© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Notë Informative mbi Praktikën Gjyqësore të Gjykatës nr. 181
Janar 2015
Elberte kundër Letonisë - 61243/08
Vendimi 13.1.2015 [Seksioni IV]
Neni 3
Trajtimi poshtërues
Vuajtje emocionale e shkaktuar nga marrja e indeve nga trupi i vdekur i bashkëshortit të kërkueses pa dijeninë ose pëlqimin e saj: shkelje
Neni 8
Neni 8-1
Respekt për jetën private
Mungesa e qartësisë në të drejtën vendore lidhur me pëlqimin e familjarëve për marrjen e indeve nga një trup i vdekur: shkelje
Faktet – Pas vdekjes së bashkëshortit të kërkueses në një aksident automobilistik, nga trupi i tij u morën inde gjatë autopsisë në një qendër mjeko-ligjore dhe u dërguan në një kompani farmaceutike në Gjermani me qëllim të krijimit të bio-implanteve, sipas një marrëveshjeje të miratuar nga Shteti. Kur trupi iu kthye kërkueses pas përfundimit të autopsisë, këmbët e tij ishin të lidhura së bashku. Kërkuesja mësoi për marrjen e indeve vetëm pas dy vjetësh, gjatë hetimeve penale në lidhje me akuza për marrjen e paligjshme në shkallë të gjerë të organeve dhe indeve nga kufomat. Megjithatë, nuk filloi ndjekja penale sepse afati kohor kishte skaduar.
E drejta – Neni 8: Dështimi i autoriteteve vendase për të siguruar kushtet ligjore dhe praktike për t’i mundësuar kërkueses të shprehte dëshirat e saj në lidhje me marrjen e indeve nga burri i saj i vdekur ka përbërë ndërhyrje tek e drejta e saj për respekt ndaj jetës private.
Për sa i përket ligjshmërisë së asaj ndërhyrjeje, çështja ishte nëse legjislacioni vendas ishte i formuluar me saktësinë e duhur dhe ofronte mbrojtjen e përshtatshme ligjore nga arbitrariteti në mungesë të rregulloreve administrative përkatëse.
Për sa i përket aspektit të parë, autoritetet vendase nuk ranë dakord në lidhje me fushëveprimin e legjislacionit vendas, me qendrën mjeko-ligjore dhe policinë e sigurimit duke konsideruar që ekzistonte një sistem i “pëlqimit të presupozuar”, ndërkohë që hetuesit mendonin që sistemi ligjor në Letoni mbështetej mbi konceptin e “pëlqimit të informuar” ku marrja ishte e lejueshme vetëm me pëlqimin e dhuruesit (gjatë kohës kur ai/ajo ka qenë gjallë) ose të familjarëve të tyre. Deri sa policia e sigurimit pranoi interpretimin e prokurorëve dhe vendosi që pëlqimi i kërkueses kishte qenë i nevojshëm, afati kohor për fillimin e ndjekjes penale kishte përfunduar.
Kjo mosmarrëveshje mes autoriteteve në mënyrë të pashmangshme tregoi mungesë të qartësisë së mjaftueshme. Në fakt, megjithëse ligji letonez parashtronte kornizën ligjore për pëlqimin ose refuzimin e marrjes së indeve, ai nuk përcaktonte qartë fushëveprimin e detyrimit përkatës ose hapësira e veprimit që lihej në dorë të ekspertëve ose autoriteteve të tjera në këtë aspekt. Gjykata shënoi që materialet relevante evropiane dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje i jepnin rëndësi të veçantë konstatimit të mendimeve të familjarëve me anë të kërkesave të arsyeshme. Po ashtu, parimi i ligjshmërisë u kërkon Shteteve që të sigurojnë kushtet ligjore dhe praktike për zbatimin e ligjeve të tyre. Megjithatë, kërkuesja nuk ishte informuar e as nuk i ishte dhënë ndonjë shpjegim se si dhe kur mund të ushtroheshin të drejtat e saj si familjarja më e afërt.
Për sa i përket faktit nëse e drejta vendase ofronte mbrojtje ligjore kundër arbitraritetit, kishte qenë e rëndësishme, duke pasur parasysh numrin e madh të personave prej të cilëve ishin marrë inde, që të ishin ngritur mekanizmat e duhura për të ekuilibruar të drejtën e familjarëve për të shprehur dëshirat e tyre kundrejt diskrecionit të gjerë dhënë ekspertëve për të kryer marrjen me iniciativën e tyre, por një gjë e tillë nuk ishte bërë. Në mungesë të rregulloreve administrative ose ligjore në lidhje me këtë çështje, kërkuesja e kishte pasur të pamundur të parashikonte se si ta ushtronte të drejtën e saj për të shprehur dëshirat e saj lidhur me marrjen e indeve nga bashkëshorti i saj.
Rrjedhimisht, ndërhyrja tek e drejta e saj për respektim të jetës së saj private nuk ka qenë në përputhje me ligjin brenda kuptimit të Nenit 8 § 2.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Neni 3 (aspekti substancial): Vuajtja e kërkueses kishte shkuar përtej vuajtjes së shkaktuar nga hidhërimi i vdekjes së një anëtari të familjes së ngushtë. Kërkueses i është dashur të kalojë një periudhë të gjatë pasigurie, ankthi dhe shqetësimi në lidhje me faktin se cilat organe apo inde ishin marrë, dhe mënyrën dhe qëllimin e marrjes së tyre. Pas fillimit të hetimeve të përgjithshme penale, kërkuesja ishte lënë për një periudhë të konsiderueshme kohore në ankth lidhur me arsyet përse këmbët e burrit të saj kishin qenë të lidhura së bashku kur ia kishin kthyer trupin e tij për ta varrosur. Në fakt, ajo e kishte zbuluar llojin dhe sasinë e indeve që ishin marrë vetëm gjatë procedurës para Gjykatës Evropiane.
Mungesa e qartësisë në kornizën rregullatore për sa i përket kërkesës për pëlqim vetëm mund ta ketë intensifikuar shqetësimin e saj, duke pasur parasysh natyrën e ndërfutur të akteve të kryera mbi trupin e bashkëshortit të saj dhe dështimin e vetë autoriteteve gjatë hetimeve penale për t’u dakorduar mbi faktin nëse kishin vepruar ose jo në mënyrë të ligjshme duke marrë inde dhe organe nga kufomat.
Së fundi, ndjekja penale nuk filloi asnjëherë për arsye të parashkrimit (vjetërsimit) të lëndës dhe pasigurisë lidhur me faktin nëse veprimet e autoriteteve mund të konsideroheshin të paligjshme. Kështu, kërkuesja ishte privuar nga zgjidhja për një shkelje të të drejtave të saj personale që lidhen me një aspekt shumë të ndjeshëm të jetës së saj private, pra e drejta për të dhënë pëlqimin ose për të refuzuar marrjen e indeve nga trupi i bashkëshortit të saj të vdekur.
Në fushën e specializuar të transplantimit të organeve dhe indeve, ishte qasje e përbashkët që trupi i njeriut duhet të trajtohej me respekt edhe pas vdekjes. Në fakt, paktet ndërkombëtare përfshirë Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe Bio-Mjekësinë dhe Protokolli Shtesë ishin hartuar për të mbrojtur të drejtat e dhuruesve të organeve dhe indeve, të gjallë ose të vdekur. Më tej, respekti për dinjitetin njerëzor përbënte pikërisht thelbin e Konventës Evropiane. Rrjedhimisht, vuajtja shkaktuar kërkueses pa dyshim që përbënte trajtim poshtërues.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 41: 16,000 euro për dëme jo materiale.
(Shih gjithashtu Petrova kundër Letonisë, 4605/05, 24 qershor 2014, Nota Informative 175; Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë [GC], 32541/08 dhe 43441/08, 17 korrik 2014, Nota Informative 176; Salakhov dhe Islyamova kundër Ukrainës, 28005/08, 14 mars 2013, Nota Informative 161; dhe Fleta me Fakte mbi Shëndetin)
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nga Kancelaria nuk është detyruese për Gjykatën.
Kliko këtu për Notat Informative të Praktikës Gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy