© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë informative mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës Nr. 167
tetor 2013
Del Río Prada kundër Spanjës [GC] - 42750/09
Vendimi 21.10.2013 [GC]
Neni 7
Neni 7-1
Dënim më i rëndë
Nulla poena sine lege
Prapaveprueshmëria
Shtyrja e datës së lirimit të kërkueses si pasojë e ndryshimit të praktikës gjyqësore pasi ajo ishte dënuar: shkelje
Neni 5
Neni 5-1
Arrestimi apo paraburgimi i ligjshëm
Shtyrja e datës së lirimit të kërkueses si pasojë e ndryshimit të praktikës gjyqësore pasi ajo ishte dënuar: shkelje
Faktet – Mes viteve 1988 dhe 2000, në tetë grupe të procedurave penale, kërkuesja mori disa dënime me burgim që shkonin deri mbi 3000 vjet në total për vepra të ndryshme të lidhura me sulme terroriste. Në nëntor 2000, duke pasur parasysh lidhjen e ngushtë ligjore dhe kronologjike mes veprave, Audiencia Nacional kombinoi dënimet e kërkueses dhe e fiksoi dënimin total për t’u vuajtur në tridhjetë vjet, në pajtim me kufirin e parashikuar nga Kodi Penal i vitit 1973, si kodi në fuqi në kohën relevante. Në prill 2008 autoritetet në burgun ku mbahej kërkuesja caktuan datën e lirimit të saj për muajin korrik 2008, pas zbritjes së lehtësimit së dënimit të saj për punën që ajo kishte bërë në burg që nga fillimi i vuajtjes së dënimit të saj në vitin 1987. Rrjedhimisht, në maj 2008 Audiencia Nacional u kërkoi autoriteteve të burgut të rishikonin datën e planifikuar të lirimit të kërkueses dhe ta rillogarisnin atë mbi bazën e një qasjeje tjetër (të njohur si “doktrina Parot”) e miratuar nga Gjykata Supreme në një vendim të shkurtit 2006, sipas së cilës ndreqjet dhe lehtësimet e dënimit duhet të zbatoheshin ndaj secilit dënim në mënyrë individuale dhe jo ndaj maksimumit të dënimit prej tridhjetë vjetësh. Për pasojë, data përfundimtare për lirimin e kërkueses u caktua 27 qershori 2017. Apelet vijuese të kërkueses pas kësaj dolën pa sukses.
Në një vendim të shpallur më 10 korrik 2012 (shih Notën informative 154), një Dhomë e Gjykatës vendosi, njëzëri, që kishte pasur shkelje të neneve 5 dhe 7 të Konventës, duke gjetur që zbatimi i metodës së re për llogaritjen e lehtësimeve të dënimit nuk kishte qenë i parashikueshëm në kohën e dënimit të kërkueses dhe kishte përbërë zbatim prapaveprues, në dëm të saj, të një ndryshimi që kishte ndodhur pasi veprat ishin kryer.
E drejta – Neni 7: Parashtrimet e palëve kryesisht kishin të bënin me llogaritjen e afatit total që duhet të vuante kërkuesja në përputhje edhe me rregulloren mbi kombinimin e dënimeve dhe caktimin e afatit maksimal, edhe me sistemin e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg siç parashikohet në Kodin Penal të vitit 1973.
(a) Fushëveprimi i dënimit të caktuar – Sipas Kodit Penal të vitit 1973, si kodi i zbatueshëm në kohën kur janë kryer veprat, dënimi maksimal prej tridhjetë vjetësh burg korrespondonte me afatin maksimal të dënimit (condena) për t’u vuajtur në rastet e veprave të shumta të lidhura, si i dallueshëm nga koncepti i “dënimeve” (penas) të shpallura apo të caktuara në vendime të ndryshme ku kryesit i shqiptohej dënimi. Më tej, me qëllim të përmbushjes së “dënimit të caktuar”, të burgosurit kishin të drejtë të kishin një ditë lehtësim për çdo dy ditë punë të bërë. Megjithatë, nuk kishte pasur rregulla të veçanta në lidhje me mënyrën se si duhet të zbatoheshin lehtësimet e dënimit kur kombinoheshin dënime të shumta dhe caktohej një afat total maksimal burgu, si në rastin e kërkueses, ku dënimet që në total ishin tremijë vjet burgim ishin reduktuar në tridhjetë vjet. Deri në momentin e hartimit të Kodit të ri Penal të vitit 1995, ligji parashikonte shprehimisht, për sa i përkiste zbatimit të ndryshimeve të dënimit, që në raste të jashtëzakonshme mund të merrej në konsideratë kohëzgjatja totale e dënimeve të caktuara, e jo afati maksimal që i dënuari apo e dënuara mund të vuante sipas ligjit.
Duke pasur parasysh rastet e kaluara dhe praktikën ligjore në lidhje me interpretimin e dispozitave përkatëse të Kodit Penal të vitit 1973 para vendimit të Gjykatës Supreme të vitit 2006, kur dënimet e një të burgosuri ishin kombinuar dhe ishte caktuar totali maksimal i afatit, autoritetet e burgut dhe gjykatat i kishin zbatuar të gjitha lehtësimet e dënimit për punën e bërë gjatë kohës në burg ndaj maksimumit të afatit që duhet të vuante i dënuari. Kështu, ata kishin marrë parasysh afatin maksimal ligjor me tridhjetë vjet burg kur kishin zbatuar lehtësimet për punën e bërë në burg. Në një vendim të marsit 1994 Gjykata Supreme i ishte referuar afatit maksimal ligjor prej tridhjetë vjetësh si një “dënim i ri, i pavarur” ndaj të cilit duhet të zbatoheshin të gjitha ndryshimet në dënim të parashikuara me ligj. Rrjedhimisht, pavarësisht nga mjegullia e dispozitave përkatëse të Kodit Penal të vitit 1973 dhe faktit që Gjykata Supreme nuk ishte nisur t’i qartësonte ato deri në vitin 1994, kishte qenë praktikë e qartë e autoriteteve të burgut dhe atyre gjyqësore që ta trajtonin afatin e dënimit (condena) që duhej vuajtur, siç rezultonte nga kufiri tavan tridhjetëvjeçar, si një dënim i ri, i pavarur, ndaj të cilit do të zbatoheshin lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg. Nën dritën e kësaj praktike, gjatë kohës që vuante dënimin e saj me burgim kërkuesja kishte pasur të drejtë të besonte që dënimi i caktuar rezultonte nga afati maksimal tridhjetëvjeçar, prej të cilit do të zbriteshin të gjitha lehtësimet për punën e bërë në burg. Për më tepër, lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg ishin parashikuar shprehimisht me të drejtën statusore, e cila kërkonte që afati i burgimit të reduktohej automatikisht si shpërblim për punën e bërë në burg përveç dy rasteve: kur i burgosuri arratisej apo tentonte të arratisej, dhe kur i burgosuri sillej keq. Edhe në këto dy raste, lehtësimet e dënimit paraprakisht të lejuara nga një gjyqtar nuk mund të hiqeshin në mënyrë prapavepruese, meqenëse ditët korresponduese me lehtësimet e dënimit tashmë të lejuara vlerësoheshin të ishin kryer dhe të kishin formuar pjesë të të drejtave ligjërisht të fituara të të burgosurit.
Megjithëse Kodi Penal i vitit 1995 i kishte hequr lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg për personat e dënuar në të ardhmen, dispozitat e tij të përkohshme lejonin të burgosurit e dënuar sipas Kodit të vjetër Penal të vitit 1973 – siç është kërkuesja – që të vazhdonin të gëzonin përfitimet e këtij organizimi nëse një gjë e tillë ishte e favorshme për ta. Megjithatë, ligji kishte futur kushte më të rrepta për dhënien e lirimit të përkohshëm, edhe për të burgosurit e dënuar para hyrjes së tij në fuqi. Nga kjo Gjykata arriti në përfundimin që, gjatë përpjekjeve, si masë tranzitore, për të ruajtur efektet e rregullave mbi lehtësimet e dënimit për punë të bërë në burg dhe për qëllime të përcaktimit të ligjit penal më të butë, legjislatura i kishte konsideruar ato rregulla si pjesë e të drejtës penale substanciale, pra të dispozitave që ndikonin caktimin faktik të dënimit, dhe jo vetëm ekzekutimin e tij.
Duke pasur parasysh këto, në kohën kur kërkuesja kishte kryer veprat për të cilat ishte gjykuar dhe kur ishin marrë vendimet për të kombinuar dënimet dhe për të caktuar një afat maksimal burgimi, e drejta përkatëse, e marrë në tërësi, ishte e formuluar me saktësi aq të mjaftueshme sa t’i mundësonte kërkueses të dallonte, në masë të arsyeshme brenda rrethanave, fushëveprimin e dënimit të caktuar për të, duke pasur parasysh afatin maksimal ligjor prej tridhjetë vjetësh dhe sistemin e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg si rezultat i Kodit Penal të vitit 1973. Dënimi i caktuar për kërkuesen kështu kishte shkuar në maksimumin e tridhjetë vjetëve burgim, duke u nënkuptuar që çdo lehtësim i dënimit për punën e bërë në burg do të zbritej prej atij afati.
(b) Nëse zbatimi i “doktrinës Parot” ndaj kërkueses kishte ndryshuar vetëm mënyrën e ekzekutimit të dënimit apo fushëveprimin e tij – Në maj 2008 Audiencia Nacional kishte refuzuar propozimin për të vendosur 2 korrikun 2008 si datën e lirimit përfundimtar të kërkueses, duke u mbështetur, nga ana tjetër, në “doktrinën Parot” të vendosur në vendimin e Gjykatës Supreme të shkurtit 2006 – shumë kohë pas kryerjes së veprave, pas kombinimit të dënimeve dhe pas fiksimit të afatit maksimal me burg. Këndvështrimi ishte që rregulla e re sipas së cilës lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg duhet të zbatoheshin ndaj secilit prej dënimeve të ndara – e jo ndaj afatit maksimal tridhjetëvjeçar si më parë – ishte në përputhshmëri më të madhe me tekstin e përdorur në Kodin Penal të vitit 1973. Zbatimi i “doktrinës Parot” në situatën e kërkueses i kishte bërë joefektive lehtësimet e dënimit për punën e bërë në burg të cilat i kishin takuar asaj sipas ligjit dhe në pajtim me vendimet përfundimtare nga gjyqtarët përgjegjës për ekzekutimin e dënimeve. Si pasojë, afati maksimal prej tridhjetë vjetësh burgim kishte pushuar që qeni dënim i pavarur ndaj të cilit duheshin zbatuar lehtësimet për punën e bërë në burg, dhe përkundrazi ishte bërë një dënim me burgim tridhjetëvjeçar ndaj të cilit, në praktikë, lehtësime të tilla nuk ishin të zbatueshme.
(c) Nëse “doktrina Parot” kishte qenë e parashikueshme në masë të arsyeshme – Ndryshimi në sistemin për zbatimin e lehtësimeve të dënimit kishte qenë rezultat i ndryshimit nga Gjykata Supreme të praktikës gjyqësore të mëparshme, në vend të ndryshimit të legjislacionit. Në mars 1994, Gjykata Supreme kishte shprehur pikëpamjen që afati maksimal me tridhjetë vjet burg ishte një “dënim i ri, i pavarur” ndaj të cilit do të zbatoheshin të gjitha lehtësimet për dënimin e dhënë. Sidoqoftë, kishte qenë praktika e autoriteteve të burgut dhe atyre gjyqësore para “doktrinës Parot” që të zbatonin lehtësime ndaj dënimeve për punën e bërë gjatë qëndrimit në burg për afatin maksimal prej tridhjetë vjetësh burgim. Gjykata Supreme nuk kishte lëvizur nga praktika e saj e mëparshme gjyqësore deri në vitin 2006, dhjetë vjet pasi ligji të cilit i ishte referuar ishte shfuqizuar. Kështu, ajo kishte prodhuar një interpretim të ri të dispozitave të një ligji i cili nuk ishte më në fuqi, pra Kodi Penal i vitit 1973, i cili ishte zëvendësuar nga Kodi Penal i vitit 1995. Përveç kësaj, dispozitat e përkohshme të Kodit Penal të vitit 1995 kishin pasur për qëllim të ruanin efektet e sistemit të lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg të vendosura nga Kodi Penal i vitit 1973 në lidhje me personat e dënuar sipas atij Kodi, pikërisht me qëllim që t’u përmbahej rregullave që ndalonin zbatimin prapaveprues të ligjit penal më të rreptë. Megjithatë, interpretimi i ri i Gjykatës Supreme, i cili kishte bërë joefektiv çdo lehtësim dënimi paraprakisht të dhënë, nënkuptonte në praktikë që kërkueses dhe të tjerëve në situata të ngjashme u ishin mohuar përfitimet nga sistemi i lehtësimit.
Së fundi, ndërkohë që Gjykata pranoi që Gjykata Supreme nuk e kishte zbatuar në mënyrë prapavepruese ligjin që ndryshonte Kodin Penal të vitit 1995, ishte gjithsesi e qartë nga arsyetimi i dhënë nga Gjykata Supreme që ajo kishte pasur të njëjtin synim si ligji në fjalë, pra garantimin e ekzekutimit të plotë dhe efektiv të afatit maksimal ligjor të burgimit për ata që vuanin disa dënime të gjata. Në lidhje me këtë, ndërkohë që Shtetet ishin të lira t’i ndryshonin politikat penale të veta, për shembull duke rritur dënimet e zbatueshme për vepra penale, ata sidoqoftë kur e bënin këtë duhet të vepronin në pajtim me kriteret e nenit 7 të Konventës, i cili në mënyrë të pakushtëzuar ndalonte zbatimin prapaveprues të ligjit penal aty ku një gjë e tillë ishte në disavantazh të të akuzuarit.
Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, në kohën kur kërkuesja kishte marrë dënimet e saj dhe kur ajo ishte informuar në lidhje me vendimin për t’i kombinuar ato dhe për të caktuar një afat maksimal dënimi me burg, nuk kishte pasur tregues të ndonjë linje të perceptueshme të zhvillimeve në praktikën gjyqësore në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2006. Prandaj, kërkuesja nuk kishte arsye të priste që Gjykata Supreme të ndryshonte praktikën e saj të kaluar gjyqësore apo që Audiencia Nacional, për pasojë, të zbatonte lehtësimet e dënimit që asaj i ishin lejuar jo ndaj maksimumit të afatit tridhjetëvjeçar por respektivisht ndaj secilit prej dënimeve që ajo kishte marrë. Ky ndryshim në praktikën gjyqësore kishte pasur efektin e modifikimit të fushëveprimit të dënimit të caktuar, në dëm të kërkueses.
Përfundim: shkelje (pesëmbëdhjetë vota pro, dy kundër).
Neni 5 § 1: Kërkuesja ishte dënuar nga një gjykatë kompetente në përputhje me një procedurë të parashikuar me ligj, dhe kishte marrë dënime burgu në një total prej 3000 vjetësh. Në pjesën më të madhe të vendimeve në fjalë, si dhe në vendimin e saj të nëntorit 2000 për të kombinuar dënimet dhe për të caktuar një afat maksimal total, Audiencia Nacional ishte shprehur që kërkuesja duhet të vuante një afat maksimal prej tridhjetë vjetësh burgim në përputhje me Kodin Penal të vitit 1973. Burgimi i kërkueses nuk e kishte arritur ende atë afat maksimal. Ishte e qartë se kishte një lidhje shkakësore mes dënimeve të kërkueses dhe burgimit të saj në vazhdim pas 2 korrikut 2008, çka kishte rezultuar respektivisht nga vendimet ku ajo ishte shpallur fajtore dhe nga afati maksimal prej tridhjetë vjetësh burgim.
Nën dritën e konsideratave që e kishin çuar drejt gjetjes së shkeljes së nenit 7 të Konventës, Gjykata konsideroi që në kohët kur kërkuesja ishte dënuar, kur ajo kishte punuar gjatë kohës që ka qenë në burg dhe kur ajo ishte informuar në lidhje me vendimin për të kombinuar dënimet dhe për të caktuar një afat maksimal burgimi, ajo nuk do të kishte mundur të parashikonte në masë të arsyeshme që metoda e përdorur për zbatimin e lehtësimeve të dënimit për punën e bërë në burg do të ndryshonte si pasojë e një ndryshimi në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në vitin 2006, dhe që qasja e re do të zbatohej në rastin e saj. Kjo e kishte vonuar datën e lirimit të saj me gati nëntë vjet. Prandaj, ajo kishte vuajtur një afat më të gjatë burgimi sesa afati që do të kishte vuajtur sipas sistemit ligjor vendas ashtu siç kishte qenë ai në kohën e dënimit të saj, duke marrë parasysh lehtësimet e dënimit që asaj tashmë i ishin dhënë në përputhje me ligjin. Rrjedhimisht, që nga 3 korriku 2008 burgimi i kërkueses nuk kishte qenë “i ligjshëm”.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 46: Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të çështjes dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund shkeljeve të Konventës të gjetura në rastin konkret, ishte detyrë e Shtetit përgjegjës që të sigurohej që kërkuesja të lirohej në datën më të hershme që është e mundur.
Neni 41: 30,000 euro për dëme jo materiale.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy