EL MASRI kundër REPUBLIKËS ISH-JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË
(kërkesa nr. 39630/09)
13 dhjetor 2012
Dhomë e Madhe
kjo çështje ka të bëjë me bashkëpunimin e autoriteteve maqedonase në rrëmbimin e kërkuesit dhe dërgimin e tij në qendra sekrete burgimi, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesi, Khaled El-Masri, është shtetas gjerman i cili ka lindur më 1963, dhe jeton në Senden në Gjermani.
2.Në dhjetor 2003, kërkuesi u nis për pushime me autobus nga Ulm, në Gjermani drejt Shkupit. Në kufirin serbo-maqedonas, autoritetet kufitare patën dyshime për shkak se kërkuesi kishte një pasaportë gjermane të sapolëshuar. Autoritetet kontrolluan sendet e tij personale dhe kërkuesi u mor në pyetje, për rreth shtatë orë, në lidhje me lidhjet e tij të mundshme me disa organizata islamike. Pas marrjes në pyetje ai u çua me makinë në hotelin që kishte prenotuar, Merak Skopski, i shoqëruar nga njerëz të armatosur në veshje civile. Pas mbërritjes në hotel, kërkuesi u mbajt i ndaluar jo-zyrtarisht, dhe u mor në mënyrë të përsëritur në pyetje në anglisht, gjuhë të cilën ai nuk e zotëronte. Kërkuesi u informua se ai do të kthehej në Gjermani nëse ai nënshkruante një dëshmi si anëtar i Al-Kaedës. Pas u mbajt dhjetë ditë në këto kushte, kërkuesi filloi një grevë urie, dhe u çua në aeroportin e Shkupit, i prangosur dhe me sy të lidhur.
3.Në aeroport, kërkuesi u informua se do t’i nënshtrohej një "kontrolli mjekësor", dhe menjëherë pas kësaj iu tërhoqën dhe iu mbajtën krahët pas shpine dhe filluan ta rrihnin. Pas kësaj ai u përplas në dysheme, dhe një çizme mbi shpinë e detyronte të rrinte ashtu, dhe i futën një objekt të fortë në anus. Atij i mbuluan kokën me një kapuç dhe e hipën në një avion, i cili në aeroport ruhej nga forcat e armatosura maqedonase. Në avion kërkuesin e mbajtën të prangosur dhe të lidhur me zinxhirë në paretet e avionit. Në pasaportën e tij u vu një vulë dalje nga Maqedonia. Kërkuesin e çuan në Afganistan pas një ndalese në Irak. Ai u mbajt në një qendër paraburgimi për terroristë me rrezik të lartë, dhe në mars 2004, ai filloi një grevë urie, për shkak se po mbahej i ndaluar pa asnjë akuzë.
4.Në prill 2004, disa persona të maskuar e ngritën me forcë nga shtrati, e lidhën në një karrige dhe e ushqyen me forcë me anë të një tubi. Më pas kërkuesit iu dhanë ushqime konservash dhe disa libra. Ushqyerja me forcë i shkaktoi probleme shëndetësore kërkuesit, i cili mori edhe mjekim për këtë qëllim. Në maj 2004, kërkuesi u lidhën përsëri sytë dhe iu vunë prangat, u urdhërua të vishte rrobat që kishte pasur kur kishte udhëtuar drejt Shkupit, dhe e hipën në një tjetër avion.
5.Kërkuesi u dërgua në Shqipëri, pa iu thënë fillimisht se ku ishte. Kur më në fund u lirua atij iu tha se ishte në Shqipëri dhe pasi i vendosën një vulë dalje nga Republika e Shqipërisë në Aeroportin Nënë Tereza, e hipën në një avion drejt Frankfurtit. Kur ai arriti në Gjermani ai peshonte 18 kg më pak nga pesha që kishte pasur kur u nis, vuante nga çrregullime mendore dhe u diagnostikua me çrregullime stresi post-traumatike, që mund të ishin shkaktuar nga torturat dhe keqtrajtimet që ai pretendonte se kishte pësuar.
6.Kërkuesi bëri një kallëzim penal për rrëmbim dhe ushtrim torture ndaj tij nga persona me funksione zyrtare por të paidentifikuar. Ai bëri gjithashtu një padi civile për shpërblim dëmi në lidhje me të njëjtat rrethana. Kallëzimi i tij penal u hodh poshtë nga prokuroria si i pabazuar ndërsa procesi civil, pas rreth gjashtëmbëdhjetë seancash dhe shumë shtyrjesh ishte ende në gjykim në gjykatën e shkallës së parë në Shkup.
II.Vendimi i Gjykatës
7.Kërkuesi pretendonte se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka qenë përgjegjës për keq-trajtimin të cilit ai i ishte nënshtruar në kundërshtim me nenet 3, 5, 8, 10 dhe 13 të KEDNJ. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e çështjes në këndvështrimin e Konventës, një Dhomë e Gjykatës hoqi dorë nga juridiksioni i saj duke ia kaluar drejtpërdrejt çështjen Dhomës së Madhe, në përputhje me nenin 30 të Konventës.
A. Në lidhje me pretendimet paraprake dhe me përgjegjësinë e shtetit
8.Qeveria maqedonase mohoi çdo përgjegjësi për keqtrajtimin e kërkuesit dhe kundërshtoi besueshmërinë e raporteve të ekspertëve mbi shëndetin e tij mendor. Qeveria më tej pohoi se, edhe pse hetimi penal mbi pretendimet e kërkuesit kishte qënë jo-efektiv, kjo i atribuohet vonesës së kërkuesit në paraqitjen e ankesës së tij dhe faktit se ai ishte ankuar ndaj autorëve të paidentifikuar. Nga ana tjetër ajo pretendoi se kërkuesi ishte ankuar përtej afatit prej 6 muajsh të parashikuar nga neni 35 § 1 i Konventës.
9.Gjykata vlerësoi së pari se kallëzimi penal ishte një mjet për t’u shteruar për qëllimet e nenit 35 § 1 të Konventës, dhe theksoi se afati gjashtë mujor fillon të ecë jo nga data kur prokurori ka marrë vendim për pushimin e çështjes, por nga data kur kërkuesi ka marrë dijeni për këtë vendim.
10. Disa nga palët e treta në procedurë argumentuan se e drejta për të vërtetën në rastet e zhdukjeve me forcë të personave është e mishëruar në KEDNJ, si pjesë e neneve 2, 3 dhe 5, dhe sidomos 13. Për më tepër, ato argumentuan se taktikat e ndalimeve të jashtëzakonshme, si ato për të cilat ankohej kërkuesi, përbënin shkelje të parimit të moskthimit (non-refoulement) sipas së drejtës ndërkombëtare.
a) Në lidhje me përcaktimin e fakteve dhe vlerësimin e provave
11. Gjykata konstatoi se palët nuk binin dakord për versionin e fakteve, dhe se në mungesë të konstatimeve zyrtare në nivel të brendshëm, asaj i dilte për detyrë që ta bënte vetë përcaktimin e fakteve të çështjes. Ajo theksoi se, megjithëse në këtë rol standardi i zbatueshëm ishte ai i provave "përtej çdo dyshimi të arsyeshëm", roli i saj specifik juridiksional në kuadër të nenit 19 të Konventës dhe procedurat në bazë të kësaj të fundit jo në çdo rast kushtëzohen nga parimi affirmanti incumbit probatio. Jurisprudenca e saj në bazë të neneve 2 dhe 3, por edhe të nenit 5, pranon se kur një person humb jetën, keqtrajtohet, ose mbahet në rrethana për të cilat autoritetet janë ose duhet të jenë në dijeni ose në vende nën kontrollin e autoriteteve atëherë barra e provës mund t’iu kalojë autoriteteve.
B. Në lidhje me nenin 3
12. Në fillim, Gjykata kujton se e drejta për të mos u torturuar, sipas nenit 3, është një nga të drejtat më themelore në një shoqëri demokratike. Për këtë arsye është absolutisht e detyrueshme për Shtetet që të hetojnë çdo akuzë për një trajtim në kundërshtim me nenin 3. Gjykata theksoi se ky detyrim pozitiv për të hetuar akuza të tilla lind nga një lexim i përbashkët i neneve 3 dhe 1 të KEDNJ. Gjykata theksoi se pa hetime efektive, të afta për të identifikuar autorët e akteve të tilla, të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga neni 3 do të jenë të paefektshme në praktikë, dhe persona me autoritet shtetëror do të munden që, pa u ndëshkuar, të shkelin të drejtat që neni 3 iu garanton personave në kontrollin e tyre. Për këtë arsye, hetimi duhet të jetë i menjëhershëm, i plotë dhe i pavarur nga ekzekutivi.
13. Kërkuesi kishte bërë një kallëzim penal në prokurori në tetor 2008 për bashkëpunim të agjentëve shtetërorë në dorëzimin dhe keqtrajtimin e tij. Pretendimet e tij mbështeteshin edhe nga prova plotësuese, të tilla si raporte të mediave të besueshme dhe hetime të tjera të huaja. Pas kallëzimit të kërkuesit, prokurori nuk bëri asgjë më shumë sesa një kontakt me Ministrinë e Brendshme dhe për këtë arsye nuk mund të justifikohej hedhja poshtë e pretendimit të kërkuesit për mungesë provash. Qeveria pranoi se hetimi në lidhje me ankesën e kërkuesit nuk ka qenë efektiv. Gjykata u shpreh se duhet luftuar pandëshkueshmëria e Shteteve të përfshira në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut. Në këto kushte ajo vendosi se kërkuesi ishte privuar nga llogaridhënie e arsyeshme mbi çka i kishte ndodhur atij, dhe arsyet përkatëse.
14. Përveç kësaj, trajtimi i Z. El-Masri nuk mund të justifikohet në bazë të sigurisë kombëtare, apo luftës ndaj terrorizmit. Gjykata theksoi se ndalimi i torturës ngelet një e drejtë absolute. Prandaj, Gjykata përsëriti se dështimi i autoriteteve për të marrë hapa të arsyeshëm për shmangien e rrezikut të keqtrajtimit për të cilin Shteti kishte dijeni, ose duhej të kishte dijeni, mund të fusë në veprim nenin 3. Edhe pse nuk i ishte nënshtruar dhunës fizike ndërsa mbahej në hotel në Shkup, Gjykata vërejti se neni 3 nuk i referohet ekskluzivisht vuajtjeve fizike. Izolimi i zgjatur i kërkuesit ishte i tillë sa i kishte shkaktuar atij shqetësime emocionale dhe ankth psikologjik. Kërkuesi ishte vendosur qëllimisht në një situatë ankthi të vazhdueshëm për shkak se autoritetet synonin që ai të rrëfehej. Autoritetet nuk kishin qenë në gjendje të jepnin ndonjë shpjegim për një trajtim të tillë. Kështu, Gjykata u shpreh se kushtet në hotel ishin aq të rënda sa të përbënin shkelje të nenit 3.
15. Gjykata vlerësoi se edhe keqtrajtimi i kërkuesit në aeroportin e Shkupit ishte gjithashtu nën përgjegjësinë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Veprimet që agjentët e huaj ndërmorën me dijeninë apo pranimin e autoriteteve maqedonase i ngarkohen Shtetit palë në këtë çështje. Ashpërsia e keqtrajtimit nuk mund të justifikohet, pasi agjentët ishin qartazi më të shumtë në numër sesa kërkuesi dhe ai nuk përbënte asnjë rrezik për ta. Gjykata vuri gjithashtu në dukje se zhveshja me forcë nga policia, e bërë në mënyrë krejt arbitrare synonte ta poshtëronte kërkuesin. Për më tepër transferimi i Z. El-Masri në duart e agjentëve të CIA-s nuk është bërë në kuadrin e një kërkese zyrtare dhe të ligjshme për ekstradim. Sipas të dhënave në dispozicion të Gjykatës, autoritetet maqedonase e njihnin destinacionin e avionit në të cilin kërkuesi ishte detyruar të hipte. Gjykata shprehu shqetësime përsa i përket trajtimit të të dyshuarve si terroristë nga autoritetet amerikane, veçanërisht në qendra të paraburgimit të profilit të lartë të tilla si Guantanamo Bay. Informacioni në lidhje me këto qendra ishte bërë ndërkohë publik në momentin që kërkuesi u ishte dorëzuar autoriteteve amerikane. Prandaj Gjykata besonte se autoritetet maqedonase ishin ose duhet të ishin në dijeni për rrezikun e torturës dhe keqtrajtimit të kërkuesit. Kështu, Gjykata vendosi se autoritetet maqedonase kishin shkelur nenin 3 të KEDNJ-së edhe në këtë aspekt.
C. Në lidhje me nenin 5
16. Gjykata ritheksoi jurisprudencën e saj, sipas së cilës shtetet shkelin të drejtën për liri të garantuar nga neni 5 në qoftë se ata transferojnë individë drejt shteteve të tjera ku ata janë në rrezik të "shkelje flagrante" të nenit 5. Në këtë rast, Gjykata konstatoi se mbajtja kërkuesit në hotel në Shkup, pastaj në aeroport, në vijim në Afganistan dhe më pas kthimi i tij nëpërmjet Shqipërisë ishin të gjitha veprime që iu ngarkohen autoriteteve maqedonase. Autoritetet maqedonase ishin bashkëpërgjegjëse për burgimin e kërkuesit në Afganistan, meqënëse në mënyrë të vullnetshme ia kishin dorëzuar atë autoriteteve amerikane.
17. Përveç kësaj, Gjykata u shpreh se praktikat e dorëzimeve të jashtëzakonshme arrinin deri në zhdukje me forcë, e cila në vetvete përbën një burgim jashtë sistemit ligjor normal.
D. Në lidhje me nenin 8
18. Gjykata u shpreh se të drejtat e kërkuesit për jetë familjare dhe private, sipas nenit 8, ishin shkelur. Ndërhyrja ndaj këtyre të drejtave kishte qënë e asaj natyre sa nuk mund të konsiderohej "në përputhje me ligjin", pasi rrëmbimi i tij ishte bërë jashtë çdo baze ligjore.
E. Në lidhje me nenin 13
19. Gjykata konstatoi gjithashtu se ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit për një mjet efektiv, sipas nenit 13 të Konventës. Sipas saj kërkuesi nuk ka pasur në dispozicion asnjë mjet efektiv dhe praktik për shkak të mungesës së një hetimi efektiv. Nuk kishte asnjë provë se vendimi për ta dorëzuar kërkuesin tek agjentët e CIA-s i ishte nënshtruar ndonjë forme shqyrtimi dhe praktikisht as mund t’i nënshtrohej në rrethanat konkrete. Prandaj Gjykata konstatoi shkelje të nenit 13, në lidhje me nenet 3, 5 dhe 8 të Konventës.
F. Në lidhje me nenin 41
20. Gjykata u shpreh se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet t’i paguajë Z. El-Masri 60 000 euro për dëmet jo-materiale. Gjykata shtoi më tej për çdo vonesë të pagesës, duhej paguar një interes i barabartë me normën e interesit të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës përkatëse, plus tre për qind.
Full & Egal Universal Law Academy