© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E DELFI kundër ESTONISË
(Kërkesa nr. 64569/09)
VENDIM
STRASBURG
16 qershor 2015
Ky vendim është i formës së prerë por mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Pasqyra e lëndës
PROCEDURA
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Sfondi i çështjes
B. Artikulli dhe komentet e publikuara në portalin e lajmeve në internet
C. Procedurat civile kundër kompanisë kërkuese
D. Zhvillimet e mëpasme
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
III. INSTRUMENTET NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Dokumentet e Këshillit të Evropës
B. Dokumente të tjera ndërkombëtare
IV. MATERIALET PËRKATËSE TË BASHKIMIT EVROPIAN DHE TË SË DREJTËS KRAHASUESE
A. Instrumentet dhe praktika gjyqësore e Bashkimit Evropian
1. Direktiva 2000/31/EC
2. Direktiva 98/34/EC e ndryshuar sipas Direktivës 98/48/EC
3. Praktika gjyqësore e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian
B. Materialet e të drejtës krahasuese
E DREJTA
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 10 TË KONVENTËS
A. Vendimi i Dhomës
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kompania kërkuese
2. Qeveria
C. Argumentet e ndërhyrësve të palëve të treta
1. Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
2. Neni 19
3. Access
4. Iniciativa Mbrojtja Ligjore për Media (Media Legal Defence Initiative)
5. EDiMA, CCIA Europe dhe EuroISPA
D. Vlerësimi i Gjykatës
1. Vërejtjet paraprake dhe fushëveprimi i vlerësimit të Gjykatës
2. Ekzistenca e një ndërhyrjeje
3. Ligjshmëria
4. Synimi legjitim
5. Nevojshmëria në një shoqëri demokratike
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
Në çështjen e Delfi AS kundër Estonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Işıl Karakaş,
Ineta Ziemele,
Boštjan M. Zupančič,
András Sajó,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Vincent A. De Gaetano,
Angelika Nußberger,
Julia Laffranque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Helena Jäderblom,
Robert Spano,
Jon Fridrik Kjølbro, gjyqtarë,
dhe Johan Callewaert, Zëvendëskancelar i Dhomës së Madhe,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 9 korrik 2014 dhe 18 mars 2015,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me një kërkesë (nr. 64569/09) kundër Republikës së Estonisë të depozituar në Gjykatë në përputhje me Nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga Delfi AS, kompani publike me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Estoni ("kompania kërkuese"), më 4 dhjetor 2009.
2. Kompania kërkuese u përfaqësua nga Z. V. Otsmann dhe Znj. K. Turk, avokatë që ushtrojnë profesionin në Tallinn. Qeveria estoneze ("Qeveria") u përfaqësua nga Agjentja e saj, Znj. M. Kuurberg, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Kompania kërkuese pretendoi që ishte shkelur liria e saj e shprehjes, në shkelje të Nenit 10 të Konventës, për shkak të faktit se ajo ishte mbajtur përgjegjëse për komentet e palëve të treta të postuara në portalin e saj të lajmeve në internet.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 1 shkurt 2011 Gjykata ndryshoi përbërjen e Seksioneve të saj (neni 25 § 1) dhe kërkesa iu caktua Seksionit të Parë të sapoformuar. Më 10 tetor 2013 një Dhomë e përbërë nga Isabelle Berro-Lefèvre, Kryetare, Elisabeth Steiner, Khanlar Hajiyev, Mirjana Lazarova Trajkovska, Julia Laffranque, Ksenija Turković, Dmitry Dedov, gjyqtarë, dhe gjithashtu nga André Wampach, Zëvendëskancelar i Seksionit, shpalli vendimin e saj. Ajo vendosi njëzëri ta deklaronte kërkesën të pranueshme dhe vendosi që nuk kishte pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
5. Më 8 janar 2014 kompania kërkuese kërkoi që çështja t’i referohej Dhomës së Madhe në përputhje me Nenin 43 të Konventës, dhe trupi gjykues i Dhomës së Madhe e pranoi kërkesën më 17 shkurt 2014.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua sipas dispozitave të Nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kompania kërkuese dhe Qeveria secila paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim (neni 59 § 1) mbi themelet.
8. Përveç kësaj, u pranuan komentet e palëve të treta nga organizatat e mëposhtme, të cilave iu dha leje nga Kryetari i Dhomës së Madhe për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës): Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut; Neni 19; Access; Iniciativa për Mbrojtjen Ligjore të Mediave (MLDI), duke vepruar së bashku me njëzet e tetë organizatat e saj të asociuara; dhe Shoqata Evropiane e Mediave Dixhitale (EDiMA), Shoqata e Industrisë Kompjuterike dhe të Komunikimeve (CCIA Europe) dhe shoqata pan-evropiane e Shoqatave Evropiane të Ofruesve të Shërbimeve të Internetit (EuroISPA), duke vepruar bashkërisht.
9. Seanca u zhvillua në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 9 korrik 2014 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës u paraqitën:
(a) Për Qeverinë
Znj.M. Kuurberg, Agjente,
Znj.M. Kaur,
Znj.K. Mägi, Këshilltare;
(b) për kompaninë kërkuese
Z.V. Otsmann,
Znj.K. Turk,Avokatë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. Otsmann, Znj. Turk dhe Znj. Kuurberg si dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të bëra nga Gjyqtarët Ziemele, Spano, Raimondi, Villiger dhe Bianku.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Kompania kërkuese është kompani publike me përgjegjësi të kufizuar (aktsiaselts), e regjistruar në Estoni.
A. Sfondi i çështjes
11. Kompania kërkuese është pronare e Delfi, një portal lajmesh në internet që publikonte deri në 330 artikuj lajmesh në ditë në kohën e depozitimit të kërkesës. Delfi është një nga portalet më të mëdha të lajmeve në internet në Estoni. Ai publikon lajme në estonisht dhe rusisht në Estoni dhe gjithashtu vepron në Letoni dhe në Lituani.
12. Në kohën materiale, në fund të të gjithë artikujve të lajmeve ndodheshin fjalët "shtoni komentin tuaj" dhe hapësirat për komente, emri i komentuesit dhe adresa e emailit të tij/saj (fakultative). Poshtë këtyre hapësirave ndodheshin butonat e emërtuar "publikoni komentin" dhe "lexoni komentet". Pjesa për leximin e komenteve të lëna nga të tjerët ndodhej në një pjesë të ndarë ku mund të hyhej duke klikuar në butonin "lexo komentet". Komentet ngarkoheshin automatikisht dhe, si të tilla, nuk redaktoheshin dhe nuk moderoheshin nga kompania kërkuese. Artikujt merrnin rreth 10.000 komente në ditë, ku shumica postoheshin me pseudonime.
13. Pavarësisht nga kjo, kishte një sistem për pikasjen dhe heqjen e komenteve në vend: çdo lexues mund ta shënjonte një koment si leim (fjalë estoneze që tregonte se mesazhi ishte ofendues ose tallës ose mesazh që nxiste urrejtje në internet) dhe komenti hiqej me shpejtësi. Më tej, kishte një sistem për fshirjen automatike të komenteve që përmbanin shenja të caktuara të fjalëve të turpshme. Përveç kësaj, viktima e një komenti shpifës mund ta njoftonte menjëherë kompaninë kërkuese, me ç’rast komenti fshihej menjëherë.
14. Kompania kërkuese kishte bërë përpjekje që të informonte përdoruesit që komentet nuk pasqyronin mendimet e vetë kompanisë dhe që autorët e komenteve ishin përgjegjës për përmbajtjen e tyre. Në faqen e internetit të Delfit ndodheshin "Rregullat e komenteve" të cilat përfshinin si më poshtë:
“Tabela e mesazheve në Delfi është një medium teknik që u lejon përdoruesve të publikojnë komente. Delfi nuk i redakton komentet. Autori i çdo komenti është përgjegjës për komentin e vet. Vlen të shënohet që ka pasur raste në gjykatat estoneze kur autorët janë dënuar për përmbajtjen e komenteve ...
Delfi ndalon komentet përmbajtja e të cilëve nuk është në përputhje me praktikën e mirë.
Këto janë komente të cilat:
– përmbajnë kërcënime;
– përmbajnë fyerje;
– nxisin urrejtje dhe dhunë;
– nxisin aktivitete të paligjshme ...
– përmbajnë vegëza jashtë temës, mesazhe të panevojshme (spam) ose reklama;
– janë pa thelb dhe/ose jashtë temës;
– përmbajnë shprehje të turpshme dhe vulgaritete ...
Delfi ka të drejtë të heqë komente të tilla dhe të kufizojë qasjen e autorëve të tyre në shkruarjen e komenteve ...”
Funksionimi i sistemit të pikasjes dhe heqjes së komenteve gjithashtu ishte i shpjeguar në "Rregullat e komenteve".
15. Qeveria deklaroi që në Estoni Delfi kishte një histori famëkeqe të publikimit të komenteve shpifëse dhe degraduese. Kështu, më 22 shtator 2005 gazeta javore Eesti Ekspress kishte botuar një letër të hapur nga redaksia e saj drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Kryeprokurorit Publik dhe Kancelarit të Drejtësisë në të cilën shprehej shqetësim mbi talljen e pandalshme të njerëzve në faqet publike të internetit në Estoni. Delfi përmendej si burim talljesh brutale dhe arrogante. Të adresuarit e letrës publike iu përgjigjën në numrin e Eesti Ekspress të datës 29 shtator 2005. Ministri i Drejtësisë theksoi që personat e ofenduar kishin të drejtë të mbronin nderin dhe reputacionin e tyre në gjykatë duke ngritur padi kundër Delfit dhe duke kërkuar dëmshpërblim. Kryeprokurori Publik iu referua bazave ligjore të cilat i bënin kërcënimet, nxitjet për urrejtje sociale dhe abuzim seksual të të miturve të dënueshme sipas ligjit penal, dhe shënoi që përgjegjësia për shpifje dhe fyerje trajtohej sipas procedurës penale. Kancelari i Drejtësisë iu referua dispozitave ligjore të hartuara për të garantuar lirinë e shprehjes si dhe mbrojtjen e nderit dhe emrit të mirë të secilit, duke përfshirë seksionet 1043 dhe 1046 të Ligjit të Detyrimeve (Võlaõigusseadus).
B. Artikulli dhe komentet e publikuara në portalin e lajmeve në internet
16. Më 24 janar 2006 kompania kërkuese publikoi një artikull në portalin Delfi me titull "SLK Shkatërroi Rrugën e Planifikuar të Akullit". Rrugët e akullit janë rrugë publike mbi det të ngrirë të cilat hapen mes tokës estoneze dhe disa ishujve në dimër. Shkurtesa "SLK" do të thotë AS Saaremaa Laevakompanii (Kompania Transportuese Saaremaa, kompani publike me përgjegjësi të kufizuar). SLK ofron shërbime publike transporti me traget mes pjesës tokësore dhe disa ishujve. L. ishte anëtar i bordit mbikëqyrës të SLK dhe aksionari i vetëm ose i shumicës së kompanisë në kohën materiale.
17. Më 24 dhe 25 janar 2006 artikulli tërhoqi 185 komente. Rreth njëzet prej tyre përmbanin kërcënime personale dhe gjuhë ofenduese drejtuar kundër L.
18. Më 9 mars 2006 avokatët e L. i kërkuan kompanisë kërkuese që t’i hiqte komentet ofenduese dhe kërkuan 500.000 korona estoneze (EEK) (afro 32.000 euro)) kompensim për dëme jo materiale. Kërkesa kishte të bënte me njëzet komentet në vijim:
“1. (1) ka rryma në [V]äinameri
(2) uji i hapur është më afër vendeve që përmendni, dhe akulli është më i hollë.
Propozim – t’ia bëjmë si në vitin 1905, të shkojmë në [K]uressaare me shkopinj dhe t’i fusim [L.] dhe [Le.] në çantë.
2. gomarë budallenj...
ata lahen në para gjithsesi falë atij monopoli dhe subvencioneve të Shtetit dhe tani i ka kapur frika se makinat mund të shkojnë në ishuj për ca ditë pa u hyrë asgjë në kuletat e tyre. përvëlohu në anijen tënde, çifut i ndyrë!
3. mirë që iniciativa e [La.] nuk i ka shkelur vijat e web flamers. hajde jepini, djem, [L.] në furrë!
4. [L.] i vogël, ik e mbytu
5. aha... [unë] nuk besoj se kjo ka ndodhur rastësisht... idiotë dreqi...
6. zagar!!! [në rusisht]
7. Pse qaraviteni, mbyteni këtë bastard një herë e përgjithmonë [.] Më pas të tjerët ... do ta dinë se çka rrezikojnë, edhe ata kanë vetëm një jetë të mjerë.
8. ... ka të drejtë fiks. Linçim, për të paralajmëruar [ishulltarët] e tjerë dhe të ashtuquajturit njerëz. Pas kësaj nuk bëhen më kurrë gjëra të tilla! Sidoqoftë, ]L.] e meriton shumë këtë, apo jo.
9. "njeriu i mirë jeton gjatë, njeriu i poshtër veç një ditë a dy"
10. Sikur të kishte rrugë akulli, [secili] mund të kursente kollaj 500 për një makinë të mbushur, [L.] i dreqit të paguajë për atë ekonomi, pse i duhen 3 [orë] trageteve tuaja në qoftë se janë akullthyes aq të mirë, më mirë ik e thyej akullin në portin Pärnu ... majmun dreqi, unë do ta përshkoj [ngushticën] gjithsesi, edhe po të mbytem, ti e ke fajin
11. a s’mund t’u bëjë ballë askush këtyre mutërve?
12. banorët e ishujve Saaremaa dhe Hiiumaa, bëjani 1:0 këtij trapit.
13. a thua [L.] s’do ta shtypin në Saaremaa? t’ia fusësh njerëzve të tu kështu.
14. Njerëzit do të flasin ca ditë në internet, por hajdutët (e madje edhe ata që kanë mbështetje dhe që i kemi zgjedhur vetë për të na përfaqësuar) do të fusin paratë në xhep dhe s’do të duan t’ia dinë për këtë zjarr – askujt s’i plas për këtë punë.
Dikur [M.] dhe hajdutët e tjerë të mëdhenj na bënin si shefa, por lakmia e tyre i është kthyer mbrapsht (RIP). Edhe këtyre hajdutëve do t’u përplaset fytyrës herët a vonë. Ç’të mbjellin do të korrin, por prapë se prapë duhet të pengohen (duke u linçuar sepse shteti është i pafuqishëm karshi tyre – në fakt janë ata që qeverisin shtetin), sepse ata jetojnë vetëm për të sotmen. Nesër, vërshimet.
15. këtë [V.]-në do ta gjuaj me tortë ndonjë ditë.
dreqi e mori, po ta vësh kazanin në zjarr dhe të dalë tymi nga oxhaku i saunës, sorrat e Saaremaa-s i ke aty – duke kujtuar që po therin derra. kurrsesi
16. të poshtër!!!! Edhe Ofelia ka klasë akulli, pra ky nuk është justifikim pse duhej Ola!!!
17. shteti estonez, i udhëhequr nga llumi [dhe] i financuar nga llumi, sigurisht që nuk i ndalon apo dënon aktet anti-sociale të kryera nga llumrat. E po, çdo [L.] ka Michaelmas-in e vet ... dhe kjo nuk mund të krahasohet me Michaelmas-in e dashit[1]. Në fakt më vjen keq për [L.] – njeri edhe ai, sidoqoftë... :D :D :D
18. ...në qoftë se pas këtyre veprimeve [L.] papritmas qëllon me raport mjekësor dhe njësoj qëllon edhe herën tjetër kur të shkatërrohet rruga e akullit... a thua [atëherë] do të guxojë të sillet si derr për herë të tretë? :)
19. bastard dreqi, ai [L.]... mund të kisha mbërritur në shtëpi me foshnjën time sa më shpejt ... sidoqoftë kompania e tij nuk mund të garantojë shërbim normal trageti dhe çmimet janë të tilla që ... krimb i vërtetë ... lind pyetja, kujt ia ka mbushur xhepat e gojën me para sa të sillet si derr vit pas viti
20. nga muti nuk bëhet bukë; dhe gazetat e interneti i durojnë të gjitha; dhe vetëm për qejfin tim (vërtet shteti dhe [L.] nuk duan t’ia dinë për mendimin e popullit) ... veç për qejf, pa lakmuar para – unë ia pshurr veshin [L.]-së dhe ia dhjes kokën. :)"
19. Në të njëjtën ditë, pra rreth gjashtë javë pas publikimit të tyre, kompania kërkuese i hoqi komentet ofenduese.
20. Më 23 mars 2006 kompania kërkuese iu përgjigj kërkesës së avokatëve të L.-së. Ajo informoi L.-në që komentet ishin hequr sipas detyrimit për pikasjen dhe heqjen e tyre, dhe e refuzoi kërkesën për dëmshpërblim.
C. Procedurat civile kundër kompanisë kërkuese
21. Më 13 prill 2006 L. ngriti padi civile në Gjykatën Krahinore të Harju kundër kompanisë kërkuese.
22. Në seancën e 28 majit 2007 përfaqësuesit e kompanisë kërkuese parashtruan, inter alia, që në raste si ai i "Natës së Bronzit" (prishja e rendit publik për shkak të zhvendosjes së monumentit të Ushtarit të Bronztë në prill 2007) Delfi kishte hequr mes 5.000 dhe 10.000 komente në ditë, përsëri me iniciativë të vet.
23. Me një vendim të 25 qershorit 2007 pretendimi i L.-së u hodh poshtë. Gjykata Krahinore gjeti që përgjegjësia e kompanisë kërkuese ishte e përjashtuar sipas Ligjit për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit (Infoühiskonna teenuse seadus), i cili bazohej mbi Direktivën për Tregtinë Elektronike (Direktiva 2000/31/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Evropës e datës 8 qershor 2000 mbi disa aspekte të caktuara të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, posaçërisht tregtia elektronike, në Tregun e Brendshëm). Gjykata konsideroi që ambienti i komenteve në portalin e lajmeve të kompanisë kërkuese duhet të dallohej nga pjesa gazetareske e portalit. Administrimi i të parit nga kompania kërkuese ishte në thelb i një natyre mekanike dhe pasive. Kompania kërkuese nuk mund të konsiderohej publikuese e komenteve, as nuk ishte e detyruar t’i monitoronte ato.
24. Më 22 tetor 2007 Gjykata e Apelit e Tallinn lejoi një apel nga L. Ajo konsideroi që Gjykata Krahinore kishte gabuar në gjetjen që përgjegjësia e kompanisë kërkuese ishte e përjashtuar sipas Ligjit të Shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit. Vendimi i Gjykatës Krahinore u prish dhe çështja iu referua sërish gjykatës së shkallës së parë për shqyrtim të ri.
25. Më 21 janar 2008 Gjykata Supreme refuzoi të dëgjonte apelin e kompanisë kërkuese.
26. Më 27 qershor 2008 Gjykata Krahinore e Harju, pas ri-shqyrtimit të çështjes, vendosi në favor të L.-së. Në pajtim me udhëzimet e Gjykatës së Apelit, ajo u mbështet mbi Ligjin e Detyrimeve dhe e vlerësoi Ligjin e Shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit të pazbatueshëm. Ajo vërejti që kompania kërkuese kishte vënë një shënim në faqen e saj të internetit i cili thoshte që komentet nuk redaktoheshin, që postimi i komenteve të cilat ishin në kundërshtim me praktikën e mirë ishte i ndaluar, dhe që kompania kërkuese rezervonte të drejtën për të hequr komente të tilla. Ishte ngritur një sistem sipas të cilit përdoruesit mund ta lajmëronin kompaninë kërkuese për çdo koment të papërshtatshëm. Megjithatë, Gjykata Krahinore konsideroi që kjo ishte e pamjaftueshme dhe nuk linte vend për mbrojtje të duhur për të drejtat individuale të të tjerëve. Gjykata gjeti që vetë kompania kërkuese duhet të konsiderohej publikuese e komenteve, dhe ajo nuk mund t’i shmangej përgjegjësisë duke publikuar një deklaratë që thoshte se ajo nuk mbante përgjegjësi për përmbajtjen e komenteve.
27. Gjykata Krahinore gjeti që vetë artikulli i lajmeve i publikuar në portalin e lajmeve të Delfit ishte i ekuilibruar. Megjithatë, disa komente ishin në formë vulgare; ato ishin poshtëruese dhe shpifëse dhe dëmtonin nderin, dinjitetin dhe reputacionin e L.-së. Komentet shkonin përtej kritikave të justifikuara dhe përbënin thjesht fyerje. Gjykata doli në përfundimin që liria e shprehjes nuk shtrihej deri aty sa të mbronte komentet në fjalë dhe që të drejtat individuale të L.-së ishin shkelur. L.-së iu akorduan 5.000 EEK (320 euro) kompensim për dëme jo materiale.
28. Më 16 dhjetor 2008 Gjykata e Apelit e Tallinn e mbështeti vendimin e Gjykatës Krahinore. Ajo theksoi që kompania kërkuese nuk kishte qenë e detyruar të ushtronte kontroll paraprak mbi komentet e publikuara në portalin e saj të lajmeve. Megjithatë, meqenëse kishte zgjedhur që të mos e bënte këtë, ajo duhet të kishte krijuar një sistem tjetër efektiv që të siguronte heqjen e shpejtë të komenteve të paligjshme nga portali. Gjykata e Apelit konsideroi që masat e marra nga kompania kërkuese ishin të pamjaftueshme dhe që ishte në kundërshtim me parimin e mirëbesimit që barra e monitorimit të komenteve të vendosej mbi viktimat e tyre potenciale.
29. Gjykata e Apelit e refuzoi argumentin e kompanisë kërkuese që përgjegjësia e saj ishte e përjashtuar sipas Ligjit për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit. Ajo shënoi që kompania kërkuese nuk ishte ndërmjetëse teknike për sa u përkiste komenteve, dhe që aktiviteti i saj nuk ishte thjesht i një natyre teknike, automatike dhe pasive; përkundrazi, ajo i ftonte përdoruesit të jepnin komente. Kështu, kompania kërkuese ishte ofrues i shërbimeve përmbajtësore e jo i shërbimeve teknike.
30. Më 10 qershor 2009 Gjykata Supreme rrëzoi një apel nga kompania kërkuese. Ajo mbështeti vendimin e Gjykatës së Apelit në thelb, por modifikoi pjesërisht arsyetimin e saj.
31. Gjykata Supreme vendosi si vijon:
“10. Dhoma gjen që akuzat e paraqitura në apel nuk shërbejnë si bazë për përmbysjen e vendimit të Gjykatës së Apelit. Përfundimi i arritur në vendimin e Gjykatës së Apelit është i saktë, por arsyetimi ligjor i vendimit duhet të ndryshohet dhe të plotësohet mbi bazën e Nenit 692 § 2 të Kodit të Procedurës Civile.
11. Palët nuk kontestojnë rrethanat në vijim:
• më 24 janar 2006 portali i internetit i të paditurit ‘Delfi’ publikoi një artikull të titulluar ‘SRK Shkatërroi Rrugën e Planifikuar të Akullit’’
• i padituri u ofronte vizitorëve të portalit të internetit mundësinë për të komentuar mbi artikujt;
• nga komentet e publikuara [avaldatud][2] mbi artikullin e përmendur, 20 kanë përmbajtje që është nënçmuese karshi paditësit [L.];
• i padituri i hoqi komentet nënçmuese pas letrës së paditësit më 9 mars 2006.
12. Kontesti ligjor mes palëve ka të bëjë me faktin nëse i padituri si sipërmarrës është publikues brenda kuptimit të Ligjit të Detyrimeve, nëse ajo që është publikuar (përmbajtja e komenteve) është e paligjshme, dhe nëse i padituri mban përgjegjësi për publikimin e komenteve me përmbajtje të paligjshme.
13. Dhoma është dakord me përfundimin e Gjykatës së Apelit që i padituri nuk hyn brenda rrethanave që përjashtojnë përgjegjësinë ashtu siç specifikohet në seksionin 10 të ISSA (Ligji për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit).
Sipas seksionit 2(6) të Ligjit për Rregulloret dhe Standardet Teknike, shërbimi i shoqërisë së informacionit është shërbim i specifikuar në seksionin 2(1) të ISSA. Sipas dispozitës së ISSA në të cilën bëhet referencë, ‘shërbimet e shoqërisë së informacionit’ janë shërbime të ofruara në formën e aktiviteteve ekonomike ose profesionale me kërkesë të drejtpërdrejtë të pranuesit të shërbimeve, pa qenë e nevojshme që palët të jenë të pranishme njëkohësisht në të njëjtin vend, dhe shërbime të tilla përfshijnë përpunimin, ruajtjen ose transmetimin e të dhënave përmes mjeteve elektronike të synuara për përpunimin dixhital dhe ruajtjen e të dhënave. Rrjedhimisht, kushte të rëndësishme për ofrimin e shërbimeve informative të shoqërisë janë që shërbimet të ofrohen pa praninë fizike, të dhënat të transmetohen përmes mjeteve elektronike, dhe shërbimi të ofrohet falas sipas kërkesës së përdoruesit të shërbimit.
Seksionet 8 deri në 11 të ISSA përcaktojnë përgjegjësinë e ofruesve të shërbimeve të ndryshme të shoqërisë së informacionit. Seksioni 10 i ISSA thotë që aty ku ofrohet një shërbim që ka të bëjë me ruajtjen e informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, ofruesi i shërbimit nuk është përgjegjës për informacionin e ruajtur me kërkesë të pranuesit të shërbimit, me kusht që: (1) ofruesi të mos ketë njohuri faktike rreth përmbajtjes së informacionit dhe, për sa i përket pretendimeve për dëmshpërblim, të mos jetë në dijeni të fakteve ose rrethanave që janë tregues të ndonjë aktiviteti ose informacioni të paligjshëm; (2) ofruesi, sapo të vihet në dijeni ose të bëhet i vetëdijshëm për faktet e lartpërmendura, të veprojë me shpejtësi për të hequr ose për të çaktivizuar qasjen në informacion. Rrjedhimisht, dispozita në fjalë zbatohet në rastin kur shërbimi i ofruar ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave në serverin e [ofruesit të shërbimit] dhe mundësimin e përdoruesve që të kenë qasje në këto të dhëna. Varësisht nga kushtet e specifikuara në seksionin 10 të ISSA, ofruesi i një shërbimi të tillë është i përjashtuar nga përgjegjësia për përmbajtjen e informacionit të ruajtur prej tij, sepse ofruesi i shërbimit thjesht përmbush rolin e ndërmjetësuesit brenda kuptimit të dispozitës së referuar, dhe nuk e nis ose modifikon informacionin.
Meqenëse Ligji për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit bazohet mbi Direktivën 2000/31/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për sa u përket aspekteve të caktuara të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, në veçanti tregtisë elektronike, në Tregun e Brendshëm (Direktiva mbi Tregtinë Elektronike), parimet dhe synimet e asaj Direktive duhet të merren gjithashtu parasysh gjatë interpretimit të dispozitave të Ligjit në fjalë. Nenet 12 deri në 15 të Direktivës, të cilat formojnë bazën për seksionet 8 deri në 11 të ISSA, plotësohen nga paragrafi 42 i hyrjes së Direktivës. Sipas këtij paragrafi, përjashtimet nga përgjegjësia e përcaktuar në Nenet 12 deri në 15 mbulojnë vetëm rastet kur aktiviteti i ofruesit të shërbimit të shoqërisë së informacionit është i kufizuar brenda procesit teknik të operimit dhe dhënies së qasjes një rrjeti komunikimesh ku informacioni i vënë në dispozicion nga palë të treta transmetohet ose ruhet përkohësisht, me qëllimin e vetëm të bërjes më efikas të transmetimit; ky aktivitet është i një natyre thjesht teknike, automatike dhe pasive, çka nënkupton se ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit nuk ka as dijeni për e as kontroll mbi informacionin që transmetohet ose ruhet. Rrjedhimisht, ofruesit e të ashtuquajturave ‘shërbime përmbajtjeje’ të cilët kanë kontroll mbi përmbajtjen e informacionit të ruajtur nuk mund të mbështeten tek përjashtimet e specifikuara në Nenet 12 deri në 15 të Direktivës.
Dhoma ndan të njëjtin mendim me Gjykatën e Apelit që aktivitetet e të paditurit në publikimin e komenteve nuk janë thjesht të një natyre teknike, automatike dhe pasive. Synimi i të paditurit nuk është thjesht ofrimi i një shërbimi ndërmjetësues. I padituri e ka integruar hapësirën e komenteve brenda portalit të vet të lajmeve, duke ftuar vizitorët e faqes të shtojnë gjykimet [hinnangud] dhe mendimet (komentet) e vetë atyre mbi lajmet. Në pjesën e komenteve, i padituri në mënyrë aktive kërkon komente në lidhje me lajmet që shfaqen në portal. Numri i vizitorëve në portalin e të paditurit varet nga numri i komenteve; rrjedhimisht të ardhurat e fituara nga reklamat e publikuara në portal varen nga [numri i vizitave]. Kështu, i padituri ka interes ekonomik në postimin e komenteve. Fakti që i padituri nuk është shkruesi i komenteve nuk do të thotë që i padituri nuk ka kontroll mbi pjesën e komenteve. I padituri zbaton rregullat e pjesës së komenteve dhe bën ndryshime në të (heq ndonjë koment) në qoftë se ato rregulla shkelen. Ndryshe nga kjo, përdoruesi i shërbimit të të paditurit nuk mund të ndryshojë ose të fshijë komentet që ai ose ajo poston. Ai ose ajo mundet vetëm të raportojë për ndonjë koment të papërshtatshëm. Kështu, i padituri mund të vendosë se cili koment i shtuar do të publikohet dhe cili nuk do të publikohet. Fakti që i padituri nuk e shfrytëzon këtë mundësi nuk shpie menjëherë drejt përfundimit që publikimi i komenteve nuk është nën kontrollin e të paditurit. Dhoma është dakord me mendimin e Gjykatës së Apelit që i padituri, i cili qeveris informacionin e ruajtur në pjesën e komenteve, ofron një shërbim përmbajtjeje, dhe kjo është arsyeja për të cilën rrethanat që përjashtojnë përgjegjësinë, siç specifikohet në seksionin 10 të ISSA, nuk zbatohen në rastin konkret.
14. Nuk ka kontest ligjor në lidhje me faktin që i padituri është publikuesi i një artikulli të titulluar ‘SLK Shkatërroi Rrugën e Planifikuar të Akullit’, të botuar në portalin e internetit të Delfit më 24 janar 2006. Gjykata Krahinore gjeti që edhe i padituri duhet të shihet si publikuesi i komenteve. Gjykata e Apelit, duke qenë dakord me atë mendim, shënoi që fakti që i padituri u mbështet mbi një shkelje të së drejtës së vet për lirinë e shprehjes tregoi se ai e konsideronte veten – dhe jo shkruesit e komenteve – si publikues i komenteve. Sipas mendimit të Dhomës, në rastin konkret si i padituri ashtu edhe shkruesit e komenteve janë publikuesit e komenteve brenda kuptimit të Ligjit të Detyrimeve. Paditësi ka të drejtë të zgjedhë kundër kujt ngre padi. Padia është ngritur vetëm kundër të paditurit.
Dhoma ka shpjeguar përkufizimet e zbulimit dhe zbuluesit në paragrafin 24 të vendimit të saj më 21 dhjetor 2005 në çështjen civile nr. 3-2-1-95-05, duke gjetur që për qëllimet e seksionit 1047 të Ligjit të Detyrimeve, zbulim [avaldamine] do të thotë komunikim i informacionit drejt palëve të treta dhe zbuluesi është një person i cili ua komunikon informacionin palëve të treta. Më tej, Dhoma shpjegoi që në rastin e publikimit të [avaldamine] të informacioneve në media, zbuluesi/publikuesi [avaldaja] mund të jetë kompani mediale e po ashtu edhe person i cili ia përcjell informacionin medias publikuese. Publikimi i lajmeve dhe komenteve në një portal interneti është gjithashtu aktivitet gazetaresk [ajakirjanduslik tegevus]. Në të njëjtën kohë, për shkak të natyrës së mediave në internet [internetiajakirjandus], nuk mund të kërkohet me arsye nga një operues portali që t’i redaktojë komentet para publikimit të tyre në të njëjtën mënyrë siç kërkohet nga një media publikuese e shtypit [trükiajakirjanduse väljaanne]. Ndërkohë që publikuesi [väljaandja] [i një mediumi publikimi të shtypit] është, për shkak të redaktimit, iniciatori i publikimit të një komenti, në portalin e internetit iniciatori i publikimit është shkruesi i komentit, i cili e vendos atë në dispozicion të publikut të gjerë me anë të portalit. Prandaj, operuesi i portalit nuk është personi të cilit i zbulohet informacioni. Për shkak të interesave [të tyre] ekonomike në publikimin e komenteve, si publikuesi [väljaandja] i një mediumi të shtypit ashtu edhe një operator portali interneti janë publikues/zbulues [avaldajad] si sipërmarrës.
Në rastet që kanë të bëjnë me gjykim vlerash [väärtushinnang] që paragjykon dhe denigron nderin dhe emrin e mirë të një personi, gjatë përcaktimit të përkufizimit të publikimit/zbulimit dhe publikuesit/zbuluesit është e parëndësishme nëse gjykimi i vlerave rrjedh nga informacioni i publikuar apo nëse ai është nënçmues për shkak të domethënies së tij substanciale ... Prandaj, publikimi/zbulimi është komunikim drejt palëve të treta i një gjykimi vlerash në lidhje me një person (seksioni 1046(1) i Ligjit të Detyrimeve) dhe/ose i informacionit i cili lejon bërjen e një gjykimi të vlerave, dhe publikuesi/zbuluesi është personi i cili komunikon gjykime [hinnangud] dhe informacione të tilla drejt palëve të treta. Në rastin konkret komentet janë vënë në dispozicion të një numri ta pakufizuar personash (publiku i gjerë).
15. Në përgjigje të akuzave në apelin e të paditurit në lidhje me faktin që Gjykata e Apelit e ka zbatuar gabim Nenin 45 të Kushtetutës sepse, në arsyetimin e ndërhyrjes tek liria e shprehjes, ajo është mbështetur në parimin e mirëbesimit, dhe jo në ligj, dhe që heqja e një komenti nga portali është ndërhyrje tek liria e shprehjes së personit që poston komentin, Dhoma shpjegon si vijon.
Ushtrimi i çdo të drejte themelore është i kufizuar nga Neni 19 § 2 i Kushtetutës, i cili parashikon që secili duhet të respektojë dhe të ketë konsideratë për të drejtat dhe liritë e të tjerëve, dhe duhet të veprojë në pajtim me ligjin gjatë ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tij ose të saj dhe në përmbushjen e detyrave të tij ose të saj. Fjalia e parë e paragrafit të parë të Nenit 45 të Kushtetutës parashikon të drejtën e secilit për lirinë e shprehjes, pra të drejtën për të përhapur informacion me çfarëdo përmbajtjeje në çfarëdo mënyre. Ajo e drejtë është e kufizuar nga ndalimi i prekjes së nderit dhe emrit të mirë të secilit, siç shënohet në Kushtetutë (Neni 17). Dhoma është e mendimit se gjatë trajtimit të konfliktit mes lirisë së shprehjes nga njëra anë, dhe nderit dhe emrit të mirë nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh që Neni 17 i Kushtetutës, i cili është i formuluar si ndalim, nuk e përjashton krejtësisht çdo ndërhyrje tek nderi dhe emri i mirë i një personi, por ndalon vetëm shpifjet kundër tyre (seksioni 1046 i Ligjit të Detyrimeve). Me fjalë të tjera, mos marrja parasysh e dispozitës nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën (Neni 11 i Kushtetutës). Fjalia e dytë e paragrafit të parë të Nenit 45 të Kushtetutës përfshin mundësinë e kufizimit të lirisë së shprehjes me ligj në mënyrë që të mbrohet nderi dhe emri i mirë i një personi.
Në interes të mbrojtjes së nderit dhe emrit të mirë të një personi, dispozitat vijuese të Ligjit të Detyrimeve mund të shihen si të tilla që kufizojnë lirinë e shprehjes: seksionet 1045(1)(4), 1046(1), 1047(1), (2) dhe (4), 1055(1) dhe (2), dhe 134(2). Gjykata Krahinore gjeti që njollosja e nderit të paditësit nuk ishte e justifikuar; prandaj ishte e paligjshme sepse nuk ishte diskutim në lidhje me temën e komenteve por paditësi thjesht ishte fyer për t’u degraduar. Gjykata e Apelit po ashtu qe dakord me atë mendim. Dhoma gjen që në qoftë se seksioni 1046 i Ligjit të Detyrimeve interpretohet në përputhje me Kushtetutën, njollosja e nderit të një personi është e paligjshme. Vlerësimi ligjor nga gjykatat i njëzet komenteve të natyrës nënçmuese është i vërtetuar. Gjykatat kanë gjetur me të drejtë që ato komente janë shpifëse meqenëse ato janë të një natyre vulgare, degradojnë dinjitetin njerëzor dhe përmbajnë kërcënime.
Dhoma nuk është dakord me mendimin e Gjykatës së Apelit që heqja e komenteve të natyrës së paligjshme që ndërhyjnë tek të drejtat individuale të paditësit nuk është ndërhyrje tek liria e shprehjes së shkruesve të komenteve. Dhoma konsideron që zbatimi i çdo mase që kufizon një të drejtë themelore në çfarëdo mënyre mund të shihet si ndërhyrje tek ushtrimi i asaj të drejte themelore. Ndërhyrja nga një operator portali interneti tek liria e shprehjes së personave që postojnë komente është, sidoqoftë, e justifikuar nga detyrimi i sipërmarrësit-operatorit të portalit për të respektuar nderin dhe emrin e mirë të palëve të treta, ashtu siç del nga Kushtetuta (Neni 17) dhe ligji (seksioni 1046 i Ligjit të Detyrimeve), dhe për të shmangur shkaktimin e ndonjë dëmi ndaj tyre (seksioni 1045(1)(4) i Ligjit të Detyrimeve).
16. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, përmbajtja e komenteve ishte e paligjshme; ato ishin gjuhësisht të papërshtatshme. Gjykimet e vlerave ... janë të papërshtatshme në qoftë se është e dukshme për një lexues të kujdesshëm që domethënia e tyre është vulgare dhe synon të degradojë dinjitetin njerëzor dhe të tallet me një person. Komentet nuk përmbanin ndonjë informacion që do të kishte kërkuar verifikim të tepruar me iniciativën e operatorit të portalit. Rrjedhimisht, akuza e të paditurit që ai nuk ishte në dijeni dhe nuk duhet të kishte qenë në dijeni të paligjshmërisë së komenteve është e pabazuar.
Për arsye të detyrimit që del nga ligji për të shmangur shkaktimin e dëmit, i padituri duhet ta kishte parandaluar publikimin e komenteve me përmbajtje qartazi të paligjshme. I padituri nuk ka vepruar kështu. Në përputhje me seksionin 1047(3) të Ligjit të Detyrimeve, zbulimi i informacionit ose çështjeve të tjera nuk vlerësohet të jetë i paligjshëm në qoftë se personi që zbulon informacionin apo çështje të tjera ose personi të cilit i bëhen të ditura çështje të tilla ka interes legjitim në zbulim, dhe në qoftë se personi i cili e zbulon informacionin e ka verifikuar informacionin ose çështjet e tjera me thellësi të përputhshme me peshën e shkeljes së mundshme. Publikimi i gjykimeve gjuhësisht të papërshtatshme të vlerave që dëmtojnë nderin e një personi tjetër nuk mund të justifikohet duke u mbështetur në rrethanat e specifikuara në seksionin 1047(3) të Ligjit të Detyrimeve: gjykime të tilla nuk rrjedhin nga ndonjë informatë e zbuluar por krijohen dhe publikohen me qëllim të dëmtimit të nderit dhe emrit të mirë të palës së përfshirë. Prandaj, publikimi i komenteve të natyrës qartazi të paligjshme ishte gjithashtu i paligjshëm. Pas zbulimit, i padituri nuk i hoqi komentet – për përmbajtjen e paligjshme të të cilave ai duhet të kishte qenë në dijeni – nga portali me iniciativën e vet. Në këto rrethana, gjykatat kanë gjetur në mënyrë të arsyeshme që mosveprimi i të paditurit është i paligjshëm. I padituri është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj paditësit, sepse gjykatat kanë konstatuar që i padituri nuk e ka vërtetuar mungesën e fajshmërisë [süü] (seksioni 1050(1) i Ligjit të Detyrimeve).”
D. Zhvillimet e mëpasme
32. Më 1 tetor 2009 Delfi lajmëroi në portalin e vet të internetit që personat të cilët kishin postuar komente ofenduese nuk lejoheshin të postonin komente të reja deri sa të kishin lexuar dhe pranuar rregullat e komentimit. Më tej, u lajmërua që Delfi kishte ngritur një ekip moderatorësh të cilët do të bënin moderimin e komenteve të postuara në portal. Në fillim moderatorët rishikonin të gjitha vërejtjet për përdoruesit në lidhje me komentet e papërshtatshme. Pajtueshmëria e komenteve me rregullat e komentimit monitorohej njëkohësisht. Sipas informacioneve të publikuara, numri i komenteve të postuara nga lexuesit e Delfit në gusht 2009 kishte qenë 190.000. Moderatorët e Delfit kishin hequr 15.000 komente (rreth 8%), kryesisht ato që kishin të bënin me mbeturina (spam) ose komente jo relevante. Pjesa e komenteve shpifëse kishte qenë më pak se 0.5% e numrit të përgjithshëm të komenteve.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
33. Kushtetuta e Republikës së Estonisë (Eesti Vabariigi põhiseadus) parashikon:
Neni 17
“Nuk diskreditohet nderi ose emri i mirë i askujt."
Neni 19
“(1) Secili ka të drejtën e vetpërmbushjes së lirë.
(2) Secili nderon dhe ka konsideratë për të drejtat dhe liritë e të tjerëve, dhe respekton ligjin gjatë ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tij ose të saj dhe gjatë përmbushjes së detyrave të tij ose të saj."
Neni 45
“(1) Secili ka të drejtën të përhapë lirisht ide, mendime, besime dhe informacione të tjera me anë të fjalës, shtypit, pamjeve ose mënyrave të tjera. Kjo e drejtë mund të kufizohet me ligj me qëllim që të mbrohet rendi publik, morali, dhe të drejtat e liritë, shëndeti, nderi dhe emri i mirë i të tjerëve. Kjo e drejtë mund të kufizohet po ashtu sipas ligjit për shërbyesit publikë të Shtetit dhe ato të qeverisë lokale, për të mbrojtur një sekret shtetëror ose biznesi ose informata të marra në konfidencë të cilat kanë ardhur në kuadër të postit që mbajnë, dhe jetën familjare dhe private të të tjerëve, si dhe interesat e drejtësisë."
(2) Nuk duhet të ketë censurë.”
34. Seksioni 138 i Ligjit për Kodin Civil (Parimet e Përgjithshme) (Tsiviilseadustiku üldosa seadus) parashikon që të drejtat duhet të ushtrohen dhe detyrimet duhet të kryhen në mirëbesim. Një e drejtë nuk mund të ushtrohet në mënyrë të paligjshme ose me qëllim që t’i shkaktojë dëm një personi tjetër.
35. Nënseksioni 2 i seksionit 134 të Ligjit të Detyrimeve (Võlaõigusseadus) parashikon:
“Në rast detyrimi për të kompensuar dëmin që shkaktohet nga ... shkelja e një të drejte të individit, në mënyrë të veçantë nga shpifja, personi i detyruar e kompenson personin e lënduar për dëme jo materiale vetëm në qoftë se kjo arsyetohet nga pesha e shkeljes, posaçërisht nga shqetësimi fizik ose emocional."
36. Seksioni 1043 i Ligjit të Detyrimeve parashikon që një person (keqbërësi) i cili në mënyrë të paligjshme i shkakton dëm një personi tjetër (viktima) duhet ta kompensojë dëmin në qoftë se keqbërësi është fajtor (süüdi) për shkaktimin e dëmit ose është përgjegjës për shkaktimin e dëmit sipas ligjit.
37. Seksioni 1045 i Ligjit të Detyrimeve parashikon që shkaktimi i dëmit është i paligjshëm në qoftë se, inter alia, ai rezulton nga shkelja e një të drejte individuale të viktimës.
38. Ligji i Detyrimeve më tej parashikon:
Seksioni 1046 – Paligjshmëria e dëmit ndaj të drejtave të individit
“(1) Dëmtimi i nderit të një personi, inter alia duke shprehur gjykime të padrejta vlerash, përdorimi i pajustifikuar i emrit ose imazhit të një personi, ose shkelja e paprekshmërisë së jetës private të një personi ose ndonjë të drejte tjetër të individit, është i paligjshëm në qoftë se nuk parashikohet ndryshe me ligj. Gjatë përcaktimit të një paligjshmërie të tillë, merren në konsideratë lloji i shkeljes, arsyeja dhe motivi i shkeljes dhe pesha e shkeljes krahas qëllimit të synuar prej saj.
(2) Shkelja e një të drejte të individit nuk është e paligjshme në qoftë se shkelja është e justifikuar duke pasur parasysh të drejtat e tjera të mbrojtura me ligj dhe të drejtat e palëve të treta ose interesat publike. Në raste të tilla, paligjshmëria përcaktohet mbi bazën e një vlerësimi krahasues të të drejtave dhe interesave të ndryshme ligjore të mbrojtura me ligj."
Seksioni 1047 – Paligjshmëria e zbulimit të informacionit të pasaktë
“(1) Shkelja e të drejtave të individit ose të ndërhyrjes tek aktivitetet ekonomike ose profesionale të një personi me anë të zbulimit [avaldamine] të informacioneve të pasakta, ose me anë të zbulimit të mangët ose të shtrembër të informacioneve në lidhje me personin ose aktivitetet e personit, është e paligjshme në qoftë se personi i cili i zbulon këto informata nuk vërteton që, në kohën e një zbulimi të tillë, ai ose ajo nuk ka qenë në dijeni dhe nuk i është kërkuar të kishte dijeni që një informacion i tillë ka qenë i pasaktë ose i mangët.
(2) Zbulimi i çështjeve shpifëse në lidhje me një person, ose i çështjeve të cilat mund të ndikojnë negativisht tek gjendja ekonomike e një personi, vlerësohet të jetë i paligjshëm në qoftë se personi që i zbulon këto çështje nuk e vërteton që ato janë të vërteta.
(3) Pavarësisht nga dispozitat e nënseksioneve (1) dhe (2) të këtij seksioni, zbulimi i informacioneve ose çështjeve të tjera nuk vlerësohet të jetë i paligjshëm në qoftë se personi i cili e zbulon informacionin ose çështjet e tjera apo personin të cilit i zbulohen këto çështje ka interes legjitim në zbulimin, dhe në qoftë se personi i cili e zbulon informacionin e ka verifikuar informatën ose çështjet e tjera me një thellësi e cila përputhet me peshën e shkeljes potenciale.
(4) Në rast zbulimi të informacioneve të pasakta, viktima mund të kërkojë që personi i cili i ka zbuluar këto informacione ta përgënjeshtrojë informacionin ose të publikojë një saktësim në emrin e vet, pavarësisht nëse zbulimi i informacionit ka qenë i paligjshëm ose jo."
Seksioni 1050 – Fajësia [süü] si bazë e përgjegjësisë
“(1) Në qoftë se nuk parashikohet ndryshe me ligj, keqbërësi nuk është përgjegjës për shkaktimin e dëmit në qoftë se keqbërësi vërteton që ai ose ajo nuk është fajtor [süüdi] për shkaktimin e dëmit.
(2) Situata, mosha, arsimi, njohuritë, aftësitë dhe karakteristika të tjera personale të një personi merren parasysh gjatë vlerësimit të fajësisë [süü] së personit për qëllime të këtij Kapitulli.
(3) Në qoftë se disa persona janë përgjegjës për kompensimin e dëmit dhe, sipas ligjit, një ose më shumë prej tyre janë përgjegjës për kompensimin e dëmit të shkaktuar në mënyrë të paligjshme pavarësisht nëse ata janë fajtorë apo jo, gabueshmëria e sjelljes së tyre dhe forma e fajësisë të personave përgjegjës për kompensimin e dëmit merret në konsideratë gjatë ndarjes mes tyre të detyrimit për kompensimin e dëmit."
Seksioni 1055 – Ndalimi i veprimeve dëmtuese
“(1) Në qoftë se dëmi shkaktohet në mënyrë të vazhdueshme ose bëhen kërcënime që do të shkaktohen dëme të paligjshme, viktima ose personi i cili kërcënohet ka të drejtë të kërkojë ndalimin e kësaj sjelljeje që shkakton dëmin ose të kërcënimeve për sjelle të tillë. Në rast lëndimi trupor, dëmi ndaj shëndetit ose shkeljes së paprekshmërisë së jetës personale ose të çdo të drejte të individit, mund të kërkohet, inter alia, që keqbërësit t’i ndalohet afrimi tek të tjerët (urdhër largimi), që të rregullohet banimi ose komunikimi, ose që të zbatohen masa të tjera të ngjashme.
(2) E drejta për të kërkuar ndalimin e sjelljes që shkakton dëme siç specifikohet nga nënseksioni (1) i këtij seksioni nuk zbatohet në qoftë se është e arsyeshme të pritet që një sjellje e tillë mund të tolerohet në kushtet e bashkekzistencës njerëzore ose në kuadër të një interesi të rëndësishëm publik. Në raste të tilla, viktima ka të drejtë të bëjë kërkesë për kompensim të dëmit të shkaktuar në mënyrë të paligjshme.
...”
39. Ligji për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit (Infoühiskonna teenuse seadus) parashikon si vijon:
Seksioni 8 – Përgjegjësia e kufizuar në rastin e transmetimit të thjeshtë të informacionit dhe ofrimi i qasjes një rrjeti publik të komunikimit të të dhënave
“(1) Kur ofrohet një shërbim që ka të bëjë thjesht me transmetimin në një rrjet publik komunikimi të dhënash të informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, ose me ofrimin e qasjes një rrjeti publik komunikimi të dhënash, ofruesi i shërbimit nuk mbahet përgjegjës për informacionin e transmetuar, me kusht që ofruesi:
1. të mos e nisë transmetimin;
2. të mos i zgjedhë pranuesit e transmetimit; dhe
3. të mos përzgjedhë ose modifikojë informacionin e përmbajtur në transmetim.
(2) Veprimet e transmetimit dhe ofrimit të qasjes brenda kuptimit të nënseksionit 1 të këtij seksioni përfshijnë ruajtjen automatike, të ndërmjetme dhe të përkohshme të informacionit të transmetuar, për sa kohë që kjo ndodh me qëllimin e vetëm të realizimit të transmetimit në rrjetin publik të komunikimit të të dhënave, dhe me kusht që informacioni të mos ruhet për një periudhë më të gjatë nga ç’është arsyeshëm e nevojshme për transmetim."
Seksioni 9 – Përgjegjësia e kufizuar në rastin e ruajtjes së përkohshme të informacionit në memorien cache
“(1) Kur ofrohet një shërbim që përbëhet nga transmetimi në një rrjet publik komunikimi të dhënash të informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, ofruesi i shërbimit nuk mban përgjegjësi për ruajtjen automatike, të ndërmjetme dhe të përkohshme të atij informacioni në qoftë se metoda e transmetimit në fjalë kërkon chaching për arsye teknike dhe chaching kryhet për qëllimin e vetëm të bërjes më efikas të transmetimit të mëtejshëm të informacionit drejt pranuesve të tjerë të shërbimit me kërkesë të tyre, me kusht që:
1. ofruesi të mos e modifikojë informacionin;
2. ofruesi të veprojë në përputhje me kushtet e qasjes në informacion;
3. ofruesi të veprojë në përputhje me rregullat lidhur me përditësimin e informacionit, të specifikuara në një mënyrë e cila njihet dhe përdoret gjerësisht në atë industri;
4. ofruesi të mos ndërhyjë tek përdorimi i paligjshëm i teknologjisë që njihet dhe përdoret gjerësisht nga industria për të marrë të dhëna mbi përdorimin e informacionit;
5. ofruesi të veprojë me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar qasjen në informacionin që ka ruajtur pas marrjes së njohurive aktuale në lidhje me faktin që informacioni në burimin fillestar të transmetimit është hequr nga rrjeti, ose qasja ndaj tij është çaktivizuar, ose që një autoritet gjykate, policie ose Shteti e ka urdhëruar një heqje të tillë."
Seksioni 10 – Përgjegjësia e kufizuar në rastin e ofrimit të një shërbimi të ruajtjes së informacionit
“(1) Kur ofrohet një shërbim që përbëhet nga ruajtja e informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, ofruesi i shërbimit nuk mban përgjegjësi për informacionin e ruajtur me kërkesë të pranuesit të shërbimit, me kusht që:
1. ofruesi të mos ketë njohuri faktike rreth përmbajtjes së informacionit dhe, për sa u përket pretendimeve për dëmshpërblim, nuk është në dijeni të fakteve ose rrethanave nga të cilat është i dukshëm aktiviteti ose informacioni i paligjshëm;
2. ofruesi, sapo të marrë njohuri ose dijeni mbi faktet e specifikuara në kryeradhën 1 të këtij nënseksioni, të veprojë me shpejtësi për të hequr ose për të çaktivizuar qasjen në informacion.
(2) Nënseksioni 1 i këtij seksioni nuk zbatohet kur pranuesi i shërbimit vepron nën autoritetin ose kontrollin e ofruesit."
Seksioni 11 – Mos detyrimi për monitorim
“(1) Një ofrues shërbimi i specifikuar në seksionet 8 deri në 10 të këtij Ligji nuk është i detyruar të monitorojë informacionin sapo ky i fundit të jetë transmetuar ose sapo të jetë ofruar qasja në të, sapo ky të jetë ruajtur në memorien cache ose sapo të jetë ruajtur me kërkesë të pranuesit të shërbimit, dhe ofruesi i shërbimit nuk është i detyruar të kërkojë në mënyrë aktive informacione ose rrethana që tregojnë aktivitet të paligjshëm.
(2) Dispozitat e nënseksionit 1 të këtij seksioni nuk e kufizojnë të drejtën e një zyrtari që ushtron mbikëqyrje për të kërkuar zbulimin e këtij informacioni nga një ofrues shërbimi.
(3) Ofruesve të shërbimit u kërkohet të informojnë menjëherë autoritetet mbikëqyrëse rreth aktiviteteve të ndërmarra që pretendohen të jenë të paligjshme ose rreth informacionit të ofruar nga pranuesit e shërbimeve të tyre specifikuar në seksionet 8 deri në 10 të këtij Ligji, dhe për t’u komunikuar autoriteteve kompetente informacione që mundësojnë identifikimin e pranuesve të shërbimit të tyre me të cilët kanë marrëveshje për ruajtje.
...”
40. Nenet 244 et seq. të Kodit të Procedurës Civile (Tsiviilkohtumenetluse seadustik) parashikojnë marrjen para-gjyqësore të provave (eeltõendamismenetlus) – një procedurë në të cilën provat mund të merren madje para se të kenë nisur procedurat gjyqësore nëse mund të prezumohet se provat mund të humbasin ose që shfrytëzimi i provave më vonë mund të hasë në vështirësi.
41. Në një vendim të datës 21 dhjetor 2005 (çështja nr. 3-2-1-95-05) Gjykata Supreme gjeti që, për qëllime të seksionit 1047 të Ligjit të Detyrimeve, zbulimi (avaldamine) nënkuptonte zbulimin e informacionit drejt palëve të treta. Një person që i transmetonte informacione një publikuesi medial (meediaväljaanne) mund të konsiderohej zbulues (avaldaja) edhe në qoftë se ai ose ajo nuk ka qenë publikues/e i/e artikullit (ajaleheartikli avaldaja) në fjalë. Gjykata Supreme ka përsëritur të njëjtin qëndrim në vendimet e saj të mëvonshme, për shembull në një vendim të datës 21 dhjetor 2010 (çështja nr. 3‑2‑1-67-10).
42. Në disa çështje vendase janë ngritur padi për shpifje kundër disa të paditurve, përfshirë, për shembull, publikuesit të një gazete dhe autorit të një artikulli (vendimi i Gjykatës Supreme i 7 majit 1998 në çështjen nr. 3-2-1-61-98), një publikues gazete dhe një i intervistuar (vendimi i Gjykatës Supreme i datës 1 dhjetor 1997 në çështjen nr. 3-2-1-99-97), dhe vetëm kundër një publikuesi të një gazete (vendimi i Gjykatës Supreme i datës 30 tetor 2007 në çështjen nr. 3-2-1-53-07).
43. Pas vendimit të Gjykatës Supreme të datës 10 qershor 2009 në çështjen që i dha shkas çështjes aktuale para Gjykatës (çështja nr. 3-2-1-43-09), disa gjykata më të ulëta e kanë zgjidhur çështjen e përgjegjësisë në lidhje me komentet rreth artikujve online në mënyrë të ngjashme. Kështu, në një vendim të 21 shkurtit 2012 Gjykata e Apelit e Tallinn (çështja nr. 2‑08‑76058) mbështeti një vendim të një gjykate më të ulët në lidhje me pretendimin e një personi për shpifje ndaj tij kundër publikuesit të një gazete. Publikuesi u gjet përgjegjës për komente shpifëse online të postuara nga lexuesit e pjesës së komenteve online të gazetës. Gjykatat gjetën që publikuesi ishte një ofrues shërbimi përmbajtjeje. Ato e refuzuan kërkesën e publikuesit për vendim paraprak nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (CJEU), duke gjetur që ishte e dukshme që i padituri nuk i përmbushte kriteret për të qenë ofrues pasiv i shërbimeve siç është interpretuar më parë nga CJEU dhe Gjykata Supreme dhe që rregullat përkatëse ishin mjaft të qarta. Prandaj, nuk kishte nevojë për udhëzime të reja nga CJEU. Gjykatat gjithashtu shënuan që në pajtim me vendimin e 23 marsit 2003 të CJEU (Çështjet e Bashkuara C‑236/08 deri në C‑238/08 Google France dhe Google [2010] ECR I‑2417) u takonte gjykatave kombëtare të vlerësonin nëse roli i luajtur nga një ofrues shërbimi ishte asnjanës, në kuptimin që sjellja e tij ishte thjesht teknike, automatike dhe pasive, çka tregonte mungesën e dijenisë për ose të kontrollit mbi të dhënat që ai ruante. Gjykatat konsideruan që puna nuk qëndronte kështu në çështjen që ato kishin përpara. Meqenëse publikuesi tashmë i kishte fshirë komentet shpifëse deri në kohën e shpalljes së vendimit, nuk u mor vendim në lidhje me atë pikë; pretendimi i paditësit për dëme jo materiale u rrëzua. Një vendim i ngjashëm u mor nga Gjykata e Apelit e Tallinn më 27 qershor 2013 (çështja nr. 2-10-46710). Edhe në atë rast, portali i lajmeve në internet u mbajt përgjegjës për komente shpifëse të postuara nga lexuesit dhe pretendimi i paditësit për dëme jo materiale u rrëzua.
III. INSTRUMENTET NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Dokumentet e Këshillit të Evropës
44. Më 28 maj 2003, në takimin e 840-të të Zëvendësve të Ministrave, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës miratoi një Deklaratë mbi lirinë e komunikimit në internet. Në pjesët përkatëse të Deklaratës thuhet si vijon:
“Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës,
...
Të bindura gjithashtu që është e nevojshme të kufizohet përgjegjësia e ofruesve të shërbimeve kur ato veprojnë thjesht si transmetues, ose kur ato, në mirëbesim, ofrojnë qasje ndaj, ose pranojnë, përmbajtje nga palë të treta;
Duke kujtuar në lidhje me këtë Direktivën 2000/31/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 8 qershorit 2000 në lidhje me disa aspekte të caktuara të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, në mënyrë të veçantë tregtinë elektronike, në Tregun e Brendshëm (Direktiva mbi tregtinë elektronike);
Duke theksuar që liria e komunikimit në internet nuk duhet të paragjykojë dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve, posaçërisht të të miturve;
Duke konsideruar që duhet të gjendet një ekuilibër mes respektimit të vullnetit të përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre dhe nevojshmërinë që autoritetet ligjzbatuese të gjurmojnë përgjegjësit e veprave penale;
...
Deklarojnë që synojnë t’u përmbahen parimeve të mëposhtme në fushën e komunikimit në internet:
Parimi 1: Rregullat e përmbajtjes për internetin
Shtetet anëtare nuk duhet ta nënshtrojnë përmbajtjen në internet ndaj kufizimeve të cilat shkojnë më larg se ato që zbatohen në mjetet e tjera të bartjes së përmbajtjes.
...
Parimi 3: Mungesa e kontrollit të mëparshëm shtetëror
Autoritetet publike nuk duhet që, përmes masave të përgjithshme të bllokimit ose filtrimit, të mohojnë qasjen e publikut ndaj informacionit dhe komunikimeve të tjera në internet, pavarësisht nga kufijtë. Kjo nuk ndalon instalimin e filtrave për mbrojtjen e të miturve, posaçërisht në vende ku ata mund të kenë qasje, siç janë shkollat ose bibliotekat.
Në qoftë se respektohen mbrojtjet e Nenit 10, paragrafi 2, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, mund të merren masa për të zbatuar heqjen e përmbajtjes qartazi të identifikueshme në internet ose, përndryshe, bllokimi i qasjes në të, në qoftë se autoritetet kompetente kombëtare kanë marrë një vendim të përkohshëm ose të përhershëm mbi paligjshmërinë e saj.
...
Parimi 6: Përgjegjësia e kufizuar e ofruesve të shërbimeve për përmbajtjen në internet
Shtetet anëtare nuk duhet të caktojnë mbi ofruesit e shërbimeve një detyrim të përgjithshëm për të monitoruar përmbajtjen në internet ndaj së cilës ato ofrojnë qasje, të cilën ato e transmetojnë ose e ruajnë, e as për të kërkuar në mënyrë aktive fakte ose rrethana që tregojnë aktivitete të paligjshme.
Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve të mos mbahen përgjegjës për përmbajtjen në internet kur funksioni i tyre është i kufizuar, siç përkufizohet nga e drejta kombëtare, me transmetimin e informacionit ose me dhënien e qasjes në internet.
Në rastet kur funksionet e ofruesve të shërbimeve janë më të gjera dhe ata ruajnë përmbajtje që vjen nga palë të tjera, shtetet anëtare mund t’i mbajnë ata bashkëpërgjegjës në qoftë se ata nuk veprojnë me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar qasjen ndaj informacionit ose shërbimeve sapo të vihen në dijeni, siç përkufizohet nga e drejta kombëtare, për natyrën e paligjshme ose, në rast kërkese për dëmshpërblim, për faktet ose rrethanat që tregojnë paligjshmërinë e aktivitetit ose informacionit.
Gjatë përcaktimit sipas të drejtës kombëtare të detyrimeve të ofruesve të shërbimeve siç përcaktohet në paragrafin e mëparshëm, duhet të tregohet kujdesi i duhur për sa i përket lirisë së shprehjes së atyre që e vënë informacionin në dispozicion fillimisht, si dhe për sa u përket të drejtave korresponduese të përdoruesve të informacionit.
Në të gjitha rastet, kufizimet e lartpërmendura të përgjegjësisë nuk duhet të ndikojnë tek mundësia e lëshimit të urdhrave gjyqësorë aty ku ofruesve të shërbimit u kërkohet të përfundojnë ose të parandalojnë, me aq sa munden, shkeljen e ligjit.
Parimi 7: Anonimiteti
Për të siguruar mbrojtje kundër vëzhgimit online dhe për të shtuar shprehjen e lirë të informacionit dhe ideve, shtetet anëtare duhet të respektojnë vullnetin e përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre. Kjo nuk i ndalon shtetet anëtare nga marrja e masave dhe bashkëpunimi në mënyrë që të gjurmojnë ata që janë përgjegjës për vepra penale, në përputhje me të drejtën kombëtare, me Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare në fushat e drejtësisë dhe policisë."
45. Në Rekomandimin e tij CM/Rec(2007)16 drejtuar Shteteve anëtare në lidhje me masat për promovimin e vlerës së shërbimit publik në internet (miratuar më 7 nëntor 2007), Komiteti i Ministrave shënoi që interneti mundej, nga njëra anë, të shtonte në mënyrë domethënëse ushtrimin e disa të drejtave të caktuara të njeriut dhe lirive themelore njëkohësisht që mundej, nga ana tjetër, të ndikonte negativisht tek këto të drejta si dhe tek të drejta të tjera të tilla. Ai rekomandoi që Shtetet anëtare të hartonin një kornizë të qartë ligjore që përcaktonte kufijtë e roleve dhe përgjegjësive të të gjithë aktorëve kyçë në fushën e informacioneve dhe teknologjive të reja të komunikimit.
46. Rekomandimi CM/Rec(2011)7 i Komitetit të Ministrave për Shtetet anëtare mbi një nocion të ri të mediave (miratuar më 21 shtator 2011) thoshte si vijon:
“...
Komiteti i Ministrave, sipas kushteve të Nenit 15. b të Statutit të Këshillit të Evropës rekomandon që shtetet anëtare:
– të miratojnë një nocion të ri, të gjerë të mediave i cili përfshin të gjithë aktorët e përfshirë në produksionin dhe përhapjen, drejt numrave mundësisht shumë të mëdhenj të njerëzve, të përmbajtjes (për shembull të informacionit, analizave, komenteve, opinioneve, edukimit, kulturës, artit dhe argëtimit në formë teksti, audio, vizuale, audiovizuale ose forma të tjera) dhe aplikacioneve të cilat janë krijuar për të lehtësuar komunikimin ndëraktiv masiv (për shembull rrjetet sociale) ose mjete të tjera të përmbajtjes ndëraktive në shkallë të gjerë (për shembull lojërat online), duke ruajtur (në të gjitha këto raste) kontrollin ose mbikëqyrjen editoriale të përmbajtjes;
– të shqyrtojnë nevojat rregullatore në lidhje me të gjithë aktorët që ofrojnë shërbime ose produkte në ekosistemin medial në mënyrë që të garantohet e drejta e njerëzve për të kërkuar, marrë dhe përcjellë informacione në përputhje me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për t’u ofruar atyre aktorëve mbrojtjet përkatëse kundër ndërhyrjes që përndryshe mund të ketë efekt negativ mbi të drejtat e Nenit 10, përfshirë situatat të cilat rrezikojnë të shpijnë drejt vetkufizimit ose vetcensurës së panevojshme;
– të zbatojnë kriteret e përcaktuara në shtojcën e tij gjatë shqyrtimit të një përgjigjeje të shkallëzuar dhe të diferencuar për aktorët që hyjnë brenda nocionit të ri të medias bazuar mbi standardet përkatëse të Këshillit të Evropës mbi mediat, duke pasur parasysh funksionet e tyre specifike në procesin e mediave dhe ndikimin dhe domethënien e tyre potenciale në garantimin e qeverisjes së mirë në një shoqëri demokratike;
...”
Shtojca e Rekomandimit thotë si vijon, për aq sa është relevante:
“7. Një qasje e diferencuar dhe e shkallëzuar kërkon që secili aktor shërbimet e të cilit identifikohen si media ose si aktivitet ndërmjetës ose ndihmës të përfitojë si nga forma e përshtatshme (e diferencuar) ashtu edhe nga niveli i përshtatshëm (i shkallëzuar) i mbrojtjes dhe që përgjegjësisë po ashtu t’i caktohen kufijtë në përputhje me Nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të tjera përkatëse të vendosura nga Këshilli i Evropës.
...
30. Kontrolli editorial mund të vërtetohet nga vendimet e vetë aktorëve mbi përmbajtjen që do të vihet në dispozicion ose të promovohet, dhe mbi mënyrën se si ajo do të prezantohet ose organizohet. Mediat tradicionale nganjëherë publikojnë politika editoriale të shkruara me hollësi, por ato mund të gjenden shpesh edhe në udhëzimet me shkrim mbi kriteret e përzgjedhjes ose procesimit (për shembull verifikimi ose vleftësimi) i përmbajtjes. Në ambientet e reja të komunikimeve, politikat editoriale mund të ngërthehen në deklaratat e misionit ose në kushtet e përdorimit (të cilat mund të përmbajnë dispozita shumë të hollësishme mbi përmbajtjen), ose mund të shprehen në mënyrë informale si zotime ndaj parimeve të caktuara (për shembull netiquette, motto).
...
32. Procesi editorial mund të përfshijë përdoruesit (për shembull vlerësimi mes kolegëve dhe kërkesat për heqje) ku vendimet përfundimtare merren sipas një procesi të përkufizuar përbrenda dhe duke pasur parasysh kritere të specifikuara (moderimi reagues). Mediat e reja shpesh merren me moderim ex post (që shpesh i referohen si post-moderim) për sa i përket përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit, çka në shikim të parë mund të jetë e paperceptueshme. Proceset editoriale gjithashtu mund të jenë të automatizuara (për shembull në rastin e algoritmeve ex ante që përzgjedhin përmbajtjen ose krahasimit të përmbajtjes me materialin që ka të drejta autoriale).
...
35. Përsëri, duhet të shënohet që nivele të ndryshme të kontrollit editorial shkojnë paralelisht me nivelet e ndryshme të përgjegjësisë editoriale. Nivele të ndryshme të kontrollit editorial ose modaliteteve editoriale (për shembull moderimi ex ante krahasuar me ex post) kërkojnë përgjigje të diferencuara dhe pothuaj me siguri lejojnë më së miri shkallëzimin e përgjigjes.
36. Rrjedhimisht, një ofrues i një shërbimi ndërmjetës ose ndihmës që i kontribon funksionimit ose qasjes në një media por që nuk ushtron vetë – ose nuk do të duhej të ushtronte – kontroll editorial, dhe prandaj ka përgjegjësi të kufizuar editoriale ose nuk ka fare përgjegjësi editoriale, nuk duhet të konsiderohet që është media. Megjithatë, veprimi i saj mund të jetë relevant në kontekst të medias. Sidoqoftë, veprimi i ndërmarrë nga ofruesit e shërbimeve ndërmjetëse ose ndihmëse si rezultat i detyrimeve ligjore (për shembull heqja e përmbajtjes në përputhje me një urdhër gjyqësor) nuk duhet të konsiderohet si kontroll editorial në kuptimin e përmendur më lart).
...
63. Rëndësia e rolit të ndërmjetësve duhet të nënvizohet. Ata ofrojnë mjete ose kanale alternative dhe plotësuese për përhapjen e përmbajtjes mediale, duke zgjeruar kështu shtrirjen dhe duke shtuar efektivitetin në arritjen nga mediat të qëllimeve dhe objektivave të tyre. Në një treg konkurrues të ndërmjetësve dhe ndihmësve, ato mund ta ulin konsiderueshëm rrezikun e ndërhyrjeve nga autoritetet. Megjithatë, duke pasur parasysh shkallën deri ku mediat duhet të mbështeten tek ato në ekosistemin e ri, ekziston gjithashtu rreziku i censurimit me anë të ndërmjetësve dhe ndihmësve. Disa situata të caktuara gjithashtu mund të përbëjnë rrezik për censurim privat (përmes ndërmjetësve dhe ndihmësve për sa i përket mediave të cilave u ofrojnë shërbimet ose përmbajtjen që kanë)."
47. Më 16 prill 2014 u miratua Rekomandimi CM/Rec(2014)6 i Komitetit të Ministrave drejtuar Shteteve anëtare mbi Udhërrëfyesin për të drejtat e njeriut të përdoruesve të internetit. Pjesa relevante e Udhërrëfyesit thotë si vijon:
Liria e shprehjes dhe informacionit
“Ju keni të drejtë të kërkoni, të merrni dhe të përcillni informacione dhe ide të zgjedhura prej jush, pa ndërhyrje dhe pavarësisht nga kufijtë. Kjo do të thotë që:
1. ju keni lirinë të shpreheni online dhe të keni qasje në informacionet dhe opinionet dhe shprehjet e të tjerëve. Kjo përfshin fjalimet politike, pikëpamjet mbi fenë, opinionet dhe shprehjet që pranohen pozitivisht ose që shihen si jo ofenduese, por gjithashtu edhe ato që mund të ofendojnë, shokojnë ose shqetësojnë të tjerët. Ju duhet të merrni parasysh siç duhet reputacionin ose të drejtat e të tjerëve, përfshirë edhe të drejtën e tyre për privatësi;
2. mund të ketë kufizime për shprehjet të cilat nxisin diskriminim, urrejtje ose dhunë. Këto kufizime duhet të jenë të ligjshme, të hartuara në mënyrë të thukët dhe duhet të zbatohen nën mbikëqyrjen e gjykatës;
...
6. ju mund të zgjidhni që të mos zbuloni identitetin tuaj online, për shembull duke përdorur pseudonim. Megjithatë, duhet të keni parasysh që mund të merren masa, nga autoritetet kombëtare, të cilat mund të shpiejnë drejt zbulimit të identitetit tuaj."
B. Dokumente të tjera ndërkombëtare
48. Raportuesi i Posaçëm i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtës për lirinë e mendimit dhe shprehjes deklaroi si vijon në raportin e tij të 16 majit 2011 para Këshillit të të Drejtave të Njeriut (A/HRC/17/27):
“25. Si të tilla, llojet legjitime të informacioneve të cilat mund të kufizohen përfshijnë pornografinë e fëmijëve (për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve), gjuhën e urrejtjes (për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve të prekura), shpifjet (për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin e të tjerëve nga sulmet e pajustifikuara), nxitjen e drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer gjenocid (për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve), dhe përkrahjen e urrejtjes kombëtare, racore ose fetare që përbën nxitje për diskriminim, luftime ose dhunë (për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, siç është e drejta për jetën).
...
27. Përveç kësaj, Raportuesi i Posaçëm thekson që për shkak të karakteristikave unike të internetit, rregulloret ose kufizimet të cilat mund të vlerësohen legjitime dhe proporcionale për mediat tradicionale shpeshherë nuk janë të tilla kur vjen puna tek interneti. Për shembull, në rastet e shpifjeve ndaj reputacionit të individëve, duke pasur parasysh mundësinë e individit në fjalë për të ushtruar të drejtën e tij/saj për t’u përgjigjur në çast për të rregulluar dëmin e shkaktuar, llojet e sanksioneve që zbatohen për shpifjet offline mund të jenë të panevojshme ose jo proporcionale. ...
...
43. Raportuesi i Posaçëm beson se masat e censurimit nuk duhet të delegohen asnjëherë tek një entitet privat, dhe që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për përmbajtje në internet autor i së cilës nuk është ai/ajo vetë. Në fakt, asnjë Shtet nuk duhet të përdorë ose të detyrojë ndërmjetësit që të ndërmarrin censurime në emër të tij....
...
74. Ndërmjetësit luajnë një rol themelor në mundësimin e përdoruesve të internetit që të gëzojnë të drejtën e tyre të shprehjes dhe qasjen në informacion. Duke pasur parasysh ndikimin e tyre të pa precedent mbi atë që qarkullon nëpër internet dhe mënyrën se si qarkullon, Shtetet kanë kërkuar gjithmonë e më shumë që të ushtrojnë kontroll mbi ta dhe t’i mbajnë ata ligjërisht përgjegjës për dështimin e parandalimit të qasjes së përmbajtjes që konsiderohet e paligjshme."
49. Një Deklaratë e Përbashkët nga Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave dhe Raportuesi i Posaçëm i OAS për Lirinë e Shprehjes, e miratuar më 21 dhjetor 2005, deklaronte si vijon:
“Askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për përmbajtje në internet autor i së cilës nuk është ai/ajo vetë, përveç rastit kur ai/ajo e cilëson atë përmbajtje si të vetën ose kur refuzon t’i bindet një urdhri të gjykatës për ta hequr atë përmbajtje."
IV. MATERIALET PËRKATËSE TË BASHKIMIT EVROPIAN DHE TË SË DREJTËS KRAHASUESE
A. Instrumentet dhe praktika gjyqësore e Bashkimit Evropian
1. Direktiva 2000/31/EC
50. Pjesët relevante të Direktivës 2000/31/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 8 qershor 2000 në lidhje me aspekte të caktuara ligjore të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, posaçërisht tregtinë elektronike, në Tregun e Brendshëm (Direktiva për tregtinë elektronike) parashikon si më poshtë:
“(9) Lëvizja e lirë e shërbimeve të shoqërisë së informacionit në shumë raste mund të jetë pasqyrim i veçantë në të drejtën e Komuniteteve i një parimi më të përgjithshëm, pra i lirisë së shprehjes siç mishërohet në Nenin 10(1) të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, e cila është ratifikuar nga të gjitha Shtetet Anëtare; për këtë arsye, direktivat që kanë të bëjnë me furnizimin e shërbimeve të shoqërive të informacionit duhet të sigurohen që ky aktivitet të mund të zhvillohet lirisht nën dritën e atij Neni, duke iu nënshtruar vetëm kufizimeve të përcaktuara në paragrafin 2 të atij Neni dhe në Nenin 46(1) të Paktit; kjo Direktivë nuk synon të ndikojë tek rregullat dhe parimet kombëtare në lidhje me lirinë e shprehjes.
...
(42) Përjashtimet nga përgjegjësia e përcaktuar në këtë Direktivë mbulojnë vetëm rastet kur aktiviteti nga ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit kufizohet brenda procesit teknik të operimit dhe dhënies qasje një rrjeti komunikimesh përmes të cilit informacionet e vëna në dispozicion nga palë të treta transmetohen ose ruhen përkohësisht, me qëllimin e vetëm të bërjes më efikas të transmetimit; ky aktivitet është i një natyre thjesht teknike, automatike dhe pasive, çka nënkupton se ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit nuk ka as dijeni për e as kontroll mbi informacionin që transmetohet ose ruhet.
(43) Një ofrues shërbimi mund të përfitojë nga përjashtimet për ‘mere conduit’ dhe për ‘caching’ kur ai nuk është i përfshirë në asnjë mënyrë në informacionin e transmetuar; kjo kërkon mes të tjerash që ai të mos e modifikojë informacionin që transmeton; kjo kërkesë nuk mbulon manipulimet e natyrës teknike të cilat ndodhin gjatë transmetimit sepse ato nuk e ndryshojnë integritetin e informacionit të përmbajtur në transmetim.
(44) Një ofrues shërbimi që me dashje bashkëpunon me një prej pranuesve të shërbimit të tij në mënyrë që të ndërmarrë akte të paligjshme shkon përtej aktiviteteve të ‘mere conduit’ ose ‘caching’ dhe si rezultat nuk mund të përfitojnë nga përjashtimet prej përgjegjësisë të parashikuara për këto aktivitete.
(45) Kufizimet e përgjegjësisë për ofruesit e shërbimeve të ndërmjetme të përcaktuara në këtë Direktivë nuk ndikojnë tek mundësia e vendimeve gjyqësore të llojeve të ndryshme; vendime gjyqësore të tilla në mënyrë të veçantë mund të përbëhen nga urdhra nga gjykata ose autoritete administrative që kërkojnë përfundimin ose parandalimin e çdo shkeljeje, përfshirë heqjen e informacionit të paligjshëm ose çaktivizimin e qasjes në të.
(46) Në mënyrë që të përfitojë nga kufizimi i një përgjegjësie, ofruesi i një shërbimi të shoqërisë së informacionit, që përbëhet nga ruajtja e informacionit, pas marrjes së njohurisë ose vënies në dijeni faktike rreth aktiviteteve të paligjshme duhet të veprojë me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar qasjen ndaj informacionit në fjalë; heqja ose çaktivizimi i qasjes duhet të ndërmerret duke respektuar parimin e lirisë së shprehjes dhe procedurat e vendosura për këtë qëllim në nivel kombëtar; kjo Direktivë nuk ndikon tek mundësia e Shteteve Anëtare për të vendosur kërkesa të tilla të cilat duhet të plotësohen menjëherë para heqjes ose çaktivizimit të informacionit.
(47) Shtetet Anëtare e kanë të ndaluar të vendosin detyrim monitorues mbi ofruesit e shërbimeve vetëm për sa u përket detyrimeve të natyrës së përgjithshme; kjo nuk ka të bëjë me detyrimet monitoruese në një rast specifik dhe, në mënyrë të veçantë, nuk ndikon tek urdhrat e autoriteteve kombëtare në përputhje me legjislacionin kombëtar.
(48) Kjo Direktivë nuk ndikon tek mundësia që Shtetet Anëtare t’u kërkojnë ofruesve të shërbimeve, të cilët mbajnë informacione të ofruara nga pranuesit e shërbimit të tyre, që të zbatojnë detyrat e përkujdesjes, në mënyrë që të pikasin dhe të parandalojnë disa lloje të caktuara të aktiviteteve të paligjshme.
...
Neni 1 – Objektivi dhe fushëveprimi
1. Kjo Direktivë synon të kontribojë në funksionimin e tregut të brendshëm duke siguruar lëvizjen e lirë të shërbimeve të shoqërisë së informacionit mes Shteteve Anëtare.
...
Neni 2 – Përkufizimet
Për qëllime të kësaj Direktive, termat e mëposhtme kanë kuptimet në vijim:
(a) ’shërbimet e shoqërisë së informacionit’: shërbime brenda kuptimit të Nenit 1(2) të Direktivës 98/34/EC e ndryshuar nga Direktiva 98/48/EC;
(b) ’ofrues shërbimi’: çdo person fizik ose ligjor që ofron shërbime të shoqërisë së informacionit;
(c) ’ofrues i vendosur shërbimi’: ofrues shërbimi që efektivisht vijon një aktivitet ekonomik duke përdorur një strukturë të caktuar për një periudhë të pacaktuar. Prania dhe përdorimi i teknologjisë dhe mjeteve teknike të kërkuara për të ofruar shërbimin, në vetvete, nuk përbëjnë strukturë të ofruesit;
...
Seksioni 4: Përgjegjësia e ofruesve të ndërmjetëm të shërbimit
Neni 12 – “Mere conduit”
1. Kur ofrohet një shërbim i shoqërisë së informacionit i cili përbëhet nga një rrjet komunikimi të informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, ose ofrimi i qasjes në një rrjet komunikimesh, Shtetet Anëtare sigurojnë që ofruesi i shërbimit të mos mbahet përgjegjës për informacionin e transmetuar, me kusht që ofruesi:
(a) të mos e nisë transmetimin;
(b) të mos përzgjedhë pranuesin e transmetimit; dhe
(c) të mos zgjedhë ose modifikojë informacionin e përmbajtur në transmetim.
2. Aktet e transmetimit dhe ofrimit të qasjes të referuara në paragrafin 1 përfshijnë ruajtjen automatike, të ndërmjetme dhe të përkohshme të informacionit të transmetuar për sa kohë që kjo ndodh me qëllimin e vetëm të zhvillimit të transmetimit në rrjetin e komunikimit, dhe me kusht që informacioni të mos ruhet për një periudhë më të gjatë sesa është me arsye e nevojshme për transmetimin.
3. Ky Nen nuk ndikon në mundësinë e një gjykate ose autoriteti administrativ, në përputhje me sistemet ligjore të Shteteve Anëtare, për t’i kërkuar ofruesit të shërbimit që t’i japë fund ose të parandalojë një shkelje.
Neni 13 – “Caching”
1. Kur ofrohet një shërbim i shoqërisë së informacionit që përbëhet nga transmetimi në një rrjet komunikimi i informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë që ofruesi i informacionit të mos jetë përgjegjës për ruajtjen automatike, të ndërmjetme dhe të përkohshme të atij informacioni, të zhvilluar për qëllimin e vetëm të bërjes më efikas të transmetimit të mëtejshëm të informacionit drejt marrësve të tjerë të shërbimit me kërkesë të tyre, me kusht që:
(a) ofruesi të mos e modifikojë informacionin;
(b) ofruesi të veprojë në përputhje me kushtet për qasjen ndaj informacionit;
(c) ofruesi të veprojë në përputhje me rregullat që kanë të bëjnë me përditësimin e informacionit, të specifikuara në një mënyrë gjerësisht të njohur dhe të përdorur në atë industri;
(d) ofruesi të mos ndërhyjë tek përdorimi i ligjshëm i teknologjisë, gjerësisht të njohur dhe të përdorur nga industria, për të marrë të dhëna rreth përdorimit të informacionit; dhe
(e) ofruesi të veprojë me shpejtësi për të hequr ose për të çaktivizuar qasjen në informacionin që ka ruajtur pas marrjes së njohurive konkrete rreth faktit që informacioni në burimin fillestar të transmetimit është hequr nga rrjeti, ose që qasja ndaj tij është çaktivizuar, ose që një gjykatë apo një autoritet administrativ ka urdhëruar një heqje ose çaktivizim të tillë;
2. Ky Nen nuk do të ndikojë tek mundësia që një gjykatë ose autoritet administrativ, në përputhje me sistemet ligjore të Shteteve Anëtare, t’i kërkojë ofruesit të shërbimit që t’i japë fund ose ta parandalojë një shkelje.
Neni 14 – Hosting
1. Kur ofrohet një shërbim shoqërie informacioni që përbëhet nga ruajtja e informacionit të ofruar nga një pranues i shërbimit, Shtetet Anëtare duhet të sigurohen që ofruesi i shërbimit të mos mbahet përgjegjës për informacionin e ruajtur me kërkesë të pranuesit të shërbimit, me kusht që:
(a) ofruesi të mos ketë njohuri faktike për aktivitetin ose informacionin e paligjshëm dhe, për sa u përket pretendimeve për dëmshpërblim, të mos jetë në dijeni të fakteve ose rrethanave nga të cilat aktiviteti ose informacioni i paligjshëm është i dukshëm; ose
(b) ofruesi, me të marrë vesh ose me t’u vënë në dijeni për këtë, të veprojë me shpejtësi për të hequr ose për të çaktivizuar qasjen në informacion.
2. Paragrafi 1 nuk zbatohet kur pranuesi i shërbimit vepron nën autoritetin ose kontrollin e ofruesit.
3. Ky Nen nuk ndikon tek mundësia që një gjykatë ose autoritet administrativ, në përputhje me sistemet ligjore të Shteteve Anëtare, të kërkojë që ofruesi i shërbimit t’i japë fund ose të parandalojë një shkelje, as nuk ndikon tek mundësia e Shteteve Anëtare për të ngritur procedura për heqjen ose çaktivizimin e qasjes në informacion.
Neni 15 – Mos detyrimi i përgjithshëm për monitorim
1. Shtetet Anëtare nuk caktojnë detyrim të përgjithshëm mbi ofruesit, gjatë ofrimit të shërbimeve të mbuluara nga Nenet 12, 13 dhe 14, për të monitoruar informacionin që transmetojnë ose ruajnë, as ndonjë detyrim të përgjithshëm për të kërkuar fakte ose rrethana që tregojnë aktivitete të paligjshme.
2. Shtetet Anëtare mund të caktojnë detyrime për ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit që të informojnë menjëherë autoritetet kompetente publike rreth aktiviteteve të pretenduara ilegale të ndërmarra ose rreth informacionit të dhënë nga pranuesit e shërbimeve të tyre ose detyrime për t’u komunikuar autoriteteve kompetente, me kërkesë të tyre, informacione që mundësojnë identifikimin e pranuesve të shërbimeve të tyre me të cilët kanë marrëveshje ruajtjeje."
2. Direktiva 98/34/EC e ndryshuar sipas Direktivës 98/48/EC
51. Direktiva 98/34/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 22 qershorit 1998 që parashtron procedurën për ofrimin e informacionit në fushën e standardeve dhe rregulloreve teknike dhe rregullave mbi shërbimet e Shoqërisë së Informacionit, e ndryshuar nga Direktiva 98/48/EC, parashikon si vijon:
Neni 1
“Për qëllime të kësaj Direktive, termat e mëposhtme do të kenë këto kuptime ...
2. ’shërbim’, çdo shërbim i Shoqërisë së Informacionit, që do të thotë çdo shërbim që normalisht ofrohet me pagesë, në distancë, me anë të mjeteve elektronike dhe me kërkesë individuale të një pranuesi të shërbimeve.
Për qëllime të këtij përkufizimi:
– ’në distancë’ nënkupton që shërbimi ofrohet pa praninë e njëkohshme të palëve,
– ’me anë të mjeteve elektronike’ nënkupton që shërbimi niset fillimisht dhe pranohet në destinacionin e vet me anë të pajisjeve elektronike për përpunimin (përfshirë kompresimin dixhital) dhe ruajtjen e të dhënave, dhe e tëra transmetohet, përcillet dhe pranohet përmes telegrafit, përmes radios, përmes mjeteve optike ose përmes mjeteve të tjera elektromagnetike,
– ’me kërkesë individuale të pranuesit të shërbimeve’ nënkupton që shërbimi ofrohet përmes transmetimit të të dhënave sipas kërkesave individuale.
Një listë indikative e shërbimeve që nuk mbulohen nga ky përkufizim ndodhet në Shtojcën V.
Kjo Direktivë nuk zbatohet ndaj:
– shërbimeve të transmetimit radiofonik,
– shërbimeve të transmetimit televiziv të mbuluara nga pika (a) e Nenit 1 të Direktivës 89/552/EEC.”
3. Praktika gjyqësore e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian
52. Në një vendim të 23 marsit 2010 (Çështjet e Bashkuara C‑236/08 deri në C‑238/08 Google France dhe Google) CJEU konsideroi se në mënyrë që të përcaktonte nëse përgjegjësia e një ofruesi të referuar shërbimesh mund të kufizohej sipas Nenit 14 të Direktivës 2000/31/EC, ishte e nevojshme të shqyrtohej nëse roli i luajtur nga ai ofrues shërbimesh ishte asnjanës, në kuptimin që sjellja e tij ishte thjesht teknike, automatike dhe pasive, e tillë që tregonte mungesë dijenie ose kontrolli mbi të dhënat që ruante. Neni 14 i Direktivës për Tregtinë Elektronike duhet të interpretohej si i tillë që nënkuptonte se rregulla e caktuar në të zbatohej ndaj një ofruesi shërbimesh referuese të internetit në rast se ofruesi i shërbimit nuk kishte luajtur rol aktiv të një lloji të atillë që t’i jepte atij dijeni për dhe kontroll mbi të dhënat e ruajtura. Sikur të mos kishte luajtur një rol të tillë, ai ofrues shërbimesh nuk mund të mbahej përgjegjës për të dhënat që kishte ruajtur me kërkesë të një reklamuesi, vetëm në qoftë se, pas marrjes së njohurive rreth natyrës së paligjshme të atyre të dhënave ose të aktiviteteve të atij reklamuesi, ai nuk vepronte me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar qasjen tek të dhënat në fjalë.
53. Në një vendim të 12 korrikut 2011 (Çështja C‑324/09 L’Oréal dhe të Tjerë) CJEU vendosi që Neni 14(1) i Direktivës 2000/31/EC duhet të interpretohej si i tillë që zbatohej ndaj një operatori të një tregu online ku ai operator nuk kishte luajtur rol aktiv duke lejuar që të kishte dijeni për ose kontroll mbi të dhënat e ruajtura. Operatori e luante një rol të tillë kur ofronte ndihmesë e cila përfshinte, në mënyrë të veçantë, optimizimin e prezantimit të ofertave konkrete për shitje ose promovimin e tyre. Kur operatori i tregut online nuk kishte luajtur një rol të tillë aktiv dhe shërbimi i ofruar binte, si pasojë, brenda fushëveprimit të Nenit 14(1) të Direktivës 2000/31/EC, operatori sidoqoftë mundte, në një çështje që nuk mund të rezultonte me urdhër për pagesë dëmshpërblimi, që të mbështetej mbi përjashtimin nga përgjegjësia e parashikuar nga ai Nen në qoftë se ai kishte qenë në dijeni të fakteve ose rrethanave mbi bazën e të cilave një operator ekonomik i zellshëm duhet të kishte kuptuar se ofertat konkrete për shitje kishin qenë të paligjshme dhe, në rast se do të ishte i vetëdijshëm për këtë, nuk kishte vepruar me shpejtësi në përputhje me Nenin 14(1)(b) të Direktivës 2000/31/EC.
54. Në një vendim të 24 nëntorit 2011 (Çështja C-70/10 Scarlet e Zgjeruar) CJEU vendosi që nuk mund të merrej një urdhëresë kundër një ofruesi shërbimesh të internetit e cila i kërkonte atij që të instalonte një sistem për filtrimin e të gjitha komunikimeve elektronike që kalonin përmes shërbimeve të tij, posaçërisht ato që kishin të bënin me përdorimin e softuerit nga njëri kompjuter tek tjetri (peer-to-peer), i cili zbatohej pa dallim mes të gjithë klientëve të tij, si masë parandaluese, ekskluzivisht me shpenzime të tija dhe për një periudhë të pakufizuar, dhe i cili ishte të gjendje të identifikonte në rrjetin e atij ofruesi lëvizjen e dokumenteve elektronike që përmbanin materiale muzikore, kinematografike ose audio-pamore në lidhje me të cilat kërkuesi pretendonte se kishte të drejta pronësie intelektuale, me qëllim të bllokimit të transferimit të dokumenteve përhapja e të cilave do të shkelte të drejtat autoriale.
55. Në një vendim të 16 shkurtit 2012 (Çështja C-360/10 SABAM) CJEU vendosi që Direktivat 2000/31/EC, 2001/29/EC dhe 2004/48/EC i ndalonin gjykatat kombëtare nga lëshimi i urdhëresave kundër një ofruesi shërbimesh që i kërkonte të instalonte sistem filtrimi për informacionet e ruajtura në serverët e tij nga përdoruesit e shërbimit, i cili zbatohej pa dallim ndaj të gjithë atyre përdoruesve, si masë parandaluese, ekskluzivisht me shpenzime të tija dhe për një periudhë të pakufizuar, dhe i cili ishte në gjendje të identifikonte dokumente elektronike që përmbanin materiale muzikore, kinematografike ose audiovizuale në lidhje me të cilat kërkuesi i urdhëresës pretendonte se kishte të drejta pronësie intelektuale, me qëllim të pengimit që ato materiale të viheshin në dispozicion të publikut duke shkelur të drejtat autoriale.
56. Në një vendim të 13 majit 2014 (Çështja C-131/12 Google Spain dhe Google) CJEU-së iu kërkua të interpretonte Direktivën 95/46/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 24 tetor 1995 mbi mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe me lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave. Ajo gjeti që aktiviteti i një makinerie kërkimi (search engine) në internet duhet të klasifikohej si "përpunim i të dhënave personale" brenda kuptimit të Direktivës 95/46/EC dhe vendosi që një përpunim i tillë i të dhënave personale, i kryer nga operatori i një makinerie kërkimi, kishte gjasa për të ndikuar në mënyrë domethënëse mbi të drejtat e privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale (garantuar nga Nenet 7 dhe 8 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian) kur kërkimi përmes asaj makinerie zhvillohej mbi bazën e emrit të një individi, meqenëse ai përpunim i mundësonte çdo përdoruesi interneti të merrte përmes listës rezultatet e një përmbledhjeje të strukturuar informacionesh lidhur me atë individ që mund të gjendej në internet e rrjedhimisht të përcaktonte një profil pak a shumë të hollësishëm të tij ose të saj. Për më tepër, efekti i ndërhyrjes tek të drejtat e subjektit të të dhënave bëhej më i lartë për shkak të rolit të rëndësishëm të luajtur nga interneti dhe makineritë e kërkimit në shoqërinë moderne, çka e bënte të kudondodhur informacionin e përmbajtur në një listë të tillë rezultatesh. Duke pasur parasysh seriozitetin e mundshëm të asaj ndërhyrjeje, një gjë e tillë nuk mund të arsyetohej vetëm me interesin ekonomik të operatorit. CJEU konsideroi që duhet të synohej gjetja e një ekuilibri të drejtë mes interesit legjitim të përdoruesve të internetit për të pasur qasje në informacion dhe të drejtave themelore të subjektit të të dhënave. Të drejtat themelore të subjektit të të dhënave, si rregullë e përgjithshme, ishin mbi interesin e përdoruesve të internetit, por, sidoqoftë, ai ekuilibër mund të varej nga natyra e informacionit në fjalë dhe nga fakti se sa i ndjeshëm ishte ai për jetën private të subjektit të të dhënave si dhe nga interesi i publikut tek pasja e atij informacioni. CJEU vendosi që në disa raste operatori i një makinerie kërkimi ishte i detyruar të hiqte nga lista e rezultateve të shfaqura pas një kërkimi të bërë mbi bazën e emrit të një personi vegëza të caktuara që çonin drejt faqeve të tjera të internetit, të publikuara nga palë të treta dhe që përmbanin informacione lidhur me atë person, edhe kur vetë publikimi i tyre vetvetiu në faqet në fjalë ishte i ligjshëm. Kështu ishte veçanërisht aty ku të dhënat dukej se ishin të papërshtatshme, pa vend, ose nuk kishin më lidhje, ose ishin të tepërta në krahasim me qëllimet për të cilat ishin përpunuar dhe duke pasur parasysh edhe kohën që kishte kaluar.
57. Në një vendim të 11 shtatorit 2014 (Çështja C-291/13 Papasavvas) CJEU gjeti që, meqenëse një kompani botuese e gazetave cila postonte një version online të një gazete në faqen e saj të internetit, kishte, në parim, dijeni për informacionin që postonte dhe ushtronte kontroll mbi atë informacion, ajo nuk mund të konsiderohej se ishte "ofrues i ndërmjetëm i shërbimit" brenda kuptimit të Neneve 12 deri në 14 të Direktivës 2000/31/EC, pavarësisht nëse qasja në atë faqe interneti ishte falas apo jo. Kështu, ajo vendosi që kufizimet e përgjegjësisë civile të saktësuara në Nenet 12 deri në 14 të Direktivës 2000/31/EC nuk zbatoheshin në rastin e një kompanie botuese të gazetave e cila operonte një faqe interneti ku postohej versioni online i një gazete, ku ajo kompani për më tepër përfitonte të ardhura të gjeneruara nga reklamat komerciale të postuara në faqen e internetit, meqenëse ajo ishte në dijeni të informacionit të postuar dhe ushtronte kontroll mbi atë informacion, pavarësisht nga fakti nëse qasja në faqen e internetit ishte falas apo jo.
B. Materialet e të drejtës krahasuese
58. Nga informacionet që ka në dispozicion Gjykata, do të dukej se në disa Shtete anëtare të Këshillit të Evropës – që janë gjithashtu Shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Direktiva për Tregtinë Elektronike, e transpozuar brenda të drejtës vendase, përbën burim parësor të ligjit në fushën në fjalë. Njëkohësisht, do të dukej se sa më e madhe të jetë përfshirja e operatorit në përmbajtjen e palëve të treta para publikimit online – pavarësisht nëse bëhej përmes censurimit paraprak, editimit, përzgjedhjes së pranuesve, kërkimit të komenteve mbi një temë të paracaktuar ose pranimit të përmbajtjes si e vetë operatorit – aq më të shumta janë gjasat që operatori të mbahet përgjegjës për përmbajtjen e ndodhur aty. Disa vende kanë miratuar rregullore të mëtejshme që kanë të bëjnë pikërisht me procedurat e mbylljes lidhur me përmbajtje që pretendohen të jenë të dyshimta në internet, dhe dispozita në lidhje me shpërndarjen e përgjegjësisë në këtë kontekst.
E DREJTA
I. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 10 TË KONVENTËS
59. Kompania kërkuese u ankua që të mbajturit e saj përgjegjëse për komentet e postuara nga lexuesit e portalit të saj të lajmeve në internet shkelte lirinë e saj të shprehjes siç parashikohet nga Neni 10 i Konventës, i cili thotë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të kërkojnë licencimin e ndërmarrjeve të transmetimit audio, kinematografik ose televiziv.
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
60. Qeveria e kontestoi atë argument.
A. Vendimi i Dhomës
61. Në vendimin e saj të 10 tetorit 2013 Dhoma shënoi në fillim që pikëpamjet e palëve ndryshonin për sa i përket rolit të kompanisë në çështjen në fjalë. Sipas Qeverisë, kompania kërkuese duhet të konsiderohej zbuluesi i komenteve shpifëse, ndërsa kompania kërkuese ishte e mendimit që bëhej fjalë për lirinë e saj për të përcjellë informacionin e krijuar dhe të publikuar nga palët e treta. Dhoma nuk vazhdoi me përcaktimin e rolit të saktë që i duhej atribuar aktiviteteve të kompanisë kërkuese dhe shënoi që, në thelb, nuk diskutohej mes palëve që vendimet e gjykatave vendase në lidhje me kompaninë kërkuese përbënin ndërhyrje tek liria e saj e shprehjes e garantuar sipas Nenit 10 të Konventës.
62. Për sa i përket ligjshmërisë së ndërhyrjes, Dhoma e refuzoi argumentin e kompanisë kërkuese që ndërhyrja tek liria e saj e shprehjes nuk ishte "e parashikuar me ligj". Dhoma vërejti që gjykatat vendase kishin gjetur që aktivitetet e kompanisë kërkuese nuk hynin brenda fushëveprimit të Direktivës për Tregtinë Elektronike dhe Ligjit për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit. Ajo konsideroi që nuk ishte detyra e saj të zinte vendin e gjykatave vendase dhe që i takonte kryesisht autoriteteve kombëtare, më saktë gjykatave, që të zgjidhnin problemet e interpretimit të legjislacionit vendas. Dhoma më tej u bind që dispozitat përkatëse të së drejtës civile – sado që ishin mjaft të përgjithshme dhe u mungonin hollësitë në krahasim, për shembull, me Ligjin për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit – bashkë me praktikën gjyqësore relevante, e bënin të qartë që një publikues medial ishte përgjegjës për çdo deklaratë shpifëse të bërë në publikimet e saj. Dhoma kishte parasysh faktin që kompania kërkuese ishte një publikues profesionist që operonte një prej portaleve më të mëdha të lajmeve në Estoni, dhe gjithashtu faktin që ndaj komenteve të postuara në hapësirën e komentimeve ishte atribuar njëfarë nami i keq. Në këto rrethana, Dhoma konsideroi që kompania kërkuese kishte qenë në pozicion të vlerësonte rreziqet e lidhura me aktivitetet e saj dhe që ajo duhet të kishte pasur mundësi të parashikonte, në masë të arsyeshme, pasojat që mund të ngërthenin ato.
63. Më tej Dhoma gjeti që kufizimi i lirisë së shprehjes së kompanisë kërkuese kishte synuar qëllimin legjitim të mbrojtjes së reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve. Sipas mendimit të Dhomës, fakti që autorët aktualë të komenteve ishin gjithashtu parimisht përgjegjës nuk e ndryshonte qëllimin legjitim të mbajtjes së kompanisë kërkuese përgjegjëse për dëmet e shkaktuara ndaj reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve.
64. Për sa i përket proporcionalitetit të ndërhyrjes, Dhoma shënoi që nuk kishte diskutim që komentet në fjalë kishin qenë të natyrës shpifëse. Gjatë vlerësimit të proporcionalitetit të ndërhyrjes tek liria e shprehjes së kompanisë kërkuese, Dhoma mori parasysh elementet në vijim. Së pari, ajo shqyrtoi kontekstin e komenteve, së dyti, masat e zbatuara nga kompania kërkuese në mënyrë që të ndalonte ose të hiqte komentet shpifëse, së treti, përgjegjësinë e autorëve aktualë të komenteve si alternativë e përgjegjësisë së kompanisë kërkuese, dhe së katërti, pasojat e procedurave vendase për kompaninë kërkuese.
65. Në mënyrë të veçantë, Dhoma konsideroi që artikulli i lajmeve i publikuar nga kompania kërkuese i cili kishte nxitur komentet shpifëse kishte pasur të bënte me një çështje të interesit publik dhe kompania kërkuese duhet t’i kishte parashikuar reagimet negative dhe duhet të kishte ushtruar njëfarë kujdesi në mënyrë që të shmangte mbajtjen e përgjegjësisë për dëmtimin e reputacionit të të tjerëve. Megjithatë, filtrimi automatik dhe sistemi i pikasjes dhe heqjes të përdorur nga kompania kërkuese nuk kishin siguruar mbrojtje të mjaftueshme për të drejtat e palëve të treta. Për më tepër, publikimi i artikujve të lajmeve dhe bërja e komenteve të lexuesve rreth tyre kishin qenë pjesë e aktiviteteve profesionale të kompanisë kërkuese dhe të ardhurat e saj nga reklamat vareshin nga numri i lexuesve dhe komenteve. Kompania kërkuese kishte pasur mundësi të ushtronte një shkallë substanciale kontrolli mbi komentet e lexuesve dhe ajo kishte qenë në pozitë të atillë që të parashikonte natyrën e komenteve që një artikull i caktuar kishte gjasa të nxiste dhe të merrte masa teknike ose manuale për të parandaluar bërjen publike të deklaratave shpifëse. Më tej, nuk kishte pasur mundësi reale për ngritjen e një padie civile kundër autorëve aktualë të komenteve sepse identiteti i tyre nuk qe e lehtë të përcaktohej. Sidoqoftë, Dhoma nuk qe e bindur që masat që lejonin që një palë e dëmtuar të ngrinte padi kundër vetëm autorëve të komenteve shpifëse do të kishin garantuar mbrojtje efektive të së drejtës së palëve të dëmtuara për respekt të jetës së tyre private. Kishte qenë zgjedhja e kompanisë kërkuese që të lejonte komente nga përdoruesit e paregjistruar, dhe për shkak të këtij veprimi ajo duhet konsideruar të ketë marrë përsipër njëfarë përgjegjësie për komente të tilla. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, dhe duke marrë parasysh shumën modeste të dëmshpërblimit që ishte urdhëruar të paguante kompania kërkuese, kufizimi i lirisë së saj të shprehjes u konsiderua të kishte qenë i justifikuar dhe proporcional. Rrjedhimisht nuk kishte pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
B. Parashtrimet e palëve para Dhomës së Madhe
1. Kompania kërkuese
(a) Vërejtje të përgjithshme
66. Kompania kërkuese diskutoi që në ditët e sotme, përmbajtja mediale në internet po krijohej gjithmonë e më shumë nga vetë përdoruesit. Përmbajtja e gjeneruar nga përdoruesit kishte rëndësi të madhe – komentet rreth artikujve dhe ngjarjeve në lajme shpesh ngrinin debate serioze në shoqëri dhe madje i informonin gazetarët në lidhje me çështje që nuk ishin publikisht të njohura, duke kontribuar kështu drejt nisjes së hetimeve gazetareske. Mundësia që "secili" të kontribonte në debatin publik sillte avancimin e demokracisë dhe përmbushte qëllimet e lirisë së shprehjes në mënyrën më të mirë të mundshme. Ishte sfidë e madhe në këto kushte që të mbaheshin përgjegjës ata që shkelnin të drejtat e të tjerëve duke shmangur censurën.
67. Për sa i përket përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit, kompania kërkuese ishte e mendimit që ishte e mjaftueshme që një host të hiqte me shpejtësi përmbajtjen e palëve të treta sapo të bëhej i vetëdijshëm për natyrën e saj të paligjshme. Në qoftë se kjo vlerësohej e pamjaftueshme nga Gjykata, atëherë do të ndalohej të shprehurit publik anonim ose do të kishte kufizime arbitrare nga ndërmjetësi mbi lirinë e komunikimit të komentuesve, gjë e cila do të nxiste kujdes të tepruar me qëllim të shmangies së përgjegjësisë së mundshme më pas.
(b) Roli i Delfit
68. Kompania kërkuese kërkoi që Dhoma e Madhe ta shikonte çështjen në tërësi, duke përfshirë çështjen nëse kompania kërkuese duhet të karakterizohej si publikues tradicional apo si ndërmjetës. Një publikues ishte përgjegjës për tërë përmbajtjen e publikuar prej tij pavarësisht nga autorësia e ndonjë pjese të caktuar të saj. Megjithatë, kompania kërkuese nguli këmbë që ajo duhet të shihej si ndërmjetës dhe që, si e tillë, ajo ishte dashur të ndiqte ligjin e veçantë dhe të parashikueshëm që kufizonte detyrimin për monitorimin e komenteve të palëve të treta. Ajo diskutoi që ndërmjetësit nuk ishin më të përshtatshmit për të vendosur në lidhje me ligjshmërinë e përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit. Kjo ishte posaçërisht e vërtetë për sa u përkiste komenteve shpifëse sepse vetëm viktima mund ta vlerësonte atë që shkaktonte dëme për reputacionin e saj.
(c) Ligjshmëria
69. Kompania kërkuese diskutoi që ndërhyrja tek liria e saj e shprehjes – përfshirë të drejtën e saj për të ruajtur informacione dhe për t’u mundësuar përdoruesve që të shprehnin mendimet e tyre – nuk ishte e parashikuar me ligj. Ajo parashtroi që nuk kishte legjislacion ose praktikë gjyqësore që deklaronte se një ndërmjetës duhej konsideruar publikues i një përmbajtjeje për të cilën ai nuk ishte në dijeni. Përkundrazi, ligji i zbatueshëm e ndalonte shprehimisht vënien e përgjegjësisë mbi ofruesit e shërbimeve për përmbajtjen e palëve të treta. Në lidhje me këtë, kompania kërkuese iu referua Direktivës për Tregtinë Elektronike, Ligjit estonez për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit dhe Deklaratës së Këshillit të Evropës mbi lirinë e komunikimit në internet. Direktiva parashikonte përgjegjësi të kufizuar dhe të bazuar në njoftim/lajmërim, si dhe procedura për heqjen e paligjshme. Ofruesit e shërbimeve ishin të përjashtuar nga përgjegjësia kur, pas vënies në dijeni faktike për aktivitete të paligjshme, ato vepronin me shpejtësi për heqjen ose çaktivizimin e qasjes ndaj informacionit në fjalë. Një heqje ose çaktivizim i tillë i qasjes duhet të ndërmerrej duke respektuar parimin e lirisë së shprehjes dhe procedurat e përcaktuara për këtë qëllim në nivel kombëtar (paragrafi 46 i Direktivës). Kompania kërkuese diskutoi që ky ligj pa dyshim ishte formuluar me saktësi të mjaftueshme sa t’i mundësonte qytetarit të rregullonte sjelljen e vet. Sipas kompanisë kërkuese, sjellja e saj kishte qenë në pajtueshmëri të plotë me ligjin e zbatueshëm meqenëse ajo i kishte hequr komentet shpifëse në të njëjtën ditë kur ishte njoftuar nga paditësi fillestar.
70. Kompania kërkuese më tej diskutoi që edhe ligji ekzistues për marrëdhëniet jashtëkontraktore nuk i klasifikonte përhapësit (punëtorët e postës, bibliotekat, libraritë dhe të tjera) si publikues. Kështu, mbetej tërësisht e paqartë se si ishte zbatuar ligji ekzistues për marrëdhëniet jashtëkontraktore ndaj një "fushe të re të lidhur me teknologjitë e reja" siç përmendet në vendimin e Dhomës, pra ndaj një operatori të një portali të lajmeve në internet që ofronte një shërbim i cili u mundësonte përdoruesve të ndërvepronin me gazetarët dhe me njëri-tjetrin dhe për të kontribuar me ide të vlefshme në diskutimin e çështjeve të interesit publik. Nuk kishte ligj që caktonte ndonjë detyrim ndaj kompanisë kërkuese për të monitoruar në mënyrë proaktive komentet e përdoruesve.
(d) Qëllimi legjitim
71. Kompania kërkuese nuk e vuri në diskutim faktin që ndërhyrja në fjalë kishte qëllim legjitim.
(e) Nevojshmëria në një shoqëri demokratike
72. Sipas kompanisë kërkuese, ndërhyrja nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike. Ajo diskutoi që si rezultat i vendimit të Dhomës ajo kishte dy zgjedhje. Së pari, ajo mund të punësonte një ushtri moderatorësh super të trajnuar për të patrulluar (në kohë reale) çdo tabelë mesazhesh (për çdo artikull lajmesh) për të kontrolluar çdo mesazh që mund të etiketohet shpifës (ose që mund të shkelë të drejtat e pronësisë intelektuale, inter alia); në fund të fundit, këto moderatorë gjithsesi do të hiqnin të gjitha komentet delikate dhe të gjitha diskutimet do të moderoheshin në mënyrë që të kufizoheshin brenda çështjeve më së pakti kontradiktore. Përndryshe, ajo thjesht mund të shmangte një rrezik të tillë kaq masiv duke i mbyllur krejtësisht këto forume. Sido që të ishte, kapaciteti teknologjik për t’u ofruar lexuesve të zakonshëm mundësinë për të komentuar lirshëm rreth lajmeve ditore dhe për të marrë vetë përgjegjësinë për komentet e veta do të braktisej.
73. Kompania kërkuese diskutoi që vendimi i Gjykatës Supreme kishte pasur "efekt drithërues" ndaj lirisë së shprehjes dhe që ai e kishte kufizuar lirinë e kompanisë kërkuese për të përcjellë informacione. Ai shkonte drejt caktimit të një detyrimi për të censuruar individët privatë.
74. Në mbështetje të argumentit të saj që ndërhyrja nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike, kompania kërkuese u mbështet mbi faktorët në vijim.
75. Së pari, ajo diskutoi që komentet ishin reagime nga anëtarët e publikut ndaj një ngjarjeje të shkaktuar nga Kompania Saarema Shipping e jo ndaj artikullit si i tillë. Më tej, artikulli ishte i ekuilibruar dhe asnjanës. Ai adresonte një çështje të rëndësisë së madhe për banorët e ishullit më të madh të Estonisë që ndikonte jetën e tyre të përditshme. Reagimet negative të lexuesve nuk ishin shkaktuar nga artikulli por nga kompania e transportit.
76. Së dyti, kompania kërkuese kishte zbatuar masa të mjaftueshme për të parandaluar ose hequr komentet shpifëse; në rastin konkret, komentet në fjalë ishin hequr në të njëjtën ditë që kompania kërkuese ishte informuar në lidhje me to.
77. Së treti, kompania kërkuese diskutoi që autorët faktikë të komenteve duhet të mbanin përgjegjësi për përmbajtjen e tyre. Ajo nuk ishte dakord me gjetjen e Dhomës që ishte e vështirë të përcaktohej identiteti i autorëve të komenteve dhe deklaroi që identitetet e autorëve mund të konstatoheshin në procedurën e "marrjes para-gjyqësore të provave " sipas Nenit 244 të Kodit të Procedurës Civile. Pasi të përcaktoheshin emrat dhe adresat e autorëve, kundër tyre mund të ngrihej padi pa ndonjë vështirësi.
78. Së katërti, kompania kërkuese nguli këmbë që nuk kishte nevojë të menjëhershme shoqërore për një standard të rreptë të përgjegjësisë për ofruesit e shërbimeve. Ajo diskutoi që ekzistonte një konsensus evropian që asnjë ofrues shërbimesh nuk duhet të ishte përgjegjës për përmbajtjen autor i së cilës nuk ishte vetë. Rrjedhimisht, hapësira e vlerësimit që u lejohej Shteteve Kontraktuese në këtë aspekt ishte domosdoshmërisht e ngushtë. Më tej, ajo konsideroi që shuma modeste që ajo ishte urdhëruar të paguante si kompensim për dëmet jo materiale nuk e justifikonte ndërhyrjen. Ajo gjithashtu theksoi se nëse kompania kërkuese do të gëzonte përgjegjësi të kufizuar, paditësi fillestar nuk do të ishte lënë pa zgjidhje – ai mund të kishte paditur autorët faktikë të komenteve. Kompania kërkuese kundërshtoi vendosjen e censurës private dhe u shpreh se ishte e mjaftueshme të kishte një sistem me dy qasje për mbrojtjen e të drejtave të palëve të treta: një sistem për pikasjen dhe heqjen dhe mundësinë e ngritjes së padisë kundër autorëve të komenteve shpifëse. Nuk kishte "nevojë urgjente shoqërore" për përgjegjësinë e ofruesve të shërbimeve të internetit.
79. Kompania kërkuese gjithashtu theksoi rëndësinë e anonimitetit për lirinë e shprehjes në internet; kjo inkurajonte përfshirjen e plotë të të gjithëve, përfshirë edhe grupet e margjinalizuara, disidentët politikë dhe raportuesit e parregullsive (whistleblowers), dhe lejonte që individët të ishin të sigurt nga hakmarrjet.
80. Së fundi, kompania kërkuese deklaroi se ishte e qartë që gjykatat vendase e kishin keqinterpretuar të drejtën e Bashkimit Evropian (BE). Ajo parashtroi që vendimi i Dhomës kishte shkaktuar përplasje të detyrimeve dhe pasiguri ligjore meqenëse respektimi i të drejtës së BE-së për sa i përket çështjes së përgjegjësisë për ofruesit e shërbimeve host do ta bënte Shtetin përgjegjës sipas Konventës, ndërsa respektimi i testit të përcaktuar në vendim nuk do të ishte në përputhje me të drejtën e BE-së.
2. Qeveria
(a) Vërejtje të përgjithshme
81. Qeveria bëri vërejtjet e mëposhtme në lidhje me fushëveprimin e çështjes. Së pari, sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës i takonte gjykatave vendase të vendosnin në lidhje me të drejtën e zbatueshme në vend dhe ta interpretonin atë. Më tej, interpretimi i të drejtës së BE-së ishte detyrë e CJEU-së. Gjykatat vendase, me anë të vendimeve të arsyetuara, kishin gjetur që i zbatueshëm ishte Ligji estonez i Detyrimeve, e jo Direktiva për Tregtinë Elektronike ose Ligji për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit. Dhoma e Madhe gjithashtu duhet të procedonte duke u nisur nga ky prezumim dhe akuzat e kompanisë kërkuese në lidhje me zbatueshmërinë e të drejtës së BE-së ishin të papranueshme. Së dyti, Qeveria theksoi që ekzistonin disa lloje të ndryshme portalesh interneti dhe çështja e përgjegjësisë së operatorëve të tyre nuk mund të përgjithësohej. Rasti në fjalë kufizohej me aktivitetet e portalit Delfi në kohën materiale. Në lidhje me këtë Qeveria vuri në pah se Delfi i kishte ftuar në mënyrë aktive lexuesit që të komentonin në lidhje me artikujt që kishte zgjedhur vetë; ai kishte publikuar komente anonime të postuara rreth atyre artikujve dhe në të njëjtën hapësirë; dhe komentet mund të ndryshoheshin ose të fshiheshin vetëm nga Delfi. Përgjegjësia e kompanisë kërkuese duhet të vlerësohej në atë kontest specifik.
82. Qeveria theksoi se nuk kishte diskutim që komentet në fjalë kishin qenë shpifëse.
83. Qeveria shënoi që pavarësisht nga akuzat e kompanisë kërkuese për atë qëllim, ajo nuk ishte detyruar të çaktivizonte komentet anonime ose të ndryshonte modelin e saj të biznesit. Përkundrazi, Delfi mbetej një prej portaleve më të mëdha të internetit në Estoni; komentimi anonim ishte ende i mundur në portal dhe numri i komenteve ishte shtuar nga 190.000 komente në muaj në vitin 2009 në 300.000 në vitin 2013. Sipas një artikulli të publikuar më 26 shtator 2013, Delfi fshinte 20.000 deri në 30.000 komente në muaj (7 deri në 10% të të gjitha komenteve). Postimees, portali i dytë më i madh, fshinte deri në 7% të një totali prej 120.000 komentesh. Të dy portalet kishin pesë punonjës që merreshin me heqjen e komenteve fyese. Që nga dhjetori i vitit 2013 Delfi kishte përdorur një hapësirë komentuese dypjesëshe ku komentet e regjistruara dhe komentet anonime shfaqeshin ndaras.
(b) Ligjshmëria
84. Qeveria nguli këmbë që ndërhyrja tek të drejtat e kompanisë kërkuese kishte qenë "e parashikuar me ligj". Ajo iu referua legjislacionit vendas dhe praktikës gjyqësore të përmbledhur në paragrafët 32-36, 38 dhe 39 të vendimit të Dhomës, si dhe praktikës gjyqësore relevante të Gjykatës të përmbledhur në vendimin e Dhomës. Qeveria gjithashtu vuri në pah që nuk kishte praktikë gjyqësore estoneze mbi bazën e së cilës Delfi – i cili inkurajonte postimin e komenteve në lidhje me artikuj të zgjedhur dhe të publikuar prej tij – mund të kishte prezumuar që pronari i një portali interneti si publikim i ri medial nuk ishte përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga komentet e postuara rreth artikujve të tij, të cilët përbënin një pjesë integrale të lajmeve dhe çka vetëm Delfi mund ta administronte. Më tej, deri në kohën kur vendimet vendase ishin dhënë në çështjen Delfi, ishte më se e qartë që media në internet kishte ndikim të gjerë tek publiku dhe që për të mbrojtur jetën private të të tjerëve duheshin zbatuar rregulla përgjegjësie edhe ndaj mediave të reja.
85. Qeveria përsëriti që referencat e kompanisë kërkuese ndaj të drejtës së BE-së dhe Ligjit për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit nuk duhet të merreshin parasysh. Dhoma e Madhe vetëm mund të vlerësonte nëse efektet interpretimit të Ligjit të Detyrimeve ishin në përputhje me Nenin 10 § 2 të Konventës dhe nuk mund të vlerësonte legjislacionin që gjykatat vendase e kishin gjetur të pazbatueshëm. Ajo gjithashtu theksoi se gjykatat vendase i kishin kushtuar vëmendje të mjaftueshme çështjes nëse kompania kërkuese mund të konsiderohej si ofruese e shërbimeve caching ose hosting. Megjithatë, ato kishin gjetur që nuk kishte qenë kështu. Në mënyrë të veçantë, po të ishte hosting, ofruesi i shërbimit thjesht ofronte një shërbim ruajtjeje të të dhënave, ndërkohë që të dhënat e ruajtura dhe futja, ndryshimi, heqja dhe përmbajtja e tyre mbetej nën kontrollin e përdoruesve të shërbimit. Në pjesën e komenteve të Delfit, sidoqoftë, komentuesit e humbnin kontrollin mbi komentet e tyre sapo i shkruanin, dhe nuk mund t’i ndryshonin apo t’i fshinin. Po ashtu duke pasur parasysh aspektet e tjera të çështjes – Delfi i zgjidhte artikujt dhe titujt e tyre; Delfi i ftonte lexuesit të komentonin dhe vendoste rregullat e komentimit (përfshirë faktin që komentet duhet të ishin në lidhje me artikullin); sa më shumë komente të kishte aq më shumë Delfi kishte fitime nga të ardhurat e reklamave; Delfi gjithashtu i monitoronte komentet në mënyrë selektive – gjykatat vendase kishin gjetur që Delfi nuk kishte vepruar vetëm si ofrues teknik i ndërmjetëm shërbimesh dhe nuk mund të klasifikohej as si cache e as si host. Qeveria gjithashtu theksoi që CJEU nuk kishte gjykuar asnjëherë ndonjë çështje të ngjashme me çështjen Delfi. Sido që të ishte, edhe sikur praktika gjyqësore e CJEU, siç ishte L’Oréal dhe të Tjerë, të ishte relevante, mund të arrihej në përfundimin që roli i luajtur nga Delfi ishte aktiv dhe atij nuk mund t’i jepej përjashtimi nga përgjegjësia sipas Direktivës për Tregtinë Elektronike.
(c) Qëllimi legjitim
86. Qeveria parashtroi që ndërhyrja tek të drejtat e kompanisë kërkuese sipas Nenit 10 kishte qëllimin legjitim të mbrojtjes së nderit të të tjerëve.
(d) Nevojshmëria në një shoqëri demokratike
87. Për sa i përket çështjes nëse ndërhyrja ka qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike, Qeveria theksoi që në fillim rëndësinë e ekuilibrit mes Neneve 10 dhe 8 të Konventës.
88. Qeveria iu referua gjerësisht arsyetimit përkatës të vendimit të Dhomës. Përveç kësaj, ajo theksoi si vijon.
89. Së pari, për sa i përket kontekstit të komenteve, Qeveria shënoi që gjykatat vendase i kishin dhënë rëndësi faktit që përzgjedhja dhe publikimi i artikujve të lajmeve dhe publikimi i komenteve të lexuesve rreth këtyre artikujve kishin qenë pjesë e aktiviteteve profesionale të kompanisë kërkuese si zbuluese e informacioneve. Delfi i ftonte lexuesit të komentonin rreth artikujve të tij – shpesh duke u vënë artikujve tituj provokues dhe duke treguar numrin e komenteve në faqen kryesore menjëherë pas titullit të një artikulli me shkronja të kuqe të theksuara, në mënyrë që komentimi rreth një artikulli të bëhej më tërheqës – çka sillte rrjedhimisht të ardhura nga reklamat.
90. Së dyti, për sa u përket masave të zbatuara nga kompania kërkuese, Qeveria theksoi rëndësinë e garantimit të mbrojtjes së palëve të treta në lidhje me internetin, i cili ishte bërë një medium i gjerë në dispozicion të shumicës së popullsisë dhe përdorej çdo ditë. Qeveria shtoi që përgjegjësia e kompanisë kërkuese për komentet kishte qenë gjithashtu e dukshme sepse shkruesit faktikë të komenteve nuk mund të modifikonin ose fshinin komentet e tyre pasi i postonin në portalin e lajmeve të Delfit – vetëm kompania kërkuese kishte mjetet teknike për ta bërë këtë. Qeveria gjithashtu vuri në pah se çdo informacion i komunikuar përmes internetit përhapej kaq shpejt saqë masat e marra javë ose qoftë edhe ditë më pas për të mbrojtur nderin e një personi nuk ishin më të mjaftueshme sepse komentet ofenduese tashmë kishin arritur tek publiku dhe e kishin bërë dëmin. Qeveria më tej diskutoi që portalet më të mëdha të lajmeve ndërkombëtare nuk lejonin komente anonime (pra, të paregjistruara) dhe iu referua një mendimi që ekzistonte një tendencë distancimi nga anonimiteti. Në të njëjtën kohë, komentet anonime ishin të prirura për të qenë më fyese sesa komentet e bëra nga personat që ishin të regjistruar, dhe komentet e ashpra tërhiqnin më shumë lexues. Qeveria diskutoi që Delfi kishte qenë famëkeq pikërisht për këtë arsye.
91. Së treti, për sa i përket përgjegjësisë së autorëve aktualë, Qeveria parashtroi që në procedura civile – zgjidhje e preferueshme në krahasim me zgjidhjet penale në çështje të shpifjeve – masat hetimore si procedurat e vëzhgimit nuk ishin në dispozicion. Në lidhje me procedurën për "marrjen paragjyqësore të provave", Qeveria diskutoi që kjo nuk ishte alternativë e arsyeshme në rastin e komenteve anonime. Së pari, adresat përkatëse të Protokollit të Internetit (IP) nuk mund të përcaktoheshin gjithmonë, për shembull në qoftë se të dhënat ose komentet e përdoruesit ishin fshirë ose në qoftë se ishte përdorur një proxy anonim. Së dyti, edhe sikur të mund të identifikoheshin kompjuterët e përdorur për postimin e komenteve, përsëri mund të ishte e pamundur të identifikoheshin personat që i kishin bërë postimet, për shembull në rastet kur ishte përdorur një kompjuter publik, një pikë shpërndarëse interneti me valë (Wi-Fi hotspot), një adresë IP dinamike ose server në një vend të huaj, ose për arsye të tjera teknike.
92. Së katërti, për sa u përket pasojave të procedurave vendase për kompaninë kërkuese, Qeveri shënoi që Delfi nuk kishte pasur nevojë të ndryshonte modelin e vet të biznesit ose të mos lejonte komentet anonime. Në fakt, numri total i komenteve – shumica e të cilave ishin anonime – ishte shtuar, ndërsa Delfi tani kishte pesë moderatorë të punësuar. Qeveria gjithashtu vuri në pah se gjetja e përgjegjësisë nuk synonte marrjen e shpërblimeve të mëdha ose dënuese si kompensim. Në fakt, në rastin e Delfit kompensimi që ai ishte detyruar të paguante si dëmshpërblim jo material ishte i papërfillshëm (320 euro) dhe në praktikën gjyqësore të mëpasme (shih paragrafin 43 lart) gjykatat kishin vendosur që gjetja e një shkeljeje ose fshirja e një komenti mund të ishte ndreqje e mjaftueshme. Qeveria konkludoi që përgjegjësia civile e kompanisë kërkuese nuk kishte pasur "efekt drithërues" mbi lirinë e shprehjes, por ishte e justifikuar dhe proporcionale.
93. Së fundi, duke iu referuar legjislacionit dhe praktikës së disa vendeve evropiane, Qeveria u shpreh që nuk kishte konsensus evropian e as tendencë të përjashtimit të përgjegjësisë së pronarit të një portali interneti që vepronte si ofrues shërbimesh përmbajtësore dhe zbuluesit të komenteve anonime rreth vetë artikujve të vet.
C. Argumentet e ndërhyrësve të palëve të treta
1. Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
94. Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Varshavë theksoi dallimet mes internetit dhe mediave tradicionale. Ai shënoi që shërbimet online si Delfi vepronin njëkohësisht duke luajtur dy role: si ofrues të përmbajtjes për sa i përket vetë lajmeve të tyre dhe si host për sa i përket komenteve të palëve të treta. Ai parashtroi që moderimi i përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit ose fuqia për të çaktivizuar qasjen në të nuk duhet të konsiderohej si pasje e kontrollit efektiv editorial. Ofruesit e ndërmjetëm të shërbimeve nuk duhet të trajtoheshin si media tradicionale dhe nuk duhet t’i nënshtroheshin të njëjtit regjim përgjegjësie.
95. Fondacioni i Helsinkit diskutoi që autorët duhet të ishin përgjegjës për komentet shpifëse dhe Shteti duhet të ngrinte një kornizë rregullatore duke mundësuar identifikimin dhe ndjekjen e shkelësve online. Në të njëjtën kohë, ai gjithashtu diskutoi që mundësia e publikimit në mënyrë anonime në internet duhet të shihej si vlerë.
2. Neni 19
96. Neni 19 argumentoi që një prej tipareve më novatore të internetit ishte lehtësia me të cilën ai lejonte çdo person të shprehte pikëpamjet e veta para tërë botës pa kërkuar miratimin paraprak të publikuesve. Platformat e komenteve mundësonin dhe promovonin debatin publik në formën më të pastër dhe kjo kishte shumë pak lidhje me dhënien e lajmeve. Në fakt dhe në formë, seksionet e komenteve në faqet e lajmeve në internet perceptoheshin më shumë si gazeta që kishin përvetësuar modelin privat të diskutimeve që ishte tipar i lindur i internetit e jo e kundërta. Neni 19 u shpreh që bërja përgjegjëse e faqeve të internetit për komentet e bëra nga përdoruesit do të vinte një barrë të papranueshme mbi faqet e internetit.
97. Neni 19 diskutoi që Direktiva për Tregtinë Elektronike synonte që mbronte faqet e internetit nga përgjegjësia për komentet e përdoruesve të tyre, pavarësisht nga përmbajtja e tyre. Neni 19 nguli këmbë që, ndërkohë që rregullat normale të përgjegjësisë duhet të vazhdonin të zbatoheshin për faqet e lajmeve online për sa i përket artikujve që ata publikonin, ato duhet të shiheshin si hosts – e jo si publikuese – për qëllimet e seksionit të komenteve në faqet e tyre. Si hosts, faqet e lajmeve online në parim do të duhej të ishin imune ndaj përgjegjësisë për përmbajtjen e palëve të treta në rrethana në të cilat ato nuk kishin qenë të përfshira në modifikimin e drejtpërdrejtë të përmbajtjes në fjalë. Ato nuk duhet të mbaheshin përgjegjëse kur ato ndërmerrnin të gjithë hapat e arsyeshëm për të hequr përmbajtjen pas njoftimit, dhe nuk duhet të mbaheshin automatikisht përgjegjëse thjesht për shkak se vendosnin të mos hiqnin një koment që raportohej tek ato.
3. Access
98. Sipas Access, anonimiteti dhe pseudonimiteti mbështesnin të drejtat themelore të privatësisë dhe lirisë së shprehjes. Një ndalim rregullator i përdorimit anonim të internetit do të përbënte ndërhyrje tek të drejtat e privatësisë dhe lirisë së shprehjes të mbrojtura me Nenet 8 dhe 10 të Konventës, dhe kufizimet gjithëpërfshirëse të të shprehurit në mënyrë anonime dhe me anë të pseudonimeve do të dëmtonin vetë thelbin e këtyre të drejtave. Access iu referua praktikës së gjatë gjyqësore të disa vendeve që mbronte të drejtën për komunikim anonim, online apo offline.
99. Më tej, Access theksoi që shërbimet e dizajnuara për të ofruar konfidencialitet dhe anonimitet të shtuar gjatë përdorimit të internetit ishin bërë shumë popullore pas raportimeve për vëzhgime masive online. Më tej ajo argumentoi që kufizimi i përdoruesve të internetit përmes identifikimit të detyrueshëm do të dëmtonte ekonominë e internetit, dhe iu referua hulumtimeve që kishin konkluduar që kontribuesit më të mëdhenj online ishin ata që përdornin pseudonime.
100. Për sa i përket politikave lidhur me përdorimin e emrave të vërtetë, prova nga Kina tregonin se një masë e tillë kishte shkaktuar rënie drastike të numrit të komenteve të postuara. Përvoja në Kore kishte treguar që politika për përdorimin e emrave të vërtetë kishte dështuar në përmirësimin e komenteve, ndërkohë që ishte diskriminuese ndaj kompanive vendase të internetit, sepse përdoruesit kishin kërkuar platforma alternative ndërkombëtare që ende lejonin komente anonime dhe pseudonime.
4. Iniciativa Mbrojtja Ligjore për Media (Media Legal Defence Initiative)
101. Media Legal Defence Initiative (MLDI) bëri parashtrimet e saj në emër të njëzet e tetë kompanive dhe organizatave jo qeveritare dhe mediatike. Ajo shënoi që shumica dërrmuese e faqeve mediatike online lejonin komentet e lexuesve. Me anë të mekanizmit të komenteve, lexuesit mund të debatonin rreth lajmeve me njëri-tjetrin si dhe me gazetarët. Kjo e transformonte median nga një rrjedhë njëkahëshe komunikimi në një formë të shprehuri pjesëmarrës që dëgjonte edhe zërin e lexuesit dhe lejonte shprehjen e pikëpamjeve të ndryshme.
102. MLDI shënoi që kufijtë mes qasjes dhe përmbajtjes tani po mjegulloheshin gjithmonë e më shumë dhe "ndërmjetësit" përfshinin shërbime të shtuara kërkimi, tregje online, aplikacione web 2.0 dhe faqe të rrjeteve sociale. Nga këndvështrimi i përdoruesve, të gjitha këto lehtësonin qasjen në dhe shfrytëzimin e përmbajtjes dhe ishin thelbësore për realizimin e të drejtës së lirisë së shprehjes.
103. MLDI u shpreh se ishte detyrë e Shtetit të garantonte një kornizë rregullatore që mbronte dhe promovonte lirinë e shprehjes duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat dhe interesat e të tjerëve. Ajo bëri një përshkrim të hollësishëm të kornizës rregullatore mbi përgjegjësinë e ndërmjetësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE. Ajo shënoi që qasjet në këto juridiksione dallonin, por sidoqoftë ishin të ngjashme sepse njihej fakti që një shkallë e caktuar mbrojtjeje për ndërmjetësit ishte jetike dhe që nuk kërkohej që ndërmjetësit të monitoronin përmbajtjen e përdoruesve. Ajo gjithashtu shënoi që në disa Shtete anëtare procedurat pikas-dhe-hiq kishin rezultuar me përgjegjësi të tepërt nga ana e ndërmjetësve dhe heqje të përmbajtjeve legjitime.
104. MLDI gjithashtu diskutoi rreth praktikave të mira që po dilnin nga mediat online në aspekt të rregullimit të përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit. Ajo theksoi se shumica e publikimeve në Amerikën e Veriut dhe në Evropë nuk kontrollonin ose monitoronin komentet para se të postoheshin. Megjithatë, ato bënin njëfarë moderimi pas publikimit. Shumë faqe mediale online gjithashtu kishin softuerë filtrues dhe kishin ngritur mekanizma për të bllokuar përdoruesit të cilët shkelnin vazhdimisht rregullat. Shumica e mediave online, përfshirë faqe të rëndësishme evropiane të lajmeve, kërkonin regjistrimin e përdoruesve por përdoruesve nuk u kërkohej të zbulonin emrat e tyre të vërtetë.
5. EDiMA, CCIA Europe dhe EuroISPA
105. Shoqata Evropiane e Mediave Dixhitale (EDiMA), Shoqata e Industrisë Kompjuterike dhe Komunikimeve (CCIA Europe) dhe EuroISPA, shoqatë pan-evropiane e Shoqatave të Ofruesve Evropianë të Shërbimeve të Internetit, bënë parashtrime si palë të treta.
106. Ndërhyrësit argumentuan që deri më sot ishte arritur një ekuilibër e vendosur në legjislacion, marrëveshje ndërkombëtare dhe rekomandime sipas të cilave, së pari, ofruesit host të shërbimeve ishin të përjashtuar nga përgjegjësia për përmbajtjen në mungesë të "njohurive faktike", dhe së dyti, Shteteve u ndalohej të kërkonin që ofruesit host të shërbimeve të kryenin monitorimin e përgjithshëm të përmbajtjes.
107. Ndërhyrësit shënuan që, ndërkohë që disa informacione në dispozicion online vinin nga burime tradicionale publikimi siç janë gazetat, dhe ishin të rregulluara mirë me anë të ligjit të zbatueshëm për publikuesit, përkundrazi një sasi e madhe e përmbajtjes online vinte nga zëra individualë të cilët kishin mundësi të shprehnin pikëpamjet e tyre pa ndërmjetësimin e institucioneve editoriale tradicionale. Mekanizmat e komenteve lejonin të drejtën e përgjigjes duke u bërë kështu thelbësisht të ndryshme nga publikimet tradicionale, ku të drejta të tilla nuk ekzistonin.
108. Ndërhyrësit argumentuan që teknologjia dhe proceset operative të një forumi diskutimesh rreth lajmeve online siç ishte Delfi ishin teknologjikisht të padallueshme nga shërbimet hosting siç janë platformat e mediave/rrjeteve sociale, blogjet/mikroblogjet e të tjera. Përmbajtja e hartuar dhe postuar nga përdoruesit ishte automatikisht e dukshme pa ndërhyrje njerëzore. Për shumë hosts konsideratat e shtrirjes së gjerë e bënin efektivisht të pamundur shqyrtimin njerëzor të tërë përmbajtjes së përdoruesve. Për faqet e vogla të internetit dhe bizneset e reja (start-ups), kontrolli i përmbajtjes kishte gjasa të ishte posaçërisht problematik dhe mund të kushtonte aq shumë sa të bëhej ndalues.
109. Ndërhyrësit argumentuan që e drejta e vendosur në BE dhe në vende të tjera parashikonte sistemin pikas-dhe-hiq si kornizë ligjore dhe praktike për hosting të përmbajtjes në internet. Ky ekuilibër përgjegjësish mes përdoruesve dhe hosts lejonte që platformat të identifikonin dhe të hiqnin komentet shpifëse ose gjuhën e paligjshme, duke mundësuar në të njëjtën kohë diskutime të fuqishme në lidhje me tema kontradiktore të debatit publik; kjo e bënte operimin e platformave të bisedave të praktikueshme në masë shumë të madhe.
D. Vlerësimi i Gjykatës
1. Vërejtjet paraprake dhe fushëveprimi i vlerësimit të Gjykatës
110. Gjykata shënon fillimisht që aktiviteti i shprehjes së gjeneruar nga përdoruesit në internet ofron një platformë pa precedent për ushtrimin e lirisë së shprehjes. Kjo është e padiskutueshme dhe është njohur nga Gjykata më përpara (shih Ahmet Yıldırım kundër Turqisë, nr. 3111/10, § 48, ECHR 2012, dhe Times Newspapers Ltd (nr. 1 dhe nr. 2) kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 3002/03 dhe nr. 23676/03, § 27, ECHR 2009). Megjithatë, krahas këtyre përfitimeve, mund të dalin edhe disa rreziqe. Të shprehurit shpifës dhe lloje të tjera të të shprehurit qartazi të paligjshëm, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën që nxit dhunë, mund të përhapen si asnjëherë më parë, në tërë botën, brenda pak sekondave, dhe nganjëherë mbeten online për një kohë të gjatë. Këto dy realitete konfliktuale qëndrojnë në thelb të kësaj çështjeje. Duke pasur parasysh nevojën për të mbrojtur vlerat që mishëron Konventa, dhe duke marrë në konsideratë faktin që të drejtat nga Nenet 10 dhe 8 të Konventës meritojnë respekt të barabartë, duhet të gjendet një ekuilibër që ruan thelbin e të dyja të drejtave. Kështu, ndërkohë që Gjykata njeh përfitimet e rëndësishme nga interneti për sa i përket ushtrimit të lirisë së shprehjes, ajo njëkohësisht tregon kujdes për faktin se përgjegjësia për gjuhën shpifëse ose për lloje të tjera të gjuhës së paligjshme parimisht duhet të ruhen dhe përbëjnë zgjidhje efektive për shkeljet e të drejtave të individit.
111. Mbi këtë bazë, dhe posaçërisht duke pasur parasysh që kjo është çështja e parë në të cilën Gjykatës i është kërkuar të shqyrtojë një ankesë të këtij lloji në një fushë në zhvillim e sipër të novacionit teknologjik, Gjykata e konsideron të nevojshme të ravijëzojë fushëveprimin e hulumtimit të saj nën prizmin e fakteve të çështjes në fjalë.
112. Së pari, Gjykata vëren se Gjykata Supreme ka njohur (shih § 14 të vendimit të saj të 10 qershorit 2009 të cekur në paragrafin 31 lart) që "[p]ublikimi i lajmeve dhe komenteve në një portal interneti është gjithashtu aktivitet gazetaresk. Në të njëjtën kohë, për shkak të natyrës së mediave në internet, nuk mund të kërkohet me arsye nga një operator portali që të editojë komentet para se t’i publikojë ato njësoj siç ndodh me publikimin e mediave të shtypura. Ndërkohë që publikuesi [i një publikimi në media të shtypura] është, përmes editimit, iniciatori i publikimit të një komenti, në portalin e internetit iniciatori i publikimit është shkruesi i komentit, i cili e vë atë në dispozicion të publikut të gjerë përmes portalit. Prandaj, operatori i portalit nuk është personi të cilit i zbulohet informacioni. Për shkak të interesit [të tyre] ekonomik në publikimin e komenteve, si publikuesi i medias së shtypur ashtu edhe operatori i portalit të internetit janë publikues/zbulues si sipërmarrës."
113. Gjykata nuk sheh arsye për të vënë në pyetje dallimin e mësipërm të bërë nga Gjykata Supreme. Përkundrazi, pika fillestare e reflektimeve të Gjykatës Supreme, pra njohja e dallimeve mes një operatori portali dhe një publikuesi tradicional, është në përputhje me instrumentet ndërkombëtare në këtë fushë, çka paraqet njëfarë zhvillimi në favor të bërjes së dallimit mes parimeve ligjore që rregullojnë aktivitetet e shtypit tradicional dhe mediave audiovizuale nga njëra anë dhe operacioneve mediale në internet nga ana tjetër. Në Rekomandimin e kohëve të fundit të Komitetit të Ministrave të Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me një nocion të ri të mediave, kjo quhet "qasje e diferencuar dhe e shkallëzuar [që] kërkon që çdo aktor shërbimet e të cilit identifikohen si media ose si aktivitete ndërmjetëse apo ndihmëse të përfitojë nga forma e përshtatshme (e diferencuar) si dhe nga niveli i përshtatshëm (i shkallëzuar) i mbrojtjes dhe që ajo përgjegjësi gjithashtu të ravijëzohet në përputhje me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standarde të tjera relevante të hartuara nga Këshilli i Evropës" (shih § 7 të Shtojcës së Rekomandimit CM/Rec(2011)7, cituar në paragrafin 46 lart). Prandaj, Gjykata konsideron që për shkak të natyrës së veçantë të internetit, "detyrat dhe përgjegjësitë" që i takojnë një portali lajmesh në internet për qëllimet e Nenit 10 mund të dallojnë në njëfarë shkalle nga ato të një publikuesi tradicional, për sa i përket përmbajtjes së palëve të treta.
114. Së dyti, Gjykata vëren që Gjykata Supreme e Estonisë gjeti që "vlerësimi ligjor nga gjykatat i njëzet komenteve të natyrës nënçmuese, [ishte] vërtetuar. Gjykatat [kishin] gjetur saktë që ato komente [ishin] shpifëse për shkak se ato [ishin] të natyrës vulgare, degradon[in] dinjitetin njerëzor dhe përmban[in] kërcënime" (shih § 15 të vendimit të cekur në paragrafin 31 lart). Më tej, në § 16 të vendimit, Gjykata Supreme përsëriti që komentet degradonin "dinjitetin njerëzor" dhe ishin "qartazi të paligjshme". Gjykata shënon që ky karakterizim dhe analizë e natyrës së paligjshme të komenteve në fjalë (shih paragrafin 18 lart) bazohen natyrisht mbi faktin që shumica e komenteve shkojnë, ashtu siç duken, drejt nxitjes së urrejtjes ose dhunës kundër L.
115. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që çështja ka të bëjë me "detyrat dhe përgjegjësitë" e portaleve të lajmeve në internet, sipas Nenit 10 § 2 të Konventës, kur ato ofrojnë për qëllime ekonomike një platformë për komentet e gjeneruara nga përdoruesit rreth përmbajtjes së publikuar më parë dhe disa përdorues – pavarësisht nëse janë të identifikuar ose anonimë – përdorin gjuhë qartazi të paligjshme, gjë që shkel të drejtat individuale të të tjerëve dhe përbën gjuhë urrejtjeje dhe nxitje për dhunë kundër tyre. Gjykata thekson që çështja në fjalë ka të bëjë me një portal të madh lajmesh në internet që menaxhohet në mënyrë profesionale mbi baza komerciale i cili publikon artikujt e vet të lajmeve dhe fton lexuesit që të komentojnë mbi to.
116. Rrjedhimisht, çështja nuk ka të bëjë me forume të tjera në internet ku mund të përhapen komente të palëve të treta, për shembull një forum diskutimesh në internet ose një tabelë buletini ku përdoruesit mund të shprehin lirshëm idetë e tyre në lidhje me temën dhe ku diskutimi nuk kanalizohet nga inputi i administratorit të forumit; ose një platformë mediash sociale ku ofruesi i platformës nuk paraqet ndonjë përmbajtje dhe ku ofruesi i përmbajtjes mund të jetë një person privat që e administron faqen e internetit ose blogun si hobi.
117. Më tej, Gjykata shënon që portali i lajmeve i kompanisë kërkuese ishte një prej publikimeve më të mëdha mediale në internet në vend; kishte lexueshmëri të gjerë dhe ekzistonte një shqetësim i njohur publik rreth natyrës kontradiktore të komenteve që ai tërhiqte (shih paragrafin 15 lart). Për më tepër, siç u përmend lart, komentet e kundërshtuara në rastin konkret, siç u vlerësuan nga Gjykata Supreme, kryesisht përbëheshin nga gjuha e urrejtjes dhe gjuhë që mbështeste drejtpërdrejt akte dhune. Kështu, konstatimi i natyrës së tyre të paligjshme nuk kërkonte analiza gjuhësore ose ligjore meqenëse vërejtjet ishin dukshëm të paligjshme. Këto janë rrethanat në të cilat Gjykata do të vazhdojë më tej me shqyrtimin e ankesës së kompanisë kërkuese.
2. Ekzistenca e një ndërhyrjeje
118. Gjykata shënon që nuk diskutohej mes palëve që vendimet e gjykatave vendase kishin ndërhyrë tek liria e shprehjes së kompanisë kërkuese e garantuar nga Neni 10 i Konventës. Gjykata nuk sheh arsye të vendosë ndryshe.
119. Një ndërhyrje e tillë tek e drejta e kompanisë kërkuese për liri të shprehjes duhet të jetë "e parashikuar me ligj", të ketë një ose më shumë synime legjitime sipas paragrafit 2 të Nenit 10, dhe të jetë "e nevojshme në një shoqëri demokratike".
3. Ligjshmëria
120. Gjykata përsërit që shprehja "e parashikuar me ligj" në paragrafin e dytë të Nenit 10 nuk kërkon vetëm që masa e kundërshtuar të ketë bazë ligjore në të drejtën vendase, por gjithashtu i referohet edhe cilësisë së të drejtës në fjalë, e cila duhet të jetë në dispozicion të personit në fjalë dhe të jetë e parashikueshme për sa u përket efekteve të saj (shih, mes autoriteteve të tjera, VgT Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, nr. 24699/94, § 52, ECHR 2001‑VI; Rotaru kundër Rumanisë [GC], nr. 28341/95, § 52, ECHR 2000-V; Gawęda kundër Polonisë, nr. 26229/95, § 39, ECHR 2002-II; dhe Maestri kundër Italisë [GC], nr. 39748/98, § 30, ECHR 2004-I). Megjithatë, u takon fillimisht autoriteteve kombëtare, kryesisht gjykatave, që të interpretojnë dhe të zbatojnë të drejtën vendase (shih Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë [GC], nr. 38433/09, § 140, ECHR 2012; Kruslin kundër Francës, 24 prill 1990, § 29, Seria A nr. 176-A; dhe Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 59, Raporte të Vendimeve 1998-II).
121. Një nga kërkesat që del nga shprehja "e parashikuar me ligj" është parashikueshmëria. Kështu, një normë nuk mund të shihet si "ligj" brenda kuptimit të Nenit 10 § 2 në qoftë se nuk është e formuluar me saktësi aq të mjaftueshme sa që t’i mundësojë qytetarit rregullimin e sjelljes së vet; ai duhet të jetë në gjendje – nëse është e nevojshme me anë të këshillimit të duhur – të parashikojë, deri në një shkallë të arsyeshme brenda rrethanave, pasojat që mund të ngërthejë një veprim i dhënë. Ato pasoja nuk ka nevojë të jenë të parashikueshme me siguri absolute. Ndërkohë që siguria është e dëshirueshme, ajo mund të sjellë me vete ngurtësi të tepërt, dhe ligji duhet të jetë në gjendje të ecë me ritmin e rrethanave që ndryshojnë. Rrjedhimisht, shumë ligje janë të veshura në mënyrë të pashmangshme me terma të cilat, diku më shumë e diku më pak, janë të mjegullta, dhe interpretimi e zbatimi i të cilave janë çështje të praktikës (shih, për shembull, Lindon, Otchakovsky-Laurens dhe July kundër Francës [GC], nr. 21279/02 dhe 36448/02, § 41, ECHR 2007‑IV, dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano, cituar lart, § 141).
122. Niveli i saktësisë së kërkuar për legjislacionin vendas – i cili nuk mund të parashikojë çdo eventualitet – varet në shkallë të konsiderueshme nga përmbajtja e ligjit në fjalë, fusha të cilën ai është menduar të mbulojë dhe numri dhe statusi i atyre të cilëve u adresohet (shih Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano, cituar lart, § 142). Gjykata ka gjetur se personat që zhvillojnë aktivitet profesional, të cilët janë mësuar të punojnë me një shkallë të lartë kujdesi kur kryejnë punën e tyre, për këtë arsye mund të pritet që të bëjnë kujdes të veçantë kur vlerësojnë rreziqet që mund të paraqesin aktivitete të tilla (shih Lindon, Otchakovsky-Laurens dhe July, cituar lart, § 41, me referenca të mëtejshme ndaj Cantoni kundër Francës, 15 nëntor 1996, § 35, Raporte 1996‑V, dhe Chauvy dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 64915/01, §§ 43-45, ECHR 2004‑VI).
123. Në çështjen në fjalë mendimet e palëve dallonin në lidhje me faktin nëse ndërhyrja tek liria e shprehjes së kompanisë kërkuese ishte "e parashikuar me ligj". Kompania kërkuese diskutoi që nuk kishte një ligj vendas sipas të cilit një ndërmjetës duhet të merrej si publikues profesionist i komenteve të postuara në faqen e tij të internetit nga palë të treta pavarësisht nga fakti nëse ai ishte në dijeni të përmbajtjes së tyre. Përkundrazi, kompania kërkuese u mbështet në legjislacionin vendas dhe evropian mbi ofruesit e shërbimeve në internet dhe diskutoi që ai shprehimisht ndalonte vënien e përgjegjësisë mbi ofruesit e shërbimit për përmbajtjen e palëve të treta.
124. Qeveria iu referua dispozitave përkatëse të së drejtës civile dhe praktikës gjyqësore vendase në lidhje për të argumentuar që publikuesit e mediave ishin përgjegjës për publikimet e tyre bashkë me autorët. Ajo shtoi që nuk kishte praktikë gjyqësore mbi bazën e së cilës kompania kërkuese mund të kishte prezumuar që pronari i një portali lajmesh në internet si publikim i ri medial nuk ishte përgjegjës për komentet e publikuara mbi artikujt e vet. Sipas mendimit të saj Gjykata duhet të nisej nga faktet ashtu siç ishin konstatuar dhe e drejta ashtu siç zbatohej dhe interpretohej nga gjykatat vendase dhe të mos merrte parasysh referencat e kompanisë kërkuese ndaj të drejtës së BE-së. Sido që të ishte, e drejta e BE-së e përmendur nga kompania kërkuese faktikisht mbështeste interpretimin dhe përfundimet e gjykatave vendase.
125. Gjykata vëren që dallimi në mendimet e palëve për sa i përket ligjit që duhej zbatuar rrjedh nga pikëpamjet e tyre të ndryshme mbi çështjen se si duhet të klasifikohet kompania kërkuese. Sipas kompanisë kërkuese, ajo duhet të klasifikohet si ndërmjetëse për sa i përket komenteve të palëve të treta, kurse Qeveria diskutoi që kompania kërkuese duhet të shihej si publikues medial, përfshirë edhe për sa i përket komenteve të tilla.
126. Gjykata vëren (shih paragrafët 112 dhe 113 lart) që Gjykata Supreme i njohu dallimet mes roleve të publikuesit të mediave të shtypura, nga njëra anë, dhe operatorit të një portali interneti, nga ana tjetër. Megjithatë, Gjykata Supreme gjeti që për shkak të "interesit të tyre në publikimin e komenteve, si publikuesi i mediave të shtypura ashtu edhe operatori i një portali interneti [ishin] publikues/zbulues" për qëllimet e seksionit 1047 të Ligjit të Detyrimeve (shih § 14 të vendimit i cekur në paragrafin 31 lart).
127. Gjykata konsideron që, në thelb, kërkuesi diskuton që gjykatat vendase kanë gabuar me zbatimin e dispozitave të përgjithshme të Ligjit të Detyrimeve ndaj fakteve të çështjes sepse ato duhet të ishin mbështetur tek legjislacioni vendas dhe ai evropian mbi ofruesit e shërbimeve të internetit. Si Dhoma, Dhoma e Madhe përsërit në këtë kontekst që nuk është detyrë e saj të zërë vendin e gjykatave vendase. U takon fillimisht autoriteteve kombëtare, kryesisht gjykatave, që të interpretojnë dhe të zbatojnë të drejtën vendase (shih, mes të tjerash, Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano, cituar lart, § 140, dhe Rekvényi kundër Hungarisë [GC], nr. 25390/94, § 35, ECHR 1999‑III). Gjykata gjithashtu përsërit që nuk i takon asaj të shprehë mendim në lidhje me përshtatshmërinë e metodave të zgjedhura nga legjislatura e një Shteti përgjegjës për të rregulluar një fushë të caktuar. Detyra e saj është e kufizuar brenda përcaktimit nëse metodat e përdorura dhe efektet që ngërthejnë ato janë në përputhje me Konventën (shih Gorzelik dhe të Tjerë kundër Polonisë [GC], nr. 44158/98, § 67, ECHR 2004‑I). Kështu, Gjykata kufizohet me shqyrtimin nëse zbatimi nga Gjykata Supreme i dispozitave të përgjithshme të Ligjit të Detyrimeve në situatën e kërkuesit ka qenë e parashikueshme për qëllimet e Nenit 10 § 2 të Konventës.
128. Sipas dispozitave përkatëse të Kushtetutës, Ligji i Kodit Civil (Parimet e Përgjithshme) dhe Ligji i Detyrimeve (shih paragrafët 33 deri në 38 lart), ashtu siç u interpretuan dhe zbatuan nga gjykatat vendase, kompania kërkuese konsiderohej publikues dhe mbahej përgjegjëse për publikimin e komenteve qartazi të paligjshme. Gjykatat vendase zgjodhën që të zbatonin këto norma, pasi gjetën që rregullorja e veçantë që përmbahej në Ligjin për Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit që transpozonte Direktivën për Tregtinë Elektronike në të drejtën estoneze nuk zbatohej në çështjen në fjalë sepse kjo e fundit kishte të bënte me aktivitete të një natyre thjesht teknike, automatike dhe pasive, ndryshe nga aktivitetet e kompanisë kërkuese, dhe që objektivi i synuar nga kompania kërkuese nuk ishte thjesht ofrimi i një shërbimi ndërmjetës (shih § 13 të vendimit të Gjykatës Supreme të cekur në paragrafin 31 lart). Në këtë kontekst të veçantë Gjykata merr parasysh faktin që disa vende kanë njohur faktin që rëndësia dhe kompleksiteti i lëndës në fjalë, duke përfshirë nevojën për të siguruar ekuilibrimin e drejtë të interesave të ndryshme dhe të drejtave themelore të ndryshme, kërkojnë miratimin e rregulloreve të veçanta për situata të tilla siç janë ato që lidhen me çështjen në fjalë (shih paragrafin 58 lart). Veprime të tilla janë në përputhje me "qasjen e diferencuar dhe të shkallëzuar" për rregullimin e mediave të reja rekomanduar nga Këshilli i Evropës (shih paragrafin 46 lart) dhe ka gjetur mbështetje në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih, mutatis mutandis, Editorial Board of Pravoye Delo dhe Shtekel kundër Ukrainës, nr. 33014/05, §§ 63-64, ECHR 2011). Megjithatë, megjithëse janë të mundura qasje të ndryshme në legjislacion për të marrë në konsideratë natyrën e mediave të reja, Gjykata është e bindur për sa u përket fakteve të kësaj çështjeje që dispozitat e Kushtetutës, Ligji i Kodit Civil (Parimet e Përgjithshme) dhe Ligji i Detyrimeve, krahas praktikës gjyqësore përkatëse, e bënin të parashikueshme që një publikues medial që administronte një portal lajmesh interneti për qëllime ekonomike mundte, në parim, të mbahej përgjegjës sipas të drejtës vendase për postimin e komenteve qartazi të paligjshme, të llojit të atillë siç janë ato në rastin konkret, në portalin e vet të internetit.
129. Gjykata rrjedhimisht gjen që, si publikues profesionist, kompania kërkuese duhet të kishte qenë në dijeni të legjislacionit dhe praktikës gjyqësore, dhe gjithashtu mund të kishte kërkuar edhe këshillim ligjor. Gjykata vëren në këtë kontekst që portali i lajmeve Delfi është një prej më të mëdhenjve në Estoni. Edhe para publikimit të komenteve në fjalë ishte shprehur shqetësim publik dhe Ministri i Drejtësisë kishte deklaruar që viktimat e fyerjeve mund të ngrinin padi kundër Delfit dhe të kërkonin dëmshpërblim (shih paragrafin 15 lart). Kështu, Gjykata konsideron që kompania kërkuese ishte në pozicion që të vlerësonte rreziqet e lidhura me aktivitetet e saj dhe që ajo duhet të kishte qenë në gjendje të parashikonte, deri në një masë të arsyeshme, pasojat që mund të sillnin ato. Prandaj ajo përfundon që ndërhyrja në fjalë ka qenë "e parashikuar me ligj" brenda kuptimit të paragrafit të dytë të Nenit 10 të Konventës.
4. Synimi legjitim
130. Palët para Dhomës së Madhe nuk diskutuan që kufizimi i lirisë së shprehjes së kompanisë kërkuese kishte pasur për synim qëllimin legjitim të mbrojtjes së reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve. Gjykata nuk sheh arsye për të vendosur ndryshe.
5. Nevojshmëria në një shoqëri demokratike
(a) Parimet e përgjithshme
131. Parimet themelore lidhur me çështjen nëse një ndërhyrje në lirinë e shprehjes është "e nevojshme në një shoqëri demokratike" janë të ngulitura thellë në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe janë përmbledhur si vijon (shih, mes autoriteteve të tjera, Hertel kundër Zvicrës, 25 gusht 1998, § 46, Raporte 1998‑VI; Steel dhe Morris kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 68416/01, § 87, ECHR 2005‑II; Mouvement raëlien suisse kundër Zvicrës [GC], nr. 16354/06, § 48, ECHR 2012; dhe Animal Defenders International kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 48876/08, § 100, ECHR 2013):
“(i) Liria e shprehjes përbën një prej themeleve kryesore të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet themelore për përparimin e saj dhe për vetpërmbushjen e çdo individi. Në pajtim me paragrafin 2 të Nenit 10, ajo zbatohet jo vetëm ndaj ‘informacionit’ ose ‘ideve’ që shihen me sy të mirë ose që shihen si jo ofenduese ose si çështje indiference, por edhe ndaj atyre që ofendojnë, shokojnë ose shqetësojnë. Të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur pa të cilat nuk ka ‘shoqëri demokratike’. Siç ceket në Nenin 10, kjo liri u nënshtrohet përjashtimeve, të cilat ... duhet, sidoqoftë, të kuptohen në mënyrë të shtrënguar, dhe nevoja për kufizime duhet të konstatohet në mënyrë bindëse ...
(ii) Mbiemri ‘e nevojshme’, brenda kuptimit të Nenit 10 § 2, nënkupton ekzistencën e një ‘nevoje shoqërore urgjente’. Shtetet Kontraktuese kanë njëfarë hapësire vlerësimi kur vendosin nëse ekziston një nevojë e tillë, por kjo shkon krahas mbikëqyrjes evropiane, duke përqafuar si legjislacionin ashtu edhe vendimet në të cilat ai zbatohet, madje edhe ato që merren nga një gjykatë e pavarur. Prandaj Gjykata ka fuqinë të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me faktin nëse një ‘kufizim’ është në pajtim me lirinë e shprehjes që mbrohet nga Neni 10.
(iii) Detyra e Gjykatës, gjatë ushtrimit të juridiksionit të saj mbikëqyrës, nuk është të zërë vendin e autoriteteve kompetente kombëtare por të shqyrtojë nën prizmin e Nenit 10 vendimet që kanë marrë ato sipas fuqisë së tyre të vlerësimit. Kjo nuk do të thotë që mbikëqyrja është e kufizuar me të siguruarit nëse Shteti përgjegjës e ka ushtruar diskrecionin e tij në mënyrë të arsyeshme, me kujdes dhe në mirëbesim; ajo që duhet të bëjë Gjykata është të shqyrtojë ndërhyrjen për të cilën është bërë ankesë në kuadër të çështjes në tërësi dhe të përcaktojë nëse ajo ka qenë ‘proporcionale me qëllimin legjitim të synuar’ dhe nëse arsyet e nxjerra nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë ‘relevante dhe të mjaftueshme ... Duke vepruar kështu, Gjykata duhet të bindet që autoritetet kombëtare i kanë zbatuar standardet të cilat kanë qenë në përputhje me parimet e mishëruara në Nenin 10 dhe, për më tepër, që ato janë mbështetur mbi një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse ..."
132. Më tej, Gjykata ka theksuar funksionin që kryen shtypi në një shoqëri demokratike. Megjithëse shtypi nuk duhet t’i kapërcejë disa kufij të caktuar, veçanërisht për sa i përket reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve dhe nevojës për të parandaluar zbulimin e informacioneve konfidenciale, detyra e tij sidoqoftë është të përcjellë – në pajtueshmëri me detyrimet dhe përgjegjësitë e veta – informacione dhe ide mbi të gjitha çështjet e interesit publik (shih Jersild kundër Danimarkës, 23 shtator 1994, § 31, Seria A nr. 298; De Haes dhe Gijsels kundër Belgjikës, 24 shkurt 1997, § 37, Raporte 1997‑I; dhe Bladet Tromsø dhe Stensaas kundër Norvegjisë [GC], nr. 21980/93, § 58, ECHR 1999‑III). Liria e gazetarisë gjithashtu mbulon rekursin e mundshëm drejt një shkalle ekzagjerimi, ose edhe provokimin (shih Prager dhe Oberschlick kundër Austrisë, 26 prill 1995, § 38, Seria A nr. 313, dhe Bladet Tromsø dhe Stensaas, cituar lart, § 59). Kufijtë e kritikës së lejueshme janë më të ngushtë në lidhje me një qytetar privat sesa për politikanët ose qeveritë (shih, për shembull, Castells kundër Spanjës, 23 prill 1992, § 46, Seria A nr. 236; Incal kundër Turqisë, 9 qershor 1998, § 54, Raporte 1998‑IV; dhe Tammer kundër Estonisë, nr. 41205/98, § 62, ECHR 2001‑I).
133. Për më tepër, Gjykata ka vendosur më përpara që duke marrë parasysh disponibilitetin dhe kapacitetin e tij për të ruajtur dhe komunikuar sasi të mëdha informacionesh, interneti luan një rol të rëndësishëm në rritjen e qasjes së publikut në lajme dhe lehtësimin e shpërndarjes së informacionit në përgjithësi (shih Ahmet Yıldırım, cituar lart, § 48, dhe Times Newspapers Ltd, cituar lart, § 27). Në të njëjtën kohë, rreziku i dëmeve nga përmbajtja dhe komunikimet në internet për ushtrimin dhe gëzimin e të drejtave dhe lirive, veçanërisht të drejtës për respekt ndaj jetës private, është sigurisht më i lartë sesa rreziku nga shtypi (shih Editorial Board of Pravoye Delo dhe Shtekel, cituar lart, § 63).
134. Duke marrë në konsideratë "detyrat dhe përgjegjësitë" e gazetarit, impakti potencial mbi mediumin në fjalë është faktor i rëndësishëm dhe njihet botërisht që mediat audiovizuale shpesh kanë efekt më të menjëhershëm dhe më të fuqishëm sesa mediat e shtypura (shih Purcell dhe të Tjerë kundër Irlandës, nr. 15404/89, vendimi i Komisionit i datës 16 prill 1991, Vendime dhe Raporte 70, f. 262). Metodat e raportimit objektiv dhe të ekuilibruar mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme, varësisht mes të tjerash nga media në fjalë (shih Jersild, cituar lart, § 31).
135. Gjykata ka vendosur që "dënimi i një gazetari për ndihmë në përhapjen e deklaratave të dhëna nga një person tjetër gjatë një interviste do të pengonte në mënyrë serioze kontributin e shtypit në diskutimin e çështjeve të interesit publik dhe nuk duhet të mendohet në qoftë se nuk ka arsye veçanërisht të forta për ta bërë këtë" (shih Jersild, cituar lart, § 35; Thoma kundër Luksemburgut, nr. 38432/97, § 62, ECHR 2001‑III; dhe, mutatis mutandis, Verlagsgruppe News GmbH kundër Austrisë, nr. 76918/01, § 31, 14 dhjetor 2006, dhe Print Zeitungsverlag GmbH kundër Austrisë, nr. 26547/07, § 39, 10 tetor 2013).
136. Për më tepër, Gjykata ka deklaruar që të shprehurit që është në papajtueshmëri me vlerat e shpallura dhe të garantuara nga Konventa nuk është i mbrojtur nga Neni 10 për shkak të Nenit 17 të Konventës. Shembuj të të shprehurit të tillë të shqyrtuar nga Gjykata kanë përfshirë deklaratat që mohojnë holokaustin, që justifikojnë politikat pro-naziste, që lidhin të gjithë myslimanët me akte të rënda terrorizmi, ose që pasqyrojnë çifutët si burim i së keqes në Rusi (shih Lehideux dhe Isorni kundër Francës, 23 shtator 1998, §§ 47 dhe 53, Raporte 1998‑VII; Garaudy kundër Francës (dec.), nr. 65831/01, ECHR 2003‑IX; Norwood kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 23131/03, ECHR 2004‑XI; Witzsch kundër Gjermanisë (dec.), nr. 7485/03, 13 dhjetor 2005; dhe Pavel Ivanov kundër Rusisë (dec.), nr. 35222/04, 20 shkurt 2007).
137. Gjykata përsërit më tej që e drejta e mbrojtjes së reputacionit është e drejtë e cila është e mbrojtur nga Neni 8 i Konventës si pjesë e së drejtës për respektim të jetës private (shih Chauvy dhe të Tjerë, cituar lart, § 70; Pfeifer kundër Austrisë, nr. 12556/03, § 35, 15 nëntor 2007; dhe Polanco Torres dhe Movilla Polanco kundër Spanjës, nr. 34147/06, § 40, 21 shtator 2010). Megjithatë, në mënyrë që të hyjë në lojë Neni 8, një sulm kundër reputacionit të një personi duhet të arrijë një shkallë të caktuar të të qenit serioz dhe të jetë kryer në një mënyrë të atillë që të shkaktojë paragjykim ndaj gëzimit personal të të drejtës për respekt ndaj jetës private (shih A. kundër Norvegjisë, nr. 28070/06, § 64, 9 prill 2009, dhe Axel Springer AG kundër Gjermanisë [GC], nr. 39954/08, § 83, 7 shkurt 2012).
138. Gjatë shqyrtimit nëse ka nevojë për ndërhyrje në lirinë e shprehjes në një shoqëri demokratike në interes të "mbrojtjes së reputacionit ose të drejtave të të tjerëve", Gjykatës mund t’i duhet të sigurohet nëse autoritetet vendase kanë arritur të gjejnë një ekuilibër të drejtë gjatë mbrojtjes së dy vlerave të garantuara nga Konventa të cilat mund të bien ndesh me njëra-tjetrën në raste të caktuara, pra nga njëra anë liria e shprehjes e mbrojtur nga Neni 10, dhe nga ana tjetër e drejta për respekt ndaj jetës private e mishëruar nga Neni 8 (shih Hachette Filipacchi Associés kundër Francës, nr. 71111/01, § 43, 14 qershor 2007; MGN Limited kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39401/04, § 142, 18 janar 2011; dhe Axel Springer AG, cituar lart, § 84).
139. Gjykata ka gjetur që, si çështje parimi, të drejtat e garantuara nga Nenet 8 dhe 10 meritojnë respekt të barabartë, dhe rezultati i një zbatimi nuk do të duhej, në parim, të ndryshonte në varësi të faktit nëse është depozituar në Gjykatë në përputhje me Nenin 10 të Konventës nga publikuesi i një artikulli ofendues apo në përputhje me Nenin 8 të Konventës nga personi i cili ka qenë objekt i atij artikulli. Rrjedhimisht, hapësira e vlerësimit në parim duhet të jetë e njëjta në të dy rastet (shih Axel Springer AG, cituar lart, § 87, dhe Von Hannover kundër Gjermanisë (nr. 2) [GC], nr. 40660/08 dhe nr. 60641/08, § 106, ECHR 2012, me referenca të mëtejshme ndaj çështjeve të Hachette Filipacchi Associés, cituar lart, § 41; Timciuc kundër Rumanisë (dec.), nr. 28999/03, § 144, 12 tetor 2010; dhe Mosley kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 48009/08, § 111, 10 maj 2011). Kur ushtrimi i ekuilibrimit mes atyre dy të drejtave ndërmerret nga autoritetet kombëtare në përputhje me kriteret e shtruara nga praktika gjyqësore e Gjykatës, Gjykata do të kërkonte arsye të forta për ta zëvendësuar pikëpamjen e saj për atë gjykatë vendase (shih Axel Springer AG, cituar lart, § 88, dhe Von Hannover (nr. 2), cituar lart, § 107, me referenca të mëtejshme ndaj MGN Limited, cituar lart, §§ 150 dhe 155, dhe Palomo Sánchez dhe të Tjerë kundër Spanjës [GC], nr. 28955/06, nr. 28957/06, nr. 28959/06 dhe nr. 28964/06, § 57, 12 shtator 2011). Me fjalë të tjera, zakonisht ka hapësirë të gjerë që lejohet nga Gjykata në qoftë se Shtetit i kërkohet të gjejë ekuilibrin mes interesave konkurruese private ose të drejtave konkurruese të Konventës (shih Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 6339/05, § 77, ECHR 2007‑I; Chassagnou dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 25088/94, nr. 28331/95 dhe nr. 28443/95, § 113, ECHR 1999‑III; dhe Ashby Donald dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 36769/08, § 40, 10 janar 2013).
(b) Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen e tanishme
(i) Elementet e vlerësimit të proporcionalitetit
140. Gjykata shënon që nuk diskutohet që komentet e postuara nga lexuesit si reagim ndaj artikullit të lajmeve të publikuar në portalin e lajmeve në internet të kompanisë kërkuese, siç paraqiten në pjesën e komentimeve të portalit, kanë qenë të një natyre qartazi të paligjshme. Në fakt, kompania kërkuese i hoqi komentet pasi u njoftua nga pala e lënduar, dhe i përshkroi ato si "shkelëse" dhe "të paligjshme" para Dhomës (shih paragrafin 84 të vendimit të Dhomës). Për më tepër, Gjykata është e mendimit që shumica e komenteve të kundërshtuara përbënin gjuhë urrejtjeje ose nxitje për dhunë dhe si të tilla nuk gëzonin mbrojtjen e Nenit 10 (shih paragrafin 136 lart). Kështu, në rastin konkret nuk bëhet fjalë për lirinë e shprehjes së autorëve të komenteve. Në fakt, çështja para Gjykatës është nëse vendimet e gjykatave vendase, që e bëjnë kompaninë kërkuese përgjegjëse për këto komente të postuara nga palët e treta, kanë qenë në shkelje të lirisë së saj për të përhapur informacione siç garantohet nga Neni 10 i Konventës.
141. Gjykata vëren që megjithëse kompania kërkuese i hoqi menjëherë komentet në fjalë nga faqja e saj sapo u njoftua nga avokatët e L. (shih paragrafët 18 dhe 19 lart), Gjykata Supreme e mbajti kërkuesin përgjegjës mbi bazën e Ligjit të Detyrimeve sepse ajo duhet të kishte parandaluar publikimin e komenteve me përmbajtje qartazi të paligjshme. Më pas ajo iu referua seksionit 1047(3) të Ligjit të Detyrimeve, sipas të cilit zbulimi i informacioneve ose çështjeve të tjera nuk vlerësohet të jetë i paligjshëm në qoftë se personi që e zbulon informacionin ose çështjet e tjera ose personi para të cilit zbulohen këto çështje ka interes legjitim për të zbuluar, dhe në qoftë se personi i cili zbulon informacionin e ka verifikuar informacionin ose çështjet e tjera me një thellësi që përputhet me "peshën e shkeljes së mundshme". Gjykata Supreme u shpreh që, pas zbulimit, kompania kërkuese kishte dështuar të hiqte komentet – për përmbajtjen e paligjshme të të cilave ajo duhet të kishte qenë në dijeni – nga portali me iniciativën e vet. Kështu mos aktiviteti i kompanisë kërkuese u vlerësua i paligjshëm sepse nuk e kishte "vërtetuar mungesën e fajësisë" sipas seksionit 1050(1) të Ligjit të Detyrimeve (shih § 16 të vendimit të Gjykatës Supreme siç ceket në paragrafin 31 lart).
142. Nën dritën e arsyetimit të Gjykatës Supreme, Gjykata duhet, sipas praktikës së saj gjyqësore të qëndrueshme, të shqyrtojë nëse gjetja nga gjykatat vendase e përgjegjësisë së kompanisë kërkuese ishte e mbështetur mbi baza relevante dhe të mjaftueshme në rrethanat e veçanta të çështjes (shih paragrafin 131 lart). Gjykata vëren që për ta zgjidhur çështjen nëse vendimet e gjykatave vendase që e mbajtën kompaninë kërkuese përgjegjëse për komentet e postuar nga palët e treta kanë qenë në shkelje të lirisë së saj të shprehjes, Dhoma identifikoi aspektet e mëposhtme si të rëndësishme për analizën e saj: kontekstin e komenteve, masat e zbatuara nga kompania kërkuese për të parandaluar ose për të hequr komentet shpifëse, përgjegjësinë e autorëve aktualë të komenteve si alternativë ndaj përgjegjësisë së kompanisë kërkuese, dhe pasojat e procedurave vendase për kompaninë kërkuese (shih paragrafët 85 et seq. të vendimit të Dhomës).
143. Gjykata pajtohet që këto aspekte janë relevante për vlerësimin konkret të proporcionalitetit të ndërhyrjes në fjalë brenda fushëveprimit të shqyrtimit të Gjykatës në çështjen në fjalë (shih paragrafët 112 deri në 117 lart).
(ii) Konteksti i komenteve
144. Për sa i përket kontekstit të komenteve, Gjykata pranon që artikulli i lajmeve në lidhje me kompaninë e tragetit, publikuar në portalin e lajmeve të Delfit, ishte i ekuilibruar, nuk përmbante gjuhë ofenduese dhe nuk u jepte shkas argumenteve rreth deklaratave të paligjshme në procedurat vendase. Gjykata është e vetëdijshme që edhe një artikull i tillë i ekuilibruar në lidhje me një temë në dukje asnjanëse mund të provokojë diskutime të ashpra në internet. Më tej, ajo i jep peshë të veçantë, në këtë kontekst, natyrës së portalit të lajmeve të Delfit. Ajo përsërit që Delfi ishte portal lajmesh në internet i menaxhuar në mënyrë profesionale i cili administrohej mbi baza komerciale dhe synonte të tërhiqte një numër të madh komentesh mbi artikujt e lajmeve të publikuara në të. Gjykata vëren që Gjykata Supreme i është referuar shprehimisht faktit që kompania kërkuese e kishte integruar hapësirën e komenteve në portalin e saj të lajmeve, duke ftuar vizitorët e faqes së internetit të plotësonin lajmet me gjykimet dhe mendimet (komentet) e vetë atyre. Sipas gjetjeve të Gjykatës Supreme, në hapësirën e komenteve, kompania kërkuese në mënyrë aktive bënte thirrje për komente rreth lajmeve që dilnin në portal. Numri i vizitave në portalin e kompanisë kërkuese varej nga numri i komenteve; të ardhurat e fituara nga reklamat e publikuara në portal, rrjedhimisht, vareshin nga numri i vizitave. Kështu, Gjykata Supreme konkludoi që kompania kërkuese kishte pasur interes ekonomik në postimin e komenteve. Sipas mendimit të Gjykatës Supreme, fakti që kompania kërkuese nuk ishte shkruesja e komenteve nuk donte të thoshte që ajo nuk kishte kontroll mbi hapësirën e komenteve (shih § 13 të vendimit i cekur në paragrafin 31 lart).
145. Gjykata gjithashtu shënon në lidhje me këtë që "Rregullorja e komenteve" në faqen e internetit të Delfit deklaronte që kompania kërkuese ndalonte postimin e komenteve që ishin pa thelb dhe/ose jashtë temës, që ishin në kundërshtim me praktikat e mira, që përmbanin kërcënime, fyerje, shprehje të turpshme ose vulgaritete, ose që nxisnin armiqësi, dhunë ose aktivitete të paligjshme. Komente të tilla hiqeshin dhe mundësia e autorëve të tyre për të postuar komente kufizohej. Më tej, autorët aktualë të komenteve nuk mund të modifikonin ose të fshinin komentet e tyre pasi ato postoheshin në portalin e lajmeve të kompanisë kërkuese – vetëm kompania kërkuese kishte mjetet teknike për ta bërë këtë. Nën dritën e këtyre fakteve dhe të arsyetimit të Gjykatës Supreme, Gjykata është dakord me gjetjen e Dhomës që kompania kërkuese duhet të konsiderohet të ketë ushtruar një shkallë të konsiderueshme kontrolli mbi komentet e publikuara në portalin e saj.
146. Në përmbledhje, Gjykata konsideron që është konstatuar mjaftueshëm nga Gjykata Supreme që përfshirja e kompanisë kërkuese në bërjen publike të komenteve rreth artikujve të saj në portalin e lajmeve të Delfit ka shkuar përtej një përfshirjeje pasive, thjesht teknike të një ofruesi shërbimesh. Prandaj Gjykata gjen që Gjykata Supreme e ka bazuar arsyetimin e saj mbi baza të cilat kanë qenë relevante për qëllimet e Nenit 10 të Konventës.
(iii) Përgjegjësia e autorëve të komenteve
147. Në lidhje me çështjen nëse përgjegjësia e autorëve aktualë të komenteve mund të shërbente si alternativë e arsyeshme ndaj përgjegjësisë së portalit të lajmeve të internetit në një çështje si kjo, Gjykata ka parasysh interesin e përdoruesve të internetit në mos zbulimin e identitetit të tyre. Anonimiteti ka qenë për një kohë të gjatë mjet për shmangien e hakmarrjes ose vëmendjes së padëshiruar. Si i tillë, ai mundëson rrjedhën e lirë të ideve dhe informacionit në mënyrë të rëndësishme, përfshirë edhe në internet. Në të njëjtën kohë, Gjykata nuk harron lehtësinë, fushëveprimin dhe shpejtësinë e përhapjes së informacionit në internet, dhe qëndrueshmërinë e informacionit që bëhet i ditur, çka mund t’i rëndojë në mënyrë të konsiderueshme efektet e gjuhës së paligjshme në internet krahasuar me mediat tradicionale. Ajo gjithashtu i referohet në këtë kontekst një vendimi të kohëve të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian në çështjen e Google Spain kundër Spanjës, në të cilën gjykata, pavarësisht se në kontekst tjetër, u mor me problemin e ekzistencës në internet të informacioneve që ndërhynin në mënyrë serioze tek jeta private e një personi gjatë një periudhe të gjatë kohore, dhe gjeti që të drejtat themelore të individit, si rregull, ishin mbi interesat ekonomike të operatorit të makinerisë së kërkimit dhe interesat e përdoruesve të tjerë të internetit (shih paragrafin 56 lart).
148. Gjykata vëren që në internet janë të mundura shkallë të ndryshme anonimiteti. Një përdorues interneti mund të jetë anonim për publikun e gjerë ndërkohë që është i identifikueshëm nga ofruesi i shërbimit përmes një llogarie ose të dhënave kontaktuese që mund të jenë ose të paverifikuara ose që duhet të verifikohen – gjë që shkon nga verifikimi i kufizuar (për shembull, përmes aktivizimit të një llogarie përmes adresës elektronike ose llogarisë në rrjetet sociale) për të siguruar autentifikimin, qoftë duke përdorur kartat kombëtare të identitetit elektronik ose të dhënat online të autentifikimit bankar që lejojnë identifikim më të sigurt të një përdoruesi. Një ofrues shërbimesh gjithashtu mund të lejojë shkallë të gjerë anonimiteti për përdoruesit e vet, në ç’rast përdoruesve nuk u kërkohet të identifikohen fare dhe ata mund të gjurmohen – deri në masë të kufizuar – përmes informacionit të ruajtur nga ofruesit e qasjes në internet. Lëshimi i këtyre informacioneve zakonisht kërkon një urdhër nga autoritetet hetimore ose gjyqësore dhe u nënshtrohet kushteve kufizuese. Pavarësisht nga kjo, në disa raste mund të kërkohet për të identifikuar dhe ndjekur kryesit e shkeljeve.
149. Kështu, në çështjen e K.U. kundër Finlandës, në lidhje me veprën e "keqprezantimit keqdashës" të natyrës seksuale kundër një të mituri, Gjykata gjeti që "[m]egjithëse liria e shprehjes dhe konfidencialiteti i komunikimeve janë konsiderata të dorës së parë dhe përdoruesit e telekomunikimeve dhe shërbimet e internetit duhet të kenë garanci që privatësia dhe liria e tyre e shprehjes do të respektohen, një garanci e tillë nuk mund të jetë absolute dhe duhet të lëshojë rrugë në rast imperativi tjetër legjitim, siç është parandalimi i rrëmujës ose krimit ose mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve" (shih K.U. kundër Finlandës, nr. 2872/02, § 49, ECHR 2008). Gjykata në atë çështje refuzoi argumentin e Qeverisë që kërkuesi kishte pasur mundësi të merrte dëmshpërblim nga ofruesi i shërbimit, duke gjetur që kjo nuk ishte e mjaftueshme në rrethanat e çështjes. Ajo u shpreh se duhet të kishte ndreqje që mundësonte identifikimin e kryesit faktik dhe sjelljen e tij para drejtësisë, ndërkohë që në kohën relevante korniza rregullatore e Shtetit përgjegjës nuk kishte parashikuar mundësinë e urdhërimit të ofruesit të shërbimit të internetit që të zbulonte informacionin e kërkuar për atë qëllim (ibid., §§ 47 dhe 49). Megjithëse çështja në fjalë K.U. kundër Finlandës kishte të bënte me një shkelje që klasifikohej si vepër penale sipas të drejtës vendase dhe përfshinte një ndërhyrje më të gjerë në jetën private të viktimës sesa rasti i tanishëm, është e qartë nga arsyetimi i Gjykatës që anonimiteti në internet, sado që është vlerë e rëndësishme, duhet të ekuilibrohet krahas të drejtave dhe interesave të tjera.
150. Në lidhje me përcaktimin e identitetit të autorëve të komenteve në procedurat civile, Gjykata shënon që pozicionet e palëve ndryshonin për sa i përket realizueshmërisë së tij. Mbi bazën e informacioneve të ofruara nga palët, Gjykata vëren se gjykatat estoneze, gjatë procedurës së "marrjes paragjyqësore të provave" sipas Nenit 244 të Kodit të Procedurës Civile (shih paragrafin 40 lart), kishte pranuar kërkesa nga persona të përgojuar ku kërkohej që gazetat online ose portalet e lajmeve në internet të zbulonin adresat e protokollit të internetit (IP) të autorëve që kishin postuar komente me gjasë shpifëse dhe që ofruesit e qasjes në internet të zbulonin emrat dhe adresat e abonentëve të cilëve u përkisnin adresat IP në fjalë. Shembujt e dhënë nga Qeveria tregonin rezultate të përziera: në disa raste kishte qenë e mundur të përcaktohej kompjuteri prej të cilit ishin bërë komentet, ndërsa në disa raste të tjera, për arsye të ndryshme teknike, kjo kishte qenë e pamundur.
151. Sipas vendimit të Gjykatës Supreme në çështjen e tanishme, personi i lënduar kishte zgjedhjen e ngritjes së padisë kundër kompanisë kërkuese ose autorëve të komenteve. Gjykata konsideron që efektiviteti i pasigurt i masave që lejojnë gjetjen e autorëve të komenteve, i kombinuar me mungesën e instrumenteve të vendosura nga kompania kërkuese për të njëjtin qëllim duke e bërë të mundur që viktimat e gjuhës së urrejtjes të ngrinin padi efektive kundër autorëve të komenteve, janë faktorë që mbështesin gjetjen që Gjykata Supreme e ka bazuar vendimin e saj mbi baza relevante dhe të mjaftueshme. Gjykata gjithashtu i referohet, në këtë kontekst, vendimit të Krone Verlag (nr. 4), ku ajo gjeti që bartja e rrezikut që personi i përgojuar të arrijë ndreqje në procedurë për shpifje tek kompania mediale, e cila është në pozicion financiar më të mirë se përgojuesi, nuk ishte ndonjë ndërhyrje jo proporcionale tek e drejta e shprehjes e kompanisë mediale (shih Krone Verlags GmbH & Co. KG kundër Austrisë (nr. 4), nr. 72331/01, § 32, 9 nëntor 2006).
(iv) Masat e marra nga kompania kërkuese
152. Gjykata shënon që kompania kërkuese nënvizoi numrin e komenteve rreth secilit artikull në faqen e saj të internetit, dhe prandaj vendet e shkëmbimeve më intensive të mendimeve duhet të kenë qenë të lehta për t’u identifikuar nga editorët e portalit të lajmeve. Artikulli i diskutuar në çështjen në fjalë kishte tërhequr 185 komente, me sa duket mbi mesataren. Komentet në fjalë u hoqën nga kompania kërkuese rreth gjashtë javë pasi ishin shkruar në faqen e internetit, pas njoftimit të kompanisë kërkuese nga avokatët e personit të dëmtuar (shih paragrafët 17 deri në 19 lart).
153. Gjykata vëren se Gjykata Supreme deklaroi në vendimin e saj që "[p]ër shkak të detyrimeve të dala nga ligji për të shmangur shkaktimin e dëmit, [kompania kërkuese] duhet të kishte parandaluar publikimin e komenteve me përmbajtje qartazi të paligjshme". Megjithatë, ajo gjithashtu u shpreh se "[p]as zbulimit, [kompania kërkuese kishte] dështuar të hiqte komentet – për përmbajtjen e paligjshme e të cilave ajo duhet të kishte qenë në dijeni – nga portali me iniciativë të vet" (shih § 16 të vendimit të cekur në paragrafin 31 lart). Prandaj, Gjykata Supreme nuk e përcaktoi shprehimisht nëse kompania kërkuese kishte për detyrim të parandalonte publikimin e komenteve në faqen e internetit apo nëse do të kishte mjaftuar sipas ligjit vendas që kompania kërkuese t’i kishte hequr komentet ofenduese pa vonesë pas publikimit, për t’i ikur përgjegjësisë sipas Ligjit të Detyrimeve. Gjykata konsideron që gjatë vlerësimit të bazave mbi të cilat Gjykata Supreme u mbështet në vendimin e saj që përfshinte një ndërhyrje tek të drejtat e kërkuesit sipas Konventës, nuk ka asgjë që të sugjerojë se gjykata kombëtare kishte për qëllim të kufizonte të drejtat e kërkuesit më shumë se duhet për të përmbushur qëllimin e synuar. Mbi këtë bazë, dhe duke pasur parasysh lirinë për të dhënë informacione e mishëruar në Nenin 10, Gjykata do të vazhdojë të supozojë që vendimi i Gjykatës Supreme duhet të kuptohet si i tillë që nënkupton se heqja e mëvonshme e komenteve nga kompania kërkuese, pa vonesë pas publikimit, do të kishte mjaftuar që ajo t’i shmangej përgjegjësisë sipas ligjit vendas. Rrjedhimisht, dhe duke marrë parasysh gjetjet e mësipërme (shih paragrafin 145) drejt faktit që kompania kërkuese duhet të konsiderohet që ka ushtruar një shkallë të konsiderueshme kontrolli mbi komentet e publikuara në portalin e saj, Gjykata nuk konsideron që caktimi mbi kompaninë kërkuese i një detyrimi për heqjen nga faqja e saj, pa vonesë pas publikimit, e komenteve që përbënin gjuhë urrejtjeje dhe nxitje për dhunë, dhe ishin kështu qartazi të paligjshme, përbënte, në parim, ndërhyrje jo proporcionale tek liria e saj e shprehjes.
154. Çështja thelbësore në rastin konkret është nëse gjetjet e gjykatave vendase që përgjegjësia ishte e justifikuar, meqenëse kompania kërkuese nuk i kishte hequr komentet pa vonesë pas publikimit, ishin të mbështetura mbi baza relevante dhe të mjaftueshme. Duke pasur parasysh këtë, pikësëpari duhet të merret në konsideratë fakti nëse kompania kërkuese kishte ngritur mekanizma që ishin në gjendje të filtronin komentet që përbënin gjuhë të urrejtjes ose gjuhë që nxiste dhunë.
155. Gjykata shënon që kompania kërkuese mori disa masa në këtë drejtim. Në portalin e lajmeve të Delfit kishte një deklaratë për heqje dorë nga përgjegjësia (disclaimer) ku thuhej se shkruesit e komenteve – dhe jo kompania kërkuese – ishin përgjegjës për to, dhe që postimi i komenteve që ishin në kundërshtim me praktikat e mira ose përmbanin kërcënime, fyerje, shprehje të turpshme ose vulgaritete, ose që nxisnin armiqësi, dhunë ose aktivitete të paligjshme, ishte i ndaluar. Më tej, portali kishte një sistem automatik të fshirjes së komenteve bazuar mbi rrënjët e fjalëve vulgare të caktuara dhe kishte të ngritur një sistem të pikasjes dhe heqjes, ku kushdo mund ta lajmëronte për komente të papërshtatshme thjesht duke klikuar mbi një buton të caktuar për atë qëllim, për ta sjellë komentin në vëmendje të administratorëve. Përveç kësaj, në disa raste administratorët kishin hequr komente të papërshtatshme me iniciativën e tyre.
156. Kështu, Gjykata shënon që kompania kërkuese nuk mund të thuhet ta ketë neglizhuar tërësisht detyrën e saj për të shmangur shkaktimin e dëmit ndaj palëve të treta. Pavarësisht nga kjo, dhe më së rëndësishmi, filtri automatik i bazuar mbi fjalët që përdorej nga kompania kërkuese dështoi të filtronte gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën që nxiste dhunë të postuar nga lexuesit dhe kufizoi kështu mundësinë e vet për të hequr shpejt komentet ofenduese. Gjykata përsërit që shumica e fjalëve dhe shprehjeve aty nuk përfshinin metafora të sofistikuara as nuk përmbanin kuptime të fshehura apo kërcënime tinëzare. Ato manifestonin shprehje të urrejtjes dhe kërcënime të zhurmshme kundër integritetit fizik të L. Kështu, edhe pse filtri automatik i fjalëve mund të kishte qenë i dobishëm në disa raste, faktet e çështjes tani tregojnë që ai ka qenë i pamjaftueshëm për pikasjen e komenteve përmbajtja e të cilave nuk përmbante gjuhë të mbrojtur nga Neni 10 i Konventës (shih paragrafin 136 lart). Gjykata shënon që si pasojë e këtij dështimi të mekanizmit të filtrimit, komente të tilla qartazi të paligjshme kanë qëndruar online për gjashtë javë (shih paragrafin 18 lart).
157. Gjykata vëren këtu që në disa raste administratorët e portalit realisht i kishin hequr komentet e papërshtatshme me iniciativë të vet dhe që, me sa duket pak kohë pas ngjarjeve konkrete, kompania kërkuese kishte krijuar një ekip të përkushtuar moderatorësh. Duke pasur parasysh faktin që ka mundësi të shumta që secili mund të bëjë që zëri i vet të dëgjohet në internet, Gjykata konsideron që detyrimi i një portali të madh të lajmeve për të marrë masa efektive për të kufizuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës që nxit dhunë – çështja konkrete në rastin e tanishëm – nuk mund të barazohet në asnjë mënyrë me "censurimin privat". Duke njohur "rolin e rëndësishëm" të luajtur nga interneti "në shtimin e qasjes publike tek lajmet dhe lehtësimin e përhapjes së informacioneve në përgjithësi" (shih Ahmet Yıldırım, cituar lart, § 48, dhe Times Newspapers Ltd, cituar lart, § 27), Gjykata thekson që ajo e ka parasysh rrezikun e dëmit nga komentet dhe komunikimet në internet (shih Editorial Board of Pravoye Delo dhe Shtekel, cituar lart, § 63; shih gjithashtu Mosley, cituar lart, § 130).
158. Më tej, varësisht nga rrethanat, mund të mos ketë viktimë individuale të identifikueshme, për shembull në disa raste të gjuhës së urrejtjes të drejtuar kundër një grupi personash ose gjuhë urrejtjeje që nxit dhunë të llojit të manifestuar në disa komente në rastin konkret. Në rastet kur ekziston një viktimë individuale, ai ose ajo mund të ndalohet nga lajmërimi i ofruesit të shërbimit të internetit rreth shkeljes së pretenduar të të drejtave të tij ose të saj. Gjykata i jep peshë konsideratës që mundësia e një viktime të mundshme të gjuhës së urrejtjes për të monitoruar vazhdimisht internetin është më e kufizuar sesa mundësia e një portali të madh lajmesh në internet për të parandaluar ose hequr shpejt komente të tilla.
159. Së fundi, Gjykata vëren që kompania kërkuese ka diskutuar (shih paragrafin 78 lart) që Gjykata duhet të marrë parasysh siç duhet sistemin e pikasjes dhe heqjes që ajo kishte vënë në vend. Në qoftë se do të shoqërohej me procedura efektive për përgjigje të shpejtë, ky sistem sipas mendimit të Gjykatës mund të funksionojë në shumë raste si mjet i përshtatshëm për ekuilibrimin e të drejtave dhe interesave të të gjitha palëve të përfshira. Megjithatë, në raste të tilla siç është çështja e tanishme, kur komentet e përdoruesve të palës së tretë janë në formën e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj integritetit fizik të individëve, siç kuptohet në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih paragrafin 136 lart), Gjykata konsideron, siç u përmend më lart (shih paragrafin 153), që të drejtat dhe interesat e të tjerëve dhe të shoqërisë në tërësi mund të bëjnë që Shtetet Kontraktuese të vendosin përgjegjësi mbi portalet e lajmeve në internet, pa shkuar kundër Nenit 10 të Konventës, në qoftë se ato dështojnë në marrjen e masave për heqjen e komenteve qartazi të paligjshme, pa vonesë, madje edhe pa u lajmëruar nga viktima e pretenduar ose nga palë të treta.
(v) Pasojat për kompaninë kërkuese
160. Në fund, duke iu rikthyer pyetjes se çfarë pasojash rezultuan nga procedurat vendase për kompaninë kërkuese, Gjykata shënon që kompania u detyrua t’i paguante personit të dëmtuar shumën e barasvlershme me 320 euro si kompensim për dëme jo materiale. Ajo është dakord me gjetjen e Dhomës që kjo shumë, duke marrë parasysh njëkohësisht faktin që kompania kërkuese ishte operator profesionist i një prej portaleve më të mëdha të lajmeve në internet në Estoni, nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë shproporcionale me shkeljen e konstatuar nga gjykatat vendase (shih paragrafin 93 të vendimit të Dhomës). Gjykata shënon në lidhje me këtë që ajo ka marrë parasysh praktikën gjyqësore vendase pas Delfit lidhur me përgjegjësinë e operatorëve të portaleve të lajmeve në internet (shih paragrafin 43 lart). Ajo vëren se në këto çështje gjykatat më të ulëta kanë ndjekur vendimin e Gjykatës Supreme në rastin Delfi por nuk janë dhënë shpërblime për dëme jo materiale. Me fjalë të tjera, rezultati konkret për operatorët në çështjet pas Delfit ka qenë që ata i kanë hequr komentet ofenduese por nuk janë urdhëruar të paguanin kompensim për dëme jo materiale.
161. Gjykata gjithashtu vëren se nuk duket që kompanisë kërkuese i është dashur të ndryshonte modelin e saj të biznesit si rezultat i procedurave vendase. Sipas informacioneve në dispozicion, portali i lajmeve Delfi ka vazhduar të jetë një prej publikimeve më të mëdha të internetit në Estoni dhe pa diskutim faqja më popullore për postimin e komenteve, numri i të cilave ka vazhduar të rritet. Komentet anonime – që tani ekzistojnë krahas mundësisë së postimit të komenteve të regjistruara, të cilat u shfaqen lexuesve më parë – ende mbizotërojnë dhe kompania kërkuese ka ngritur një ekip moderatorësh që merren me moderimin e komenteve të postuara në portal (shih paragrafët 32 dhe 83 lart). Në këto rrethana, Gjykata nuk mund të konkludojë që ndërhyrja tek liria e shprehjes e kompanisë kërkuese ka qenë jo proporcionale, as në këtë aspekt.
(vi) Përfundimi
162. Mbi bazën e vlerësimit konkret të aspekteve të mësipërme, duke marrë parasysh arsyetimin e Gjykatës Supreme në çështjen në fjalë, posaçërisht natyrën ekstreme të komenteve në fjalë, faktin që komentet janë postuar si reagim ndaj një artikulli të publikuar nga kompania kërkuese në portalin e saj të lajmeve të administruar profesionalisht dhe për qëllime tregtare, pamjaftueshmërinë e masave të marra nga kompania kërkuese për të hequr pa vonesë pas publikimit komentet që përbënin gjuhë urrejtjeje dhe gjuhë që nxiste dhunë dhe për të siguruar një perspektivë realiste që autorët e komenteve të tilla të mbahen përgjegjës, dhe sanksionin e butë të vendosur ndaj kompanisë kërkuese, Gjykata gjen që caktimi nga gjykatat vendase i përgjegjësisë mbi kompaninë kërkuese ishte i bazuar mbi baza relevante dhe të mjaftueshme, duke marrë parasysh hapësirën e vlerësimit që i lejohet Shtetit përgjegjës. Prandaj, masa nuk ka përbërë kufizim jo proporcional ndaj të drejtës së kompanisë kërkuese për lirinë e shprehjes.
Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 16 qershor 2015.
Johan CallewaertDean Spielmann
Zëvendës i KancelaritKryetar
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara më poshtë vendosen në shtojcë të këtij vendimi:
(a) mendimi i përbashkët paralel i Gjyqtarëve Raimondi, Karakas, De Gaetano dhe Kjølbro;
(b) mendimi paralel i Gjyqtarit Zupančič;
(c) mendimi i përbashkët pakicë i Gjyqtarëve Sajó dhe Tsotsoria.
D.S.
J.C.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1]. Këtu aludohet në një shprehje estoneze që thotë "çdo dash ka Michaelmas-in e vet", që historikisht i referohet therjes së deshëve të tredhur në vjeshtë rreth ditës së Michaelmas-it (29 shtator) por që në ditët tona ka kuptimin që njeriu nuk mund t'i ikë fatit të vet.
[2]. Fjalët estoneze avaldama/avaldaja nënkuptojnë edhe publikoj/publikues, edhe zbuloj/zbulues.
Full & Egal Universal Law Academy