© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA EĞİTİM VE BİLİM EMEKÇİLERİ SENDİKASI k. TURQISË
(Kërkesëpadi nr. 20641/05)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
25 shtator 2012
I FORMËS SË PRERË
25/12/2012
Ky vendim është bërë i formës së prerë sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Eğitim ve Bilim Emekçileri Sendikası k. Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Françoise Tulkens, kryetare,
Danutė Jočienė,
Isabelle Berro-Lefèvre,
András Sajó,
Işıl Karakaş,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller, gjyqtarë,
e nga Françoise Elens-Passos, zëvendëssekretare seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 28 gusht 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 20641/05) e drejtuar kundër Republikës së Turqisë dhe me anë të së cilës një sindikatë e regjistruar sipas së drejtës turke, Eğitim ve Bilim Emekçileri Sendikası (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 3 qershor 2005 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësja është përfaqësuar nga Z. A. Sayılır, avokat në Ankara. Qeveria turke (“Qeveria”) është përfaqësuar prej agjentit të saj.
3. Paditësja ankohet për një shkelje të neneve 6, 10 dhe 11 të Konventës.
4. Më 6 nëntor 2009, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë. Ashtu siç e lejon neni 29 § 1 i Konventës, përveç kësaj është vendosur që dhoma do të shprehej në të njëjtën kohë edhe rreth pranueshmërisë, edhe në themel të çështjes.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Sindikata e Punonjësve të Arsimit dhe të Shkencës (Eğitim ve Bilim Emekçileri Sendikası (“Eğitim-Sen”) – “Sindikata”) u themelua në Ankara më 13 janar 1995. Sipas informacioneve që ajo ka dhënë, ajo numëron 167 000 anëtarë, përbëhet nga 90 seksione dhe është e pranishme në 430 qytete. Ajo bën pjesë në KESK (Kamu Emekçileri Sendikaları Konfederasyonu – Konfederatën e Punonjësve të Sektorit Publik), e cila është anëtare e Internacionales së Arsimit.
6. Më 15 shtator 2001, Sindikata e ndryshoi nenin 2 b) të Statutit të saj si më poshtë:
“[Eğitim-Sen] mbron të drejtën e të gjithë individëve të shoqërisë për të marrë, në barazi dhe liri, një arsim demokratik, laik, shkencor dhe falas në gjuhën e tyre amtare.”
A. Padia e parë për shpërndarje
7. Më 15 shkurt 2002, prefekti i Ankarasë i kërkoi paditëses që të hiqte fjalët “gjuhën e tyre amtare” nga statuti i saj me arsyetimin se ato ishin në kundërshtim me nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës, si edhe me nenet 1 dhe 20 të Ligjit nr. 4688 për sindikatat e nëpunësve (“Ligji nr. 4688”).
8. Paditësja e informoi prefektin se ishte e mbingarkuar me punë dhe se zotohej ta ndryshonte statutin e saj brenda 30 qershorit 2002.
9. Më 29 mars 2002, mbi bazën e nenit 37 të Ligjit nr. 4688, prefekti i Ankarasë i kërkoi prokurorit të Republikës në Ankara që të ngrinte një padi për shpërndarje ndaj paditëses me arsyetimin se kjo e fundit nuk e kishte bërë ndryshimin e kërkuar të nenit 2 b) të statutit të saj.
10. Më 3 korrik 2002, paditësja e ndryshoi nenin 2 b) të statutit të saj si më poshtë:
“[Eğitim-Sen] mbron të drejtën e të gjithë individëve të shoqërisë për të marrë një arsim në gjuhën e tyre amtare dhe për të përfituar nga zhvillimi i kulturës së tyre.”
11. Më 16 korrik 2002, prokurori i Republikës nxori një vendim për pushim të çështjes lidhur me padinë për shpërndarje të ngritur nga prefekti, dhe këtë për pamjaftueshmëri provash e elementesh rënduese. Në vendimin e tij, prokurori vinte në dukje, nga njëra anë, se paditësja e kishte ndryshuar nenin 2 b) të statutit të saj, i cili sanksiononte tanimë se individët duhej “të merrnin një arsim në gjuhën e tyre amtare”; ai vinte në dukje, nga ana tjetër, se në gjirin e opinionit publik dhe të partive politike kishte një debat të fortë rreth kësaj çështjeje dhe se kjo do të futej në rendin e ditës të një seance të Parlamentit. Ai përfundonte se, në këto kushte, nuk ishte e udhës të ngrihej një padi për shpërndarje kundër paditëses apo ndonjë padi penale ndaj anëtarëve të këshillit të saj administrativ.
12. Më 15 tetor 2002, Ministria e Punës dhe e Sigurimeve Shoqërore (“Ministria”) e informoi paditësen se, në përfundim të shqyrtimit të statutit të saj të ndryshuar më 3 korrik 2002 për t’u përshtatur me nenet përkatëse të Ligjit nr. 4688, ishte dalë në konkluzionin se neni i debatuar nuk ishte më në kundërshtim me ligjin.
B. Padia e dytë për shpërndarje
13. Më 27 qershor 2003, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i kërkoi Ministrisë të merrte ndaj paditëses masat e nevojshme me arsyetimin se neni 2 b) i statutit të saj, ashtu siç ishte ndryshuar më 3 korrik 2002, ishte në kundërshtim me nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës.
14. Më 15 korrik 2003, Ministria i kërkoi prefektit të Ankarasë të shqyrtonte dispozitat e nenit 2 b) të statutit të paditëses në dritën e nenit 6 të Ligjit nr. 4688.
15. Më 28 tetor 2003, prefekti i Ankarasë i kërkoi paditëses të hiqte fjalët “për të marrë një arsim në gjuhën e tyre amtare” nga neni 2 b) i statutit të saj.
16. Më 12 prill 2004, prefekti i Ankarasë, duke iu referuar dispozitave të nenit 2 b) të statutit të paditëses dhe duke rihapur padinë e parë të ngritur kundër kësaj të fundit, iu drejtua prokurorit të Republikës të Ankarasë me një padi të re për shpërndarje. Prefekti parashtronte se, sado që Ligji nr. 2923 i 14 tetorit 1983 e parashikonte mësimin e dialekteve dhe gjuhëve të ndryshme, neni 2 i statutit të paditëses, meqenëse synonte arsimimin në një gjuhë të ndryshme nga gjuha turke, binte në kundërshtim me këtë ligj.
17. Më 10 korrik 2004, prokurori i Republikës i Ankarasë ngriti një padi kundër shtatë anëtarëve të këshillit administrativ të Eğitim‑Sen. Në kuadrin e kësaj padie, prokurori kërkoi gjithashtu shpërndarjen e paditëses në bazë të nenit 37 të Ligjit nr. 4688, me arsyetimin se sindikata nuk i kishte hequr fjalët e debatuara nga statuti i saj.
18. Juridiksioni kompetent për t’u shprehur rreth kërkesës për shpërndarjen e paditëses në bazë të Ligjit nr. 4688 ishte Gjykata e Punës e Ankarasë.
19. Më 13 korrik 2004, Gjykata e Punës e Ankarasë, duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr. 4688, i dha paditëses një afat prej gjashtëdhjetë ditësh për të ndryshuar dispozitat e debatuara të statutit të saj.
20. Me një vendim të 15 shtatorit 2004, Gjykata e Punës e Ankarasë e rrëzoi padinë për shpërndarje. Në arsyetimin e saj, ajo vinte konkretisht në dukje se nenet përkatëse të statutit të Eğitim-Sen-it nuk vinin në rrezik (tehlike) as njësinë territoriale, kombëtare e shtetërore, as kufijtë ekzistues të Republikës së Turqisë. Ajo nuk dallonte asnjë veprim të paligjshëm të sindikatës që të linte vend për të menduar se dispozitat e nenit të debatuar të statutit të Eğitim-Sen-it do të përdoreshin nga kundërshtarët e njësisë së Republikës së Turqisë. Duke u mbështetur në nenin 90 të Kushtetutës si edhe në nenet 10 dhe 11 të Konventës, gjykata jepte gjithashtu edhe interpretimin e saj për këto dy dispozita të fundit. Ajo saktësonte në këtë drejtim se liria e shprehjes përbënte themelin e një shoqërie demokratike e pluraliste, dhe se një liri e tillë ishte një kusht i domosdoshëm për përparimin e shoqërive demokratike dhe për zhvillimin personal të secilit individ. Ajo theksonte se, pa këtë liri, nuk kishte demokraci. Ajo dilte në përfundimin se dispozitat e nenit 2 b) të statutit të Eğitim-Sen-it nuk ishin në kundërshtim me nenet 10 e 11 të Konventës. Ajo saktësonte nga ana tjetër se ishte e udhës që neni 6 § 8 i Ligjit nr. 4688 – i cili i caktonte një afat prej gjashtëdhjetë ditësh një sindikate për t’iu përshtatur ligjit – të interpretohej në dritën e qëllimit të këtij ligji. Sipas gjykatës, edhe sikur sindikata të mos i përshtatej ligjit brenda afatit të caktuar, asaj i takonte që ta shqyrtonte themelësinë e kërkesës dhe të merrte një vendim në themel rreth çështjes.
21. Më 29 shtator 2004, prokurori i Republikës bëri rekurs për prishje vendimi.
22. Me një vendim të 3 nëntorit 2004, Gjykata e Kasacionit e shfuqizoi vendimin e 15 shtatorit 2004 me arsyetimin se Gjykata e Punës e Ankarasë nuk e kishte zbatuar siç duhej nenin 6 § 8 të Ligjit nr. 4688. Ajo qe e mendimit se ky nen nuk parashikonte hapësirë për interpretim, por mjaftohej të urdhëronte shpërndarjen e sindikatës në rast se kjo e fundit nuk u përshtatej dispozitave të ligjit brenda një afati prej gjashtëdhjetë ditësh. Ajo doli për pasojë në përfundimin se ishte e udhës që sindikata Eğitim-Sen të shpërndahej, meqenëse kjo nuk i ishte përshtatur ligjit brenda afatit që i ishte caktuar nga prefekti e nga gjykata.
23. Me një vendim të 21 shkurtit 2005, Gjykata e Punës e Ankarasë, duke i bërë qëndresë vendimit të Gjykatës së Kasacionit të 3 nëntorit 2004, e përsëriti vendimin e saj fillestar. Në argumentet e saj, ajo rikujtonte arsyetimin juridik që e kishte shpënë në vendimin e vet të 15 shtatorit 2004 dhe i referohej jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut në fushën e shpërndarjes së partive politike, sidomos çështjeve lidhur me Partinë Komuniste të Njësuar të Turqisë dhe me Partinë e Lirisë dhe të Demokracisë (ÖZDEP). Ajo rikujtonte për më tepër se gjuha zyrtare e Republikës së Turqisë ishte turqishtja dhe se, sipas nenit 66 të Kushtetutës, çdo person që kishte një lidhje shtetësie me Republikën ishte turk. Ajo shprehte mendimin se mësimi i një gjuhe tjetër përveç gjuhës zyrtare nuk përbënte ndonjë veprim a qëndrim në kundërshtim me të drejtën, por se një qëndrim i tillë ishte prova për një lidhje me shtetin e Republikës së Turqisë. Ajo e pranonte se gjuha zyrtare ishte turqishtja dhe se nuk mund të kishte gjuhë tjetër zyrtare. Ajo saktësonte se, duke qenë kështu, nuk duhej të kishte ndonjë pengesë të veçantë për të mësuar gjuhë të tjera përveç gjuhës zyrtare të vendit. Duke rikujtuar arsyetimin e saj të mëparshëm të bazuar në nenet 10 dhe 11 të Konventës, gjykata ishte e mendimit se në shpërndarjen e një sindikate, të një shoqate ose të një partie politike mund të çonin dy arsye kryesore, konkretisht “kanosja kërcënuese” dhe “kriteri i dhunës”. Ajo vërente se sindikata për të cilën kërkohej shpërndarja mbronte në statutin e saj arsimimin në gjuhën amtare dhe zhvillimin e kulturës. Ajo nënvizonte se, edhe sikur këto fjalë të mund të ishin në kundërshtim me ligjin, përmbajtja dhe rëndësia e tyre as nuk përbënin një kanosje kërcënuese, as nuk nxitnin drejt dhunës dhe se përmendja e tyre në statutin e sindikatës nuk vinte në rrezik as njësinë territoriale, kombëtare e shtetërore, as kufijtë ekzistues të Republikës së Turqisë. Ajo çmonte, përkundrazi, se vendimi për të mos e shpërndarë sindikatën do të sillte zbutjen e tensionit social, të trazirave dhe të grindjeve që sundonin në gjirin e shoqërisë, si edhe rivendosjen e paqes sociale.
24. Me një vendim të 22 majit 2005, dhomat e bashkuara të Gjykatës së Kasacionit (Yargıtay Hukuk Genel Kurulu) e prishën me shumicë votash vendimin e juridiksionit të themelit. Në paraqitjen e arsyeve të tyre, dhomat e bashkuara vinin në dukje se nenet 10 dhe 11 të Konventës parashikonin disa kufizime të përcaktuara me ligj ndaj ushtrimit të lirisë së shprehjes, të tubimit e të organizimit dhe se ato saktësonin veçanërisht që këto kufizime duhej të ishin të nevojshme në një shoqëri demokratike. Ato i vinin pra vetes si detyrë që të verifikonin nëse kufizimet të cilat u bëheshin nga ligji kombëtar të drejtave dhe lirive themelore ishin në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Turqisë. Ato ishin të mendimit se vullneti i shprehur nga sindikata për një arsim në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja ishte në kundërshtim me nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës e nuk pajtohej me njësinë e shtetit dhe me sistemin juridik ekzistues. Sipas dhomave të bashkuara, e drejta për të themeluar një sindikatë mund të kufizohej pra dhe kufizime të tilla ishin të nevojshme në një shoqëri demokratike. Dhomat e bashkuara të Gjykatës së Kasacionit nxorën përfundimin se mbrojtja e arsimit në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja nuk mund të mbështetej në nenet 10 dhe 11 të Konventës.
25. Në mendimin e tyre kundërshtues, disa nga anëtarët e dhomave të bashkuara, duke u mbështetur në nenin 6 të Ligjit nr. 4688, vinin re se, sipas përfundimit të juridiksionit të themelit, dispozitat e debatuara të statutit të sindikatës ishin në përputhje me ligjin. Gjyqtarët kundërshtues çmonin se, për këtë arsye, urdhërimi i sindikatës për të ndryshuar statutin e saj brenda një afati prej gjashtëdhjetë ditësh nuk kishte bazë ligjore. Sipas tyre, ishte e udhës që vendimi të prishej në mënyrë që juridiksioni i themelit t’i përmbahej nenit 6 të Ligjit nr. 4688 dhe jo për të kërkuar shpërndarjen e sindikatës.
26. Më 3 korrik 2005, paditësja e ndryshoi pjesën e debatuar të nenit 2 b) të statutit të saj si më poshtë:
“[Eğitim-Sen] mbron, në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të drejtën e të gjithë individëve të shoqërisë për të marrë një arsim demokratik, laik, shkencor dhe falas.”
27. Me një vendim të 27 tetorit 2005, Gjykata e Punës e Ankarasë, duke mbajtur shënim ndryshimin e bërë në statutin e paditëses, doli në përfundimin se nuk kishte më përse të merrej vendim për shpërndarjen e sindikatës, meqenëse elementet materiale ku mund të mbështetej një veprim i tillë nuk ekzistonin më.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kushtetuta
28. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës në fuqi në kohën e ngjarjeve shprehen kështu:
Neni 3
“Shteti i Turqisë përbën, bashkë me territorin e me kombin e tij, një entitet të pandashëm. Gjuha e tij zyrtare është turqishtja. (...)”
Neni 13
“Të drejtat dhe liritë themelore nuk mund të kufizohen përveçse për arsye të parashikuara nga dispozita të veçanta të Kushtetutës e sipas ligjit, dhe për aq sa këto kufizime nuk e cenojnë vetë thelbin e të drejtave dhe lirive. Kufizimet objekt i të cilave bëhen të drejtat e liritë themelore nuk mund të jenë në kundërshtim as me germën e me frymën e Kushtetutës, as me kërkesat e një rendi shoqëror demokratik e laik, dhe ato duhet të respektojnë parimin e përpjesëtueshmërisë.”
Neni 25
“Çdo njeri ka të drejtën e mendimit dhe të opinionit.
Askush nuk mund të detyrohet të tregojë mendimin dhe opinionet e tij, as të qortohet apo fajësohet për arsye të mendimit apo të opinioneve të tij për çfarëdo shkaku e me çfarëdo qëllimi qoftë.”
Neni 26
“Çdo njeri ka të drejtën që të shprehë, në mënyrë individuale ose kolektive, mendimin dhe opinionet e tij dhe t’i përhapë ato me gojë, me shkrim, me pamje ose në çdo rrugë tjetër. Kjo liri përfshin gjithashtu edhe të drejtën për të marrë ose për të dhënë ide apo informacione jashtë çdolloj ndërhyrjeje të autoriteteve zyrtare. Dispozita që përmban kjo pikë nuk e pengon vendosjen e një regjimi pajisjeje me leje për sa u përket transmetimeve në rrugë radiofonike, televizive, kinematografike ose me mjete të tjera të ngjashme.
Ushtrimi i këtyre lirive mund të kufizohet me qëllim për të ruajtur sigurinë kombëtare, rendin publik, sigurinë publike, karakteristikat themelore të Republikës, si edhe tërësinë e pandashme të shtetit nga pikëpamja e territorit të tij dhe e kombit, për të parandaluar shkeljet, për të ndëshkuar keqbërësit, për të ndaluar përhapjen e informacioneve që pranohet se janë sekrete shtetërore, për të ruajtur nderin, të drejtat dhe jetën private e familjare të tjetrit si edhe sekretin profesional të parashikuar nga ligji, e për të siguruar që funksioni i juridiksionit të përmbushet në përputhje me qëllimin e vet.
Dispozitat që rregullojnë përdorimin e mjeteve për transmetimin e informacioneve dhe të ideve nuk quhet se e kufizojnë lirinë e shprehjes e të përhapjes së mendimit, mjafton që të mos e pengojnë transmetimin e tyre.
Ligji përcakton rregullat për sa u përket formave, kushteve dhe procedurave lidhur me ushtrimin e lirisë së shprehjes e të përhapjes së mendimit.”
Neni 42
“Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta e vet për edukim dhe arsimim.
(...)
Liria e edukimit dhe e arsimimit nuk përjashton nga detyrimi për besnikëri ndaj Kushtetutës.
(...)
Asnjë gjuhë tjetër përveç turqishtes nuk mund t’u mësohet shtetasve turq si gjuhë amtare, as të shërbejë për mësimdhënie në institucionet edukuese dhe arsimore. Ligji përcakton rregullat për mësimin e gjuhëve të huaja në institucionet edukuese dhe arsimore, si edhe ato të cilave duhet t’u përmbahen shkollat ku edukimi dhe arsimi jepen në një gjuhë të huaj, me kusht që të respektohen dispozitat e konventave ndërkombëtare.”
Neni 51
“Punonjësit dhe punëdhënësit kanë të drejtën për të themeluar sindikata e bashkime sindikale pa marrë leje paraprakisht me qëllim që të mbrojnë e të zhvillojnë të drejtat e interesat ekonomike dhe shoqërore të anëtarëve të tyre në kuadrin e marrëdhënieve të tyre të punës, si edhe për t’u anëtarësuar në to e për t’u tërhequr prej tyre lirisht. Askush nuk mund të detyrohet për t’u bërë anëtar i një sindikate apo për të dhënë dorëheqjen prej saj.
E drejta për të themeluar një sindikatë mund të kufizohet sipas ligjit dhe për arsye sigurie kombëtare ose rendi publik ose me qëllimin për të penguar kryerjen e një vepre penale, për të ruajtur shëndetin publik a zakonet e mira ose për të mbrojtur të drejtat e liritë e tjetrit.
Trajtat, kushtet dhe procedurat e zbatueshme për ushtrimin e së drejtës për të themeluar një sindikatë përcaktohen me ligj.
Nuk lejohet qenia anëtar i disa sindikatave njëkohësisht në gjirin e të njëjtit sektor veprimtarie.
Shtrirja e të drejtave të nëpunësve publikë që nuk janë me cilësinë e punëtorit në këtë sektor, si edhe përjashtimet e kufizimet që zbatohen për ta, përcaktohen me ligj në përshtatje me natyrën e shërbimeve për të cilat [këta nëpunës] janë të ngarkuar.
Statutet, drejtimi dhe funksionimi i sindikatave dhe i bashkimeve sindikale nuk mund të jenë në kundërshtim me tiparet themelore të Republikës as me parimet demokratike.”
Neni 66
“Është turk çdo person i lidhur me shtetin turk përmes lidhjes së shtetësisë.
(...)”
Neni 90
“(...)
Në rast konflikti ndërmjet ligjeve [kombëtare] dhe marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me të drejtat e me liritë themelore, të hyra në fuqi në përputhje me procedurën e që përmbajnë dispozita të ndryshme për të njëjtin subjekt, epërsi kanë dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare.”
B. Ligji nr. 4688 i 25 qershorit 2001 për sindikatat e nëpunësve
29. Dispozitat përkatëse të Ligjit nr. 4688 shprehen kështu:
Neni 6
“Sindikatat dhe konfederatat mund të themelohen lirisht pa leje paraprake.
(...)
7. (...) Në qoftë se nuk bëhet ndreqja [e mungesave të vëna në dukje, prefekti] i drejtohet gjykatës në mënyrë që t’u jepet fund veprimtarive të sindikatës ose të konfederatës. (...)
8. Gjykata i jep [sindikatës a konfederatës] një afat deri në gjashtëdhjetë ditë për t’iu përshtatur ligjit ose për të ndrequr mungesat e vëna re. Në qoftë se, në përfundim të afatit të dhënë, statuti ose dokumentet në fjalë nuk janë në përputhje me ligjin, gjykata mund të urdhërojë shpërndarjen e sindikatës ose të konfederatës.
(...)”
Neni 20 § 1
“Drejtimi dhe funksionimi i sindikatave dhe i konfederatave të themeluara në përputhje me këtë ligj nuk duhet të jenë në kundërshtim me cilësitë e me parimet demokratike të Republikës ashtu sikurse i përcakton ato Kushtetuta. (...)”
Neni 37 § 1
“Një sindikatë apo një konfederatë që kryen veprimtari në kundërshtim me cilësitë e me parimet demokratike të Republikës ashtu sikurse i përcakton ato Kushtetuta shpërndahet me vendim të gjykatës kompetente për mosmarrëveshjet lidhur me punën me kërkesën e prokurorit të Republikës brenda juridiksionit të të cilit ndodhet selia shoqërore [e sindikatës ose e konfederatës]. (...)”
C. Ligji nr. 4771 i 3 gushtit 2002 që ndryshon Ligjin nr. 2923 të 14 tetorit 1983 për edukimin në gjuhë të huaja, mësimdhënien e gjuhëve të huaja dhe mësimin e dialekteve dhe gjuhëve të ndryshme nga qytetarët turq
30. Neni 2 a) i Ligjit nr. 2923 sikurse është ndryshuar nga ligji i vitit 2002 përcakton se asnjë gjuhë tjetër përveç turqishtes nuk mund t’u mësohet qytetarëve turq në institucionet arsimore dhe edukative. Megjithatë, ai lejon që për qytetarët turq të hapen kurse private për mësimin e gjuhëve dhe të dialekteve që ata përdorin tradicionalisht në jetën e tyre të përditshme, sipas rregullores së miratuar nga ministri i Arsimit. Mësimi i dhënë në këto kurse nuk duhet të bjerë ndesh me njësinë e shtetit dhe të kombit, as me pandashmërinë e territorit kombëtar.
III. TEKSTET E KËSHILLIT TË EVROPËS
31. Në raportin e tij të fundit rreth Turqisë (paragrafët 60, 61, 62, 63, 70 dhe 71), të miratuar më 10 dhjetor 2010 e të botuar më 8 shkurt 2011, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) është shprehur si më poshtë:
“Mësimi i gjuhëve të tjera përveç turqishtes dhe i dhënë në to për personat që u përkasin grupeve të pakicave të cilat nuk njihen sipas Traktatit të Lozanës
(...)
60. Ligji nr. 4771 i miratuar në gusht 2002, i cili e ndryshon Ligjin nr. 2923 për arsimin në gjuhët e huaja dhe mësimdhënien e tyre, si edhe për mësimin e gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme nga qytetarët turq ka përgatitur rrugën për çeljen e shkollave private ku mësohen “gjuhët e dialektet e përdorura tradicionalisht nga qytetarët turq në jetën e tyre të përditshme”. Në përputhje me Rregulloren për mësimin e gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme të përdorura nga qytetarët turq në jetën e tyre të përditshme, të hyrë në fuqi më 5 dhjetor 2003, në shtatë qytete janë hapur ndërmjet dhjetorit 2003 e tetorit 2004 kurse të gjuhës kurde. Mirëpo të gjitha janë mbyllur që prej asaj kohe dhe disa përpjekje të tjera për të çelur një shkollë në gjuhën çerkeze në Ankara nuk i kanë dhënë frytet e tyre, ngaqë nuk ka qenë e mundur të plotësohen kërkesat administrative. Autoritetet kanë vënë në dukje se nga prefekturat përkatëse po vazhdon ende shqyrtimi i disa kërkesave për të hapur kurse private për adigeisht e abkazisht, në përputhje me Rregulloren e lartpërmendur. Kështu, sot në Turqi nuk ka asnjë institucion privat ku të mësohen gjuhët e folura nga grupet e pakicave. (...)
61. (...) ECRI i përgëzon autoritetet turke për vendimin që kanë marrë në tetor 2009 për të çelur një institut të gjuhëve të gjalla në Universitetin Artuklu të Mardinit, ku mund të mësohet gjuha kurde; me hapjen e këtij institucioni në shkurt 2010, thuhet se janë propozuar gjithashtu edhe kurse për siriakisht, persisht e arabisht. (...) ECRI shënon gjithsesi me keqardhje se, në shtator 2009, Këshilli [i Arsimit të Lartë] e ka hedhur poshtë një kërkesë të ngjashme për të çelur një katedër studimesh kurde dhe për gjuhë e letërsi kurde në Universitetin e Dijarbakirit, me arsyetimin se kjo kërkesë, e paraqitur nga shoqata lokale e avokatëve, ishte bërë nga një organizëm që mbështeste terrorizmin.
62. ECRI u rekomandon autoriteteve turke që ta rishikojnë formulimin e nenit 42 të Kushtetutës, i cili e ndalon mësimin e gjuhëve të tjera amtare përveç turqishtes nëpër shkolla, me përjashtim të rasteve kur zbatohen dispozita të traktateve ndërkombëtare. ECRI thekson përsëri se një mësimdhënie e tillë duhet të mundë të ekzistojë përkrah mësimdhënies në gjuhën zyrtare.
63. Përveç kësaj, ECRI u rekomandon me forcë autoriteteve turke që t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre në favor të arsimit në gjuhët dhe dialektet e përdorura tradicionalisht në Turqi. Ai u rekomandon atyre gjithashtu që të kujdesen për ta garantuar plotësisht mundësinë për të çelur kurse private, sidomos duke hequr të gjitha pengesat e papërligjura administrative.
(...)
Mësimi në turqisht për fëmijët me gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja
(...)
70. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve turke që të interesohen për situatën e fëmijëve me gjuhë amtare jo turke dhe të kujdesen që të bëhet gjithçka për t’u lejuar atyre që ta mësojnë pa gabime turqishten, e cila është gjuha e arsimit, për shembull duke propozuar kurse plotësuese ose metoda për mësimin e turqishtes si gjuhë të dytë. Më në përgjithësi, ECRI u rekomandon autoriteteve që ta shqyrtojnë situatën e përgjithshme të fëmijëve që u përkasin grupeve të pakicave në sistemin shkollor, me synim miratimin e masave të caktuara për fshirjen e pabarazive të mundshme që vihen re.
71. ECRI u rekomandon autoriteteve turke që të nisin një dialog me grupet e pakicave rreth mënyrës se si mësohet nëpër shkolla koncepti i qytetarisë së shtetit turk, për t’u kujdesur që mesazhi i dëshiruar për integrim të përcillet pa lënë të nënkuptohet që larmia qenka e padëshirueshme.”
LIGJI
(...)
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 11 TË KONVENTËS
41. Paditësja ngre pretendimin se detyrimi që i është imponuar për të bërë ndryshimin e statutit të vet, në mënyrë që të shmangë shpërndarjen, përbën një ndërhyrje në të drejtën e saj për lirinë e organizimit të parashikuar nga neni 11 i Konventës. Kjo dispozitë shprehet kështu:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.”
42. Qeveria nuk shprehet në këtë drejtim.
A. Rreth ekzistencës së një ndërhyrjeje
43. Për paditësen – dhe Qeveria nuk e kundërshton – veprimi i debatuar që është nisur ndaj saj përbën një ndërhyrje të autoriteteve kombëtare në ushtrimin e së drejtës së saj të organizimit, ndërhyrje e cila i paska hequr asaj mundësinë për të ndjekur në mënyrë kolektive ose individuale qëllimet që i kishte caktuar vetes në statutin e saj. Ky është edhe mendimi i Gjykatës.
B. Rreth përligjjes së një ndërhyrjeje
44. Gjykata rikujton se një ndërhyrje e tillë e shkel nenin 11 të Konventës, përveçse kur ajo ka qenë “e parashikuar me ligj”, e drejtuar për një apo disa nga qëllimet e drejta në vështrim të paragrafit 2 të kësaj dispozite dhe “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për t’i arritur ato qëllime.
1. “E parashikuar me ligj”
45. Në rastin e kësaj çështjeje, Gjykata shënon se nga palët nuk kundërshtohej që ndërhyrja në fjalë ishte “e parashikuar me ligj” dhe se ajo mbështetej, konkretisht, në nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës (paragrafi 28 i mësipërm).
2. Qëllim i drejtë
46. Sipas mendimit të Gjykatës, ndërhyrja e debatuar synonte disa qëllime të drejta, konkretisht mbrojtjen e rendit ose ruajtjen e sigurisë kombëtare, duke përfshirë edhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit. Palët nuk e kundërshtojnë këtë gjë.
3. “E nevojshme në një shoqëri demokratike”
a) Parime të përgjithshme përkatëse
47. Duke iu referuar parimeve të përgjithshme që dalin nga jurisprudenca e saj përkatëse në fushën e lirisë së organizimit (Gorzelik me të tjerë k. Polonisë [DhM], nr. 44158/98, §§ 88-93, GjEDNj 2004‑I, dhe referencat që citohen aty, dhe Shoqata Rhino me të tjerë k. Zvicrës, nr. 48848/07, § 61, 11 tetor 2011), Gjykata rikujton se e drejta që parashtron neni 11 e përfshin atë për të themeluar një shoqatë. Mundësia për qytetarët që të formojnë një person moral me qëllim për të vepruar në mënyrë kolektive në një fushë me interes të përbashkët përbën një prej aspekteve më të rëndësishme të së drejtës për lirinë e organizimit, pa të cilin kjo e drejtë do të ishte e zhveshur nga çdolloj kuptimi (Sidiropoulos me të tjerë k. Greqisë, 10 korrik 1998, § 40, Recueil des arrêts et décisions 1998‑IV).
48. Gjykata rikujton gjithashtu se gjendja e demokracisë në vendin për të cilin bëhet fjalë mund të matet me mënyrën se si e sanksionon këtë liri legjislacioni kombëtar dhe se si e zbatojnë atë në praktikë autoritetet. Në jurisprudencën e saj, ajo e ka pohuar disa herë marrëdhënien e drejtpërdrejtë që ekziston midis demokracisë, pluralizmit e lirisë së organizimit dhe e ka vendosur parimin sipas të cilit kufizime të kësaj lirie mund të përligjen vetëm me arsye bindëse e të domosdoshme. Tërë këto kufizime u nënshtrohen kontrollit të saj të rreptë (shih, mes shumë të tjerash, Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë k. Turqisë, 30 janar 1998, §§ 42-45, Recueil 1998-I, Partia socialiste me të tjerë k. Turqisë, 25 maj 1998, §§ 41-45, Recueil 1998-III, Refah Partisi (Partia e Begatisë) me të tjerë k. Turqisë [DhM], nr. 41340/98, 41342/98, 41343/98 dhe 41344/98, §§ 86-89, GjEDNj 2003-II).
49. Për pasojë, për të gjykuar rreth ekzistencës së një nevoje në kuptimin e nenit 11 § 2, shtetet kanë vetëm një hapësirë të kufizuar vlerësimi, e cila parëzohet me një kontroll të rreptë evropian i cili ka të bëjë njëherazi me ligjin dhe me vendimet që e vënë atë në zbatim, duke përfshirë edhe ato të një juridiksioni të pavarur.
50. Nga ana tjetër, Gjykata rikujton se, kur ushtron kontrollin e saj, ajo nuk ka aspak për detyrë që t’u zërë vendin juridiksioneve të brendshme kompetente, por që t’i verifikojë në këndvështrimin e nenit 11 vendimet që ato kanë dhënë sipas fuqisë së tyre për vlerësim. Prandaj, ajo nuk duhet të mjaftohet duke kërkuar nëse shteti i paditur e ka përdorur këtë fuqi me qëllime të mira, me kujdes e në mënyrë të arsyeshme: asaj i duhet ta shqyrtojë ndërhyrjen e debatueshme në dritën e tërësisë së çështjes, për të përcaktuar nëse ajo ka qenë “në përpjesëtim me qëllimin e drejtë të ndjekur” dhe nëse arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta përligjur atë duken “rëndësore dhe të mjaftueshme”. Duke vepruar kështu, Gjykata duhet të bindet se autoritetet kombëtare kanë zbatuar rregulla në përputhje me parimet e sanksionuara nga neni 11 dhe kjo, për më tepër, duke u mbështetur në një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse (Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë, i cituar më lart, §§ 46-47, Yazar me të tjerë k. Turqisë, nr. 22723/93, 22724/93 e 22725/93, § 51, GjEDNj 2002-II, dhe Sidiropoulos me të tjerë, i cituar më lart, § 40).
b) Zbatimi i parimeve të cituara më lart në çështjen në fjalë
51. Në çështjen në fjalë, Gjykata shënon se kundër Eğitim ve Bilim Emekçileri Sendikası (“Eğitim-Sen”) janë nisur dy padi për shpërndarje me arsyetimin që, në nenin 2 b) të statutit të saj, sindikata mbronte mësimin në “gjuhën amtare”. Për sa i përket padisë së parë, prokurori i Republikës ka dhënë një vendim për pushimin e çështjes me arsyetimin se qëllimet e përmendura në nenin e debatuar nuk ishin në kundërshtim me ligjin. Më pas, me kërkesën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kundër Eğitim-Sen-it është nisur një padi e dytë për shpërndarje, e mbështetur në të njëjtat arsye. Në vijim të kësaj padie dhe të vendimit të Gjykatës së Kasacionit, sindikata Eğitim-Sen e ka ndryshuar nenin 2 b) të statutit të saj, duke i hequr fjalët e debatuara për të shmangur shpërndarjen e saj nga juridiksionet kombëtare.
52. I takon tani Gjykatës që të vlerësojë nëse kjo padi e dytë për shpërndarjen e Eğitim-Sen-it i përgjigjej një “nevoje të ngutshme shoqërore” dhe ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për të arritur “qëllimet e drejta të ndjekura”.
53. Gjykata shënon se Gjykata e Punës dhe dhomat e bashkuara të Gjykatës së Kasacionit kanë dëshmuar një qasje dhe një interpretim të ndryshëm të neneve 10 dhe 11 të Konventës. Për Gjykatën e Punës, të drejtat dhe liritë e sanksionuara nga këto nene janë themelore në një shoqëri demokratike, përveçse kur ka, sidomos, nxitje për dhunë, çka, sipas asaj gjykate, nuk ishte rasti i nenit 2 b) të statutit të Eğitim-Sen-it. Anasjelltas, dhomat e bashkuara të Gjykatës së Kasacionit e kanë vënë theksin te përjashtimet e parashikuara nga paragrafi 2 i nenit 11 të Konventës. Ato kanë qenë të mendimit se dëshira e Eğitim-Sen-it për të mbrojtur arsimin në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja binte në kundërshtim me nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës dhe me parimin e njësisë së shtetit.
54. Gjykata duhet të kërkojë pra nëse këto konstatime të dhomave të bashkuara të Gjykatës së Kasacionit mund të jenë të mbështetura në një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse. Ajo vë në dukje së pari se nga leximi i nenit 2 b) të statutit të Eğitim-Sen-it del që kjo dispozitë nuk përmbante asnjë nxitje për përdorim dhune për realizimin e qëllimeve të synuara. Sipas dhomave të bashkuara, Eğitim-Sen-i nuk nxiste as për përdorimin e mjeteve të paligjshme për realizimin e qëllimit të saj, i cili ishte që individët e shoqërisë turke të mund të arsimoheshin në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja.
55. Për Gjykatën, parimi i mbrojtur nga Eğitim-Sen-i, domethënë që arsimimi i individëve që përbëjnë shoqërinë turke mund të jepej në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja, nuk është në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë. Ajo vëren se në nenin e debatuar të statutit të Eğitim-Sen-it nuk ka asgjë që të mund të paraqitet si ndonjë thirrje për dhunë, për kryengritje apo për çfarëdo trajte tjetër mohimi të parimeve demokratike, çka përbën një element thelbësor për t’u marrë në konsideratë (Partia e Lirisë dhe e Demokracisë (ÖZDEP) k. Turqisë [DhM], nr. 23885/94, § 40, GjEDNj 1999-VIII). Është e udhës që përmbajtja e nenit 2 b) të statutit të Eğitim-Sen-it të lexohet duke e rivendosur atë në kontekstin e debatit të nisur në opinionin publik në kohën e ngjarjeve. Në këtë drejtim, Gjykata pajtohet me arsyetimin e prokurorit të Republikës, i cili ka dhënë një vendim për pushim çështjeje në padinë e parë për shpërndarje të Eğitim-Sen-it. Në fakt, në atë kohë, çështja e arsimimit në gjuhën amtare debatohej në opinionin publik e në gjirin e partive politike dhe duhej të futej në rendin e ditës të një seance të Parlamentit (paragrafët 11, 30 dhe 31 të mësipërm).
56. Gjykata e pranon se një propozim i tillë mund të shkonte ndesh me bindjet e shumicës së opinionit publik, me disa institucione apo organizma shtetërorë, madje edhe me politikën qeveritare. Megjithatë, ajo rikujton se funksionimi i mirë i demokracisë kërkon që grupimet e ndryshme shoqërore ose formacionet e ndryshme politike të mund të debatojnë publikisht për të dhënë ndihmesë që të gjenden zgjidhje për çështjet e përgjithshme që kanë të bëjnë me të gjithë aktorët e jetës politike apo publike (Vogt k. Gjermanisë, 26 shtator 1995, § 52, seria A nr. 323, dhe Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë, i cituar më lart, § 57).
57. Pastaj, Gjykata vë në dukje se, nga raporti i fundit i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për Turqinë (paragrafi 31 i mësipërm), del që, përveç fëmijëve të cilët u përkasin pakicave të njohura sipas Traktatit të Lozanës – konkretisht pakicave jo myslimane – dhe që arsimohen në turqisht, kishte edhe fëmijë të tjerë, me kombësi turke, gjuha amtare e të cilëve nuk ishte turqishtja, por adigeishtja, abkazishtja ose kurdishtja. Lidhur me këtë pikë, është e udhës të nënvizohet se Ligji nr. 4771, i miratuar më 3 gusht 2002 dhe që e ndryshon Ligjin nr. 2923 për arsimin në gjuhë të huaja, mësimdhënien e gjuhëve të huaja dhe mësimin e dialekteve dhe gjuhëve të ndryshme nga qytetarët turq, ka hapur rrugën për kurse private “gjuhësh e dialektesh [përveç turqishtes] të përdorura tradicionalisht nga qytetarët turq në jetën e tyre të përditshme”. Gjykata vëren se ky vullnet i ligjvënësit për të çelur kurse private për mësimin e gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme nga turqishtja është në kontrast me qëndrimin e juridiksioneve kombëtare, të cilat kanë qenë të mendimit se përmbajtja e nenit 2 b) të statutit të Eğitim-Sen-it i cenonte nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës.
58. Gjykata nuk bindet nga arsyetimi i dhomave të bashkuara të Gjykatës së Kasacionit, sepse në vendimin e tyre ato nuk kanë treguar që Eğitim-Sen-i të ketë kryer veprimtari të paligjshme që të mund të cenonin njësinë e Republikës së Turqisë. Ato nuk kanë saktësuar gjithashtu nëse Eğitim-Sen-i ndiqte qëllime të kundërta me parimet demokratike apo kishte veprimtari në kundërshtim me ato që paraqiteshin në statutin e vet. Gjykata shënon me interes se Gjykata e Punës, nga ana e saj, e kishte rrëzuar këtë padi të dytë për shpërndarje me arsyetimin se vendimi për të mos e shpërndarë sindikatën do të kishte si efekte zbutjen e tensionit social, të trazirave dhe grindjeve që sundonin në gjirin e shoqërisë, si edhe rivendosjen e paqes sociale (paragrafi 23 i mësipërm).
59. Për këtë arsye, Gjykata është e mendimit se thjesht prania e fjalëve “për të marrë një arsim në gjuhën e tyre amtare” në statutin e sindikatës, jashtë çdolloj elementi tjetër që tregon a provon ndonjë qëllim të ndryshëm nga ai i shprehur në nenin e debatuar të statutit, nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet e demokracisë. Ajo shënon se nga statuti i Eğitim-Sen-it, në versionin e tij të parë, del që sindikata mbronte të drejtën e të gjithë individëve të shoqërisë “për të marrë, në barazi dhe liri, një arsim demokratik, laik, shkencor e falas në gjuhën e tyre amtare”. Për Gjykatën, një qëllim i tillë i cili synon të zhvillojë kulturën e shtetasve kombëtarë që kanë si gjuhë amtare një gjuhë të ndryshme nga turqishtja, dhe këtë përmes mësimit të gjuhës së tyre amtare, nuk shkon në vetvete ndesh me sigurinë kombëtare as nuk përbën ndonjë kërcënim për rendin publik. Edhe sikur autoritetet kompetente kombëtare të mund të ishin të mendimit që arsimi në gjuhën kombëtare e favorizonte kulturën e një pakice, Gjykata rikujton se ajo ka gjykuar tashmë që ekzistenca e pakicave dhe e kulturave të ndryshme në një vend përbën një fakt historik të cilin një shoqëri demokratike duhet ta tolerojë, madje ta mbrojë e ta përkrahë sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare (Tourkiki Enosi Xanthis me të tjerë k. Greqisë, nr. 26698/05, § 51, 27 mars 2008).
60. Në dritën e asaj çka paraprin më lart, Gjykata çmon se arsyet e treguara nga dhomat e bashkuara të Gjykatës Kushtetuese nuk ishin rëndësore dhe të mjaftueshme, dhe se ato nuk ishin në përpjesëtim me qëllimet e drejta të ndjekura. Për rrjedhojë, padia për shpërndarje e nisur ndaj paditëses, e cila ka pasur si rezultat që ta detyronte këtë sindikatë për ta ndryshuar nenin 2 b) të statutit të saj duke i hequr fjalët “për të marrë një arsim në gjuhën e tyre amtare”, nuk mund të quhet në mënyrë të arsyeshme sikur i përgjigjet një “nevoje të ngutshme shoqërore”.
61. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 11 të Konventës.
III. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 10 TË KONVENTËS
62. Paditësja ngre pretendimin se detyrimi të cilit i është nënshtruar ajo për të bërë ndryshimin e statutit të vet, në mënyrë që të shmangte shpërndarjen, përbën një ndërhyrje në të drejtën e saj për lirinë e shprehjes, të parashikuar nga neni 10 i Konventës. Kjo dispozitë shprehet kështu në pjesën e saj përkatëse:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. (...)
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
63. Qeveria nuk shprehet.
A. Rreth pranueshmërisë
64. Gjykata vë në dukje se kjo ankesë është e lidhur me atë të shqyrtuar më lart dhe se ajo duhet gjithashtu të deklarohet e pranueshme.
B. Rreth themelit
65. Në çështjen në fjalë, palët nuk e kundërshtojnë që padia e dytë për shpërndarje e nisur ndaj paditëses përbën një ndërhyrje të autoriteteve kombëtare në ushtrimin prej saj të së drejtës së vet për lirinë e shprehjes. Kjo ndërhyrje ishte e parashikuar me ligj, konkretisht nenet 3 dhe 42 të Kushtetutës, dhe ndiqte një apo disa qëllime të drejta në vështrimin e nenit 10 § 2 të Konventës, konkretisht për mbrojtjen e rendit ose ruajtjen e sigurisë kombëtare, duke përfshirë edhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit. Mbetet pra për t’u shqyrtuar nëse ndërhyrja e debatuar ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për të arritur qëllimet e drejta të synuara.
1. Parime të përgjithshme përkatëse
66. Gjykata rikujton se shoqatat, ashtu si edhe partitë politike, meqenëse veprimtaritë e tyre bëjnë pjesë në një ushtrim kolektiv të lirisë së shprehjes, mund të pretendojnë që mbrohen nga nenet 10 dhe 11 të Konventës (Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë, i cituar më lart, §§ 4243, dhe Yazar me të tjerë, i cituar më lart, § 46).
67. Ajo rikujton pastaj se liria e shprehjes përbën një nga themelet kryesore për një shoqëri demokratike. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 10, liria e shprehjes vlen jo vetëm për “informacionet” ose “idetë” e mirëpritura apo të konsideruara si të parrezikshme a të parëndësishme, por edhe për ato e godasin, tronditin ose shqetësojnë shtetin apo një pjesë të çfarëdoshme të popullsisë: kështu e kërkojnë pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes pa të cilat nuk ka “shoqëri demokratike” (shih, me shumë të tjerash, Handyside k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, seria A nr. 24, Jersild k. Danimarkës, 23 shtator 1994, § 37, seria A nr. 298, dhe Yazar me te tjerë, i cituar më lart, § 46). Ashtu siç e sanksionon atë neni 10, liria e shprehjes shoqërohet me përjashtime të cilat bëjnë thirrje për një interpretim të ngushtë, dhe nevoja për ta kufizuar atë duhet të vërtetohet në mënyrë bindëse (Lindon, Otchakovsky-Laurens e July k. Francës [DhM], nr. 21279/02 e nr. 36448/02, § 45, GjEDNj 2007-IV).
68. Gjykata rikujton përveç kësaj se epiteti “e nevojshme”, në kuptimin e nenit 10 § 2, nënkupton një “nevojë të ngutshme shoqërore”. Shtetet Kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për të gjykuar për ekzistencën e një nevoje të tillë, por ajo parëzohet me një kontroll evropian që ka të bëjë njëherazi me ligjin e me vendimet të cilat e vënë atë në zbatim, edhe kur këto burojnë nga një juridiksion i pavarur. Gjykata është pra kompetente për të marrë vendim në shkallë të fundit rreth pikës nëse një “kufizim” pajtohet me lirinë e shprehjes që mbron neni 10 (Karataş k. Turqisë [DhM], nr. 23168/94, § 48, GjEDNj 1999‑IV).
69. Gjykata e përsërit që neni 10 § 2 i Konventës nuk lë aspak vend për kufizime të lirisë së shprehjes në fushën e ligjërimit ose të debatit politik – fushë në të cilën liria e shprehjes merr rëndësinë e shkallës më të lartë (Brasilier k. Francës, nr. 71343/01, § 41, 11 prill 2006) – ose në atë të çështjeve me interes të përgjithshëm (shih, ndër të tjera, Sürek k. Turqisë (nr. 1) [DhM], nr. 26682/95, § 61, GjEDNj 1999-IV, Lindon, Otchakovsky-Laurens e July, i cituar më lart, § 46, Wingrove k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 nëntor 1996, § 58, Recueil 1996-V, dhe Faruk Temel k. Turqisë, nr. 16853/05, § 55, 1 shkurt 2011).
70. Së fundi, Gjykata rikujton se, në një shoqëri demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, ideve politike që e kundërshtojnë rendin e vendosur dhe realizimi i të cilave mbrohet me mjete paqësore duhet t’u ofrohet një mundësi e përshtatshme për t’u shprehur përmes ushtrimit të lirisë së organizimit (Stankov e Organizata Maqedonase e Bashkuar Ilinden k. Bullgarisë, nr. 29221/95 e nr. 29225/95, § 97, GjEDNj 2001-IX). Kështu e kërkojnë vlerat thelbësore të një sistemi demokratik, si pluralizmi, toleranca dhe kohezioni shoqëror (Ouranio Toxo me të tjerë k. Greqisë, nr. 74989/01, § 42, GjEDNj 2005-X, dhe Tourkiki Enosi Xanthis me të tjerë, i cituar më lart, § 56).
2. Zbatimi i parimeve të cituara më lart në çështjen në fjalë
71. Gjykata u ka kushtuar një vëmendje të veçantë fjalëve të përdorura në nenin 2 b) të statutit të paditëses dhe kontekstit në të cilin është hartuar kjo dispozitë. Lidhur me këtë, ajo çmon se neni 10 përfshin lirinë për të marrë e për të dhënë informacione ose ide në çdo gjuhë që mundëson pjesëmarrjen në shkëmbimin publik të informacioneve dhe të ideve të çfarëdollojshme kulturore, politike dhe shoqërore (shih, mutatis mutandis, Karataş, i cituar më lart, § 49). Ajo i ka marrë gjithashtu parasysh rrethanat e rastit që i është paraqitur për shqyrtim, sidomos vështirësitë lidhur me luftën kundër terrorizmit (İbrahim Aksoy k. Turqisë, nr. 28635/95, 30171/96 dhe 34535/97, § 60, 10 tetor 2000, Zana k. Turqisë, 25 nëntor 1997, § 55, Recueil 1997-VII, Incal k. Turqisë, 9 qershor 1998, § 58, Recueil 1998‑IV, dhe Savgın k. Turqisë, nr. 13304/03, § 44, 2 shkurt 2010).
72. Neni 2 b) i statutit të paditëses mbronte idenë e arsimit në “gjuhën amtare”. Në kontekstin e Turqisë dhe në kuptimin e parë të fjalëve, kjo dispozitë nënkuptohej sikur mbronte arsimin në gjuhën amtare që është turqishtja. Megjithatë, duke pasur parasysh situatën historiko-shoqërore të Turqisë, gjuha amtare mund të kuptohet edhe si gjuha e shtetasve turq që kanë për gjuhë amtare një gjuhë të ndryshme nga turqishtja. Në raportin e tij të fundit rreth Turqisë, si gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja ECRI ka përmendur adigeishten, akkazishten ose kurdishten (paragrafi 31 i mësipërm).
73. Në këtë drejtim, është me vend të rikujtohet se, përveç përmbajtjes së ideve dhe të informacioneve të shprehura, neni 10 mbron gjithashtu edhe mënyrën e tyre të shprehjes, cilëtdo qofshin mjeti ose gjuha e përdorur (po aty, § 32).
74. Në çështjen në fjalë, edhe sikur paditësja të kishte mundur të kishte si qëllim që të shfaqte vullnetin e saj për të zhvilluar vetëm arsimin në gjuhën kurde si gjuhë amtare, përkrah gjuhës turke, Gjykata rikujton se neni 10 § 2 i Konventës nuk lë aspak vend për kufizime të lirisë së shprehjes në fushën e çështjeve me interes të përgjithshëm. Ajo i merr parasysh rrethanat e rastit që i është paraqitur për shqyrtim. Ajo shënon se, në kohën e ngjarjeve, një debat rreth kësaj teme në opinionin publik ishte pasuar me një ndryshim të ligjit, i cili e lejonte dhënien mësim, të paktën privatisht, në gjuhët amtare të ndryshme nga turqishtja të përdorura nga shtetasit turq.
75. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se neni i debatuar i statutit të paditëses nuk bënte thirrje për përdorim dhune, për qëndresë me armë apo për kryengritje, as nuk nxiste për urrejtje, çka është sipas Gjykatës një element thelbësor për t’u marrë në konsideratë. Ky nen nuk ishte as i tillë që të favorizonte dhunën duke ngjallur ndonjë urrejtje të thellë e të paarsyeshme ndaj disa personave të identifikuar (shih, a contrario, Sürek, i cituar më lart, § 62). Për sa i përket argumentit të juridiksioneve kombëtare të nxjerrë nga një gjoja cenim ndaj njësisë së territorit kombëtar (paragrafi 24 i mësipërm), Gjykata shënon se programi i Eğitim-Sen-it mbronte parimin e arsimit në një gjuhë amtare të ndryshme nga turqishtja për individët që e përbëjnë shoqërinë turke. Mirëpo Gjykata vë re se Qeveria nuk e ka treguar se çfarë veprimesh konkrete paska kryer Eğitim-Sen-i, të cilat e përgënjeshtrojnë sinqeritetin e programit të saj, kështu që nuk ka vend për ta vënë atë në dyshim (Partia e Lirisë dhe e Demokracisë (ÖZDEP), i cituar më lart, § 42). Kështu, Gjykata del në përfundimin se njësisë territoriale të shtetit nuk i kanosej kurrfarë rreziku i qartë e kërcënues.
76. Si përfundim, Gjykata çmon se padia për shpërndarje e nisur ndaj paditëses – dhe e cila e ka detyruar atë që t’i heqë fjalët e debatuara nga statuti i vet – ishte në shpërpjesëtim me qëllimet e synuara dhe se, për pasojë, ajo nuk ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike”.
77. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
(...)
2. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 11 të Konventës;
3. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës;
(...)
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 25 shtator 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Françoise Elens-PassosFrançoise Tulkens
Zëvendëssekretare seksioniKryetare
(...)
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy