht si një masë e lidhur me ekzekutimin e dënimit të shqiptuar. Si rezultat i këtij ndryshimi të qasjes afati tridhjetëvjeçar i fiksuar nga vendimi i 30 nëntorit 2000, për të cilin ajo ishte njoftuar në të njëjtën ditë, kishte pushuar së trajtuari si dënim i ri, i pavarur dhe/ose i formës së prerë dhe dënimet e ndryshme të shqiptuara kundër saj mes viteve 1988 dhe 2000 (në total mbi tremijë vjet burg) në tetë gjyqe, në njëfarë mënyre, ishin rikthyer. Kërkuesja parashtroi që, duke zbatuar lehtësimet ndaj secilit prej dënimeve të saj individualisht, gjykatat spanjolle e kishin privuar atë nga lehtësimi i dënimit që ajo e kishte fituar dhe i kishin shtuar nëntë vjet burgimit të saj. Duke vepruar kështu, gjykatat në fjalë jo vetëm që kishin ndryshuar rregullat e zbatueshme për lehtësimin e dënimit, por njëkohësisht kishin ri-përkufizuar dhe/ose ndryshuar në mënyrë thelbësore “dënimin” që ajo duhet të vuante, siç e kishin informuar.
63. Kërkuesja diskutoi që ndryshimi nga Gjykata Supreme i praktikës gjyqësore në vendimin e saj nr. 197/2006 nuk kishte qenë i parashikueshëm në masë të arsyeshme duke pasur parasysh praktikat e mëparshme dhe praktikën gjyqësore, dhe i kishte privuar lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg të parashikuara nga Kodi Penal i vitit 1973 nga çdo kuptim për njerëzit në situatën e saj. Në parashtresën e kërkueses vendimi në fjalë kishte rezultuar në zbatimin ndaj çështjes së saj të politikës penale pas Kodit të ri Penal të vitit 1995, pavarësisht nga fakti që qëllimi i hartuesve të Kodit kishte qenë t’i mbanin lehtësimet e dënimit të parashikuara në Kodin Penal të vitit 1973 për çdo person që ishte dënuar sipas atij Kodi.
64. Nga ana tjetër, nuk mohohej që në kohën kur kërkuesja i kishte kryer veprat penale e drejta spanjolle nuk kishte qenë e formuluar me saktësi aq të madhe sa t’i lejonte asaj të dallonte, në masë të arsyeshme brenda rrethanave të saj, fushëveprimin e ndëshkimit të caktuar dhe mënyrën e ekzekutimit të tij (kërkuesja i referohej çështjes Kafkaris, të cituar lart, § 150). Në parashtresën e kërkueses, Kodi Penal i vitit 1973 ishte i mjegullt sepse ai nuk specifikonte nëse afati maksimal me tridhjetë vjet burg ishte dënim i ri, i pavarur, nëse dënimet individuale vazhdonin të ekzistonin pasi të ishin kombinuar së bashku, dhe se cilit dënim duhet t’i zbatoheshin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg. Vendimi nr. 197/2006 nuk e kishte sqaruar çështjen e përcaktimit të dënimit meqenëse Gjykata Supreme nuk e kishte ndarë mënjanë shprehimisht urdhrin e saj të 25 majit 1990 sipas të cilit dënimet e kombinuara të parashikuara nga neni 70.2 i Kodit Penal të vitit 1973 kishin të bënin me përcaktimin e dënimit.
Përveç kësaj, nëse ai urdhër do të kishte qenë ende në fuqi Audiencia Nacional do të ishte dashur të zgjidhte mes dënimeve të ndryshme ndaj të cilave do të mund të ishin zbatuar lehtësimet, pra mes afatit maksimal tridhjetëvjeçar apo dënimeve individuale. Në përputhje me vendimin e Scoppola kundër Italisë (nr. 2) ([GC], nr. 10249/03, 17 shtator 2009), Audiencia Nacional do të kishte qenë e detyruar të zbatonte të drejtën penale më të butë, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të rastit.
65. Gjithashtu, dallimi mes dënimit dhe ekzekutimit të tij nuk ishte gjithmonë i qartë në praktikë. I takonte Qeverisë, duke u mbështetur në atë dallim, të demonstronte që ai ishte i zbatueshëm në një rast të veçantë, kryesisht kur mungesa e qartësisë ishte pasojë e mënyrës se si Shteti i kishte hartuar apo zbatuar ligjet e veta. Çështja në fjalë duhet të dallohej nga çështjet në lidhje me masa diskrete të lirimit të hershëm apo masave që nuk rezultonin në një ri-përkufizim të dënimit (kërkuesja iu referua çështjes Hogben, cituar lart, Hosein kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 26293/95, vendimit të Komisionit të 28 shkurtit 1996; Grava, cituar lart; dhe Uttley kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 36946/03, 29 nëntor 2005). Përndryshe, nga këndvështrimi i cilësisë së ligjit rasti konkret ishte më shumë si Kafkaris për sa i përket pasigurisë së fushëveprimit dhe thelbit të dënimit, pjesërisht për shkak të mënyrës në të cilën ishin interpretuar dhe zbatuar lehtësimet e dënimit. Sidoqoftë, ishte e qartë nga vendimi Kafkaris që kriteri i “cilësisë së ligjit” zbatohej si ndaj fushëveprimit të dënimit ashtu edhe ndaj mënyrës së ekzekutimit të tij, posaçërisht kur thelbi dhe ekzekutimi i dënimit ishin të lidhur ngusht.
66. Së fundi, në lidhje me praktikën gjyqësore në çështje penale, edhe nëse presupozohej se ishte legjitime që gjykatat ta ndryshonin qasjen e tyre për të ecur në hap me ndryshimet shoqërore, Qeveria nuk kishte arritur të shpjegonte se përse qasja e re ishte zbatuar në mënyrë prapavepruese. Sido që të ishte, as Qeveria e as gjykatat nuk kishin pretenduar që qasja e re e vitit 2006 ishte zbatuar për kërkuesen në përgjigje ndaj “realiteteve të reja shoqërore”.
2. Qeveria
67. Qeveria përsëriti që kërkuesja ishte anëtare e organizatës kriminale ETA dhe kishte marrë pjesë në sulme të shumta terroriste nga viti 1982 deri në burgosjen e saj në vitin 1987. Ajo shtoi që, mes viteve 1988 dhe 2000, për krimet e kryera kërkuesja ishte dënuar me burg në total mbi 3000 vjet, për njëzet e tri vrasje, pesëdhjeteshtatë vrasje në tentativë dhe vepra të tjera. Ajo parashtroi që vendimet e ndryshme që e dënonin kërkuesen ishin bazuar mbi Kodin Penal të vitit 1973, i cili kishte qenë në fuqi në kohën kur ishin kryer veprat penale dhe i cili jepte përkufizime shumë të qarta të veprave të ndryshme dhe të dënimeve që parashikonte secila. Pesë nga vendimet në të cilat ishte dënuar kërkuesja, si dhe vendimi i 30 nëntorit 2000 për të kombinuar dënimet e saj dhe për të caktuar një afat maksimal burgimi, e kishin informuar kërkuesen shprehimisht që, në pajtim me nenin 70.2 të Kodit Penal, kohëzgjatja totale e dënimit me burg që ajo do të duhej të vuante ishte tridhjetë vjet. Gjithashtu u theksua që më 15 shkurt 2001, data e vendimit të Audiencia Nacional ku caktohej data 27 korrik 2017 si data kur kërkuesja do ta përfundonte vuajtjen e dënimit të saj, kërkuesja tashmë kishte mbledhur mbi katër vjet lehtësime dënimi për punën e bërë në burg. Dhe, meqenëse ajo nuk kishte apeluar kundër atij vendimi, konsiderohej që ajo e kishte pranuar datën e lirimit të caktuar nga Audiencia Nacional.
68. Ishte krejtësisht e qartë sipas dispozitave të Kodit Penal të vitit 1973 që afati maksimal prej tridhjetë vjetësh nuk duhet të shihej si dënim i ri por më tepër si një masë që caktonte një kufi tavan mbi afatin total të burgimit në lidhje me dënimet e ndryshme të dhëna, që kërkuesja duhet të vuante në mënyrë të njëpasnjëshme të renditura prej atyre më të rënda deri tek ato më të lehta, ku dënimet anësore do të shuheshin përkatësisht. Qëllimi i vetëm i kombinimit dhe i vendosjes së kufirit tavan mbi dënimet kishte qenë caktimi i kohëzgjatjes së afatit faktik që duhet të vuante kërkuesja si pasojë e të gjitha dënimeve të dhëna gjatë procedurave në gjyqe të ndryshme. Përveç kësaj, neni 100 i Kodit Penal të vitit 1973 e bënte po aq të qartë se lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg duhet të zbatoheshin ndaj “dënimit të caktuar”, me fjalë të tjera ndaj secilit dënim të dhënë deri sa të arrihej dënimi maksimal.
69. Ndërkohë që ishte e vërtetë që para miratimit nga Gjykata Supreme të vendimit nr. 197/2006 burgjet dhe gjykatat spanjolle kishin qenë të prirura, në praktikë, t’i zbatonin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ndaj afatit maksimal me burgim tridhjetëvjeçar, ajo praktikë nuk kishte të bënte me përcaktimin e dënimit por me mënyrën e ekzekutimit të tij. Për më tepër, ajo praktikë nuk kishte bazë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në mungesë të parimeve të vendosura për sa i përket mënyrës së zbatimit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg. Vendimi i vetëm i marrë në lidhje me këtë çështje nga Gjykata Supreme në vitin 1994 nuk mjaftonte për të krijuar precedent me autoritet sipas të drejtës spanjolle. Praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme në lidhje me këtë çështje nuk kishte qenë e vendosur deri në momentin kur ky Divizion Penal kishte miratuar vendimin nr. 197/2006. Për më tepër, diskutoi Qeveria, ajo praktikë gjyqësore ishte miratuar nga tërë Gjykata Kushtetuese në disa vendime të shpallura më 29 mars 2012, që përmbanin referenca të shumta ndaj praktikës gjyqësore të Gjykatës në lidhje me dallimin mes “dënimit” dhe “ekzekutimit” të tij.
70. Në parashtresën e Qeverisë Dhoma kishte konsideruar gabimisht që zbatimi i “doktrinës Parot” i kishte privuar nga çdo qëllim lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg që u lejoheshin të burgosurve që vuanin dënimin sipas Kodit Penal të vitit 1973. Lehtësimet e dënimit vazhdonin të zbatoheshin, por ndaj secilit dënim veçmas, deri sa të arrihej afati maksimal. Vetëm në rastet e krimeve më të rënda, siç ishin ato të kryera nga kërkuesja, duhet të arrihej kufiri tridhjetëvjeçar para se lehtësimet e lejuara të dënimit për punën e bërë në burg të mund të kishin reduktuar dukshëm dënimet e dhëna. Në mënyrë të ngjashme, Dhoma kishte konsideruar gabimisht që Gjykata Supreme e kishte zbatuar në mënyrë prapavepruese politikën e reformave legjislative të viteve 1995 dhe 2003. Ishte e qartë që reformat në fjalë nuk përmendnin mjetet e zbatimit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg, meqenëse Kodi Penal i vitit 1995 i kishte hequr. Nëse politika penale e të drejtës së vitit 2003 do të ishte zbatuar në mënyrë prapavepruese, kërkuesja do të ishte përballur me një afat maksimal burgimi prej dyzet vjetësh.
71. Në vendimin e saj Dhoma kishte ndryshuar praktikën gjyqësore të Gjykatës në lidhje me dallimin mes masave që përbënin “dënim” dhe atyre që kishin të bënin me “ekzekutimin” e një dënimi. Sipas asaj praktike gjyqësore, një masë që kishte të bënte me lehtësimin e dënimit apo me një ndryshim në sistemin e lirimit të përkohshëm nuk ishte pjesë përbërëse e “dënimit” brenda kuptimit të nenit 7 (Qeveria iu referua Grava, cituar lart, § 51; Uttley, cituar lart; Kafkaris, cituar lart, § 142; dhe gjithashtu vendimit Hogben cituar lart). Në çështjen Kafkaris Gjykata kishte njohur faktin që një reformë e të drejtës së burgjeve e cila zbatohej në mënyrë prapavepruese, duke përjashtuar të burgosurit që vuanin dënime me burgim të përjetshëm nga të fituarit e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg, kishte të bënte me ekzekutimin e vendimit për dënim kundrejt “dënimit” të dhënë (§ 151). Në rastin konkret, Qeveria parashtroi që nuk kishte pasur ndryshime në të drejtën e burgjeve. I vetmi efekt i vendimit nr. 197/2006 të Gjykatës Supreme në lidhje me lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg kishte qenë parandalimi i sjelljes së datës së lirimit të kërkueses nëntë vjet përpara, jo rritja e dënimit të dhënë asaj.
72. Rasti konkret dallonte nga çështjet të cilat qartazi kishin të bënin me dënimin e jo me ekzekutimin e tij (Qeveria citoi Scoppola (nr. 2); Gurguchiani; dhe M. kundër Gjermanisë, të gjitha të cituara lart). Masa e kontestuar kishte të bënte me lehtësimet e dënimit apo me “lirimin e hershëm”, jo me afatin maksimal që mund të vuante kërkuesja në lidhje me dënimet e dhëna, çka nuk kishte ndryshuar. Lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg nuk kishin të njëjtat qëllime si vetë dënimi, por ishin masa që lidheshin me ekzekutimin e tij për aq sa lejonin të burgosurit të liroheshin para se t’i kishin vuajtur të gjitha dënimet e tyre, nëse ata tregonin vullnet për t’u kthyer në gjirin e shoqërisë përmes punës apo aktiviteteve të tjera me pagesë. Kështu, lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg nuk mund të krahasoheshin me masat e marra pas dënimit për një “vepër penale”; përkundrazi, ato ishin masa që kishin të bënin me sjelljen e të burgosurit gjatë kohës që vuan dënimin. Sidoqoftë, nuk ishte çështje “rreptësie” meqenëse ata ishin gjithmonë në avantazh të të burgosurit në fjalë duke e sjellë më afër datën e lirimit.
73. Më tej Qeveria parashtroi që vendimi i Dhomës ishte në papajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës lidhur me çështjen e masës deri ku një person, pas kryerjes së një vepre, do të mund të parashikonte afatin e saktë të burgimit me të cilin ai ose ajo do të përballej. Meqenëse lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ishin vetëm çështje e burgut, Gjykata Supreme nuk mund të kritikohej për faktin që kishte ndryshuar praktikën e mëparshme në aspektin e zbatimit të lehtësimeve të dënimit, sepse ndryshimi nuk kishte pasur efekt mbi të drejtat e mishëruara në nenin 7. Gjykata nuk kishte deklaruar asnjëherë që kriteri i parashikueshmërisë përfshinte kohëzgjatjen e saktë të dënimit që duhej vuajtur duke pasur parasysh ndreqjet, lehtësimet, faljet apo çdo faktor tjetër që ndikonte tek ekzekutimi i dënimit. Faktorë të tillë ishin të pamundur për t’u parashikuar dhe për t’u llogaritur ex ante.
74. Së fundi, Qeveria parashtroi që implikimet e vendimit të Dhomës ishin të hapura për diskutim meqenëse ato hidhnin dyshime mbi vlerën dhe qëllimin që vetë Gjykata i kishte dhënë praktikës gjyqësore në çështje penale dhe çështje të burgjeve (Streletz, Kessler dhe Krenz kundër Gjermanisë [GC], nr. 34044/96, nr. 35532/97 dhe nr. 44801/98, § 50, ECHR 2001‑II). Dhoma kishte konsideruar që një vendim i vetëm i dhënë në vitin 1994 – me gabime por sidoqoftë i vërtetuar nga praktika administrative – duhet të mbizotërojë në praktikën gjyqësore të vendosur nga Gjykata Supreme dhe të mbështetur nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse kjo praktika gjyqësore e fundit ishte më e pajtueshme me tekstin e ligjit në fuqi në kohën materiale. Një interpretim gjyqësor që respekton pohimet e ligjit të zbatueshëm, parimisht, nuk mund të thuhej se ishte i paparashikueshëm.
C. Vërejtjet e palëve të treta
75. Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve theksoi që parimi që nuk ka dënim pa ligj i mishëruar në nenin 7 të Konventës dhe në marrëveshje të tjera ndërkombëtare ishte përbërës thelbësor i sundimit të ligjit. Ai parashtroi që, në përputhje me atë parim, dhe me synimin dhe qëllimin e nenit 7 që ndalon arbitraritetin në zbatimin e ligjit, konceptet autonome të “ligjit” dhe “dënimit” duhet të interpretohen gjerësisht në masë të mjaftueshme sa të përjashtojnë zbatimin tinëzar prapaveprues të një ligji penal ose dënimi në dëm të një personi të dënuar. Ai diskutoi që aty ku ndryshimet në ligj apo në interpretimin e ligjit ndikonin tek dënimi apo lehtësimi i dënimit në mënyrë të atillë sa ta shndërronin seriozisht dënimin në mënyrë të paparashikueshme në kohën e caktimit të tij, në dëm të personit të dënuar dhe të të drejtave të tij/saj sipas Konventës, ato ndryshime, nga natyra, kishin të bënin me thelbin e dënimit dhe jo me procedurën apo organizimin e ekzekutimit të tij, dhe rrjedhimisht hynin brenda fushëveprimit të ndalimit të prapaveprueshmërisë. Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve parashtroi që disa dispozita të caktuara ligjore të klasifikuara në nivel vendas si rregullat që qeverisnin procedurën penale të ekzekutimit të dënimeve kishin efekte serioze e të paparashikueshme shkatërruese për të drejtat individuale, dhe nga natyra ishin të krahasueshme apo të barasvlershme me një ligj penal ose dënim me efekt prapaveprues. Për këtë arsye, ndaj këtyre dispozitave duhet të zbatohet ndalimi i prapaveprueshmërisë.
76. Në mbështetje të argumentit të tij që parimi i jo prapaveprueshmërisë duhet të zbatohet ndaj rregullave procedurale apo rregullave që qeverisin ekzekutimin e dënimeve të cilat ndikojnë seriozisht mbi të drejtat e të akuzuarit apo të dënuarit, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve iu referua burimeve të ndryshme të së drejtës krahasuese ndërkombëtare (statute dhe rregullore të procedurës së gjykatave penale ndërkombëtare, legjislacioni dhe praktika gjyqësore portugeze, franceze dhe holandeze).
D. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e vendosura nga praktika gjyqësore e Gjykatës
(a) Nullum crimen, nulla poena sine lege
77. Garancia e mishëruar në nenin 7, e cila është element thelbësor i sundimit të ligjit, zë një vend të rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes në Konventë, meqenëse theksohet nga fakti që derogimi prej saj nuk lejohet sipas nenit 15 as në kohë lufte apo në emergjenca të tjera publike që kërcënojnë jetën e kombit. Ajo duhet të kuptohet dhe zbatohet, siç rrjedh nga objekti dhe qëllimi i saj, në mënyrë të atillë që të ofrojë mbrojtje efektive kundër ndjekjes penale, dënimit dhe ndëshkimit arbitrar (shih S.W. kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe C.R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 nëntor 1995, § 34, Seria A nr. 335-B, dhe § 32, Seria A nr. 335-C, respektivisht, dhe Kafkaris, cituar lart, § 137).
78. Neni 7 i Konventës nuk është kufizohet tek ndalimi i zbatimit prapaveprues të ligjit penal në disavantazh të të akuzuarit (në lidhje me zbatimin prapaveprues të një dënimi, shih Welch kundër Mbretërisë së Bashkuar, 9 shkurt 1995, § 36, Seria A nr. 307‑A; Jamil kundër Francës, 8 qershor 1995, § 35, Seria A nr. 317‑B; Ecer dhe Zeyrek kundër Turqisë, nr. 29295/95 dhe nr. 29363/95, § 36, ECHR 2001‑II; dhe Mihai Toma kundër Rumanisë, nr. 1051/06, §§ 26-31, 24 janar 2012). Gjithashtu, ai mishëron, më përgjithësisht, parimin që vetëm ligji mund ta përkufizojë një krim dhe mund të parashkruajë një dënim (nullum crimen, nulla poena sine lege) (shih Kokkinakis kundër Greqisë, 25 maj 1993, § 52, Seria A nr. 260-A). Ndërkohë që ndalon në mënyrë të veçantë shtrirjen e fushëveprimit të veprave ekzistuese në akte të cilat përpara nuk kanë qenë vepra penale, ai gjithashtu shtron parimin që ligji penal nuk duhet të konceptohet gjerësisht si në dëm të të akuzuarit, për shembull përmes analogjisë (shih Coëme e të Tjerë kundër Belgjikës, nr. 32492/96, nr. 32547/96, nr. 32548/96, nr. 33209/96 dhe nr. 33210/96, § 145, ECHR 2000-VII; për të parë një shembull të zbatimit të një dënimi përmes analogjisë, shih Başkaya dhe Okçuoğlu kundër Turqisë [GC], nr. 23536/94 dhe nr. 24408/94, §§ 42‑43, ECHR 1999‑IV).
79. Rrjedh që veprat dhe dënimet përkatëse duhet të përkufizohen qartë nga ligji. Kjo kërkesë përmbushet aty ku individi është në gjendje të dijë nga teksti i dispozitës përkatëse, nëse është e nevojshme me ndihmën e interpretimit të tij nga gjykata dhe pas marrjes së këshillimit të duhur ligjor, se çfarë veprimesh apo mosveprimesh e cilësojnë atë penalisht përgjegjës dhe me çfarë dënimesh përballet për pasojë (shih Cantoni kundër Francës, 15 nëntor 1996, § 29, Përmbledhje e Vendimeve 1996‑V, dhe Kafkaris, cituar lart, § 140).
80. Prandaj, Gjykata duhet të verifikojë që në kohën kur i akuzuari ka kryer veprën që ka shkaktuar ndjekjen penale dhe dënimin e tij ka qenë në fuqi një dispozitë ligjore e cila e bënte atë veprim të dënueshëm, dhe që dënimi i caktuar nuk i tejkalonte kufijtë e caktuar nga ajo dispozitë (shih Coëme e të Tjerë, cituar lart, § 145, dhe Achour kundër Francës [GC], nr. 67335/01, § 43, ECHR 2006‑IV).
(b) Koncepti i “dënimit” dhe fushëveprimi i tij
81. Koncepti i “dënimit” në nenin 7 § 1 të Konventës është, ashtu si nocionet e “të drejtave dhe detyrimeve civile” dhe “akuzave penale” në nenin 6 § 1, një koncept autonom i Konventës. Për ta bërë efektive mbrojtjen e paraqitur në nenin 7, Gjykata duhet të mbetet e lirë që të shkojë përtej aparencave dhe të vlerësojë vetë nëse një masë e caktuar, në thelb, përbën “dënim” brenda kuptimit të kësaj dispozite (shih Welch, cituar lart, § 27, dhe Jamil, cituar lart, § 30).
82. Teksti i nenit 7 § 1, fjalia e dytë, tregon që pika fillestare në çdo vlerësim të ekzistencës së një dënimi është nëse masa në fjalë caktohet pas një dënimi për një “vepër penale”. Faktorë të tjerë që mund të merren në konsideratë si relevantë në këtë aspekt janë natyra dhe qëllimi i masës; karakterizimi i saj sipas të drejtës vendase; procedurat e përfshira në bërjen dhe zbatimin e masës; dhe rreptësia e saj (shih Welch, cituar lart, § 28; Jamil, cituar lart, § 31; Kafkaris, cituar lart, § 142; dhe M. Kundër Gjermanisë, cituar lart, § 120). Sidoqoftë, rreptësia e urdhrit në vetvete nuk është vendimtare, meqenëse shumë masa jo-penale të natyrës parandaluese mund të kenë ndikim të konsiderueshëm mbi personin në fjalë (shih Welch, cituar lart, § 32, dhe Van der Velden kundër Holandës (dec.), nr. 29514/05, ECHR 2006‑XV).
83. Si Komisioni, ashtu edhe Gjykata në praktikën e tyre gjyqësore kanë bërë dallimin mes masës që përbën në thelb “dënim” dhe masës që ka të bëjë me “ekzekutimin” apo “zbatimin” e “dënimit”. Për pasojë, aty ku natyra dhe qëllimi i një mase kanë të bëjnë me lehtësimin e një dënimi apo ndryshime në regjimin e lirimit të hershëm, kjo nuk formon një pjesë të “dënimit” brenda kuptimit të nenit 7 (shih, mes autoriteteve të tjera, Hogben, cituar lart; Hosein, cituar lart; L.-G.R. kundër Suedisë, nr. 27032/95, vendim i Komisionit i datës 15 janar 1997; Grava, cituar lart, § 51; Uttley, cituar lart; Kafkaris, cituar lart, § 142; Monne kundër Francës (dec.), nr. 39420/06, 1 prill 2008; M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 121; dhe Giza kundër Polonisë (dec.), nr. 1997/11, § 31, 23 tetor 2012). Në çështjen Uttley, për shembull, Gjykata gjeti që ndryshimet e bëra në rregulloren mbi lirimin e hershëm pas dënimit të kërkuesit nuk i ishin “imponuar” atij por kishin qenë pjesë e një regjimi të përgjithshëm që zbatohej ndaj të burgosurve dhe, larg të qenit ndëshkues, natyra dhe qëllimi i masës ishin që të lejonin lirimin e hershëm, në mënyrë që të mos mund të shiheshin si thellësisht “të rrepta”. Rrjedhimisht Gjykata gjeti që zbatimi ndaj kërkuesit i regjimit të ri për lirimin e hershëm nuk ishte pjesë e “dënimit” të caktuar atij.
84. Në çështjen Kafkaris, ku ndryshimet në legjislacionin për burgjet i kishin privuar të burgosurit që vuanin dënime me burg të përjetshëm – përfshirë kërkuesin – nga e drejta për lehtësime të dënimit, Gjykata konsideroi që ndryshimet ishin të lidhura me ekzekutimin e dënimit dhe jo me dënimin e caktuar ndaj kërkuesit, i cili vazhdonte të mbetej ai i burgimit të përjetshëm. Ajo shpjegoi që, megjithëse ndryshimet në legjislacionin për burgjet dhe në kushtet e lirimit mund ta kishin bërë burgimin e kërkuesit më të rëndë, këto ndryshime nuk mund të konceptoheshin si të tilla që caktonin “dënim” më të rëndë sesa ai i caktuar nga gjykata ku ishte zhvilluar gjyqi. Ajo përsëriti që, në këtë aspekt, çështjet e lidhura me politikat e lirimit, mënyra e zbatimit të tyre dhe arsyetimi i tyre hynin brenda pushtetit të Shteteve Palë në Konventë për të vendosur secili politikën e vet penale (shih Achour, cituar lart, § 44, dhe Kafkaris, cituar lart, § 151).
85. Megjithatë, Gjykata gjithashtu ka njohur faktin që në praktikë dallimi mes një mase që përbën “dënim” dhe një mase që ka të bëjë me “ekzekutimin” apo “zbatimin” e “dënimit” mund të mos jetë gjithmonë i prerë (shih Kafkaris, cituar lart, § 142; Gurguchiani, cituar lart, § 31; dhe M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 121). Në çështjen Kafkaris ajo pranoi që mënyra se si ishin kuptuar dhe zbatuar Rregulloret e Burgut për ekzekutimin e dënimeve në lidhje me dënimin me burgim të përjetshëm që ishte duke vuajtur kërkuesi shkonte përtej thjesht ekzekutimit të dënimit. Ndërkohë që gjykata që zhvilloi gjyqin e kishte dënuar kërkuesin me burgim të përjetshëm, Rregulloret e Burgut shpjeguan që ajo çka në fakt nënkuptohej me atë dënim ishte njëzet vjet burg, ndaj të cilit autoritetet e burgut mund të zbatonin lehtësime dënimi. Gjykata konsideroi që “dallimi mes fushëveprimit të një dënimi me burg të përjetshëm dhe mënyrës së ekzekutimit të tij pra nuk ishte menjëherë i dukshëm” (§ 148).
86. Në çështjen Gurguchiani Gjykata konsideroi që zëvendësimi i një dënimi me burg – gjatë kohës së vuajtjes së dënimit – me përjashtim i kombinuar me ndalimin e hyrjes në vend për dhjetë vjet përbënte dënim të njëjtë me atë që ishte caktuar kur kërkuesi ishte dënuar.
87. Në çështjen e M. kundër Gjermanisë Gjykata konsideroi që vazhdimi i mbajtjes parandaluese në burg të kërkuesit nga gjykatat përgjegjëse për ekzekutimin e dënimeve, për shkak të një ligji të miratuar pasi kërkuesi e kishte kryer veprën, përbënte dënim shtesë të caktuar ndaj tij në mënyrë prapavepruese.
88. Gjykata do të theksonte që termi “caktuar” i përdorur në fjalinë e dytë të saj nuk mund të interpretohet si përjashtues nga fushëveprimi i nenit 7 § 1 të të gjitha masave të miratuara pas shpalljes së dënimit. Ajo përsërit që, në këtë aspekt, është e rëndësisë thelbësore që Konventa të interpretohet dhe zbatohet në mënyrë të atillë që i bën të drejtat e saj praktike dhe efektive, jo teorike dhe iluzive (shih Hirsi Jamaa e të Tjerë kundër Italisë [GC], nr. 27765/09, § 175, ECHR 2012, dhe Scoppola (nr. 2), cituar lart, § 104).
89. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata nuk e përjashton mundësinë që masat e marra nga legjislatura, autoritetet administrative apo gjykatat pas caktimit të dënimit përfundimtar apo gjatë kohës që i burgosuri është duke vuajtur dënimin mund të rezultojnë në ri-përkufizimin ose modifikimin e fushëveprimit të “dënimit” të caktuar nga gjykata që zhvillon gjyqin. Kur ndodh një gjë e tillë, Gjykata konsideron që masat në fjalë duhet të hyjnë brenda fushëveprimit të ndalimit të zbatimit prapaveprues të dënimeve të mishëruar në nenin 7 § 1 in fine të Konventës. Përndryshe, Shtetet do të ishin të lira – përmes ndryshimit të ligjit apo përmes ri-interpretimit të rregulloreve ekzistuese, për shembull – që të miratonin masa të cilat në mënyrë prapavepruese ri-përkufizonin fushëveprimin e dënimit të caktuar, në dëm të të dënuarit, kur ky i fundit nuk do të kishte mundur ta imagjinonte një zhvillim të tillë në kohën kur është kryer vepra apo kur është caktuar dënimi. Në këto kushte, neni 7 § 1 do të privohej nga çdo efekt i dobishëm për të dënuarit fushëveprimi i dënimit të të cilëve ishte ndryshuar ex post facto në disavantazh të tyre. Gjykata nënvizon që ndryshime të tilla duhet të dallohen nga ndryshimet e bëra ndaj mënyrës së ekzekutimit të dënimit, të cilat nuk hyjnë brenda fushëveprimit të nenit 7 § 1 in fine.
90. Për të përcaktuar nëse një masë e marrë gjatë ekzekutimit të një dënimi ka të bëjë vetëm me mënyrën e ekzekutimit të dënimit apo, përkundrazi, nëse ndikon tek fushëveprimi, Gjykata duhet të shqyrtojë në secilin rast se çfarë faktikisht nënkuptonte “dënimi” sipas të drejtës vendase në fuqi në kohën materiale, apo, me fjalë të tjera, cila ishte natyra e tij e brendshme. Gjatë këtij shqyrtimi, ajo duhet të marrë parasysh të drejtën vendase në tërësi dhe mënyrën se si ajo është zbatuar në kohën materiale (shih Kafkaris, cituar lart, § 145).
(c) Parashikueshmëria e ligjit penal
91. Kur flet për “ligjin” neni 7 aludon pikërisht për të njëjtin koncept si ai të cilit i referohet Konventa kudo tjetër kur e përdor atë term, një koncept i cili përfshin të drejtën statusore si dhe praktikën gjyqësore dhe nënkupton kritere të cilësisë, kryesisht ato të qasshmërisë dhe parashikueshmërisë (shih Kokkinakis, cituar lart, §§ 40-41; Cantoni, cituar lart, § 29; Coëme e të Tjerë, cituar lart, § 145; dhe E.K. kundër Turqisë, nr. 28496/95, § 51, 7 shkurt 2002). Këto kritere të cilësisë duhet të përmbushen për sa i përket si përkufizimit të një vepre, ashtu edhe dënimit të parashikuar për atë vepër.
92. Është pasojë e logjikshme e parimit që ligjet duhet të jenë të zbatimit të përgjithshëm që teksti i statuteve nuk është gjithmonë i saktë. Një nga teknikat standarde të rregullimit përmes rregullave është përdorimi i kategorizimeve të përgjithshme në vend të listave shteruese. Rrjedhimisht, në mënyrë të pashmangshme shumë ligje janë të mbushur me terma të cilat, pak a shumë, janë të mjegullta dhe interpretimi dhe zbatimi i tyre janë çështje praktike (shih Kokkinakis, cituar lart, § 40, dhe Cantoni, cituar lart, § 31). Sado qartë që të jetë hartuar një dispozitë ligjore, në çdo sistem ligjor, përfshirë edhe të drejtën penale, ka gjithmonë elemente të interpretimit gjyqësor. Gjithmonë ekziston nevoja për ndriçimin e pikave të dyshimta dhe për përshtatje sipas rrethanave që ndryshojnë. Përsëri, ndërkohë që siguria është tepër e preferueshme, ajo mund të sjellë me vete ngurtësi të tepruar dhe ligji duhet të jetë në gjendje të ecë me hapin e kushteve që ndryshojnë gjatë tërë kohës (shih Kafkaris, cituar lart, § 141).
93. Roli gjykues që kanë gjykatat synon pikërisht të shpërndajë këto dyshime interpretuese që mbeten (ibid.). Zhvillimi progresiv i të drejtës penale përmes ligjbërjes gjyqësore është një pjesë e rrënjosur dhe e nevojshme e traditës ligjore në Shtetet e Konventës (shih Kruslin kundër Francës, 24 prill 1990, § 29, Seria A nr. 176‑A). Neni 7 i Konventës nuk mund të lexohet si i tillë që nxjerr jashtë ligjit qartësimin gradual të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor nga çështja në çështje, nëse zhvillimi rezultues është në përputhje me thelbin e veprës dhe nuk mund të parashikohet në masë të arsyeshme (shih S.W. dhe C.R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 36 dhe § 34 respektivisht; Streletz, Kessler dhe Krenz, cituar lart, § 50; K.-H.W. kundër Gjermanisë [GC], nr. 37201/97, § 85, ECHR 2001-II (pjesë të shkëputura); Korbely kundër Hungarisë [GC], nr. 9174/02, § 71, ECHR 2008; dhe Kononov kundër Latvias [GC], nr. 36376/04, § 185, ECHR 2010). Mungesa e një interpretimi të parashikueshëm gjyqësor të gatshëm dhe të arsyeshëm mund edhe të çojë drejt gjetjes së shkeljes së të drejtave të të akuzuarit nga neni 7 (shih, në lidhje me elementet përbërëse të veprës, Pessino kundër Francës, nr. 40403/02, §§ 35-36, 10 tetor 2006, dhe Dragotoniu dhe Militaru-Pidhorni kundër Rumanisë, nr. 77193/01 dhe nr. 77196/01, §§ 43-44, 24 maj 2007; në lidhje me dënimin, shih Alimuçaj kundër Shqipërisë, nr. 20134/05, §§ 154-162, 7 shkurt 2012). Sikur të mos ishte ashtu, objekti dhe qëllimi i kësaj dispozite – pra që asnjë person nuk duhet t’i nënshtrohet ndjekjes penale, dënimit apo ndëshkimit arbitrar – do të shuheshin.
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen në fjalë
94. Gjykata vëren që në fillim se baza ligjore për dënimet dhe burgimet e ndryshme të kërkueses ishte Kodi Penal i vitit 1973, e drejta penale e zbatueshme në kohën kur janë kryer veprat (1982-1987), çka kërkuesja nuk e ka kontestuar.
95. Gjykata vëren që parashtrimet e palëve kryesisht kanë të bëjnë me llogaritjen e afatit total të burgimit që kërkuesja duhet të vuajë në përputhje me rregullat mbi afatin maksimal të burgimit për dënimet e kombinuara, nga njëra anë, dhe me sistemin e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg siç parashikohet nga Kodi Penal i vitit 1973, nga ana tjetër. Gjykata shënon në këtë aspekt që, me anë të një vendimi të marrë më 30 nëntor 2000 mbi bazën e seksionit 988 të Ligjit për Procedurën Penale dhe nenit 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973, Audiencia Nacional ka fiksuar afatin maksimal të burgut që kërkuesja duhet të vuajë për të gjitha dënimet e saj me burgim në tridhjetë vjet (shih paragrafin 14 lart). Më tej ajo shënon që, pas zbritjes nga ai afat maksimal tridhjetëvjeçar të lehtësimeve të dënimit dhënë kërkueses për punën e bërë në burg, më 24 prill 2008 autoritetet e Burgut Muncia i propozuan Audiencia Nacional 2 korrikun 2008 si datë për lirimin përfundimtar të kërkueses (shih paragrafin 16 lart). Më 19 maj 2008, Audiencia Nacional u kërkoi autoriteteve të burgut ta ndryshonin datën e propozuar dhe të llogarisnin një datë të re për lirimin e kërkueses duke u bazuar mbi qasjen e re – të ashtuquajturën “doktrina Parot” – të miratuar nga Gjykata Supreme në vendimin nr. 197/2006 të 28 shkurtit 2006, sipas të cilit çdo ndreqje dhe lehtësim i zbatueshëm i dënimit duhet të zbatoheshin përkatësisht ndaj secilit dënim individual deri në një kohë të atillë kur i burgosuri të ketë përfunduar së vuajturi afatin maksimal tridhjetëvjeçar të burgimit (shih paragrafët 17, 18 ...). Së fundi, Gjykata vëren që, në zbatim të kësaj praktike të re gjyqësore, Audiencia Nacional fiksoi datën e lirimit përfundimtar të kërkueses si 27 qershorin 2017 (shih paragrafin 20 lart).
(a) Fushëveprimi i dënimit të caktuar
96. Është detyrë e Gjykatës në rastin konkret që të vendosë se çfarë nënkuptonte “dënimi” i caktuar për kërkuesen në kuadër të së drejtës vendase, bazuar posaçërisht mbi tekstin e ligjit, i lexuar nën dritën e praktikës gjyqësore interpretuese që e shoqëron. Gjatë kësaj kohe, ajo po ashtu duhet të mbajë parasysh të drejtën vendase në tërësi dhe mënyrën se si ajo është zbatuar në kohën materiale (shih Kafkaris, cituar lart, § 145).
97. Është e vërtetë se, kur kërkuesja i ka kryer veprat, neni 70.2 i Kodit Penal të vitit 1973 i referohej kufirit prej tridhjetë vjetësh burgim si afati maksimal për t’u vuajtur (condena) në rast dënimesh të shumëfishta ... Prandaj duket se ka pasur dallim mes konceptit të “afatit të dënimit që duhet vuajtur” (condena) dhe dënimeve individuale (penas) faktikisht të shqiptuara apo të caktuara në vendime të ndryshme ku kërkuesi është dënuar. Në të njëjtën kohë, neni 100 i Kodit Penal të vitit 1973, në lidhje me lehtësimet e dënimit për punën e bërë, përcaktonte që gjatë vuajtjes së “dënimit të caktuar” i burgosuri kishte të drejtë të kishte një ditë lehtësim për çdo dy ditë punë të bërë ... Megjithatë, ai nen nuk përmbante orientim të saktë rreth mënyrës se si duhet të zbatoheshin lehtësimet e dënimit kur kishte dënime të shumta të kombinuara bashkë siç parashikohej nga neni 70.2 i Kodit Penal dhe kur fiksohej një afat maksimal total burgimi, si në rastin e kërkueses, ku dënimet me gjithsej tremijë vjet burg u reduktuan në tridhjetë vjet në zbatim të asaj dispozite. Gjykata vëren që vetëm prej momentit të futjes së nenit 78 të Kodit Penal të vitit 1995 ligji deklaroi shprehimisht, në lidhje me zbatimin e ndreqjeve të dënimit, që në raste të jashtëzakonshme mund të merrej parasysh kohëzgjatja totale e dënimeve të caktuara, në vend të afatit maksimal të parashikuar nga ligji ...
98. Gjykata duhet po ashtu të shqyrtojë praktikën gjyqësore dhe atë faktike në lidhje me interpretimin e dispozitave përkatëse të Kodit Penal të vitit 1973. Ajo vëren që, ashtu siç ka pranuar edhe Qeveria, para vendimit nr. 197/2006 të Gjykatës Supreme, kur një personi i janë dhënë disa dënime me burg dhe është vendosur që ato të kombinohen dhe të fiksohet një afat maksimal qëndrimi në burg që personi duhet ta vuajë, autoritetet e burgut dhe gjykatat spanjolle zbatonin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ndaj afatit maksimal që personi duhet të vuante sipas nenit 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973. Kështu, autoritetet e burgut dhe ato gjyqësore morën parasysh afatin maksimal ligjor prej tridhjetë vjetësh burg kur zbatuan lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg. Në një vendim të 8 marsit 1994 (vendimi i parë në lidhje me këtë çështje – ... ) Gjykata Supreme iu referua afatit maksimal ligjor prej tridhjetë vjetësh burgim si një “dënim i ri, i pavarur” ndaj të cilit duhet të zbatoheshin mundësitë e ndreqjes të parashikuara me ligj, si lirimi i përkohshëm dhe lehtësimi i dënimit. Gjykatat spanjolle, përfshirë Gjykatën Supreme, ndërmorën të njëjtën qasje gjatë krahasimit të dënimeve që duheshin vuajtur përkatësisht në pajtim me Kodin Penal të vitit 1995 dhe Kodit të mëparshëm, duke marrë parasysh çdo lehtësim dënimi tashmë të dhënë sipas Kodit të mëparshëm, në mënyrë që të përcaktonin se cili ishte ligji penal më i butë ... Së fundi, deri në vendimin nr. 197/2006 të Gjykatës Supreme, kjo qasje u zbatua ndaj shumë të burgosurve të dënuar sipas Kodit Penal të vitit 1973, të cilëve lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg iu zbritën nga afati maksimal prej tridhjetë vjetësh burg ...
99. Ashtu si Dhoma, Dhoma e Madhe konsideron që, pavarësisht nga paqartësia e dispozitave relevante të Kodit Penal të vitit 1973 dhe faktit që Gjykata Supreme nuk filloi t’i qartësonte ato deri në vitin 1994, ishte e qartë se ishte praktikë e autoriteteve të burgut dhe atyre gjyqësore spanjolle që ta trajtonin afatin e burgimit që duhej vuajtur (condena), pra afatin maksimal prej tridhjetë vjetësh që parashikonte neni 70.2 i Kodit Penal të vitit 1973, si një dënim i ri, i pavarur, ndaj të cilit duheshin zbatuar ndreqje të caktuara, si lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg.
100. Kështu, ndërkohë që ajo vuante dënimin e saj me burg – dhe posaçërisht pasi Audiencia Nacional vendosi më 30 nëntor 2000 të kombinonte dënimet e saj dhe të fiksonte një afat maksimal burgu – kërkuesja kishte arsye të besonte që dënimi i caktuar ishte afati maksimal me tridhjetë vjet, prej të cilit do të zbriteshin të gjitha lehtësimet për punën e bërë në burg. Në fakt, në vendimin e saj të fundit ku e dënoi kërkuesen, më 8 maj 2000, të shpallur para se të miratohej vendimi për kombinimin e dënimeve, Audiencia Nacional mori parasysh afatin maksimal me burg që parashikonte Kodi Penal i vitit 1973, në kombinim me sistemin e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg që parashikonte neni 100 i të njëjtit Kod, gjatë përcaktimit se cili Kod Penal – ai në fuqi në kohën materiale apo Kodi Penal i vitit 1995 – ishte më i favorshëm për kërkuesen (shih paragrafin 11 lart). Në këto rrethana, në kundërshtim me atë që kishte sugjeruar Qeveria, fakti që kërkuesja nuk e kontestoi vendimin e Audiencia Nacional të 15 shkurtit 2001 që fiksonte datën në të cilën ajo do të përfundonte së vuajturi dënimin e saj (liquidación de condena) më 27 qershor 2017 nuk është vendimtar, meqenëse ai vendim nuk mori parasysh lehtësimet tashmë të fituara të dënimit dhe prandaj nuk kishte lidhje me çështjen e mënyrës se si duhet të zbatoheshin lehtësimet e dënimit.
101. Më tej Gjykata vëren që lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ishin shprehimisht të parashikuara nga e drejta statusore (neni 100 i Kodit Penal të vitit 1973, dhe jo nga rregulloret (krahaso Kafkaris, cituar lart). Për më tepër, dënimet ishin të parashikuara dhe lehtësimet e dënimit ishin të shprehura në të njëjtin Kod. Gjykata vëren gjithashtu që lehtësime të tilla dënimi i jepnin shkas reduktimeve substanciale të afatit të burgimit që duhej vuajtur – deri në një të tretën e dënimit total – ndryshe nga lirimi i përkohshëm, i cili thjesht parashikonte kushte të përmirësuara ose më të buta të ekzekutimit të dënimit (shih, për shembull, Hogben dhe Uttley, të dyja cituar lart; shih gjithashtu mendimin pakicë të Gjyqtarit A. Asua Batarrita bashkëngjitur vendimit nr. 40/2012 të Gjykatës Kushtetuese, ...). Pas zbritjes së lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg periodikisht të miratuar nga gjyqtari përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve (Juez de Vigilancia Penitenciaria), dënimi kryhej plotësisht dhe përfundimisht në datën e lirimit të miratuar nga gjykata dënuese. Më tej, ndryshe nga masat e tjera që ndikonin në ekzekutimin e dënimit, e drejta për lehtësime të dënimit për punën e bërë në burg nuk i nënshtrohej diskrecionit të gjyqtarit përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve: detyra e tij ishte caktimi i lehtësimeve të dënimit thjesht përmes zbatimit të ligjit, mbi bazën e propozimeve të bëra nga autoritetet e burgut, pa marrë në konsideratë kritere të tilla si fakti se sa i rrezikshëm konsiderohej të ishte i burgosuri, apo cila ishte perspektiva e tij për ri-integrim (... ; krahaso Boulois kundër Luksemburgut [GC], nr. 37575/04, §§ 98-99, ECHR 2012, dhe Macedo da Costa kundër Luksemburgut (dec.), nr. 26619/07, 5 qershor 2012). Duhet shënuar në këtë aspekt që neni 100 i Kodit Penal të vitit 1973 parashikonte reduktimin automatik të afatit të burgimit për punën e bërë në burg, me përjashtim të dy rasteve specifike: kur i burgosuri arratisej apo tentonte të arratisej, dhe kur i burgosuri sillej keq (çka, sipas nenit 65 të Rregulloreve të Burgut të vitit 1956, nënkuptonte kryerjen e dy ose më shumë shkeljeve të rënda ose shumë të rënda të disiplinës; ...). Edhe në ato dy raste, lehtësimet e dënimit tashmë të lejuara nga gjyqtari nuk mund të hiqeshin në mënyrë prapavepruese, meqenëse ditët tashmë të dhëna të lehtësimit të dënimit vlerësoheshin të ishin shfrytëzuar dhe të kishin formuar një pjesë të të drejtave ligjërisht të fituara të të burgosurit ... Rasti i tanishëm duhet të dallohet në këtë aspekt nga Kafkaris, ku lehtësimi i dënimit me pesë vjet dhënë të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm në fillim të burgimit të tyre ishte i kushtëzuar nga sjellja e tyre e mirë (shih Kafkaris, cituar lart, §§ 16 dhe 65).
102. Gjykata gjithashtu e konsideron domethënëse që, megjithëse Kodi Penal i vitit 1995 i hoqi lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg për të dënuarit e ardhshëm, dispozitat e tij të përkohshme autorizonin të burgosurit e dënuar sipas Kodit të vjetër Penal të vitit 1073 – si kërkuesja – që të vazhdonin të gëzonin përfitimet e skemës nëse një gjë e tillë ishte në avantazhin e tyre ... Ligji nr. 7/2003, nga ana tjetër, përfshinte kushte më të rrepta për lirimin e përkohshëm, edhe për të burgosurit e dënuar para hyrjes së tij në fuqi ... Gjykata me këtë kupton që, si masë tranzitore, për të ruajtur efektet e rregullave lidhur me lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg dhe me qëllim të përcaktimit të ligjit penal më të butë, legjislatura spanjolle i konsideronte ato rregulla si pjesë e të drejtës substanciale penale, pra dispozita që ndikonin në caktimin faktik të dënimit, jo vetëm në ekzekutimin e tij.
103. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Dhoma e Madhe konsideron, ashtu si Dhoma, që në kohën kur kërkuesja i ka kryer veprat penale që kanë çuar në ndjekjen penale të saj dhe kur është marrë vendimi për të kombinuar dënimet dhe për të fiksuar një afat maksimal burgimi, e drejta përkatëse spanjolle, e marrë në tërësi, përfshirë edhe praktikën gjyqësore, ka qenë e formuluar me saktësi të mjaftueshme që do ta lejonte kërkuesen të dallonte, në masë të arsyeshme në kushtet e saj, fushëveprimin e dënimit të caktuar ndaj saj, duke marrë parasysh afatin maksimal prej tridhjetë vjetësh të parashikuar nga neni 100 i të njëjtit Kod (krahaso Kafkaris, cituar lart, § 150). Dënimi i caktuar ndaj kërkueses kështu shkonte deri në maksimum tridhjetë vjet burg, dhe çdo lehtësim i dënimit për punën e bërë në burg do të zbritej nga ai dënim maksimal.
(b) Nëse zbatimi i “doktrinës Parot” ndaj kërkueses ka ndryshuar vetëm mënyrën e ekzekutimit të dënimit apo fushëveprimin e tij faktik
104. Tani Gjykata duhet të përcaktojë nëse zbatimi i “doktrinës Parot” ndaj kërkueses ka pasur të bënte vetëm me mënyrën e ekzekutimit të dënimit të caktuar apo, përkundrazi, ka ndikuar në fushëveprimin e tij. Ajo vëren që në vendimet e saj të 19 majit dhe 23 qershorit 2008 gjykata që e ka dënuar kërkuesen – pra Audiencia Nacional – e ka refuzuar propozimin e bërë nga autoritetet e burgut për të caktuar 2 korrikun 2008 si data e lirimit përfundimtar të kërkueses, duke u bazuar mbi metodën e vjetër të zbatimit të lehtësimeve të dënimit (shih paragrafët 17, 18 dhe 20 lart). Duke u mbështetur në “doktrinën Parot” të vendosur në vendimin nr. 197/2006, të dhënë nga Gjykata Supreme më 28 shkurt 2006 – shumë kohë pas kryerjes së veprave, kombinimit të dënimeve dhe fiksimit të afatit maksimal me burg – Audiencia Nacional e zhvendosi datën në 27 qershor 2017 (shih paragrafin 20 lart). Gjykata vëren që në vendimin nr. 197/2006 Gjykata Supreme e ndryshoi interpretimin që kishte përdorur në vendimin e mëparshëm të vitit 1994 ... Shumica e Gjykatës Supreme konsideroi që rregulla e re sipas së cilës lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg do të zbatoheshin ndaj secilit prej dënimeve individuale – e jo më ndaj afatit maksimal me tridhjetë vjet burg si më parë – ishte në pajtueshmëri më të madhe me tekstin faktik të dispozitave të Kodit Penal të vitit 1973, i cili bënte dallimin mes “dënimit” (pena) dhe “afatit që duhet vuajtur” (condena).
105. Ndërkohë që Gjykata e pranon me gatishmëri faktin që gjykatat vendase janë në pozitën më të mirë për të interpretuar dhe zbatuar të drejtën vendase, ajo përsërit që interpretimi i tyre sidoqoftë duhet të jetë në përputhje me parimin, e mishëruar në nenin 7 të Konventës, që vetëm ligji mund ta përkufizojë krimin dhe të parashikojë dënimin.
106. Gjithashtu Gjykata vëren që llogaritja e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg nga kërkuesja – pra, numri i ditëve të saj të punës në burg dhe numri i ditëve të lehtësimit të zbritshme nga dënimi i saj – nuk është vënë në diskutim asnjëherë. Siç u përcaktua nga autoritetet e burgut, kohëzgjatja e këtyre lehtësimeve të dënimit – 3282 ditë gjithsej – u pranua nga të gjitha gjykatat që janë marrë me këtë çështje. Për shembull, në vendimin e saj ku u zbatua “doktrina Parot” e Gjykatës Supreme, Audiencia Nacional nuk e ndryshoi sasinë e lehtësimeve të dënimit lejuar kërkueses për punën e bërë në burg. Vendimi nuk kishte të bënte me faktin nëse ajo i meritonte lehtësimet, për shembull në lidhje me sjelljen e saj apo me rrethanat e ekzekutimit të dënimit të saj. Qëllimi i vendimit ishte të përcaktonte elementin e dënimit ndaj të cilit do të zbatoheshin lehtësimet e dënimit.
107. Gjykata vëren që zbatimi i “doktrinës Parot” në situatën e kërkueses i privonte nga çdo efekt i dobishëm lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg të cilat i takonin asaj me ligj dhe në pajtim me vendimet e formës së prerë të gjyqtarëve përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve. Me fjalë të tjera, kërkuesja fillimisht u dënua me disa afate të gjata burgimi, të cilat u kombinuan dhe u kufizuan brenda një afati efektiv prej tridhjetë vjetësh, ndaj të cilit lehtësimet e dënimit që i takonin asaj nuk kishin asnjë lloj efekti. Është domethënës fakti që Qeveria nuk ka arritur të specifikojë nëse lehtësimet e dënimit të kërkueses për punën e bërë në burg kanë pasur – apo do të kenë – ndonjë efekt mbi kohëzgjatjen e burgimit të saj.
108. Kështu, megjithëse Gjykata është dakord me Qeverinë që organizimi i lejimit të ndreqjes së dënimit si i tillë është jashtë fushëveprimit të nenit 7, ajo konsideron që mënyra se si janë zbatuar dispozitat e Kodit Penal të vitit 1973 në rastin konkret kanë shkuar përtej thjesht politikave të burgut.
109. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart dhe të drejtën spanjolle në përgjithësi, Gjykata konsideron që rekursi, në këtë çështje, në qasjen e re të zbatimit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg të prezantuar nga “doktrina Parot” nuk mund të shihet si masë që ka të bëjë vetëm me ekzekutimin e dënimit të caktuar ndaj kërkueses siç ka diskutuar Qeveria. Kjo masë e marrë nga gjykata që e ka dënuar kërkuesen gjithashtu ka çuar në ri-përkufizimin e fushëveprimit të “dënimit” të caktuar. Si rezultat i “doktrinës Parot”, afati maksimal me tridhjetë vjet burg ka pushuar që qeni dënim i pavarur ndaj të cilit zbatoheshin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg, dhe është kthyer në një dënim tridhjetëvjeçar ndaj të cilit lehtësime të tilla efektivisht nuk do të zbatoheshin.
110. Masa në fjalë rrjedhimisht hyn brenda fushëveprimit të dënimit të fundit të nenit 7 § 1 të Konventës.
(c) Nëse “doktrina Parot” ka qenë e parashikueshme në masë të arsyeshme
111. Gjykata vëren që Audiencia Nacional ka përdorur metodën e re të zbatimit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg të prezantuar nga “doktrina Parot” në vend të metodës së përdorur në kohën e kryerjes së veprave dhe dënimit të kërkueses, duke e privuar atë në këtë mënyrë nga çdo perspektivë reale e përfitimit nga lehtësimet e dënimit të cilat gjithsesi i takonin asaj me ligj.
112. Ky ndryshim në sistemin e zbatimit të lehtësimeve të dënimit ishte rezultat i ndryshimit të Gjykatës Supreme nga praktika e mëhershme gjyqësore, në vend të ndryshimit të legjislacionit. Kështu, mbetet të përcaktohet nëse interpretimi i ri i dispozitave përkatëse të Kodit Penal të vitit 1973, shumë kohë pas kryerjes së veprave dhe dënimit të kërkueses – dhe shumë kohë pas vendimit të 30 nëntorit 2000 për të kombinuar dënimet dhe për të fiksuar një afat maksimal me tridhjetë vjet burg – ka qenë i parashikueshëm në masë të arsyeshme për kërkuesen, pra, nëse ai mund të konsiderohej që pasqyronte një linjë të perceptueshme të zhvillimit të praktikës gjyqësore (shih S.W. dhe C.R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, ...). Për ta konstatuar këtë, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse kërkuesja do të mund ta kishte parashikuar në kohën e dënimit të saj, dhe po ashtu kur është njoftuar për vendimin për kombinimin e dënimeve dhe caktimin e afatit maksimal të burgimit – nëse është e nevojshme, pas këshillimit të duhur ligjor – që dënimi i caktuar do të mund të kthehej në tridhjetë vjet burgim faktik, pa reduktime për lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg të parashikuara nga neni 100 i Kodit Penal të vitit 1973.
Ndërkohë, ajo duhet të ketë parasysh ligjin e zbatueshëm në atë kohë, dhe në mënyrë të veçantë praktikën gjyqësore dhe administrative para “doktrinës Parot” të prezantuar nga vendimi i Gjykatës Supreme më 28 shkurt 2006. Gjykata vëren në këtë aspekt që i vetmi precedent relevant i cituar në atë vendim ishte një vendim i 8 marsit 1994 në të cilin Gjykata Supreme kishte ndërmarrë qasjen e kundërt, pra ku afati maksimal me tridhjetë vjet burg ishte një “dënim i ri, i pavarur” ndaj të cilit do të zbatoheshin të gjitha lehtësimet e dënimit të parashikuara me ligj ... Sipas mendimit të Gjykatës, fakti që një vendim i vetëm nuk shërben si autoritet sipas të drejtës spanjolle ... nuk mund të jetë vendimtar. Për më tepër, siç vërejtën gjyqtarët me mendime pakicë në vendimin e 28 shkurtit 2006, një marrëveshje e miratuar nga Gjykata Supreme plenare më 18 korrik 1996 kishte vendosur që lehtësimet e dënimit të lejuara sipas Kodit Penal të vitit 1973 duhet të merreshin parasysh gjatë krahasimit të dënimeve që duheshin vuajtur sipas Kodit Penal të ri dhe Kodit Penal të vjetër, respektivisht ... Pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal të vitit 1995, gjykatave spanjolle u kërkohej të përdornin këtë kriter, sipas secilës çështje, për të përcaktuar se cili Kod Penal ishte më i butë, duke marrë parasysh efektet në dënime të sistemit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg.
113. Vetë Qeveria ka pranuar që ka qenë praktikë e autoriteteve të burgut dhe atyre gjyqësore para “doktrinës Parot” që t’i zbatonin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ndaj afatit maksimal me tridhjetë vjet burg, edhe pse vendimi i parë i Gjykatës Supreme në lidhje me këtë pikë nuk është shpallur deri në vitin 1994.
114. Gjykata gjithashtu i jep rëndësi faktit që Gjykata Supreme nuk e ndryshoi praktikën e saj gjyqësore deri në vitin 2006, dhjetë vjet pasi ligji në fjalë ishte shfuqizuar. Duke vepruar në këtë mënyrë, Gjykata Supreme i dha një interpretim të ri dispozitave të një ligji i cili nuk ishte më në fuqi, pra Kodit Penal të vitit 1973, i cili ishte zëvendësuar nga Kodi Penal i vitit 1995. Përveç kësaj, siç u cek më lart (shih paragrafin 102), dispozitat tranzitore të Kodit Penal të vitit 1995 synonin të ruanin efektet e sistemit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg të vendosura nga Kodi Penal i vitit 1973 në lidhje me njerëzit e dënuar sipas atij Kodi – si kërkuesja – pikërisht me qëllim që të veprohej në përputhje me rregullat që ndalonin zbatimin prapaveprues të ligjit penal më të rreptë. Megjithatë, interpretimi i ri i Gjykatës Supreme, i cili i bënte jo efektive lehtësimet tashmë të dhëna të dënimit, praktikisht çoi drejt privimit të kërkueses dhe njerëzve të tjerë në situata të ngjashme nga përfitimet e sistemit të lehtësimit.
115. Më tej, Gjykata nuk mund ta pranojë argumentin e Qeverisë që interpretimi i Gjykatës Supreme ka qenë i parashikueshëm sepse ai ishte në pajtueshmëri më të madhe me tekstin e Kodit Penal të vitit 1973. Gjykata përsërit që nuk është detyra e saj të përcaktojë se si duhet të interpretohen dispozitat e atij Kodi në të drejtën vendase, por të shqyrtojë nëse interpretimi i ri ka qenë i parashikueshëm në masë të arsyeshme për kërkuesen sipas “ligjit” të zbatueshëm në kohën materiale. Ai “ligj” – në kuptimin substancial në të cilin përdoret termi në Konventë, ku përfshihet e drejta e pashkruar apo praktika gjyqësore – është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut dhe ato gjyqësore për shumë vite me radhë, deri kur “doktrina Parot” vendosi një kurs të ri. Ndryshe nga interpretimet gjyqësore në çështjet S.W. dhe C.R. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, ndryshimi i praktikës gjyqësore në rastin konkret nuk përbënte interpretim të së drejtës penale në vijim të një linje të perceptueshme të zhvillimit të praktikës gjyqësore.
116. Së fundi, Gjykata është e mendimit që konsideratat e politikave penale mbi të cilat është mbështetur Gjykata Supreme nuk mund të jenë të mjaftueshme për të justifikuar një ndryshim të tillë nga praktika gjyqësore. Ndërkohë që Gjykata e pranon që Gjykata Supreme nuk e ka zbatuar në mënyrë prapavepruese ligjin nr. 7/2003 që ndryshon Kodin Penal të vitit 1995, është e qartë nga arsyetimi i Gjykatës Supreme që synimi i saj ka qenë i njëjtë me synimin e ligjit të lartpërmendur, pra garantimi i ekzekutimit të plotë dhe efektiv të afatit maksimal ligjor me burgim nga personat që vuanin disa dënime të gjata ... Në këtë aspekt, ndërkohë që Gjykata e pranon që Shtetet janë të lira të përcaktojnë politikat e veta penale, për shembull duke rritur dënimet e zbatueshme për vepra penale (shih Achour, cituar lart, § 44), ato duhet të veprojnë në pajtim me kërkesat e nenit 7 kur e bëjnë këtë (Maktouf dhe Damjanović kundër Bosnje dhe Hercegovinës [GC], nr. 2312/08 dhe nr. 34179/08, § 75, 18 korrik 2013). Në lidhje me këtë pikë, Gjykata përsërit që neni 7 i Konventës në mënyrë të pakushtëzuar ndalon zbatimin prapaveprues të së drejtës penale aty ku ai është në disavantazh të të akuzuarit.
117. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata konsideron që në kohën kur kërkuesja është dënuar dhe në kohën kur ajo është njoftuar në lidhje me vendimin për kombinimin e dënimeve të saj dhe caktimin e një afati maksimal të burgimit, nuk ka pasur tregues të ndonjë linje të perceptueshme të zhvillimeve të praktikës gjyqësore në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme të 28 shkurtit 2006. Prandaj, kërkuesja nuk ka pasur arsye të besonte që Gjykata Supreme do të ndryshonte praktikën e saj gjyqësore dhe që, për pasojë, Audiencia Nacional do të zbatonte lehtësimet e dënimit të saj jo ndaj afatit maksimal me tridhjetë vjet burg që duhet të vuante, por respektivisht ndaj secilit prej dënimeve që ajo kishte marrë. Siç ka vërejtur Gjykata lart (shih paragrafët 109 dhe 111), ky ndryshim në praktikën gjyqësore pati efektin e modifikimit të fushëveprimit të dënimit të caktuar, në dëm të kërkueses.
118. Rrjedh që ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
119. Kërkuesja pretendoi se që nga 3 korriku 2008 ajo ishte mbajtur në burg në shkelje të kërkesave për “ligjshmëri” dhe “një procedure të parashikuar me ligj”. Ajo u mbështet në nenin 5 të Konventës, në pjesët përkatëse të të cilit thuhet si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë dhe të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
(a) kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
...”
A. Vendimi i Dhomës
120. Në vendimin e saj Dhoma deklaroi, nën dritën e konsideratave që kishin sjellë gjetjen prej saj të shkeljeve të nenit 7 të Konventës, që në kohën materiale kërkuesja nuk mund ta kishte parashikuar në masë të arsyeshme që kohëzgjatja efektive e afatit të burgimit të saj do të rritej me pothuaj nëntë vjet, dhe që pas ndryshimit të praktikës gjyqësore ndaj saj do të zbatohej një metodë e re e zbatimit të lehtësimeve të dënimit. Rrjedhimisht, Dhoma gjeti që, prej 3 korrikut 2008, burgimi i kërkueses nuk kishte qenë “i ligjshëm” dhe prandaj ishte në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës (§ 75 e vendimit).
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kërkuesja
121. Kërkuesja parashtroi që Neni 5 § 1 i Konventës gjithashtu përfshinte kërkesa në lidhje me cilësinë e ligjit, çka nënkuptonte që një ligj vendas që autorizonte heqjen e lirisë duhet të ishte mjaftueshëm i qartë dhe i parashikueshëm në zbatimin e tij. Ajo më tej parashtroi që neni 5 zbatohej në të drejtën e personit të dënuar për lirim të hershëm aty ku dispozitat ligjore që e përcaktonin atë të drejtë nuk e bënin atë të kushtëzuar apo të lirë për të vepruar por e vinin në dispozicion të kujtdo që përmbushte kushtet ligjore për t’i takuar një gjë e tillë (Grava, cituar lart, §§ 31-46), pavarësisht nga fakti nëse masa kishte të bënte me vetë dënimin apo me ekzekutimin e tij për qëllimet e nenit 7. Ajo diskutoi që shtyrja e dënimit dhe/ose kohëzgjatjes së tij nuk kishte qenë e parashikueshme në masë të arsyeshme dhe, përndryshe, që as thelbi i dënimit të caktuar dhe/ose mënyra e ekzekutimit të tij dhe/ose kohëzgjatja e tij po ashtu nuk kishin qenë të parashikueshme në masë të arsyeshme.
2. Qeveria
122. Qeveria parashtroi që vendimi i Dhomës kishte ndryshuar nga praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me nenin 5 të Konventës, posaçërisht vendimet e çështjeve Kafkaris dhe M. kundër Gjermanisë cituar lart. Ajo diskutoi që në rastin konkret ekzistonte një lidhje e plotë shkakësore mes dënimeve të caktuara për krimet e shumta të rënda që kishte kryer kërkuesja dhe kohës që ajo kishte qëndruar në burg. Vendimet me të cilat ajo ishte dënuar kishin deklaruar që ajo do të duhej të kalonte tridhjetë vjet në burg, ashtu si vendimi i vitit 2000 për kombinimin e dënimeve dhe caktimin e një afati maksimal të burgimit dhe vendimi i vitit 2001 që caktonte datën e lirimit të kërkueses më 27 qershor 2017.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e vendosura nga praktika gjyqësore e Gjykatës
123. Nën-paragrafët (a) deri në (f) të nenit 5 § 1 të Konventës përmbajnë një listë shteruese të bazave për heqjen e lirisë, dhe asnjë heqje lirie nuk është e ligjshme nëse nuk bën pjesë tek njëra prej këtyre bazave (shih M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 86). Neni 5 § 1 (a) lejon “burgosjen e ligjshme të një personi pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente”. Duke pasur parasysh tekstin në frëngjisht, fjala “dënim”, për qëllime të nenit 5 § 1 (a), duhet të kuptohet si e tillë që nënkupton edhe gjetjen e fajit pasi është konstatuar në përputhje me ligjin se është kryer një vepër (shih Guzzardi kundër Italisë, 6 nëntor 1980, § 100, Seria A nr. 39), edhe caktimin e një dënimi apo një mase tjetër që përfshin heqjen e lirisë (shih Van Droogenbroeck kundër Belgjikës, 24 qershor 1982, § 35, Seria A nr. 50).
124. Më tej, fjala “pas” në nën-paragrafin (a) nuk nënkupton thjesht që burgimi duhet të vijojë pas “dënimit” në aspekt të kohës: përveç kësaj, “burgimi” duhet të rezultojë nga, “të vijojë dhe të varet nga” ose të ndodhë “për shkak të” “dënimit”. Shkurt, duhet të ketë lidhje të mjaftueshme shkakësore mes të dyjave (shih Weeks kundër Mbretërisë së Bashkuar, 2 mars 1987, § 42, Seria A nr. 114, § 42; Stafford kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 46295/99, § 64, ECHR 2002‑IV; Kafkaris, cituar lart, § 117; dhe M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 88). Megjithatë, me kalimin e kohës lidhja mes dënimit fillestar dhe zgjatjes së heqjes së lirisë gradualisht bëhet më pak e fuqishme (shih Van Droogenbroeck, cituar lart, § 40). Lidhja shkakësore e kërkuar sipas nën-paragrafit (a) eventualisht mund të thyhet nëse arrihet një qëndrim sipas të cilit vendimi për të mos liruar, apo për të ri-burgosur, një person është e mbështetur mbi baza të cilat kanë qenë në papajtueshmëri me objektivat e gjykatës që ka shqiptuar dënimin, ose mbi një vlerësim i cili ka qenë i paarsyeshëm për sa u përket atyre objektivave. Aty ku ka ndodhur një gjë e tillë, një burgim që ka qenë i ligjshëm në fillim do të shndërrohej në heqje arbitrare të lirisë dhe, rrjedhimisht, e papajtueshme me nenin 5 (shih Weeks, cituar lart, § 49, dhe Grosskopf kundër Gjermanisë, nr. 24478/03, § 44, 21 tetor 2010).
125. Është e rrënjosur në praktikën gjyqësore të Gjykatës në lidhje me nenin 5 § 1 që çdo heqje e lirisë nuk duhet vetëm të jetë e bazuar mbi njërin prej përjashtimeve të renditura në nën-paragrafët (a) deri në (f) por gjithashtu duhet të jetë “e ligjshme”. Aty ku “ligjshmëria” e burgimit është e diskutueshme, përfshirë çështjen nëse është ndjekur “një procedurë e parashikuar me ligj”, Konventa i referohet në thelb të drejtës vendase dhe parashtron detyrimin për t’iu përmbajtur rregullave substanciale dhe procedurale të së drejtës vendase. Kjo kryesisht kërkon që çdo arrestim apo burgosje të ketë bazë ligjore në të drejtën vendase, por ka të bëjë edhe me cilësinë e së drejtës, ku kjo e fundit duhet të jetë në pajtueshmëri me sundimin e ligjit, koncept i ngërthyer në të gjitha nenet e Konventës (shih Kafkaris, cituar lart, § 116, dhe M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 90). “Cilësia e të drejtës” nënkupton që aty ku ligji vendas autorizon heqjen e lirisë ai duhet të jetë mjaftueshëm i disponueshëm, i saktë dhe i parashikueshëm në zbatimin e tij për të shmangur çdo rrezik për arbitraritet (shih Amuur kundër Francës, 25 qershor 1996, § 50, Raporte 1996‑III). Standardi i “ligjshmërisë” i caktuar nga Konventa kërkon që të gjitha ligjet të jenë mjaftueshëm të sakta për t’i lejuar personit – nëse është e nevojshme, me këshillimin e duhur – që të parashikojë, në masë të arsyeshme brenda rrethanave, pasojat që mund të përfshijë një veprim i caktuar (shih Baranowski kundër Polonisë, nr. 28358/95, § 52, ECHR 2000‑III; M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 90; dhe Oshurko kundër Ukrainës, nr. 33108/05, § 98, 8 shtator 2011). Aty ku ka të bëjë me heqjen e lirisë, është thelbësore që ligji vendas t’i përkufizojë qartë kushtet e burgosjes (shih Creangă kundër Rumanisë [GC], nr. 29226/03, § 120, 23 shkurt 2012).
126. Së fundi, Gjykata përsërit që, megjithëse neni 5 § 1 (a) i Konventës, në vetvete, nuk garanton të drejtën e një të burgosuri për lirim të hershëm, qoftë me kusht apo përfundimtar (shih İrfan Kalan kundër Turqisë (dec.), nr. 73561/01, 2 tetor 2001, dhe Çelikkaya kundër Turqisë (dec.), nr. 34026/03, 1 qershor 2010), situata mund të ndryshojë kur autoritetet kompetente, duke mos pasur pushtet diskrecioni, janë të detyruar ta zbatojnë një masë të tillë ndaj çdo individi që përmbush kushtet për një të drejtë të tillë të parashikuar me ligj (shih Grava, cituar lart, § 43; Pilla kundër Italisë, nr. 64088/00, § 41, 2 mars 2006; dhe Şahin Karataş kundër Turqisë, nr. 16110/03, § 37, 17 qershor 2008).
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen e tanishme
127. Gjykata vëren pikësëpari që, ashtu siç theksoi me të drejtë kërkuesja, dallimi i bërë për qëllime të nenit 7 të Konventës mes “dënimit” dhe “ekzekutimit” të dënimit nuk është vendimtar në lidhje me nenin 5 § 1 (a). Masat e lidhura me ekzekutimin e një dënimi apo me ndryshimin e tij mund të ndikojnë në të drejtën për liri të mbrojtur nga neni 5 § 1, meqenëse kohëzgjatja faktike e heqjes së lirisë varet nga zbatimi i tyre, mes të tjerash (shih, për shembull, Grava, cituar lart, §§ 45 dhe 51, dhe, në lidhje me transferimin e të burgosurve mes Shteteve, Szabó kundër Suedisë (dec.), nr. 28578/03, ECHR 2006-VIII). Ndërkohë që neni 7 i zbatohet “dënimit” siç caktohet nga gjykata që shpall dënimin, neni 5 i zbatohet burgosjes rezultuese.
128. Në rastin konkret Gjykata nuk ka dyshim që kërkuesja është dënuar nga një gjykatë kompetente në përputhje me një procedurë të parashikuar nga ligji, brenda kuptimit të nenit 5 § 1 (a) të Konventës. Në fakt, kërkuesja nuk e ka vënë në diskutim që heqja e lirisë së saj ka qenë e ligjshme deri më 2 korrik 2008, data fillimisht e propozuar nga autoritetet e burgut për lirimin e saj përfundimtar. Prandaj Gjykata duhet të përcaktojë nëse burgosja e vazhduar e kërkueses pas asaj date ka qenë “e ligjshme” brenda kuptimit të nenit 5 § 1 të Konventës.
129. Gjykata vëren që në tetë procedura të ndryshme gjyqësore Audiencia Nacional e ka gjetur kërkuesen fajtore për vepra të ndryshme të lidhura me sulme terroriste. Në zbatim të Kodit Penal në fuqi në kohën kur janë kryer veprat, kërkueses i janë dhënë dënime me burg në total mbi 3000 vjet (shih paragrafët 11-12 lart). Në shumicën e këtyre vendimeve, si dhe në vendimin e saj të 30 nëntorit 2000 për të kombinuar dënimet dhe për të caktuar një afat maksimal burgu, Audiencia Nacional ka shënuar që kërkuesja duhet të vuante një afat maksimal prej tridhjetë vitesh burg në përputhje me nenin 70.2 të Kodit Penal të vitit 1973 (shih paragrafët 11 dhe 14 lart). Gjykata vëren që burgimi i kërkueses nuk e ka përmbushur ende atë afat maksimal. Është e qartë se ekziston një lidhje shkakësore mes dënimeve të kërkueses dhe burgosjes së saj të vazhduar pas 2 korrikut 2008, që rezultoi respektivisht nga vendimet për fajësi dhe afati maksimal me tridhjetë vjet burg të fiksuar më 30 nëntor 2000 (shih, mutatis mutandis, Kafkaris, § 120).
130. Megjithatë, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse “ligji” që autorizoi burgosjen e vazhduar të kërkueses pas 2 korrikut 2008 ka qenë mjaftueshëm i parashikueshëm në zbatimin e tij. Respektimi i kërkesës për parashikueshmëri duhet të shqyrtohet për sa i përket “ligjit” në fuqi në kohën e dënimit fillestar dhe përgjatë tërë periudhës vijuese të burgimit. Nën dritën e konsideratave që çuan në gjetjen e një shkeljeje të nenit 7 të Konventës, Gjykata konsideron që në kohën kur është dënuar kërkuesja, kur ajo punonte në burg dhe kur ajo u njoftua për vendimin për të kombinuar dënimet dhe për të caktuar një afat maksimal burgimi, ajo nuk mund ta kishte parashikuar në masë të arsyeshme që metoda e përdorur për të zbatuar lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg do të ndryshonte si pasojë e ndryshimit nga Gjykata Supreme në vitin 2006 të praktikës gjyqësore, dhe që qasja e re do të zbatohej ndaj saj.
131. Gjykata vëren që zbatimi i ndryshimit nga praktika gjyqësore në situatën e kërkueses e ka vonuar datën e lirimit të saj me pothuaj nëntë vjet. Prandaj, ajo ka vuajtur një afat më të gjatë burgimi sesa do të kishte vuajtur sipas legjislacionit vendas në fuqi në kohën e dënimit të saj, duke marrë parasysh lehtësimet e dënimit që tashmë i janë lejuar në përputhje me ligjin (shih, mutatis mutandis, Grava, cituar lart, § 45).
132. Gjykata arrin në përfundimin që, prej 3 korrikut 2008, burgimi i kërkueses nuk ka qenë “i ligjshëm”, në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
III. NENI 46 I KONVENTËS
133. Pjesët përkatëse të nenit 46 të Konventës shprehen si vijon:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikqyr ekzekutimin e tij.
...”
A. Vendimi i Dhomës
134. Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të çështjes dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund shkeljes së nenit 7 dhe nenit 5 § 1 të Konventës, Dhoma e konsideron detyrim të Shtetit përgjegjës të sigurojë që kërkuesja të lirohet në datën më të hershme të mundshme (§ 83 e vendimit).
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kërkuesja
135. Kërkuesja diskutoi që fakti që Gjykata nuk e ka përdorur asnjëherë në një rast të ngjashëm pushtetin e saj të jashtëzakonshëm për të treguar masa individuale ishte jo relevant. Ajo parashtroi që Gjykata e kishte pushtetin të tregonte masat që duhet të merreshin dhe që kur natyra e shkeljes së gjetur nuk linte “ndonjë zgjedhje reale për sa u përket masave të kërkuara për ta zgjidhur atë”, ajo mund të vendoste që të tregonte vetëm një masë të tillë. Ajo gjithashtu kritikoi Qeverinë për faktin që nuk kishte treguar se cilat zgjidhje përveç lirimit ishin në dispozicion nëse Gjykata do të gjente shkelje të neneve 5 dhe 7 të Konventës.
2. Qeveria
136. Qeveria parashtroi që në raste të ngjashme lidhur me zbatimin prapaveprues të ndryshimeve legjislative që rezultonin në zgjatjen e burgimit të një personi të dënuar Gjykata nuk e ka përdorur asnjëherë pushtetin e saj të jashtëzakonshëm për të treguar masa individuale për ekzekutimin e vendimit të saj (ajo citoi M. kundër Gjermanisë, cituar lart). Në lidhje me këtë, ajo theksoi që, megjithëse kishte gjetur shkelje në çështjen Kafkaris (cituar lart) për shkak se legjislacioni nuk e kishte përmbushur standardin e kërkuar, Gjykata nuk kishte treguar ndonjë masë në lidhje me lirimin e kërkuesit, i cili ishte ende në burg kur u shpall vendimi (Qeveria po ashtu iu referua Kafkaris kundër Qipros (dec.), nr. 9644/09, 21 qershor 2011).
C. Vlerësimi i Gjykatës
137. Mbi bazën e nenit 46 të Konventës, Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër t’i përmbahen vendimit të formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë, ku ekzekutimi mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave. Kjo do të thotë që kur Gjykata gjen shkelje, Shteti përgjegjës ka detyrim ligjor jo vetëm t’u paguajë personave në fjalë shumat e caktuara në emër të shpërblimit të drejtë sipas nenit 41, por edhe të marrë masa individuale dhe/ose, nëse është e nevojshme, të përgjithshme në rendin e tij ligjor vendas për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur nga Gjykata dhe për të korrigjuar efektet, me qëllim që kërkuesi të vihet, aq sa është e mundur, në pozitën që do të duhej të ishte sikur të mos ishin shpërfillur kërkesat e Konventës (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe nr. 41963/98, § 249, ECHR 2000‑VIII; Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2) [GC], nr. 32772/02, § 85, ECHR 2009; dhe Scoppola (nr. 2), cituar lart, § 147).
138. Është e vërtetë që në parim Shteti përgjegjës mbetet i lirë të zgjedhë mënyrat përmes të cilave zbaton detyrimet e veta ligjore sipas nenit 46 të Konventës, për sa kohë që këto mënyra janë të pajtueshme me përfundimet e nxjerra në vendimin e Gjykatës (shih Scozzari dhe Giunta, cituar lart, § 249). Megjithatë, në disa situata të veçanta, me qëllim që të ndihmohet Shteti përgjegjës në përmbushjen e detyrimeve të tij nga neni 46, Gjykata mund të përpiqet të tregojë llojin e masave individuale dhe/ose të përgjithshme që mund të merren për t’i dhënë fund situatës që ka shkaktuar gjetjen e shkeljes (shih Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, § 194, ECHR 2004‑V, dhe Stanev kundër Bullgarisë [GC], nr. 36760/06, §§ 255-258, ECHR 2012). Në raste të tjera të jashtëzakonshme, natyra e shkeljes së gjetur mund të jetë e tillë që nuk lë zgjedhje reale për sa u përket masave të kërkuara për ta korrigjuar dhe Gjykata mund të vendosë të tregojë vetëm një masë të tillë (shih Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, §§ 202-203, ECHR 2004‑II; Aleksanyan kundër Rusisë, nr. 46468/06, §§ 239-240, 22 dhjetor 2008; dhe Fatullayev kundër Azerbajxhanit, nr. 40984/07, §§ 176-177, 22 prill 2010).
139. Dhoma e Madhe është dakord me gjetjet e Dhomës dhe konsideron që çështja në fjalë i përket kësaj kategorisë të fundit. Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të çështjes dhe nevojës urgjente për t’i dhënë fund shkeljeve të Konventës që ka gjetur, ajo e konsideron detyrim të Shtetit përgjegjës të sigurojë që kërkuesja të lirohet në datën më të hershme që është e mundur.
IV. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
140. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
141. Kërkuesja kërkoi kompensim për dëme jo materiale që pretendonte se i ishin shkaktuar dhe gjithashtu rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve të pësuara. Qeveria e kontestoi pretendimin në lidhje me dëme jo materiale.
A. Vendimi i Dhomës
142. Në vendimin e saj Dhoma i akordoi kërkueses 30,000 euro (EUR) në lidhje me dëme jo materiale. Ajo gjithashtu i akordoi asaj 1.500 euro për kostot dhe shpenzimet e pësuara në procedurat para saj.
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kërkuesja
143. Kërkuesja pretendoi 60,000 EUR për dëme jo materiale që pretendonte se kishte pësuar, dhe rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve të pësuara në procedurat para Dhomës së Madhe, përveç atyre tashmë të akorduara nga Dhoma. Ajo nuk paraqiti fatura për kostot dhe shpenzimet e pësuara në procedurat para Dhomës së Madhe.
2. Qeveria
144. Qeveria parashtroi që akordimi i kompensimit nga Gjykata për një person të dënuar për akte aq vdekjeprurëse sa ato të kryera nga kërkuesja – e cila ishte gjetur fajtore në procedura gjyqësore që përmbushnin të gjitha kërkesat e një gjyqi të drejtë – do të ishte i vështirë për t’u kuptuar. Ajo diskutoi që në vendimin Kafkaris (cituar lart), “duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes”, Gjykata kishte konsideruar që gjetja e një shkeljeje të nenit 7 të Konventës në vetvete përbënte shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo material të pësuar.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Dëmet jo materiale
145. Gjykata pranon që në vendimin Kafkaris ajo konsideroi që gjetja e një shkeljeje në vetvete përbën shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo material të pësuar. Megjithatë, në atë vendim ajo nuk kishte gjetur shkelje të nenit 5 § 1, dhe gjetja nga ajo e shkeljes së nenit 7 kishte të bënte vetëm me cilësinë e ligjit. Çështja në fjalë është ndryshe, meqenëse Gjykata ka gjetur që burgimi i vazhduar i kërkueses pas 2 korrikut 2008 është në shkelje të nenit 5 § 1, dhe që asaj i është dashur të vuante një dënim më të rëndë sesa ai i cili i është caktuar, në shpërfillje të nenit 7 të Konventës (shih, mutatis mutandis, M. kundër Gjermanisë, cituar lart, § 141). Kjo duhet t’i ketë shkaktuar kërkueses dëme jo materiale të cilat nuk mund të kompensohen vetëm me anë të gjetjes së këtyre shkeljeve.
146. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e çështjes dhe duke bërë vlerësimin mbi baza të barabarta, Gjykata i akordon kërkueses 30,000 EUR sipas këtij titulli.
2. Kostot dhe shpenzimet
147. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, kostot dhe shpenzimet nuk akordohen sipas nenit 41 nëse nuk vërtetohet që ato faktikisht kanë ndodhur, që kanë ndodhur për shkak të domosdoshmërisë, dhe gjithashtu që shuma e tyre ka qenë e arsyeshme (shih, për shembull, Iatridis kundër Greqisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 31107/96, § 54, ECHR 2000‑XI).
148. Dhoma e Madhe shënon që kërkueses iu akorduan 1500 EUR për kostot dhe shpenzimet e procedurave para Dhomës. Meqenëse ajo nuk paraqiti prova të dokumentuara të kostove dhe shpenzimeve të procedurave para Dhomës së Madhe (krahaso Tănase kundër Moldavisë [GC], nr. 7/08, § 193, ECHR 2010), asaj duhet t’i akordohen 1500 EUR në lidhje me të gjitha kostot dhe shpenzimet.
3. Interesi i munguar
149. Gjykata e konsideron të arsyeshme që interesi i munguar të bazohet mbi përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me pesëmbëdhjetë vota pro dhe dy kundër, që ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës;
2. Vendos, njëzëri, që prej 3 korrikut 2008 burgimi i kërkueses nuk ka qenë “i ligjshëm”, në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës;
3. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që Shteti përgjegjës duhet të sigurojë që kërkuesja të lirohet në datën më të hershme që është e mundur;
4. Vendos, me dhjetë vota pro dhe shtatë kundër, që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve, 30.000 EUR (tridhjetë mijë euro), plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme, në lidhje me dëme jo materiale;
5. Vendos, njëzëri, që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve, 1500 EUR (një mijë e pesëqind euro), plus taksat që mund t’i ngarkohen kërkueses, në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
6. Vendos, njëzëri, që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur e deri në arritjen e marrëveshjes do të paguhet interes i thjeshtë në shumat e përmendura në pikat 4 dhe 5 lart në përqindje të barabartë me shkallën margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës në fjalë, plus tri pikë përqindjeje;
7. Rrëzon, njëzëri, pjesën tjetër të pretendimit të kërkueses për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 21 tetor 2013.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të mëposhtme i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) Mendimi paralel i Gjyqtarit Judge Nicolaou;
(b) Mendimi i përbashkët pjesërisht pakicë i Gjyqtarëve Villiger, Steiner, Power‑Forde, Lemmens dhe Griţco;
(c) Mendimi i përbashkët pjesërisht pakicë i Gjyqtarëve Mahoney dhe Vehabović;
(d) Mendimi i përbashkët pjesërisht pakicë i Gjyqtarit Mahoney.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit i cili gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
D.S.
M.O.B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Gjykata me juridiksion mbi çështjet terroriste, mes të tjerash, me seli në Madrid.
Full & Egal Universal Law Academy