© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA ĐORĐEVIĆ k. KROACISË
(çështja nr. 41526/10)
VENDIM
STRASBURG
24 korrik 2012
PËRFUNDIMTAR
24/10/2012
Ky vendim bëhet përfundimtar në bazë të nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
.
Në çështjen Đorđević k. Kroacisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), me trup gjykues të përbërë nga:
Anatoly Kovler, Kryetar,
Nina Vajić,
Peer Lorenzen,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse, gjyqtar,
dhe Søren Nielsen, Sekretar i Seksionit,
pas shqyrtimit të çështjes me dyer të mbyllura më 3 korrik 2012,
merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar me kërkesën (nr. 41526/10) kundër Republikës së Kroacisë, të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga dy nënshtetas kroatë, Z. Dalibor Đorđević dhe Znj. Radmila Đorđević (“kërkuesit”), më 12 korrik 2010.
2. Kërkuesit, të cilët kishin marrë ndihmë ligjore falas, u përfaqësuan nga Znj. I. Bojić, avokate që ushtron profesionin e saj në Zagreb. (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjentja e saj, Znj. Š. Stažnik.
3. Më 10 shtator 2010, Kryetari i Seksionit të Parë vendosi të njoftonte Qeverinë për kërkesën. Po ashtu u vendos që Gjykata të shqyrtonte pranueshmërinë dhe themelin e çështjes në të njëjtën kohë (neni 29 § 1).
4. Kërkuesit dhe Qeveria parashtruan secili komentet lidhur me pranueshmërinë dhe me themelin e çështjes. Për më tepër, u morën komente të një pale të tretë nga Forumi Evropian për Aftësitë e Kufizuara, të cilit iu dha leje të ndërhynte në procedurë me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 3). Qeveria iu përgjigj këtyre komenteve (neni 44 § 6).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesit kanë lindur përkatësisht në vitin 1977 dhe 1956 në Zagreb dhe janë banorë të Zagrebit.
6. Kërkuesi i parë është person i zhveshur nga aftësia ligjore për shkak të problemeve mendore dhe fizike. Ai shkon në një punishte/workshop për të rriturit në Shkollën Fillore V.B. në Zagreb për dymbëdhjetë orë në javë. Për të kujdeset e ëma, kërkuesja e dytë. Dokumentacioni mjekësor, datë 16 qershor 2008 i dorëzuar lidhur me kërkuesin e parë e përshkruan shëndetin e tij si më poshtë:
“... në fëmijërinë e tij të hershme ka vuajtur nga meningjiti infektiv, i cili çoi në pasoja permanente dhe në epilepsi. Është i vonuar në zhvillimin e tij mendor dhe fizik dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një neurologu dhe psikiatri. Për shkak të hidrocefalisë, atij i është mbjellë një valvul Pudenz [një lloj instrumenti për devijimin e drejtimit të fluidit cerebrospinal]. ... shikimin e ka shumë keq ... dhe është i varur nga e ëma lidhur për ushqyerjen, veshjen, higjienën personale, dhe lëvizjen. Shtyllën kurrizore e ka të lëvizshme, por me dhimbje në pjesën fundore. ... vuan nga deformime të rënda të këmbëve, ... ka vështirësi në të ecur; të ecurit në majë të gishtave dhe me thembra nuk është i mundur. Mendërisht dhe emocionalisht është distant, ka frikë dhe ka fjalor të kufizuar. ...”
7. Kërkuesit jetojnë në katin e parë të një apartamenti në një ndërtesë në Špansko, në një pjesë të Zagrebit. Shkolla Fillore A.K. është afër shtëpisë së tyre.
8. Kërkuesit kanë qenë objekt ngacmimi në periudhën nga korriku 2008 deri në shkurt 2011. Ata pretendojnë që nxënësit nga Shkolla Fillore A.K., të gjithë të mitur, i ngacmonin shpesh, në veçanti kërkuesin e parë, në çdo kohë të ditës, veçanërisht kur nxënësit ktheheshin në shtëpi nga shkolla në grupe dhe pasditeve vonë kur grumbulloheshin pa mbikëqyrjen e prindërve përreth një stoli prej druri përballë ballkonit të apartamentit të kërkuesve. Ngacmimi, sipas parashtrimit të kërkuesve, motivohej nga shëndeti i njërit nga kërkuesit dhe nga origjina serbe e të dy kërkuesve. Një grup më i madh fëmijësh, po ashtu të mitur, vinin për ditë në një park përballë apartamentit të kërkuesve, e ofendonin kërkuesin e parë, e quanin me lloj-lloj emrash dhe shkruanin mesazhe fyese në trotuar. Fëmijët i binin po ashtu ziles së derës së kërkueses dhe pyesnin se kur do të dilte jashtë kërkuesi i parë. Ata shpesh e pështynin kërkuesit të parë.
9. Një raport i policisë, datë 31 korrik 2008, tregon se kërkuesja e dytë thirri policinë në orën 9.12 të mbrëmjes dhe u ankua se të rinj të panjohur po e ngacmonin të birin dhe se ata kishin shkatërruar disa objekte në ballkonin e saj. Policia mbërriti në shtëpinë e kërkuesve në orën 9.30 të mbrëmjes dhe kërkuesja e dytë u tha se rreth orës 6 pasdite ajo dhe kërkuesi i parë ishin larguar nga apartamenti dhe se kur ishin kthyer rreth orës 9 të mbrëmjes ajo e kishte gjetur ballkonin e shkatërruar dhe të gjitha lulet të këputura. Ajo u tha policëve se kërkuesi i parë kishte kohë që ngacmohej nga fëmijët e lagjes për shkak të vonesës së tij mendore. Ajo dha emrat e dy fëmijëve.
10. Më 2 mars 2009 Qendra për Kujdesin Social të Susedgrad-it urdhëroi mbikëqyren nga kujdesi prindëror për D.K.-së, një nxënës në Shkollën Fillore A.K. të Zagrebit, për shkak të rezultateve të tij të ulëta në shkollë, sjelljes problematike dhe tendencës për të kryer vepra penale. Përfshirja e tij në ngacmimin e kërkuesve nuk përmendej fare.
11. Një raport mjekësor i hartuar më 6 prill 2009 tregon se kërkuesi i parë ishte ngacmuar psikologjikisht dhe fizikisht në rrugë dhe se mbi të dy duart i ishin fikur cigare të ndezura. Mjeku u kërkoi autoriteteve sociale të hapnin procese për mbrojtjen e kërkuesit të parë, si person me probleme të rënda mendore, duke e përshkruan atë si person paqësor dhe të mirë, i cili nuk mund dhe nuk dinte të mbrohej nga abuzuesit.
12. Në një letër dërguar më 20 prill 2009 Avokates së Popullit për Personat me Aftësi tët Kufizuara, kërkuesi i dytë u ankua se më 4 prill 2009 dy fëmijë, me inicialet D.K. dhe I.M., e kishin ngacmuar kërkuesin e parë. Ajo pretendonte se ndërsa po ngisnin biçikletat, fëmijët i ishin afruar kërkuesit të parë dhe i kishin djegur të dyja duar me cigare. Ajo u ankua po ashtu se kërkuesi i parë kishte qenë objekt i ngacmimeve të vazhdueshme nga fëmijët e një shkolle aty afër për shkak të problemeve të tij mendore dhe se kërkuesja e dytë ishte ankuar në disa raste në Qendrën e Mirëqenies Sociale të Susedgrad-it dhe tek autoritetet e Shkollës Fillore A.K., por më kot pasi nuk kishte pasur asnjë rezultat nga ankesat e saj.
13. Të njëjtën ditë, avokati i kërkuesve u ankua në polici rreth incidentit të datës 4 prill 2009.
14. Një raport policie, datë 5 maj 2009 tregon se atë ditë, në ambientet e Rajonit të Policisë së Zagrebit, policia e intervistoi D.K.-në, i lindur në vitin 1997, dhe P.B.-në, i lindur në vitin 1995. Pjesa përkatëse e raportit lidhur me D.K.-në kishte këtë përmbajtje:
“Kur u pyet nëse e kujton ngjarjen datë 4 prill 2009 në ... Zagreb, [D.K.] tha se rreth mesditës ai ishte atje së bashku me shokun e tij I.M., i cili është në klasën e shtatë në Shkollën Fillore A.K., dhe se P.B.-ja, një djalë më i madh nga klasa e shtatë e së njëjtës shkollë, mbërriti së bashku me dy burra, të cilët ai nuk i njihte, dhe ata filluan të luanin me një top. Një person me aftësi të kufizuara, i cili kishte pasur probleme që në fëmijëri dhe që jetonte në një apartamenti në Rrugën ... po luante ndërmjet pallateve. Në një moment, P.B.-ja ndezi një cigare, iu afrua Daliborit dhe i dogji dorën e tij të djathtë disa herë. Më pas ata ikën me vrap, pasi personi filloi të bërtiste.”
Në pjesën përkatëse të raportit që lidhej me P.B.-në thuhej si më poshtë:
“Kur u pyet nëse i kujtonte ngjarjet e datës 4 prill 2009 në ... Zagreb, lidhur e ngacmimin e një personi me aftësi të kufizuara, Dalibor Đorđević, [P.B.] thotë se ai nuk ishte i pranishëm në këtë rast, por se në fillim të asaj jave gjatë pushimit të mëngjesit, ai u takua me D.K.-në, i cili është në klasën e pestë të së njëjtës shkolle, i cili i tha se [D.K.] dhe I.M.-ja rreth mesditës së të shtunës kishin fikur një cigare në dorën e një personi me emrin Dalibor në Rrugën ... i cili banonte në atë rrugë dhe ishte me aftësi të kufizuara.
Kur u pyet nëse e dinte se çfarë pamje kishte personi, ai u përgjigj se ai shkonte shpesh për të luajtur në atë rrugë me djem të tjerë nga e njëjta lagje dhe se e kishte parë personin, i cili ishte rreth të tridhjetave, me trup të madh, me flokë të shkurtra, me tipare të zbehta dhe me vështirësi në të folur. Ai luan me fëmijë të tjerë, që e ngacmojnë; ai vrapon pas tyre dhe i rreh.”
15. Raporti i policisë, datë 7 maj 2009, tregon se të njëjtën ditë në ambientet e Rajonit të Policisë Zagreb II, policia intervistoi I.M.-në, lindur në vitin 1994. Pjesët e raportit të lidhura me çështjen specifikojnë si më poshtë:
“Kur u pyet nëse i kujtoheshin ngjarjet e datës 4 prill 2009 në ... Zagreb, lidhur me ngacmimin e një personi me aftësi të kufizuara, Dalibor Đorđević, ndërmjet tridhjetë dhe dyzet vjeç, [I.M.] thotë se ai e mban mend atë ditë, që ishte ditë e shtunë ... ai mori biçikletën dhe shkoi ... me D.K.-në në Rrugën ..., ku panë Daliborin, një person me aftësi të kufizuara që nga lindja, ndërmjet pallatesh, duke luajtur me top me disa fëmijë të cilët ia morën topin dhe nuk donin t’ia jepnin më. Kur pa këtë gjë, ai [I.M.] i pyeti fëmijët se pse nuk ia kthenin topin Daliborit, dhe Dalibori filloi të bërtiste dhe të tundte duart. Fëmijët e hodhën topin, dhe ai e mori atë. Ai [I.M.] po mbante një cigare në dorën e tij të majtë ... dhe ndërsa po kalonte anash Daliborit me cigaren në dorë, [Dalibori] filloi të tundte duart dhe e qëlloi disa herë në dorën ku po mbante cigaren dhe në këtë mënyrë dogji dorën. Ai është i sigurt që e dogji Daliborin vetëm një herë dhe i vjen keq për këtë gjë. Ai nuk e kupton pse Dalibori reagoi në këtë mënyrë, pasi nuk ishte faji i tij [I.M.-së] që topin ia morën disa fëmijë. Nxënësi P.B. nuk ishte me ta.
...
Kur u pyet nëse Dalibori kishte probleme me fëmijë të tjerë, [I.M.] ai u përgjigj se ai shkon shpesh në rrugën ku Dalibori luan me top me djemtë e tjerë dhe se fëmijët e tjerë e ngacmojnë Daliborin për shkak të sëmundjes së tij ... dhe më pas ai iu turret mbrapa dhe i kap.
Në fund, nëna [e I.M.-ës], me inicialin R., u këshillua që t’i kushtonte vëmendje sjelljes së I.M.-së. Ajo tha se nuk kishte probleme me të dhe se nuk e kuptonte se pse e kishte bërë ai këtë gjë.”
16. Më 19 maj 2009, Rajoni i Policisë II të Zagrebit i dërgoi një raport Zyrës së Avokatit të Shtetit për të Miturit në Zagreb duke specifikuar se:
- më 16 prill 2009, rajoni i policisë kishte marrë një letër nga Qendra e Mirëqenies Sociale të Susedgradit ku thuhej se qendra kishte marrë një letër nga kërkuesja e dytë, ku pretendohej se djali i saj ishte keqtrajtuar nga D.K.-ja dhe të tjerë dhe brenda letrës kishte dokumentacionin përkatës mjekësor; dhe
- më 30 prill 2009, rajoni i policisë kishte marrë një letër nga Avokatja e Popullit për Personat me Aftësi të Kufizuara, ku thuhej se ajo kishte marrë një letër nga kërkuesja e dytë, e cila kishte kërkuar ndihmë lidhur me ngacmimin e vazhdueshëm të kërkuesit të parë.
Policia informoi po ashtu dhe Zyrën e Avokatit të Shtetit për Fëmijët në Zagreb për intervistat e realizuara me fëmijët D.K., I.M. dhe P.B.
17. Në një letër datë 20 maj 2009, Rajoni II i Policisë së Zagrebit e informoi Avokaten e Popullit se ishin marrë në intervistë fëmijët I.M. dhe D.K., dhe se ishte kontaktuar Drejtori i Shkollës Fillore, se oficerët e policisë nga rajoni ishin informuar rreth problemeve dhe se ata kishin patrulluar rrugët në fjalë në mënyrë të rregullt.
18. Më 17 korrik 2009, policia e informoi Qendrën e Mirëqenies Sociale të Susedgrad-it se ishte konstatuar se më 4 prill 2009, rreth kohës së drekës, kërkuesi i parë kishte qenë duke luajtur me një top në rrugë me disa djem nga lagjja, të cilët i kishin marrë topin, duke e irrituar shumë atë. Kur djemtë I.M. dhe D.K. kishin kaluar pranë kërkuesit, ai u kishte tundur duart dhe I.M.-ja i kishte djegur duart pa dashje.
19. Më 16 korrik 2009, Qendra e Mirëqenies e Susedgrad-it kishte hartuar një raport për kërkuesin e parë. Në një pjesë të raportit thuhej si më poshtë:
“ ...
Më 6 gusht 2008 nëna [e kërkuesit të parë] Radmila erdhi për t’u ankuar për ngacmimin që i bëhej Daliborit, duke pretenduar se fëmijët ... po vizitonin vajzat V.K. dhe I.K., të cilat jetonin në pallatin e tyre. Vajzat me mbiemër K. thanë se nuk e kishin ngacmuar Daliborin dhe se drejtuesi i grupit kishte qenë H.B-ja.
Me vajzat me mbiemër K. dhe me nënën e tyre me inicialet J.F. ishte arritur një marrëveshje që vajzat nuk do të mblidheshin më përpara pallatit të kërkuesve dhe se do të gjenin një vend tjetër për të luajtur për t’ju shmangur konflikteve.
H.-ja dhe prindërit e saj u morën në pyetje në këtë zyrë. H.-ja tha se nuk do të vinte më para pallatit të apartamentit të kërkuesve dhe se për ca kohë situata kishte qenë e qetë.
Më pas djemtë filluan të vinin, në grupe të ndryshme, në mënyrë që Znj. Đorđević të mund të mos i thoshte emrat e tyre, por ajo e dinte se ata të gjithë ndiqnin Shkollën Fillore A.K.
Znj. Đorđević u ankua sërish për ngacmim më 8 prill 2009, kur Dalibori u dogj me cigare dhe [sipas saj] ngacmimi kishte vazhduar.
Më 17 qershor 2009 u kryer një intervistë me Znj. Đorđević. [Sipas saj] problemet kishin vijuar. Kishte në mënyrë të vazhdueshme fëmijë të rinj që e provokonin Daliborin, të cilët kryesisht ishin të njohur të vajzave me mbiemër me inicialin K. Situata qetësohej për dy ose tre ditë, më pas problemet nisnin sërish. Ajo kishte marrëdhënie të mira me këshilltarin e shkollës, me punonjësin social dhe me drejtorin e shkollës.
Deklarata nga Znj. Đorđević: ‘më 16 qershor 2009, së pari vajzat u kthyen nga shkolla dhe qëndruan ngjitur me stolin. Znj. Đorđević e ftoi Daliborin të futej brenda, pasi e dinte se sa shumë frikë i kishte ai vajzat. Ato i thanë se ai nuk kishte pse të kishte frikë, pasi ato do të largoheshin shpejt. Më pas, erdhën një grup djemsh që e lagën Daliborin me ujin që mbanin në një qese.’
Znj. Đorđević tha po ashtu se kohët e fundit V.K.-ja kishte filluar t’i mblidhte fëmijët përpara ndërtesës, gjë e cila e kishte shqetësuar Dalibor-in.
Për këto ngjarje ishte informuar policia dhe shkolla.
Shkolla [autoritetet e saj] kishte biseduar me të gjithë fëmijët që ishin raportuar dhe me prindërit e tyre.
Policia bëri një hetim [dhe intervistoi] të fëmijëve që kishin qenë të pranishëm momentin kur ishte djegur Dalibori.
Për të parandaluar ngacmime të mëtejshme ne i shkruam shkollës [autoriteteve të saj] për të organizuar takime me të gjithë fëmijët dhe prindërit në fillim të vitit shkollor, në të gjitha klasat, për t’i informuar të gjithë për problemin dhe për ta bërë të qartë se ata ishin të gjithë përgjegjës për keqtrajtimin deri sa të identifikoheshin keqbërësit. U sugjerua po ashtu që të mbaheshin leksione dhe seminare me fëmijët në mënyrë që këta të fundit të kuptonin se ekzistonin persona me aftësi të kufizuara, të cilët kishin të njëjtat të drejta si dhe ta, ndër të tjera dhe të drejtën për të ecur dhe për të jetuar jashtë apartamenteve të tyre pa u ngacmuar nga askush.
Me oficerin e policisë I.M. nga Rajoni II i Policisë, u ra dakord që policët përgjegjës për lagjen do të kushtonin më shumë vëmendje dhe do të patrullonin më shpesh rrugën për të identifikonin autorët e ngacmimit.
Më 14 korrik 2009 u realizua një vizitë në familje, ku Dalibori u gjet i vetëm; ai tha se nuk e dinte se ku kishte shkuar e ëma dhe se fëmijët nuk e kishin ngacmuar kohët e fundit. Dalibori ishte në apartament dhe nuk kishte fëmijë të tjerë përreth ndërtesës.
...”
20. Më 27 korrik 2009, Zyra e Avokatit të Shtetit të Bashkisë së Zagrebit e informoi kërkuesen e dytë se autorët e veprës penale, në përputhje me nenin 331 § 1 të Kodit Penal ishin D.K.-ja dhe I.M.-ja, të cilët ishin fëmijë nën moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe, si rezultat, kundër tyre nuk mund të hapeshin procese penale. Kërkuesja e dytë u udhëzua se mund të ngrinte padi për dëmshpërblim në procese civile.
21. Raporti i policisë, datë 5 shtator 2009, tregon se të njëjtën ditë, kërkuesja e dytë mori në telefon policinë në orën 8.40 të mbrëmjes dhe u ankua për zhurmë në park. Kur arriti policia, në orën 8.45, kërkuesja e dytë u tha atyre se ndërkohë fëmijët ishin larguar.
22. Një raport mjekësor për kërkuesin e parë, i hartuar më 8 shtator 2009 tregon se ai ishte ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme nga fëmijët, të cilët i kishin djegur duart, i kishin bërtitur dhe kishin bërë zhurmë para ballkonit të tyre. Në të thuhej se ishte e nevojshme që kërkuesi i parë të kalonte kohë jashtë.
23. Një raport i shkruar më 17 shtator 2009 nga Qendra e Mirëqenies Sociale e Susedgrad-it dëshmon se qendra kishte marrë në intervistë I.M.-në dhe nënën e tij. Përderisa I.M.-ja shprehte keqardhje për incidentin e datës 4 prill 2009, nuk ishte e nevojshme të merreshin masa të tjera.
24. Në një datë të paspecifikuar në shtator 2009, drejtori i shkollës fillore A.K. u dërgoi një letër prindërve duke i informuar ata se në lagjen e tyre jetonte Dalibori, një i ri me aftësi të kufizuara, i cili ngacmohej shpesh nga fëmijët e shkollës. Drejtori i Shkollës thoshte shprehimisht se fëmijët kishin pranuar “disa akte brutale” kundër Daliborit, të tilla si komente përçmuese, përdorim gjuhe fyese, sjellje provokuese, marrje topit, djegie të duarve me cigare. Prindërve u kërkohej të flisnin me fëmijët e tyre dhe t’i paralajmëronin ata për pasojat e mundshme të një sjellje të tillë.
25. Pjesa përkatëse e procesverbalit të mbledhjes ndërmjet prindërve dhe mësuesve, e mbajtur më 30 shtator 2009, në Shkollën Fillore A.K. ka këtë përmbajtje:
“...
Në të gjitha takimet ndërmjet prindërve dhe mësuesve gjatë vitit të ri shkollor u kemi tërhequr vëmendjen mësuesve tek një i ri me nevoja të posaçme, i cili jeton në afërsi të shkollës dhe që është ngacmuar nga nxënësit e shkollës tonë, kryesisht verbalisht, por ndonjëherë dhe fizikisht. Nëna e tij kërkon shpesh ndihmë nga stafi i shkollës. Në këtë çështje janë përfshirë po ashtu dhe një qendër e mirëqenies sociale dhe Avokatja e Popullit për Personat me Aftësi të Kufizuara. Prindërve iu kërkua të bisedonin me fëmijët e tyre dhe të rrisnin ndërgjegjësimin e tyre rreth problemit të pranimit të dasive dhe nevojës së një bashkëjetese paqësore.
Prindërit e pranishëm komentuan mbi çështjen. Disa prej tyre u shprehën se i riu në fjalë ndonjëherë kishte qenë agresiv, se u ishte drejtuar vajzave të vogla në mënyrë të papërshtatshme, se ata kishin frikë prej tij dhe se kishin tendencë të largoheshin nga vendet ku gjendej ai. Disa prej tyre komentuan dhe se ai nuk duhej të lihej i lirë në publik dhe se duhej të harxhonte kohë në kushte të përshtatshme për të, ose në park nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një kujdestari. Drejtoi i shkollës i vuri re të gjitha komentet dhe premtoi se do të kontaktonte me qendrën përkatëse të mirëqenies sociale.
...”
26. Më 1 tetor 2009, avokatja e kërkuesve dërgoi një ankesë në Zyrën e Avokatit të Shteti të Bashkisë. Ajo tha se klientët e saj ishin dy nënshtetas kroatë me origjinë serbe, një nënë dhe djali i saj, i cili vuante nga probleme mendor edhe fizike. Ajo shpjegoi se klientët e saj jetonin rreth shtatëdhjetë metra larg Shkollës Fillore A.K. dhe se ishin ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme nga fëmijët e shkollës, në të gjitha orët e ditës, kryesisht kur fëmijët ktheheshin nga shkolla në grupe dhe pasditeve dhe mbrëmjeve vonë, kur mblidheshin rreth një stoli përpara ballkonit të kërkueses pa mbikëqyrjen e prindërve. Ajo pretendonte se ngacmimi kishte vijuar për rreth katër vjet dhe se ishte motivuar nga origjina serbe e kërkuesve dhe nga paaftësia e kërkuesit të parë. Një grup fëmijësh të moshës nga dhjetë deri në katërmbëdhjetë vjeç shkonin përditë përpara apartamentit ku jetonin kërkuesit, duke i fyer, duke përdorur fjalë të papërshtatshme dhe duke i quajtur me lloj-lloj emrash. Ata shkruanin dhe komente fyese në trotuarin përpara ndërtesës.
Avokatja përshkroi më pas incidentin e datës 4 prill 2009. Duke u mbështetur në nenin 8 dhe 13 të Konventës, ajo u ankua se nuk kishte mjete efektive ligjore në sistemin ligjor kroat për mbrojtje nga aktet e dhunshme të kryera nga fëmijët.
Ajo përshkroi po ashtu ngjarjet e 5 dhe 7 shtatorit 2009, kur një grup fëmijësh e kishin fyer kërkuesin e parë dhe, një ditë më vonë, i kishin marrë topin. Më 10 shtator 2009, një grup djemsh kishin urinuar përpara derës së kërkuesve. Më 14 shtator 2009 rreth katërmbëdhjetë nxënës nga klasat e katërta dhe të pesta e kishin kapur në natyrë kërkuesin e parë, e kishin fyer, dhe i kishin marrë topin. Një ditë më pas, një djalë e kishte fyer me zë të lartë.
Ajo tha po ashtu se fëmijët e kishin sulmuar fizikisht kërkuesin e parë të paktën në dhjetë raste të ndryshme dhe se shpesh dhe e kishin pështyrë. Më 31 korrik 2008, fëmijët kishin shkatërruar ballkonin e kërkuesve, duke i shkatërruar lulet dhe duke hedhur gurë dhe baltë në ballkon. Disa ditë më pas, ata kishin hedhur një gotë kartoni me kakao në ballkon.
Kërkuesja e dytë i kishte raportuar ngacmimet tek shërbimet sociale, në polici, tek Avokatja e Popullit për Peronat me Aftësi të Kufizuar, dhe autoritet e shkollës. Pavarësisht nga dëshira e mirë e të gjithë personave të përfshirë, ngacmimi i kërkuesve kishte vazhduar.
27. Një raport mjekësor i kërkuesit të parë, i hartuar më 7 tetor 2009 tregon se ai ishte ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme nga fëmijët.
28. Një raport mjekësor lidhur me kërkuesin ne parë, shkruar më 9 nëntor 2009, thotë që ai është sulmuar nga fëmijët disa ditë më parë. Sipas raportit, fëmijët e kanë shqetësuar shumë. Raporti rekomandon psikoterapi për kërkuesin e parë.
29. Një raport mjekësor për kërkuesin e parë, datë 14 dhjetor 2009, thotë se “të gjithë e gjuanin pa mëshirë me topa bore”, gjë e cila e kishte frikësuar kërkuesin e parë.
30. Një raport mjekësor lidhur me kërkuesin e parë, datë 14 janar 2010, thotë që kërkuesi i parë vuante nga ankthi i vazhdueshëm dhe nga ndjenja e persekutimit pasi “nuk ishte bërë asgjë për të zgjidhur situatën e tij”.
31. Një raport policie, datë 19 mars 2010, thoshte se kërkuesja e dytë kishte marrë në telefon policinë të njëjtën ditë, në orën 9.18 në mbrëmje, për shkak të “problemeve me fëmijët”. Kur kishte arritur policia, rreth orës 9.25 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë u kishte thënë se fëmijët kishin qenë duke luajtur me top në park, i kishin rënë dritares me top dhe më pas ishin larguar.
32. Një raport mjekësor lidhur me kërkuesin e parë, hartuar më 11 prill 2010, tregon se kërkuesi i parë ishte sulmuar nga një grup fëmijësh dhe ishte qëlluar me top në fytyrë.
33. Kërkuesit pretendonin se më 13 maj 2010, një grup fëmijësh, duke përfshirë dhe një djalë, e kishin shtyrë kërkuesin e parë drejt një gardhi prej hekuri në një park. Kërkuesi kishte rënë, kishte përplasur kokën dhe këmbën e djathtë. Ai kishte mbetur i çorientuar dhe nuk kishte komunikuar për tre ditë. Dokumentet mjekësore të hartuara në të njëjtën ditë tregojnë se kërkuesi i parë vuante nga enjtja e këmbës së tij të djathtë dhe nga abrazioni i lëkurës në anën e majtë të ballit. Ai nuk mund të ecte për pesë ditë dhe kërkueses së dytë iu desh të merrte një karrocë me rrota për të. Edhe raporti mjekësor dëshmon se kërkuesi i parë kishte shkelur në vendin e gabuar, kishte ndrydhur kyçin e këmbës dhe kishte përplasur dhe kokën.
34. Më 14 maj 2010, kërkuesja e dytë iu ankua policisë se më 13 maj 2010, një djalë, me inicialet P.B., e kishte shtyrë kërkuesin e parë për muri dhe se i kishte marrë dhe topin.
35. Më 20 maj 2010, avokatja e kërkuesve i shkroi Zyrës së Avokatit të Shtetit të Bashkisë së Zagrebit duke u ankuar se që prej letrës së saj të fundit të dërguar në shtator 2009, kishte pasur incidente të tjera dhune dhe ngacmimi kundër kërkuesve. Pjesët përkatëse të letrës kishin këtë përmbajtje:
“...
Më 5 nëntor 2009, dy djem, njëri prej të cilëve ishte P., abuzoi verbalisht me kërkuesin, duke e trembur atë.
Kërkuesja e dytë e informoi këshilltarin e shkollës për incidentin, por nuk mori asnjë përgjigje prej tij.
Më 14, 18 dhe 21 dhjetor 2009, një grup fëmijësh gjuajtën me borë drejt dritares së kërkuesve, dhe në njërin prej këtyre rasteve ata e mbuluan ballkonin e tyre me borë.
Më 15 dhjetor 2009, një grup fëmijësh e fyen verbalisht kërkuesin e parë në rrugë. Më 22 shkurt 2010, kërkuesi i dytë u thirr nga një punonjës social nga Qendra e Mirëqenies Sociale të Susedgrad-it, J.S., i cili i tha asaj se e vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktin ishte hapja e një padie civile.
Më 19 mars 2010, fëmijët vazhduan të gjuanin me top në dritaret e kërkuesve, ngjarje rreth së cilës u informua policia. Më 20 mars 2010, ndërkohë që kërkuesi i parë po udhëtonte me autobus, një grup fëmijësh thërritën emrin e tij me zë të lartë, gjë që e shqetësoi kërkuesin.
Më 10 prill 2009, një djalë me emrin R. e qëlloi kërkuesin në hundë me topin e tij, gjuajtje e cila e çorientoi dhe i shkaktoi vuajtje kërkuesit. Kërkuesja e dytë e informoi policinë rreth kësaj gjëje. Policia bëri një intervistim prej dy orësh me të dhe shprehu keqardhjen e saj, por e informoi kërkuesen e dytë që nuk mund të bëhej dot asgjë, pasi çdo lloj hetimi do të tregonte se fëmijët kishin qenë duke bërë shaka.
Më 13 maj 2010, një grup fëmijësh, duke përfshirë dhe P.-në, e shtynë kërkuesin drejt një gardhi prej hekuri në park. Ai ra, vrau kokën dhe këmbën e djathtë. Ai mbeti i çorientuar dhe pa komunikuar për tre ditë.
Më 18 maj 2010, kur kërkuesi i parë po qëndronte i ulur në një kolovarëse, një grup fëmijësh iu afruan, i bënë gjeste të shëmtuara dhe i thanë se ai ishte budalla.”
36. Të njëjtën ditë avokati u ankua për ngacmimin e kërkuesve tek Avokatja e Popullit për Fëmijët dhe i kërkoi asaj këshilla.
37. Kërkuesit pretendonin se më 24 maj 2010, një grup djemsh ia përplasën kokën kërkuesit të parë në një gardh prej hekuri dhe thanë se u kënaqën ndërkohë që e bënin këtë gjë. Një raport mjekësor lidhur me kërkuesin e parë, i hartuar të njëjtën ditë, tregon se ai ishte përplasur në gardhin prej hekuri dhe se kishte vrarë kokën.
38. Më 25 maj 2010, Zyra e Avokatit të Shtetit të Bashkisë së Zagrebit e kishte informuar avokaten e kërkuesve se ajo nuk kishte juridiksion në çështje, pasi ankesat lidheshin me fëmijë, të cilët nuk janë penalisht përgjegjës.
39. Më 26 maj 2010, drejtori i Shkollës Fillore A.K. e informoi avokaten e kërkuesve se autoritetet e shkollës kishin marrë të gjitha masat që i konsideronin të nevojshme, si për shembull kishin diskutuar me nxënësit e përfshirë, si dhe kishin informuar të gjithë prindërit në takime ndërmjet prindërve dhe mësuesve rreth problemeve që kishin pasur kërkuesit me nxënësit.
40. Më 31 maj 2010, Avokatja e Popullit për Fëmijët i informoi kërkuesit se ajo nuk kishte juridiksion mbi çështjen.
41. Një raport mjekësor lidhur me kërkuesin e parë, i hartuar më 29 qershor 2010, tregon se ai është ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj sulmeve nga fëmijët në lagje.
42. Raportet mjekësore lidhur me kërkuesin e parë, hartuar më 29 qershor, 25 tetor dhe 24 nëntor 2010 dhe 9 shkurt 2011 tregojnë se kërkuesi i parë ka qenë vazhdimisht i ekspozuar ndaj sulmeve nga fëmijët e lagjes.
43. Më 1 korrik 2010 policia intervistoi P.B.-në, nxënës që ndiqte Shkollën Fillore A.K., rreth incidenteve të datës 13 dhe 14 maj 2010, ku ai e mohoi përfshirjen e tij në incidente.
44. Kërkuesit pretendojnë se më 13 korrik 2010, në orën 9 të mbrëmjes, katër djem dhe një vajzë përsërisnin komente të ulëta me zë të lartë nën dritaren e kërkueses. Kur kërkuesja e dytë u kërkoi të mos bënin zhurmë, ata u përgjigjën në mënyrë provokuese, duke përdorur dialektin serb duke aluduar në mënyrë të drejtpërdrejtë origjinës serbe të kërkuesve, duke i thënë: “Thërrite policinë, ne nuk na bëhet vonë (zovi bre policiju, mi se ne bojimo)”. Kërkuesja e dytë e raportoi këtë incident më 14 korrik 2010 tek një punonjës social i Qendrës Sociale të Susedgrad-it, Znj. J.S.
45. Më 19 korrik 2010, Qendra e Mirëqenies Sociale të Susedgrad-it intervistoi V.K.-në, i cili jetonte në të njëjtin pallat me kërkuesit. Ajo e mohoi përfshirjen e saj në ngacmimin e kërkuesve. Ajo tha po ashtu se fëmijët dhe të alkoolizuarit mblidheshin shpesh tek stoli përpara pallatit ku ajo jetonte dhe bënin shumë zhurmë, gjëra të cilat kishin irrituar dhe familjen e saj.
46. Më 2 gusht 2010, Qendra e Mirëqenies Sociale të Susedgrad-it e informoi policinë se kërkuesja e dytë ishte ankuar për ngacmim dhe dhunë të vazhdueshme kundër kërkuesit të parë. Policisë iu kërkua të merrte masat e nevojshme.
47. Më 26 gusht 2010, policia intervistoi Z.B.-në, nxënës që ndiqte Shkollën Fillore A.K., i cili mohonte çdo përfshirje në ngacmimin e kërkuesit të parë.
48. Më 27 gusht 2010, kërkuesja e dytë i kërkoi Bashkisë së Zagrebit të hiqte stolin prej druri që gjendje poshtë dritares së kërkuesve.
49. Kërkuesit pretendojnë se më 31 gusht 2010, rreth orës 3 pasdite, ndërsa po ktheheshin në shtëpi nga një dyqan, një djalë me emrin M. eci përgjatë tyre me biçikletë dhe e ofendoi kërkuesin e parë, duke thënë, inter alia: “Dalibori është debil”. Kërkuesi i parë u ndje shumë i acaruar dhe i stresuar.
50. Kërkuesit pretenduan se më 1 shtator 2010, në orën 6.45 pasdite, në dritaren e tyre u afruan tre djem me biçikleta, të cilët hodhën plehra aty dhe bërtitën. Në orën 7.20 të mbrëmjes, rreth stolit prej druri përpara dritares të kërkueses u grumbulluan më shumë fëmijë. Ata i binin në mënyrë të vazhdueshme një gardhi prej metali, duke shkaktuar shumë zhurmë. Qëllonin dhe me gurë dritaren e kërkuesve dhe bënin komente negative me zë të lartë. Në orën 10.03 të darkës, kërkuesi i dytë mori në telefon policinë. Për shkak se policia nuk erdhi, kërkuesja e dytë i mori për herë të dytë në telefon në orën 10.28 të darkës. Policia tha se do të vinin, por se u duhej t’i përgjigjeshin dhe telefonatave të tjera. Policia mbërriti në orën 10.32 të darkës dhe u kërkoi fëmijëve të largoheshin disa mera më larg nga dritarja e kërkuesve. Policia nuk bëri asnjë përpjekje për të identifikuar fëmijët. Një raport policie i së njëjtës datë thotë se në orën 9.21 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë kishte marrë në telefon policinë dhe ishte ankuar për zhurmën në park. Kur arriti policia në orën 10.35 të mbrëmjes, nuk kishin gjetur askënd para ndërtesës.
51. Kërkuesit pretendonin se më 3 shtator 2010, një grup prej dhjetë fëmijësh ishin grumbulluar rreth stolit dhe kishin bërë shumë zhurmë. Në orën 10.15 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë kishte marrë në telefon policinë, e cila kishte mbërritur në vendngjarje në orën 10.40 dhe i kishte urdhëruar fëmijët të largoheshin, gjithsesi, pa bërë asnjë përpjekje për t’i identifikuar ata. Një raport policie i së njëjtës datë tregon se në orën 10.20 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë e kishte marrë në telefon policinë dhe ishte ankuar për zhurmën në park. Kur kishte mbërritur policia në orën 10.25 të mbrëmjes, ata nuk kishin gjetur askënd.
52. Kërkuesit pretenduan se më 5 shtator 2010, rreth orës 9 të mbrëmjes ata kishin vënë re, teksa ktheheshin nga kisha, se në dritaren e tyre ishte hedhur një substancë e bardhë e paidentifikuar kur ata nuk kishin qenë në shtëpi. Po ashtu, pranë dritares kishte dhe ca fëmijë që bërtisnin. Në orën 10 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë thirri policinë. Kërkuesja pretendoi më tej se më 7, 8, 14, 23 dhe 27 shtator 2010, fëmijët ishin mbledhur rreth stolit dhe po bënin një zhurmë të padurueshme.
53. Më 23 shtator 2010, policia intervistoi I.S.-në, një nxënës që ndiqte Shkollën Fillore A.K., i cili mohoi çdo përfshirje në ngacmimin e kërkuesit të parë.
54. Kërkuesit pretendonin se më 2 tetor 2010, pesë djem ishin mbledhur rreth stolit dhe kishin bërë zhurmë të madhe. Në orën 7.40 pasdite, djemtë gjuanin me top në dritaren e kërkuesve dhe zhurma kishte vazhduar deri natën vonë. Në orën 11.38 të mbrëmjes, kërkuesja e dytë mori në telefon policinë, e cila mbërriti pesëmbëdhjetë minuta pas mesnate dhe u kërkoi djemve të largoheshin pa u bërë atyre asnjë pyetje, ose pa bërë asnjë përpjekje për t’i identifikuar ata. Një raport policie i së njëjtës ditë thoshte se i njëjta kërkuese kishte marrë në telefon policinë në orën 11.40 të mbrëmjes dhe se ishte ankuar për zhurmën. Kur kishte arritur policia, pesëmbëdhjetë minuta pas mesnate, ata nuk kishin gjetur zhurmë.
55. Kërkuesit pretendonin më tej se më 4 tetor 2010, në orën 4 në mëngjes, ata ishin zgjuar nga një bori makine poshtë dritares së tyre. Disa fëmijë po i binin mureve të jashtme të apartamentit, duke bërë një zhurmë shumë të lartë. Lepuri i kërkuesit të parë vdiq atë natë, dhe këtë gjë ai ia atribuonte asaj çfarë kishte ndodhur atë natë, gjë e cila e shqetësoi shumë. Më 15 tetor 2010, Ndërsa kërkuesit nuk ishin të pranueshëm, dikush kishte pështyrë aq shumë në dritaren e dhomës së ndenjës derisa dritarja ishte mbushur e tëra me pështymë. Më 23 tetor dhe 7, 14 dhe 19 nëntor 2010, rreth stolit ishin mbledhur grupe fëmijësh, duke shkaktuar shumë zhurmë.
56. Më 17 nëntor 2010, Bashkia e Zagrebit e kishte informuar kërkuesen e dytë se kërkesa e saj për heqjen e stolit poshtë ballkonit të apartamentit të kërkuesve ishte mohuar.
57. Kërkuesit pretenduan se më 22 nëntor 2010, teksa po ktheheshin në shtëpi nga një dyqan, një grup fëmijësh thërrisnin pas tyre: “Dalibor, Dalibor!” Kërkuesi i parë ishte paralizuar nga frika dhe e kishte pyetur të ëmën pse nuk e linin rehat fëmijët. Kërkuesja e dytë i shkroi Zyrës së Presidentit të Kroacisë dhe Avokates së Popullit të Personave me Aftësi të Kufizuara për ngacmimin e djalit të saj, duke kërkuar vlerësimin e tyre lidhur me heqjen e stolit. Më 5 dhjetor 2010, rreth mesnate, disa fëmijë hodhën topa bore në dritaren e kërkuesve, gjë e cila e tmerroi kërkuesin e parë.
58. Më 14 dhjetor 2010, Avokatja e Popullit për Personat me Aftësi të Kufizuara i rekomandoi Bashkisë së Zagrebit të hiqte stolin. Stoli u hoq në shkurt të vitit 2011. Kërkuesit pretendonin se të njëjtën ditë, disa fëmijë shkatërruan kutinë prej metali ku gjendeshin matësit e gazit, e cila gjendjes poshtë dritares së tyre.
59. Kërkuesit pretendojnë se kanë ndodhur incidente të tjera si më poshtë. M 5 shkurt 2011, një grup fëmijësh i bërtiste në mënyrë provokuese kërkuesit të parë në rrugë, duke përdorur dialektin serb (“De si bre?”). Më 8 shkurt 2011 në orën 6.40 pasdite, disa fëmijë i ranë ziles së derës së kërkuesve dhe u larguan. Më 10 shkurt 2011, kërkuesit u futën në një parukeri, duke devijuar për të shmangur fëmijët. Por, ata u takuan me një grup fëmijësh që bërtisnin “Dalibor!” në mënyrë provokuese. Më 13 shkurt 2011, në orën 12.30 pasdite, shtatë djem vraponin përreth apartamentit të kërkuesve, i binin mureve, u ngjitën në ballkonin e tyre, e zgjatën kokën për të parë se çfarë ndodhte në apartament dhe qeshin me të madhe. Në orën 9.45 pasdite, një grup djemsh këndonin këngën “Ne jemi kroatë” poshtë dritares së kërkuesve.
60. Një raport mjekësor, datë 9 mars 2011, lidhur me kërkuesin e parë tregon se për shkak të stresit ai ha shpesh buzët dhe grushtat dhe se kishte një lëvizje të pavullnetshme në sipërfaqen e syrit dhe simptoma psoriazi. Në raport përmendej po ashtu se kërkuesi i parë ishte sulmuar dhe përqeshur shpesh herë dhe se ishte e nevojshme të sigurohej një mjedis i qetë dhe miqësor për të.
II. LEGJISLACIONI I BRENDSHËM
A. Kushtetuta
1. Dispozitat përkatëse
61. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kroacisë (Ustav Republike Hrvatske, Fletorja Zyrtare nr. 56/1990, 135/1997, 8/1998 (tekst i konsoliduar), 113/2000, 124/2000 (tekst i konsoliduar), 28/2001 dhe 41/2001 (tekst i konsoliduar), 55/2001 (korrigjim) dhe 76/2010) parashikojnë si më poshtë:
Neni 14
“Çdokush në Republikën e Kroacisë gëzon të drejta dhe liri pavarësisht nga raca, ngjyra, seksi, gjuha, besimi politik apo i ndonjë natyre tjetër, origjina kombëtare ose sociale, ose karakteristika të tjera.
Të gjithë janë të barabartë para ligjit.”
Neni 21
“Çdo qenie njerëzore ka të drejtën të jetojë.
...”
Neni 23
“Askush nuk është objekt i asnjë forme keqtrajtimi ...
...”
Neni 35
“Çdokush ka të drejtë të gëzojë respektin dhe mbrojtjen ligjore të jetës së tij/saj private dhe jetës familjare, dinjitetit, reputacionit dhe të nderit.”
Neni 140
“Marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi, të rëna dakord dhe të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën dhe të bëra publike, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik të Republikës së Kroacisë dhe kanë epërsi lidhur me efektet e tyre ligjore mbi statutet [e brendshme]. ...”
2. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese
62. Në vendimet e saj nr. U-I-892/1994, datë 14 nëntor 1994 (Fletorja Zyrtare nr. 83/1994) dhe U-I-130/1995, datë 20 shkurt 1995 (Fletorja Zyrtare nr. 112/1995), Gjykata Kushtetuese vendosi që të gjitha të drejtat e garantuara në Konventë dhe në Protokollet e saj duhet të konsideroheshin si të drejta kushtetuese që kanë fuqi të barabartë ligjore me dispozitat e Kushtetutës.
B. Kodi Penal
63. Pjesa përkatëse e Kodit Penal (Kazneni zakon, Fletorja Zyrtare nr. 110/1997) parashikon si më poshtë:
Neni 10
“Legjislacioni penal nuk është i zbatueshëm për një fëmijë, kur ai ose ajo nuk i ka mbushur katërmbëdhjetë vjeç në kohën kur ka kryer një vepër penale.”
C. Ligji për Krimet e Vogla
64. Pjesët përkatëse të Ligjit për Krimet e Vogla (Prekršajni zakon, Fletorja Zyrtare nr. 107/2007) parashikon si më poshtë:
Seksioni 9
“(1) Një person që nuk e ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç kur kryen një krim të vogël, nuk është përgjegjës për veprën.
(2) Kur një person i përmendur në pikën 1 të këtij seksioni sillet shpesh në një mënyrë që përbën krim të vogël të rëndë, organi shtetëror kompetent për të vepruar informon prindërit ose kujdestarit e personit dhe qendrën përkatëse të mirëmbajtjes sociale për sjelljen e personit.
(3) Një prind i ... një personi mbi të cilin zbatohet pika 1 e këtij seksioni dënohet për krimin e kryer nga ky person kur vepra e kryer lidhet drejtpërdrejti me paaftësinë për të mbikëqyrur personin e parë ...”
D. Ligji për Mosmarrëveshjet Administrative
65. Ligji për Mosmarrëveshjet Administrative (Zakon o upravnim sporovima, Fletorja Zyrtare e Republikës Federale të Jugosllavisë nr. 4/1977, dhe Gazeta Zyrtare e Republikës së Kroacisë nr. 53/1991, 9/1992 dhe 77/1992 – në fuqi deri më 31 dhjetor 2011) në pjesët e saj përkatëse parashikon si më poshtë:
Seksioni 66
“Një kërkesë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë i jep të drejtë ose liri ... nëse kjo e drejtë ose liri është shkelur nga një akt përfundimtar [pra nga një vendim], dhe kur nuk sigurohet asnjë mbrojtje tjetër gjyqësore nga [Gjykata Administrative], duke zbatuar mutatis mutandis dispozitat e këtij Ligji.”
66. Seksionet 67-76 parashikojnë një procedurë të posaçme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga kushtetuta dhe nga akte faktike të paligjshme (fizike) të zyrtarëve publik kur nuk ka mjet tjetër efektiv ligjor të disponueshëm. Sipas jurisprudencës së gjykatave kombëtare, mbrojtja nga “aktet” e paligjshme përfshin dhe mosveprimet (për shembull, Gjykata Administrative në vendimin e saj nr. Us-2099/89, datë 21 shtator 1989, dhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj. Gž-9/1993, datë 6 prill 1993 vendosën që mosrealizimi i urdhrave të vet administrativ nga autoritetet administrative përbën “akt të paligjshëm” brenda kuptimit të seksionit 67 të Ligjit për Mosmarrëveshjet Administrative).
67. Sipas seksionit 6, këto procese fillohen duke ngritur një padi “për një akt të paligjshëm” (tužba za zaštitu od nezakonite radnje) në gjykatën bashkiake përkatëse. Padia duhet të ngrihet kundër autoritetit publik i cili ka kryer aktin faktik (ose mosveprimet) (pala e paditur).
68. Sipas seksionit 72, një kopje e padisë i duhet dërguar autoritetit publik në fjalë për përgjigje brenda afatit kohor të përcaktuar nga gjykata që realizon proceset. Gjithsesi, vendimi mund të merret dhe pa këtë përgjigje, atëherë kur parashtrime e bëra në padi japin një bazë të besueshme për këtë vendim.
69. Seksioni 73 parashikon që gjykata vendos për themelin e çështjes nëpërmjet një vendimi. Në rast se ajo vendos në favor të palës paditëse, Gjykata e urdhëron palën e paditur të tërhiqet nga aktiviteti i paligjshëm dhe, nëse është e nevojshme urdhëron restitutio in integrum.
70. Seksioni 74 parashikon se pas “padisë kundër një akti të paligjshëm” gjykata duhet të zbatojë, mutatis mutandis, dispozitat e Ligjit të Procedurës Civile.
E. Ligji për Detyrimet Civile
71. Pjesa përkatëse e Ligjit për Detyrimet Civile (Zakon o obveznim odnosima, Fletorja Zyrtare nr. 35/2005 dhe 41/2008), i cili hyri në fuqi më 1 janar 2006 dhe shfuqizoi ish Ligjin e Detyrimeve të 1978-ës, parashikon si më poshtë:
Të drejtat e personalitetit
Seksioni 19
“(1) Të gjithë personat fizikë ose subjektet ligjore gëzojnë të drejtën e mbrojtjes së të drejtave të personalitetit të tyre (prava osobnosti) sipas kushteve të parashikuara me ligj.
(2) Të drejtat e personalitetit, në kuptimin e këtij Ligji, janë e drejta për të jetuar, për shëndet fizik dhe mendor, reputacion, dinjitet, emër, privaci të jetës personale dhe familjare, liri, etj.
(3) Subjekti ligjor ka të gjitha të drejtat e sipërpërmendura të personalitetit, përveç të drejtave të lidhura me karakterin biologjik të personit fizik, dhe, në veçanti, të drejtën për reputacionin dhe emrin e mirë, nderin, emrin ose emrin e kompanisë, sekretin e biznesit, liri sipërmarrëse, etj.”
Seksioni 1046
“Dëmi ... shkelje e të drejtave të personalitetit (dëmi jo material).”
Kërkese për t’u tërhequr nga shkelja e të drejtave të personalitetit
Seksioni 1048
“Çdokush mund t’i kërkojë një gjykate, ose një organi tjetër kompetent të ndërpresë një aktivitet që shkel të drejtën e tij/saj të personalitetit, dhe të eliminojë pasojat e tij.”
Jurisprudenca përkatëse
72. Lidhur me përcaktimin e të drejtave natyrore, përveç atyre të listuara në seksionin 19 të Ligjit për Detyrimet Civile, të cilat duhet të konsiderohen të drejta të personalitetit, duhet të theksohet se deri tani vetëm të drejtat e mëposhtme janë interpretuar si të drejta të personalitetit nga gjykatat kroate: e drejta për të jetuar, e drejta për integritet fizik dhe mendor (shëndet), e drejta për liri, e drejta për reputacion dhe nder, e drejta për privaci personale dhe jetë familjare, e drejta për sekretin e letrave dhe dorëshkrimeve personale, e drejta për integritet personal (në veçanti, e drejta e imazhit, zërit dhe emrit) dhe të drejtat e moralit të autorëve.
73. Pjesa përkatëse e vendimit nr. U-III-1437/2007 të Gjykatës Kushtetuese, datë 23 prill 2008, lidhur me të drejtën e kompensimit për të drejtat e personalitetit, parashikon si më poshtë:
“...
Seksioni 1046 i Ligjit për Detyrimet Civile i përcakton dëmet jo materiale si shkelje të të drejtave të personalitetit. Me fjalë të tjera, çdo shkelje e të drejtave të personalitetit çon në dëm jo material.
Seksioni 19(2) i Ligjit për Detyrimet Civile i përkufizon të drejtat e personalitetit për qëllimet e Ligjit, si: e drejta për të jetuar, për shëndet fizik dhe mendor, për reputacion, nder, respektim të dinjitetit dhe të emrit, privaci të personit dhe jetës familjare, lirisë dhe aspekteve të tjera.
... duhet të arrihet në përfundimin se në këtë rast ka pasur shkelje të vlerave njerëzore, kushtetuese dhe personale, pasi kërkuesi ka qenë në kushte burgu, të cilat nuk ishin në përputhje me standardet e përshkruara nga Ligji i Zbatimit të Vendimeve për Burgim dhe me standardet ligjore, të parashikuara nenin 25 § 1 të Kushtetutës. Për këtë qëllim gjykatat detyrohen të japin kompensim për cenimin e dinjitetit të kërkuesit.
...”
F. Ligji për Parandalimin e Diskriminimit
74. Pjesa përkatëse e Ligjit për Parandalimin e Diskriminimit (Zakon o suzbijanju diskriminacije, Fletorja Zyrtare nr. 85/2008) parashikon si më poshtë:
Seksioni 1
“(1) Ky Ligj siguron mbrojtjen dhe nxitjen e barazisë si vlera më e lartë e rendit kushtetues të Republikës së Kroacisë; krijon kushte për mundësi të barabarta dhe mbulon mbrojtjen kundër diskriminimit mbi bazën e racës, origjinës etnike, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, bindjeve politike ose bindjeve të tjera, origjinës kombëtare ose sociale, gjendjes së pasurisë, anëtarësimit në sindikata, arsimit, statusit social, statusit martesor ose familjar, moshës, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor, shprehjes ose orientimit seksual.
(2) Diskriminimi brenda kuptimit të këtij Ligji do të thotë të vendosurit e një personi në pozitë disavatazhuese për çdo shkak të përmendur në paragrafin 1 të këtij seksioni, si dhe të afërmit e tij/saj të ngushtë.
...”
Seksioni 8
“Ky Ligj zbatohet lidhur me organet shtetërore ... subjektet ligjore dhe personat fizikë ...”
Seksioni 16
“Çdokush që është i mendimit se i janë cenuar ndonjëra nga të drejtat e tij/saj për shkak të diskriminimit, mund të kërkojë mbrojtje të kësaj të drejte në proceset që e kanë këtë të drejtë si çështje kryesore, si dhe mund të kërkojnë mbrojtje në procese të veçanta sipas seksionit 17 të këtij Ligji.”
Seksioni 17
“Një person, i cili pretendon se është ose ka qenë viktimë diskriminimi në përputhje me dispozitat e këtij Ligji, mund të bëjë padi dhe të kërkojë:
1. një vendim që deklaron se i padituri ka shkelur të drejtat e paditësit për trajtim të barabartë, ose që një veprim ose mosveprim i të paditurit mund të çojë në shkeljen e të drejtës së paditësit për trajtim të barabartë (pretendim për njohje diskriminimi);
2. ndalimin e akteve të ndërmarra (nga i padituri) të cilat shkelin ose mund të shkelin të drejtat e paditësit për trajtim të barabartë, ose një urdhër për masat e synuara për heqjen e diskriminimit, ose të pasojave të tij (pretendimi për ndalim, ose heqje diskriminimi);
3. dëmshpërblimin për dëme materiale dhe jo materiale të shkaktuara nga shkelja e të drejtave të mbrojtura nga ky Ligj (pretendimi për dëme);
4. urdhrin e botimit në media, me shpenzime të të paditurit, të vendimit që konstaton shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë.
...”
III. DOKUMENTET PËRKATËSE TË KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Komiteti i Ministrave
75. Pjesët përkatëse të Rekomandimit Rec(2004)10 të Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e personave me çrregullime mendore (të miratuar nga Komiteti i Ministrave më 22 shtator 2004 në takimin e 896të të Zëvendës Ministrave) kanë këtë përmbajtje:
“...
Duke pasur parasysh veçanërisht:
...
– Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore, datë 4 nëntor 1950 dhe zbatimin e saj nga organet e krijuara nga Konventa;
...
Kreu II – Dispozita të Përgjithshme
Neni 3 – Mosdiskriminimi
1. Ndalohet çdo formë diskriminimi për shkaqe të çrregullimit mendor.
2. Shtetet anëtare duhet të marrin masat e duhura për të eliminuar diskriminimin për shkaqe të çrregullimit mendor.
Neni 4 – Të drejtat civile dhe politike
1. Personat me çrregullime mendore kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtat e tyre civile dhe politike.
2. Çdo kufizim në ushtrimin e këtyre të drejtave duhet të bëhet në përputhje me dispozitat e Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe nuk duhet të bazohet vetëm në faktin se një person ka çrregullime mendore.
...
Neni 7 – Mbrojtja e personave vulnerabël me çrregullime mendore
1. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë mekanizma për mbrojtjen e personave vulnerabël me çrregullime mendore, në veçanti të atyre që nuk kanë kapacitet të japin pëlqimin, ose që mund të mos jenë në gjendje t’i rezistojnë shkeljeve të të drejtave të tyre.
2. Ligji duhet të parashikojë masa për të mbrojtur, aty ku është e nevojshme, interesat ekonomikë të personave me çrregullime mendore.
...”
76. Pjesët përkatëse të Rekomandimit Rec(2006)5 të Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare për Planin e Veprimit të Këshillit të Evropës për të promovuar të drejtat dhe pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; përmirësimi i cilësisë së jetës së njerëzve me aftësi të kufizuara në Evropë 2006-2015 (miratuar nga Këshilli i Ministrave më 5 prill 2006 në takimin e 961-të të Zëvendës Ministrave) kanë këtë përmbajtje:
“...
Duke pasur parasysh Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (ETS No. 5);
...
3.12. Linja e veprimit nr. 12: mbrojtja ligjore
3.12.1. Hyrje
Njerëzit me aftësi të kufizuara gëzojnë kudo të drejtën e njohjes si persona para ligjit. Kur nevojitet ndihmë për ushtrimin e aftësisë juridike, shtetet anëtare duhet të sigurohen se ajo garantohet siç duhet në ligj.
Personat me aftësi të kufizuara përbëjnë një grup të ndryshëm popullsie, por të gjithë kanë të përbashkët, në një nivel më të vogël ose më të madh, nevojën për garanci shtesë në mënyrë që të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të marrin pjesë në shoqëri në mënyrë të barabartë me anëtarët e tjerë.
Nevoja për të përqendruar posaçërisht vëmendjen tek situata e personave me aftësi të kufizuara për sa i përket ushtrimit të të drejtave të tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët, konfirmohet nga iniciativat e marra në këtë fushë në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Parimi i mosdiskriminimit duhet të përbëjë bazën e politikave qeveritare për ofrimin e barazisë së mundësisë për personat me paaftësi.
Aksesi në sistemin ligjor është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, por personat me aftësi të kufizuara mund të hasen me shumë pengesa, duke përfshirë dhe vështirësitë e aksesit fizik. Kjo kërkon shumë masa dhe veprime pozitive, duke përfshirë dhe ndërgjegjësimin e përgjithshëm ndërmjet atyre që ushtrojnë profesione ligjore për çështjet e paaftësisë.
3.12.2. Objektivat
i. sigurimi i aksesit efektiv në drejtësi për personat me aftësi të kufizuar në mënyrë të barabartë me të tjetër;
ii. mbrojtja dhe promovimi i gëzimit të të gjithë të drejtave dhe lirive themelore nga personat me aftësi të kufizuara në mënyrë të barabartë me të tjerët.
3.12.3. Masa specifike nga shtetet anëtare
i. ofrimi i mbrojtjes kundër diskriminimit nëpërmjet krijimit të masave specifike legjislative, organeve, procedurave raportuese dhe mekanizmave të dëmshpërblimit;
ii. sigurimi i heqjes së dispozitave që diskriminojnë kundër personave me aftësi të kufizuara nga legjislacioni ekzistues;
iii. nxitja e trajnimit për të drejtat e njeriu dhe paaftësinë (si kombëtare dhe ndërkombëtare) për stafin e zbatimit të ligjit, zyrtarët publikë, gjyqësorin dhe stafin mjekësor;
iv. inkurajimi i rrjeteve jo-qeveritare të këshillimit që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara;
v. sigurimi i aksesit të barabartë në sistemin gjyqësor të personave me aftësi të kufizuara, duke u siguruar atyre të drejtën për informim dhe komunikim;
vi. ofrimi i ndihmës së nevojshme për ata persona që kanë vështirësi në ushtrimin e kapacitetit të tyre juridik dhe sigurimi që kjo është e barabartë me nivelin e kërkuar të mbështetjes;
...
3.13. Linja e veprimit nr. 13: Mbrojtja kundër dhunës dhe abuzimit
3.13.1. Hyrje
Aktet e abuzimit ose të dhunës kundër çdo personi janë të papranueshme dhe shoqëria ka për detyrë të sigurojë mbrojtjen kundër këtij abuzimi për individët, në veçanti të personave që janë më vulnerabël.
Ka tregues, sipas të cilëve niveli i abuzimit dhe i dhunës së kryer kundër personave me aftësi të kufizuara është goxha më i lartë se niveli i abuzimit dhe i dhunës kundër popullsisë së përgjithshme, dhe është më i lartë tek gratë me aftësi të kufizuara, në veçanti tek gratë me paaftësi të rënda, sesa tek gratë që nuk kanë paaftësi. Ky abuzim mund të shfaqet në institucione, në lloje të tjera kujdesi dhe situatash, duke përfshirë dhe mjedisin familjar. Ajo mund të nxitet nga persona të panjohur, ose nga persona që e njohin individin dhe mund të marrë shumë forma, si për shembull abuzim verbal, akte dhune, ose refuzim të të drejtave bazë.
Ndërkohë që qeveritë nuk mund të garantojnë se nuk do të ndodhë abuzim, ato duhet të bëjnë të pamundurën për të krijuar mbrojtjen dhe garancitë më të forta të mundshme. Parandalimi mund të ndihmohet në shumë mënyra, në veçanti nëpërmjet arsimit për të vlerësuar të drejtat e individëve për mbrojtjen, njohjen dhe uljen e rrezikut për abuzim. Personat me aftësi të kufizuara që janë objekt abuzimi ose dhune duhet të kenë akses në mbështetjet e duhura. Ata duhet të kenë një sistem tek i cili kanë besim të mjaftueshëm për të raportuar abuzimin dhe për të pritur masa pasuese, duke përfshirë dhe mbështetje individuale. Ky lloj sistemi kërkon personel të aftë dhe të kualifikuar për të zbuluar dhe për t’ju përgjigjur situatave të dhunës.
Ndërsa janë bërë disa kërkime gjatë viteve të fundit, është e qartë se nevojitet njohuri e mëtejshme për t’u informuar për hartimin e strategjive dhe për praktikat më të mira në të ardhmen.
3.13.2. Objektivat
i. puna brenda kuadrove antidiskriminuese dhe të të drejtave të njeriut duke i mbrojtur njerëzit me aftësi të kufizuara kundër çdo lloj forme dhune dhe abuzimi;
ii. sigurimi i aksesit në shërbime dhe në sisteme mbrojtje për viktimat e dhunës dhe të abuzimit që janë persona me aftësi të kufizuar.
3.13.3. Masat e posaçme nga shtetet anëtare
i. krijimi i garancive për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet zbatimit efektiv të politikave dhe të legjislacionit, kur është e nevojshme;
ii. rritja e disponueshmërisë dhe e aksesit në kurse trajnimi për njerëzit me aftësi të kufizuara për të ulur rrezikun e dhunës dhe të abuzimit, si, për shembull në kurse për rritjen e vetëbesueshmërisë dhe fuqizimit;
iii. zhvillimi i proceseve, masave dhe protokolleve të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar, përmirësimi i zbulimit të rasteve të dhunës dhe abuzimit dhe sigurimi i marrjes së masave të nevojshme kundër keqbërësve, duke përfshirë dëmshpërblim dhe këshillim profesional në rast të problemeve emocionale;
iv. sigurimi i aksesit të viktimave të dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë dhe dhunën në familje, që janë persona me aftësi të kufizuara tek shërbimet përkatëse të mbështetjes, duke përfshirë dhe dëmshpërblimin;
v. parandalimi dhe lufta kundër dhunës, keqtrajtimit dhe abuzimit në të gjitha situatat, duke mbështetur familjet, duke rritur ndërgjegjësimin e publikut, duke nxitur diskutimin dhe duke bashkëpunuar ndërmjet palëve përkatëse;
vi. mbështetje e personave me aftësi të kufizuara, në veçanti e grave, dhe e familjeve të tyre, në situata abuzimi nëpërmjet ofrimit të informacionit dhe eksesit në shërbime;
vii. sigurimi i krijimit të sistemeve për mbrojtjen kundër abuzimit të personave me aftësi të kufizuara në ambiente psikiatrie, shtëpitë e kujdesit social, institucione, jetimore, dhe lloje të tjera ambientesh institucionale;
viii. sigurimi i ofrimit të trajnimit të nevojshëm për të gjithë stafin që punon me organizime institucionale specifike për personat me aftësi të kufizuar dhe harmonizimi i shërbimeve mbështetëse;
ix. trajnimi i policisë dhe i organeve gjyqësore, në mënyrë që ata të mund të marrin dëshmi nga personat me aftësi të kufizuar dhe t’i trajtojnë rastet e abuzimit seriozisht;
x. ofrimi i informacionit për personat me aftësi të kufizuara informacion për mënyrën sesi të shmangin shfaqen e dhunës dhe të abuzimit, si ta njohin dhe si ta raportojnë atë;
xi. marrja e masave efektive ligjore, administrative, gjyqësore ose të tjera me sanksione të forta, në mënyrë transparente dhe lejimi i rishikimit të pavarur nga shoqëria civile për parandalimin e të gjitha formave të dhunës fizike dhe mendore, dëmtimit ose abuzimit, lëniea pasdore ose trajtimi neglizhent, keqtrajtimi, shfrytëzimi ose rrëmbimi i personave me aftësi të kufizuara;
...”
77. Pjesët përbërëse të Rezolutës ResAP(2005)1 për ruajtjen e të rriturve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara kundër abuzimit (miratuar nga Komiteti i Ministrave, datë 2 shkurt 2005 në takimin e 913të të Zëvendësministrave) kanë këtë përmbajtje:
“...
I. Përkufizimi i abuzimit
1. Në Rezolutë abuzimi përkufizohet si çdo veprim ose mosveprim që çon në shkeljen e të drejtave të një personi vulnerabël, të tilla si të drejtat civile, fizike, integriteti mendor, dinjiteti ose mirëqenia e përgjithshme, të shkaktuara me dashje ose nëpërmjet neglizhencës, duke përfshirë marrëdhëniet seksuale ose transaksionet financiare për të cilat personi nuk jep ose nuk është në gjendje të japë pëlqimin, ose të cilat janë qëllimisht shfrytëzuese. Në nivelin bazë, abuzimi mund të marrë forma të ndryshme:
a. dhunë fizike, duke përfshirë ndëshkimin trupor, burgimin, duke përfshirë mbylljen në shtëpinë e dikujt ose moslejimin për të dalë, mbipërdorimin ose keqpërdorimin e medikamenteve, eksperimentet mjekësore ose përfshirjen në kërkime invazive pa marrë pëlqim paraprak dhe ndalimin e paligjshëm të pacientëve psikiatrikë;
b. abuzimin dhe shfrytëzimin seksual, duke përfshirë përdhunimin, agresionin seksual, sulmet e pahijshme, ekspozimin e pahijshëm, përfshirjen e detyruar në pornografi dhe në prostituim;
c. kërcënimet psikologjike, zakonisht të përbëra nga abuzimi verbal, detyrimet, kundërshtimet, kërcënimet, ngacmimet, fyerjet ose kërcënimet për ndëshkim ose rrëmbim, shantazhet emocionale, arbitraritetet, mohimi i statusit të të rriturit dhe infantilizmi i personave me aftësi të kufizuara, dhe mohimi i individualitetit, seksualitetit, arsimit dhe trajnimit, aktiviteteve në kohën e lirë dhe sporteve;
...
3. Këto abuzime kërkojnë përgjigje përpjesëtimore, një përgjigje e cila nuk i pakëson përzgjedhjet legjitime të bëra nga individët me aftësi të kufizuara, por një përzgjedhje që njeh vulnerabilitetin dhe shfrytëzimin e tyre. Pra, termi “abuzim” i referohet çështjeve të një spektri të gjerë, të cilat përfshijnë veprat penale, shkeljet e etikës profesionale, praktika që shkojnë përtej udhëzimeve të rëna dakord ose kujdesit seriozisht të papërshtatshëm. Për rrjedhojë, masat për parandalimin dhe përgjigjen ndaj abuzimit përfshijnë një gamë të gjerë organesh dhe aktorësh, duke përfshirë dhe policinë, sistemin e drejtësisë penale, organet qeveritare që rregullojnë ofrimin e shërbimeve dhe profesionet, organizatat e këshillimit, rrjetet e përdoruesve dhe planifikuesit e tyre.
II. Parimet dhe masat për ruajtjen e të rriture dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara kundër abuzimit
1. Mbrojtja e të drejtave të njeriut
Shtetet anëtare kanë detyrimin të mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të tyre. Ata duhet t’i sigurojnë njerëzit me aftësi të kufizuara se ata mbrohen të paktën në të njëjtin nivel si qytetarët e tjerë.
Shtetet anëtare duhet të pranojnë se abuzimi është shkelje e të drejtave të njeriut. Njerëzit me aftësi të kufizuara duhet të mbrohen kundër dëmtimeve të qëllimshme dhe/ose të shmangshme të paktën në të njëjtën shkallë si qytetarët e tjerë. Kur njerëzit me aftësi të kufizuara janë veçanërisht vulnerabël, për sigurimin e tyre duhet të merren masa të posaçme.
2. Përfshirja e njerëzve me aftësi të kufizuara
Shtetet anëtare duhet të pranojnë që garantimi i të drejtave për personat me aftësi të kufizuara si qytetarë të vendit të tyre është përgjegjësi e shtetit.
Ata duhet të luftojnë diskriminimin kundër njerëzve me aftësi të kufizuara, të nxisin masa aktive për ta luftuar diskriminimin dhe për të siguruar përfshirjen e tyre në jetën social-ekonomike të komuniteteve të tyre.
Ata duhet të pranojnë që të gjithë personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të gëzojnë dinjitet, mundësi të barabarta, të ardhura të vetat, arsim, punësim, pranim dhe integrim në jetën sociale, duke përfshirë aksesin, kujdesin shëndetësor si dhe rehabilitimin mjekësor dhe funksional.
Ata duhet të garantojnë se personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të mbrohen, të paktën deri në të njëjtin nivel si qytetarët e tjerë, në përdorimin e shërbimeve të të gjitha natyrave.
3. Parandalimi i abuzimit
Shtetet anëtare duhet të rrisin ndërgjegjësimin e publikut, të nxisin debatin e hapur, të zhvillojnë njohuritë dhe të përmirësojnë edukimin dhe trajnimin profesional.
Ata duhet të inkurajojnë bashkëpunimin ndërmjet organeve dhe organizatave në gjetjen e masave për parandalimin e abuzimit, përmirësimin e zbulimit dhe raportimit të rasteve të abuzimit dhe mbështetjen e viktimave.
Ata duhet të krijojnë, të zbatojnë dhe monitorojnë ligjet në lidhje me standardet dhe rregullimin e ambienteve profesionale dhe të kujdesit, në mënyrë që ta bëjnë më pak të mundur abuzimin e personave me aftësi të kufizuar.
4. Mbrojtja ligjore
Shtetet anëtare duhet të sigurojnë akses në drejtësinë penale dhe në dispozitat e dëmshpërblimit dhe/ose kompensimit për personat me aftësi të kufizuara që kanë qenë viktima të abuzimit të paktën në të njëjtin nivel si pjesa tjetër e qytetarëve. Aty ku është e nevojshme, duhet të ofrohet ndihmë shtesë për të hequr pengesat fizike ose të tjera për personat me aftësi të kufizuara.
Personat me aftësi të kufizuara janë kërkues sipas të drejtës civile, të drejtat e të cilëve duhet të garantohen. Si rezultat, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që profesionistët që punojnë brenda sistemit të drejtësisë penale t’i trajtojnë personat me aftësi të kufizuara pa diskriminim dhe në një mënyrë që garanton barazinë e mundësive në ushtrimin e të drejtave të tyre si qytetarë.
...”
B. Asambleja Parlamentare
78. Pjesët përkatëse të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare Rec 1642 (2009) për akses në të drejta për persona me aftësi të kufizuar dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive në shoqëri (miratuar më 26 janar 2009) kanë këtë përmbajtje:
“1. Më shumë se një ndër dhjetë persona vuan nga një formë aftësie të kufizuar, duke përfaqësuar një total prej 650 milionë njerëzish në mbarë botën, me një përqindje dhe më të lartë duke kapur shifrën e deri në 200 milionësh vetëm në Evropë. Ka lidhje ndërmjet moshës dhe paaftësisë: me plakjen e popullsisë dhe me përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Evropë, numri i personave me aftësi të kufizuara rritet dhe do të vazhdojë të rritet dhe në të ardhmen.
2. Asambleja Parlamentare rikujton se Konventa për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (ETS No. 5) i mbron të gjithë njerëzit, duke përfshirë dhe personat me aftësi të kufizuara, dhe se neni 15 i Kartës së Rishikuar Sociale (ETS No. 163) u garanton shprehimisht personave me aftësi të kufizuara ushtrimin efektiv të së drejtës për pavarësi, integrim social dhe pjesëmarrje në jetën e komunitetit. Një tekst më i vonë dhe i pritur për shumë kohë i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara hyri në fuqi më 3 maj 2008. Asambleja e mirëpret këtë tekst, i cili jep një përshkrim të detajuar të personave me aftësi të kufizuara, duke përfshirë dhe fëmijët, dhe që padyshim do të kontribuojë për ndryshimin e perceptimit të nevojitur për përmirësimin e situatës së personave me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore.
3. Asambleja vëren se në praktikë, aksesi i personave me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore tek të drejtat në të njëjtin nivel si dhe aksesi i personave pa aftësi të kufizuara tek të njëjtat të drejta mbetet shpesh vetëm në nivelin e dëshirës dhe nuk është efektiv. Për rrjedhojë, ajo mirëpret përgatitjen nga Këshilli i Evropës i Planit të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara për të nxitur të drejtat dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri për periudhën 2006-2015 (Rekomandimi Rec(2006)5 i Komitetit të Ministrave), i cili përpiqet të gjejë përgjigje praktike për problemet më të rënda dhe më të zakonshme që hasen nga personat me aftësi të kufizuara, të forcojë barazinë e mundësive dhe përmban një sërë masash për përmirësimin e situatës së personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës së tyre të përditshme.
...
18. Ndërkohë që qëndrimi i shoqërisë, paragjykimet dhe mentalitete fikse mbeten ndërmjet pengesave kryesore për aksesin e personave me aftësi të kufizuara në të drejtat e tyre dhe për pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive në shoqëri, Asambleja u fton shtete anëtare të:
18.1. rrisin fushatat e tyre duke tërhequr vëmendjen e publikut tek çështjet e aftësisë të kufizuar dhe duke dhënë informacion rreth këtyre çështjeve;
18.2. marrin masa ligjore dhe të parashikojnë si vepra penale praktikat diskriminuese dhe qëndrimit të papranueshëm ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, të kryera ose nga individë të izoluar ose në institucionet e kujdesit shëndetësor;
18.3. shpërndajnë shembuj të praktikave të mira në të gjitha sferat e jetës së përditshme, në mënyrë që t’u bëhet e qartë të gjithëve, veçanërisht të rinjve, rëndësi e kësaj çështje në shoqërinë civile, mjedisin e punës dhe botën e arsimit;
18.4. sigurojnë pjesëmarrjen e plotë dhe aktive të personave me aftësi të kufizuara përgjatë të gjithë këtyre proceseve.
...”
IV. MATERIALE PËRKATËSE TË KOMBEVE TË BASHKUARA
79. Pjesët përkatëse të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (e cila u ratifikua nga Kroacia në korrik 2007 dhe hyri në fuqi më 3 maj 2008) kanë këtë përmbajtje:
Neni 1 – Qëllimi
“Qëllimi i kësaj Konvente është të nxisë, mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.
Personat me aftësi të kufizuar përfshijnë individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afatgjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.”
Neni 4 - Detyrime të përgjithshme
“1. Shtetet Palë marrin përsipër të sigurojnë dhe nxisin realizimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, pa diskriminim të ndonjë lloji për shkak të aftësisë së kufizuar. Për këtë qëllim, Shtetet Palë marrin përsipër:
të miratojnë të gjitha masat e duhura legjislative dhe administrative, si dhe masa të tjera për zbatimin e të drejtave të njohura nga kjo Konventë;
të marrin të gjitha masat e duhura, duke përfshirë ato legjislative për të modifikuar apo shfuqizuar ligjet, rregulloret, zakonet dhe praktikat ekzistuese, të cilat kanë përmbajtje diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuar;
të marrin parasysh mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut për personat me aftësi të kufizuar në të gjitha politikat dhe programet;
të mos marrin pjesë në veprime apo praktika që nuk janë në përputhje me këtë Konventë dhe të sigurohen që autoritet dhe institucionet publike veprojnë në përputhje me këtë Konventë;
të marrin të gjitha masat e duhura për të eliminuar diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar nga personat, organizatat apo ndërmarrjet private;
...”
Neni 5 - Barazia dhe mosdiskriminimi
“1. Shtetet Palë pranojnë se të gjithë personat janë të barabartë përpara ligjit dhe se gëzojnë të drejtë pa asnjë diskriminim për mbrojtje të barabartë dhe përfitim të barabartë nga ligji.
2. Shtetet Palë duhet të ndalojnë çdo lloj diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar dhe tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar mbrojtje ligjore të barabartë dhe efektive ndaj çdo lloj diskriminimi dhe në çdo rrethanë.
3. Me qëllim nxitjen e barazisë dhe eliminimin e diskriminimit, Shtetet Palë duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e duhura për tu siguruar se është ofruar akomodim i arsyeshëm.
4. Masat specifike të cilat janë të nevojshme për të përshpejtuar apo arritur de facto barazinë e personave me aftësi të kufizuar nuk do të konsiderohen diskriminim sipas kushteve të kësaj Konvente.”
Neni 8 - ndërgjegjësimi
“1. Shtetet Palë marrin përsipër të ndërmarrin masa të menjëhershme, efektive dhe të përshtatshme:
Për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke përfshirë punën me familjet, lidhur me personat me aftësi të kufizuar, me qëllim nxitjen e respektit për të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuar;
Për të luftuar stereotipet, paragjykimet dhe praktikat e dëmshme lidhur me personat me aftësi të kufizuar, përfshirë dhe ato me bazë gjininë dhe moshën, në të gjitha fushat e jetës;
Për të nxitur rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me aftësitë dhe kontributin e personave me aftësi të kufizuar.
Masat për këtë qëllim përfshijnë:
ndërmarrjen e nismave dhe fushatave efektive për ndërgjegjësimin e publikut të projektuara për:
përmirësimin e botëkuptimit në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar;
nxitjen e perceptimit pozitiv dhe një ndërgjegjësimi më të madh shoqëror ndaj personave me aftësi të kufizuar;
promovimin e njohjes së aftësive, meritave dhe mundësive të personave me aftësi të kufizuar, si edhe të kontributeve të tyre në ambientin (vendin) e punës dhe tregun e punës;
nxitja e mendësisë së respektit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, duke përfshirë të gjithë fëmijët që në moshë të hershme;
të inkurajojë të gjithë organeve e mediave për të portretizuar personat me aftësi të kufizuar në mënyrë të tillë që të jetë konsistente me këtë Konventë;
të nxisë programet e trajnimit në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimi përsa u takon personave me aftësi të kufizuar dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.”
Neni 15 - Liria nga tortura apo, trajtimi ose ndëshkimi mizor, çnjerëzor apo degradues
“1. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor apo degradues. Në mënyrë të veçantë, askush nuk duhet t’i nënshtrohet eksperimentimit mjekësor apo shkencor pa pëlqimin e saj/tij të lirë.
2. Shtetet Palë do të marrin të gjitha masat e duhura ligjore, administrative, gjyqësore apo të tjera për të parandaluar që personat me aftësi të kufizuar, njësoj si të tjerët, t’i nënshtrohen torturës apo trajtimit apo dënimit mizor, çnjerëzor apo degradues..”
Neni 16 - Liria nga shfrytëzimi, dhuna dhe abuzimi
“1. Shtetet Palë do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ligjore, administrative, shoqërore, arsimore etj. për të mbrojtur personat me aftësi të kufizuar, si brenda ashtu edhe jashtë familjes, nga të gjitha format e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë edhe aspektet me bazë gjinore.
2. Gjithashtu, Shtetet Palë do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të parandaluar të gjitha format e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit duke siguruar, ndër të tjera, format e duhura të asistencës në bazë të gjinisë dhe moshës dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuar, familjeve të tyre dhe punonjësve të kujdesit, përfshirë nëpërmjet sigurimit të informacionit dhe edukimit se si të shmangen, njihen apo raportohen rastet e shfrytëzimit, dhunës apo abuzimit. Shtetet Palë do të sigurohen që shërbimet e mbrojtjes të marrin në konsideratë të gjitha cështjet që kanë të bëjnë me moshën, gjininë dhe aftësinë e kufizuar.
3. Me qëllim parandalimin e të gjitha formave të shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit, Shtetet Palë do të sigurohen që të gjitha objektet dhe programet e projektuara për tu shërbyer personave me aftësi të kufizuar të jenë të monitoruara në mënyrë efektive nga autoritete të pavarura.
4. Shtetet Palë do të marrin të gjitha masat e duhura për të nxitur rikuperimin fizik, konjitiv dhe psikologjik të personave me aftësi të kufizuar, si edhe rehabilitimin dhe riintegrimin e atyre personave të kthehen në viktima të çdo lloj forme shfrytëzimi, dhune apo abuzimi, duke përfshirë përmes ofrimit të shërbimeve mbrojtëse. rikuperimi dhe riintegrimi do të ndodhin në një mjedis që nxit shëndetin, mirëqenien sociale, autostimën, dinjitetin dhe autonominë e personit dhe merr parasysh nevojat specifike gjinore dhe moshore.
5. Shtetet Palë do të hartojnë ligje dhe politika efikase, përfshirë edhe ligje dhe politika të përqendruara tek gratë dhe fëmijët për tu siguruar që rastet e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit ndaj personave me aftësi të kufizuar të jenë evidentuar dhe hetuar, dhe sipas rrethanave edhe ndjekur nga ana penale.”
Neni 17 - Mbrojtja e integritetit të personit
“Çdo person me aftësi të kufizuar ka të drejtën e respektit ndaj integritetit të saj/ tij fizik dhe mendor njësoj si pjesa tjetër e popullsisë.”
LIGJI
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENEVE 2, 3 DHE 8 TË KONVENTËS
80. Kërkuesit u ankuan se autoritetet shtetërore nuk u kishin dhënë mbrojtjen e nevojshme kundër ngacmimit nga fëmijët e lagjes. Ata u bazuan në nenin 2, 3 dhe 8 të Konventës, pjesët përkatëse të së cilëve parashikojnë si më poshtë:
Neni 2
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
...”
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
Neni 8
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës ...private.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Pranueshmëria
1. Argumentet e palëve
(a) Komentet e Qeverisë
81. Qeveria komentoi se neni 2 dhe 3 nuk ishin të zbatueshme në rrethanat e çështjes në fjalë. Lidhur me nenin 2, Qeveria pretendoi se jetët e kërkuesve nuk janë vënë kurrë në rrezik në asnjë mënyrë. Lidhur me nenin 3 të Konventës, Qeveria parashtroi se nuk është arritur niveli bazë i ashpërsisë përderisa ngacmimi objekt i çështjes kishte qenë kryesisht verbal, ndërsa dëmet që kishte pësuar kërkuesi i parë më 4 prill 2009 kishin pasur natyrë të lehtë. Qeveria parashtroi po ashtu se fakti që kërkuesi i parë kishte shprehur dëshirën që të ecte përreth tregon se ai nuk ishte traumatizuar nga ngjarjet në fjalë.
82. Qeveria pretendonte po ashtu se kërkuesit nuk i kishin përdorur të gjitha mjetet efektive ligjore. Sipas këndvështrimit të Qeverisë, kërkuesit duhet të kishin bërë padi për dëme kundër fëmijëve në fjalë dhe prindërve të tyre, si dhe kundër shkollës ku studionin fëmijët, ose kundër autoriteteve të tjera. Më tej, ata duhet të kishin filluar procese gjyqësore për krime të kryera nga minorenët kundër prindërve të fëmijëve. Ata mund të kishin ngritur padi dhe “kundër një akti të paligjshëm” kundër organeve përkatëse në përputhje me Ligjin për Mosmarrëveshje Administrative. Në proceset e filluara për këtë vepër, gjykata përgjegjëse ishte e detyruar të përgjigjej menjëherë. Në vendimin e saj rreth veprës, gjykata do të kishte ndaluar çdo akt tjetër të paligjshëm. Vendimi do të ishte zbatuar brenda tre ditësh, pasi t’u ishte bërë me dije palëve.
83. Lidhur me ngjarjet e datës 10 prill dhe 13 maj 2010, Qeveria parashtroi se të gjithë autorët e pretenduar të veprës, P.B. dhe Z.B., i kishin mbushur katërmbëdhjetë vjeç dhe se mund të ishin penalisht përgjegjës për aktet e kryera. Përderisa procesi penal kundër tyre nuk kishte mbaruar end, çdo ankesë e lidhur me këto incidente ishte e parakohshme.
(b) Parashtrimet e kërkuesve
84. Kërkuesit vazhduan të shprehshin në përgjigjen e tyre se ata kishin qenë objekt i një ngacmimi të gjatë, i cili kishte përfshirë akte të dhunës fizike kundër kërkuesit të parë dhe dhunë verbale kundër të dy kërkuesve. Ky ngacmimi u kishte ndërhyrë në jetën e përditshme dhe u kishte shkaktuar stres dhe vuajtje të konsiderueshme dhe të vazhdueshme, veçanërisht për shkak të gjendjes mjekësore të kërkuesit të parë. Ata pretendonin se skema e vazhdueshme e ngacmimit dhe e abuzimit e plotësonte standardin e intensitetit të parashikuar në nenin 3 dhe 8 të Konventës dhe se në çështjen në fjalë ishte i zbatueshëm dhe neni 2 i Konventës duke pasur parasysh përshkallëzimin e dhunës kundër kërkuesit të parë dhe vulnerabilitetin e tij ekstrem, si dhe në këndvështrimin e gjasave të ngacmimit në shkallë të ulët që transformohet në dhunë të përmasave të plota nëse lihet i pakontrolluar, që ka të ngjatë të çojë në rrethana ekstreme vdekje ose keqtrajtimi të rëndë, siç dëshmohet nga kërkimet për krimet e urrejtjes për personat me aftësi të kufizuar.
85. Lidhur me shterimin e mjeteve efektive ligjore, ata pretenduan se sistemi i brendshëm ligjor nuk parashikonte asnjë mjet efektiv ligjor për dëmshpërblim lidhur me krimin e urrejtjes për shkak të aftësisë së kufizuar; kjo mbështetej nga fakti që Qeveria nuk ishte depozituar jurisprudencë përkatëse për të mbështetur pretendimet e saj për disponueshmërinë dhe efikasitetin e mjeteve ligjore tek të cilat ato bazoheshin.
86. Lidhur me mundësinë e ngritjes së një padie kundër organeve për kryerjen e një akti të paligjshëm sipas seksionit 67 të Ligjit për Mosmarrëveshjet Administrative, kërkuesit u shprehën se kërkesat e pranueshmërisë për këtë mjet efektiv ligjor, si për shembull, fakti që akti i paligjshëm duhet të përbënte shkelje të Kushtetutës, se mjeti efektiv ligjor duhet të ishte mjet i fundit dhe se aktiviteti duhet të vazhdonte në kohën e ngritjes së padisë, e bënin këtë padi jo efektive në çështjen në fjalë.
87. Lidhur me një padi të mundur civile për dëmshpërblime kundër prindërve të fëmijëve të përfshirë, kërkuesit u shprehën që në çështjet kundër Kroacisë gjykata ishte shprehur më parë se shmangia efektive kundër sulmeve për integritetin fizik të një personi kërkonte mekanizma efikase të së drejtës penale që do të kishin siguruar mbrojtje të përshtatshme në këtë aspekt (ata cituan Sandra Janković k. Kroacisë, nr. 38478/05, § 36, 5 mars 2009).
88. Lidhur me proceset për krimet e kryera nga minorenët, kërkuesit parashtruan se ato zbatoheshin vetëm për veprat të vogla kundër qetësisë dhe rendit publik dhe, si rezultat, këto mjete efektive ligjore ishin qartësisht të papërshtatshme lidhur me dëmin e shkaktuar ndaj integritetit fizik dhe psikologjik të kërkuesve.
89. Lidhur me kontestimin e Qeverisë se kërkesa ishte e parakohshme lidhur me aktivitetet e datës 10 prill dhe 13 maj 2010 pasi hetimi për këto ngjarje ishte akoma në proces e sipër, kërkuesit u shprehën se ata nuk kishin marrë kurrë asnjë informacion zyrtar se kishte filluar një proces hetimi rreth çështjes dhe se në çdo rast kishte pasur vonesa të pajustifikuara në sjelljen e institucioneve. Për më tepër, hetimi lidhej me incidente të izoluara dhe jo me situatën e kërkuesve në tërësi.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Aplikimi i nenit 2, 3 dhe 8 të Konventës në rrethanat e kësaj çështje
(i) Lidhur me kërkuesin e parë
90. Gjykata nënvizon incidentet e përsëritura të dhunës kundër kërkuesit të parë. Faktet e kësaj çështje lidhen me episode të shpeshta ngacmimi në periudhën nga 31 korriku 2008 dhe shkurti 2011, duke shkuar deri në rreth dy vjet e gjysëm. Incidentet lidheshin si me ngacmimin verbal dhe me atë fizik, duke përshirë akte të dhunshme, të tilla si djegien e duarve të kërkuesit të parë me cigare, shtyrjen drejt një gardhi prej hekuri dhe gjuajtjen me top. Përballë faktit që të gjitha incidentet në çështjen në fjalë lidheshin me seri aktesh të një grupi fëmijësh dhe u zhvilluan përgjatë një periudhe kohe, Gjykata do t’i shqyrtojë ato si situata në vazhdim.
91. Gjykata vëren më tej se incidentet e ngacmimit të kërkuesit të parë nga fëmijët që jetonin në lagjen e tij dhe nga fëmijët që ndiqnin një shkollë fillore aty afër janë të dokumentuara mirë, inter alia, në raportet e policisë dhe në raportet mjekësore. Këto të fundit dëshmojnë ndikimin negativ të këtyre incidenteve në shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Raportet e lidhura me kërkuesin e parë tregojnë se ai vuan nga çrregullime serioze mendore, por se ai është individ paqësor dhe jo i rrezikshëm, i cili nuk mundet dhe nuk di të mbrohet nga abuzuesit. Për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm kundër tij, atij i ishte dashur t’i nënshtrohej psikoterapisë, kishte qenë shpesh i frikësuar dhe nën stres. Ishte rekomanduar heqja e tij nga situata e ngacmimit.
92. Kërkuesi i parë kishte bërë parashtrime të besueshme se përgjatë një periudhe të gjatë, ai ishte qenë i ekspozuar ndaj kërcënimeve të integritetit të tij fizik dhe mendor, dhe se ishte ngacmuar ose sulmuar në shumë raste.
93. Duke pasur parasysh këto fakte, Gjykata është e mendimit se organet shtetërore kishin detyrimin pozitiv të mbronin kërkuesin e parë nga sjellja e dhunshme e një fëmije të përfshirë. Ky detyrim në rrethanat e çështjes në fjalë del nga si nga neni 3 dhe nga neni 8 i Konventës. Në rrethanat e çështjes, Gjykata është e mendimit, se është e mjaftueshme që të analizojë ankesat e kërkuesit të parë vetëm nga këndvështrimi i nenit 3 të Konventës.
94. Gjykata thekson se keqtrajtimi duhet të ketë një nivel minimal ashpërsie nëse është pjesë e objektit të nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ: ai varet tek të gjitha rrethanat e çështjes, të tilla si natyra dhe kuadri i trajtimit, kohëzgjatja, efektet fizike dhe mendore dhe, në disa raste, seksi, mosha, gjendja shëndetësore e viktimës (shih Costello-Roberts k. Mbretërisë së Madhe, 25 mars 1993, § 30, Seritë A nr. 247-C, dhe A. k. Mbretërisë së Madhe, 23 shtator 1998, § 20, Raportet e Vendimeve Gjyqësore 1998‑VI).
95. Trajtimi është konstatuar si “çnjerëzor” nga Gjykata për shkak se, inter alia, ai ishte i paramenduar, ishte ushtruar për orë të tëra me radhë dhe kishte shkaktuar ose dëmtim trupor ose vuajtje intensive fizike dhe mendore (shih Labita k. Italisë [GC], nr. 26772/95, § 120, ECHR 2000-IV). Trajtimi është trajtuar “degradues” kur ai ka qenë në nivel të tillë saqë ka çuar në ndenja frike, ankthi dhe inferioriteti tek viktimat, të afta për t’i përçmuar dhe përulur kërkuesit, dhe mbase dhe për të thyer rezistencën e tyre fizike ose morale (shih Hurtado k. Zvicrës, 28 janar 1994, opinioni i Komisionit, § 67, Seritë A nr. 280, dhe Wieser k. Austrisë, nr. 2293/03, § 36, 22 shkurt 2007).
96. Gjykata është e mendimit se ngacmimi i kërkuesit të parë, i cili të paktën në një rast i kishte shkaktuar atij dhe dëmtime fizike, kombinuar me ndjenjat e frikës dhe të të ndjerit pa shpresë, ishte mjaftueshërisht e rëndë për të arritur nivelin e ashpërsisë që kërkohet për të trajtuar çështjen në objektin e nenit 3 të Konventës dhe, duke qenë kështu, e bën këtë dispozitë të zbatueshme për çështjen në fjalë (shih Price k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33394/96, § 24, ECHR 2001-VII, dhe Milanović k. Serbisë, nr. 44614/07, § 87, 14 dhjetor 2010).
(ii) Lidhur me kërkuesen e dytë
97. Lidhur me kërkuesen e dytë, Gjykata vëren se ajo nuk është ekspozuar ndaj asnjë lloj forme dhune që cenon integritetin e saj fizik. Gjithsesi, nuk ka dyshim që ngacmimi i vazhdueshëm i kërkuesit të parë, i djalit të saj me aftësi të kufizuara, për të cilin ajo kujdeset, dhe incidentet e ngacmimit që lidheshin dhe me personalitetin e saj, edhe në format më të buta, i kanë shkaktuar shpërqendrime nga jeta dhe rutina e saj e përditshme, gjë e cila kishte efekt negativ në jetën e saj private dhe familjare. Në fakt, integriteti moral i një individi mbulohet nga koncepti i jetës private. Koncepti i jetës private shtrihet dhe në sferën e marrëdhënieve të individëve ndërmjet tyre.
98. Rezulton që është i zbatueshëm neni 8 në rrethant e çështjes në fjalë lidhur me ankesat për kërkuesen e dytë.
(b) Shterimi i mjeteve të brendshme ligjore
99. Gjykata thekson se qëllimi i nenit 35 është t’u mundësojë Shteteve Palë mundësinë e parandalimi ose të ndreqjes së shkeljeve të pretenduara kundër tyre, para se këto pretendime t’i parashtrohen institucioneve të Konventës. Për rrjedhojë, shtetet pengohen të japin përgjigje për veprimet e tyre para një organi ndërkombëtar, para se të kenë pasur mundësi t’i rregullojnë çështjet nëpërmjet sistemit të tyre ligjor. Rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme efektive ligjore të përmendura në nenin 35 të Konventës kërkon që rekursi normal të drejtohet nga një kërkues vetëm me mjetet efektive ligjore që lidhen me shkeljet e pretenduara dhe që janë, në të njëjtën kohë, të disponueshme dhe të mjaftueshme. Prania e këtyre mjeteve efektive ligjore duhet të jetë mjaftueshmërisht e sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, pasi në mospranimë e kësaj të fundit njerëzit nuk do të kenë aksesin dhe efektivitetin e nevojshëm; i takon shtetit të paditur të dëshmojë që këto kushte të ndryshme janë plotësuar (shih Selmouni k. Francës [GC], nr. 25803/94, §§ 74 dhe 75, GjEDNj 1999‑V).
100. Neni 35 parashikon shpërndarjen e barrës së provës. I përket Qeverisë që pretendon mosshterim të mjeteve efektive ligjore të bindë Gjykatën që mjeti ligjor ishte efektiv dhe i disponuehsëm në teori dhe në praktikë në kohën përkatëse, pra, ai ishte i aksesueshëm, ishte i aftë të ofronte dëmshpërblim lidhur me ankesat dhe mundësitë e arsyeshme të ofruara për sukses (shih Akdivar dhe të Tjerët k. Turqisë, 16 shtator 1996, § 68, Raportet 1996‑IV).
101. Gjykata thekson se zbatimi i këtij rregulli duhet të marrë parasysh kontektin e ngjarjeve. Për pasojë, Gjykata pranon se neni 35 duhet të zbatohet me një farë shkalle fleksibiliteti dhe pa formalizma të tepruara (shih Cardot k. Francës, 19 mars 1991, § 34, Seritë A nr. 200). Ajo ka njohur më tej se rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme ligjore nuk është as absolut, dhe as në gjendej të zbatohet në mënyrë automatike; në shqyrtimin nëse është respektuar rregulli, është e domosdoshme të mbahen parasysh rrethanat specifike të çështjes objekt shqyrtimi (shih Van Oosterwijck k. Belgjikës, 6 nëntor 1980, § 35, Seritë A nr. 40). Kjo do të thotë, ndërmjet të tjerash, se Gjykata duhet të marrë realisht parasysh jo vetëm praninë e mjeteve formale ligjore në sistemin ligjor të shtetit palë, por edhe kuadrin e përgjithshëm ligjor dhe politik në të cilin operon ai, si dhe rrethanat personale të kërkuesit (shih Akdivar dhe të Tjerët, përmendur më sipër, § 69).
102. Lidhur me çështjen në fjalë, Gjykata vëren se Qeveria sugjeroi që kërkuesit duhet të kishin ngritur pasi civile për dëmshpërblim kundër prindërve të fëmijëve të përfshirë në aktet e ngacmimit dhe të dhunës kundër kërkuesit të parë, duke shtuar se ata kishin po ashtu mundësi të fillonin procese për vepra penale të kryera nga të miturit kundër prindërve të këtyre fëmijëve.
103. Në këtë pikë, Gjykata vëren se ajo çfarë është në rrezik në çështjen në fjalë nuk është përgjegjësia individuale e prindërve të fëmijëve të përfshirë, por mungesa e një përgjigje të përshtatshme nga organet kompetente shtetërore ndaj akteve të përsëritura të ngacmimit dhe dhunës nga fëmijët që, për shkak të moshës së tyre, nuk mund të ndiqen penalisht sipas të drejtës kombëtare.
104. Lidhur me kontestimin e Qeverisë, sipas të cilit kërkesa ishte e parakohshme pasi fëmijët me iniciale P.B., Z.B. dhe I.S., që pretendohet të ishin përfshirë në ngjarjet e datës 10 prill dhe 13 maj 2010, kishin qenë katërmbëdhjetë vjeç në atë kohë, pra ishin penalisht përgjegjës, Gjykata theksoi së pari se në rastin në fjalë nuk është në diskutim përgjegjësia penale individuale. Në çdo rast, incidentet në fjalë kishin ndodhur në prill dhe në maj të vitit 2010 dhe Qeveria kishte dështuar të tregonte se ishin marrë masa të mëtejshme përveç intervistimit të policisë së kryer në korrik, gusht dhe shtator 2010 me fëmijët objekt diskutimi.
105. Gjithsesi, disa mjete të mëtejshme ligjore të përmendura nga Qeveria, kërkojnë bërjen e vlerësimit për efektivitetin e tyre në rrethanat e posaçme të çështjes nën shqyrtim. Gjykata vëren se seksionet 67-76 të Ligjit për Mosmarrëveshjet Administrative parashikojnë “masa kundër një akti të paligjshëm” (shih paragrafët 66 dhe 67 më sipër), një mjet efektiv ligjor të hapur për gjithkënd që mendon se të drejtat dhe liritë e tij/saj, të garantuara nga Kushtetuta, janë shkelur nga një organ publik dhe se nuk ka asnjë mjet tjetër efektiv ligjor të disponueshëm. Ky mjet ligjor dhe mjeti i parashikuar në seksionin 66 të të njëjtit Ligj kundër “një akti përfundimtar individual” (shih paragrafin 65 më sipër) përfaqësojnë mjete efektive të burimit të fundit të cilat përdoren në mungesë të ndonjë mbrojtje tjetër gjyqësore, kundër vendimeve ose veprimeve ose mosveprimeve (të tjera) nga organet publike që janë të afta të shkelin të drejtat dhe liritë e garantuara nga kushtetuta. Arsyetimi kundër këtyre mjeteve efektive ligjore është që të drejtat dhe liritë kushtetuese janë kaq të vyera saqë nuk mund të lihen të pambrojtura nga gjykatat.
106. Gjykata vëren po ashtu se e drejta për t’u mos keqtrajtuar dhe e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare të dikujt të dyja garantohen nga Kushtetuta e Kroacisë. Më tej, jurisprudenca përkatëse e gjykatave kombëtare tregon se një padi e kësaj natyre mund të ngrihet po ashtu në një situatë ose mosveprim, si në rastin aktual, ku kërkuesit pretendojnë se organet kombëtare kanë dështuar në marrjen e hapave të nevojshëm për mbrojtjen e tyre. Gjithsesi, ngrihen disa çështje që duhen shqyrtuar lidhur me efektivitetin e kësaj mase në rrethanat e çështjes në fjalë.
107. Së pari, Qeveria nuk përcaktoi se cili organ kishte përgjegjësi për mos marrjen e masave të përshtatshme. Përderisa mjeti ligjor në diskutim është “padia kundër një veprimi të ligjshëm” (ose mosveprimi), është e nevojshme të përcaktohet se cili organ e kishte për detyrë të vepronte, dhe mbi bazën e cilit ligj. Më tej, një padi për mosveprim mund të ngrihet vetëm kundër një zyrtari publik (individ), i cili kishte të drejtë të vepronte bazuar në ligj. Në çështjen në fjalë, do të ishte e vështirë të vihej gishti tek një individ që e kishte për detyrë të bënte këtë gjë. Për më tepër, Qeveria nuk bëri koment në këtë aspekt. Gjykata vëren në këtë pikë që një aspekt i kërkesës së kërkuesve ishte se asnjë organ shtetëror nuk ishte i detyruar sipas ligjit të merrte masa në situatën për cilën ankohen kërkuesit.
108. Një padi e kësaj natyre sipas Ligjit për Mosmarrëveshjet Administrative përfshin fillimin e proceseve në gjykatat e zakonshme civile. Qeveria nuk ka dëshmuar se zbatimi i çdo lloj mase të ndërmjetme do të ishte i mundur në këto procese. Gjithsesi, situata për të cilën ankohen kërkuesit tregon se ata janë ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme, ndonjëherë dhe përditë, dhe thelbi i ankesave të tyre mbështetet në faktin se autoritetet kombëtare, megjithëse të ndërgjegjshme për këtë situatë, kanë dështuar në marrjen e masave të duhura për ndalimin e ngacmimit të mëtejshëm. Pra, situata kërkon reagim të menjëhershëm nga organet shtetërore. Qeveria nuk ka treguar se ndonjëra nga mjetet efektive ligjore të përmendura prej saj mund të jetë e aftë të çojë në një përgjigje të menjëhershme ndaj situatës së ngacmimit.
109. Pra, lidhur me “padinë kundër një akti të paligjshëm” dhe padinë civile për dëmshpërblime kundër shtetit sipas Ligjit për Detyrimet Civile, Qeveria nuk ka treguar se këto mjete efektive ligjore do të kishin qenë në gjendje të çonin në masa të menjëhershme dhe të duhura që ishin të nevojshme në rrethanat e çështjes në fjalë.
110. Në këtë pikë, Gjykata thekson se arsyetimi pas kërkesës për shterim të mjeteve efektive ligjore është natyra dytësore e instrumenteve të Konventës, pra parimi që u duhet dhënë së pari mundësi autoriteteve kombëtare të gjejnë zgjidhjen ligjore të shkeljes së pretenduar. Në këtë aspekt, Gjykata vëren se kërkuesja e dytë është ankuar në mënyrë të vazhdueshme rreth ngacmimit vijues në organe të ndryshme kombëtare, të tilla si policia dhe Zyra e Avokatit të Shtetit, qendra përkatëse e mirëqenies sociale dhe shkolla në të cilën shkonin fëmijët në fjalë. Gjykata është e mendimit që në këtë mënyrë ajo u dha organeve përkatëse mundësinë e vërtetë për të reaguar përkundrejt pretendimeve dhe për t’i dhënë fund ngacmimit. Si rezultat, ajo i ka shteruar mjetet efektive ligjore në dispozicion.
111. Për më tej, kërkuesit pretendonin mangësi në sistemin kombëtar për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara nga aktet e ngacmimit dhe dhunës, duke përfshirë dhe kuadrin ligjor brenda të cilit duhet të funksionojnë organet dhe mekanizmat e parashikuar. Në këtë pikë, Gjykata vëren se Qeveria nuk ka dëshmuar se këto çështje mund të ishin shqyrtuar në ndonjërin prej llojeve të proceseve gjyqësore mbi të cilat ata janë bazuar.
112. Rezulton se kërkuesve nuk u kërkohej të viheshin në dispozicion edhe të kërkimit të mjeteve efektive ligjore të sugjeruara nga Qeveria. Në arritjen e këtij përfundimi, Gjykata ka marrë po ashtu parasysh rrethanat specifike të çështjen në fjalë, si dhe faktin që është në diskutim një e drejtë aq themelore sa e drejta për të mos qenë objekt trajtimi çnjerëzor dhe degradues dhe se Konventa synohet të garantojë të drejtat që nuk janë teorike ose iluzive, por të drejta të cilat janë praktike dhe efektive (shih, për shmebull, Matthews k. Mbretërisë së Madhe [GC], nr. 24833/94, § 34, GjEDNj 1999-I). Për pasojë, kundërshtimi i Qeverisë duhet të rrëzohet.
(c) Përfundim
113. Gjykata konstaton se ankesat e lidhura me shkelje të nenit 3 dhe 8 të Konventës nuk janë shprehimisht të pabazuara brenda kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo konstaton më tej se ato nuk janë të papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Si rezultat, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(a) Parashtrimet e kërkuesve
114. Kërkuesit e trajtuan së pari çështjen e dhunës kundër kërkuesit të parë si çështje të krimit të urrejtjes për shkak të aftësisë së kufizuar. Studimet e lidhura me këtë çështje tregojnë se niveli i abuzimit dhe i dhunës së kryer kundër personave me aftësi të kufizuar është goxha më i lartë se abuzimi dhe dhuna e ushtruar mbi popullsinë e përgjithshme dhe se raste të tilla janë të shumta. Format më të zakonshme të dhunës kundër njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale ishin gjuajtja, kafshimi, etiketimi me emra të ndryshëm, ngacmimi, vjedhja, shtyrja, kërcënimi, gjuajtja me objekte, dhënia e urdhrave për t’u larguar nga ndërtesa, goditja, bërtitja, mallkimi, kërkimi i parave, shkulja e flokëve, gjuajtja me gur, pështyrja, pickimi, rrahja dhe përplasja e kokës për muri. Njerëzit me aftësi të kufizuara janë shpesh objekt dhune të vazhdueshme, të ushtruar nga të njëjtët persona. Abuzimi kryhet shpesh nga grupe të organizuara, të cilët etiketojnë të njëjtët persona në mënyrë sistematike, si në rastin në fjalë.
115. Ngacmimi kundër personave me aftësi të kufizuara zakonisht motivohet nga perceptimi i këtyre personave si inferiorë. Dhuna dhe armiqësia mund të kenë pasoja të shumta dhe të larmishme në natyrë, të tilla si emocionale, fizike dhe implikime seksuale, ose mund të çojnë dhe në vdekjen e viktimës. Njerëzit me aftësi të kufizuara mund të detyrohen të ristrukturojnë jetën e tyre të përditshme për t’ju shmangur rreziqeve.
116. Në parashtrimet e tyre, kërkuesit u bazuan dhe në burimet ndërkombëtare të cituara më sipër, në veçanti në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe detyrimeve që rrjedhin prej saj.
117. Kërkuesit parashtruan se kishin qenë objekt i një ngacmimi dhe abuzimi të vazhdueshëm për një periudhë prej më shumë se pesë vjet nga një grup i përbërë kryesisht nga fëmijë të paidentifikuar për shkak të origjinës së tyre serbe dhe aftësisë së kufizuar të kërkuesit të parë. Ngacmimi kishte konsistuar kryesisht në abuzimin verbal dhe në forma të tjera të sjelljes anti-sociale, të tilla si pështyrja, bërja e zhurmave, shkrimi i mesazheve fyese në trotuare, dhe shkaktimi i dëmeve në vendbanimin e kërkuesve. Ai u kishte shkaktuar vuajtje të vazhdueshme kërkuesve. Përveç dëmit fizik që rrjedh nga incidentet e përmendura më sipër, ngacmimi i vazhdueshëm kishte ndikuar shumë në mirëqenien mendore të kërkuesit të parë, siç dokumentohet nga psikoterapeuti i tij.
118. Përveç kësaj, kërkuesve u ishte dashur të ndryshonin rutinën e tyre të përditshme. Ecjet e përditshme në park, të qëndruarit të ulur në stolat e parkut dhe të biseduarit me njerëzit ishin shumë të rëndësishme për kërkuesin e parë për të zhvilluar një stil të pavarur jetese dhe një ndjesi përfshirje në komunitet. Për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm nga fëmijë të lagjes së tij, kërkuesit të parë i ishte dashur t’i ndalonte këto aktivitete.
119. Duke u bazuar gjerësisht në jurisprudencën e Gjykatës lidhur me detyrimin pozitiv të shtetit të parashikuar në nenin 3 dhe 8 të Konventës, kërkuesit pretendonin se organet përkatëse shtetërore kishin pasur detyrën e marrjes së masave pozitive për t’i mbrojtur ata nga dëmtimi i shkaktuar nga palët e treta. Kërkuesja e dytë i kishte informuar në mënyrë të vazhdueshme autoritetet për abuzimin ndaj të cilit ata ishin të ekspozuar, por organet kishin dështuar në marrjen e masave për parandalimin e keqtrajtimit. Në këtë mënyrë, organet kishin qenë në dijeni të skemës së ngacmimin kundër kërkuesit të parë.
120. Pavarësisht nga informacion rreth situatës së kërkuesve, organet përgjegjëse kishin dështuar në detyrën e tyre për t’i dhënë fund ngacmimit dhe abuzimit. Kërkuesit pretendojnë se nuk ka qenë e qartë se cili ishte organi përgjegjës për të trajtuar situatën e tyre. Lidhur me kontestimin e qeverisë, sipas të cilit policia kishte reaguar siç duhet ndaj të gjitha ankesave të kërkueses së dytë, ata pretendonin se policia nuk ia kishte dalë të kuptonte në tërësi të gjithë dimensionin e abuzimit në vijim dhe të parandalonte abuzimin e mëtejshëm. Policia kishte dështuar në identifikimin e autorëve të veprës. Policia thjesht vinte në skenën e ngjarjes dhe u thoshte fëmijëve të largoheshin. Kjo qasje e relaksuar e policisë kishte dështuar ta bënte atë të ushtronte efektin e saj pengues. Për më tepër, policia kishte trajtuar çdo rast abuzimi si një ngjarje të izoluar, pa e kuptuar dhe pa vijuar më tej me natyrën e situatës. Po ashtu, ajo nuk ia kishte dalë të merrte masat e nevojshme, të tilla si fillimin e proceseve për vepra penale të kryera nga minorenët kundër prindërve të fëmijëve të përfshirë.
121. Qendra përgjegjëse e mirëqenies sociale duhet ta kishte hetuar çështjen dhe të kishte përcaktuar faktet përkatëse: të kishte ftuar prindërit e autorëve të veprës në një takim për të përcaktuar se cilat ishin rrethanat e tyre personale; të kishte lëshuar masa mbrojtëse për të parandaluar rishfaqen e dhunës; të kishte këshilluar ose detyruar autorët e veprës dhe prindërit e tyre të merrnin pjesë në këshillim; të kishte monitoruar situatën; dhe të kishte shkruar raporte për masat e marra. Sidoqoftë, Qendra e Mirëqenies së Susedgrad-it nuk kishte bërë asgjë nga çfarë u përmend më lart. Në vitin 2009 ajo kishte marrë masa kundër njërit nga minorenët e përfshirë në djegien me cigare dhe e kishte vendosur nën mbikëqyrjen e një punonjësi social, dhe më pas kishte filluar procese gjyqësore për ta vendosur në një institucion për fëmijët me probleme të sjelljes për një periudhë prej një viti. Gjithsesi, e gjithë kjo ishte bërë jo për shkak të sulmit ndaj kërkuesit të parë, por për shkak të problemeve të përgjithshme të sjelljes së individit të përfshirë.
122. Lidhur me organet e shkollës që kishin ndjekur fëmijët në diskutim, kërkuesit u shprehën se megjithëse ata (autoritetet) kishin të drejtë të merrnin një mori masash disiplinore në raste të sjelljeve të dhunshme të nxënësve, duke përfshirë paralajmërime, vërejtje, vërejtje të rënda dhe përjashtim nga shkolla, ata nuk kishin marrë asnjë prej këtyre masave. Gjithsesi, ishte e vërtetë së autoritetet e shkollës kishin marrë disa masa të tjera, të tilla si thirrjen e prindërve dhe të fëmijëve për t’u siguruar ndalimin e sjelljeve të dhunshme kundër kërkuesve dhe organizimin e takimeve për t’u bërë me dije nxënësve rreth kërkesave të personave me nevoja të veçanta. Ata kishin lehtësuar intervistimin me nxënësit e përfshirë. Gjithsesi, këto masa nuk kishin qenë në gjendje të parandalonin dhunën e mëtejshme kundër kërkuesve.
123. Po ashtu, askush nga autoritetet e tjera nuk kishte bërë shumë lidhur me parandalimin e dhunës kundër ngacmimit të kërkuesve.
(b) Parashtrimet e Qeverisë
124. Qeveria pretendonte se përveç incidenteve të raportuara në polici dhe të dokumentuara nga raportet e policisë, kërkuesit nuk kishin provuar se kishin ndodhur incidente të tjera të mëtejshme. Qeveria parashtroi se autoritetet përgjegjëse kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur kërkuesit nga ngacmimi. Çdoherë që kërkuesi i dytë kishte marrë në telefon policinë, policia kishte arritur në kohën e duhur dhe kishte marrë në telefon fëmijët e përfshirë dhe i kishte paralajmëruar për sjellje të pahijshme. Në secilin prej herëve ishte hartuar një raport nga policia dhe i ishte dërguar Zyrës së Avokatit të Shtetit.
125. Shkolla që ndiqnin fëmijët në fjalë u ishte përgjigjur gjithnjë menjëherë pretendimeve të kërkuesve për ngacmim. Punonjësit e shkollës kishin mbajtur shpesh diskutime me nxënësit dhe me prindërit e tyre rreth njerëzve me nevoja të posaçme. Prindërve u ishte thënë që ta diskutonin këtë çështje me fëmijët e tyre dhe drejtori i shkollës u kishte dërguar prindërve një letër për këtë qëllim.
126. Lidhur me incidentin datë 4 prill 2009, Qeveria parashtroi se organet kombëtare kishin marrë të gjitha hapat e nevojshme për të identifikuar autorin e veprës. Përfundimisht, ajo kishte zbuluar se I.M. i kishte djegur duart me cigare kërkuesit të parë. Përderisa I.M., duke qenë se ishte fëmijë nën moshën katërmbëdhjetë vjeç, nuk ishte penalisht përgjegjës, kërkuesit ishin udhëzuar të ngrinin padi civile për dëmshpërblim. Zyra përgjegjëse e Avokatit të Shtetit kishte informuar për gjetjet e saj si Avokaten e Shtetit për Fëmijët dhe qendrën e mirëqenies sociale.
127. Lidhur me aktivitetet e datës 10 prill dhe 13 maj 2010, si dhe pretendimet për ngacmim të menjëhershëm të kërkuesit të parë, policia kishte intervistuar fëmijët P.B., Z.B. dhe I.S.. Hetimi ishte në vijim, dhe përderisa ata ishin të gjithë mbi moshën katërmbëdhjetë vjeç kur kishin ndodhur aktet e pretenduara, ata mund të mbanin përgjegjësi penale.
128. Qeveria pretendonte se shpjegimi i mësipërm dëshmonte se organet shtetërore kishin vepruar menjëherë dhe siç duhet ndaj çdo ankese të depozituar nga kërkuesit dhe se kishin marrë të gjithë hapat dhe masat e synuara për parandalimin e ngacmimit të mëtejshëm. Që prej qershorit të vitit 2010 nuk kishte pasur ankesa të mëtejshme.
129. Qeveria komentoi më tej se prindërit kanë përgjegjësi kryesore për të parandaluar fëmijët e tyre nga sjelljet e padenja. Prindërve të fëmijëve të përfshirë u ishin bërë me dije shpesh prej autoriteteve të shkollës, si dhe prej shërbimeve sociale problemet që ata kishin me fëmijë të tjerë.
130. Nga ana tjerët, kërkuesja e dytë, në pozicionin e nënës së kërkuesit të parë duhet po ashtu të mbajë një nivel të caktuar përgjegjësie për t’u kujdesur për të birin. Është konstatuar se në fakt kërkuesi i parë kishte nevojë për ndihmë për të ecur dhe për kujdes të vazhdueshëm nga e ëma. Ai vuante nga epilepsia dhe ishte miop. Shërbimet e kujdesit social e kishin lajmëruar kërkuesin e dytë të mos e linte të dilte jashtë apartamentit vetëm; respektimi i këtij paralajmërimi do të kishte zgjidhur të gjitha problemet e lidhura me kontaktin e tij fizik me të tjerët, dhe, në rast se ajo do ta kishte shoqëruar gjatë të gjithë kohës jashtë, ajo do të kishte mundur të rriste ndërgjegjësimin e fëmijëve të tjerë rreth të birit.
(c) Ndërhyrja e palës së tretë
131. Forumi Evropian për Aftësitë e Kufizuara e analizoi çështjen në fjalë në këndvështrimin e krimit të urrejtjes për shkak të aftësisë së kufizuar. Ai u shpreh se identifikimi i krimit të urrejtjes ndërmjet personave me aftësi të kufizuar përbënte një sfidë për shumë sisteme ligjore, pasi përdorimi i cenueshmërisë së tyre ka tendencë t’i parandalonte agjencitë e zbatimit të ligjit dhe gjykatat nga identifikimi i veprimeve si krime të urrejtjes. Dy studime të veçanta në Mbretërinë e Madhe kanë treguar se ndërsa njerëzit me aftësi të kufizuara kanë katër herë më shumë të ngjarë të sulmoheshin verbalisht dhe fizikisht sesa njerëzit e zakonshëm, ata kanë 50% më pak të ngjarë t’i raportojnë krimet në polici.
132. Pala e tretë argumentoi më tej se sjellja armiqësore ndaj personave me aftësi të kufizuara që provokonte sulme të dhunshme ishte në thelb diskriminuese, për shkak se viktimat ishin përzgjedhur për shkak të paaftësisë së tyre të dukshme. Ajo shprehej më tej se frika e personave me paaftësi të dukshme, paraqitja e të cilëve konsiderohej si “shqetësuese dhe e pakëndshme”, ishte shkaku kryesor për dhunën kundër personave me aftësi të kufizuara. Këta persona shihen shpesh si inferiorë, ose të papërgjegjshëm për gjendjen e tyre, gjë e cila përbën barrë për shoqërinë në tërësi.
133. Frika e “tjetrit” ushqehet vetëm kur viktima potenciale konsiderohet si vulnerabël. Brishtësia e personave me aftësi të kufizuar përbën mundësi për autorët e veprave për të kryer sulmet e tyre. Kjo është posaçërisht e vërtetë në rastet kur personat me aftësi të kufizuar nuk sulmohen për t’u vjedhur ose për të vjedhur pasurinë e tyre, por për t’i fyer dhe për t’i dëmtuar ata personalisht.
134. Forumi Evropian për Aftësitë e Kufizuara parashtroi po ashtu se njohja e krimit të urrejtjes për paaftësinë ishte tendencë e kohëve të fundit. Duke u mbështetur në nenin 5 të Konventës së Kombeve të Bashkuara (cituar më sipër), ai parashtroi se neni konfirmonte të drejtën e personave me aftësi të kufizuara që të përfitonin mbrojtje të barabartë me të tjerët. Për shtetin, kjo sërish nënkupton aftësinë për të njohur dhe trajtuar diskriminimin bazuar në aftësinë e kufizuar të viktimës, dhe njohuri të mjaftueshme rreth aftësisë së kufizuar për të qenë në gjendje të zbatojë ligjin lidhur me nevojat e personave me aftësi të kufizuar. Në rastet specifike, respektimi i parimit të mosdiskriminimit mund të nënkuptojë njohjen e situatës specifike të personave me aftësi të kufizuar krahasuar me persona të tjerë jo me aftësi të kufizuara. Paragrafi i dytë i nenit 5 aludon detyrimin e shtetit për të mbrojtur personat me aftësi të kufizuara kundër diskriminimit për të gjitha shkaqet. Sërish, plotësimi i këtij detyrimi kërkon trajnim të vazhdueshëm të agjentëve të shtetit.
135. Pala e tretë theksoi po ashtu se Konventa e Kombeve të Bashkuara i detyronte shtetet palë “të merrnin të gjitha masat ligjore, administrative, ligjore dhe të tjera për të parandaluar diskriminimin e personave me aftësi të kufizuar” dhe që ata të jenë objekt dhune, gjë e cila kërkon po ashtu trajnim të personave që punojnë në fushën e administrimit të drejtësisë.
136. Në përfundim, Forumi Evropian për Aftësitë e Kufizuara parashtroi se deri tani krimet e urrejtje për shkak të aftësisë së kufizuar nuk kanë marrë vëmendje të mjaftueshme nga ligjbërësit dhe nga organet e zbatimit të ligjit. Kjo ka çuar në mosqenien në gjendje të pranimit të krimit të urrejtjes për shkak të aftësisë së kufizuar si të tillë, si dhe në nënraportimin dhe keqkuptimin e këtij fenomeni. Përgjigja e autoriteteve ndaj këtij problemi duhet të transformohet nga përgjigje pasive në përgjigje aktive dhe duhet të përqendrohet tek mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara nga të gjitha aktet e dhunës.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Lidhur me kërkuesin e parë
(i) Parime të përgjithshme
137. Gjykata thekson se neni 3 i Konventës duhet të konsiderohet si një ndër dispozitat më themelore të Konventës dhe si mishëruese e vlerave bazë të shoqërive demokratike që përbëjnë Këshillin e Evropës (shih Pretty k. Mbretërisë së Madhe, nr. 2346/02, § 49, GjEDNj 2002-III). Ndryshe nga dispozitat e tjera të Konventës, ajo është pranuar në kushte absolute, pa përjashtime ose kufizime, ose pa mundësinë e derogimit të parashikuar në nenin 15 të Konventës (shih, inter alia, Chahal k. Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 79, Raportet 1996-V).
138. Gjykata rithekson se lidhur me çështjen nëse shteti mund të jetë përgjegjës, sipas parashikimit të nenit 3, për keqtrajtim të shkaktuar nga persona nga subjekte jo shtetërore, detyrimi i palëve të larta kontraktuese sipas nenit 1 të Konventës për t’i siguruar gjithkujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë, të marra së bashku me nenin 3, u kërkon shteteve të marrin masat e projektuara për të siguruar se individët brenda juridiksionit të tyre nuk janë objekt torture ose trajtimi ose dënimi çnjerëzor dhe degradues, duke përfshirë dhe keqtrajtimin e administruar nga individët privatë (shih, mutatis mutandis, H.L.R. k. Francës, 29 prill 1997, § 40, Raportet 1997-III). Këto masa duhet të parashikojnë mbrojtje efektive, në veçanti, për fëmijët dhe personat e tjerë vulnerabël dhe të përfshijnë hapa të arsyeshme për të parandaluar keqtrajtimin për të cilin autoritetet kanë ose duhet të kishin njohuri (shih, mutatis mutandis, Osman k. Mbretërisë së Madhe, 28 tetor 1998, § 116, Raportet 1998-VIII, dhe E. dhe të Tjerët k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33218/96, § 88, datë 26 nëntor 2002).
139. Duke pasur parasysh vështirësitë në policimin e shoqërive moderne, paparashikueshmërinë e sjelljes njerëzore dhe përzgjedhjet operative që duhet të bëhen duke pasur parasysh përparësitë dhe burimet, objekti i këtij detyrimi pozitiv duhet të interpretohet në një mënyrë e cila nuk imponon një barrë të pamundur ose jo përpjesëtimore mbi organet. Si rezultat, jo çdo rrezik i pretenduar i keqtrajtimit mund të nënkuptojë një kërkesë që rrjedh nga Konventa për marrjen e masave operative për parandalimin e materializimit të këtij rreziku. Për daljen e një detyrimi pozitiv, duhet të konstatohet se organet e dinin ose duhet ta kishin ditur në kohën e pranisë së një rreziku real dhe të menjëhershëm të keqtrajtimit të një individi të identifikuar nga veprat penale të një pale të tretë dhe se ata dështuan në marrjen e masave brenda objektit të kompetencave të tyre, të cilat, të gjykuara në mënyrë të arsyeshme, mund të pritej ta shmangnin këtë rrezik. Një konsideratë tjetër e rëndësishme është nevoja e sigurimit të ushtrimit të detyrave të policisë për të kontrolluar dhe për të parandaluar krimin në një mënyrë e cila respekton plotësisht procesin e rregullt dhe garanci të tjera, të cilat në mënyrë legjitime vendosin kufizime në objektin e veprimeve të tyre për hetimin e krimit dhe sjelljen e autorëve përgjegjës përpara drejtësisë, duke përfshirë dhe garancitë e përfshira në nenin 8 të Konventës (shih Mubilanzila Mayeka dhe Kaniki Mitunga k. Belgjikës, nr. 13178/03, § 53, ECHR 2006-XI; Anëtarët e Kongregimit Gldani të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të Tjerët k. Gjeorgjisë, nr. 71156/01, § 96, 3 maj 2007; dhe Milanović, cituar më sipër, § 84; shih po ashtu, mutatis mutandis, Osman, cituar më sipër, § 116).
140. Për rrjedhojë Gjykata do të shqyrtojë nëse shteti i paditur ka shkelur detyrimet e tij pozitive të parashikuara në nenin 3 të konventës në trajtimin e çështjes për kërkuesin e parë.
(ii) Zbatimi i këtyre parimeve në këtë çështje
141. Gjykata vëren që në fillim se aktet e dhunës në shkelje të nenit 3 të Konventës normalisht kërkojnë rekurs në zbatimin e masave të së drejtës penale kundër autorëve të veprës (shih Beganović k. Kroacisë, nr. 46423/06, § 71, datë 25 qershor 2009, lidhur me nenin 3, dhe Sandra Janković, cituar më sipër, § 47, lidhur me nenin 8).
142. Gjithsesi, në rastin në fjalë pjesa më e madhe e autorëve të veprës ishin fëmijë nën moshën katërmbëdhjetë vjeç, kundër të cilëve, sipas sistemit kombëtar, nuk është e mundur të zbatohen sanksione të së drejtës penale. Për më tepër, në rrethanat specifike në fjalë, mund të ndodhë që asnjë nga aktet për të cilat janë ankimuar kërkuesit në vetvete të mos çojë në vepër penale, por, pavarësisht nga kjo, në tërësinë e tyre, incidentet e ngacmimit nuk janë në përputhje me kërkesat e nenit 3 të Konventës. Si rezultat, kjo çështje duhet të dallohet nga çështjet e tjera të lidhura me detyrimet procedurale të shtetit sipas të drejtës penale për aktet e keqtrajtimit përkundrejt nenit 3 të Konventës, ku autoritetet e shtetit kanë për detyrë të kryejnë me iniciativën e tyre një hetim të plotë, efektiv dhe të pavarur të çështjes.
143. Çështja në fjalë ka të bëjë me detyrimin pozitiv të shtetit në një lloj tjetër situate, përtej sferës së të drejtës penale, ku organet përgjegjëse shtetërore janë në dijeni të një situate ngacmimi serioz dhe madje dhe dhune të drejtuar ndaj një personi me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore. Ajo lidhet me pretendimin për mungesë të një përgjigje të përshtatshme ndaj kësaj situate për të trajtuar siç duhet aktet e dhunës dhe të ngacmimit që kanë ndodhur dhe për të parandaluar raste të tjera të mëtejshme në të ardhmen.
144. Lidhur me sa më sipër, Gjykata ka shqyrtuar së pari nëse autoritetet përkatëse ishin ose duhet të ishin në dijeni të situatës së ngacmimit dhe të dhunës kundër kërkuesit të parë.
145. Në këtë aspekt, Gjykata vëren se dokumentet në dosjen e çështjes tregojnë se që prej 31 korrikut 2008, kërkuesja e dytë e ka informuar policinë për ngacmimin e vazhdueshëm të djalit të saj nga fëmijët në lagjen e tyre. Ajo e informoi policinë dhe për incidente të shumta të mëtejshme, duke përfshirë dhe djegien e duarve të kërkuesit të parë me cigare më 4 prill 2009. Në prill të vitit 2009 ajo e informoi Avokaten e Popullit për Personat me Aftësi të Kufizuara për të njëjtin incident. Në periudhën nga maji deri në korrik 2009, policia e informoi Zyrën e Avokatit të Shtetit si dhe qendrën përkatëse të mirëqenies sociale për pretendimin për abuzim kundër kërkuesit të parë dhe në shtator 2009 informoi autoritetet shtetërore për të njëjtën gjë.
146. Për sa më sipër, Gjykata është e kënaqur që organet kombëtare ishin në dijeni të ngacmimit të vazhdueshëm të kërkuesit të parë nga fëmijët e lagjes së tij dhe nga fëmijët që ndiqnin një shkollë aty afër. Si rezultat, Gjykata do të shqyrtojë nëse organet përgjegjëse i morën të gjitha hapat e arsyeshme në rrethanat e çështjes në fjalë për ta mbrojtur kërkuesin e parë nga këto akte.
147. Në situatën aktuale ku incidentet e dhunës kanë vijuar për një periudhë të gjatë kohe, Gjykata konstaton se organet përgjegjëse kanë dështuar në marrjen e hapave të mjaftueshëm për të vërtetuar thellësinë e problemit dhe për të parandaluar abuzimin e mëtejshëm.
148. Është e vërtetë që policia intervistoi disa fëmijë që pretendohej të ishin përfshirë në disa incidente dhe se organet e shkollës e diskutuan çështjen me nxënësit dhe me prindërit e tyre. Gjithsesi, Gjykata konstaton se nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të vlerësuar natyrën e vërtetë të situatës së ankimuar dhe për të trajtuar mungesën e një qasje sistematike që çoi në mungesën e masave të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë, gjetjet e policisë nuk u pasuan nga veprime të mëtejshme konkrete: nuk është miratuar asnjë vendim për politikat dhe nuk është krijuar asnjë mekanizëm monitorimi për të njohur dhe për të parandaluar ngacmimin e mëtejshëm. Gjykata është e habitur nga mungesa e një përfshirje reale të shërbimeve sociale dhe mungesa e konsultimit të ekspertëve përkatës për të punuar me fëmijët e përfshirë në akte. Po ashtu, kërkuesi i parë nuk ka përfituar asnjë këshillim për t’i ardhur atij në ndihmë. Në fakt Gjykata konstaton se pavarësisht nga përgjigjet ndaj incidenteve specifike, nuk është marrë asnjë masë përkatëse me natyrë të përgjithshme për të luftuar problemin në fjalë, pavarësisht nga fakti që ata ishin në dijeni që kërkuesi i parë kishte qenë objekt abuzimi në mënyrë sistematike dhe se abuzimi në të ardhmen kishte shumë të ngjarë që të vijonte.
149. Duke pasur këtë parasysh, Gjykata është e mendimit se autoritetet shtetërore nuk i kanë marrë të gjitha masat e arsyeshme për të parandaluar abuzimin kundër kërkuesit të parë, pavarësisht nga fakti që rreziku i vazhdueshëm i këtij abuzimi ishte real dhe i parashikueshëm.
150. Si rezultat, ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës lidhur me kërkuesin e parë.
(b) Lidhur me kërkuesen e dytë
(i) Parime të përgjithshme
151. Ndërsa objekti kryesor i nenit 8 është mbrojtja e individit kundër ndërhyrjes arbitrare të organeve publike, ai jo vetëm e detyron shtetin të tërhiqet nga kjo ndërhyrje, por përveç këtij detyrimi negativ, mund të ketë detyrime pozitive të qenësishme për respektimin efektiv të jetës private dhe të asaj familjare. Këto detyrime mund të çojnë në miratimin e masave të projektuara për sigurimin e respektimit të jetës private dhe në sferën e marrëdhënieve të individëve ndërmjet tyre (shih X dhe Y k. Holandës, cituar më sipër, § 23; Botta k. Italisë, data 24 shkurt 1998, § 33, Raportet 1998‑I; Mikulić k. Kroacisë, nr. 53176/99, § 57, GjEDNj 2002‑I; dhe Sandra Janković, cituar më sipër, § 44).
152. Gjykata ka konstatuar më parë, në kontekste të ndryshme, që koncepti i jetës private përfshin dhe integritetin psikologjik të një personi. Sipas nenit 8, shtetet në disa rrethana kanë për detyrë të mbrojnë integritetin morat të një individi nga aktet e personave të tjerë. Gjykata ka konstatuar po ashtu se shtetet kanë detyrimin pozitiv për të siguruar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe cilësinë jetës në aspekte të ndryshme (shih L. k. Lituanisë, nr. 27527/03, § 56, GjEDNj 2007-IV, dhe, mutatis mutandis, Pretty k. Mbretërisë së Madhe, nr. 2346/02, § 65, GjEDNj 2002-III).
(ii) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen në fjalë
153. Gjykata është e mendimit se aktet e ngacmimit të vazhdueshëm kanë cenuar dhe jetën private dhe familjare të kërkueses së dytë. Ajo ka konstatuar se autoritetet shtetërore nuk kanë vendosur masa të përshtatshme dhe përkatëse për të parandaluar ngacmimin e mëtejshëm të kërkuesit të parë. Po ashtu, organet shtetërore nuk ia kanë dalë të ofrojnë mbrojtje të përshtatshme në këtë aspekt për kërkuesin e dytë. Si rezultat, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës lidhur e kërkuesin e dytë.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 14 TË KONVENTËS
154. Kërkuesit u ankuan më tej për akte të abuzimit kundër tyre dhe u shprehën se dhe përgjigja e organeve përgjegjëse ishte diskriminuese për shkak të origjinës së tyre serbe dhe aftësinë e kufizuar të kërkuesit të parë. Ata u bazuan në nenin 14 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Pranueshmëria
1. Argumentet e palëve
155. Qeveria pretendon se kërkuesit mund të kishin ngritur padi në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Diskriminimit, bazuar në të cilin ata do të kishin pasur mundësi të kërkonin njohjen e çdo diskriminimi të mundshëm, siç parashikohet në Ligj, urdhërimin e heqjes së diskriminimit dhe të pasojave të tij, si dhe dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar.
156. Kërkuesit parashtruan në përgjigje se proceset sipas Ligjit për Parandalimin e Diskriminimit nuk përbënin mjet efektiv ligjor pasi ato nuk mund të trajtonin situatën e posaçme të ankimuar. Më tej, ata pretendonin se edhe dy vjet pas miratimit të atij ligji, nuk kishte ende asnjë rast praktik gjykate që tregonte se qytetarët ishin ndjerë rehat për fillimin e proceseve gjyqësore në përputhje me këtë ligj, ose që proceset e filluara kishin vijuar me shpejtësinë e duhur.
2. Vlerësimi i Gjykatës
157. Lidhur me nenin 14 të Konventës, Gjykata thekson se ky nen nuk ka një dispozitë të pavarur, por ai luan rol të rëndësishëm për plotësimin e dispozitave të tjera të Konventës dhe të Protokolleve të saj, pasi ai mbron individët e vendosur në situata të ngjashme nga diskriminimi në gëzimin e të drejtave të parashikuara në dispozitat e tjera (shih Dudgeon k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, § 67, Seritë A nr. 45; Chassagnou dhe të Tjerët k. Francës [GC], nr. 25088/94, 28331/95 dhe 28443/95, § 89, ECHR 1999-III; dhe Timishev k. Rusisë, nr. 55762/00 dhe 55974/00, § 53, ECHR 2005-XII). Megjithëse zbatimi i nenit 14 nuk presupozon shkeljen e këtyre dispozitave, dhe në këtë pikë ai është autonom, nuk mund të ketë vend për zbatimin e tij, në përjashtim të rasteve kur faktet në diskutim bien në objektin e një ose më shumë dispozitave (shih, për shembull, Van Buitenen k. Holandës, nr. 11775/85, Vendimi i Komisionit, datë 2 mars 1987, dhe Cha’are Shalom Ve Tsedek k. Francës [GC], nr. 27417/95, § 86, ECHR 2000‑VII).
158. Gjykata ka konstatuar po ashtu se dhe në një situatë kur nuk është e zbatueshme dispozita substanciale, neni 14 mund të jetë sërish i zbatueshëm (shih Savez crkava “Riječ života” dhe të Tjerët k. Kroacisë, nr. 7798/08, § 58, 9 dhjetor 2010). Për pasojë, çështjet e pranueshmërisë lidhur me nenin 14 mund të vlerësohen veçmas.
159. Lidhur me çështjen në fjalë, Gjykata do të shqyrtojë bazuar në nenin 14 çështjen e shterimit të mjeteve efektive ligjore kombëtare lidhur me Ligjin e Parandalimit të Diskriminimit. Në këtë kuadër, Gjykata vëren se ajo e ka shqyrtuar çështjen e shterimit të mjeteve të brendshme efektive ligjore veçmas nga çështjet e shterimit të lidhura me ankesën kryesore (shih Valkov dhe të Tjerët k. Bullgarisë, nr. 2033/04, 19125/04, 19475/04, 19490/04, 19495/04, 19497/04, 24729/04, 171/05 dhe 2041/05, §§ 104-108, datë 25 tetor 2011). Kjo qasje shkon paralelisht me parimin që kur çështja bazohet në një nen substantiv të Konventës, ose të Protokolleve të saj si veçmas dhe në lidhje me nenin 14, dhe kur është konstatuar një shkelje e veçantë e nenit substantiv, Gjykata jo gjithmonë mund ta konsiderojë të nevojshme të shqyrtojë çështjen edhe sipas nenit 14, në përjashtim të rasteve kur një pabarazi e qartë trajtimit në gëzimin e të drejtës në fjalë është aspekt thelbësor i çështjes (shih Dudgeon, përmendur më sipër, § 67; Chassagnou and Others, përmendur më sipër, § 89; dhe Timishev, përmendur më sipër, § 53).
160. Lidhur me çështjen në fjalë, Gjykata vëren se Ligji për Parandalimin e Diskriminimit e përmban shprehimisht diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar, si dhe origjinës etnike (shih seksioni 1 të Ligjit). Ai parashikon një gamë mjetesh ligjore efektive, duke përfshirë dhe njohjen e diskriminimit, ndalimin e akteve diskriminuese dhe dëmshpërblimin. Mjetet efektive ligjore mund të përdoren dhe kundër organeve kombëtare në rastin e pretendimeve të mosmarrjes së veprimeve prej tyre (shih paragrafin 74 më sipër).
161. Mbrojtja kundër diskriminimit duhet të kërkohet para gjykatave të zakonshme, si dhe duhet të parashikohet procedura e apelimit kundër vendimit të shkallës së parë, si dhe mundësia e ankimimit kushtetues. Edhe e drejta për mosdiskriminim është po ashtu e parashikuar në Kushtetutën kroate dhe Konventa është drejtpërsëdrejti e zbatueshme në Kroaci. Në mënyrë që të përmbushin parimin e subsidiaritetit, kërkuesit, para dërgimit të çështjes para Gjykatës, duhet t’i ofrojnë së pari mundësi gjykatave kombëtare të ndreqin situatën e tyre dhe të trajtojnë çështjet që ata duan të sjellin para Gjykatës.
162. Përkundrejt zhvillimeve të mësipërme, Gjykata është e mendimit që një veprim në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Diskriminimit përfaqëson një mjet efektiv ligjor dhe se përdorimi i drejtë i këtij mjeti mund të kishte çuar në njohjen e shkeljes së pretenduar dhe në njohjen e dëmshpërblimeve. Në rastin kur pretendimet e kërkuesve nuk qenë të suksesshme përpara gjykatave kombëtare, ata kishin mundësi të bënin një ankesë për kushtetutshmërinë dhe kjo ankesë të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi, kërkuesit dështuan të përdornin mjetet efektive ligjore të disponueshme për ta.
163. Për pasojë, kjo ankesë duhet të rrëzohet në përputhje me nenin 35 §§ 1 dhe 4 të Kushtetutës për mosshterim të mjeteve të brendshme efektive ligjore.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 13 TË KONVENTËS
164. Kërkuesit pretendonin se nuk kishin asnjë mjet efektiv ligjor lidhur me ankesat sipas Konventës. Ata u mbështetën në nenin 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Pranueshmëria
1. Lidhur me ankesat e kërkuesve sipas neneve 3 dhe 8 të Konventës
165. Gjykata vëren se kjo ankesë është e lidhur me ankesën e shqyrtuar më sipër në përputhje me nenin 3 dhe 8 të Kushtetutës dhe, si rezultat, duhet të deklarohet e pranueshme.
2. Lidhur me ankesat e kërkesave sipas nenit 14 të Konventës
166. Gjykata është shprehur më sipër se lidhur me ankesën bazuar në nenin 14 të Konventës, kërkuesit kishin në dispozicion një mjet efektiv ligjor, një veprim në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Diskriminimit, të cilën ata nuk e përdorën. Si rezultat, kjo pjesë e kërkesës së tyre është shprehimisht e pabazuar dhe duhet të rrëzohet në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
B. Themeli i çështjes
167. Kërkuesit pretendonin se ata nuk kishin asnjë mjet efektiv ligjor nëpërmjet të cilit të merrnin mbrojtje kundër akteve të ngacmimit dhe të dhunës. Gjykata vëren se Qeveria ka sugjeruar disa mjete efektive ligjore që ajo pretendon se ishin në dispozicion të kërkuesve në këtë pikë. Gjithsesi, Gjykata është shprehur se asnjë nga mjetet efektive ligjore të përmendura nga qeveria nuk mund të ishin përdorur në situatën e kërkuesve lidhur me ankesat e tyre bazuar në nenin 3 dhe 8 të Konventës.
168. Për rrjedhojë, Gjykata është e mendimit që kërkuesit nuk kishin mjete efektive ligjore lidhur me ankesat e tyre bazuar në nenin 3 dhe 8 të Konventës. Për pasojë, ka pasur shkelje të nenit 13 në këtë aspekt.
IV. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
169. Neni 41 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
170. Kërkuesit kërkuan 10,000 euro (EUR) secili lidhur me dëmin jo material.
171. Qeveria pretendoi se shuma ishte e tepërt dhe e pabazuar.
172. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata pranon se kërkuesit kanë vuajtur dëm jo material, i cili nuk mund të dëmshpërblehet vetëm bazuar në konstatimin e shkeljes. Duke bërë vlerësimin e saj mbi bazë të barabartë, Gjykata i jep kërkuesve bashkërisht 11,500 euro për dëm jo material, plus taksat që mund të duhet të paguhen mbi këtë shumë.
B. Kostot dhe shpenzimet
173. Kërkuesit, të cilët kanë përfituar ndihmë ligjore falas sipas skemës së Këshillit të Evropës, kërkuan po ashtu 1,206 euro për kostot dhe shpenzimet para gjykatave kombëtare dhe 4,997.13 euro për kostot në Gjykatën e Strasburgut.
174. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk kishin depozituar detajet e pretendimit, sipas zërave të shpenzuar.
175. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues ka të drejtë të marrë rimbursimin e kostove dhe të shpenzimeve vetëm për aq kohë sa është treguar se ato kanë qenë të nevojshme dhe janë të arsyeshme në sasi. Në çështjen në fjalë, duke pasur parasysh dokumentet në dispozicion dhe kriteret e sipërpërmendura, Gjykata shprehet se kostot e pretenduara nga kërkuesit lidhur me kërkesat para gjykatave kombëtare rreth ngacmimit të tyre kryesisht kishin si qëllim të ndreqnin shkeljet e të drejtave të Konventës, të pretenduara dhe para Gjykatës dhe se këto kosto mund të merren parasysh vlerësimin e pretendimeve për kostot (shih Scordino k. Italisë (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, § 284, GjEDNj 2006‑V, dhe Medić k. Kroacisë, nr. 49916/07, § 50, 26 mars 2009). Duke pasur parasysh informacionin në dispozicion dhe kriteret e përmendura më sipër, Gjykata u jep kërkuesve bashkërisht 1,206 euro për kostot dhe shpenzimet në proceset në gjykata e brendshme dhe 3,500 euro për shpenzimet para kësaj Gjykate, minus 850 euro të marra si ndihmë juridike falas nga Këshilli i Evropës, plus taksat mbi këtë shumë.
C. Interesi
176. Gjykata e mendon të arsyeshme që niveli i interesit të bazohet në nivelin bazë të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilin duhet të shtohen tre pikë përqindje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA UNANIMISHT
1. deklaron se ankesat e bazuara në nenin 3 dhe 8, si dhe ankesa e bazuara në nenin 13 të Konventës për aq kohë sa ajo lidhet me nenin 3 dhe 8 janë të pranueshme, dhe e deklaron pjesën e mbetur të kërkesës të papranueshme;
2. vendos se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës lidhur me kërkuesin e parë;
3. vendos se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës lidhur me kërkuesen e dytë;
4. vendos se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës;
5. vendos
(a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesve bashkërisht, brenda tre muajsh nga data në të cilën vendimi bëhet përfundimtar, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat duhet të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur në kursin e këmbimit në datën e pagesës:
(i) 11,500 euro (njëmbëdhjetë mijë e pesëqind euro), plus taksat, për dëmin jo material;
(ii) 4,706 euro (katër mijë e shtatëqind e gjashtë euro), minus 850 euro (tetëqind e pesëdhjetë euro), plus taksat, për kostot dhe shpenzimet;
(b) që nga kalimi i afatit kohor prej tre muajsh, të përcaktuar më sipër, deri në shlyerjen e plotë të paguhet interes i barabartë me nivelin bazë të huasë të Bankës Qendrore Evropiane, plus tre përqind;
6. rrëzon pjesën pjesën tjetër të kërkesës për dëmshpërblim të drejtë.
Bërë në anglisht dhe njoftuar me shkrim më 24 korrik 2012, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës
Søren NielsenAnatoly Kovler
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy