© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA D.H. DHE TË TJERË KUNDËR REPUBLIKËS ÇEKE
(Kërkesa nr. 57325/00)
VENDIM
STRASBURG
13 nëntor 2007
.
Në çështjen D.H. dhe të tjerë kundër Republikës Çeke,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e përfaqsuar nga Dhoma e Madhe e përbërë nga :
Nicolas Bratza, kryetar,
Boštjan M. Zupančič,
Rıza Türmen,
Karel Jungwiert,
Josep Casadevall,
Margarita Tsatsa-Nikolovska,
Kristaq Traja,
Vladimiro Zagrebelsky,
Elisabeth Steiner,
Javier Borrego Borrego,
Alvina Gyulumyan,
Khanlar Hajiyev,
Dean Spielmann,
Sverre Erik Jebens,
Ján Šikuta,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger, gjyqtarë,
dhe nga Michael O’Boyle, zëvendës sekretar,
Pas shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillit më 17 janar 2007 dhe më 19 shtator 2007, ky është vendimi i marrë datën e fundit :
PROCEDURA
1. Ngjarja e ka fillesën tek kërkesa (nr. 57325/00) drejtuar kundër Republikës së Çekisë, tetëmbëdhjetë shtetasit e të cilës (« kërkuesit » – të dhënat e tyre figurojnë në aneks) i janë drejtuar Gjykatës më 8 prill 2000 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesit janë përfaqsuar në Gjykatë nga Qendra evropiane për të drejtat e Romëve me seli në Budapest, nga Lord Lester of Herne Hill QC, avokat, nga Av. J. Goldston, anëtar i dhomës së avokatëve të Nju Jorkut, dhe nga Av. D. Strupek, avokat në Çeki. Qeveria e Çekisë (« Qeveria ») u përfaqsua nga agjenti i saj Z. V.A. Schorm.
3. Ankimimet e kërkuesve lidhen në mënyrë të veçantë me diskriminimin që kanë pësuar në gëzimin e të drejtës së tyre për t’u arsimuar për shkak të racës apo origjinës së tyre etnike.
4. Kërkesa i është caktuar seksionit të dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i rregullores). Brenda seksionit, dhoma e ngarkuar për shqyrtimin e çështjes (neni 27 § 1 i Konventës) është krijuar në përputhje me nenin 26 § 1 të rregullores.
5. Më 1 mars 2005, pas një seance që morri në shqyrtim në të njëjtën kohë pranueshmërinë dhe themelin e çështjes (neni 54 § 3 i rregullores), kjo dhomë e deklaroi kërkesën pjesërisht të pranueshme.
6. Më 7 shkurt 2006, dhoma, e përbërë nga Jean-Paul Costa, kryetar, Andràs Baka, Ireneu Cabral Barreto, Karel Jungwiert, Volodymyr Butkevych, Antonella Mularoni dhe Danutė Jočienė, gjyqtarë, si dhe nga Sally Dollé, sekretare e seksionit, ka marrë vendimin se nuk ka shkelje të nenit 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1.
7. Më 5 maj 2006, kërkuesit kanë kërkuar që çështja t’i kalojë Dhomës së Madhe në bazë të nenit 43 të Konventës. Më 3 korrik 2006, një komitet i Dhomës së Madhe e ka pranuar këtë kërkesë.
8. Përbërja e Dhomës së Madhe është kryer në përputhje me nenet 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 24 të rregullores. Gjatë debateve përfundimtare, Kristaq Traja dhe Josep Casadevall, ndihmësgjyqtarë, kanë zëvendësuar Christos Rozakis dhe Peer Lorenzen, në pamundësi për të marrë pjesë (neni 24 § 3 i rregullores).
9. Si kërkuesit ashtu dhe Qeveria kanë depozituar një kujtesë mbi themelin e çështjes. Janë pranuar vëzhgime gjithashtu nga organizatat jo qeveritare International Step by Step Association, Roma Education Fund dhe European Early Childhood Education Research Association, Interights dhe Human Rights Watch, Minority Rights Group International, European Network Against Racism dhe European Roma Information Office, si dhe nga Federata ndërkombëtare e ligës së të drejtave të njeriut. Kryetari i kishte autorizuar ato të ndërhynin në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 të Konventës dhe 44 § 2 të rregullores). Qeveria u është përgjigjur këtyre komenteve. (neni 44 § 5 i rregullores).
10. U zhvillua një seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 17 janar 2007 (neni 59 § 3 i rrgullores).
Janë paraqitur :
– nga ana e Qeverisë
Z.V.A. Schorm, agjent,
Zonjat M. Kopsová,
Z. Kaprová,
J. Zapletalová,
Zotërinjtë R. Barinka,
P. Konůpka,këshilltarë ;
– nga ana e kërkuesve
LordLester of Herne Hill QC, avokat,
Av.J. Goldston, avokat,
Av.D. Strupek, avokat,këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar deklaratat e Lord Lester of Herne Hill, e Av. Goldston dhe Av. Strupek, si dhe ato të Z. Schorm.
FAKTET
I. RRETHANAT E NGJARJES
11. Të dhënat në lidhje me identitetin dhe vendbanimin e kërkuesve figurojnë në aneks.
A. Konteksti historik
12. Sipas dokumenteve të disponueshme në sitin e Internetit të Këshillit të Europës mbi dallimin mes Romëve dhe Udhëtarëve (popullata lëvizëse), Romët janë me origjinë nga rajonet që ndodhen në veri-lindje të Indisë dhe në pllajën iraniane. Gjurmët e para të shkrimit që vërtetojnë ardhjen e tyre në Europë datojnë nga shekulli i XIV. Sot numërohen tetë deri në dhjetë milionë Romë në Europë. Ata ndodhen pothuajse në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës ; në disa vende të Europës qëndrore dhe lindore, ata përbëjnë më shumë se 5 % të popullsisë. Pjesa më e madhe e tyre flasin gjuhën rome, një gjuhë indoevropiane e kuptuar nga pjesa dërrmuese e Romëve në Europë, megjithë variantet e saj të shumta. Në përgjithësi, Romët flasin gjithashtu gjuhën dominante të rajonit ku jetojnë, madje edhe shumë gjuhë të tjera.
13. Edhe pse kanë ardhur në Europë që në shekullin e XIV, Romët nuk janë njohur gjithmonë nga shoqëritë mazhoritare si një popull europian me të drejta të plota. Gjatë gjithë historisë së tyre, ata kanë vuajtur nga mospranimi dhe nga persekutimet që arritën kulmin me tentativën e nazistëve për shfarosje, të cilët i konsideronin Romët si një racë inferiore. Ky mospranim shekullor ka sjellë sot si pasojë faktin që Romët, mjaft shpesh, jetojnë në kushte shumë të vështira, të veçuar nga shoqëritë e vendeve ku janë vendosur dhe pjesëmarrja e tyre në jetën publike është tejet e kufizuar.
14. Në Republikën e Çekisë, Romët përfitojnë nga statuti i minoritetit kombëtar, çka u jep atyre të drejta të veçanta që janë karakteristike për këto minoritete. Këshilli i ngarkuar për minoritetet kombëtare, organ këshillues i qeverisë çeke pa kompetenca ekzekutive, ka si detyrë të mbrojë interesat e minoriteteve kombëtare ku bën pjesë edhe minoriteti rom.
Përsa i përket numrit aktual të Romëve në Republikën Çeke, ekziston një hendek mes statistikave zyrtare të bazuara në rregjistrimin e popullsisë dhe vlerësimeve. Sipas vlerësimeve të fundit, të disponueshme edhe në sitin e internetit të Këshillit të qeverisë çeke që merret me minoritetet kombëtare, numri i personave që i përkasin minoritetit rom mendohet të jetë sot nga 150 000 - 300 000 persona.
B. Shkollat e veçanta
15. Sipas informacioneve të dhëna nga qeveria çeke, shkollat e veçanta (zvláštní školy) u krijuan pas Luftës së Parë Botërore për fëmijët që kishin nevojë për një përkujdesje të veçantë, siç janë fëmijët me të meta mendore, por dhe me probleme soociale. Numri i nxënësve që frekuentonin këto shkolla ka ardhur gjithmonë e në rritje (nga 23 000 në 1960 - 59 301 në vitin 1988). Duke parë kërkesat e larta për shkollat fillore (základní školy) dhe përzgjedhjes që bënin këto të fundit, pjesa më e madhe e fëmijëve romë para vitit 1989 shkonin në shkollat e veçanta.
16. Sipas ligjit nr. 29/1984 për arsimin që zbatohej në këtë çështje, shkollat e veçanta përbënin një kategori shkollash të specializuara (speciální školy) dhe ishin të destinuara për fëmijët që kishin dobësi mendore dhe që nuk mund të arsimoheshin në shkollat fillore të « zakonshme » apo të specializuara. Sipas këtij ligji, orientimi drejt një institucioni të tillë vendosej nga drejtori i shkollës, mbi bazën e rezultateve të një testi mbi aftësitë intelektuale të fëmijës që kryhej në një qendër këshillimi psikopedagogjik, dhe sigurisht me miratimin e përfaqsuesit ligjor të fëmijës.
17. Pas kalimit në ekonominë e tregut në vitet 1990, sistemi i shkollave të veçanta në Republikën e Çekisë pësoi ndryshime të shumta që patën pasoja gjithashtu në arsimimin e fëmijëve romë. Në vitin 1995, Ministria e Arsimit hartoi një udhëzim që parashikonte mësime shtesë për nxënësit që kishin mbaruar shkollimin e detyrueshëm në një prej shkollave të veçanta. Që prej vitit shkollor 1996/1997, janë hapur klasa përgatitore pranë kopshteve, shkollave fillore dhe shkollave të veçanta për nxënësit që vijnë nga një mjedis social i pafavorizuar. Në vitin 1998, Ministria e Arsimit miratoi një program arsimor alternativ për nxënësit me origjinë rome të caktuar në shkollat e veçanta. Po ashtu, u caktuan asistentë romë në mësimdhënie për shkollat fillore dhe për shkollat e veçanta duke pasur si qëllim të ndihmojnë mësuesit dhe të lehtësojnë komunikimin e tyre me familjet. Në bazë të amendamentit nr.19/2000 të ligjit për arsimin që ka hyrë në fuqi më 18 shkurt 2000, nxënësit që kishin kryer arsimin e detyruar në një shkollë të veçantë, mund të pranoheshin që të studjonin në institutcionet e arsimit të mesëm, nëse do të plotësonin kushtet e pranimit të parashikura për formimin e zgjedhur.
18. Sipas të dhënave të transmetuara nga kërkuesit dhe atyre që dalin nga përgjigjet e pyetësorëve që u janë drejtuar në 1999 drejtorëve të shkollave të veçanta (tetë është numri i tyre) dhe atyre fillore (gjashtëdhjetë e nëntë është numri i tyre) në qytetin e Ostravas, numri total i nxënësve që frekuentonin shkollat e veçanta në Ostrava ishte 1 360, 762 prej të cilëve (56 %) ishin romë. Përkundrazi, Romët përbëjnë vetëm 2,26 % nga numri total prej 33 372 nxënës që frekuentonin shkollat fillore të Ostravas. Për më tepër, ndërkohë që numri i nxënësve jo romë të rregjistruar në shkollat e veçanta kapte shifrën prej 1,8 %, përqindja e Romëve të Ostravas që orientoheshin drejt këtyre shkollave shkonte deri në 50,3 %. Në këtë mënyrë, një fëmijë rom në Ostrava kishte 27 herë më shumë mundësi për të frekuentuar një shkollë të veçantë sesa një fëmijë jo rom.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Observatori europian i fenomeneve raciste dhe ksenofobe (tani Agjensia e të drejtave themelore të Bashkimit Europian), më shumë se gjysma e fëmijëve romë në Republikën e Çekisë frekuentojnë shkollat e veçanta.
Komiteti këshillues i Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve vëren në raportin e tij të datës 26 tetor 2005 se sipas vlerësimeve jo zyrtare, Romët përbëjnë deri në 70% të nxënësve të rregjistruar në shkollat e veçanta.
Së fundi, sipas një krahasimi me të dhënat e mbledhura nga OSBE në vitin 1999 në lidhje me pesëmbëdhjetë vende, ndër të cilët përmendim vende europiane, aziatike dhe amerikano-veriore (krahasim i cituar në vëzhgimet e paraqitura nga International Step by Step Association, Roma Education Fund dhe European Early Childhood Education Research Association)[1], Republika Çeke klasifikohej në vendin e dytë për dërgimin e fëmijëve me të meta organike në shkollat e veçanta dhe në vendin e tretë për shkollimin e fëmijëve që kanë veshtirësi në procesin e nxënies në institucione të veçanta. Nga ana tjetër, nga tetë vende që kishin dhënë informacione në lidhje me shkollimin e fëmijëve, vështirësitë e të cilëve e kanë origjinën tek faktorët socialë, Republika Çeke ishte i vetmi vend që përdorte shkollat e veçanta për këto raste ; pothuajse të gjitha vendet e tjera ia besonin arsimimin e këtyre fëmijëve shkollave të zakonshme.
C. Faktet e çështjes
19. Mes viteve 1996 - 1999, kërkuesit u rregjistruan në shkollat e veçanta të Ostravas, menjëherë apo pasi kishin kaluar një farë kohe në institucionet e arsimit fillor.
20. Nga dosja del qartë se prindërit e kërkuesve kishin rënë dakort për orientimin e fëmijëve të tyre në shkollat e veçanta, madje e kishin kërkuar shprehimisht një masë të tillë. Miratimi i prindërve ishte shprehur me nënshkrimin e tyre në një formular të paraplotësuar. Në rastin e kërkuesve të përmendur me numrat 12 dhe 16, datat që figurojnë në formular janë data të mëvonshme nga ato kur të interesuarit u dërguan në shkollat e veçanta ; në të dy rastet, kjo datë është korrigjuar me laps, dhe në njërin prej tyre, shoqërohet me një shënim të mësueses që thotë se bëhet fjalë për një gabim shtypi.
Dërgimi në këto shkolla u vendos më pas nga drejtorët e shkollave përkatëse, të cilët u referoheshin rekomandimeve të dhëna nga qendrat e këshillimit psikopedagogjik ku kërkuesit kishin kryer teste psikologjike. Dosjet e shkollës përmbajnë një raport të këtij kontrolli, bashkë me rezultatet e testeve të komentuara nga ekzaminuesi, vizatimet e bëra nga të interesuarit dhe në shumë raste, një pyetësor që u drejtohej prindërve.
Vendimet me shkrim për dërgimin në këto shkolla iu bënë të ditur prindërve të kërkuesve. Ato përmbanin një udhëzim mbi mundësinë për të apeluar vendimin, por asnjë nga të interesuarit nuk e morri parasysh.
21. Nga ana tjetër, më 29 qershor 1999, kërkuesit morrën një letër nga autoritetet e shkollës ku i informonin mbi mundësitë për të kaluar nga një shkollë e veçantë në një shkollë fillore. Duket që katër prej tyre (të përmendur në aneks me numrat 5, 6, 11 dhe 16) kanë dalë mirë në testet e aftësisë dhe kanë frekuentuar më pas shkollat e zakonshme.
22. Në procedurën që lidhet me kërkesën e mëposhtme, kërkuesit u përfaqsuan nga një avokat që vepron në bazë të prokurës së nënshkruar nga prindërit e tyre.
1. Kërkesa për rishqyrtim jashtë procedurës së apelit
23. Më 15 qershor 1999, kërkuesit, me përjashtim të atyre që përmenden në aneks me numrat 1, 2, 10 dhe 12, i dërguan zyrës së shkollave (Školský úřad) të Ostravas një kërkesë që kishte si qëllim të rishqyrtonte, jashtë procedurës së apelit (přezkoumání mimo odvolací řízení), vendimet administrative në lidhje me dëgimin e tyre në shkollat e veçanta. Ata mbështesnin idenë se aftësitë e tyre intelektuale nuk ishin testuar në mënyrë të besueshme dhe se përfaqsuesit e tyre nuk ishin informuar si duhet për pasojat që do të sillte miratimi i tyre për dërgimin në shkollat e veçanta ; në këtë mënyrë, ata kërkonin anullimin e vendimeve të kundërshtuara, duke shprehur ankimimin se ato nuk ishin në përputhje me kërkesat e ligjit dhe cënonin të drejtën e tyre për t’u arsimuar pa qenë të diskriminuar.
24. Më 10 shtator 1999, zyra e shkollave u bëri të ditur kërkuesve se meqënëse vendimet e kundërshtuara ishin në përputhje me ligjin, kushtet për të nisur një procedurë jashtë instancës së apelit nuk ishin të mjaftueshme për këtë rast.
2. Ankimim në Gjykatën Kushtetuese
25. Më 15 qershor 1999, kërkuesit e përmendur në aneks me numrat nga 1 në 12 paraqitën një ankimim në gjykatën Kushtetuese. Ata ankoheshin për faktin se i ishin nënshtruar një diskriminimi de facto që shkaktohej nga funksionimi i përgjithshëm i sistemit arsimor të veçantë ; në lidhje me këtë çështje, ata përmendnin ndër të tjera nenet 3 dhe 14 të Konventës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 1. Duke pranuar faktin se nuk kishin bërë apel për vendimet në lidhje me dërgimin e tyre në shkollat e veçanta, kërkuesit ankimoheshin se nuk ishin informuar sa duhet mbi pasojat e një veprimi të tillë dhe mbështesnin idenë (në lidhje me shterrimin e mjeteve të ankimimit) se në këtë rast bëhej fjalë për një situatë shkeljeje të vazhdueshme dhe se problemi i ankimimit i tejkalonte tërësisht interesat e tyre.
Në ankimimin e tyre, kërkuesit theksonin se dërgimi i tyre në shkollat e veçanta ishte kryer në përputhje me një praktikë të vendosur për zbatimin e dispozitave ligjore përkatëse, të cilat, sipas tyre, sillnin si pasojë një dallim dhe një diskriminim racial de facto që shprehej me ekzistencën e dy sistemeve shkollore të pavarura për anëtarët e grupeve të ndryshme raciale : shkollat e veçanta për Romët dhe shkollat fillore të « zakonshme » për popullsinë e gjerë. Të interesuarit mbështesnin idenë se ky trajtim i diferencuar nuk mund të kishte asnjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, ai përbën një trajtim poshtërues duke i privuar nga e drejta e arsimimit (për shkak se niveli i programit që ndiqet në shkollat e veçanta është më i ulët, për pamundësinë për t’u kthyer në një shkollë fillore dhe për të vazhduar arsimin e mesëm vetëm në qendrat e mësimnxënies). Duke e konsideruar veten si viktima të një defiçiti arsimor dhe të cënimit të dinjitetit të tyre, kërkuesit i kërkonin Gjykatës Kushtetuese (Ústavní soud) të konstatonte shkelje të të drejtave të përmendura nga ata, të anullonte vendimet në lidhje me dërgimin e tyre në shkollat e veçanta, t’i ndalojë palës së paditur (shkollat e veçanta në fjalë, zyrës së shkollave të Ostravas dhe Ministrisë së Arsimit) që të vazhdojnë të shkelin të drejtat e tyre, dhe t’i urdhërojë që të vendosin statu quo ante duke u ofruar fëmijëve në fjalë një formim plotësues.
26. Në kujtesat e depozituara në Gjykatën Kushtetuese, shkollat e veçanta në fjalë theksonin se të gjithë kërkuesit ishin rregjistruar mbi bazën e një rekomandimi nga një qendër këshillimi psikopedagogjik dhe me miratimin e përfaqsuesve të tyre. Këta të fundit ishin njoftuar në rrugë ligjore për këto vendime dhe asnjë nuk kishte bërë apel. Sipas këtyre shkollave, përfaqsuesit e kërkuesve ishin informuar për ndryshimet e programit mes shkollave të veçanta dhe atyre fillore, dhe vlerësimi i nxënësve (duke pasur si qëllim një kalim të mundshëm në një shkollë fillore) ishte objekt i mbledhjeve të rregullta pedagogjike. Nga ana tjetër, ishte theksuar se disa kërkues (ata që përmenden në aneks me numrat 5 - 11) ishin lajmëruar për mundësinë e dërgimit në një shkollë fillore.
Zyra e shkollave theksonte në kujtesën e saj se shkollat e veçanta kishin një personalitet juridik të tyren, se vendimet e kundërshtuara përmbanin një udhëzim në lidhje me mundësinë e apelimit dhe se kërkuesit nuk kishin kontaktuar asnjëherë me autoritetet e inspektimit të shkollave.
Ministria e Arsimit kundërshtoi çdo lloj diskriminimi dhe vuri në dukje qëndrimin pothuajse negativ të prindërve të fëmijëve romë kundrejt punës së shkollës. Ajo pohoi se përpara dërgimit të çdo nxënësi në një shkollë të veçantë, kryhej një bilanc për aftësitë intelektuale të të interesuarit dhe se miratimi nga ana e prindërve kishte në këtë rast një rëndësi vendimtare ; nga ana tjetër, ajo theksoi se në shkollat e Ostravas kishte tetëmbëdhjetë asistentë pedagogjikë me origjinë rome.
27. Në kujtesën e tyre përfundimtare, kërkuesit vëzhgonin se në dosjet e tyre nuk kishte asnjë element që të dëshmonte për një ndjekje të rregullt që synonte kalimin e mundshëm në një shkollë fillore, se raportet e qëndrave të këshillimit psikopedagogjik nuk përmbanin asnjë informacion për testet e përdorura dhe se rekomandimet e tyre në lidhje me dërgimin në një shkollë të veçantë bazoheshin në shumë kritere si zotërimi i pamjaftueshëm i gjuhës çeke, qëndrimi shumë tolerant i prindërve, një mjedis shoqëror i papërshtatshëm etj. Ata mbështesnin gjithashtu idenë se mangësitë e tyre në arsim e bënin pothuajse të pamundur kalimin në një shkollë fillore dhe se ndryshimet sociale apo kulturore nuk mund ta justifikonin trajtimin e diferencuar të ankimuar.
28. Më 20 tetor 1999, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kërkuesve, pjesërisht për mungesë të dukshme të themelit dhe pjesërisht për shkak të moskompetencës së saj. Megjithatë, ajo ftoi autoritetet administrative kompetente për të studjuar propozimet e kërkuesve në mënyrë të thelluar dhe efektive.
a) Në lidhje me kërkesën për shkeljen e të drejtave të të interesuarve për shkak të dërgimit të tyre në shkollat e veçanta, Gjykata Kushtetuese u shpreh se vetëm pesë vendime parashikoheshin konkretisht në ankimim dhe vlerësoi në këtë mënyrë se nuk ishte kompetente për të vendosur për rastin e kërkuesve që nuk kishin kundërshtuar vendimet në fjalë.
Në lidhje me pesë kërkuesit (përmendur në aneks me numrat 1, 2, 3, 5 dhe 9) që kanë kundërshtuar vendimet për dërgimet e tyre në shkollat e veçanta, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos ndalej në faktin që ata nuk i kishin apeluar këto vendime, duke menduar se ankimimi i tejkalonte efektivisht interesat e tyre. Sipas këtij juridiksioni, nga dosja asgjë nuk vërteton që dispozitat ligjore përkatëse të jenë interpretuar apo zbatuar në mënyrë antikushtetuese sepse vendimet në fjalë janë dhënë nga drejtorë kompetentë, mbi bazën e rekomandimeve të qendrave të këshillimit psikopedagogjik dhe me miratimin e përfaqsuesve të kërkuesve.
b) Për kërkesat në lidhje me një program shkollor të pamjaftueshëm dhe me diskriminimin racial, juridiksioni kushtetues theksoi se nuk do të vlerësonte kontekstin social global dhe se kërkuesit nuk i kishin mbështetur ankimimet e tyre me prova konkrete. Ajo theksoi gjithashtu se vendimet për dërgimin e kërkuesve në shkolla të veçanta mund të apeloheshin dhe se të interesuarit nuk kishin përfituar nga kjo mundësi. Përsa i përket kundërshtimit që lidhet me mungesën e informacionit mbi pasojat e dërgimit në shkollat e veçanta, gjykata vlerësoi se përfaqsuesit e kërkuesve mund të kishin marrë të dhëna nëse bashkëpunonin me shkollat dhe nga dosja duket qartë që ata nuk kanë shfaqur ndonjë interes të dukshëm për një transferim të mundshëm në shkollat fillore. Kështu, kjo pjesë e kërkesës u gjykua si haptazi e paarsyetuar.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA TË BRENDSHME TË NEVOJSHME
A. Ligji nr. 29/1984 (i quajtur « ligji për shkollat »), është shfuqizuar nga ligji nr. 561/2004 që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2005.
29. Para datës 18 shkurt 2000, neni 19 § 1 parashtronte se mund të pranoheshin për të studjuar në arsimin e mesëm, nxënësit që kishin mbaruar me sukses arsimin e tyre të detyrueshëm në një shkollë fillore.
Pas amendamentit nr. 19/2000, i cili ka hyrë në fuqi më 18 shkurt 2000, neni 19 § 1 i modifikuar shprehej se mund të pranoheshin për të studjuar në shkollat e mesme, nxënësit që kishin kryer arsimin e tyre të detyrueshëm dhe gjatë procedurës së pranimit kanë vërtetuar se përmbushnin kushtet e parashikuara për formimin e zgjedhur.
30. Sipas nenit 31 § 1, shkollat e veçanta ishin krijuar për fëmijët që kishin defiçensa mendore (rozumové nedostatky), të cilat i pengonin që të ndiqnin mësimin në një shkollë fillore të zakonshme ose në një shkollë fillore të specializuar (speciální základní škola) ku caktoheshin fëmijë të sëmurë, handikapatë ose me çrregullime ndijore.
B. Ligji nr. 561/2004 (i quajtur « ligji për shkollat »)
31. Ky ligj i ri për shkollat nuk i parashikon më shkollat e veçanta ashtu siç kanë ekzistuar para se ky ligj të hynte në fuqi. Tashmë, arsimi i detyrueshëm jepet në shkollat fillore dhe në shkollat fillore të specializuara. Këto të fundit janë krijuar për nxënësit që vuajnë nga një handikap mendor i rëndë apo nga shumë handikape, si dhe për nxënësit autikë.
32. Neni 16 përmban dispozita në lidhje me arsimimin e fëmijëve që kanë në këtë fushë nevoja të veçanta. Sipas paragrafit 1, bëhet fjalë për fëmijë që kanë ndonjë handikap apo që janë të pafavorizuar nga ana shëndetsore apo sociale. Sipas nenit 16 § 4, për qëllime të këtij ligji, konsiderohet si i pafavorizuar në planin social një fëmijë që vjen nga një rreth familjar me nivel të ulët social-kulturor dhe që është i ekspozuar ndaj fenomeneve sociale patologjike. Sipas paragrafit 5 të këtij neni, ekzistenca e nevojave arsimore të veçanta përcaktohet nga një qendër e orientimit shkollor.
33. Dispozita të tjera të këtij ligji parashikojnë masa të tilla si asistentët pedagogjikë, një program arsimor individual, klasa përgatitore për fëmijët e pafavorizuar në planin social para fillimit të arsimit të detyrueshëm, si dhe orë mësimore shtesë për ata që nuk kanë mbaruar arsimin elementar.
C. Dekreti nr. 127/1997 mbi shkollat e specializuara, i shfuqizuar nga dekreti nr. 73/2005 që ka hyrë në fuqi më 17 shkurt 2005
34. Sipas nenit 2 § 4, për fëmijët që vuanin nga një handikap mendor ishin hapur kopshtet e specializuara (speciální mateřské školy), shkollat e veçanta, shkollat ndihmëse (pomocné školy), qendrat e mësimnxënies (odborná učiliště) dhe shkollat praktike (praktické školy).
35. Bazuar në nenin 6 § 2, nëse gjatë shkollimit të nxënësit ndodhte një ndryshim në natyrën e handikapit të tij ose nëse shkolla e specializuar nuk përkonte më me shkallën e këtij handikapi, drejtori i shkollës që frekuentonte i interesuari ishte i detyruar, pas një bisede me përfaqsuesin e nxënësit, të propozonte orientimin e këtij nxënënsi drejt një shkolle tjetër të specializuar apo një institucioni të zakonshëm.
36. Neni 7 § 1 parashtronte se vendimi në lidhje me orientimin ose riorientimin e një nxënësi drejt një shkolle të veçantë merrej nga drejtori i shkollës, pas miratimit të përfaqsuesit ligjor të fëmijës. Sipas paragrafit 2, propozimi për dërgimin e një nxënësi në një shkollë të veçantë mund t’i paraqitej drejtorit nga përfaqsuesi ligjor i fëmijës, nga shkolla që frekuentonte nxënësi, qendra e këshillimit psikopedagogjik, nga një institucion shëndetsor, autoritetet për familjen dhe fëmijët, nga një qendër për përkujdesje sociale etj. Sipas nenit 7 § 3, në rastin kur nxënësi nuk dërgohej në një shkollë të veçantë, drejtori njoftonte për këtë vendim përfaqsuesin ligjor të të interesuarit, si dhe autoritetin kompetent të shkolles apo komunën ku banonte nxënësi. Pasi këshillohej me autoritetet e komunës, autoriteti kompetent i shkollës bënte një propozim në lidhje me shkollën ku fëmija duhet të kryente arsimin e tij të detyrueshëm. Paragrafi 4 i nenit 7 parashtron se qendra e këshillimit pedagogjik mblidhte të gjitha dokumentet e nevojshme për vendimin dhe propozimin ia paraqeste drejtorit për dërgimin e nxënësit në shkollën e duhur.
D. Dekreti nr. 73/2005 mbi arsimimin e fëmijëve, nxënësve dhe studentëve që kanë nevoja arsimore të veçanta dhe të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve shumë të talentuar
37. Në bazë të nenit 1, arsimimi i nxënësve dhe studentëve që kanë në këtë fushë nevoja të veçanta, sigurohet me ndihmën e masave mbështetëse të cilat shkojnë përtej masave pedagogjike dhe organizative individuale që zbatohen në shkollat e zakonshme.
38. Neni 2 shpreh se arsimimi i veçantë u dedikohet fëmijëve me nevoja arsimore të veçanta të cilat përcaktohen me anë të një ekzaminimi pedagogjik ose psikologjik që kryhet në një qendër orientimi shkollor, në rastin kur rëndësia dhe shtrirja e këtyre nevojave e justifikojnë faktin që këta nxënës t’i nënshtrohen regjimit arsimor të veçantë.
E. Praktika e brendshme në periudhën e fakteve
1. Ekzaminimi psikologjik
39. Ekzaminimi i aftësive intelektuale kryhej në një qendër këshillimi psikopedagogjik, pas miratimit të përfaqsuesit ligjor të fëmijës dhe nuk ishte as i detyrueshëm, as automatik. Rekomandimi për t’i kryer fëmijës një ekzaminim të tillë vinte përgjithësisht nga mësuesit e pranishëm në momentin e rregjistrimit të parë të të interesuarit në shkollë, nga mësuesit që konstatojnë dështimin në mësime të fëmijëve që frekuentojnë një shkollë fillore të zakonshme, apo dhe nga mjekët pediatër.
40. Sipas kërkuesve, të cilët citojnë ekspertët e kësaj fushe, testet më të zakonshme duket sikur janë variantet e « Shkallës Wechsler të inteligjencës – Botimi i tretë » (Wechsler Intelligence Scale for Children (PDW dhe WISC-III)) dhe të « Testit të inteligjencës së Stanford-Binet-it » (Stanford-Binet Intelligence Test). Duke u mbështetur në opinione të ndryshme, ku bëjnë pjesë dhe opinionet e shumë mësuesve, psikologëve, si dhe të drejtorit të departamentit të shkollave të veçanta në Ministrinë e Arsimit çek, (ai që ka qenë në detyrë në shkurt të 1999), të interesuarit pohojnë se testet e përdorura nuk ishin as objektivë, as të besueshëm sepse ishin hartuar vetëm për fëmijët çekë dhe nuk janë standartizuar apo miratuar kohët e fundit për të ekzaminuar fëmijët romë. Për më tepër, nuk ishte marrë asnjë masë që do t’u mundësonte fëmijëve romë të kapërcenin gjatë ekzaminimit pengesat e tyre kulturore dhe gjuhësore dhe nuk kishte pasur direktiva që kufizonin elementet e vlerësimit të lirë të këtyre testeve dhe interpretimit të rezultatit të tyre. Kërkuesit tërheqin vëmendjen gjithashtu mbi raportin e vitit 2002 kryer nga Inspektoriati i shkollave çeke, i cili shprehej se fëmijë pa defiçensa mendore të rëndësishme ende dërgoheshin në shkolla të veçanta.
41. Në raportin e hartuar nga Republika Çeke më 1 prill 1999, në përputhje me nenin 25 § 1 të Konventës Kuadër për mbrojtjen e minoriteteve, theksohet se testet psikologjike « janë hartuar për populllsinë e gjerë dhe nuk marrin në konsideratë të veçantat e Romëve ».
Komiteti këshillimor i kësaj Konvente, në opinionin e parë të tij mbi Republikën Çeke, i bërë publik më 25 janar 2002, shprehet se megjithëse shkollat e veçanta ishin krijuar për fëmijët që vuajnë nga një handikap mendor, dukej që shumë fëmijë romë, ndonëse nuk vuanin nga një problem i tillë, dërgoheshin në këto shkolla për shkak të diversitetit gjuhësor ose kulturor real apo të supozuar në raport me shumicën e nxënësve. Komiteti ka theksuar se « shkollimi i fëmijëve në institucione të tilla duhej të ndodhte vetëm në rastet e nevojës aboslute dhe pas kryerjes së testeve metodike, objektive dhe të thelluara ».
Në opinionin e dytë mbi Republikën Çeke, i bërë publik më 26 tetor 2005, komiteti këshillimor vëzhgon : « Autoritetet kanë kryer tashmë rishikimin e testeve të përdorura për vlerësimin e nivelit të aftësive intelektuale të fëmijëve në fillim të shkollimit të tyre, si dhe metodologjinë që lidhet me to, në mënyrë që të shmanget përdorimi abusiv i tyre në dëm të fëmijëve romë. » Megjithatë, ai konstaton me shqetësim se « korrigjimet që u janë bërë testeve psikologjike të përdorura në këtë kontekst nuk kanë pasur pasoja të ndjeshme. Sipas vlerësimeve jo zyrtare, Romët përbëjnë 70% të nxënësve të rregjistruar në shkollat e [veçanta] dhe, nëse marrim në konsideratë përqindjen e Romëve në popullsinë vendase, kjo ngre pyetje të shumta në lidhje me bazueshmërinë e testeve në fjalë dhe me metodologjinë që lidhet me to. »
42. Në raportin e tij mbi Republikën Çeke, i bërë publik më 21 mars 2000, Komisioni europian kundër racizmit dhe mostolerancës (ECRI) tregon se orientimi i fëmijëve romë drejt filierës së shkollave të veçanta, shpesh herë bëhet pothuajse automatikisht. Sipas ECRI, rezultatet e dobëta që marrin këta fëmijë në testet për aftësitë parashkollore mund të shpjegohen nga fakti se në Republikën e Çekisë, pjesa më e madhe e fëmijëve romë nuk ndjekin arsimin parashkollor. Si pasojë, ECRI mendon se duhet studjuar me kujdes orientimi i fëmijëve romë drejt institucioneve të veçanta të caktuara për fëmijët që vuajnë nga vonesa të zhvillimit mendor, me qëllim që të verifikohet nëse testet e përdorura janë të drejta dhe se aftësitë e vërteta të çdo fëmije vlerësohen në mënyrë korrekte.
Raporti tjetër mbi Republikën Çeke, bërë publik nga ECRI në qershor 2004, thekson se testi që ka si qëllim vlerësimin e zhvillimit mendor të fëmijëve, hartuar nga Ministria e Arsimit në Çeki, nuk është i detyrueshëm dhe përbën veçse një pjesë të tërësisë së mjeteve dhe metodave të rekomaduara në qendrat e këshillimit psikopedagogjik.
43. Në raportin përfundimtar të datës 15 shkurt 2006 mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në lidhje me Romët, Sintët dhe Udhëtarët në Europë, Komisioneri për të drejtat e njeriut konstaton se « ndodh shpesh që fëmijët romë të dërgohen në klasat e fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, pa kryer vlerësimin e duhur psikologjik ose pedagogjik dhe se kriteret e vërteta mbështeten në origjinën e tyre etnike ».
44. Sipas vëzhgimeve të paraqitura nga International Step by Step Association, Roma Education Fund dhe European Early Childhood Education Research Association, vendet e Europës Qëndrore, Lindore dhe Juglindore nuk kanë përgjithësisht një përkufizim të njëjtë në rang kombëtar mbi « defiçensën » (në lidhje me dërgimin e fëmijëve në shkolla të veçanta) dhe zbatojnë përkufizime që krijojnë lidhje mes defiçensave dhe origjinës social-kulturore të fëmijës, duke i hapur rrugë praktikave diskriminuese. Të dhënat për fëmijët që vuajnë nga këto defiçensa nxirren kryesisht nga burimet administrative dhe nuk janë rrjedhojë e një vlerësimi të thelluar të karakteristikave të vetë fëmijëve. Në këtë mënyrë, zbatimi i një testi të vetëm, si dhe praktikat e dallimit racial ishin diçka e zakonshme në vitet 1990.
Në këto vëzhgime ankimohej se metodologjia e zbatuar në rajonin e Ostravas për dërgimin e fëmijëve romë në shkolla të veçanta, ishte në kundërshtim me treguesit e metodave për vlerësimin efikas që njiheshin në mesin e viteve 1990. Mund të citojmë si shembull, listën e treguesve të botuar në vitin 1987 nga National Association for the Education of Young Children (Shoqata kombëtare për shkollimin e fëmijëve te vegjël – Shtetet e Bashkuara). Më pas, kjo listë iu bashkua Global Alliance for the Education of Young Children (Aleanca globale për shkollimin e fëmijëve të vegjël), e cila përfshin organizatat në Europë dhe veçanërisht në Republikën Çeke. Ajo përmban : parimet etike të përcaktuara për orientimin e metodave të vlerësimit ; përdorimin e mjeteve të vlerësimit për qëllimet e parashikuara në mënyrë që t’u përgjigjet kritereve të cilësisë profesionele; përshtatjen e vlerësimit sipas moshës dhe të tjera karakteristika të fëmijëve që janë objekt vlerësimi ; pranimin se ajo çka është vlerësuar është e rëndësishme si nga pikëpamja arsimore, ashtu dhe për zhvillimin e fëmijës ; përdorimin e të dhënave të vlerësimit për të kuptuar dhe përmirësuar proçesin e nxënies ; mbledhjen e të dhënave nga një mjedis dhe situata që përkojnë me arritjet reale të fëmijës ; përdorimin e burimeve të shumta të të dhënave të mbledhura gjatë kohës me qëllim vlerësimin e fëmijëve ; vendosjen e një lidhjeje mes seleksionimit dhe ndjekjes së fëmijës ; përdorimin e kufizuar të testeve të hartuara sipas asaj që përcakton « norma » ; informimin e përshtatshëm të personelit dhe familjeve të përfshira në vlerësim.
Kështu, vlerësimi i fëmijëve romë në rajonin e Ostravas nuk ka marrë në konsideratë gjuhën dhe kulturën e të interesuarve ose përvojat e tyre të mëparshme në mësimnxënie apo dhe padijen e tyre në lidhje me kërkesat e situatës së vlerësimit. Është përdorur vetëm një lloj burimi të dhënash dhe jo disa. Vlerësimi është kryer vetëm një herë të vetme dhe jo gjatë një kohëzgjatje të dhënë. Elementet e informacionit nuk janë mbledhur në një mjedis realist apo autentik ku fëmijët do të kishin mundur të tregonin aftësitë e tyre. U është dhënë një rëndësi e tepruar testeve të standartizuara, të hartuara për popullsi të tjera, dhe të përdorura individualisht.
Sipas studimeve të cituara në këto vëzhgime (UNICEF, Innocenti Insight, 2005 ; Save the Children, Denied a future? The right to education of Roma/Gypsy and Traveller children, 2001 ; D.J. Losen dhe G. Orfield (2002), Introduction : Racial inequity in special education, Cambridge, MA: Harvard Education Press), numri tepër i lartë i disa kategorive nxënësish të dërguar në shkollat e veçanta rrjedh nga një tërësi faktorësh, ndër të cilët përmendim « paragjykimet raciale të pandërgjegjshme të autoriteteve të shkollës, pabarazitë e thelluara të burimeve, përdorimi i pajustifikuar i testeve QI dhe mjeteve të tjera të vlerësimit, përgjigjet e papërshtatshme të edukatorëve ndaj detyrimit për kryerjen e testeve të nivelit të lartë dhe dallimit mes pushtetit të prindërve që i përkasin një minoriteti dhe autoriteteve të shkollës ». Kështu, dërgimi në shkollat e veçanta në bazë të rezultateve të arritura në testet psikologjike, pasqyron shpesh paragjykimet raciale të shoqërisë në fjalë.
45. Sipas Qeverisë, po kryhet unifikimi i normave europiane në lidhje me aktivitetet e psikologëve dhe autoritetet kanë marrë të gjitha masat për t’u kujdesur që testet psikologjike të kryhen nga specialistë të trajnuar si duhet dhe me diplomë universitare në përputhje me normat më të fundit profesionale dhe morale në këtë fushë. Nga ana tjetër, kërkimet e kryera në vitin 1997 nga ekspertët çekë, me kërkesën e Ministrisë së Arsimit, kanë treguar se fëmijët romë që kanë kryer një test të zakonshëm të inteligjencës (WISC-III), kanë arritur rezultate shumë pak më të ulta se fëmijët çekë jo romë (një pikë në shkallën e testit QI).
2. Miratimi për dërgimin në një shkollë të veçantë
46. Sipas nenit 7 të dekretit nr. 127/1997 mbi shkollat e veçanta që zbatohej në periudhën e fakteve, miratimi nga ana e përfaqsuesit ligjor të fëmijës ishte një conditio sine qua non për dërgimin e këtij të fundit në një shkollë të veçantë. Kërkuesit theksojnë se ligji çek nuk kërkon që miratimi të jepet me shkrim dhe, para nënshkrimit të miratimit, të jepen informacione në lidhje me arsimin në shkollat e veçanta ose për pasojat e shkollimit të fëmijëve në një institucion të tillë.
47. ECRI vëzhgon në raportin e tij mbi Republikën Çeke, i bërë publik në mars 2000, se prindërit romë shpesh herë nxisin orientimin e fëmijëve të tyre drejt filierës së shkollave të veçanta, pjesërisht për të shmangur keqtrajtimet që u bëhen fëmijëve të tyre në shkollat e zakonshme nga fëmijë të tjerë që nuk i përkasin komunitetit rom, izolimin e fëmijëve të tyre në raport me fëmijët romë të lagjes, dhe pjesërisht, për shkak të interesimit të tyre relativisht të ulët për çështjet e arsimit.
Në raportin e tij mbi Republikën Çeke, i bërë publik në qershor 2004, ECRI shprehet se prindërit e fëmijëve romë, kur vendosin të japin apo jo miratimin e tyre, nuk kanë gjithmonë informacione në lidhje me « pasojat negative afatgjata që mund të ketë dërgimi i fëmijëve të tyre në këto shkolla (...), që shpesh herë u paraqiten (...) si një oportunitet për fëmijët e tyre për të qenë objekt i një përkujdesjeje të veçantë dhe për të takuar fëmijë të tjerë romë ».
48. Sipas informacioneve të mbledhura nga Federata ndërkombëtare e ligës së të drejtave të njeriut pranë organizatës së saj në Çeki, shumë shkolla në Republikën Çeke hezitojnë të pranojnë fëmijë romë. Ky qëndrim shpjegohet nga reagimi i prindërve të fëmijëve jo romë, të cilët në shumë raste i kanë hequr fëmijët e tyre nga shkollat e integruara nga frika se niveli i shkollës do të ulet për shkak të ardhjes së fëmijëve romë ose, akoma më thjesht, për shkak të paragjykimeve që kanë për Romët. Në këtë kontekst, fëmijët romë u nënshtrohen testeve që kanë si qëllim të verifikojnë aftësinë e tyre për t’u rregjistruar në filierat e përgjithshme të arsimit dhe pas përfundimit të tyre, prindërit inkurajohen për të rregjistruar fëmijët e tyre në institucione të veçanta. Zgjedhja e prindërve, atëherë kur ekziston kjo zgjedhje, për të orientuar fëmijët e tyre drejt shkollave të veçanta i bashkohet vullnetit të drejtorive të institucioneve arsimore për të mos pranuar fëmijë romë, meqënëse ardhja e tyre mund të nxisë prindërit e fëmijëve jo romë të tërheqin fëmijët e tyre nga shkolla.
3. Pasojat
49. Në shkollat e veçanta, nxënësit ndiqnin një program specifik, i cili duhej të përshtatej me aftësitë e tyre intelektuale. Pasi kryenin arsimin e detyrueshëm në këtë lloj institucioni, nxënësit mund të vazhdonin studimet e tyre në qendrat e mësimnxënies apo, që nga 18 shkurti 2000, në shkolla të tjera të mesme (vetëm nëse gjatë procedurës së pranimit, ata jepnin prova se i përmbushnin kushtet e parashikuara për formimin e zgjedhur).
Nga ana tjetër, neni 6 § 2 i dekretit nr. 127/1997 parashikonte se nëse gjatë shkollimit të nxënësit ndodhte një ndryshim në natyrën e handikapit të tij ose nëse shkolla e specializuar nuk përkonte më me shkallën e këtij handikapi, drejtori i shkollës që frekunetonte i interesuari ishte i detyruar, pas një bisede me përfaqsuesin e nxënësit, të propozonte orientimin e këtij nxënënsi drejt një shkolle tjetër të specializuar apo një shkolle të zakonshme.
50. Në raportin përfundimtar të datës 15 shkurt 2006 mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në lidhje me Romët, Sintët dhe Udhëtarët në Europë, Komisioneri për të drejtat e njeriut vëren se « dërgimi i nxënësve në shkolla (...) të veçanta bën që këta fëmijë të ndjekin shpesh herë një program shkollor më pak ambicioz se ai në shkollat normale, gjë që ul perspektivat e tyre në fushën e arsimit dhe si pasojë, (...) mundësinë për të gjetur punë më vonë. Dërgimi në mënyrë automatike i fëmijëve romë në klasat për fëmijë që kanë nevoja të veçanta përforcon kritikën sociale që i etiketon fëmijët romë si më pak inteligjentë dhe më pak të aftë. Në të njëjtën kohë, arsimimi sipas dallimeve raciale i privon fëmijët romë dhe fëmijët jo romë nga mundësia për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të mësuar që të jetojnë si qytetarë të barabartë. Ai i përjashton fëmijët romë nga shoqëria normale që në fëmijërinë e tyre hershme duke rritur rrezikun që të mbeten në rrethin vicioz të përjashtimit. »
51. Më 26 tetor 2005, Komiteti këshillimor i Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve thekson në opinionin e dytë për Republikën Çeke se dërgimi në shkolla të veçanta e « bën më të vështirë aksesin e fëmijëve romë në nivelet e tjera të arsimit dhe, nga ky shkak, ul perspektivat e tyre të integrimit social. Megjithëse ligji në fuqi nuk krijon më pengesa për kalimin e nxënësve që kanë mbaruar këto shkolla në arsimin e mesëm të rregullt, përgjithësisht, niveli i shkollimit në këto shkolla të « veçanta » nuk u mundëson atyre që të përballojnë kërkesat e arsimit të mesëm, çka sjell në pjesën më të madhe të rasteve braktisjen e shkollës. »
52. Sipas vëzhgimeve të paraqitura nga International Step by Step Association, Roma Education Fund dhe European Early Childhood Education Research Association, dërgimi i fëmijëve në shkolla të veçanta ku mbizotwron segregacioni është një ilustrim i grupimit të nxënësve sipas aftësive të tyre (« tracking »), i cili kryhet në një stad shumë të hershëm. Në këtë rast, ky grupim do të synonte të dërgonte në shkolla të veçanta, që në moshën e tyre të hershme, fëmijë të cilët konsideroheshin me « aftësi të kufizuara » ose me « potencial të kufizuar ». Një praktikë e tillë do të rriste padrejtësinë në sistemin e shkollimit sepse ajo prodhon pasoja tejet negative në nivelin arsimor të fëmijëve të pafavorizuar (shih ndër të tjera, Komunikimi i Komisionit Europian për Këshillin dhe Parlamentin Europian mbi efikasitetin dhe drejtësinë e sistemeve europiane të arsimit dhe të trajnimit, COM/2006/0481, 8 shtator 2006). Nga pasojat afatgjata të këtij tracking, përmendim orientimin e nxënësve drejt formave të arsimimit dhe të trajnimit me cilësi jo aq të lartë, si dhe përjashtimin e hershëm nga sistemi shkollor. Këto pasoja mund të ndikojnë në krijimin e fenomenit të dështimit në fushën sociale.
53. Në vëzhgimet e paraqitura të Gjykatë, organizatat Minority Rights Group International, European Network Against Racism dhe European Roma Information Office theksojnë se në shkollat e veçanta fëmijët ndjekin një program të thjeshtuar, i cili përshtatet për nivelin e ulët të zhvillimit intelektual të nxënësve. Për shembull, në Republikën Çeke fëmijët që frekuentojnë shkollat e veçanta, nuk mund të mësojnë alfabetin apo numrat nga 0 – 10 para klasës së tretë apo të katërt, kurse fëmijët që shkollohen në institucione të zakonshme i marrin këto njohuri gjatë orëve të mësimit në sistemin parashkollor.
III. BURIMET E KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Komiteti i Ministrave
Rekomandimi nr. R (2000) 4 nga Komiteti i Ministrave për shtetet anëtare në lidhje me arsimimin e fëmijëve romë/ciganë në Europë (miratuar nga Komiteti i Ministrave më 3 shkurt 2000, gjatë mbledhjes së 696 me të Deleguarit e Ministrave)
54. Në bazë të këtij rekomandimi :
« Komiteti i Ministrave, në përputhje me nenin 15.b të Statutit të Këshillit të Evropës,
Duke konsideruar se qëllimi i Këshillit të Evropës është realizimi i një bashkimi më të ngushtë mes anëtarëve të tij dhe se ky qëllim mund të arrihet pikërisht me miratimin e një veprimi të përbashkët në fushën e arsimit ;
Duke pranuar se krijimi i bazave të reja për strategjitë e ardhshme arsimore në favor të Romëve/Ciganëve në Evropë është e domosdoshme dhe e ngutshme, pikërisht për shkak të përqindjes së lartë të analfabetizmit ose gjysëm analfabetizmit që dëmton rëndë këtë komunitet, të përhapjes së dështimit në mësime, të përqindjes së ulët të të rinjve që mbarojnë arsimin fillor dhe të vazhdimësisë së faktorëve si braktisja e shkollës ;
Duke vëzhguar se problemet me të cilat përballen Romët/Ciganët në fushën arsimore vijnë tërësisht si pasojë e politikave arsimore të hartuara prej kohësh, të cilat kanë shkaktuar ose asimilimin, ose segregacionin e fëmijëve romë/ciganë në shkollë me motivin se vuanin nga një « handikap social-kulturor » ;
Duke menduar se përmirësimi i pozicionit të pafavorshëm të Romëve/Ciganëve në shoqëritë europiane realizohet vetëm nëse u garantohen fëmijëve romë/ciganë shanset e barabarta në fushën e arsimit;
Duke gjykuar se arsimimi i fëmijëve romë/ciganë duhet të jetë një prioritet i politikave kombëtare të hartuara në favor të Romëve/Ciganëve ;
Duke pasur parasysh se politikat që synojnë rregullimin e problemeve me të cilat përballen Romët/Ciganët në fushën e arsimit duhet të jenë globale dhe të bazuara në konstatimin se çështja e shkollimit të fëmijëve romë/ciganë lidhet me një tërësi faktorësh dhe kushtesh paraprake, si aspektet ekonomike, sociale, kulturore dhe me luftën kundër racizmit dhe diskriminimit ;
Duke pasur parasysh se politikat arsimore në favor të fëmijëve romë/ciganë duhet të shoqërohen me një politkë aktive në lidhje me arsimimin e të rriturve dhe shkollimin profesional ;
(...)
I rekomandon qeverive të shteteve anëtare :
– të zbatojnë, gjatë aplikimit të politikës së tyre arsimore, parimet e shprehura në aneksin e këtij Rekomandimi ;
– ta bëjnë të njohur këtë Rekomandim tek instancat shtetërore kompetente në vendet e tyre përkatëse në rrugë zyrtare. »
55. Fragmentet e duhura në aneksin e Rekomandimit nr. R (2000) 4 janë si më poshtë :
« Parimet drejtuese të një politike arsimore për fëmijët romë/ciganë në Europë
I. Strukturat
1. Politkat arsimore në favor të fëmijëve romë/ciganë duhet të shoqërohen me mjetet e duhura dhe struktura të përshtatshme të domosdoshme për të pasqyruar diversitetin e popullsisë rome/cigane në Europë dhe për të pasur parasysh ekzistencën e grupeve rome/cigane që kanë një mënyrë jetese lëvizëse ose gjysmë lëvizëse. Në lidhje me këtë fenomen, mund të mendohet zbatimi i një sistemi arsimor në distancë që mbështetet në teknologjitë e reja të komunikimit.
2. Duhet të vihet theksi tek një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, kombëtar, rajonal dhe lokal me qëllim që të shmanget shpërndarja e përpjekjeve dhe të favorizohen sinergjitë.
3. Sipas kësaj optike, shtetet anëtare duhet të sensibilizojnë ministritë e Arsimit në lidhje me çështjen e arsimimit të fëmijëve romë/ciganë.
4. Arsimi parashkollor duhet të përhapet gjerësisht dhe të bëhet i arritshëm nga fëmijët romë/ciganë, me qëllim që të garantohet aksesi i tyre në arsimin shkollor.
5. Duhet të kihet gjithashtu një kujdes i veçantë për një komunikim më të mirë me dhe mes prindërve nëpërmjet ndërmjetësve (në varësi të rasteve) që janë nga komuniteti rom-cigan dhe që kanë mundësi për të pasur akses në një karrierë profesionale të veçantë. Prindërve duhet t’u jepen informacione të veçanta dhe këshilla në lidhje me detyrimin e arsimimit të fëmijëve, si dhe mekanizma mbështetëse që pushteti lokal mund t’u ofrojë familjeve. Përjashtimi dhe mungesa e njohurive dhe e arsimit (madje dhe analfabetizmi) të prindërve pengojnë gjithashtu fëmijët që të përfitojnë nga sistemi arsimor.
6. Duhet të krijohen strukturat e duhura mbështetëse me qëllim që t’u mundësojnë fëmijëve romë/ciganë që të përfitojnë, nëpërmjet veprimeve pozitive, nga shanset e barabarta në shkollë.
7. Ftohen shtetet anëtare të ofrojnë mjetet e nevojshme për zbatimin e politikave dhe të masave të lartpërmendura me qëllim që të ngushtohet hendeku mes nxënësve romë/ciganë dhe atyre që u përkasin shumicës së popullsisë.
II. Programet shkollore dhe materiali pedagogjik
8. Masat arsimore në favor të fëmijëve romë/ciganë duhet të integrohen në kuadrin e politikave më të gjera ndërkulturore, dhe të marrin në konsideratë karakteristikat e kulturës rome dhe pozicionin e pafavorshëm e një numri të madh Romësh/Ciganësh në shtetet anëtare.
9. Programet shkollore në tërësinë e tyre dhe materiali didaktik duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të respektojnë identitetin kulturor të fëmijëve romë/ciganë. Për këtë gjë, duhen futur në materialet pedagogjike historia e kultura e Romëve me qëllim që të pasqyrohet identiteti kulturor i fëmijëve romë/ciganë. Duhet të inkurajohet pjesëmarrja e përfaqsuesve nga komunitetet rome/cigane në hartimin e materialeve që lidhen me historinë, kulturën ose gjuhën romë/cigane.
10. Megjithatë, shtetet anëtare duhet të sigurohen se këto masa nuk do të sjellin hartimin e programeve shkollore të veçanta, të cilat mund të shpien në krijimin e klasave të veçanta.
11. Shtetet anëtare duhet gjithashtu të nxisin hartimin e materialeve pedagogjike të bazuara në shembuj veprimi të suksesshëm në mënyrë që të ndihmohen mësuesit në punën e tyre të përditshme me nxënësit romë/ciganë.
12. Në vendet ku flitet gjuha rome, duhet t’u ofrohet fëmijëve romë/ciganë mundësia që të ndjekin mësimet në gjuhën e nënës.
III. Rekrutimi dhe trajnimi i mësuesve
13. Duhet të parashikohet futja e një programi specifik në kurrikulat mësimore që përgatisin mësuesit e ardhshëm me qëllim që këta të fundit të fitojnë njohuritë dhe trajnimin e duhur që do t’u mundësonte të kuptonin më mirë nxënësit romë/ciganë. Megjithatë, arsimimi i nxënësve romë/ciganë duhet të mbetet pjesë integruese e sistemit të përgjithshëm arsimor.
14. Komuniteti rom/cigan duhet të marrë pjesë në hartimin e këtyre programeve dhe duhet të transmetojë drejtpërdrejt informacione për mësuesit e ardhshëm.
15. Duhet të favorizohet gjithashtu rekrutimi dhe trajnimi i mësuesve që vijnë nga komuniteti rom/cigan.
(...) »
B. Asambleja parlamentare
1. Rekomandimi Nr. 1203 (1993) në lidhje me Ciganët në Europë
56. Vëzhgimet e përgjithshme të këtij rekomandimi janë si më poshtë :
« 1. Një nga objektivat e Këshillit të Europës është të promovojë formimin e një identiteti kulturor të vërtetë europian. Europa strehon kultura të shumta dhe të ndryshme, të cilat, së bashku me kulturat e shumta minoritare, kontribuojnë në diversitetin e saj kulturor.
2. Ciganët zënë një vend të veçantë mes minoriteteve të tjera. Duke jetuar të shpërndarë nëpër Europë, duke mos mundur të pretendojnë për një vend që u përket atyre, ata përbëjnë një minoritet të vërtetë europian që megjithatë, nuk përkon me përkufizimet që zbatohen për pakicat kombëtare ose gjuhësore.
3. Si një minoritet pa territor, Ciganët kontribuojnë gjerësisht në diversitetin kulturor të Europës dhe kjo shihet në shumë aspekte, si në atë gjuhësor dhe muzikor apo dhe në aktivitetet e tyre artizanale.
4. Pas pranimit të shteteve të reja të Europës qëndrore dhe lindore, numri i Ciganëve që jetojnë në zonën e Këshillit të Europës është rritur ndjeshëm.
5. Mostoleranca kundrejt Ciganëve ka ekzistuar gjithmonë. Shpërthime urrejtje raciale apo sociale po ndodhin gjithmonë e më shpesh dhe marrëdhëniet e ndera mes komuniteteve kanë kontribuar në krijimin e një situate të vajtueshme në të cilën jeton sot pjesa më e madhe e Ciganëve.
6. Respektimi i të drejtave të Ciganëve, ku përfshihen të drejtat themelore të njeriut, ashtu dhe të drejtat e tyre si minoritet, është një kusht themelor për përmirësimin e situatës së tyre.
7. Duke garantuar barazinë e të drejtave, shanseve dhe trajtimit, si dhe duke marrë masat për të përmirësuar fatin e Ciganëve, do të bëhet e mundur t’u rijepet jetë gjuhës dhe kulturës së tyre, dhe nëpërmjet kësaj, do të pasurohet diversiteti kulturor europian.
8. Është e rëndësishme t’u garantohet ciganëve gëzimi i të drejtave dhe lirive të përcaktuara në nenin 14 të Konventës europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore sepse kjo u mundëson atyre të vlerësojnë të drejtat e tyre.
(...) »
57. Përsa i përket fushës së arsimit, rekomandimi shprehet :
« (...)
vi. duhet të zgjerohen programet europiane ekzistuese për trajnimin e mësuesve që do të punojnë me Ciganët ;
vii. një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet arsimimit të grave në përgjithësi, dhe të nënave të shoqëruara me fëmijë të vegjël ;
viii. të rinjtë Ciganë të talentuar duhet të nxiten të studjojnë dhe të luajnë rolin e ndërmjetësit për Ciganët ;
(...) »
2. Rekomandimi nr. 1557 (2002) në lidhje me gjendjen juridike të Romëve në Europë
58. Ky rekomandim parashtron:
« (...)
3. Sot, Romët vazhdojnë të jenë objekt diskriminimi, mënanjimi dhe segregacioni. Diskriminimi është i përhapur në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, përfshirë aksesin në funksionet publike, në mësimdhënie, në shërbimet e shëndetsisë dhe të strehimit, gjatë kalimit të kufirit, si dhe në aksesin për procedurat e azilit. Mënjanimi dhe segregacioni ekonomik dhe social u shndërrua në diskriminim etnik që prek përgjithësisht grupet më të dobëta sociale.
4. Romët përbëjnë një grup të veçantë, minoritar për dy arsye : duke qenë etnikisht minoritarë, ata në pjesën më të madhe u përkasin shtresave sociale të pafavorizuara nga shoqëria.
(...)
15. Këshilli i Europës mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e statutit juridik të Romëve, për nivelin e barazisë që ata përfitojnë dhe për kushtet e ekzistencës së tyre. Asambleja u bën thirrje shteteve anëtare që të plotësojnë gjashtë kushtet e përgjithshme të paraqitura më poshtë, të cilat janë të nevojshme për përmirësimin e situatës së Romëve në Europë :
(...)
c) të garantojnë një trajtim të barabartë për minoritetin rom si një grup minoritar etnik ose kombëtar në fushat e arsimit, të punësimit, të strehimit, të shëndetsisë dhe të shërbimeve publike. Shtetet anëtare duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë :
i. promovimit të shanseve të barabarta për Romët në tregun e punës ;
ii. dhënies së mundësisë në mënyrë që Romët të integrohen në të gjitha strukturat arsimore, nga kopshti i fëmijëve deri në universitet ;
iii. zhvillimit të masave pozitive për rekrutimin e Romëve në shërbimet publike që u interesojnë drejtpërdrejt komuniteteve rome, si institucionet e arsimit fillor dhe të mesëm, qendrat e mbrojtjes sociale, qendrat lokale të kujdesit shëndetsor parësor dhe administratat lokale ;
iv. zhdukjes së të gjitha praktikave që shkaktojnë dallimin shkollor të fëmijëve romë, në mënyrë të veçantë të atyre që synojnë t’i orientojnë drejt shkollave apo klasave për fëmijë handikapatë mendorë ;
d) zhvillimit dhe zbatimit të veprimeve pozitive dhe një trajtimi favorizues për klasat e pafavorizuara nga ana sociale, përfshirë dhe Romët, si një komunitet i pafavorizuar nga ana sociale, në fushat e arsimit, të punësimit dhe strehimit :
(...)
e) marrjen e masave të veçanta dhe krijimin e institucioneve të veçanta për mbrojtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe identitetit rom :
(...)
ii. inkurajimit të prindërve romë për të dërguar fëmijët e tyre në shkollën fillore, të mesme dhe në institucionet e arsimit të lartë, si dhe informimi i tyre në mënyrë korrekte për rëndësinë e arsimit ;
(...)
v. rekrutimit të mësuesve romë, sidomos në zonat ku popullsia rome është e rëndësishme ;
f) luftës kundër racizmit, ksenofobisë dhe mostolerancës, dhe garantimit të një trajtimi jo diskriminues të Romëve në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar :
(...)
vi. fenomenve të diskriminimit të Romëve, sidomos në fushën e arsimit dhe të punësimit ;
(...) »
C. Komisioni evropian kundër racizmit dhe mostolerancës (ECRI)
1. Rekomandimi i politikës së përgjithshme nr. 3 nga ECRI mbi luftën kundër racizmit dhe mostolerancës kundrejt Romëve/Ciganëve (miratuar nga ECRI më 6 mars 1998)
59. Fragmentet e duhura të këtij rekomandimi janë si më poshtë :
« Komisioni evropian kundër racizmit dhe mostolerancës :
(...)
Duke kujtuar se lufta kundër racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe mostolerancës është pjesë përbërëse e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, kur këto të fundit janë universale dhe të pandashme, si dhe janë të drejta të çdo qenieje njerëzore pa asnjë dallim ;
Duhet theksuar se lufta kundër racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe mostolerancës synon para së gjithash të mbrojë të drejtat e anëtarëve të brishtë të shoqërisë ;
Duke pasur bindjen se çdo veprim kundër racizmit dhe diskriminimit duhet të shihet nga këndvështrimi i viktimës dhe të përpiqet të përmirësojë situatën e tij ;
Duke konstatuar që Romët/Ciganët vuajnë sot kudo në Europë nga paragjykimet e vazhdueshme kundrejt tyre, janë viktima të një racizmi të rrënjosur thellë në shoqëri, janë shenjestra e manifestimeve, ndonjëherë dhe të dhunshme, të racizmit dhe mostolerancës, dhe se të drejtat e tyre themelore dhunohen ose kërcënohen rregullisht ;
Duke konstatuar gjithashtu se paragjykimet e vazhdueshme kundrejt Romëve/Ciganëve shkaktojnë diskriminimin e tyre në shumë fusha të jetës sociale dhe ekonomike, dhe se këto diskriminime ushqejnë në mënyrë të konsiderueshme procesin e përjashtimit social nga i cili vuajnë Romët/Ciganët ;
Duke pasur bindjen se promovimi i parimit të tolerancës është një garanci për ruajtjen e shoqërive të hapura dhe pluraliste duke bërë të mundur një bashkëjetesë paqësore ;
u rekomandon qeverive të shteteve anëtare që :
(...)
– Të sigurohen se vetë diskriminimi dhe praktikat diskriminuese të luftohen me anë të legjislacioneve të përshtatshme dhe të kihet kujdes që të përfshihen në të drejtën civile dispozita specifike për këtë efekt, pikërisht në sektorin e punësimit, të strehimit dhe të arsimit;
(...)
– Të luftojnë ashpër të gjitha format e dallimit arsimor kundrejt fëmijëve romë/ciganë dhe të sigurojnë në mënyrë efektive aksesin e barabartë në arsim ;
(...) »
2. Rekomandimi politik i përgjithshëm nr. 7 nga ECRI mbi legjislacionin kombëtar për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racial (miratuar nga ECRI, më 13 dhjetor 2002)
60. Për qëllime të këtij rekomandimi, kuptojmë me :
« a) « racizëm » besimin se një shkak si raca, ngjyra, gjuha, feja, kombësia ose origjina kombëtare ose etnike justifikon përçmimin kundrejt një personi ose një grupi njerëzish, apo idenë e superioritetit që ka një person apo një grup njerëzish.
b) « diskriminim racial të drejtpërdrejtë » çdo trajtim i diferencuar i bazuar në një shkak si raca, ngjyra, gjuha, feja, kombësia ose origjina kombëtare ose etnike, pa asnjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Ky trajtim i diferencuar konsiderohet si i pajustifikuar objektivisht dhe i paarsyeshëm nëse nuk ndjek një qëllim të ligjshëm ose nëse mungon një raport i arsyeshëm proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.
c) « diskriminim racial jo i drejtpërdrejtë » rasti kur një faktor në dukje i paanshëm, si një dispozitë, kriter apo një praktikë nuk mund të respektohet me lehtësi nga persona që i përkasin një grupi që dallohet nga një shkak i tillë si raca, ngjyra, gjuha, feja, kombësia ose origjina kombëtare ose etnike, apo nëse ky faktor i cënon këta persona, përveç rasteve kur ai ka një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Është i tillë nëse ndjek një qëllim të ligjshëm ose nëse ekziston një raport i arsyeshëm proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. »
61. Gjatë paraqitjeve të shkaqeve që lidhen me këtë rekomandim, theksohet (pika 8) se përkufizimet e diskriminimit racial të drejtpërdrejtë dhe atij jo të drejtpërdrejtë përmendur në paragrafin 1 b) dhe c) të rekomandimit, frymëzohen nga ato që parashikohen në direktivën 2000/43/CE të Këshillit të Europës në lidhje me zbatimin e trajtimit të barabartë të njerëzve pa dallim të racës apo origjinës etnike, dhe me direktivën 2000/78/CE të Këshillit të Europës në lidhje me krijimin e një kuadri të përgjithshëm në favor të trajtimit të barabartë në fushën e punësimit dhe të punës, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Raporti për Republikën Çeke, i bërë publik në shtator 1997
62. Në pjesën e tij mbi aspektet politike të arsimimit dhe të trajnimit, raporti vëzhgon se opinioni publik ndonjëherë shfaq një qëndrim mjaft negativ kundrejt disa grupeve, në mënyrë të veçantë kundrejt komunitetit rom/cigan, dhe sugjeron miratimin e masave shtesë për të ndërgjegjësuar më mirë opinionin publik mbi çështjet e racizmit dhe mostolerancës, dhe për të zhvilluar frymën e tolerancës me grupet që ndodhen brenda një shoqërie. Raporti shton se duhet të merren masa të veçanta në fushën e arsimit dhe të trajnimit për anëtarët e grupeve minoritare, në mënyrë të veçantë për anëtarët e komunitetit rom/cigan.
4. Raporti për Republikën Çeke, i bërë publik në mars 2000
63. Në këtë raport, ECRI deklaron se është i preokupuar nga fakti se anëtarët e komunitetit rom/cigan përballen me të metat dhe diskriminimin efektiv në fushën e arsimit. Ai thekson se pjesa dërmuese e fëmijëve romë/ciganë dërgohen në shkollat e veçanta dhe se orientimi i tyre drejt këtyre shkollave bëhet shpesh në mënyrë thuajse automatike. Prindërit romë/ciganë shpesh herë e inkurajojnë këtë zgjedhje, pjesërisht për të shmangur keqtrajtimet që u bëhen fëmijëve të tyre në shkollat e zakonshme nga fëmijë të tjerë që nuk i përkasin komunitetit rom/cigan, izolimin e fëmijëve të tyre në raport me fëmijët romë/ciganë të lagjes, dhe pjesërisht, për shkak të interesimit të tyre relativisht të ulët për çështjet e arsimit. Në këtë mënyrë, pjesa më e madhe e fëmijëve romë/ciganë dërgohen në institucione të caktuara për qëllime të tjera, të cilat ofrojnë më pak oportunitete në fitimin e aftësive apo të një përgatitjeje arsimore, çka i ul shanset e tyre për të vazhduar studimet ose për të hyrë në tregun e punës. Nga ana tjetër, theksohet se prania e anëtarëve të komunitetit rom/cigan në nivelin arsimor pas shkollës fillore është shumë e rrallë.
64. Sipas ECRI, duhet studjuar me kujdes orientimi i fëmijëve romë/ciganë drejt institucioneve të veçanta të krijuara për fëmijë që vuajnë nga vonesa mendore, me qëllim që të verifikohet që testet e përdorura janë të drejta dhe që aftësitë e vërteta të çdo fëmije janë vlerësuar me korrektësi. ECRI mendon që është thelbësore sensibilizimi i prindërve romë/ciganë për nevojën që kanë fëmijët e tyre që të ndjekin një cikël normal studimesh. Në mënyrë të përgjithshme, ECRI mendon se ekziston nevoja për një përfshirje gjithmonë e më të madhe të komunitetit rom/cigan në çështjet që lidhen me arsimin. Autoritetet duhet të fillojnë të sigurohen se prindërit romë/ciganë janë tërësisht të informuar për masat e marra dhe duhet të nxiten që të marrin pjesë në vendimet që lidhen me arsimin e fëmijëve të tyre.
5. Raporti për Republikën Çeke, i bërë publik në qershor 2004
65. Në lidhje me aksesin e fëmijëve romë në arsim, ECRI shprehet në këtë raport se ekziston frika që fëmijët romë do të vazhdojnë të dërgohen në shkollat e veçanta, të cilat jo vetëm do të theksojnë ndarjen e tyre nga shoqëria normale, por do t’i vendosin ata në një situatë tejet të pafavorshme për tërë jetën. Ai vëzhgon se testi tipik që synon të vlerësojë nivelin mendor të fëmijëve, i hartuar nga Ministria e Arsimit në Çeki, nuk është i detyrueshëm dhe përfaqson vetëm një pjesë nga tërësia e mjeteve dhe metodave të rekomaduara nga qendrat e kujdesit psikologjik. Përsa i takon elementit tjetër të nevojshëm që lidhet me dërgimin e fëmijës në një shkollë të veçantë, pra, miratimi i përfaqsuesit ligjor, ECRI vëzhgon se prindërit e fëmijëve që marrin vendime të tilla, nuk kanë gjithmonë informacione në lidhje me pasojat negative afatgjata që mund të ketë dërgimi i fëmijëve të tyre në këto shkolla, që shpesh herë u paraqitet si një mundësi që këta fëmijë të jenë objekt i një përkujdesjeje të veçantë dhe që të takojnë fëmijë të tjerë romë. ECRI thotë gjithashtu se është informuar se disa shkolla të zakonshme kanë refuzuar të kenë kontakte me prindër romë.
ECRI vëren gjithashtu se hyrja në fuqi e ligjit për shkollat në janar të vitit 2000, u jep mundësi të diplomuarve në shkollat e veçanta të kërkojnë që të pranohen në arsimin e mesëm. Sipas burimeve të ndryshme, kjo mbetet gjithësesi një mundësi në aspektin teorik sepse shkollat e veçanta nuk u japin fëmijëve njohuritë e duhura për të vazhduar shkollat e mesme. Nuk ekziston anjë masë që t’u mundësojë këtyre fëmijëve që të ndjekin një formin shtesë, i cili do t’i ndihmonte të arrinin një nivel të kënaqshëm përgatitjeje për t’u integruar në një institucion të zakonshëm të arsimit të mesëm.
ECRI ka pasur informacione shumë pozitive në lidhje me klasat e « nivelit zero » (orët përgatitore) në nivelin parashkollor që ka bërë të mundur rritjen e numrit të fëmijëve romë që frekuentojnë shkollat e zakonshme. Nga ana tjetër, ai shpreh shqetësimin e tij për një tendencë të re që mban sistemin arsimor të ndarë në një formë tjetër : krijimin e klasave të veçanta në shkollat e zakonshme. Sipas informacioneve të ECRI, palë të ndryshme të përfshira në këtë proces druhen se projektligji i ri për shkollat sjell një dallim akoma më të theksuar të Romëve me vendosjen e një kategorie të re programesh të veçanta për të « pafavorizuarit socialë ».
Së fundi, ECRI thekson se megjithë inisiativat e marra nga Ministria e Arsimit (asistentë pedagogjikë në shkolla, programe trajnimi për mësuesit, rishikimi i programit të shkollës fillore), problemi i përfaqsimit të ulët të Romëve në arsimin e mesëm dhe të lartë vazhdon.
D. Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare
1. Raporti i dërguar nga Republika e Çekisë, më 1 prill 1999, në përputhje me nenin 25 § 1 të Konventës kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare
66. Në këtë dokument bëhet e ditur se në fushën e arsimit, qeveria ka miratuar masa që kanë si qëllim të ofrojnë kushte të favorshme për fëmijët që vijnë nga mjedise të pafavorizuara në planin social dhe kulturor, veçanërisht për fëmijët romë, duke hapur klasa përgatitore në shkollat fillore dhe të specializuara. Në këtë raport theksohet se « fëmijët romë që kanë një nivel inteligjence mesatare ose më të lartë se mesatarja, shpesh herë dërgohen në [shkolla të veçanta, të caktuara për fëmijët që kanë vështirësi intelektuale,] pas kryerjes së testeve psikologjike ([të cilat bëhen] gjithmonë me miratimin e prindërve). Këto teste janë hartuar për shumicën e popullsisë dhe nuk marrin në konsideratë të veçantat e Romëve. Aktualisht, po punohet për ristrukturimin e këtyre testeve. » Disa shkolla të veçanta numërojnë rreth 80 % - 90 % të fëmijëve romë.
2. Raporti i dërguar nga Republika e Çekisë, më 2 korrik 2004
67. Raporti tregon që Republika Çeke, e cila pranon se Romët janë veçanërisht të ekspozuar ndaj diskriminimit dhe përjashtimit shoqëror, po përgatitet të fusë instrumente antidiskriminuese në kuadrin e përfshirjes së direktivës europiane në lidhje me trajtimin e barabartë – për këtë, një ligj i ri duhej të miratohej në 2004 (ky ligj, nr. 561/2004, miratuar më 24 shtator 2004, ka hyrë në fuqi më 1 janar 2005).
Në fushën e arsimimit të Romëve, raporti përmbledh një numër të madh veprimesh pozitive të kryera nga ana e shtetit me qëllim ndryshimin e situatës aktuale të fëmijëve romë dhe thekson se qeveria e konsideron si të papranueshëm dërgimin e një numri të madh të fëmijëve romë në shkolla të veçanta. Këto veprime pozitive janë të nevojshme jo vetëm për shkak të handikapit social-kulturor të fëmijëve romë, por gjithashtu për shkak të natyrës së gjithë sistemit arsimor, i cili nuk pasqyron ashtu si duhet diversitetin kulturor. Në këtë kontekst, projektligji për shkollat duhet të sjellë ndryshime në sistemin e arsimit të veçantë (duke i kthyer « shkollat e veçanta » në « shkolla fillore të veçanta »), me qëllim që t’u ofrojë fëmijëve një ndihmë të caktuar duke i ndihmuar të kapërcejnë problemet që lidhen me mjedisin e tyre social-kulturor. Bëhet fjalë pikërisht për krijimin e klasave përgatitore, programeve individuale për nxënësit e shkollave të veçanta, masave të marra në lidhje me arsimin parashkollor, rritjes së funksioneve të asistentëve me origjinë rome dhe programeve të specializuara për mësuesit. Meqënënse një nga problemet më të rëndësishme më të cilin përballen nxënësit romë është ai i nivelit të dobët të njohjes së gjuhës çeke, Ministria e Arsimit mendon se zgjidhja më e mirë (dhe e vetmja zgjidhje realiste) konsiston në krijimin e klasave përgatitore në nivelin parashkollor për fëmijët që vijnë nga një mjedis social-kulturor i pafavorizuar.
Raporti citon gjithashtu shumë projekte dhe programe të ndjekura në këtë fushë në rang kombëtar (Mbështetje për integrimin e Romëve, Programi për integrimin e Romëve/Reformë për arsimin multikulturor, dhe Riintegrimi i nxënësve romë nga shkollat e veçanta në shkollat fillore normale).
3. Opinioni për Republikën e Çekisë nga komiteti këshillimor i Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare, i bërë publik më 25 janar 2002
68. Sipas Komitetit këshillimor, megjithëse shkollat e veçanta ishin krijuar për fëmijët që vuajnë nga një handikap mendor, dukej që shumë fëmijë romë, ndonëse nuk vuanin nga një problem i tillë, dërgoheshin në këto shkolla për shkak të diversitetit gjuhësor ose kulturor real apo të supozuar në raport me shumicën e nxënësve. Komiteti mendon se një praktikë e tillë nuk është në përputhje me Konventën kuadër. Ai thekson se shkollimi i fëmijëve në institucione të tilla duhej të ndodhte vetëm në rastet e nevojës aboslute dhe pas kryerjes së testeve metodike, objektive dhe të thelluara.
69. Sipas këtij komiteti, shkollat e veçanta kanë shkaktuar një ndarje të rëndësishme të fëmijëve romë dhe një nivel të ulët arsimor në këtë komunitet, fenomen i pranuar nga autoritetet çeke. Zyrtarët e qeverisë, si dhe aktorët e shoqërisë civile bien dakort për nevojën e një reforme të gjerë që duhet ndërmarrë në këtë fushë. Natyra e përpiktë e kësaj reforme është objekt i një mosmarrëveshjeje që lidhet si me shumën e burimeve që duhen mobilizuar, ashtu dhe me ritmin e zbatimit të këtyre reformave. Komiteti këshillimor është i mendimit se autoritetet çeke duhet t’i zhvillojnë këto reforma në bashkëpunim me personat e duhur, në mënyrë që t’u sigurojnë fëmijëve romë shanse të barabarta për të pasur akses në institucionet shkollore, si dhe të drejta të barabarta për të ndjekur një arsim të zakonshëm, në përputhje me parimet e parashikuara në Rekomandimin nr. R (2000) 4 të Komitetit të Ministrave në lidhje me arsimimin e fëmijëve romë/ciganë në Europë.
70. Komiteti këshillimor përshëndet inisiativat e marra për krijimin e klasave të quajtura zero, të cilat mundësojnë përgatitjen e fëmijëve romë për arsimin bazë duke përmirësuar nivelin e tyre në njohjen e gjuhës çeke, dhe inkurajon shtimin e tyre. Përveç kësaj, ai mendon se krijimi i vendeve të punës për këshilltarë pedagogjikë romë në institucionet shkollore, si inisiativë e shoqërisë civile, është një masë mjaft pozitive. Komiteti këshillimor inkurajon pushtetin publik në përpjekjet e tij për të rritur numrin e këtyre vendeve dhe për t’i zhvilluar ato. Një objektiv tjetër i rëndësishëm mbetet përpjekja për të rritur numrin e fëmijëve romë që ndjekin shkollën e mesme dhe që e përfundojnë me sukses atë.
4. Opinioni për Republikën e Çekisë nga komiteti këshillimor, i bërë publik më 26 tetor 2005
71. Në këtë opinion, komiteti këshillimor vëren se autoritetet duan të tregojnë një angazhim të veçantë në përpjekjet e tyre që synojnë të ndryshojnë rrënjësisht kushtet e fëmijëve romë në fushën e arsimit. Ato gjithashtu përpiqen me mjete të ndryshme që ta vënë këtë objektiv në praktikë. Në lidhje me këtë çështje, këshilli shprehet se është akoma shpejt për të vlerësuar nëse ligji i ri mbi arsimin (nr. 561/2004) do të ndryshojë krejtësisht situatën aktuale të dërgimit të një numri të madh fëmijësh romë në shkollat e veçanta ose në klasat e veçanta.
72. Komiteti thekson se autoritetet i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë dërgimit të pajustifikuar të fëmijëve romë në shkollat e veçanta. Për këtë, ato kanë proceduar me rishikimin e testeve të përdorura për vlerësimin e nivelit të aftësive intelektuale të fëmijëve në fillim të shkollimit të tyre, si dhe metodologjinë që lidhet me të, në mënyrë që të shmangë përdorimin e tyre abuziv në dëm të fëmijëve romë. Paralelisht, janë hartuar programe arsimore specifike për t’u mundësuar fëmijëve romë që të kapërcejnë vështirësitë me të cilat përballen. Mund të përmendim frekuentimin falas të vitit të fundit të arsimit parashkollor, mundësinë që të rishikohet numri minimal i nxënësve në klasë, një mësimdhënie më të individualizuar, pjesëmarrjen e asistentëve pedagogjikë (romë në pjesën më të madhe të rasteve), apo përgatitjen e manualeve dhe guidave metodologjike për mësuesit që punojnë me nxënësit romë. Komiteti vëren gjithashtu se hapja e klasave përgatitore për fëmijët romë të moshës parashkollore, është një masë efikase në praktikë, ndonëse në një shkallë shumë të kufizuar. Masa të tilla duhet të zbatohen më sistematikisht në mënyrë që të gjithë fëmijët romë të përfitojnë nga ky sistem. Komiteti këshillimor përshëndet gjithashtu programin e veçantë që mbështet popullsinë rome që të ketë akses në arsimin e mesëm dhe në atë të lartë, si dhe përpjekjet që kanë si qëllim zhvillimin e një rrjeti për mësuesit dhe asistentët pedagogjikë romë të kualifikuar.
73. Megjithatë, komiteti këshillimor vëren se ndonëse ndjekja e vazhdueshme dhe vlerësimi i situatës së fëmijëve romë figurojnë në prioritetet e qeverisë, janë dhënë shumë pak informacione në lidhje me nivelin e integrimit të këtyre fëmijëve në sistemin shkollor dhe me efikasitetin dhe impaktin e masave të shumta që janë marrë për këtë qëllim. Theksohet me shqetësim se përmirësimet pas marrjes së këtyre masave kanë qenë të pakta, se autoritetet lokale nuk ndjekin në mënyrë sistematike inisiativat për shoqërimin shkollor të ndërmarra nga qeveria në favor të Romëve, dhe se, përgjithësisht, ato nuk tregojnë gjithmonë vullnetin e nevojshëm për të marrë masa efikase në këtë fushë.
74. Komiteti këshillimor vëren me shqetësim se, sipas burimeve jo qeveritare, një numër i konsidrueshëm i fëmijëve romë vazhdojnë të orientohen që në moshë të vogël drejt shkollave të veçanta dhe se korrigjimet e bëra në testet psikologjike që përdoren në këtë kontekst, nuk kanë pasur pasoja të dukshme. Sipas vlerësimeve jo zyrtare, Romët përbëjnë rreth 70 % të nxënësve të rregjistruar në këto shkolla, dhe, nëse marrim në konsideratë përqindjen e popullsisë rome në vend, kjo ngre pikëpyetje në lidhje me bazueshmërinë e testeve në fjalë ose me metodologjinë e përdorur. Kjo situatë është akoma më shqetësuese sepse e bën më të vështirë aksesin e fëmijëve romë në nivele të tjera të arsimit, dhe nga ky shkak, ulet perspektiva e tyre për integrimin social. Edhe pse legjislacioni në fuqi nuk krijon më pengesë për kalimin e nxënësve që kanë mbaruar këto shkolla drejt arsimit të mesëm të rregullt, niveli arsimor që kanë marrë në shkollat e veçanta nuk u mundëson të përballen me kërkesat e arsimit të mesëm, çka sjell në pjesën më të madhe të rasteve braktisjen e shkollës. Nëse vlerësimet nuk përkojnë gjithmonë në lidhje me numrin e fëmijëve romë që mbeten jashtë sistemit shkollor, rrallë ndodh që ata që ndjekin shkollën të vazhdojnë studimet më lart se shkolla fillore.
75. Përveç kësaj, komiteti këshillimor vëren se megjithë masat e sensibilizimit që ka marrë Ministria e Arsimit, shumë fëmijë romë që frekuentojnë shkollat normale, gjenden të veçuar nga shokët e tyre të klasës dhe nga personeli mësimor, madje ata rigrupohen në klasa të veçanta. Në të njëjtën kohë, duhet pranuar se në disa shkolla, fëmijët romë përbëjnë shumicën e nxënësve për shkak se shkollat në fjalë ndodhen në afërsi të zonave ku numri i Romëve që jetojnë atje është i konsiderueshëm. Sipas burimeve të ndryshme, kushtet materiale që disponojnë disa shkolla që frekuentohen nga këta nxënës janë të pasigurta dhe, në pjesën më të madhe të rasteve, mësimi që ofrohet vazhdon të mospërshtatet sa duhet me situatën e tyre. Është e rëndësishme dhe duhet të kihet kujdes që këto shkolla t’u sigurojnë nxënësve në fjalë një arsim cilësor.
76. Sipas këtij komiteti, një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rregjistrimit të fëmijëve romë në shkollat e zakonshme, mbështetjes dhe promovimit të klasave përgatitore dhe funksionit të asistentit pedagogjik. Duhet t’u kushtohet më shumë kujdes rekrutimit të personelit mësimor nga komuniteti rom, si dhe sensibilizimit të aktorëve në fushën e arsimit në lidhje me situatën e veçantë të fëmijëve romë. Pjesëmarrja aktive e prindërve, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit të ri të arsimit, duhet gjithashtu të konsiderohet si një kusht sine qua non për përmirësimin e gjendjes së arsimit të Romëve. Së fundi, sipas komitetit këshillimor, kërkohet një punë më vendimtare për të luftuar veçimin e fëmijëve romë në sistemin arsimor në shkollat e rregullta dhe në ato të veçanta. Pas udhëzimeve dhe masave të menjëhershme të marra në të gjitha nivelet, duhet të ekzistojë një pikëpamje më e qartë për eleminimin e praktikave të dërgimit të pajustifikuar të fëmijëve romë në shkollat e veçanta të krijuara për fëmijët që vuajnë nga defiçensa mendore. Po ashtu, marrja e masave efikase, të hartuara posaçërisht për eleminimin e praktikave të tilla, duhet të përbëjnë një prioritet të vazhdueshëm për autoritetet.
E. Komisioneri për të drejtat e njeriut
Raporti përfundimtar i Z. Alvaro Gil-Robles mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në lidhje me Romët, Sintët dhe Udhëtarët në Europë (daton nga 15 shkurti 2006)
77. Në pjesën e tretë të këtij raporti, që i kushtohet diskriminimit në fushën e arsimit, Komisioneri për të drejtat e njeriut thekson se arsyeja që një numër i rëndësishëm i fëmijëve romë nuk përfitojnë një arsim me të njëjtën cilësi si fëmijët e tjerë, vjen edhe si pasojë e praktikave diskriminuese dhe paragjykimeve. Në lidhje me këtë çështje, ai shprehet se dallimi racial brenda sistemit arsimor është një karakteristikë e përbashkët për shumë shtete anëtare të Këshillit të Europës. Në disa vende, ekzistojnë shkolla të veçuara në kampingje të veçuara, në disa të tjera, ekzistojnë klasa të veçanta për fëmijët romë brenda shkollave të zakonshme, apo një mbipopullim i dukshëm i klasave për fëmijë që kanë nevoja të veçanta nga fëmijët romë. Ndodh shpesh që fëmijët romë të dërgohen në klasat e fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, pa kryer vlerësimin e duhur psikologjik ose pedagogjik dhe se kriteret e vërteta mbështeten në origjinën e tyre etnike. Dërgimi i nxënësve në shkolla ose klasa tw veçanta bën që këta fëmijë të ndjekin shpesh herë një program shkollor më pak ambicioz se ai në shkollat normale, gjë që ul perspektivat e tyre në fushën e arsimit dhe si pasojë, mundësinë për të gjetur punë më vonë. Dërgimi në mënyrë automatike i fëmijëve romë në klasat për fëmijë që kanë nevoja të veçanta përforcon kritikën sociale që i etiketon fëmijët romë si më pak inteligjentë dhe më pak të aftë. Në të njëjtën kohë, arsimimi sipas dallimeve raciale i privon fëmijët romë dhe fëmijët jo romë nga mundësia për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të mësuar që të jetojnë si qytetarë të barabartë. Ai i përjashton fëmijët romë nga shoqëria normale që në fëmijërinë e tyre hershme duke rritur rrezikun që të mbeten në rrethin vicioz të përjashtimit.
78. Në lidhje me Republikën Çeke, Komisioneri për të drejtat e njeriut deklaron se i kanë raportuar që numri i anëtarëve të rinj të komunitetit rom/cigan është tejet i madh në shkollat dhe klasat e veçanta, të cilat janë hapur për fëmijët që vuajnë nga një pazotësi e lehtë mendore. Në të njëjtën kohë, ai vëren se autoritetet kanë futur asistentë pedagogjikë romë në klasat e zakonshme dhe kanë parashikuar hapjen e klasave përgatitore. Këto inisiativa kanë pasur rezultate premtuese, ndonëse ato nuk janë kryer në një shkallë të gjerë për shkak të burimeve të pamjaftueshme. Në mënyrë të veçantë, klasat përgatitore për fëmijët e pafavorizuar nga ana sociale kanë luajtur një rol vendimtar në inisiativat e marra për kapërcimin e problemit të numrit të madh të fëmijëve romë në institucionet shkollore të veçanta. Autoritetet çeke janë të mendimit se shkollat përgatitore pranë kopshteve të fëmijëve, kanë qenë mjaft të nevojshme për të favorizuar integrimin e fëmijëve romë në institucione të zakonshme. Në vitin 2004, Republika Çeke numëronte 332 asistentë pedagogjikë të ngarkuar për t’iu përgjigjur nevojave të veçanta të nxënësve romë.
79. Theksohet gjithashtu në raport se klasat me programe të veçanta për Romët janë hapur me qëllime të mira, me pretendimin që ata të kapërcejnë pengesat gjuhësore apo që të rregullojnë boshllëqet nga mungesa e arsimit parashkollor të fëmijëve romë. Sipas Komisionerit për të drejtat e njeriut, sigurisht që këto vështirësi duhen kapërcyer, por dallimi dhe dërgimi sistematik i fëmijëve romë në klasa që ndjekin një program të thjeshtuar apo që propozojnë një program të veçantë në gjuhën rome duke veçuar në këtë mënyrë fëmijët romë, janë dukshëm zgjedhje të gabuara për përmirësimin e situatës. Në vend që të bëhet ky dallim, duhet vënë theksi më shumë tek masat e tilla si ndihma pedagogjike dhe gjuhësore në nivel parashkollor dhe shkollor dhe vënien në dispozicion të asistentëve në shkolla që të punojnë me mësuesit. Nga ana tjetër, në disa komunitete, është thelbësor fakti i sensibilizimit të prindërve romë, të cilët mund të mos kenë pasur rastin të shkojnë në shkollë, mbi nevojën dhe avantazhet e një arsimi cilësor për fëmijët e tyre.
80. Si përfundim, Komisioneri për të drejtat e njeriut harton disa rekomandime në fushën e arsimit. Sipas tij, nëse sgregacioni vazhdon të ekzistojë në fushën e arsimit në një mënyrë apo një tjetër, duhet të zëvendësohet me një mësimdhënie të integruar dhe të zakonshme, dhe nëse është e nevojshme, duhet të ndalohet me ligj. Duhet të akordohen burime të nevojshme në arsimin parashkollor, për formimin gjuhësor dhe trajnimin e asistentëve në shkolla me qëllim që të garantohet suksesi i përpjekjeve të paraqitura në fushën e mosdiskriminimit. Më pas, duhet të kryhet një vlerësim i përshtatshëm përpara se fëmijët të dërgohen në klasa të veçanta me qëllim që kriteret e vetme të këtij dërgimi të bazohen në nevojat objektive të fëmijës dhe jo në origjinën e tij etnike.
IV. E DREJTA DHE PRAKTIKA KOMUNITARE TË NEVOJSHME
81. Parimi i ndalimit të diskriminimit ose i trajtimit të barabartë, gjendet në shumë tekste të rëndësishme të së drejtës komunitare që bazohen në nenin 13 të Traktatit themeltar të Komunitetetit Evropian. Kjo dispozitë i mundëson Këshillit, pasi të vendosë në unanimitet mbi propozimin e Komisionit dhe pas këshillimit me Parlamentin Europian, të marrë masat e nevojshme me qëllim që të luftojë kundër çdo diskriminimi që bazohet te seksi, raca ose origjina etnike, feja ose bindjet, handikapet, mosha apo orientimi seksual.
82. Në këtë mënyrë, direktiva 97/80/CE e Këshillit të Eurpës që daton nga 15 dhjetori 1997 në lidhje me barrën e provës në rastet e diskriminimit gjinor, shprehet në nenin 2 § 2 që një « diskriminim jo i drejtpërdrejtë ekziston kur një dispozitë, kriter apo një praktikë në dukje e paanshme prek një grup relativisht të lartë të personave të një seksi, përveç rasteve kur kjo dispozitë, ky kriter apo kjo praktikë të jenë të përshtatshëm/me dhe të nevojshëm/me dhe të mund të justifikohen me faktorë objektivë që nuk varen nga seksi i të interesuarve ». Në bazë të nenit 4 § 1, që ka të bëjë me barrën e provës, « shtetet anëtare, në përputhje me sistemin e tyre gjyqësor, marrin masat e nevojshme me qëllim që nëse një person ndihet i lënduar nga mosrespektimi i parimit të trajtimit të barabartë dhe parashtron përpara një juridiskioni apo një instance kompetente fakte që mundësojnë prezumimin e ekzistencës së një diskriminimi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, i takon palës së paditur të provojë se nuk ka pasur shkelje të parimit mbi trajtimin e barabartë ».
83. Po ashtu, direktiva 2000/43/CE e Këshillit të Europës të datës 29 qershor 2000 në lidhje me zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë të personave pa dallim race apo origjine etnike dhe direktivës 2000/78/CE e Këshillit të Europës të datës 27 nëntor 2000 në lidhje me krijimin e një kuadri të përgjithshëm në favor të trajtimit të barabartë në fushën e punësimit dhe të punës, kanë si qëllim, në fushat që mbulohen nga ato, të ndalojnë çdo lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë që bazohet në racën, origjinën etnike, fenë ose bindjet, handikapet, moshën ose orientimin seksual. Në klauzolat e tyre hyrëse, ato shprehen se « vlerësimi i fakteve që mundësojnë prezumimin e ekzistencës së një diskriminimi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë duhet të bëhet nga instanca gjyqësore kombëtare ose një instance tjetër kompetente, në përputhje me të drejtën ose praktikat kombëtare që mund të parashikojnë, veçanërisht për këtë rast, se diskriminimi jo i drejtpërdrejtë mund të kryhet me të gjitha mjetet, përfshirë dhe bazën e të dhënave statistikore », dhe se « organizimi i rregullave që lidhen me barrën e provës bëhet i detyrueshëm që në momentin e prezumimit të diskriminimit dhe, në rastet kur kjo situatë verifikohet, zbatimi efektiv i parimit të trajtimit të barabartë kërkon që barra e provës t’i takojë palës së paditur ».
84. Në mënyrë të veçantë, direktiva 2000/43/CE në nenet 2 dhe 8 shprehet :
Neni 2
Koncepti i diskriminimit
« 1. Për qëllime të kësaj direktive, me « parimin e një trajtimi të barabartë », kuptojmë mungesën e çdo lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të bazuar në racën ose origjinën etnike.
2. Për qëllime të paragrafit 1 :
a) një diskriminim i drejtpërdrejtë ndodh atëherë kur, për arsye të racës apo origjinës etnike, një person trajtohet në mënyrë jo aq të favorshme sa ç’trajtohet, është trajtuar apo duhet të trajtohet një person tjetër në një situatë të krahasueshme ;
b) një diskriminim jo i drejtpërdrejtë ndodh kur një dispozitë, kriter apo një praktikë në dukje e paanshme mund të sjellë një paragjykim të veçantë për persona të një race apo të një origjine etnike në raport me persona të tjerë, përveç rasteve kur kjo dispozitë, ky kriter apo kjo praktikë justifikohen objektivisht nga një objektiv i ligjshëm dhe mjetet për të realizaur këtë objektiv duhet të jenë të përshtatshme dhe të nevojshme.
(...) »
Neni 8
Barra e provës
« 1. Shtetet anëtare, në përputhje me sistemin e tyre gjyqësor, marrin masat e nevojshme me qëllim që nëse një person ndihet i lënduar nga mosrespektimi i parimit të trajtimit të barabartë dhe parashtron përpara një juridiskioni apo një instance kompetente fakte që mundësojnë prezumimin e ekzistencës së një diskriminimi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, i takon palës së paditur të provojë se nuk ka pasur shkelje të parimit mbi trajtimin e barabartë.
2. Paragrafi 1 nuk nxjerr pengesa për miratimin nga shtetet anëtare të rregullave të provës që janë më të favorshme për ankuesit.
3. Paragrafi 1 nuk zbatohet në rastin e procedurave penale.
(...)
5. Shtetet anëtare mund të mos zbatojnë paragrafin 1 për procedurat ku hetimi i fakteve i takon juridiksionit apo instancës kompetente. »
85. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (CJCE), diskriminimi, që konsiston në zbatimin e rregullave të ndryshme në situata të krahasueshme ose në zbatimin e të njëjtit rregull në situata të ndryshme, mund të jetë i dukshëm apo i fshehtë, i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë.
86. Në vendimin e saj të datës 12 shkurt 1974, Giovanni Maria Sotgiu kundër Deutsche Bundespost, çështja 152/73, pika 11, Gjykata Evropiane e Drejtësisë shprehet :
« (...) rregullat e trajtimit të barabartë (...) ndalojnë jo vetëm diskriminimet e dukshme, të bazuara mbi origjinën kombëtare, por dhe të gjitha format e fshehura të diskriminimit që, me zbatimin e kritereve të tjera dalluese, çojnë në të njëjtin rezultat ;
(...) »
87. Në vendimin e saj të datës 13 maj 1986, Bilka-Kaufhaus GmbH kundër Karin Weber von Hartz, çështja 170/84, pika 31, Gjykata Evropiane e Drejtësisë shprehet :
« (...) neni 119 i traktatit CEE është shkelur nga një shoqëri që ka në pronësi dyqane të mëdha, e cila i përjashton punonjësit me kohë të pjesshme nga regjimi i pensioneve të ndërmarrjes, sidomos kur kjo masë prek një numër shumë më të lartë të grave sesa të burrave, përveç rasteve kur ndërmarrja vendos se kjo masë shpjegohet nga faktorë të justifikuar objektivisht dhe që nuk kanë lidhje me asnjë lloj diskriminimi gjinor. »
88. Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në vendimin e datës 9 shkurt 1999, Regina kundër Secretary of State for Employment, ex parte Nicole Seymour-Smith dhe Laura Perez, çështja C-167/97, pikat 51, 57, 62, 65, 77, vëzhgon :
« (...) juridiksioni kombëtar përpiqet të përcaktojë kriterin juridik që mundëson të vendosë nëse një masë e miratuar nga një shtet anëtar prek në një mënyrë të ndryshme burrat dhe gratë deri në atë masë sa të barazohet me një diskriminim jo të drejtpërdrejtë (...)
(...)
Komisioni (...) propozon një test « statistikor të drejtë », sipas të cilit statistikat duhet të përbëjnë parametrat e krahasimit adekuat dhe juridiksoni kombëtar duhet të kujdeset që këto statistika të mos prishen për shkak të aspekteve të veçanta të rastit në fjalë. Ekzistenca e statistikave domethënëse do të mjaftonte për të përcaktuar një incidencë të pabarabartë dhe për t’i imponuar barrën e provës së bashku me një justifikim autorit të masës së prezumuar si diskriminuese.
(...)
Duhet kujtuar gjithashtu se i takon gjykatësit të vendit përkatës që të vlerësojë nëse të dhënat statistikore që karakterizojnë situatën (...) janë të vlefshme dhe nëse ato mund të merren në konsideratë, pra, nëse ato përmbajnë një numër të mjaftueshëm individësh, nëse nuk janë shprehje e fenomeneve që janë thjesht të rastit apo të rrethanave dhe nëse, në një mënyrë të përgjithshme, ato duken si të dhëna kuptimplota (shih vendimin e 27 tetorit 1993, Enderby, C-127/92, Rec. p. I-5535, pika 17) (...)
(...)
Që nga ky moment, (...) për të përcaktuar nëse një masë e miratuar nga një shtet anëtar prek në një mënyrë të ndryshme burrat dhe gratë deri në atë masë sa të barazohet me një diskriminim jo të drejtpërdrejtë sipas nenit 119 të traktatit, gjykatësi i vendit duhet të verifikojë nëse të dhënat statistikore të disponueshme tregojnë se një përqindje shumë më e ulët e punëtoreve gra sesa e punëtorëve burra mund të përmbushë kushtin e vendosur me detyrim nga kjo masë. Nëse paraqitet ky rast, kemi një diskriminin gjinor jo të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur kjo masë justifikohet nga faktorë objektivë që nuk kanë asnjë lidhje me diskriminimin gjinor.
(...)
(...) sipas hipotezës kur një përqindje shumë më e ulët e punëtoreve gra sesa e punëtorëve burra përmbush kushtin (...) e vendosur me detyrim nga rregulli i kundërshtuar, i takon shtetit anëtar, në cilësinë e autorit të rregullës së prezumuar si diskriminuese, të tregojë se kjo rregull i përgjigjet një objektivi të ligjshëm të politkës së tij sociale dhe se ky objektiv nuk ka asnjë lidhje me çdo lloj diskriminimi gjinor. Gjithashtu, ai duhet të vlerësojë në mënyrë të drejtë që mjetet e zgjedhura ishin ato të duhurat për realizmin e këtij objektivi. »
89. Në vendimin e datës 23 tetor 2003, Hilde Schönheit kundër Stadt Frankfurt am Main, çështja C-4/02, dhe Silvia Becker kundër Land Hessen, çështja C-5/02, pikat 67-69, 71, Gjykata Evropiane e Drejtësisë shprehet :
« (...) duhet kujtuar se neni 119 i traktatit dhe neni 141, paragrafet 1 dhe 2, CE shprehin parimin e shpërblimit të barabartë për të njëjtën punë të kryer nga punëtorët burra dhe punëtoret gra. Ky parim bie në kundërshtim jo vetëm me dispozitat që vendosin diskriminime të drejtpërdrejta gjinore, por gjithashtu me dispozitat që ruajnë trajtimet e diferencuara mes punëtorëve burra dhe punëtoreve gra duke zbatuar kritere që nuk bazohen në dallimet gjinore, përveç rasteve kur këto trajtime të diferencuara mund të shpjegohen me faktorë që justifikohen objektivisht dhe që nuk kanë lidhje me asnjë lloj diskriminimi gjinor (...)
Përsa i përket dispozitave kundërshtuese të BeamtVG, ato vazhdojnë të mos krijojnë diskriminime të drejtpërdrejta gjinore. Kështu, duhet verifikuar nëse këto dispozita mund të përbëjnë një diskriminim jo të drejtpërdrejtë (...)
Duke pasur si qëllim që të përcaktohet nëse ekziston një diskriminim i tillë, duhet verifikuar nëse dispozitat kundërshtuese shkaktojnë kundrejt punëtoreve gra efekte më të disfavorshme sesa mund të shkaktonin kundrejt punëtorëve burra (...)
(...)
Në këtë mënyrë, duhet përcaktuar nëse të dhënat statistikore të disponueshme tregojnë që një përqindje shumë më e madhe e punëtoreve gra sesa e punëtorëve burra preket nga dispozitat e BeamtVG, të cilat shkaktojnë uljen e shumës së pensionit të funksionarëve që kanë ushtruar funksionet e tyre me kohë të pjesshme përgjatë të paktën një pjese të karrierës së tyre. Një situatë e tillë do të tregonte ekzistencën e një diskriminimi gjinor, përveç rasteve kur dispozitat kundërshtuese justifikohen me faktorë objektivë që nuk kanë asnjë lidhje me diskriminimin gjinor. »
90. Në vendimin e datës 13 janar 2004, Debra Allonby kundër Accrington & Rossendale College, Education Lecturing Services (...) dhe Secretary of State for Education and Employment, çështja C-256/01, pika 81, Gjykata Evropiane e Drejtësisë shprehet :
« (...) duhet konstatuar se një grua mund të bazohet tek statistikat për të treguar se një klauzolë e një rregulloreje të shtetit bie në kundërshtim me nenin 141, paragrafi 1, CE për shkak të karakterit të saj diskriminues kundrejt punëtoreve gra. (...) »
91. Së fundi, në vendimin e datës 7 korrik 2005, Komisioni Evropian kundër Republikës së Austrisë, çështja C-147/03, pikat 41 dhe 46‑48, Gjykata Evropiane e Drejtësisë shprehet :
« Sipas një jurisprudence të vazhdueshme, parimi i trajtimit të barabartë ndalon jo vetëm diskriminimet e dukshme, të bazuara në origjinën kombëtare, por gjithashtu të gjitha format e fshehta të diskriminimit, të cilat, me zbatimin e kritereve të tjera dalluese, çojnë në të njëjtin rezultat (shih pikërisht, vendimet e datës 12 shkurt 1974, Sotgiu, 152/73, Rec. f. 153, pika 11 ; e datës 1 korrik 2004, Komisioni/Belgjikë, lartpërmendur, pika 28, dhe e datës 15 mars 2005, Bidar, C‑209/03, Rec. f.I-2119, pika 51).
(...)
Duhet (...) konstatuar se legjislacioni në fjalë prek titullarët e diplomave të arsimit të mesëm që kanë studjuar në një nga shtetet anëtare, përveç Republikës së Austrisë, për faktin se ata nuk mund të kenë akses në arsimin e lartë austriak me të njëjtat kushte si titullarët e të njëjtës diplome ekuivalente marrë në Austri.
Kështu, neni (...), ndonëse zbatohet pa asnjë dallim për të gjithë studentët, mund të prekë më shumë shtetasit e shteteve të tjera anëtare sesa shtetasit austriakë, aq sa trajtimi i diferencuar që vendoset nga kjo dispozitë shkakton një diskriminim jo të drejtpërdrejtë.
Si pasojë, ky trajtim i diferencuar mund të justifikohet vetëm nëse bazohet në arsye objektive, që nuk kanë lidhje me origjinën kombëtare të personave në fjalë dhe në përputhje me objektivin e ligjshëm të së drejtës kombëtare (vendimet e datës 24 nëntor 1998, Bickel dhe Franz, C‑274/96, Rec. f. I‑7637, pika 27, dhe D’Hoop, lartpërmendur, pika 36). »
V. LIGJET E NEVOJSHME TË ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA
A. Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike
92. Neni 26 i këtij pakti shprehet si më poshtë :
« Të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe kanë të drejtë mbrojtjeje të barabartë të ligjit pa kurrfarë dallimi. Lidhur me këtë, ligji duhet të ndalojë çdo diskriminim dhe të garantojë për të gjithë, mbrojtje të barabartë dhe efektive, kundër çdo diskriminimi e sidomos për shkak të racës, ngjyrës, seksit, gjuhës, fesë, opinionit politik dhe çdo opinioni tjetër, origjinës kombëtare apo shoqërore, pasurisë, lindjes ose çdo situate tjetër. »
B. Komiteti i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara
93. Në pikat 7 dhe 12 të vëzhgimeve të përgjithshme nr. 18 të datës 10 nëntor 1989 në lidhje me mosdiskriminimin, komiteti shprehet :
« (...) Komiteti mendon se termi « diskriminim », ashtu siç përdoret në Pakt, duhet të kuptohet si çdo lloj dallimi, përjashtimi, kufizimi apo preference që bazohet sidomos te raca, ngjyra, seksi, gjuha, feja, opinionet politike ose çdo opinioni tjetër, origjina kombëtare ose sociale, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër që ka si efekt apo qëllim të komprometojë apo të shkatërrojë njohjen, gëzimin apo ushtrimin nga të gjithë dhe në kushte të barabarta të tërësisë së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
(...)
(...) kur një shtet kontraktues miraton një ligj, ai duhet, në përputhje me nenin 26, të bëjë gjithçka që përmbajtja e tij të mos të jetë diskriminuese. (...) »
94. Në pikën 11.7 të konstatimeve të datës 31 korrik 1995 në lidhje me komunikimin nr. 516/1992, për Republikën Çeke, komiteti shpreh opinionin e mëposhtëm :
« (...) qëllimi i ligjvënësit nuk është i vetmi faktor përcaktues për të vendosur nëse ekziston një shkelje e nenit 26 të Paktit. Një trajtim i diferencuar që motivohet për arsye politike nuk mund të konsiderohet aspak si në përputhje me nenin 26. Edhe pa qenë i frymëzuar nga motive politike, një ligj mund të shkelë nenin 26 nëse ka efekte diskriminuese. »
C. Konventa ndërkombëtare për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial
95. Sipas nenit 1 të kësaj Konvente :
« (...) shprehja “diskriminim racial”, në këtë Konventë, nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferencë që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë ose të komprometojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushte barazie, të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në fushat politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore ose në çdo fushë tjetër të jetës publike. »
D. Komiteti për eleminimin e diskriminimit racial
96. Në rekomandimin e përgjithshëm nr. 14 të datës 22 mars 1993 në lidhje me përkufizimin e diskriminimit, Komiteti vëzhgon ndër të tjera se :
« 1. (...) Çdo dallim është në kundërshtim me Konventën nëse ka si objektiv apo efekt të cënojë disa të drejta dhe liri. Kjo konfirmohet me detyrimin që kanë Shtetet palë sipas pikës c) të paragrafit 1 të nenit 2 që të anullojnë çdo ligj dhe çdo dispozitë rregulluese që ka si pasojë krijimin e diskriminimit racial ose të ruajtjen e tij.
(...)
2. (...) Për të ditur nëse një masë ka një efekt të kundërt me Konventën, [komiteti] do të shqyrtojë nëse ajo sjell si pasojë një dallim abuziv tek një grup i ndryshëm nga raca, ngjyra, prejardhja apo origjina kombëtare ose etnike.
(...) »
97. Në rekomandimin e përgjithshëm nr. 19 të datës 18 gusht 1995 në lidhje me segregacionin racial dhe aparteidit, komiteti vëzhgon :
« 3. (...) nëse një situatë e plotë ose e pjesshme e segregacionit racial, mund që në disa vende të jetë krijuar nga politikat qeveritare, një segragacion i pjesshëm mund të krijohet gjithashtu si rezultat i paqëllimshëm nga veprimet e personave privatë. Në shumë qytete, ndryshimet e të ardhurave mes grupeve të ndryshme shoqërore, influencojnë në ndarjen e banorëve sipas lagjeve dhe këto diferenca bashkohen ndonjëherë me ndryshimet e racës, ngjyrës, prejardhjes dhe origjinës kombëtare apo etnike, saqë banorët mund të jenë viktima të një lloj ostrakizmi dhe në këtë mënryë, njerëzit pësojnë një lloj diskriminimi ku motivet raciale kombinohen me motive të tjera.
4. Si pasojë, Komiteti pohon që një situatë e segregacionit racial mund të ndodhë gjithashtu edhe në rastet e mosndërhyrjes së autoriteteve apo kur ato kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. (...) »
98. Në rekomandimin e përgjithshëm nr. 27 të datës 16 gusht 2000 në lidhje me diskriminimin e Romëve, Komiteti bën disa rekomandime në fushën e arsimit. Nga këto mund të përmendim :
« 17. Të mbështetet integrimi në sistemin arsimor i të gjithë fëmijëve me origjinë rome dhe të punohet për të ulur përqindjen e atyre që braktisin shkollën, veçanërisht të vajzave rome dhe të bashkëpunohet në mënyrë aktive me prindërit, shoqatat dhe komunitetet lokale rome për t’ia arritur këtij qëllimi.
18. Të parandalohet dhe të shmanget sa më shumë të jetë e mundur segregacioni i nxënësve romë, duke e lënë të hapur mundësinë për një mësimdhënie në të dy gjuhët ose në gjuhën amtare ; për këtë qëllim, duhet përmirësuar niveli i mësimdhënies në të gjitha shkollat, si dhe duhet rritur niveli i rezultateve të nxënësve të minoritetit rom në shkollë. Po ashtu, duhet rekrutuar personeli mësimor nga komuniteti rom dhe duhet të promovohet një arsimim ndërkulturor.
19. Të mendohet për miratimin e masave në favor të fëmijëve romë në fushën e arsimit, në bashkëpunim me prindërit e tyre. »
99. Në përfundimet e paraqitura më 30 mars 1998 pas shqyrtimit të raportit të paraqitur nga Republika Çeke, komiteti, ndër të tjera, shprehet :
« 13. Veçimi i komunitetit rom në fushën e arsimit është shqetësues. Fakti që një numër i rëndësishëm i fëmijëve romë dërgohen shkollat e veçanta, shkakton një segregacion racial de facto. Po ashtu, fakti që numri i atyre që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë është shumë më i ulët, të bën të dyshosh për zbatimin e plotë të nenit 5 të Konventës. »
E. Konventa për të drejtat e fëmijëve
100. Nenet 28 dhe 30 të kësaj Konvente parashtrojnë si më poshtë :
Neni 28
« 1. Shtetet palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe, me qëllim që kjo e drejtë të arrihet hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, në mënyrë të veçantë ato:
(a) Bëjnë arsimin fillor të detyrueshem dhe falas për të gjithë;
(b) Inkurajojnë zhvillimin e formave të ndryshme të arsimit të mesëm duke përfshirë arsimin e përgjithshëm dhe profesional, i bëjnë ato të hapura e të mundshme për çdo fëmijë dhe marrin masa të përshtatshme, si vendosja e arsimit falas dhe dhënia e një ndihme financiare në rast nevoje;
(c) U sigurojnë të gjithëve arsimin e lartë, sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme;
(ç) Bëjnë të mundshëm dhe të arritshëm për çdo fëmijë informacionin dhe orientimin shkollor e profesional;
(d) Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e përqindjes të braktisjes së shkollës.
2. Shtetet palë marrin të gjitha masat e përshtatshme për të siguruar që disiplina shkollore të zbatohet në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor të fëmijës dhe në përputhje me këtë Konventë.
3. Shtetet palë nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit, për të kontribuar, në mënyrë të veçantë, në zhdukjen e padijes dhe të analfabetizmit kudo në botë dhe për të lehtësuar përvetësimin e njohurive shkencore e teknike dhe të metodave moderne të mësimdhënies. Për këtë, mbahen parasysh në mënyrë të veçantë nevojat e vendeve në zhvillim. »
Neni 30
« Në shtetet ku ekzistojnë pakica etnike, fetare apo gjuhësore, ose persona me origjinë autoktone, një fëmije që i përket një minoriteti të tillë ose është autokton, nuk duhet t’i mohohet e drejta për të pasur kulturën e vet, të ushtrojë dhe praktikojë fenë e vet, ose të përdorë gjuhën e vet së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të tij. »
F. UNESCO
101. Konventa e datës 14 dhjetor 1960 në lidhje me luftën kundër diskriminimit arsimor, në nenet 1 dhe 3 shprehet si më poshtë :
Neni 1
« 1. Shprehja « diskriminim racial », në këtë Konventë nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferencë që bazohet në racën, ngjyrën, seksin, gjuhën, fenë, opinionin politik apo çdo opinion tjetër, origjinën kombëtare apo sociale, kushtet ekonomike apo lindjen dhe që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë apo të prishë trajtimin e barabartë në fushën e arsimit dhe, sidomos :
a) Të përjashtojë një person apo një grup nga mundësia për të pasur akses në lloje të ndryshme apo nivele të arsimit ;
b) Të kufizojë në një nivel më të ulët arsimimin e një personi apo të një grupi ;
c) Përveç atyre që përmenden në nenin 2 të kësaj Konvente, të vendosë apo të mbajë sisteme apo institucione arsimore të veçanta për persona apo grupe; ose
d) Të vendosë një person apo një grup në një situatë të papajtueshme me dinjitetin e njeriut.
(...) »
Neni 2
« Kur pranohen nga shteti, situatat e mëposhtme nuk konsiderohen si situata që shkaktojnë diskriminime sipas nenit 1 të kësaj Konvente :
a) Krijimi apo mbajtja e sistemeve ose institucioneve arsimore të veçanta për nxënësit e të dy sekseve, kur këto sisteme apo institucione paraqesin lehtësi për të pasur akses në arsimin ekuivalent, kanë një personel mësimor me të njëjtin nivel kualifikimi dhe mundësojnë ndjekjen e të njëjtave programe studimore apo programe studimore ekuivalente ;
b) Krijimi apo mbajtja, për arsye fetare apo gjuhësore, e sistemeve ose institucioneve të veçanta, mësimdhënia e të cilave përkon me zgjedhjen e prindërve apo kujdestarëve ligjorë të nxënësve, nëse aderimi në këto sisteme ose frekuentimi i këtyre institucioneve është fakultativ dhe nëse mësimi i dhënë nga këto të fundit është në përputhje me normat që mund të jenë rekomanduar apo miratuar nga autoritetet kompetente, sidomos për arsimin e të njëjtit nivel ;
c) Krijimi apo mbajtja e institucioneve të arsimit privat, kur këto institucione nuk kanë si qëllim të përjashtojnë një grup çfarëdo, por të shtojnë mundësitë e arsimimit që ofrojnë pushtetet publike, vetëm nëse funskionimi i tyre i përgjigjet këtij objektivi dhe nëse mësimdhënia në këto institucione është në përputhje me normat që mund të jenë rekomanduar apo miratuar nga autoritetet kompetente, veçanërisht për arsimin e të njëjtit nivel. »
Neni 3
« Duke pasur si qëllim eleminimin dhe parandalimin e çdo lloj diskriminimi sipas kësaj Konvente, shtetet palë angazhohen :
a) Të shfuqizojnë të gjitha dispozitat ligjore dhe administrative dhe të ndërpresin të gjitha praktikat administrative që përbëjnë diskriminim në fushën e arsimit ;
b) Të marrin masat e nevojshme, kur është nevoja dhe në rrugë legjislative, për të mos lejuar asnjë diskriminim në pranimin e nxënësve në institucionet arsimore ;
(...) »
102. Deklarata për racën dhe paragjykimet raciale, miratuar nga Konferenca e përgjithshme e UNESCO më 27 nëntor 1978, shprehet :
Neni 1
« 1. Të gjitha qeniet njerëzore i përkasin të njëjtës racë dhe burojnë nga i njëjti trung. Ato lindin të barabarta në dinjitet e në të drejta dhe të gjitha janë pjesë përbërëse të njerëzimit.
2. Të gjithë individët dhe grupet kanë të drejtë të jenë të ndryshëm, të konceptohen dhe të konsiderohen si të tillë. Mirëpo, larmia e formave të jetës dhe e drejta për të qenë të ndryshëm në asnjë rast nuk mund të shërbejnë si pretekst për paragjykime raciale; ato s’mund të përligjin as juridikisht as në fakt asnjë praktikë diskriminuese dhe as të mbështesin politikën e aparteidit që përbën formën e skajshme të racizmit.
(...)»
Neni 2
« (...)
2. Racizmi përfshin ideologjitë raciste, qëndrimet e bazuara në paragjykimet raciale, veprimet diskriminuese, dispozitat strukturore dhe praktikat e institucionalizuara që shkaktojnë pabarazinë raciale, si dhe idenë mashtruese se marrëdhëniet diskriminuese midis grupeve janë moralisht dhe shkencërisht të arsyeshme. Racizmi shfaqet me dispozita ligjore ose akte të tjera nënligjore dhe me praktika diskriminuese, si dhe me besime e veprime antisociale; ai pengon zhvillimin e viktimave të tij, degjeneron ata që e zbatojnë, përçan kombet në vetë gjirin e tyre; bëhet pengesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe krijon tensione politike ndërmjet popujve. Ai është kundër parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rrjedhimisht e prish keq paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
3. Paragjykimi racial, historikisht i lidhur me pabarazitë në pushtet, i cili forcohet për arsye të ndryshimeve ekonomike e shoqërore midis individëve dhe grupeve të njerëzve, e që ende sot synon të arsyetojë këto pabarazi, është krejtësisht i pajustifikueshëm.»
Neni 3 § 1
« Është i papajtueshëm me kërkesat e një rendi të ri ndërkombëtar të drejtë që garanton respektimin e të drejtatve të njeriut, çdo dallim, pa përjashtim, kufizim ose preferencë që bazohet në racë, ngjyrë, origjinë etnike ose kombëtare, apo në intolerancë fetare të motivuar me konsiderata raciste, që asgjeson ose komprometon barazinë sovrane të shteteve dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje, ose që kufizon në mënyrë arbitrare ose diskriminuese të drejtën për zhvillimin e plotë të çdo njeriu dhe grupi njerëzish; kjo e drejtë parakupton përdorimin plotësisht të barabartë të mjeteve të progresit dhe të zhvillimit kolektiv e individual në një mjedis që respekton vlerat e qytetërimit dhe kulturat kombëtare e universale.
(...) »
Neni 5
« 1. Kultura, kjo vepër e të gjithë njerëzve dhe thesar i përbashkët i njerëzimit, si dhe arsimi, në kuptim më të gjërë, u japin burrit dhe gruas mjete gjithnjë e më efikase përshtatjeje, që u lejojnë jo vetëm të afirmojnë se lindin të barabartë në dinjitet dhe në të drejta, por edhe të pranojnë se duhet të respektojnë të drejtën e të gjitha grupeve njerëzore në identitet kulturor dhe zhvillim të jetës së tyre kulturore të veçantë në kuadrin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke e pasur të qartë se secilit grup i përket të vendosë lirisht për ruajtjen dhe, në rast nevoje, për përshtatjen dhe pasurimin e vlerave që ai i konsideron thelbësore për identitetin e vet
2. Shteti, në përputhje me parimet dhe procedurat e veta kushtetuese, si dhe të gjitha autoritetet kompetente dhe krejt trupi mësimor, kanë përgjegjësinë për t’u kujdesur që burimet e të gjitha vendeve në lëmin e arsimit të përdoren për të luftuar racizmin, sidomos duke vepruar në mënyrë që programet e librat t’u hapin vend nocioneve shkencore dhe etike mbi unitetin dhe larminë njerëzore, dhe të mos përmbajnë dallime mospërfillëse ndaj një populli. Shtetet dhe autoritetet në fjalë të sigurojnë për këto përgatitjen e personelit mësimdhënës, të vënë burimet e sistemit shkollor në dispozicion të të gjithë grupeve të popullatës pa kufizim dhe diskriminim racial dhe duke marrë masat e nevojshme që të zhduken kufizimet nga të cilat vuajnë disa grupe raciale ose etnike, sidomos në drejtim të nivelit arsimor dhe të nivelit të jetesës. Ata duhet të kujdesen në mënyrë të veçantë që këto të mos i trashëgojnë fëmijët.
(...) »
Neni 6
« 1. Shteti mban përgjegjësi të mëdha lidhur me zbatimin e të drejtave të njeriut e të lirive themelore në barazi të plotë, në dinjitet dhe në të drejta, nga të gjithë individët dhe nga të gjitha grupet njerëzore.
2. Ne kuadrin e kompetencave të veta dhe në përputhje me dispozitat e tij kushtetuese, shteti duhet të ndërmarrë të gjitha masat e përshtatshme, përfshirë edhe në rrugë ligjore, sidomos në fushat e arsimit, të kulturës dhe të informimit në mënyrë që të parandalojë, të ndalojë dhe të eliminojë racizmin, propagandën raciste, segregacionin racial dhe aparteidin, dhe të inkurajojë përhapjen e njohurive dhe të rezultateve të kërkimeve të përshtatshme në shkencat e natyrës e sociale mbi shkaqet dhe parandalimin e paragjykimeve raciale dhe të qëndrimeve raciste, duke mbajtur mirë parasysh parimet e formuluara në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike..
3. Meqë ligjet që ndalojnë diskriminimin racial nuk mund të jenë të mjaftueshme, i përket shtetit që gjithashtu ta plotësojë këtë me një aparat administrativ të ngarkuar të hetojë në mënyrë sistematike mbi rastet e diskriminimit racial, me një seri të plotë mjetesh juridike kundër akteve të diskriminimit racial, me programe edukative dhe kërkimore me përmasa të mëdha për të luftuar kundër paragjykimeve raciale dhe diskriminimit racial, si dhe me programe masash pozitive të karakterit politik, shoqëror, edukativ dhe kulturor që bëjnë të mundur edukimin e ndjenjave të respektit të vërtetë të ndërsjellë midis grupeve njejrëzore. Kur rrethanat e arsyetojnë, programe speciale duhet të përdoren për të ndihmuar përmirësimin e situatës së grupeve të pafavorizuara dhe, kur është fjala për grupe kombëtare, pjesëmarrjen e tyre efektikve në procesin e marrjes së vendimeve nga bashkësia. »
Neni 9
« 1. Parimi i barazisë, në dinjitet dhe në të drejta, i të gjitha qenieve njerëzore e të mbarë popujve, cilado qoftë raca, ngjyra dhe origjina e tyre, është një parim përgjithësisht i pranuar dhe i njohur në të drejtën ndërkombëtare. Për rrjedhojë, çdo formë e diskriminimit racial që praktikohet nga shteti përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare që sjell përgjegjësinë e tij ndërkombëtare.
2. Duhet të ndërmerren masa të veçanta për të siguruar barazinë, në dinjitet dhe në të drejta, të individëve e të grupeve njerëzore kudo që kjo është e nevojshme, duke evituar t’u jepet një karakter që mund të duket diskriminues në rrafshin racial. Në këtë drejtim, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet grupeve raciale ose etnike të pafavorizuara nga pikëpamja shoqërore ose ekonomike, me qëllim që t’u sigurohen, në barazi të plotë dhe pa diskriminim e kufizim, mbrojtja përmes ligjeve dhe e akteve të tjera si dhe përfitimet nga masat sociale në fuqi, sidomos përsa i përket strehimit, punësimit e shëndetit. Njëherësh, të respektohet autenticiteti i kulturës së tyre e i vlerave të tyre dhe të lehtësohet, në radhë të parë përmes arsimit, përparimi i tyre shoqëror dhe profesional.
(...) »
VI. BURIME TË TJERA
A. Observatori evropian për fenomenet e racizmit dhe ksenofobisë (tashmë Agjencia e Bashkimit Europian për të drejtat themelore)
103. Informacionet në lidhje me arsimin në Republikën e Çekisë, të disponueshme në sitin e internetit të Observatorit, janë si më poshtë :
« Në Republikën e Çekisë nuk ekziston asnjë e dhënë, zyrtare apo jo zyrtare, në lidhje me racizmin dhe diskriminimin në arsim.
Problemi më i rëndë në sistemin arsimor çek mbetet segregacioni në orientimin shkollor të fëmijëve që vijnë nga mjedise sociale të pafavorizuara (në pjesën më të madhe të rasteve janë Romë), dhe që dërgohen në shkollat e veçanta. Më shumë se gjysma e fëmijëve romë shkollohen në këto institucione. Kjo tendencë e sistemit shkollor çek, në veçanti në arsimin fillor, konfirmohet nga kërkimet e thelluara të kryera nga Instituti i sociologjisë në Akademinë e shkencave në Republikën e Çekisë. Vetëm një përqindje shumë e ulët e fëmijëve romë ndjekin arsimin e mesëm. »
104. Raporti i Observatorit, me titull « Romët dhe Udhëtarët në arsimin publik », - i botuar në maj të 2006, i referohet vetëm njëzet e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ishin në atë kohë -, shpreh ndër të tjera se megjithëse segregacioni sistematik i nxënësve romë nuk ekziston më në nivelin e politkave arsimore, ai praktikohet nga shkollat dhe autoritetet arsimore në mënyra të ndryshme. Në pjesën më të madhe të rasteve ato nuk janë të drejtpërdrejta dhe rrjedhin si nga politikat dhe praktikat e drejtuara apo të zbatuara, ashtu dhe nga segregacioni rezidencial. Shkollat dhe autoritetet arsimore mund të zbatojnë segregacionin në rastet e disa nxënësve, kur ato e ndjejnë se ata kanë « nevoja të veçanta » dhe/apo e konsiderojnë si përgjigje për problemet e sjelljes apo vështirësitë e të nxënit. Ky faktor i fundit ndikon në dërgimin e shpeshtë të nxënësve romë në shkollat e veçanta për fëmijët me të meta mendore, një fenomen që vazhdon të jetë shqetësues në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian si Hungaria, Sllovakia dhe Republika e Çekisë. Megjithatë, është konstatuar se aktualisht janë marrë masa për të rishqyrtuar procedurat e testimit dhe të dërgimit në këto shkolla duke marrë në konsideratë normat dhe mënyrat e sjelljes që rrjedhin nga konteksti social e kulturor i fëmijëve romë.
B. Dhoma e lordëve
105. Në vendimin Regina v. Immigration Officer at Prague Airport and another ex parte European Roma Rights Centre and others, që daton nga 9 dhjetori 2004, Dhoma e lordëve ka deklaruar në unanimitet se agjentët britanikë që punojnë në shërbimin e emigracionit në aeroportin e Pragës, kanë shprehur diskriminim ndaj Romëve që donin të niseshin nga ky aeroport për në Mbretërinë e Bashkuar sepse për shkak të racës, nuk janë trajtuar aq mirë sa pasagjerët e tjerë që kishin si destinacion këtë vend.
106. Baronesha Hale of Richmond ka shprehur mendimin e saj pikërisht në lidhje me këtë temë :
« 73. (...) Në ligjet që ndalojnë diskriminimin e bazuar në racën dhe seksin nuk shprehet qartë nocioni që individët e të dy sekseve dhe e të gjitha racave kanë të drejtë për një trajtim të barabartë. Kështu, është po aq diskriminuese të trajtosh gratë më mirë se burrat sa dhe burrat më mirë se gratë ; dhe është po aq diskriminuese të trajtosh Zezakët më mirë se të Bardhët sa dhe të Bardhët më mirë se Zezakët. Ka një diskriminim të paligjshëm kur : i) ekziston një trajtim i diferencuar (real apo hipotetik) mes dy personave, kur njëri i përket seksit tjetër apo një grupi tjetër racial ; ii) njëri nga personat është objekt i një trajtimi jo aq të favorshëm sa tjetri ; iii) rrethanat që duhen marrë në konsideratë janë të njëjtat ose ndryshojnë shumë pak nga njëra-tjetra ; dhe iv) trajtimi i diferencuar bazohet te raca ose seksi. Megjithatë, meqënënse individët i shprehin rrallë herë hapur paragjykimet e tyre për të cilat ndoshta nuk janë as të ndërgjegjshëm, diskriminimi do të përcaktohet më shumë nga treguesit sesa nga provat e drejtpërdejta. Sapo të vërtetohet që një person nuk është trajtuar në të njëjtën mënyrë me një person tjetër që ndodhet në një situatë të ngjashme, (elementet i), ii) dhe iii)), gjykata kërkon një shpjegim nga autori i prezumuar i diskriminimit. Sigurisht që shpjegimi s’duhet të ketë asnjë lidhje me racën apo seksin e paditësit. Në mungesë të shpjegimit, ose të një shpjegimi të kënaqshëm, është mëse e drejtë të prezumohet se i interesuari ka pësuar një trajtim të diferencuar për shkaqe që lidhen me racën e tij (...)
74. Nëse vërtetohet një diskriminim i drejtpërdrejtë i këtij lloji, çështja është e mbyllur. Në disa raste të rralla përjashtimi, nuk ka qenë e mundur të bëhet asnjë lloj justifikimi objektiv. Ligji nënkupton pikërisht faktin se çdo person duhet të trajtohet si individ, dhe jo si anëtar i një grupi. Nuk duhet nisur nga parimi se individi paraqet karakteristikat e një grupi, se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit i kanë ose nuk i kanë efektivisht këto karakteristika, me fjalë të tjera, nuk duhet rënë në kurthin e stereotipit. (...)
75. Në këtë rast, kemi përpara një ankesë për diskriminim të drejtpërdrejtë të Romëve. Ka diskriminim jo të drejtpërdrejtë kur një punëdhënës apo furnizues trajton çdo individ në të njëjtën mënyrë, por zbaton për të gjithë një kërkesë apo një kusht që personat e një seksi apo të një grupi racial kanë shumë më pak gjasa për t’i përmbushur sesa personat që i përkasin një seksi tjetër apo një grupi tjetër ; mund të citojmë si shembull garat e peshëngritjes ku burrat kanë më shumë shanse për të fituar sesa gratë. Kjo kërkesë është e paligjshme, përveç rasteve kur mund të justifikohet me shkaqe që nuk kanë lidhje me seksin apo racën e të interesuarve (...) Por në fakt, është kërkesa apo kushti që mund të justifikohen, dhe jo diskriminimi. Nuk duhet ngatërruar ky lloj justifikimi me mundësinë për një justifikim objektiv ndaj një trajtimi diskriminues, i cili në të kundërt do të ishte në kundërshtim me nenin 14 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut.
(...)
90. Duhet kujtuar se praktikat e duhura në fushën e shanseve të barabarta nuk kuptohen vetvetiu. Për shumë njerëz, fakti, që të gjithë paditësit të trajtohen në të njëjtën mënyrë, pa asnjë lloj paragjykimi, pavarësisht se ekzistojnë arsye mjaft të pranueshme për të hedhur dyshime te disa persona më shumë se te të tjerët, bie ndesh me logjikën e thjeshtë. Por ligji do të garantojë pikërisht faktin që disa persona mos të ndihen të pafavorizuar për shkak të karakteristikave të përgjithshme të grupit të cilit i përkasin. Në vitin 2001, kur filloi operacioni që na intereson, legjislacioni për marrëdhëniet ndërraciale sapo ishte shtrirë në aktivitetet e shërbimit të emigracionit. Nuk do të ishte aspak e çuditshme që funksionarët që përballen me detyrimin për zbatimin e afateve, të hasin vështirësi për t’u përshtatur me të gjitha pikat e procedurave dhe pritshmërive që punëdhënësit me vështirësi kanë mundur t’i vëzhgojnë që prej më shumë se një çerek shekulli.
91. Në këtë kontekst mund të ekzistojnë elementet e provës që lidhen me ngjarjet e ndodhura në aeroportin e Pragës të cilat duhet vlerësuar. Funksionarët nuk kanë rregjistruar origjinën etnike të personave të marrë në pyetje. Kështu, të paditurit nuk mund të na japin asnjë të dhënë mbi numrin e individëve të çdo grupi që janë marrë në pyetje, kohëzgjatjen e marrjes në pyejte dhe rezultatin e saj. Sipas të paditurve, kjo tregon qartë që funskionarët nuk janë bazuar tek Autorizimi : nëse do ta kishin bërë, ata thjesht do të kishin shënuar opinionin e tyre në lidhje me origjinën etnike të pasagjerit. Nëse ky opinion do të ishte i drejtë, kjo do të kishte mjaftuar për të justifikuar një refuzim. Por, duket gjithashtu që asnjë masë nuk është marrë për të mbledhur informacionet që do të kishin mundësuar shmangien e çdo lloj diskriminimi në drejtimin e këtij operacioni me rrezikshmëri të lartë. Kjo tregon gjithashtu se të vetmet informacione të disponueshme janë ato që jepen nga paditësit, veçanërisht nga Qendra europiane për të drejtat e Romëve, e cila përpiqej të mbikqyrte operacionin. Të paditurit mund të vënë në dyshim besnikërinë e këtyre informacioneve, por nuk mund të provojnë pavërtetësinë e tyre dhe nuk mund të japin informacione më të besueshme. (...) »
C. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
107. Vendimi Griggs v. Duke Power Co., 401 U.S. 424 (1971), në të cilin Gjykata e Lartë ka vendosur teorinë e impaktit të pabarabartë, është dhënë pas përfundimit të një procedure të ngritur nga nëpunësit zezakë të një centrali elektrik, të cilët e konsideronin si diskriminuese praktikën e punëdhënësit të tyre që kërkonte diplomën e high school ose përfundimin me suskses të testeve të inteligjencës, edhe për vendet e punës më pak të paguara (numri i Zezakëve që kanë një diplomë të tillë dhe që kanë dalë me sukses në testet e standartizuara është në i ulët). Gjykata ka deklaruar për këtë rast :
« Ligji [i vitit 1964 për të drejtat civile] kërkon eleminimin e pengesave artificiale, arbitrare dhe të panevojshme për punësimin, të cilat sjellin si pasojë dëmtuese diskriminimin që bazohet te raca. Në këtë rast, nëse nuk mund të vërtetohet se një praktikë në fushën e punësimit që ka si pasojë përjashtimin e Zezakëve lidhet me performancën profesionale, kjo praktikë ndalohet, edhe pse mungon qëllimi diskriminues nga ana e punëdhënësit. (...)
Ligji nuk përjashton përdorimin e testeve apo të vlerësimeve, por ndalon që t’u jepet atyre një peshë vendimtare, vetëm nëse (...) vërtetohet që bëhet fjalë për një vlerësim të arsyeshëm të performancës profesionale (...)
Ligji ndalon jo vetëm të gjitha llojet e diskriminimit të drejtpërdrejtë, por gjithashtu dhe praktikat që janë të drejta nga forma, por diskriminuese nga faktet. Guri i provës, mbeten nevojat e ndërmarrjes. Kur nuk mund të vërtetojmë se një praktikë në fushën e punësimit që sjell si pasojë përjashtimin e Zezakëve lidhet me performancën profesionale, kjo praktikë ndalohet.
(...) Kongresi i ngarkon punëdhënësit barrën për të provuar se çdo kërkesë ka një lidhje të dukshme me punësimin në fjalë. »
NË LIDHJE ME TË DREJTËN
I. MBI SHTRIRJEN E JURIDIKSIONIT TË DHOMËS SË MADHE
108. Në vëzhgimet e tyre përfundimtare të paraqitura në Dhomën e Madhe në datën 26 shtator 2006, kërkuesit vazhdojnë të mbështesin idenë se të drejtat që gëzojnë në bazë të neneve 3 dhe 6 § 1 të Konventës janë shkelur.
109. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, « çështja » e dëguar për shqyrtim në Dhomën e Madhe është kërkesa e deklaruar si e pranueshme (shih, për shembull, Leyla Şahin kundër Turqisë [GC], nr. 44774/98, § 128, CEDH 2005-XI ; Üner kundër Vendeve të Ulëta [GC], nr. 46410/99, § 41, CEDH 2006‑XII). Dhoma e Madhe, në vendimin e saj të pjesshëm të datës 1 mars 2005, thekson se dhoma i ka deklaruar të papranueshme të gjitha ankesat e kërkuesve që nuk lidheshin me nenin 14 të Konventës, bashkë me nenin 2 të Protokollit nr. 1, dhe ato që bazohen në nenet 3 dhe 6 § 1 të Konventës. Që nga ky moment, ankesat e bazuara në dispozitat e fundit – meqënëse kërkuesit kanë si qëllim t’i ngrenë përsëri në Dhomën e Madhe – nuk janë pjesë e objektit të mosmarrëveshjes që shqyrtohet nga kjo e fundit.
II. MBI PËRJASHTIMIN PARAPRAK NGA ANA E QEVERISË
110. Gjykata thekson se në vendimin që lidhet me pranueshmërinë e kësaj kërkese, përjashtimi paraprak i mosshterimit të mjeteve të ankimimit të brendshëm, i ngritur nga ana e Qeverisë në vëzhgimet e saj të datës 15 mars 2004, iu bashkua themelit të ankesës që bazohet në nenin 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1. Në vendimin e saj të datës 7 shkurt 2006 (§ 31), dhoma mendoi se argumentet e palëve që lidhen me kushtin e shterrimit të mjeteve të ankimimit të brendshëm, bënin që të lindnin pyetje që lidheshin ngushtë me themelin e çështjes. Më pas, ajo shprehu mendimin, ashtu si dhe Gjykata Kushtetuese çeke, se kjo kërkesë kishte një rëndësi të madhe dhe trajtonte çështje serioze. Për këto arsye, dhe duke pasur parasysh faktin që kërkesa u bë shkak për konstatimin e mosshkeljes për motive të tjera që lidhen me bazueshmërinë, dhoma e gjykoi të panevojshme të shqyrtonte në këtë rast çështjen nëse kërkuesit e kishin përmbushur kushtin e përmendur më sipër.
111. Duhet kujtuar se Dhoma e Madhe, në rast kur i dërgohet një çështje, mund të shqyrtojë gjithashtu çështjet që lidhen me pranueshmërinë e kërkesës, edhe në rastet kur këto çështje i bashkohen themelit ose kur paraqesin një interes në stadin e shqyrtimit të themelit (K. dhe T. kundër Finlandës [GC], nr. 25702/94, § 141, CEDH 2001‑VII).
112. Në këto kushte, Dhoma e Madhe e gjykon si të nevojshme të shprehet në këtë rast mbi çështjen nëse kërkuesit e kanë përmbushur kushtin për shterimin e mjeteve të brendshme të ankimimit.
113. Qeveria mbështet idenë që të interesuarit nuk i kanë përdorur të gjitha mundësitë e apelimit që mund të përmirësonin situatën e tyre. Nga njëra anë, ajo thekson se kërkuesit nuk e kanë përdorur mundësinë për të apeluar vendimet që urdhëruan dërgimin e tyre në shkollat e veçanta dhe, nga ana tjetër, gjashtë prej tyre nuk kanë paraqitur ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Për më tepër, pesë kërkues nga ata që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kanë kundërshtuar konkretisht vendimet që i dërgonin ata në shkollat e veçanta. Përveç kësaj, kërkuesit nuk janë përpjekur të mbrojnë dinjitetin e tyre me anë të një veprimi të bazuar në kodin civil që mbron të drejtat e personalitetit, dhe prindërit e tyre nuk i janë drejtuar as organeve të inspektoriatit të shkollave, as Ministrisë së Arsimit.
114. Së pari, kërkuesit mbështesin idenë se në Republikën e Çekisë nuk ekziston asnjë mënyrë ankimimi e mundshme, efektive dhe e mjaftueshme për të vlerësuar një kërkesë në lidhje me një rast diskriminimi racial në arsim. Për atë që lidhet veçanërisht me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, pavlefshmëria e tij do të rridhte nga arsyetimi që ajo ka përdorur për këtë rast dhe nga refuzimi i saj për t’i kushtuar rëndësi praktikës së përgjithshme që përmendet nga kërkuesit ; në këtë mënyrë, nuk mund të kritikohen ata që nuk e kanë bërë këtë ankimim. Në lidhje me moskryerjen e një apelimi administrativ, kërkuesit pohojnë se në momentin kur ishte afati për hartimin e tyre, prindërit e tyre nuk kishin mundësi për të marrë informacionet e nevojshme ; nga ana tjetër, edhe Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë parasysh këtë mungesë. Veprimi për mbrojtjen e të drejtave të personalitetit nuk do të mund të konsiderohej si një mjet për të kundërshtuar vendimet administrative të cilat jepen pa mundësi apelimi, dhe Qeveria nuk do të mund të paraqeste asnjë provë për efikasitetin e tij.
Së dyti, edhe nëse supozojmë që ekziston një ankimim efektiv, kërkuesit mendojnë që nuk do të ishte e nevojshme ta përdornin në atë vend ku zbatohet një praktikë administrative e cila e bën të mundur racizmin apo e inkurajon atë, siç është sistemi i shkollave të veçanta në Republikën e Çekisë. Ata tërheqin gjithashtu vëmendjen e Gjykatës në lidhje me urrejtjen raciale dhe numrin e akteve të dhunës të kryera kundër Romëve në Republikën Çeke, si dhe karakterin e papranueshëm të sanksioneve të dhëna për rastet e veprave penale të motivuara nga racizmi dhe ksenofobia.
115. Gjykata kujton se kushti për shterimin e mjeteve të ankimimit të brendshëm shprehet në nenin 35 § 1 të Konventës dhe bazohet në hipotezën se rendi i brendshëm ofron një mundësi efektive ankimimi në lidhje me shkeljen e ankimuar. I takon Qeverisë që ankimohet për mosshterimin e mjeteve që të bindë Gjykatën se në kohën e fakteve kryerja e një ankimimi ishte efektive dhe e disponueshme si në teori, ashtu dhe në praktikë, pra do të ishte e mundur dhe e arritshme që t’i ofrohej kërkuesit shpërblimi për ankesën e tij dhe mundësia për të paraqitur perspektiva të arsyeshme të arritjes (V. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24888/94, § 57, CEDH 1999‑IX).
116. Gjykata thekson gjithashtu se ajo duhet të zbatojë rregullin e shterimit të mjeteve të ankimimit të brendshëm duke marrë në konsideratë kontekstin : mekanizmin e ruajtjes së të drejtave të njeriut që shtetet kontraktuese kanë vendosur për të zbatuar. Në këtë mënyrë, ajo ka pranuar se neni 35 § 1 duhet të zbatohet me një lloj fleksibiliteti dhe pa formalizma të tepruara. Për më tepër, ajo ka pranuar që ky rregull nuk përshtatet me një zbatim automatik dhe nuk ka karakter absolut; duke kontrolluar respektimin e tij, duhet të merren në konsideratë edhe rrethanat e rastit. Kjo do të thotë se Gjykata duhet të ketë parasysh në mënyrë realiste jo vetëm ankimimet e parashikuara në teori në sistemin juridik të shtetit kontraktues në fjalë, por dhe kontekstin në të cilin zhvillohen ato, si dhe situatën personale të kërkuesit. Duke marrë në konsideratë tërësinë e rrethanave të rastit, ajo duhet të shqyrtojë nëse kërkuesi ka bërë gjithçka të arsyeshme që mund të pritej nga ai për të shteruar mjetet e ankimimit të brendshëm (İlhan kundër Turqisë [GC], nr. 22277/93, § 59, CEDH 2000‑VII).
117. Së pari, në këtë çështje, Qeveria kritikon kërkuesit se asnjë prej tyre nuk ka përdorur mundësinë për të apeluar vendimin që urdhëron dërgimin e tyre në një shkollë të veçantë, dhe as kanë ndërmarrë një veprim në mbrojtje të të drejtave të personalitetit.
118. Në lidhje me këtë fakt, Gjykata shprehet, ashtu si dhe kërkuesit, që Gjykata Kushtetuese çeke ka vendosur të mos marrë në konsideratë këtë mungesë veprimi (paragrafi 28 më sipër). Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se do të ishte shumë formaliste të kërkonte nga të interesuarit të përdornin një mundësi ankimimi, të cilën as juridiksioni më i lartë i vendit nuk i detyronte ta ushtronin.
119. Së dyti, Gjykata vëzhgon se nga dymbëdhjetë kërkuesit që kanë paraqitur ankimim në Gjykatën Kushtetuese, vetëm pesë prej tyre kanë kundërshtuar konkretisht vendimet për dërgimin e tyre në shkollat e veçanta. Kjo i ka mundësuar Gjykatës të vendosë mbi rastin e tyre.
120. Gjykata vëzhgon se në sajë të pesë kërkuesve që kanë përmbushur kërkesat formale të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, kjo gjykatë pati mundësi të shprehet për të gjitha ankesat e ngritura nga të interesuarit sot në Gjykatë. Përveç kësaj, juridiksioni kushtetues ka konsideruar se ankimimi i tejkalonte interesat e vetë kërkuesve ; në këtë pikë, vendimi i saj kishte një karakter më të përgjithshëm.
121. Përveç kësaj, nga vendimi i datës 20 tetor 1999 del se Gjykata Kushtetuese ishte kufizuar në verifikimin e interpretimit dhe zbatimit nga autoritetet kompetente të dispozitave të duhura ligjore, pa u interesuar për çështjen e impaktit të tyre, që konsiderohet si diskriminues nga kërkuesit. Në lidhje me ankesën për diskriminimin racial, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se nuk i takonte asaj që të vlerësonte kontekstin social global.
122. Në këto kushte, asgjë nuk të bën të mendosh se nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte shprehur për rastet e trembëdhjetë kërkuesve të tjerë, të cilët nuk paraqitën ankimim në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk kundërshtuan vendimin e drejtorit të shkollës së veçantë, përfundimi i saj do të kishte qenë i ndryshëm. Duke parë këto elemente, Gjykata nuk është e bindur se në rrethanat e veçanta të kësaj ngjarjeje, kjo rrugë do të mund t’u ofronte kërkuesve shpërblimin e duhur për ankesat e tyre dhe do t’u hapte perspektivat e arsyeshme të arritjes.
123. Nisur nga këto fakte, rrëzohet kërkesa e paraqitur nga ana e Qeverisë për përjashtim paraprak.
III. MBI SHKELJEN E ANKIMUAR TË NENIT 14 TË KONVENTËS, KOMBINUAR ME NENIN 2 TË PROTOKOLLIT Nr. 1
124. Kërkuesit mbështesin idenë se kanë pësuar një diskriminim të bazuar te raca apo origjina e tyre etnike, për shkak se kanë qenë objekt i një trajtimi më pak të favorshëm në krahasim me atë që u rezervohet fëmijëve që gjenden në një situatë të krahasueshme, pa pasur as më të voglin justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Në lidhje me këtë fakt, ata përmendin nenin 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1, që shprehen si më poshtë :
Neni 14 i Konventës
« Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të njohura në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, opinionet politike ose çdo opinion tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër.»
Neni 2 i Protokollit nr. 1
« Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike. »
A. Vendimi i dhomës
125. Dhoma ka dalë në përfundimin se nuk ka shkelje të nenit 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1. Sipas saj, Qeveria kishte arritur të provonte se sistemi i shkollave të veçanta në Republikën e Çekisë nuk ishte krijuar për të pritur vetëm fëmijët romë dhe se në këto institucione bëheshin përpjekje të mëdha për të ndihmuar disa kategori nxënësish që të fitojnë njohuritë bazë. Në lidhje me këtë pikë, dhoma vëzhgoi se rregullorja mbi mundësitë e dërgimit të fëmijëve në shkollat e veçanta, nuk kishte lidhje me origjinën etnike të nxënësve, por ndiqte qëllimin e ligjshëm të përshtatjes së sistemit arsimor me nevojat, aftësitë apo mangësitë e fëmijëve.
126. Dhoma u shpreh gjithashtu se kërkuesit nuk kishin arritur të hidhnin poshtë përfundimet e ekspertëve, sipas të cilave, mangësitë e tyre intelektuale ishin të atij niveli sa të pengonin ndjekjen e programit të propozuar në shkollat fillore të zakonshme. Përveç kësaj, dhoma ka theksuar se prindërit e të interesuarve kanë qëndruar pasivë apo kishin shprehur vetë dëshirën që fëmijët e tyre të rregjistrohen ose të vazhdojnë të qëndrojnë në shkollat e veçanta.
127. Në vendimin e saj, dhoma ka pranuar që nuk ishte e thjeshtë të zgjidhej një sistem arsimor që të pajtojë interesat e ndryshme konkurruese dhe sipas saj, nuk mund të kishte një zgjidhje ideale. Duke pranuar se statistikat tregonin shifra shqetësuese dhe se situata e përgjithshme në Republikën e Çekisë në lidhje me arsimimin e fëmijëve romë duhej përmirësuar, dhoma ka konsideruar gjithësesi se elementet konkrete që dispononte në këtë çështje, nuk i mundësonin të arrinte në përfundimin se dërgimi i kërkuesve dhe mbajtja e disa prej tyre në shkolla të veçanta, ishte bërë për shkaqe që lidhen me paragjykimet raciale.
B. Argumentet e palëve
1. Kërkuesit
128. Kërkuesit mbështesin idenë se interpretimi i ngushtë i nocionit të diskriminimit nga dhoma, nuk përputhet jo vetëm me qëllimin e Konventës, por gjithashtu me jurisprudencën e Gjykatës dhe me atë të juridiksioneve të tjera në Europë dhe gjetiu.
129. Së pari, kërkuesit i kërkojnë Dhomës së Madhe të korrigjojë kriterin e paqartë dhe kontradiktor, të zbatuar nga dhoma për të gjykuar ekzistencën e një diskriminimi. Ata vërejnë se nga njëra anë, dhoma e kishte ripohuar parimin e vendosur se nëse një politkë apo një masë e përgjithshme shkaktojnë pasoja të dëmshme për një grup njerëzish, nuk do të mund të përjashtoheshin nga masat diskriminuese, edhe pse ato nuk i drejtohen një grupi të veçantë. Megjithatë, nga ana tjetër, ajo e ka shmangur jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës (Thlimmenos kundër Greqisë [GC], nr. 34369/97, § 44, CEDH 2000‑IV ; Hoogendijk kundër Vendeve të Ulëta (vendim), nr. 58641/00, 6 janar 2005 ; Natchova dhe të tjerë kundër Bullgarisë [GC], nr. 43577/98 dhe 43579/98, § 157, CEDH 2005‑VII) duke iu kërkuar gabimisht kërkuesve të sjellin prova që vërtetojnë qëllimin diskriminues të autoriteteve çeke. Sipas mendimit të kërkuesve, një kërkesë e tillë nuk është realiste dhe e logjikshme : në fakt, pak rëndësi ka nëse shkollat e veçanta ishin apo nuk ishin krijuar për të shkaktuar një segregacion racial sepse pa dyshim, ky ishte rezultati që rridhte nga këto fakte. E vërteta është se mjaft aktorë me qëllime pozitive përdorin shpesh praktika diskriminuese për shkak të padijes, pakujdesisë apo inercisë.
130. Kërkuesit theksojnë gjithashtu se duke refuzuar të transferojë barrën e provës në vendimin Natchova dhe të tjerët (lartpërmendur, § 157), Gjykata është treguar e kujdesshme të bëjë dallimin mes krimeve të dhunshme dhe akteve jo të dhunshme të diskriminimit racial, për shembull në fushat e punësimit ose të furnizimit të shërbimeve. Sipas të interesuarve, diskriminimi racial në fushën e aksesit në arsim lidhet pikërisht me këtë kategori të fundit të akteve diskriminuese që mund të provohen në mungesë të elementit qëllimor. Kohët e fundit, në vendimin Zarb Adami kundër Maltës (nr. 17209/02, §§ 75-76, CEDH 2006‑VIII), Gjykata gjykoi se një trajtim i diferencuar nuk kishte pse të ekzistonte në një tekst ligjor për të provuar se ka shkelje të nenit 14 dhe se një « praktikë e vendosur » apo një « situatë fakti » mund të shkaktonin gjtihashtu akte diskriminuese. Në këtë rast, kërkuesit mendojnë se meqënënse kanë arritur të tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ekzistencën e një impakti jo të njëjtë, barra e provës duhet të transferohet te Qeveria, e cila duhet të provojë që origjina e tyre etnike nuk ka inflencuar vendimet kundërshtuese dhe se ekzistonin garanci të mjaftueshme kundër diskriminimit.
131. Në lidhje me këtë çështje, të interesuarit theksojnë se në rekomandimin mbi politikën e përgjithshme nr. 7, ECRI i fton shtetet të ndalojnë si diskriminimin e drejtpërdrejtë, ashtu dhe diskriminimin jo të drejtpërdrejtë dhe asnjëri prej tyre nuk kërkon provën për qëllimin diskriminues. Në fakt, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Këshillit të Europës e kanë tashmë të ndaluar shprehimisht diskriminimin në disa ligje të brendshme të tyre, pa kërkuar provën e një qëllimi të tillë, gjë e cila reflektohet në praktikën e tyre gjyqësore. Në këtë kontekst, kërkuesit i referohen ndër të tjera vendimit të Dhomës së Lordëve në çështjen Regina v. Immigration Officer at Prague Airport and another ex parte European Roma Rights Centre and others (paragrafi 105 më sipër), si dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane te Drejtësisë. Së fundi, diskriminimi jo i drejtpërdrejtë ndalohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare, sidomos nga Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike dhe nga Konventa ndërkombëtare për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial.
132. Duke parë rëndësinë themelore të mbrojtjes së nenit 14 dhe nevojën për ta bërë efektiv atë, do të ishte mirë që rregullat e duhura që zbatohen nga Gjykata të saktësohen në mënyrë që parimi i mosdiskriminimit të interpretohet dhe të zbatohet njësoj nga të dyja gjykatat europiane. Për këtë arsye, të interesuarit e ftojnë Dhomën e Madhe të shprehet qartë se elementi qëllimor nuk është i nevojshëm për të provuar ekzistencën e një diskriminimi në lidhje me nenin 14, përveç rasteve kur qëllimi përbën tashmë një element të shkeljes fillestare, siç janë aktet e dhunës me motiv racial.
133. Në këtë rast, kërkuesit nuk mbështesin idenë se autoritetet kompetente në atë kohë mbanin një qëndrim të padrejtë racist kundrejt Romëve. Po ashtu, ata theksojnë se autoritetet nuk kishin si qëllim që Romët të ndiheshin të diskriminuar dhe se ishin marrë masa pozitive. Sipas tyre, ajo që duhet të provohet, është fakti se autoritetet kanë bërë që ata të pësojnë një trajtim të diferencuar, jo aq të favorshëm në raport me fëmijët jo romë që gjenden në një situatë të krahasueshme, pa asnjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Çështja e një norme të përbashkët europiane, që ngrihet nga Qeveria, ka një natyrë politike sipas kërkuesve, dhe se ekzistenca apo mungesa e saj nuk janë të rëndësishme pasi parimi i trajtimit të barabartë është një normë detyruese që buron nga e drejta ndërkombëtare.
134. Në bazë të këtyre ideve, kërkuesit ftojnë Dhomën e Madhe që të nxjerrë udhëzime mbi llojet e provave që janë të nevojshme në kuadrin e shkeljes së nenit 14, veçanërisht mbi provat statistikore, por gjithësesi pa u kufizuar te këto të fundit. Ata vëzhgojnë që dhoma i ka shmangur provat e shumta dhe bindëse statistikore të paraqituara nga ata, pa verifikuar saktësinë apo pasaktësinë e tyre, ndonëse mbështeteshin në konstatimet e organeve të pavarura dhe ndërqeveritare të specializuara (ECRI, komiteti për eleminimin e diskriminimit racial, komiteti këshillimor i Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare), si dhe në pohimin e vetë qeverisë (paragrafet 41 dhe 66 më sipër). Sipas këtyre të dhënave, ndërkohë që fëmijët romë në momentin e paraqitjes së kërkesës përfaqsonin vetëm 5% të fëmijëve në moshën për të filluar shkollën, ata përbënin më shumë se gjysmën e nxënësve të shkollave të veçanta. Ndërkohë që më pak se 2% e nxënësve jo romë të Ostravas ndiqnin shkollat e veçanta, më shumë se gjysma e fëmijëve romë dërgohej në këto shkolla. Përgjithësisht, një fëmijë rom kishte njëzet e shtatë herë më shumë shanse për t’u orientuar drejt një shkolle të veçantë sesa një fëmijë jo rom në një situatë të krahasueshme.
135. Sipas mendimit të kërkuesve, këto elemente tregojnë shumë qartë se me një vullnet të fortë apo me një pakujdesi të dënueshme, raca ose origjina etnike janë faktorë që e kanë dëmtuar në mënyrë të dukshme, madje vendimtare procesin e dërgimit të fëmijëve në shkolla. Prezumimi sipas të cilit të interesuarit, ashtu si fëmijët e tjerë romë të qytetit të Ostravas, kanë qenë viktima të akteve të diskriminimit që bazoheshin në origjinën etnike, nuk është refuzuar asnjëherë. Përveç kësaj, asgjë nuk kundërshton faktin se për shkak të dërgimit të tyre në shkollat e veçanta, të interesuarit kanë marrë një formim që është dukshëm më i dobët se ai që ndjekin fëmijët jo romë. Ky fakt i ka privuar ata nga mundësia për të ndjekur studimet e mesme në një institucion tjetër përveç qendrave të mësimnxënies.
136. Në këtë kontekst, kërkuesit mbështesin idenë se në Europë, ashtu si dhe në vende të tjera, statistikat përdoren shpesh në çështjet ku trajtohet një fakt diskriminues, siç është rasti në fjalë, sepse ndonjëherë ato përbëjnë të vetmin mjet për të provuar diskriminimin jo të drejtpërdrejtë. Statistikat pranohen si provë e një diskriminimi nga organet e kontrollit të traktateve të Kombeve të Bashkuara dhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Direktiva 2000/43/CE e Këshillit parashikon qartë se « diskriminimi jo i drejtpërdrejtë mund të përcaktohet me të gjitha mjetet, përfshirë dhe bazën e të dhënave statistikore ».
137. Në lidhje me organet e Konventës, kërkuesit shprehen se për të arritur në përfundimin e diskriminimit racial në çështjen Aziatikët e Afrikës lindore kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 4403/70-4530/70, raporti i Komisionit i datës 14 dhjetor 1973, Vendime dhe raporte 78-B, f. 5), Komisioni është bazuar në rrethanat e afërta që përfshijnë të dhënat statistikore në lidhje me impaktin e ndryshëm që ka legjislacioni për qytetarët britanikë me origjinë aziatike. Kohët e fundit, Gjykata është shprehur në vendimin e saj Hoogendijk (lartpërmendur) se nëse vetë statistikat nuk janë të mjaftueshme, në rastet kur ato janë të pakundërshtueshme, mund të përbëjnë fillimin e provës së ekzistencës së një diskriminimi, i cili e detyron Qeverinë të japë një shpjegim objektiv për trajtimin e diferencuar të konstatuar. Nga ana tjetër, për të dalë në përfundimet e çështjes Zarb Adami (vendim i lartpërmendur), Gjykata mbështetet pikërisht në statistikat që nxjerrin na pah pasojat e pabarabarta.
138. Më pas, të interesuarit mendojnë se do të ishte e nevojshme që Dhoma e Madhe të sqarojë jurisprudencën e Gjykatës me qëllim që të përcaktohet nëse trajtimi i diferencuar për të cilin bëhet fjalë në këtë çështje është « objektivisht i justifikueshëm me të drejtë » në raport me nenin 14, dhe të saktësojë përfundimet që duhet të nxirren nga mungesa e një shpjegimi të kënaqshëm. Duke iu referuar ndër të tjera vendimeve Timichev kundër Rusisë (nr. 55762/00 dhe 55974/00, § 56, CEDH 2005‑XII) dhe Moldovan dhe të tjerë kundër Rumanisë (nr. 2) (nr. 41138/98 dhe 64320/01, § 140, 12 korrik 2005), ata mbështesin idenë se që nga momenti kur kërkuesi ka provuar ekzistencën e një trajtimi të diferencuar, i takon qeverisë së paditur të parashtrojë justifikimin ; në mungesë të një shpjegimi të zhveshur nga ngjyrimet raciale, është e drejtë të arrihet në përfundimin se trajtimi i diferencuar bazohet në motive raciale. Në këtë rast, kërkuesit mendojnë se njohuritë e pamjaftueshme të gjuhës çeke, varfëria ose një status social-ekonomik i ndryshëm nuk do të mund të përbënin një justifikim të drejtë dhe objektiv. Ata kundërshtojnë gjithashtu faktin se numri tejet i lartë i fëmijëve romë të dërguar në shkollat e veçanta, mund të shpjegohet me rezultatet e testimit të aftësive intelektuale apo të justifikohet me miratimin e prindërve (paragrafet 141-142 më sipër).
139. Kërkuesit mendojnë gjithashtu se duke marrë parasysh rëndësinë e luftës kundër diskriminimit racial dhe etnik, e cila theksohet vazhdimisht nga organet e Strasburgut, Dhoma e madhe duhet të tregojë qartë se « marzhi i vlerësimit » që u lihet shteteve nuk do të mund të justifikojë segregacionin shkollor. Sipas tyre, qasja e dhomës, që i ka lënë një marzh vlerësimi të pakufizuar shtetit çek, është e pajustifikuar nëse merren parasysh ankimimet e rënda për diskriminim racial dhe etnik që trajtohen në këtë çështje dhe situata e rrezikshme në raport me jurisprudencën e Gjykatës. Kjo çështje kërkon akoma më shumë vëmendje nga ana e Gjykatës sepse e drejta materiale në fjalë është e drejta për hetim, një nga më të rëndësishmet.
140. Sipas kërkuesve, dhoma ka keqinterpretuar disa elemente thelbësore dhe ka nxjerrë përfundime të papërshtatshme në lidhje me dy çështje të rëndësishme si besueshmëria e testeve psikologjike dhe miratimi i prindërve.
141. Të interesuarit ritheksojnë se në kohën e fakteve, modalitetet dhe interpretimi i testeve të përdorura nga qendrat e këshillimit psikopedagogjik nuk ishin objekt i asnjë rregulloreje uniforme dhe ky fakt i lë mjaft hapsirë vlerësimit të psikologëve dhe paragjykimeve raciale, duke mos marrë në konsideratë diversitetet kulturore. Për më tepër, testet që kanë kryer të interesuarit, ashtu si dhe fëmijët e tjerë romë, ishin të gabuara nga pikëpamja shkencore dhe nuk ishin të besueshme në aspektin edukues. Në fakt, elementet e dosjes tregonin se shumë nga kërkuesit ishin dërguar në shkollat e veçanta për shkaqe të tjera dhe jo prej mungesës së inteligjencës (mosparaqitje, sjellje e keqe, madje dhe sjellja e prindërve). Nga ana tjetër, vetë qeveria çeke e ka pranuar efektin diskriminues të këtyre testeve (paragrafi 66 më sipër) ; ajo ka pranuar gjithashtu në vëzhgimet e saj në lidhje me këtë kërkesë se një nga kërkuesit ishte dërguar në një shkollë të veçantë, ndonëse kishte aftësi të mira të të shprehurit me gojë.
142. Për më tepër, sipas të interesuarve, nuk do të mund të pranohet që trajtimi i diferencuar që kanë pësuar të justifikohet me miratimin e prindërve për dërgimin në shkollat e veçanta. Në fakt, qeveritë janë të detyruara juridikisht të garantojnë interesin më të lartë të fëmijëve, veçanërisht barazinë e fëmijëve në lidhje me të drejtën për t’u arsimuar, nga e cila ata janë privuar për shkak të sjelljes apo zgjedhjes së prindërve.
Në këtë rast, mungesa e koherencës në dosjet shkollore shtojnë dyshimet për vërtetësinë dhe realitetin e « miratimit » të dhënë nga prindërit e shumë kërkuesve dhe e bëjnë atë më pak të besueshëm. Më pas, edhe nëse supozojmë që një miratim i tillë është dhënë nga të gjithë prindërit, ai nuk ka, sipas kërkuesve, asnjë vlerë juridike sepse prindërit në fjalë nuk kanë qenë kurrë të informuar për të drejtën e tyre që të pranojnë zgjedhje të tjera përveç dërgimit në shkolla të veçanta apo për rreziqet dhe pasojat që sjell ky dërgim. Në fakt, procedura ka qenë shumë formale : prindërve iu është vënë përpara një formular i paraplotësuar dhe rezultatet e testeve psikologjike që ata i konsideruan si të padiskutueshme. Përsa i takon riorientimit të mëpasshëm drejt një shkolle të zakonshme që prindërit do të kishin mundur ta kërkonin, të interesuarit bëjnë të ditur se që në vitin e parë të shkollimit të tyre, niveli i arsimimit që kanë ndjekur është dukshëm më i ulët se mesatarja ; në këtë mënyrë, mangësitë e krijuara nuk u mundësojnë të përmbushin kërkesat e shkollave të zakonshme.
Për më tepër, sipas kërkuesve, nuk është realiste të shprehesh mbi çështjen e miratimit, pa marrë në konsideratë segregacionin arsimor të Romëve në të kaluarën dhe mungesën e informacioneve të përshtatshme në lidhje me zgjedhjet që u ofrohen prindërve romë. Duke kujtuar opinionin e Gjykatës sipas të cilit heqja dorë është e ligjshme vetëm për disa të drejta dhe jo për të gjitha dhe nuk duhet të bjerë në kundërshtim me asnjë interes publik të rëndësishëm (Håkansson dhe Sturesson kundër Suedisë, 21 shkurt 1990, § 66, seria A nr. 171‑A), kërkuesit mbështesin idenë se nuk mund të hiqet dorë nga e drejta e fëmijës për të mos qenë objekt i një diskriminimi racial në fushën e arsimit.
143. Ky rast ngre një « çështje të rëndë të karakterit të përgjithshëm » : nuk dihet nëse qeveritë europiane janë të afta për të përballuar diversitetin racial dhe etnik në rritje të popullsisë europiane dhe për të mbrojtur minoritetet e dobëta. Në lidhje me këtë, çështja kryesore sipas të interesuarve është ajo e shanseve të barabarta në fushën e arsimit sepse diskriminimi i Romëve në këtë fushë vazhdon të ekzistojë në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Nëse do t’i jepet fund diskriminimit në shkolla, Romët do të përfitonin në mënyrë të përgjithshme nga trajtimi i barabartë.
144. Segregacioni racial që prek fëmijët romë në shkollat çeke, nuk ka pësuar ndonjë ndryshim real që nga paraqitja e kësaj kërkese. E ardhmja e tyre dhe mungesa e oportuniteteve pasqyrojnë paragjykimin që rrjedh nga dërgimi diskriminues në shkollat e veçanta. Kështu, në maj të vitit 2006, tetë kërkues ndiqnin shkollimin e tyre në një shkollë të veçantë dhe gjashtë të tjerë, që kishin përfunduar programin në këtë lloj institucioni, ishin pa punë. Nga katër kërkues, të cilët, pasi kishin dalë mirë në testet e aftësisë, ishin autorizuar të ndiqnin një shkollë fillore, dy vazhdonin të ishin akoma në këtë shkollë, një ishte i papunë dhe i katërti ishte rregjistruar në një institucion të arsimit të mesëm profesional. Sipas kërkuesve, është mëse e sigurt se asnjë prej tyre nuk do të frekuentojë një institucion të arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe aq më pak universitetin.
145. Së fundi, kërkuesit shprehen se një ligj i ri për shkollat u miratua në fund të vitit 2004 dhe kishte si qëllim t’i jepte fund sistemit të shkollave të veçanta. Kështu, sipas tyre, legjislacioni i ri pranonte faktin se vetë ekzistenca e këtyre shkollave të konsideruara si të « veçanta » vendoste shenjën e inferioritetit për ata që dërgoheshin atje. Megjithatë, ligji i ri nuk solli asnjë praktikë të re konkrete sepse ai ndryshoi vetëm kriteret e hartimit të programeve arsimore. Kërkimet e thelluara të kryera nga Qendra europiane për të drejtat e Romëve në 2005 dhe 2006 treguan se në shumë raste, shkollat e veçanta kanë ndërruar thjesht emrin në « shkolla përmirësuese » ose « shkolla praktike », ndërkohë që trupi mësimor ose përmbajtja e programit nuk kanë pësuar asnjë ndryshim.
2. Qeveria
146. Sipas Qeverisë, ky rast ngre çështje komplekse që lidhen me problemin social të vendit që zënë Romët në shoqërinë bashkëkohore. Nëse nga ana formale ata gëzojnë të drejta të njëjta si qytetarët e tjerë, mundësitë e tyre reale janë në fakt të kushtëzuara nga rrethana objektive dhe subjektive. Pa inisiativën dhe interesimin e çdo anëtari të komunitetit rom, nuk mund të ketë përmirësime. Për të eleminuar këto pabarazi, shtetet anëtare përballen me probleme të shumta të aspektit politik, social, ekonomik dhe teknik, të cilat nuk do të mund të përmblidheshin vetëm te çështja e respektimit të të drejtave themelore. Për këtë arsye, gjykatat, përfshirë dhe Gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut, duhet të tregohen të matura gjatë shqyrtimit të masave të marra në këtë fushë dhe të shprehen vetëm për çështjen nëse autoritetet kompetente nuk e kanë tejkaluar marzhin e tyre të vlerësimit.
147. Duke iu referuar vëzhgimeve të saj të mëparshme me shkrim dhe me gojë, Qeveria vazhdon të pohojë se raca, ngjyra ose përkatësia në një minoritet kombëtar nuk kanë luajtur një rol përcaktues në lidhje me arsimimin e kërkuesve. Sipas saj, asnjë provë e veçantë nuk tregon që këta të fundit kanë qenë objekt i një trajtimi të diferencuar bazuar në këto kritere diskriminuese. Në fakt, dosjet e shkollës të të interesuarve mundësojnë të arrihet në përfundimin se nuk ka asnjë dyshim që dërgimi i tyre në shkollat e veçanta nuk motivohej nga origjina e tyre etnike, por nga rezultatet e testeve psikologjike të kryera në qendrat e këshillimit psikopedagogjik. Kështu, kërkuesit janë dërguar në shkollat e veçanta për shkak të nevojave arsimore të veçanta që lidhen kryesisht me aftësitë e tyre intelektuale dhe se kriteret e dërgimit, mënyra e zbatimit të tyre dhe sistemi i shkollave të veçanta nuk kishin asnjë ngjyrim racial. Ky fakt është konfirmuar nga vendimi i dhomës dhe në këtë rast nuk do të mund të flisnim për një diskriminim të hapur ose të drejtpërdrejtë.
148. Qeveria shprehet më pas në lidhje me tezën e kërkuesve, sipas të cilës, në këtë rast bëhet fjalë për një diskriminim jo të drejtpërdrejtë që në disa raste mund të përcaktohet vetëm me ndihmën e statistikave. Ajo dëshiron të theksojë në lidhje me këtë pikë çështjen Zarb Adami të lartpërmendur, ku Gjykata është mbështetur gjerësisht në statistikat e paraqitura nga palët, por kjo çështje nuk ka asgjë të ngjashme me rastin në fjalë. Së pari, çështja Zarb Adami nuk është aq komplekse. Së dyti, ndryshimet statistikore mes numrit të burrave dhe të grave që thirreshin në shërbimin e jurive dhe që konstatohen në këtë çështje rezultojnë nga një vendim shtetëror, kurse statistikat e përmendura në këtë rast nga kërkuesit tregojnë para së gjithash vullnetin e prindërve që fëmijët e tyre të frekuentojnë një shkollë të veçantë, dhe jo një harresë apo veprim nga ana e shtetit. Në fakt, po të mos ekzistonte ky vullnet (i shprehur me anë të miratimit), fëmijët nuk do të dërgoheshin në këtë lloj shkolle.
Për më tepër, përmbledhjet statistikore që paraqiten në këtë çështje nga të interesuarit, nuk mund të jenë aq bindëse sepse të dhënat janë ofruar nga drejtorët e shkollave dhe ato paraqesin vetëm opinionet e tyre subjektive, ndërkohë që nuk ekziston asnjë informacion zyrtar mbi origjinën etnike të nxënësve. Nga ana tjetër, sipas Qeverisë, këto statistika nuk kanë asnjë vlerë informuese në mungesë të vlerësimit të mjedisit social-kulturor të Romëve, të kontekstit të tyre familjar dhe të qëndrimit të tyre ndaj arsimimit. Në lidhje me këtë pikë, Qeveria kujton se rajoni i Ostravas është një nga rajonet me numrin më të madh të qytetarëve romë.
Në lidhje me studimet krahasuese për vendet e Europës qëndrore dhe lindore, si dhe shteteve të tjera të botës të cituara në vëzhgimet e palëve ndërhyrëse, Qeveria nuk sheh asnjë lidhje të duhur mes këtyre statistikave dhe themelit të çështjes në fjalë. Sipas saj, këto studime konfirmojnë më shumë faktin se krijimi i një regjimi arsimor optimal për fëmijët romë vazhdon të jetë një çështje tejet komplekse.
149. Megjithatë, edhe nëse të dhënat e paraqitura nga të interesuarit do të kishin qenë të besueshme dhe shteti mund të konsiderohej përgjegjës për situatën, sipas qeverisë, kjo nuk do të përbënte një diskriminim jo të drejtpërdrejtë të papajtueshëm me Konventën. Sipas opinionit të Qeverisë, masa kundërshtuese ishte në përputhje me parimin e mosdiskriminimit sepse synonte një qëllim të ligjshëm, atë të përshtatjes së procesit arsimor me aftësitë e fëmijëve që kanë nevoja arsimore të veçanta. Në këtë mënyrë, ajo ishte një masë e arsyeshme dhe e justifikueshme objektivisht.
150. Në lidhje me këtë pikë, Qeveria nuk e pranon kundërshtimin e kërkuesve, sipas të cilit, ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim të kënaqshëm mbi numrin e madh të fëmijëve romë që shkollohen në shkollat e veçanta. Duke pranuar që situata e Romëve në fushën e arsimit nuk është ideale, Qeveria mendon se ka dhënë prova që vërtetojnë se shkollat e veçanta nuk janë hapur për komunitetin rom dhe se origjina etnike nuk ishte një kriter për dërgimin e tyre në këto shkolla. Ajo kujton gjithashtu faktin se ky dërgim paraprihej gjithmonë nga një bilanc psikopedagogjik individual, një mjet teknik që është objekt i kërkimeve shkencore të vazhdueshme, dhe që mund të kryhej vetëm nga profesionistët. Gjykatat që nuk e kanë kualifikimin e nevojshëm, duhet të tregohen të matura në këtë fushë. Në lidhje me normat profesionale të cilave u referohen vëzhgimet e International Step by Step Association dhe të tjera, Qeveria thekson se nuk bëhet fjalë për norma juridike që të kenë forcë ligjore, por më shumë për rekomandime apo udhëzime të specialistëve, pa karakter detyrues, dhe në këtë mënyrë, nuk mund të shkaktojnë përgjegjësi juridike ndërkombëtare.
151. Në këtë rast, dosja e secilit prej kërkuesve përmban të gjitha informacionet në lidhje me metodat dhe rezultatet e këtij bilanci, të cilat nuk janë kundërshtuar nga asnjë prej tyre në atë kohë. Ankimimi i të interesuarve sipas të cilit psikologët kishin përdorur një qasje subjektive duket i paanshëm dhe nuk mbështetet në asnjë provë.
152. Qeveria pranon edhe një herë se është e mundur që në disa raste të rralla, arsyeja e dërgimit në një shkollë të veçantë lidhej me vështirësitë e të nxënit dhe faktit që i përkasin një mjedisi social-kulturor të pafavorizuar. Nga tetëmbëdhjetë kërkuesit, kjo gjë ka ndodhur vetëm në rastin e njërit prej tyre, kërkuesit të nëntë. Për të gjithë të tjerët, bilancet dhe testet psikopedagogjike të kryera nga qendrat e këshillimit kanë nxjerrë në pah vështirësitë e të nxënit.
153. Qeveria thekson më pas se qendrat e këshillimit që kanë mundësuar kryerjen e testeve, kanë dhënë vetëm rekomandime në lidhje me llojin e shkollës ku duhej dërguar fëmija. Elementi vendimtar dhe kryesor ka qenë vullneti i prindërve. Në këtë rast, prindërit e kërkuesve kanë qenë informuar si duhet se dërgimi i fëmijës së tyre në një shkollë të veçantë varej nga miratimi i tyre, dhe pasojat e këtij vendimi u janë bërë të qarta. Nëse rrethanat e miratimit nuk do të ishin fort të qarta, ata do të kishin mundur ta apelonin atë dhe më pas, në çdo moment, do të kishin mundur të kërkonin riorientimin e fëmijës së tyre drejt një shkolle tjetër. Nëse do të kishin pasur paqartësi për çështjen e miratimit, ata mund të kishin kërkuar informacione tek autoritetet kompetente. Në lidhje me këtë pikë, Qeveria shprehet se Konventa thekson në nenin 2 të Protokollit nr. 1 rolin dhe përgjegjsinë kryesore të prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre. Në fakt, shteti nuk mund të ndërhyjë kur nuk ka asnjë element në qëndrimin e prindërve që të tregojë mungesën e vullnetit apo të aftësisë për të marrë një vendim në lidhje me arsimimin e duhur të fëmijëve të tyre ; një ndërhyrje e tillë do të ishte në kundërshtim me parimin sipas të cilit shteti duhet të respektojë bindjet e prindërve përsa i takon edukimit dhe arsimimit.
Në këtë çështje, Qeveria kujton se përveç ankimimit në Gjykatën Kushtetuese dhe paraqitjes së kërkesës në Gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut, prindërit e të interesuarve nuk kanë ndërmarrë asgjë në përgjithësi për t’iu kursyer fëmijëve të tyre trajtimin e pretenduar si diskriminues dhe kanë pasur një qëndrim relativisht pasiv për arsimin.
154. Më pas, Qeveria e gjykon si të pavërtetë argumentin e kërkuesve sipas të cilit dërgimi i tyre në shkollat e veçanta i pengon ata që të ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë. Pavarësisht se kur e kanë mbaruar kërkuesit shkollimin e detyrueshëm, para ose pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për shkollat nr. 561/2004, ata e kishin mundësinë që të ndiqnin shkollën e mesme, të kapnin nivelin duke ndjekur mësime shtesë apo të kërkonin ndihmë për orientimin e tyre. Mirëpo, duket se asnjë prej tyre nuk e ka provuar këtë mundësi (edhe po të rezultonte si e pasuksesshme) dhe se dështimi i saj (i supozuar) shpjegohej nga mangësitë në nivelin arsimor për shkak të dërgimit të mëparshëm në një shkollë të veçantë. Përkundrazi, shumë kërkues kanë hequr dorë nga vazhdimi i studimeve ose i kanë braktisur ato. Qeveria shprehet mjaft e bindur se të interesuarit e kanë privuar vetë veten nga mundësia për të vazhduar studimet për shkak të mungesës së interesit ; situata e tyre, shpesh e pafavorshme, vjen më shumë si shkak i pasivitetit të tyre, dhe shteti nuk mund të konsiderohet përgjegjës.
155. Nga ana tjetër, Qeveria pranon se autoritetet e vendit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme nga ana e tyre për të penguar që një masë të shkaktojë një efekt të pabarabartë ose, kur kjo nuk është e mundur, të zbusë dhe të kompesojë një efekt të tillë. Megjithatë, as Konventa dhe as instrumentet ndërkombëtare nuk përmbajnë një përkufizim të përgjithshëm të detyrimeve pozitive të shteteve në lidhje me arsimimin e fëmijëve romë ose, në mënyrë më të përgjithshme, të fëmijëve që u përkasin minoriteteve kombëtare ose etnike. Në lidhje me këtë pikë, Qeveria thekson se Gjykata, gjatë përcaktimit të detyrimeve pozitive që i takojnë një shteti, frymëzohet ndonjëherë nga zhvillimet ligjore që ndodhin në shtetet kontraktuese. Mirëpo, deri më sot nuk ekziston asnjë standart ose konsensus europian në lidhje me kriteret e dërgimit të fëmijëve në shkollat e veçanta apo me arsimin e fëmijëve që kanë nevoja arsimore të veçanta, dhe se institucioni i shkollave të veçanta përbën një nga zgjidhjet e mundshme të pranueshme të problemit.
156. Për më tepër, detyrimet pozitive në lidhje me nenin 14 të Konventës nuk mund të interpretohen si një detyrim për të marrë një masë pozitive, e cila duhet të jetë opsionale. Në fakt, nuk do të mund të nxirrnim nga kjo dispozitë detyrimin për të kompensuar në mënyrë aktive të gjitha handikapet nga të cilat vuajnë grupe të ndryshme të popullatës.
157. Gjithësesi, që kur shkollat e veçanta nuk duhet të shihen më si një formë inferioriteti, por si një tjetër formë arsimimi, Qeveria mendon se ka marrë në këtë rast masa të arsyeshme që synojnë të kompensojnë handikapin e kërkuesve, të cilët duhej të ndiqnin një lloj të veçantë arsimimi për shkak të specifikave të tyre, dhe të mos shkojnë përtej marzhit të vlerësimit të parashikuar nga Konventa në fushën e arsimit. Në lidhje me këtë pikë, ajo thekson se burimet që shteti ka vënë në dispozicion për funksionimin e shkollave të veçanta, janë dy herë më të mëdha se ato për shkollat e zakonshme, dhe se autoritetet e vendit kanë ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme kur bëhet fjalë për çështjen komplekse të arsimimit të fëmijëve romë.
158. Qeveria jep më pas informacione në lidhje me situatën aktuale të kërkuesve, të cilat i ka mbledhur nga dosjet e shkollës dhe nga ato të Zyrës së punësimit të Ostravas ku janë rregjistruar kërkuesit e papunë. Paraprakisht, Gjykata thekson se rajoni i Ostravas vuan nga një shkallë e lartë papunësie dhe përgjithësisht, pavarësisht nga origjina etnike, të rinjtë që kanë vetëm arsimin fillor, e kanë të vështirë të gjejnë punë. Ekziston një mundësi për të marrë një kualifikim dhe një ndihmë nga shteti për t’u orientuar, por pjesëmarrja aktive e aplikantit për punë mbetet një kusht sine qua non.
Konkretisht, dy kërkues janë në vitin e fundit të shkollës fillore dhe shtatë kanë filluar në shtator të 2006 një formim profesional në një shkollë të mesme. Katër kërkues e kanë braktisur shkollën e mesme, në pjesën më të madhe të rasteve për shkak të mungesës së interesit dhe janë rregjistruar pranë Zyrës së punësimit. Së fundi, pesë kërkues nuk kanë depozituar dosje për vazhdimin e studimeve në arsimin e mesëm dhe janë rregjistruar pranë Zyrës së punësimit. Megjithatë, qeveria shprehet se kërkuesit e rregjistruar në Zyrën e punësimit nuk bashkëpunojnë me këtë zyrë dhe nuk shfaqin asnjë interes për ofertat e trajnimit apo të punësimit. Ky është shkaku që disa prej tyre janë fshirë (madje disa herë rradhazi) nga rregjistri i aplikantëve për punë.
159. Së fundi, Qeveria kundërshton ankimimin e kërkuesve sipas të cilit asgjë nuk ka ndryshuar me miratimin e ligjit nr. 561/2004 për shkollat. Ajo shprehet se sipas këtij ligji, shkollat e ndryshme fillore që kanë ekzistuar më parë janë unifikuar dhe programet arsimore janë standartizuar. Ligji i ri nuk parashikon një sistem të pavarur dhe të veçantë për shkollat e specializuara, me përjashtim të institucioneve për fëmijët që vuajnë nga shqetësime të rënda mendore, nga autizmi apo nga defiçensa mendore dhe fizike së bashku. Nxënësit handikapatë integrohen individualisht në shkollat e zakonshme, sa herë që kjo është e mundur dhe e dëshiruar nga ana e tyre. Megjithatë, për të pritur këta nxënës, shkollat mund të krijojnë klasa të veçanta që zbatojnë teknika dhe metoda pedagogjike të përshtatshme. Ish « shkollat e veçanta » mund të vazhdojnë si institucione më vete, por ato tashmë konsiderohen si « shkolla fillore » që ofrojnë një nivel arsimor në kuadrin e një programi të modifikuar të arsimit fillor. Shkollat që presin fëmijë nga mjedise sociale të pafavorizuara, përdorin shpesh asistentët pedagogjikë dhe hapin klasa përgatitore që synojnë përmirësimin e teknikave të komunikimit të fëmijëve dhe përvetësimin e gjuhës çeke. Asistentët romë shërbejnë si lidhje mes shkollës, familjes dhe ekspertëve në disa raste, si dhe kontribuojnë për integrimin e nxënësve në procesin arsimor. Rajoni i origjinës së kërkuesve është pro integrimit të nxënësve romë në klasat me nxënës nga popullsia mazhoritare.
160. Si përfundim, Qeveria i kërkon Gjykatës që të shqyrtojë me kujdes rastet individuale të kërkuesve dhe aksesin e tyre në sistemin arsimor, ndonëse është e ndërgjegjshme që ky shqyrtim duhet të kryhet në një kontekst global. Ajo e fton Gjykatën që të dalë në përfundimin se nuk ka shkelje të Konventës.
3. Palët ndërhyrëse
a) Interights dhe Human Rights Watch
161. Këto organizata theksojnë se është thelbësore që neni 14 i Konventës të ofrojë një mbrojtje efektive kundër diskriminimit jo të drejtpërdrjtë, për të cilin Gjykata nuk ka pasur shumë raste për t’u shprehur. Sipas tyre, ekziston një hendek mes disa aspekteve të arsyetimit të dhomës në këtë çështje dhe zhvillimeve të fundit në çështjet Timichev (vendim i lartpërmendur), Zarb Adami (vendim i lartpërmendur) dhe Hoogendijk (vendim i lartpërmendur). Sipas mendimit të tyre, Gjykta duhet të përforcojë interpretimin teleologjik të nenit 14 dhe të përshtasë jurisprudencën e Gjykatës në fushën e diskriminimit jo të drejtpërdrejtë me normat ndërkombëtare në fuqi.
162. Interights dhe Human Rights Watch kujtojnë që vetë Gjykata ka pranuar në vendimin e lartpërmendur Zarb Adami që diskriminimi nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë ose i qartë dhe se një politikë ose një masë me interes të përgjithshëm mund të shkaktojë një diskriminim jo të drejtpërdrejtë. Ajo ka pranuar gjithashtu se çështja e qëllimit diskriminues mund të shmangej në rastet e diskriminimit jo të drejtpërdrejtë (Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 24746/94, § 154, 4 maj 2001). Për organizatat ndërhyrëse, në rastet e diskriminimit jo të drejtpërdrejtë, mjafton që praktika dhe masat e marra të kenë pasoja të dëmshme dhe jo të njëjta për një grup të veçantë.
163. Në lidhje me provën për diskriminimin jo të drejtpërdrejtë, është pranuar gjerësisht në nivelin europian dhe ndërkombëtar, si dhe nga vetë Gjykata (Timichev, lartpërmendur, § 57 ; Hoogendijk, vendim i lartpërmendur), se barra e provës duhet të transferohet sapo të sillet elementi i parë i provës së diskriminimit. Në rastet e diskriminimit jo të drejtpërdrejtë, nëse kërkuesi provon se një masë ose një praktikë e dhënë dëmton dukshëm një kategori personash në raport me një tjetër, prezumohet ekzistenca e diskriminimit. Atëherë, barra e provës i takon shtetit që duhet të provojë se elementi i parë i provës është i pabazuar apo të nxjerrë një justifikim.
164. Në këtë mënyrë, është thelbësore që Gjykata të saktësojë se ç’lloj provash pranon për të vendosur se kujt i takon barra e provës. Interights dhe Human Rights Watch mendojnë mbi këtë pikë se qëndrimi i Gjykatës në lidhje me statistikat, i shprehur në vendimin e lartpërmendur Hugh Jordan (§ 154), është në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare dhe atë të krahasuar. Në fakt, në direktivat e Komunitetit Europian dhe në nivelin ndërkombëtar, statistika është metoda kryesore e përdorur për të provuar ekzistencën e një diskriminimi jo të drejtpërdrejtë. Ndonjëherë, statistikat janë i vetmi mjet efikas sepse nxjerrin në pah efektet dalluese që shkakton një masë në dukje e paanshme mbi segmente të ndryshme të shoqërisë. Sigurisht, gjykatat duhet të vlerësojnë besueshmërinë, forcën dhe drejtësinë e tyre në kuadrin e çështjes që janë duke shqyrtuar dhe këto statistika duhet të kenë një lidhje konkrete me ankimimet e kërkuesit.
Megjithatë, nëse Gjykata vazhdon të mbështesë idenë që vetëm statistikat nuk mjaftojnë për të provuar një praktikë diskriminuese, Interights dhe Human Rights Watch propozojnë të merret në konsideratë konteksti social i përgjithshëm, i cili është një element i rëndësishëm prove për të matur pasojat e pabarabarta që kanë pësuar kërkuesit.
b) Minority Rights Group International, European Network Against Racism dhe European Roma Information Office
165. Sipas këtyre organizatave ndërhyrëse, vazhdimi i dërgimit të fëmijëve romë në shkollat e veçanta që janë krijuar për fëmijë me defiçnsa mendore, përbën formën më të dukshme dhe më të urryer të diskriminimit të Romëve. Në këto shkolla, fëmijët ndjekin një program shkollor të thjeshtuar, i cili mendohet se përshtatet me nivelin e tyre të ulët të zhvillimit intelektual. Për shembull, në Republikën Çeke, fëmijët që ndjekin shkollat e veçanta nuk mund të dinë alfabetin dhe numrat nga 0-10 para vitit të tretë ose të katërt shkollor, ndërkohë që fëmijët e shkolluar në institucionet e zakonshme i fitojnë këto njohuri gjatë orëve përgatitore.
166. Kjo praktikë ka tërhequr vëmendjen si në nivelin europian, ashtu dhe në organet e traktateve të Kombeve të Bashkuara, të cilat, në shumë raporte kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me numrin shumë të madh të fëmijëve romë në shkollat e veçanta, me drejtësinë e testeve të përdorura dhe me vlerën e të ashtuquajturit miratim të prindërve. Këto organe kanë kostatuar njëzëri se nuk ekzistonte asnjë justifikim objektiv dhe i arsyeshëm për trajtimin e diferencuar të fëmijëve romë në fushën e arsimit. Shkalla e përputhjes së pikëpamjeve mes institucioneve dhe organeve gati gjyqësore vërteton në mënyrë bindëse se fëmijët romë janë viktima të një diskriminimi i cili është mjaft i përhapur.
167. Organizatat ndërhyrëse theksojnë më pas se cilatdo qofshin meritat për parashikimin e strukturave të veçanta arsimore për fëmijët që kanë me të vërtetë defiçensa mendore, vendimi për të dërguar fëmijët romë në shkollat e veçanta mbështetet, në pjesën më të madhe të rasteve, tek diversiteti gjuhësor ose kulturor, i cili nuk është marrë parasysh në procedurën e vlerësimit, dhe jo në ekzistencën e defiçensave të vërteta mendore. Për të përmbushur detyrimin që t’u sigurojnë Romëve një trajtim të barabartë në ushtrimin e të drejtës së arsimimit, shtetet duhet të kryejnë ndryshime në procedurën e vlerësimit, në mënyrë që ajo mos të përmbajë paragjykime raciste kundrejt Romëve, si dhe të marrin masa pozitive në fushën e formimit gjuhësor dhe aftësive relacionale.
c) International Step by Step Association, Roma Education Fund dhe European Early Childhood Education Research Association
168. Në vëzhgimet e tyre, këto organizata përpiqen të tregojnë se metoda e përdorur në rajonin e Ostravas për orientimin e fëmijëve romë në shkollat e veçanta, bie në kundërshtim me treguesit e shumtë të metodave të duhura dhe efikase të vlerësimit, të cilat njiheshin shumë mirë në mesin e viteve 1990 (paragrafi 44 më sipër). Sipas mendimit të tyre, ky vlerësim nuk ka marrë në konsideratë gjuhën dhe kulturën e fëmijëve ose përvojat e mëparshme në mësimnxënie apo dhe padijen e tyre në lidhje me kërkesat e situatës së vlerësimit. Është përdorur vetëm një lloj burimi të dhënash dhe jo disa. Vlerësimi është kryer vetëm një herë të vetme dhe jo gjatë një kohëzgjatje të dhënë. Elementet e informacionit nuk janë mbledhur në një mjedis realist apo autentik ku fëmijët do të kishin mundur të tregonin aftësitë e tyre. U është dhënë një rëndësi e tepruar testeve të standartizuara, të hartuara për popullsi të tjera dhe të përdorura individualisht.
169. Në studimet mbështetëse (paragrafi 44 më sipër), palët ndërhyrëse tregojnë se një numër tejet i madh fëmijësh që i përkasin një minoriteti apo dhe ata që vijnë nga familjet në nevojë ndjekin shkollat e veçanta në Europën qëndrore dhe lindore. Kjo situatë rrjedh nga një tërësi faktorësh, ndër të cilët përmendim paragjykimet raciale të pandërgjegjshme të autoriteteve të shkollës, pabarazitë e thelluara të burimeve, përdorimi i pajustifikuar i testeve QI dhe mjeteve të tjera të vlerësimit, përgjigjet e papërshtatshme të edukatorëve ndaj detyrimit për kryerjen e testeve të « nivelit të lartë » dhe dallimit të pushtetit mes prindërve që i përkasin një minoriteti dhe autoriteteve të shkollës. Kështu, dërgimi në shkollat e veçanta në bazë të rezultateve të arritura në testet psikologjike, pasqyron shpesh paragjykimet raciale të shoqërisë në fjalë.
170. Nga ana tjetër, Republika Çeke ishte e njohur për dërgimin e fëmijëve të « pafavorizuar në aspektin social » në një mjedis ku mbizotëron segregacioni. Sipas një krahasimi me të dhënat e mbledhura nga OSBE në vitin 1999 në lidhje me pesëmbëdhjetë vende (paragrafi 18 in fine më sipër), ajo klasifikohej në vendin e tretë për shkollimin e fëmijëve që kanë veshtirësi në procesin e nxënies në institucione të veçanta. Nga ana tjetër, nga tetë vende që kishin dhënë informacione në lidhje me shkollimin e fëmijëve, vështirësitë e të cilëve e kanë origjinën tek faktorët socialë, Republika Çeke ishte i vetmi vend që përdorte shkollat e veçanta për këto raste ; pothuajse të gjitha vendet e tjera ia besonin arsimimin e këtyre fëmijëve shkollave të zakonshme.
171. Përveç kësaj, fakti i dërgimit të fëmijëve që kategorizohen si me « aftësi të pamjaftueshme » në shkolla të veçanta që në moshë të hershme (« tracking » shkollor), shkakton shpesh në mënyrë të paqëllimshme ose jo segregacionin racial dhe sjell pasoja mjaft negative në nivelin e arsimit të nxënësve të pafavorizuar. Nga ky fakt rrjedhin pasoja të dëmshme afatgjata për fëmijët dhe shoqërinë, siç është përjashtimi i parakohshëm nga sistemi shkollor që sjell si pasojë kufizimin e perspektivave të punësimit të individëve në fjalë.
d) Federata ndërkombëtare e ligës për të drejtat e njeriut (FIDH)
172. FIDH e gjykon si të pajustifikueshëm faktin që dhoma, në vendimin e saj, t’i ketë dhënë një rëndësi të konsiderueshme të ashtuquajturit miratim nga ana e prindërve të kërkuesve në situatën për të cilën ata ankohen në Gjykatë. Ajo rikujton se sipas jurisprudencës së Gjykatës, të heqësh dorë nga një e drejtë, ndonjëherë konsiderohet si fakt që nuk mund ta përjashtojë shtetin nga detyrimi që i takon për t’i garantuar çdo njeriu të drejtat dhe liritë e parashikuara nga Konventa. Është e njëjta gjë sidomos kur dorëheqja bie ndesh me një interes publik të rëndësishëm ose kur ajo është e paqartë dhe e dyshimtë. Përveç kësaj, në mënyrë që të justifikohet kufizimi i bërë në të drejtën dhe lirinë e individit, heqja dorë e këtij të fundit nga kjo garanci duhet të ndodhë në rrethana që mundësojnë të konsiderohet se ai kishte dijeni të plotë për pasojat, sidomos ato juridike, që rrjedhin nga zgjedhja e tij. FIDH shprehet se Gjykata e Lartë e Kanadasë ka zhvilluar një jurisprudencë të nevojshme në lidhje me këtë pikë (R. kundër Borden, [1994], 3 RCS 145, f. 162), sipas të cilës, « që heqja dorë nga e drejta (...) të jetë e e vërtetë, personi që jep miratimin, duhet të disponojë të gjitha informacionet e duhura në mënyrë që të heqë dorë realisht nga ajo e drejtë. E drejta e zgjedhjes kërkon jo vetëm që personi të mundë të ushtrojë vullnetin e tij për të preferuar një zgjedhje nga një tjetër, por duhet gjithashtu që ai të ketë informacionet e nevojshme për të bërë një zgjedhje të duhur ».
173. Duke pasur parasysh natyrën e parimit të trajtimit të barabartë dhe lidhjen mes ndalimit të diskriminimit racial dhe konceptit më të gjerë të dinjitetit njerëzor, sipas FIDH, lind pyetja : a do të ishte e mundur që heqja dorë nga e drejta për t’u mbrojtur nga diskriminimi të mos ekzistonte fare ? FIDH shpreh ndër të tjera se në rastin në fjalë, miratimi i marrë nga prindërit e kërkuesve, prek jo vetëm këta kërkues, por gjithë fëmijët e komunitetit rom. Në fakt, ka shumë gjasa – madje, sipas FIDH, është dhe e mundshme – që të gjithë prindërit e fëmijëve romë të preferojnë një mësimdhënie të integruar për fëmijët e tyre, por para dyshimit në lidhje me zgjedhjen që do të bëjnë prindërit e tjerë që ndodhen në të njëjtën situatë, ata preferojnë « sigurinë » që ofron arsimi i veçantë, i cili frekuentohet kryesisht nga fëmijët romë. Në një kontekst që karakterizohet nga një histori diskriminimi kundrejt Romëve, zgjedhja që u ofrohet prindërve të fëmijëve romë konsiston në : a) dërgimin e fëmijëve të tyre në shkolla ku drejtuesit i presin me hezitim dhe ku mund të bëhen objekt i formave të ndryshme të kërcënimeve dhe të shfaqjeve armiqësore si nga nxënësit e tjerë, ashtu dhe nga mësuesit, ose b) dërgimin e tyre në shkolla të veçanta ku fëmijët romë përbëjnë shumicën e nxënësve dhe si pasojë nuk do t’u duhet të pësojnë shfaqjen e paragjykimeve të tilla. Në të vërtetë, prindërit kanë zgjedhur mes dy të këqijave, atë që në sytë e tyre paraqeste pasojat më pak të dëmshme, në mungesë të çdo lloj mundësie efektive për të përfituar një mësimdhënie të integruar dhe mikpritëse për fëmijët romë. Në fakt, ndryshimi mes dy opsioneve ishte i aq i madh sa prindërit e kërkuesve u detyruan të bëjnë zgjedhjen për të cilën sot duam t’i bëjmë përgjegjës.
174. Për këto arsye, FIDH mendon se në këtë çështje, pretendimi se prindërit kanë hequr dorë nga mundësia për arsimimin e fëmijëve të tyre në institucionet e përgjithshme, nuk do të mund të justifikojë Republikën Çeke që të përjashtohet nga detyrimet që rrjedhin nga Konventa.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Kujtesë e parimeve kryesore
175. Sipas jurisprudencës së përcaktuar nga Gjykata, diskriminimi konsiston në trajtimin e diferencuar të personave që gjenden në situata të krahasueshme, përveç rasteve kur ekziston një justifikim objektiv dhe i arsyeshëm (Willis kundër Mbretërisë së Bashkuari, nr. 36042/97, § 48, CEDH 2002‑IV ; Okpisz kundër Gjermanisë, nr. 59140/00, § 33, 25 tetor 2005). Megjithatë, neni 14 nuk e ndalon një shtet anëtar të trajtojë grupe të ndryshme në mënyrë të diferencuar për të korrigjuar « pabarazitë faktike » që ekzistojnë mes tyre ; kështu, në disa rrethana, është pikërisht mungesa e një trajtimi të diferencuar për të korrrigjuar një pabarazi, e cila mund të sjellë shkelje të dispozitës në fjalë, nëse nuk ekziston asnjë justifikim objektiv dhe i drejtë (Çështja «në lidhje me disa aspekte të regjimit gjuhësor të mësimdhënies në Belgjikë » kundër Belgjikës (themeli), 23 korrik 1968, f. 34, § 10, seria A nr. 6 ; Thlimmenos kundër Greqisë [GC], nr. 34369/97, § 44, CEDH 2000-IV ; Stec dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 65731/01, § 51, CEDH 2006‑VI). Gjykata ka pranuar gjithashtu se mund të konsiderohej si diskriminuese një politikë ose një masë e përgjithshme që kishte pasoja të dëmshme e të ndryshme për një grup personash, edhe pse ajo nuk synonte pikërisht këtë grup (Hugh Jordan, lartpërmendur, § 154 ; Hoogendijk, vendim i lartpërmendur). Po ashtu, një diskriminim në kundërshtim me Konventën mund të rridhte nga një situatë fakti (Zarb Adami, lartpërmendur, § 76).
176. Diskriminimi i bazuar kryesisht në origjinën etnike të një personi përbën një formë diskriminimi racial. Bëhet fjalë për një diskriminim veçanërisht të dënueshëm, i cili, nëse marrim parasysh pasojat e rrezikshme, kërkon një kujdesje të veçantë dhe një reagim të fortë nga ana e autoriteteve. Për këtë arsye, ato kanë detyrimin të përdorin të gjitha mjetet që disponojnë për të luftuar racizmin, duke përforcuar në këtë mënyrë konceptin që demokracia ka për shoqërinë, duke e parë diversitetin jo si kërcënim, por si një pasuri (Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, § 145 ; Timichev, lartpërmendur, § 56). Nga ana tjetër, Gjykata mendon se në shoqërinë e sotme demokratike, e cila bazohet në parimin e pluralizmit dhe të respektit të kulturave të ndryshme, asnjë trajtim i diferencuar që bazohet ekskluzivisht ose në pjesën më të madhe tek origjina etnike e një personi, nuk do të mund të justifikohej objektivisht (Timichev, lartpërmendur, § 58).
177. Në lidhje me barrën e provës në këtë fushë, Gjykata ka vendosur se kur një kërkues ka provuar ekzistencën e një trajtimi të diferencuar, i takon Qeverisë të provojë që ky trajtim i diferencuar ishte i justifikuar (shih, për shembull, Chassagnou dhe të tjerë kundër Francës [GC], nr. 25088/94, 28331/95 dhe 28443/95, §§ 91-92, CEDH 1999‑III ; Timichev, lartpërmendur, § 57).
178. Përsa i përket elementeve që mund të përbëjnë fillimin e kësaj prove dhe si pasojë transferimin e barrës së provës tek shteti i paditur, Gjykata është shprehur (Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, § 147) se në kuadrin e procedurës së nisur në të, nuk ekzistonte asnjë pengesë procedurale për pranueshmërinë e elementeve të provës dhe as për formulat e paracaktuara për vlerësimin e tyre. Në fakt, Gjykata nxjerr përfundime të cilat, sipas mendimit të saj, mbështeten në një vlerësim të pavarur të gjithë elementeve të provës, përfshirë dhe konkluzionet që mund të nxirren nga faktet dhe vëzhgimet e palëve. Sipas jursiprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, prova mund të rezultojë nga një seri treguesish apo prezumimesh të parefuzuara, mjaft të rëndësishme, të sakta dhe që përputhen. Përveç kësaj, shkalla e nevojshme e bindjes për të dalë në një përfundim të veçantë, si dhe ndarja e barrës së provës janë të lidhura ngushtë me specifikën e fakteve, natyrën e ankimimit të formuluar dhe me të drejtën konvencionale në fjalë.
179. Përveç kësaj, Gjykata ka pranuar se procedura e parashikuar nga Konventa nuk përshtatet gjithmonë për një zbatim të përpiktë të parimit affirmanti incumbit probatio – prova i takon atij që e pohon (Aktaş kundër Turqisë, nr. 24351/94, § 272, CEDH 2003‑V). Në fakt, në disa rrethana, kur tërësia e ngjarjeve në fjalë ose një pjesë e mirë e tyre, njihen vetëm nga autoritetet, sipas Gjykatës, barra e provës i takon autoriteteve, të cilat duhet të japin një shpjegim të kënaqshëm dhe bindës (Salman kundër Turqisë [GC], nr. 21986/93, § 100, CEDH 2000-VII ; Anguelova kundër Bullgarisë, nr. 38361/97, § 111, CEDH 2002‑IV). Në çështjen Natchova dhe të tjerë (lartpërmendur, § 157), duke e gjykuar këtë mënyrë të vepruari si të vështirë për t’u zbatuar në çështjen ku ankimohej se një akt dhune ishte shkaktuar nga paragjykimet raciale, Gjykata nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ftojë, si dhe në raste të tjera të diskriminimit të ankimuar, qeverinë e paditur të hedhë poshtë një ankesë diskriminimi. Në lidhje me këtë pikë, ajo ka vëzhguar se në sistemet juridike të shumë vendeve, prova e pasojës diskriminuese të një politike, vendimi apo një praktike e përjashton provën e qëllimit diskriminues në rastet kur bëhet fjalë për një diskriminim të ankimuar në fushën e punësimit dhe të furnizimit të shërbimeve.
180. Në lidhje me çështjen nëse të dhënat statistikore mund të konsiderohen si një mjet prove, Gjykata ka deklaruar se në të kaluarën, vetë statistikat nuk ishin aq të mjaftueshme sa të provonin që një praktikë mund të konsiderohej si diskriminuese (Hugh Jordan, lartpërmendur, § 154). Megjithatë, në çështjet e diskriminimit të kohëve të fundit, ku kërkuesit ankimoheshin se diskriminimi i kundërshtuar vinte nga një pasojë e diferencuar e një mase të përgjithshme ose një situate fakti (Hoogendijk, vendim i lartpërmendur ; Zarb Adami, lartpërmendur, §§ 77-78), Gjykata është mbështetur gjerësisht në statistikat e paraqitura nga palët për të përcaktuar ekzistencën e një trajtimi të diferencuar mes dy grupeve (në këtë rast mes burrave dhe grave) që gjendeshin në një situatë të ngjashme.
Në këtë mënyrë, në vendimin e lartpërmendur Hoogendijk, Gjykata ka pohuar se « në ato raste kur kërkuesi mund të përcaktojë, në bazë të statistikave zyrtare të pakundërshtueshme, ekzistencën e fillimit të provës që tregon se një masë – ndonëse e hartuar në mënyrë të paanshme – prek një përqindje shumë më të lartë të grave sesa të burrave, atëherë i takon qeverisë së paditur të vërtetojë që kjo është rezultat i faktorëve objektivë që nuk lidhen me diskriminimin gjinor. Nëse barra për të provuar se një masë që shkakton një pasojë të diferencuar tek gratë dhe burrat nuk është diskriminuese dhe nuk transferohet tek qeveria e paditur, atëherë në praktikë do të jetë shumë e vështirë për kërkuesit të provojnë diskriminin jo të drejtpërdrejtë ».
181. Së fundi, nga jurisprudenca e Gjykatës del që dobësia e Romëve/Ciganëve kërkon një vëmendje të veçantë ndaj nevojave dhe mënyrës së tyre të jetesës si në kuadrin rregullues, ashtu dhe në marrjen e vendimeve për rastet e veçanta (Chapman kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27238/95, § 96, CEDH 2001‑I ; Connors kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 66746/01, § 84, 27 maj 2004).
Në çështjen e lartpërmendur Chapman (§§ 93-94), Gjykata është shprehur gjithashtu se po arrihet një konsensus ndërkombëtar nga shtetet kontraktuese të Këshillit të Europës për të njohur nevojat e veçanta të minoriteteve dhe detyrimin për të mbrojtur sigurinë, identitetin dhe mënyrën e tyre të jetesës. Kjo nuk do të bëhet vetëm me qëllimin për të mbrojtur interesat e vetë minoriteteve, por gjithashtu për të ruajtur diversitetin kulturor që është i dobishëm për gjithë shoqërinë.
2. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në këtë çështje
182. Gjykata thekson se për shkak të peripecive dhe zhvendosjes së tyre të vazhdueshme, Romët përbëjnë një minoritet të pafavorizuar dhe të dobët, i cili ka një karakter të veçantë (shih gjithashtu vëzhgimet e përgjithshme të Rekomandimit nr. 1203 (1993) të Asamblesë parlamentare në lidhje me Ciganët ne Europë, paragrafi 56 më sipër, dhe pikën 4 të Rekomandimit të saj nr. 1557 (2002) në lidhje me situatën juridike të Romëve në Europë, paragrafi 58 më sipër). Në këtë mënyrë, ata kanë nevojë për një mbrojtje të veçantë, ashtu siç e ka konstatuar Gjykata në jurisprudencën e saj të mëparshme (paragrafi 181 më sipër). Ashtu siç dëshmojnë aktivitetet e shumë organizmave europianë dhe ndërkombëtarë, ku bëjnë pjesë dhe rekomandimet e organeve të Këshillit të Europës (paragrafet 54-61 më sipër), kjo mbrojtje shtrihet gjithashtu edhe në fushën e arsimit. Kështu, kjo çështje meriton një vëmendje të veçantë, sidomos për faktin se në momentin e paraqitjes së ankimimit në Gjykatë, kërkuesit ishin fëmijë të mitur dhe e drejta e arsimimit kishte për ta një rëndësi thelbësore.
183. Në këtë rast, kërkuesit nuk ankimojnë faktin që gjendeshin në një situtatë të ndryshme nga ajo e fëmijëve jo romë, e cila do të kërkonte një trajtim të diferencuar, dhe nuk kritikojnë shtetin e paditur për mosmarrjen e masave pozitive për të korrigjuar pabarazitë ose diferencat faktore (Thlimmenos, lartpërmendur, § 44 ; Stec dhe të tjerë, lartpërmendur, § 51). Ata mbështesin idenë se ajo që duhet të provohet është fakti që ata kanë pësuar, pa asnjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, një trajtim më pak të favorshëm nga ai që u rezervohet jo Romëve në një situatë të krahasueshme, dhe se kjo situatë tregon për një diskriminim jo të drejtpërdrejtë.
184. Në të kaluarën, Gjykata ka pranuar se një trajtim i diferencuar mund të konsistojë në një pasojë të dëmshme të pabarabartë të shkaktuar nga një politikë ose një mase, që megjithëse është hartuar në mënyrë të paanshme, sjell pasoja diskriminuese për një grup (Hugh Jordan, lartpërmendur, § 154 ; Hoogendijk, vendim i lartpërmendur). Në përputhje, për shembull me direktivat 97/80/CE dhe 2000/43/CE të Këshillit, (paragrafet 82-84 më sipër), si dhe me përkufizimin e dhënë nga ECRI (paragrafi 60 më sipër), një situatë e tillë analizohet si një « diskriminim jo i drejtpërdrejtë », i cili nuk kërkon domosdoshmërisht që të provohet qëllimi diskriminues.
a) Mbi ekzistencën e një prezumimi për diskriminim jo të drejtpërdrejtë në rastin e dhënë
185. Palët bien dakort në pikën se trajtimi i diferencuar kundërshtues nuk vinte nga hartimi i dispozitave ligjore që ishin në fuqi në kohën e fakteve në lidhje me dërgimin e fëmijëve në shkollat e veçanta. Në këtë mënyrë, çështja që shtrohet është nëse zbatimi i këtij ligji në praktikë ka shkaktuar një numër të pabarabartë orientimesh të pajustifikuara të fëmijëve romë – ku bëjnë pjesë dhe kërkuesit – drejt shkollave të veçanta, dhe nëse këta fëmijë janë gjendur në një situatë krejtësisht të dëmshme.
186. Siç përmendet më sipër, Gjykata i ka pranuar tashmë vështirësitë me të cilat mund të përballen kërkuesit për të provuar ekzistencën e një trajtimi diskriminues (Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, §§ 147 et 157). Për t’u garantuar personave në fjalë një mbrojtje efektive të të drejtave të tyre, vendosen rregulla më pak të rrepta në rastet e ankimimit për diskriminim jo të drejtpërdrejtë.
187. Në lidhje me këtë pikë, Gjykata rikujton se direktivat 97/80/CE dhe 2000/43/CE të Këshillit, parashikojnë se personat që e konsiderojnë veten viktima të mosrespektimit të parimit të trajtimit të barabartë, mund të paraqesin në instancat kombëtare, me ndihmën e të gjitha mjeteve, përfshirë dhe të dhënat statistikore, një prezumim të thjeshtë diskriminimi (paragrafët 82-83 më sipër). Jurisprudenca e kohëve të fundit e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (paragrafet 88-89 më sipër) tregon që ky juridiksion u mundëson paditësve të bazohen në statistika, të cilat duhet të merren në konsideratë nga gjykatat kur janë të vlefshme dhe kuptimplota.
Dhoma e Madhe merr gjithashtu në konsideratë informacionet e paraqitura nga palët ndërhyrëse, sipas të cilave, gjykatat e shumë vendeve, si dhe organet e kontrollit të traktateve të Kombeve të Bashkuara i pranojnë zakonisht statistikat si mjete prove të një diskriminimi jo të drejtpërdrejtë me qëllim që të lehtësojë punën e viktimave që synojnë të vërtetojnë fillimin e provës.
Nga ana tjetër, Gjykata ka pranuar rëndësinë e statistikave zyrtare në çështjet e lartpërmendura Hoogendijk dhe Zarb Adami, dhe është treguar e vendosur që të pranojë dhe të vlerësojë elementet e provës me natyra të ndryshme (Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, § 147).
188. Në këto kushte, Gjykata mendon se kur duhet vlerësuar pasoja që kanë masat ose praktikat tek një individ ose një grup njerëzish, statistikat do të mjaftonin për t’i konsideruar si fillimin e provës së paraqitur nga kërkuesi nëse, pas një shqyrtimi kritik në Gjykatë, ato rezultojnë si të besueshme dhe kuptimplota. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që prodhimi i statistikave të jetë i domosdoshëm për të provuar diskriminimin jo të drejtpërdrejtë.
189. Nëse një prezumim i kundërshtueshëm diskriminimi mbi pasojën e një mase apo të një praktike vendoset nga kërkuesi që ankimon një diskriminim jo të drejtpërdrejtë, i takon shtetit të paditur të refuzojë këtë prezumim duke treguar që diferenca në fjalë nuk është diskriminuese (shih, mutatis mutandis, Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, § 157). Në fakt, për shkak të specifikës së fakteve dhe natyrës së ankimimeve të formuluara në këtë lloj çështjesh (po aty, § 147), do të jetë mjaft e vështirë për të interesuarit që të provojnë në praktikë një diskriminim jo të drejtpërdrejtë pa një transferim të tillë të barrës së provës.
190. Në këtë rast, të dhënat statistikore të paraqitura nga kërkuesit janë marrë nga pyetësorë të vitit 1999 që janë plotësuar nga drejtorët e shkollave të veçanta dhe fillore të qytetit të Ostravas. Ato tregojë se në atë kohë, 56 % e të gjithë nxënësve të dërguar në shkollat e veçanta të Ostravas ishin romë ; nga ana tjetër, Romët përfaqsonin vetëm 2,26 % të numrit total të nxënësve që ndiqnin shkollat fillore të Ostravas. Për më tepër, ndërkohë që vetëm 1,8 % e nxnësve jo romë ishin shkolluar në shkollat e veçanta, përqindja e të gjithë Romëve të Ostravas të orientuar drejt këtyre shkollave shkonte deri në 50,3 %. Sipas Qeversië, këto shifra nuk janë shumë bindëse sepse pasqyrojnë vetëm opinionet subjektive të drejtorëve të shkollave. Nga ana e saj, Qeveria shprehet se nuk ekziston asnjë informacion zyrtar në lidhje me origjinën etnike të nxënësve dhe se rajoni i Ostravas është një nga rajonet me numrin më të madh të qytetarëve romë.
191. Dhoma e Madhe vëren se këto të dhëna nuk kundërshtohen nga Qeveria, e cila, nuk ka paraqitur statistika të tjera nga ana e saj. Duke marrë në konsideratë argumentin e Qeverisë sipas të cilit nuk ekzistojnë informacione zyrtare në lidhje me origjinën etnike të nxënësve, Gjykata pranon se statistikat e paraqitura nga kërkuesit mund të mos jenë krejtësisht të besueshme. Megjithatë, këto shifra tregojnë për Gjykatën një tendencë mbizotëruese që konfirmohet si nga shteti i paditur, ashtu dhe nga organet e kontrollit që janë marrë me këtë çështje.
192. Në fakt, në raportet që kanë paraqitur në përputhje me nenin 25 § 1 të Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare, autoritetet çeke kanë pranuar në vitin 1999 se disa shkolla të veçanta numëronin nga 80 % deri në 90 % të fëmijëve romë (paragrafi 66 më sipër) dhe se në vitin 2004, një « numër i madh » fëmijësh romë vazhdonin të orientoheshin drejt shkollave të veçanta (paragrafi 67 më sipër). Komiteti këshillimor i kësaj Konvente kuadër thekson më pas në raportin e datës 26 tetor 2005 se sipas vlerësimeve jo zyrtare, Romët përfaqsonin deri në 70 % të nxënësve të rregjistruar në shkollat e veçanta. Sipas raportit të ECRI, botuar në vitin 2000, « një numër tejet i madh » i fëmijëve romë ndiqnin shkollat e veçanta. Nga ana e tij, komiteti për eleminimin e diskriminimit racial vëzhgon në përfundimet e datës 30 mars 1998 se një numër « shumë i madh » i fëmijëve romë dërgoheshin në shkollat e veçanta (paragrafi 99 më sipër). Së fundi, sipas të dhënave të mbledhura nga Observatori evropian për fenomenet e racizmit dhe ksenofobisë, më shumë se gjysma e fëmijëve romë në Republikën e Çekisë frekuentonin shkollat e veçanta.
193. Sipas Gjykatës, nga të dhënat e fundit që nuk i përkasin vetëm rajonit të Ostravas, por japin një panoramë më të gjerë, rezulton se ndonëse përqindja e saktë e fëmijëve romë që dërgoheshin në kohën e fakteve në shkollat e veçanta mbetet e vështirë për t’u përcaktuar, numri i tyre ishte jashtë mase i lartë. Për më tepër, shkollat e veçanta numëronin në pjesën më të madhe të tyre fëmijë romë. Megjithë paanësinë e tyre, dispozitat e duhura ligjore kanë pasur de facto pasoja shumë më të rëndësishme tek fëmijët romë sesa tek fëmijët e tjerë, duke çuar në një shkollim statistikisht të lartë të këtyre fëmijëve në institucionet e veçanta.
194. Dhoma e Madhe mendon se kur tregohet një pasojë e tillë diskriminuese që shkaktohet nga një legjislacion, nuk është e nevojshme të provohet, në fushën e arsimit, ashtu si dhe në fushat e furnizimit të shërbimeve ose të punësimit (shih, mutatis mutandis, Natchova dhe të tjerë, lartpërmedur, § 157), se autoritetet në fjalë kishin një qëllim diskriminues (paragrafi 184 më sipër).
195. Në këto kushte, elementet e provës të paraqitura nga kërkuesit mund të konsiderohen si mjaft të besueshme dhe domethënëse për ekzistencën e një prezumimi të fortë të diskriminimit jo të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë, barra e provës duhet transferuar te Qeveria, e cila duhet të provojë se kjo pasojë e diferencuar që shkaktohet nga legjislacioni, është rezultati i faktorëve objektivë që nuk kanë asnjë lidhje me origjinën etnike.
b) Mbi ekzistencën e një justifikimi objektiv dhe të arsyeshëm
196. Gjykata rikujton se një dallim konsiderohet si diskriminues nëse « mungon një justifikim objektiv dhe i arsyeshëm », pra, nëse nuk ndjek një « qëllim të ligjshëm » ose nëse nuk ekziston një « raport i arsyeshëm proporcionaliteti » mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar (shih ndër të tjera, Larkos kundër Qipros [GC], nr. 29515/95, § 29, CEDH 1999‑I ; Stec dhe të tjerë, lartpërmendur, § 51). Në rastin e trajtimit të diferencuar që bazohet te raca, ngjyra ose origjina etnike, nocioni i justifikimit objektiv dhe të arsyeshëm duhet të interpretohet në mënyrën më strikte të mundshme.
197. Në këtë rast, Qeveria përpiqet të shpjegojë trajtimin e diferencuar mes fëmijëve romë dhe fëmijëve jo romë duke nxjerrë si shkak nevojën për të përshtatur procesin e arsimimit me aftësitë e fëmijëve që kanë nevoja të veçanta. Sipas saj, kërkuesit janë dërguar në shkollat e veçanta për shkak të nevojave të tyre arsimore specifike, të bazuara kryesisht në aftësitë e tyre intelektuale, niveli i të cilave është përcaktuar me ndihmën e testeve psikologjike që kryhen nga qendrat e këshillimit psikopedagogjik. Pasi këto qendra kanë hartuar rekoamndimet e tyre në lidhje me llojin e shkollës ku duhet të orientoheshin kërkuesit, vendimi përfundimar i takonte prindërve të këtyre të fundit, të cilët, në këtë rast, kanë dhënë miratimin e tyre për rregjistrimin në një shkollë të veçantë. Në këtë mënyrë, nuk do të mund të mbështesim idenë se shkollimi i të interesuarve në këto institucione ishte motivuar nga origjina e tyre etnike.
Nga ana tjetër, kërkuesit kundërshtojnë me vendosmëri faktin se numri tepër i lartë i fëmijëve romë që dërgoheshin në shkollat e veçanta, të mund të shpjegohet nga rezultatet e testeve mbi aftësitë intelektuale apo të justifikohet nga miratimi i prindërve.
198. Gjykata pranon faktin se duke mbajtur sistemin e shkollave të veçanta, shteti i paditur ka vepruar me vullnetin e mirë për të gjetur një zgjidhje për fëmijët që kanë nevoja arsimore të veçanta. Megjithatë, ajo ndan të njëjtat mendime me organet e tjera të Këshillit të Europës, të cilat kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me nivelin e ulët të programit që zbatohet nga këto shkolla, si dhe veçanërisht me segregacionin e shkaktuar nga ky sistem.
199. Më pas, Dhoma e Madhe vëren se çështja e testeve të përdorura për të vlerësuar aftësitë apo vështirësitë e të nxënit të fëmijëve ka shkaktuar polemika dhe vazhdon të jetë objekt i debateve dhe kërkimeve shkencore. Në këto rrethana, duke pranuar se nuk i takon asaj që të shprehet mbi këtë çështje, ajo konstaton gjithësesi ekzistencën e shumë elementeve që i mundësojnë të dalë në përfundimin se rezultatet e testeve – ashtu siç janë kryer në kohën e fakteve -, nuk mund të përbëjnë një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm në lidhje me nenin 14 të Konventës.
200. Si fillim, palët nuk kundërshtojnë faktin që të gjithë fëmijët e testuar, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, kanë kryer të njëjtat teste. Vetë autoritetet çeke kanë pranuar në vitin 1999 se « fëmijët romë me nivel inteligjence mesatare apo më të lartë se mesatarja », shpesh herë dërgoheshin në shkollat e veçanta pas kryerjes së testeve psikologjike dhe, se këto teste ishin hartuar për shumicën e popullsisë dhe nuk merrnin parasysh të veçantat e Romëve (paragrafi 66 më sipër). Më pas, ky fakt u bë shkak për rishikimin e këtyre testeve dhe të metodologjisë që lidhet me to, në mënyrë që të shmanget « përdorimi abuziv i tyre në dëm të fëmijëve romë » (paragrafi 72 më sipër).
Përveç kësaj, shumë organizma të pavarur kanë shprehur dyshime në lidhje me karakterin e përshtatshëm të këtyre testeve. Kështu, komiteti këshillimor i Konventës kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare, ka vëzhguar se fëmijët që nuk vuanin nga ndonjë handikap mendor dërgoheshin ndonjëherë në shkollat e veçanta « për shkak të diversitetit gjuhësor ose kulturor real apo të supozuar në raport me shumicën e nxënësve ». Në këtë kontekst, ai ka theksuar gjithashtu nevojën për t’u siguruar se testet e kryera janë « metodike, objektive dhe të thelluara » (paragrafi 68 më sipër). Nga ana e tij, ECRI ka theksuar se orientimi i fëmijëve romë drejt institucioneve të veçanta të caktuara për fëmijët që vuajnë nga vonesa mendore, shpesh herë kryhej « pothujase automatikisht », dhe ky fakt kërkonte verifikimin që testet e përdorura ishin « të drejta » dhe që aftësitë e vërteta të çdo fëmije ishin « vlerësuar me korrektësi » (paragrafet 63-64 më sipër). Sipas Komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, fëmijët romë shpesh herë dërgoheshin në klasat e fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, pa kryer « vlerësimin e duhur psikologjik ose pedagogjik dhe se kriteret e vërteta mbështeshin në origjinën e tyre etnike » (paragrafi 77 më sipër).
Së fundi, sipas opinionit të disa prej palëve ndërhyrëse, orientimi shkollor që kryhej pas rezultateve të arritura në testet psikologjike, pasqyronte paragjykimet raciale te shoqërisë në fjalë.
201. Megjithatë, për Gjykatën ekziston rreziku që këto teste të përmbajnë paragjykime dhe rezultatet e tyre të mos lexohen në dritën e veçorive dhe karakteristikave specifike të fëmijëve romë që i pësojnë ato. Në këto kushte, këto teste nuk do të mund të shërbenin si justifikim për trajtimin e diferencuar të kundërshtuar.
202. Në lidhje me miratimin e prindërve, Gjykata thekson se sipas Qeverisë, ai përbënte elementin vendimtar, pa të cilin nuk do të kryhej dërgimi i kërkuesve në shkollat e veçanta. Meqënëse në këtë rast është vërtetuar ekzistenca e një trajtimi të diferencuar, ky miratim do të nënkuptonte pranimin e kësaj diference, edhe pse diskriminuese, që do të thotë të hiqet dorë nga e drejta për të mos u diskriminuar. Megjithatë, jurisprudenca e Gjykatës kërkon që heqja e dorë nga një e drejtë e garantuar nga Konventa – përderisa ajo është e ligjshme – duhet të përcaktohet në mënyrë jo të dyshimtë, të ketë lidhje me çështjen në fjalë, pra të kryhet mbi bazën e një miratimi të qartë (Pfeifer dhe Plankl kundër Austrisë, 25 shkurt 1992, §§ 37-38, seria A nr. 227) dhe jo të detyrueshëm (Deweer kundër Belgjikës, 27 shkurt 1980, § 51, seria A nr. 35).
203. Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata nuk është e bindur që prindërit e fëmijëve romë, si anëtarë të një komuniteti të pafavorizuar dhe shpesh herë të paarsimuar, të jenë të aftë të vlerësojnë të gjitha aspektet e situatës dhe pasojat e miratimit të tyre. Vetë Qeveria ka pranuar se në këtë rast, miratimi merrte formën e një nënshkrimi në një formular të paraplotësuar, i cili nuk përmbante informacione në lidhje me zgjedhje të tjera të mundshme apo me ndryshimet që ekzistojnë mes programit të shkollave të veçanta dhe atij të shkollave të tjera. Po ashtu, nuk duket që autoritetet e vendit të kenë marrë masa shtesë me qëllim që të sigurohen se këta prindër janë informuar ashtu siç duhet për të bërë një zgjedhje të qartë dhe se kanë qenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kishte ky miratim mbi të ardhmen e fëmijëve të tyre. Përveç kësaj, duket e pakundërshtueshme që në këtë rast prindërit romë gjendeshin përballë një dileme : ata duhej të zgjidhnin mes strukturave të arsimit të përgjithshëm që nuk dispononte mjete për të marrë në konsideratë diversitetin social dhe kulturor të fëmijëve të tyre dhe këta të fundit rrezikonin të gjendeshin të izoluar dhe të prekur nga ostrakizmi, dhe me strukturat e arsimit të veçantë ku pjesa më e madhe e nxënësve ishin romë.
204. Duke rikujtuar rëndësinë themelore të ndalimit të diskriminimit racial (Natchova dhe të tjerë, lartpërmendur, § 145 ; Timichev, lartpërmendur, § 56), Dhoma e Madhe mendon se edhe nëse supozohet që kushtet e shprehura në paragrafin 202 janë plotësuar, nuk do të mund të pranohej mundësia për të hequr dorë nga e drejta për të mos qenë objekt i një diskriminimi të tillë. Në fakt, heqja dorë nga kjo e drejtë do të binte ndesh me një interes publik të rëndësishëm (shih, mutatis mutandis, Hermi kundër Italisë [GC], nr. 18114/02, § 73, CEDH 2006‑XII).
c) Përfundim
205. Ashtu siç rezulton nga punimet e ECRI, si dhe nga raporti i Komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, ekzistojnë vështirësi në lidhje me shkollimin e fëmijëve romë jo vetëm në Republikën e Çekisë, por dhe në vende të tjera europiane. Gjykata vëren me kënaqësi se në ndryshim nga disa vende, Republika Çeke ka zgjedhur të përballet me këtë problem. Ajo pranon se shteti i paditur, në përpjekjet për integrimin social dhe pedagogjik të një grupi të pafavorizuar që përfaqsojnë Romët, has vështirësi të shumta që lidhen veçanërisht me specifikat kulturore të këtij minoriteti dhe me një lloj armiqësie të prindërve të fëmijëve jo romë. Ashtu siç e ka konstatuar dhoma në vendimin mbi pranueshmërinë e kësaj kërkese, zgjedhja mes shkollave të përbashkëta për të gjithë, strukturave të specializuara apo strukturave të integruara dhe seksioneve të specializuara përbën një ushtrim të vështirë për balancimin e interesave të ndryshme që përfshihen në këtë çështje. Në lidhje me përcaktimin dhe rregullimin e programeve të studimit, i cili është një problem i gjerë që lidhet me përshtatshmërinë, Gjykata nuk ka pse të shprehet (Valsamis kundër Greqisë, 18 dhjetor 1996, § 28, Përmbledhje e vendimeve 1996‑VI).
206. Megjithatë, sa herë që autoritetet kombëtare duhet të pranojnë një marzh vlerësimi që mund të cënojë respektimin e një të drejte të mbrojtur nga Konventa, duhen shqyrtuar garancitë procedurale që disponon individi për të përcaktuar nëse shteti i paditur nuk ka caktuar kuadrin rregullues duke tejkaluar kufijtë e pushtetit të tij të pakufizuar (Buckley kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 shtator 1996, § 76, Përmbledhje 1996‑IV ; Connors, lartpërmendur, § 83).
207. Mirëpo, nga faktet e këtij rasti del se procesi i shkollimit të fëmijëve romë nuk ka qenë i mbrojtur nga garanci (paragrafi 28 më sipër) që mundësojnë të sigurohet se gjatë ushtrimit të marzhit të vlerësimit në fushën e arsimit, shteti ka marrë në konsideratë nevojat e veçanta të këtyre fëmijëve që rrjedhin nga pozicioni i tyre i pafavorizuar (shih, mutatis mutandis, Buckley, lartpërmendur, § 76 ; Connors, lartpërmendur, § 84). Për më tepër, në përfundim të këtij procesi, të interesuarit u dërguan në shkolla për fëmijë që vuajnë nga handikape mendore, programi i të cilave kishte një nivel më të ulët se ai i shkollave të zakonshme, dhe në këto shkolla ata ishin të izoluar nga pjesa më e madhe e popullsisë. Si pasojë, arsimimi i tyre në shkollat e veçanta i ka theksuar vështirësitë e tyre dhe ka dëmtuar zhvillimin e tyre të mëtejshëm, në vend që të luftonte me problemet e tyre të vërteta, t’i ndihmonte ata të integroheshin më vonë në shkollat e zakonshme dhe të zhvillonin aftësitë që do t’ua bënin jetën më të lehtë në gjirin e popullsisë së gjerë. Vetë Qeveria e ka pranuar heshturazi se mundësitë e nxënësve që kanë frekuentuar shkollat e veçanta për të gjetur punë ishin më të kufizuara.
208. Në këto kushte, Gjykata, megjithëse ka njohur përpjekjet e bëra nga autoritetet çeke me qëllim shkollimin e fëmijëve romë, nuk është e bindur që trajtimi i diferencuar mes fëmijëve romë dhe fëmijëve jo romë të jetë mbështetur në një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm dhe se ka ekzistuar një raport i arsyeshëm proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. Në lidhje me këtë pikë, ajo vëren me interes se ligji i ri i ka eleminuar shkollat e veçanta dhe përmban dispozita për arsimimin në shkollat e zakonshme të fëmijëve me nevoja arsimore të veçanta, ku përfshihen dhe fëmijët e pafavorizuar nga ana sociale.
209. Së fundi, Gjykata mendon se që nga momenti kur është provuar se zbatimi i legjislacionit të duhur shkaktonte në kohën e fakteve pasoja të dëmshme për komunitetin rom, kërkuesit si anëtarë të këtij komuniteti, kanë pësuar detyrimisht të njëjtin trajtim diskriminues. Ky përfundim e përjashton Gjykatën nga detyrimi për të shqyrtuar rastet e tyre individualisht.
210. Si pasojë, në këtë rast ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1 për secilin nga kërkuesit.
IV. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
211. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata deklaron shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendëshme e Palës së Lartë kontraktuese mundëson vetëm një mënjanim të pjesshëm të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar, një shpërblim të drejtë. »
A. Dëmi
212. Kërkuesit nuk kërkojnë asnjë dëm material.
213. Secili prej tyre kërkon 22 000 euro (EURO) (ose një total prej 396 000 EURO) për dëmin moral që ata kanë pësuar, sidomos për dëmin në planin arsimor, psikologjik dhe afektiv, si dhe për atë që shkaktohet nga ndjenja e ankthit, e padrejtësisë dhe e turpit që kanë provuar si pasojë e diskriminimit për shkak të dërgimit në shkollat e veçanta. Ata theksojnë se po vazhdojnë të vuajnë pasoja serioze të kësaj shkeljeje në të gjitha aspektet e jetës së tyre.
214. Përveç kësaj, duke iu referuar vendimeve Broniowski kundër Polonisë ([GC], nr. 31443/96, § 189, CEDH 2004‑V) dhe Hutten-Czapska kundër Polonisë ([GC], nr. 35014/97, §§ 235-237, CEDH 2006‑VIII), kërkuesit mendojnë se shkelja e të drejtave të tyre « nuk është shkaktuar nga një incident i veçuar, as nga rrjedha e veçantë që kanë marrë ngjarjet në [rastin e tyre, por] rezulton [më shumë] nga një qëndrim administrativ dhe rregullues nga ana e autoriteteve kundrejt një kategorie të caktuar qytetarësh ». Në këtë mënyrë, sipas tyre, duhen miratuar masa të përgjithshme në nivelin kombëtar për të eleminuar të gjitha pengesat që dalin në ushtrimin e të drejtave të tyre nga persona të shumtë që preken nga kjo situatë, ose për t’iu ofruar atyre përmirësimin e duhur.
215. Nga ana e saj, Qeveria thekson se në lidhje me dëmin e pësuar në planin psikologjik dhe arsimor, ky i fundit lidhet me ankesat e bazuara në nenin 3 të Konventës dhe në nenin 2 të Protokollit nr. 1 marrë veçmas, të cilët janë deklaruar si të papranueshëm me vendimin e Gjykatës më 1 mars 2005. Sipas saj, nuk ka asnjë lidhje shkakësie mes shkeljes së mundshme të Konventës dhe dëmit moral të ankimuar. Përveç kësaj, Qeveria mendon se shuma e kërkuar nga kërkuesit është e tepërt dhe se konstatimi i një shkeljeje do të përbënte në këtë rast një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
216. Së pari, Gjykata rikujton se sipas nenit 46 të Konventës, Palët e Larta kontraktuese angazhohen të pajtohen me vendimet e formës së prerë dhënë nga Gjykata në mosmarrëveshjet ku ato kanë qenë palë. Komiteti i Ministrave ishte ngarkuar për të vëzhguar zbatimin e këtyre vendimeve. Kështu, kur Gjykata konstaton një shkelje, shteti i paditur ka detyrimin juridik jo vetëm t’u derdhë të interesuarve shumat e dhëna si shpërblim i drejtë të parashikuara nga neni 41, por gjithashtu të zgjedhin, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose individuale që duhen integruar në rendin juridik të brendshëm me qëllim që të eleminohet shkelja e konstatuar nga Gjykata dhe të fshihen sa më shumë të jetë e mundur pasojat. Megjithatë, shteti i paditur është i lirë të zgjedhë mjetet për të përmbushur detyrimin e tij juridik në lidhje me nenin 46 të Konventës, nëse këto mjete janë në përputhje me përfundimet e shprehura në vendimin e Gjykatës (Broniowski, lartpërmendur, § 192 ; Čonka kundër Belgjikës, nr. 51564/99, § 89, CEDH 2002‑I). Në lidhje me këtë pikë, Gjykata thekson se legjislacioni i akuzuar në këtë rast është shfuqizuar dhe se Komiteti i Ministrave u ka drejtuar kohët e fundit shteteve anëtare rekomandime mbi arsimimin e fëmijëve romë/ciganë në Europë (paragrafet 54-55 më sipër). Si pasojë, ajo nuk e mendon si të përshtatshme rezervimin e çështjes.
217. Më pas, Gjykata tregon se nuk do të mund të spekulojë mbi përfundimin që do të kishte pasur situata e denoncuar nëse kërkuesit nuk do të ishin dërguar në shkollat e veçanta. Megjithatë, ata kanë vuajtur një dëm moral – për shkak të turpit dhe të padrejtësisë së shkaktuar nga diskriminimi, viktima të të cilit janë vetë ata – i cili nuk rregullohet me konstatimin e shkeljes së Konventës. Megjithatë, ajo i gjykon si të tepruara shumat e kërkuara nga kërkuesit. Duke vendosur me drejtësi, ajo e vlerëson dëmin moral që ka pësuar secili nga të interesuarit me shumën 4 000 EURO.
B. Shpenzime dhe pagesa
218. Kërkuesit nuk e kanë modifikuar kërkesën e tyre fillestare paraqitur para dhomës. Shpenzimet dhe pagesat e kërkuara nuk përfshijnë ato që janë kryer për procedurën në Dhomën e Madhe.
Gjykata thekson se shuma e kërkuar në kërkesën e nënshkruar nga të gjithë përfaqsuesit e kërkuesve kap totalin e 10 737 EURO, 2 550 EURO prej të cilave (ose 1 750 paund (GBP)) janë për honoraret e faturuara nga Lord Lester of Herne Hill QC, dhe 8 187 EURO për shpenzimet e paraqitura nga Av. D. Strupek për procedurat kombëtare dhe ato të dhomës. Megjithatë, në faturën e dërguar prej tij, që i bashkangjitet kësaj kërkese, Lord Lester i vlerëson honoraret e tij me 11 750 GBP (rreth 17 000 EURO), 1 750 GBP prej të cilave shkojnë për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), për 45 orë punë juridike. Nga ana tjetër, përfaqsuesit e tjerë të kërkuesve, Z. J. Goldston dhe Qendra europiane për të drejtat e Romëve, nuk kërkojnë rimbursimin për shpenzimet e tyre.
219. Qeveria tregon se përveç një liste të detajuar me shërbimet juridike të siguruara nga ajo, Av. D. Strupek nuk ka paraqitur asnjë faturë që provon se shpenzimet dhe pagesat e ankimuara janë paguar realisht nga kërkuesit. Ai nuk bën asnjë koment në lidhje me mospërputhjen mes kërkesës për shpërblim të drejtë, ashtu siç është hartuar nga kërkuesit, dhe faturës së paraqitur nga Lord Lester. Qeveria rikujton gjithashtu se vetëm një pjesë e kërkesës është deklaruar e pranueshme dhe ka vazhduar të jetë objekt shqyrtimi në Gjykatë. Në këtë mënyrë, Qeveria mendon se kërkuesve duhet t’u jepet vetëm një pjesë e arsyeshme e shpenzimeve dhe pagesave të kërkuara, pra një shumë që nuk i kalon 3 000 EURO.
220. Gjykata rikujton se shpenzimet e drejtësisë mbulohen vetëm nëse lidhen me shkeljen e konstatuar (Beyeler kundër Italisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 33202/96, § 27, 28 maj 2002), sipas rrethanave të parashikuara nga neni 14 i Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1. Ajo vëren se Lord Lester ka paraqitur një përmbledhje të shpenzimeve të tij profesionale, të cilat ia ka faturuar Qendrës europiane për të drejtat e Romëve, dhe se Av. D. Strupek ka paraqitur një përmbledhje të 172 orëve punë juridike, me tarifë 40 EURO për orë, plus 19% TVSH.
Duke u bazuar në gjithë faktorët e nevojshëm të çështjes dhe nenit 60 § 2 të rregullores, Gjykata u akordon bashkarisht të gjithë kërkuesve shumën prej 10 000 EURO për shpenzime dhe pagesa.
C. Interesa të vonuara
221. Gjykata e gjykon si të arsyeshme të llogarisë përqindjen e interesave të vonuara mbi bazën e kursit marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës qëndrore evropiane, përqindja e të cilit rritet me tri pikë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Rrëzon njëzëri përjashtimin paraprak të Qeverisë ;
2. Vendos, me trembëdhjetë vota pro dhe 4 kundër, për shkeljen e nenit 14 të Konventës, kombinuar me nenin 2 të Protokollit nr. 1 ;
3. Vendos, me trembëdhjetë vota pro dhe 4 kundër,
a) që shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve brenda tri muajve shumat e mëposhtme, si dhe çdo shumë që mund të duhet si tatim :
i. secilit prej kërkuesve shumën prej 4 000 EURO (katër mijë euro) si dëm moral, që duhet të konvertohen në korona çeke sipas kursit që zbatohet ditën e pagesës ;
ii. bashkarisht të gjithë kërkuesve shumën prej 10 000 EURO (dhjetë mijë euro) për shpenzime dhe pagesa, që duhet të konvertohen në korona çeke sipas kursit që zbatohet ditën e pagesës ;
b) se duke filluar nga data e skadimit të afatit dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës qëndrore evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë ;
4. Rrëzon njëzëri kërkesën për shpërblim të drejtë për pjesën e mbetur.
Hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, më pas shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 13 nëntor 2007.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
Zëvendës sekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkangjiten dhe opinionet e mëposhtme, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores :
- opinioni i pakicës i gjyqtarit Zupančič ;
- opinioni i pakicës i gjyqtarit Jungëiert ;
- opinioni i pakicës i gjyqtarit Borrego Borrego ;
- opinioni i pakicës i gjyqtarit Šikuta.
N.B.
M.O’B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. P. Evans (2004), Educating students with special needs: A comparison of inclusion practices in OECD countries, Education Canada 44 (1): 32-35.
Full & Egal Universal Law Academy