DYBEKU kundër SHQIPËRISË
(kërkesa nr. 41153/06)
18 dhjetor 2007
në këtë çështje Gjykata vendosi se në rastin e një të burgosuri me probleme shëndetësore specifike, masa të përshtatshme duhet të merren nga autoritetet shqiptare që të mos ketë shkelje të nenit 3, dhe masa të tilla duhet të parashikohen për të gjithë të burgosurit në situata të ngjashme
I.Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Ilir Dybeku, është një shtetas shqiptar i lindur në vitin 1971 dhe që, në kohën e vendimit të Gjykatës, vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. Prej vitit 1996 e në vazhdim kërkuesi ka vuajtur nga sëmundja e skizofrenisë paranojake dhe për shumë vite ai ka qenë i shtruar për kurim në disa spitale psikiatrike në Shqipëri.
2. Më 23 gusht 2002 si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në apartamentin e motrës së kërkuesit, mbetën të vdekur tre persona, dy nga të cilët fëmijë të moshës 10 dhe 13 vjeç, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Më 24 gusht 2002, një ditë pas ngjarjes, ndaj kërkuesit u bë një kallëzim penal dhe po atë ditë ai u arrestua dhe u akuzua për veprën penale të vrasjes dhe posedimit të paligjshëm të lëndëve eksplozive. Ai u ndalua në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Durrësit, në një qeli me disa të paraburgosur të tjerë.
3. Në 27 maj 2003 duke u bazuar në ekspertimin mjekësor, i cili konkludonte se në kohën e kryerjes së veprës çrregullimi mendor i Z. Dybeku ishte në periudhë qetësie, Gjykata e Rrethit Durrës vendosi, që kërkuesi ishte i aftë t’i nënshtrohej procesit gjyqësor. Për rrjedhojë kjo gjykatë e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Në shtator 2003 dhe mars 2004, respektivisht, Gjykata e Apelit Durrës dhe Gjykata e Lartë lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit. As Apeli as Gjykata e Lartë nuk e pranuan kërkesën e kërkuesit për një ekzaminim të ri mjekësor, duke konkluduar se ekspertimi i parë mjekësor ishte kryer nga ekspertë të paanshëm në përputhje me garancitë procedurale.
4. Që nga dhjetori 2003 kërkuesi u transferua në tre burgje të ndryshme për të ekzekutuar dënimin e tij. Gjatë qëndrimit në këto burgje Z. Dybeku ndau qelinë me të burgosur të tjerë, të cilët gëzonin shëndet të plotë dhe u trajtua njësoj si ata. Në bazë të deklaratave të autoriteteve shqiptare, në pamundësi për t`i garantuar kërkuesit trajtimin mjekësor, që i nevojitej, atij i ishin dhënë barna të ngjashme me ato të parashikuara nga mjeku i tij. Z. Dybeku u shtrua në Spitalin e Burgut të Tiranës vetëm në dy raste kur shëndeti i tij ishte përkeqësuar ndjeshëm, nga 26 maji 2004 deri më 2 qershor 2004 dhe nga 1 dhjetori 2004 deri më 26 janar 2005. Ankesat e babait dhe avokatit të Z. Dybeku kundër administratës dhe stafit mjekësor të spitalit të burgut për pakujdesi dhe trajtim mjekësor jo të përshtatshëm, nuk u morën parasysh nga autoritetet.
5.Duke pasur parasysh gjendjen gjithnjë e më shqetësuese të kërkuesit, më 7 janar 2005, avokati i tij nisi një procedurë në Gjykatën e Rrethit Tiranë për të kërkuar lirimin ose transferimin në një institucion mjekësor, me arsyetimin se kushtet e vuajtjes së dënimit ishin të papërshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore dhe përbënin rrezik për jetën e tij. Bazuar në raportet e fundit mjekësore, avokati i kërkuesit kërkoi gjithashtu që të kryhen ekzaminime psikiatrike. Kjo kërkesë ashtu si dhe apeli dhe rekursi në Gjykatë të Lartë u refuzuan. Në qershor 2007, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kërkuesit, me arsyetimin se pretendimet e tij në lidhje me vlerësimin e provave nuk ishin në juridiksionin e saj.
6.Kërkuesi pretendonte, në veçanti, se kushtet e tij të paraburgimit dhe trajtimi mjekësor që ai kishte marrë në burg nuk ishin të përshtatshme duke pasur parasysh gjendjen e tij shëndetësore. Ai gjithashtu u ankua për padrejtësinë e procedurave ligjore lidhur me ankesat e tij.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3
7. Gjykata vlerësoi se pavarësisht se kërkuesi nuk u bazua shprehimisht në nenin 3 të Konventës, pretendimet e tij mbi kushtet e paraburgimit dhe trajtimit mjeksor në burg duheshin shqyrtuar sipas këtij neni.
8. Gjykata kujtoi se neni 3 i Konventës e ndalon absolutisht torturën dhe trajtimin e dënimin çnjerëzor pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës . Duke iu referuar jurisprudencës së saj Gjykata u shpreh se keqtrajtimi i pësuar gjatë mbajtjes në burg duhet të arrijë një nivel minimal ashpërsie për t`u cilësuar se shkel të drejtën e garantuar nga neni 3 i Konventës. Vlerësimi i nivelit të ashpërsisë së keqtrajtimit varet nga rrethanat specifike të një çështjeje dhe vlerësohet rast pas rasti duke marrë në shqyrtim një sërë faktorësh si kohëzgjatja e keqtrajtimit, efektet fizike dhe mendore të tij, si edhe mosha, gjinia dhe gjendja mendore të viktimës .
9. Gjykata vërejti se asnjë nga palët në proces nuk kundërshtoi faktin se kërkuesi vuante nga çrregullime të rënda mendore të një natyre kronike. Vlerësimi i fundit mbi shëndetin e kërkuesit ishte bërë në vitin 2002 dhe prej asaj kohe kërkuesi kishte marrë të njëjtin trajtim, duke mos iu nënshtruar asnjë ekzaminimi për përkeqësimin e gjendjes së tij. Gjykata pranoi se gjendja psikologjike e kërkuesit e bënte atë më vulnerabël se të paraburgosurit e tjerë, duke i shkaktuar ndjenja stresi, ankthi dhe pasigurie. Fakti që autoritetet shqiptare pranuan se kërkuesi ishte trajtuar në mënyrë të njëjtë me të burgosurit e tjerë pavarësisht gjendjes së tij të veçantë, tregoi se autoritetet shqiptare kanë dështuar në zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës për trajtimin e të burgosurve me nevoja të veçanta.
10. Sipas Gjykatës autoritetet shqiptare nuk ofruan informacion të detajuar mbi kushtet e burgimit të kërkuesit, dhe as provuan që gjendja e tij mendore ishte e përshtatshme për të qëndruar në të njëjtin ambient me gjithë të burgosurit e tjerë. Gjithashtu, Gjykata vuri në dukje se vizitat periodike të kërkuesit në spitalin e burgut nuk mund të konsiderohen si zgjidhje efektive përderisa Z. Dybeku ishte duke kryer një dënim të përjetshëm. Gjykata vërejti se shumë nga mangësitë e vëna re mund të ishin rregulluar edhe në mungesë të mjeteve financiare të konsiderueshme. Sipas Gjykatës, mungesa e një trajtimi të tillë, duke marrë në konsideratë gjendjen shëndetësore të Z. Dybeku nuk mund të justifikohej.
11. Gjykata, duke marrë në konsideratë efektet kumulative të kushteve krejtësisht të papërshtatshme të burgimit të cilave kërkuesi iu ishte nënshtruar, sidomos natyrën, kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e keqtrajtimit, të cilat në mënyrë të qartë kishin pasoja të dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e tij, duke iu referuar raportit të Komitetit të Parandalimit të Torturës në Këshillin e Evropës, si dhe jurisprudencës së saj të mëparshme, arriti në përfundimin se trajtimi i kërkuesit kishte qenë çnjerëzor dhe degradues, në shkelje të nenit 3 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 6
12. Në lidhje me kërkesën e Z. Dybeku për parregullsinë e proceseve gjyqësore dhe mos pranimin e kërkesës së tij për lirimin nga burgu ose mbylljen në një institucion të specializuar, Gjykata, u shpreh se vendimi i marrë nga gjykatat e brendshme dhe pretendimet e kërkuesit, nuk përfshihen në përcaktimin e “një akuze penale” ose “të drejtave dhe detyrimeve civile” në kuptim të nenit 6 të Konventës. GJEDNJ vërejti se Konventa nuk garanton të drejtën për lirim me kusht, ose vuajtjen e një dënimi në përputhje me regjimin burgimi të veçantë 4, për rrjedhojë kjo pjesë e kërkesës u deklarua haptazi e pabazuar dhe papranueshme me nenin 35 § 3 dhe 4 të Konventës.
C. Në lidhje me nenin 41
13. Gjykata i akordoi kërkuesit 5,000 euro si shpërblim për dëmin jopasuror për shkak të shkeljes së nenit 3.
Full & Egal Universal Law Academy