© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA ER DHE TË TJERË KUNDËR TURQISË
(Kërkesë nr. 23016/04)
VENDIM
(Ekstrakt)
STRASBURG
31 korrik 2012
PËRFUNDIMTAR
31/10/2012
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen Er dhe të Tjerë kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), me trup gjykues të përbërë prej:
Françoise Tulkens, President,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
Isabelle Berro-Lefèvre,
András Sajó,
Işıl Karakaş,
Guido Raimondi, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 3 korrik 2012,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të kërkesës (nr. 23016/04) kundër Republikës së Turqisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga nëntë shtetas turq, Z. Mehmet Er, Znj. Gülşen Er, Z. İslam Er, Z. Adnan Er, Z. Hızır Er, Znj. Hatice Er, Znj. Belkısa Er, Z. Ali Er dhe Znj. Mumi Er (“kërkuesit”), më 16 maj 2004.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. Mikail Demiroğlu, avokat që ushtron aktivitetin në Hakkari. Qeveria Turke (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i tyre.
3. Kërkuesit pretenduan, në veçanti, se pas ndalimit nga ushtarët e xhandarmërisë i afërmi të tyre Ahmet Er, ishte zhdukur në rrethana të cilat ngrenë përgjegjësinë e Shtetit të paditur, sipas neneve 2, 3, 5 dhe 13 të Konventës.
4. Më 26 shkurt 2008 Gjykata vendosi t’ia komunikonte kërkesën e paraqitur Qeverisë. Sipas dispozitave të nenit 29 § 1 të Konventës ajo vendosi të shqyrtojë themelin e kërkesës në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e saj
FAKTET
RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesit kanë lindur respektivisht më 1980, 1974, 1978, 1984, 1989, 1990, 1994, 1954 dhe 1953 dhe jetojnë në Hakkari. Shtatë kërkuesit e parë janë bijtë e Z. Ahmet Er, i cili u zhduk në korrik 1995, dhe dy kërkuesit e tjerë janë vëllai e motra e tij. Në kohën e zhdukjes së tij, Ahmet Er ishte 44 vjeç.
A. Hyrje
6. Faktet e rastit janë kontestuar nga palët. Faktet e paraqitura nga kërkuesit janë përcaktuar në Seksionin B më poshtë. Parashtrimet e Qeverisë lidhur me faktet janë të përmbledhura në Seksionin C më poshtë. Dëshmi të dokumentuara të paraqitura nga kërkuesit dhe Qeveria janë të përmbledhur në Seksionin D.
B. Parashtrimet e fakteve nga kërkuesit
7. Më 14 korrik 1995 një përplasje të armatosur u zhvillua ndërmjet anëtarëve të PKP[1] dhe anëtarëve të forcave të sigurimit në fshatin Kurudere, i cili është nën juridiksionin administrativ të qytetit të Çukurca në Turqinë jug-lindore. Pas operacionit ushtarët morën të afërmin e kërkuesve Ahmet Er dhe një të afërm të moshuar me emrin e Hacı Mehrap Er nga Kurudere dhe i dërguan në stacionin e xhandarmërisë afër Işıklı.
8. Në të njëjtën ditë, kërkuesit informuan prokurorin publik në Çukurca për incidentin.
9. Hacı Mehrap Er u lirua më 15 korrik 1995 por nuk u dëgjua asgjë më tej për Ahmet Er.
C. Parashtrimet e fakteve nga Qeveria
10. Qeveria parashtroi se Ahmet Er nuk ishin arrestuar. Ai kishte ndihmuar ushtarët në kërkim për mina të mbjella në atë zonë nga terroristët dhe ishte liruar pas kthimit të ushtarëve në kazerma.
11. Një hetim efektiv i kryer nga autoritetet gjyqësore kishte treguar se pas daljes së tij Ahmet Er ishte bashkuar me terroristët në Irakun verior.
D. Dokumentet e paraqitura si prova nga palët
12. Informacioni i mëposhtëm del nga dokumentet e paraqitura nga palët.
13. Më 14 korrik 1995 z. Ali Er, i cili është vëllai i Ahmet Er dhe një nga kërkuesit, e informoi me shkrim prokurorin publik në Çukurca në lidhje me zhdukjen e vëllait të tij. Ai gjithashtu deklaroi se familja kishte frikë për jetën e Ahmet Er, dhe kërkoi ndihmën e prokurorit publik.
14. Më 16 korrik 1995, prokurori publik Çukurca regjistroi në një raport se ai kishte pasur një bisedë telefonike me major C.Y të Qendrës Komando të Çukurca. Majori C.Y. ishte edhe oficeri komandues në krye të ushtarëve që kishin kryer operacionin më 14 korrik. Majori i tha prokurorit publik se Ahmet Er ishte marrë nga fshati nga ushtarët e tij më 14 korrik për t’i ndihmuar ata me operacionet e tyre. Megjithatë, ai ishte liruar më 16 korrik 1995 në një zonë pranë fshatit Narlı.
15. Më 18 korrik 1995 Ali Er bëri parashtrimet në zyrat e guvernatorit dhe prokurori publik në Çukurca. Ai deklaroi në parashtrimet e tij se vëllai i tij Ahmet Er nuk ishte liruar, në kundërshtim me informacionin e dhënë atij nga ana e prokurorit publik të Çukurcas më 16 korrik. Ai shtoi se, ai ishte përpjekur pa sukses për të gjetur vëllain e tij në fshatrat dhe qytetet përreth.
16. Në të njëjtën ditë prokurori publik Çukurca inicioi një hetim zhdukjen për Ahmet Er dhe i dërgoi shkresat Qendrës së xhandarmërisë në Çukurca dhe Qendër Komando në Çukurca ku i kërkonte informacion rreth vendndodhjes së Ahmet Er. Prokurori publik iu kujtoi autoriteteve ushtarake se, në qoftë se Ahmet Er mbahej i ndaluar prej tyre ata duhet të merrnin leje zyrtare nga prokurori.
17. Më 1 gusht 1995, komandanti i xhandarmërisë së Çukurcas, kapiteni S.A.U, iu përgjigj letrës së prokurorit publik dhe e informoi atë se Ahmet Er nuk kishte qenë i paraburgosur në shtabin e tij. Fshati Kurudere ishte evakuuar për arsye të sigurisë dhe prandaj ishte e pamundur për ta gjetur Ahmet Er.
18. Duke mos marrë përgjigje nga Qendër Komandoja në Çukurca në lidhje me kërkesën për informacion, prokurori publik i Çukurca-s përsëriti kërkesën e tij në një letër të datës 25 gusht 1995. Prokurori publik gjithashtu iu referohet bisedës së tij telefonike me major C.Y (shih paragrafin 14 më sipër), dhe i kërkoi Qendrës së Komandos që ta informojë atë saktësisht se ku ishte liruar Ahmet Er dhe nëse kishte pasur ndonjë dëshmitarë okularë gjatë lirimit.
19. Në një letër të datës 22 shtator 1995 një oficer ushtarak nga Qendër Komando në Çukurca informoi prokurorin publik se Ahmet Er dhe "kushëriri i tij moshuar" ishin marrë nga ushtarët më 14 korrik 1995 për ti ndihmuar ushtarët si udhërrëfyes në atë zonë. Të dy burrat kishin ndihmuar ushtarët për të gjetur një numër minash në atë zonën dhe pastaj i kishin "lënë ushtarët në orën 15.00" të njëjtën ditë. Nuk kishte dokumente rreth dy burrave pasi ata nuk kishin arrestuar dhe as nuk ishin mbajtur të ndaluar.
20. Më 16 tetor 1995 një prokuror publik mori në pyetje kërkuesin Ali Er, i cili përsëriti se, vëllai i tij Ahmeti, ishte marrë prej fshatit nga ushtarët më 14 korrik 1995. Togeri i parë i xhandarmërisë i cili ishte me ushtarët madje edhe e kishte qëlluar me shuplakë vëllain e tij në sy të fshatarëve para se ta merrnin me vete. Pas këtij incidenti fshatarët ishin larguar nga fshati në të njëjtën ditë, por xhaxhai i moshuar i kërkuesit, Hacı Mehrap Er, kishte qëndruar për të pritur Ahmetin. Ky i fundit ishte kthyer në fshat me ushtarët të njëjtën mbrëmje, shumë i shqetësuar. Ushtarët i kishin marrë pastaj të dy, edhe Ahmetin edhe Hacı Mehrap Er për në qendrën e xhandarmërisë në Işıklı, ku i kishin lidhur pas një shtylle dhe i kishin lënë ashtu deri në mëngjes. Burrat gjithashtu ishin rrahur. Në mëngjes Hacı Mehrap Er dhe dy fshatarë të tjerë të cilët kishin marrë gjithashtu nga ushtarët ishin liruar. Sipas xhaxhait të tij, Ahmet kishte qenë i pandërgjegjshëm, kur ai e kishte lënë atë. Për më tepër, Fettah Arslan, një bashkëfshatar i tyre, e kishte parë vëllain e kërkuesit ta largonin nga Qendra e xhandarmërisë në Işıklı dhe ta dërgonin me një automjet ushtarak në njësinë komando.
21. Prokurori publik thirri Hacı Mehrap Er dhe Fettah Arslan në zyrën e tij. Më 23 tetor 1995 Fettah Arslan pohoi se ai kishte parë Ahmet Er në një automjet ushtarak, të prangosur.
22. Më 25 tetor 1995 Hacı Mehrap Er i tha prokurorit publik se ditën e incidentit fshatarët ishin përgatitur për të lënë fshatin e tyre siç ishte urdhëruar nga ushtria. Megjithatë, disa anëtarë të PKP kishin dëgjuar për evakuimin dhe praninë e ushtarëve në fshat dhe i kishin sulmuar këta të fundit. Gjatë përleshjes së armatosur që kishte pasuar, Ahmet Er kishte tentuar të largohej nga fshati, për të gjetur djalin e tij, i cili ishte jashtë, në fusha. Megjithatë, ushtarët i kishin keqinterpretuar synimet e Ahmet Er dhe e kishin marrë atë në Qendrën e xhandarmërisë në Işıklı. Më pas, Hacı Mehrap Er ishin dërguar gjithashtu në të njëjtën qendër , ku ai dhe Ahmet ishin lidhur pas një shtyllë dhe ishin rrahur. Ushtarët u kishin hedhur edhe ujë të nxehtë. Ahmetit i ishin thyer kockat e këmbëve me një gur. Kur Hacı Mehrap Er u lirua nesërmen në mëngjes, ndërsa Ahmet ishte tërhequr zvarrë nga dhjetë apo njëmbëdhjetë ushtarë. Kur ai ishte kthyer në fshat, ushtarët e kishin djegur tashmë.
23. Pas dy përpjekjesh të pasuksesshme për ta thirrur në zyrën e tij, prokurori publik në fund arriti të merrte në pyetje Majorin e C.Y të Qendër Komandos të Çukurca në 14 dhjetor 1995. Majori konfirmoi se kishte dëgjuar që Ahmet Er ishte marrë nga fshati nga ushtarët e tij më 14 korrik 1995 për t’i ndihmuar ata si udhërrëfyes për zonën. Pas bisedës së tij telefonike me prokurorin publik ai kishte urdhëruar lirimin e Ahmet Er. Megjithatë, ai kishte vërejtur më vonë se personi i liruar me urdhër të tij nuk ishte Ahmet Er. Major C.Y. shtoi se, ai nuk e dinte nëse Ahmet Er ishte marrë nga ushtarët e tij.
24. Togeri i parë H.Ö., i cili ishte në krye të njërës prej tri njësive të ushtarëve që kishin marrë pjesë në operacionin më 14 korrik 1995, u morr në pyetje nga prokurori publik më 1 shkurt 1996. Togeri i parë konfirmoi se ai dhe ushtarët e tij kishte shkuar në fshatin Kurudere në ditën e incidentit. Gjatë përleshjes së armatosur me anëtarët e PKP-së, ku kishte mbetur i vrarë një oficer dhe ishin plagosur dy ushtarë, ata kishin parë Ahmet Er të largohej me vrap nga fshati. Disa ushtarë ishin dërguar për ta kapur atë. Ushtarët e kishin kapur dhe "mund ta kishin goditur disa herë me shuplakë", sepse ata besonin se Ahmet Er kishte ndihmuar PKP-në. Më pas Ahmet Er i kishte ndihmuar ushtarët për të gjetur një numër të minave tokësore. Në rrugën e tyre ata kishin parë Hacı Mehrap Er, i cili kishte kërkuar leje për të shkuar me ushtarët. Ata më pas kishin marrë Ahmet Er dhe Hacı Mehrap Er në qendrën e xhandarmërisë në Işıklı. Toger i parë u kishte telefonuar eprorëve të tij në qendrën e batalionit, për tu raportuar për dy burrat. Eprori i kishte thënë se ajo nuk ishte e nevojshme t’i merrnin dy burrat në qendrën e tyre pasi nuk kishte prova kundër tyre. Ahmet dhe Hacı Mehrap kishin kaluar natën me ushtarët në qendrën e xhandarmërisë në Işıklı. Ekzistonte mundësia që ushtarët "mund të kishin qenë të inatosur me të dy burrave dhe i kishin goditur me shuplaka", por ata nuk i kishin torturuar apo thyer kockat e këmbëve Ahmetit siç pretendohet. Të nesërmen "burri i moshuar" ishte lënë i lirë dhe Ahmet Er ishte liruar rreth 200 metra larg nga stacioni.
25. Togeri i parë Ş.Ö. kishte qenë në krye të një njësie tjetër në ditën e incidentit. Ai i dha një deklaratë të ngjashme prokurorit publik.
26. Më 2 shkurt 1996, prokurori publik në pyetje katër oficerë të tjerë të xhandarmërisë të cilët kishin marrë pjesë në operacionin e 14 korrikut 1995. Zyrtarët konfirmuan se kishin marrë Ahmet Er dhe Hacı Mehrap Er në qendrën e xhandarmërisë në Işıklı, por mohuan se ti kishin keqtrajtuar ata. Ata pohuan se të dy burrat ishin liruar ditën pasardhëse dhe shtuan se, Ahmet Er i kishte përshëndetur me dorë ata, kur ishte liruar. Oficerët deklaruan gjithashtu se ishte e mundur që Ahmet Er t’i ishte bashkuar PKP-së.
27. Më 16 shkurt 1996, prokurori publik i Çukurca nxori një udhëzim për të gjetur Ahmet Er dhe kërkoi që t’i paraqitej një raport progresi çdo tre muaj. Në udhëzimin e tij prokurori deklaroi se, Ahmet Er nuk kishte qenë i arrestuar nga ushtarët, por ishin marrë nga ata për t’i ndihmuar si një udhërrëfyes për zonën. Ai gjithashtu deklaroi se, duke qenë se dy nga djemtë e Ahmet Er i ishin bashkuar PKP-së, ishte e mundur që edhe vet Ahmet Er t’u ishte bashkuar atyre.
28. Nga dokumentet del që policia dhe ushtarët kontrolluan pa sukses për Ahmet Er dhe informuan prokurorin publik në intervale të rregullta deri më 2 tetor 2000. Më 1 shkurt 2001, prokurori publik në Çukurca kërkoi nga forcat policore që të vazhdonin kërkimin e tyre. Pas letrës së prokurorit policia kishte vazhduar të informonte prokurorin në intervale dy mujore rreth kërkimit të pasuksesshëm për Ahmet Er.
29. Më 3 maj 2002, kërkuesi i parë, Mehmet Er, iu drejtua Gjykatës Civile të Shkallës së Parë në Hakkarit, me pretendimin se babai i tij ishte zhdukur në rrethana kërcënuese për jetën më 14 korrik 1995 dhe se asgjë nuk kishte dëgjuar prej tij që nga ajo datë. Ai i kërkoi gjykatës shpalljen e vdekjes së babai i tij. Kjo kërkesë u pranua më 29 maj 2003. Më 24 shkurt 2004 tre fëmijët më të vegjël të Ahmet Er, kërkuesit z. Hızır Er, Znj. Hatice Er dhe Znj. Belkisa Er, u vendosën nën kujdestarinë e vëllai i tyre më të madh Islam Er, i cili është gjithashtu një prej kërkuesve.
30. Më 10 dhjetor 2003, prokurori publik i Çukurca nxori një vendim ku thuhej se, sipas pohimeve të bëra dhe të informacionit të dhënë nga dëshmitarët okularë, Ahmet Er për herë të fundit ishte parë në një zonë ushtarake, ku ishte "torturuar" nga ushtarët. Prandaj, forcat ushtarake ishin përgjegjëse për incidentet në fjalë dhe prokurorit ushtarak në qytetin e Van kishte juridiksion për të vazhduar hetimin.
31. Prokurori ushtarak në Van nisi hetimin e tij më 14 janar 2004, duke kërkuar informacion nga njësitë vendore ushtarake nëse kishin ndonjë dëgjuar gjë nga Ahmet Er dhe nëse ai kishte djem të cilët ishin anëtarë të PKP-së. Ai gjithashtu kërkoi për raportime çdo tre muaj rregullisht.
32. Më 10 shkurt 2004, njësitë ushtarake informuan prokurorin ushtarak se, sipas informatave të marra nga oficerët e inteligjencës, Ahmet Er ishte marrë prej fshati i tij nga ushtarët. Pas lirimit të tij në 16 korrik 1995, Ahmet Er kishte shkuar në Irakun e veriut për t’u bashkuar me PKP-në. Nuk ishte dëgjuar asgjë prej tij që nga ajo datë.
33. Më 17 shkurt 2004, prokurori ushtarak mori në pyetje kërkuesit Ali Er, dhe Hacı Mehrap Er. Të dy burrat dhanë të njëjtat deklarata që tashmë kishin bërë para prokurori publik të Çukurca.
34. Më 3 mars 2004 përfaqësuesi ligjor i kërkuesve kërkoi informacion nga prokurori i publik Çukurca në lidhje me hetimin. Ai ishte informuar se hetimet kryheshin nën juridiksionin e prokurorit ushtarak në Van.
35. Në intervale të rregullta, ndërmjet 7 prillit 2004 dhe 23 nëntorit 2005 tetë kopje identike të një dokumenti që deklaronte se Ahmet Er ishte bashkuar me PKP-në, ishin nënshkruar nga oficerë të ndryshme ushtarak dhe ishin dërguar prokurorit ushtarak në Van në përgjigje të kërkesës së tij të datës 14 janar 2004 (shih paragrafin 31 më lart).
36. Më 28 korrik 2005, prokurori ushtarak vendosi se edhe ai nuk kishte juridiksion për të hetuar zhdukjen. Në vendimin e tij prokurori përmblodhi hapat hetimore të ndërmarra dhe deklaroi se më 14 korrik 1995 Ahmet Er ishte sjellë në mënyrë të dyshimtë duke bërë që ushtarët ta merrnin atë. Ai u kishte treguar ushtarëve për minat e vendosura në tokë nga anëtarët e PKK-së në vende të ndryshme. Më pas ushtarët e kishin marrë atë me vete në kazermë. Prokurori ushtarak arriti në përfundimin se, në marrjen e Ahmet Er në kazermat e tyre në mënyrë që të merrnin në pyetje, ushtarët kishin kryer funksione gjyqësore dhe jo ushtarake. Prokurorët ushtarakë mund të hetonin vetëm veprat penale të kryera nga anëtarët e forcave të armatosura në kryerjen e detyrave të tyre ushtarake. Prandaj, prokurorët civile kishin juridiksion për të vazhduar hetimin. Pra, dosja u dërguar, përsëri në zyrën e prokurorit publik të Çukurcas.
37. Prokurori publik i Çukurcas vazhdoi hetimet duke i udhëzuar xhandarët të vazhdonin kërkimet për Ahmet Er.
38. Më 15 dhjetor 2005, prokurori publik i Çukurcas përgatiti një raport për hetimet e kryera prej tij. Sipas raportit, më 14 korrik 1995 Ahmet Er ishte sjellë në mënyrë të dyshimtë dhe për këtë arsye ishte marrë nga ushtarët. Ai i kishte ndihmuar ata në gjetjen e dy minave tokësore. Ai kishte qëndruar në qendrën e xhandarmërisë në Işıklı dhe ishte "lirua" më 16 korrik 1995. Sipas hetimeve "sekrete" të kryera nga ana e xhandarëve, Ahmet Er ishte bashkuar me PKP-në pas lirimit të tij. Prokurori publik i Çukurcas arriti në përfundimin se prokurori publik në Van kishte juridiksion për të vazhduar hetimet dhe dërgoi dosjen e hetimit atje.
39. Më 5 janar 2006, një prokuror publik në qytetin e Van lëshoi një urdhër kërkimi dhe arresti për Ahmet Er me akuzën e veprës penale të anëtarësimit në një organizate të paligjshme, konkretisht PKP-në.
40. Në përgjigje të interesimit nga xhandarmëria e Çukurca, prokurori publiku i Van vuri në dukje në një letër të datës 29 mars 2006 se, fakti që familja e Ahmet Er kishte marrë një vendim nga një gjykatë civile që e shpallte të vdekur nuk do të thotë se Ahmet Er kishte vdekur me të vërtetë. Ai vendosi se, kërkimet për Ahmet Er duhet të vazhdonin me qëllim arrestimin e tij në zbatim të urdhrit të 5 janarit 2006.
41. Në ditët në vijim xhandarmëria e Çukurcas informoi prokurorin publik të Van se përpjekjet e tyre për të gjetur dhe arrestuar Ahmet Er kishin qenë të pasuksesshme.
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 2 TË KONVENTËS
42. Kërkuesit pretenduan se pjesëtarët e forcave të armatosura ishin përgjegjës për zhdukjen e të afërmit të tyre, i cili, sipas mendimit të tyre, duhet të shpallet i vdekur, në shkelje të nenit 2 të Konventës. Sipas së njëjtës dispozitë ata gjithashtu pretenduan se autoritetet kishin dështuar për të kryer një hetim të qartë për zhdukjen e Ahmet Er.
43. Neni 2 i Konventës parashikon:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
2. Marrja e jetës nuk konsiderohet të jetë shkaktuar në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo vjen si pasojë e përdorimit të forcës, që është jo më shumë se absolutisht e nevojshme:
(a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
(b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të cilit i është hequr liria ligjërisht;
(c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.”
44. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim.
A. Pranueshmëria
45. Qeveria parashtroi se, kërkuesit nuk kishin shteruar mjetet e brendshme ligjore brenda kuptimit të nenit 35 § 1 të Konventës. Në lidhje me këtë ata iu referuan vendimit në çështjen e Uca kundër Turqisë ((vendim), nr. 3743/06, 29 prill 2008), dhe argumentoi se, kërkuesit mund të kishin aplikuar për kompensim në bazë të ligjit të vitit 2004 për kompensimin e humbjet që rezultojnë nga terrorizmi dhe lufta kundër terrorizmit (shih İçyer kundër Turqisë (vendim), nr. 18888/02, § 44, ECHR 2006-I).
46. Qeveria argumentoi, në alternativë, se kërkuesit kishin dështuar të respektonin detyrimin e afatit gjashtë-mujor, siç kërkohet nga neni 35 § 1 të Konventës. Në lidhje me këtë Qeveria parashtroi se, kërkuesit duhet të kishin aplikuar në Gjykatën brenda gjashtë muajve nga dhënia e vendimit të datës 29 maj 2003 nga Gjykata Civile e shkallës së parë të Hakkarit (në shih paragrafin 29 më lart). Duke iu referuar Kıniş kundër Turqisë ((vendim), nr. 13635/04, 28 qershor 2005) dhe Ajdin dhe të tjerët kundër Turqisë ((vendim) nr. 46231/99, 26 maj 2005), Qeveria argumentoi se kur Gjykata Civile e Shkallës së Parë të Hakkari kishte shpallur vdekjen e Ahmet Er, kërkuesit duhet të kenë kuptuar se nuk do të ishte më e mundur gjetja e tij.
47. Paditësit kundërshtuan parashtrimet e Qeverisë dhe argumentuan se vendimi i gjykatës i shpalljes së vdekjes së Ahmet Er ishte kërkuar për çështje të lidhura me trashëgiminë, dhe nuk kishte asnjë lidhje me hetimet penale për zhdukjen e tij. Ata pohuan gjithashtu se, pas zhdukjes së Ahmet Er dhe shkatërrimit të fshatit të tyre nga ana e forcave të sigurisë, ata ishin detyruar për të braktisur shtëpitë e tyre dhe fshatin dhe të vendoseshin në Hakkari. Në kohën e incidentit disa prej kërkuesve kishte qenë shumë i rinj. Për më tepër, ata ishin njerëz të varfër dhe të paarsimuar dhe nuk kishin qenë në dijeni të të drejtave të tyre. Vetëm disa vjet pasi ata u zhvendosën në Hakkari kishin qenë në gjendje të autorizonin një avokat.
48. Sa i përket kundërshtimit të Qeverisë bazuar në dështimin e kërkuesve për të kërkuar kompensim, Gjykata vë re se ajo e ka shqyrtuar tashmë dhe ka hedhur poshtë referencën e Qeverisë në vendimin e sipërpërmendur Uca në dy çështje të tjera të cilat gjithashtu kishin të bënin me të drejtën e jetës (shih, mutatis mutandis, Gasyak dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 27872/03, § § 66-72, 13 tetor 2009, dhe Fadime dhe Turan Karabulut kundër Turqisë, nr. 23872/04, § 38, 27 maj 2010 ). Ajo nuk shikon asnjë rrethanë të veçantë në çështjen konkrete që t’u largohet konstatimeve të saj në çështjet e mësipërme.
49. Në mënyrë të ngjashme, Gjykata nuk mund të pranojë pretendimin e Qeverisë se periudha gjashtëmujore fillon nga dhënia e vendimit të Gjykatës Civile të Shkallës së Parë të Hakkari për shpalljen e vdekjes më 29 maj 2003. Ajo vë në dukje në lidhje me këtë se, në përputhje me të drejtën e brendshme, kërkuesit ndoqën procedurat për deklarimin e vdekjes me synimin për të rregulluar çështjet pronësore dhe të kujdestarisë së tre fëmijëve të vegjël të Ahmet Er.
50. Për më tepër, detyrimi i përgjegjësisë për zhdukjen dhe për të identifikuar dhe ndjekur penalisht kryerësit e akteve të paligjshme, si dhe detyrim procedural për të hetuar, nuk mund të përfundojë me zbulimin e trupit ose me shpalljen e vdekjes (shih, mutatis mutandis, Varnava dhe të Tjerët kundër Turqisë [GC], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90, § 145, ECHR 2009). Në të vërtetë, prokurori gjithashtu vlerësoi se, pavarësisht vendimi të shpalljen së vdekjes nga gjykata civile nuk do të thoshte se Ahmet Er kishte i vdekur, ndaj urdhëroi që kërkimet të vazhdonin (shih paragrafin 40 më lart).
51. Sa më sipër, Gjykata konkludon se, procedurat e brendshme në lidhje me çështjen e shpalljes së vdekjes nuk mund të ketë një ndikim në çështjen e përmbushjes së afatit kohor gjashtë-mujor. Çfarë mbetet për Gjykatën për të shqyrtuar është nëse, kërkuesit mund të kritikohen për faktin se pritën për një periudhë prej gati nëntë vjet nga zhdukja e Ahmet Er para se ti drejtoheshin Gjykatës.
52. Gjykata rithekson se, në përputhje me jurisprudencën lidhur me rregullin e gjashtë-mujorit në çështjet lidhur me privimin e jetës, në qoftë se nuk ka mjetet në dispozicion ose nëse është gjykuar të jenë jo efektive, afati gjashtë mujor në parim fillon nga data e aktit të kundërshtuar. Konsideratat të veçanta mund të zbatohen në çështje të jashtëzakonshme kur një kërkuesi si fillim i drejtohet një mjeti të brendshëm ligjor dhe vetëm në një fazë të mëvonshme bëhet i vetëdijshëm, ose duhet të bëhet i vetëdijshëm, të rrethanave të cilat e bëjnë atë mjet ligjor jo efektiv. Në një situatë të tillë, periudha gjashtëmujore mund të llogaritet nga koha kur kërkuesi bëhet i vetëdijshëm, ose duhet të ishte bërë i vetëdijshëm rreth këtyre rrethanave (shih Hatsar dhe të Tjerët kundër Turqisë (vendim), nr. 62566/00, 10 janar 2002; Bulut dhe Yavuz kundër Turqisë (vendim), nr. 73065/01, 28 maj 2002;. dhe Bayram dhe Yıldırım kundër Turqisë (vendim), nr. 38587/97, ECHR 2002-III)..
53. Vendimet të cilave iu referua Qeveria (shih paragrafin 46 më sipër) në mbështetje të argumentit të tyre se, kërkuesit duhet të ishin bërë të vetëdijshëm për mungesën e efektivitetit të mjeteve të brendshme ligjore në një fazë më të hershme, si vendimet të referuara në paragrafin e mësipërm, kishin të bënin me vrasjet e paligjshme , ku natyra dhe qëllimet e hetimeve ndryshojnë nga hetimet për zhdukje.
54. Në hetimet e vrasjeve, provat vendimtare zakonisht mund të gjenden nga autoritetet hetuese në fillim të hetimit. Trupi i viktimës, skena e incidentit, dëshmi okulare dhe prania e armëve të përdorura në kryerjen e veprës penale, të tilla si plumbat dhe gëzhojat, e vendosin hetuesin në një pozicion të mirë dhe i ofrojnë atij të dhëna qysh në fazat e hershme të hetimit. Kështu, në qoftë se autoritetet kombëtare, pavarësisht nga disponueshmëria e këtyre të dhënave, nuk do të ndërmarrin hapat e duhur për t’i ndjekur ato, ose nëse hetimi shpejt humbet vrullin, është e arsyeshme të pritet që kërkuesit të bëhen të vetëdijshëm për mungesën e efektivitetit të hetimeve dhe t’ia paraqesin çështjen e tyre Gjykatës pa vonesa të tepruara.
55. Në ndryshim me sa më sipër, në shumicën e rasteve të zhdukjes, autoritetet hetuese duhet të fillojnë hetimet me shumë pak prova në dispozicion dhe duhet të kërkojnë për prova, në mënyrë që të gjurmojnë personin e zhdukur ose të zbulojnë rreth fatit e tij ose të saj. Prova vendimtare mund të dali në dritë shumë vonë (shih Varnava dhe të Tjerët, të cituar më lart, § 162).
56. Për më tepër, ndryshe nga hetimi i një vrasje, një hetim për një zhdukje nuk i shërben të vetmin qëllim të krijimit të rrethanave dhe gjetjen dhe ndëshkimin e autorit të veprës. Dallimi thelbësor në hetimet për zhdukje është se, duke kryer një hetim, autoritetet synojnë gjithashtu për të gjetur personin që mungon ose të zbulojnë se çfarë i ka ndodhur atij ose asaj. Kështu, siç Gjykata ka vendosur në çështjen Varnava dhe të Tjerë, cituar më lart, në rastet e zhdukjes ku ka një gjendje e paditurisë dhe pasigurisë dhe, sipas përkufizimit, një dështim për të dhënë llogari për atë që ka ndodhur, nëse nuk kemi të bëjmë me fshehje të qëllimshme dhe pengimi nga ana e disa autoriteteve, situata është më pak e qartë në krahasim me rastet e vrasjeve. Është më e vështirë për të afërmit e të zhdukurve për të vlerësuar se çfarë po ndodh apo çfarë mund të pritet të ndodhë. Pra duhet të mbahen në konsideratë pasiguria dhe konfuzioni që shpesh shoqërojnë pasojat e zhdukjes (ibid.).
57. Për më tepër, siç Gjykata ka vendosur në çështjen Varnava dhe të Tjerë, janë dy arsye të tjera që justifikojnë një qasje më pak të ngurtë kur shqyrton çështjen e pajtueshmërisë me rregullin e afatit gjashtë-mujor në rastet e zhdukjes. Së pari, ekziston një konsensus në të drejtën ndërkombëtare se duhet të jetë e mundur për të ndjekur penalisht kryesit e krimeve të tilla edhe shumë vite pas ngjarjeve. Natyra serioze e zhdukjeve është e tillë që standardi i shpejtësisë që pritet nga të afërmit nuk mund të jetë shumë rigoroz në kontekstin e mbrojtjes së Konventës (shih Varnava dhe të Tjerët, të cituar më lart, § § 162-164). Në lidhje me këtë, Gjykata vëren gjithashtu se dosja iu përcoll një prokurori ushtarak i cili filloi një hetim të ri në vitin 2004. Në rrjedhën e atij hetimi, prokurori ushtarak kërkoi informacion të mëtejshëm nga njësitë vendore ushtarake dhe mori në pyetje njërin prej kërkuesve dhe dy dëshmitarë okularë. Së dyti, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, hetimi i fakteve dhe zgjidhja e çështjeve të ngritura është më mirë të bëhet për aq sa është e mundur në nivel kombëtar. Është në interes të kërkuesit, dhe efikasitetit të sistemit të Konventës, që autoritetet vendase, të cilët janë në pozicionin më të mirë për ta bërë atë, të veprojnë për të vënë në vend çdo shkelje të pretenduara të Konventës.
58. Në paragrafin 166 të vendimit të saj në Varnava dhe të Tjerët Gjykata vendosi si vijon:
“Në një situatë zhdukjeje komplekse siç është rasti i pranishëm, që rrjedh nga një situatë konflikti ndërkombëtar, ku pretendohet se ka një mungesë të plotë të çdo hetimi apo kontakti të mirëfilltë me autoritetet, mund të pritet që të afërmit ta paraqesin çështjen brenda, më së shumti, disa vjetësh nga incidenti. Nëse ka një hetim të një niveli të dobët, madje edhe nëse është sporadik dhe i rrënuar nga problemet, të afërmit me të drejtë mund të presim disa vjet derisa shpresa për progres të ketë avulluar. Kur kalojnë më shumë se dhjetë vjet, kërkuesin në përgjithësi do të duhet të tregojnë bindshëm se ka pasur disa arritje konkrete dhe në vazhdim, që justifikonin vonesën e mëtejshme për t’iu drejtuar Strasburgut. Pritshmëritë do bëhen më strikte në rastet kur kërkuesit kanë pasur qasje të drejtpërdrejtë tek autoritetet hetimore.”
59. Në rastin konkret, Gjykata vëren se, kërkuesit e depozituan kërkesën e tyre në Gjykatë brenda dhjetë viteve nga zhdukja e të afërmit të tyre. Lidhur me pritshmëritë strikte të imponuara nga Gjykata për shkak të qasjes së tyre të drejtpërdrejtë tek autoritetet hetuese në rastin konkret për, Gjykata vëren se, ata informuar prokurorin publik menjëherë për mbajtjen të ndaluar të të afërmit të tyre nga ushtria. Ata më pas bashkëpunuan me prokurorin dhe i siguruan këtij të fundit dëshmi okulare. Hetimet e nisura nga ai prokuror vazhduan në mënyrë aktive deri më 16 shkurt 1996. Pasi prokurori civil vendosi në 10 dhjetor 2003 se prokuroria ushtarake kishte juridiksion për të vazhduar hetimin, u ndërmorën hapa të mëtejshëm në hetim. Në rrjedhën e hetimit të ri që filloi në vitin 2004 prokurori ushtarak kërkoi informacion të mëtejshëm nga njësitë vendore ushtarake dhe thirri njërin prej kërkuesve dhe dy dëshmitarët okularë në zyrën e tij. Familja dhe dëshmitarë okularë bashkëpunuan me prokurorin ushtarak dhe dhanë dëshmi të mëtejshme (shih paragrafin 33 më lart). Një avokat i caktuar nga ata në atë fazë gjithashtu kontaktoi prokurorët dhe kërkoi informacion në lidhje me hetimin (shih paragrafin 34 më sipër).
60. Gjykata kështu konsideron se, një hetim, megjithëse sporadik (shih Varnava dhe të Tjerët, të cituar më lart, § 166), ishte duke u kryer gjatë periudhës në fjalë dhe se kërkuesin bënë gjithçka mund të pritej prej tyre që të ndihmonin autoritetet. Gjykata më tej konsideron se, vendimi i marrë në vitin 2003 nga prokurori civil, i cili i cilësoi dëshmitë në lidhje me përfshirjen e ushtrisë në zhdukjen e afërmit të kërkuesve të besueshme, si dhe hetimi i mëvonshëm i filluar nga prokurori ushtarak, mund të jenë konsideruar si zhvillime të reja premtuese nga kërkuesit. Në dritën e sa më sipër, Gjykata konstaton se, kërkuesit nuk dështuan të tregojnë kujdesin e duhur duke pritur që hetimet në vijim e sipër si dhe hetime të reja të jepnin rezultate, dhe hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë për sa i përket pranueshmërisë së kësaj kërkese bazuar në limitin kohor prej gjashtë muajsh.
61. Gjykata çmon se, kjo pjesë e kërkesës nuk është haptazi e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35§ 3 të Konventës. Ajo konstaton më tej se, kërkesa nuk është e papranueshme për arsye të tjera. Rrjedhimisht, duhet të shpallet e pranueshme.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. E deklaron kërkesën lidhur me keqtrajtimin që kërkuesit pretendonin se i afërmi i tyre Ahmet Er i ishte nënshtruar në qendrën e xhandarmërisë të papranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme;
...
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 31 korrik 2012, sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stanley NaismithFrançoise Tulkens
KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimi paralel i gjyqtarit A. Sajo i bashkëngjitet këtij vendimi.
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Partia Kurde e Punës, një organizatë ilegale
Full & Egal Universal Law Academy