© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore nr. 159 të Gjykatës
janar 2013
Eweida dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar - 48420/10, 36516/10, 51671/10 et al.
Vendimi 15.1.2013 [Seksioni IV]
Neni 9
Neni 9-1
Manifestimi i fesë ose besimit
Masa disiplinore kundër punonjësve për mbajtjen e simboleve fetare (kryq) në punë ose refuzimi i kryerjes së detyrave që ata i konsideronin të papajtueshme me besimet e tyre fetare: shkelje; nuk ka shkelje.
Neni 14
Diskriminimi
Masa disiplinore kundër punonjësve për mbajtjen e simboleve fetare (kryq) në punë ose refuzimi i kryerjes së detyrave që ata i konsideronin të papajtueshme me besimet e tyre fetare: shkelje; nuk ka shkelje
Faktet – Të katër kërkuesit ishin praktikues të fesë kristiane të cilët u ankuan që e drejta vendase nuk kishte arritur të mbronte të drejtën e tyre për të manifestuar besimet e tyre fetare. Kërkuesja e parë, Znj. Eweida, punonjëse e British Airways, dhe kërkuesja e dytë, Znj. Chaplin, infermiere e gjeriatrisë, u ankuan që punëdhënësit e tyre kishin vënë kufizime ndaj tyre për mbajtjen e dukshme të kryqit kristian rreth qafës gjatë punës. Kërkuesja e tretë, Znj. Ladele, Sekretare e Lindjeve, Vdekjeve dhe Martesave; dhe kërkuesi i katërt, Z. McFarlane, këshillues i cili ofronte shërbime konfidenciale të terapisë dhe marrëdhënieve seksuale, u ankuan që ishin shkarkuar për shkak të refuzimit të kryerjes së disa detyrave të tyre të caktuara të cilat ata konsideronin se pranonin homoseksualitetin, një praktikë e cila ata mendonin se ishte në papajtueshmëri me besimet e tyre fetare.
E drejta – Neni 9 dhe/ose në lidhje me nenin 14: Ka praktika gjyqësore të Gjykatës dhe të Komisionit që tregojnë se, nëse një person ka mundësi të marrë masa për të anashkaluar një kufizim ndaj lirisë së tij apo të saj për të manifestuar fenë ose besimin, nuk ka ndërhyrje tek e drejta nga neni 9 § 1 dhe prandaj kufizimi nuk kërkohet të justifikohet sipas nenit 9 § 2. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka në një shoqëri demokratike liria e fesë, Gjykata konsideroi që kur një individ ankohet për kufizimin e lirisë së fesë në vendin e punës, në vend që të vendoset që mundësia e ndryshimit të vendit të punës do të anulonte çdo ndërhyrje te kjo e drejtë, një qasje më e mirë do të ishte të peshohej ajo mundësi në ekuilibrin e përgjithshëm gjatë shqyrtimit nëse kufizimi ka qenë proporcional.
Aty ku, si në çështjen e kërkuesve të parë dhe të katërt, veprimet e ankimuara janë kryer nga kompani private dhe prandaj nuk ishin drejtpërdrejt të atribueshme ndaj Shtetit përgjegjës, Gjykata duhet t’i konsiderojë çështjet në kuadër të detyrimit pozitiv të autoriteteve të Shtetit për të siguruar të drejtat e nenit 9 për individët brenda juridiksionit të tij.
Për sa i përket parimeve të zbatueshme sipas nenit 14 të Konventës, ndërkohë që në përgjithësi për t’u ngritur një çështje duhet të ketë dallim në trajtimin e personave në situata analoge apo të ngjashme në mënyrë relevante, e drejta për të mos u diskriminuar po ashtu shkelet edhe kur Shtetet, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, nuk i trajtojnë ndryshe personat situatat e të cilëve janë shumë të ndryshme. Veprime të tilla janë diskriminuese nëse nuk kanë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm; me fjalë të tjera, nëse ato nuk kanë qëllim legjitim apo nëse nuk ekziston një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti mes instrumenteve të përdorura dhe qëllimit që synohej të realizohej.
(a) Kërkuesja e parë – Gjykata u bind që këmbëngulja e kërkueses së parë për mbajtjen e kryqit në mënyrë të dukshme në punë ishte manifestim i besimit të saj fetar, dhe që refuzimi nga British Airways mes shtatorit 2006 dhe shkurtit 2007 për ta lejuar atë të qëndronte në vendin e saj të punës ndërkohë që mbante në mënyrë të dukshme kryqin shpinte tek ndërhyrja në të drejtën e saj për të manifestuar fenë e saj. Meqenëse ndërhyrja nuk i atribuohej drejtpërdrejt Shtetit, Gjykata shqyrtoi nëse Shteti kishte vepruar në pajtim me detyrimin pozitiv nga neni 9.
Gjykata nuk konsideroi që mungesa e mbrojtjes eksplicite në të drejtën e Mbretërisë së Bashkuar për rregullimin e mbajtjes së veshjeve dhe simboleve fetare në vendin e punës në vetvete nënkuptonte që ishte shkelur e drejta për të manifestuar fenë, meqenëse çështjet mund të shqyrtoheshin dhe ishin shqyrtuar nga gjykatat vendase në kontekstin e pretendimeve për diskriminim të ngritura nga kërkuesit.
Qëllimi i kodit të uniformës të British Airways, kryesisht për komunikimin e imazhit të kompanisë dhe për të promovuar njohjen e markës dhe stafit të saj, ishte legjitim. Megjithatë, gjykatat vendase i kishin dhënë këtij qëllimi peshë të tepërt. Kryqi i kërkueses së parë ishte modest dhe jo shumë i dukshëm, dhe nuk mund ta ketë pakësuar profesionalitetin e paraqitjes së saj. Nuk kishte prova që mbajtja e artikujve të tjerë të veshjeve fetare më parë të lejuara, siç ishin çallma (turban) dhe shamia e kokës (hijab), nga punonjësit e tjerë, të kishte pasur ndonjë impakt negativ mbi brendin apo imazhin e British Airways.
Për më tepër, fakti që kompania më vonë e ndryshoi kodin e uniformës duke lejuar mbajtjen e dukshme të bizhuterive simbolike fetare tregonte që ndalimi i mëparshëm nuk kishte pasur rëndësi thelbësore.
Prandaj, meqenëse nuk kishte prova të ndonjë cenimi real të interesave të të tjerëve, autoritetet vendase nuk kishin arritur të mbronin në mënyrë të mjaftueshme të drejtën e kërkueses së parë për të manifestuar fenë e saj, në shkelje të detyrimit pozitiv sipas nenit 9. Nuk kishte nevojë për shqyrtim të veçantë të ankesës së saj sipas nenit 14 në lidhje me nenin 9.
Përfundim: shkelje për sa i përket kërkueses së parë (pesë vota pro, dy vota kundër)
(b) Kërkuesja e dytë – Gjykata u bind që vendosmëria e kërkueses së dytë për të mbajtur kryqin në punë ishte manifestim i besimit të saj fetar dhe që refuzimi nga autoriteti shëndetësor për ta lejuar atë të mbetej në vendin e punës si infermiere ndërkohë që mbante kryqin ishte ndërhyrje tek liria e saj për të manifestuar fenë e saj.
Kufizimi në fjalë kishte një qëllim legjitim, i cili ishte mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së infermiereve dhe pacientëve. Prova ishte që menaxherët e kërkueses së dytë konsideronin që ekzistonte rreziku që një pacient me çrregullime mund të kapte dhe të tërhiqte zinxhirin duke shkaktuar lëndime, ose që kryqi mund të lëkundej përpara dhe, për shembull, mund të binte në kontakt me një plagë të hapur. Pra, arsyeja për kufizimin në këtë situatë ishte qenësisht e një rëndësie më të madhe sesa në çështjen e kërkueses së parë. Po ashtu, kishte prova që një infermieres tjetër kristiane i ishte kërkuar ta hiqte kryqin dhe zinxhirin; dy infermiereve që i përkisnin fesë sikh u ishte thënë që mos mbanin byzylyk apo kirpan (thikë e vogël tradicionale sikh); dhe që mbulesat e kokës (hijab) që valëviteshin ishin të ndaluara. Kërkueses së dytë i ishte ofruar mundësia e mbajtjes së kryqit në formën e një karfice zbukuruese të ngjitur në uniformë, ose të futur nën një bluzë me jakë të lartë të veshur nën tunikën e saj, por ajo nuk e kishte konsideruar një gjë të tillë si e tillë që përputhej mjaftueshëm me bindjet e saj fetare.
Kjo ishte një fushë ku autoriteteve vendase duhet t’u lejohej një hapësirë e gjerë vlerësimi. Menaxherët e spitalit ishin në pozicion më të favorshëm për të marrë vendime lidhur me sigurinë në spital sesa gjykata, sidomos një gjykatë ndërkombëtare e cila nuk kishte dëgjuar prova të drejtpërdrejta. Rrjedhimisht, Gjykata nuk mundi të arrinte në përfundimin që masat në fjalë ishin joproporcionale, dhe që ndërhyrja tek liria e kërkueses së dytë për të manifestuar fenë e saj kishte qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike. Prandaj, nuk kishte pasur shkelje të nenit 9 vetëm apo në lidhje me nenin 14.
Përfundim: nuk ka shkelje për sa i përket kërkueses së dytë (njëzëri).
(c) Kërkuesja e tretë – Ishte e qartë që kundërshtimi i kërkueses së tretë për të marrë pjesë në kurorëzimin e partneriteteve civile të seksit të njëjtë ishte drejtpërdrejt e motivuar nga bindjet e saj fetare. Prandaj ngjarjet në fjalë hynin brenda kufijve të nenit 9 dhe neni 14 ishte i zbatueshëm. Krahasuesi përkatës në këtë çështje ishte një sekretar pa bindje fetare kundër bashkimit të çifteve të seksit të njëjtë. Gjykata pranoi që kërkesa e autoritetit vendas që të gjithë sekretarët e lindjeve, martesave dhe vdekjeve të emëroheshin njëkohësisht si sekretarë të partneriteteve civile kishte pasur impakt posaçërisht dëmtues mbi kërkuesen për shkak të bindjeve të saj fetare. Kërkesa synonte qëllimin legjitim të mbrojtjes së mundësive të barabarta për personat me orientim seksual të ndryshëm. Duke shqyrtuar proporcionalitetin e masave, vlen të përmendet që pasojat për kërkuesen e tretë ishin serioze: ajo konsideronte që nuk kishte zgjidhje tjetër përveç përballjes me veprime disiplinore në vend që të bëhej sekretare e partneriteteve civile dhe, përfundimisht, ajo humbi vendin e punës. Më tej, nuk mund të thuhej që, kur kishte hyrë në marrëdhënie pune, në kontratën e saj ajo kishte hequr dorë shprehimisht nga e drejta e saj për të manifestuar besimin e saj fetar duke kundërshtuar të merrte pjesë në kurorëzimin e partneriteteve civile, meqenëse kjo kërkesë ishte paraqitur nga punëdhënësi i saj në një datë të mëvonshme.
Megjithatë, nga ana tjetër, politika e autoritetit vendas synonte të siguronte të drejtat e të tjerëve të cilat gjithashtu mbroheshin nga Konventa dhe Gjykata përgjithësisht u lejonte autoriteteve vendase një hapësirë të gjerë vlerësimi kur vinte puna tek gjetja e një ekuilibri mes të drejtave konkurruese të Konventës. Në të gjitha rrethanat, Gjykata nuk konsideronte që si punëdhënësi i autoritetit vendas që kishte filluar procedurat disiplinore ashtu edhe gjykatat vendase të cilat kishin refuzuar pretendimin e kërkueses së tretë për diskriminim e kishin tejkaluar hapësirën e vlerësimit që kishin në dispozicion. Prandaj, nuk kishte pasur shkelje të nenit 14 në lidhje me nenin 9.
Përfundim: nuk ka shkelje për sa i përket kërkueses së tretë (pesë vota pro, dy vota kundër).
(d) Kërkuesi i tretë – I punësuar në një kompani private politika e së cilës u kërkonte punonjësve të ofronin shërbime të barabarta çifteve heteroseksuale dhe atyre homoseksuale, kërkuesi i katërt kishte refuzuar të zotohej që të ofronte këshillim psikologjik seksual për çiftet e seksit të njëjtë. Si pasojë, kundër tij kishin filluar procedura disiplinore.
Gjykata pranoi që kundërshtimi i kërkuesit të tretë ishte i motivuar drejtpërdrejt nga bindjet e tij tradicionale kristiane për martesën dhe marrëdhëniet seksuale, dhe vendosi që refuzimi i tij për të marrë përsipër çiftet homoseksuale përbënte manifestim të fesë dhe besimit të tij. Prandaj Shteti kishte detyrim pozitiv sipas nenit 9 që të garantonte të drejtat e tij.
Për të vendosur nëse detyrimi pozitiv ishte përmbushur përmes arritjes së një ekuilibri të përshtatshëm mes interesave konkurruese, Gjykata mori parasysh faktin që humbja e vendit të punës ishte dënim i rëndë me pasoja serioze për kërkuesin e katërt. Nga ana tjetër, ai kishte hyrë vullnetarisht në programin e punëdhënësit të tij për trajnim pasuniversitar në këshillim psiko-seksual, duke e ditur që punëdhënësi i tij vepronte mbi bazën e një politike të mundësive të barabarta dhe që filtrimi i klientëve mbi bazën e orientimit seksual nuk do të ishte i mundur.
Ndërkohë që vendimi i një individi për të lidhur kontratë punësimi dhe për të marrë përsipër përgjegjësi të cilat ai e dinte se do të ndikonin tek liria e tij për manifestimin e besimit të tij fetar nuk ishte përcaktues për faktin nëse ka pasur apo jo ndërhyrje tek të drejtat e nenit 9, kjo çështje duhej peshuar për të vlerësuar nëse është arritur një ekuilibër i drejtë.
Sidoqoftë, faktori më i rëndësishëm për t’u marrë parasysh ishte që veprimi i punëdhënësit synonte të siguronte zbatimin e politikës së tij për ofrimin pa diskriminim të shërbimeve. Prandaj autoritetet e Shtetit kishin përfituar nga një hapësirë e gjerë vlerësimi në marrjen e vendimit se ku të vendosej ekuilibri mes të drejtës së kërkuesit të katërt për të manifestuar besimin e tij fetar dhe interesit të punëdhënësit për garantimin e të drejtave të të tjerëve. Në të gjitha rrethanat, Gjykata nuk konsideroi që ajo hapësirë ishte tejkaluar. Prandaj, nuk kishte pasur shkelje të nenit 9 vetëm ose në lidhje me nenin 14.
Përfundim: nuk ka shkelje për sa i përket kërkuesit të katërt (njëzëri).
Neni 41: 2.000 euro për kërkuesen e parë në lidhje me dëme jo-materiale.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy