Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA E ELBERTE kundër LETONISË
(Kërkesa nr. 61243/08)
VENDIM
STRASBURG
13 janar 2015
PËRFUNDIMTAR
13/04/2015
Ky vendim ka marrë formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen e Elberte kundër Letonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), në Dhomën e përbërë nga:
Päivi Hirvelä,Kryetar,
Ineta Ziemele,
George Nicolaou,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës kancelar i Seksionit,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 4 nëntor dhe 2 dhjetor 2014,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 61243/08) kundër Republikës së Letonisë të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetase letoneze, Znj. Szintra Elberte (“kërkuesja”), më 5 dhjetor 2008.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga Znj I. Nikuļceva, avokate në Riga. Qeveria letoneze (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentët e saj, së pari Znj. I. Reine dhe më pas nga Znj. K. Līce.
3. Kërkuesja pretendoi, në mënyrë të veçantë, që marrja e indeve trupore nga trupi i bashkëshortit të saj të vdekur kishte ndodhur pa pëlqimin ose dijeninë e saj dhe që ai ishte varrosur me këmbët e lidhura së bashku.
4. Më 27 prill 2010 kërkesa iu komunikua Qeverisë në përputhje me Nenet 3 dhe 8 të Konventës. Më 9 korrik 2013 u vendos që tëmerrej një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesës në të njëjtën kohë (Neni 29 § 1 i Konventës).
FAKTET
Article I. I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesja k lindur në vitin 1969 dhe jeton në Sigulda. Ajo është bashkëshortja e Z. Egils Elberts (bashkëshorti i kërkueses), shtetas letonez i cili ka lindur në vitin 1961 dhe ka vdekur më 19 maj 2001.
Section 1.01 A. Ngjarjet deri në kohën kur kërkuesja ka mësuar për marrjen e indeve
6. Më 19 maj 2001 bashkëshorti i kërkueses pati një aksident në famullinë Allaži. Atë e dërguan me ambulancë në Spitalin e Siguldas por ai vdiq gjatë rrugës për atje si pasojë e lëndimeve. Ai u vendos në morgun e Spitalit të Siguldas. Vjehrra e kërkueses, e cila punonte në Spitalin e Siguldas dhe mësoi për vdekjen e djalit të saj menjëherë, qëndroi pranë trupit të tij në Spitalin e Siguldas deri sa ai u transportua në Qendrën Shtetërore për Ekzaminim Mjeko-Ligjor (Valsts tiesu medicīnas expertīžu centrs) (“Qendra Mjeko-Ligjore”) në Riga.
7. Në ora 5 të mëngjesit më 20 maj 2001 trupi u dërgua në Qendrën Mjeko-Ligjore për të konstatuar shkakun e vdekjes. Mes orës 1 të pasdites dhe 3 të pasdites u zhvillua autopsia dhe u gjetën lëndime të shumta në kokën dhe gjoksin e tij, përfshirë shumë brinjë dhe vertebra të thyera. Kishte mavijosje në supin, kofshën dhe gjurin e tij të djathtë. Një ekspert mjeko-ligjor, N.S., i klasifikoi lëndimet si të rënda dhe kërcënuese për jetën, dhe konstatoi lidhjen shkakësore mes tyre dhe vdekjes së tij.
8. Sipas Qeverisë, pas autopsisë N.S. kishte verifikuar që nuk kishte vulë në pasaportën e Z. Elbert që shënonte kundërshtimin e tij për përdorimin e indeve të tij trupore dhe ai kishte marrë nga trupi i Z. Elbert inde me një sipërfaqe totale prej 10 cm x 10 cm – cipa e jashtme (dura mater). Sipas kërkueses, N.S. nuk mund të kishte kontrolluar nëse kishte vulë në pasaportën e Z. Elbert sepse në atë kohë ajo ndodhej nështëpinë e tyre në Sigulda. Kërkuesja parashtroi që sipërfaqja e indeve të hequra ishte më e madhe se 10 cm x 10 cm dhe që nuk ishte vetëm dura mater.
9. Më 21 maj 2001 prokuroria lëshoi leje për varrosjen e trupit. Sipas kërkueses, më 21 ose 22 maj 2001 motra e saj kishte shkuar në Qendrën Mjeko-Ligjore me qëllim që të merrte certifikatën ku shënohej shkaku i vdekjes, për çka ajo kishte nënshkruar në regjistrin e Qendrës. Më 22 maj 2001 motra e saj ua dorëzoi atë dokument bashkë me pasaportën e Z. Elbert autoriteteve përkatëse në Sigulda për të marrë certifikatën e vdekjes.
10. Sipas Qeverisë, më 25 maj 2001 trupi i Z. Elbert i ishte dorëzuar një të afërmi. Sipas kërkueses, trupi i tij i ishte dorëzuar një personi tjetër i cili thjesht kishte ndihmuar me transportin para funeralit.
11. Më 26 maj 2001 u mbajt funerali në Sigulda. Kërkuesja e pa për herë të parë burrin e saj të vdekur kur kufoma e tij u transportua nga Qendra Mjeko-Ligjore për funeralin. Ajo pa që këmbët e tij ishin lidhur së bashku. Ai u varros në atë mënyrë. Vetë kërkuesja në atë kohë ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë.
12. Kërkuesja nuk qe në dijeni të faktit që nga trupi i burrit të saj ishin marrë inde deri pas rreth dy vitesh, kur Policia e Sigurimit e informoi atë që kishin nisur hetime penale rreth marrjes së paligjshme të organeve dhe indeve, dhe që nga trupi i burrit të saj ishin marrë inde.
Section 1.02 B. Hetimet penale rreth marrjes së paligjshme të organeve dhe indeve
13. Më 3 mars 2003 Policia e Sigurimit (Drošības Policija) filloi hetimet penale për marrjen e paligjshme të organeve dhe indeve për t’ia dërguar ato një kompanie farmaceutike me seli në Gjermani (“kompania”) mes viteve 1994 dhe 2003. U konstatua rrjedha e ngjarjeve si më poshtë.
14. Në janar 1994 institucioni pararendës i Qendrës Mjeko-Ligjore bëri një marrëveshje për bashkëpunim me kompaninëme qëllim të kërkimeve shkencore. Sipas marrëveshjes, lloje të ndryshme të indeve do të merreshin nga persona të vdekur – të zgjedhur nga Qendra Mjeko-Ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare – dhe do t’i dërgoheshin kompanisë për trajtim. Kompania modifikonte indet e pranuara duke i kthyer në bio-implante dhe i kthente në Letoni për qëllime transplantimi. Ministria e Mirëqenies ra dakord me përmbajtjen e marrëveshjes, dhe shqyrtoi pajtueshmërinë e saj me të drejtën vendase në shumë raste. Prokuroria lëshoi dy opinione në lidhje me përputhshmërinë e marrëveshjes me të drejtën vendase dhe, në mënyrë të veçantë, me Ligjin mbi Mbrojtjen e Trupit të Personave të Vdekur dhe Përdorimin e Organeve dhe Indeve Njerëzore (“Ligji”).
15. Çdo anëtar i kualifikuar i stafit (“ekspert”) të Qendrës Mjeko-Ligjore u lejua të bënte marrjen e indeve me iniciativën e vet. Shefi i Departamentit tëTanatologjisë pranë Qendrës Mjeko-Ligjore ishte përgjegjës për trajnimin dhe mbikëqyrjen e punës së tyre. Gjithashtu ai ishte përgjegjës për dërgimin e indeve në Gjermani. Ekspertët merrnin shpërblim financiar për punën e tyre. Fillimisht, marrja e indeve zhvillohej në sektorët mjeko-ligjorë që ndodheshin në Ventspils, Saldus, Kuldīga, Daugavpils dhe Rēzekne. Por, pas vitit 1996, marrja e indeve u zhvillua në Qendrën Mjeko-Ligjore në Riga dhe në sektorin mjeko-ligjor në Rēzekne.
16. Sipas marrëveshjes, ekspertët mund të merrnin inde nga persona të vdekur të cilët ishin transportuar në Qendrën Mjeko-Ligjore për ekzaminim mjeko-ligjor. Secili ekspert duhet të verifikonte nëse dhuruesi potencial e kishte kundërshtuar marrjen e organeve ose indeve gjatë kohës që kishte qenë në jetë duke kontrolluar pasaportën e tij/saj për t’u siguruar që nuk kishte vulë për atë qëllim. Nëqoftëse familjarët e kundërshtonin marrjen e tyre, dëshira e tyre respektohej, por vetë ekspertët nuk përpiqeshin t’i kontaktonin familjarët ose të konstatonin dëshirat e tyre. Indet duhet të merreshin brenda njëzet e katër orëve pas vdekjes biologjike të personit.
17. Ekspertët ishin të detyruar të vepronin në pajtim me ligjin vendas por, sipas vetë dëshmive të tyre, jo të gjithë ata e kishin lexuar Ligjin. Megjithatë, përmbajtja e tij ishte e qartë për ta meqenëse Shefi i Departamentit të Tanatologjisë i Qendrës Mjeko-Ligjore u kishte shpjeguar që marrja lejohej vetëm kur nuk kishte vulë në pasaportë që tregonte refuzimin e marrjes së organeve ose indeve dhe nëse familjarët nuk e kundërshtonin këtë.
18. Gjatë hetimeve hetuesit morën në pyetje specialistë të së drejtës penale dhe të marrjes së organeve dhe indeve. U arrit në përfundimin që, përgjithësisht, ekzistonin dy sisteme ligjore që rregullonin marrjen e organeve dhe indeve – “pëlqimi i informuar” dhe “pëlqimi i presupozuar”. Nga njëra anë, Shefi i Qendrës Mjeko-Ligjore, Shefi i Departamentit të Tanatologjisë pranë Qendrës Mjeko-Ligjore dhe ekspertët e Qendrës Mjeko-Ligjore ishin të mendimit që në kohën në fjalë (që do të thotë pas hyrjes në fuqi të Ligjit më 1 janar 1993) në Letoni kishte ekzistuar një sistem i “pëlqimit të presupozuar”. Këta persona ishin të mendimit që sistemi i pëlqimit të presupozuar nënkuptonte që “çdo gjë që nuk është e ndaluar është e lejuar”. Nga ana tjetër, hetuesit ishin të mendimit që seksioni 2 i Ligjit tregonte qartë që sistemi ligjor letonez mbështetej më shumë mbi konceptin e “pëlqimit të informuar” dhe, rrjedhimisht, marrja ishte e lejueshme vetëm kur lejohej (shprehimisht), që do të thotë kur pëlqimi jepej ose nga dhuruesi gjatë jetës së tij/saj ose nga familjarët.
19. Më tej, për sa i përket marrjes së indeve nga trupi i burrit të kërkueses, më 12 maj 2003 u mor në pyetje eksperti N.S. Më pas, më 9 tetor 2003 kërkuesja u njoh si palë e dëmtuar (cietušais) dhe ajo u mor në pyetje në të njëjtën datë.
20. Më 30 nëntor 2005 u vendos të ndërpriteshin hetimet penale rreth aktiviteteve të Shefit të Qendrës Mjeko-Ligjore, Shefit të Departamentit të Tanatologjisë të Qendrës Mjeko-Ligjore dhe Shefit të Sektorit Mjeko-Ligjor në Rēzekne në lidhje me marrjen e indeve. Konsideratat e mësipërme u shënuan në vendim (lēmums par kriminālprocesa izbeigšanu) dhe dallimet lidhur me interpretimet e mundshme të së drejtës vendase u konstatuan në favor të të akuzuarve. Më tej, ndryshimet e vitit 2004 në Ligj duhet të interpretoheshin si të tilla që nënkuptonin se në Letoni ekzistonte një sistem i “pëlqimit të presupozuar”. U arrit në përfundimin që nuk ishin shkelur seksionet 2-4 dhe 11 të Ligjit dhe që nuk ishte konstatuar asnjë element i krimit ashtu siç përkufizohej në seksionin 139 të Ligjit Penal.
21. Më 20 dhjetor 2005 dhe 6 janar 2006 prokurorët hodhën poshtë ankesat e bëra nga kërkuesja dhe u shprehën se vendimi për të ndërprerë hetimet ishte i ligjshëm dhe i arsyetuar.
22. Më 24 shkurt 2006 një prokuror i lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme shqyrtoi dosjen e lëndës dhe doli në përfundimin që hetimet nuk duhet të ishin ndërprerë. Ai konstatoi që ekspertët në Qendrën Mjeko-Ligjore kishin shkelur dispozitat e Ligjit dhe që marrja e indeve kishte qenë e paligjshme. Vendimi për ndërprerjen u prish dhe dosja e çështjes iu kthye Policisë së Sigurimit.
23. Më 3 gusht 2007 hetimet penale, për sa i përkiste marrjes së indeve nga trupi i burrit të vdekur të kërkueses, u ndërprenë për shkak të skadimit të periudhës prej pesë vjetësh të vjetërsimit të lëndës. Megjithatë, baza ligjore e dhënë për këtë ndërprerje ishte mungesa e elementeve të krimit. Më 13 gusht 2007 kërkuesja u informua në lidhje me këtë vendim. Më 19 shtator dhe 8 tetor 2007,në përgjigje të ankesave të ngritura nga kërkuesja, prokurorët deklaruan që vendimi kishte qenë i ligjshëm dhe i arsyetuar.
24. Më 3 dhjetor 2007 një tjetër prokurore e lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme shqyrtoi dosjen e lëndës dhe arriti në përfundimin që hetimet nuk duhet të ishin ndërprerë. Ajo konstatoi që ekspertët në Qendrën Mjeko-Ligjore kishin shkelur dispozitat e Ligjit dhe që marrja e indeve kishte qenë e paligjshme. Vendimi për ndërprerjen u prish edhe një herë dhe dosja e çështjes iu kthye edhe një herë Policisë së Sigurimit.
25. Më 4 mars 2008 u miratua një vendim tjetër për ndërprerjen e hetimeve penale, mbi bazën ligjore të skadimit të afatit për vjetërsimin e lëndës. Më 27 mars 2008, në përgjigje të një ankese nga kërkuesja, prokurori përsëri e prishi vendimin.
26. U zhvilluan hetime të reja. Gjatë atyre hetimeve u konstatua që në vitin 1999 ishin marrë inde nga 152 njerëz; në vitin 2000 nga 151 njerëz; në vitin 2001 nga 127 njerëz; dhe në vitin 2002 nga 65 njerëz. Në këmbim të furnizimit me inde të kompanisë, Qendra Mjeko-Ligjore kishte organizuar blerjen e pajisjeve të ndryshme mjekësore, mjeteve, teknologjisë dhe kompjuterëve për institucionet mjekësore në Letoni dhe kompania kishte paguar për këto blerje. Brenda kornizës së marrëveshjes, vlera e plotë monetare pajisjeve për të cilat kishte paguar kompania e kalonte vlerën e indeve të marra të cilat i ishin dërguar kompanisë. Në vendimin e 14 prillit 2008 (shih menjëherë poshtë) shënohej që indet nuk ishin marrë për qëllime transplantimi në përputhje me seksionin 10 të Ligjit por faktikisht ishin marrë për t’u modifikuar në produkte të tjera për t’u përdorur për pacientë jo vetëm në Letoni por edhe në vende të tjera.
27. Më 14 prill 2008 hetimet penale u ndërprenë për shkak të skadimit të periudhës së vjetërsimit të lëndës. Në vendim u shënua që sa herë që një ekspert nga Sektori Mjeko-Ligjor në Rēzekne, për shembull, kishte intervistuar familjarët para marrjes së organeve ose indeve, ai nuk i kishte informuar ata shprehimisht në lidhje me një marrje të tillë të mundshme, as nuk kishte marrë pëlqimin e tyre. Sipas dëshmive të familjarëve, ata nuk do ta kishin dhënë pëlqimin për marrjen e organeve ose indeve sikur të ishin informuar dhe sikur dëshirat e tyre të ishin bërë të ditura. Sipas dëshmive të ekspertëve, ata thjesht kishin kontrolluar pasaportat për vula dhe nuk kishin kërkuar pëlqimin e familjarëve sepse nuk kishin kontaktuar me ta. Gjithashtu u shënua që, duke filluar nga 1 janari 2002, informacionet duhet të merreshin nga të Dhënat e Popullsisë, çka ekspertët nuk e kishin bërë. U arrit në përfundimin që ekspertët, përfshirë edhe N.S., kishin vepruar në kundërshtim me seksionin 4 të Ligjit dhe kishin shkelur të drejtat e familjarëve. Megjithatë, për shkak të periudhës pesë-vjeçare të vjetërsimit të lëndës (e cila kishte filluar të llogaritej më 3 mars 2003), hetimet penale ishin ndërprerë dhe, më 9 maj dhe 2 qershor 2008, prokurorët e mbështetën këtë vendim në përgjigje të ankesave të ngritura nga kërkuesja. Kjo e fundit bëri edhe një ankesë tjetër.
28. Ndërkohë, ekspertët, përfshirë N.S., ngritën një ankesë ku kontestonin arsyet për ndërprerjen e hetimeve penale (kriminālprocesa izbeigšanas pamatojums). Ata kontestuan statusin e tyre si persona kundër të cilëve ishin nxitur hetimet mbi marrjen e paligjshme të indeve dhe diskutuan që, për këtë shkak, ata e kishin pasur të pamundur të ushtronin të drejtat e tyre për mbrojtje. Më 26 qershor 2008, në një vendim të formës së prerë, Gjykata e Qarkut në Vidzeme, Qyteti Riga, e mbështeti ankesën e tyre (çështja nr. 1840000303), prishi vendimin e 14 prillit 2008 dhe e ri-dërgoi dosjen e lëndës tek Policia e Sigurimit. Gjykata gjeti si vijon:
“Pavarësisht nga fakti qënjë pjesë e caktuar e transplanteve nuk u kthyen për t’u përdorur për pacientët në Letoni, nuk ka prova në dosjen e lëndës që ato janë përdorur për t’u përpunuar në produkte të tjera ose për qëllime shkencore ose edukative. Prandaj, gjykata konsideron që nuk ka prova në këtë çështje që indet e marra janë përdorur për qëllime të tjera përveç transplantimit...
Nuk ka prova në dosjen e lëndës që tregojnë se marrja e indeve për qëllime transplantimi ishte zhvilluar pa marrë në konsideratë refuzimin e personit të vdekur, të shprehur gjatë kohës që ka qenë në jetë dhe të shënuar në përputhje me ligjin në fuqi në kohën përkatëse, ose pa marrë parasysh refuzimin e shprehur nga familjarët më të afërt.
Duke pasur parasysh faktin që instrumentet legjislative nuk përcaktojnë ndonjë detyrim që ekspertët që kryejnë marrjen e indeve dhe organeve nga trupat e personave të vdekur të informojnë njerëzit rreth të drejtave të tyre për refuzimin e marrjes së indeve ose organeve, gjykata konsideron që ekspertët nuk e kanë pasur për detyrim që ta bëjnë këtë; duke mos informuar familjarët e personit të vdekur rreth qëllimit të tyre për marrjen e indeve, ekspertët nuk kanë shkelur dispozitat e [Ligjit], në fuqi nga viti 1994 deri në mars 2003. Seksioni 4 i [Ligjit] parashikon të drejtën që familjarët më të afërt ta refuzojnë marrjen e organeve dhe/ose indeve të personit të vdekur, por nuk përcakton detyrimin që eksperti t’ua shpjegojë këto të drejta familjarëve. Meqenëse nuk ka mjete legjislative të cilat përcaktojnë detyrimin e ekspertëve për të informuar familjarët rreth qëllimit të tyre për marrjen e indeve dhe/ose organeve dhe për t’ua shpjeguar atyre të drejtën e tyre për të refuzuar pëlqimin, gjykata konsideron që një njeri nuk mund të dënohet për mosveprimin në pajtim me një detyrim i cili nuk është parashikuar qartë përmes një mjeti legjislativ në fuqi. Prandaj, gjykata gjen që ekspertët, përmes marrjes së indeve dhe organeve nga të vdekurit, nuk kanë shkelur ... [Ligjin].
... Gjykata gjen që veprimet e ekspertëve nuk përbëjnë elemente të një vepre penale të parashikuar në seksionin 139 të Ligjit Penal; prandaj, është e mundur që të ndërpriten hetimet penale për arsye të rrethanave lehtësuese – pra mbi bazën e seksionit 377 (2) të Ligjit të Procedurës Penale – për shkak të mungesës së elementeve të krimit.”
29. Më 2 korrik 2008 prokurorja e lartë iu përgjigj një ankese të ngritur nga kërkuesja. Ajo pranoi që hetimet kishin marrë shumë kohë për shkak të ankesave të shumta kundër vendimeve. Megjithatë, ajo nuk gjeti ndonjë rrethanë të veçantë që tregonte se ato ishin tërhequr në mënyrë të paduhur. Në të njëjtën kohë, ajo e informoi kërkuesen se gjykata kishte prishur vendimin e 14 prillit 2008 pas apelit të bërë nga ekspertët. Më tej ajo deklaroi që më 27 qershor 2007 ishte miratuar një vendim i ri për ndërprerjen e hetimeve penale dhe që kërkuesja do të informohej së shpejti.
30. Në fakt, kërkuesja e pranoi vendimin e 27 qershorit 2008 pas pak ditësh. Në atë vendim u përsërit që ekspertët nuk kishin ndonjë detyrim ligjor për të informuar askënd në lidhje me të drejtën e tyre për të dhënë pëlqimin ose refuzimin rreth marrjes së organeve ose indeve. Seksioni 4 i Ligjit parashikonte të drejtën që familjarët më të afërt ta kundërshtojnë marrjen e organeve dhe indeve të personave të vdekur, por nuk caktonte ndonjë detyrim që eksperti t’ua shpjegonte këto të drejta familjarëve. Një person nuk mund të dënohej për mosveprim në përputhje me një detyrim i cili nuk ishte qartë i shprehur në një dispozitë ligjore; ekspertët nuk e kishin shkelur Ligjin. Kërkuesja bëri ankesa të mëtejshme.
31. Më 31 gusht 2008 prokurorja u përgjigj, inter alia, që nuk kishte rrethana që tregonin përdhosjen e një trupi njerëzor. Në të njëjtën kohë, ajo shpjegoi që ekspertët kishte kryer veprime në lidhje me marrjen e paligjshme të indeve në mënyrë që t’i përdornin indet për qëllime mjekësore. Pas marrjes së indeve, zakonisht implantohej një material tjetër për të rikthyer integritetin pamor të trupave të vdekur. Prandaj, hetimet penale kishin qenë në lidhje me veprimet sipas seksionit 139 të Ligjit Penal dhe jo sipas seksionit 228 të Ligjit Penal që parashikonte përdhosjen e një trupi të vdekur.
32. Më 30 shtator 2008 një prokuror i lartë u përgjigj që nuk kishte baza për shqyrtimin e veprimeve të personave të cilët kanë kryer marrjen e indeve sipas seksionit 228 të Ligjit Penal si përdhosje e një trupi të vdekur. Ekspertët kishin vepruar në përputhje me një udhëzim të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, duke implantuar material tjetër në vend të indeve të hequra. Sipas udhëzimit, indet duhet të merreshin në mënyrë të atillë që të mos gjymtohej trupi, dhe, nëqoftëse ishte e nevojshme, më pas do të bëhej ndreqja.
33. Më 23 tetor 2008 një prokuror tjetër i lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme u përgjigj me një vendim negativ përfundimtar.
Article II. II. DOKUMENTET PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE DHE E DREJTA VENDASE
Section 2.01 A. Dokumentet e Këshillit të Evropës
34. Më 11 maj 1978 Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës miratoi Rezolutën (78) 29 mbi harmonizimin e legjislacioneve të shteteve anëtare në lidhje me marrjen, shartimin dhe transplantimin e substancave njerëzore, e cila rekomandonte që qeveritë e Shteteve Anëtare të siguroheshin që ligjet e tyre të ishin në përputhje me rregullat e vendosura në shtojcë të rezolutës ose të miratonin dispozita në përputhje me këto rregulla gjatë futjes së legjislacionit të ri.
Neni 10 i kësaj Rezolute parashikon:
“1. Marrja nuk duhet të ndodhë kur ekziston një kundërshtim i hapur ose i presupozuar nga ana e të vdekurit, posaçërisht duke marrë parasysh bindjet e tij fetare dhe filozofike.
2. Në mungesë të dëshirës së shprehur ose të nënkuptuar të të vdekurit, marrja mund të bëhet. Megjithatë, një shtet mund të vendosë që marrja nuk duhet të bëhet nëqoftëse kundërshtimi është i dukshëm pas hulumtimeve të arsyeshme, aq sa është e mundur, rreth mendimeve të familjes së të vdekurit dhe, në rastin e një personi që jeton por që është ligjërisht i paaftë, mendimeve të përfaqësuesit të tij ligjor; edhe kur i vdekuri është person ligjërisht i paaftë mund të kërkohet pëlqimi i përfaqësuesit të tij ligjor.”
35. Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Dinjitetit të Qenieve Njerëzore për sa i përket Zbatimit të Biologjisë dhe Mjekësisë (Seria nr. 164 e Akteve të Këshillit të Evropës) është pakti i parë ndërkombëtar në fushën e bioetikës (“Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë”). Ajo hyri në fuqi më 1 dhjetor 1999 në lidhje me Shtete të cilat e kishin ratifikuar atë. Letonia e nënshkroi Konventën për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë më 4 prill 1997, e ratifikoi atë më 25 shkurt 2010, dhe ajo hyri në fuqi në lidhje me Letoninë më 1 qershor 2010. Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë nuk është e zbatueshme për sa i përket marrjes së organeve dhe indeve nga personat e vdekur. Ajo ka të bëjë me marrjen e organeve dhe indeve nga dhurues që janë gjallë për qëllime transplantimi.
36. Për sa i përket marrjes së organeve dhe indeve nga personat e vdekur, u miratua një Protokoll Shtesë mbi Transplantimin e Organeve dhe Indeve me Origjinë Njerëzore (Seria nr. 186 e Akteve të Këshillit të Evropës), të cilit iu referua Qeveria. Më1 maj 2006 ai hyri në fuqi në lidhje me Shtetet që e kishin ratifikuar atë. Letonia nuk e ka nënshkruar, as nuk e ka ratifikuar këtë Protokoll.
37. Në nenet relevante të Protokollit Shtesë thuhet:
Neni 1 – Objekti
“Palët në këtë Protokoll mbrojnë dinjitetin dhe identitetin e secilit dhe garantojnë, pa diskriminim, respekt për integritetin e tij/saj dhe të drejtat e liritë e tjera themelore për sa i përket transplantimit të organeve dhe indeve me origjinë njerëzore.”
Neni 16 – Certifikimi i vdekjes
“Organet ose indet nuk merren nga trupi i një personi të vdekur deri sa ai person të jetë certifikuar si i vdekur nëpërputhje me ligjin.
Mjekët që bëjnë certifikimin e vdekjes së një personi nuk janë të njëjtët mjekë që marrin pjesë drejtpërdrejt në marrjen e organeve ose indeve nga personi i vdekur, ose në procedurat e mëtejme të transplantimit, ose që mbajnë përgjegjësi për kujdesin ndaj pranuesve të mundshëm të organeve ose indeve.”
Neni 17 – Pëlqimi dhe autorizimi
“Organet ose indet nuk merren nga trupi i një personi të vdekur nëqoftëse nuk jepet pëlqimi ose autorizimi i kërkuar me ligj.
Marrja nuk kryhet nëqoftëse personi i vdekur ka qenë kundër një gjëje të tillë.”
Neni 18 – Respekti për trupin e njeriut
“Gjatë marrjes, trupi i njeriut duhet të trajtohet me respekt dhe duhet të merren të gjitha masat e arsyeshme për të rikthyer pamjen e kufomës.”
Në pjesët relevante të Raportit Shpjegues të Protokollit Shtesë thuhet:
Hyrje
“2. Qëllimi i Protokollit ështëtë përcaktojë dhe të mbrojë të drejtat e dhuruesve të organeve dhe indeve, qofshin të gjallë ose të vdekur, dhe ato të personave që pranojnë implante të organeve dhe indeve me origjinë njerëzore.”
Hartimi i Protokollit
“7. Ky Protokoll i shtrin dispozitat e Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësisë në fushën e transplantimit të organeve, indeve dhe qelizave me origjinë njerëzore. Dispozitat e Konventës i zbatohen Protokollit. Për lehtësi konsultimi nga përdoruesit e tij, Protokolli është hartuar në mënyrë të atillë që ata nuk kanë nevojë të vazhdojnë t’i referohen Konventës për të kuptuar fushëveprimin e dispozitave të Protokollit. Megjithatë, Konventa përmban parime të cilat Protokolli synon t’i zhvillojë. Rrjedhimisht, shqyrtimi sistematik i të dy teksteve mund të jetë i dobishëm dhe nganjëherë i domosdoshëm.”
Komente mbi dispozitat e Preambulës së Protokollit
“13. Preambula thekson faktin që Neni 1 i Konventës mbi të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë që mbron dinjitetin dhe identitetin e të gjitha qenieve njerëzore dhe që i garanton secilit respekt për integritetin e tij/saj, formon një bazë të përshtatshme mbi të cilën të formulohen standarde shtesë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të dhuruesve, dhuruesve të mundshëm dhe pranuesve të organeve dhe indeve.”
Neni 1 – Objekti
“16. Ky nen saktëson që objekti i Protokollit është të mbrojë dinjitetin dhe identitetin e secilit dhe të garantojë, pa diskriminim, respektimin e integritetit të tij/saj dhe të drejtave dhe lirive të tjera themelore për sa i përket transplantimit të organeve dhe indeve me origjinë njerëzore.
17. Termi ‘secili’ përdoret në Nenin 1 sepse ai shihet si më i harmonishmi me përjashtimtë organeve ose indeve embrionale dhe ato të fetusit nga fushëveprimi i Protokollit siç deklarohet në Nenin 2 (shih paragrafin 24 poshtë). Protokolli ka të bëjë vetëm me marrjen e organeve dhe indeve nga dikush që është lindur, pavarësisht nëse tani është gjallë apo vdekur, dhe implantimin e organeve dhe indeve me origjinë njerëzore tek dikush tjetër që po ashtu është lindur.”
Neni 16 – Certifikimi i vdekjes
“94. Sipas paragrafit të parë, vdekja e një personi duhet të jetë konstatuar para se organet ose indet të mund të merren ‘në pajtim me ligjin’.Është përgjegjësi e Shteteve që tëpërcaktojnë ligjërisht procedurën e veçantë për deklarimin e vdekjes ndërkohë që funksionet thelbësore mbahen ende artificialisht. Në këtë aspekt, mund të shënohet që në shumicën e vendeve, ligji përkufizon konceptin dhe kushtet e vdekjes së trurit.
95. Vdekja konfirmohet nga mjekët pas një procedure të rënë dakord dhe vetëm në këtë formë të certifikimit të vdekjes mund të lejohet ecuria e transplantimit. Ekipi i marrjes së organeve dhe indeve duhet të sigurohet që është plotësuar procedura e kërkuar para se të fillojë operacioni i marrjes. Në disa Shtete, kjo procedurë e certifikimit të vdekjes është e ndarë nga lëshimi zyrtar i certifikatës së vdekjes.
96. Paragrafi i dytë i Nenit 16 ofron një mbrojtje të rëndësishme për personin e vdekur duke siguruar paanshmërinë e certifikimit të vdekjes, duke kërkuar që ekipi mjekësor që certifikon vdekjen të mos jetë i njëjti që është i përfshirë në cilëndo fazë të procesit të transplantit. Është me rëndësi që interesat e çdo personi të tillë të vdekur dhe certifikimi i mëtejmë i vdekjes të jenë, dhe të duket që janë, përgjegjësia e një ekipi mjekësor tërësisht të ndarë prej atij që merret me transplantimin. Mos mbajtja e dy funksioneve të ndara do të rrezikonte besimin e publikut në sistemin e transplantimit dhe mund të ketë efekt negativ mbi dhurimin.
97. Për qëllime të këtij Protokolli, të porsalindurit, përfshirë të porsalindurit pa kafkë dhe tru (anencephalic), marrin të njëjtën mbrojtje si çdo person tjetër dhe rregullat e certifikimit të vdekjes janë të zbatueshme për to.”
Neni 17 – Pëlqimi dhe autorizimi
“98. Neni 17 ndalon marrjen e cilitdo organ ose ind nëqoftëse personi që propozon marrjen e organit ose indit nuk ka pëlqimin apo autorizimin e kërkuar sipas të drejtës kombëtare. Kjo kërkon që Shtetet anëtare të kenë një sistem ligjërisht të njohur që vendos kushtet në të cilat autorizohet marrja e organeve ose indeve. Më tej, sipas Nenit 8, Palët duhet të marrin masat e duhura për të informuar publikun, pra për sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me pëlqimin ose autorizimin e marrjes së tillë nga persona të vdekur (shih paragrafin 58 lart).
99. Nëqoftëse një person i ka bërë të ditura dëshirat e veta duke dhënë ose mos dhënë pëlqimin e vet gjatë kohës që ka qenë në jetë, atëherë këto dëshira duhet të respektohen pas vdekjes së tij/saj. Nëqoftëse ekziston një vend zyrtar për regjistrimin e këtyre dëshirave dhe një person e ka të regjistruar pëlqimin për dhurim, një pëlqim i tillë duhet të mbizotërojë: marrja do të duhet të bëhej nëse është e mundur. Po kështu, marrja nuk mund të bëhet nëqoftëse personi dihet ta ketë kundërshtuar një gjë të tillë. Sidoqoftë, konsultimi me një regjistër zyrtar të dëshirave të fundit është i vlefshëm vetëm për sa u përket personave që janë të shënuar aty. Me të njëjtën logjikë, kjo nuk mund të konsiderohet e vetmja mënyrë për t’u siguruar për dëshirat e fundit të një personi të vdekur, nëqoftëse regjistrimi i tyre nuk është i detyrueshëm.
100. Marrja e organeve ose indeve mund të zhvillohet tek një person i vdekur i cili, gjatë kohës që ka qenë gjallë, nuk ka pasur kapacitetin për të dhënë pëlqimin nëse janë marrë të gjitha autorizimet e kërkuara me ligj. Po kështu, autorizimi mund të kërkohet edhe për të zhvilluar një marrje të organeve ose indeve tek një person i vdekur i cili, gjatë jetës së tij/saj, ka pasur mundësinë të jepte pëlqimin e vet por nuk i ka bërë të ditura dëshirat e veta në lidhje me një marrje të tillë pas vdekjes.
101. Pa parashikuar futjen e sistemit, Neni rrjedhimisht parashtron qënëqoftëse ka dyshime rreth dëshirave të personit të vdekurduhet të ekzistojë mundësia për t’u mbështetur tek ligji vendas për orientim lidhur me procedurën e duhur. Në disa Shtete ligji lejon qënë qoftë se nuk ka kundërshtim të shprehur ose të nënkuptuar në lidhje me dhurimin, atëherë mund të kryhet marrja. Në atë rast, ligji parashikon mënyrat e të shprehurit të qëllimit, siç ështëhartimi i një regjistri të kundërshtimeve. Në vende të tjera, ligji nuk paragjykon dëshirat e palëve të përfshira dhe parashikon hulumtime mes familjarëve dhe miqve për të përcaktuar nëse personi i vdekur ka qenë në favor të dhurimit të organeve.
102. Sido që të jetë sistemi, në qoftë se dëshirat e të vdekurit nuk konstatohen mjaftueshëm, ekipi përgjegjës për marrjen e organeve duhet të përpiqet paraprakisht që të marrë dëshmi nga familjarët e të vdekurit. Nëqoftëse ligji vendas nuk parashikon ndryshe, një autorizim i tillë nuk do të duhet të varej nga preferencat e vetë familjarëve të afërt pro ose kundër dhurimit të organeve. Familjarët e afërt duhet të pyeten vetëm rreth dëshirave të shprehura ose të presupozuara të personit të vdekur. Janë dëshirat e shprehura të dhuruesit potencial ato që kanë rëndësi madhore për të vendosur nëse mund të kryhet marrja e organeve ose indeve. Palët duhet ta bëjnë të qartë nëse marrja mund të kryhet në rastin kur dëshirat e personit të vdekur nuk janë të ditura dhe nuk mund të konstatohen nga familjarët ose miqtë.
103. Kur një person vdes në një vend ku ai nuk banon normalisht, ekipi i marrjes duhet të marrë të gjitha masat e arsyeshme për t’u siguruar rreth dëshirave të të vdekurit. Në rast dyshimesh, ekipi i marrjes duhet të respektojë ligjet përkatëse të zbatueshme në vendin ku i vdekuri banon normalisht ose, logjikisht, ligjin e vendit ku i vdekuri është shtetas.”
Neni 18 – Respekti për trupin njerëzor
“104. Një trup i vdekur nuk shihet ligjërisht si person, por megjithatë duhet të trajtohet me respekt. Ky nen parashikon që gjatë marrjes së organeve ose indeve një trup njerëzor duhet të trajtohet me respekt dhe pas marrjes trupi duhet të rikthehet sa më shumë qëështë e mundur në dukjen e tij të mëparshme.”
38. Në maj 2002 Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës u dërgoi një pyetësor Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me aspekte të ligjit dhe praktikës që kanë të bëjnë me transplantimin.[1]Qeveria e Letonisë iu përgjigj pozitivisht pyetjes nëse marrja e organeve ose indeve nga një dhurues i gjallë kërkonte autorizim dhe iu referua Neneve 19 dhe 20 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë dhe seksionit 13 të Ligjit për Mbrojtjen e Trupit të Personit të Vdekur dhe Përdorimit të Organeve dhe Indeve Njerëzore. Ajo shënoi që kërkohej pëlqimi me shkrim. Në përgjigjen e saj ndaj pyetjes “Çfarë lloj marrëdhëniesh duhet të ekzistojnë mes dhuruesit të gjallë të një organi dhe pranuesit?” ajo iu referua Neneve 19 dhe 20 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë. Në përgjigjen ndaj pyetjes “Çfarë sanksionesh parashikohen për shkelësit e [trafikimit të organeve]?” Qeveria letoneze iu referua seksionit 139 të Ligjit Penal (shih paragrafin 53poshtë).
Section 2.02 B. Dokumentet e Bashkimit Evropian
39. Më 21 korrik 1998 Grupi Evropian për Etikën në Shkenca dhe Teknologji të Reja (EGE)[2] pranë Komisionit Evropian lëshoi Opinionin nr. 11 “Mbi aspektet etike të ruajtjes së indeve njerëzore”. Në pjesët përkatëse të tij thuhet:
“2.3 Informacioni dhe pëlqimi
Ofrimi i indeve njerëzore kërkon, në parim, paraprakisht, pëlqimin e informuar dhe të lirë të personit në fjalë. Kjo nuk është e zbatueshme në rastin e dhënies së indeve kur kjo urdhërohet nga një gjyqtar në kontekstin e procedurave të caktuara, posaçërisht penale.
Ndërkohë që pëlqimi është parim etik themelor në Evropë, procedurat e përfshira dhe format e një pëlqimi të tillë (me gojë ose me shkrim, me ose pa dëshmitar, i shprehur ose i presupozuar, etj.) janë çështje e legjislacionit kombëtar bazuar mbi traditën ligjore të secilit vend.
...
2.3.2 Dhuruesit e vdekur Pëlqimi i një dhuruesi për marrjen e indeve pas vdekjes mund të marrë forma të ndryshme varësisht nga sistemet kombëtare (pëlqimi “i shprehur” ose “i presupozuar”). Megjithatë, marrja e indeve nuk mund të kryhet, përveç se në procedura gjyqësore, në qoftë se pala në fjalë e ka kundërshtuar një gjë të tillë zyrtarisht gjatë kohës që ka qenë gjallë. Më tej, në qoftë se nuk ka pasur shprehje të vullnetit të mirë dhe sistemi i zbatueshëm është ai i pëlqimit “të presupozuar”, mjekët duhet të sigurohen sa më shumë që është e mundur që familjarët ose të afërmit të kenë mundësinë të shprehin dëshirat e personit të vdekur, dhe t’i marrin këto parasysh.”
40. Urdhëresa 2004/23/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 31 mars 2004 për vendosjen e standardeve të kualifikimit dhe sigurisë së dhurimit, ofrimit, testimit, përpunimit, ruajtjes, depozitimit dhe shpërndarjes së indeve dhe qelizave njerëzore parashikon:
Neni 13 – Pëlqimi
“1. Ofrimi i indeve ose qelizave njerëzore autorizohet vetëm pasi përmbushen të gjitha kërkesat e detyrueshme të pëlqimit ose autorizimit që janë në fuqi në Shtetin Anëtar në fjalë.
2. Shtetet Anëtare, në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar, marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që dhuruesve, familjarëve të tyre ose çdo personi që jep autorizimin në emër të dhuruesve t’u jepen të gjitha informacionet e duhura siç përmenden në Shtojcë.”
SHTOJCË - INFORMACION I KËRKUARPËR DHURIMIN E QELIZAVE DHE/OSE INDEVE
B. Dhuruesit e vdekur
“1. Duhet të jepen të gjitha informacionet dhe të merren të gjitha pëlqimet dhe autorizimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi në Shtetet Anëtare.
2. Rezultatet e konfirmuara të vlerësimit të dhuruesit duhet t’u komunikohen dhe t’u shpjegohen qartë personave përkatës në përputhje me legjislacionin në Shtetet Anëtare.”
Section 2.03 C. Dokumentet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (“WHO”)
41. Parimet Drejtuese të OBSH-së (WHO) mbi transplantimin e Qelizave, Indeve dhe Organeve Njerëzore (mbështetur nga Asambleja e gjashtëdhjetë e tretë e Shëndetësisë Botërore më 21 maj 2010, Rezoluta WHA63.22) parashikojnë, për aq sa është relevante:
Parimi Drejtues 1
“Qelizat, indet dhe organet mund të merren nga trupat e personave të vdekur për qëllime transplantimi në qoftë se:
(a) merret pëlqimi i kërkuar me ligj, dhe
(b) nuk ka arsye për të besuar se personi i vdekur ka qenë kundër një marrjeje të tillë.”
Komente mbi Parimin Drejtues 1
Pëlqimi është shtylla etike e të gjitha ndërhyrjeve mjekësore. Autoritetet kombëtare janë përgjegjëse për përcaktimin e procesit të marrjes dhe regjistrimit të pëlqimit për dhurimin e qelizave, indeve dhe organeve duke iu përmbajtur standardeve etike ndërkombëtare, mënyrës se si organizohet prokurimi i organeve në vendin e tyre, dhe rolin praktik të pëlqimit si mbrojtje kundër abuzimeve dhe shkeljeve të sigurisë.
Fakti nëse pëlqimi për prokurimin e organeve dhe indeve nga personat e vdekur është “i shprehur” ose “i presupozuar” varet nga traditat shoqërore, mjekësore dhe kulturore të secilit vend, përfshirë mënyrën e përfshirjes së familjeve në vendimmarrjen lidhur me kujdesin shëndetësor në përgjithësi. Sipas të dy sistemeve, çdo tregues i vlefshëm i kundërshtimit të personit të vdekur ndaj marrjes pas vdekjes së qelizave, indeve ose organeve të tyre e parandalon një marrje të tillë.
Në kushtet e një pëlqimi të shprehur – nganjëherë të quajtur “zgjedhja pro” (“opting in”) – qelizat, indet dhe organet mund të merren nga një person i vdekur nëqoftëse personi e ka dhënë shprehimisht pëlqimin gjatë kohës që ka qenë gjallë; varësisht nga ligjet e vendit, një pëlqim i tillë mund të bëhet gojarisht ose mund të regjistrohet në një kartelë dhuruesi, në patentën e shoferit ose në letërnjoftim apo në regjistrat mjekësore ose listat e dhuruesve. Kur i vdekuri nuk ka shprehur as pëlqim as kundërshtim të qartë ndaj marrjes, duhet të merret leje nga një zëvendës i caktuar ligjërisht, zakonisht anëtar i familjes.
Sistemi tjetër, ai i pëlqimit të presupozuar – i quajtur “zgjedhja (ose kontraktimi) kundër” (“opting [or contracting] out”) – lejon që materiali të merret nga trupi i një personi të vdekur për transplantim dhe, në disa vende, për studime ose kërkime anatomike, në qoftë se personi nuk ka shprehur kundërshtim para vdekjes duke dorëzuar një kundërshtim pranë një zyre të identifikuar, ose në qoftë se një palë e informuar raporton që i vdekuri përfundimisht ka shprehur me zë kundërshtimin për dhurim. Duke pasur parasysh rëndësinë etike të pëlqimit, një sistem i tillë do të duhej të siguronte që njerëzit të jenë plotësisht të informuar rreth politikës së ndjekur dhe t’u ofrohet një mënyrë e lehtë për të zgjedhur kundërshtimin.
Megjithëse pëlqimi i shprehur nuk kërkohet në një sistem të zgjedhjes së kundërshtimit përpara marrjes së qelizave, indeve ose organeve të një personi të vdekur i cili nuk e ka kundërshtuar këtë gjatë kohës që ka qenë gjallë, programet e prokurimit (ofrimit) mund të mos duan të vazhdojnë në qoftë se familjarët personalisht janë kundër dhurimit; po kështu, në sistemet e zgjedhjes pro, programet zakonisht kërkojnë leje nga familja edhe kur personi i vdekur e ka dhënë pëlqimin para vdekjes. Programet kanë më shumë mundësi të mbështeten në pëlqimin e shprehur ose të presupozuar të të vdekurit, pa kërkuar leje të mëtejshme nga anëtarët e familjes, kur të kuptuarit dhe pranimi nga publiku i procesit të dhurimit të qelizave, indeve dhe organeve është i rrënjosur thellë dhe i palëkundur. Edhe kur nuk kërkohet leje nga të afërmit, programet e dhurimit kanë nevojë të shqyrtojnë historinë mjekësore dhe të sjelljes së të vdekurit me familjarët që e kanë njohur atë mirë, meqenëse informacionet e sakta rreth dhuruesit ndihmojnë në shtimin e sigurisë së transplantimit.
Për dhurimin e indeve, çka nënkupton afate kohore më pak sfiduese, rekomandohet gjithmonë që të kërkohet miratimi i familjarit më të afërt. Një pikë e rëndësishme që duhet adresuar është mënyra se si do të rikthehet dukja e trupit të të vdekurit pasi indet të jenë marrë.”
Section 2.04 D. E drejta vendase
(a) 1. Ligji për Mbrojtjen e Trupit të një Personi të Vdekur dhe Përdorimi i Organeve dhe Indeve Njerëzore
42. Ligji për Mbrojtjen e Trupit të një Personi të Vdekur dhe Përdorimi i Organeve dhe Indeve Njerëzore (likums “Par miruša cilvēka ķermeņa aizsardzību un cilvēka audu un orgānu izmantošanu medicīnā” – “Ligji”), si ligji në fuqi në kohën relevante (me ndryshimet që kanë hyrë në fuqi prej 1 nëntorit 1995 e deri më 31 dhjetor 2001), parashikon në seksionin 2 që çdo person i gjallë me kapacitet ligjor ka të drejtë të japë pëlqimin ose kundërshtimin, me shkrim, ndaj përdorimit të trupit të vet pas vdekjes. Dëshira e shprehur, në qoftë se nuk është në kundërshtim me ligjin, është detyruese.
43. Seksioni 3 parashikon që vetëm një refuzim ose pëlqim i tillë për përdorimin e trupit pas vdekjes, i cili është firmosur nga një person me kapacitet ligjor, i regjistruar në kartelën e tij/saj mjekësore dhe i shënjuar me një vulë të veçantë në pasaportën e tij/saj, ka fuqi ligjore. Departamenti i Shëndetësisë pranë Ministrisë së Mirëqenies është përgjegjës për parashikimin e procedurës së regjistrimit të refuzimit ose pëlqimit në të dhënat mjekësore të një personi (bëj krahasimin me situatën pas ndryshimeve legjislative që kanë hyrë në fuqi prej 1 janarit 2002, Petrova kundër Letonisë, nr. 4605/05, § 35, 24 qershor 2014).
44. Sipas seksionit 4, i cili titullohet “Të drejtat e familjarëve më të afërt”, organet dhe indet e një personi të vdekur nuk mund të merren kundër dëshirës së tij/saj ashtu siç është shprehur gjatë kohës që ka qenë gjallë. Në mungesë të dëshirës së shprehur, marrja mund të kryhet në qoftë se asnjë prej familjarëve të afërt (fëmijë, prindër, motra, vëllezër ose bashkëshortë) nuk kundërshton. Transplantimi mund të kryhet pas vdekjes biologjike ose vdekjes së trurit të dhuruesit të mundshëm (seksioni 10).
45. Më saktë, seksioni 11 i Ligjit parashikon që organet dhe indet nga një dhurues i vdekur mund të merren për qëllime transplantimi në qoftë se ai person nuk e ka kundërshtuar marrjen gjatë kohës që ka qenë në jetë, dhe nëse familjarët më të afërt nuk e kanë ndaluar një gjë të tillë.
46. Për shkak të një dispozite të përkohshme të Ligjit, vula në pasaportën e një personi e vendosur para 31 dhjetorit 2001 që tregon kundërshtimin ose pëlqimin për përdorimin e trupit pas vdekjes ka fuqi ligjore deri në lëshimin e një pasaporte të re ose deri sa të bëhet një aplikim pranë Zyrës së Shtetësisë dhe Çështjeve të Migracionit.
47. Seksioni 17 parashikon që një Shtet është përgjegjës për mbrojtjen e trupit të një personi të vdekur dhe për përdorimin e organeve ose indeve për qëllime mjekësore. Në kohën materiale ky funksion iu besua Departamentit të Shëndetësisë pranë Ministrisë së Mirëqenies (nga 1 janari 2002 – Ministria e Mirëqenies, nga 30 qershori 2004 – Ministria e Shëndetësisë). Asnjë organizatë ose autoritet nuk mund të kryejë marrjen e organeve dhe indeve dhe t’i përdorë ato pa autorizimin e lëshuar nga Departamenti i Shëndetësisë (nga 1 janari 2002 – Ministri i Mirëqenies, nga 30 qershori 2004 – Ministri i Shëndetësisë).
48. Seksioni 18 ndalon përzgjedhjen, transportimin dhe përdorimin e organeve dhe indeve të marra për qëllime komerciale. Gjithashtu, ai parashikon që marrja e organeve dhe indeve nga çdo person i gjallë ose i vdekur mund të zhvillohet vetëm duke respektuar rreptësisht pëlqimin ose kundërshtimin e shprehur të atij personi.
49. Seksioni 21 parashikon që Prokuroria duhet të mbikëqyrë pajtueshmërinë me këtë Ligj (paragrafi 1). Departamenti i Shëndetësisë i Ministrisë së Mirëqenies dhe organe të tjera kompetente janë përgjegjëse për monitorimin e ligjshmërisë së përdorimit të indeve dhe organeve njerëzore (paragrafi 2). Me ndryshimet që hynë në fuqi nga 1 janari 2992, paragrafi 1 u shfuqizua; paragrafi i mbetur parashikon që Ministria e Mirëqenies duhet të mbajë përgjegjësinë për kontrollimin e pajtueshmërisë së përdorimit të indeve dhe organeve njerëzore me ligjin dhe instrumentet e tjera ligjore. Prej 30 qershorit 2004 kjo detyrë iu besua Ministrisë së Shëndetësisë. Në fund, nga 23 gushti 2012 ky seksion u shfuqizua në tërësi.
50. Më 2 qershor 2004 ndryshimet në seksionet 4 dhe 11 të Ligjit u miratuan në Parlament, duke hyrë në fuqi nga 30 qershori 2004. Nga ajo datë e tutje, seksioni 4 parashikon që në qoftë se nuk ka të shënuar asnjë informacion në Regjistrin e Popullsisë në lidhje me refuzimin ose pëlqimin e një personi për përdorimin e trupit, organeve ose indeve të tij/saj pas vdekjes, familjarët më të afërt kanë të drejtë të informojnë institucionin mjekësor me shkrim në lidhje me dëshirat e personit të vdekur të shprehura gjatë kohës që ka qenë në jetë. Seksioni 11 parashikon që organet dhe indet trupore të një personi të vdekur mund të merren për qëllime transplantimi në qoftë se në Regjistrin e Popullsisë nuk ka të shënuar informacione rreth refuzimit ose pëlqimit nga personi i vdekur për përdorimin e organeve ose indeve trupore të tij/saj pas vdekjes dhe në qoftë se familjarët më të afërt të personit, para fillimit të transplantimit, nuk e kanë informuar me shkrim institucionin mjekësor në lidhje me kundërshtimin e personit të vdekur për përdorimin e organeve dhe indeve trupore të tij/saj pas vdekjes të shprehur gjatë kohës që ka qenë gjallë. Është e ndaluar të merren organet dhe indet trupore nga një fëmijë i vdekur për qëllime transplantimi në qoftë se njëri nga prindërit ose kujdestarët e tij ligjorë nuk japin pëlqimin me shkrim.
(b) 2. Rregullorja e Kabinetit të Ministrave nr. 431 (1996)
51. Kjo rregullore (Noteikumi par miruša cilvēka audu un orgānu uzkrāšanas un izmantošanas kārtību medicīnā) parashikon që marrja e organeve dhe indeve mund të kryhet pas vdekjes biologjike ose vdekjes së trurit të personit nëse pasaporta dhe të dhënat mjekësore të tij/saj përmbajnë një vulë që tregon pëlqimin për një marrje të tillë (paragrafi 3). Në mungesë të një vule të tillë, duhet të ndiqen dispozitat e Ligjit (shih lart).
(c) 3. Rregullorja ligjore e MADEKKI
52. Rregullorja ligjore e Inspektoratit të Kontrollit të Cilësisë për Kujdesin Mjekësor dhe Kapacitetin për Punë (“MADEKKI”) në të drejtën letoneze është përmbledhur në L.H. kundër Letonisë (nr. 52019/07, §§ 24-27, 29 prill 2014). Për qëllime të çështjes së tanishme mjafton të shënohet që rregulloret e saj – të miratuara nga Kabineti i Ministrave (Rregullorja nr. 391 (1999), në fuqi prej 26 nëntorit 1999 deri më 30 qershor 2004) – parashikonte, inter alia, që një prej funksioneve të MADEKKI ishte të monitoronte cilësinë profesionale të kujdesit shëndetësor në institucione mjekësore.
(d) 4. Dispozitat e të drejtës penale
53. Seksioni 139 i Ligjit Penal (Krimināllikums) parashikon që marrja e paligjshme e organeve ose indeve nga një qenie njerëzore e gjallë ose e vdekur për t’u përdorur për qëllime mjekësore është vepër penale në qoftë se kryhet nga një mjek.
54. Dispozitat përkatëse që kanë të bëjnë me të drejtat e palëve civile në procedura penale sipas ish Kodit të Procedurës Penale (Latvijas Krimināl procesa Kodekss) (në fuqi deri më 1 tetor 2005) janë të përshkruara në Liģeres kundër Letonisë (nr. 17/02, §§ 39-41, 28 qershor 2011) dhe Pundurs kundër Letonisë ((dec.), nr. 43372/02, §§ 12-17, 20 shtator 2011).
55. Përveç kësaj, në dispozitat përkatëse që kanë të bëjnë me të drejtat e palëve civile në procedura penale sipas Ligjit të Procedurës Penale (Krimināl procesa likums) (në fuqi prej 1 tetorit 2005) të cilat ishin në fuqi në kohën materiale thuhet:
Seksioni 22 -E drejta e kompensimit për dëme
“Një personi që ka pësuar tronditje psikologjike, lëndim fizik ose humbje materiale si rezultat i një vepre penale i garantohen mundësi procedurale për të kërkuar dhe pranuar kompensim për dëme materiale dhe jo materiale.”
Seksioni 351 -Kërkesa për kompensim
“(1) Një palë e dëmtuar ka të drejtë të parashtrojë kërkesë në lidhje me kompensimin për dëmin e shkaktuar në cilëndo fazë të procedurave penale deri në fillimin e hetimeve gjyqësore në gjykatën e shkallës së parë. Kërkesa duhet të përmbajë arsyetim për shumën e kërkuar të kompensimit.
(2) Kërkesa mund të parashtrohet me shkrim ose mund të shprehet gojarisht. Kërkesa me gojë shënohet në procesverbal nga personi që drejton procedurën.
(3) Gjatë procedurave paragjyqësore, prokurori publik tregon parashtrimin e kërkesës dhe shumën e kompensimit, si dhe mendimin e tij ose të saj në lidhje me të në dokumentin e përfundimit të procedurës paragjyqësore.
(4) Dështimi për të vërtetuar përgjegjësinë ligjore të një personi nuk përbën pengesë për parashtrimin e kërkesës për kompensim.
(5) Një palë e dëmtuar ka të drejtë ta tërheqë kërkesën për kompensim në çdo fazë të procedurës penale deri në momentin kur gjykata tërhiqet për të marrë vendim. Refuzimi i kompensimit nga një viktimë nuk mund të përbëjë bazë për tërheqjen ose modifikimin e akuzave, ose për vendim shfajësues.”
(e) 5. E drejta për të marrë kompensim
56. Neni 92 i Kushtetutës (Satversme) parashikon, inter alia, që “çdo person të drejtat e të cilit/cilës janë shkelur pa arsye ka të drejtë për kompensim të përshtatshëm”.
57. Dispozitat ligjore vendase që kanë të bëjnë me kompensimin për dëme materiale dhe jo materiale sipas të Drejtës Civile (Civillikums) (para dhe pas ndryshimeve që hynë në fuqi prej 1 marsit 2006) janë cituar të plota në Zavoloka kundër Letonisë (nr. 58447/00, §§ 17-19, 7korrik 2009). Seksionet 1635 dhe 1779 përshkruhen më tej në Holodenko kundër Letonisë (nr. 17215/07, § 45, 2 korrik 2013).
58. Sipas seksionit 92 të Ligjit të Procedurës Administrative (Administratīvā procesa likums), në fuqi prej 1 shkurtit 2004, secili ka të drejtë të ketë kompensim të përshtatshëm për dëmet materiale dhe jo materiale të shkaktuara nga një veprim administrativ ose veprim i një autoriteti publik. Sipas seksionit 93 të të njëjtit Ligj, kërkesa për kompensim mund të paraqitet ose bashkë me një kërkesë drejtuar gjykatave administrative për të shpallur të paligjshëm një veprim administrativ ose veprim nga një autoritet publik, ose mund t’i drejtohet autoritetit publik në fjalë pas një vendimi të marrë në një procedurë të tillë. Sipas seksionit 188, një kërkesë drejtuar një gjykate administrative në lidhje me një veprim administrativ ose akt të një autoriteti publik duhet të depozitohet brenda një muaji ose një viti varësisht nga rrethanat. Për sa i përket një veprimi të një autoriteti publik, afati kohor një-vjeçar fillon nga data në të cilën kërkuesi mëson që një veprim i tillë ka ndodhur. Në fund, sipas seksionit 191 (1) një kërkesë mund të refuzohet në qoftë se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga koha kur kërkuesi ka mësuar ose është dashur të kishte mësuar që një veprim i tillë ka ndodhur. Ky afat kohor nuk mund të shtyhet (atjaunots).
59. Shuma e kompensimit dhe procedura për kërkimin e dëmshpërblimit nga një autoritet publik për shkak të një akti të paligjshëm administrativ ose një veprimi të paligjshëm të një autoriteti publik është e parashikuar nga Ligji për Kompensimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Autoritetet Publike (Valsts pārvaldes iestāžu nodarīto zaudējumu atlīdzināšanas likums), në fuqi nga 1 korriku 2005. Kapitulli III i Ligjit parashikon procedurën që duhet të ndiqet kur një individ kërkon dëmshpërblim nga një autoritet publik. Sipas seksionit 15 një individ ka të drejtë të bëjë një kërkesë tek autoriteti publik i cili është përgjegjës për dëmin. Sipas seksionit 17 një kërkesë e tillë duhet të depozitohet jo më vonë se një vit pas datës kur individi ka mësuar për dëmin dhe, sido që të jetë, jo më vonë se pesë vet pas datës së aktit të paligjshëm administrativ ose veprimit të paligjshëm të një autoriteti publik.
E DREJTA
Article III. I. SHKELJET E PRETENDUARA TE NENIT 8 TË KONVENTËS
60. Kërkuesja u ankua në thelb sipas Nenit 8 të Konventës së pari që marrja e indeve të burrit të saj ishte zhvilluar pa pëlqimin paraprak të tij apo të kërkueses. Së dyti, ajo u ankua që – në mungesë të këtij pëlqimi – dinjiteti, identiteti dhe integriteti i tij ishin shkelur dhe që trupi i tij ishte trajtuar pa respekt.
61. Neni 8 i Konventës thotë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
62. Qeveria mohoi që kishte pasur shkelje të atij Neni.
Section 3.01 A. Çështje paraprake
63. Gjykata duhet të fillojë duke shqyrtuar nëse është ratione personae kompetente për të shqyrtuar ankesën e kërkueses; kjo çështje kërkon ekzaminim ex officio nga Gjykata (shih Sejdić dhe Finci kundër Bosnje dhe Hercegovinës [GC], nr. 27996/06 dhe nr. 34836/06, § 27, ECHR 2009).
64. Qasja e Gjykatës për sa i përket viktimave direkte dhe indirekte është përmbledhur kohët e fundit në Qendrën për Burime Ligjore për Valentin Câmpeanu kundër Rumanisë ([GC], nr. 47848/08, §§ 96-100, 17 korrik 2014) si më poshtë (referencat janë hequr):
“(i) Viktimat direkte
96. Për të qenë në gjendje të bëjë kërkesë në përputhje me Nenin 34, një individ duhet të jetë në gjendje të tregojë që ai ose ajo është ndikuar “drejtpërdrejt” nga masa për të cilën bëhet ankesa (...). Kjo është e domosdoshme për të vënë në lëvizje mekanizmin e Konventës, megjithëse ky kriter nuk duhet të zbatohet në mënyrë të ngurtë, mekanike dhe të palakueshme përgjatë procedurës (...).
Më tej, në përputhje me praktikën e Gjykatës dhe me Nenin 34 të Konventës, kërkesat mund të depozitohen vetëm nga, ose në emër të, individëve që janë gjallë (...). Kështu, në disa çështje ku viktima e drejtpërdrejtë ka vdekur para bërjes së kërkesës, Gjykata nuk e ka pranuar që viktima e drejtpërdrejtë, edhe kur ka qenë i/e përfaqësuar, gëzon statusin e një kërkuesi për qëllime të Nenit 34 të Konventës (...).
(ii) Viktimat indirekte
97. Çështjet e llojit të lartpërmendur janë dalluar nga çështjet në të cilat trashëgimtarët e një kërkuesi janë lejuar të vazhdojnë një kërkesë e cila tashmë ishte depozituar. Një autoritet në lidhje me këtë lloj çështjeje është Fairfield dhe të Tjerë (...), ku një vajzë paraqiti një kërkesë pas vdekjes së babait të saj, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij për lirinë e mendimit, fesë dhe fjalës (Nenet 9 dhe 10 të Konventës). Ndërkohë që gjykatat vendase i dhanë leje Znj. Fairfield për të vazhduar apelin pas vdekjes së babait të saj, Gjykata nuk e pranoi statusin e viktimës për vajzën dhe bëri dallimin mes kësaj çështjeje dhe situatës në Dalban kundër Rumanisë (...), ku kërkesa ishte paraqitur nga vetë kërkuesi, vejusha e të cilit e vazhdoi atë vetëm pas vdekjes së tij.
Në këtë aspekt, Gjykata ka bërë dallimin mes kërkesave ku viktima direkte ka vdekur pasi është bërë kërkesa në Gjykatë dhe kërkesave ku ai ose ajo tashmë ka ndërruar jetë më përpara.
Aty ku kërkuesi ka vdekur pasi është depozituar kërkesa, Gjykata ka pranuar që familjari më i afërt ose trashëgimtari mundet në parim ta vazhdojë kërkesën, në qoftë se ai ose ajo ka interes të mjaftueshëm në çështjen në fjalë (...).
98. Megjithatë, situata ndryshon kur viktima direkte vdes përpara se kërkesa të depozitohet në Gjykatë. Në raste të tilla, Gjykata, duke iu referuar një interpretimi autonom të konceptit të “viktimës”, ka qenë e përgatitur të njohë statusin e një të afërmi edhe kur ankesat kanë ngritur çështje të interesit të përgjithshëm që kanë të bëjnë me “respektin për të drejtat e njeriut” (Neni 37 § 1 in finei Konventës) dhe kërkuesit si trashëgimtarët e tyre kanë pasur interesa legjitime në ndjekjen e kërkesës, ose mbi bazën e efektit të drejtpërdrejtë mbi të drejtat e vetë kërkuesit (...). Këto çështjet e fundit, mund të shënohet, janë sjellë para Gjykatës pas ose në lidhje me procedura vendase në të cilat vetë viktima direkte ka marrë pjesë gjatë kohës që ka qenë gjallë.
Kështu, Gjykata ka njohur statusin e familjarit më të afërt të viktimës për të paraqitur kërkesë kur viktima ka vdekur ose është zhdukur në rrethana që kinse përfshinin përgjegjësinë e Shtetit (...).
99. Në Varnava dhe të Tjerë (...) kërkuesit depozituan kërkesa edhe në emër të tyre edhe në emër të familjarëve të tyre të zhdukur. Gjykata nuk e konsideroi të nevojshme të vendoste në lidhje me faktin nëse njerëzit e humbur duhet ose nuk duhet të kishin statusin e kërkuesve meqenëse, sidoqoftë, familjarët e afërt të të humburve kishin të drejtë të bënin ankesë në lidhje me zhdukjen e tyre (...). Gjykata e shqyrtoi çështjen mbi bazën e faktit që të afërmit e personave të humbur ishin kërkues për qëllimet e Nenit 34 të Konventës.
100. Në rastet kur shkelja e pretenduar e Konventës nuk ishte e lidhur ngusht me zhdukjet ose vdekjet që i jepnin shkas çështjeve nga Neni 2, qasja e Gjykatës ka qenë më e shtrënguar, si në çështjen e Sanles Sanles kundër Spanjës (...), e cila kishte të bënte me ndalimin e vetëvrasjes me ndihmën e të tjerëve. Gjykata u shpreh se të drejtat e pretenduara nga kërkuesja sipas Neneve 2, 3, 5, 8, 9 dhe 14 të Konventës i përkisnin kategorisë së të drejtave të pa transferueshme, dhe prandaj konkludoi që kërkuesja, e cila ishte kunata dhe trashëgimtarja e ligjshme e të vdekurit, nuk mund të pretendonte të ishte viktimë e një shkeljeje në emër të kunatit të saj të ndjerë. I njëjti përfundim u arrit në lidhje me ankesat nga Nenet 9 dhe 10 të ngritura nga vajza e viktimës së pretenduar (...).
Në raste të tjera lidhur me ankesa nga Nenet 5, 6 ose 8 Gjykata ka lejuar statusin e viktimës për familjarët e afërt, duke i lejuar ata të paraqisnin kërkesë aty ku ata kanë treguar interes moral në shfajësimin nga çdo faj të viktimës së ndjerë (...) ose në mbrojtjen e reputacionit të viktimës dhe atë të familjes së tyre (...), ose kur ata kanë treguar interes material mbi bazën e efektit direkt mbi të drejtat e tyre materiale (...). Gjithashtu është marrë parasysh edhe ekzistenca e një interesi të përgjithshëm që ka sjellë domosdoshmërinë e procedurës bashkë me shqyrtimin e ankesave (...).
Pjesëmarrja e kërkueses në procedurat vendase është gjetur të jetë vetëm një nga kriteret e shumta relevante (...).”
65. Për sa i përket pjesës së parë të ankesës, Gjykata konsideron që kërkuesja ka treguar mjaftueshëm që ajo është ndikuar direkt nga marrja e indeve nga trupi i burrit të saj të vdekur pa pëlqimin e saj (shih gjithashtu Petrova, cituar lart, § 56). Prandaj Gjykata është bindur që kërkuesja mund të konsiderohet “viktimë direkte” në atë aspekt (shih paragrafin 60 lart). Megjithatë, për aq sa ankesa e kërkueses ndërlidhet me mungesën e pëlqimit të burrit të saj të vdekur, Gjykata konsideron që është ratione personae e papajtueshme brenda kuptimit të Nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe rrjedhimisht duhet të refuzohet në përputhje me Nenin 35 § 4 të Konventës.
66. Për sa i përket pjesës së dytë të ankesës, Gjykata shënon që kërkuesja ka pranuar se kjo ka të bëjë me të drejtat e bashkëshortit të saj të vdekur. Rrjedhimisht, ajo duhet të refuzohet si ratione personae e papajtueshme në përputhje me Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
67. Së fundi, Gjykata shënon që në disa aspekte pjesa e dytë e ankesës përkon pjesërisht me ankesën e kërkueses nga Neni 3 i Konventës, dhe Gjykata, rrjedhimisht, do ta shqyrtojë atë për aq sa ka të bëjë me të drejtat e kërkueses.
Section 3.02 B. Pranueshmëria
(a) 1. Parashtrimet e palëve
68. Qeveria pranoi që ankesa e kërkueses hynte brenda kuadrit të “jetës private” sipas Nenit 8 të Konventës, por nuk pranoi që kishte të bënte me “jetën familjare”.
69. Pikë së pari, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës në Grišankova dhe Grišankovs kundër Letonisë ((dec.), nr. 36117/02, ECHR-2003 II (pjesë të shkëputura)), Qeveria argumentoi që kërkuesja nuk i kishte shfrytëzuar zgjidhjet vendase. Ajo konsideroi që kërkuesja duhet të kishte bërë ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese sepse marrja e indeve të burrit të saj kishte ndodhur në përputhje me procedurën e parashikuar në seksionet 4 dhe 11 të Ligjit. Ajo duhet ta kishte ngritur çështjen e pajtueshmërisë së këtyre dispozitave ligjore në kuadër të Kushtetutës së Letonisë.
70. Së dyti, Qeveria argumentoi që kërkuesja nuk kishte paraqitur ankesë tek MADEKKI. Qeveria vuri në pah se në kohën materiale MADEKKI kishte qenë organi kompetent për të shqyrtuar ankesat e kërkueses, meqenëse funksioni i tij ishte të monitoronte cilësinë profesionale të kujdesit shëndetësor në institucionet mjekësore. Qeveria parashtroi që shqyrtimi nga MADEKKI i pajtueshmërisë së procedurës së marrjes së indeve me ligjet vendase ishte parakusht i nevojshëm për fillimin e procedurës penale kundër përgjegjësve. Ajo nuk ofroi informacione të mëtejshme në këtë drejtim.
71. Së treti, Qeveria parashtroi që kërkuesja mund të ishte mbështetur tek seksioni 1635 i Ligjit Civil (në fuqi prej 1 marsit 2006) dhe mund të kishte kërkuar kompensim për dëme materiale dhe jo materiale në gjykatat civile. Qeveria dha disa shembuj të praktikës gjyqësore vendase në lidhje me zbatimin e seksionit 1635 në praktikë. Ajo iu referua procedurave në çështjen PAC-714 (filluar më 7 shkurt 2005), ku një ankuese kishte kërkuar kompensim për dëme jo materiale nga një spital ku ajo kishte lindur fëmijën dhe më pas ishte kryer lidhja e tubave (kontraceptiv kirurgjik) pa pëlqimin e saj (shih L.H. kundër Letonisë, cituar lart,§ 8). Më 1 dhjetor 2006 ai pretendim ishte mbështetur dhe ankueses i ishte dhënë kompensim për lëndime fizike dhe shqetësim psikologjik në shumën 10.000 lata letoneze (LVL) në lidhje me sterilizimin e paligjshëm mbi bazën e seksionit 2349 të Ligjit Civil. Ky vendim kishte marrë formë të prerë më 10 shkurt 2007. Qeveria gjithashtu iu referua njërit prej rasteve të “tragjedisë Talsi” (filluar më 15 shtator 2006), ku më 16 mars 2010 gjykata e apelit kishte akorduar kompensim të paguar nga Shteti në shumën 20.000 LVL në lidhje me incidentin e 28 qershorit 1997 në Talsi ku, mes fëmijëve të tjerë, kishte gjetur vdekjen vajza e kërkueses. Vendimi përfundimtar në këtë çështje u mor më 28 shtator 2011. Qeveria nuk paraqiti kopje të vendimeve në këtë të fundit.
72. Kërkuesja nuk qe dakord. Ajo konsideroi që ankesa e saj hynte brenda kuadrit të jetës private dhe familjare sipas Nenit 8 të Konventës.
73. Në përgjigje ndaj zgjidhjes së parë të cituar nga Qeveria – rekursi në Gjykatën Kushtetuese – kërkuesja theksoi se kompetenca e gjykatës ishte e kufizuar në shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e ligjeve dhe instrumente të tjera ligjore. Kërkuesja argumentoi që marrja e indeve kishte qenë në kundërshtim me seksionet 4 dhe 11 të Ligjit; ajo nuk konsideroi që këto dispozita ligjore ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Çështja e Grišankovs dhe Grišankova kishte të bënte me gjuhën e përdorur në Ligjin e Arsimit. Megjithatë, çështja në fjalë kishte të bënte me një veprim individual – marrjen e indeve nga trupi i burrit të saj. Për më tepër, kërkuesja argumentoi që në qoftë se ndonjë dispozitë e Ligjit ishte vërtet në papajtueshmëri me Kushtetutën, gjykata penale, Prokurori i Përgjithshëm ose Kabineti i Ministrave do të duhej dhe do të mundnin vetë të parashtronin një kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese.
74. Në përgjigje ndaj zgjidhjes së dytë të cituar nga Qeveria, pra një ankesë drejtuar në MADEKKI, kërkuesja parashtroi që nuk do të kishte qenë organi kompetent. Marrja e indeve nuk ishte kujdes shëndetësor. Kërkuesja iu referua seksionit 21 të Ligjit dhe shpjegoi që në kohën relevante mbikëqyrja kishte qenë përgjegjësi e Prokurorisë (shih paragrafin 49 lart).
75. Në përgjigje të zgjidhjes së tretë të cituar nga Qeveria, kërkuesja argumentoi që Qendra Mjeko-Ligjore ishte një institucion i Shtetit nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Procedurës Administrative më 1 shkurt 2004, aktet administrative dhe veprimet e autoriteteve publike i ishin nënshtruar shqyrtimit juridik nga gjykatat administrative. Kështu, një apel kundër një veprimi të një autoriteti publik – marrja e indeve nga trupi i bashkëshortit të kërkueses – mund të depozitohej vetëm pranë gjykatave administrative. Duke iu referuar rregulloreve të Qendrës Mjeko-Ligjore, kërkuesja shënoi që veprimet e punonjësve të saj mund t’i nënshtroheshin apelit para Shefit të Qendrës, vendimet ose veprimet e të cilit më tej i nënshtroheshin shqyrtimit gjyqësor nga gjykatat administrative. Megjithatë apelet sipas Ligjit të Procedurës Administrative do të kishin qenë të kufizuara nga afatet kohore në rastin e kërkueses deri kur do të ishte marrë vendimi përfundimtar në procedurën penale. Kërkuesja konkludoi që veprimet e ekspertit nuk mund t’i nënshtroheshin shqyrtimit gjyqësor nga gjykatat civile.
76. Kërkuesja gjithashtu vuri në pah që shuma e kompensimit dhe procedura për kërkimin e dëmshpërblimit nga një autoritet publik për shkak të një akti të paligjshëm administrativ ose një veprimi të paligjshëm nga një autoritet publik ishte e parashikuar në Ligjin për Kompensimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Autoritetet Publike dhe jo nga Ligji Civil. Megjithatë, një veprim sipas ligjit të mëparshëm do të kishte qenë po ashtu i kufizuar nga afatet kohore.
77. Së fundi, edhe sikur kërkuesja të kishte paraqitur padi civile sipas seksionit 1635 të Ligjit Civil kundër ekspertëve që kishin marrë indet nga trupi i burrit të saj, siç sugjeroi Qeveria, një gjë e tillë do të kishte qenë e predispozuar të dështonte meqenëse në procedurë penale ishte vendosur që ata nuk ishin fajtorë. Kërkuesja gjithashtu theksoi se shembujt e praktikës gjyqësore vendase të përmendur nga Qeveria nuk ishin të krahasueshëm. Në çështjen e parë procedura civile kishte filluar kundër një spitali privat e jo kundër një institucioni shtetëror. Çështja e dytë kishte të bënte me ngjarje të cilat datonin në vitin 1997, shumë kohë përpara se të hynin në fuqi Ligji i Procedurës Administrative dhe Ligji për Kompensimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Autoritetet Publike. Përveç kësaj, në atë kohë, Ligji i Procedurës Civile përmbante një kapitull në lidhje me paditë në çështje të dala nga marrëdhëniet administrative, çka u zëvendësua nga hyrja në fuqi e Ligjit të Procedurës Administrative.
(b) 2. Vlerësimi i Gjykatës
(i) (a) Mos shterimi
78. Për aq sa Qeveria iu referua ankesës kushtetuese si zgjidhje relevante në rrethanat e kërkueses, Gjykata konsideron që një ankesë e tillë nuk mund të përbënte mjet efektiv për mbrojtjen e të drejtave të kërkueses sipas Nenit 8 të Konventës për arsyet e mëposhtme.
79. Gjykata tashmë e ka analizuar fushëveprimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese në Letoni (shih Grišankova dhe Grišankovs, cituar lart; Liepājnieks kundër Letonisë (dec.), nr. 37586/06, §§ 73-76, 2 nëntor 2010; Savičs kundër Letonisë, nr. 17892/03, §§ 113-117, 27 nëntor 2012; Mihailovs kundër Letonisë, nr. 35939/10, §§ 157-158, 22 janar 2013; Nagla kundër Letonisë, nr. 73469/10, § 48, 16 korrik 2013; dhe Latvijas jauno zemnieku apvienība kundër Letonisë (dec.), nr. 14610/05, §§ 44-45, 17 dhjetor 2013).
80. Gjykata ka shënuar që Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar, inter alia, ankesa individuale që kontestonin kushtetueshmërinë e një dispozite ligjore ose pajtueshmërinë e saj me një dispozitë që ka fuqi ligjore superiore. Një ankesë kushtetuese individuale mund të bëhet kundër një dispozite ligjore vetëm kur një individ konsideron që dispozita në fjalë shkel të drejtat e tij ose të saj themelore të mishëruara në Kushtetutë. Prandaj procedura e një ankese kushtetuese individuale nuk mund të shërbejë si zgjidhje efektive në qoftë se shkelja e pretenduar ka rezultuar vetëm nga zbatimi ose interpretimi i gabueshëm i një dispozite ligjore e cila, në përmbajtje, nuk është antikushtetuese (shih Latvijas jauno zemnieku apvienība, cituar lart, §§ 44-45).
81. Në rastin konkret, Gjykata konsideron që ankesa e kërkueses në lidhje me marrjen e indeve nuk lidhet me pajtueshmërinë e një dispozite ligjore me një dispozitë tjetër që ka fuqi superiore. Qeveria argumentoi që marrja e indeve kishte ndodhur në përputhje me procedurën e parashikuar në ligj. Kërkuesja, nga ana e saj, nuk e kontestoi kushtetushmërinë e kësaj procedure. Përkundrazi, ajo diskutoi që marrja e indeve nga trupi i burrit të saj përbënte veprim individual i cili ishte në kundërshtim me seksionet 4 dhe 11 të Ligjit. Gjykata gjen që ankesa e kërkueses lidhet me zbatimin dhe interpretimin e ligjit vendas, posaçërisht duke pasur parasysh mungesën e rregulloreve administrative; nuk mund të thuhet që del ndonjë problem pajtueshmërie. Në rrethana të tilla Gjykata konsideron që kërkuesja nuk ka pasur nevojë të shterojë zgjidhjen e propozuar.
82. Gjykata e kupton argumentin e Qeverisë në lidhje me shqyrtimin nga MADEKKI (shih paragrafin 70 lart) si të atillë që lidhet kryesisht me zgjidhjet civile; Gjykata do ta analizojë këtu poshtë. Nuk është e qartë nga provat në dosjen e lëndës nëse MADEKKI ka zhvilluar ndonjë shqyrtim në lidhje me procedurën penale në rastin konkret (bëj krahasimin me Petrova, cituar lart, § 15). Sidoqoftë, nuk duket se një shqyrtim nga MADEKKI ka qenë i nevojshëm për të nisur procedurën penale. Megjithatë, nuk është relevant fakti që kërkuesja nuk ka paraqitur ankesë të veçantë pranë MADEKKI-t përderisa ajo është ankuar për të gjitha vendimet e marra nga autoritetet hetimore dhe prokuroriale, detyra e të cilave normalisht ështëtë konstatojnë nëse është kryer vepër penale (ibid., § 71).
83. Për sa i përket mundësisë së paraqitjes së pretendimit civil për dëmshpërblim, në Calvelli dhe Ciglio kundër Italisë ([GC], nr. 32967/96, § 51, ECHR 2002‑I), Gjykata vendosi:
“Në sferën e veçantë të neglizhencës mjekësore, detyrimi për shembull mund të përmbushet edhe në qoftë se sistemi ligjor u ofron viktimave zgjidhje në gjykatat civile, qoftë vetëm qoftë bashkë me zgjidhje në gjykatat penale, duke mundësuar konstatimin e përgjegjësive të mjekëve të përfshirë dhe arritjen e zgjidhjeve të duhura civile, siç është urdhri për dëmshpërblim dhe publikimi i vendimit. Gjithashtu mund të parashikohen edhe masa disiplinore.”
84. Gjykata më tej ka deklaruar që ky parim zbatohet kur shkelja e të drejtës për jetë ose integritet personal nuk është shkaktuar me qëllim (shih Vo kundër Francë s[GC], nr. 53924/00, § 90, ECHR 2004‑VIII, dhe Öneryıldız kundër Turqisë [GC], nr. 48939/99, § 92, ECHR 2004‑XII).
85. Megjithatë, Gjykata ka gjetur gjithashtu që në rast se ka zgjidhje vendase që mund të ndiqen nga individi, ai person ka të drejtë të zgjedhë mundësinë që adreson dëmtimin e tij ose të saj (shih Jasinskis kundër Letonisë, nr. 45744/08, § 50, 21 dhjetor 2010). Gjykata vëren se kërkuesja fillimisht nuk ka qenë në dijeni të faktit që ishin marrë inde nga burri i saj; ajo e mësoi këtë vetëm kur Policia e Sigurimit hapi hetimet në lidhje me këto fakte. Rrjedhimisht, ajo shfrytëzoi rrugën e zgjidhjes përmes hetimeve penale – u deklarua palë e dëmtuar në këtë procedurë dhe e ndoqi atë duke bërë ankesa të ndryshme pranë autoriteteve hetimore dhe prokuroriale. Zgjidhja e ligjit penal mund t’i kishte dhënë shkas gjetjes që marrja e organeve ishte kryer në kundërshtim me procedurën vendase dhe që të drejtat e saj si familjarja më e afërt ishin shkelur. Eventualisht kjo mund të kishte çuar në caktimin e një dëmshpërblimi, duke qenë se sistemi ligjor letonez njeh të drejtat e viktimave për të ngritur pretendime civile në procedura penale dhe për të kërkuar kompensim për dëme të shkaktuara si rezultat i një krimi (shih paragrafët54 dhe 55 lart). Në rrethana të tilla, nuk ka asgjë që sugjeron se kërkuesja do të kishte mundur ligjërisht të priste që zgjidhja e ligjit penal nuk do të ishte zgjidhje efektive në rastin e saj.
86. Gjykata është e mendimit që kërkueses nuk i është kërkuar të paraqiste në gjykatat civile një kërkesë të ndarë shtesë për kompensim, e cila gjithashtu do t’i kishte dhënë shkas gjetjes që marrja e organeve të burrit të saj ishte kryer në kundërshtim me procedurën vendase dhe që të drejtat e saj si familjarja më e afërt ishin shkelur (shih po ashtu Sergiyenko kundër Ukrainës, nr. 47690/07, §§ 40-43, 19 prill 2012; Arskaya kundër Ukrainës, nr. 45076/05, §§ 75-81, 5 dhjetor 2013; dhe Valeriy Fuklev kundër Ukrainës, nr. 6318/03, §§ 77-83, 16 janar 2014, ku kërkuesve nuk iu kërkua të ngrinin pretendime të ndara civile për akuzën për praktikë mjekësore të gabuar). Gjykata arrin në përfundimin që kërkuesja i ka shfrytëzuar zgjidhjet vendase në dispozicion duke ndjekur rrugën e ligjit penal.
87. Nën dritën e përfundimit të mësipërm, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të adresojë argumentin e Qeverisë që shqyrtimi nga MADEKKI ka qenë i nevojshëm për fillimin e procedurës civile. As nuk e konsideron të nevojshme të adresojë argumentin e kërkueses që pretendimi i saj sipas Ligjit të Procedurës Administrative dhe Ligjit për Kompensimin e Dëmit të shkaktuar nga Autoritetet Publike është penguar nga afatet kohore ose që kërkesa e saj sipas Ligjit Penal ishte e destinuar të dështonte.
(ii) (b) Zbatueshmëria
88. Gjykata shënon që, ndërkohë që Qeveria nuk e pranoi që ankesa e kërkueses kishte të bënte me “jetën familjare”, ajo nuk e kontestoi që ajo hynte brenda kuadrit të “jetës private” sipas Nenit 8 të Konventës.
89. Gjykata përsërit që konceptet e jetës private dhe asaj familjare janë terma të gjera që nuk i nënshtrohen një përkufizimi shterues (shih Hadri-Vionnet kundër Zvicrës, nr. 55525/00, § 51, 14 shkurt 2008). Në çështjen e Pannullo dhe Forte kundër Francës (nr. 37794/97, § 36, ECHR 2001-X), Gjykata e konsideroi vonesën e tepruar të autoriteteve franceze për të kthyer e trupin e fëmijës së tyre pas autopsisë ndërhyrje në jetën private dhe familjare të kërkuesve. Ajo gjithashtu është shprehur që refuzimi i autoriteteve hetimore për të kthyer trupat e personave të vdekur tek të afërmit e tyre përbënte ndërhyrje në jetën private dhe familjare të kërkuesve (shih Sabanchiyeva dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 38450/05, § 123, ECHR 2013 (pjesë të shkëputura) dhe Maskhadova dhetë Tjerë kundër Rusisë, nr. 18071/05, § 212, 6 qershor 2013). Megjithatë, ajo çështje nuk ngrihet në rastin konkret dhe një ankesë e tillë nuk është bërë. Gjykata shënon që nuk ka diskutim mes palëve që e drejta e kërkueses – e vendosur sipas ligjit vendas – për të shprehur pëlqimin ose refuzimin në lidhje me marrje e indeve të burrit të saj hyn brenda fushëveprimit të Nenit 8 të Konventës për aq sa i përket jetës private. Gjykata nuk sheh arsye për të vendosur ndryshe dhe kështu konsideron që ky Nen është i zbatueshëm në rrethanat e çështjes në fjalë.
(iii) (c) Përfundim
90. Gjykata shënon që ankesa e kërkueses – për sa i përket marrjes së indeve të burrit të saj të vdekur pa pëlqimin e saj – nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të Nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Më tej, ajo shënon që ajo nuk është e papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Prandaj, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
Section 3.03 C. Themelet
(a) 1. Parashtrimet e Palëve
91. Kërkuesja konsideroi që marrja e indeve të burrit të saj pa pëlqimin e saj ka përbërë ndërhyrje në jetën e saj private. Ajo diskutoi që ajo ishte ndaluar nga të shprehurit e dëshirave të saj rreth marrjes së indeve nga trupi i burrit të saj të vdekur. Ajo as që ishte informuar në lidhje me këtë fakt ndërhyrës. Gjithashtu kërkuesja parashtroi që eksperti nuk mund të kishte verifikuar ekzistencën e ndonjë vule në pasaportën e burrit të saj sepse pasaporta kishte qenë në shtëpinë e tyre në Sigulda, pra eksperti nuk e kishte pasur atë në dispozicion.
92. Pikësëpari, duke u mbështetur në Hokkanen kundër Finlandës (23 shtator 1994, § 55, Seria A nr. 299‑A), kërkuesja diskutoi që ndërhyrja nuk kishte qenë në përputhje me ligjin dhe nuk kishte pasur qëllime legjitime. Kërkuesja iu referua seksioneve 4 dhe 11 të Ligjit dhe diskutoi që në vitin 2001 në Letoni kishte qenë në veprim sistemi i "pëlqimit të shprehur". Kërkuesja ishte e mendimit që ekspertët duhet të kishin pyetur nëse familjarët më të afërt kishin qenë dakord ose e kishin kundërshtuar marrjen e indeve dhe që ata kishin pasur për obligim ta bënin këtë në pajtim me dispozitat e lartpërmendura. Ajo diskutoi që qëllimi i Ligjit ishte të mbronte trupin e një personi të vdekur dhe që ishte e nevojshme që ky qëllim të merrej parasysh gjatë interpretimit të dispozitave të tij. Në lidhje me këtë ajo po ashtu iu referua materialeve ndërkombëtare (shih paragrafin 37 lart). Së fundi, ndryshimet e vitit 2004 në Ligj tregonin se më përpara sistemi i "pëlqimit të shprehur" kishte mbizotëruar. Diskutimi lidhur me sistemet e pëlqimit "të shprehur" dhe "të presupozuar" në Letoni kishin filluar vetëm rreth kohës së hapjes së hetimeve penale në rastin konkret. Si rezultat, ndryshimet legjislative substanciale ishin miratuar në Parlament në vitin 2004 (shih paragrafin 50 lart). Kërkuesja parashtroi që edhe pas këtyre ndryshimeve dispozitat ligjore nuk ishin të qarta sa duhej, por teksti i tyre kishte ndryshuar për të vendosur sistemin e "pëlqimit të presupozuar".
93. Më tej kërkuesja diskutoi që e drejta vendase nuk ishte e parashikueshme në zbatueshmërinë e saj sepse ajo nuk ofronte mundësinë që të afërmit ta kundërshtonin marrjen e indeve. Ajo iu referua gjetjeve të ndryshme nga autoritetet vendase që dispozitat ligjore ishin të paqarta (shih, për shembull, paragrafin 28 lart) dhe shënoi që shumë prokurorë kishin konsideruar që Ligji vërtet ishte shkelur (shih, për shembull, paragrafët 22, 24 dhe 28 lart). Kërkuesja konsideroi që ekspertët kishin shfrytëzuar mungesën e qartësisë për qëllimet e tyre dhe kishin nxjerrë përfitime financiare. Kërkuesja përfundoi duke thënë se marrja e indeve nga trupi i burrit të saj nuk ishte kryer në përputhje me ligjin.
94. Së dyti, kërkuesja konsideroi që "shpëtimi i jetëve të të tjerëve" nuk mund të përbënte qëllim legjitim për marrjen e indeve pa pëlqim. Dhe, së treti, ajo diskutoi që Qeveria nuk e kishte vërtetuar mjaftueshëm që një gjë e tillë ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
95. Qeveria u shpreh se ndërhyrja në jetën private të kërkueses për shkak të marrjes së indeve të burrit të saj pa pëlqimin paraprak të burrit të saj ose të asaj vetë ishte zhvilluar në përputhje me kriteret e caktuara në Nenin 8 § 2.
96. Së pari, Qeveria diskutoi që marrja e indeve ishte kryer në përputhje me ligjin vendas. Ajo vuri në pah që Gjykata – në qoftë se refuzonte argumentin e saj të mos shterimit lidhur me rekursin në Gjykatën Kushtetuese – do të duhej të procedonte duke u bazuar në supozimin që ligji vendas ishte në pajtim me standardet e vendosura në Nenin 8 të Konventës.
97. Ajo iu referua paragrafit 3 të Rregullores nr. 431 (1996) dhe seksioneve 4 dhe 11 të Ligjit dhe diskutoi që marrja e indeve ishte kryer në përputhje me ligjin vendas. Nuk kishte qenë i nevojshëm pëlqimi paraprak, as nuk kishte qenë e nevojshme të kërkohej leje nga familjarët më të afërt të personit të vdekur. Nuk kishte qenë e paligjshme të procedohej me marrjen e indeve pa pëlqimin e personit të vdekur ose familjarëve më të afërt. Qeveria diskutoi që sipas seksioneve 4 dhe 11 të Ligjit ishte kërkuar vetëm "mungesa e çdo kundërshtimi nga personi i vdekur e shprehur para vdekjes ose mungesa e një kundërshtimi të shprehur [nga familjarët më të afërt] e deklaruar para marrjes së indeve". Kështu Qeveria diskutoi që në kohën materiale në Letoni kishte qenë në veprim sistemi i "pëlqimit të presupozuar". Ajo vuri në pah që sistemi i "pëlqimit të presupozuar" nuk ishte i ri dhe që Letonia nuk kishte qenë i vetmi vend që përdorte këtë sistem; ai gjithashtu vepronte edhe në njëmbëdhjetë Shtete të tjera.
98. Sipas Qeverisë, eksperti kishte verifikuar – para marrjes së indeve – që nuk kishte vulë në pasaportën e Z. Elberte që tregonte kundërshtimin e tij për të përdorur indet e tij trupore dhe kjo kinse ishte konstatuar në formën e një shkurtese (“zīm. nav”) në regjistër. Megjithatë, në kopjen e regjistrit të paraqitur në Gjykatë nuk mund të shihej asnjë shkurtesë e tillë e lexueshme.
99. Njëkohësisht, Qeveria njohu faktin që ligjet kombëtare nuk impononin asnjë detyrim tek një mjek për të bërë hulumtime të posaçme për të siguruar nëse kishte familjarë të afërt dhe për t’i informuar ata lidhur me marrjen e mundshme të indeve. Në lidhje me këtë, ajo iu referua vendimit të gjykatës në procedurën penale (shih paragrafin 28 lart).
100. Së dyti, Qeveria konsideroi që marrja e indeve ishte kryer me qëllim që të "shpëtonte dhe/ose të përmirësonte jetët e të tjerëve". Ajo iu referua vendimit të gjykatës në procedurën penale (shih paragrafin 28 lart), i cili kishte shënuar që "indet [janë] marrë në emër të humanizmit me qëllim të përmirësimit të shëndetit të të tjerëve dhe zgjatjes së jetës së tyre". Ajo gjithashtu iu referua Preambulës së Protokollit Shtesë mbi Transplantimin e Organeve dhe Indeve me Origjinë Njerëzore për të treguar se praktika e dhurimit të indeve dhe marrjes së indeve për qëllime transplantimi "kontribon në shpëtimin e jetëve ose në përmirësimin e madh të cilësisë së tyre" dhe që "transplantimi i [...] indeve është pjesë e zakonshme e shërbimeve shëndetësore që u ofrohen popullsisë". Qeveria përfundoi duke thënë që marrja e indeve kishte pasur qëllim legjitim – pra mbrojtjen e shëndetit dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
101. Së treti, Qeveria përsëriti që Shtetet gëzonin një hapësirë vlerësimi gjatë përcaktimit të masave që duhen marrë në përgjigje të nevojës shoqërore urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e të tjerëve. Qeveria u mbështet në Dudgeon dhe diskutoi që u takonte autoriteteve kombëtare të bënin vlerësimin fillestar të nevojës për secilin rast dhe që hapësira e vlerësimit u lihej atyre (Dudgeon kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, § 52, Seria A nr. 45). Marrja dhe transplantimi i indeve jepte kontribut në shpëtimin e jetëve dhe mund të përmirësonte dukshëm cilësinë e tyre. Kështu, ekzistonte "nevoja shoqërore urgjente" për dhurimin e indeve sepse transplantimi i indeve ishte bërë pjesë përbërëse e shërbimeve shëndetësore që i ofroheshin tërë popullit. Ajo përsëriti që indet e Z. Elberte ishin marrë për të përftuar material biologjik për qëllime transplantimi me anë të të cilit potencialisht mund të përmirësohej dhe/ose të shpëtoheshin jetët e të tjerëve.
102. Ishte kryesisht detyra dhe përgjegjësia e familjarit më të afërt të të vdekurit që të informonte personelin mjekësor me kohë rreth kundërshtimit të personit të vdekur për marrjen e indeve të tij/saj. Ligji vendas në atë kohë nuk e kishte penguar as Z. Elberts e as kërkuesen, si familjarja më e afërt e tij, që të shprehnin dëshirat e tyre në lidhje me marrjen e indeve. Ata mund ta kishin kundërshtuar dhurimin e indeve. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk e kishte bërë këtë para se të merreshin indet në përputhje me Ligjin. Qeveria arriti në përfundimin që ishte arritur një ekuilibër i drejtë mes "të drejtës së kërkueses për jetë private sipas Konventës ‒ meqenëse ligjet kombëtare parashikonin të drejtën e familjarëve më të afërt për të kundërshtuar marrjen e indeve të personit të vdekur para procedurës së marrjes (e cila nuk ishte ushtruar as nga Z. Elberte e as nga kërkuesja) ‒ dhe nevojës shoqërore urgjente për të siguruar bio-implante për transplantim të indeve si pjesë e shërbimeve shëndetësore që i ofrohen tërë popullsisë".
(b) 2. Vlerësimi i Gjykatës
(i) (a) Parimet të përgjithshme
103. Objekti thelbësor i Nenit 8 është të mbrojë individin kundër ndërhyrjes arbitrare nga autoritetet publike. Çdo ndërhyrje sipas paragrafit të parë të Nenit 8 duhet të arsyetohet në përputhje me paragrafin e dytë, pra si e tillë që është "në përputhje me ligjin" dhe "e nevojshme në një shoqëri demokratike" për një ose më shumë prej qëllimeve legjitime të renditura aty. Nocioni i nevojës nënkupton që ndërhyrja është e lidhur me një nevojë shoqërore urgjente dhe, në mënyrë të veçantë, që ajo është në proporcion me një prej qëllimeve legjitime të autoriteteve (shih A, B dhe C kundër Irlandës [GC], nr. 25579/05, §§ 218-241, 16 dhjetor 2010).
104. Gjykata i referohet interpretimit që i jepet frazës "në përputhje me ligjin" në praktikën e saj gjyqësore (siç përmblidhet në S. dhe Marper kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 30562/04 dhe nr. 30566/04, §§ 95-96, ECHR 2008). Me rëndësi të veçantë në rastin konkret është kërkesa që masa e kundërshtuar të ketë njëfarë baze në të drejtën vendase, e cila duhet të jetë e përputhshme me sundimin e ligjit, çka nënkupton se e drejta vendase duhet të jetë e formuluar me saktësi të mjaftueshme dhe duhet të ofrojë mbrojtjen e duhur ligjore kundër arbitraritetit. Rrjedhimisht e drejta vendase duhet të tregojë me saktësi të mjaftueshme fushëveprimin e diskrecionit që kanë autoritetet kompetente dhe mënyra e ushtrimit të tij (shih, më rishtazi, L. H. kundër Letonisë, cituar lart, § 47).
(ii) (b) Zbatimi në çështjen në fjalë
105. Për sa i përket ndërhyrjes së pretenduar, duke iu kthyer rrethanave të çështjes së tanishme, Gjykata shënon se pas aksidentit me makinë burri i kërkueses pësoi lëndime kërcënuese për jetën prej të cilave ai vdiq rrugës për në spital. Të nesërmen trupi i tij u transportua për në Qendrën e Mjekësisë Ligjore, ku u zhvillua autopsia. Më pas, u morr një pjesë e indeve të tij trupore dhe më vonë u dërgua në një kompani në Gjermani për t’u modifikuar në bio-implante; synimi ishte që të kthehej në Letoni për qëllime transplantimi. Kërkuesja, e cila ishte një prej familjarëve të tij më të afërt, nuk u informua në lidhje me këtë dhe nuk mundi të ushtronte të drejta të caktuara të vendosura me ligjin vendas ‒ pra të shprehte pëlqimin ose refuzimin në lidhje me marrjen e indeve të burrit të saj. Ajo mësoi për marrjen e indeve vetëm rreth dy vite më vonë, kur Policia e Sigurimit nisi hetime penale rreth marrjes së paligjshme të organeve dhe indeve mes viteve 1994 dhe 2003 dhe e kontaktoi atë.
106. Gjykata shënon që nuk është kontestuar që Qendra e Mjekësisë Ligjore ishte institucion publik dhe që veprimet ose mosveprimet e personelit mjekësor të saj, përfshirë ekspertët që kanë kryer marrjen e organeve dhe indeve, kanë qenë të aftë për angazhuar përgjegjësinë e Shtetit përgjegjës sipas Konventës (shih Glass kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61827/00, § 71, ECHR 2004‑II).
107. Gjykata konsideron që rrethanat e lartpërmendura janë të mjaftueshme që ajo të arrijë në përfundimin që ka pasur ndërhyrje në të drejtën e kërkueses për respekt të jetës private sipas Nenit 8 të Konventës.
108. Për sa i përket faktit nëse ndërhyrja ka qenë "në përputhje me ligjin", Gjykata vëren se ligji letonez në kohën materiale shprehimisht parashikonte të drejtën jo vetëm të personit të përfshirë por edhe të familjarëve të tij/saj më të afërt, përfshirë bashkëshortët, për të shprehur dëshirat e tyre në lidhje me marrjen e indeve pas vdekjes së atij personi (shih paragrafët 44 dhe 45 lart). Palët nuk e kontestuan këtë. Megjithatë, pikëpamjet e tyre dallonin për sa i përket ushtrimit të kësaj të drejte. Kërkuesja konsideroi që ekspertët ishin të detyruar të konstatonin dëshirat e familjarëve më të afërt. Qeveria diskutoi që thjesht mungesa e çfarëdo kundërshtimi ishte e gjitha ajo që duhej për të vazhduar me marrjen e indeve. Sipas mendimit të Gjykatës, këto çështje pasqyrojnë cilësinë e të drejtës vendase, posaçërisht çështjen nëse legjislacioni vendas është hartuar me saktësinë e duhur dhe ofron mbrojtjen e duhur ligjore kundër arbitraritetit në mungesë të rregulloreve administrative përkatëse.
109. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se mospajtimi kryesor mes palëve është nëse ligji ‒ i cili në parim u ofronte familjarëve më të afërt të drejtën për të shprehur pëlqimin ose refuzimin në lidhje me marrjen e indeve ‒ ishte mjaftueshëm i qartë dhe i parashikueshëm në zbatimin e tij për sa i përket ushtrimit të kësaj të drejte. Kërkuesja diskutoi që ajo si familjarja më e afërt nuk kishte mundësi ta kundërshtonte marrjen e indeve, por Qeveria ishte e mendimit që ajo mund ta kishte ushtruar sidoqoftë atë të drejtë meqenëse asgjë nuk e kishte penguar atë nga shprehja e dëshirave të saj ose kundërshtimit të saj.
110. Megjithatë, Gjykata përsërit që aty ku legjislacioni kombëtar është problematik nuk është detyra e Gjykatës të shqyrtojë legjislacionin relevant të përmbledhur. Përndryshe, ajo duhet të kufizohet, për aq sa është e mundur, në shqyrtimin e çështjeve të ngritura në çështjen para saj (shih Taxquet kundër Belgjikës [GC], nr. 926/05, § 83 in fine, ECHR 2010). Gjykata vëren se palët diskutuan gjatë rreth faktit nëse ishte sistemi i "pëlqimit të shprehur" apo ai i "pëlqimit të presupozuar" ai që kishte qenë në veprim në Letoni në kohën materiale (shih gjithashtu mendimet e ndara të ekspertëve dhe hetuesve në paragrafin 18 lart). Sidoqoftë, duhet të kihet parasysh që çështja para Gjykatës në rastin konkret nuk është pyetja e përgjithshme nëse Shteti përgjegjës duhet të parashikojë një sistem të caktuar pëlqimi. Çështja në fakt qëndron tek e drejta e kërkueses për të shprehur dëshirat në lidhje me marrjen e indeve të burrit të saj pas vdekjes së tij dhe dështimi i pretenduar i autoriteteve për të siguruar kushtet ligjore dhe praktike për ushtrimin e asaj të drejte.
111. Pika fillestare për analizën e Gjykatës është fakti që kërkuesja nuk është informuar në lidhje me marrjen e indeve të burrit të saj kur është kryer ky veprim. Autoritetet vendase konstatuan që ishte praktikë e zakonshme në atë kohë që ekspertët në Qendrën e Mjekësisë Ligjore të cilët kryenin këto marrje që të mos përpiqeshin të kontaktonin të afërmit e personave të vdekur (paragrafi 16 lart); gjithashtu kishte prova që, edhe kur ekspertët kishin kontakte me të afërmit, ata as i informonin të afërmit për marrjen e indeve që do të kryhej e as nuk kërkonin pëlqimin e tyre (paragrafi 27 lart).
112. Për sa i përket faktit nëse ligji vendas ishte i formuluar me saktësi të mjaftueshme, Gjykata vëren se vetë autoritetet vendase kishin pikëpamje kundërthënëse për sa u përket fushëveprimit të detyrimeve të ngërthyera në ligjin kombëtar. Nga njëra anë, ndërkohë që Policia e Sigurimit konsideronte që marrja e indeve lejohej vetëm me pëlqimin e shprehur paraprak dhe që mungesa e tij e bënte marrjen të paligjshme, ajo njëkohësisht e pranonte ‒ duke iu referuar pikëpamjeve të ekspertëve ‒ që interpretime të ndryshme të ligjit vendas ishin të mundura, duke e bërë kështu të pamundur të arrihej tek dënimi (paragrafët 18 dhe 20 lart). Nga ana tjetër, prokurorë të ndryshëm mbikëqyrës arritën në përfundimin që duke marrë inde pa pëlqimin e shprehur paraprak ekspertët kishin shkelur ligjin dhe duhet të mbaheshin penalisht përgjegjës (paragrafët 22, 24 dhe 25 lart). Eventualisht, Policia e Sigurimit e pranoi interpretimin e ligjit vendas nga prokurorët dhe gjeti që të drejtat e familjarëve më të afërt, përfshirë ato të kërkueses, ishin shkelur. Megjithatë, hetimet penale ndërkohë kishin hyrë brenda kufizimit të afatit kohor (paragrafi 27 lart). Së fundi, një gjykatë vendase, ndërkohë që e pranoi që familjarët më të afërt kishin të drejtë të shprehnin pëlqimin ose refuzimin në lidhje me marrjen e indeve, e rrëzoi pikëpamjen e palës së akuzës dhe gjeti që ligji vendas nuk impononte detyrimin që ekspertët të informonin familjarët më të afërt dhe t’ua shpjegonte të drejtat e tyre. Ekspertët nuk mund të dënoheshin për shkeljen e një detyrimi i cili nuk ishte qartë i përkufizuar në ligj (paragrafi 28 lart).
113. Gjykata konsideron që një mospajtim i tillë në lidhje me fushëveprimin e ligjit të zbatueshëm mes vetë autoriteteve përgjegjëse për ekzekutimin e tij tregon në mënyrë të pashmangshme mungesë qartësie të mjaftueshme. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet gjetjes së gjykatës vendase që, megjithëse seksioni 4 i Ligjit parashikonte të drejtën e familjarëve më të afërt për të refuzuar marrjen e organeve dhe/ose indeve të personit të vdekur, ai nuk caktonte detyrimin që ekspertët t’ua shpjegonin këto të drejta familjarëve (shih paragrafin 28 lart). Qeveria gjithashtu u mbështet në këtë deklaratë për të argumentuar që marrja e indeve nuk kishte qenë e paligjshme (shih paragrafët 97 dhe 99 lart). Kjo i lejon Gjykatës të konkludojë që, megjithëse ligji letonez përcaktonte kornizën ligjore që i lejonte familjarëve të shprehnin pëlqimin ose refuzimin për marrjen e indeve, ai nuk përcaktonte qartë fushëveprimin e detyrimit korrespondues ose hapësirën e diskrecionit që kishin ekspertët ose autoritetet e tjera në këtë aspekt. Gjykata shënon në këtë pikë që dokumentet relevante evropiane dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje i japin rëndësi të veçantë parimit që duhet të konstatohen dëshirat e familjarëve përmes hulumtimeve të arsyeshme (shih paragrafin 34 et seq. lart). Më saktë, siç shënohet në Raportin Shpjegues të Protokollit Shtesë, për çfarëdo sistemi që zgjedh një Shtet ‒ qoftë ai i "pëlqimit të shprehur" apo ai i "pëlqimit të presupozuar" ‒ duhet të përcaktohen njëkohësisht edhe procedurat dhe regjistrat e duhur. Në qoftë se dëshirat e të vdekurit nuk janë përcaktuar mirë, duhet të kontaktohen të afërmit për të marrë deklaratë para marrjes së indeve (shih, në mënyrë të veçantë, komentarin e Nenit 17 të Protokollit Shtesë, paragrafi 37 lart).
114. Më tej, Gjykata përsërit që parimi i ligjshmërisë kërkon që Shtetet jo vetëm të respektojnë dhe të zbatojnë, në mënyrë të parashikueshme dhe të arsyeshme, ligjet që kanë miratuar, por gjithashtu, si element i nevojshëm, të sigurojnë kushtet ligjore dhe praktike për zbatimin e tyre (shih mutatis mutandis Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, §§ 147 dhe 184, ECHR 2004‑V). Pas vdekjes së burrit të kërkueses më 19 maj 2001, një ekspert nga Qendra e Mjekësisë Ligjore u autorizua të merrte indet e tij trupore brenda njëzet e katër orësh pas verifikimit që pasaporta e tij nuk përmbante një vulë të veçantë që tregonte kundërshtim (paragrafi 16 lart). Megjithatë, duket se në kohën materiale nuk kishte regjistër të përgjithshëm të vulave në pasaporta për të treguar refuzimin ose pëlqimin për përdorimin e trupit të mbajtësit të pasaportës pas vdekjes (bëj krahasimin me situatën pas ndryshimeve legjislative në fuqi prej 1 janarit 2002 dhe përfshirjen e këtij informacioni në Regjistrin e Popullsisë të përshkruar në Petrova, cituar lart,§ 35). Më tej, duket se nuk kishte procedura që duhet të ndiqeshin nga institucionet dhe ekspertët shtetërorë për të kërkuar dhe marrë këtë informacion. Qeveria diskutoi që ekspertët e kishin kontrolluar fizikisht pasaportën e Z. Elberte para marrjes së indeve, por kërkuesja pretendoi që pasaporta e burrit të saj ishte në shtëpi. Prandaj, procedura e ndjekur nga eksperti për të verifikuar informacionin në pasaportën e saj mbetet e paqartë. Pavarësisht nëse eksperti e ka kontrolluar pasaportën e Z. Elberte apo jo, mbetet e paqartë se si vepronte në praktikë sistemi i pëlqimit, ashtu siç ishte i vendosur në Letoni në kohën materiale, në rrethanat në të cilat kërkuesja ishte gjendur, ku ajo kishte të drejta të caktuara si familjarja më e afërt por nuk ishte informuar, e aq më pak i ishte shpjeguar, se si dhe kur mund të ushtroheshin këto të drejta.
115. Për sa i përket faktit nëse ligji vendas kishte ofruar mbrojtje ligjore kundër arbitraritetit, Gjykata shënon që marrja e indeve në rastin konkret nuk ishte veprim i izoluar siç citohet në çështjen e lartpërmendur Petrova, por ishte kryer në përputhje me një marrëveshje të miratuar nga Shteti me një kompani farmaceutike jashtë shtetit; marrjet ishin bërë nga një numër i madh personash (paragrafët 13, 14 dhe 26 lart). Në këto rrethana, është edhe më e rëndësishme që të ngrihen mekanizma të përshtatshme për të ekuilibruar hapësirën e gjerë të diskrecionit që u jepet ekspertëve për të zhvilluar marrjet me iniciativën e tyre (paragrafi 15), por një gjë e tillë nuk është bërë (shih gjithashtu materialet ndërkombëtare të cituara në paragrafin 34 et seq. lart). Në përgjigje të argumentit të Qeverisë që kërkuesen nuk e kishte penguar asgjë nga të shprehurit e dëshirave të saj në lidhje me marrjen e indeve, Gjykata vëren mungesën e rregulloreve administrative ose ligjore në lidhje me këtë. Rrjedhimisht, kërkuesja e ka pasur të pamundur të parashikonte se çfarë pritej prej saj në qoftë se dëshironte ta ushtronte atë të drejtë.
116. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata nuk mund të gjejë që ligji letonez është i formuluar me saktësi të mjaftueshme ose që ofron mbrojtjen e duhur ligjore kundër arbitraritetit.
117. Kështu, Gjykata arrin në përfundimin që ndërhyrja tek e drejta e kërkueses për respekt ndaj jetës së saj private nuk ka qenë në përputhje me ligjin brenda kuptimit të Nenit 8 § 2 të Konventës. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të Nenit 8. Duke marrë parasysh këtë përfundim, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të shqyrtojë përputhshmërinë me kriteret e tjera të Nenit 8 § 2 në këtë çështje (shih, për shembull, Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 76, Raporte të Vendimeve 1998‑II, dhe Heino kundër Finlandës, nr. 56720/09, § 49, 15 shkurt 2011).
Article IV. II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 3 TË KONVENTËS
118. Kërkuesja gjithashtu u ankua sipas Nenit 3 të Konventës rreth faktit që marrja e indeve të burrit të saj ishte kryer pa pëlqimin ose dijeninë e saj paraprake dhe që ajo ishte detyruar ta varroste atë me këmbët e lidhura së bashku.
119. Në Nenin 3 të Konventës thuhet si vijon:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese."
120. Qeveria e kontestoi atë argument.
Section 4.01 A. Pranueshmëria
121. Qeveria ngriti të njëjtat kundërshtime paraprake në lidhje me mos shterimin e zgjidhjeve vendase siç u përmend më lart dhe kërkuesja nuk qe dakord (paragrafët 69-77 lart). Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet vlerësimit të saj të mësipërm (paragrafët 78-87 lart) dhe e konsideron atë të zbatueshëm sipas këtij titulli.
122. Më tej, Qeveria iu referua një udhëzimi të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë (në fuqi deri më 1 janar 2002) në lidhje me procedurën e ekzaminimeve mjeko-ligjore post mortem dhe Ligjit mbi Rendin e Shqyrtimit të Kërkesave, Ankesave dhe Sugjerimeve nga Institucionet Shtetërore dhe Bashkiake (në fuqi deri më 1 janar 2008). Ajo diskutoi që kërkuesja mund të kishte bërë ankesë rreth gjendjes së trupit të burrit të saj të vdekur. Kërkuesja nuk qe dakord. Gjykata shënon që Qeveria nuk e saktësoi mënyrën në të cilën zgjidhja e propozuar mund të kishte ofruar zgjidhje për ankesën e kërkueses. Gjykata e konsideron të mjaftueshme që t’i referohet vlerësimit të saj të mësipërm për të thënë që rekursi i kërkueses drejt një zgjidhjeje sipas ligjit penal ka qenë i duhuri (paragrafi 85 lart). Gjykata këtu shton që kërkuesja po ashtu është ankuar për veprimet e përdhosjes së trupit të burrit të saj pas marrjes së indeve në procedurat penale lidhur me akuzat për marrjen e paligjshme të indeve. Prokurorët në dy shkallë i shqyrtuan ankesat e saj dhe i rrëzuan ato, duke vendosur që nuk kishte prova të përdhosjes (shih paragrafët 31-32). Prandaj, kundërshtimi i Qeverisë u rrëzua.
123. Qeveria diskutoi që kërkuesja kishte dështuar të vepronte në përputhje me afatin kohor gjashtëmujor, duke pasur parasysh që kërkuesja kishte mësuar për gjendjen e trupit të burrit të saj të vdekur më 26 maj 2001, ditën e funeralit të tij. Gjykata shënon, sidoqoftë, që në atë datë kërkuesja nuk ishte ende në dijeni të marrjes së indeve nga trupi i burrit të saj; ajo e mësoi këtë fakt vetëm pas dy vitesh kur filluan hetimet penale. Më pas ajo u bë palë në këto hetime. Prandaj, Gjykata e sheh vendimin përfundimtar në lidhje me ankesën e kërkueses si i tillë që është marrë më 23 tetor 2008, kur hetimet penale u ndërprenë me vendim të formës së prerë. Ajo e rrëzon kundërshtimin paraprak në këtë aspekt.
124. Qeveria, duke u mbështetur në Çakıcı kundër Turqisë ([GC], nr. 23657/94, § 98, ECHR 1999‑IV), diskutoi që kërkuesja nuk mund të konsiderohej viktimë sipas nenit 3 të Konventës meqenëse as ajo e as burri i sak nuk i ishin nënshtruar asnjëherë marrjes së indeve. Ajo gjithashtu diskutoi që, meqenëse kërkuesja nuk kishte bërë asnjëherë ankesë në nivel vendas për faktin që ishte detyruar ta varroste burrin e saj me këmbët e lidhura së bashku, ajo nuk mund të pretendonte të ishte viktimë para Gjykatës tani. Kërkuesja vuri në pah që Çakıcı ishte rast zhdukjeje, ndërsa ajo vetë i kishte parë eshtrat e burrit të saj para varrosjes dhe këmbët e tij kishin qenë të lidhura. Ajo ishte shokuar, por në të njëjtën kohë ajo nuk kishte qenë në dijeni të marrjes së indeve të tij. Gjykata konsideron që në rastin konkret pyetja nëse kërkuesja mund të konsiderohet viktimë është e lidhur ngusht me themelet e çështjes. Prandaj ajo duhet të lidhet me themelet.
125. Së fundi, Qeveria u shpreh që ankesa e kërkueses ishte ratione materiae e papërputhshme me dispozitat e Konventës. Qeveria diskutoi që vetëm cipa e jashtme (dura mater) ishte hequr. Ndërkohë që ajo diskutoi që marrja e indeve nga një person i vdekur pa pëlqimin ose dijeninë e familjarëve më të afërt të atij personi mundte që, në nivel individual dhe subjektiv, t’i jepte shkas shqetësimit, ajo nuk konsideroi që ‒ në vetvete ‒ kjo ngrinte çështje nga Neni 3 i Konventës. Qeveria parashtroi që kjo dispozita e fundit nuk parashikonte një detyrim të përgjithshëm për të marrë pëlqimin ose për të informuar familjarët më të afërt rreth marrjes së indeve. Qeveria konsideroi që ankesa e kërkueses hynte për shqyrtim vetëm brenda Nenit 8 të Konventës. Gjykata konsideron që në çështjen në fjalë çështja nëse ankesat e kërkueses hynin brenda fushëveprimit të Nenit 3 të Konventës është e lidhur ngusht me themelet e çështjes. Prandaj ajo duhet të lidhet me themelet.
126. Gjykata shënon që kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të Nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Më tej shënon që ajo nuk është e papranueshme mbi asnjë bazë, duke pasur parasysh çështjet që i janë bashkuar themeleve. Prandaj ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
Section 4.02 B. Themeli
(a) 1. Parashtrimet e Palëve
127. Kërkuesja parashtroi që niveli minimal i rreptësisë që kërkohej në mënyrë që të zbatohej Neni 3 i Konventës ishte arritur në rastin konkret. Ajo kishte qenë dëshmitare e gjendjes së trupit të burrit të saj ‒ me këmbët e lidhura ‒ pas marrjes së indeve. Ajo po ashtu kishte qenë shtatzënë me fëmijën e dytë në atë kohë. Kërkuesja konsideroi që marrja e paligjshme e indeve përbënte trajtim çnjerëzor dhe poshtërues i ndaluar me Nenin 3 të Konventës ‒ ai i kishte shkaktuar asaj shok dhe vuajtje. Në mbështetje të kësaj, ajo paraqiti një deklaratë me shkrim nga motra e saj, e cila deklaroi që e kishte parë trupin e Z. Elberte në Sigulda, pasi ishte transportuar nga Qendra e Mjekësisë Ligjore para funeralit, dhe që këmbët e tij kishin qenë të lidhura së bashku me letër ngjitëse të errët; ajo kishte supozuar se kjo ishte për shkak të aksidentit automobilistik.
128. Më tej, kërkuesja theksoi që gjatë tërë hetimeve penale asaj i ishte mohuar mundësia e gjetjes se cilat organe ose inde ishin marrë nga trupi i burrit të saj. Së pari, ajo kishte menduar se këmbët e tij ishin lidhur së bashku për të parandaluar pasojat e aksidentit me makinë. Më vonë, ajo kishte supozuar se ato kishin qenë të lidhura së bashku pas marrjes së indeve nga këmbët dhe për shkak se aty ishin futur materiale të tjera. Përfundimisht, kërkuesja arriti të zbulonte se cilat inde faktikisht ishin marrë nga trupi i burrit të saj vetëm kur mori vërejtjet e Qeverisë lidhur me çështjen në fjalë.
129. Kërkuesja, duke u mbështetur në Labita kundër Italisë ([GC], nr. 26772/95, § 131, ECHR 2000‑IV), diskutoi që nuk kishte pasur hetime efektive. Hetimet kishin zgjatur pesë vjet; ato ishin përfunduar për shkak të skadimit të afatit kohor statutor. Kërkuesja vuri në pah që ajo kishte bërë rreth 13 ankesa dhe që 4 vendime ishin prishur. Ajo konsideroi që hetimet nuk ishin kompletuar brenda një afati kohor të arsyeshëm dhe që ato ishin zgjatur pa nevojë. Kërkuesja, së bashku me viktima të tjera, ishin lënë pa zgjidhje dhe ekspertët nuk ishin dënuar.
130. Qeveria nguli këmbë që marrja e indeve ishte kryer në përputhje me ligjin vendas. Kërkuesja nuk kishte arritur të tregonte që marrja e indeve nga trupi i burrit të saj kishte përbërë trajtim çnjerëzor ose poshtërues. Duke iu referuar Selçuk dhe Asker kundër Turqisë (24 prill 1998, § 78, Raporte1998‑II), Qeveria diskutoi që kërkuesja nuk kishte arritur të tregonte "ankthin dhe vuajtjen" për shkak të marrjes së indeve pa pëlqimin e saj paraprak. Duke iu referuar Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar (18 janar 1978, § 167, Seria A nr. 25) ajo po ashtu diskutoi që kërkuesja nuk kishte arritur të demonstronte që ajo kishte "ndjenja frikë, ankthi dhe inferioriteti që janë në gjendje të poshtërojnë dhe të ulin". Qeveria përsëriti që nga trupi ishte marrë vetëm dura mater. Edhe sikur kërkuesja të kishte përjetuar një shkallë të caktuar vuajtjeje emocionale dhe shqetësimi për shkak të marrjes së indeve pa pëlqimin apo dijeninë e saj, çka ishte shoqëruar me vuajtjen dhe shqetësimin e brendshëm të humbjes së anëtarit të afërt të familjes, kjo nuk e arrinte nivelin minimal të rreptësisë që kërkohej në mënyrë që akti të hynte brenda fushëveprimit të Nenit 3 të Konventës. Qeveria gjithashtu diskutoi që gjatë autopsisë, edhe zemra ishte marrë nga trupi i burrit të kërkueses dhe që dura mater ishte dashur gjithsesi të merrej dhe të analizohej për të vlerësuar nëse kafka e tij ishte dëmtuar. Edhe kjo mund të thuhet se ka shkaktuar vuajtje emocionale, por nuk do ta arrinte nivelin minimal të rreptësisë që kërkohet për zbatimin e Nenit 3.
131. Qeveria vuri në pah se kërkuesja nuk kishte qenë e pranishme në Spitalin e Seguldas dhe që kishte qenë përgjegjësia e familjarëve më të afërt që të informonin personelin mjekësor në lidhje me vendndodhjen e tyre dhe t’i kontaktonin ata në qoftë se dëshironin ta kundërshtonin marrjen e indeve. Më tej, ajo theksoi se marrja kishte ndodhur në pajtim me marrëveshjen me kompaninë, që indet i ishin dërguar kompanisë për t’u modifikuar në bio-implante dhe më pas ishin kthyer në Letoni për qëllime transplantimi, dhe që qëllimi i kësaj kishte qenë përmirësimi dhe shpëtimi i jetëve të të tjerëve. Qeveria theksoi se marrja e indeve ishte kryer "shumë shpejt" dhe që edhe vonesa më e vogël do të kishte shkaktuar humbje të kohës së çmuar gjatë së cilës ishte e mundur marrja e indeve. Qeveria, duke u mbështetur në faktin që gjatë kohës që kishte qenë në jetë burri i kërkueses nuk e kishte kundërshtuar marrjen e indeve as nuk ia kishte shprehur ndonjë pikëpamje të tillë kërkueses, diskutoi që ajo nuk mund të pretendonte se kjo ishte kryer në kundërshtim me dëshirat e tij ose të saj.
132. Qeveria më tej parashtroi që akuzat e kërkueses që këmbët e burrit të saj të vdekur kishin qenë të lidhura së bashku ishin të rreme meqenëse ato nuk ishin vërtetuar nga prova të besueshme. Në parashtresën e saj, sipas informacionit të dhënë nga Qendra e Mjekësisë Ligjore, trupi i tij ishte pastruar, shpërlarë dhe ishte larë pas autopsisë. Ajo përsëriti që nuk ishte shënuar asnjë ankesë rreth gjendjes së trupit. Sipas raportit të autopsisë, këmbët e tij nuk ishin dëmtuar gjatë aksidentit me makinë. Në çështjen në fjalë, standardi i provës "përtej dyshimit të arsyeshëm" nuk ishte përmbushur sepse akuzat e kërkueses në lidhje me gjendjen e trupit të burrit të saj nuk ishin vërtetuar me asnjë provë.
(b) 2. Vlerësimi i Gjykatës
(i) (a) Parime të përgjithshme
133. Në çështjen e Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë ([GC], nr. 32541/08 dhe nr. 43441/08, §§ 113-118, 17korrik 2014) Gjykata së fundi ka përmbledhur parimet e zbatueshme si vijon:
“113. Siç ka deklaruar në mënyrë të përsëritur Gjykata, Neni 3 i Konventës përmban një nga vlerat më themelore të shoqërisë demokratike. Ai ndalon në mënyrë absolute torturën ose trajtimin apo dënimin çnjerëzor ose poshtërues, pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 119, ECHR 2000-IV).
114. Keqtrajtimi duhet të arrijë një nivel minimal rreptësie për të hyrë brenda fushëveprimit të Nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ; ai varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, siç është kohëzgjatja e trajtimit, pasojat e tij fizike dhe mendore dhe, në disa raste, nga gjinia, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih, për shembull, Jalloh kundër Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, § 67, ECHR 2006‑IX). Megjithëse pyetja nëse qëllimi i trajtimit ka qenë poshtërimi apo ulja e viktimës është faktor që duhet të merret parasysh, mungesa e çdo qëllimi të tillë nuk mund të përjashtojë në mënyrë konkluzive gjetjen e një shkeljeje të Nenit 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, V. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24888/94, § 71, ECHR 1999-IX).
115. Trajtimi konsiderohet të jetë "poshtërues" brenda kuptimit të Nenit 3 kur ai poshtëron ose ul një individ, duke treguar mungesë respekti, ose duke zvogëluar, dinjitetin e tij apo të saj njerëzor, ose kur krijon ndjenja frike, ankthi ose inferioriteti që janë në gjendje të thyejnë rezistencën morale dhe fizike të një individi (shih M.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë [GC], nr. 30696/09, § 220, ECHR 2011, dhe El-Masri kundër Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë [GC], nr. 39630/09, § 202, ECHR 2012). Natyra publike e trajtimit mund të jetë faktor relevant ose rëndues në vlerësimin nëse është "poshtërues" brenda kuptimit të Nenit 3 (shih, inter alia, Tyrer kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 32, Seria A nr. 26; Erdoğan Yağız kundër Turqisë, nr. 27473/02, § 37, 6 mars 2007; dhe Kummer kundër Republikës Çeke, nr. 32133/11, § 64, 25 korrik 2013).
116. Në mënyrë që trajtimi të jetë "poshtërues", vuajtja ose turpërimi i përfshirë duhet sidoqoftë të shkojnë përtej elementit të pashmangshëm të vuajtjes ose turpërimit të lidhur me forma të caktuara të trajtimit legjitim (shih V. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 71). ...
118. Respekti për dinjitetin njerëzor është pjesë e vetë thelbit të Konventës (shih Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar. nr. 2346/02, § 65, ECHR 2002‑III). Objekti dhe qëllimi i Konventës si mjet për mbrojtjen e qenieve njerëzore individuale kërkojnë që dispozitat e saj të interpretohen dhe të zbatohen në mënyrë të tillë që t’i bëjnë mbrojtjet e saj praktike dhe efektive. Çdo interpretim i të drejtave dhe lirive të garantuara duhet të jetë në përputhje me frymën e përgjithshme të Konventës, një instrument i hartuar për të ruajtur dhe çuar përpara idealet dhe vlerat e një shoqërie demokratike (shih Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 87, Seria A nr. 161).
134. Gjykata më tej shënon që gjatë vlerësimit të provave në lidhje me një pretendim për shkelje të Nenit 3 të Konventës, ajo i përmbahet standardit të provës "përtej dyshimit të arsyeshëm". Megjithatë, një provë e tillë mund të rrjedhë nga bashkekzistenca e nënkuptimeve mjaftueshëm të forta, të qarta dhe të përputhshme ose nga presupozime të ngjashme të pakontestuara fakti (shih Farbtuhs kundër Letonisë, nr. 4672/02, § 54, 2 dhjetor 2004,dhe Bazjaks kundër Letonisë, nr. 71572/01, § 74, 19 tetor 2010).
(ii) (b) Zbatimi në çështjen në fjalë
135. Duke iu kthyer rrethanave të çështjes në fjalë, Gjykata vëren që kërkuesja ka pretenduar se ka pasur vuajtje emocionale për shkak të faktit se marrja e indeve të burrit të saj ishte kryer në kundërshtim me ligjin vendas pa pëlqimin ose dijeninë e saj paraprake dhe që ajo ishte detyruar ta varroste burrin e saj me këmbët e tij të lidhura së bashku; Qeveria diskutoi që i pari i këtyre pretendimeve nuk e arrinte nivelin e rreptësisë që nevojitej për zbatimin e Nenit 3 të Konventës dhe që i dyti nuk ishte vërtetuar "përtej dyshimit të arsyeshëm".
136. Gjykata shënon që kërkuesja mësoi për marrjen e indeve dy vjet pasi kishte varrosur burrin e saj dhe që kaluan rreth pesë vjet para se të arriheshin përfundimet finale në lidhje me mundësinë e veprave penale në këtë aspekt. Kërkuesja pretendoi, dhe Qeveria nuk e mohoi, që gjatë krejt kësaj kohe ajo nuk ishte informuar se cilat organe apo inde ishin marrë nga trupi i vdekur i burrit të kërkueses; ajo e kishte mësuar këtë vetëm pasi kishte marrë vërejtjet e Qeverisë në çështjen në fjalë. Gjithashtu, kërkuesja kishte dhënë disa arsye për faktin që këmbët e burrit të saj kishin qenë të lidhura së bashku dhe parashtrimet e saj ishin vërtetuar më tej përmes provave me shkrim nga një anëtar i familjes. Duke marrë parasysh këto fakte kërkuesja, si familjarja më e afërt e burrit të saj, mund të ketë pësuar vuajtje emocionale.
137. Detyra e Gjykatës është të sigurohet nëse për sa u përket rrethanave të veçanta të çështjes vuajtja ka pasur një dimension të tillë që ka mundësinë ta sjellë atë brenda fushëveprimit të Nenit 3 të Konventës. Gjykata nuk e ka vënë asnjëherë në pyetje gjatë praktikës së saj gjyqësore efektin e thellë psikologjik të një shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut tek anëtarët e familjes së viktimës. Megjithatë, në mënyrë që të gjendet një shkelje e Nenit 3 të Konventës në lidhje me anëtarët e familjes së viktimës, duhet të ekzistojnë faktorë të caktuar që i japin vuajtjes së tyre një dimension dhe karakter të dallueshëm nga shqetësimi emocional që rrjedh në mënyrë të pashmangshme nga vetë shkelja e lartpërmendur (shih Salakhov dhe Islyamova kundër Ukrainës, nr. 28005/08, § 199, 14 mars 2013). Elementet relevante përfshijnë afërsinë e lidhjes familjare dhe mënyrën se si autoritetet u janë përgjigjur kërkimeve të familjarëve (shih, për shembull, Çakıcı, cituar lart, § 98, ku ky parim është zbatuar në kontekstin e zhdukjes së imponuar; Mubilanzila Mayeka dhe Kaniki Mitunga kundër Belgjikës, nr. 13178/03, § 61, 12 tetor 2006, ku Gjykata u mbështet më tej në këtë parim gjatë shqyrtimit të ankesës së një nëne rreth vuajtjes për shkak të burgosjes së vajzës së saj pesëvjeçare në një shtet tjetër; dhe M.P. dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, nr. 22457/08, §§ 122-124, 15 nëntor 2011, ku ankesa përkatëse kishte të bënte me vuajtjen e të afërmve të një fëmije të abuzuar). Në çështjet e cituara Gjykata i ka dhënë peshë lidhjes mes prindit dhe fëmijës. Ajo është shprehur se thelbi i një shkeljeje qëndronte tek reagimet dhe sjelljet e autoriteteve kur situata sillet në vëmendje të tyre (shih Salakhov dhe Islyamova, cituar lart, § 200). Konsiderata të tilla mund të thuhet se janë të zbatueshme në çështjen në fjalë, ku përfshihen kërkuesja dhe burri i saj i vdekur.
138. Gjykata do ta dallonte çështjen e tanishme nga çështjet e sjella para Gjykatës nga familjarët e viktimave të "zhdukjeve" ose vrasjeve jashtëgjyqësore të kryera nga forcat e sigurisë (shih, për shembull, Luluyev dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 69480/01, §§ 116-118, ECHR 2006‑XIII (pjesë të shkëputura)) dhe çështjet ku njerëzit janë vrarë nga veprime të autoriteteve në kundërshtim me Nenin 2 të Konventës (shih, për shembull, Esmukhambetov dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 23445/03, §§ 138-151 dhe 190, 29 mars 2011). Në çështjen e tanishme nuk ka tregues që sugjerojnë gjymtimin e trupit (shih Akkum dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 21894/93, §§ 258-259, ECHR 2005‑II (pjesë të shkëputura),dhe Akpınar dhe Altun kundër Turqisë, nr. 56760/00, §§ 84-87, 27 shkurt 2007) as që kufoma ka qenë e copëtuar dhe me kokë të prerë (shih Khadzhialiyev dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 3013/04, §§ 120-122, 6 nëntor 2008).
139. Ndërkohë që nuk mund të thuhet që kërkuesja ka vuajtur nga ndonjë pasiguri e zgjatur lidhur me fatin e burrit të saj, Gjykata gjen që kërkueses i është dashur të përballet me një periudhë të gjatë pasigurie, ankthi dhe shqetësimi në lidhje me organet apo indet që ishin marrë nga trupi i burrit të saj, dhe në çfarë mënyre dhe për çfarë qëllimi ishte bërë kjo. Në këtë kontekst, argumenti i Qeverisë që ishte marrë vetëm dura mater nuk ka rëndësi këtu. Sido që të jetë, kërkuesja e zbuloi këtë vetëm gjatë procedurës para Gjykatës. Në kohën e ngjarjeve, kërkuesja nuk kishte arsye të vinte në pyetje aktivitetet e zhvilluara në Qendrën e Mjekësisë Ligjore, meqenëse trupi i burrit të saj ishte dërguar atje për të konstatuar shkakun e vdekjes. Më pas nisën hetimet penale në lidhje me ligjshmërinë e marrjes së indeve në Qendrën e Mjekësisë Ligjore dhe u zbulua që inde ishin marrë jo vetëm nga trupi i burrit të saj por edhe nga qindra persona të tjerë (afro 500 njerëz në vetëm 3 vjet, për shembull) gjatë një periudhe kohore prej rreth nëntë vitesh (shih paragrafët 13-33 lart). Gjithashtu u konstatua që marrjet ishin kryer sipas një marrëveshjeje të miratuar nga Shteti me kompaninë farmaceutike jashtë vendit. Kjo skemë ishte zbatuar nga zyrtarët shtetërorë– ekspertët mjeko-ligjorë – të cilët përveç detyrave të tyre të zakonshme të kryerjes së ekzaminimeve mjeko-ligjore kishin zhvilluar edhe marrje me iniciativën e vet (shih paragrafin 15 lart). Këto janë faktorë të veçantë të cilët i kanë shkaktuar kërkueses vuajtje të mëtejshme.
140. Gjykata konsideron që vuajtja e kërkueses ka pasur një dimension dhe karakter që kanë shkuar përtej vuajtjes së shkaktuar nga pikëllimi që vjen nga vdekja e një anëtari të afërt të familjes. Gjykata tashmë ka gjetur shkelje të Nenit 8 të Konventës sepse, si familjarja më e afërt, kërkuesja ka pasur të drejtë të shprehë pëlqimin ose refuzimin e saj në lidhje me marrjen e indeve por që detyrimi korrespondues ose hapësira përkatëse e diskrecionit nga ana e autoriteteve vendase nuk është përcaktuar qartë nga ligji letonez dhe që nuk ka pasur rregullore administrative ose ligjore për këtë qëllim (shih paragrafët 109-116 lart). Ndërkohë që ka dallime të konsiderueshme mes çështjes së tanishme dhe çështjes së lartpërmendur Petrova për sa i përket shkallës dhe madhësisë së marrjeve të organeve ose indeve, Gjykata sidoqoftë ka shënuar në të dyja çështjet disa mangësi strukturore të cilat kanë mbizotëruar në fushën e transplantimit të organeve dhe indeve në Letoni. Këto faktorë duhet të merren gjithashtu parasysh në kontekstin e Letonisë për sa i përket Nenit 3 të Konventës. Përveç kësaj, jo vetëm që nuk janë respektuar të drejtat e kërkueses si familjarja më e afërt, por ajo njëkohësisht është përballur me mendime kundërthënëse nga ana e autoriteteve vendase në lidhje me fushëveprimin e detyrimeve të ngërthyera në ligj. Më tej, ndërkohë që Policia e Sigurimit dhe prokurorë të ndryshëm kishin mosmarrëveshje rreth faktit nëse ligji vendas ishte mjaftueshëm i qartë për të lejuar një person të ndiqej penalisht mbi bazën e vetë atij ligji, të gjithë ata të gjithë konsideruan se marrja pa pëlqim ishte e paligjshme (shih paragrafët 18, 20, 22, 24-25 lart). Megjithatë, deri sa u zgjidh mosmarrëveshja e tyre ndjekja penale u pengua nga afati kohor (shih paragrafin 27 lart) dhe, sidoqoftë, gjykata vendase nuk do ta lejonte një ndjekje të tillë sepse ligji nuk ishte i qartë mjaftueshëm (shih paragrafin 28 lart). Faktet tregojnë mënyrën në të cilën autoritetet vendase i kanë trajtuar ankesat që janë sjellë në vëmendje të tyre dhe mospërfilljen e tyre karshi viktimave të këtyre veprimeve dhe të afërmve të tyre, përfshirë kërkuesen. Këto rrethana i kontribuojnë ndjenjës së pamundësisë për ndihmë tek kërkuesja në kushtet e shkeljes së të drejtës së saj personale lidhur me një aspekt shumë të ndjeshëm të jetës së saj private, pra dhënia e pëlqimit ose refuzimit për marrjen e indeve, dhe u ndërlidhën me pamundësinë e arritjes së një zgjidhjeje.
141. Vuajtja e kërkueses u rëndua më tej nga fakti që ajo nuk u informua se çfarë saktësisht ishte bërë në Qendrën e Mjekësisë Ligjore. Ajo nuk u informua rreth marrjes së indeve dhe, pasi zbuloi që këmbët e burrit të saj ishin të lidhura së bashku ditën e varrimit, ajo supozoi se ishte pasojë e aksidentit. Pas dy vitesh ajo u informua rreth hetimeve penale në vazhdim dhe rreth veprimeve me gjasë të paligjshme të kryera mbi trupin e burrit të saj. Është e qartë që në këtë pikë kërkuesja ka përjetuar ankth të veçantë dhe ka kuptuar që burri i saj mund të ishte varrosur me këmbët e lidhura së bashku si pasojë e veprimeve që janë kryer mbi trupin e tij në Qendrën e Mjekësisë Ligjore. Argumenti i Qeverisë që kjo nuk u vërtetua "përtej dyshimit të arsyeshëm" është pa vend, sepse ankesat e kërkueses kanë të bëjnë me ankthin e ardhur pikërisht si rezultat i asaj pasigurie lidhur me veprimet e kryera në Qendrën e Mjekësisë Ligjore mbi trupin e burrit të saj të vdekur.
142. Në fushën e veçantë të transplantimit të organeve dhe indeve është njohur fakti që trupi i njeriut duhet të trajtohet me respekt edhe pas vdekjes. Në fakt, paktet ndërkombëtare përfshirë Konventën për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë dhe Protokolli Shtesë, siç shënohet në Raportin Shpjegues për këtë të fundit, janë hartuar për të mbrojtur të drejtat e dhuruesve të organeve dhe indeve, të vdekur apo të gjallë. Objekti i këtyre pakteve është të mbrojë dinjitetin, identitetin dhe integritetin e "secilit" që është lindur, pavarësisht nëse tani është i gjallë apo i vdekur (shih paragrafin 37 lart). Siç citohet në paragrafin 133 lart, respekti për dinjitetin njerëzor formon pjesë të vetë thelbit të Konventës; trajtimi konsiderohet "degradues" brenda kuptimit të Nenit 3 të Konventës inter alia kur ai e poshtëron një individ, duke treguar mungesë respekti për dinjitetin njerëzor. Vuajtja e kërkueses është shkaktuar jo vetëm nga shkelja e të drejtave të saj si familjarja më e afërt dhe pasiguria vijuese mbi atë që ishte bërë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por edhe nga natyra e ndërfutur e veprimeve të kryera mbi trupin e burrit të saj të vdekur dhe ankthi që ajo kishte vuajtur për të si familjarja më e afërt.
143. Në këto rrethana të veçanta, kundërshtimet e Qeverisë që ankesa e kërkueses nuk hyn brenda fushëveprimit të Nenit 3 të Konventës dhe që ajo nuk mund të konsiderohet viktimë në atë aspekt rrëzohen. Gjykata nuk ka dyshim që vuajtja e shkaktuar kërkueses në çështjen në fjalë ka përbërë trajtim degradues në kundërshtim me Nenin 3 të Konventës. Rrjedhimisht, ajo gjen shkelje të asaj dispozite.
Article V. III. SHKELJE TË TJERA TË PRETENDUARA TË KONVENTËS
144. Së fundi, kërkuesja u mbështet në Nenin 13 të Konventës në lidhje me faktin që kishte disa interpretime të mundshme të ligjit vendas.
145. Qeveria e kontestoi atë argument.
146. Gjykata, megjithatë, shënon që kjo ankesë është e lidhur me ankesën e shqyrtuar më lart nga Neni 8 i Konventës dhe prandaj duhet të deklarohet po ashtu e pranueshme.
147. Megjithatë, Gjykata konsideron që ajo tashmë e ka shqyrtuar mungesën e qartësisë së ligjit vendas sipas Nenit 8 të Konventës lart. Rrjedhimisht, ajo nuk e konsideron të nevojshme ta shqyrtojë këtë ankesë ndaras sipas Nenit 13 të Konventës.
Article VI. IV. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
148. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar."
Section 6.01 A. Dëmshpërblimi
149. Kërkuesja pretendoi 40.000 euro (EUR) në lidhje me dëme jo materiale.
150. Qeveria diskutoi që kërkuesja nuk kishte treguar mjaftueshëm që ajo kishte pësuar dëme jo materiale në shkallën e pretenduar dhe e vlerësoi shumën e pretenduar nga kërkuesja jashtë mase të tepruar. Duke iu referuar çështjes Shannon kundër Letonisë (nr. 32214/03, § 84, 24 nëntor 2009), Qeveria konsideroi që gjetja e një shkeljeje të vetme do të përbënte kompensim të duhur dhe të mjaftueshëm.
151. Duke pasur parasysh natyrën e shkeljeve të gjetura në çështjen në fjalë dhe duke vendosur mbi baza të barabarta, Gjykata i akordon kërkueses 16.000 euro në lidhje me dëme jo materiale.
Section 6.02 B. Kostot dhe shpenzimet
152. Kërkuesja gjithashtu pretendoi 500 euro për kostot dhe shpenzimet para Gjykatës.
153. Qeveria nuk e kontestoi pretendimin e kërkueses sipas këtij titulli. Ajo e e konsideroi atë mjaftueshëm të vërtetuar dhe të arsyeshëm.
154. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkues/e ka të drejtë të marrë rimbursim të kostove dhe shpenzimeve vetëm për aq sa të jetë vërtetuar se ato janë shkaktuar faktikisht dhe kanë qenë të nevojshme dhe janë të arsyeshme në tërësi. Në rastin konkret, duke pasur parasysh dokumentet që ka përpara dhe kriteret e mësipërme, Gjykata e konsideron të arsyeshme të akordojë shumën prej 500 euro për të mbuluar kostot sipas të gjithë titujve.
Section 6.03 C. Fitimi i munguar
155. Gjykata e konsideron të udhës që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. U bashkon themeleve kundërshtimet e Qeverisë që ankesa e kërkueses sipas Nenit 3 janë ratione materiae dhe ratione personae të papajtueshme me dispozitat e Konventës dhe i rrëzon ato;
2. E deklaron ankesën e kërkueses sipas Nenit 8 për aq sa lidhet me marrjen e indeve të burrit të saj të vdekur pa pëlqimin e saj dhe ankesën sipas Nenit 13 të pranueshme dhe pjesën tjetër të ankesës sipas Nenit 8 të Konventës të papranueshme;
3. E deklarona nkesën e kërkueses sipas Nenit 3 të pranueshme;
4. Vendos që ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës;
5. Vendos që ka pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës;
6. Vendos që nuk ka nevojë të shqyrtohet ankesa sipas Nenit 13 të Konventës;
7. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve nga data kur ky vendim merr formë të prerë në pajtim me Nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme:
(i) 16.000 euro (gjashtëmbëdhjetë mijë euro), plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme, në lidhje me dëme jo materiale;
(ii) 500euro (pesëqind euro), plus taksat që mund të jenë të ngarkueshme për kërkuesen, në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane plus tri pikë përqindjeje;
8. Rrëzon pjesën e mbetur të pretendimit të kërkueses për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht, dhe e shpallur me shkrim më 13 janar 2015, në përputhje me Nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatoş AracıPäivi Hirvelä
Zv/KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullave të Gjykatës, opinioni i ndarë i Gjyqtarit Wojtyczek i bashkangjitet këtij vendimi.
P.H.
F.A.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
OPINIONI ALTERNATIV I GJYQTARIT WOJTYCZEK
1. Në çështjen konkrete, unë kam votuar me shumicën; me gjithë se kam disa dyshime mbi pjesën e arsyetimit të vendimit.
2. Kam shprehur pikëpamjet e mia lidhur me të drejtat në lidhje me transplantimin në opinonin tim alternativ në gjykimin Petrova (Petrova k. Letonisë, nr. 4605/05, 24 qershor 2014). Do të doja të shtoja disa shpjegime të mëtejshme këtu.
Sipas mendimit tim, e drejta e kërkueses për të kundërshtuar transplantimin e organeve të bashkëshortit të saj të vdekur nuk është një e drejtë autonome e cila mund të ushtrohet ad libitum. Kjo e drejtë rrjedh nga e drejta e personit të vdekur për të vendosur lirisht për transplantimin e organeve të tij. Veprimet e familjarëve të mbijetuar janë parashtrim i të drejtave të të ndjerit. Prandaj, kërkuesja mund të jetë dakort apo të kundërshtojë transplantimin e organe vetë bashkëshortit të saj të vdekur vetëm në masën që ajo shpreh dëshirat e të ndjerit. Çdo qëndrim tjetër, do të transformonte trupin e një personi të vdekur në një objekt të vendimeve arbitrare nga të afërmit.
3. Fakti që kërkuesja në të vërtetë ushtron një të drejtë duke mbrojtur dëshirat e burrit të saj të ndjerë nuk do të thotë se në bazë të Konventës kjo e drejtë ka status të njëjtë me të drejtën e burrit të saj. Megjithatë sa më e afërt të jetë lidhja midis këtyre dy të drejtave në fjalë, mbrojtja e ofruar atyre sipas Konventës mund të jenë të ndryshme. Siç kam shpjeguar mendimin tim alternativ në çështjen Petrova, e drejta e një individi për të shprehur dëshirat e një të afërmi të vdekur për sa i përket transplantimit bie në kuadër të jetës familjare, brenda kuptimit të Nenit 8 të Konventës. E drejta në shqyrtim siguron një mbrojtje shumë dimensionale, pasi ajo mbron jo vetëm dëshirat e personit të vdekur, por edhe ato të të afërmve të personit të vdekur, dhe marrëdhëniet brenda familjes. Nëse e drejta e dikujt për të vendosur lirisht për transplantimin e organeve të tij vjen në kuadër të nenit 8 të Konventës është një çështje më vete.
4. Jurisprudenca e Gjykatës ka zgjeruar vazhdimisht qëllimin e jetës private në kuptim të nenit 8. Vendimet e fundit mund të sugjerojnë se mbrojtja e jetës private duhet të identifikohet me lirinë e përgjithshme të vendimeve në çështjet personale ose private. Kështu, kuptimi i "jetës private" gradualisht po shndërrohet në një liri të përgjithshme të veprimit, një nocion i cili është i njohur si AllgemeineHandlungsfreiheit në shkencën juridike gjermane. Sipas mendimit tim, një interpretim i tillë i gjerë i nenit 8 në jurisprudencën e Gjykatës nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore në Konventë. Dispozita në fjalë është keqpërdorur disa herë për të mbushur lacunae në mbrojtjen e Konventës.
5. Në çështjen konkrete, Gjykata ka shpallur ankesën sjellë nga kërkuesja në emër të burrit të saj të ndjerë si të pranueshme. Kjo është shpjeguar në arsyetim, mbi bazën se kjo pjesë e kërkimit është "ratione personae e pajtueshmë”.
Unë e pranoj mendimin se neni 8 i Konventës nuk është i zbatueshëm për të drejtat e burrit të vdekur, në çështjen në fjalë. Një interpretim i tillë kufizues i Konventës korrespondon më shumë me rregullat e zbatueshme të interpretimit të traktateve. Megjithatë, sipas mendimit tim kërkimi duhet të konsiderohet i papranueshm ratione materiae në vend se ratione personae. Unë nuk shoh argumente mjaft të forta për të marrë parasysh se vendimet në lidhje me transplantimin e organeve të dikujt mbulohen nga nocionet e jetës private ose jetës familjare siç kuptohet sipas rregullave të interpretimit të traktateve të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare. Për të përmbledhur, të drejtat në lidhje me transplantimin janë të mbrojtura vetëm pjesërisht nga Konventa.
[1](2003)11rev2.pdf
[2] I ngritur në dhjetor 1997, EGE është një organ i pavarur këshillues. Pararendësi i tij ka qenë Grupi i Këshilltarëve të Komisionit Evropian për Pasojat Etike të Bioteknologjisë, një organ këshillues ad hoc.
Full & Egal Universal Law Academy